Normal view

Zonja Agathi e Kuvendit të Shqipërisë

28 July 2026 at 23:01

Nga Ardit Rada

Agron Shehaj nuk është një politikan në kuptimin klasik të fjalës. Edhe vetë partia e tij e prezanton me krenari si “biznesmen që ka hyrë në politikë”. Ideja është e thjeshtë: një njeri që ka fituar milionat e veta nuk ka pse të vjedhë paratë e buxhetit. Por politika nuk matet vetëm me faturat që nuk paguan apo tenderët që nuk merr. Politika matet me respektin për institucionet dhe rregullat. Pikërisht aty fillon problemi i Agron Shehajt.

Shpesh biznesmenët, të ndershëm ose jo, krijojnë bindjen se suksesi ekonomik jashtë lidhjeve politike u jep një status të veçantë. Se mund të kalojnë semaforin kur duan, të mos vendosin rripin e sigurimit, të mos respektojnë procedurat, sepse janë “self-made” kur vjen puna te leku. Kjo mendësi, kur hyn në politikë, bëhet edhe më e rrezikshme. Deputeti nuk është pronar i Kuvendit. Ndoshta është I mandatit të tij dhe të ndonjë tjetri, por dokumentet shtetërore nuk janë dosje kompanie që merren në zyrë për t’u parë me qetësi pas një dreke me verë qindra euroshe.

Agron Shehaj është një produkt aksidental i politikës shqiptare. Ai hyri në Partinë Demokratike në çadrën e vitit 2017, në një kohë kur Lulzim Basha u tregua bujar me sponsorët politikë. Më pas u nda nga Berisha, krijoi partinë e tij dhe nisi të ndërtojë profilin e një opozitari të ri, duke investuar miliona për të blerë jo vetëm hapësirë mediatike, por edhe kapital politik.

Një prej investimeve të tij ishte Instituti “Lumo Skëndo”, me Uran Butkën në krye. Paradoksi është se eshtrat e Lumo Skëndos (pseudonim i Mit’hat Frashërit) i solli në Shqipëri Edi Rama, ndërsa Shehaj ndërtoi një institut që, më shumë sesa të prodhonte ide apo studime, u bë i njohur për listëpagesat dhe fondet që shpërndante. Kjo shpjegon edhe etiketimin e tij si “ballist” në debatin politik, ndonëse kontributi i tij në historinë e së djathtës matet më shumë me investime financiare sesa me ide apo beteja politike.

Por episodi i dokumentit sekret për marrëveshjen Shqipëri-SHBA e nxori zbuluar në mënyrën më të keqe. Nuk ishte një akt guximi politik, por një demonstrim papjekurie institucionale. Procedura është e qartë: dokumenti lexohet në ambientet e Bibliotekës së Kuvendit, pasi firmos përgjegjësinë për ruajtjen e sekretit. Nuk merret në zyrë, nuk mbahet i kyçur për minuta të tëra dhe më pas nuk kthehet me justifikimin se “më takonte”. Nëse veprimi ishte impulsiv, kërkon ndjesë publike. Nëse ishte i menduar, bëhet edhe më i rëndë.

Këtu fillon edhe keqkuptimi i madh që Agron Shehaj ka me politikën. Ai duket se mendon se çdo gjë është spektakël, se çdo rregull mund të thyhet në emër të një videoje virale ose të disa mijëra klikimeve në rrjetet sociale. Por politika nuk është platformë marketingu dhe Kuvendi nuk është Kinostudio.

Po aq shqetësues është edhe heshtja e drejtësisë. Në një kohë kur Shqipëria ngre alarmin për rrjete spiunazhi, ndikim të huaj dhe rrjedhje informacioni të klasifikuar, një deputet periferik merr një dokument sekret, largohet me të në zyrën e tij, e mban jashtë kontrollit institucional për aq kohë sa të mund ta fotografojë apo ta kopjojë dhe më pas e rikthen si të mos kishte ndodhur asgjë. Në çdo shtet serioz, kjo nuk do të ishte thjesht një debat televiziv. Do të ishte objekt i menjëhershëm hetimi.

Në filmin “Mysafiri”, Zonja Agathi (që e luan Esma Agolli, ndjesë pastë) fotografonte fshehurazi hartat e ekspeditës gjeologjike. Ishte personazhi që mishëronte spiunin klasik të kinemasë së realizmit socialist, duke prerë në besë atë që kishte futur në shtëpi. Ironia është se sot këtë rol e luan një ballist, jo në film, por në ambientet e Parlamentit.

Kur një deputet sillet me dokumentet sekrete si me fletët e një mbledhjeje ortakësh në kompani, nuk po sfidon kundërshtarin politik. Po sfidon vetë shtetin që ka bërë betimin ta mbrojë.

Dhe ky është thelbi i çështjes. Nuk ka rëndësi nëse dokumenti u fotografua apo jo. Nuk ka rëndësi as nëse qëllimi ishte propagandë apo protagonizëm. Rëndësi ka precedenti. Sepse shtetet nuk bien vetëm nga tradhtitë e mëdha; ato rrënohen edhe kur shkelja e rregullit relativizohet, kur institucioni kthehet në skenë dhe kur ligji matet me popullaritetin e autorit. Nëse sot mjafton të thuash “më takonte” për të marrë një dokument sekret nga Kuvendi, vaj hallit nëse Zonjën Agathi do ta kemi një ditë të veshur me pushtet ekzekutiv.

Të reflektosh jo me fjalë ndaj qeverisjes

28 July 2026 at 22:53

Nga Leonidha Mërtiri

Fillimi i protestës që nisi gati dy muaj më parë nuk mund të mos shkaktonte entuziazëm. Nisi me një pjesëmarrje masive, ku të rejat dhe të rinjtë ishin violinë e parë, paqësore, pa shashkat, molotovët, fishekëzjarrët e mëparshëm, pa ulërima dhe thirrje vdekjeje… Ajo, po shkundëte politikën dhe të gjithë ne, pa qenë utopikë, me forcë të re, më të besueshme, – se mund t’ia arrijmë asaj që dëshirojmë: larg korrupsionit, me njerëz seriozë, të zotë, të përkushtuar dhe atdhetarë të vërtetë, jo me xhvatës apo hileqarë të pacipë, që hedhin gurë e fshehin dorën. Legjitime kjo. Sepse dhimbet çdo pëllëmbë e këtij vendi, çdo frymë e tij, që t’i gëzohen kthimit të njerëzve tanë përtej deteve, ikur nga sytë këmbët prej mosrrugëdaljes, pa e zgjatur kohën duke pritur e pritur, lënë prapa vendin, njerëzit më të afërm të tyre.

Dhe, një reflektim serioz ndaj qeverisjes, pa mbetur në fjalë të bukura, kërkon, pikërisht në radhë të parë këta njerëz me integritet, të ditur, idealistë. Këtu mendojmë të ndalemi për një reflektim real të qeverisjes.

Vendi i ka ata aty dhe në diasporë, madje, personalitete të njohur, të rinj apo specialistë me një barrë dijesh dhe përvoje në të gjitha fushat, që mund ta drejtojnë atë suksesshëm. E rëndësishme është t’i vlerësosh dhe të jesh transparent me ta. Por dhe as duke u grumbulluar gjithçka vetëm në duart e shefit të qeverisë. Kështu, edhe besimi i humbur, jo pak, do të kthehet konkretisht dhe jo përmes retorikave të zbrazëta e pa fund. Pyetjet “kush është pranë kryeministrit?” apo “më thuaj kë pranë ke, të të them se cili je” në vlerësim të bashkëpunëtorëve, do të kenë përgjigje më të zëshme dhe inkurajuese nga drejtimi i gjithësecilit. Dialogu i njerëzve në krahë të tij me personalitete të njohur apo qytetarë të thjeshtë, duke parë së bashku plagët e qeverisjes do të bënte që të ishim më afër një reflektimi serioz. Dhe kjo – jo sa për sy e faqe, por me nevojën për të dalë nga cirkuli i rënduar i përpjekjeve zvarritëse. Në këtë mënyrë u ngushtohet rrezja dhe qëndrimeve autoritariste, që bëhen shkak për staturën pushtetare të njëshit , qoftë ky në ekzekutiv apo gjetkë.

Në këtë kuadër, kontaktet e mësipërme ose ato me median, kthehen në këshilltarët më të mirë. Lexoni, ju lutem, një nga editorialët e kësaj gazete të datës 7 korrik të vitit të kaluar. Flitet për bujqësinë shqiptare, për paralizimin e saj. Problemet janë aty, ku jepet dhe zgjidhja e tyre, duke filluar nga decentralizimi i pushtetit lokal dhe se pranimi në Bashkimin Europian kërkon të kthehen mirë sytë nga fshati, për integrimin e këtij të fundit në shtetin shqiptar, zhvillimin e bujqësisë si degë parësore e ekonomisë sonë. Kryeministri dhe njerëzit e tij në drejtimin e këtyre sektorëve mund të jenë kontaktuar me këto vlerësime a të tjera si këto. Çështja është, sikundër thamë, të mos mbetemi në tjerrje fjalësh ku fermeri është tejet i lodhur prej tyre nga pritja e gjatë, në vend të zbatimit të ideve të avancuara, të guximshme si ato që përmendëm apo të shkencëtarëve tanë të mirënjohur, për zhvillim normal të bujqësisë përballë sfidave jo të pakta e përkrah subvencioneve dhe mbështetjes nga shteti.

Pandryshueshmëria apo të ashtuquajturat ndryshime me hap breshke, i depresionojnë njerëzit, ngulitet me të drejtë tek ata se “kështu do të ecet brenda istikameve të palëvizshëm”, se “…siç ka qënë do të jetë…”. Pesimizëm i justifikuar pas çdo arrogance dhe veprimtarive korruptive institucionale. Provojeni të shkoni në hipotekë. Lodhje nervash dhe këmbësh përmes një odiseje që nuk di kur mbaron pa tundur xhepat. Kështu vazhdon të vuash qëndrimin e zyrtarëve marifetçinj, fodullë dhe mediokër.

Nëse ministrat përkatës, drejtues të institucioneve zgjidhen jo në bazë të meritave por të militantizmit apo se kështu i vlerëson iksi a ipsiloni, doemos, çdo të mbjellësh, do të korrësh. Emra të panjohur, që nuk të thonë asgjë, madje, larg përvojës nga fushat e emërimit, që i bëhen barrë qeverisjes. Ka një metër real të vlerësimit të tyre: përmbysja e situatës së keqe. Nëse në hipotekat, shëndetësi e kështu me radhë, plagët vetëm mahisen nga supermenët e qeverisjes, që as begenisin të futen në lëkurën e hallexhiut, pyetja që bëhet pas kësaj është legjitime:

Si mund të vazhdohet me këtë lloj qeverisje? Kësaj i thonë: O Muço, të hëngërt tënja, e ke të keqen brenda. Plaga duhet shëruar sa më parë, pavarësisht zgjerimit të tentakulave. Le të shpresojmë. Ndryshe njerëzit bëhen indiferentë dhe marrëdhëniet me shtetin e tyre fillojnë të mërdhijnë, duke i thërmuar keqas ëndrrat për një jetë më të mirë. Ndaj themi që fillimprotesta kishte vlerën e vetë për largimin e përgjumjes, pa folur për vazhdimësinë e mëtutjeshme të saj. Flasim për një reflektim të vërtetë ndaj qeverisjes, jo me fjalë të mëdha e premtime boshe.

Mbi 1,500 të dënuar me vdekje në Iran futen në grevë urie

28 July 2026 at 22:45

Mbi 1.500 të burgosur të dënuar me vdekje në burgun Ghezel Hesar, pranë Teheranit, kanë nisur një grevë masive urie në shenjë proteste kundër rritjes së ekzekutimeve në Iran. Disa prej tyre kanë shkuar edhe më tej, duke qepur buzët si simbol i revoltës ndaj autoriteteve.

Sipas organizatave iraniane për të drejtat e njeriut, protesta nisi dy javë më parë, pasi gjashtë të dënuar për akuza të lidhura me trafikun e drogës u transferuan në izolim në pritje të ekzekutimit.

Në videot e publikuara nga grupet e të drejtave të njeriut, të burgosurit shihen duke mbajtur pankarta me mbishkrimin “Jo Ekzekutimeve” dhe duke bërë thirrje: “Bëhuni zëri ynë”. Në një prej pamjeve më tronditëse, një i burgosur qep buzët me gjilpërë dhe pe, duke deklaruar se autoritetet nuk kanë reaguar ndaj grevës së urisë.

Një tjetër video tregon të burgosur që kërkojnë ndihmë urgjente mjekësore për protestuesit, duke pretenduar se rojet e burgut nuk lejojnë transportimin e tyre në infermieri, pavarësisht përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

Sipas organizatës Iran Human Rights (IHRNGO), me seli në Oslo, të paktën 424 persona janë ekzekutuar në Iran që nga fillimi i këtij viti, shumica për akuza që lidhen me drogën. Vetëm të martën, autoritetet ekzekutuan dy burra të dënuar për akuzën e “luftës kundër Zotit”, lidhur me vrasjen e dy efektivëve të policisë gjatë protestave kundër regjimit.

Drejtori i IHRNGO-së, Mahmood Amiry-Moghaddam, deklaroi se të dënuarit për çështje droge janë ndër më të margjinalizuarit dhe se protesta e tyre është një akt i jashtëzakonshëm guximi, pasi rrezikojnë të ekzekutohen në çdo moment.

Edhe Amnesty International ka ngritur shqetësimin se gjykatat revolucionare iraniane japin rregullisht dënime me vdekje pas proceseve gjyqësore që nuk përmbushin standardet e drejtësisë, ndërsa shumë të pandehur nuk kanë akses te një mbrojtje ligjore efektive.

Ndërkohë, familjarët e të dënuarve kanë protestuar jashtë burgut Ghezel Hesar në mbështetje të të afërmve të tyre, por sipas burimeve, tubimi është shpërndarë me forcë nga autoritetet iraniane.

PD “leksion” ambasadës amerikane: Mbani qëndrim për protestën, mos rrini si struci…

28 July 2026 at 22:37

Kryetari i degës së PD Krujë Aulon Kalaja deklaroi se Ambasada Amerikane në Shqipëri duhet të mbajë një qëndrim për protestën qytetare në bulevard, duke dalë në mbështetje të saj.

Sipas Kalasë deri më tani Ambasada e SHBA-ve në Tiranë nuk e ka dhënë një mesazh të tillë.

I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Kalaja tha ndër të tjera se hamendësimet që Rama mund të merret me helikopter si Maduro, janë muhabete pa vlerë.

“Ata duhet të mbajnë krah, duhet të mbajnë anë, s’mund të rrinë kështu si struci. Unë e kam mbështetur Presidentin Trump modestisht, por jo kështu. Është momenti për të dalë hapur. Ka dale ai që s’futet në shijet e mia, ambasadori i BE, e bëri një xhiro në bulevard, e dha mesazhin e vet. Këta të tjerët asnjë lloj mesazhi, as për SPAK-un. Muhabetet me helikopter që marrin Ramën janë kot. Kur kanë dashur ata të bëjnë punë në Shqipëri i kanë bërë punën si me Berishën si me Nanon, e kanë gjetur mënyrën, tani s’duan të bëjnë punë, për shumë arsye të tjera, si dhëndrin e Presidentit, apo arsye të tjera. Nuk mban një qëndrim për këtë protestë madhështore! Për protestën s’kanë qëndrim?! Ka raste pafund kur është deklaruar një mbështetje, edhe në Shqipëri. Unë dua që të mbajë anën e qytetarëve, të mbështesë protestën. A është Amerika pro Ramës apo jo? Kjo është pyetja. Alternativë ke sheshin, mbështete, jepu direktiva si të zhvillohen”, u shpreh ai.

“Mora atë që më takonte”, Shehaj flet për grabitjen e dokumentit: Ika me vrap se s’jam kukull unë…

28 July 2026 at 22:30

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, njëkohësisht deputet i kësaj force politike, ka folur këtë të martë në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania lidhur me situatën e ndodhur në Kuvendin e Shqipërisë për marrjen e dokumentit konfidencial të marrëveshjes 302 milionë dollarë për armatimin e ushtrisë shqiptare.

Shehaj dha përgjigje lidhur me situatën, duke thënë se, sipas tij, duhet të luftojë për të drejtat që i takojnë në Kuvendin e Shqipërisë dhe se veprimi i tij ishte ushtrim i një të drejte.

“Më akuzojnë se kam rrëmbyer një dokument. Unë nuk bëra asgjë tjetër, veçse ushtrova të drejtën time. Nëse më akuzojnë se kam rrëmbyer të drejtën time, që më takon, po, e kam bërë. Sepse unë mendoj se, nëse një e drejtë mohohet, duhet ta kërkosh me forcë. Jo të rrish si pulë, por duhet të veprosh.

Ishte e drejta ime të aksesoja atë dokument. Unë duhet të mbroj të drejtën për të qenë aty. Shqiptarët duhet të reagojnë. Kur më mohohet mua një e drejtë, imagjino se çfarë i ndodh një qytetari të thjeshtë.

Akuza që kam vjedhur dhe kam rrëmbyer është e pakuptimtë. Si mund të vjedh unë një të drejtë që më takon? Ai dokument duhet të më jepej. Dhjetë minuta para se ta merrja dokumentin, kryetari i Kuvendit tha: ‘Ta merrni’. Ajo tha se do ta mbani pesë minuta secili dhe do ta shikoni.

Ne nuk marrim urdhra. Të drejtat e deputetit nuk i vendos një punonjëse. E vërteta është që kam ushtruar detyrën time”, tha Shehaj.

Pse ikët me vrap?

“Këta janë mësuar me deputetë kukulla që i komandojnë Balla dhe Rama. Unë jam mësuar që, nëse një e drejtë më mohohet, duhet të luftoj.

Reagimi i qytetarëve që dëgjoj në terren, jo i patronazhistëve dhe analistëve të Edi Ramës, është: ‘Po, nëse të bëjnë një padrejtësi, duhet të veprosh’.

Po pse, ti kujton se unë kam qejf ta bëj në atë formë? Çfarë duhet të bëj unë? Si mundem unë, si deputet, kur nuk më jepet dokumenti?”, tha Shehaj.

Nga shpejtësia skëterrë te muzika shurdhuese, zbardhen porositë e Kryepolicit për sezonin veror

28 July 2026 at 22:22

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, inspektuan sot zbatimin e masave të sigurisë në zonën e Shëngjinit, në kuadër të sezonit turistik.

Gjatë inspektimit, Hita falënderoi punonjësit e Policisë Rrugore të Kosovës, të cilët janë në shërbim të përbashkët me kolegët e Policisë Rrugore shqiptare në zonën e Shëngjinit, në kuadër të bashkëpunimit për garantimin e sigurisë rrugore gjatë sezonit turistik.

Njëkohësisht, ai vlerësoi angazhimin dhe përkushtimin e të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit, të cilat, me orë të zgjatura shërbimi dhe sakrificë të përditshme, garantojnë sigurinë e qytetarëve dhe vizitorëve në të gjithë vendin.

Drejtori i Përgjithshëm tha se siguria rrugore gjatë sezonit turistik mbetet një nga prioritetet kryesore të Policisë së Shtetit, ndaj janë intensifikuar kontrollet dhe është shtuar përdorimi i mjeteve inteligjente në të gjitha akset rrugore.

Hita u shpreh: “Vetëm gjatë fundjavës janë ndëshkuar 357 drejtues automjetesh për tejkalim të shpejtësisë, me shpejtësi të konstatuara që varionin nga 150 km/h deri në mbi 200 km/h.

U bëj apel të gjithë përdoruesve të rrugës që të respektojnë kufijtë e lejuar të shpejtësisë, sinjalistikën rrugore dhe të gjitha rregullat e qarkullimit, pasi shpejtësia mbetet një nga shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore me pasoja fatale.”

Drejtori i Përgjithshëm u ndal edhe te problematika e ndotjes akustike, duke vlerësuar punën e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë për kontrollet e vazhdueshme dhe matjet e nivelit të zhurmës me pajisje të specializuara.

Ai kërkoi nga strukturat e Policisë së Lezhës, si dhe nga të gjitha strukturat policore në vend, që të intensifikojnë kontrollet, në zbatim të ligjit dhe të udhëzimeve të dhëna, me qëllim garantimin e qetësisë publike, respektimin e normave të zhurmës dhe krijimin e kushteve sa më të mira për banorët dhe pushuesit në të gjitha zonat turistike të vendit.

“Skrapari rrezikon të zhduket nga harta! Fushë-Krujës duan t’i marrin dy fshatrat e aeroportit”

28 July 2026 at 22:14

Duke folur për Reformën Territoriale, gazetari Roland Qafoku ngriti alarmin se Skrapari do të zhduket nga harta me shkrirjen e dy bashkive të këtij rrethi. I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Qafoku vuri në dukje se Skrapari është e vetmja zonë në Shqipëri ku nuk ka asnjë rrugë të re.

“Ka një ide dhe një projekt për të zhdukur nga harta e bashkive, dy bashki të një rrethi, Skrapar dhe Poliçan. Unë jam nga ajo zonë dhe sigurisht që më lidh kjo gjë, por edhe sikur të mos isha, se si arrin që dikush hedh idenë që bashki të tilla të zhduken nga harta e bashkive, nuk arrij të them se çfarë mendje dhe zemre ka! Rruga Berrat-Skrapar është e njëjta e 1 majit 1946, e ka prerë shiritin Hysni Kapo dhe disa drejtues lokalë! Ajo është e vetmja zonë në Shqipëri që s’ka rrugë”, tha Qafoku.

Ndërkohë kryetari i degës së PD Krujë Aulon Kalaja ngriti shqetësimin se Fushë-Krujës duan t’i marrin dy fshatrat që kanë tokën e aeroportit, Qerekën dhe Rinasin.

“Fushë-Kruja është një qytet që besoj unë i ka dhënë shumë Shqipërisë, ka 45-50 mijë banorë. Kemi qenë bashki, jemi kthyer në Njësi-Administrative, askush nuk foli në 2015-ën. Tani këtu u dha argumenti i të ardhurave, Fushë-Kruja ka dy fabrika çimentoje, një fabrikë tullash, mobileritë, ka aeroportin, tani duan t’i marrin edhe fshatrat që kanë tokat e aeroportit, Qerekën dhe Rinasin. Duan t’i marrë Tirana! Kur thanë këta do rregullojmë hartën territoriale, ideja është që të korrigjonin gabimet e bëra në 2014-ën, jo të shkrijmë bashki të tjera”, tha Kalaja.

Gjermania vendos trupa në Poloni për të forcuar mbrojtjen e NATO-s ndaj kërcënimit rus

28 July 2026 at 22:09

Gjermania ka vendosur ushtarë në territorin polak për të ndihmuar në forcimin e mbrojtjes në krahun lindor të NATO-s, në përgjigje të kërcënimit të vazhdueshëm nga Rusia.

Vendosja e trupave gjermane ka një simbolikë të veçantë, duke pasur parasysh historinë e ndërlikuar mes dy vendeve, ndërsa Polonia tashmë strehon forca të ndryshme aleate.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Polake (SGWP) njoftoi “Të bashkuar, ne do të fitojmë. Kjo është se si duket bashkëpunimi aleat në praktikë, i cili përkthehet në gatishmëri më të madhe ushtarake dhe forcon potencialin mbrojtës të NATO-s.”

Vendosja e trupave gjermane është pjesë e operacionit Mburoja Lindore të Polonisë, i cili synon të forcojë mbrojtjen përgjatë kufijve me Bjellorusinë dhe Rusinë.

Personeli gjerman do të merret kryesisht me punë inxhinierike, si hapja e llogoreve, vendosja e telave me gjemba dhe ndërtimi i barrierave antitank.

SGWP konfirmoi se trupat gjermane janë të paarmatosura dhe se projekti është “thjesht mbrojtës në natyrë”, duke u fokusuar në trajnim dhe inxhinieri.

Kryeministri polak Donald Tusk ka treguar se trupat gjermane janë vendosur pranë kufirit me Rusinë, në zonën e Kaliningradit.

Deutsche Welle raporton se aktivitetet e inxhinierëve gjermanë janë përqendruar në përmirësimin e mbrojtjes rreth Hendekut Suwałki, një shtrirje toke strategjike mes Bjellorusisë dhe Kaliningradit.

Gjenerallejtënant Alexander Sollfrank, komandanti operativ i Bundeswehr-it, deklaroi: “Së bashku, ne po sigurojmë sigurinë e Evropës.

Përmes angazhimit tonë në Poloni, ne po forcojmë aftësitë mbrojtëse të NATO-s dhe po nënvizojmë angazhimin e palëkundur të aleancës për të siguruar paqen përmes unitetit dhe parandalimit të besueshëm.”

Pamje të shpërndara nga SGWP tregojnë forcat polake dhe gjermane duke instaluar barriera antitank.

Sipas njoftimit, puna synon të “pengojë dhe vonojë veprimet e një agresori në rast të një kërcënimi”, duke rritur kohën e reagimit të forcave polake dhe të NATO-s.

Vendosja e trupave gjermane vjen menjëherë pas nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi në mbrojtje mes Polonisë dhe Gjermanisë, ku të dyja palët u zotuan të rrisin bashkëpunimin në fusha si lëvizshmëria ushtarake, infrastruktura logjistike, siguria detare në Detin Baltik dhe siguria kibernetike.

Ministri gjerman i mbrojtjes, Boris Pistorius, e cilësoi marrëveshjen si një shenjë se të dy vendet tani qëndrojnë “krah për krah, si të barabartë”.

Polonia po kërkon gjithashtu një bazë të re të përhershme ushtarake amerikane, pas zotimit të Presidentit Donald Trump për të rritur numrin e trupave amerikane në vend. Javën e kaluar, kryeministri Tusk njoftoi se Polonia do të organizojë stërvitje të përbashkëta ushtarake me Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar këtë vjeshtë.

Pushteti nuk fitohet nga dështimi i tjetrit

28 July 2026 at 22:00

Nga Shpëtim Luku

Sa herë meditoj rreth politikës shqiptare dhe mënyrës se si duhet të funksionojë ajo, shembujt më vijnë nga biznesi.

Andej nga vitet 2000, kur privatizimi i pronave publike u intensifikua, disa biznesmenë shpikën teorinë e favorizimit të biznesmenëve vendas në ankandet e privatizimit. “T’i marrin pronat shqiptarët, të mbetet leku këtu”, ishte argumenti i tyre. Dhe nuk është se nuk ia panë hajrin kësaj logjike.

Birra Tirana ishte një nga pronat publike që u privatizua nën ndikimin e kësaj fryme. Në atë kohë, fituese e ankandit rezultoi kompania italiane Moretti, por letrat u rregulluan në mënyrë të tillë që prona përfundoi në duart e një grupi biznesmenësh shqiptarë. Më pas aksionet kaluan nga njëri te tjetri, derisa sot kompania është pronë e një aksioneri të vetëm.

Por realiteti pas privatizimit nuk solli ndonjë histori suksesi. Përkundrazi, Birra Tirana u shndërrua nga një prej zgjedhjeve të para të konsumatorëve në një markë pothuajse të padukshme në treg. E njëjta histori u përsërit edhe me shumë prona të tjera publike, të cilat nuk gjetën kujdestarin më të aftë, sepse konkurrimi nuk ishte i lirë dhe fituesi nuk ishte domosdoshmërisht më i miri.

Sa më shumë kalojnë vitet, aq më tepër bindem se edhe politika funksionon me të njëjtën logjikë.

Në politikë shpesh dëgjojmë thirrje që kundërshtari të largohet, të dorëhiqet ose të shpallet i padenjë për të qeverisur. Në pamje të parë kjo duket logjike. Por, në të vërtetë, nëse kundërshtari është i korruptuar, qeveris keq apo krijon pakënaqësi, ai po prodhon pikërisht atë që opozitës i nevojitet më shumë: arsyet pse qytetarët duhet të kërkojnë ndryshim.

Dështimet e qeverisë janë lënda e parë e opozitës. Por lënda e parë, sado e bollshme të jetë, nuk mjafton për të ndërtuar një alternativë.

Ashtu si një biznes nuk fiton tregun vetëm sepse rivali i tij ka dështuar, edhe një parti politike nuk fiton pushtetin vetëm sepse qeveria ka konsumuar besimin e qytetarëve. Duhet një program i besueshëm, një vizion i qartë, njerëzit e duhur dhe, mbi të gjitha, aftësia për të krijuar “kiminë” e nevojshme me votuesit.

Sepse, po të ishte e mjaftueshme të prisje gabimet e kundërshtarit, pushteti do të ndërrohej çdo javë. Por qytetarët nuk votojnë vetëm për të ndëshkuar dikë, ata votojnë edhe për t’i besuar dikujt.

Ashtu si në biznes, nuk fiton domosdoshmërisht ai që përfiton nga dobësitë e tjetrit. Fiton ai që bind se është kujdestari më i mirë i asaj që kërkon të marrë në dorë. Në privatizim, kur prona nuk i jepet atij që di ta zhvillojë, humbet prona. Në politikë, kur pushteti nuk i besohet atij që di të qeverisë më mirë, humbet e gjithë shoqëria.

Prandaj alternativa nuk ndërtohet duke pritur rrëzimin e kundërshtarit. Ajo ndërtohet duke u bërë çdo ditë arsyeja pse qytetarët duhet të të zgjedhin ty. Vetëm atëherë rotacioni nuk është thjesht ndërrim pushteti, por një përmirësim i vërtetë i qeverisjes.

Aksident tragjik në Fushë-Krujë, një i vdekur dhe një i plagosur, detajet e para

28 July 2026 at 21:52

Një aksident i rëndë rrugor me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar në një aks rural që lidh fshatin Bilaj me pjesën tjetër të Fushë-Krujës.

Ngjarja ndodhi mesditën e sotme, ku dy automjete u përplasën me forcë në një segment të ngushtë e të rrezikshëm.

Sipas të dhënave paraprake, në aksident u përfshinë një automjet tip Volkswagen, i drejtuar nga shtetasi me inicile V. D., dhe një Mercedes-Benz, që drejtohej nga shtetasi K. L..

Përplasja rezultoi fatale për V. D., banor i fshatit Bilaj, i cili humbi jetën në vendngjarje.

Drejtuesi i automjetit tjetër, K. L., mbeti i plagosur rëndë dhe u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.

Policia e Shtetit njoftoi se shkak paraprak i aksidentit dyshohet të ketë qenë shpejtësia e lartë me të cilën lëvizte automjeti i drejtuar nga shtetasi K. L.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.

Regjimi iranian nuk gjen qetësi, ekzekuton dy protestues të rinj

By: S T
28 July 2026 at 21:46

Regjimi iranian vijon terrorin, ekzekuton dy protestues të rinj; Rajavi
Të rinjtë e ekzekutuar

Regjimi iranian ekzekutoi publikisht në Isfahan dy protestues të rinj, Abolfazl Sepahi dhe Amirhossein Safari, të arrestuar gjatë kryengritjes së janarit 2026. Megjithë praninë masive të forcave të sigurisë, qytetarët protestuan dhe u përballën me gaz lotsjellës…

Në agimin e së martës, më 28 korrik 2026, Abolfazl Sepahi Badjani, 24 vjeç, dhe Amirhossein Safari Hosseinabadi, 27 vjeç, dy prej të arrestuarve gjatë kryengritjes së janarit 2026, u ekzekutuan publikisht në sheshin Alikhani të Isfahanit. Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit deklaroi se regjimi i kreu këto ekzekutime publike për të përhapur frikë në shoqëri dhe për të parandaluar zgjerimin e protestave popullore.

Sipas raportit, përpara ekzekutimit, forcat e sigurisë dhe njësitë represive, nga frika e reagimit të qytetarëve, kishin dislokuar agjentë në rrugët përreth sheshit Alikhani dhe në tarracat e ndërtesave aty pranë. Pavarësisht pranisë së gjerë të forcave të sigurisë, disa nga qytetarët e pranishëm protestuan kundër ekzekutimit të dy të rinjve, duke thirrur: “Të pandershëm, të pandershëm!”. Forcat e regjimit sulmuan turmën dhe përdorën gaz lotsjellës për ta shpërndarë.

Ekzekutimi i Abolfazl Sepahit dhe Amirhossein Safarit lidhet me çështjen e njohur si “Dosja e Sheshit Alikhani”. Kjo çështje përfshin një grup të rinjsh të arrestuar gjatë kryengritjes së janarit 2026 në Isfahan. Sipas deklaratës së Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, sistemi gjyqësor i regjimit ka dënuar me vdekje 12 protestues në kuadër të kësaj dosjeje.

Përpara ekzekutimit të Abolfazl Sepahit dhe Amirhossein Safarit, ishin ekzekutuar edhe Erfan Esfandiari dhe Gol-Mohammad Mohammadi, dy të burgosur të tjerë të së njëjtës dosje. Në këtë mënyrë, deri tani katër prej të dënuarve në çështjen e Sheshit Alikhani kanë humbur jetën për shkak të zbatimit të dënimeve me vdekje, ndërsa tetë të rinj të tjerë vazhdojnë të përballen me rrezikun e ekzekutimit të afërt.

Këshilli Kombëtar i Rezistencës e ka cilësuar procesin gjyqësor si të privuar nga standardet më themelore të një gjykimi të drejtë. Sipas deklaratës, seancat u zhvilluan nga Mohammad Barati-Dorcheh dhe Mohammad-Reza Tavakoli, ndërsa të pandehurve iu mohua e drejta për të zgjedhur lirisht avokatët e tyre. Madje edhe avokatëve të caktuar nga gjykata nuk iu lejua qasje e plotë në dosjet dhe dokumentet e klientëve. Këto rrethana kanë ngritur shqetësime serioze për mungesën e transparencës gjyqësore, mohimin e së drejtës së mbrojtjes dhe dhënien e vendimeve të paracaktuara.

Rezistenca Iraniane kishte paralajmëruar më 19 korrik 2026 për rrezikun e afërt të ekzekutimit të këtyre të burgosurve. Ajo u kishte bërë thirrje Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut që të ndërhynin menjëherë për të parandaluar zbatimin e dënimeve. Pavarësisht këtyre paralajmërimeve, Abolfazl Sepahi dhe Amirhossein Safari u ekzekutuan publikisht.

Tetë të burgosurit e tjerë që vazhdojnë të jenë nën dënim me vdekje në të njëjtën çështje janë: Alireza Sepahi, 24 vjeç; Ghaem Hosseini, 20 vjeç; Shervin Bagherian, 18 vjeç; Amirhossein Ebrahimi Analucheh, 19 vjeç; Amirhossein Maleki, 19 vjeç; Ali Dashti, 19 vjeç; Abolfazl Ebrahimi, 18 vjeç; dhe Alireza Raeisi, 21 vjeç. Mosha e tyre e re, veçanërisht prania e disa 18 dhe 19-vjeçarëve në këtë grup, e bën edhe më urgjente ndërhyrjen ndërkombëtare për shpëtimin e jetës së tyre.

Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, e cilësoi ekzekutimin publik të Abolfazl Sepahit dhe Amirhossein Safarit si një “krim mesjetar”. Ajo deklaroi se diktatura fetare, përmes ekzekutimeve të njëpasnjëshme të të rinjve muxhahedinë dhe protestuesve të guximshëm, po përpiqet dëshpërimisht të parandalojë shpërthimin e zemërimit popullor dhe ringritjen e protestave.

Sipas zonjës Rajavi, këto ekzekutime jo vetëm që nuk do t’i ndalin protestat, por do ta forcojnë më tej vendosmërinë e të rinjve kryengritës për përmbysjen e regjimit gjakatar.

Maryam Rajavi u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara, të gjitha organizatave të të drejtave të njeriut, Bashkimit Evropian dhe vendeve të tij anëtare që ta dënojnë me vendosmëri ekzekutimin publik të dy të rinjve. Ajo kërkoi gjithashtu masa të menjëhershme dhe efektive për ndalimin e makinës së ekzekutimit dhe represionit, si dhe për shpëtimin e të burgosurve politikë të dënuar me vdekje, veçanërisht tetë të rinjve të mbetur në dosjen e Isfahanit.

Në përfundim të deklaratës, Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit theksoi se heshtja dhe mosveprimi i bashkësisë ndërkombëtare i japin regjimit iranian dritë jeshile për vazhdimin dhe intensifikimin e ekzekutimeve. Këshilli kërkoi që dosja e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Iran t’i referohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe që drejtuesit e regjimit të dalin para drejtësisë për krime kundër njerëzimit.

Burimi: https://al.ncr-iran.org

Zjarret, evakuohen 330 mijë persona në Francë & Spanjë, operacioni më i madh civil në kohë paqeje

28 July 2026 at 21:45

Një valë e paprecedentë zjarresh masive ka përfshirë Francën jugperëndimore dhe Spanjën, duke detyruar zhvendosjen e rreth 330 mijë personave nga shtëpitë dhe zonat turistike. Autoritetet franceze urdhëruan të martën evakuimin e gati 4,000 personave të tjerë nga vendpushimet në bregdetin e Atlantikut, ndërsa të nxehtit ekstrem kërcënon punën e zjarrfikësve në rajonin e Girondës.

Sipas të dhënave zyrtare, zjarri në perëndim të Bordeaux ka djegur një sipërfaqe prej 420 kilometrash katrorë — katër herë më e madhe se sipërfaqja e Parisit — dhe ka detyruar evakuimin e 220,000 njerëzve vetëm në këtë zonë.

Operacioni më i madh i evakuimit civil në kohë paqeje

Përmasat e kësaj krize mjedisore kanë sjellë lëvizje masive të popullsisë, të cilat autoritetet franceze i konsiderojnë historike.

“Franca mund të mos ketë parë kurrë një evakuim të kësaj shkalle në kohë paqeje”, tha ministri i Brendshëm Laurent Nuñez. Sipas tij, ky ishte operacioni më i madh i evakuimit civil të kryer ndonjëherë në vend jashtë luftës.

Ndërkohë, sa i përket ecurisë së flakëve në terren, përfaqësuesit e shërbimeve të emergjencës nënvizojnë brishtësinë e situatës.

“Jemi në një pikë brishtësie. Ne do të vazhdojmë të luftojmë këtë zjarr pavarësisht rritjes së parashikuar të temperaturave.”, tha Eric Brocardi, Zëdhënës i federatës kombëtare të zjarrfikësve të Francës.

Në rajonin e Girondës, zjarret kanë shkaktuar edhe fenomene meteorologjike të pazakonta, duke krijuar për herë të parë në Francë stuhi stuhish me re të zeza, vetëtima dhe erëra të forta që kanë përhapur vatrat e reja.

Spanja përballet me zjarrin më të madh në historinë e saj

Në Spanjë, situata mbetet kritike ndërsa vendi përgatitet për valën e katërt të të nxehtit, me temperatura që parashikohet të kalojnë 40 gradë Celsius. Autoritetet spanjolle kanë evakuuar rreth 79,000 njerëz dhe kanë urdhëruar 30,000 të tjerë të izolohen në banesa, ndërsa qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme kombëtare.

Deri më tani, në Spanjë janë djegur 1,530 kilometra katrorë sipërfaqe dhe kanë humbur jetën të paktën 13 persona.

Një vatër e madhe në provincën e Ávilës, në perëndim të Madridit, është kthyer në zjarrin më të madh të regjistruar ndonjëherë në Spanjë, duke djegur mbi 500 kilometra katrorë.

Tymi dhe aroma e hirit nga zjarret pyjore kanë arritur deri në lagjet qendrore dhe lindore të Madridit.

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez ka bërë thirrje për një pakt kombëtar kundër zjarreve, duke ia atribuuar përkeqësimin e situatës ndryshimeve klimatike.

Sipas shërbimit klimatik “Copernicus” të Bashkimit Evropian, Evropa po ngrohet me më shumë se dyfishin e mesatares globale, ndërsa Evropa Perëndimore regjistroi qershorin më të nxehtë në histori.

Kërkohej për tentativë vrasje, forcat speciale greke arrestojnë shqiptarin (EMRI)

28 July 2026 at 21:37

Në orët e mëngjesit të sotëm, pas një vlerësimi informacioni dhe pas një operacioni të koordinuar, me ndihmën e forcave speciale greke EKAM dhe Grupeve Operacionale të DAOE, nga Oficerët e Policisë së Departamentit të Ndjekjes së Krimeve me Zhvatje të policisë greke, u arrestua shtetasi shqiptar Adriano Bushi 32 vjeç.

Ai u kap brenda një shtëpie ku ai banonte përkohësisht në zonën e Ovryas të Patrës, sepse ndaj tij ishte në pritje një Urdhër Arresti nga Departamenti i 2-të i Rregullt Hetimor i Prokurorisë së Shkallës së Parë të Akaisë, për veprat penale “vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe për shkelje të legjislacionit “për Armët dhe Lëndët Eksplozive”.

Sipas burimeve policore, Bushi akuzohet për një ngjarje të prillit të këtij viti. Më 07.04.2026, Adriano Bushi, së bashku me Dimitrios Georgakopoulo, Georgio Giova dhe një shtetas ende të paidentifikuar, u takuan në rrugën Ryakiou në N. Souli, Patra, me Panagiotis Moraiti dhe Panagiotis Theodorakopoulo, për shkak të një mosmarrëveshjeje midis Giovas dhe Moraitit.

Kur Theodorakopoulos dhe Moraitis mbërritën në takimin e paracaktuar, ata u qëlluan me një plumb të drejtpërdrejtë me qëllim vrasjeje nga Adriano Bushi dhe shtetasi i paidentifikuar, duke rezultuar në plagosjen e Moraitis.

Siç u përcaktua më pas, Moraitis pësoi plagë depërtuese në të dy gastrocnemiusët, ndërsa ishte shkaktuar edhe një frakturë e fibulës së majtë.

Odisea i Matt Damon dhe Odisea i Bekim Fehmiut

28 July 2026 at 21:29

Nga Ben Blushi

Dy ditët e fundit pashë dy Odise.

Atë të Matt Damon që po përmbyt kinematë e botës dhe Odisean e aktorit kosovar Bekim Fehmiu të xhiruar në vitin 1968 nga italianët.

Me një sy të shpejtë, versioni i ri ngjan me bagazhin e një kamioni të mbushur me emigrantë që zihen me njëri-tjetrin ndërsa ndiqen nga policia, kurse varianti i vjetër i ngjan një varke që lundron ne det të hapur ndërsa pasagjerët e saj vuajnë nga kujdesi i tepërt i perëndive.

Si në cdo veprimtari të paligjshme edhe në filmin e ri problemi më i dukshëm janë burrat.

Ankthi i pandërprerë i shokëve të Odisesë është linja që përshkon filmin nga fillimi deri në skenën e fundit që mbaron si episodi i paxhiruar i filmit Titanik, kur Odisea dhe Penelopa largohen me anije për të shijuar dashurinë e tyre në vende të panjohura.

Duket sikur në përfundim të xhirimeve rregjisori është bërë pishman dhe pasi ka folur me gruan në telefon ajo i është lutur që atë zymtësi dhe ankth ta mbyllë me një skenë romantike që i përcjell spektatorët në shtëpi me një shije pak më të ëmbël në gojë.

Pra filmi mbaron me një happy end standard që është gjetja më e konsumuar e kinemasë amerikane.

Por derisa të vish te ky happy end që zgjat vetëm dy minuta, ke kaluar tre orë ankth dhe errësirë të sajuar me efekte kompjuterike të cilat i kanë bërë plazhet e Mesdheut të duken si peisazhe tropikale që Hollivudi i përdor për filmat me Tarzanin.

Aktorët që shoqërojnë Odisenë mund të jenë pasqyra reale e kohës sonë, kur burrat torturohen në trafik, rrudhen në punë, plaken në vetmi, sëmuren nga divorcet dhe lënë gjithë kursimet e jetës në spitale të tmerrshme, por ata nuk kanë asnjë lidhje me monotoninë lineare të banorëve të Mesdheut para tre mijë vitesh.

Në atë kohë njerëzit kishin shumë frikë por nuk kishin stres.

Kurse aktorët e Kristofer Nolan kanë edhe frikë edhe stres.

Ata nuk kanë asnjë çast qetësije, asnjë pushim, asnjë gëzim. Ata nuk e shijojnë diellin, kripën dhe shoqërinë e perëndive të mrekullueshme që në atë epokë kanë qenë shumë të pranishme në jetën e njerëzve duke krijuar njëkohësisht pasiguri dhe siguri.

Perënditë e Odisesë së ri jo vetëm nuk janë njerëzore dhe shpëtimtare por janë një katalog sëmundjesh epidemike të kohës sonë. Ato janë stresi, paniku i përhershëm, pasiguria, vetmia dhe errësira e shpirtit të dënuar nga urbanizmi i jetës së përditshme.

Edhe vetë Kali i Trojës, simboli më i madh teknologjik i Epokës së Bronzit, në filmin e Kristofer Nolan i ngjan një makine të ditëve tona që duket sikur ka dalë nga varrezat e hekurishteve të kontintentit amerikan dhe rastësisht është gjendur në një plazh mesdhetar.

Kali i Trojës nuk ishte vetëm një dhuratë por ishte një shpikje dhe kjo është arsyeja pse trojanët e morën për të kuptuar si funksiononte ajo makinë lufte që ka shërbyer si tanku i parë në histori. Njëlloj si në tank aty u fshehën luftëtarët duke detyruar armiqtë e tyre t’i marrin në shtëpi pa e ditur se ata janë brenda.

Kristofer Nolan nuk e trajton Kalin e Trojës si një shpikje të Odiseut por si një mbetje ushtarake.

Mirëpo makina e përdorur e Kalit të Trojës nuk është asgjë para deformimit të grave që shfaqen në këtë film sikur sapo kanë dalë nga puna.

Aktoret ngjajnë me shitëset e supërmarketeve amerikane ku shoferët e kamionave të mbushur me mallra konsumi ndalojnë për t’u furnizuar, për të ngrënë ndonjë hamburger të ftohtë dhe për të shkuar në tualetin e shpifur të banalitetit të rrugëve.

Nuk besoj se ka ndonjë film tjetër që i ka shëmtuar gratë më shumë.

Megjithatë çështja nuk është se gratë e Odisesë janë të shëmtuara. Çështja është se ato duken si gratë nevrastenike të kohës sonë që dalin nga fabrikat kapitaliste, që janë gjithë kohën të bezdisura dhe prandaj ngacmojnë cdo njeri që ju del përpara me fjalorin e dhunshëm të instagramit.

Problemi nuk është se Helena është e zezë por sepse ajo nuk ka klas. Për atë zhubravitje me shenjë në faqe nuk ja vlen të bësh asnjë luftë.

Helena duket si një kamariere zevzeke që gjithë kohën shan klientët pasi përcmon burrin e vet idiot, ndërkohë që shtriga Circe ngjan si një pastruese motelesh diku mes Teksasit dhe Arizonës, Kalipso është një mësuese e lodhur nga braktisja e një adoleshenti të llastuar, kurse Penelopa jo vetëm nuk është inteligjente, por mban mbi lëkurë të gjitha rrudhat e vanitetit që ju krijohen grave angleze nga rutina e cajit të pasdites.

Odisea është një histori e mbushur me eros. Por pikërisht erosi është elementi që i mungon aktoreve të Kristofer Nolan.

Ky është një film pa asnjë puthje në kohën kur njerëzit shkonin në luftë për një puthje.

Seicilës prej këtyre grave i mungon tharmi, pra tërheqja e fortë për të cilën Odisea sakrifikon jetën duke udhëtuar njëzet vjet nga një grua tek tjetra.

Odisea është udhëtimi i cdo burri në botën e misterëshme të grave. Gjatë këtij udhëtimi ai shijon, provon, teston dhe mëson derisa kupton se çfarë do.

Odisea është historia e një burri që pasi njeh një shtrigë djallëzore si Circja, një bukuri të pavdekshme si Kalipso dhe një lolitë qumështore si Nausika zgjedh të jetojë me gruan e vet të zakonshme dhe të vdekshme.

Drejt saj e con erosi, vdekja dhe kujtimet.

Por ndryshimi i grave të filmit të vjetër të viteve 60, me ato të filmit të ri është edhe më i thjeshtë : të parat janë më të bukura, me sensuale por më të ngathëta, kurse të dytat janë të shëmtuara, të egra dhe shumë histerike. Aktoret e Odisesë së ri mezi presin të mbarojë xhirimi për të pirë një antidepresiv që ju është djersitur në xhep nga dielli i fortë i Mesdheut që ato i bën me dhimbje koke.

Fytyrat e tyre kanë një shqetësim që gratë tre mijë vjet më parë nuk e kanë njohur. Është shqetësimi i karrierës, i punës, i shpejtësisë së jetës, i avionave, lëvizjeve, cmimit të bukurisë, plakjes plastike, kozmetikave të skaduara dhe potencës së dyshimtë të burrave. Gratë e Homerit nuk i kanë patur këto halle. Ato ishin shtëpiake, nuk i jepnin makinave, nuk kishin tik tok dhe zbukuroheshin me produkte natyralë vaj, bimë, gjallesa deti, gjethe të lagura nga vesa dhe puthje të gjata.

Por shëmtija e grave nuk është asgjë para deformimit virtual që Kristofer Nolan ju ka bërë përbindëshave të bukur mitologjikë.

Në vitet 60 filmat nuk bëheshin me kompjuter dhe përbindëshat ishin aktorë të zmadhuar me lente. Megjithatë Polifemi italian është shumë më i vërtetë se kakzozi i verdhë që kishte sajuar Kristofer Nolan. Ky gjarpër kaucuku me dy këmbë të cilit në asnjë cast nuk iu duk organi mitologjik që ka ndryshuar letërsinë e botës, pra syri i vetëm, është një shpifësirë. Aty filmi ngjan me një lojë fëmijësh ku epërsia teknologjike vret krijesën e saj.

Përbindëshat e Odisesë nuk kanë ekzistuar. Ato ishin metaforat e vështirësive të jetës dhe prandaj ishin të bukura, në harmoni me natyrën dhe kishin tipare njerëzore. Duket sikur Kristofor Nolan ka besuar vërtet se ato qenije kanë ekzistuar dhe arsyet e këtij keqkuptimi duhen kërkuar në fëmijërinë e leximeve të tij të cekëta.

Mua më vjen keq pse ka zhdukur sirenat e detit që simbolizojnë dhe sot joshjen vrastare, por pikërisht kjo zhdukje e ka bërë vuajtjen e Matt Damon të duket shumë artificiale. Ky cast magjik i mbushur me muzikë hyjnore gjatë të cilës Odisea është i lidhur me litarë kalon shumë shpejt, megjithëse ky është momenti kur Odisea testohet si burrë dhe jo si luftëtar dhe as si prijës.

Për fat të keq Kristofer Nolan e ka zhveshur Odisenë jo vetëm nga burrëria, por edhe nga të gjithë tiparet e tij dalluese që janë madhështia, dinakëria, egërsia dhe maskuliniteti.

Matt Damon nuk është as madhështor, as dinak, as obsesiv, as i egër dhe as mashkullor.

Portreti i tij ka gjurmët e të gjitha halleve të burrave të shekullit tonë që Odisea nuk i njihte. Ai mendon për spektatorët, për rrudhat e fytyrës, për dietën, për ekologjinë trupore, për yndyrën e tepërt, për palestrën e famës së shpejtë, për cmimet Oscar, por asnjë cast nuk mendon për natyrën, për dashurinë, për dhimbjen, për vetminë dhe lavdinë pas vdekjes.

Matt Damon është një Odise që nuk mendon. Ai nuk ka shpirt, nuk ka egërsi, nuk ka forcë, nuk ka seks.

Ai është fake.

Në krahasim me Bekim Fehmiun, Matt Damon duket si një balerin plastik që ka frikë të hidhet mbi dallgët e kohës. Në asnjë cast mendja e tij dinake nuk thotë dicka të zgjuar, nuk zgjidh një krizë, nuk krijon një befasi dhe nuk shkakton një furtunë.

Matt Damon nuk është asnjëherë shkaku. Ai është pasoja e vendimeve që marrin forcat e tjera.

Në të kundërt Bekim Fehmiu është shkaku i tragjedisë së vet. Troja, gratë, luftërat, tradhëtitë, vuajtjet dhe aventurat janë të gjitha pasojë e veprimeve të tij. Odisea kërkon të ndëshkohet për atë që ka bërë dhe i mbijeton ndëshkimeve duke ndryshuar vendimet e perëndive.

Odisea i Bekim Fehmiut i sfidon perënditë.

Kjo është arsyeja pse ai i mbijetoi historisë. Sepse i detyroi perënditë ta kthenin në shtëpi kur e kutpuan se ai ishte i pathyeshëm.

Matt Damon nuk ka asnjë nga këto cilësi. Ai duket si një Odise i penduar. Nëse do i jepej një mundësi tjetër ai nuk do bënte më asgjë nga gjërat që ka bërë. Prandaj në fund ikën me gruan në një muaj mjalti duke hedhur poshtë jetën që ka bërë.

Pikërisht këtu ndryshon me Bekim Fehmiun. Bekimi nuk shfaq asnjë pendesë. Ai është kokëfortë, i vendosur dhe e ka shijuar jetën e vet. Ai nuk ka asnjë pishman. Do bënte cdo gjë që ka bërë pa ndryshuar asgjë.

Ndryshe nga Matt Damon, Bekim Fehmiu luan, qesh, dashuron, tradhëton, rrëzohet, ngrihet dhe niset drejt aventurës së re.

Ai nuk ka frikë.

Prandaj Bekim Fehmiu është Odisea më i vërtetë që kemi parë.

Ai është Odisea.

Protesta, Rama dhe shumica e shqiptarëve që nuk janë në protestë!

28 July 2026 at 21:25

Nga Nikoll Lesi

Kanë kaluar afro 13 vjet që kur Edi Rama drejton qeverinë shqiptare. Gjatë kësaj periudhe ai ka fituar katër mandate radhazi, ndërsa opozita, edhe pse ka organizuar protesta, bojkote parlamentare dhe akuza të vazhdueshme për keqqeverisje, korrupsion dhe deformim të zgjedhjeve, nuk ka arritur të krijojë forcën politike dhe shoqërore që do ta detyronte mazhorancën të largohej nga pushteti. Protesta qytetare para Kryeministrisë, e cila vazhdon prej afro 50 ditësh e kusur, është një tjetër provë se zemërimi politik nuk mjafton domosdoshmërisht për të prodhuar ndryshim.

Pyetja që shtrohet është e thjeshtë: pse?

Koha YouTube Channel
Një përgjigje lidhet me matematikën elektorale. Nëse mazhoranca arrin të sigurojë rreth 800 mijë vota, ndërsa opozita rreth 500 mijë, atëherë diferenca nuk është vetëm numerike, por edhe politike. Në demokraci, protestat kanë rëndësi, por legjitimiteti kryesor buron nga vota. Një qeveri që ruan një avantazh të konsiderueshëm elektoral është shumë më e vështirë të rrëzohet vetëm përmes mobilizimit në rrugë. Për më tepër, pjesëmarrja në protesta nuk përfaqëson domosdoshmërisht shumicën e qytetarëve.

Swiss Digital Desktop Reklama
Aq me tepër që kjo protestë nisi nga zemërimi i dhunës në Zvërnec, e me të drejtë, por me pas ra në duar të ndryshme, ku janë përzier të varfër që duan jetë më të mirë, mjedisorë, segmente kriminale, shërbime intelegjente të shtetëve konkurente në fushën e turizmit, segmente iraniane, njerëz idealistë, por utopistë që mendojnë se një protestë rrëzon një qeveri, siç edhe segmente që duan destabilitet për të fshehur pazaret e tyre me krimin, etj.

Por një pjesë e konsiderueshme e opinionit publik duket se është lodhur nga përplasja mes të njëjtëve protagonistë politikë që dominojnë jetën publike prej më shumë se tri dekadash. Opozita e drejtuar nga Sali Berisha vazhdon të ketë një bazë të fortë mbështetësish besnikë, por e ka më të vështirë të tërheqë votuesit gri, të rinjtë dhe qytetarët që kërkojnë një alternativë të re. Në politikë nuk mjafton të kundërshtosh qeverinë; duhet të bindësh qytetarët se je zgjidhje më e mirë se ajo që kritikon.

Në këtë aspekt, opozita ende nuk ka arritur të ndërtojë një narrativë të plotë për qeverisjen e nesërme. Akuzat ndaj qeverisë janë të shumta dhe shpesh të forta, por ato nuk shoqërohen gjithmonë me një program të detajuar ekonomik, institucional dhe social që të krijojë besim tek votuesit e pavendosur. Shumë qytetarë mund të jenë kritikë ndaj qeverisë, por njëkohësisht të mos jenë të bindur se opozita do të qeveriste më mirë.

Një faktor tjetër është kontrolli institucional që ndërtohet gjatë një qeverisjeje të gjatë. Pas 13 vitesh në pushtet, çdo qeveri krijon avantazhe politike, administrative dhe organizative që e bëjnë më të vështirë rotacionin. Kjo nuk është një veçori vetëm shqiptare; është një dukuri që është vërejtur edhe në vende të tjera ku një forcë politike qëndron gjatë në qeverisje. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se rotacioni është i pamundur, por se ai kërkon një opozitë më të bashkuar, më bindëse dhe më të aftë për të zgjeruar mbështetjen përtej elektoratit tradicional.

Një tjetër pyetje që ngrihet shpesh është: pse partnerët ndërkombëtarë nuk reagojnë më ashpër ndaj zhvillimeve politike në Shqipëri?

Në analizën politike duhet shmangur ideja se mungesa e reagimeve publike nënkupton domosdoshmërisht mbështetje pa kushte për qeverinë. Partnerët perëndimorë kanë prioritete që lidhen me stabilitetin rajonal, funksionimin e institucioneve, reformat në drejtësi dhe procesin e integrimit europian. Në shumë raste, diplomacia zgjedh dialogun institucional dhe jo konfrontimin publik. Nga kjo lind perceptimi se “mbyllin njërin sy”, por kjo është më tepër një interpretim politik sesa një fakt i provuar.

Nga ana tjetër, Bashkimi Europian ka interes strategjik që Shqipëria të vazhdojë procesin e anëtarësimit. Një vend i integruar në strukturat europiane konsiderohet më i qëndrueshëm politikisht dhe ekonomikisht. Kjo nuk do të thotë se BE-ja injoron problemet e demokracisë apo të shtetit të së drejtës, por se zakonisht preferon t’i adresojë ato përmes mekanizmave të negociatave, raporteve të progresit dhe kushteve institucionale, në vend të përfshirjes në konfliktin e përditshëm politik.

Atëherë, cila mund të jetë zgjidhja?

Së pari, opozita duhet të dalë nga logjika e protestës së përhershme dhe të kalojë tek logjika e alternativës qeverisëse. Qytetarët kërkojnë përgjigje konkrete për ekonominë, emigracionin, arsimin, shëndetësinë, pagat, pensionet dhe luftën kundër korrupsionit. Vetëm kritika nuk mjafton.

Së dyti, nevojitet një proces rinovimi politik, me më shumë hapësirë për figura të reja, ekspertë dhe profesionistë që mund të zgjerojnë besimin publik. Një opozitë që mbështetet vetëm tek elektorati tradicional e ka të vështirë të fitojë shumicën.

Së treti, edhe qeveria duhet të kuptojë se një demokraci funksionale nuk matet vetëm me fitoret elektorale. Transparenca, llogaridhënia, respekti për institucionet dhe garantimi i një gare të besueshme politike janë elementë thelbësorë për besimin e qytetarëve. Në këtë rast Edi Rama do të bënte mirë për një qeveri të re në shtator, me figura më emblematike, ku ministri të mos lerë që për çdo gjë të dalë kryeministri, por të jetë vetë një “kryeministër” i sektorit të tij! Fjala vjen, ministri i Mjedisit, mund të jetë një djalë i mirë, por nuk doli njëherë të mbronte investimin në Zvernec në sensin e mjedisit! E pse duhet një ministër i tillë!?

Në fund, Shqipëria nuk ka nevojë për një fitore të përhershme të një partie apo për një humbje të përhershme të tjetrës. Demokracia funksionon më mirë kur ekziston konkurrencë reale, rotacion i besueshëm dhe alternativa që bindin qytetarët. Nëse opozita nuk arrin të frymëzojë shumicën e shqiptarëve, protestat, sado të gjata, vështirë se do të prodhojnë ndryshim politik. Nëse qeveria nuk arrin të ruajë standardet demokratike dhe besimin publik, edhe një shumicë e madhe elektorale mund të zbehet me kalimin e kohës.

Në fund, vendimin e japin qytetarët përmes votës. Pikërisht aty matet forca reale e çdo qeverie dhe e çdo opozite.

A doni vërtetë ndryshim: E kemi para syve!

28 July 2026 at 21:16

Nga Ben Andoni

Pjesa e protagonizmit në këto ditë të nxehta është ajo që e dallon më së shumti protestën, ku zëra dhe protagonistë të ndryshëm po përpiqen jo thjeshtë të identifikohen por edhe të tregojnë pikëpamjet për ndryshimin. Në disa ditë, ajo i ka frikësuar dhe tulatur pafund ligjvënësit, ku rrugën e tyre të rehatit dhe begatisë, siç mund të quhet udha drejt parlamentit e shumë syreshëve që nuk i njeh askush, u është bërë e vështirë. Por, paskëtaj, ashtu si ndodh rëndom pas protestës, deputetët janë larguar në udhët e tyre të qetësisë, kurse shumica e njerëzve që protestojnë se nuk kanë çfarë të humbasin janë larguar me besimin se i shtuan dhe një ditë aktivizëm kronologjisë së protestës. Në këto ditë, ashtu si pritet, protesta po rresht nga numrat; po shton protagonistët dhe patetikët sidomos ata të kudondodhurit e rrjeteve sociale, kontingjent vazhdimisht bjerraditës; po qetëson politikanët që qëndrojnë pas Ramës dhe Berishës dhe po lë pas një protestë nga e cila shqiptarët prisnin shumë. Ndërkohë që shumë nga shqiptarët e dinë mirë se kështu mund të vazhdohet pafund duke i kërkuar dorëheqjen Ramës, ndërsa përfitimet e protestës t’i marrë sërish qeveria Rama dhe ai vetë, madje edhe t’përfitojnë ata deputetë dhe zyrtarë që u fshehën pas tij dhe që një palë syresh shprehen në kafe (institucioni i bjerraditësve) se kështu nuk shtyhet (në fakt lexo: Kështu e duan). Kështu po zbret dhe u bjerr protesta e Serbisë, u harrua ajo e Maqedonisë së Veriut, nuk e kujton fare atë të Malit të Zi, për të mos u kujtuar më fare ato të Kosovës, tashmë mbathur me shqetësimet e saj.

Protesta e Flamingove që nuk u kthye dot në Lëvizje duhet të shikohet dhe matet me objektivat. Dhe, ato, përbëjnë pikërisht ato që mund të arrihen. E para, që afrohet më shumë me testin e parë real të kësaj proteste, janë zgjedhjet lokale. Nëse vërtetë njerëzit duan ndryshim, ata që mëtojnë se organizojnë, duhet t’i drejtohen këtij objektivi dhe të matin pritshmëritë por edhe inercinë e besimit për ndryshim.

Pak javë më parë, Veprimi Qytetar për Demokraci Funksionale dorëzoi kërkesën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për mbledhjen e 20 mijë firmave mbështetëse, lidhur me një projektligj, i cili synon ndryshime dhe shtesa në Kodin Zgjedhor. Përmes dhjetë propozimeve kryesore u identifikua ndarja e vendit në katër rajone zgjedhore, lista 100% të hapura, mundësia e kandidimit përmes listave qytetare, depolitizimi i administratës zgjedhore, lehtësimi i votimit për personat me aftësi të kufizuara dhe forcimi i kontrollit mbi financimin politik. Paketa parashikon gjithashtu masa më të ashpra ndaj shkeljeve zgjedhore dhe digjitalizimin e procesit të mbledhjes së firmave mbështetëse. Mbështetja dhe presioni për këtë nismë në parlament ishte diçka e matshme, por ndërkohë dhe përgatitëse për ndryshimin për të cilin flitet në çdo mbrëmje. Dhe, ndryshimi është kanonik, do të vijë vetëm përmes zgjedhjeve. Kështu ndodhi në kapërcyell të kohës së socializmit drejt demokracisë dhe kështu ndodhi në fund të viteve ’90 me batërdinë që i bëmë shtetit tonë. Në fund, do shkohet në kutitë e votimit dhe me këtë strategji të protestës (nëse ka), PS dhe PD, të dy partitë do e çojnë sërish Reformën Zgjedhore në hullitë e interesave të tyre, kinse duke akuzuar njëra-tjetrën. Pra, mund të kërkosh të pamundurën (dorëheqjen e Ramës); qeverinë teknike; mund të marrësh përkrahje nga europarlamentarë që do harrojnë pse erdhën; mund të dëgjosh lloj-lloj teori shteti dhe patetikë, por situata do mbetet kjo që është: Me shqiptarë që do ikin sërish; me sistem drejtësie që po ua shton barrën e vështirësive shqiptarëve; me problemin e madh të pronave të pazgjidhur dhe që është e pamundur të zgjidhet, të paktën deri në fund të këtij shekulli, kur shumë nga ne nuk do jenë më në jetë; me sistem ekonomik që  i dërrmoi grupimet e varfra dhe i kërrusi grupet taksapaguese; me sisteme shkollore dhe shëndetësore të drobitura dhe aspak efikase…Ndryshimi është para syve, por duket se paradoksalisht njerëzit me flamurin e Protestës nuk e duan ose bëjnë sikur nuk e shohin: Ai lidhet me infrastrukturën zgjedhore dhe vetë zgjedhjet. Dhe, mbi të gjitha akoma, me vetë shqiptarin, vëllezërit e motrat tona që na batërdisin në kadastra dhe kudo në administratë dhe që tani në masë janë pjesë edhe e Gjeneratës Z. Kaq e thjeshtë është: Ndryshojmë atë që të mundemi dhe me këtë ndryshojmë dhe veten. Por, me sa duket nuk e duam edhe pse mësuam se mund të protestojmë bukur. Dhe, siç e thoshte qartë i mbijetuarit i Holokaustit, nobelisti Elie Wiesel: “Mund të ketë raste kur jemi të pafuqishëm për të parandaluar padrejtësinë, por nuk duhet të ketë kurrë një kohë kur nuk dështojmë të protestojmë”. Nuk ka pse të dështohet me Flamingot, po ta duam vërtetë ndryshimin, por me sa duket aty po shkohet… (Javanews)

Fluturoi mbi centralin nuklear, kapet në Francë Ermal Beqiraj që kërkohet për “AKSHI”-n. Parisi: Spiunazh apo gabim?

28 July 2026 at 21:06

Biznesmeni shqiptar Ermal Beqiraj,, i shpallur në kërkim nga SPAK në lidhje me dosjen e bujshme të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, është arrestuar në Francë.

Sipas mediave franceze, ai u ndalua nga autoritetet pasi dyshohet se me një avion të vogël realizoi një fluturim të dyshimtë mbi centralin bërthamor Penly, në rajonin Seine-Maritime.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e së shtunës, 25 korrik, kur avioni i drejtuar nga Beqiraj ka kaluar mbi zonën e mbrojtur dhe ka ulur papritur lartësinë nën kufirin e lejuar për fluturimet mbi objekte të ndjeshme.

Pas sinjalizimit, ushtria ajrore franceze dërgoi një mjet për ta shoqëruar avionin deri në aeroportin e Albertit, në Somme, ku piloti Ermal Beqiraj u arrestua nga policia dhe u vendos në paraburgim.

Gjatë kontrollit fizik, autoritetet franceze i gjetën tre pajisje gjurmuese “AirTag”, të cilat përdoren për lokalizim. Ky element ka ngritur dyshime te hetuesit, të cilët po shqyrtojnë mundësinë që ai mund të ketë vepruar nën ndikimin ose urdhrat e një personi tjetër.

Mediat franceze raportojnë se shtetasi Ermal Beqiraj është i njohur më parë për drejtësinë franceze dhe shqiptare për çështje që lidhen me mashtrime financiare, mashtrim të organizuar dhe veprimtari të paligjshme kibernetike.

Gjatë marrjes në pyetje, biznesmeni shqiptar ka deklaruar se kishte gabuar me lartësinë e fluturimit dhe se në momentin e kalimit mbi central ishte duke folur në telefon me nënën e tij.

Sipas raportimeve, ai është dënuar në Francë me 7 mijë euro gjobë për fluturim të ndaluar mbi një zonë të mbrojtur dhe më pas i është dorëzuar strukturave kundër krimit të organizuar. Beqiraj pritet të ekstradohet në Shqipëri.

Reforma zgjedhore/ KQZ kërkon rregulla më të forta dhe kufij të qartë, zbulohen kërkesat e PS dhe PD!

By: E S
28 July 2026 at 21:00

Politika është ulur të shkruajë rregullat e reja të lojës për zgjedhjet.

Komisioneri Ilirjan Celibashi kërkoi që kodi i ri zgjedhor te vendosë kufij të qartë në mënyrë që burimet shtetërore të mos përdoren për qëllime elektorale.

‘Kodi duhet të parashikojë shprehimisht parimin e ndarjes ndërmjet shtetit dhe partisë në pushtet, si një standard i administrimit zgjedhor dhe jo si një parim politik. Në shumë vende të OSBE-së, ky është një parim me vlerë kushtetuese ose ligjore. Ka nevojë për një filozofi të re rregullatore. Kjo filozofi duhet të mbështetet në tre parime themelore. Ligji duhet të jetë i qartë. Kompetencat mbikëqyrëse duhet të jenë efektive dhe, përgjegjësia duhet të jetë reale dhe proporcionale’, tha Komisioneri Celibashi.

Vendosja e balancës mes shtetit dhe partisë në pushtet për mazhorancën është një ekuacion i vështirë, por jo i pamundur.

Damian Gjiknuri: Si të arrijmë një balancë të drejtë mes nevojës për të qeverisur, por njëkohësisht edhe të mos krijojmë avantazhe të padrejta. Është një balancë nganjëherë e vështirë, sepse nuk besoj se ndonjë zgjidhje absolute jep rezultat në dobi të zgjedhjeve. Të vijmë me paketë ligjore brenda këtij viti.

Në prani të eksperteve ndërkombëtar opozita i shpalli lufte patronazhistëve dhe kërkoj sanksionim të shkelësve te ligjit.

Oerd Bykykbashi: Kemi edhe akte rregullatore, por në fund numri i ankesave nuk korrespondon me numrin e sanksioneve. Nuk mund të vazhdojmë ta bëjmë kornizën gjithnjë e më të rëndë, ndërkohë që, nga ana tjetër, asgjë nuk zbatohet.

Në tryezën për parandalimin e keqpërdorimit të burimeve shtetërore përfaqësuesit e OSBE dhe BE bënë thirrje për dialog në mënyrë që palët të bëjnë ndryshimet e nevojshme ligjore për të garantuar një fushë te barabarte loje./Tch

Hetoheshin prej disa javësh, arrestohen dy persona për krime lufte në Kosovë

By: E S
28 July 2026 at 19:47

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se dy persona janë arrestuar dhe janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimet se kanë kryer krime lufte kundër popullatës civile.

“Nën dyshimin e bazuar, gjatë periudhës së luftës, përkatësisht në vitin 1999, dyshohet se dy personat kanë kryer krime ndaj popullatës civile në zonën e Mitrovicës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria shton se hetimet për këtë rast janë në vazhdim dhe se, “me qëllim të ruajtjes së integritetit të procedurës penale, në këtë fazë nuk mund të bëhen publike më shumë detaje”.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, e mbështetur nga Beogradi – deklaroi se akuzat për krime lufte “janë shndërruar në një mjet për frikësimin e popullit tonë, e jo në një përpjekje për të vendosur drejtësi”.

Sipas saj, arrestimet janë “vazhdim i presionit” të autoriteteve të Kosovës, të udhëhequra nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ndaj komunitetit serb.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë reagoi po ashtu, duke thënë se arrestimi në Zubin Potok është “terrorizëm, hakmarrje dhe frikësim” i pjesëtarëve të komunitetit serb.

❌