Ish-komentatori sportiv Dritan Shakohoxha tregoi në “Opinion” një episod të çuditshëm, por dhe qesharak, me gjuhën e urrejtjes në rrjetet sociale. Edhe pse nuk komenton ndeshje prej tre vitesh, një tifoz i zemëruar vendosi t’ia ‘numërojë’ të gjitha në Instagram: E nxore kokën, tifoz i Interit…
“Më ngrohen nervat, sa të duash. E di sa vetave u kam kthyer përgjigje?! U shkruaj, shpesh kam gjetur edhe kështu ironi. Kam historia nga më të ndryshmet. Unë nuk komentoj më ndeshje, kam tre vjet që nuk komnetoj më ndeshje dhe nuk kam më ndërmend që të komentoj më ndeshje. Dikush që punon në një televizion, ka një ngjashmëri me mua.
Vjet më shkruan dikush në Instagram, ti more që e nxore kokën që dole tifoz i Interit dhe nisi duke me sharë. Më shkruan, duke më sharë nga të gjitha anët: ‘ti more që e qite kokën, robt ku t’i kesh, e nxore që je tifoz i Interit’. Unë i shkruaj ‘ i nderuar zotëri unë kam tre vjet që nuk komentoj më ndeshje, por gjithsesi robt ku t’i kesh edhe ti’. Realisht njerëzit mendojnë se kanë të drejtë të të gjykojnë dhe të japin një mendim për ty”, tregoi Shakohoxha./kb
Prokurori i Përgjithshëm i Kalifornisë, Rob Bonta, ka nisur një hetim mbi përhapjen e imazheve seksuale të krijuara nga modeli i inteligjencës artificiale Grok, i zhvilluar nga kompania e Elon Musk, xAI.
Bonta tha se materialet “që shfaqin gra dhe fëmijë në situata lakuriqe dhe seksuale” janë përdorur për të ngacmuar njerëz online, duke e cilësuar situatën “tronditëse”. Ai bëri thirrje që xAI të ndërmarrë masa të menjëhershme.
Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, e quajti vendimin e xAI për “të krijuar një ambient të favorshëm për predatorë” si “të neveritshëm”.
Musk, në reagimin e tij, deklaroi se Grok nuk prodhon imazhe të personave të mitur pa kërkesë të përdoruesit dhe akuzoi kritikët për motivime politike.
Hetimi i Kalifornisë vjen ndërsa Britania po përgatit ligje për ndalimin e imazheve intime të krijuara pa pëlqim, dhe Ofcom ka nisur gjithashtu një hetim mbi Grok.
Tre senatorë demokratë amerikanë kanë kërkuar largimin e X dhe Grok nga dyqanet e aplikacioneve, ndërsa platforma ka kufizuar mjetin e gjenerimit të imazheve vetëm për abonentët që paguajnë.
Debati thekson pyetjen ligjore mbi përgjegjësinë e kompanive për përmbajtjen e krijuar nga AI, pasi Seksioni 230 i ligjit amerikan nuk mbulon imazhet e prodhuara nga vetë platformat./kb
Takimi i Shtëpisë së Bardhë për Groenlandën nuk arriti të sheshojë dallimet që ekzistojnë mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Danimarkës për ishullin më të madh në botë.
Pas takimit që patën me zëvendëspresidentin e SHBA-së, JD Vance, dhe Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, ministrat e Jashtëm të Danimarkës dhe Groenlandës theksuan se mosmarrëveshjet mes palëve janë thelbësore.
“Nuk arritëm ta ndryshonim qëndrimin amerikan. Është e qartë se presidenti ka dëshirën për të pushtuar Groenlandën. Ne e bëmë shumë, shumë të qartë se kjo nuk është në interes të mbretërisë.”, tha Lars Løkke Rasmussen.
Sa i përket shqetësimeve të amerikanëve lidhur me sigurinë e Groenlandës, ministri i Jashtëm danez theksoi se kjo mund të adresohet përmes NATO-s, ndërsa hodhi edhe një herë poshtë çdo ide për blerjen e ishullit arktik.
Ndërsa ministrja e Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt, tha se vendi i saj dëshiron të forcojë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara, por nuk dëshiron të jetë pronë e SHBA-ve.
E ndërsa palët ishin në diskutime në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan nga Zyra Ovale theksoi gjithashtu se nuk do të heqë dorë nga Groenlanda, pasi ajo është shumë e rëndësishme për sigurinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas tij, Danimarka nuk mund ta mbrojë Groenlandën përballë një pushtimi të mundshëm nga Rusia ose Kina./kb
U konfliktua fizikisht për motive të dobëta, me një 42-vjeçar, në fshatin Gomsiqe, dhe posedonte një armë zjarri pistoletë, kapet dhe vihet në pranga 47-vjeçari. Sekuestrohet pistoleta.
Nga konflikti fizik u dëmtua 42-vjeçari, i cili po merr mjekim në spital.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Velipojë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në fshatin Gomsiqe, dy shtetas ishin konfliktuar me njëri-tjetrin dhe për pasojë ishte dëmtuar njëri prej tyre, organizuan punën për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, u kap dhe u arrestua shtetasi N. S., 47 vjeç. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasi N. S. është konfliktuar fizikisht për motive të dobëta, me shtetasin F. K., në fshatin Gomsiqe. Si pasojë e konfliktit është dëmtuar shtetasi F. K., i cili po merr mjekim në Spitalin Rajonal Shkodër.
Në vijim të veprirmeve, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit N. S., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë që ai e posedonte pa leje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme./kb
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, është shprehur se ai nuk ka qenë kurrë i përfshirë në afera korruptive dhe shpërdorim detyre, duke përgënjeshtruar kështu akuzat e SPAK të ngritura ndaj tij.
Përmes një letre të lexuar nga Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi, Meta është shprehur se vajza e tij ka siguruar një analizë financiare, ku përllogariten të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet që nga viti 1995 deri në vitin 2023.
Sipas Metës, të ardhurat e tij gjatë këtyre viteve janë rreth 87 milionë lekë të reja.
“Lidhur me akuzat Cez-Dia dua të theksoj se kjo çështje është hetuar dy herë dhe asnjëherë nuk është përmendur emri im aty. Po kështu çështja Cez-Dia është e vetmja çështje ku shteti shqiptar nuk ka dalë me humbje, por me fitim, pasi dëmi për shtetin shqiptar ka qenë rreth 1 milionë euro, ndërkohë që shtetasit Kastriot Ismaili i janë sekuestruar 4 milionë euro në vitin 2014. Po kështu, dëshmitë e z.Hesek në Prokurorinë e Tiranës janë tregojnë qartë sesi është përzgjedhur DIA. Po kështu janë të qarta edhe referencat amerikane që ka paraqitur DIA, për të fituar besimin e bordit.
Lidhur me akuzën për lobimet dua t’ju siguroj se nuk ekziston asnjë provë apo fakt që Ilir Meta të ketë shkelur ligjin shqiptar apo amerikan. Ne do të publikojmë kontratën dhe letëporositë, për të zbuluar të vërtetën.
Lidhur me çështjen e pasurisë, dua të theksoj se akuzat e prokurorëve janë të pavërteta dhe të bazuara në falsifikim. Vajza ka siguruar ekspertizën financiare që vërteton se pasuritë e mia gjatë këtyre viteve (1995-2023) janë 87 milionë lekë të reja. Ky hetim ndaj meje ka rezultat të qartë, 0 qindarkë e paligjshme nga unë dhe 0 metër katror e paligjshme. Nëse keni dyshime, mund të vini t’ju jap sqarime në burgun 313. Edhe në Rusi lejohet që të intervisohen politikanët e burgosur, prandaj nuk përbën asnjë lloj problem”, thuhej në letrën e Metës, të lexuar nga Blushi.
Nga ana tjetër, avokati i Metës, Kujtim Cakrani, është shprehur se klienti i tij ndodhet në izolim total në qelitë e 313, pa asnjë provë.
Cakrani e cilësoi burgosjen e Metës si një sulm politik ndaj tij, teksa kur foli për analizën financiare të ish-Presidentit, ai përllogariti që atij pas shpenzimeve t’i kishin mbetur edhe rreth 50 milionë lekë të reja.
Avokati Cakrani bëri thirrje për respektim të të drejtave të njeriut dhe standardeve minimale të shtetit të së drejtës për rastin Meta.
“Meta ndodhet në një izolim total. Atij nuk i jepet mundësia që të komunikojë me qytetarët, kolegët, bashkëpunëtorët. Gjithsesi kjo është ana politike. Problemi është që hetimet kanë përfunduar që në 4 gusht të vitit 2025. Ndërkohë Meta ndodhet ende në seancë paraprake. Jemi plotë 4 muaj e gjysmë dhe nuk kemi nisur seancën paraprake. Është një shkelje shumë e rëndë e ligjit, Kushtetutës dhe Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Drejtësia është kthyer në një drejtësi inkuizitore. Ilir Metën e sulmuan nga të gjitha anët, e bënë edhe spiun të sigurimit të shtetit, por nuk ja dolën dot. Pastaj e burgosën. Ne kërkojmë standardin minimal të një shteti të së drejtës. Balta që është hedhur mbi Metën ka qenë mbi pasurinë e tij, sepse llumi s’kanë lënë gjë të dirigjuar ndaj Metës. Por faktet dhe provat na flasin ndryshe. Tani na ngelet t’u themi njerëzve se ai ministri juaj Ilir Meta, ka qenë vetëm një patriot i ndershëm”, tha Cakrani. /kb
Në luginën jugore të Jordanit, pesë dekada historike të një komuniteti po përfundonin brenda një dite.
Mahmoud Eshaq, 55-vjeç, përpiqej të mbante lotët. Ai nuk kishte qarë që kur ishte fëmijë, por ndërsa përgatitej të largohej nga fshati ku kishte kaluar gjithë jetën, dhimbja e mbushi zemrën.
Fëmijët e tij ngarkonin dyshekë, frigoriferë, çanta me miell dhe valixhe me rroba në një kamion, ndërsa ushtarë të maskuar shoqëronin një adoleshent izraelit që po pozonte mbi një gomar, duke bërë shenjën me dy gishta lart në rrugën kryesore të fshatit.
Dita që fshati u shua, spastrimi etnik në zemër të Bregut Perëndimor
4 min lexim– Publikuar 12:06, 14 Janar 2026Përditësuar 12:06, 14 Janar 2026
Në luginën jugore të Jordanit, pesë dekada historike të një komuniteti po përfundonin brenda një dite.
Mahmoud Eshaq, 55-vjeç, përpiqej të mbante lotët. Ai nuk kishte qarë që kur ishte fëmijë, por ndërsa përgatitej të largohej nga fshati ku kishte kaluar gjithë jetën, dhimbja e mbushi zemrën.
Fëmijët e tij ngarkonin dyshekë, frigoriferë, çanta me miell dhe valixhe me rroba në një kamion, ndërsa ushtarë të maskuar shoqëronin një adoleshent izraelit që po pozonte mbi një gomar, duke bërë shenjën me dy gishta lart në rrugën kryesore të fshatit.
TË LIDHURA
Edhe dimri vret në Gaza/ Muret shemben mbi çadra, vdesin gra e fëmijë
2025-a, viti i ‘turbulencave’ globale: gjithçka ndodhi në 12 muaj
Pastrimi etnik i Ras ‘Ein al ‘Auja-s po ndodhte, dhe kolonistët që e kishin bërë jetën të padurueshme për palestinezët festonin.
Ras ‘Ein al ‘Auja
Shtëpia e Eshaqit ishte më e madhja dhe e forta nga fshatrat beduine të shpërndara në kodrat pjesës së ulët të Jordanisë. Në fillim të vitit, ajo ishte gjithashtu shtëpia e vetme që kishte mbetur, pasi dhuna e kolonistëve kishte detyruar fshatarët e tjerë të largoheshin.
Sot, kolonistët izraelitë kontrollojnë më shumë se 250 km² tokë në këtë pjesë të Bregut Perëndimor, që dikur përdorej vetëm për kullotjen e bagëtive. Kështu thotë Dror Etkes, themelues i grupit për monitorimin e kolonistëve Kerem Navot.
Palestinezët janë dëbuar nga toka që komuniteti ndërkombëtar e parashikon për një shtet të ardhshëm të tyre.
Dror Etkes
“Ne jetonim këtu paqësisht, por ata na bënë armiq”, tha Eshaq. “Gjithë jetën time nuk kam qarë, por këtë mëngjes po qaja. Kjo është një ditë e tmerrshme për ne.”
Familjet beduine që jetojnë këtu janë pasardhës të refugjatëve nga Naqabi, që u larguan nga shtëpitë e tyre në vitin 1948. Të varfër dhe të izoluar, ata janë lehtësisht të prekshëm nga kolonistët. Procesi i largimit të tyre filloi para luftës në Gaza, por u përshpejtua ndërsa vëmendja e mediave u fokusua diku tjetër.
Mahmoud Eshaq
“Kur filloi lufta, udhëheqësit e kolonistëve kuptuan se kishin një mundësi për të intensifikuar spastrimin etnik të zonës”, tha Sarit Michaeli, drejtuese e organizatës së të drejtave B’Tselem.
Largimi i palestinezëve kryhet gradualisht përmes dhunës dhe intimidimit: prerja e kabllove të elektricitetit, zbrazja e rezervuarëve të ujit, sulme natën dhe vendosja e postblloqeve të përkohshme brenda fshatit.
Djem të rinj, disa edhe të mitur, ndihmojnë kolonistët duke mbikëqyrur tufat e kafshëve dhe duke izoluar banorët palestinezë.
Ushtarët izraelitë shpesh marrin pjesë në këto akte ose injorojnë dhunën.
Kur një gjykatë urdhëroi kthimin e palestinezëve të dëbuar, kolonistët i dëbuan sërish brenda pak orësh. Në 2 vitet e fundit, ushtarët dhe kolonistët kanë vrarë mbi 1 mijë palestinezë në Bregun Perëndimor, një në pesë prej tyre fëmijë, pa asnjë llogaridhënie.
Në Ras ‘Ein al ‘Auja, pas sulmeve të vazhdueshme, 26 familje, mbi 120 persona, vendosën të largoheshin.
“Këtë javë nuk kemi ngrënë dhe nuk kemi fjetur”, rrëfen Eshaq. Disa fqinje, si Mohammed Reshad, mbetën pa asgjë, pasi kolonistët u vodhën rroba dhe dyshekë.
Ky projekt i dëbimit kryhet nga ekstremistë të dhunshëm të mbështetur nga ministrat e qeverisë izraelite, por është pjesë e një strategjie të gjatë dhe të zakonshme politike që synon aneksimin e tokës palestineze.
Qeveritë izraelite, pavarësisht ngjyrës politike, e kanë mbështetur këtë proces që nga viti 1967, duke përdorur tokën për siguri dhe për krijimin e komuniteteve koloniale.
Rripi i tokës ku ndodhet Ras ‘Ein al ‘Auja shtrihet midis autostradës pranë kufirit me Jordaninë dhe “Rrugës Allon” që kalon kodrat e Bregut Perëndimor. Kodrat janë të pakta në popullsi, por të përshtatshme për kullotje. Postblloqet e kolonistëve me kafshë kanë rezultuar një mjet efikas për shpronësim masiv.
Ndërkohë, kolonistët vazhdojnë të përhapin mesazhe dhune në mediat sociale, duke deklaruar qartë synimin e tyre për të larguar palestinezët.
Në gjithë Bregun Perëndimor, ata kanë marrë mbi 18% të tokës që është parashikuar për një shtet palestinez.
Kryeministri Edi Rama deklaroi në panelin e Samitit të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi, se Shqipëria synon që deri në fund të vitit 2028 të arrijë sovranitet të plotë energjetik, duke mos pasur më nevojë për import të energjisë nga jashtë.
“Ne jemi më fat, sepse kemi burime hidrike dhe jemi 100% me energji të ripërtëritshme. Nuk përdorim karburante fosile dhe jemi në nivelin më të lartë të renditjes. Por duke qenë se mbështetemi tek uji, varemi nga humori i Allahut, kur Allahu qesh shumë dhe nuk qan, nuk kemi shi dhe jemi të detyruar të importojmë energji”, u shpreh Rama.
Rama: Jemi me fat sepse keni burime hidrike dhe jemi 100% me energji të ripërtëritshme nuk e kemi nga karburantet fosile, jemi në nivelin më të lartë të renditjes. Duke qenë se kemi burime ujore, do të thotë që ne varemi nga humori Allahut, kur Allahu qesh shumë dhe nuk qan, nuk kemi shi, kështu ne duhet t’i drejtohemi importit dhe më pas kjo bëhet e vështirë.
Ajo që kemi bërë në këtë dekade të fundit është të investojmë shumë në energjinë diellore dhe atë të erës dhe të krijojmë një portofol burimesh të ekuilibruara në mënyrë që të mos kemi nevojë t’i drejtohemi importit dhe të jemi sovran duke pasur energji të gjelbër. Plani po ecën mirë, dhe besojmë se në fund të 2028 do jemi sovran dhe nuk do blejmë më energji nga jashtë.
Kemi një bashkëpunim strategjik dhe kjo ka ndodhur falë këtij vendi dhe falë udhëheqësit të madh tuajin që ka vizonin që shkon përtej kufijve dhe siç e pamë, ai mendon t’i shërbej njerëzimit dhe të prek jetën e njerëzve jashtë kombeve tuaja, gjë që as Kombet e Bashkuara nuk e kanë bërë.
Ambicia jonë është që së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe me Italinë, të kemi një bashkëpunim trepalësh të krijojmë një bazë të ngarkesës në Shqipëri, po synojmë të mbërrijmë në tre diga përmes kabullit ndërlidhës më Italinë, t’i shërbejmë Evropës me energji të gjelbër, se bashku me miqtë tanë Arabët të bëjmë para për t’ja shitur Evropës. Është një projekt më shumë se 1 miliardë./kb
Nuk e di se çfarë kërkon që gjejë SPAK tek mbledhja e Rithemelimit të PD, një punë krejt e brendshme e një partie politike!?
Se ç’punë ka SPAK me mbledhjet e një partie, nuk e di?! Por është krejt pa sens, kjo krahasuar me punën reale që ka SPAK.
Meqë e kanë merak PD dhe financimet e saj, do kishte më shumë interes në emër të ligjit dhe interesit publik të sqaroheshin 2 gjëra:
1. Financimi në shumën prej 500 000 dollarë i një kontrate Lobbimi në Amerikë, që PD e Lulzim Bashës lidhi dhe, hetimet ndaj të cilës i mbylli prokuroria e Tiranës asohohe. Pritej një përgjigje e letër-porosisë nga ShBA asokohe…
2. Burimet e financimit të 3 kontratave, 2 lobbimi dhe 1 shërbimi, po në Amerikë dhe me vlerë deri në 10 milionë dollarë, që PD e Berishës i lidhi, me nënshkrimin e Mulit, pa i bërë syri (jo tv) tërrt. Janë kontratat më të shtrenjta të mundshme që një parti politike në rruzull i paguan për lobbim.
Kontrata prej 1.3 milionë dollarësh për një vjershë me buf që ofroi Lacivita, është padyshim më e shtrenjta në llojin e vet. Kurse ato dy të tjerat që do hiqnin nongratat, janë marramendëse… Shumë para për një parti e harruar në opozitë…
Këto janë kontrata për hetime, jo shpenzimet për një mbledhje partie, mbledhje e cila rrëzoi partinë e Lulit e të Gaz kallëzuesit.
Se kështu del që SPAK po punon për historitë e Lulit e Gazit…/kb
Mbrëmja e djeshme në shtëpinë e Big Brother Vip Albania u shndërrua në një moment tejet emocional, teksa Stenaldo vendosi të hapte zemrën dhe të ndante me publikun historinë e tij të jetës.
Mes lotësh dhe emocioneve, ai rrëfeu plagët e thella që e kanë shoqëruar që në fëmijëri, humbjen tragjike të babait, betejën me humbjen e shikimit dhe forcën e jashtëzakonshme të nënës së tij, e cila ka qenë shtylla kryesore e jetës dhe motivi që e shtyu të bëhej pjesë e këtij rrugëtimi.
Rrëfimi i Plotë i jetës së Stenaldos
‘Unë kam lindur në Lushnje në 28 maj të 1997. Kam lindur në një qytet ku nuk kam jetuar kurrë, hiq muajin e parë të jetës time, derisa im atë në qershor të po atij viti ndërroi jetë, I vrarë në një mënyrë të poshtër në atë vit të poshtër për të gjithë shqiptarët që na ka bërë të humbasim më shumë se çdo herë në historinë tonë të brishtë. U vra nga dikush mbasi atij i dha një përqafim dhe i ktheu kurrizin për të vazhduar rrugën e tij. Dhe kjo është arsyeja pse unë gjithmonë kam thënë që në këtë botë të gjithë trimat vriten nga frikacakët. Kur njeriu rritet me një humbje të tillë nuk ka me asnjë moment dramatik në jetën e tij, nuk ka një moment kur ti e mëson, ti thjesht e di që ndryshe nga fëmijët e tjerë babai jot nuk është aty. Ajo që dikush mund ta quajë dramë, humbjen e shikimit, është prapë një përjetim, që I bie për pjesë mamasë dhe familjes nga të dyja anët, si nga ana e nënës ashtu dhe e babait, Sokolit, sepse shikimi më humb relativisht shumë shpejt. Familja e kuptoi këtë kur unë isha 6 muajsh. Për mamanë time siç unë e kam kuptuar, ky mbetet një nga momentet më të vështira të jetës së saj, që nuk është padiskutim i vetmi, Mjekët na thanë se unë kisha kaluar një infeksion në Retinë. Askush nuk e di tamam si mund të ketë ndodhur dhe që retina tashmë ishte jashtë funksionit. Fakti që nuk mund të shikoja ishte fakt dhe unë nuk mund të ndryshohej. Mamaja ime kaloi në atë muaj, në atë vit traumën e jashtëzakonshme, por të cilës i qëndroi trime dhe nuk ju fsheh gjatë gjithë jetës së saj. Ardhja në Tiranë ishte vërtetë një sfidë, e para ishte të shkonim të studionim në një shkollë që ishte specifike dhe përveç kësaj diferenca tjetër ishte që atje mund të mësonim të shkruanim dhe të lexonim në letër, një mënyrë ku forma e shkronjave nuk është vizuale por e ngritur në pika. Vazhdoja të isha një fëmijë shumë kurioz, që në atë kohë, si është floku im, tiparet.
Fillova të studioja piano. Luftën e madhe që unë, por mbi të gjitha mamaja ime kemi bërë kur kemi ardhur në këtë vend, përtej shkollës, ishim vetëm unë dhe ajo dhe nuk e keni idenë se çdo të thoshte të vije në Tiranë dhe të luftoje të gjeje një vend për të futur kokën. Flutura duhet të ishte burrë dhe grua në atë luftë. Unë kam qenë gjithmonë i hapur që mamaja ime të ketë një jetë të plotë, një jetë ku të mos jetë vetëm e dedikuar ndaj meje. Ne krijuam një familje që në fund rezultoi të jetë një humbje e madhe për të gjithë. Nga ajo familje unë kam Xhoelin, të cilin nuk kam mundur kurrë të takoj për shkak të gjithë asaj që është vështirësi e madhe e përballjes me një situatë padiskutim më të vështirën e Fluturës dhe më të vështirën e jetës time.
Unë kisha marrë një kontratë pune për në Gjermani dhe mu desh të mësoja metrotë dhe trenat. Nuk do ta harroj kur unë kisha hipur në shinat e trenit duke menduar se isha në rrugë. Kur erdhi mamaja në Gjermani, e pati shumë të vështirë dhe mora vendimin të kthehesha në Shqipëri. Ka qenë viti më i vështirë që mbaj mend unë si i rritur”, u shpreh Stenaldo./kb
etimi nga SPAK për fondet e Kuvendit të Rithemelimit, që parapriu kthimin e Sali Berishës në Partinë Demokratike, ka nisur pas një kallëzimi të bërë nga Gazmend Bardhi në fund të vitit 2021 në Prokurorinë e Posaçme.
Në këtë kallëzim, ish-sekretari i përgjithshëm i PD paditi Belind Këlliçin, Albana Vokshin dhe Enno Bozdo Spahon si organizatorë të Kuvendit. Një ditë më parë, Belind Këlliçi u pyet në SPAK për origjinën e parave dhe faturat, ndërsa sot u thirr anëtari i kryesisë, Indrit Hoxha.
Gazetari Fatos Mahmutaj, i ftuar në “Ora e Fundit”, u shpreh se këtë përplasje e shikon si një “karma” brenda kupolës së Partisë Demokratike.
“Këtë e shikoj si një ‘karma’ brenda PD apo brenda kupolës së PD. Ishin këta njerëz që përpara katër vitesh u rrahën me hunj, detyruan palën tjetër të blindonin dyert. Gaz Bardhi shikonte rrugën e padisë në SPAK, duke menduar për karrierën. Unë jam i mendimit se ai është bërë pishman për kallëzimet e tij”, tha ai.
Ai komentoi edhe takimin e Berishës në Lezhë, për të cilin tha se pasuesi i tij në krye të PD do të jetë një figurë tjetër, që do të zgjidhet nga demokratët dhe ky emër do të jetë jashtë familjes së tij.
Gazetari Mahmutaj pohoi se PD, nën drejtimin e Sali Berishës, ka pësuar një tkurrje të madhe, duke përfunduar si parti e dorës së tretë.
“Berisha e ka kuptuar edhe vetë se familja e tij janë super të konsumuar për drejtimin e PD. I ka ardhur momenti që të zgjidhet lideri vetë, jo trashëgimi e familjes së Berishës. Deri tani, Berisha ia kishte bërë hyzmetin e duhur që në krye të PD të linte vajzën ose djalin e tij. Nga mbajtja peng e PD nga Berisha, kjo parti vetëm është rrudhur. Ka humbur dhe ka shkuar në çdo palë zgjedhje poshtë e më poshtë dhe është katandisur si parti e dorës së dytë apo të tretë, nga parti e dorës së parë që ishte në të kaluarën. Kësaj partie i duhet me patjetër që të zgjedhë një personazh të hajrit, të jetë i ri dhe i pakonsumuar”, tha ai.
Më tej, gazetari u shpreh se Sali Berisha është i zhytur kokë e këmbë në krim. Ai përmendi disa prej ngjarjeve për të cilat, sipas tij, ka gisht vetë ish-kryeministri i vendit.
“Berisha është kokë e këmbë i zhytur në krim. Berisha ka urdhëruar vrasje dhe dekrete vetë. Kemi rastin e Haklajve. Ai bënte thirrje që ‘gjallë a vdekur, të ma sillni Fatmir Haklajn në Tiranë’. Ka urdhëruar vrasjen dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës. Futi në kurth Azem Hajdarin. Krimet e tij i projekton tek të tjerët”, theksoi Mahmutaj.
Ai theksoi se Lulzim Basha e ka “shitur” Sali Berishën për vrasjen shtetërore të 21 janarit, ku katër protestues të pafajshëm u ekzekutuan poshtë zyrave të Kryeministrisë.
“Basha ka përcjellë urdhrat e Sali Berishës. Lulzim Basha e ka shitur Sali Berishën për 21 janarin”, tha ai./kb
Groenlandezët po përballen me një nga momentet më vendimtare në historinë e tyre moderne, teksa në Uashington zhvillohet një takim i nivelit të lartë që mund të përcaktojë të ardhmen e ishullit më të madh në botë dhe jo vetëm të tij. Në Shtëpinë e Bardhë, në një samit të thirrur nga Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, marrin pjesë ministrat e jashtëm të Danimarkës dhe Groenlandës, si dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio. Në qendër të bisedimeve është statusi dhe e ardhmja strategjike e Groenlandës, një territor gjysmë-autonom i Danimarkës, por me rëndësi kyçe gjeopolitike dhe ushtarake për SHBA-në dhe NATO-n.
Në kryeqytetin Nuuk, atmosfera është e tensionuar. Një tabelë elektronike gjigante mbi një qendër tregtare të mbuluar nga bora shfaq vazhdimisht fjalët “Trump”, “Groenland” dhe “sovranitet”, duke reflektuar frikën dhe pasigurinë e banorëve vendas. Deklaratat e fundit të Donald Trumpit, se SHBA-ja dëshiron ta marrë Groenlandën “me mënyrën e lehtë ose të vështirë”, kanë rritur ndjeshëm ankthin publik, sidomos pas veprimeve të tij të diskutueshme ushtarake në skenën ndërkombëtare.
“Ne nuk jemi në shitje. Vendi ynë nuk është në shitje”, thotë Amelie Zeeb, një banore e Nuuk-ut, duke shprehur një ndjenjë të përbashkët mes groenlandezëve. Shkrimtarja dhe muzikantja inuit, Sivnissoq Rask, thekson se shpresa e saj është për një Groenlandë e pavarur dhe të menaxhuar mirë, jo të blerë nga një fuqi e huaj. Ndërkohë, qytetarë të tjerë shprehin shqetësim për ndikimin që kjo vëmendje globale mund të ketë mbi jetën e përditshme dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre.
Por çështja e Groenlandës shkon shumë përtej dëshirave të popullsisë vendase. Ajo ka potencialin të shkaktojë një përplasje serioze mes aleatëve të NATO-s, konkretisht mes SHBA-së dhe Danimarkës. Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, ka paralajmëruar se çdo përpjekje e SHBA-së për të marrë Groenlandën me forcë do të shënonte fundin e aleancës transatlantike, mbi të cilën Evropa ka mbështetur sigurinë e saj për dekada.
Në këtë kontekst, vendet evropiane po përpiqen të gjejnë zgjidhje kompromisi. Gjermania dhe Britania e Madhe kanë marrë rolin udhëheqës në diskutimet për forcimin e pranisë ushtarake të NATO-s në Arktik. Propozimet përfshijnë stacionimin e trupave, anijeve luftarake, avionëve, nëndetëseve dhe sistemeve kundër dronëve, si dhe krijimin e një misioni detar “Arctic Sentry”, të ngjashëm me atë në Detin Baltik.
SHBA-ja argumenton se Groenlanda është thelbësore për sigurinë kombëtare amerikane, veçanërisht për mbrojtjen raketore dhe monitorimin e aktivitetit rus dhe kinez në Arktik. Ishulli ndodhet në rrugën më të shkurtër mes Amerikës së Veriut dhe Rusisë, dhe përfshin pika strategjike si baza Pituffik Space Base dhe korridori detar i njohur si “GIUK gap” (mes Groenlandës, Islandës dhe Britanisë).
Megjithatë, shumë analistë vënë në dyshim nëse shqetësimi i Trumpit është thjesht ushtarak. Groenlanda është e pasur me minerale të rralla dhe burime natyrore jetike për teknologjitë e avancuara dhe industrinë e mbrojtjes. Po ashtu, shkrirja e akullnajave po hap rrugë të reja detare, me potencial të madh ekonomik. Kjo ka shtyrë disa ekspertë të besojnë se bëhet fjalë më shumë për siguri ekonomike dhe zgjerim territorial sesa për mbrojtje klasike.
Sondazhet tregojnë se shumica e groenlandezëve dëshirojnë pavarësi nga Danimarka, por rreth 85% e tyre kundërshtojnë idenë e të qenit pjesë e SHBA-ve. Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, ka deklaruar se vendi po përballet me një krizë gjeopolitike dhe se, nëse duhet zgjedhur mes SHBA-së dhe Danimarkës, zgjedhja e Groenlandës është Danimarka.
E ardhmja mbetet e pasigurt. Shumëçka do të varet nga qëndrimi i Donald Trumpit, i përshkruar shpesh si i paparashikueshëm. Siç paralajmërojnë ekspertët, një veprim i detyruar ndaj Groenlandës do të kishte pasoja dramatike: dobësimin ose shpërbërjen e NATO-s, përkeqësimin e marrëdhënieve SHBA–Evropë dhe një sinjal të rrezikshëm për Rusinë dhe Kinën.
Samiti i së mërkurës në Uashington pritet të jetë një pikë kthese, jo vetëm për Groenlandën, por për të gjithë Arktikun dhe rendin demokratik ndërkombëtar./kb
Babai i Altin Ndocit ka bërë një reagim ditën e sotme për eminisionin “Kafe shqeto” me gazetarin Flavio Qarri, në lidhje me atë që ndodhi ditën e djeshme në burgun e Durrësit.
Altin Ndoci i cili ndodhej në burgun e Durrësit, u arratis ditën e djeshme nga spitali i Durrësit teksa ishte duke marrë mjekim.
Në prononcimin e tij në Syri TV, babi i Altin Ndocit tha se djali i tij ka marrë pafajësi në dy shkallët e Gjykatës së Posaçme. Më tej, ai deklaroi se Altin Ndoci po akuzohet nga gazetarët për llogari të tyre.
Sa u përket akuzave për 4 vrasje ndaj Altin Ndocit, babai i tij deklaroi se është akuzuar nga Nuredin Dumani. Babai i Altin Ndocit tha se Dumani ka deklaruar që e do të vdekur djalin e tij.
“Kjo është një histori dështim i plotë i SPAK. U akuzua për 4 vrasje, mori pafajësi në Shkallën e Parë dhe në Apelin e GJKKO-së. Një provë të vetme të më sjellin dhe jam i gatshëm ta dorëzoj në SPAK. Nuk mund ta akuzojnë për vrasje gazetarët për interesin e tyre. Në asnjë mënyrë nuk ka qenë kriminel dhe s’ka për t’u bërë. Ka pasur precedent penal, për hashash.
I vetmi person që e akuzon për Bradasheshin e akuzoi dhe për 4 vrasjet në Durrës, Nuredin Dumani, i penduari i drejtësisë. Pretendohet gjoja një rrahje e vëllait të tij. Dumani e ka deklaruar vetë se e do të vdekur.
Djalin tim e ruajtë Zoti nga gazetarët, të gjitha studiot dalin dhe e quajnë kriminel.
Nuredin Dumani e ka kërcënuar me jetë drejtpërdrejt në seacnë avokaten tonë”, tha babai i Altin Ndocit./Kb
Politikani Dashamir Shehi komentoi sot protestat që po zhvillohen në vend nga opozita.
I ftuar në A2 CNN, Shehi u shpreh se momentalisht po zhvillohen tubime nga miliatantët, teksa e cilësoi kryedemokratin Sali Berisha si një lider që nuk arrin më të frymëzojë shumicën e shqiptarëve.
Sipas Shehut, opozita duhet të fokusohet në gjëra që i ka në dorë e që mund të ndryshojnë politikën e vendit.
“S’po protestojmë si në Teheran. Këto nuk janë protesta qytetare masive, por tubime militantesh që po lodhen javë pas jave. Pjesëmarrja e kufizuar tregon mungesën e një mesazhi të fortë politik dhe të figurave frymëzuese. Sali Berisha nuk arrin më të inspirojë shumicën e shqiptarëve për të dalë në rrugë.
Opozita duhet të ndalë retorikën e përsëritur dhe të ndërtojë një projekt politik të qartë, 360 gradë, me objektiva konkrete. Nuk mjafton të kërkosh largimin e Edi Ramës apo qeveri teknike, kur këto nuk janë realisht të arritshme.
Opozita duhet të fokusohet në gjëra që i ka në dorë: reformën zgjedhore, reformën administrative, rishikimin e Kushtetutës”, u deklaroi Shehi./Kb
I dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, zhvilloi një takim sekret me ish-princin e kurorës së Iranit në mërgim, Reza Pahlavi, për të diskutuar protestat që po zhvillohen në Iran, siç kanë raportuar sonte mediat e huaja.
Ky ishte takimi i parë i nivelit të lartë midis opozitës iraniane dhe administratës Trump që nga fillimi i protestave 15 ditë më parë. Pahlavi po përpiqet të pozicionohet për të marrë rolin e një udhëheqësi “kalimtar” nëse bie regjimi.
Pahlavi, djali i shahut që u rrëzua nga froni gjatë Revolucionit Islamik të vitit 1979, udhëheq një fraksion opozitar nga mërgimi në SHBA. Gjatë dy javëve të fundit, Pahlavi është shfaqur në rrjetet televizive amerikane duke i bërë thirrje administratës Trump të ndërhyjë në mbështetje të protestave.
Protestat në Iran vazhduan edhe këtë të martë në qytete anembanë vendit. Vlerësimet e numrit të të vdekurve janë rritur në mënyrë dramatike. Izraeli ndau një vlerësim me SHBA-në se të paktën 5,000 protestues ishin vrarë gjatë protestave./Kb
Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bleona Qereti, u bë imazhi i kopertinës së revistës së njohur “Vogue Belleza”, në edicionin kushtuar bukurisë.
E ftuar në A Krasta Show, këngëtarja Bleona Qereti u shpreh se është shumë krenare dhe e quajti një ëndërr të bërë realitet.
Këngëtarja tha se, Bulgari i ofroi varëse që kushtojnë 2 milioën dollar për t’ia reklamuar.
“Jam shumë krenare, mbaj mend në ‘96 kur shkoja në të gjitha turet e këngëtarëve në Europë dhe bleja vogue. Brenda vetes thoja një ditë do më shohin se ekzistoj dhe unë. Është një ëndërr e bërë realitet. Është një tjetër stad
Bulgari me ka ofruar varëse që kushtojnë 2 milionë dollarë, nuk është e imja, ata dhe luxury brand mendojnë se je e denjë për tu bërë reklamë produkteve të tilla”, tha Qereti./Kb
Gazetari Blendi Fevziu i është përgjigjur reagimit të fundit të kryeministrit Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale. Në nisje të reagimit, Fevziu njofton se ky është postimi i tij i fundit për këtë çështje. Ai thotë se kreu i qeverisë nëse ka diçka për të replikuar mund të vijë në studio.
Fevziu në reagimin e tij ka sjellë në vëmendje rastin e kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili ishte “live” në momentin që u arrestua. Këtë praktikë, sipas gazetarit, e kanë kryer edhe ministre të tjera.
Reagimi i plotë:
Kryeministri i Shqipërisë paska vazhduar diskutimin për problemin e PR të Ministrave të tij. E para po them që ky është postimi i fundit për këtë gjë, sepse mendoj që nëse ka ndonjë gjë për të diskutuar, Kryeministri mund të vijë kur të dojë në studio. Për këtë gjë, për çështjen e AKSHI, Ballukut, akuzat e Ahmetajt dhe shumë të tjera. Këto janë probleme reale për të cilat Kryeministri duhet të japë llogari. Nga debati i të enjtes ka kapur një detaj. Po, Ministra dhe drejtues të lartë lokale të PS, kanë qenë në: Tokio, SHBA dhe Francë njëri prej tyre, ndërkohë që dilte live. Veliaj po ashtu ka qenë “Live” kur u arrestua. Dhe kjo do të t’i mjaftonte. Një tjetër ministre ka qenë në Vjenë. Londër e Abu Dabi kur transmetonte kronikat, ajo e Vjenës, të shtunën mbasdite. Madje një kronikë transmetohej ndërkohë që ishte në avion bashkë me Kryeministrin për vizitë pune. Një tjetër Ministre ka qenë në Bari po gjatë kohës që ishte live. Kjo s’ka rëndësi, ata mund të mos ishin jashtë, por mund të ishin në zyrë apo në shtëpi, ndërkohë që kjo ndodhte. Problemi nuk është ku ishin, por tek fakti, që Ministrat shqiptarë prej vitesh kanë gjetur një stil skandaloz, unik në botë, veç Kim Jong Unit të Koresë. Bëjnë muhabet me drejtorët para kamerave, në shëtitje politike, pa dhënë llogari për problemet. Shfaqen në inaugurime, por kyçin gojën kur ka akuza. Nuk kanë kurajo t’i përgjigjen shtypit, por kanë kënaqësinë t’i vendosin epitete vetë Kryeministrit. Nëse Kryeministri gjen një rast të dytë në Europë, që Ministrat bëjnë muhabet në TV me drejtorët, atëherë ka të drejtë. Por kjo është MADE IN ALBANIA! Për turp! Nuk ka asnjë përgjigje tjetër derisa Kryeministri të ketë kurajo të vijë në studio. Me panelin që e di vetë/kb
Një rritje e ndjeshme e virozave sezonale është regjistruar ditët e fundit në qytetin e Pogradecit, duke sjellë fluks të shtuar pacientësh në spitalin rajonal. Që prej pragut të festave të Krishtlindjeve, shërbimi pediatrik dhe ai për të rritur po përballen me një numër të lartë vizitash ditore, kryesisht për shkak të temperaturave të larta, kollës dhe problemeve respiratore.
Më të prekurit janë fëmijët, por edhe të rriturit po paraqiten në numër të madh në urgjencë. Sipas mjekëve, kushtet atmosferike me lagështirë dhe temperaturat e ulëta kanë ndikuar drejtpërdrejt në shtimin e rasteve me viroza dhe influencë.
“Që prej pragut të Krishtlindjeve pati një rritje të fluksit të fëmijëve në pediatri, por edhe të të rriturve në spitalin e Pogradecit. Në pediatri pati një rritje të fëmijëve me viroza të rrugëve respiratore, me virusin e influencës, duke prekur të gjitha grupmoshat. Fluksi ka qenë me vizita ditore rreth 60–70 fëmijë, ndërsa edhe tek të rriturit ka pasur rreth 70 vizita në ditë me shenja temperature”, shprehet Bexhet Liçkollari, shef i shërbimit spitalor Pogradec
Sipas drejtuesit të shërbimit spitalor, situata ka sjellë edhe rritje të numrit të shtrimeve në pavijonin e pediatrisë, ku shumë fëmijë kanë pasur nevojë për trajtim spitalor për shkak të komplikacioneve që shoqërojnë virozat respiratore.
“Fëmijët duhet të paraqiten që ditën e dytë për vizitë në pediatri, po ashtu edhe të rriturit. Ka shumë shtrime, ku për 10 ditë në pediatri janë shtruar 100 fëmijë të grupmoshave të ndryshme. Në pediatri më shumë ndikon një kohë me lagështirë, e cila sjell viroza respiratore, ndërsa temperaturat e ulëta ndikojnë tek të rriturit”, tha Liçkollari.
Mjekët apelojnë për kujdes të shtuar, veçanërisht për fëmijët e vegjël dhe të moshuarit, të cilët janë më të rrezikuar nga komplikacionet që mund të sjellin virozat sezonale.
“Fëmijët duhet të vishen mirë, të evitojnë qëndrimin në ambiente të ftohta. Të njëjtat këshilla janë edhe për të rriturit dhe të paraqiten menjëherë në shfaqjen e shenjave të virozës”,shprehet mjeku.
Stafi mjekësor këshillon qytetarët që të mos neglizhojnë simptomat dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore në kohë, për të shmangur përkeqësimin e gjendjes shëndetësore. /Kb
Gjatë një seance dëgjimore në një gjykatë të ngarkuar në Stamboll sot, një prokuror qëlloi ish-gruan e tij, e cila po kryesonte një çështje si gjyqtare.
Ngjarja ka ndodhur në Gjykatën Rajonale të Apelit të Stambollit në Turqi, ndërsa gjyqtarja u qëllua në këmbë nga ish-bashkëshorti i saj.
Gjyqtarja u dërgua në spital dhe ka marrë trajtim mjekësor, me raportet fillestare që tregojnë se ajo është në gjendje të mirë. Policia lokale ka nisur një hetim mbi sulmin, me foto që tregojnë autoritetet duke rrethuar gjykatën menjëherë pas mesditës së sotme, sipas kohës lokale.
Media britanike Metro.co.uk ka bërë një paralelizëm me ngjarjen e ndodhur në Shqipëri, kur gjyqtar Astrit Kalaja u qëllua për vdekje pasi një burrë hapi zjarr në sallën e gjyqit.
Kalaja po kryesonte një çështje për mosmarrëveshje pronësie kur u qëllua me armë zjarri.
Gjyqtari vdiq më vonë nga plagët e marra ndërsa po transportohej me urgjencë në spitalin e Tiranës. Kalaja kishte shërbyer në këtë pozicion për tre dekada, duke iu bashkuar Gjykatës së Apelit të Tiranës në vitin 2019./kb
Deputeti PS Erion Braçe ka reaguar në lidhje me përmbytjet që kanë përfshirë vendin tonë ditët e fundit, dhe siç thotë ai edhe përmbytjet që po ndodhin tani edhe pse shi nuk ka më.
Sipas Braçes pagesa për dëmet është jetime për të kompensuar ekonominë që kanë humbur, si bagëtitë por edhe të mbjellat. Por theksin deputeti socialist e vë te eliminimi i faktorëve që çojnë në dëme, duke nënvizuar infrastrukturën.
Ai thotë se argjinaturat nuk mirëmbahen dhe askush nuk kujdeset për to, duke çuar në çarjen e tyre tani që nuk ka më shi.
“Ne nuk mund të kthehemi vetëm në një shtet që paguan dëmet, duhet të merremi me eliminimin e faktorëve që çojnë në këto dëme, infrastruktura, ajo që na takon ne. Këto që po lexoj me çarje argjinaturash tani pas reshjeve nga lumenj që fryhen, natyrisht ka pasoja për sjelljen e shtetit. Argjinaturat sot janë mall pa zot, nuk kujdeset kush sot, nuk ka roje.
E kam vuajtur vetë në kurriz, në Divjakën që sot nuk përmbytet. Duhet të ndryshojmë në mënyrën si i menaxhojmë veprat që janë jetike për banorët, duhet të paguajmë për to që mos kthehemi vetëm në një shtet që paguan dëme”, deklaron Braçe./kb
Durana Tech Park, parku i parë teknologjik dhe shkencor në Shqipëri, ka nisur operimin si një qendër për zhvillimin e teknologjisë dhe shkencës në vend, duke ofruar mundësi për startup-et dhe bizneset inovative.
Sipas drejtoreshës së Durana Tech Park, Florenca Haxhi, në fazën fillestare, Durana Tech Park operon 100% virtualisht, ndërkohë që pas përfundimit të ndërtimit të infrastrukturës fizike, do të kalojë në një model hibrid.
Ky model i operimit kombinon elementet virtuale me ato fizike dhe është krijuar për të përmbushur kërkesat dhe nevojat e rezidentëve të parkut për hapësira fizike të specializuara.
Haxhi shprehet se kjo metodë është frymëzuar nga praktikat më të mira të parqeve teknologjike ndërkombëtare dhe siguron që investimi i qeverisë për parkun të jetë në përputhje me kërkesat e zhvillimit global të teknologjisë dhe inovacionit.
“Në fillim parku operon 100% virtualisht dhe më pas, me ndërtimin e parkut fizik do të operojë në mënyrë hibride. Kjo mënyrë operimi është bazuar në shumë modele të tjera që ekzistojnë në botë dhe siguron që investimi i kryer nga qeveria për parkun të jetë në koherencë të plotë me kërkesat dhe nevojat që kanë rezidentët e parkut për hapësirat fizike në park”, deklaroi Haxhi.
Durana Tech Park ka si qëllim të bëhet një pikë kyçe për mbështetje dhe zhvillim të sektorëve të teknologjisë dhe inovacionit në Shqipëri, duke krijuar mundësi për rritjen e aftësive teknologjike dhe zhvillimin e një ekosistemi të qëndrueshëm për bizneset e reja dhe startup-et.
Ky park operon në bazë të ligjit “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore”, të vitit 2022 dhe akteve nënligjore të cilat janë miratuar gjatë viteve 2024-2025./kb