Normal view

Komuna e Drenasit nuk përfshihet në zonat e hapura për gjueti, për shkak të procedurave gjyqësore

3 November 2025 at 14:50


Edhe pse Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka shpallur hapjen e sezonit të gjuetisë në nivel vendi, Komuna e Drenasit nuk është përfshirë në listën e vendgjuetive të aprovuara për këtë vit.

Sipas njoftimit të komunës, kjo situatë lidhet me një proces gjyqësor që është ende në zhvillim ndërmjet Komunës së Drenasit dhe Ministrisë së Bujqësisë, ku komuna është palë paditëse, përcjell Telegrafi.

“Gjykata e shkallës së parë ka aprovuar kërkesëpadinë e Komunës së Drenasit, mirëpo për shkak se çështja aktualisht ndodhet në Gjykatën e Apelit, ankesa e paraqitur pengon që aktgjykimi të marrë formën e prerë”, thuhet në njoftim.

Për pasojë, Ministria ka marrë vendim që zona e Drenasit të mos përfshihet përkohësisht në vendgjuetiet e hapura.

Komuna ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve dhe të shoqatave të gjuetarëve, duke apeluar për respektim të vendimit në fuqi deri në përfundimin e procedurave gjyqësore. /Telegrafi/


Komuna e Drenasit nis rregullimin e parkingut për autobusët e shkollës "Xheladin Gashi-Plaku"

3 November 2025 at 13:18


Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë e Komunës së Drenasit ka filluar punimet për rregullimin e parkingut për autobusët dhe kombibusët që transportojnë nxënësit e Shkollës Fillore "Xheladin Gashi-Plaku".

Ky projekt synon të krijojë kushte më të sigurta për hipjen dhe zbritjen e nxënësve nga mjetet e transportit dhe të përmirësojë organizimin e qarkullimit në hapësirën përreth shkollës.

Sipas komunës, përmes këtij rregullimi pritet të rritet siguria, efikasiteti dhe komoditeti i transportit shkollor, duke kontribuar gjithashtu në përmirësimin e infrastrukturës publike në Drenas. /Telegrafi/

Ekipet e KRM “Pastrimi” pastrojnë nënkalimin në Komoran

30 October 2025 at 18:02


Në kuadër të angazhimit për mjedis të pastër dhe në shërbim të qytetarëve, ekipet e KRM “Pastrimi” kanë ndërhyrë sërish për pastrimin e plotë të nënkalimit në Komoran, hapësirë e cila ishte shndërruar në vatër mbeturinash dhe kishte krijuar shqetësim për banorët e zonës.

Edhe pse mirëmbajtja e këtij nënkalimi është përgjegjësi e Departamentit të Rrugëve në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës, ndërhyrja është realizuar nga KRM “Pastrimi” me qëllim ruajtjen e pastërtisë publike dhe mirëqenies së qytetarëve, përcjell Telegrafi.



Nga kompania theksohet se kjo nuk është hera e parë që ndërhyhet në këtë lokacion, pavarësisht se nuk është nën përgjegjësinë e saj të drejtpërdrejtë, duke dëshmuar përkushtimin për të reaguar në çdo rast ku paraqitet nevoja.

Ky veprim, sipas komunës, reflekton angazhimin e vazhdueshëm për mbrojtjen e mjedisit dhe kujdesin ndaj hapësirave publike, në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët. /Telegrafi/

Në Drenas ndalohet përkohësisht gjuetia

30 October 2025 at 16:42


Komuna e Drenasit ka njoftuar qytetarët dhe shoqatat e gjuetarëve se, megjithëse sezoni i gjuetisë është shpallur i hapur në nivel vendi, territori i kësaj komune aktualisht nuk i plotëson kriteret ligjore për organizimin e gjuetisë, përcjell Telegrafi.

Sipas vendimit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në Komunën e Drenasit ndalohet çdo aktivitet apo organizim që lidhet me gjuetinë, deri në një njoftim të ri nga Ministria përkatëse.



Komuna ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët, shoqatat e gjuetarëve dhe palët e interesuara të respektojnë këtë vendim dhe të kontribuojnë në zbatimin e tij, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

Vendimi i plotë i Ministrisë është publikuar në faqen zyrtare të Komunës së Drenasit: https://gllogoc.rks-gov.net/shpalljet/. /Telegrafi/

Lladrovci: Komuna e Drenasit shpallet për herë të shtatë kampion i performancës

17 October 2025 at 14:58


Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, thotë se komuna që ai udhëheq është shpallur për herë të shtatë kampion i performancës.

Lladrovci përmes një reagimi në Facebook, ka uruar qytetarët për këtë raport, transmeton Telegrafi.

"Fitore pas fitores, ashtu siç e kemi deklaruar, sot është publikuar lajmi në Ministri se jemi në vendin e parë në garën për grantin e performancës. Urime qytetarë të Drenasit, urime qytetarë kampionë! Sot, zyrtarisht morëm raportin e Performancës Komunale, rezultat që Komunën e Drenasit e rendit në vend të parë në Kosovë, me 83.13 pikë. Edhe këtë vit, Drenasi është kampion", ka shkruar ai në Facebook.

Tutje, ai ka shtuar "Respekt dhe faleminderit ekipit komunal të ngarkuar me grantin e performancës dhe qytetarët tanë për angazhimin e përbashkët dhe kontributin në këtë sukses".

Megjithëse rezultatet kanë qenë të ditura para zgjedhjeve, MAPL sot e bëri të ditur numrin e pikëve, pa e bërë renditjen sipas vendeve të komunave konkurruese, nëpërmjet njoftimit publik. Falënderojmë Zyrën e BE-së në Kosovë, Ambasadën e Suedisë, Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, MAPL-në, si dhe donatorët e partnerët tjerë vendorë e ndërkombëtarë për mbështetjen e vazhdueshme"./Telegrafi/

Komuna e Drenasit ndan 200 bursa për studentët e nivelit Bachelor

14 October 2025 at 11:08


Drejtoria për Arsim e Komunës së Drenasit ka shpallur konkursin për ndarjen e 200 bursave komunale për studentët e rregullt të nivelit Bachelor për vitin akademik 2025/2026.

Bursat në vlerë prej 500 euro secila do të ndahen për studentët e Komunës së Drenasit që studiojnë në universitetet publike të Kosovës, në të gjitha drejtimet e studimit. Numri i bursave mund të rritet në varësi të buxhetit të komunës dhe donatorëve, përcjell Telegrafi.



Të drejtë aplikimi kanë:

  • Studentët banorë të Komunës së Drenasit;
  • Studentët e rregullt në universitetet publike të Kosovës (nga viti I deri në vitin VI);
  • Studentët që nuk kanë përsëritur vitin akademik.

Përzgjedhja e përfituesve bëhet në bazë të pikëve, ku merren parasysh nota mesatare dhe kategori të veçanta si: statusi social, gjendja ekonomike, drejtimet deficitare, dhe kriteret familjare apo shëndetësore.

Për më shumë rreth bursës, klikoni këtu: https://gllogoc.rks-gov.net/.../Konkursi-per-bursa...

Aplikimi:

Aplikacionet dorëzohen nga data 14 tetor deri më 28 tetor 2025, në objektin e Komunës së Drenasit, Rr. “Fehmi dhe Xhevë Lladrovci” Nr. 2, kati i parë, Zyra me Shërbime me Qytetarë, sportelet 10, 11 dhe 12, çdo ditë pune nga ora 08:00 – 16:00.

Formulari i aplikimit mund të merret në Drejtor i të Arsimit ose të shkarkohet në faqen zyrtare të komunës: (https://gllogoc.rks-gov.net/.../Formular_i_Aplikimit_per...)

Përfituesit do të njoftohen pas përfundimit të procesit të përzgjedhjes. /Telegrafi/

KRU “Prishtina” reagon ndaj Komunës së Drenasit: Pretendimet për mungesë të zyrtarëve janë shpifje

3 October 2025 at 09:39


Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka reaguar ndaj deklaratave të Komunës së Drenasit, e cila ditë më parë akuzoi ndërmarrjen për neglizhencë dhe mungesë të informimit lidhur me ndërprerjet e furnizimit me ujë në disa fshatra të komunës.

Në reagim, KRU “Prishtina” i cilëson akuzat si të pavërteta dhe tendencioze, duke theksuar se zyrtarja për informim ndodhet në vendin e punës dhe jo, siç është pretenduar, në Shqipëri, përcjell Telegrafi.



“Pretendimet se ndodhemi në Shqipëri janë tendencë e paskrupullt. Zyrtarja për informim ndodhet në zyrën e saj nr. 26 në objektin e KRU ‘Prishtina’,” thuhet në reagim.

Më tej, kompania paralajmëron padi ndaj përfaqësuesve të Komunës së Drenasit për, siç u tha, shpifje dhe keqinformim të qytetarëve, duke argumentuar se kjo dëmton imazhin e ndërmarrjes.

Sa i përket rasteve të publikuara në rrjetet sociale, KRU “Prishtina” thekson se bëhet fjalë për raste të raportuara nga qytetarët, për të cilat ekipi i saj ka ndërhyrë. /Telegrafi/

Drenasi kërkon llogari nga KRU “Prishtina” për mungesën e ujit: Do të ndërmarrim hapa ligjorë

3 October 2025 at 09:15


Komuna e Drenasit ka reaguar ndaj ndërprerjeve të vazhdueshme të furnizimit me ujë në disa fshatra të kësaj komune, duke akuzuar kompaninë KRU “Prishtina” – dega në Drenas, për sjellje të papërgjegjshme dhe diskriminuese ndaj qytetarëve, përcjell Telegrafi.

Në njoftimin e komunës thuhet se tash e pesë ditë me radhë janë kërkuar sqarime nga kompania, mirëpo përgjigjet kanë qenë të përsëritura dhe të pasakta, duke u arsyetuar me prishje teknike që “do të sanoheshin brenda ditës”, gjë që sipas komunës nuk ka ndodhur.

“Është e qartë se qytetari po bëhet viktimë e një sjelljeje të papërgjegjshme dhe të qëllimshme, e cila synon të dëmtojë interesin publik dhe imazhin e qeverisjes lokale, sidomos në kohë fushate”, thuhet në reagim.

Komuna ka theksuar gjithashtu se kërkesa për një njoftim zyrtar nga KRU “Prishtina” është hasur me përgjigje ironike, duke u thënë se “zyrtarët e informimit ndodhen aktualisht në Shqipëri”. Ndërkohë, kompania ka vazhduar të publikojë rregullisht njoftime për komunat e tjera, por jo për Drenasin.

“Ky standard i dyfishtë dhe qasja diskriminuese ndaj qytetarëve tanë është i papranueshëm”, thekson Komuna e Drenasit, duke paralajmëruar se do të shqyrtojë të gjitha hapat ligjorë dhe institucionalë për t’iu garantuar qytetarëve të drejtën elementare për furnizim me ujë.

“Qytetari i Drenasit nuk është qytetar i dorës së dytë dhe kjo komunë do të qëndrojë gjithmonë në mbrojtje të interesit të tij”, përfundon reagimi. /Telegrafi/

Drenas, anulohet konkursi për pozitat e lira në arsim

28 July 2025 at 10:00

Komuna e Drenasit njofton të gjithë qytetarët se, për shkak të numrit të madh të aplikimeve dhe mbingarkesës në Sistemin për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në Arsim (SIMBNJ), janë evidentuar disa lëshime teknike gjatë procesit.

Për këtë arsye, anulohet Konkursi me numër referent RN00018002, i datës 12.06.2025, për pozitat e lira të punës në sektorin e arsimit.

Informacione të reja lidhur me hapjen e konkursit do të publikohen së shpejti në faqen zyrtare të Komunës dhe ne sistemin e SIMBNJ-së./Telegrafi/

 

 

The post Drenas, anulohet konkursi për pozitat e lira në arsim appeared first on Telegrafi.

Lladrovci denoncon profilet e rreme: Nuk ka bir nane që më largon nga PDK

18 July 2025 at 22:46

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka reaguar ashpër ndaj siç i quan ai profileve të rreme, që po synojnë të mjegullojnë kandidaturën e tij dhe të dëmtojnë Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) në prag të zgjedhjeve lokale.

“Profilet e rreme kanë filluar punën, po rizgjohen. Në zgjedhjet e kaluara, keqbërësit i kishin së paku 18 profile të rreme, ndërsa për këto zgjedhje kanë arritur të bëhen po ashtu 18 profile/portale”, ka shkruar Lladrovci në Facebook.

Ai thotë se këto veprime janë të njëjtat metoda të vjetra për të krijuar mjegull rreth emrit të tij dhe PDK-së.

Sipas tij, edhe tentativat për të krijuar iniciativa qytetare me emra të ngjashëm janë pjesë e së njëjtës skemë.

“Iniciativat qytetare janë të lira dhe nuk marrin leje nga unë. Megjithëse jemi kampion, bedelat e paskan shpikur emrin duke prodhuar shkurtesën PDK”, shton ai.

Në fund, Lladrovci thekson se është i palëkundur në qëndrimin e tij brenda PDK-së.

“PDK, dje, sot, nesër, pikë. Nuk ka bir nane që më largon nga PDK!”, ka shkruar Lladrovci. /Telegrafi/

The post Lladrovci denoncon profilet e rreme: Nuk ka bir nane që më largon nga PDK appeared first on Telegrafi.

Ndryshime në udhëheqjen e dy drejtorive komunale në Drenas

29 May 2025 at 09:00

Komuna e Drenasit njofton se është emëruar Herolindë Krasniqi në pozitën e Drejtoreshës për Kulturë, Rini dhe Sport, si dhe Enkela Dema në pozitën e Drejtoreshës për Bujqësi dhe Zhvillim Rural.

Në njoftimin e bërë nga Komuna thuhet se ky ndryshim vjen si pjesë e një riorganizimi të brendshëm për të forcuar më tej performancën dhe bashkëpunimin ndërinstitucional në dobi të qytetarëve tanë.

“Enkela Dema, e cila deri tani ka udhëhequr me përkushtim Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, kalon tashmë në krye të Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural – një drejtori me rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik dhe jetën rurale në komunën tonë. Një falënderim i veçantë shkon për Anita Avdullahu Dvorani, e cila me profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm ka udhëhequr Drejtorinë për Bujqësi deri më tani, duke kontribuar ndjeshëm në avancimin e sektorit bujqësor”, vijon njoftimi.

Tutje, thuhet ” Urojmë suksese Krasniqi dhe Dema në detyrat e reja, me bindjen se do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim, transparencë dhe vizion për të mirën e qytetarëve të Komunës së Drenasit”./Telegrafi/

The post Ndryshime në udhëheqjen e dy drejtorive komunale në Drenas appeared first on Telegrafi.

Në Drenas shënohet Dita Botërore e Hipertensionit

17 May 2025 at 14:48

Komuna e Drenasit, përkatësisht Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, në bashkëpunim me QKMF-në, shënoi sot Ditën Botërore të Hipertensionit përmes aktiviteteve vetëdijesuese në terren dhe në ambientet e QKMF-së.

Aktivitetet përfshinë: Matje falas të tensionit arterial për qytetarët; Këshillim shëndetësor individual për parandalimin e hipertensionit; Ligjëratë informuese në sallën e QKMF-së, për të shënuar këtë ditë të rëndësishme dhe për të ofruar informata mbi rreziqet e hipertensionit dhe mënyrat e parandalimit.

Po ashtu, thuhet se qytetarët patën mundësi të informohen nga profesionistët tanë për rëndësinë e një jete të shëndetshme dhe kontrollit të rregullt të tensionit.

The post Në Drenas shënohet Dita Botërore e Hipertensionit appeared first on Telegrafi.

Drenas, mbahet fushatë vetëdijësuese për parandalimin e zjarreve

16 May 2025 at 14:32

Në kuadër të Javës së AME-së, në dhjetë shkolla të komunës së Drenasit është zhvilluar një fushatë vetëdijësuese me qëllim parandalimin e zjarreve, në organizim të Njësisë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit (NJPZSH-së).

Udhëheqësi i Njësisë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, Afrim Gjeli dhe stafi i tij mbajtën ligjërata informuese dhe praktike me nxënësit e shkollave, u prezantuan tema të rëndësishme vetëdijësuese për rrezikun nga zjarri, masat mbrojtëse të zjarreve në shkolla, shtëpi banimi dhe hapësira të hapura, veprimet në rast zjarri, evakuimi emergjent, pajisjet për shuarjen e zjarreve fillestare dhe mënyrat e parandalimit të tyre.

Ligjëratat u shoqëruan me shembuj konkret dhe demonstrime të drejtpërdrejta, duke nxitur përfshirjen aktive të nxënësve dhe rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e sigurisë nga zjarret.

Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjencë, falënderon NjPZSh-në për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar në këtë mision kaq të rëndësishëm për sigurinë tonë të përbashkët, Drejtorinë Komunale të Arsimit dhe drejtorët e shkollave në Komunën tonë që mundësuan dhe përkrahen realizimin e aktiviteteve të vetëdijësimit publik të nxënësve. /Telegrafi/

 

The post Drenas, mbahet fushatë vetëdijësuese për parandalimin e zjarreve appeared first on Telegrafi.

Komuna e Drenasit mbështet zhvillimin profesional të mësimdhënësve

13 May 2025 at 09:34

Komuna e Drenasit, në bashkëpunim me DKA-në dhe organizatën KosEd, po vazhdon angazhimin për të fuqizuar zhvillimin profesional të mësimdhënësve në shkollat tona.

Sot u certifikuan 74 mësimdhënës që përfunduan me sukses trajnimin “Praktikat pedagogjike të bazuara në dëshmi”, i cili përbëhej nga 8 module. Trajnimi u realizua në shkolla të ndryshme të komunës dhe u udhëhoq nga vetë mësimdhënësit me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë.

Certifikimi u zhvillua në këto shkolla:

• Sh.f.m.u. “Zenel Hajdini” – Tërstenik I
• Sh.f.m.u. “Xheve Lladrovci” – Gllanasellë
• Sh.f.m.u. “Rexhep Gjeli” – Likoshan
• Sh.f.m.u. “Rilindja” – Dobroshec
• Sh.f.m.u. “Fazli Grajçevci” – Vasilevë

Pjesëmarrësit kishin përfunduar më herët vetëvlerësimin e shkollës dhe vlerësimin nga kolegët, çka ka ndihmuar në përcaktimin e moduleve më të përshtatshme për trajnimin.

Së shpejti do të vijojë edhe certifikimi i mësimdhënësve të shkollave të tjera ku është përmbyllur ky projekt.

Faleminderit të gjithë mësimdhënësve për angazhimin e tyre, si dhe DKA-së dhe kryetarit të komunës për përkrahjen e vazhdueshme në fuqizimin e arsimit në Drenas. /Telegrafi/

 

 

 

 

The post Komuna e Drenasit mbështet zhvillimin profesional të mësimdhënësve appeared first on Telegrafi.

Mbahet Sofra Poetike “Ymer Elshani” 2025 në Drenas

2 May 2025 at 10:51

Të mërkurën, në Sallën e Kulturës në Drenas, u mbajt edicioni i radhës i manifestimit tradicional letrar “Sofra Poetike – Ymer Elshani” 2025, i organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, në bashkëpunim me Karvanin e Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva”.

Kjo ngjarje kulturore u zhvillua në shënim të 26-vjetorit të rënies së shkrimtarit Ymer Elshani, një figurë e shquar e letërsisë shqipe dhe arsimit.

Në manifestim morën pjesë: i autorizuari i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Petrit Sinani, drejtorë komunal, shkrimtarë e krijues, Teuta Elshani – e bija e shkrimtarit, përfaqësues të shkollave, mësimdhënës, nxënës dhe familjarë.

Petrit Sinani kujtoi zanafillën e manifestimit:

“Në vitin 1994, në fshatin Tërstenik, u mbajt takimi i parë i shkrimtarëve, ku u vendos që ky manifestim të quhet ‘Sofra Poetike’. Që nga atëherë, u krijua një traditë që tubon poetët dhe shkrimtarët nga të gjitha trevat e Kosovës, për të nderuar fjalën, artin dhe trashëgiminë tonë kulturore. Çmimi special – ‘Sofra Drenicase’ – simbolizon këtë trashëgimi, përmes një punimi në miniaturë të realizuar enkas për këtë ngjarje”.

Historikun e Sofrës Poetike dhe jetën e shkrimtarit të ndjerë Ymer Elshani e prezantoi Ibrahim Kadriu, përfaqësues i Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva”.

Nxënësit e Sh.F.M.U. “Rasim Kiçina” u prezantuan me krijimet e tyre letrare, si:

• 17 prilli – Anisa Veliu
• Fjala ime – Xheneta Xhemajli
• Për ty që shkrove – Alisa Xhekaj
• Udhëtim i diturisë – Eda Mula
• Zëri i nxënësve – Sofije Halilaj
• Librat – dritare drejt botës – Erblin Islami
• Heshtja që flet – Loresa Salihu
Nga mbi 70 punime të paraqitura, u përzgjodhën dhe u lexuan 14 poezi para të pranishmëve. Vlerësimin e punimeve e bëri komisioni profesional i përbërë nga:
• Rinore Veliu-Zymeri (kryetare)
• Sheremet Prokshi
• Sadbere Uka

Fituesit e çmimeve të edicionit 2025:

• Vendi i parë: “Elegji për 1432 engjëj” – Shifra “Nositi” – Ramë Oraca
• Vendi i dytë: “Vargjet e tua janë përjetësi” – Shifra “Poeti i Lirisë” – Hazir Luta
• Vendi i tretë: “Prilli akoma loton” – Shifra “8891” – Adelina R. Qarkaj
Çmimi për talentet e rinj:
• “Kosovë, bijë e stuhive dhe diellit” – Shifra “Bija jote Kosovë” – Mimoza Zymeri (Mitrovicë)
Çmimi special “Sofra Poetike – Ymer Elshani” 2025:
• Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva”
(përfaqësuar nga: Xhevat Syla, Ibrahim Kadriu, Jonuz Fetahaj, Skënder Zogaj, Riza Greiçevci, Berat Batiu)

Ky manifestim edhe këtë vit dëshmoi se Drenasi mbetet një vatër e gjallë e kulturës dhe letërsisë shqiptare, duke ofruar hapësirë për afirmimin e talenteve të reja dhe kultivimin e vlerave të qëndrueshme artistike. /Telegrafi/

The post Mbahet Sofra Poetike “Ymer Elshani” 2025 në Drenas appeared first on Telegrafi.

Në Drenas përurohet busti i heroit, Shaban Polluzha

4 April 2025 at 10:46

Në kuadër të aktiviteteve për Ditën e Shkollës “Shaban Polluzha” në fshatin Polluzhë, u bë përurimi i bustit të Heroit të Kombit, Shaban Polluzha, në ambientet e ShFMU “Shaban Polluzha”.

Në këtë ngjarje të veçantë mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili vlerësoi lart figurën e Heroit dhe sakrificën e tij për lirinë dhe dinjitetin kombëtar.

“Është nder dhe privilegj të kujtojmë veprën e Shaban Polluzhës, një prej figurave më emblematike të historisë sonë. Kjo është një ditë krenarie për nxënësit, mësimdhënësit dhe të gjithë banorët e Polluzhës,” u shpreh kryetari Lladrovci gjatë ceremonisë.

Në njoftim thuhet se përurimi i bustit është një mesazh të fuqishëm për edukimin e brezave të rinj në frymën e atdhedashurisë dhe respektit për historinë tonë.

“Komuna e Drenasit vazhdon të përkrahë projektet që nderojnë figurat kombëtare dhe që forcojnë ndjenjën e përkatësisë dhe krenarisë tek qytetarët tanë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

The post Në Drenas përurohet busti i heroit, Shaban Polluzha appeared first on Telegrafi.

Drenas, banorët e Arbrisë tani mund të marrin shërbime shëndetësore në ambulancën e tyre

3 April 2025 at 12:54

Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Drenas po vazhdon me punë dhe aktivitete në shërbim të qytetarëve.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se nga tani, banorët e Abrisë dhe ata të Tërdevcit që jetojnë pranë saj mund të marrin shërbime shëndetësore në Ambulancën e Mjekësisë Familjare në Abri, nga ora 08:00 deri në 16:00.

Drejtoresha e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Lumnije Krapi, ka konfirmuar se Ambulanca e Mjekësisë Familjare ka nisur ofrimin e shërbimeve.

“Kjo do të mundësojë qasje më të lehtë në shërbimet shëndetësore dhe përmirësim të cilësisë së tyre për banorët e kësaj zone”, thuhet në njoftim.

Tutje, thuhet se ky  është një hap tjetër në përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore dhe afrimin e shërbimeve për qytetarët e Komunës së Drenasit.

“Përmirësimi i infrastrukturës shëndetësore dhe mbështetja e profesionistëve të shëndetësisë mbeten përparësi për ne”, theksohet në komunikatë./Telegrafi/

 

 

The post Drenas, banorët e Arbrisë tani mund të marrin shërbime shëndetësore në ambulancën e tyre appeared first on Telegrafi.

Komuna e Drenasit fton qytetarët të kryejnë obligimet e tyre tatimore

1 April 2025 at 15:41

Komuna e Drenasit ka ftuar qytetarët që të kryejnë obligimet e tyre tatimore.

Në njoftim thuhet se bazuar bazuar në evidencat tatimore, ju njoftojnë se keni detyrime të papaguara për ngarkesat tatimore mbi: Tokën bujqësore në pronësi tuaj; Trojet ndërtimore; Objektet e regjistruara në emrin tuaj.

Tutje thuhet se për të shmangur penalitetet dhe interesat shtesë, ju ftojmë të kryeni pagesën e këtyre obligimeve brenda afatit të përcaktuar, deri më [afati i fundit për pagesën e parë.

Kësti i parë duhet të paguhet deri më: 30 prill 2025

Për informacion të detajuar mbi shumën e detyrimit, mënyrën e pagesës ose për çdo sqarim shtesë, ju lutemi të kontaktoni Zyrën e Tatimit në Pronë./Telegrafi/

 

The post Komuna e Drenasit fton qytetarët të kryejnë obligimet e tyre tatimore appeared first on Telegrafi.

Drenas, vazhdojnë vizitat në shtëpi për gratë shtatzëna dhe fëmijët 0-3 vjeç

26 March 2025 at 08:32

Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale e Komunës së Drenasit, po vazhdon me dinamizëm te shtuar ne implementimin e pro vazhduar me programin-Vizitat në shtëpi për gratë shtatzëna dhe fëmijët 0-3 vjeç .

Në njoftimin e bërë për media thuhet se vetëm brenda javës janë kryer 75 vizita dhe 107 shërbime.

Fillimisht, ky program ka filluar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas, pastaj është shtrirë në Komoran dhe, në ditët në vazhdim, edhe në Terstnik.

“Programi i vizitave në shtëpi ofron shërbime të bazuara në shtëpi për të përmirësuar shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve dhe ndërtimin e besimit midis infermierëve, punonjësve socialë dhe komunitetit për një sistem më të mirë të mjekësisë familjare”, thuhet në njoftimin e bërë nga Komuna e Drenasit.

Tutje, thuhet se drejtoresha për Shëndetësi, Lumnije Krapi mbetet e përkushtuar që sa më afër qytetarit të ofrojë shërbime cilësore dhe gjithëpërfshirëse./Telegrafi/

The post Drenas, vazhdojnë vizitat në shtëpi për gratë shtatzëna dhe fëmijët 0-3 vjeç appeared first on Telegrafi.

SHFMU “Zenel Hajdini” në Drenas mbledh 789 euro për shoqatën Down Syndrome Kosova

22 March 2025 at 15:34

SHFMU “Zenel Hajdini” në Tërstenik në Drenas, javën e kaluar filloi një aksion humanitar për grumbullim të mjeteve për personat me sindrom down, për t’a përmbyllur me datë 21 mars, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të këtyre personave.

Me iniciativën e asistentes mbështetëse të shkollës “Zenel Hajdini”, Erëmira Ramaj dhe me mbështetjen e drejtoreshës, Lindihana Qorri, DKA-së dhe gjithë stafit të shkollës, nxënësve dhe prindërve, ky aksion përfundoi me një sukses të jashtëzakonshëm, duke grumbulluar një shumë prej 789.20 €.

Shuma e mbledhur, do t’i dorëzohet shoqatës së personave me sindrom down në Prishtinë.

Këtij akvitieti i ka ndihmuar edhe “Lounge Bar 74” i cili ka ndarë hapësirën për shitjen e punimeve të nxënësve. Shkollat, “Xheladin Gashi-Plaku” Komoran, “Halil Bajraktari” Drenas 2 dhe “Arif Shala” Korroticë e Poshtme, të cilat në mënyrë të organizuar partipicuan në këtë aktivitet.

“Ky aktivitet nuk do ta kishte arritur këtë sukses edhe pa ndihmën e njerëzve të tjerë të cilët kontribuuan për këtë fond”, thuhet në njoftim./Telegrafi/

 

The post SHFMU “Zenel Hajdini” në Drenas mbledh 789 euro për shoqatën Down Syndrome Kosova appeared first on Telegrafi.

❌