Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Dallaveret me vota në Malishevë, kryesuesi i komisionit ndalohet për 48 orë



Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se më datë 28 janar 2026 ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë procesit të numërimit të votave brenda subjekteve politike për zgjedhjet e deputetëve të Kuvendit në Komunën e Malishevës.

Në njoftim thuhet se, pasi në datën e lartë cekur nuk ishte siguruar prezenca e një kryesuesi të komisionit, sot më 2 shkurt është siguruar prezenca e tij për intervistim.

Pas veprimeve procedurale, Prokurori i Shtetit ka marrë vendim për ndalimin e tij prej 48 orësh.

Ndaj të njëjtit, Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente, për shkak të veprës penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, thuhet në njoftim.

Borxhi në banka, mbi 600 milionë euro mbitërheqje nga qytetarët dhe bizneset



Mbitërheqjet bankare (overdraft) të qytetarëve e bizneseve në Kosovë gjatë vitit 2025 kanë arritur vlerën 655 milionë euro.

Sipas të dhënave të reviduara (verifikuara) nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), stoku i mbitërheqjeve apo overdrafteve në fund të vitit 2025 ka arritur vlerën prej 655 milionë eurove, një rritje prej 11.4 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024, bën të ditur Instituti GAP.

Pjesën më të madhe të kësaj vlere e përbëjnë overdraftet e bizneseve, të cilat në vitin 2025 janë rritur për rreth 49 milionë euro apo 10 për qind.

Sipas një publikimi nga Instituti GAP, norma mesatare efektive (e ponderuar) e interesit e aplikuar në këto overdrafte gjatë vitit 2025 ishte 7 për qind.

"Ndërkaq, overdraftet e ekonomive familjare kapin vlerën prej 115.9 milionë euro, që përbën një rritje rreth 18 milionë euro apo 19% krahasuar me vitin paraprak. Norma mesatare efektive e interesit (e ponderuar) e aplikuar në overdraftet e ekonomive familjare gjatë vitit 2025 ishte 12.3 për qind", thuhet në njoftimin e Institutit GAP.


Aksident në qendër të Shkodrës, goditet humoristi Nexho Shabani



Një aksident rrugor ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të diele në qendër të qytetit të Shkodrës, ku një automjet ka përplasur humoristin Nexho Shabani, i cili po lëvizte me biçikletë.

Si pasojë e përplasjes, Shabani ka pësuar dëmtime të shumta dhe është transportuar me urgjencë në spital, ku po merr ndihmën mjekësore.

Për lajmin ka shkruar edhe kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci.

“Sonte, Nexho Shabani, Nexhoja i tavolinave, njeriu popullor që sjell humorin tipik shkodran kudo ku ulet, ka nevojë për lutjet tona.

Pas një aksidenti të rëndë, gjendja e tij shëndetësore është e paqëndrueshme, ndërsa mjekët e Spitalit Rajonal të Shkodrës janë të angazhuar maksimalisht”.


Muzeu Etno-Kastrioti pasurohet me eksponate 200-vjeçare



Muzeut Etno-Kastrioti në Isniq të Deçanit, krahas mijëra eksponateve të vjetra të grumbulluara ndër vite, këto ditë i është shtuar edhe një “Kosh i Drithërave”, i vjetër rreth 200 vjet.

Zekë Sinanaj, pronar i mëparshëm i këtij eksponati, thotë se me kënaqësi e ka dhuruar koshin për muzeun, i bindur se këtu do të ruhet më mirë dhe do t’i zgjatet jetëgjatësia e tij.

"Miftarit kanë filluar kohëve të fundit, sidomos duke e parë rëndësinë e këtij projekti, t’i ofrojnë eksponate të ndryshme pothuajse nga të gjitha vendet. Natyrisht, në oborrin e familjes sonë e kemi pasur edhe këtë kosh, i cili vlerësohet të jetë mbi 200 vjeç. Për të mos u shkatërruar krejtësisht, kam vendosur ta sjell këtu që gjeneratat e ardhshme të shohin si kanë ditur ta ruajnë misrin dhe prodhimet e tjera të paraardhësve tanë. Prandaj, mendoj se është shumë i rëndësishëm, sikurse të gjitha eksponatet e tjera që janë këtu", tha Sinanaj.

Dhurimin e këtij eksponati të vjetër e ka mirëpritur edhe koleksionisti Miftar Januzaj, i cili tha se ky shtesë do të rrisë edhe më shumë vlerën e muzeut.

"Pas shumë eksponateve që na i kanë sjellë nga i gjithë vendi dhe rajoni, është edhe ky kosh, i përdorur nga familja e Selman Bejtë Sinanaj dhe i sjellë në Muzeun Etno-Kastrioti nga djali i tij, Zekë. Çka është me rëndësi, për brezat që do të vijnë, këto eksponate do të tregojnë përmes trashëgimisë sonë se kush ishim", deklaroi koleksionisti Miftar Januzaj.

Ai ndërkaq ka një lutje për të gjithë qytetarët që artefaktet dhe eksponatet e tilla të mos i shkatërrojnë, por t’i sjellin në muze, në mënyrë që të ruhet trashëgimia kulturore e këtij lokaliteti nëpër kohë./RTK

Veshja tradicionale e Hasit nis rrugëtimin drejt UNESCO-s



Veshja tradicionale e Hasit, një ndër më të vjetrat në trojet shqiptare, pritet të nisë rrugëtimin drejt UNESCO-s. Për të siguruar pranimin e saj në këtë organizatë ndërkombëtare, studiuesit dhe mbështetësit e kulturës theksojnë rëndësinë e ruajtjes së origjinalitetit të punimit dhe mënyrës së bartjes së saj.

Leme Tanaj, 71-vjeçare nga Gorozhupi i Hasit, ka veshur këtë rrobë tradicionale për dekada dhe kujton me nostalgji punën e madhe që kërkonin veshjet e zonës. Në ditën e martesës, ajo kishte përgatitur tetë veshje të kompletuara, të gjitha të punuara me dorë, të cilat fatkeqësisht u shkatërruan gjatë luftës.

"Kur u nisa për martesë, i kisha tetë veshje. Ato kishin vendet e tyre: më të thjeshtat për shtëpi, ato për dasmë dhe për ngjarje të veçanta ishin më të punuara. Veshja e dekës, për shembull, kishte më pak lule dhe ngjyra më të mbyllëta", rrëfen Tanaj.

Gjenerata më e re, përfshirë Rabije Hodaj nga Shoqëria Kulturore “Hasi Jehon”, vazhdon ta përdorë veshjen për raste të veçanta, si festivalet tradicionale. Ajo thekson se veshja tregonte edhe gjendjen sociale të femrës.

"Përmes veshjes mund të dallosh nëse një grua ishte e ve, pjesëmarrëse në dasmë apo nuse e re. Nuset e reja vishnin fustanella me kanac të kuq, 33 metra të gjatë, ndërsa gratë e mesme përdornin mshellak", thotë Hodaj.

Sipas studiuesit Nexhat Çoçaj, veshja hasjane daton mbi 2,500 vjet më parë. Ajo karakterizohet nga asimetria e punimit dhe një “gjuhë komunikimi” që tregonte jetën sociale të komunitetit.

Çoçaj thotë se, në bashkëpunim me Institutin për Trashëgimi dhe Kulturë “Pjetër Bogdani” dhe shoqërinë kulturore “Hasi” në Tiranë, po hartohet kërkesa për pranimin e veshjes në UNESCO, e cila pritet të nisë në prill 2026.

"Rregullat e UNESCO-s kërkojnë që çdo veshje që prezantohet dhe pranohet të jetë origjinale, të punohet origjinale dhe të ruajë bartjen origjinale. Veshja e Hasit humbet karakterin e saj unik nëse i hiqet 'gjuha e komunikimit' ose figurat që tregojnë jetën sociale të bartësit, qoftë veshja e Krumës, qoftë ajo e Vlahnës, apo veshja e Zymit si nënvariant i saj."

Ai gjithashtu nënvizon se nëpër shtëpitë hasjane në Kosovë dhe Shqipëri janë identifikuar mbi 150 veshje të kompletuara, të ruajtura me fanatizëm nga gjeneratat e vjetra, duke siguruar që trashëgimia kulturore të mbetet e gjallë për brezat e ardhshëm./RTK

Rrëfimi i ish-ushtarit të UÇK-së që u mbajt rob 40 ditë nga Serbia



Karavanit të 150 ushtarëve të lirisë, po i printe Mujë Krasniqi, i njohur si komandant “Kapuçi”.

13 dhjetori i vitit 1998 i gjeti në Cahan të Krumës, e mbrëmjen e asaj të diele, morën rrugën për në Kosovë.

Ata gjatë këtij rrugëtimi u përballën me një prit nga forcat serbe.

Nga dëshmorët e parë që ranë në këtë betejë, ishte Veli Ballazhi. Por, kushëriri i tij, Sameti, nuk e pati këtë fat. Ky i fundit, ishte në mesin e 8 ushtarëve të UÇK-së, të cilët u zunë rob nga forcat serbe.

Sameti tregon se motivi për t’iu bashkuar UÇK-së lindi nga gjendja e rëndë në Kosovë dhe nga luftimet që nisën në Drenicë, duke e shtyrë atë dhe bashkëluftëtarët të shkonin në Shqipëri për t’u trajnuar dhe për t’u radhitur në radhët e rezistencës.


Samet Ballazhi me shokë, i kapur rob në Pashtrik nga serbët

Ai tregon se grupi që u kapën rob u mbajt i ndarë në burgje të ndryshme në Serbi për rreth 40 ditë, duke përjetuar kushte të rënda dhe pasiguri të vazhdueshme për fatin e tyre.

Lirimi i tyre u bë përmes një marrëveshjeje këmbimi, me ndërmjetësimin e OSBE-së.

Kjo ndodhi pasi në një betejë në Shalë të Bajgorës, UÇK-ja kishte zënë rob 8 oficerë serb dhe përmes OSBE-së ata ishin shkëmbyer me ushtarët e UÇK-së.

Pavarësisht vuajtjeve dhe pasojave fizike nga plagët e luftës, Ballazhi thekson se besimi në liri nuk u shua asnjëherë.

“Ne u betuam: ose vdekje, ose liri”, shprehet ai, duke shtuar se edhe në momentet më të vështira besonin se Kosova do të ishte e lirë, edhe nëse jo për veten e tyre.

Ushtarët serb, të kapur rob nga UÇK-ja që u shkëmbyen me grupin e Samet Ballazhit

Sot, rrëfimi i Samet Ballazhit mbetet një dëshmi e gjallë e sakrificës, qëndresës dhe idealit për liri.

Historia e tij kujton se liria dhe pavarësia e Kosovës nuk erdhën lehtë, por u ndërtuan mbi dhimbje, përkushtim dhe besim të palëkundur në të ardhmen./Telegrafi/

- YouTube youtu.be

Krasniqi: Grupi parlamentar multietnik në legjislaturën e 10-të do të përbëhet nga 8 deputetë



Kryetari i Iniciativës së Re Demokratike të Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se në legjislaturën e 10-të të Kuvendit të Kosovës, grupi parlamentar multietnik do të përbëhet nga gjithsej tetë deputetë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Krasniqi ka bërë të ditur se ky grup do të përfshijë deputetë nga partitë KDTP, VAKAT, NDS, IRDK, PSA, SPO dhe LPRK.

Ai ka theksuar se përkushtimi i këtij grupi është që të japë kontributin e tij në formimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, sa më parë.

“Të përkushtuar të japim kontributin tonë në formimin e institucioneve të republikës sa më parë”, ka shkruar Krasniqi.

Kujtojmë, ulëse në Kuvend nga komunitetet joserbe kanë fituar edhe Veton Berisha, Duda Balje dhe Adem Hoxha./Telegrafi/


Borë e akull, policia njofton se u vështirësua qarkullimi në shumë rrugë të Kosovës



Policia e Kosovës bën të ditur se si pasojë e reshjeve atmosferike, rrugëve me ngrica dhe dukshmërisë së zvogëluar, kushtet e qarkullimit janë të vështirësuara në shumë segmente rrugore.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës thekson se me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe ruajtjes së sigurisë së të gjithë pjesëmarrësve në trafik, apelohet që drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndermarrin këto masa: Përshtatja e shpejtësinë e lëvizjes me kushtet aktuale të rrugës, mbajtja e distancës së sigurt nga mjeti përpara, përdorimi i dritave në kushte të dukshmërisë së reduktuar.

Ai kërkoi po ashtu nga pjesëmarrësit në trafik po ashtu të shmangin manovrat e rrezikshme (parakalime të panevojshme, frenime të papritura), dhe shoferët të sigurohen që automjeti të jetë i pajisur dhe teknikisht i rregullt për kushte dimërore

“Policia e Kosovës mbetet e angazhuar në terren për monitorim dhe menaxhim të trafikut, ndërsa bashkëpunimi i qytetarëve është kyç për siguri të përbashkët.Udhëtoni me kujdes. Siguria juaj është prioriteti ynë”, thotë ai.

Sot, gjatë ditës janë raportuar për disa aksidente në vend, si rrjedhojë e reshjeve të borës.


Në vijën e parë të shpëtimit, zjarrfikësit e Gjakovës sfiduan vërshimet



Gjatë përmbytjeve në Gjakovë, Brigada e Zjarrfikësve qëndroi në vijën e parë të shpëtimit, duke evakuuar familje të rrezikuara dhe duke përballuar sfidat e ujit dhe terrenit të panjohur.

Në shiun që s’u ndalë për orë të tëra e rrugët e stërmbushura me ujë, Brigada e Zjarrfikësve të Gjakovës nuk kërkonte strehë.

Në vërshimet e fundit që u përballë vendi nga reshjet e dendura të shiut, zjarrfikësit u vendosën në vijën e parë të shpëtimit duke ndihmuar familje të tëra që mbetën të ngujuara në shtëpitë e tyre.

Ato rrethana i tregojnë këto pamje, në ditë e natë, zjarrfikësit kishin njëri-tjetrin, varkat dhe shpresën.

“Kam qenë personalisht në fshatin e Gjelbër, kemi evaukuar mbi 30 familje, kam qenë personalisht aty. Ka qenë situatë emocioni, i shifshim anëtarët e familjet. Kati i parë ishte përmbytur tërësisht, familja kishe shkuar në katin e dytë, të kapur në dritare. Të thoshin të gjithë: Hajde te unë, tjetri hajde merrem mu. U dashke me i qetësu me ju thanë që të gjithë do t’i tërheqim. Përpiqeshim familjet me fëmijë t’i evakuonim të parat, ishin në panik, qanin”, ka deklaruar Fitim Agushi, zjarrfikës.

Agushi tregon se profesioni ka ditur ta sfidojë por edhe t’i falë momente të çmueshme.

“E kam pas rastin edhe një të moshuar t’a evakuojë. Fshati i Gjelbërt krejt ujë ka qenë. Të moshuarit janë më të stresuar, kanë frikë. Te fëmijët dhe të moshuarit janë më delikatët në këto raste. Pa e dasht punën nuk mundesh me hy këtë profesion. Duhet me dit se kjo punë ka lloj-lloj sfide. Ka pas raste kur fëmijët na thonin fjalë shumë të mira. Na thonin “Je heroi im”. Kemi pas lavdata shumë. Zjarrfikësit janë gjithmonë në shërbim të popullit në çdo situatë, zjarr, ujë, mbyllje shtëpisë. Gjithkund!”, ka theksuar ai.

Për sfidat e terrenit e veçanërisht përballjet ndër vite me vërshimet, tregon edhe drejtuesi i kësaj brigade.

“Para se me mbërri tek vendi zakonisht i ndajmë detyrat por Uji është sfida më e madhe se terreni është i panjohshëm se nuk e din terrenin, nuk e din ku duhesh me shkel. Më problematikun e kemi pas këtu te stacioni i autobusëve, shtëpitë kanë qenë të mbuluara katin e parë me ujë. U tutshim po na bjen najsen prej katit të dytë po prapë po them, intervenimi në ujë është më i zorshmi. Kemi pas vërshime edhe para 3-4 viteve po kësaj here i kemi përballuar më lehtë. Ka pasur më pak thirrje për t’iu ndihmuar”, ka deklaruar Xhevdet Brahimaj – Komandant i Zjarrfikësve – Gjakovë.

Reshjet u ndalën e uji nga vërshimet u tërhoq por në vijën e parë të shpëtimit në rast të situatave emergjente, aty mbetet prapë një brigadë zjarrfikësish, që nuk pushon derisa gjithçka, të jetë e sigurt përsëri./Tv Dukagjini

- YouTube youtu.be

Kurti vlerëson veprën e Hazir Rekës: Dëshmitar i qetë dhe i thellë i historisë sonë



Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar lart veprën dhe kontributin e fotografit Hazir Reka, duke e cilësuar atë si një dëshmitar të qetë dhe të thellë të kohës sonë.

Në një postim, Kurti ka theksuar se përmes fotografisë, Reka ka ruajtur tensionet e ngjarjeve, peshën e gjendjeve dhe fytyra të papara, ku pritja bashkon ankthin me shpresën, ndërsa dinjiteti ndan dhimbjen nga frika. Sipas tij, Hazir Reka ka dokumentuar guximin dhe krenarinë, vuajtjet dhe rreziqet që populli i Kosovës i ka përjetuar përgjatë tri dekadave.



Kryeministri ka bërë të ditur se veprat, produktet, mjetet dhe aparatet fotografike të Rekës janë arkivuar dhe po ekspozohen në studion e tij të veçantë në fshatin e lindjes, Nerodime të Ferizajt, në një ambient të këndshëm dhe përplot bukuri.

“Fotografia e tij është kujtesë publike që reziston me estetikë dhe një akt ndërgjegjeje që përgjigjet me qytetari”, ka shkruar Kurti, duke shtuar se përmes dokumentimit të asaj që sheh, Reka rikthen shoqërinë në vendet ku janë shkrepur fotografitë dhe krijon një proces edukimi për brezat.

Në fund, Kurti ka falënderuar përzemërsisht Hazir Rekën dhe familjen e tij për mikpritjen e ngrohtë, kohën, respektin dhe bujarinë, duke i uruar shëndet, frymëzim dhe suksese të mëtejshme.


Koordinim Shqipëri-Kosovë, operacioni i kërkimit për të riun e zhdukur në lumin Mat vazhdon



Prej disa ditësh, efektivët e Forcave Tokësore nga Shqipëria po vijojnë pa ndërprerje operacionin e kërkimit për të riun e zhdukur në lumin Mat.

Në këtë mision janë angazhuar edhe forcat e FSK-së, duke rritur kapacitetet operacionale dhe koordinimin në terren.

Me përkushtim, profesionalizëm dhe bashkëveprim të vazhdueshëm, ekipet e përfshira po bëjnë maksimumin e mundshëm në këto kushte të vështira.

Operacioni po vazhdon me shpresë dhe mbështetje të përbashkët, deri në përfundim të tij.


Liqeni i Shkodrës drejt UNESCO-s, nominohet si rezervë ndërkufitare e biosferës



Me një artikull që nis me një përshkrim pikant nga i mirënjohuri Lec Shllaku të liqenit të Shkodrës, delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri i kushtoi këtë të shtunë një vëmendje të veçantë këtij liqeni.

Kjo pas përfundimit dhe dorëzimit të dosjes për nominimin e pellgut ujëmbledhës të liqenit më të vjetër në Ballkan si pjesë e trashëgimisë botërore të mbrojtur nga UNESCO me statusin “Rezervë Biosfere Ndërkufitare”.

Dosja në fjalë, e cila tashmë i është dorëzuar UNESCO-s, u realizua në kuadër të një projekti të financuar nga BE që vlerëson trashëgiminë e pasur të zonës, e cila reflektohet në peizazhin arkeologjik dhe kulturor rreth liqenit dhe vendodhjen strategjike të rajonit që pati shërbyer si një udhëkryq për kultura dhe civilizime të ndryshme, përfshi ato romane, bizantine dhe osmane.

Për Aurora Dibrën, një nga anëtaret e grupit të punës që u mor me dosjen, marrja e statusit “Rezervë Biosfere Ndërkufitare” do të kontribuojë në uljen e ndikimit të njeriut dhe atij të ndryshimeve klimatike në rajon. Zhvillimi i qëndrueshëm dhe përdorimi i qëndrueshëm i tokës në zonën e liqenit të Shkodrës janë mënyrat më efektive për të parandaluar dëmin mjedisor dhe humbjen e biodiversitetit.

Nevojitet gjithashtu zbatim i ligjit kundër ndërtimeve të jashtëligjshme, vijoi Dibra për autorët e artikullit të publikuar në faqen e delegacionit të Bashkimit Europian.

Me marrjen e statusit “Rezervë Biosfere Ndërkufitare”, liqeni i Shkodrës do t’i bashkohet zonave më të rëndësishme mjedisore në botë. Me shpalljen e liqenit si “Rezervë Biosfere Ndërkombëtare”, Shqipëria angazhohet për fuqizimin e komuniteteve lokale, avancimin e qeverisjes mjedisore dhe pozicionimin e pellgut ujëmbledhës të liqenit të Shkodrës si një model harmonie mes njeriut dhe natyrës.


Kapet në flagrancë grupi prej pesë personash, tentuan të vjedhin artarinë në Kaçanik



Më 1 shkurt 2026, rreth orës 01:40, Policia e Kosovës në Kaçanik ka pranuar informacione se dy persona po tentonin të thyenin dritaren e një artarie në rrugën “Ismail Raka” në Kaçanik.

Menjëherë pas pranimit të informacionit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur dhe arrestuar dy persona të dyshuar, shtetas të Serbisë: M.M. (36 vjeç) dhe D.T. (35 vjeç), të cilët janë kapur në flagrancë duke kryer veprën penale “Tentim i vjedhjes së rëndë”.

Po ashtu, rreth të njëjtës kohë, një patrullë tjetër policore ka ndaluar një veturë me targa vendore, në të cilën ndodheshin tre persona të dyshuar, shtetas të Kosovës: L.M. (48 vjeç), B.H. (42 vjeç) dhe R.F. (28 vjeç). Edhe këta persona janë shoqëruar në stacion policor.

Në vendin e ngjarjes ka dalë Njësia e Hetimeve, e cila ka kryer ekzaminimin dhe ka konfiskuar mjete të dyshuara të përdorura për kryerjen e veprës penale, përfshirë: një shufër metalike (hebell), dana, çelësa të ndryshëm, kaçavida, një mjet të mprehtë (skalpër), si dhe doreza.

Gjatë kontrollit ndaj të dyshuarve janë gjetur edhe çelësat e një veture të tipit VW Caddy me targa vendore, e cila ishte e parkuar në afërsi të vendit të ngjarjes.

Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe përkthyesit, ndërsa dy nga ta kanë pranuar përfshirjen në rast.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pesë të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet po vazhdojnë./Telegrafi/


Dëbora arrin deri në 1 metër, situatë e vështirë në zonat malore të Korçës



Situata është e vështirë në zonat malore të Korçës, pas reshjeve të borës.

Në majë të Mashkullores, si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës, trashësia e saj ka arritur deri në 1 metër.

Situata paraqitet e vështirë në zonat malore, ndërsa era e forte ka ndikuar në grumbullimin e dëborës ne segmenta te caktura.

Aksi rrugor Shtyllë–Panarit është aktualisht i kalueshëm vetëm për automjete tip fuoristradë, ndërsa drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në këtë segment, veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes./vizion+


Protesta e kamionistëve të Ballkanit bllokon eksportet bujqësore shqiptare



Në Divjakë, fermerët po vjelin perimet dimërore.

Por prodhuesit po hasin vështirësi në gjetjen e tregut. Fushat e mbjella me lakra janë plot. Një pjesë e prodhimit është prishur pasi duhej të ishte shitur më herët.

Pikat e grumbullimit nuk po marrin perimet pasi eksportet janë të pakta. Në këtë situatë ka ndikuar edhe greva e kamionistëve të vendeve të Ballkanit.

Edhe sasia që shitet është me çmim të ulët. Fermerët thonë se tregtimi po bëhet nën kosto dhe ata nuk nxjerrin dot shpenzimet.

Një hektar lakër sot bismilah, dhe me çmim qesharak. Shpenzime që nuk marrim as mundin e krahëve tona, lëri tjerat”, thotë një banor.

“S’do na ngeli gjë, por të paktën të nxjerrim shpenzimet”, shprehet një tjetër.

Probleme me shitjen ka edhe për prodhime të tjera si panxhari i kuq, qepa apo patatja. Fermerët e kanë të vështirë të gjejnë tregun.

Divjaka është zona nga ku eksportohen më shumë prodhime, si drejt vendeve të rajonit, ashtu edhe drejt shteteve të Bashkimit Evropian./Tv Klan

Plagoset një person në Mitrovicë, arrestohet i dyshuari



Sot rreth orës 14:00, Policia e Kosovës ka pranuar informatën për një person të plagosur në Mitrovicë nga arma e zjarrit.

Rasti ka ndodhur në rrugën “Ilaz Kodra”, ka njoftuar për Telegrafin zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

Viktima i moshës madhore (mashkull) i plagosur është dërguar në spital për trajtim mjekësor.

"Si rezultat i veprimeve të shpejta operative dhe hetimore, Policia ka arritur të identifikojë dhe arrestojë një person të dyshuar, i cili dyshohet se ka plagosur viktimën. Në cilësinë e provës materiale, nga i dyshuari është konfiskuar një armë zjarri", ka shtuar Zahiti.

Hetuesit policorë, në koordinim me Prokurorin e rastit, janë duke vazhduar procedurat e mëtejme hetimore./Telegrafi/

I dënuar për dhunim, i burgosuri gjendet i vdekur në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz



Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve kanë njoftuar se sonte rreth orës 22:00, në Burgun e Sigurisë së Lartë, një i burgosur me inicialet E.G. është gjetur pa shenja jete në dhomën e tij.

Sipas njoftimit zyrtar, stafi korrektues, ekipi mjekësor i institucionit dhe emergjenca e qytetit kanë reaguar menjëherë, mirëpo pavarësisht përpjekjeve, nuk është arritur që i burgosuri të rikthehet në jetë.

I ndjeri ishte duke vuajtur dënim për dy vepra penale të dhunimit. Ai ishte pranuar në institucion më 15 gusht 2024, ndërsa lirimi i tij ishte paraparë në vitin 2048.

Për rastin janë njoftuar Policia e Kosovës dhe prokurori kompetent, ndërsa SHKK dhe DSHB kanë iniciuar procedura hetimore dhe administrative për sqarimin e plotë të rrethanave.


Të shtënat te Kodra e Trimave në Prishtinë, pamje nga momenti i goditjes së turmës me veturë



Tre persona kanë mbetur të lënduar pas një incidenti të ndodhur sot rreth orës 15:30 në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, ku paraprakisht u raportua edhe për të shtëna me armë zjarri.

Lajmin e ka konfirmuar Policia e Kosovës për rajonin e Prishtinës, duke bërë të ditur se menjëherë pas pranimit të informacionit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Sipas Policisë, tre personat e lënduar nuk kanë pësuar plagë nga arma e zjarrit, por janë lënduar si pasojë e një goditjeje me veturë. Të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetë.

Ndërkohë, në rrjete sociale janë publikuar pamje që tregojnë momentin kur një veturë godet një grup të rinjsh në këtë lagje. Policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të rastit dhe lidhjen eventuale mes incidenteve të raportuara./Telegrafi/


Ish-pjesëtari i UÇK-së i diagnostikuar me tumor në veshkë, ka nevojë për mbi 100 mijë euro për trajtim jashtë vendit



Liridon Rexha, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe zjarrfikës me shërbim shumëvjeçar po lufton me një gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e një tumori të avancuar në veshkë.

Sipas familjarëve, gjendja e tij është përkeqësuar ndjeshëm, duke e bërë të domosdoshëm trajtimin urgjent jashtë vendit. Ky trajtim është kompleks dhe kërkon ndërhyrje të specializuara mjekësore, të cilat tejkalojnë mundësitë financiare të familjes.




Edhe pse një pjesë e shpenzimeve pritet të mbulohet nga mbështetja e Qeverisë përmes Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, shuma e paraparë nuk është e mjaftueshme.


Sipas falimjes, kostoja e përgjithshme e trajtimit mjekësor pritet të tejkalojë mbi 100 mijë euro.

Liridon Rexha iu bashkua UÇK-së në moshën vetëm 16-vjeçare, ndërsa më pas vazhdoi shërbimin e tij ndaj shoqërisë si zjarrfikës, gjithmonë në ndihmë të qytetarëve dhe në mbrojtje të jetës e pronës së tyre.

Në këtë moment të vështirë, familja bën apel për solidaritet dhe mbështetje nga qytetarët, institucionet dhe dashamirët, me shpresën se kontributi i përbashkët mund t’i japë Liridon Rexhës mundësinë për trajtimin e nevojshëm dhe shpresë për shërim.

Të dhënat për donacione:

Brenda Kosovës


Banka: Raiffeisen Bank Kosovo

Përfituesi: Liridon Rexha

Nr. i llogarisë: 1503050000509613

Nga Evropa / Jashtë Kosovës

IBAN: XK05 1503 0500 0050 9613

SWIFT/BIC: RBKOXKPR

Nr. kontaktues: 044 860 485

Nis tenderimi i projekteve milionëshe në vazhdën e heqjes së masave ndëshkuese nga BE-ja



Pas heqjes së grupit paraprak të masave ndëshkuese nga Bashkimi Evropian në fund të vitit të kaluar në vlerë të përgjithshme rreth 216 milionë euro, por edhe atyre më herët, kanë nisur të vërehen efektet e para.

Derisa ka projekte që veçse kanë rinisur, në një përgjigje për TV Dukagjini, BE-ja theksoi se synon që këtë fillimvit të zhbllokojë edhe 205 milionë euro të tjera në projekte.

Duke thënë se në këtë fazë nuk mund të publikojnë listën e plotë, BE-ja bëri një kategorizim sipas programeve, ku përfshihen investime që ishin nisur para pesë vjetësh në kuadër të Instrumentit për Para-Anëtarësim.

“Kjo do të bëhet në linjë me konkluzionet e Presidencës për zgjerimin të miratuara më 16 Dhjetor, që do të lejojë kontraktimin e mbetur të IPA 2021 (rreth 17 milionë euro), të IPA 2022 (55.7 milionë euro) dhe kontraktimin e projekteve të Fondit për Investime në Ballkanin Perëndimor (132 milionë euro)“, thuhet në përgjigjen nga Bashkimi Evropian.

Kjo pritet të shkaktojë një valë të re të vazhdimit të projekteve që u mbajtën pezull që nga Qershori 2023, si pasojë e masave që ish-Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell i kishte quajtur sanksione.

Nga efektet e para të masave që veçse janë hequr vitin e kaluar është tenderi për trajtimin e ujërave të zeza në Gjilan.

Ky projekt në vlerë rreth 11 milionë euro ishte nënshkruar në Maj të vitit 2020 dhe ka për qëllim përmirësimin e mjedisit dhe shëndetit publik, si dhe uljen e ndotjes ujërave.

“Përshkrimi: furnizim me dhe instalimi i rreth 12.5 km tubacione të kanalizimit në zonën urbane dhe atë rurale, ndërtimi i dhomave të tejmbushjes, e po ashtu furnizimi dhe instalimi i rreth 3.5 km tubacione për furnizim me ujë të pijshëm në zonën e impiantit të ri për trajtimin e ujërave të zeza”-Dosja e Tenderit.

Më 16 Dhjetor, BE-ja kishte njoftuar lirimin e katër projekteve në vlerë të përgjithshme 34.6 milionë euro.

Prej tyre projekti më i madh i zhbllokuar ishte ai në vlerë 17.6 milionë euro për dyfishimin e kapacitetit të ngrohjes në Prishtinë, që mundëson vazhdimin e zgjerimit të rrjetit të Termokosit dhe kyçjen e rreth 20 mijë konsumatorëve të rinj.

Pas tij, vjen projekti në vlerë 12 milionë euro për impiantin e ujërave të zeza te Termocentrali “Kosova B”./Tv Dukagjini/

- YouTube youtu.be

❌