Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 3 February 2026Ekonomi

Spanja do të ndalojë rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç

By: Megi Dumi
3 February 2026 at 12:33

Spanja do të ndalojë platformat e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç dhe platformat do të detyrohen të zbatojnë sisteme verifikimi të moshës, tha kryeministri Pedro Sanchez gjatë Samitit Botëror të Qeverisjes në Dubai.

“Rrjetet sociale janë kthyer në një shtet të dështuar, ku ligjet injorohen dhe krimet tolerohen”, u shpreh ai.

“Ne do t’i mbrojmë ata nga Perëndimi i Egër dixhital.”

Ai shtoi se qeveria e tij do të prezantojë gjithashtu një projektligj të ri javën e ardhshme për t’i bërë drejtuesit e kompanive të rrjeteve sociale përgjegjës për përmbajtje të paligjshme dhe urrejtjeje.

Njoftimi vjen pas ndalimit të parë në botë të rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç në Australi në dhjetor.

Rregullatori australian i internetit tha muajin e kaluar se kompanitë e rrjeteve sociale kanë hequr rreth 4.7 milionë llogari të mbajtura nga persona nën 16 vjeç për të respektuar ligjin, i cili hyri në fuqi më 10 dhjetor.

Megjithatë, ka raportime se fëmijët po gjejnë mënyra për t’i anashkaluar kufizimet, përfshirë duke shtrembëruar fytyrat për të imituar rrudha.

Muajin e kaluar, ligjvënësit francezë miratuan një projektligj që ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç. Presidenti francez Emmanuel Macron tha: “Sepse truri i fëmijëve tanë nuk është për shitje, as për platformat amerikane dhe as për rrjetet kineze. Sepse ëndrrat e tyre nuk duhet të diktohen nga algoritmet.”

Macron ka kërkuar që ligji të përshpejtohet dhe tani ai do të diskutohet në Senat në javët në vijim.

Përveç Francës, edhe Mbretëria e Bashkuar, Danimarka dhe Irlanda kanë në shqyrtim kufizime të forta për aksesin e të miturve në rrjetet sociale.

Ndërsa në Itali dhe Gjermani po diskutohen rregullore për verifikim të detyrueshëm të moshës dhe kontroll prindëror, megjithëse ende nuk ka ndalim të plotë në nivel kombëtar si në Francë apo në projektin e shpallur nga Spanja. / Euronews, Shqip.al

The post Spanja do të ndalojë rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç appeared first on Revista Monitor.

Pagat minimale në Europë në 2026, si renditet Shqipëria

By: Megi Dumi
3 February 2026 at 12:26

Rreth 12.8 milionë punëtorë në 22 vende të Bashkimit Europian paguhen me pagën minimale ose më pak, sipas një vlerësimi të Euronews bazuar në të dhënat e Eurostat.

Si rezultat, miliona persona po i ndjekin me kujdes njoftimet për pagën minimale për të parë nëse do të marrin një rritje të denjë në vitin e ri.

Megjithatë, rreth një e treta e përfituesve të pagës minimale nuk panë asnjë rritje në janar 2026 krahasuar me korrikun 2025. Në katër vende, nuk ka pasur fare rritje gjatë vitit të fundit.

Pra, në janar 2026, cilat vende europiane kanë pagat minimale më të larta? Sa vlejnë këto paga në terma të fuqisë blerëse? Dhe si ndryshojnë renditjet kur krahasohen shumat nominale në euro me fuqinë reale blerëse?

Mes vendeve të BE-së

Mes vendeve anëtare të BE-së, paga minimale mujore bruto varion nga 620 euro në Bullgari deri në 2,704 euro në Luksemburg. Kur përfshihen edhe vendet kandidate, Ukraina është një përjashtim ekstrem me vetëm 173 euro, e ndjekur nga Moldavia me 319 euro.

Pesë vende kanë paga minimale mbi 2,000 euro. Përveç Luksemburgut, këto janë Irlanda (2,391 euro), Gjermania (2,343 euro), Holanda (2,295 euro) dhe Belgjika (2,112 euro).

Poshtë këtij grupi kryesues, Franca qëndron në 1,823 euro, ndërsa Spanja bie në 1,381 euro, duke theksuar se sa shumë ndryshojnë nivelet edhe mes vendeve fqinje.

Eurostat i grupon pagat minimale në tre kategori: mbi 1,500 euro, mes 1,000 dhe 1,500 euro, dhe nën 1,000 euro.

Spanja, Sllovenia, Lituania, Polonia, Qiproja, Portugalia, Kroacia dhe Greqia bien në këtë grup të mesëm. Diferencat mes tyre janë relativisht të vogla.

Nën 1,000 euro në gjysmën e vendeve europiane

Mes 29 vendeve, 22 anëtare të BE-së dhe shtatë kandidate. paga minimale është nën 1,000 euro në 15 vende. Të gjitha vendet kandidate të BE-së bëjnë pjesë në këtë grup më të ulët. Në të përfshihen edhe disa vende të Europës Lindore.

Për shembull, paga minimale është 924 euro në Çeki, 838 euro në Hungari, 795 euro në Rumani, 654 euro në Turqi dhe 517 euro në Shqipëri. Tre vende kandidate kanë paga minimale më të larta se Bullgaria.

Paga minimale mujore bruto (2026-I)

Burimi: Euronews, Eurostat

Fuqia blerëse ngushton renditjet

Kur krahasohen pagat minimale mes vendeve, standardet e fuqisë blerëse (PPS) kanë rëndësi, sepse kostoja e jetesës ndryshon shumë. Pasi bëhet përshtatja për fuqinë blerëse, hendeku mes vendeve ngushtohet ndjeshëm krahasuar me termat nominalë.

PPS ofron një krahasim më të drejtë duke përdorur një monedhë artificiale që pasqyron atë që njerëzit mund të blejnë realisht në çdo vend, duke barazuar fuqinë reale blerëse krahasuar me vlerat strikte në euro.

Një PPS është një njësi monetare artificiale që, në teori, blen të njëjtën shportë mallrash dhe shërbimesh në çdo vend.

Me këtë në mendje, mes 22 vendeve të BE-së, paga minimale varion nga 886 PPS në Estoni deri në 2,157 PPS në Gjermani.

Edhe pse renditjet ndryshojnë pak, nëntë vendet kryesuese mbeten të njëjta si në euro ashtu edhe në terma PPS.

Me përjashtim të Shqipërisë, vendet kandidate të BE-së performojnë më mirë në terma PPS, me fuqi blerëse më të lartë se disa vende anëtare të BE-së.

Shqipëria ka 708 njësi PPS dhe renditet e fundit në listë, duke zbritur dy vende në renditje, shumë poshtë vendeve të tjera të rajonit si Maqedonia e Veriut (1,069 PPS), Serbia (1,105 PPS) dhe Mali i Zi (1,058 PPS), çka tregon se edhe pasi merret parasysh kostoja e jetesës, paga minimale në Shqipëri mbetet me fuqinë reale më të ulët blerëse në Europë.

Mes 27 vendeve ku janë të disponueshme si të dhënat në euro ashtu edhe ato në PPS, Rumania është fituesja më e madhe: renditja e saj ngjitet nga vendi i 20-të në vendin e 12-të.

Maqedonia e Veriut gjithashtu përmirësohet, duke kaluar nga vendi i 26-të në terma euro në vendin e 20-të në terma PPS.

Serbia ngjitet nga vendi i 22-të në të 17-tin, ndërsa Turqia ngjitet me tre vende.

Në të kundërt, Çekia dhe Estonia janë humbëset më të mëdha, secila duke rënë tetë vende. Çekia zbret nga vendi i 16-të në të 24-tin, ndërsa Estonia nga vendi i 18-të në të 26-tin.

Nuk ka pagë minimale të përcaktuar me ligj në Itali, Austri dhe në tre vende nordike: Suedi, Danimarkë dhe Finlandë.

Paga minimale mujore bruto në PPS (2026-I)*

Burimi: Euronews, Eurostat

Ku nuk ndryshuan pagat minimale?

Mes vendeve të BE-së, paga minimale mbeti e pandryshuar në Belgjikë, Estoni, Greqi, Spanjë, Luksemburg dhe Slloveni mes korrikut 2025 dhe janarit 2026.

Bullgaria, Hungaria, Lituania dhe Sllovakia shënuan rritjet më të mëdha, secila me më shumë se 11% gjatë kësaj periudhe.

Ajo mbeti e njëjtë edhe në Estoni, Spanjë dhe Slloveni mes janarit 2025 dhe janarit 2026. Në Rumani, paga minimale në monedhën kombëtare mbeti e pandryshuar, por ra lehtë në terma euro në të dyja periudhat.

Arsyet pas diferencave

Ekspertët e Institutit Europian të Sindikatave (ETUI) vërejnë se produktiviteti më i lartë është baza për paga dhe rroga më të larta në mënyrë të qëndrueshme. Ekonomitë me aktivitet industrial ose financiar më të fortë priren të jenë më produktive.

Industria e teknologjisë së lartë zakonisht tregon gjithashtu produktivitet më të lartë. Një faktor tjetër kyç është fuqia më e madhe negociuese e punëtorëve. / Euronews

The post Pagat minimale në Europë në 2026, si renditet Shqipëria appeared first on Revista Monitor.

Raporti i OECD-SIGMA: Reforma territoriale nuk gjeti zbatim

3 February 2026 at 12:00

Shqipëria ndërmori një dekadë më parë reformën më të thellë territoriale në Rajon, por më shumë se 10 vite nga zbatimi i saj një pjese e konsiderueshme nuk ka gjetur zbatim në terren.

Një raport i ri i SIGMA-s pranë OECD-së dhe Bashkimit Europian vë në dukje se, pavarësisht reformës së thellë territoriale, pushteti vendor në Shqipëri vazhdon të mbetet financiarisht i dobët, me autonomi të kufizuar dhe me vështirësi serioze në ofrimin e shërbimeve publike.

Sipas dokumentit “Implementation and challenges of multi-level governance in the Western Balkans”, Shqipëria ka ndërtuar një kuadër ligjor të përafruar me standardet e BE-së për vetëqeverisjen vendore, por zbatimi ka mbetur problematik, veçanërisht në financa, kompetenca dhe koordinim me qeverinë qendrore.

Raporti vlerëson reformën territoriale të vitit 2015, e cila uli numrin e njësive vendore nga 373 në 61 bashki, megjithatë sipas SIGMA-s, nuk u shoqërua me një decentralizim real financiar dhe funksional.

Sot bashkitë shqiptare janë përgjegjëse kryesisht për infrastrukturën teknike, si menaxhimi i mbetjeve, uji, kanalizimet, transporti urban dhe rrugët lokale, ndërsa shëndetësia dhe arsimi vazhdojnë të mbeten të centralizuara.

Vetëm në vitin 2024 ka nisur një projekt pilot për t’u dhënë bashkive disa kompetenca shtesë në arsim, bujqësi dhe shërbimin shëndetësor parësor.

Edhe pse Kushtetuta dhe ligji për vetëqeverisjen vendore garantojnë autonominë e bashkive, SIGMA vëren se kjo autonomi kufizohet nga kontrolli i fortë financiar dhe administrativ i qeverisë qendrore.

Në veçanti, tavanet e pagave për administratën vendore e bëjnë të vështirë tërheqjen e stafit të kualifikuar dhe dobësojnë kapacitetet reale të pushtetit vendor.

Raporti e identifikon financimin si problemin më të madh të bashkive shqiptare. Të ardhurat e veta, kryesisht nga taksa e pronës, ndërtimi dhe tarifat e shërbimeve, përbëjnë vetëm 39% të të ardhurave të tyre, ndërsa ndarja e taksave kombëtare zë vetëm 5%. Pjesa tjetër varet nga transfertat nga buxheti i shtetit.

Edhe mekanizmi i barazisë financiare, i krijuar për të zbutur diferencat mes bashkive të pasura dhe atyre të varfra, funksionon dobët. Shqipëria rezulton me pabarazinë më të madhe financiare midis bashkive në Ballkanin Perëndimor sipas raportit. Si pasojë, shumica e bashkive ndodhen në vështirësi të vazhdueshme financiare.

Raporti nënvizon gjithashtu se bashkitë nuk përfshihen në hartimin e politikave kombëtare, edhe pse ekzistojnë struktura formale dialogu. Ndërkohë, bashkëpunimi ndërbashkiak për shërbime si mbetjet, uji apo zhvillimi ekonomik mbetet i kufizuar dhe varet nga financime të përkohshme nga donatorët.

Sipas SIGMA-s, Shqipëria ka hedhur bazat ligjore dhe territoriale për një pushtet vendor më të fortë, por pa reformë të thellë fiskale dhe pa transferim real të kompetencave, decentralizimi mbetet i paplotë. Me këtë nivel zbatimi të reformës, bashkitë kanë mbetur vetëm hallka administrative, jo aktorë realë të zhvillimit dhe demokracisë vendore./ B.Hoxha

 

The post Raporti i OECD-SIGMA: Reforma territoriale nuk gjeti zbatim appeared first on Revista Monitor.

Draghi: BE-ja duhet të bëhet federatë për të mos u dobësuar nga SHBA-ja dhe Kina

By: Megi Dumi
3 February 2026 at 11:00

Ish-presidenti i BQE-së thotë se globalizimi do ta lërë Europën të pambrojtur nëse ajo nuk bashkon fuqinë

 

BE-ja duhet të bëhet një “federatë” për të shmangur rrezikun e “eliminimit një nga një” nga Kina dhe SHBA-ja, ka paralajmëruar Mario Draghi, në një thirrje drejtuar shteteve anëtare të bllokut për të thelluar me shpejtësi integrimin në fusha si mbrojtja, politika industriale dhe marrëdhëniet e jashtme.

Ish-presidenti i European Central Bank, i cili më parë ka bërë thirrje që blloku të përqafojë “federalizmin pragmatik”, tha se kishte ardhur koha që BE-ja të hiqte dorë nga rezistenca e kahershme ndaj ndarjes së pushtetit, pasi Uashingtoni dhe Pekini mund të abuzonin me varësitë e krijuara nga globalizimi.

“Fuqia kërkon që Europa të kalojë nga konfederatë në federatë,” tha Draghi, ish-kryeministër i Italisë, në një fjalim në Belgjikë. Ai shtoi se modeli aktual i BE-së, si një konfederatë me 27 shtete me të drejtë vetoje individuale për çështje kyçe, “nuk prodhon fuqi”, por “një grup shtetesh secili i cenueshëm ndaj eliminimit një nga një”.

“Të gjithë jemi në të njëjtin pozicion vulnerabiliteti, pavarësisht nëse e shohim apo jo ende,” tha ai. “Ndarjet e vjetra që na paralizuan janë tejkaluar nga një kërcënim i përbashkët. Por kërcënimi i vetëm nuk do të na mbajë. Ajo që filloi nga frika duhet të vazhdojë me shpresë.”

Dëshira e Trump për të aneksuar Groenlandëm, një territor autonom i Danimarkës, një shtet anëtar i BE-së dhe i NATO-s, si dhe kërcënimi i tij muajin e kaluar për të vendosur tarifa ndaj vendeve të BE-së për të marrë kontrollin e ishullit, tronditën kryeqytetet Europiane që prej dekadash janë mbështetur në aleancën e sigurisë me SHBA-në.

Në të njëjtën kohë, Europa po përpiqet të konkurrojë me Kinën, duke pasur parasysh dominimin e këtij vendi në zinxhirët e furnizimit për mineralet kritike dhe teknologjitë e gjelbra, si dhe modelin e saj të eksporteve të subvencionuara rëndë.

Shtetet anëtare të BE-së kanë transferuar disa kompetenca te Komisioni Europian në Bruksel ose te BQE-ja në Frankfurt për të folur në emër të tyre, por kompetenca të tjera mbeten në nivel kombëtar. Në vitin 2024, Draghi ishte autor i një raporti që bëri thirrje për thellimin e integrimit ekonomik të BE-së për të forcuar tregun e përbashkët.

“Kur Europa është federuar: në tregti, në konkurrencë, në tregun e përbashkët, në politikën monetare, ne respektohemi si një fuqi dhe negociojmë si një e vetme,” tha Draghi. “Kur nuk jemi federuar: në mbrojtje, në politikën industriale, në punët e jashtme, ne trajtohemi si një asamble e lirshme shtetesh të mesme, për t’u ndarë dhe trajtuar në përputhje me rrethanat.”

Përqafimi i federalizmit, argumentoi Draghi, do t’i lejonte BE-së “të vepronte me vendosmëri në të gjitha rrethanat”. Por, duke pasur parasysh ndarjet politike ekzistuese në Europë mbi integrimin, ai pranoi se një grup pararojë shtetesh të BE-së do të duhej të lejohej të ecte përpara i pari.

“Kjo nuk do të jetë një rrugë e drejtë. Siç tha Robert Schuman në vitin 1950, Europa nuk do të ndërtohet menjëherë,” shtoi ai, duke iu referuar njërit prej etërve themelues të BE-së.

“Jo të gjitha vendet do t’i bashkohen çdo nisme që në fillim, qoftë në energji, teknologji, mbrojtje apo politikë të jashtme,” tha Draghi. “Por çdo hap duhet të mbetet i ankoruar te qëllimi: jo bashkëpunim më i lirë, por federatë e vërtetë.” / FT

The post Draghi: BE-ja duhet të bëhet federatë për të mos u dobësuar nga SHBA-ja dhe Kina appeared first on Revista Monitor.

Turizmi i aventurës, 3.4 milionë euro për të përmirësuar ofertën në 4 fshatra të Korçës

3 February 2026 at 11:00

Fondi Shqiptar i Zhvillimit lidhi së fundmi kontratën për ndërhyrjen në katër fshatra të Korçës që synojnë nxitjen e turizmit të aventurës duke përmirësuar kështu ofertën e tyre turistike.

Bëhet fjalë për kontratën “Përmirësimi i ofertës turistike të zonave natyrore në rajonin e Korçës, përmes rritjes së aksesueshmërisë dhe infrastrukturës së turizmit të aventurës, në fshatrat Dardhë, Arrëz, Sinicë dhe Nikolicë”.

Në sistemin e prokurimeve të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) u njoftua se kontrata u lidh në 26 janar dhe afati për përfundimin e punimeve të parashikuara të saj ishte 22 marsi 2027. Vlera e kontratës ishte rreth 3.4 milionë euro.

“Projekti që do të zhvillohet në fshatrat Dardhë, Arrëz, Sinicë dhe Nikolicë, që bëjnë pjesë në Bashkinë e Korçës. Klima e zonës përreth qytetit të Korçës është kontinentale me ndikime mesdhetare. Rajoni i Korçës ka një klimë karakteristike, mjaft të ndryshme nga klima bregdetare, për shkak të lartësisë dhe pozicionit të tij në pjesën lindore të Shqipërisë, në një terren malor dhe kodrinor” thuhet në përshkrimin e rajonit që do të përfshihet në këtë ndërhyrje duke shprehur kështu edhe potencialin që ka zona.

Projekti “Infrastruktura dhe Turizmi në Shqipëri” financohet nga Bashkimi Evropian përmes asistencës teknike dhe granteve investuese me një vlerë totale prej 40 milionë euro, si dhe nga një hua sovrane plotësuese e ofruar nga BERZH për Qeverinë e Shqipërisë. Projekti zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit si agjenci zbatuese.

Ndërhyrja në rajonin e Korçës nuk është e vetmja. Projekti ka pasur vazhdimisht pjesë të tij rajone të ndryshme që janë në faza të ndryshme të zbatimit. Kështu ndër të tjera mund të përmendim ndërhyrjen në rrugët turistike të Velipojës, përmirësimi i infrastrukturës dhe transportit në Bogë, ndërhyrja në Parkun Kombëtar të Tomorit apo përmirësimi i infrastrukturës, aksesit dhe mobilitetit në zonën e Labërisë që u çel si procedurë vetëm pak ditë më parë.

 

The post Turizmi i aventurës, 3.4 milionë euro për të përmirësuar ofertën në 4 fshatra të Korçës appeared first on Revista Monitor.

OKB: Rritja e ardhshme ekonomike e Shqipërisë, e kushtëzuar nga sfidat strukturore dhe demografike

3 February 2026 at 10:00

Ekonomia shqiptare pritet të ruajë një ritëm të qëndrueshëm rritjeje gjatë viteve 2026 dhe 2027, e mbështetur kryesisht nga turizmi dhe sektori i ndërtimit, por perspektiva afatmesme vijon të kushtëzohet nga sfida strukturore, demografia dhe pasiguritë e jashtme.

Kështu vlerëson raporti “World Economic Situation and Prospects 2026”, i publikuar nga Departamenti për Çështjet Ekonomike dhe Sociale i Kombeve të Bashkuara.

Sipas raportit, Shqipëria bën pjesë në grupin e ekonomive të Europës Juglindore që kanë përfituar ndjeshëm nga sezoni turistik shumë i fortë i vitit 2025, me flukse vizitorësh që arritën nivele rekord gjatë muajve të verës.

Turizmi ka qenë një nga motorët kryesorë të rritjes ekonomike, duke nxitur aktivitetin në shërbime, transport dhe tregti, ndërsa paralelisht sektori i ndërtimit ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zgjerimin e aktivitetit ekonomik në vend.

Parashikimet e OKB tregojnë se rritja reale e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë pritet të mbetet mbi mesataren e rajonit edhe në vitin 2026, ndonëse me një ritëm më të moderuar krahasuar me fazën e rimëkëmbjes pas pandemisë. Në të njëjtën kohë, inflacioni në Shqipëri vlerësohet të jetë relativisht i stabilizuar, në nivele rreth 2.5 për qind gjatë viteve 2026 dhe 2027, duke reflektuar lehtësimin e presioneve të çmimeve që u shfaqën pas krizës energjetike dhe goditjeve globale të ofertës.

Raporti thekson gjithashtu se tregu i punës në Europën Juglindore ka shfaqur përmirësim gradual, me rritje të punësimit dhe paga reale më rezistente ndaj inflacionit. Megjithatë, Shqipëria, ashtu si vendet e tjera të rajonit, përballet me një nivel relativisht të ulët të pjesëmarrjes në forcën e punës, veçanërisht te gratë, si dhe me sfida të vazhdueshme që lidhen me emigracionin dhe tkurrjen e popullsisë në moshë pune.

Në planin e rreziqeve, OKB paralajmëron se perspektiva ekonomike e Shqipërisë mbetet e ekspozuar ndaj pasigurive të jashtme, përfshirë ngadalësimin ekonomik në Bashkimin Europian, që është partneri kryesor tregtar i vendit, si dhe ndaj pasojave të ndryshimeve klimatike. Rritja e frekuencës së thatësirave përbën një risk konkret për prodhimin e energjisë hidrike, një sektor kyç për ekonominë shqiptare.

Në vlerësimin e përgjithshëm, raporti nënvizon se megjithëse Shqipëria ka përfituar nga cikli i fortë i turizmit dhe investimeve në ndërtim, zhvillimi afatgjatë do të varet nga përmirësimi i klimës së biznesit, rritja e produktivitetit dhe adresimi i sfidave demografike. Pa reforma strukturore më të thella, rritja ekonomike rrezikon të mbetet e përqendruar në sektorë ciklikë dhe të ndjeshëm ndaj goditjeve të jashtme.

The post OKB: Rritja e ardhshme ekonomike e Shqipërisë, e kushtëzuar nga sfidat strukturore dhe demografike appeared first on Revista Monitor.

Numri i të huajve që jetojnë në Shqipëri arrin rekord në 2025-n, rriten India, Filipinet dhe Egjipti

2 February 2026 at 23:03

Në vitin 2025 rezulton se ka pasur rritje të ndjeshme të numrit të shtetasve të huaj me leje qëndrimi që jetojnë e punojnë në Shqipëri.

Deri në fund të vitit 2025, numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri arriti në 27,514 banorë sipas të dhënave të Regjistrit Elektronik për të Huajt (FER) dhënë për Monitor nga Policia e Shtetit, duke shënuar një nivel rekord. Pjesa më e madhe e tyre, rreth 65% janë për arsye pune dhe rreth 15% për bashkim familjar.

Në raport me 2024 numri i shtetasve të huaj të pajisur me leje qëndrimi u rrit rreth 4,800 banorë apo 22%.

Nga totali prej 27,514 lejesh qëndrimi aktive deri në fund të vitit 2025, shumica e të huajve janë nga Kosova dhe Italia.

Numri i shtetasve nga Kosova të pajisur me leje qëndrimi arriti në 6,076 banorë, që përbën rreth 22% të totalit. Krahasuar me 2024 numri i tyre u rrit 32%.

Ndryshe nga shtetasit e tjera, banorët nga Kosova pajisen me leje qëndrimi me afat 5- vjeçar.

Pas Kosovës numrit më të lartë të shtetasve të huaj të pajisur me leje qëndrimi është nga Italia me 3,776 persona që përbëjnë 14% të totalit të të huajave. Krahasuar me 2024 numri i tyre u rrit 75%.

Krahas Italisë e Greqisë, që tradicionalisht kanë kryesuar për leje qëndrimi, një rritje e ndjeshme në 2025-n është shënuar nga shtetasit nga India dhe Filipinet e Egjipti, që janë ngjitur përkatësisht në vend të tretë, të katërt e të pestë.

Numri i shtetasve nga India në 2025 arriti në 2,399 apo 47%. Shtetasit nga India përbënë 14% të totalit të huajve të pajisur me leje qëndrimi. Këta punojnë kryesisht në shërbime dhe teknologji informacioni.

Shtetasit nga Filipinet të pajisur me leje qëndrimi në 2025 janë 2,213 persona apo 130% më tepër sesa 2024. Këta shtetas punojnë kryesisht në shërbimet shtëpiake dhe në hotele e restorante e më pak në fason.

Për 2025 numri i shtetasve të huaj nga Egjipti ishte 2,007 persona apo rreth 2 herë më shumë sesa në 2024 dhe punojnë në sektorë të ndryshëm, deri në bujqësi. Ata përbënë 7% të totalit të të huajve në 2025.

Numri i shtetasve nga Turqia ishte 1,862 persona apo përbënë 7% të totalit në 2025. Në raport me 2024 numri i tyre u rrit rreth 47%.

Nga i shtetasve të huaj nga SHBA arriti në 1,128 banorë apo 164% më shumë sesa në 2024.

Nga ana tjetër Miamare ka 445 persona (2% të totalit) apo 77% më shumë sesa në 2024.

Numri i shtetasve nga Kina arriti 362 persona apo 42% më shumë sesa në 2024.

Numri i shtetasve të huaj nga Nigeria arriti 184 persona për vitin 2025.

Aplikime të reja për 2025, kryesohen nga shtetasit indianë dhe filipinas

Gjatë vitit 2025, sipas Regjistrit Elektronik për të Huajt (FER), janë përpunuar gjithsej 19,321 aplikime për leje qëndrimi, që tregon një rritje të dukshme krahasuar me 13,176 aplikime që u përpunuan gjatë vitit 2024. Krahasuar me vitin 2024 numri i tyre me 6,145 aplikime me apo 47% më shumë.

Gjatë vitit 2025, shtetësitë kryesore që kanë aplikuar për herë të parë për leje qëndrimi është India me 2,691 aplikime, që përbën 14% të totalit, Filipinet me 2,415 aplikime (13%), Italia me 2,239 aplikime (12%), Egjipti me 2,198 aplikime (11%), Kosova me 1,813 aplikime (9%), Turqia me 1,441 aplikime (7%), SHBA me 606 aplikime (3%), Mianmar me 506 aplikime (3%), Rusia me 442 aplikime (2%) dhe Ukraina me 312 aplikime (2%).

65% e aplikimeve të reja për punësim

Megjithatë motivi kryesor për pajisjen me leje qëndrimi në Shqipëri vijon të mbetet për çështje punësimi dhe bashkimi familjar.

Për vitin 2025, nga totali i aplikimeve të reja 65% e tyre ishin për leje unike punësimi, e ndjekur nga aplikimet për bashkim familjar që përbënë 13% apo rreth 5% e tyre ishin për qëllime studimi. Ndërsa numri i shtetasve të huaj që aplikuan për leje të përhershme qëndrimi ishte 40 apo duke përbërë 0.2% të totalit të numrit të aplikimeve për 2025.

Nga totali i aplikimeve për 2025, sipas të dhënave 7,049 apo 36.4% prej tyre janë aplikime nga femra dhe 12,272 apo 63.6% nga meshkuj./ Dorina Azo

Si talentet po na i merr Gjermania, 3.5 mijë karta blu për punonjësit shqiptarë në 5 vitet e fundit

Burimi: Policia e Shtetit

Burimi: Policia e Shtetit

Burimi: Policia e Shtetit

Burimi: Policia e Shtetit

The post Numri i të huajve që jetojnë në Shqipëri arrin rekord në 2025-n, rriten India, Filipinet dhe Egjipti appeared first on Revista Monitor.

Sigurimi i detyrueshëm i banesave do të përfshijë jo vetëm tërmetet, por edhe përmbytjet

2 February 2026 at 23:01

Qeveria shqiptare ka ndryshuar përsëri projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të banesave, duke përfshirë në rreziqet e siguruara edhe përmbytjet, përveç tërmeteve.

Projektligji është riemërtuar “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet dhe përmbytjet” dhe qëllimi i tij do të jetë mbulimi humbjeve financiare të pësuara nga i siguruari, për shkak të dëmeve të ndodhura në banesën e siguruar, të shkaktuara nga tërmetet dhe përmbytjet.

Përfshirja e përmbytjeve do të zgjerojë rreziqet e siguruara nga skema e detyrueshme, por njëkohësisht pritet të sjellë edhe një prim sigurimi më të lartë krahasuar me modelin e mëparshëm, që detyronte vetëm sigurimin ndaj tërmeteve.

Edhe në variantin e përditësuar të projektligjit parashikohet ngritja e një Fondi Kombëtar për

Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet dhe Përmbytjet, që do të sigurojë administrojë skemën e detyrueshme dhe do të sigurojë banesat, por edhe seksionet që ndodhen brenda banesave që përdoren si njësi, zyra apo për qëllime të tjera të ngjashme.

Fondi Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet dhe Përmbytjet do të krijohet si person juridik publik, i organizuar në formën e një shoqërie aksionare, pas ka sipas këtij ligji dhe të ligjit në fuqi për tregtarët dhe shoqëritë tregtare

Shuma e sigurimit maksimal do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për Financat.

Metodologjia e përcaktimit të primit për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet dhe përmbytjet, termat, klasifikimi i banesave mbi bazë rreziku, do të llogaritet me metodologji aktuariale, bazuar në modelin përkatës të rrezikut nga tërmetet dhe përmbytjet të zhvilluar për Shqipërinë, e cila miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për Financat, pas marrjes së mendimit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Këshilli i Ministrave do të përcaktojë kriteret konkurruese të përzgjedhjes së agjentëve publikë

dhe privatë dhe shoqërive të sigurimit për menaxhimin, shkallën e përfshirjes së tyre, shpërndarjen apo administrimin e shitjeve të kontratave të sigurimit, komisionet përkatëse dhe kushtet e bashkëpunimit.

Dëmshpërblimi në varësi të shkallës së dëmtimit dhe masës së dëmshpërblimit, duhet të paguhet brenda tre muajve, duke filluar nga momenti i plotësimit të plotë të otësimit të plotë të dokumentacionit përkatës përkatës.

Projektligji ka zgjeruar gjithashtu mekanizmat e detyrimit të zbatimit të sigurimit të parashikuar në të.

Personat që kërkojnë regjistrimin, ndryshimin e regjistrimit të banesës apo marrjen e shërbimeve të tjera kadastrale pranë institucionit përgjegjës shtetëror për kadastrën, kane detyrimin të paraqesin paraprakisht një kontratë të vlefshme për sigurimin e detyrueshëm të banesave që disponojnë nga tërmetet dhe përmbytjet, të lidhur me Fondin, në mënyrë që të përfitojnë këto shërbime.

Mungesa e një kontrate të tillë pamundëson marrjen e këtyre shërbimeve kadastrale.

Personat që nuk lidhin kontratën e detyrueshme me ligj, nuk do të përfitojnë shërbime elektronike përmes portalit qeveritar e-Albania, por shërbimet që do të kufizohen shprehimisht do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Gjithashtu, ata nuk do të përfitojnë shërbime nga Qendra Kombëtare e Biznesit.

Ndërkohë, shoqëritë e sigurimit privat nuk do të lejohen të lidhin kontrata sigurimi vullnetare për tërmetet apo përmbytjet për një banesë në kuptim të këtij ligji, që nuk ka lidhur më parë një kontratë sigurimi të detyrueshme me Fondin Kombëtar.

 

The post Sigurimi i detyrueshëm i banesave do të përfshijë jo vetëm tërmetet, por edhe përmbytjet appeared first on Revista Monitor.

Prezantohen në Kuvend nëntë kandidatët e parë për në Këshillin Mbikëqyrës të BSH

2 February 2026 at 23:00

Kuvendi i Shqipërisë ka zhvilluar sot seancën dëgjimore me një pjesë të kandidatëve që kanë aplikuar për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Kandidatja Erjona Bejleri, në prezantimin e vizionit të saj, theksoi se mbikëqyrja duhet të vendosë theks më të madh te qëndrueshmëria e modeleve të biznesit të bankave, dhe jo vetëm te treguesit financiarë.

Sipas saj, kapitali dhe likuiditeti i fortë janë thelbësorë, por nuk garantojnë stabilitet afatgjatë nëse përfitueshmëria mbështetet në strategji të ngushta, të përqendruara ose afatshkurtra. Ajo nënvizoi se kuptimi i mënyrës se si bankat gjenerojnë të ardhura, menaxhojnë përqendrimin dhe përshtaten me ndryshimet strukturore është kyç për parandalimin e rreziqeve të ardhshme.

Znj.Bejleri u angazhua gjithashtu t’i japë prioritet forcimit të qeverisjes korporative në përmbajtje. Sipas saj, bordet efektive, mbikëqyrja e pavarur dhe një kulturë që sfidon vendimmarrjen e menaxhimit përbëjnë linjën e parë të mbrojtjes kundrejt paqëndrueshmërisë financiare.

Kandidati Arben Zibri e vendosi theksin te forcimi i kuadrit makroprudencial, përdorimi i hershëm i indikatorëve paralajmërues dhe instrumenteve makroprudencialë të mbështetur në të dhëna. Sipas tij, prioritet tjetër duhet të jetë rritja e aksesit të ekonomisë në financë. Sipas tij, niveli i ulët i kreditimit, veçanërisht në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kufizon rritjen e tyre dhe në përgjithësi rritjen e produktivitetit të ekonomisë shqiptare.

Kandidatja Matilda Shehu, në prezantimin e saj, vendosi theksin te mbrojtja e konsumatorit financiar. Ajo u shpreh në favor të krijimit të institucionit të ombudsmanit financiar. Gjithashtu, ajo vendosi theksin te nevoja e forcimit të zbatimit të ESG (mjedisorë, socialë dhe të qeverisjes) në veprimtarinë e sistemit bankar në vend.

Kandidati Saimir Muçmata vendosi gjithashtu fokus te mbrojtja e konsumatorëve, nëpërmjet masave si standardizimi i informacionit parakontraktor, trajtimin e drejtë, ngritjen e mekanizmave efektivë për trajtimin e ankesave dhe masave kundër praktikave të padrejta dhe keqinformuese. Ai propozoi ngritjen e një zyre për zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve në Bankën e Shqipërisë.

Kandidatja Eni Xheko vendosi theksin te kontributi për forcimin e pavarësisë së institucionit dhe vendimmarrjes transparente, te lidhja më e fortë e politikave të Bankës Qendrore dhe ekonomisë reale dhe te puna për të përmirësuar edukimin financiar dhe përgjegjësinë institucionale.

Kandidati Emis Cerava në prezantimin e tij, vendos fokus te nevoja e nxitjes së kreditimit në sektorët kyç të ekonomisë, si bujqësia dhe turizmi. Ai gjithashtu u shpreh për monitorim të kujdesshëm të financimit të sektorit të ndërtimit, si edhe nevojën për zhvillimin e produkteve të reja bankare dhe financiare

Kandidatja Fatmira Kola theksoi rëndësinë e rritjes së besimit të institucionit, nëpërmjet rritjes së transparencës dhe komunikimit me publikun.

Kandidati Aleksandër Çavo theksoi fokusin te forcimi i dimensionit ligjor në mbikëqyrjen bankare, me vëmendje të veçantë ndaj rreziqeve dixhitale. Ai propozoi ndërtimin e një kuadri ligjor për përdorimin e inteligjencës artificiale në sistemin bankar.

Kandidatja Adela Karapici propozoi ngritjen e një kurrikule për edukimin financiar në të gjithë sistemin arsimor. Ajo vendosi gjithashtu theksin te forcimi i pavarësisë institucionale të Bankës së Shqipërisë.

Në fund të vitit 2025, përfundoi mandati i gjashtë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Tre prej anëtarëve të rinj, duhet të propozohen nga vetë Kuvendi i Shqipërisë, nëpërmjet Komisionit për Ekonominë dhe Financat, ndërsa tre kandidatë të tjerë do të propozohen nga Këshilli i Ministrave.

 

The post Prezantohen në Kuvend nëntë kandidatët e parë për në Këshillin Mbikëqyrës të BSH appeared first on Revista Monitor.

Yesterday — 2 February 2026Ekonomi

Asgjë e re nga fronti i SelfCare

2 February 2026 at 15:22

Sot shënohet dita e 15-të e bllokimit të sistemit të fiskalizimit SelfCare, i cili siç raportojnë ekonomistët dhe bizneset që nga data 20 janar nuk arrin të funksionojë siç duhet.

Edhe pas njoftimeve të AKSH-it dhe Tatimeve për funksionim të sistemit, bizneset dhe ekonomistët ngritën sërish shqetësimin për mosfunksionimin të rregullt të tij.

Sot ekonomistët dhe bizneset raportojnë se nga SelfCare, platforma e fiskalizimit që funksionon nëpërmjet portalit e-Albania, nuk kryhen operacione hyrje-dalje, teksa aktualisht fiskalizimi bëhet, por faturat nuk printohen dhe po menaxhohen manualisht prej zyrave të financave.

“Që nga data 20 janar sistemi është i bllokuar dhe nuk funksionon fare. Nuk kryhen dot veprime hyrje-dalje (as jep as merr). Fiskalizimi kryhet, por nuk është e mundur printimi nga portali; faturat po printohen manualisht nga financa. Problemi vazhdon edhe sot, pa asnjë përmirësim”, pohon Suela ekonomistë pranë një kompani biznesi.

Të vetëpunësuarit e vetëm janë ata që po pengohen më shumë në aktivitetin e tyre nga mosfunksionimi i sistemit SelfCare. Ky i fundit është portali i fiskalizimit i vendosur në dispozicion nga Administrata Tatimore që mundëson procesin e fiskalizimit të faturave të shitjes, deklaratave doganore, ngarkimin e certifikatës së fiskalizimit dhe ndryshimet në të, etj.

Në mënyrë jozyrtare, “Monitor” mëson se të vetëpunësuarve të vetëm u është sugjeruar që të blejnë shërbime me pagesë pranë kompanive private, si alternativë për zgjidhjen e problemit.

Sipas INSTAT, në vend ka rreth 40 mijë biznese të vetëpunësuar, ose rreth 30% e totalit, por nuk ka të dhëna se sa prej tyre janë të vetëpunësuar të vetëm. Aktiviteti i këtyre të fundit është tërësisht i bllokuar prej gati 3 javësh për shkak të mosfunksionimit të programit SelfCare.

Nëse të vetëpunësuarit të vetëm do të shkojnë drejt blerjeve të pajisjeve për lëshimin e faturave të fiskalizimit, kjo pritet të sjellë kosto shtesë për këtë kategori.

Më 29 janar Tatimet njoftuan se problematika e konstatuar ditët e fundit në aksesimin e Platformës Qendrore të Lëshimit të Faturave të Fiskalizuara është zgjidhur, dhe se platforma prej pasdites së 28 janarit, është në shërbim të plotë dhe funksionon normalisht.

https://monitor.al/tatimet-problemet-me-self-care-jane-zgjidhur-platforma-teresisht-funksionale/

Edhe pas këtij njoftimi, shumë subjekte raportuan për probleme, që vazhdojnë edhe sot.

“Nxitimi për të përgënjeshtruar problemet e pazgjidhura thjesht sa do të thellojë mosbesimin në infrastrukturën kritike dhe aftësinë e shtetit dhe për të justifikuar shpenzimet e larta të buxhetit të shtetit për shërbime që lënë për të dëshiruar”, shkruajti më herët një lexues.

Shqetësim tjetër i bizneseve lidhet me inventarin. Administrata tatimore u ka kërkuar bizneseve që të dorëzojnë inventarët deri në fund të janarit.

https://monitor.al/pas-problemeve-me-self-care-tatimet-u-kerkojne-bizneseve-te-dorezojne-inventaret-deri-ne-31-janar/

 

The post Asgjë e re nga fronti i SelfCare appeared first on Revista Monitor.

Trendet që do të formësojnë botën e punës në 2026 dhe më tej

By: Megi Dumi
2 February 2026 at 15:20

Pritshmëritë e CEO-ve për rritje të nxitur nga IA mbeten të larta në 2026, ndërkohë që punonjësit po përballen me realitetin më të ftohtë të performancës aktuale të IA.

Studimet e Gartner tregojnë se vetëm një në 50 investime në IA sjell vlerë transformuese dhe vetëm një në pesë prodhon ndonjë kthim të matshëm nga investimi.

Në 2026, ekipet drejtuese duhet të menaxhojnë një tension të vështirë: të realizojnë objektivat e rritjes sot, duke ndërtuar njëkohësisht një forcë punëtore të aftë të krijojë vlerë në të ardhmen.

Për këtë, duhet të fokusohen te tre prioritete: (1) përshtatja me realitetet e reja të epokës së IA, ku marrëveshja e punës është në ndryshim; (2) zbutja e kërcënimeve të reja për performancën organizative; dhe (3) shfrytëzimi i mundësive të një fuqie punëtore të përzier njeri–makinë.

1. Pushimet nga puna për shkak të IA ecin më shpejt se fitimet reale të produktivitetit.

Në 2025 pati pushime të mëdha, por më pak se 1% lidhen drejtpërdrejt me rritje reale produktiviteti nga IA. Në 2026, organizatat rrezikojnë të kenë ulur stafin para kohe dhe të detyrohen të ri-punësojnë me kosto më të larta.

2. Dissonanca kulturore frenon performancën.

Shumë kompani kërkojnë më shumë nga punonjësit pa ofruar më shumë në këmbim, duke krijuar mospërputhje mes kulturës së deklaruar dhe realitetit, me pasoja në angazhim dhe reputacion.

3. IA dëmton “fitnesin mendor”.

Përdorimi i gjerë i IA gjeneruese po shoqërohet me rreziqe emocionale dhe njohëse. 91% e drejtuesve të IT-së thonë se organizatat e tyre nuk monitorojnë efektet psikologjike të përdorimit të IA.

4. “Workslop” bëhet barrë produktiviteti.

Presioni për të përdorur IA prodhon punë të shpejtë, por me cilësi të ulët dhe plot gabime, duke konsumuar kohë dhe duke ulur vlerën reale.

5. Rikthimi i humanitetit në rekrutim.

Automatizimi i tepruar ul besimin dhe cilësinë e kandidatëve. Strategjitë më të suksesshme do të kombinojnë IA me vlerësime njerëzore dhe takime reale.

6. Rriten rreziqet e spiunazhit të brendshëm.

Deepfake dhe profile të rreme po përdoren për infiltrime, duke e bërë BNJ pjesë kyçe të sigurisë.

7. Karriera nga teknologjia drejt zanateve.

Punonjësit dixhitalë kërkojnë profesione “rezistente ndaj IA”, duke krijuar oferta të reja për tregun e punëve të kualifikuara.

8. Ekspertët e proceseve, jo “yjet e teknologjisë”, krijojnë vlerë.

Riorganizimi i mënyrës së punës sjell më shumë përfitim sesa ndjekja e talenteve të rralla teknike.

9. Punonjësit kërkojnë kompensim për “kopjet dixhitale”.

Replikimi i figurës dhe aftësive të tyre me IA hap debate të reja ligjore dhe financiare.

Në përfundim, drejtuesit duhet të zgjedhin trendet kryesore për sektorin e tyre dhe t’i kthejnë nga aspirata në veprim konkret në epokën njeri–makinë. / Harvard Business Review

The post Trendet që do të formësojnë botën e punës në 2026 dhe më tej appeared first on Revista Monitor.

Banka e Anglisë pritet të mbajë normat të pandryshuara, mes sinjaleve kontradiktore për ekonominë

2 February 2026 at 15:11

Banka balancon dobësimin e tregut të punës me rritje më të qëndrueshme

Banka e Anglisë pritet të sinjalizojë rrugën drejt një uljeje tjetër të normës së interesit në muajt në vijim, pasi të lërë politikën monetare të pandryshuar të enjten, duke balancuar provat për një treg pune në dobësim me rritje më të fortë ekonomike.

Komiteti i Politikës Monetare i BoE-së pritet gjerësisht të mbajë normën bazë në 3.75 për qind, por vëmendja e investitorëve do të përqendrohet te udhëzimet e bankës për lëvizjet e ardhshme të normave, në një kohë kur sinjalet për ekonominë britanike janë kontradiktore.

Aktiviteti i biznesit është rritur pas Buxhetit të Nëntorit, edhe pse punësimi vazhdon të përkeqësohet. Norma e papunësisë qëndroi në 5.1 për qind në nëntor, niveli më i lartë që nga fillimi i vitit 2021.

“Edhe pse të dhënat e fundit nuk justifikojnë një ulje të menjëhershme tjetër të normës, ne presim që tabloja të ndryshojë teksa viti përparon,” tha Andrew Wishart, ekonomist në Berenberg Bank, i cili parashikon një ulje të normës në prill. “Do të jetë e vështirë që shpenzimet dhe aktiviteti të ruajnë vrullin.”

BoE në dhjetor uli normën bazë me një çerek pikë përqindjeje në 3.75 për qind, duke marrë parasysh ndadalësimin e inflacionit, ndërsa paralajmëroi se vendimet e ardhshme ka gjasa të jenë “më të vështira për t’u marrë”, teksa banka i afrohet fundit të ciklit të lehtësimit. Inflacioni i çmimeve të konsumit ishte 3.4 për qind në dhjetor, nga kulmi i verës prej 3.8 për qind.

Komiteti i Politikës Monetare është i ndarë mes zyrtarëve që mendojnë se dobësimi i tregut të punës do të ndihmojë në mbajtjen nën kontroll të inflacionit, duke argumentuar për norma më të ulëta, dhe atyre që besojnë se përmirësimi i zhvillimit ekonomik mund të pengojë përpjekjet për të frenuar rritjen e çmimeve.

Pyetja kyçe me të cilën përballen politikëbërësit në mbledhjen e kësaj jave është se si të balancojnë shenjat e punësimit të dobët dhe rritjes së papunësisë me sondazhet që tregojnë për përmirësim të aktivitetit të biznesit dhe rritje të qëndrueshme të pagave.

Numri i punonjësve të paguar ra me 155,000 në nëntor 2025 krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, sipas Zyrës së Statistikave Kombëtare. Norma e largimeve nga puna (redundancave), që mat numrin e personave që deklarojnë se janë pushuar nga puna gjatë tre muajve të fundit, arriti në 4.9 për çdo 1,000 punonjës, nga 3.8 që ishte më parë.

Rritja e pagave në sektorin privat, të cilën politikëbërësit e BoE-së e shohin si një tregues kyç të presioneve inflacioniste themelore në ekonomi, u ngadalësua në 3.6 për qind pa përfshirë bonuset në tre muajt deri në nëntor, nga 3.9 për qind në tre muajt deri në tetor.

Por sondazhi i Bankës së Anglisë me drejtuesit e korporatave tregon për rritje pagash prej 3.7 për qind këtë vit dhe kërkimi nga agjentët rajonalë të saj tregon për një marrëveshje mesatare pagash prej 3.5 për qind.

Vendimmarrjen për normat e interesit e ndërlikojnë më tej shenjat e përshpejtimit pas Buxhetit në sektorin privat. Indeksi S&P PMI, një masë e aktivitetit të korporatave, u rrit në 53.9 në janar, niveli më i lartë që nga prilli 2024.

Kjo erdhi pasi rritja e PBB-së u përmirësua në 0.3 për qind në nëntor, sipas të dhënave zyrtare të veçanta.

Me BoE-në që pritet të marrë parasysh masat e Buxhetit, si shtyrjet e rritjes së taksës mbi karburantin dhe ngrirja e çmimeve të biletave të trenit, parashikimet e saj ka të ngjarë të tregojnë se inflacioni po kthehet drejt objektivit ose edhe poshtë tij.

Kjo duhet t’i lejojë bankës qendrore të lërë të hapur derën për një tjetër ulje të normës që në mbledhjen e marsit. Megjithatë, nëse normat bien në 3.5 për qind, tabloja bëhet më e paqartë, duke qenë se kostot e huamarrjes do të jenë më pranë niveleve neutrale, që as nuk stimulojnë dhe as nuk frenojnë aktivitetin.

“Ne presim që Komiteti i Politikës Monetare të përsërisë udhëzimin e mëparshëm se një tjetër ulje e normës bazë ka gjasa, por cikli i normave ndoshta është pranë fundit,” tha Rob Wood nga Pantheon Macroeconomics. / FT

The post Banka e Anglisë pritet të mbajë normat të pandryshuara, mes sinjaleve kontradiktore për ekonominë appeared first on Revista Monitor.

Ari dhe argjendi vazhdojnë rënien teksa tkurrja trondit tregjet e aksioneve

2 February 2026 at 14:24

Humbjet në metalet e çmuara pasojnë një rritje rekord

Ari dhe argjendi pësuan rënie ditën e hënë, ndërsa përmbysja e një rritjeje rekord në metalet e çmuara u zgjat për javën e dytë radhazi dhe u reflektua edhe në tregjet e aksioneve.

Ari ra deri në 9 për qind në tregtimet e hershme, në 4,403 dollarë për ons, përpara se të rikuperohej në 4,763 dollarë, duke qenë rreth 2 për qind më poshtë gjatë ditës. Argjendi u ul deri në 15 për qind, në 71.33 dollarë, përpara se të rikuperohej në 83.50 dollarë, duke qenë 1.3 për qind më poshtë gjatë ditës.

Kontratat e së ardhmes që ndjekin indeksin S&P 500 dhe Nasdaq 100 ranë përkatësisht me 0.5 për qind dhe 0.9 për qind.

Menaxherët e fondeve të investimit reduktuan disa pozicione më të rrezikshme mes luhatjeve të forta të tregut. “Ndërsa likuiditeti dhe paqëndrueshmëria përkeqësohen, investitorët po shesin atë që ka performuar mirë deri tani këtë vit,” tha Matthias Scheiber, drejtues i investimeve në Allspring.

Ari dhe argjendi kishin arritur vlera rekord në javët e fundit në një rritje shumë të fortë, teksa tensionet gjeopolitike dhe frika për pavarësinë e Rezervës Federale të SHBA-së i shtynë investitorët të kërkonin asete të sigurta.

Por nominimi të premten nga presidenti amerikan Donald Trump i Kevin Warsh, një ish-guvernator i Fed-it, i konsideruar si një zgjedhje e logjikshme dhe e mirë, si kryetar i ardhshëm i bankës qendrore amerikane, qetësoi frikën se pasardhësi i Jay Poëell do të ishte më tolerant ndaj inflacionit, shqetësim që kishte ushqyer rritjen e metaleve të çmuara.

Indeksi referencë europian Stoxx Europe 600 u rikuperua nga humbjet e hershme për t’u tregtuar me 0.3 për qind në rritje. Në Azi, tregu më i goditur ishte Kospi i Koresë së Jugut, që u mbyll me rënie 5.3 për qind.

Hao Hong, drejtor investimesh në Lotus Asset Management, tha se investitorët po detyroheshin “të mbulonin shumë marzhe në transaksionet e tyre me metale të çmuara”, çka kishte ushtruar presion mbi aksionet aziatike.

CME Group, operatori më i madh në botë i bursave të derivateve, tha të premten se do të rriste kërkesat për marzh për kontratat futures të arit dhe argjendit pas rënies së fortë të çmimeve.

Investitorët thanë se rëniet e çmimeve të metaleve të çmuara po përforcoheshin nga kërkesat më të ashpra për marzh fitimi dhe nga ulja e huamarrjes që kishte nxitur rritjen rekord. “Rritja ka qenë e jashtëzakonshme dhe leva financiare ka luajtur një rol kyç si në rritje, ashtu edhe tani në rënie,” tha Guy Miller, strateg kryesor i tregjeve te kompania e sigurimeve Zurich.

Nafta ra ndjeshëm, me indeksin Brent, referencën globale, që zbriti 5 për qind në 65.86 dollarë për fuçi. Bakri dhe alumini, metale industriale që ishin përfshirë në rritjen e fundit, ranë të dy me 2 për qind.

Rritja e kërkesës nga investitorët privatë që blinin fonde të tregtuara në bursë dhe shufra fizike ari kishte kontribuar në rritje. Investitorët i janë drejtuar arit si një mbrojtje ndaj shqetësimeve në rritje për shpenzimet fiskale në ekonomitë e zhvilluara, si edhe ndaj pasigurisë gjeopolitike.

Kjo pjesëmarrje e lartë e investitorëve individualë, që përfshinte edhe përdorimin e produkteve me levë financiare si opsionet afatshkurtra, po e përkeqësonte valën e shitjeve të hënën, sipas tregtarëve.

Raymond Cheng, drejtor investimesh për Azinë Veriore te Standard Chartered, tha se ari që tregtohet në 4,650 dollarë është “një mundësi për të shtuar” metalin, mes pasigurisë për shpenzimet qeveritare në SHBA.

“Ne mendojmë se primi i riskut Trump është ende i justifikuar,” tha Cheng. “Ai do të mbetet president i SHBA-së, pavarësisht se kush është kryetar i Fed-it. Politika e tij fiskale do të mbetet ekspansioniste.”

Indeksi kryesor i bursës së Afrikës së Jugut, i cili është shumë i ekspozuar ndaj industrisë minerare, ra deri në 6.9 për qind përpara se të rikuperohej dhe të qëndronte 1.3 për qind më poshtë gjatë ditës.

Aksionet e listuara në Australi të Newmont Corporation, një kompani e madhe minerare e arit, ranë me 10 për qind, ndërsa ato të Zijin Gold International ranë me 7.9 për qind.

“Tregjet që rriten kaq shumë nuk korrigjohen në mënyrë anësore,” tha Prashant Bhayani, drejtor investimesh për Azinë në BNP Paribas Wealth Management. “Nuk është ndryshe nga aksionet meme, që nxiten kryesisht nga entuziazmi në rrjetet sociale dhe jo nga bazat reale ekonomike.

Dollari u forcua lehtë me 0.1 për qind kundrejt një shporte monedhash të partnerëve kryesorë tregtarë të hënën, ndërsa yield-et e obligacioneve 10-vjeçare të Thesarit amerikan ranë me 0.01 pikë përqindjeje në 4.23 për qind. Yield-et e obligacioneve lëvizin në drejtim të kundërt me çmimet. / FT

The post Ari dhe argjendi vazhdojnë rënien teksa tkurrja trondit tregjet e aksioneve appeared first on Revista Monitor.

Greva e transportit në Gjermani ndalon autobusët dhe tramvajet, preken 150 qytete

2 February 2026 at 14:20

Sindikatat kërkojnë turne më të shkurtra dhe paga më të larta mes negociatave të bllokuara; paralajmërohen veprime të tjera nëse bisedimet e 9 shkurtit dështojnë

Udhëtarët në të gjithë Gjermaninë u përballën me temperatura të ulëta dhe stacione bosh të hënën, teksa dhjetëra mijëra punonjës të transportit publik hynë në grevë, duke ndërprerë shërbimet e autobusëve dhe tramvajeve në shumicën e qyteteve. Greva u thirr nga sindikata Verdi.

Verdi, e cila përfaqëson afro 100 mijë punonjës të sektorit, vendosi grevën pasi negociatat me punëdhënësit bashkiakë dhe autoritetet rajonale për kushtet e punës dështuan javën e kaluar.

Sindikatat kërkojnë turne më të shkurtra, pushime më të gjata dhe pagesë më të lartë për punën gjatë natës dhe fundjavave, në një kohë kur qytetet po përballen me kufizime buxhetore.

Greva prek rreth 150 kompani bashkiake të transportit në pothuajse të gjitha 16 landët federale të Gjermanisë, përfshirë Berlinin, Hamburgun dhe Bremenin.

Një nga aksionet më të mëdha të koordinuara në sektorin e transportit lokal ndër vite, greva nisi sipas planit, tha për radion rbb të hënën Serat Canyurt, negociatori kryesor i Verdi, duke shtuar se operatorët e transportit publik tani pritet të rikthehen në tryezën e negociatave.

Udhëtarët kërkojnë alternativa në temperatura të ulëta

Në Shtutgart, Karlsruhe dhe Freiburg, shërbimet do të ndërpriten gjatë gjithë ditës, njoftuan përfaqësuesit e sindikatës.

Temperaturat ranë nën zero në pjesën më të madhe të vendit, duke e përkeqësuar situatën për udhëtarët që u detyruan të kërkojnë alternativa transporti.

Ndërkohë, Deutsche Bahn deklaroi të premten se trenat urbanë S-Bahn në qytete si Berlini, Hamburgu, Mynihu dhe Shtutgarti, si edhe shërbimet ndërqytetëse, do të funksionojnë normalisht, pasi punonjësit e tyre nuk përfaqësohen nga Verdi.

Negociatat mes Verdi dhe shoqatave të punëdhënësve kanë qenë të tensionuara, me drejtuesit e sindikatës që akuzojnë bashkitë se po kërkojnë të ulin përfitimet dhe të zgjasin turnet e punës.

Në Berlin, negociatorët e Verdi thanë se operatorët duan që punonjësit të financojnë vetë përmirësimet, duke hequr dorë nga pagesa për ditët e sëmundjes dhe oraret fleksibël.

Raundi i ardhshëm i negociatave është planifikuar për më 9 shkurt.

Drejtuesit sindikalë paralajmëruan se mund të pasojnë veprime të tjera grevistike, nëse punëdhënësit nuk ofrojnë lëshime domethënëse./ Reuters

The post Greva e transportit në Gjermani ndalon autobusët dhe tramvajet, preken 150 qytete appeared first on Revista Monitor.

Kontratat për plazhet, rregullorja: “Strategjikët” kanë përparësi mbi pjesën tjetër

2 February 2026 at 14:00

Nënshkrimi i kontratave për bizneset që do të mund të marrin plazhet me qira do të ndjekë rregullat e reja të miratuara në ndryshimet që bëri qeveria në rregullore së fundmi.

Duke parashtruar një sërë të rejash që janë lakuar edhe më herët për kushtet që duhet të plotësojnë subjektet si dhe vendosja e një tavani për çmimet duket se ka një grup që qëndron mbi pjesën tjetër.

Bëhet fjalë për investitorët strategjikë. Këta të fundit kanë përparësi mbi plazhet në raport me grupin tjetër.

Rregullorja për stacionet e plazhit në pikën 2 të nenit shtatë përcakton “Në rastin e kërkesave të projekteve me potencial strategjik, sipas përcaktimeve të ligjit nr. 55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, apo kërkesave të investitorëve në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, kontrata për përdorimin e hapësirës së plazhit lidhet sipas akteve ligjore dhe nënligjore përkatëse”.

Në rregulloren e rishikuar kjo pikë vijon me një shtesë “dhe ka përparësi mbi kontratat e plazhit të lidhura në atë zonë. Në çdo rast, gëzimi i përdorimit të bregut të detit si stacion plazhi nga investitori strategjik fillon pas vënies në funksion të strukturës akomoduese turistike”.

Kjo do të thotë se investitorët strategjikë kanë janë të parët që mund të lidhin kontratën për përdorimin e plazhit dhe kjo nis në momentin që vënë në funksion strukturën turistike.

Ndërkohë rregullorja ndryshon dispozitat kalimtare në pikën 3 dhe 4. Pra për këto plazhe aty ku nuk ka strukturë akomodimi subjekti i interesuar për të marrë një stacion plazhi duhet të ketë një strukturë shërbimi.

“Përjashtimisht, për Bashkinë Fier, Bashkinë Divjakë, Bashkinë Pogradec, për plazhin Zvërnec, Plazhi i Vjetër, Bashkia Vlorë, plazhet Spille, Vilë-Bashtovë, Bashkia Rrogozhinë, plazhet Shetaj, plazhi i Gjirit të Lalzit, plazhi Hamallaj, plazhi i Katundit të Ri, plazhi Porto-Romano 1, plazhi Currila 1, plazhi Currila 2, plazhi Currila 3, plazhi Currila 4, plazhi Currila 5, Bashkia Durrës, plazhet Borsh, Llaman, plazhi Lukovë 2, plazhi Maraçi, Bashkia Himarë, plazhi i Rrjollit, Bashkia Shkodër, në stacionet e plazhit, që nuk ka struktura akomoduese pranë apo në afërsi të hapësirës së plazhit, nuk zbatohet kriteri i parashikuar në shkronjën “b”, të pikës 3, të nenit 7, dhe subjekti, përveç kritereve të parashikuara në shkronjat “c” dhe “ç”, të pikës 3, të nenit 7, duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme” thuhet në pikën 3 të rishikuar.

 

The post Kontratat për plazhet, rregullorja: “Strategjikët” kanë përparësi mbi pjesën tjetër appeared first on Revista Monitor.

Projekte të reja të KE dhe Qeverisë Zviceriane, mbështetje e drejtpërdrejtë për AAPSK

2 February 2026 at 13:32

Qeveria Zviceriane dhe Këshilli i Evropës kanë shënuar një hap të ri në mbështetjen e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave, me nisjen e dy projekteve të reja të bashkëfinancuara, që synojnë forcimin e institucioneve ligjzbatuese dhe rritjen e efektivitetit në rikuperimin dhe administrimin e aseteve.

Në qendër të kësaj nisme qëndron projekti “Forcimi i qëndrueshmërisë së sektorit publik kundër korrupsionit” (RAC), i cili do të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejtë për Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), me fokus të veçantë në forcimin e kapaciteteve institucionale, përmirësimin e praktikave të administrimit të aseteve dhe promovimin e ripërdorimit social të pasurive të konfiskuara në dobi të komunitetit.

Përmes asistencës teknike, ekspertizës ndërkombëtare dhe shkëmbimit të praktikave më të mira evropiane, projekti RAC synon të rrisë efektivitetin e agjencive ligjzbatuese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke forcuar njëkohësisht besimin e publikut dhe transparencën në menaxhimin e pasurive të konfiskuara.

Paralelisht, projekti “Lufta kundër pastrimit të parave në Shqipëri” (CMLA) do të mbështesë autoritetet shqiptare në forcimin e kuadrit të parandalimit dhe luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (AML/CFT), përmes një qasjeje të bazuar në risk dhe udhëzimeve praktike për autoritetet publike dhe subjektet raportuese.

Gjatë aktivitetit të prezantimit, Drejtori i Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit në Këshillin e Evropës, Gianluca Esposito, theksoi se fokusi i reformave duhet të zhvendoset nga miratimi i ligjeve tek efektiviteti i zbatimit të tyre dhe rezultatet konkrete për qytetarët. Ndërsa Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, nënvizoi se një sistem efektiv kundër pastrimit të parave është thelbësor për mbrojtjen e ekonomisë, konkurrencën e ndershme dhe rrugën evropiane të Shqipërisë.

Në këtë kuadër, Kryeadministratorja e AAPSK, znj. Risena Xhaja, vlerësoi rëndësinë e projekteve dhe mbështetjes së vazhdueshme për forcimin e rolit të agjencisë:

“Ky projekt përfaqëson një mbështetje shumë të rëndësishme për Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, jo vetëm në rritjen e kapaciteteve profesionale dhe teknike, por edhe në konsolidimin e qasjes sonë ndaj ripërdorimit social të pasurive të konfiskuara. Mbështetja me ekspertizë ndërkombëtare dhe praktika të avancuara do të na ndihmojë që këto pasuri të kthehen në vlerë të shtuar për shoqërinë, duke kontribuar drejtpërdrejt në interesin publik dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar,” – u shpreh znj. Xhaja.

Eventi mblodhi përfaqësues të lartë të institucioneve shqiptare, partnerëve ndërkombëtarë, shoqërisë civile dhe medias, duke shërbyer si një platformë dialogu mbi reformat anti-korrupsion, administrimin e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara, si dhe standardet në zhvillim në fushën AML/CFT, si dhe ndikimin e tyre në nivel kombëtar.

The post Projekte të reja të KE dhe Qeverisë Zviceriane, mbështetje e drejtpërdrejtë për AAPSK appeared first on Revista Monitor.

Kodi i ri Penal në fokus të mediave italiane, paralajmërimi i Confindustria për pasojat ekonomike

2 February 2026 at 13:14

Mediat italiane kanë vënë në fokus procesin e nisur në Shqipëri për miratimin e Kodit të ri Penal, duke raportuar shqetësimet dhe paralajmërimin e Confindustria Albania, sipas së cilës ndryshimet e propozuara rrezikojnë të ndikojnë negativisht në ekonominë e vendit, klimën e investimeve dhe sigurinë juridike.

Sipas shoqatës, projektligji nuk buron nga një nevojë reale për reformë, as nga problematika të dukshme të Kodit Penal aktual, i cili ndër vite ka treguar qëndrueshmëri dhe aftësi për të funksionuar në mënyrë efektive. Sistemi në fuqi, në fakt, ka dhënë rezultate të konsideruara pozitive edhe në fusha delikate si ajo e përgjegjësisë penale të personave juridikë, një nga sektorët ku teksti i ri synon të ndërhyjë ndjeshëm.

Confindustria Albania thekson se një vend që synon të konsolidojë rolin e tij në kontekstin evropian dhe ndërkombëtar duhet të mbështetet mbi parime të qarta të shtetit të së drejtës, mbi rregulla të qëndrueshme dhe mbi një kuadër normativ të parashikueshëm. Siguria juridike përmendet si një element thelbësor për të vazhduar tërheqjen e investimeve të huaja dhe për të mbështetur iniciativën sipërmarrëse vendase, ndërsa Kodi i ri Penal rrezikon të vërë në diskutim pikërisht këto parakushte themelore.

Ndër aspektet më kritike përmendet tendenca për të shndërruar në vepra penale një sërë sjelljesh që deri më sot përfshiheshin në fushën e shkeljeve administrative. Sipas shoqatës, parregullsi fiskale të natyrës formale, mangësi në mbajtjen e saktë të regjistrave shoqërorë, shkelje të brendshme të menaxhimit të kompanive dhe mospërmbushje të tjera pa një vlerë reale penale mund të sanksionohen penalisht, duke krijuar një klimë pasigurie dhe frike mes operatorëve ekonomikë. Kjo qasje, gjithmonë sipas Confindustria Albania, rrezikon të rëndojë në mënyrë të panevojshme sistemin gjyqësor dhe të penalizojë aktivitetin e biznesit, pa sjellë përfitime konkrete në drejtim të ligjshmërisë apo transparencës.

Shqetësim shtesë ngjall edhe hapësira e gjerë e diskrecionit që disa dispozita të Kodit të ri do t’u atribuonin gjyqtarëve. Një pushtet interpretues tepër i zgjeruar mund të komprometojë parashikueshmërinë e vendimeve dhe stabilitetin e kuadrit juridik, elemente të konsideruara të domosdoshme për ata që investojnë dhe veprojnë në afat të gjatë.

Shoqata e drejtuar nga Davide Rogai i referohet gjithashtu standardeve të Bashkimit Evropian, objektiv i shpallur i Shqipërisë në rrugëtimin e saj të integrimit. Në kuadrin e BE-së, përgjegjësia penale e personave juridikë përgjithësisht kufizohet në sektorë të përcaktuar mirë, si krimi i organizuar, korrupsioni apo veprat penale mjedisore, ndërsa projekti i reformës shqiptare duket se e zgjeron ndjeshëm këtë perimetër. Duhet kujtuar gjithashtu se në vend është tashmë në fuqi një legjislacion specifik mbi përgjegjësinë penale të personave juridikë, gjë që e bën, sipas Confindustria Albania, edhe më pak të justifikuar një ndërhyrje kaq radikale përmes një Kodi të ri Penal.

Shoqata, e cila vepron në Shqipëri prej më shumë se dhjetë vitesh duke përfaqësuar ndërmarrje të themeluara si nga sipërmarrës italianë ashtu edhe nga sipërmarrës shqiptarë, vë në dukje edhe pasojat e mundshme negative të tekstit të ri mbi përqendrimet shoqërore. Normat e reja mund të përbëjnë një pengesë për lirinë e sipërmarrjes dhe të kenë një efekt fort dekurajues mbi investimet, në një moment historik kur vendi do të kishte nevojë, përkundrazi, të forconte tërheqjen e tij ekonomike.

Në përfundim, Confindustria Albania bën thirrje që procesi i reformës të rishikohet me kujdes, duke përfshirë botën prodhuese dhe duke vlerësuar me vëmendje ndikimin e dispozitave të reja mbi strukturën ekonomike dhe imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë, me bindjen se zhvillimi, ligjshmëria dhe rritja mund të arrihen vetëm përmes rregullave të qarta, proporcionale dhe në përputhje me standardet evropiane.

Confindustria Albania ka reaguar edhe më parë për ndryshimet në Kodin Penal, ku i cilësonte të panevojshëm, të cilat rrisin ndjeshëm riskun ligjor për bizneset dhe cenojnë klimën e investimeve në vend.

Sakaq pak ditë më parë Kuvendi i Shqipërisë në një seancë maratonë miratoi me 85 vota pro dhe 9 kundër, projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, (nismë e Këshillit të Ministrave).

Kodi Penal aktual është miratuar në vitin 1995 dhe që prej asaj periudhe ka pësuar deri më tani 32 ndërhyrje, nga të cilat 23 ndërhyrje legjislative dhe 9 ndërhyrje me vendime të Gjykatës Kushtetuese.

Projektligji për Kodin e Ri Penal u publikua për konsultime publike në fund të muajit korrik nga Ministria e Drejtësisë.

Drafti i ri që përmban 950 nene është kundërshtuar nga shumë ekspertë të cilat vazhdimisht kanë theksuar se projektligji rrezikon penalizimin e marrëdhënieve fiskale, rrezikon të cenojë sigurinë juridike, të mbingarkojë sistemin gjyqësor penal dhe të vendosë qytetarët e bizneset në një klimë pasigurie, në vend që të garantojë korrektësi dhe efikasitet administrativ.

Për këtë arsye, ekspertët e shohin të domosdshëm një rishikim i thelluar i draftit në mënyrë që të harmonizohet me Kushtetutën dhe parimet e shtetit të së drejtës./ Giornalesera.com

 

https://monitor.al/confindustria-albania-kunder-draftit-te-kodit-penal-rrezik-per-biznesin-paralizon-investimet/

 

 

The post Kodi i ri Penal në fokus të mediave italiane, paralajmërimi i Confindustria për pasojat ekonomike appeared first on Revista Monitor.

Kërkesat për azil, 10-mujori 2025

By: Mira Leka
2 February 2026 at 13:08

Kërkesat e shtetasve shqiptarë për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian kanë shënuar tendencë rritëse në fundin e vitit të kaluar, pasi kishin qene në rënie gjatë periudhës së verës. Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, në tetor 2025 u regjistruan gjithsej 505 kërkesa për azil, që është niveli më i lartë që nga muaji janar. Në gusht numri i kërkesave ishte rënë në 315. Pavarësisht r...

Nevojitet abonim për të lexuar artikull të revistës

Plani juaj aktual nuk ofron qasje në artikujt më të fundit të revistës. Për të pasur qasje të plotë, ju lutemi përmirësoni abonimin tuaj në premium.

The post Kërkesat për azil, 10-mujori 2025 appeared first on Revista Monitor.

Momenti “ChatGPT” ka mbërritur në industrinë prodhuese

By: Mira Leka
2 February 2026 at 13:04

Fabrikat e së ardhmes. Inteligjenca Artificiale premton të transformojë mënyrën dhe vendin se si prodhohen gjërat, shkruan The Economist   “E dini çfarë më bën vërtet përshtypje? Pashë një robot që ngriti një vezë!”, thërriste Roger Smith, kryetar i General Motors, në vitin 1985. Prodhuesi amerikan i makinave, i cili dy dekada më herët kishte qenë kompania e parë që instaloi një krah robotik...

Nevojitet abonim për të lexuar artikull të revistës

Plani juaj aktual nuk ofron qasje në artikujt më të fundit të revistës. Për të pasur qasje të plotë, ju lutemi përmirësoni abonimin tuaj në premium.

The post Momenti “ChatGPT” ka mbërritur në industrinë prodhuese appeared first on Revista Monitor.

Pse Europa po rizbulon virtytet e parasë cash

By: Mira Leka
2 February 2026 at 12:59

Në një botë me aplikacione pagesash dhe euro digjitale, monedha po bën një rikthim modest, shkruan The Economist   Hyni në një kishë në Suedi në mes të dimrit të zymtë dhe do të gjeni një nga këndet e saj të ndriçuar lehtë. Qirinj të ndezur nga vizitorët që përkujtojnë një të dashur, shërbejnë si një shkëputje nga vrulli i jetës moderne. Dikur, këto pamje të qeta prisheshin vetëm nga tingull...

Nevojitet abonim për të lexuar artikull të revistës

Plani juaj aktual nuk ofron qasje në artikujt më të fundit të revistës. Për të pasur qasje të plotë, ju lutemi përmirësoni abonimin tuaj në premium.

The post Pse Europa po rizbulon virtytet e parasë cash appeared first on Revista Monitor.

❌
❌