Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

“Po mbahet pa prova në paraburgim”, avokati Ndreca: Rasti i Veliajt, më flagranti! Kulmi i abuzivitetit me masën e sigurisë

Avokati Plarent Ndreca e ka cilësuar rastin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, si më flagrantin dhe skandalozin në vendosjen e një mase sigurie.

Komentet Ndreca i bëri në emisionin ‘RePolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report TV, ku u diskutua për numrin e lartë të të paraburgosurve në vend, ç’ka bëri që për këtë çështje të reagonte edhe KiE.

Ndreca theksoi se në rastin e Veliajt Prokuroria nuk ka asnjë argument për ta mbajtur në paraburgim, teksa shtoi se nuk është marrë parasysh as fakti që ai është kryetari i Bashkisë më të madhe në Shqipëri.

“Është shumë e rëndësishme, gjatë gjithë kohës Prokuroria ka barrën për t’i treguar gjykatës se përse duhet të vijojë ajo masa e sigurimit ‘arrest me burg’, një gjë që nuk zbatohet. Madje kodi i procedurës e ka njëherë në 2 muaj. Prokurori duhet të shkojë para gjykatës dhe të informojë gjykatën pse duhet të rrijë në burg. Kur përmenda rastine Beqjas, por në fakt më skandaloz dhe besoj që është kulmi i arbitraritetit dhe me vendosjen e një mase është rasti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Sepse është heqje nga detyra dhe askush nuk ka vlerësuar proporcionalitetin dhe faktin që ky zotëria është drejtuesi i qytetit më të madh të Shqipërisë dhe ka një interes publik për qëndrimin e tij në zyrë. Dhe e kanë hequr nga detyra. I caktuan një masë dhe po bën një vit dhe askush nuk verifikon, para dy ditësh bëri një kërkesë për zëvendësim mase dhe nuk jepen… e di kush ishin argumentat? Argumenti i prokurorisë është ‘sepse zotëria është mbrojtur’.

Pra sipas Prokurorisë ai s’duhet të realizojë as të drejtën për t’u mbrojtur që të ketë mundësi që të dalë jashtë. Pra i thonë ‘ti ke lobuar në Amerikë’ apo ‘ke lobuar me avokatë’. Dhe fakti që ti ke lobuar është shkak për të mbajtur në burg. Dhe kë? Kryetarin e Bashkisë të qytetit më të madh shqipfolës. Dhe unë mendoj se ky është kulmi i abuzivitetit me masën e sigurisë. Por nuk verifikohet çfarë rreziku ka, ose nëse duhet të qëndrojë akoma në paraburgim apo jo”, tha mes të tjerash Ndreca.

KiE ngriti ‘alarmin’ për numrin e lartë të të paraburgosurve, ish-prokurori: Shqiptarëve i ka dalë nami i keq nëpër botë

Ekspertë të njohur të drejtësisë evropiane dhe Këshillit të Europës (KiE) kanë ngritur alarmin për numrin e lartë të paraburgosurve në Shqipëri, duke propozuar edhe disa ndryshime konkrete ligjore për të bërë të mundur ndryshimin e situatës.

Ish-Prokurori Ervin Karanxha në studion e emisionit ‘RePolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report TV, teksa është diskutuar për këtë çështje, ka thënë se numri i lartë i të paraburgosurve vjen kryesisht nga formimi profesional i prokurorëve e gjyqtarëve.

Kjo pasi sipas tij, prokurorët e gjyqtarët kanë 9 masa të ndryshme sigurie që mund të kërkojnë e aplikojnë, por zgjedhin vetëm atë të ‘arrestit me burg’.

Karanxha shtoi se numri i lartë i të paraburgosurve i ka nxjerrë namin e keq Shqipërisë edhe në botë, pasi sipas tij, këtu diskutohet që të burgosesh për 0.2 gram hashash.

“E para vjen nga formimi profesional i gjyqtarëve. Pra domethënë kur nuk i njeh mirë masat e sigurimit. Kodi i procedurës penale ka 9 masa sigurimi, pse pikërisht zgjedh vetëm atë të arrestit me burg që po krijon një imazh negativ për vendin tonë. Pra në çdo vend diskutohet edhe në raportet ndërkombëtare që në Shqipëri burgosesh edhe për gjëra që nuk janë ligjore. Këtu shikon burgosje edhe për 0.2 gram kanabis. Njëri në Peqin ishte në paraburgim për 0.7 gram hashash. Diskutohet për 7 vite burg”, tha mes të tjerash Karanxha.

Teksa tha se shqiptarët po kalben burgjeve, Karanxha kërkoi që gjyqtarët e prokurorët të ndryshojnë mentalitetin përmes trajnimeve të ndryshme, në mënyrë që në Shqipëri të mos ketë një numër kaq të lartë të paraburgosurisht.

Karanxha gjithashtu se nevojiten edhe ndryshime ligjore, për të ulur trendin e lartë të paraburgimeve, në mënyrë që t’i përshtatemi politikave të BE-së, ku Shqipëria synon të aderojë.

“Po i kalbim shqiptarët burgjeve. Nuk është kjo zgjidhja. Trupa e prokurorëve e gjyqtarëve duhet të ndryshojnë mentalitetin. E dyta duhen ndryshime ligjore. Fati që numri i të paraburgosurve është shumë më i lartë se numri i të burgosurve, tregon që kemi një trend të krijuar ndër vite. Është trend që nuk korrespondon me drejtimin që po shkojmë ne në Europë. Ky trend është rritur shumë. Amnistitë gjithmonë kanë dalë njëherë në 4 vite. Tani s’kanë kaluar 2 vite dhe kemi nevojë për amnisti sërish. Ministri i Drejtësisë nuk duhet të merret vetëm me amnistinë, por duhet të nxjerrë shkaqet pse u mbushën burgjet kaq shpejt. Tregon për një politikë të ashpër penale. Duhet të marrim masa që të mos ndodhin sepse i bie që të mbushen burgjet prap dhe të bëjmë amnisti çdo 6 muaj”, shtoi Karanxha.

Numri i të paraburgosurve në Shqipëri është rreth 2570, ndërsa numri i të burgosurve 1898, ç’ka tregon edhe një disbalancë jo logjike.

Ilir Alimehmeti, pro forumit për dialogun politik: Është i nevojshëm për bashkimin e opozitës shqiptare

Një nismë pozitive dhe të nevojshme, e ka cilësuar demokrati Ilir Alimehmeti iniciativën e politologut Ermal Hasimja për bashkimin e opozitës, në një kohë ku sipas tij qeveria punon vetëm për goditjen e opozitës.

“Po ajo është një iniciativë unë mendoj e mirë, e nevojshme. E kemi diskutuar këtë tavolinë e sa tavolina të tjera fraksionimin e opozitës. Një nga pikat ku mbështetet kjo qeveri këtu, pra mbështetet duke punuar aktivisht në goditjen e opozitës dhe fraksionimin e saj. Ju e dini goditjen që është bërë Partisë Demokratike vitet e kaluara dhe ka qenë një nga pikat e forta për t’u mbajtur në këmbë vetë, se kjo është një qeveri që de facto është duke rënë vetë. E në këtë aspekt nevojitet të sanifikosh këtë pjesë këtu të problemit. Nuk është i vetmi problem, por është një pjesë e rëndësishme që duhet rregulluar, duhet sjellë në shëndet të plotë dhe në këtë aspekt, por unë mendoj që është një nisëm të jetë pozitive dhe e nevojshme”, deklaroi Alimehmeti.

Alimehmeti nënvizoi gjithashtu rëndësinë e funksionimit të drejtësisë në kohë, duke u ndalur edhe te rasti i zv.kryeministres Balluku.

“Parimi për mua është i thjeshtë. një drejtësi e vonuar është një drejtësi e munguar. Pra, drejtësi kur, për sa kohë? Kjo është jetë e rëndësishme. Dhe nga aspekti tjetër, po ta shohim konkretisht te rasti Balluku, ne nuk mund të pranojmë dot që të mbrohesh përmes postit, të mbrohesh nga drejtësia. Jep dorëheqjen apo shkarkohesh apo hiqet imuniteti, ç rëndësi ka cila është cili është formati? Përballesh me drejtësinë si qytetar i lirë dhe në kohë të vlefshme. Pse them kohë të vlefshme? Për dy arsye. Gjëja e parë është për të ulë abuzimin që mund të vazhdosh të bësh dhe gjëja e dytë përdor një rol model pozitiv për ata që do pasojnë se do jetë gjithmonë një pasues mbrapa”, tha ai.

Sipas Alimehmetit, çështjet e drejtësisë nuk lidhen vetëm me korrupsionin, por edhe me sigurinë e qytetarëve.

“Sot nuk jemi duke folur jo vetëm për sepse ka qenë ka pasur korrupsion në shkallë më të vogël, por ka pasur korrupsion. Po sot neve jemi duke folur jo vetëm për korrupsion, por për siguri fizike. Pra ato veprat për të cilat zonja Balluku është sot nën akuzë, ato janë vepra rrugore të cilat po diskutohen që janë siguri fizike për njerëzit. Pra nuk dihet a mund të kalosh a s’mund të kalosh në mënyrë të sigurt aty. Unë jam shumë i shqetësuar”.

Sfidat e shqiptarëve të Preshevës, Kamberi në SHBA: Kur Beogradi mohon problemin, ne e ndërkombëtarizojmë

Deputeti dhe përfaqësuesi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Shaip Kamberi, zhvilloi një takim zyrtar në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara, ku u prit nga Daniel J. Lawton, Zëvendës-Ndihmës Sekretar për Evropë dhe Euroazi, si dhe nga Joe Farbeann, përgjegjës për Serbinë.

Në këtë takim, Kamberi theksoi sfidat me të cilat përballen shqiptarët e Luginës, duke përmendur diskriminimin sistemik, pasivizimin e adresave, përjashtimin nga institucionet, si dhe politikat e Beogradit që synojnë zhdukjen administrative të komunitetit shqiptar.

“Kur Beogradi mohon problemin, ne e ndërkombëtarizojmë. Kur na mbyllen dyert në Serbi, i hapim në Uashington”, deklaroi Kamberi, duke nënvizuar rëndësinë e ndërgjegjësimit ndërkombëtar për të drejtat e shqiptarëve të Luginës.

Deputeti falënderoi gjithashtu përkrahësit e tij në SHBA, duke veçuar Faton Bislimit nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe Gino Mulliqi, të cilët kanë shërbyer si ura direkte drejt institucioneve amerikane.

Kamberi theksoi se çështja e Luginës së Preshevës nuk është vetëm temë lokale, por çështje e të drejtave të njeriut dhe e stabilitetit rajonal në Ballkan.

“Marrin deri në 6000 euro..”/ Avokati Saimir Visha: Pagat e gjyqtarëve duhet të rriten! SPAK mund të shkrihet

Avokati i njohur Saimir Visha, në një intervistë për Klan News të moderatorit Besard Jacaj sot në 4 shkurt foli për çështjen e pagave të gjyqtarëve, funksionimin e SPAK-ut dhe sigurinë në gjykata.

Visha u shpreh se pagat për gjyqtarët dhe prokurorët duhet të rriten, pasi ata kanë në duar dosje voluminoze.

“Për mua është normale që të gjithë punonjësit e sistemit të drejtësisë duhet që të ketë rritje page. Korrupsioni nuk zhduket vetëm me rritje page, por zbehet ndjeshëm, edhe me faktin që gjyqtari apo prokurori duhet ta ndjejë veten të plotësuar ekonomikisht. Nëse punonjësi i drejtësisë e sheh veten të plotësuar, nuk ka pse shikon duart e qytetarit që gjykon, aq më tepër kur sot gjyqtarët lexojnë shumë e shumë dosje dhe japin këtë drejtësi, që vetëm drejtësi nuk është. Është punë tjetër nëse gjyqtarët e fitojnë këtë betejë për pagat në Gjykatën Kushtetuese. Gjyqtarët sot kanë paga 2000 deri në 5000 apo 6000 euro, por për ngarkesën që ata kanë sot, rroga është e ulët. Gjyqtarët kanë dosje voluminoze. Kryeministri nuk ia ka idenë se çfarë do të thotë një dosje, sepse ajo dosje duhet lexuar me kujdes, sepse do ankimohet në katër shkallët e gjykimit dhe në bazë të volumit, gjyqtarët e prokurorët meritojnë t’ju rritet rroga . Unë them që edhe administrata e meriton rritjen e pagës, sepse punojnë pa pushuar. Edhe gjyqtarët kanë punë deri në 5 pasdite apo në 8 pasdite. Jemi në kushte emergjente, sepse gjyqtarët kanë shumë dosje në duar. Gjyqtarët dhe prokurorët kanë volum të madh pune. Më lëmsh janë dosjet në Gjykatën Administrative. Nuk na vjen e keqja nga rritja e pagave, sepse e keqja është tek firmat që hidhen e ku vidhen miliona euro”, tha Visha.

Avokati deklaroi se është i shqetësuar për “ndërhyrjet politike në drejtësi”. Sipas tij, qeveria sot ka 84 vota dhe mund të shkojë deri atje sa edhe ta shkrijë SPAK-un.

“Kjo reformë ishte vrastare. Disa u kënaqën nga kjo reformë. Hoqëm disa individë profesionalë dhe kemi patronazhistë. Duhet të shikohet mirë kjo reformë. Ne akoma nuk ndajmë dot politikën nga pushteti gjyqësor. Kuvendi i Shqipërisë bën vizitë në SPAK dhe kjo nuk shkon. Jo, pushtetet janë të ndara. Ka ardhur koha që pushteti gjyqësor të funksionojë më vete, në mënyrë të pavarur. Qeveria ka 84 vota dhe nesër mund të arrijë deri në shkritjen e SPAK-ut ose vendosjen e një emri të ri për SPAK”, u shpreh ai.

Duke komentuar sigurinë në gjykata, sidomos pas vrasjes në sallën e gjyqit të gjyqtarit Astrit Kalaja, Visha u shpreh se duhet të shtohet më tepër siguria. Ai tha se edhe mbajtja në kafazin e xhamit e të pandehurit nuk është normale, pasi i pandehuri duhet të flasë me mbrojtësin e tij ligjor.

“Unë jam avokat edhe në Europë dhe bëj gjyqe kudo në shtete europiane. Nuk ndodh që në një derë të hyjnë të gjitha palët në gjyq. Dyert janë të ndara, kurse tek ne hyjnë të gjithë nga një derë. Fakti që hyjnë në një derë sjell pasiguri. Oficerët e sigurisë duhet të jenë dhe në sallë, por edhe në korridore. Nuk është hera e parë që goditet një gjyqtar. Elementi i sigurisë është shumë i ulët në Shqipëri. Kemi polici private, ku janë të moshuar mbi 60 vjeç e marrin pagën qesharake që marrin. Duhet të jetë një trup e specializuar ose komisariat më vete. Nuk duhet që të ndodhë, që i pandehuri të mbahet në xham. Ajo që ndodh është se mbahet i pandehuri në xham, ku nuk flet dot me avokatin e nuk komunikon dot me mbrojtësin e tij. I pandehuri duhet të jetë i lirë në sallën e gjyqit”, përmbylli avokati.

U fut ilegalisht me mbiemrin e gruas pasi ishte dëbuar, arrestohet 42-vjeçari shqiptar në Itali

Një 42-vjeçar shqiptar është arrestuar ditën e sotme në Itali. Ai u arrestua nga autoritetet italiane, pasi ishte kthyer ilegalisht në Itali pavarësisht se kishte marrë urdhër dëbimi. Ai u ndalua në një rrugë dytësore të fshatit Torre Pedrera.

Pavarësisht se ai tregonte leje drejtimi dhe pasaportë origjinale shqiptare, nuk ishte në gjendje të justifikonte praninë e tij në shtetin italian. Mediat italiane shkruajnë se ai nuk kishte lejen e nevojshme të qëndrimit. Hetimet zbuluan se ai kishte qenë marrës i dëbimit dhe i ishte ndaluar rihyrja në shtetin italian.

Për të anashkaluar masën, pasi u riatdhesua, ai kishte lidhur martesë duke marrë mbiemrin e bashkëshortes së tij. Falë të dhënave të ndryshme personale, ai kishte marrë dokumente të reja identiteti, me të cilat kishte hyrë ilegalisht në Itali, duke besuar se nuk do të identifikohej. 42-vjeçari shqiptar u arrestua për shkelje të rregullave të emigracionit.

“Me Bashën u morën më shumë vota”, Shehi: PD është në tendencë rënëse, e pamjaftueshme për të fituar zgjedhjet

Dashamir Shehi, kreu i LZHK-së, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se Partia Demokratike është në tendencë rënëse.

“Grupi opozitar ka një parti të madhe që është Partia Demokratike. Por, e pamjaftueshme për të fituar zgjedhjet. E dyta, është në tendenca për rënie. Me zotin Basha morëm 650 000 vota. Me zotin Berisha kanë marrë 480 000 vota. Tregon që tendenca e ngritjes, vektori pozitiv brenda opozitës, është te këto grupet e reja, te kjo lloj alternative. Nuk është më kjo zgjidhja, se nëqoftëse për shembull PD-ja është e zonja vetë, e marrin vetë në dorë këtë punë. S’ka nevojë fare për ne, siç nuk kanë pasur dhe përpara ndoshta për ne”, tha Shehi.

“Duhet ta marrin vesh kush është trendi i ri i politikës. Pse është ky ngërç? Pse në vend që të shkojmë përpara vijmë mbrapsht, në një kohë që qeveri të korruptuar si kjo s’ka pasur Shqipëria. Por, nuk ikën vetë ky. Asnjë nuk ikën vetë. Atëherë, hajde të krijojmë ca kushte që opozita të marrë maksimumin e asaj që është humusi opozitar, që unë besoj që është i madh. Por, nuk përfaqësohet më. Atje te PD-ja ta thashë përfaqësohet deri në atë nivel. Të tjerët janë të rinj, janë në rritje. Të shikojmë, ndoshta dalin edhe të rinj të tjerë. Unë këtu e shoh këtë lloj dinamike të re, këtë lloj dialektike brenda frontit opozitar dhe këtu e shoh edhe shpresën unë. Te ata që mendojnë ndryshe, që po përballen… Edhe gjykoj që një pjesë e qytetarëve do t’i vijë nga mbrapa. Atyre që kanë qenë, qoftë edhe si puna ime, tregon që s’e paskan më këtë punë në dorë”, shtoi Shehi.

Tentoi të vriste presidentin Donald Trump, Ryan Routh dënohet me burgim të përjetshëm

Gjykata federale në SHBA ka dënuar me burgim të përjetshëm 60-vjeçarin Ryan Ruth. Ai u dënua në këtë masë, pasi tentoi të vriste presidentit Donald Trump në një fushë golfi në Florida në vitin 2024. Përveç kësaj, ai u dënua me shtatë vjet të tjera për armëmbajtje.

Mediat shkruajnë se Ruth u dënua për tentativë vrasjeje të një kandidati të madh presidencial, përdorim të një arme zjarri për të kryer një krim, sulm ndaj një zyrtari federal, posedim penal të një arme zjarri dhe përdorim të një arme me një numër serial të falsifikuar.

Avokati mbrojtës kërkoi 27 vjet, duke theksuar se i akuzuari tashmë është 60 vjeç. Gjatë gjyqit, Ruth tentoi të lëndonte veten me thikë menjëherë pas shpalljes së dënimit nga juria për të gjitha akuzat me të cilat përballej.

Njoftimi i dënimit fillimisht ishte planifikuar për dhjetor, por gjykata ra dakord të shtynte datën pas vendimit të të pandehurit për të përdorur një avokat në këtë fazë të gjykimit.

Ceremonia hapëse e Lojërave Olimpike Dimërore/ Zbulohet arsyeja pse Shqipëria mungon në paradën e atletëve

Ceremonia e Hapjes së Lojërave Olimpike të Dimrit Milano Cortina 2026 do të zhvillohet më 6 shkurt 2026, në stadiumin olimpik San Siro në Milano, në orën 20:00.

Kjo ngjarje madhështore do të përfshijë një marshim të atletëve në katër lokacione të ndryshme në Itali, duke përfshirë edhe disa qytete të njohura si Predazzo, Livigno dhe Cortina d’Ampezzo, të cilat gjithashtu do të mbajnë ngjarje të veçanta dhe ceremoni parakalimi.

Në këtë edicion të Lojërave Olimpike të Dimrit, shumë atletë do të kenë nderin të mbajnë flamujt e vendeve të tyre, duke përfaqësuar krenarinë e kombit të tyre. Përveç atletëve të shquar si Eliud Kipchoge nga Kenia dhe Rebeca Andrade nga Brazili, shumë shtete do të kenë përfaqësues të tyre gjatë ceremonisë.

Megjithatë, për Shqipërinë, ndodhen disa ndryshime. Pas disa zhvillimeve të fundit, është konfirmuar që flamuri shqiptar do të mbahet nga Lara Colturi, një nga atletet më të njohura shqiptare në disiplinën e skijimit alpino, në ceremoninë që do të mbahet në Cortina d’Ampezzo. Në ndërkohë, në Livigno, flamurin do ta mbajë Deni Xhepa, një tjetër emër i njohur në skijimin alpino shqiptar.

Për Shqipërinë, nuk do të ketë parakalim në stadiumin kryesor San Siro, pasi atje përfaqësohen kryesisht shtetet me tradita të forta në Lojërat Olimpike Dimërore, të cilat përfshijnë më shumë kategori disiplinash. Shqipëria, megjithatë, është e pranishme me përfaqësues të saj në skijim alpino dhe është një moment krenarie për sportin shqiptar.

Për shkak të numrit të kufizuar të sportistëve dhe përfaqësimit të Shqipërisë kryesisht në disiplinat e skijimit alpino, Shqipëria nuk do të marrë pjesë në paradën e atletëve në Milano, kjo pasi mësohet se KOKSH nuk e ka dorëzuar në kohë listën. Pavarësisht kësaj, përfaqësuesit tanë do të ndihen krenarë për nderin e dhënë, duke bartur flamurin kombëtar në dy nga qytetet më të njohura të Lojërave Olimpike të Dimrit.

Nderkohë, zyrtarisht nga burimet për Top Channel, flamurin do ta mbajë Lara Colturi në ceremoninë e Cortinës dhe Denni Xhepa ne Bormio (Livigno).

“Propozimi për nënkryetarin e Kuvendit duhet të vijë nga Lista Serbe”, publikohet aktgjykimi i Kushtetueses në Kosovë

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, duke konstatuar se zgjedhja e Nenad Rashiçit në këtë post më 10 tetor 2025 ka qenë antikushtetuese.

Sipas aktgjykimit, Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit përcaktojnë qartë se nënkryetari nga komuniteti serb duhet të propozohet nga shumica e deputetëve që përfaqësojnë këtë komunitet, në këtë rast Lista Serbe, si subjekti me shumicën parlamentare të deputetëve serbë.

“Gjykata thekson se një vlerësim i tillë bazohet mbi parimet e përcaktuara në Kushtetutë, praktikën e saj gjyqësore dhe Rregulloren e Kuvendit”, thuhet në aktgjykim, ku saktësohet se:

-njëri nga dy nënkryetarët që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë duhet të jetë nga komuniteti serb;

-propozimi bëhet me shkrim nga shumica e deputetëve të atij komuniteti;

-zgjedhja bëhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, pra 61 vota.

Gjykata ka sqaruar gjithashtu se Lista Serbe ka të drejtë të propozojë kandidatin për nënkryetar edhe në mënyrë të përsëritur, edhe nëse kandidati nuk i merr votat e nevojshme në tri raunde votimi, për sa kohë nuk ka përfunduar afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit.

Në aktgjykim theksohet se Kushtetuta dhe Rregullorja nuk bëjnë dallim mes deputetëve serbë mbi bazë partiake apo ideologjike, por i trajtojnë ata si një grup të vetëm përfaqësues të komunitetit serb. Votimi për të njëjtin kandidat mund të bëhet deri në tri herë, ndërsa procedura mund të rifillojë vetëm nëse konsumohen të gjithë kandidatët e propozuar nga komuniteti përkatës dhe afati kushtetues nuk ka përfunduar.

Gjykata Kushtetuese ka sqaruar edhe përdorimin e mekanizmit debllokues të shortit, i cili u përdor për zgjedhjen e Rashiqit, duke vlerësuar se ai është aktivizuar në kundërshtim me Kushtetutën. Sipas saj, shorti mund të përdoret vetëm në rrethana përjashtimore, kur shumica e deputetëve të komuniteteve jo-shumicë nuk propozon kandidatë sipas procedurës së rregullt.

Në fund, Kushtetuesja u bën thirrje grupeve parlamentare që kanë të drejtë propozimi të veprojnë në frymën e mirëbesimit dhe bashkëpunimit për të siguruar votat e nevojshme, ndërsa shumicës i kërkon të garantojë përfaqësim efektiv të komuniteteve jo-shumicë në institucionet shtetërore.

Nenad Rashiç u zgjodh nënkryetar i Kuvendit në tetor 2025, pasi kandidatët e Listës Serbe nuk arritën të merrnin votat e mjaftueshme. Përmes shortit, kryetari i Kuvendit Dimal Basha e hodhi në votim Rashiqin, i cili u mbështet nga Lëvizja Vetëvendosje. Zgjedhja e tij u kontestua nga Lista Serbe në Gjykatën Kushtetuese, e cila tani e ka shpallur atë antikushtetuese.

“Gjatë arrestimit të Ilir Metës u shkelën të drejtat e njeriut”/ Ish-Presidenti falenderon IFIMES për raportin

Ish-presidenti Ilir Meta, përmes një reagimi në rrjetet sociale ka falënderuar Institutin Ndërkombëtar për Studime të Lindjes së Mesme dhe Ballkanit, i cili përmes një raporti e cilësoi arrestimin e tij si shkelje të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Meta ka shkruar se IFIMES ka bërë transparencë të thelluar dhe shumë objektive të rastit të tij, që sipas ish-Presidentit paraqet degradimin total të shtetit të së drejtës.

Kreu i PL-së ka thënë po ashtu se raporti i IFIMES ka evidentuar përdorimin e drejtësisë si zgjatim të ‘Narkopushtetit’ për persekutimin dhe izolimin e kundërshtarëve politikë.

“Falenderoj #IFIMES për transparencën e thelluar dhe shumë objektive, që i bën këtij rasti kuptimplotë dhe që paraqet pa asnjë ekuivok degradimin total të shtetit të së drejtës dhe përdorimin e drejtësisë si zgjatim i Narkopushtetit për persekutimin dhe izolimin e kundërshtarëve politikë.

Këto janë dhe mbeten veçse përpjekje të dështuara të atyre që i bëjnë, por dhe që ‘i mbyllin sytë’.

Demokracia absolutisht do të fitojë sepse jemi të vendosur me çdo çmim për triumfin e saj”, ka shkruar Meta në Facebook.

Engjëlli me fytyrën e Giorgia Melonit në bazilikën e San Lorenzos/ Restauratori i afreskut: Më urdhëroi Vatikani!

Restauratori Bruno Valentinetti ka shpjeguar se vetë ai e ka realizuar në mënyrë të tillë afreskun ku dukej fytyra e kryeministres italiane Giorgia Meloni në një pikturë në bazilikën e San Lorenzo in Lucina në Romë.

Valentinetti tha se e bëri këtë sepse e dëshironte Kuria (administrata qendrore e Kishës), dhe se e kishte kopjuar fytyrën e kryeministres “në të njëjtin stil si piktura e mëparshme”. Këtë deklaratë, ai e bëri pas shumë polemikash në media dhe në publik.

Tanimë, restaurimi do të kryhet duke i qëndruar linjës së pikturës origjinale (pa referenca politike), vendim që u mor gjatë një takimi mes kardinalit Baldo Reina dhe don Daniele Micheletti, drejtor i bazilikës së San Lorenzo in Lucina.

Kuria dhe Vikariati i Romës (institucion i Kishës Katolike që përfaqëson Papën në Romë) kanë nënvizuar bashkëpunimin e tyre me institucionet shtetërore dhe kanë kërkuar që imazhet e artit të shenjtë të ruhen në formën e tyre autentike.

Ditët e fundit, afresku ndezi debat të gjerë, sepse fytyra e engjëllit dukej si e Melonit, çka solli reagime të forta edhe të komunitetit fetar apo institucioneve të trashëgimisë kulturore.

“Punon për Ramën”, Salianji i përgjigjet Berishës: Nuk na duhet një parti që qan sa herë humb zgjedhjet

Kryetari i PD, Sali Berisha, ka sulmuar Ervin Salianjin, ditën e sotme gjatë takimit me demokratët e degës së PD 1 dhe 3 në kryeqytet, pas takimit që ai bëri në Fier.

Berisha iu drejtua demokratëve se PD duhet të ripërtërihet me njerëz me moral dhe se koha është e idealistëve. Por nga ana tjetër, lideri i opozitës tha se nuk duhet të ndjejnë keqardhje për ata që sipas tij, bëjnë lojën e Edi Ramës. “Asnjë keqardhje për ata që bëjnë sikur janë me ne, dhe në fakt punojnë për Edi Ramën”, tha Berisha.

Ndërkohë pas kësaj deklarate të Berishës, ish-deputeti i PD Ervin Salianji ka ndarë pamje nga takimi i mbajtur një ditë më parë me demokratët në Fier. Në mesazhet e tij Salianji është shprehur i qartë për domosdoshmërinë e rotacionit politik në vend. Angazhimi dhe qëllimi kryesor nënvizon ai, është një PD fituese për qytetarët. “Anëtarët përcaktojnë lidershipin, vota e përcakton lidershipin. Angazhimi dhe kontributi e përcakton lidershipin. Ne duam një PD që të jetë fituese, që të jetë e besueshme për qytetarët, që të mos jetë qaramane sa herë humb zgjedhjet”, tha Salianji në deklaratën e tij në takimin me qytetarët në Fier.

A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Nga Artur Ajazi

Skandali me mbetjet e rrezikshme me origjinën nga KURUM drejt Portit të Durrësit, si dhe zbulimet e hetimeve, na detyrojnë të shtrojmë me të drejtën pyetjen “a kemi realisht një Agjensi Kombetare Mjedisi, që monitoron ndotjen e ajrit, ujit, lumit, detit, tokës, dhe që dëmton jetët tona”.

Ka mbi 2 dekada e gjysëm që KURUM, një kompani turke, e vendosur në Elbasan, kryen ndotjen e perhershme të asaj zone dhe jo vetëm. Skandali me mbetjet e rrezikshme, duhet të bëjë SPAK-un, t’i shkojë deri në fund kësaj historie vrastare.

Bëhet fjalë për një proces të gjatë dhe të gjërë bashkepunimi mes KURUM dhe firmave të huaja fantazëm, që prej vitesh po helmojnë banoret e Bradasheshit dhe Elbasanit. Por tanimë me skandalin e mbetjeve të rrezikshme, skandali kapercen kufirin e Elbasanit, shkon drejt Durresit, Portit Detar atje, firmave te ndertimit, firmave tregetuese të atyre mbetjeve, duke rrezikuar jetë njerezish. Ka ardhur koha për ndeshkim. Ka ardhur koha të sekuestrohen firma dhe kompani të tilla vendase dhe të huaja që po helmojnë token, ajrin, ujin, lumenjtë dhe qytetaret e Shqiperisë.

KURUM, prej 20 e ca vitesh, arrin të korruptojë ish-ministra qeverish të çdo partie politike, dhe mbyll skandalet e abuzimeve dhe shkeljeve ligjore në gjykata.

Një kompani e huaj, që nuk pyet fare për ligjet e Shqiperisë, që korrupton ministra dhe zyrtare ministrish prej 25 vitesh, e mbyll proceset gjyqesore duke korruptuar edhe prokurore dhe gjyqtare. Nuk numurohen proceset penale dhe denoncimet ndaj saj në Elbasan, Durres dhe qytete te tjera, dhe të gjitha të mbyllura nga një kompani e huaj, e cila në një vend tjeter Europian, do të ishte sekuestruar me kohë.

Eshtë koha që shteti shqiptar, t’i dale ZOT qytetareve të vet, është koha që SPAK dhe GJKKO, t’i shkojë deri në fund, skandalit të mbetjeve të rrezikshme me origjinë nga KURUM, është koha që kushdo që ndot dhe helmon ajrin, ujin, lumin, detit, liqenin, të perfundojë në burg.

KURUM, shpesh ka qenë akuzuar edhe nga Sindikata e Punetoreve të Elbasanit, mbi trajtimin mizerabël që i bën punetoreve të vet.

Dhe sërish proceset janë mbyllur me afera korruptive. Edhe blerja e ish-kantierit Detar në Durrës, ka dritëhijet e veta nga mënyra se si arriti ta “blejë” KURUM, pasi thuhet se ka korruptuar një ish-minister të asaj kohe. Pyetja është e thjeshtë, “pse dhe si mbijeton KURUM pas gjithë atyre skandaleve, ankesave, dhe shkeljeve ligjore”.

Çfarë bën AKM, pse nuk monitorojnë zonën ku operon KURUM, pse nuk monitoron ndotjen e ajrit, ujit, lumit Shkumbin, përse nuk penalizohen drejtuesit e KURUM, nderkohë që veç kësaj kompanie ka edhe të tjera kompani brenda ish-metalurgjikut që ndotin ambientin? Jo në pak raste, banoret e zones së Bradasheshit, janë ngritur në protesta, madje janë përleshur me forcat e sigurisë në firmat dhe kompanitë që ndotin, i kanë akuzuar ata në Prokurori, por KURUM ka arritur ti “blejë” dhe fitojë proceset gjyqsore.

Skandali mbetjeve të rrezikshme, tejkalon çdo imagjinatë, dhe mbetet një rast i mire që SPAK dhe GJKKO, kanë në dorë, t’i japin qatë që meriton, kësaj kompanie turke, e cila duhet të paguajë ligjërisht çdo shkelje dhe abuzim me jetën dhe mjedisin shqiptar.

Problemet në sistemin SelfCare, Tatimet shtyjnë afatin e inventarit të mallrave te bizneset

Pas problemeve të shfaqura prej më tepër se dy javësh në sistemin SelfCare, Tatimet njoftuan sot shtyrjen e afatit të deklarimit të inventarit analitik të 2025.

Administrata Tatimore informon tatimpaguesit se afati për deklarimin e inventarit analitik 31.12.2025, shtyhet deri më 20.02.2026.

Kjo shtyrje e afatit realizohet me qëllim garantimin e përmbushjes së saktë dhe korrekte të këtij detyrimi ligjor nga ana e tatimpaguesve.

Inventari duhet të përmbajë informacione në lidhje me lëndën e parë, produktet e gatshme, mallrat për rishitje, të detajuara në njësi, sasi çmim dhe vlerë.

Deklarimi i inventarit duhet të kryhet elektronikisht në sistemin e tatimeve e-Filing, në rubrikën “Çështjet e mia”, brenda datës 20.02.2026, duke u ngarkuar me emërtimin “Inventari 31.12.2025”.

Administrata Tatimore u ka bërë thirrje të gjithë tatimpaguesve që të përmbushin me korrektesë këtë detyrim ligjor brenda afatit të përcaktuar, me qëllim shmangien e verifikimeve në vend dhe aplikimit të penaliteteve përkatëse.

Edhe mosdeklarimi i punonjësve dhe nëndeklarimi i pagave të tyre konsiderohet shkelje e rëndë, pasi cenon garantimin e sigurimeve shoqërore dhe pensioneve. Për këtë qëllim, ndaj çdo tatimpaguesi të vlerësuar me këtë risk do të ndërmerren hetime dhe kontrolle të thelluara për çdo proces të aktivitetit të tyre, duke përfshirë edhe transaksionet me burime të ardhurash të dyshimta, në bashkëpunim me agjenci të tjera ligjzbatuese.

Në listën e publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, paga më e ulët në sektorin e ndërtimit është 60,000 lekë për sanitarin, deri në 85 mijë lekë për magazinierin, 95 mijë lekë për elektricistin/hidraulikun dhe deri në 160 mijë lekë për operatorin e vinçit.

Pra, nëse një magazinier paguhet më pak se 85 mijë lekë në muaj nga një biznes në fushën e ndërtimit, ky biznes ka risk më të lartë për penalitete sipas Administratës Tatimore.

I preu rrugën me makinë ish-gruas dhe i theu xhamin e makinës, policia vë në pranga 48-vjeçarin nga Laçi

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, vunë në pranga, në Tiranë, shtetasin I. Ll., 48 vjeç, banues në Laç.

Kjo pasi dyshohet se me automjetin që drejtonte, i ka bllokuar lëvizjen, në aksin rrugor “Laç-Patok”, automjetit që drejtonte ish-bashkëshortja e tij, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtjeje.

Nga kjo, automjetet janë përplasur dhe si pasojë ka patur vetëm dëme materiale. Më pas, 48-vjeçari, dyshohet se ka thyer me mjet të fortë, xhamin e automjetit që drejtonte shtetasja.

Detaje plagosja me thikë në Korçë/ Dyshohet se i plagosuri i vodhi banesën të riut dy vite më parë! Si nisi sherri

Detaje të reja janë zbardhur lidhur me sherrin në një lokal në Korçë mbrëmjen e sotme, ku mbeti i plagosur me thikë një person rreth 37-vjeç.

Burime bëjnë me dije se Benard Qelemeni, u plagos me thikë nga 17-vjeçari me iniciale P. K., për shkak të një konflikti që e kishte zanafillën rreth dy vite më parë.

Dyshohet se Benard Qelemeni, i cili kishte ardhur pak ditë më parë në Shqipëri, pasi jetonte në Greqi, ka vjedhur banesën e autorit dy vite më parë dhe pasi adoleshenti e ka parë në lokal, ka nisur konflikti mes tyre.

Ka qenë i plagosuri ai që ka goditur 17-vjeçarin, ndërsa ky i fundit më pas nxjerrë thikën dhe e ka goditur në pjesën e krahut.

Mësohet se 17-vjeçari është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa kanë qenë forcat e komisariatit të policisë që e kanë kapur vetëm disa minuta më pas.

Korçë/Informacion paraprak

Në lagjen nr.4, Korçë, gjatë një konflikti dyshohet se shtetasi P. K., ka dëmtuar në dorë me mjet prerës (thikë) shtetasin B. Q., rreth 37 vjeç, banues në Korçë, i cili aktualisht ndodhet në spitalin e Korçës, jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë kanë kapur dhe shoqëruar në ambientet e komisariatit për veprime të mëtejshme autorin e dyshuar të ngjarjes, shtetasin P. K.

Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë po punon për dokumentimin ligjor të rastit dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Mbështetje ndaj luftëtarëve të UÇK-së, PDK aktivizon degët për marshimin qytetar të 17 shkurtit

Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se ka ndërmarrë hapa konkretë për mobilizimin e të gjitha strukturave të saj partiake në mbarë vendin, me synim përfshirjen sa më të gjerë të qytetarëve në marshin qytetar me moton “Drejtësi, jo politikë!”, i cili do të mbahet më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Në një reagim publik të shpërndarë në rrjetet sociale, PDK ka konfirmuar mbështetjen e plotë për këtë iniciativë qytetare të organizuar nga platforma “Liria ka Emër”, duke e cilësuar marshin si një shprehje legjitime, demokratike dhe paqësore të vullnetit qytetar për drejtësi të barabartë dhe të pavarur.

Sipas PDK-së, ky marsh ka për qëllim të mbrojë parimet e drejtësisë dhe të ngrejë zërin kundër çdo ndikimi politik në proceset gjyqësore që po zhvillohen në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarë të tjerë.

Partia thekson se, në një moment kur këto procese po hyjnë në fazat përfundimtare, është e domosdoshme që drejtësia të veprojë në mënyrë të paanshme, profesionale dhe në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare, pa paragjykime dhe pa agjenda politike.

Në deklaratë, PDK-ja rikujton se lufta e UÇK-së ishte një luftë e drejtë dhe çlirimtare, e lindur si rezultat i shtypjes dhe padrejtësive historike ndaj popullit të Kosovës, dhe se kjo luftë përbën themelin mbi të cilin është ndërtuar liria dhe shtetësia e vendit. “Çdo tentativë për ta shtrembëruar apo relativizuar këtë realitet historik përbën një padrejtësi të rëndë ndaj sakrificës së mijëra qytetarëve që dhanë jetën për liri, pavarësi dhe dinjitet kombëtar”, theksohet më tej në reagim.

Partia Demokratike e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që, në frymën e unitetit, respektit institucional dhe angazhimit qytetar, të marrin pjesë në marshin e 17 shkurtit në Prishtinë, për të kërkuar drejtësi dhe për të nderuar trashëgiminë çlirimtare mbi të cilën është ndërtuar Republika e Kosovës.

❌