Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Tiranë/ Plagosje e rëndë, drogë, dhe vjedhje, arrestohen 4 persona

Katër persona janë arrestuar brenda pak orëve në kryeqytet, pasi akuzoheshin dhe kërkoheshin për krime të ndryshme, nga plagosja e rëndë dhe shpërndarja e lëndëve narkotike, tek vjedhja dhe përndjekja.

Në rastin e parë, G. I., 30 vjeç, u ndalua pasi akuzohet për “plagosje të rëndë me dashje” dhe “prodhim e shitje të lëndëve narkotike”.

Ai dyshohet se më 1 dhjetor 2025 plagosi me mjet prerës shtetasin M. A., ndërsa në banesë iu gjet cannabis sativa.

R., 30 vjeç, u arrestua pasi është i dënuar me 3 vite e 4 muaj burg për narkotikë, duke pasur ende për të vuajtur 1 vit e gjysmë.

Ndërkohë, E. M., 19 vjeç, u ndalua për “vjedhje”, sipas vendimit të Gjykatës së Durrësit, dhe iu dorëzua autoriteteve të atij qyteti.

I fundit, A. D., 22 vjeç, u arrestua për “përndjekje” dhe “largim nga vendi i qëndrimit”, sipas vendimit gjyqësor.

Noka: 10 shkurti po afron, rrëzimi i narkoregjimit shpëton Shqipërinë nga shpopullimi total

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka ka reaguar sërish për protestën e 10 shkurtit që do të mbahet tek kryeministria.
Duke ndarë momentet nga mbledhja me Kolegjin e Kryetarëve të degevë të PD, Noka shkruan se, rrëzimi i narkoshtetit do të shpëtojë Shqipërinë nga shpopullimi total.

Reagimi i Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Flamur Noka:

Momente nga mbledhja e Kolegjit të Kryetarëve.
10 shkurti po afron
Rrëzimi i narkoregjimit do e shpëtojë vendin tonë nga shpopullimi total, nga katandisja në një mikroshtet.
Shqipëria është bekuar me pasuri natyrore për të qenë parajsa e shqiptarëve dhe jo vendstrehimi i krimit të organizuar.
Përpara kryeministrisë, t’i tregojmë mbarë botës se #shqiptarët nuk i përulen regjimeve të inkriminuara, se pushtetin ta jep vetëm vota e lirë dhe vullneti i popullit sovran, e jo paratë e pista të drogës! Përpara kryeministrisë, për t’i treguar Bashkimit Europian se shoqëria #shqiptare nuk i përulet antivlerave, politikave të antifamiljes dhe mafias së ndërtimit e të pastrimit të parave që sponsorizojnë Edi Ramën!

Arrestohet në Itali shqiptari, Belgjika e akuzonte 43-vjeçarin për trafik ndërkombëtar droge

Policia italiane ka arrestuar një 43-vjeçar shqiptar, anëtar i një organizate të madhe të trafikut ndërkombëtar të drogës, që ishte shpallur në kërkim në të gjithë Evropën.

Aksioni u krye në zonën e Vittoria, në Raguzza, teksa urdhri i arrestit ishte lëshuar nga drejtësia e Belgjikës.

“Shqiptari kërkohej për krime të rënda që lidhen me prodhimin dhe trafikimin e narkotikëve. Raporti erdhi si pjesë e bashkëpunimit ndërkombëtar policor: Drejtoria Qendrore e Policisë Kriminale e Departamentit të Sigurisë Publike kishte dërguar një alarm kërkim-shpëtimi pasi 43-vjeçari u zhduk”, informuan autoritetet.

Hetuesit nga Skuadra Fluturuese e Raguzës nisën një hetim që çoi në vendndodhjen e 43-vjeçarit, në një shtëpi në Scoglitti, një fshat bregdetar në komunën e Vittorias, ku ai ishte fshehur për të shmangur kapjen, raporton media e vendit fqinj.

Pas formaliteteve të zakonshme, i kërkuari u dërgua në burgun e Raguzës, ku mbetet në dispozicion të autoriteteve gjyqësore italiane, të cilat tani duhet të vendosin për ekstradimin e tij të mundshëm në Belgjikë.

Durrës, rrëshqitjet e dherave bllokojnë aksin Currila–Kallm

Janë rikthyer sërish rrëshqitjet e dherave në zonën e Kodrës së Currilave në Durrës.

Si rezultat i reshjeve që kane vijuar përgjatë gjithë natës, mëngjesin e sotëm është bllokuar aksi që të çon drejt Kallmit.

Fenomeni i erozionit është rikthyer frikshëm në këtë zonë, që vazhdimisht regjistron rrëshqitje dherash dhe bllokim të lëvizjes.

Sasia e konsiderueshme e dherave që ka rënë në asfalt shtrihet përgjatë ngjitjes së malores mbi Ferrarën.

Dokumente të reja: Princi Andrew ftoi Epstein dhe modele ruse në darkë private në Buckingham Palace

Dokumente të reja të publikuara javën e kaluar në kuadër të dosjeve të Jeffrey Epstein zbulojnë se Princi Andrew kishte ftuar financierin amerikan, të akuzuar për krime seksuale, së bashku me një modele ruse për një darkë private në Buckingham Palace gjatë një vizite 4-ditore të Epstein në Londër.

Sipas email-eve të bëra publike, Epstein kishte punësuar një grua 26-vjeçare me emrin Vera për të marrë pjesë në një darkë dhe më pas e kishte shoqëruar atë në Pallatin Buckingham për një takim privat.

Në dokumente, ajo përshkruhet si “magjepsëse” dhe “një mike e shkëlqyer”, shkruan The Sun.

Vizita e Epstein në Londër ndodhi vetëm dy muaj përpara se Princi Andrew ta kthente “nderin”, duke udhëtuar për ta vizituar atë në Nju Jork. Zbulimi vjen në një kohë kur, javën e kaluar, u hodhën pretendime se Andrew mund të ishte shënjestruar nga Rusia, përmes kontakteve seksuale të Epstein, për ta afruar atë.

Gruaja në fjalë shfaqet për herë të parë në dokumente në vitin 2010, kur ishte ftuar në një darkë të organizuar për presidentin e atëhershëm të Afrikës së Jugut, Jacob Zuma, në hotelin Ritz në Londër.

Më 4 mars, Mark Lloyd, një mik i Epstein dhe bashkëpunëtor në organizimin e takimeve të nivelit të lartë, i kishte dërguar asaj një mesazh duke i thënë se Epstein kishte sugjeruar ftesën, pasi prania e saj do t’i shtonte “shkëlqim” mbrëmjes.

Durrës/ 6 të arrestuar në pak orë – drejtues të dehur tentojnë të blejnë Policinë

Situatë shqetësuese në qarkullimin rrugor të Durrësit. Monitorimet intensive të Policisë Rrugore gjatë fundjavës, në kuadër të planit të masave “Fundjava”, kanë zbuluar një panoramë alarmante shkeljesh të rënda, që rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.

Brenda një fundjave, 6 shtetas janë arrestuar, pasi drejtonin automjetet në gjendje të dehur, pa leje drejtimi, dhe në disa raste kanë shkuar edhe më tej, duke tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë Rrugore për t’iu shmangur testit të alkoolit dhe arrestimit.

Gjatë kontrolleve në rrugët “Petrit Llaftiu” dhe “Taulantia”, Policia konstatoi dy automjete që kryenin manovra të rrezikshme. Drejtuesit e tyre, shtetasit N. N. dhe H. M., u ndaluan menjëherë.

  • N. N. rezultoi me 1.62 mg/l alkool në gjak

  • H. M. rezultoi me 1.57 mg/l alkool në gjak

Për të shmangur ndëshkimin, të dy kanë tentuar t’u ofrojnë shuma parash punonjësve të Policisë, duke rënduar më tej pozitën e tyre ligjore. Gjatë monitorimeve janë arrestuar gjithashtu:

  • D. M., e cila drejtonte automjetin me 1.22 mg/l alkool

  • D. Ç., me një nivel ekstrem prej 2.21 mg/l alkool, një shifër që konsiderohet rrezik serioz për jetën

  • R. D., i cili u kap duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi, në rrugën “Hysen Kertusha”

Policia bën me dije se vetëm gjatë muajit janar, janë arrestuar edhe 4 drejtues të tjerë për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe tentativa korrupsioni, çka tregon se fenomeni është në rritje.

Të gjitha materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit, për veprat penale:

  • “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”

  • “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”

Policia Rrugore e Durrësit apelon me forcë për respektimin e rregullave të qarkullimit, duke theksuar se:

  • drejtimi i mjetit në gjendje të dehur,

  • përdorimi i celularit gjatë drejtimit,

  • dhe shpërfillja e sinjalistikës rrugore janë faktorë kryesorë që po kthehen në kërcënim serioz për sigurinë publike.

Rama kundër Kushtetueses: Pezullimi i një ministri pa gjyq, atentat ndaj demokracisë

Kryeministri Edi Rama ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për lënien në fuqi të vendimit të GJKKO-së për pezullimin nga detyra të zv/kryeministren Belinda Balluku.

“Shënimi i fundit i ditës, por jo për nga rëndësia, është ai që lidhet me Gjykatën Kushtetuese, e cila nuk e ka gjetur dot forcën për të mos e lejuar rimarrjen peng të qeverisë së Shqipërisë me një mjet të paparë dhe të padëgjuar në botën demokratike, siç është pezullimi i një anëtari qeverie nga një prokuror dhe një gjykatës  në një seancë paraprake, pra pa filluar akoma gjyqi.

Kështu, Shqipëria bëhet për herë të dytë, në dy muaj, shembulli i parë i një budallallëku botëror sepse Gjykata Kushtetuese u mbyt me lugën e ujit të turbullt të tyre që Servantes në librin e tij të famshëm Don Kishoti i Mançës i quan arsyet e Mosarsyes.

Por fakti është që mosvendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese e kthen në fuqi pezullimin e ministers, e cila, që të jemi shumë të qartë, pavarësisht se qartësia është një luks dhe një luks i rrallë që mund ta kërkosh, por vështirë ta gjesh në turbullirën e 700 tenxhereve politike e mediatike, nuk akuzohet për korrupsion, as nga vetë prokurori që shpiku pezullimin e anëtarit të qeverisë me vendim të një seance të mbyllur të përgatitjes së një gjyqi.

Sidoqoftë, zhbërja e kësaj shpikjeje 100% “Made in Albania” e drejtësisë së re dhe e drejtësisë ende të papjekur shqiptare, e cila nuk ka lidhje me rastin dhe çështjen konkrete po me një parim të panegociueshëm të demokracisë mbetet një domosdoshmëri për të rigarantuar pavarësinë ekzekutive  të parlamentit nga pushteti gjyqësor.

Kështu që, ne do ta vazhdojmë këtë betejë, ku na thirri me pahir çartja antidemokratike e pezullimit të një anëtari qeverie dhe ku fatkeqësisht na mban akoma sot pafuqia e Gjykatës Kushtetuese për të marrë një vendim sa të thjeshtë, – është vendim shumë i thjeshtë se mjafton të marrësh shembull çdo vend të botës që do apo të gjithë vendet e botës bashkë dhe nuk do të gjesh dot një gjë të ngjashme, – por një vendim po aq dhe të nevojshëm për të mos e lënë Shqipërinë vendin e vetëm në planet, ku sot aktualisht me këtë brutalitet të rilegjitimuar nga kjo mosvendimmarrje vetë Presidenti i Republikës mund të pezullohet nga i pari prokuror që gdhihet me këtë ide në kokë.

Në ndërkohë, kam dhe diçka tjetër.

Kujtdo që ka vënë buzën në gaz apo ka nxjerrë gjuhën jashtë pas mosvendimit të Kushtetueses dhe e bën hosana dhe fërkon duart me kuturisjet e modës së re të arresteve pa gjyq, të cilat arritën një kulm të ri këtë javë me 30 e kusur fletë-arresti të prera nga një prokuror në Durrës, i cili në fakt nuk paraburgosi vetëm veten e vet, – se të gjitha çfarë kishte rreth e rrotull për një çështje që nuk përmbush asnjë kusht, zero, hiç nga ato që Këshilli i Europës dhe drejtësia demokratike përcakton si kushte të domosdoshme për arrestin, – i futi në një thes, – u them një gjë, – kush beson se përpjekja e natyrshme për shtetin ligjor e të gjithëve bashkë, e jona, qeveri, parlament, drejtësi, me të gjitha të përpjetat dhe të tatëpjetat e saj, arritjet dhe lajthitjet e drejtësisë së re, do të prodhojë ndonjëherë kosto për këtë shumicë qeverisëse, të cilat do ta kthejnë në punë mullirin e prishur të opozitave, gabon ditë dhe natë sepse nuk kupton atë që e kupton shumë qartë populli shqiptar, njeriu i zakonshëm i Shqipërisë. Lufta për drejtësi, për shtet ligjor demokratik, për Shqipërinë europiane në Bashkimin Europian, ka vetëm një garant, ende sot për sot, mua dhe këtë shumicë qeverisëse.

Kaq e thjeshtë është!”, tha Rama.

Vendimi për hapjen e Tik Tok, Rama: Nuk është dorëzim! Kemi vendosur mekanizma të reja sigurie

Kryeministri Edi Rama ka komentuar vendimin e Këshillit të Ministrave për hapjen e Tik Tok, duke theksuar se ky vendim erdhi pas vendosjes së filtrave dhe mekanizmave të reja mbrojtës.

Komentet Rama i bëri në podkastin e tij ‘Flasim’, ku tha se Shqipëria vendosi një komunikim konstruktiv me Tik-Tokun për rritjen e parametrave të sigurisë, teksa shtoi se vendi ynë nuk është në gjyq me këtë platformë.“Këtë javë doli edhe vendimi i Këshillit të Ministrave për të hequr masën e bllokimit të Tik-Tokut, është një vendim që e pata lajmëruar kur pata shpjeguar në më shumë se një rast, që për befasinë tonë të këndshme, Tik Tok ishte shumë i hapur dhe shumë aktiv ndërtimin e një dialogu me ne, pasi ne bëmë bllokimin. Dhe nuk është Tik Tok që na ka çuar në gjyq, por dihet kush na ka çuar në gjyq edhe për Tik Tok. Me Tik Tok kemi vendosur jo vetëm një komunikim, por edhe një bazë të re. Kështu që vendimi i Këshillit të Ministrave nuk është tëheqje, nuk është dorëzim, e aq më shumë mbyllje sysh. Por është rezultat i një procesi serioz rishikimi dhe një pune konkrete adresimi real të shqetësimeve për sigurinë dhe filtrat e nevojshëm, që të ketë shumë më tepër kontroll në kuptimin e mirë të fjalës. Jo censurë, por kontroll mbi gjithë aktivitetin, për mbrojtjen e fëmijëve dhe më të rinjve. Sot Tik Tok është i aksesueshëm sepse janë vendosur mekanizma të reja sigurie”, tha mes të tjerash Rama.

Kërkesa e gjyqtarëve për pagat: Rama: Nuk mund të ketë rritje të përhershme, mos kërkoni qiqra në hell

Kryeministri Edi Rama ka folur dhe njëherë për debatin me gjykatësit lidhur me kërkesën e këtyre të fundit për rritje të pagave. Rama tha se nuk do të ndodhë që gjyqtarët të marrin rritje të pagave mbi gjithë të tjerët duke përmbysur rendin.

Me nje vendim te Keshillit te Ministave pagat  për 144 mijë punonjës të administratës u indeksuan me 2.5% Paga referuese për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë shkon 156.825 lekë/ muaj.“Përsëri çështja e pagave, ka qëndruar në rendin e ditës, ka pasur shumë komente, shumë çudi dhe shumë absurditete ku për fat të keq përmes disa shoqatash, gjykatësit janë vetëvendosur në syrin e një cikloni popullor në kuptimin e një pakënaqësie popullore lidhur me kërkesën për rritje pagash.

Vetë gjykatësit pretendojnë ne duam t’iu ulim pagat, në një insistim të një arsyetimi absolutisht të pajustifikuar për nga shëndeti logjik, zërat që e përfaqësojnë këtë kategori, tonë se pagat e tyre po ulen se pagat e të tjerëve po rriten, çfarë ne kemi bërë me reformën në drejtësi ka qenë shprehja e një vullneti të fortë dhe në drejtim të rritjes së pagave të gjyqtareve.

U kemi dhënë atyre mesazhin që taksapaguesit shqiptarë do të bëjnë një sakrificë dhe do të paguajnë ekstra për të gjithë ata që, pasi të kalojnë procesin e vettingut, do të përballen me sfidën e madhe të pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe të ndërtimit të një ngrehine solide, bazuar mbi parimet dhe vlerat e Kushtetutës të atij pushteti, në shërbim të qytetarëve dhe si garant për barazinë para ligjit.

Thyem piramidën e pagave, që fillon me presidentin dhe zbret. Ndërkohë që në mënyrën më të vetëdijshëm pagat e gjyqtarëve ne i rritëm mbi të gjithë, por nuk i vendosmë  mbi të gjithë që sa herë do rriten të tejrat, do u rriten dhe atyre. Jam sulmuar personalisht dhe është sulmuar qeveria nga autorët e një deklarate së një shoqate. Gjykatësit nuk mund të kenë një rritje pagash të përjetshme mbi gjithë të tjerët. Shpresoj që GJK t’i vendosi vulën”, tha ndër të tjera Rama.

Rrëshqitja e dherave bllokon rrugën Rrëshen–Kurbnesh, banorët të izoluar prej orësh: Askush nuk reagon (VIDEO)

Rruga që lidh Rrëshenin me Njësinë Administrative Kurbnesh është bllokuar plotësisht gjatë natës si pasojë e rrëshqitjes së një masivi të madh dheu. Prej më shumë se 4 orësh, dhjetëra banorë kanë mbetur të izoluar, pa asnjë mundësi lëvizjeje.

Qytetarë të bllokuar në vendngjarje kanë dërguar pamje që tregojnë qartë shembjen e masivit të dheut dhe ndërprerjen totale të qarkullimit. Mes tyre ka familjarë që duhet të shkojnë urgjentisht në Kurbnesh për të hapur varrin e një të afërmeje që ka ndërruar jetë ditën e djeshme, por janë të detyruar të qëndrojnë të bllokuar në rrugë.

Sipas banorëve, organet kompetente janë njoftuar, por deri tani asnjë strukturë shtetërore nuk është paraqitur në terren. Edhe më shqetësuese është heshtja e firmës kontraktore “Albutingu”, e cila ka detyrimin për mirëmbajtjen e rrugës dhe nuk ka kthyer asnjë përgjigje, pavarësisht telefonatave dhe njoftimeve.

Kjo rrugë është aksi që të çon drejt Lurës, një zonë turistike për të cilën qeveria bëri propagandë të fortë pas ndërtimit, duke e cilësuar investimin si një “punë të shkëlqyer”. Realiteti i sotëm, megjithatë, tregon një histori tjetër: një rrugë e re, por e pasigurt, pa reagim emergjent dhe pa përgjegjësi institucionale.

Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, hapjen e rrugës dhe mbajtjen e përgjegjësive nga institucionet dhe firma kontraktore, pasi situata nuk është vetëm problem qarkullimi, por çështje humanitare dhe sigurie.

VIDEO/ Gol dhe asist, Muçi vazhdon shkëlqimin në Turqi

Ernest Muçi vazhdon të shkëlqejë në Turqi, aty ku është pjesë e Trabzonspor. Pas Kupës, sulmuesi shqiptar ka gjetur golin edhe në kampionat.

Muçi shënoi golin e tretë me penallti në minutën e 90-të, në fitoren 0-3 të skuadrës së tij ndaj Samsunspor në transfertë.

Ky është goli i 12-të mes kampionatit dhe Kupës për 24-vjeçarin, që vazhdon të mahnisë te Trabzonspor, skuadër e cila ka të drejtën e blerjes së kartonit nga Besiktas.

Sa i përket ndeshjes së sotme, përveç golit, ai asistoi edhe te goli i parë, i shënuar nga Onuachu në minutën e 23-të.

Përmbledhja e ndeshjes: 

Plantacion kanabisi në Gjermani, arrestohen dy shqiptarë. Sekuestrohen bimët me vlerë 2 mln euro

Dy shqiptarë janë arrestuar nga autoritetet gjermane pasi kultivonin lëndë narkotike në një plantacion profesional.

Mediat gjermane shkruajnë se operacioni u zhvillua në qarkun fqinj të Giessen. Shkak për operacionin ishin hetimet që kishin zgjatur rreth një vit nga policia kriminale, për shkak të dyshimeve për tregti të paligjshme të lëndëve narkotike.

Në fillim të kontrollit të një magazine të martën në mëngjes, dy persona u arratisën në këmbë. Forcat e policisë i ndoqën, i kapën dhe i arrestuan përkohësisht. Nuk pati të lënduar. Brenda objektit, hetuesit gjetën një plantacion kanabisi të organizuar në mënyrë profesionale.

Sipas hetimeve të para, bëhet fjalë për rreth 1.400 bimë kanabisi. Vlera e tyre e vlerësuar në treg arrin rreth dy milionë euro. Me mbështetjen e një njësie teknike speciale, policia konfiskoi bimët dhe pajisjet përkatëse. Në operacion morën pjesë një numër dyshifror efektivësh.

Të arrestuarit janë dy shtetas shqiptarë të moshës 29 vjeç. Me urdhër të Prokurorisë së Giessenit, ata u paraqitën para një gjyqtari të paraburgimit në Gjykatën e Qarkut Giessen, i cili urdhëroi arrest me paraburgim ndaj të dyshuarve për vepra të rënda penale. Të dy ndodhen tani në institucione të vuajtjes së dënimit.

Gent Ibrahimi, “Don Zhuani” i fishkur i Kushtetueses

Mbrëmjen e së premtes nga Gjykata Kushtetuese u shënua atentati më i rëndë ndaj Kushtetutës dhe ndarjes së pushteteve në Republikën e Shqipërisë.
Atentatet zakonisht kërkojnë burra apo burrnesha, por ja që kryhen edhe nga qenie hibride, të vendosura në pozicione kyçe, si kunati i Mimi Kodhelit dhe i besuari i Partisë Socialiste.

Gent Ibrahimi do të mbahet mend për asgjë tjetër, përveç vendimit të së premtes, si atentator i Kushtetutës, i shantazhuar nga një prej elementëve kriminalë më në zë, dhe si ai që, pasi u fut në Gjykatën Kushtetuese, e la pas dore motrën e Mimi Kodhelit, e cila e kishte ndihmuar gjatë gjithë jetës.

Genti njihet si një jurist mediokër, pasi nuk është magjistrat; si qejfli femrash, madje thonë se edhe përshëndetjen e ka të çuditshme dhe me konotacione seksuale për kë e njeh.

Ai nuk njihet për asgjë tjetër, përveçse si një person lehtësisht i shantazhueshëm, pasi historitë rozë dhe historitë me SKY ECC e kanë shndërruar në një figurë prej letre, që përdoret nga kush ka nevojë të kryejë interesa personale.

Por Gent Ibrahimi, i shantazhuar apo jo me gjithë ato sekrete që ka të fshehura, dje e tejkaloi veten: shkatërroi njëherë e përgjithmonë sistemin e pushteteve të pavarura.

Gent Ibrahimi duhet të japë dorëheqjen menjëherë dhe t’i hapë rrugë një gjyqtari tjetër me integritet.

VIDEO/ United magjik, mund Tottenhamin dhe merr fitoren e katërt radhazi

Manchester United vazhdon momentin pozitiv nën drejtimin e Michael Carrick, duke regjistruar fitoren e katërt radhazi në të gjitha kompeticionet.

“Djajtë e Kuq” triumfuan 2-0 ndaj Tottenhamit, në një përballje ku kontrolluan lojën dhe përfituan maksimalisht nga avantazhi numerik.

Carrick, i cili fillimisht u pa si një zgjidhje e përkohshme në stolin e United, po fiton gjithnjë e më shumë besimin e drejtuesve të klubit, me Sir Jim Ratcliffe dhe bordi drejtues që tashmë po e konsiderojnë seriozisht si kandidat për të marrë postin në mënyrë të përhershme.

Ndeshja u ndikua ndjeshëm nga dalja me karton të kuq e Cristian Romero-s në minutën e 29-të. Mbrojtësi argjentinas u ndëshkua me të kuq direkt pas një faulli të rëndë ndaj Casemiros, duke lënë Tottenhamin me një lojtar më pak për më shumë se një orë lojë.

United përfitoi nga superioriteti numerik dhe kaloi në avantazh në pjesën e parë me golin e Bryan Mbeumo.

Në fraksionin e dytë, Bruno Fernandes vulosi fitoren 2-0, duke konfirmuar formën e tij të shkëlqyer.

Goli i Mbeumos ishte veçanërisht i dhimbshëm për trajnerin e Spurs, Thomas Frank, i cili kishte qenë një nga figurat kyçe në zhvillimin e francezit gjatë kohës së tij te Brentford.

Edhe para kartonit të kuq, Manchester United dukej një skuadër plot vetëbesim, e çliruar taktikisht pas ndryshimeve të fundit. Bruno Fernandes ishte protagonist absolut në fushë, duke lëvizur në çdo sektor dhe duke krijuar vazhdimisht rrezik për mbrojtjen kundërshtare.

Paraqitje pozitive zhvilluan edhe Kobbie Mainoo, i rikthyer në formacion dhe dukshëm më energjik, si dhe Matheus Cunha e Amad Diallo, të cilët u shfaqën të lirë dhe kreativë në fazën ofensive.

“Pse nuk na mbështet Berisha?”/ Banorët e Rrjollit: Na thërret në protestë më 10 shkurt, mos ka dorë….

Banorët e Rrjollit protestuan sërish kundër punimeve në resortin që po ndërton në zonë biznesmeni Bashkim Ulaj.

Prej gjashtë ditësh ata protestojnë, ndërsa u kanë bërë edhe një thirrje kreut të PD Sali Berishës.

Sipas tyre, ata janë thirrur në protestën që do të mbahet të martën më 10 shkurt, por vetë Berisha nuk po i mbështet në protestën e tyre.

“Pse Sali Berisha na thërret me datën 10 kur ka interesa veta që të bëjmë rrëmujë. Kur e sheh 6 ditë këtë popull dhe nuk e çoi një përfaqësues, apo pse nuk erdhi për të na përfaqësuar e mbështetur në grevën tonë, në tokën tonë. A mos vallë ka dorë edhe Sali Berisha në këtë mes? I lutemi, mos na thirr kur ke interesat e tua, por na mbështet edhe në interesat tona”, shprehet një prej protestuesve.

Banorët e tjerë thonë se punimet do të ndërpriten çdo ditë.

“Çfarë kemi mbetur këtu jemi, çfarë do të vijë do e shohim. Do të jetë një protestë që nuk do të mbyllet as sot as pas një muaji, i bëjmë thirrje shtetit t’i vërë këto letra në dukje”- shprehen protestuesit.

Edhe në ditën e gjashtë punimet u ndërprenë përkohësisht, teksa banorët shprehen të vendosur për të mos lejuar punimet.

Deri tani është hapur rruga drejt kantierit të ndërtimit, ndërsa vendasit thonë se në momentin që do të preket zona e plazhit dhe pylli, atëherë protestat do të jenë më të ashpra.

LEXO EDHEVIDEO/ “Gazermë” me 150 policë, Rrjolli nën rrethim për të mbrojtur resortin e Bashkim Ulajt

“Arratisje” nga Arabia/ Jo vetëm Ronaldo, shumë emra me peshë po lënë “Saudi Pro League”

Në vitet ’70 ishte NASL, kampionati amerikan i futbollit i konsideruar parajsa e futbollistëve në fund të karrierës që e shihnin atë si një opsion për të fituar më shumë të ardhura për t’i pasur pas mbylljes së karrierës.

Më pas erdhi Liga japoneze dhe më pas ajo kineze. Te gjitha flluska sapuni që plasën. Arabia Saudite u duk se do të kishte një rrugëtim ndryshe.

Kjo në radhë të parë për shkak të peshës së madhe politike që përfshin edhe FIFA; mjafton të shohësh paratë e siguruara për evenimentet që janë kërkuar nga Infantino.

Në radhë të dytë, për faktin se në Saudi Pro League janë transferuar shumë futbollistë të një niveli të larte dhe nuk bëher fjalë vetëm për ata që janë në fundin e karrierës së tyre. Por çështja Ronaldo po bën që të shfaqet një problem akoma më i thellë

Ylli portugez denoncoi faktin se nuk ka asnjë ndryshim nga ana e Fondit Sovran saudit PIF. Përveç mungesës së investimeve në merkato për Al Nassr, ndërkohë që ndryshe ndodhi me Al Hilal, së fundmi janë publikuar lajme në lidhje me vonesën e dhënies së pagave dhe çështja e ngritur nga Ronaldo duket se është vetëm maja e ajsbergut.

Largimi i parakohshëm i Jordan Henderson nga El Ettifaq, vetëm 6 muaj pas transferimit të tij për 14 milionë euro krijoi një precedent. Pas tij i thanë lamtumirë futbollit arab emra si Seko Fofana (aktualisht te Porto), Neymar, Talisca, Jota, Alex Telles dhe Ivan Rakitic. Kampioni aktuali i kampionatit, Al Ittihad është ndër klubet më të goditur. Skuadra që tani drejtohet nga Sergio Conceiçao humbi N’Golo Kante(që shkoi te Fenerbahçe) dhe pa që Karim Benzema të transferohet te Al Hilal. Fabinho dhe Danilo Pereira mund të jenë futbollistët e radhës që pritet të largohen.

Projekti saudit që e bëri presidentin e FIFA, Gianni Infantino të parashikojë një ligë në rrugën e duhur për të qenjë një ndër më të mirat në botë, tani duhet të përballet me merkaton e kampionateve të tjerë si MLS, ai turk apo brazilian.

Largimet e Joao Cancelo dhe Kante ngrejnë dyshime për qëndrueshmërinë e një turneu që rrezikon të kthehet në pikën e nisjes, ndërkohë që afrohet Botërori 2034 që do të organizohet pikërisht nga Arabia Saudite.

LEXO EDHEFenerbahçe nuk përmbahet/ Firmos Kante, pritet edhe ish-sulmuesi i Liverpool

Kush është kirurgu italian që operoi biznesmenin që vdiq! Ja në cilat klinika punonte

Andrea Formiga është kirurgu nën hetim nga prokuroria e Padovës në Itali, i cili operoi sipërmarrësin italian në një klinikë private në Shqipëri.

Pacienti kreu ndërhyrjen për zvogëlimin e stomakut dhe më pas kaloi në arrest kardiak në klinikë dhe ndërroi jetë në QSUT, ku ishte dërguar për ndihmë.

LEXO EDHENdërhyrje për zvogëlimin e stomakut, biznesmeni italian humb jetën në një klinikë në Tiranë

Formiga është një kirurg italian i cili prej disa vitesh bashkëpunon me qendrën shëndetësore Trita Hospital në Shqipëri. Kjo qendër operon gjithashtu edhe klinikën esetike DermoLife.

Në një video të ndarë në faqet zyrtare të Trita Hospital, shkruhet se “pacientët e quajnë doktori i mrekullive’”. Mjeku rrëfen se ka më shumë se 30 vjet në këtë profesion. Veç Shqipërisë, thotë se është i aktivizuar në Liguria dhe “pak a shumë në të gjithë Italinë.”

Në Tiranë vinte 1 ose 2 herë në muaj ku në qendrën shëndetësore aplikon kirurgjinë bariatrike të stomakut ose që trajton problemet që lidhen me peshën. Gjithashtu kryen edhe procedura si fibrogastroskopia dhe kolonoskopia, ndërsa rendit edhe shërbime të tjera.

Dr. Andrea Formiga është Kirurg i Përgjithshëm si dhe Drejtor i Qendrës Ndërdisiplinore Bariatrike (C.I.B.O.) në Milano. Pas diplomimit në Mjekësi dhe Kirurgji nga Universiteti i Milanos (1996), ai u specializua përsëri në të njëjtin universitet, në Kirurgjinë e Përgjithshme (2002). Në vitet 1994-1997 Dr. Formiga hodhi hapat e tij të parë profesional si student/mjek në Spitalin San Giuseppe të Milanos. Në vitin 1998 filloi punë, fillimisht si rezident dhe më pas si specialist i pavarur në Kirurgjinë e Përgjithshme, në Poliklinikën San Marco, nën drejtimin e Prof. Carlo Rebuffat. Në vitin 2008 filloi t’i përkushtohej aktivitetit Bariatrik në Klinikën San Carlo në Milano, ndërsa nga viti 2014 deri në vitin 2015 ishte Shef i Kirurgjisë së Përgjithshme dhe Endoskopisë Digjestive në Institutin Auxologjik. Që nga viti 2002, Dr. Formiga ka qenë profesionist i pavarur në Casa di Cura La Madonnina, një aktivitet të cilin me kalimin e viteve ai e ka shtuar edhe në Casa di Cura Columbus, Casa di Cura Villa Arbe në Milano, Casa di Cura Montanari, në Morciani di Romagna, si dhe në Spitalin Nigrisoli në Bolonja. Dr. Formiga ka historinë më të madhe të rasteve italiane për trajtimet endobariatrike të kryera dhe një listë të gjatë të ndërhyrjeve nariatrike për të mposhtur obezitetin.”

E njëjta përmbledhje edhe në faqen e DermoLife, por shtohen disa detaje, si:

“Nga viti 2008 – në vazhdim, Dr. Formiga ka realizuar mbi 500 procedura bariatrike ndërkombëtarisht. Ky angazhim ka çuar në krijimin e qendrës së parë italiane për trajtimin e obezitetit me teknika endoskopike mininvasive, një arritje që ka pasur ndikim të madh në përmirësimin e kujdesit për pacientët me obezitet.”

Ndërsa më tej theksohet “qasja e kujdesshme” e Formigas ndaj pacientëve.

“Dr. Formiga është i njohur për qasjen e tij të kujdesshme dhe të personalizuar ndaj pacientëve, duke ofruar një mbështetje të plotë gjatë gjithë procesit të trajtimit dhe pas interventit.”

VIDEO/ Kastrioti-Kukësi, plas grushti në Fushë Krujë

Momente tensioni u regjistruan në minutën e 24-t në duelin mes Kastriotit dhe Kukësit të zhvilluar në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë-Krujës.

Një faull i vendasve në krahun e majtë të fushës, solli një përleshje masive mes lojtarëve, teksa ai që e pësoi ishte sulmuesi i Kukësit, Tajo, i afruar me bujë në merkaton e dimrit nga skuadra e Skënderbeut.

20-vjeçari u ndëshkua nga gjyqtari Dyrmishi me karton të kuq në debutimin e tij me Kukësin, ndërkohë që Samuel, Uilson dhe Hasa, u ndëshkuan me karton të verdhë.

Shikoni pamjet:

Dëshmia para Kongresit për çështjen “Epstein”, familja Clinton kërkon që seanca dëgjimore të jetë publike

Pasi pranuan që të dëshmojnë para Kongresit amerikan lidhur me çështjen “Epstein”, ish-presidenti amerikan Bill Klinton dhe ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton, kërkuan që ajo të jetë publike.

Ish-çifti presidencial demokrat u thirr të jepte dëshmi me dyer të mbyllura para komitetit mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve, i drejtuar nga republikanët, që po heton lidhjet e Epstein me figura të fuqishme dhe mënyrën se si është trajtuar informacioni rreth krimeve të tij. Bill Clinton theksoi se një seancë e mbyllur mund të përdoret për qëllime politike, ndërsa Hillary Clinton deklaroi se çifti kishte ndarë tashmë atë që dinë rreth asaj çështjeje.

“Nëse e doni këtë betejë, le ta bëjmë publikisht”- tha ish-sekretarja e Shtetit , – Ju pëlqen të flisni për transparencën. Nuk ka asgjë më transparente se një seancë dëgjimore publike, me kamera të ndezura. Ne do të jemi atje.”- theksoi ajo.

Ish-presidenti Clinton dhe një sërë figurash të rëndsishme botërore, përfshirë kreun e Shtëpisë së Bardhë Donald Trump, kanë patur një marrëdhënie të mirë me Jeffrey Epstein në fund të viteve 1990 dhe fillim të viteve 2000.

Të dy përmenden dhe kanë fotografi në dosjet e çështjes Epstein të publikuara nga Departamentit të Drejtësisë, por as Trump dhe as Clinton nuk janë akuzuar për ndonjë shkelje në ndërveprimet e tyre me financierin e ndjerë.

Ish- çifti presidencial tha se nuk ka patur dijeni se Epstein abuzonte seksualisht me vajza të mitura përpara se prokurorët të ngrinin akuza kundër tij.

Sipas FOX News, Hillary Clinton do të dëshmojë para Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve më 26 shkurt, ndërsa bashkëshorti i saj, Bill Clinton do të paraqitet më 27 shkurt.

Juristi Bledi Dervishaj: Gjykata Kushtetuese dështoi në misionin e saj, tani SPAK nuk ka kufij dhe mund të luajë edhe rol politik, vendos me kë do të qeverisë (SQARIMI JURIDIK)

Juristi i njohur Bledi Dervishaj thotë se vendimin e djeshëm, për të mos marrë vendim, Gjykata Kushtetuese ka dështuar në misionin e saj sublim, sepse nuk e zgjidhi në mënyrë përfundimtare mosmarrëveshjen e lindur mes Qeverisë dhe Drejtësisë për rastin “Balluku”.

Sipas tij, duke e lënë çështjen pa zgjidhje dhe në konflikt të hapur midis pushteteve, atëherë kjo çështje tashmë ligjërisht, rikthehet edhe njëherë për shqyrtim në tryezën e një gjyqtari në Gjykatën e Posaçme të Apelit, për shkak se ende nuk është shqyrtuar ankimi individual, ndaj masës së sigurimit “pezullim nga detyra”.

“Efektet që sjell dhe pasojat që krijohen nga lënia pa zgjidhje nga Gjykata Kushtetuese, e një çështje me kaq rëndësi të lartë shtetërore, mbi një mosmarrëveshje të kësaj natyre midis tre degëve kryesore të pushteteve në Republikën tonë Parlamentare, janë shumë herë më të rënda, se sa ato pasoja me karakter individual”, shkruan Blendi Dervishaj.

Juristi sqaron se në këtë situatë të përkohshme pa zgjidhje, pra pa vendim të Gjykatës Kushtetuese, struktura e posaçme (gjyqësori dhe prokuroria), në kushtet kur nuk ka një zgjidhje përfundimtare të vendosjes së qartë të kufijve, balancës, dhe kompetencave midis pushteteve (ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor), ka në dorë praktikisht të zgjedhë, që rast pas rasti, ta luajë ose jo, një rol me karakter politik, kryesisht, për shkarkimin e një anëtari të Këshillit të Ministrave, duke diktuar, rast pas rasti, se kush dhe me kë do të qeverisë.

“Kjo qasje, nuk ka lidhje me emra individë lsh, apo fatin e tyre, politik apo ligjor. Jo”, thekson ai.

Sipas Bledi Dervishaj, Shqipëria po përjeton një situatë të paqartë dhe kaos organizativ e ligjor, që nuk e ka asnjë vend tjetër me standarde europiane, sepse të gjithë bëjnë siç ju thotë mendja dhe Gjykata Kushtetuese, si arbitër, nuk ka kurajo që të përmbushë detyrimet e tij për ta zgjidhur çështjen në themel.

“Kjo është e papranueshme”, thekson ai.

Lexoni shënimin e juristit Bledi Dervishaj, ish-Këshilltar për Çështjet ligjore i Presidentit të Republikës

Në Kushtet, kur Gjykata Kushtetuese ditën e djeshme në datë 06.02.2026, nuk e përmbushi misionin e saj sublim, pra nuk e zgjidhi në mënyrë përfundimtare mosmarrëveshjen e lindur, duke e lënë çështjen pa zgjidhje dhe në konflikt të hapur midis pushteteve, atëherë kjo çështje tashmë ligjërisht, rikthehet edhe njëherë për shqyrtim në tryezën e një gjyqtari në Gjykatën e Posaçme të Apelit, për shkak se ende nuk është shqyrtuar ankimi individual, ndaj masës së sigurimit “pezullim nga detyra”.

Kujtoj që, Gjykata e Posaçme e Apelit, në datën 18 dhjetor 2025, ka vendosur:

Pezullimin e shqyrtimit gjyqësor të çështjes nr.86 (61007-00414-87-2025), datë regjistrimi 11.12.2025, përsa i përket shqyrtimit të ankimit të ankueses B.B. ndaj vendimeve 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që ajo ka kundërshtuar caktimin dhe vazhdimin e masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, deri në zgjidhjen me vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese të çështjes së regjistruar për gjykim në atë gjykatë, me kërkues: Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me objekt:

“(i) zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit e Këshillit të Ministrave dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë;

(ii) shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, që ka vendosur masën ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, shtetases B.B. dhe pezullimin e këtij vendimi;

(iii) interpretimin e pikës 3 të nenit 103 të Kushtetutës”, çështje për të cilën Gjykata Kushtetuese ka disponuar me vendimin datë 12.12.2025: “Pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese

“Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases B.B., sipas nenit 45 të ligjit organik të Gjykatës”.

Efektet që sjell dhe pasojat që krijohen nga lënia pa zgjidhje nga Gjykata Kushtetuese, e një çështje me kaq rëndësi të lartë shtetërore, mbi një mosmarrëveshje të kësaj natyre midis tre degëve kryesore të pushteteve në Republikën tonë Parlamentare, janë shumë herë më të rënda, se sa ato pasoja me karakter individual.

Praktikisht, në këtë situatë amorfe, edhe pse e përkohshne pa zgjidhje, pra pa vendim të Gjykatës Kushtetuese, struktura e posaçme (gjyqësori dhe prokuroria), në kushtet kur nuk ka një zgjidhje përfundimtare të vendosjes së qartë të kufijve, balancës, dhe kompetencave midis pushteteve (ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor), ka në dorë praktikisht të zgjedhë, që rast pas rasti, ta luajë ose jo, një rol me karakter politik, kryesisht, për shkarkimin e një anëtari të Këshillit të Ministrave, duke diktuar, rast pas rasti, se kush dhe me kë do të qeverisë. Kjo qasje, nuk ka lidhje me emra individë lsh, apo fatin e tyre, politik apo ligjor. Jo.

Por Shqipëria, si vend i çudirave, po përjeton pikërisht një situatë të paqartë, dhe kaosi organiziativ dhe ligjor, që nuk e ka asnjë vend tjetër me standarte europiane, e krijuar apo e përkeqësuar pikërisht për shkak se, secili bën si i thotë mendja, ndërsa arbitri kushtetues, nuk ka kurajo, që të përmbushë detyrimet e tij për ta zgjidhur çështjen në themel.

Kjo është e papranueshme.

❌