Tre ndeshje para fundit të kualifikimeve, kuqeverdhët janë të pamposhtur dhe kryesojnë grupin me një shans reale për të shkruar kapitullin më të madh në historinë e futbollit vendor, shkruan Telegrafi.
Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut po kalon një moment që nuk e ka përjetuar kurrë më parë. Tre ndeshje para fundit të kualifikimeve për Botërorin 2026, është ende pa humbje, në krye të grupit dhe e ka fatin në duart e veta. Edhe nëse fundi i kualifikimeve nuk rezulton perfekt, gjasat për një vend në “play-off”-in e marsit mbeten shumë real.
Ky pozicion i favorshëm ka sjellë një qetësi të rrallë në kampin kuqeverdhë. Për herë të parë, nuk ka presion të madh për domosdoshmëri fitoreje, presioni është te rivalët, veçanërisht te Belgjika, kombëtarja më e shtrenjtë e grupit, që pas ndërrimit të përzgjedhësit Rudi Garcia nuk ka luksin të gabojë. Pikërisht ndaj saj, të nesër (e premte 10.10.2025) në Gent, Maqedonia ka një mundësi historike për të bërë befasinë e madhe. Përzgjedhësi Bllagoja Milevski e njeh mirë këtë pozicion dhe po përgatit një strategji të kujdesshme, ngjashëm si në përballjen e parë në Shkup.
Në tri ditë, Maqedoninë e presin dy sfida vendimtare. Në të kaluarën, ndoshta do të zgjidhej se cila të ishte prioritet, por sot çdo ndeshje ka peshën e saj të veçantë. Krahasuar me muajin e kaluar, situata është shumë më stabile: futbollistët kryesorë si Elif Elmas dhe Bojan Miovski kanë gjetur vazhdimësi te klubet e tyre dhe janë kthyer në përfaqësuese me më shumë qetësi dhe vetëbesim. Kjo formë e mirë individuale mund të kthehet në kapital të madh për Maqedoninë.
Ndeshja e parë e luajtur kundër Belgjikës në Shkup ofron një orientim të qartë për mënyrën e lojës, qëndrim kompakt, durim dhe efikasitet në momentet kyçe. Kjo skuadër tashmë e ka dëshmuar se mund të befasojë edhe kundër rivalëve më të mëdhenj: kujtohen fitoret ndaj Gjermanisë dhe dy herët ndaj Italisë, që tashmë janë pjesë e historisë moderne të futbollit tonë.
Tani, rruga është e hapur. Maqedonia e Veriut është midis tre opsioneve, vendi i parë, i dytë apo i tretë dhe të gjitha janë brenda mundësive. Për momentin, tifozët kanë të drejtë të ëndërrojnë dhe këtë herë, ëndrrat janë të mëdha dhe krejtësisht të arritshme.
Ndeshja Belgjikë – Maqedoni e Veriut luhet nesër me fillim nga ora 20:45, ndërsa me 13 tetor luajnë në Shkup ndaj Kazakistanit në stadiumin Arena “Todor Proeski” nga ora 20:45. /Telegrafi/
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, së bashku me presidentin e CONMEBOL, Alejandro Dominguez, dhe krerët e federatave të futbollit, u takuan në New York për të diskutuar mundësinë e mbajtjes së Kupës së Botës 2030 me 64 ekipe, raporton ESPN.
Propozimi i parë erdhi nga delegati uruguaian, presidenti i federatës lokale, në emër të CONMEBOL.
Infantino ka vizituar së fundmi Marokun për të kërkuar mbështetjen e Afrikës dhe gjithashtu ka biseduar me përfaqësues të një prej federatave kryesore aziatike.
Kupa e Botës 2030 pritet të zhvillohet në gjashtë vende, në tre kontinente: Marok, Spanjë, Portugali, Uruguai, Argjentinë dhe Paraguai. Aktualisht, vendet e Amerikës së Jugut pritet të presin nga një ndeshje secila.
Nëse zgjerimi në 64 ekipe realizohet, CONMEBOL mund të sigurojë deri në 10 vende për skuadrat e saj. Nga këto, vetëm Venezuela nuk ka marrë pjesë kurrë në një turne final të Kupës së Botës.
Për krahasim, Kupa e Botës 2026 do të ketë 48 ekipe, nga 32 që ka pasur më parë. /Telegrafi/
Pothuajse tre vjet pas finales epike të Kupës së Botës 2022, FIFA ka publikuar për herë të parë pamje mahnitëse me dron nga triumfi dramatik i Argjentinës ndaj Francës në stadiumin Lusail.
Ndeshja përfundoi 3-3 pas kohës shtesë, përpara se Argjentina të siguronte titullin botëror me rezultatin 4-2 në penallti, në një nga finalet më emocionuese në historinë e futbollit.
Pamjet e publikuara ofrojnë një perspektivë unike nga ajri, duke i lejuar tifozët të rijetojnë çdo moment vendimtar – nga goditjet e penalltive, tek reagimet e lojtarëve dhe emocionet që shpërthyen në stadium.
Reagimet në rrjetet sociale nuk munguan:
Një tifoz shkroi: “Çfarë momenti i bukur”.
“Finalja më e mirë e të gjitha kohërave”, shkroi dikush tjetërt.
Një tjetër la komentin: “Nuk harrohet kurrë”.
“Ende nuk mund ta besoj që Messi e goditi atë penallti në atë mënyrë. Gati sa nuk u çmenda”, ishte komenti plotë emocion i një tifozi.
Ky publikim po rikthen në vëmendje një nga momentet më të paharrueshme të futbollit modern – një finale që do të mbetet në histori jo vetëm për rezultatin, por edhe për emocionin që dhuroi. /Telegrafi/
FIFA dhe UEFA shkaktuan skandal të madh gjatë shortit kualifikues të Kupës së Botës, duke paraqitur Kosovën pjesë të Serbisë.
Shorti i shumëpritur në Cyrih ishte i disponueshëm për t’u transmetuar drejtpërdrejt në FIFA+ dhe kanalin zyrtar në YouTube.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino prezantoi ngjarjen përpara se Robert Pires, Gianluca Zambrotta, Rachel Yankey, Ariane Hingst dhe Fernando Llorente të ndërhynin për të ndihmuar procedurat.
Por përpara se të hidhej shorti, përgjegjësit shfaqën një prezantim me faktorë që “duhen pasur parasysh”.
Këtu, marrëdhëniet ndërkombëtare u përmendën si një faktor që mund të ndikojë në cilin ekip shkon një grup, dhe një hartë shfaqi Kosovën pjesë të Serbisë, ndërsa në të shihet edhe Krimea pjesë e Rusisë.
Kosova është pjesë e shtëpisë së futbollit botëror nga viti 2016, ndërsa këta të fundit vazhdojnë ta bëjnë skandalin e njëjtë nga viti në vit.
Natyrisht se në rrjetet sociale, sidomos në platformën X (ish-Twitter) kanë filluar të reagojnë në lidhje me këtë skandal, pasi FIFA ka fyer vendet antare të saj. /Telegrafi/
FIFA is so corrupt! World Cup in Saudi Arabia, marking Crimea as Russia. https://t.co/QP0TkE775F