Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Sekuestrohen 26 mijë euro dhe paundë në Rinas

Policia Kufitare e Rinasit ka goditur dy raste të mosdeklarimit të parave në kufi, duke proceduar penalisht dy shtetas.

Një 37-vjeçar rezident në Mbretërinë e Bashkuar u kap me 15 mijë paundë, ndërsa një 32-vjeçar nga Kamza me 11 mijë e 370 euro.

“Në kuadër të kontrolleve të dedikuara, të bazuara dhe në analizën e riskut, me qëllim parandalimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie, shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit kanë evidentuar dhe goditur dy raste të mosdeklarimit të parave në pikën e kalimit kufitar.

Në vijim të veprimeve u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi shqiptar D. Sh., 37 vjeç, rezident në Mbretërinë e Bashkuar, të cilit, gjatë kontrollit në vijën e dytë, iu gjetën 15,000 paundë, që synonte t’i fuste në territorin e Republikës së Shqipërisë pa i deklaruar, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Po ashtu, u procedua penalisht shtetasi A. Z., 32 vjeç, banues në Kamëz, të cilit, gjatë kontrollit në vijën e dytë, iu gjetën 11,370 euro, që synonte t’i nxirrte nga Republika e Shqipërisë pa i deklaruar, në kundërshtim me ligjin.

Kontrollet dhe verifikimet nga Policia Kufitare do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë, me qëllim parandalimin e veprimtarive të paligjshme në kufi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

Kriza për Groenlandën nuk ka marrë fund/ Danimarka: Takim pozitiv me SHBA, por ende…

Nuk ishte një nismë pa rezultat. Ministrat e jashtëm të Groenlandës dhe Danimarkës deklaruan se bisedimet diplomatike me Shtetet e Bashkuara kanë qenë në masë të madhe konstruktive, por kriza nuk ka marrë fund.

Ata paralajmërojnë se ende nuk ka një zgjidhje përfundimtare lidhur me kërcënimin që, sipas tyre, përbën mania e presidentit amerikan Donald Trump për marrjen nën kontroll të territorit autonom.

Bisedimet ishin pozitive, por e ardhmja e Groenlandës, mbetet e paqartë. Ende nuk jemi aty ku duam të jemi. Rruga përpara është e gjatë dhe është ende herët për të thënë se ku do të përfundojmë”, u shpreh Vivian Motzfeldt, ministre e jashtme e Groenlandës.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen: “Nuk kemi dalë ende nga kjo situatë dhe nuk kemi një zgjidhje përfundimtare. Megjithatë, pozicioni ynë sot është shumë më i mirë krahasuar me disa javë më parë”.

Trump ka vijuar të shprehë publikisht dëshirën që Groenlanda t’i bashkohet SHBA-së, duke e justifikuar këtë me interesa të sigurisë kombëtare.

Megjithëse një traktat i vitit 1951 i lejon ushtrisë amerikane të krijojë dhe operojë baza ushtarake në Groenlandë, Trump ka argumentuar se mbrojtja e territorit mund të garantohet plotësisht vetëm nëse ai është në pronësi të SHBA-së, duke e quajtur këtë një hap “psikologjikisht të rëndësishëm”.

Ai pretendon se Kina dhe Rusia mund të përbëjnë një kërcënim për Groenlandën, veçanërisht me shkrirjen e akullnajave dhe hapjen e rrugëve të reja detare në Arktik, një vlerësim që Danimarka dhe aleatët e saj në NATO e hedhin poshtë.

Si rezultat i tensioneve, u krijua një grup pune i përbashkët mes Danimarkës, Groenlandës dhe SHBA-së, me qëllim zbutjen shqetësimeve amerikane për sigurinë.

Rasmussen konfirmoi se takimet e para tashmë kanë ndodhur dhe se bisedimet do të vazhdojnë.

VIDEO/ Momenti i pazakontë, trajneri i Juves puth gazetaren: A është penallti kjo?

Një moment i pazakontë është regjistruar gjatë transmetimit pas ndeshjes Juventus–Lazio në platformën DAZN.

Luciano Spalletti, teksa po fliste për temën e penalltive dhe konceptin e kontaktit në futbollin modern, surprizoi të pranishmit me një veprim të papritur gjatë intervistës live.

Gjatë bisedës me gazetaren Federica Zille, Spalletti u ndal te përkufizimi i kontaktit që mund të çojë në akordimin e një penalltie dhe, papritur, iu drejtua asaj me pyetjen: “A mund të të jap një puthje? Edhe ky është kontakt”, përpara se ta puthte lehtë në shpatull.

Gazetarja u shfaq fillimisht e habitur nga situata, por më pas reagoi me buzëqeshje.

Spalletti vijoi më tej, duke shtuar: “Po të përkëdhel? Edhe kjo është kontakt. Duhet të shohim se çfarë lloj kontakti është, apo nëse është një ndikim”, tha ai, duke e shoqëruar deklaratën me gjeste.

Apeli i GJKKO konfirmon vendimin, kryebashkiaku i Rrogozhinës Edison Memolla dënohet me 1 vit burg

Apeli i GJKKO ka konfirmuar dënimin me 1 vit burg për kryebashkiakun e Rrogozhinës Edison Memolla.

Memolla u akuzua për korrupsion zgjedhor, ndërsa pritet që SPAK të përgatisë urdhrin e ekzekutimit për të dërguar kryebashkiakun në qeli.

Sakaq, nga ky moment bashkia e Rrogozhinës do të ngelet pa kryetar dhe sipas rregullit duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Po ashtu Memollës do t’i ndalohet ushtrimi i funksioneve publike për 5 vite.

“Rama po mbron veten e tij, do të kthejë vendin në kushtet e ’92-it”, Berisha: Shqipëria s’ka plotësuar asnjë kusht për të qenë në BE

Kreu i PD-së, Sali Berisha deklaroi se kryeministri Edi Rama po ndëshkon vendin sa i takon rrugës së tij drejt integrimit në BE.

Ai tha se Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë kusht për të qenë pjesë e BE, ndërsa shtoi se Rama po tenton çojë vendin në kushtet e vitit 92.

“Rama po shkon drejt fundit të merituar. Atij i komunikohet se qëndrimi është i pa pajtueshëm me shtetin ligjor dhe standardet europian e sa do të zhbëjë procesin e integrimit dhe kthimin e procesit në kushtet e 1992. Akt që nuk është marrë kurrë në histori ndaj një vendi.. Akt i cili nuk është ndërmarrë kurrë ndaj një vendi. Nuk është ndërmarrë pasi nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston në histori një rast i vlefshëm me Ramën dhe me lubi Ballukun. Ju rikujtoj një moment një prokurore speciale, e cila në dallim nga mashtrimet e Ramës, ka pezulluar jo një po disa ministra. Kur ajo përgatiti dosjen e pezullimit të kryeministrit rumun, ai e mori vesh dhe dha dorëheqjen.

Pezullim ministrash, siç ua kam faktuar këtu me emra dhe mbiemra, e data, kanë ndodhur me dhjetëra raste. Rama po mbron veten e tij dhe po ndëshkon Shqipërinë. Ai kërcënonte Europën se; ne jemi perspektiva europiane. Shqipëria nuk plotëson asnjë kush të procesit të integrimit në BE. Nuk k plotësuar dhe sukseset e Shqipërisë me Edi Ramën janë mashtrime të mëdha. Ajo plotëson kushtin gjeostrategjik. Garantoj partnerët tanë, BE, se PD ka objektivin e saj më madhor, integrimin e Shqipërisë në BE, por në një mënyrë tjetër, në rrugë tjetër. Asnjëherë në mashtrimin dhe lobimet mashtruese. Kurrë nuk kemi ndjekur rrugë tjetër, veç asaj të suksesit.”, tha ai.

“I kam shërbyer shtetit shqiptar për 35 vite”, Shkëlqim Hajdari zyrtarisht prefekt i Tiranës: Ky pozicion do jetë më i dashuri, ndoshta edhe i fundit

Shkëlqim Hajdari ka marrë zyrtarisht detyrën si Prefekti i ri i Tiranës.

Në fjalën e tij të parë në këtë pozicion, Hajdari shprehu se i ka shërbyer shtetit për 35 vite dhe se busulla e tij do jetë vetëm ligji gjatë kohës së tij si Prefekt i Tiranës.

Ai shtoi se ky pozicion mund të jetë edhe i fundit për të ndaj dhe shprehu se dëshiron ta ushtrojë atë me dinjitet.Kjo frymë e ka bërë Tiranën një frymë të hapur për të gjithë ata që erdhën për të ndërtuar jetën këtu, duke e kthyer sot në një metropol. Sot dua të them të hapur, do të jem prefekt i të gjithëve, të çdo kujt që jeton në metropol pa dallime. Kjo sepse Tirana është e fortë vetëm kur banorët janë të bashkuar. Busulla ime do të jetë vetëm ligji. Kam mbi 35 vite që shërbej në shtetin shqiptar, por ky pozicion do të jetë më i dashuri ndoshta edhe i fundit. Pikërisht për këtë arsye dua të ushtroj me dinjitet e të lë gjurmë për mirë”, u shpreh Hajdari.

Monitorim i eficiencës gjyqësore/ ILD miraton 9 inspektime për vitin 2026, propozimet vetëm nga 3 institucione

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka miratuar në Mbledhjen e Përgjithshme të Inspektorëve, më 30 janar 2026, planin e inspektimeve në prokurori e gjykata për vitin 2026.

Inspektimet tematike dhe institucionale do jenë edhe gjatë vitit 2026, instrumenti me të cilin Inspektori i Lartë i Drejtësisë mat eficencën e drejtësisë në vend, ndërsa këtë vit, në mënyrë të dedikuar, do të monitorojë edhe zbatimin e rekomandimeve të lëna nga inspektime të mëparshme.

Në Mbledhjen e Përgjithshme të Inspektorëve u paraqit analiza e të dhënave mbi llojin e pretendimeve të ankuesve, qytetarë apo institucione deri në dhjetor 2025, si dhe pretendimet e ankesave të trajtuara me vendimmarrje gjatë vitit 2025. Sipas të dhënave, pjesën më të madhe e zenë pretendimet për vendimmarrje të padrejta, pretendimet për zvarritje gjykimi, zvarritje të veprimtarisë hetimore dhe vonesa në dorëzimin e vendimeve gjyqësore.

Në Mbledhjen e Përgjithshme të Inspektorëve u evidentua se gjatë vitit 2025, sipas traditës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë i ka dërguar kërkesa për tematika inspektimesh për planin e inspektimeve për vitin 2026, institucioneve të drejtësisë, Prokurorit të Përgjithshëm, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Ministrit të Drejtësisë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

Në mbledhje u vlerësua angazhimi i tri institucioneve, që kanë përcjellë propozime për inspektimet tematike ose institucionale, konkretisht Prokurori i Përgjithshëm ka propozuar 2 tematika inspektimesh, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, 4 tematika inspektimesh dhe Ministri i Drejtësisë 5 tematika inspektimesh.

Pas diskutimeve mbi të dhënat e ankesave të përcjella, të propozimeve të ardhura nga tri institucionet e drejtësisë, si dhe të prioriteteve të punës së ILD-së, edhe për shtrirje gjithëpërfshirëse gjeografike të inspektimit në gjykata e prokurori, Mbledhja e Përgjithshme e Inspektorëve miratoi gjithsej 9 inspektime për t’u realizuar gjatë vitit 2026, 8 inspektime tematike dhe 1 inspektim institucional. E veçanta këtë vit është miratimi i 2 inspektimeve tematike mbi ndjekjen e rekomandimeve të inspektimeve të mëparshme.

Nga trajtimi i ankesave të qytetarëve dhe institucioneve, kohëzgjatja e proceseve civile gjyqësore, shpallja dhe arsyetimi i vendimeve gjyqësore, respektimi i afateve të paraburgimit, trajtimi i referimeve dhe kallëzimeve penale ndaj punonjësit të policisë së shtetit dhe atij të burgjeve për keqtrajtim, kalendari i inspektimeve për vitin 2026 përmban:

  • Inspektimi tematik “Mbi procedurën e shpalljes dhe arsyetimit të vendimeve gjyqësore”, do të kryhet në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për periudhën 01.04.2025-30.06.2025. Ky inspektim, propozim i Ministrit të Drejtësisë do realizohet në periudhën kohore 16.02.2026 – 30.09.2026.
  • Inspektimi tematik “Trajtimi i referimeve dhe kallëzimeve penale ndaj punonjësve të policisë së shtetit dhe policisë së burgjeve për torturë, keqtrajtim, veprime arbitrare apo dhunë të çdo lloj forme” do kryhet në të gjitha zyrat e prokurorive në vend për periudhën 01.01.2025 – 31.12.2025. Inspektimi, propozim i Prokurorit të Përgjithshëm, do realizohet në periudhën 16.02.2026 – 02.12.2026.
  • Inspektimi tematik “Mbi kohëzgjatjen e proceseve civile gjyqësore të përfunduara me palë kundërshtare”, do të realizohet në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për periudhën 01.04.2025- 30.06.2025. Inspektimi, propozim i Ministrit të Drejtësisë do kryhet në periudhën kohore 16.02.2026 – 30.10.2026
  • Inspektimi tematik “Respektimi i afateve të paraburgimit në kuadër të shuarjes së masave të sigurimit gjatë fazës së hetimit” do të kryhet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për periudhën 2023-2025. Inspektimi, propozim i Këshillit të Lartë të Prokurorisë do kryhet në periudhën kohore 16.02.2026 – 30.10.2026
  • Inspektimi tematik “Ndarja e çështjeve me short, si dhe kontrolli i raporteve të sistemit elektronik”, që do të realizohet për periudhën 01.01.2025-31.12.2025, në Gjykatat e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, Lezhë dhe Vlorë. Inspektimi pranë këtyre gjykatave do të kryhet në periudhën02.2026 – 10.12.2026.
  • Inspektimi tematik “Mbi praktikën dhe shkaqet e zëvendësimit të prokurorëve” për periudhën 01.01.2025-31.12.2025. Inspektimi do të kryhet në të gjitha zyrat e prokurorive në periudhën 16.02.2026 – 21.12.2026.
  • Inspektim institucional “Infrastruktura dhe qarkullimi i dokumentacionit”, do kryhet në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm për periudhën 01.04.2025 – 30.06.2025. Inspektimi do realizohet në periudhën 16.02.2026 -30.10.2026

Në mënyrë të posaçme gjatë vitit 2026 janë miratuar dy inspektime për ndjekjen e rekomandimeve të inspektimeve të mëparshme, konkretisht:

  • Inspektim vijues tematik mbi ndjekjen e rekomandimeve të inspektimit tematik miratuar me raportin nr. 56/29, datë 29.12.2023 për “Lirimin me kusht” në të gjitha gjykatat dhe prokuroritë për periudhën16.02.2026 – 30.10.2026
  • Inspektim vijues tematik mbi ndjekjen e rekomandimeve të inspektimeve tematike miratuar me raportet nr. 608/4, datë 22.04.2024 dhe nr. 2495, datë 09.09.2025 “Mbi caktimin e çështjeve me short në prokurori”, do të kryhet në të gjitha zyrat e prokurorive për periudhën 02.2026 – 31.07.2026. Inspektimi do të kryhet në periudhën 16.02.2026 – 30.09.2026.

Dhunoi avokatin e Ilir Metës/ Policia: Identifikohet dhe shpallet në kërkim një prej autorëve

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për ngjarjen e ndodhur në rrugën Transballkanike, ku mbeti i dëmtuar shtetasi K. C., me profesion avokat, bëjmë me dije se nga puna intensive e kryer nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, u bë i mundur identifikimi i njërit prej autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasit S. Xh., 40 vjeç, banues në Vlorë, i cili u shpall në kërkim për veprën  penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit S. Xh. Ndërkohë, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin e të gjithë shtetasve të përfshirë dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë penale.

Shtetasi K. C. vijon të jetë në kujdeesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën

Biznesmeni Ramë Geci paraqitet në SPAK i doli emrin në dosjen e Ballukut

Biznesmeni i njohur Ramë Geci është paraqitur mëngjesin e kësaj të hëne në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK). Ai është parë duke hyrë në institucion pak minuta më parë, por ende nuk ka konfirmime zyrtare për arsyen e paraqitjes së tij.

Emri i Gecit është përfolur pak kohë më parë në lidhje me dosjen e zv/kryeministres së pezulluar Belinda Balluku, ku dokumentet tregojnë se ai ka pasur takime me Ballukun, dhe pas këtyre kontakteve, kompania e tij ka rezultuar fituese e një tenderi shtetëror.

Hetimet e SPAK pritet të zbulojnë nëse këto marrëdhënie kanë ndikuar në proceset e prokurimit dhe në dhënien e favoreve për biznesin e Gecit.

Mosvendimi i Kushtetueses për Ballukun, Rama ndan “3 konkluzione nga mbledhja”

Këtë të hënë, 9 shkurt, është mbledhur në Kryesi që prej orës 10:00 grupi parlamentar i Partisë Socialiste.

I pranishëm ishte kreu i qeverisë, Edi Rama, dhe Belinda Balluku, e pezulluar nga detyra si ministre dhe zv.kryeministre, me vendim të GJKKO-së.

“3 konkluzione nga mbledhja e Grupit Parlamentar pas mosvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rivendosjes së pezullimit të ministres nga :

  1. Funksionet e padelegueshme kushtetuese, nga ai i anëtarit të qeverisë tek ai i Presidentit të Republikës dhe jo vetëm, nuk mund të pezullohen kurrësesi nga askush duke u nisur nga një emër përveçëm, sepse pezullimi paralizon funksionin, pra institucionin që ai/ajo drejton.
  2. Nisur edhe nga leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku të gjithë anëtarët e trupës shfaqen unanimë lidhur me problemin, po ndahen tek rrugëzgjidhja, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion.
  3. E vetmja palë e përmbushur nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, që në kushtet e pezullimit mund të vazhdojë krejt qetësisht hetimin përkatës, ndërkohë që deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit.

Një shtesë nga ana ime:

SPAK-u nuk preket, vetëm mbështetet. Liria dhe e drejta e çdo prokurori për të hetuar çfarëdoqoftë e këdoqoftë nuk preken, vetëm garantohen. Pavarësia kushtetuese e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, gjithashtu nuk preken. Vetëm garantohen”, është ky postimi i kryeministrit fill pas mbledhjes.

Vlen të theksohet se vetëm 3 ditë më parë, Gjykata Kushtetuese nuk arriti dot të merrte një vendim lidhur me padinë e qeverisë për çështjen e Ballukut.

Ndarja 4 me 4 e gjyqtarëve, bëri që ankimimi të rrëzohej dhe të rikthehej në fuqi masa e “pezullimit nga detyra” për ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Teksa e cilësoi “shembull të një budallallëku botëror”, Rama e bëri të qartë se beteja ligjore për këtë rast do të vijojë, duke ritheksuar se “lajthitjet e drejësisë” kanë çuar në shifra alarmante sa i takon masave shtrënguese pa gjyq.

Kjo mbledhje, është e përjavshme, zhvillohet para vizitës së kryeministrit në Bruksel, ku pritet të takojë Antonio Costa-n, Presidentin e Këshillit Europian.

Prokuroria në Hagë kërkon 45 vjet burgim për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin

Në Gjykatën Speciale në Hagë nisën sot deklaratat përmbyllëse për rastin gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Prokurorja e Specializuar, Kimberly West e nisi fjalën e saj duke thënë se Gjykata Speciale është bërë “trup funksional, i suksesshëm në një periudhë relativisht të shkurtër”.

Prokurorja West ka thënë se nuk kërkohet dënim për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, por për personat e akuzuar, duke kërkuar 45 vjet burgim.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon vendim dënimi për të gjitha pikat e aktakuzës dhe një vendim të vetëm prej 45 viteve, mbështetur në kontributet individuale të krimeve të kryera nga secili prej personave, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Këto janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, janë të rënda dhe këto akuza nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës”, tha prokurorja.

Ajo ka pretenduar se 100 persona janë vrarë dhe qindra tjerë janë abuzuar, në dhe rreth 50 plus kampeve të ndalimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Kjo çështje ka të bëjë me qëllimin e katër të akuzuarve për të fituar dhe ushtruar kontroll në gjithë Kosovën. Kjo vendosmëri për kompetencë dhe fuqi u has me diçka, dhe kjo kishte të bënte me persona që kishin dalë si kundërshtarë ose përcaktoheshin se ishin bashkëpunëtorë me forcat serbe, ose zyrtarë serbë, ose që nuk mbështesinin synimet e UÇK-së”.

Sipas saj, shpesh aty përfshiheshin persona të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës, persona romë dhe serbë.

“Pavarësisht frikës, stigmës dhe situatave me të cilat janë përballur dëshmitarët dhe familjarët e tyre nga një grup i kufizuar, por me zë, në Kosovë, këta dëshmitarë e kanë dëshiruar kaq shumë të vërtetën që të dalë në pah, prandaj pavarësisht kësaj kanë përzgjedhur të bashkëpunojnë me zyrën time dhe të japin dëshmi para kësaj gjykate”, u shpreh ajo në deklaratën përmbyllëse. /rel/

Pasuritë e krimit kthehen në shërbim të komunitetit/ Hapet thirrja për financimin e projekteve të OJF-ve

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu përsëriti një mesazh të qartë e të pakthyeshëm: pasuritë e përfituara nga veprimtaria kriminale nuk do të gëzohen dhe nuk do të trashëgohen, por do të kthehen në shërbim të interesit publik. Para e prona, që burojnë nga droga, mashtrimi apo forma të tjera të kriminalitetit nuk janë më simbol fuqie apo privilegji, por do të rikthehen aty ku u përkasin, tek fëmijët, familjet, komunitetet në nevojë dhe viktimat e dhunës.

Si një provë konkrete e këtij angazhimi, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka hapur Thirrjen për Financim Projektesh, një mundësi e dedikuar për organizatat jofitimprurëse që synojnë të shndërrojnë pasurinë e konfiskuar të krimit në projekte me impakt real shoqëror.

Fondi total në dispozicion është 150,000 euro (rreth 15 milionë lekë), i krijuar jo nga buxheti i qytetarëve, por nga pasuritë e konfiskuara të krimit, që rikthehen në dobi të shoqërisë. Qëllimi i mbështetjes financiare është parandalimi i kriminalitetit dhe rehabilitimi social, kulturor dhe shëndetësor i shtresave në nevojë, veçanërisht i personave dhe grupeve të prekura ose të rrezikuara nga krimi i organizuar, trafikimi dhe forma të tjera të kriminalitetit.

 

 

Ministrja Koçiu, përmes një postimi në rrjetet sociale fton të gjitha organizatat e shoqërisë civile, të aplikojnë e të bëhen pjesë e një përpjekjeje të përbashkët, ku pasuritë e krimit shndërrohen në shpresë, mbështetje dhe zhvillim për komunitetin.

Fushat prioritare të ndërhyrjes përfshijnë, ndër të tjera:

-rehabilitimin social, kulturor dhe shëndetësor të shtresave në nevojë;

-parandalimin e kriminalitetit dhe riintegrimin e personave të prekur nga krimi;

-asistencën dhe rehabilitimin e viktimave të krimit të organizuar dhe trafikimit;

-rehabilitimin dhe trajtimin e përdoruesve të substancave narkotike;

-mbrojtjen e të drejtave të familjarëve të punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës;

-asistencën dhe rehabilitimin e viktimave të trafikut të qenieve njerëzore.

Aplikimi është i hapur për organizata jofitimprurëse të regjistruara në Republikën e Shqipërisë, të cilat kanë në objektin e veprimtarisë së tyre një ose më shumë nga këto fusha. Afati për dorëzimin e aplikimeve është data 9 mars 2026. Informacione të detajuara mbi kriteret, dokumentacionin dhe procedurën e aplikimit gjenden në faqen zyrtare të AAPSK-së dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Detaje nga aksidenti i rëndë në Greqi/ Makina ra nga 300 m lartësi në humnerë, trupi i shoferit lakuriq dhe pa kokë

Zbardhen të tjera detaje nga aksidenti i rëndë që ndodhi dje në Karpenisi, pranë Manastirit të Shenjtë të Panagia Prousiotissa në Greqi. Sipas informacioneve, një automjet i drejtuar nga një burrë 59-vjeçar doli nga rruga Prousos-Tornos dhe ra nga një shkëmb rreth 300 metra i thellë, duke përfunduar pak mbi një lumë. Menjëherë pas njoftimit, u organizua një operacion i madh shpëtimi me pjesëmarrjen e Zjarrfikësve, Policisë dhe Shërbimit të Urgjencës Mjekësore (EKAB).

Mediat greke raportojnë se zjarrfikësit gjetën trupin e burrit jashtë automjetit, në gjendje shumë të rëndë, disa metra larg mjetit. Sipas televizionit Mega, trupi ishte i dëmtuar rëndë për shkak të rënies nga lartësia e madhe, ndërkohë që koka ishte shkëputur. Zëdhënësja e Policisë Helenike, Constantia Dimoglidou, deklaroi se po hetohen të gjitha mundësitë, përfshirë nëse bëhet fjalë për një aksident apo për një ngjarje me elementë penalë. Ajo theksoi se gjendja e trupit është e justifikueshme për shkak të rënies nga një lartësi ekstreme, ndërsa priten rezultate vendimtare nga ekspertiza mjeko-ligjore.

Nga ana e tij, komandanti i Zjarrfikësve të Evrytania-s, Yiannis Arapis, sqaroi se operacioni ishte veçanërisht i vështirë për shkak të terrenit malor dhe rrezikut të rrëshqitjeve. Ai bëri të ditur se kërkimet vijojnë edhe sot, me përdorimin e dronëve dhe kamerave termike, për të verifikuar nëse në automjet ndodhej ndonjë person tjetër. Hetimet paraprake po kryhen nga Policia Greke (ELAS), ndërsa autoritetet mbeten në gatishmëri në zonë.

Rama në Bruksel, takon presidentin e Këshillit Europian Antonio Costa

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pritet të zhvillojë një vizitë zyrtare në Bruksel sot e hënë më 9 shkurt, ku do të ketë një takim me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa. Takimi vjen në një moment vendimtar për Shqipërinë, pasi fokusi kryesor pritet të jetë procesi i negociatave të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Një nga çështjet kryesore të mbetura pezull është Raporti i Vlerësimit të Standardeve për Reformimin e Gjyqësorit, i njohur si IBAR, i cili lidhet me kapitujt 23 dhe 24 të procesit të negociatave. Deri më tani, Shqipëria nuk ka mundur ta marrë këtë raport të plotë dhe të miratuar nga shtetet anëtare të BE-së. Pa aprovimin e këtij dokumenti, procesi i mbylljes së kapitujve nuk mund të ecë përpara.

Në diskutimet e mëparshme në nivel ambasadorësh, është kërkuar që Shqipëria të ofrojë prova konkrete mbi ndëshkimin e zyrtarëve të lartë të akuzuar, përfshirë vendime përfundimtare të gjykatave dhe sekuestrime të pasurive të tyre. Ky është një nga kushtet që konsiderohen jetike për të treguar progresin në reformën në drejtësi.

Me metodologjinë e re të negociatave të BE-së, një shtet anëtar mund të kërkojë që procesi të rikthehet në pikën e fillimit nëse nuk shihen përparime të dukshme në këto fusha kritike. Kapitujt 23 dhe 24, të lidhura me drejtësinë dhe sundimin e ligjit, janë gjithmonë ndër të parët që hapen, por edhe ndër të fundit që mbyllen gjatë procesit të integrimit, duke e bërë progresin në këtë fushë një indikator të rëndësishëm të përparimit të vendit drejt BE-së.

Takimi i Ramës me Antonio Costën pritet të jetë një mundësi për të diskutuar këto sfida dhe për të përcaktuar hapat e ardhshëm në rrugën drejt anëtarësimit. Në fokus do të jenë jo vetëm arritjet e bëra deri tani, por edhe detyrimet e mbetura për të përmbushur standardet evropiane në gjyqësor dhe në drejtim të sundimit të ligjit.

E parkuar pranë banesës së 46-vjeçarit, merr flakë makina në Lezhë, ja çfarë dyshohet

Një automjet është përfshirë nga flakët në shatin Shullaz. Shkak dyshohet se është bërë një shkëndijë elektrike.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi dje, në fshatin Shullaz, dyshohet se për shkak të një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në automjetin në pronësi të shtetasit 46 vjeç, i parkuar pranë banesës së tij”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.

 

 

Papa Leone: Strategjitë ushtarake nuk i japin njerëzimit një të ardhme

Papa Françesku u bëri thirrje besimtarëve që të vazhdojnë të lutën për paqe, duke theksuar se strategjitë e fuqive ekonomike dhe ushtarake nuk i japin njerëzimit një të ardhme të qëndrueshme.

Këto deklarata Papa i bëri gjatë lutjes së së dielës Angelus, ku nënvizoi se historia ka treguar se përdorimi i forcës dhe interesave të ngushta nuk sjell zgjidhje afatgjata.

“Sipas historisë, strategjitë e fuqive ekonomike dhe ushtarake nuk i japin njerëzimit një të ardhme. E ardhmja qëndron në respektin dhe vëllazërinë midis popujve,” u shpreh Ati i Shenjtë.

 

Organizonin baste sportive online/ Arrestohet një person, dy të tjerë procedohen penalisht, sekuestrohen 3 celularë në një lokal në Korçë

Vijojnë kontrollet e policisë në qarkun e Korçës për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.

Gjatë operacionit të zhvilluar në disa lagje të qytetit, janë evidentuar dy raste të tjera të kësaj veprimtarie, ku një person u arrestua në flagrancë, dy të tjerë procedohen penalisht, ndërsa në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 3 celularë që përdoreshin për baste sportive online.

Njoftimi i Policise

Vijojnë kontrollet në të gjithë territorin e qarkut Korçë, për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.

Goditen 2 raste të tjera të kësaj veprimtarie.

Vihet në pranga 1 shtetas dhe procedohen penalisht 2 të tjerë.

Sekuestrohen 3 celularë.

Në zbatim të Planit të Masave për kontrollin e ambienteve dhe personave që ushtrojnë veprimtarinë e jashtëligjshme të organizimit të lojërave të fatit të palejuara dhe në zbatim të planit të operacionit “Loja e fundit”, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë kanë ushtruar kontrolle në disa lagje të qytetit. Si rezultat i tyre u goditën 2 raste të tjera, të kësaj veprimtarie të paligjshme dhe konkretisht:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin:

-M. P., 43 vjeç, banues në Korçë për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.

Si dhe referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit G. A., dhe Gj. M., banues në Korçë,

Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin në pronësi të 43-vjeçarit, në lagjen nr. 8, Korçë, në celularët e shtetasit M. P., dhe G. A., u gjetën faqe për baste sportive. Gjithashtu edhe gjatë kontrollit të ushtruar në celularin e shtetasit Gj. M., në lokalin ku ndodheshe në lagjen nr. 9, Korçë, u gjetën faqe për baste sportive.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 celularët.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

Aksident në Vlorë, përplasen dy makina/ Pamje nga vendngjarja, plagoset një vajzë

Një aksident automobilistik ka ndodhur pak momente më parë në rrugën që lidh Vlorën me Selenicën. Burimet nga policia bëjnë me dije se pranë fshatit Alikokë dy makina janë përplasur.

Shkak mendohet të ketë qënë shpejtësia por edhe prezenca e lagështisë në rrugë. Si rrjedhojë e aksidentit, ka mbetur e plagosur një vajzë e cila është dërguar me urgjencë në spitalin e Vlorës.

Ajo raportohet të ketë plage të shumta dhe është dërguar për ndihmë mjekësore.

❌