Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 December 2025Telegrafi

Faturat e rrymës në Kosovë rriten mbi 70%, KMDLNj paralajmëron abuzim ekonomik

25 December 2025 at 11:56


Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka pranuar një numër të madh ankesash nga qytetarë e Kosovës, të cilët raportojnë se faturat e energjisë elektrike për muajin dhjetor janë mbi 70 për qind më të larta krahasuar me muajin paraprak.

Në reagimin e KLMDLNj-se thuhet se një rritje e tillë është e pabesueshme, e pakuptueshme dhe e pajustifikueshme, sidomos duke marrë parasysh faktin se temperaturat mes dy muajve nuk kanë shënuar dallime të ndjeshme, çka përjashton nevojën për rritje të konsumit të energjisë elektrike.

“KMDLNj vlerëson se kjo situatë përbën abuzim të drejtpërdrejtë ekonomik dhe rëndon në mënyrë disproporcionale mbi buxhetin e familjeve kosovare, duke thelluar varfërinë dhe pasigurinë sociale”, thuhet në reagim.

Po ashtu sipas KMDLNj, ZRRE, që nga themelimi i saj, ka vepruar në mënyrë të vazhdueshme në dëm të qytetarëve dhe paguesve të rregullt të energjisë elektrike, duke fryrë faturat në kundërshtim me ligjin.

“Këtë e dëshmon edhe një vendim gjyqësor, i cili ka konstatuar se ZRRE ka diskriminuar qytetarët në baza etnike dhe politike, pa pasuar asnjëherë kompensim për dëmet e shkaktuara ndaj qytetarëve shqiptarë dhe joserbë”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu sipas KLMMbështetja institucionale që Qeveria e Kosovës i ka dhënë ZRrE-së e bën atë bashkëpërgjegjëse për këtë situatë, duke u identifikuar si pjesëmarrëse në varfërimin e skajshëm të qytetarëve.

KMDLNj shpreh po ashtu shqetësim të thellë për blerjen e energjisë elektrike me çmime të larta, kryesisht nga tregtarë serbë dhe grekë, si dhe për dyshimet e bazuara për korrupsion që përfshijnë ambasadorin Martin Berishaj dhe ministren kujdestare Artane Rizvanolli.

“Këto praktika ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët fundorë. Po ashtu, licencimi i operatorëve për tregti me energji elektrike në baza nepotiste dhe politike, përfshirë persona të afërt me Kryeministrin kujdestar, nxit dyshime serioze për një korrupsion institucional të mirëplanifikuar, i cili synon përfitime të kundërligjshme në dëm të qytetarit dhe të shtetit. Veçanërisht alarmante është dhënia e monopolit të tenderëve për shitblerje të energjisë elektrike një personi me emrin Vuk Hamović, shtetas i Serbisë, i biri i ish-kreut të ushtrisë serbe në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, çka përbën rrezik serioz jo vetëm ekonomik, por edhe të sigurisë kombëtare të Kosovës”, thuhet në reagim.

Po ashtu KMDLNj i bën thirrje Prokurorisë së Kosovës që të: hetojë punën e ZRrE-së që nga fillimi i veprimtarisë së saj; Hetojë dhënien e licencës monopolizuese Vuk Hamoviçit; Hetojë dhënien e licencave për tregti me energji elektrike në baza nepotiste dhe politike; Hetojë vendosjet politike në pozita kyçe dhe largimet nga puna për shkaqe politike si dhe të hetojë të gjitha kontratat për blerje dhe shitje të energjisë elektrike.

Sipas KMDLNj, ZRRE ka paralajmëruar se në muajin mars 2026 do të shqyrtojë kërkesën e operatorëve për rritje të çmimit të rrymës që nënkupton përkeqësim edhe më të madh të gjendjes ekonomike për pjesën dërrmuese të familjeve kosovare. Sipas reagimit, rritja e çmimit të energjisë elektrike pashmangshëm provokon rritjen e çmimeve të të gjithë artikujve dhe shërbimeve andaj qytetarët duhet ya kundërshtojnë pavarësisht se cila qeveri ka pushtetin. /Telegrafi/

MMJPH: Ndërpritet pragu i alarmimit në Kërçovë, masat dhe rekomandimet pushojnë së vlefshmi

25 December 2025 at 11:47


Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor informon se në Kërçovë janë ndërprerë masat e pragut të alarmimit për shkak të ndotjes së ajrit.

"Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor informon se sipas të dhënave nga Sistemi Shtetëror Automatik i Monitorimit, më datë 24.12.2025, përqendrimet mesatare ditore të PM10 janë nën pragun e përcaktuar të alarmimit prej 150 mg/m³ dhe episodi i tejkalimit të pragut të alarmimit për grimcat PM10 është ndërprerë në Kërçovë".

"Me këtë, masat dhe rekomandimet për tejkalimin e pragut të alarmimit ndërpriten", thonë nga MMJPH.

Netanyahu provokon Iranin? Mesazh i fshehur në një video me Al

25 December 2025 at 11:43


Në një postim në Instagram që me sa duket shënon gjashtë muajt e luftës së Izraelit me Iranin, Zyra e Shtypit e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ndau një video të gjeneruar me Al të një bombarduesi B2 që fluturonte mbi një rrjet ndërtesash në një zonë të paidentifikuar shkretëtire.

Në videon, e cila zgjat vetëm disa sekonda, kryeministri i Izraelit dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mbajnë syze dielli dhe shikojnë shkurt njëri-tjetrin.

"Në xhiron tonë të fitores. #gjashtëmuaj", thuhet në përshkrim të postimit.



Izraeli ka thënë se ofensiva e tij e gjithanshme në qershor, duke synuar komandantët më të lartë ushtarakë të Iranit, shkencëtarët bërthamorë, impiantet e pasurimit të uraniumit dhe programin e raketave balistike, ishte e nevojshme për të parandaluar atë që e quan plan të Iranit për të shkatërruar shtetin hebre.

Irani vazhdimisht ka mohuar se po përpiqet të zhvillojë armë bërthamore.

Në përgjigje të sulmeve izraelite, Irani qëlloi më shumë se 500 raketa balistike dhe rreth 1,100 dronë drejt Izraelit.

Afër fundit të luftës, Shtetet e Bashkuara u bashkuan në sulmet ndaj objekteve bërthamore iraniane. /Telegrafi/

Kurti: Për Junikun shkolla e re fillore dhe stacioni i autobusëve

By: Telegrafi
25 December 2025 at 11:43


Në një bashkëbisedim me qytetarët e Junikut, kandidati për kryeministër Albin Kurti, ka përmendur disa nga politika zhvillimore të këtij mandati për Junikun.

Ai tha se Qeveria ka ndarë rreth 8 milionë euro për realizimin e projekteve infrastrukturore, përfshirë rrugët Junik–Gjeravicë, Junik–Rastavicë, rrugën unazore dhe lidhjen rrugore të qytetit me fshatrat Jasiq dhe Gjocaj.

Tutje, Kurti tha se Qeveria ka investuar në turizëm, në ndërtimin e objektit të ri të shkollës fillore, çerdhes, kanaleve të ujitjes dhe stacionit të autobusëve, duke forcuar shërbimet publike dhe mirëqenien e qytetarëve.

Prandaj ai i ftoi qytetarët e Junikut, që të bashkohen, duke votuar numrin 116, për të vazhduar zhvillim tutje të Junikut, e për të shtrirë sigurinë e begatinë në tërë Kosovën. /Telegrafi/


Paralajmërimi i Krishtlindjeve 2.0

25 December 2025 at 11:43


Ashtu si Millosheviqi në vitet 1998-1999, që refuzonte marrëveshjet dhe paralajmërimet ndërkombëtare duke e “detyruar” botën të reagojë me “Forcën e Bashkuar” të NATO-s (Allied Force, 1999), edhe ish-ministri i tij i Informatave, Aleksandër Vuçiq, sot vazhdon t’i shmangë kërkesat për përgjegjësi dhe sjellje konstruktive lidhur me ndërhyrjet destabilizuese ndaj Kosovës. Serbia po vazhdon me politikën e “dy karrigeve” (Bieber, 2018), duke përfituar nga procesi i integrimit evropian në njërën anë dhe duke e thelluar rreshtimin strategjik me Rusinë e Kinën, në anën tjetër. Përmes strategjisë që kombinon “viktimizimin” për mashtrim, agresionin si “reagim qytetar” dhe sulmet përmes “false flag” (sulmo dhe fajëso), ajo është rikthyer në burimin kryesor të destabilizimit, duke aplikuar doktrinën e Putinit si një “mundësi” për realizimin e “Botës Serbe”.

Njeriu që sot po hetohet për “Sarajeva Safari” dhe dikur deklaronte se për çdo serb të vrarë do të vriteshin 100 myslimanë, është dishepulli finok i ideologjisë serbomadhe që vazhdon të përfitojë, si nga Brukseli, ashtu edhe nga Rusia e Kina. Sfida perëndimore me fillimin e agresionit rus në Ukrainë, i dha Vuçiqit një “mirëkuptim” të stërzgjatur në lojën e tij perfide të destabilizimit. Sulmi në Banjskë, sulmi në kanalin e Ibër Lepencit, fushatat e dezinformimit, instrumentalizimi i qytetarëve të komunitetit serb, ndërhyrjet në zgjedhje dhe aktivitete të tjera hibride kundër rendit kushtetues në Kosovë, tregojnë qartë për strategjinë destabilizuese të Serbisë dhe largimin gjithnjë më të madh nga vlerat dhe kriteret euro-integruese. Ndërhyrjet e tilla minuese jo vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnje-Hercegovinë e Mal të Zi, si dhe refuzimi për ta harmonizuar politikën e jashtme me atë të BE-së pas fillimit të luftës në Ukrainë, e konfirmojnë Serbinë si “zgjatim” të politikës ruse, të hapur po ashtu ndaj depërtimit kinez në Ballkanin Perëndimor. Ekspertiza e FBI-së e demaskoi taktikën “false flag” në sulmin e Varragës, duke e bërë më të qartë për komunitetin ndërkombëtar hipokrizinë e “viktimizimit”. Mirëpo, kjo qartësi e përkthyer në kërkesa, vërejtje apo qortime ndërkombëtare, si ajo e BE-së për Radoiçiqin, e shefit të NATO-s për Banjskën, e Kongresit amerikan për tensionet e vazhdueshme e të tjera, nuk është mesazhi që e kupton Serbia. Ashtu si dikur Millosheviqi, as Vuçiqi nuk “dëgjon” pa i ndjerë në kurriz masat konkrete ndëshkuese.

Paralajmërimi i Presidentit George H. W. Bush (Christmas Warning, 1992) ndaj Millosheviqit me “vijën e kuqe” në Kosovë, ishte mesazhi që vërtetoi konsistencën amerikane shtatë vjet më pas (1999), i cili është kodifikuar sot me Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA). Kjo do të thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbrojnë Kosovën si prioritet strategjik të sigurisë, garantojnë sovranitetin dhe integritetin e saj territorial dhe përcaktojnë rrugën e normalizimit Kosovë-Serbi me njohje reciproke. Një hap vendimtar që ia “shuan shpresat” Vuçiqit lidhur me qëndrimin e presidentit Trump, manovrimin e mëtejshëm diplomatik përmes “viktimizimit” apo “destabilizimit” dhe kalkulimin strategjik nga rreshtimi me Rusinë e Kinën. Ligji që autorizon masa ndëshkuese, sanksione financiare dhe kufizime të tjera ndaj kujtdo që kërcënon paqen dhe stabilitetin në Ballkan, e sanksionon njohjen reciproke si epilog të dialogut, përjashton çdo skenar për ndarje territoriale apo rikonfigurim të kufijve, mbështet procesin e integrimit euro-atlantik dhe kundërshton ndikimin rus e kinez në rajon. Vendosmëria amerikane kundër kërcënimeve hibride dhe agjendës ruse në Ballkan është manifestuar ditë më parë edhe me sanksionet ndaj kompanisë serbe të naftës NIS në pronësi ruse (mbi 56 përqind të aksioneve). Prandaj, vetëm një qasje e tillë serioze, e ndjekur si model edhe nga Bashkimin Evropian, do të siguronte efektin e “bombave”, për ta ndalur Serbinë dhe për ta frenuar influencën ruso-kineze në Ballkanin Perëndimor.

Historia ka treguar se Serbia “kupton” vetëm kur presioni ndërkombëtar kthehet në veprime konkrete. Hipokrizia e saj strategjike me integrimin evropian, e konfirmuar nga refuzimi për harmonizimin e politikës së jashtme (Rezoluta e Parlamentit Evropian), shfaqet hapur edhe në deklaratat e zyrtarëve. Për shembull, “partneriteti” i pretenduar nga ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq, gjatë takimit me komisionerin evropian, Magnus Brunner në Sarajevë, demaskohet vetëm pak ditë më pas nga vetë ai me reagimin ndaj vlerësimit të BE-së se “Serbia po i shkel obligimet e saj nga dialogu me kundërshtimin e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL” (Koha, 26.11.2025). Një qëndrim i tillë tregon se “partneriteti evropian” për Serbinë vlen vetëm kur ajo i jep miliona euro për procesin e integrimit dhe i “subordinohet” interesave të saj hegjemoniste. Për këtë arsye, Bashkimi Evropian duhet të sinkronizohet me praktikën amerikane, duke ndërmarrë hapa konkret për masa dhe sanksione që e kushtëzojnë Serbinë në zbatim të detyrimeve, siç janë:

- Pezullimi i negociatave të anëtarësimit;

- Pezullimi i Fondeve të IPA III, duke përfshirë edhe Fondin e Rritjes;

- Sanksionimi i individëve, kompanive e rrjeteve destabilizuese, etj.

Vetëm gjatë periudhës 2021-2024, BE-ja ka alokuar mbi 872 milion euro grante për Serbinë në kuadër të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA III). Ndërkaq, sipas planit me “Fondin e Rritjes”, është paraparë që ajo të përfitojë deri në 1.6 miliard euro grante dhe hua të buta. Pra, vetëm një qasje e re evropiane, duke i kthyer kërkesat dhe qortimet në masa ndëshkuese ndaj Serbisë, është gjuha që neutralizon kërcënimet revizioniste dhe anti-perëndimore në Ballkan.

(Autori është Drejtor i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”)

John Terry përjashton Chelsean nga gara për titull në Ligën Premier

25 December 2025 at 11:37


John Terry beson se skuadra e re e Chelseat nuk ka përvojën thelbësore të nevojshme për të sfiduar vërtet titullin e Ligës Premier, duke theksuar mungesën e profesionistëve me përvojë që mund të udhëheqin brezin e ardhshëm si brenda ashtu edhe jashtë fushës.

Duke folur në podcastin e Reece Mennie, legjenda e Blues vlerësoi qasjen afatgjatë të pronarit aktual, por theksoi pjekurinë si përbërësin kryesor që mungon.

"Mendoj se për momentin, na mungon pak përvojë brenda skuadrës.... Kur je pranë këtyre lojtarëve, mëson si të hash, si të shkosh në palestër, si të shkosh në shtrat herët", ka thënë fillimisht Terry, duke u mbështetur në ditët e tij të hershme përkrah ikonave si Gianfranco Zola dhe Marcel Desailly.

Terry e pranoi suksesin e modelit në ndërtimin e një skuadre konkurruese të aftë për kualifikim në Ligën e Kampionëve, por përjashtoi një përpjekje të menjëhershme për titull.

“A mendoj se mund të shkojmë dhe ta fitojmë ligën me këtë skuadër? Ndoshta jo. Por do të jemi aty ose afërsisht aty," shtoi anglezi, duke vënë në dukje se shpenzimi prej 100-120 milionë funtesh i kërkuar për të shtuar fitues të provuar do të binte ndesh me strategjinë e Chelseat.

Ndryshe, pas 17 xhirove të luajtura, Chelsea renditet në pozitën e katërt me 29 pikë apo 10 më pak se Arsenali i pari. /Telegrafi/

A ekziston Babadimri?

25 December 2025 at 11:25


Sqarimi i mistereve tuaja “të pashpjegueshme” ...

Nga: Sarah Knapton dhe Joe Pinkstone / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Ndërsa hetonin gjithçka, nga rastësitë e çuditshme deri te takimet e habitshme, Sarah Knapton, redaktore shkencore, dhe Joe Pinkstone, korrespondent shkencor i gazetës sonë [The Telegraph], kanë zbuluar se përvojat në dukje të mbinatyrshme priren të kenë shpjegime krejtësisht racionale.

Tani ata duan t’ju ndihmojnë edhe juve.

Në këtë seri ata zbërthejnë historitë tuaja më të çuditshme personale, duke përdorur shkencën, psikologjinë dhe paksa mendjen e shëndoshë për të gjetur logjikën prapa çmendurisë - megjithëse ndonjëherë në fund mbetet edhe një grimcë misteri.

Sot, për një botim të veçantë të Krishtlindjes, dyshja jonë peshojnë një pyetje të vjetër sa vetë koha: A ekziston Babadimri? [Is Santa Claus real?]

Të dashur Sarah dhe Joe,

“Nëse Babadimri është i vërtetë, si ia del ai të shpërndajë të gjitha dhuratat për fëmijët e botës për një natë të vetme? Mua nuk më duket e mundur, dhe asnjëherë nuk e kam parë, ndaj mendoj se është i trilluar”.

Isobel, shtatë vjeçe.

Sarah dhe Joe përgjigjen:

Sigurisht që Babadimri është i vërtetë, Isobel, por po, aventurat e tij në mbrëmjen e Krishtlindjes priren të sfidojnë fizikën, kështu që e kuptojmë pse mund të vësh në dyshim ekzistencën e tij.

Në fakt, deri vonë askush nuk e dinte se si ia dilte mbanë Babadimri të vizitonte të gjithë fëmijët e botës - derisa shkencëtarët nuk e kombinuan Teorinë e Relativitetit të Ajnshtajnit dhe mekanikën kuantike në atë që tani njihet si Teoria e Madhe e Bashkuar e Babadimrit [Grand Unified Theory of Santa] - ose shkurt, GUTS.

Në vitin 2016, Dr. Katy Sheen, fizikane në Universitetin e Ekseterit, zbuloi se Babadimri dhe drerët e tij udhëtojnë nëpër botë me një shpejtësi aq të lartë saqë ata tkurren, duke mundësuar që Babadimri dhe thesi i tij i madh i dhuratave të futen edhe në oxhaqet më të ngushta.

Dr. Sheen zbuloi gjithashtu një shpjegim shkencor përse Babadimri rrallëherë shihet nga fëmijët - edhe pse miliona prej tyre përpiqen të qëndrojnë zgjuar, në Natën e Krishtlindjes, për të kapur një pamje të kostumit të tij të kuq.

Është aq i shpejtë saqë bëhet i padukshëm

Fizikania përllogariti se Babdimri do të duhej të udhëtonte me rreth 10 milionë kilometra në orë, për të dorëzuar dhuratat për çdo fëmijë që pritet të festojë Krishtlindjet brenda 31 orëve - duke marrë parasysh zonat kohore në botë.

Një shpejtësi e tillë do ta bënte atë të ndryshonte nga ngjyra e kuqe në të gjelbër dhe, me rritjen e shpejtësisë, përfundimisht do të zhdukej plotësisht. Në këtë rast, është efekti i Doplerit ai që e bën Babadimri të ndryshojë ngjyrën, sepse valët e dritës që reflektohen mbi të shtrydhen në një shpejtësi kaq të madhe.

Efekti i Doplerit gjithashtu shpjegon se pse fëmijët nuk e dëgjojnë Babadimri kur ai mbërrin.

Teksa Babadimri dhe saja e tij afrohen, tingulli i zileve dhe “ho, ho, ho”-ja e thellë do të ngrihen gjithnjë e më lartë në tonalitet derisa bëhen të padëgjueshme, sepse zëri i tij lëviz përtej diapazonit të dëgjimit njerëzor.

Dhe, nëse fëmijët dëgjojnë një zhurmë të fortë Natën e Krishtlindjes, mund të jetë ndonjë dre i Babadimrit që ka thyer murin e zërit, duke krijuar një bum sonik.

Dr. Sheen ka thënë: “Ndodhin disa gjëra të çuditshme, pasi fillon të udhëtosh kaq shpejt. Së pari, koha ngadalësohet. Së dyti, Babadimri ngjeshët, që do të thotë se ai mund të futet më lehtë në një oxhak”.

Ekspertët gjithashtu besojnë se Babadimri ndonjëherë përdor ndërlidhjen kuantike për të qenë i sigurt se të gjithë fëmijët do ta marrin dhuratën në kohë.

Mekanika kuantike merret me sjelljen e grimcave shumë të vogla, dhe ato mund të ekzistojnë në një gjendje të ndërlidhur - që do të thotë se mund të jenë të lidhura, pavarësisht se sa larg ndodhen në botë.

Shkencëtarët mendojnë se Babadimri ndonjëherë i vendos dhuratat në një gjendje të veçantë “të ndërlidhur”, që do të thotë se kur fëmija i parë hap dhuratën në mëngjesin e Krishtlindjes, të gjithë fëmijët marrin dhuratën e tyre në të njëjtën kohë.

Për shkak se ndërlidhja është e brishtë, Babadimri shqetësohet nëse ajo mund të prishet, që do të thotë se do të humbasë lidhja speciale që garanton shpërndarjen e dhuratave. Kjo është arsyeja se pse fëmijët duhet të jenë në shtrat dhe në gjumë - herët në Natën e Krishtlindjes.

Pamja e konfirmuar

Ekzistenca e Babadimri u konfirmua në vitin 2023, kur një video rrodhi nga një bisedë mes zonjës Angela McClean, këshilltare kryesore shkencore e Qeverisë, dhe Michelle Donelanit që ishte ministre e Shkencës në atë kohë.

- YouTube Sekreti i fuqisë magjike të Babadimrit zbulohet nga këshilltarja kryesore shkencore e Qeverisë ...

Zonja Angela, duke menduar se kamerat ishin fikur, u xhirua duke thënë se ishte thelbësore që fëmijët të binin herët në gjumë në Natën e Krishtlindjes, për të mos e prishur metodën shkencore të Babadimrit.

E pyetur nëse ajo e dinte se si ia del mbanë Babadimri të futet në të gjithë oxhaqet e botës, ajo tha: “Është e qartë që ai nuk mund të shkelë ligjet e fizikës, por ka disa gjëra që mendojmë se ai mund të jetë duke i përdorur për ta ndihmuar në atë punë të rëndësishme, për të dorëzuar dhuratat për çdo fëmijë në gjithë botën. Pra, ajo që mendojmë se ai bën është se ai merr lodrat që ka prodhuar në Polin e Veriut dhe i vendos ato në një gjendje të veçantë - që quhet gjendje e ndërlidhur - dhe kjo do të thotë se kur fëmija i parë hap dhuratën në mëngjesin e Krishtlindjes, kjo siguron që çdo fëmijë në botë do të marrë një dhuratë. Kjo ndodh sepse ai përdor këtë lidhje shumë të veçantë midis gjërave, gjë që dimë se mund të ndodhë sipas fizikës kuantike dhe që quhet ndërlidhje”.

Shkenca funksionon vetëm nëse fëmijët janë në kohën e duhur në gjumë

E pyetur nëse kjo metodë shkencore funksionon vetëm nëse fëmijët flenë me kohë, zonja Angela shtoi: “Oh, absolutisht po, nëse dikush do ta shihte Babadimrin, kjo do të prishte gjendjen e ndërlidhur. Kjo është arsyeja se pse ne duhet të këmbëngulim që fëmijët të jenë me kohë në shtrat në Natën e Krishtlindjes”.

Në atë kohë, Departamenti për Shkencë, Inovacion dhe Teknologji (DSIT) tha se ishte “i zhgënjyer” që pamjet e një bisede private ishin bërë publike dhe fajësoi elfët e Babadimrit të cilët nuk komentuan për akuzën kur u kontaktuan nga ditorja The Telegraph.

Në vitin 2017, Universiteti i Uorikut sugjeroi gjithashtu se Babadimri mund të përdorë "tunelin kuantik" për të hyrë dhe për të dalë nga shtëpitë.

Dr. George Knee, fizikan teorik, argumentoi se duke ngrënë shumë ëmbëlsira me fruta, Babadimri është shëndoshur shumë për të hyrë nëpër oxhaqe, ndaj ka nevojë të përdorë mekanikën kuantike.

“Sipas fizikës kuantike, atomet në trupin e Babadimrit kanë një pozicion të pasigurt - një lloj mjegulle që mund të lëvizë si lëng”, tha ai. “Megjithëse tingëllon absurde, është plotësisht e mundur që pasiguria e trupit të Babadimrit të rrëshqasë përmes hapësirave të cilat përndryshe janë të pamundura. Kjo do të thotë që, në teori, Babadimri kuantik mund të shfaqet drejtpërdrejt në oxhak. Kjo teori shpjegon gjithashtu se si arrin Babadimri te njerëzit që nuk kanë oxhak. Ai thjesht përdor tunelin kuantik për të rrëshqitur poshtë derës ose përmes deriçkës së maceve”.

Përfundimi: Gjithçka e shpjegueshme!

/Telegrafi/

Parandalohet kontrabandë e armëve nga Turqia për në Maqedoni

25 December 2025 at 11:21


Me shkëmbim të shpejtë informacioni përmes Qendrës SELEC, u parandalua transporti i paligjshëm i armëve nga Turqia përmes Bullgarisë në Maqedoni.

"Gjatë natës, pas masave dhe aktiviteteve të ndërmarra në koordinim me Drejtorinë e Përgjithshme Bullgare për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Agjencinë Doganore Bullgare, në vendkalimin kufitarë "Kapitan Andreevo" u krye kontroll i një kamioni "Volvo" me targa kombëtare të Maqedonisë, gjatë të cilit në zonën e ngarkesës u gjetën dhe u sekuestruan tre pushkë, 20 pistoleta dhe 5.750 fishekë.

Pas dokumentimit të plotë të rastit dhe identifikimit të të gjithë personave të përfshirë në rast, do të ngrihen kallëzime penale përkatëse", njoftojnë nga MPB./Telegrafi/


Kurti uron besimtarët e krishterë: Krishtlindja është kremtim dhe besim

25 December 2025 at 11:03


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka dërguar urimet e tij për Krishtlindjet, duke theksuar rëndësinë e festës si një kohë reflektimi dhe mirënjohjeje.

Në një postim, Kurti ka shkruar se Krishtlindja është kremtim dhe reflektim.

"Krishtlindja është kremtim dhe reflektim, urim dhe mirënjohje, besim dhe shpresë", ka shkuar Kurti.

Kreu i Qeverisë në detyrë ka theksuar se në këtë ditë të shënuar besimtarët e krishterë paçin begati .

"Të dashur besimtarë të krishterë, urime këtë datë të shënuar dhe paçi një ditë të gëzuar e të begatë me më të dashurit tuaj. Uroj që mirësia e Zotit t’ju përcjellë gjithmonë dhe dashuria për tjetrin t’ju shtohet përherë”, ka shkruar Kurti.

Ky mesazh nënvizon vlerat e solidaritetit, respektit dhe dashurisë në këtë periudhë festive. /Telegrafi/

Sabrina Carpenter surprizoi fansat në prag të Krishtlindjeve duke publikuar këngën Such a Funny Way

25 December 2025 at 10:55


Sabrina Carpenter i surprizoi fansat në prag të Krishtlindjeve duke publikuar këngë shtesë nga albumi Man’s Best Friend e titulluar Such a Funny Way.

Ylli 26-vjeçar i muzikës pop e publikoi këngën me pak vizualizim dhe me tekst.

Për sa i përket melodisë Carpenter pohon se është “shumë krenare” dhe që gjithmonë e kishte imagjinuar të ekzistonte në të njëjtin univers me Man’s Best Friend.


Ajo u tha fansave në rrjetet sociale se ky publikim emocional ishte menduar si një dhuratë festive, duke shtuar se nuk donte që ata të “prisnin shumë gjatë” për ta dëgjuar.

Carpenter gjithashtu falënderoi dëgjuesit që e kanë përqafuar muzikën, duke e përshkruar atë si një “shpërthim katartik i Krishtlindjeve” dhe duke lënë të kuptohet se ka ende më shumë për të ardhur.

Publikimi surprizë vjen vetëm disa ditë pasi këngëtarja u shfaq në emisionin Late Night with Seth Meyers, ku u vu në presion për të treguar se cili nga ish-partnerët e saj kishte frymëzuar hitin e saj të fundit, Manchild — një këngë që ka nxitur spekulime të shumta mes fansave.

Në vend që të përgjigjej, Carpenter mori qetësisht një birrë dhe piu një gllënjkë të gjatë para kamerës, duke e lënë momentin — dhe misterin — të flasin vetë.

DMSH: Pronarët dhe organizatorët të festave nëpër objekte të respektojnë rregullat për mbrojtje nga zjarri

25 December 2025 at 10:54


Para festave të ardhshme, kur tradicionalisht organizohen festa para Vitit të Ri dhe për Vitin e Ri, si dhe grumbullime publike në objektet e gastronomisë, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH) bën thirrje te pronarët dhe organizatorët që të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme dhe të respektojnë plotësisht rregullat për mbrojtje nga zjarri dhe sigurinë e vizitorëve.

“Sigurisht, edhe për evakuim të shpejtë dhe në raste të tjera emergjente që rrezikojnë jetën dhe shëndetin e qytetarëve, si dhe në raste të tjera rreziku. Me qëllim për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e qytetarëve, DMSH-ja thekson se është e detyrueshme: të respektohet plotësisht numri maksimal i lejuar i vizitorëve në ngjarjet e organizuara, sipas kapacitetit dhe rregulloreve në fuqi; objektet të jenë të pajisura në mënyrë adekuate me pajisje kundërzjarrit, të cilat duhet të jenë të qasshme për përdorim emergjent dhe të mirëmbahen rregullisht; korridoret, daljet dhe rrugët e evakuimit të jenë gjithmonë të pastra, për qasje dhe pa pengesa; dyert e daljes për evakuim të jenë të shkyçura dhe funksionale për largim të pandërprerë nga objektet në rast zjarri ose rreziku tjetër; të respektohet ndalimi i përdorimit të mjeteve piroteknike dhe të mos përdoret zjarr i hapur në ambiente të mbyllura ose materiale të tjera potencialisht të rrezikshme në kundërshtim me ligjin; stafi të jetë i informuar dhe i përgatitur për veprime në raste emergjente”, thuhet në njoftimin e sotëm të DMSH-së.

Nga aty theksojnë se respektimi i këtyre masave parandaluese të sigurisë nuk është vetëm një detyrim ligjor, por edhe një përgjegjësi morale e çdo pronari dhe organizatori të ngjarjeve masive ndaj mysafirëve dhe punonjësve të tij.

“Në të njëjtën kohë, DSHZ i falënderon të gjitha mediat për punën e tyre dhe për tregimin e përgjegjësisë së madhe shoqërore në rritjen e ndërgjegjësimit publik për parandalimin dhe mbrojtjen nga zjarri dhe rreziqe të tjera, duke kontribuar përmes aktiviteteve dhe punës së përbashkët që festimet e Vitit të Ri të zhvillohen në një atmosferë të sigurt, të këndshme dhe festive, pa rreziqe dhe pasoja të padëshiruara, dhe natyrisht edhe në periudha të ardhshme”, thuhet në njoftim.

“Krishtlindje të lumtura”, ambasada e SHBA-së uron Kosovën dhe botën

25 December 2025 at 10:49


Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, i ka dërguar urimet e saj të ngrohta të Krishtlindjeve të gjithë atyre që po festojnë në mbarë botën.

Në një postim në rrjetet sociale, ambasada ka uruar Krishtlindje të lumtura.

"Për të gjithë ata që po festojnë në Kosovë dhe në mbarë botën, u urojmë Krishtlindje shumë të lumtura!", thuhet në urim.

Krishtlindja festohet çdo vit në natën mes 24 dhe 25 dhjetorit dhe mbetet simbol i besimit, shpresës dhe bashkimit ndër njerëz. /Telegrafi/

Ky konflikt 56-vjeçar ndalet çdo vit për Krishtlindje, një moment i rrallë paqeje

25 December 2025 at 10:38


Në Krishtlindje, bota mund të duket pak më humane se zakonisht - madje edhe në kohë lufte.

Një shkëndijë e tillë paqeje shfaqet çdo vit në atë që konsiderohet gjerësisht kryengritja komuniste më e gjatë në botë.

I zhvilluar në Filipine, konflikti guerilas midis Ushtrisë së Re Popullore Maoiste (NPA) dhe qeverisë pritet të hyjë në vitin e 57-të në vitin 2026 dhe ka marrë rreth 60,000 jetë njerëzish.

Por një herë në vit, luftimet kanë tendencë të ndalen ndërsa të dyja palët ulin krahët për Krishtlindje.

Tradita është respektuar për shumë vite që nga të paktën viti 1986, një moment i rrallë përmbajtjeje në një botë që tani është më e dhunshme se në çdo moment që nga Lufta e Dytë Botërore.

Sipas Institutit të Kërkimeve për Paqen në Oslo (PRIO), numri i konflikteve që përfshijnë shtete arriti nivelin më të lartë që nga viti 1946 në fund të vitit të kaluar.

Në total, 61 konflikte ishin aktive në vitin 2024 - pothuajse dyfishi i numrit të 20 viteve më parë.

Viti i kaluar ishte gjithashtu i katërti i dhunshëm që nga fundi i Luftës së Ftohtë, i tejkaluar vetëm nga tre vitet e mëparshme për sa i përket vdekjeve në betejë.

ISIS, së bashku me numrin e madh të luftërave në Ukrainë dhe Gaza, ishin ndër nxitësit kryesorë të këtyre rritjeve, sipas Siri Aas Rustad, një studiuese në PRIO.

Konfliktet tani kanë tendencë të zgjasin më shumë se në të kaluarën, ndërsa operacionet paqeruajtëse dhe proceset e paqes kanë rënë.

Në këtë sfond të zymtë, armëpushimet e Krishtlindjeve në Filipine ofrojnë një pamje të një qasje alternative.

Tradita e ndalimit të armiqësive gjatë festave - që pasqyron mesazhin biblik të paqes në tokë - daton shumë kohë më parë.

Shembulli më i famshëm erdhi në vitin 1914, kur trupat britanike dhe gjermane kaluan llogoret gjatë Luftës së Parë Botërore për të festuar së bashku Krishtlindjet.

Armëpushime të tilla të shkurtra rrallë i dhanë fund konflikteve, por ato ndihmuan në "ndërtimin e besimit afatgjatë të nevojshëm për të vendosur marrëveshje paqeje afatgjata". /Telegrafi/

“Ai nuk përmendet kurrë”, Michael Owen emëron shokun e ekipit më të nënvlerësuar

25 December 2025 at 10:38


Michael Owen e ka cilësuar ish-mbrojtësin e Liverpoolit, Sami Hyypia, si shokun e tij më të nënvlerësuar të skuadrës, duke këmbëngulur se qendërmbrojtësi finlandez meriton njohje si legjendë e Ligës Premier, pavarësisht se rrallëherë është shfaqur në diskutimet më të mira të të gjitha kohërave.

Fituesi i Topit të Artë, duke reflektuar mbi një karrierë të shkëlqyer që përfshinte Liverpoolin, Real Madridin, Manchester Unitedin dhe Anglinë, e veçoi dekadën e Hyypias në Anfield si të jashtëzakonshme.

“Mendoj se ai ishte i jashtëzakonshëm dhe kur dëgjoj njerëz që flasin për të gjithë mbrojtësit e mëdhenj të të gjitha kohërave në Ligën Premier, ai nuk përmendet kurrë”.

“Ai ishte i jashtëzakonshëm, një lojtar i pabesueshëm... si lojtarë të nënvlerësuar, ai do të ishte zgjedhja ime”, ka thënë Owen për OLBG.

Hyypia, i cili u transferua për vetëm 2.5 milionë funte nga Willem II në vitin 1999, bëri 464 paraqitje për Liverpoolin, duke qenë kapiten i rregullt dhe duke luajtur një rol vendimtar në triumfin në Kupë në vitin 2001 dhe në triumfin e mrekullueshëm në Ligën e Kampionëve në vitin 2005 në Stamboll.

I emëruar dy herë në “Ekipin e Vitit” të PFA dhe i votuar dhjetë herë Futbollisti i Vitit i Finlandës, shkëlqimi i tij i përmbajtur fitoi lëvdata nga partnerë si Jamie Carragher, i cili e quajti atë nënshkrimin më të mirë të Liverpoolit në Ligën Premier. /Telegrafi/

Gashi uron qytetarët e besimit katolik: Festa e Krishtlindjeve sjell mesazhe paqeje, solidariteti, humanizmi dhe respekti të ndërsjellë

25 December 2025 at 10:31


Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Afrim Gashi, i ka uruar qytetarët e besimit katolik për festën e Krishtlindjeve.

Gashi në Facebook shkruan se kjo festë sjell mesazh paqeje, solidariteti, humanizmi dhe respekti të ndërsjellë.

"Me rastin e Krishtlindjeve, në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, u shpreh urime të sinqerta të gjithë besimtarëve katolikë në vend. Festat e Krishtlindjeve sjellin mesazhe paqeje, solidariteti, humanizmi dhe respekti të ndërsjellë, vlera që janë themeli i çdo shoqërie demokratike dhe multietnike".

"Ju uroj të kaloni festat me shëndet, paqe dhe ngrohtësi familjare, me shpresë dhe optimizëm për vitin që vjen", ka shkruar Gashi.

Zyrtare: Lindon Emërllahu është lojtar i ri i Polissya Zhytomyr

25 December 2025 at 10:18


Klubi ukrainas, FC Polissya Zhytomyr ka njoftuar zyrtarisht transferimin e mesfushorit kosovar, Lindon Emërllahu nga CFR Cluj.

Pritjes i erdhi fundi. Emërllahu është prezantuar tashmë si lojtar i ri i ukrainasve të Polissya Zhytomyr.

Është vet faqja zyrtare e klubit ukrainas që ka prezantuar lojtarin, teksa ka zbuluar detajet e marrëveshjes.

“Klubi i futbollit Polissya ka arritur një marrëveshje për bashkëpunim me mesfushorin kosovar Lindon Emërllahu”.

“Kontrata me lojtarin është nënshkruar për një periudhë trevjeçare. Lojtari do të luajë nën numrin 14. Mirë se vini në grup, Lindon!”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, këtë sezon, mesfushori therandas luajti 24 ndeshje, në të cilat shënoi 4 gola dhe 2 asistime si pjesë e CFR Cluj në Rumuni. /Telegrafi/

Në Berlin shkova në një kurs mbrëmjeje mbi fashizmin - dhe mësova si ta ndaloj AfD-në

25 December 2025 at 10:18


Nga: Tania Roettger / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Në vitin 1932, shkrimtarja e lindur në Berlin, Gabriele Tergit, nisi të përjetësonte gjënë të cilën ajo e shihte si një botë që po zhdukej: jeta dhe fatet e hebrenjve të qytetit. Deri në vitin 1945, pasi kishte ikur nga nazistët - fillimisht në Çekosllovaki, pastaj në Palestinë dhe më pas në Britani - Tergit e kishte përfunduar romanin e saj, por iu desh të priste deri në vitin 1951 që Efingerët [The Effingerët] të botohej. Edhe atëherë, vetëm pak librarë gjermanë pranuan ta vendosnin në raftet e veta. Ishte një vepër tepër e çuditshme për publikun gjerman që kishte parë, në mos kishte marrë pjesë, në Holokaust.

Lexo po ashtu:
- Si e ka infektuar Adolf Hitleri mënyrën tonë të të menduarit
- Një roman i panjohur i shkrimtarit që dokumentoi ngritjen e Hitlerit
- Mendja naziste
- Nëse do ta njihnim më mirë historinë, do ta lexonim më mirë të tashmen

Megjithëse u anashkalua në atë kohë, është rizbuluar si një klasik në Gjermani dhe tani është botuar për herë të parë në anglisht. Është kronikë e tri familjeve të pasura hebraike në Berlin, midis viteve 1878 dhe 1942, me një epilog të vendosur në vitin 1948 - i bazuar në rikthimin e Tergitit në qytetin e saj të shkatërruar. Tergit e kuptonte sa të rrezikshëm ishin nazistët. Ajo ishte reportere gjyqësore dhe kishte ndjekur gjyqet kundër Adolf Hitlerit dhe Joseph Goebbels në vitet ‘20 të shekullit XX - kjo e bëri gjithashtu cak, dhe ajo iku nga Berlini pasi mezi shpëtoi nga një bastisje e SA-së (“këmishëkafenjtë”) në mars të vitit 1933.

Është e frikshme, duke lexuar Efingerët në vitin 2025, që ngjitja e nazistëve në pushtet ndodh kryesisht në periferi të jetës së protagonistëve. Ekziston ndjesia se, ndonëse i shihnin si akterë të këqij, ata megjithatë ndiheshin të mbrojtur nga nazistët në vilat e tyre ekstravagante në Tirgarten, me rrobat e shtrenjta dhe lidhjet e tyre shoqërore.

Një atmosferë e ngjashme rreziku politik rri pezull edhe në filmin Kabare [Cabaret] të vitit 1972 - bazuar në romanet berlineze të Christopher Isherwoodit. Republika e Vajmarit paraqitet si një kohë hedoniste, dhe nazistët dalin ngadalë në skenë nga prapaskena. Një personazh madje thotë: “Nazistët janë thjesht një bandë huliganësh budallenj - por, ata i shërbejnë një qëllimi: le t’i heqin qafe komunistët dhe pastaj do t’i kontrollojmë ne”. Ndjesia e një rreziku të afërt, por të nënvlerësuar, më dukej tepër e njohur.

Momentalisht, diskutimi mbi fashizmin është i kudondodhur. Këtu, në Gjermani, debatohet në artikuj, libra, ekspozita dhe seri leksionesh publike. Ka diskutime për faktin nëse politikat e Alternativës për Gjermaninë (AfD) mund të quhen fashiste, apo nëse ky autoritarizëm i djathtë i shekullit XXI është më ndryshe në aspektin cilësor.

Në përpjekje për të kuptuar më mirë këta precedentë historikë dhe kohën tonë, u regjistrova në një seminar mbrëmjeje për fashizmin të quajtur “Përbindëshat” e Fashizmit - dje, sot dhe nesër, në Berlin, në Forumin Letrar “Berthold Brecht” me prirje të majtë. Ideja kryesore ishte, siç e shpjegoi ligjëruesi, të dish të përkufizosh fashizmin - ky është hapi i parë për të rritur qëndrueshmërinë tonë ndaj tij. Pavarësisht disa vështirësive në përcaktimin e përkufizimit, arritëm te disa tregues të përbashkët: një përpjekje për të krijuar një komb etnikisht “të pastër”, angazhimi i një force paramilitare dhe përdorimi i tepërt dhunës, ndjenja anti-liberale dhe anti-demokratike, si dhe përfshirja e mbështetësve të pasur nga elita ekonomike.

Kur diskutimi kaloi te AfD-ja dhe se ku do të mund t’i vendosnim ata në këtë spektër, një atmosferë dëshpëruese mbizotëroi në sallë. Po kalonim nga bota teorike në realitetin politik të Gjermanisë së vitit 2025 dhe, ndonëse AfD-ja nuk ka forcë të vet paramilitare apo përdor dhunë të tepruar, ekzistojnë disa shqetësime të arsyeshme për kriteret e tjera. Kjo është një parti për të cilën më shumë se 30 përqind e punëtorëve të krahut dhe gjermanëve të papunë votuan në zgjedhjet federale të shkurtit. AfD-ja doli e dyta në nivel kombëtar, duke fituar 20.8 përqind të votave, ndërsa CDU-ja mori 28.5 përqind. Sipas sondazheve të fundit, AfD-ja është në krye me 26 përqind kundrejt 24 përqindëshit të CDU-së. AfD-ja është parti që është shpallur “ekstremiste e djathtë” nga Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës.

Një iluzion historik të cilin elitat gjermane rrezikojnë ta përsërisin është ideja se elitat e vjetra mund të ruajnë kontrollin mbi fuqitë e reja që shfaqen në të djathtën ekstreme. Disa javë para zgjedhjeve të 2025-ës, kancelari kristiandemokrat (CDU), Friedrich Merz, theu të ashtuquajturin “mur mbrojtës” - marrëveshjen midis të gjitha partive demokratike për të mos bashkëpunuar me AfD-në në votimet parlamentare. Merz kaloi një propozim në Parlament për të goditur migrimin e paligjshëm, me mbështetjen e AfD-së. Që atëherë, disa anëtarë të CDU-së kanë kërkuar që Merz ta heqë përfundimisht “murin mbrojtës”.

Kur, muajin e kaluar, Gjermania përkujtoi viktimat e pogromeve naziste të nëntorit 1938, Frank-Walter Steinmeier, kreu simbolik i shtetit tonë, mbajti një fjalim ku paralajmëroi për AfD-në - pa e përmendur me emër. Ai i kërkoi qeverisë së Merzit të ruajë “murin mbrojtës”, dhe madje bëri thirrje që të merren në konsideratë edhe mundësitë ligjore për ndalimin e partive politike anti-demokratike. Mundësia për ta ndaluar AfD-në është diskutuar gjerësisht, por duket e pamundur të ndodhë; gjithashtu, shmang trajtimin e rrënjëve të mbështetjes së saj.

Për ata që duan të rezistojnë ndaj ekstremizmit të djathtë, një nga prioritetet e para është të tregojnë solidaritet me ata që janë nën kërcënim. Në Gjermaninë e vitit 2025, kjo nënkupton kryesisht azilkërkuesit, veçanërisht sirianë, afganë dhe ukrainas, por përgjithësisht burra të rinj me histori migrimi. Dhe, ka pasur disa shfaqje publike të këtij solidariteti.

Në janar 2024, miliona njerëz dolën në rrugët e akullta në mbarë Gjermaninë për të protestuar kundër konferencës së fshehtë famëkeqe për “rimigrimin” në Potsdam, ku morën pjesë neonazistët dhe anëtarët e AfD-së, gjë që u zbulua nga platforma hetimore Correctiv. Por, as ky frustrim dhe as shqetësimet për dobësimin e “murit mbrojtës” parlamentar, nuk duket se kanë pasur ndonjë ndikim të qëndrueshëm te qeveria e Merzit.

Mësimi i hidhur moral i romanit të Tergitit vjen në letrën e fundit, shkruar nga Efingeri i moshuar gjatë rrugës për në kampin e përqendrimit: “Besova në të mirën e njerëzve - ky ishte gabimi më i rëndë i jetës sime të çorientuar”. Nuk duhet të ndalojmë së besuari në të mirën e njerëzve, por duhet gjithashtu të dëgjojmë paralajmërimet e historisë. Ajo që na mëson libri Efingerët është të mos e nënvlerësojmë rrezikun e kërcënimit fashist, dhe të luftojmë në të gjitha frontet kundër tij - përpara se të jetë shumë vonë. /Telegrafi/

Mickoski: Detyra jonë si brez është të luftojmë për një jetë më të mirë dhe një Maqedoni më të mirë

25 December 2025 at 10:03



Në emrin tim personal dhe në emër të Qeverisë, i uroj të gjithë qytetarët që festojnë Lindjen e Krishtit - Krishtlindjet sipas kalendarit Gregorian për festën me urime të sinqerta për mirëqenie, paqe shpirtërore dhe shëndet të mirë,thuhet në postimin në Facebook të kryeministrit Hristijan Mickoski.

"Le t'u shtrijmë dorën fqinjëve dhe bashkëqytetarëve tanë, pavarësisht dallimeve, atyre që kanë nevojë për ndihmën tonë, kategorive më të prekshme dhe të gjithë atyre që përballen me sfida. Krishtlindjet janë festa e dhënies dhe ndarjes së dashurisë dhe mirëkuptimit të ndërsjellë. Tradita jonë si vend dhe shoqëri na ka mësuar gjatë shekujve se së bashku jemi më të fortë dhe së bashku mund t'i kapërcejmë të gjitha pengesat dhe tundimet me të cilat jemi përballur", shrkuan Hristijan Mickoski.

Në frymën e mesazhit të Krishtlindjeve për paqe dhe vullnet të mirë midis njerëzve, uroj përparim të madh, perspektivë dhe stabilitet për atdheun tonë.

"Le të jenë momentet festive një kujtesë se duhet të bashkohemi, sepse së bashku mund të ndërtojmë një Maqedoni më të fortë, më të bashkuar dhe më të suksesshme, një vend në të cilin çdo qytetar ndihet i vlerësuar, i mbrojtur dhe i mbushur me shpresë për një të ardhme më të mirë.

Detyra jonë si brez është të luftojmë me providencën e Zotit, të luftojmë për një jetë më të mirë dhe një Maqedoni më të mirë për të gjithë ne si popull dhe për brezat tanë të ardhshëm", shton Mickoski./Telegrafi/

“Të plakesh është privilegj”: Drew Barrymore tregon me krenari rrudhat në fytyrë

25 December 2025 at 10:03


Ikona e Holliwood-it Drew Barrymore po i tregon me krenari rrudhat e saj teksa përgatitet të mbushë 51 vjet.

Ylli u rrit përpara kamerave pasi nisi karrierën e saj të aktrimit që në moshë shumë të re dhe tani ndodhet në një epokë të re të jetës së saj si moderatore e një emisioni televiziv.

Tani, me ditëlindjen e saj më pak se dy muaj larg, Barrymore po ndan një mesazh me ndjekësit e saj që shkon përtej pamjes së jashtme.


Të martën, ajo shfaqi fytyrën e saj natyrale, pa grim, në një video që nxirrte në pah bukurinë e saj, përfshirë edhe rrudhat e imëta.

“Të plakesh është një privilegj. Nuk është diçka për t’u frikësuar”, shkroi ajo në video.

Në të vërtetë, Barrymore nuk hezitoi të tregonte pamjen e saj të mrekullueshme natyrale — madje afroi kamerën për të theksuar rrudhat e saj të ndryshme.

Seksioni i komenteve u mbush me lavdërime nga fansat, të entuziazmuar nga mesazhi që ajo po përcillte.

Festat nisin me Audi - marka sjell magjinë e festave përmes veturave legjendare

25 December 2025 at 10:00


Audi zyrtarisht po futet në sezonin e festave.

Prodhuesi i veturave ndau së fundmi një video të shkurtër në Instagram në faqen Audi USA që e riimagjinon Rudolphin, drerin me hundë të kuqe , me vetura që lëvizin nëpër dëborë në vend të drerëve fluturues.

Klipi i titulluar " Lojë për festat, sipas mënyrës së Audi", është i mbushur me versione miniaturë të disa prej automjeteve më ikonike të markës – vetura prodhimi, vetura garash e klasike.

Videoja hapet me një pamje nga afër të një Audi Q8 që del nga një garazh.

Nga aty, Q8 i bashkohen veturat e njohura si RS6 Avant, RS3 dhe A6 E-Tron.



Sigurisht, nuk do të dukej si një festë e mirëfilltë festive e Audi pa veturat legjendare të garave; Dakar, Quattron origjinal, R10 TDI dhe shumë të tjera.

Finalja i bashkon të gjitha.

Dhe nëse po pyesni veten - jo, kjo nuk është gjeneruar nga Al. /Telegrafi/

❌
❌