Sot protestohet kundër rritjes së çmimit të rrymës

Një grup aktivistësh, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe organizata "Përpjekja", kanë bërë thirrje për protestë kundër paralajmërimeve për rritje të çmimit të energjisë elektrike.
Sipas njoftimit për media, protesta do të mbahet sot, duke filluar nga ora 13:00 pranë ndërtesës së KEDS-it, ndërsa do të përfundojë para Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Organizatorët e protestës kanë deklaruar se që nga viti 2022 faturat e energjisë elektrike janë shtrenjtuar në baza vjetore, duke theksuar se kërkesat e KEDS-it për rritje çmimesh po aprovohen nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) në dëm të qytetarëve.
Sipas tyre, qytetarët nuk po paguajnë vetëm koston reale të energjisë, por edhe humbjet dhe keqmenaxhimin e kompanisë, ndërkohë që përballen me ndërprerje të shpeshta të rrymës, mungesë ngrohjeje dhe rritje të vazhdueshme të kostos së jetesës.
Aktivistët përmendin rritjen prej 16.1 për qind të çmimit të energjisë elektrike vitin e kaluar, duke paralajmëruar se sivjet po diskutohet një rritje tjetër rreth 20 për qind, të cilën e cilësojnë si të papranueshme.
Organizatorët kanë ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës që t’u bashkohen në protestë, duke theksuar se vetëm përmes reagimit qytetar mund të ndalet, siç thonë ata, “hajnia shumëvjeçare” dhe të mbrohet interesi publik.






















