Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

30 km larg vendit të aksidentit, gjendet pas rreth një muaji trupi i pajetë i 30-vjeçarit në Klos

Gjendet pas rreth një muaji trupi i pajetë i 30-vjeçarit JKurgen Karaj.

Trupi i tij u gjet 30 km nga vendi ku ndodhi aksidenti tragjik i 10 janarit.

Jurgen Karaj, nga fshati Fullqet Klos, u mor nga rrjedha e përroit të Darsit pas aksidentit.

Kërkimet u zhvilluan pa ndërprerje për ditë me rradhë në shtratin e lumit dhe zonat përreth

Në kërkime u angazhuan: Batalioni i Tretë i Repartit të Këmbësorisë Burrel, forca policore dhe ushtarake shqiptare, familjarë, struktura të ndryshme lokale, dhe një ekip i specializuar nga Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Aksidenti i rëndë 

Më 10 janar, në fshatin Dars, Klos, një automjet doli nga rruga duke rënë në përroin e fshatit.

Drejtuesi i mjetit, Andi Losha 24-vjeç nga Klosi, nën efektin e alkoolit u largua nga vendngjarja, duke lënë shokun aty dhe duke mos njoftuar as policinë.

Rama të hënën në Bruksel, takohet me presidentin e Këshillit Europian

Kryeministri Edi Rama do të takohet ditën e hënë më 9 shkurt me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa.

Në takimin në Bruksel, fokusi pritet të jetë procesi i negociatave për anëtarësim.

Shqipëria ende nuk ka mundur të marrë Raportin e Vlerësimit të Standardeve për Reformimin e Gjyqësorit për kapitujt 23 e 24 i quajtur IBAR. Pa miratimin e këtij raporti nga shtetet anëtare nuk mund të nisë procesi i mbylljes së grupkapitujve.

Në mbledhjet e deritanishme në nivel ambasadorësh ka patur kërkesa për prova konkrete zyrtarësh të lartë të dënuar me vendime përfundimtare dhe sekuestrime të pasurive të tyre.

Me metodologjinë e re të negociatave mundet që një shtet anëtar i BE-së në këto rrethana të kërkojë rikthimin e tyre në pikën fillestare. Kapitujt 23-24 mbi gjyqësorin u hapën të parët dhe mbyllen të fundit në procesin e negociatave.

EMRAT/ Drogë, vjedhje dhe mashtrim! 6 të arrestuar në Durrës

Policia e Durrësit ka arrestuar dhe proceduar disa shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Sipas njoftimit, janë arrestuar gjashtë persona, të cilët kanë konsumuar vepra penale të kultivimit të lëndëve narkotike, vjedhjes apo mashtrimit.

 

Njoftimi i Policisë:

DVP Durrës / Lokalizohen dhe kapen 6 shtetas të shpallur në kërkim:

2 prej tyre të dënuar për prodhim/shitje narkotikësh dhe dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit;

1 shtetas i akuzuar për vjedhje;

si dhe 3 të tjerë të dyshuar për veprat penale “Mashtrimi”, “Mashtrimi i kryer në bashkëpunim” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Si rezultat i kontrolleve dhe punës operative, të kryera me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të kërkuar për vepra penale të ndryshme, specialistët e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, në kuadër të operacionit “Ndjekja”, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasit:

Abdyl Kaçaça, 35 vjeç, banues në Durrës, të cilin Gjykata e Apelit, në vitin 2024, e ka dënuar me 5 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Prej dënimit, atij i kanë mbetur për të vuajtur 2 vjet e 9 muaj burgim;

Jorid Muçeku, 27 vjeç, banues në Durrës, i cili me vendim të formës së prerë të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka për të vuajtur 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”;

V. T., 45 vjeç, për të cilin Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”;

E. S., alias E.H, 35 vjeç, banues në Laç, për veprën penale “Mashtrimi”;

B. D., 33 vjeç, banues në Kavajë, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, i cili në përfundim të veprimeve është proceduar penalisht në gjendje të lirë.

E. S., 35 vjeç, banues në Durrës, i shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, për veprën penale “Mashtrimi”, i cili i cili në përfundim të veprimeve është proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Vijon puna për kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

Rikonstruksioni i shkollës “Ali Laçej” në Shkodër, Rama: Do ti shërbejë mbi 150 nxënësve, mësuesve dhe komunitetit

Ka përfunduar rikonstruksioni i shkollës “Ali Laçej” në Shkodër.
Lajmin e jep kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në Facebook.
Kreu i qeverisë shprehet se, tashmë kjo shkollë do ti shërbejë mësimdhënies, sporteve, arteve, zejeve dhe aktiviteteve komunitare për mbi 150 nxënës, mësuese gjithë komunitetin.
Një shkollë e bukur, me një pamje të re dhe mjedise të sistemuara.
Shkollës “Ali Laçej” në Shkodër i është kthyer funksionaliteti i hapësirave rreth saj në shërbim të mësimdhënies, sporteve, arteve, zejeve dhe aktiviteteve komunitare për mbi 150 nxënës, mësuese gjithë komunitetin“, shkruan Rama në postimin e tij.

Lojtari i fundit i Barçës me një seri të tillë ishte Messi/ Statistikat nuk gënjejnë: Yamal nuk lodhet së “shkatërruari” rivalët

Barcelona do të luajë në gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit për herë të 62-të në historinë e saj, ndaj Atletico Madrid.

Katalanasit eliminuan Albacete, një hap tjetër drejt mbrojtjes së trofeut dhe e bënë këtë falë, edhe një herë, lojtarit më shpërthyes e vendimtar, Yamal.

I riu e ka nisur vitin 2026 në mënyrë shkatërruese, me një seri spektakolare që konfirmon formën e tij të jashtëzakonshme.

Produkti i “La Masia” është i papërmbajtshëm, e shijon lojën, shënon, asiston. Ai është vendimtar në ecurinë pozitive të Barçës: fituese e Superkupës, lidere e La Liga-s, e kualifikuar direkt në 1/8 finale të Champions-it dhe në gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit.

Shifrat tregojnë qartë se, Yamal ka rikthyer versionin e tij më të mirë.

Fillimi i tij 2026 është spektakolar. Askush nuk e ndjek ritmin e tij as në fushë, as në statistika. Në 6 ndeshjet e fundit, ose ka shënuar, ose ka asistuar, ose i ka bërë të dyja.

18-vjeçari ka 4 ndeshje radhazi duke shënuar, në tri kompeticione të ndryshme: kundër Albacete në Kupën e Mbretit, ndaj Elche në La Liga, kundër Kopenhage në Champions dhe ndaj Oviedo në kampionat. Lojtari i fundit i Barçës me një seri të tillë ishte… Leo Messi. Përveç kësaj, ai asistoi në ndeshjen kontinentale kundër danezëve dhe ndaj Real Sociedad, si dhe shënoi kundër Racing në Santander, në 1/8-at e finales së Kupës.

Forma e shkëlqyer e talentit blaugrana, i cili në total numëron 14 gola dhe 12 asistime, vlerësohet dhe duartrokitet nga të gjithë. Është golashënuesi i dytë i ekipit, pas Ferran Torres, si dhe lojtari që ka dhënë më shumë pasime vendimtare.

Lamine është një gjeni. Jemi të kënaqur, po shijon lojën. Është mirë, i është kthyer ajo shkëndija”, tha Joan Laporta pas ndeshjes së Kupës në Albacete.

Që ai ta shijojë lojën, është mirë për ne”, shtoi Deco.

Është lojtar i nivelit botëror”,theksoi shoku i tij i skuadrës, Gerard Martín.

Resorti i Ulajt mbi 146 hektarë të grabitur, banorët e Rrjollit vijojnë protestën: Të hënën bllokojmë Prokurorinë e Shkodrës

Banorët e Rrjollit të Velipojës vazhdojnë protestën sërish kundër ndërtimit të resortit luksoz të oligarkut Bashkim Ulaj.

Të ndalojnë punimet derisa gjykata të shqyrtojë dokumentet tona. Tokat i kemi të rregullta. I bëjmë thirrje shtetit ti shohë dokumentet. Të hënën do bllokojmë Prokurorinë e Shkodrës”, paralajmërojnë banorët.

Banori: “Unë jam i përfaqësuesi i Shullajve, që kemi letrat e tokës, 400 dynym tokë. Që e kemi bërë me dokumenta të rregullta. Në 2006-ën kemi një vendim gjykate që e kemi fituar. Në 2008-ën Sali Berisha ka nxjerrë një ligj që ne e kemi fituar me urdhër të premë. Edhe ne fjetëm mendjen…

Sot është dita e gjashtë. Dje kemi bërë një protestë shumë pak njerëz, por kemi bërë një protestë që është e papame. Sot po mblidhet populli, e shihni vetë. Çfarë do të vijnë, do të shihet javën tjetër. Kjo do të jetë një protestë që nuk do të mbyllet as sot, as këtë muaj. I bëjmë thirrje shtetit. I bëjmë thirrje tërë shtetit tonë, shtetit shqiptar. T’i vënë këto letra në dukje. I bëjmë thirrje SPAK-ut. Kemi qenë përpara SPAK-ut, një vit po bëjmë në maj, që na ka çuar, para 10 ditësh na ka çuar në Shkodër. Ne jemi, të hënën do të bllokojmë derën e Shkodrës, te prokuroria. Dhe janë pak sot çfarë do të shkojnë të hënën në Tiranë. Punëtorët e firmës janë duke punuar, gjithçka në këtë dynym janë duke punuar. Sot për sot, nuk e di a janë duke punuar, a janë duke punuar prapë? Janë bllokuar fije… a janë bllokuar se na ka policë pak? A janë bllokuar se u duket popull shumë? Ata ta zgjidhin vetë. Por kjo do të jetë një protestë që nuk do të bëjmë vaki në tërë botën, që do të jetë protesta më e madhe ndonjëherë. Kjo protestë as mbyllet sot, as këtë muaj. I bëjmë thirrje që tërë emigrantët, të mblidhen në këtë tokë. T’i dalim zot tokave të parëve tanë, që na e kanë lënë me djersë, ka ndenjur zveshur, zbathur, ka jetuar në kasolla, nuk ka jetuar luksoze”.

Kompleksi, ndërmjet Ranës se Hedhun dhe Velipojës, sipas projektit, do këtë sipërfaqe rreth 146 hektarë. Por, banorët protestojnë pasi pretendojnë se resorti po ndërtohet mbi tokat e tyre, të cilat akuzojnë se u janë grabitur.

Më 31 dhjetor 2024, biznesmeni Bashkim Ulaj, së bashku me dy vëllezërit e tij Astrit dhe Ahmet Ulaj, morën statusin e veçantë “investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special” për ndërtimin e resortit turistik Blue -Borgo” nga “Gener 2”  “Aba Blue Borgo”, sh.p.k.

Pasardhësi i Del Pieros/ Kontratë deri më 2030 dhe rrogë më shumë se e trefishuar. Dita e firmës për Yildiz

Është dita e firmës. Kenan Yildiz përgatitet të lidhet edhe më fort me Juventusin. Numri 10 bardhezi është një element themelor për skuadrën e Luciano Spallettit.

Fantazi dhe lëvizje të rëndësishme, por edhe gola dhe asiste.

Në sezonin aktual, lojtari ka qenë vendimtar në disa raste, duke shënuar gjithsej 9 gola dhe dhënë 8 asiste në kompeticionet e ndryshme ku është aktivizuar. Shifra që vërtetojnë talentin e një futbollisti, i cili është rritur dhe bërë vendimtar me fanellën bardhezi.

Tashmë ai po përgatitet për rinovimin e kontratës.

Siç shkruan “Gazzetta dello Sport”, Yildiz do të firmosë rinovimin deri në vitin 2030.

Përveç zgjatjes së kontratës, ai do të përfitojë një rritje të konsiderueshme page, e cila do të kalojë nga 1.7 milionë euro në sezon, aktualisht paga e 19-të në listën e pagave të klubit, në 6 milionë euro në sezon, duke u ngjitur në vendin e dytë, në të njëjtin nivel me Jonathan David, pas Vlahovic.

Jo vetëm kaq, nga sezoni i ardhshëm parashikohet edhe një rritje shtesë prej një milion eurosh.

Njoftimi zyrtar pritet të bëhet ndoshta që sot, me një spektakël që zakonisht u rezervohet vetëm lojtarëve të nivelit të lartë.

Në fund të fundit, Yildiz është shndërruar në një lojtar shumë të rëndësishëm për Juventusin, i destinuar të bëhet simbol i klubit.

Media prestigjioze BBC i ka kushtuar një artikull Parkut Kombëtar Shebenik, duke e vënë në qendër si një zonë kyçe për ruajtjen e biodiversitetit ndërkufitar

Artikulli thekson rolin e Prespa Ohrid Nature Trust (PONT) në mbështetjen e komuniteteve lokale dhe të barinjve, si dhe rëndësinë e Shebenikut në mbrojtjen e specieve të rralla, si rrëqebulli i Ballkanit.

Ky vlerësim nga BBC është një tjetër dëshmi e rëndësisë ndërkombëtare të Parkut Kombëtar Shebenik dhe e partneriteteve për ruajtjen e natyrës

Me sy të lirë, mund të duket sikur e gjithë fauna dhe flora lulëzon në Parkun Kombëtar Shebenik. Megjithatë, shumë specie bimore dhe shtazore po përballen me një rënie të ndjeshme të popullatave të tyre. Prespa Ohrid Nature Trust (PONT) është një aktor kyç në përballimin e nevojave mjedisore në rritje të rajonit. Duke lidhur konservatorët me barinjtë tradicionalë të blegtorisë, PONT nxit bashkëpunimin e njohurive ekologjike të trashëguara ndër breza me kuptimin shkencor, me shpresën për të përfituar përpjekjet për ruajtjen e biodiversitetit.

Fatmir Brazhda, drejtor i Parkut Kombëtar Shebenik, thotë se bashkëpunimi me barinjtë ka rezultuar efektiv për shkak të pranisë së tyre të vazhdueshme në park. “Kullotja e vazhdueshme e tufave të tyre luan një rol në ruajtjen e ekuilibrit mes specieve, gjë që ndihmon në preservimin e biodiversitetit të parkut. Prandaj, për ne ata janë aleatë – aleatë shumë të rëndësishëm – dhe ne bashkëpunojmë me ta vazhdimisht.”

Barinjtë vendas janë bërë aq të familjarizuar me ciklet sezonale, modelet e kullotjes së kafshëve, komunitetet bimore dhe sjelljen e kafshëve, saqë mund të ofrojnë njohuri eksperte mbi biodiversitetin. Tufat e tyre ruajnë habitatet e hapura, të cilat janë jetike për orkidetë e rralla dhe shpendët që folezojnë në tokë. Rrëfimet e tyre për ujqërit dhe arinjtë ofrojnë monitorim në kohë reale të pranisë së këtyre specieve.

“Dosjet Epstein”, një i burgosur misterioz hyri në qelinë e tij natën që kreu vetëvrasje?

Dokumente të reja tronditëse nga arkivat e Epstein japin një rrëfim kontradiktor të orëve të fundit të pedofilit miliarder, ndërsa ai ishte në qeli.

“Dosjet Epstein” të publikuara së fundmi kanë zbuluar se autoritetet besojnë se një i burgosur “misterioz” mund të ketë pasur qasje në vendin ku mbahej Jeffrey Epstein natën e vdekjes së tij.

I fshehur midis tre milionë faqeve me dokumente ligjore dhe mijëra imazheve, qëndron një ekspozitë që duket se bie ndesh me versionin zyrtar të orëve të fundit të pedofilit famëkeq.

Hetuesit federalë shqyrtuan pamjet filmike me qark të mbyllur nga Qendra Korrektuese Metropolitan në Nju Jork, ku ishte i burgosur Epstein, dhe vunë re një figurë portokalli duke u ngjitur në një shkallë për në qelinë e tij natën e vdekjes së tij.

Sipas të dhënave zyrtare, Epstein kreu vetëvrasje diku pas orës 6:30 të mëngjesit më 10 gusht 2019, kur u zbulua nga një roje burgu duke i shpërndarë mëngjesin. Raporti fillestar i mjekut ligjor arriti në përfundimin se ai kishte kryer vetëvrasje duke u varur.

Megjithatë, deri më sot, nuk është përcaktuar asnjë kohë zyrtare e vdekjes, pasi dy nga kamerat që monitoronin qelinë e tij u gjetën të “mosfunksionuara” dhe më pas u vunë nën shqyrtim nga FBI-ja.

Raporti theksoi se në orën 22:39 të mbrëmjes më 9 gusht 2019, agjentët e FBI-së vunë re “diçka portokalli që dukej sikur po ngjitej shkallëve të Katit L, ndoshta një i paraburgosur që po shoqërohej në atë kat”.

Pavarësisht kësaj, analiza nga dy autoritetet hetimore bie ndesh me deklaratat publike të bëra nga të paktën dy zyrtarë të lartë amerikanë.

Bill Barr, i cili ishte prokuror i përgjithshëm i SHBA-së gjatë mandatit të parë të Trump, pretendoi në një intervistë të vitit 2019 se ai kishte shqyrtuar personalisht pamjet e sigurisë që konfirmonin se askush nuk hyri në zonën ku Epstein po qëndronte natën kur vdiq.

Dhe majin e kaluar, ish-zëvendësdrejtori i FBI-së, Dan Bongino, i tha Fox News: “Ka video të qarta si drita. Ai është i vetmi person atje dhe i vetmi person që del. Mund ta shihni.”

FOTO/ Policia gjermane zbulon plantacionin e kanabisit me vlerë 2 milionë euro, dy shqiptarë në pranga

 Nga OST HESSEN

Policia gjermane zbuloi dhe çmontoi një plantacion profesional kanabisi – vlera e tregut: 2 milionë euro. Dy personat e arrestuar janë shtetas shqiptarë.

Operacioni u zhvillua në qarkun fqinj të Giessen.

Policia zbuloi një plantacion kanabisi të operuar në mënyrë profesionale në Laubach. Shkak për operacionin ishin hetimet që kishin zgjatur rreth një vit nga policia kriminale, për shkak të dyshimeve për tregti të paligjshme të lëndëve narkotike. Dy persona të dyshuar ndodhen tashmë në paraburgim.

Në fillim të kontrollit të një magazine të martën në mëngjes, dy personat u arratisën në këmbë. Forcat e policisë i ndoqën, i kapën dhe i arrestuan përkohësisht. Nuk pati të lënduar.

Brenda objektit, hetuesit gjetën një plantacion kanabisi të organizuar në mënyrë profesionale.

Sipas hetimeve të para, bëhet fjalë për rreth 1.400 bimë kanabisi. Vlera e tyre e vlerësuar në treg arrin rreth dy milionë euro.

Me mbështetjen e një njësie teknike speciale, policia konfiskoi bimët dhe pajisjet përkatëse. Në operacion morën pjesë një numër dyshifror efektivësh.

Të arrestuarit janë dy shtetas shqiptarë të moshës 29 vjeç. Me urdhër të Prokurorisë së Giessenit, ata u paraqitën para një gjyqtari të paraburgimit në Gjykatën e Qarkut Giessen, i cili urdhëroi arrest me paraburgim ndaj të dyshuarve për vepra të rënda penale.

Të dy ndodhen tani në institucione të vuajtjes së dënimit.

VIDEO/ Universiteti i Selanikut shndërrohet “në fushëbetejë”, përplasje me molotov e gaz lotsjellës, qindra të arrestuar

309  persona janë arrestuar pas incidenteve të dhunshme në Universitetin Aristoteli të Selanikut.

Incidentet filluan gjatë mesnatës pas një feste në Shkollën Politeknike të Universitetit Aristoteli të Selanikut,  kur një grup burrash me kapuçë hodhën kokteje Molotov drejt forcave të policisë.

Ndërkohë forcat e policisë u përgjigjën me ujë dhe gaz lotsjellës.

Sipas informacioneve, një grup personash me fytyra të mbuluara dolën nga ambientet e universitetit dhe u zhvendosën drejt Rrugës Egnatia, ku sulmuan një skuadër policie për ndërhyrjen e shpejtë.

Një oficer policie përfundoi në spital me djegie pas përplasjeve të dhunshme.

VIDEO/ Ishte fshehur në tavan, momenti kur arrestohet “skifteri” në Shkodër

Policia e Shkodrës ka vënë në pranga një 24-vjeçar, i cili tentoi të merrte me dhunë, nën kërcënimin e thikës, shuma parash në filialin e Postës Shqiptare dhe në një subjekt tregtar.

Policia njofton se, “si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe ndjekjes pa ndërprerje, të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Sektorin për Krimet e Rënda, me mbështetjen e forcës së posaçme “Shqiponja” dhe nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër, në kuadër të operacionit policor të koduar “Reagimi”, u identifikua dhe u arrestua shtetasi:  M. M., 24 vjeç, banues në fshatin Guci e Re, i cili ishte fshehur në tavanin e banesës së tij për t’ju shmangur Policisë”.

Njoftimi i Policisë:

Shkodër / Finalizohet operacioni policor “Reagimi”

Tentoi të merrte me dhunë, nën kërcënimin e thikës, shuma parash në filialin e Postës Shqiptare dhe në një subjekt tregtar, Policia identifikon brenda pak orësh dhe vë në pranga autorin e dyshuar.

Sekuestrohen 2 biçikleta të vjedhura dhe disa nga rrobat që ka përdorur gjatë kryerjes së kësaj vepre penale.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe ndjekjes pa ndërprerje, të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Sektorin për Krimet e Rënda, me mbështetjen e forcës së posaçme “Shqiponja” dhe nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër, në kuadër të operacionit policor të koduar “Reagimi”, u identifikua dhe u arrestua shtetasi:  M. M., 24 vjeç, banues në fshatin Guci e Re, i cili ishte fshehur në tavanin e banesës së tij për t’ju shmangur Policisë.

Ky shtetas dyshohet se mbrëmjen e djeshme, në lagjen “Vasil Shanto”, duke kërcënuar me një mjet prerës (thikë), ka tentuar të vjedhë me dhunë në filialin e Postës Shqiptare.

Gjatë largimit, ka thyer xhamin e sportelit dhe është larguar me një biçikletë të vjedhur.

Gjithashtu, pak minuta më pas, dyshohet se ka tentuar sërish, po me kërcënimin e mjetit prerës (thikë), të vjedhë me dhunë një subjekt market në lagjen “Fahri Ramadani”.

Gjatë largimit, në lagjen “Skënderbeg”, dyshohet se ka vjedhur një biçikletë tjetër.

Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, rrobat që ka përdorur gjatë kryerjes së veprës penale, si dhe biçikletat e vjedhura.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprat penale, “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, e mbetur në tentativë, “Vjedhja me dhunë”, “Vjedhja” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Dardha mbulohet nga dëbora, destinacion i preferuar për dashamirësit e skive

Reshjet e dëborës kanë zbardhur fshatin turistik të Dardhës, duke e shndërruar atë në një nga destinacionet më të frekuentuara dimërore në juglindje të vendit.

Pamja alpine dhe bora e bollshme kanë tërhequr qindra turistë vendas dhe të huaj, veçanërisht të apasionuarit pas sporteve dimërore.

Vetëm 18 kilometra larg Korçës, pista e skive në Dardhë po vizitohet masivisht nga të rinj dhe familje që shijojnë ski, snowboard dhe aktivitete të tjera rekreative në dëborë.

Kushtet klimatike dhe infrastruktura turistike e zonës e bëjnë Dardhën një zgjedhje ideale për pushime dimërore.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Dardha e mbuluar nga dëbora, ku fëmijë dhe të rritur shihen duke shijuar sportet dimërore dhe bukurinë natyrore të zonës, duke përcjellë edhe një mesazh pozitiv për fundjavën.

Dardha mbetet një nga atraksionet kryesore turistike të dimrit, duke ofruar jo vetëm sporte dimërore, por edhe mikpritje tradicionale, kuzhinë karakteristike dhe një atmosferë të veçantë alpine.

Vrasja e 26-vjeçarit shqiptar në Angli, dënohen me burg përjetë dy autorët

Dy anglezë janë dënuar me burgim të përjetshëm pas një grabitje të dhunshme që përfundoi me vrasjen e shqiptarit Indrit Mustafaj, 26 vjeç.

Michael Mulvana, 32 vjeç, dhe Jobie Tyers, 28 vjeç, nga Jorku, plagosën rëndë një grua në apartamentin e saj dhe shqiptarin që ndodhej me të.

Ai tentoi që të fshihej në një cep të dhomës, por autorët e goditën me hanxhar duke e lënë të vdekur, shkruan BBC.

SHBA: Trump preferon diplomacinë me Iranin, por nuk përjashton opsionet ushtarake

Shtëpia e Bardhë ka deklaruar të enjten se diplomacia është zgjedhja e parë e presidentit amerikan Donald Trump për përballjen me Iranin. Megjithatë, Trumpi paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara kanë edhe opsionin ushtarak, nëse nuk arrihet një marrëveshje.

Bisedimet pritet të zhvillohen pavarësisht mosmarrëveshjeve mes dy palëve lidhur me agjendën, gjë që ka rritur dyshimet për arritjen e një marrëveshjeje. Trump ka kërcënuar më herët se SHBA-ja mund të ndërmarrë sulme ndaj Iranit nëse nuk arrihet një marrëveshje.

Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se duan që bisedimet të përfshijnë edhe programin raketor të Iranit dhe çështje të tjera, ndërsa Teherani këmbëngul që fokusi të jetë vetëm te programi bërthamor. Ende nuk është e qartë nëse kjo mosmarrëveshje është zgjidhur.

“Diplomacia është gjithmonë opsioni i parë i presidentit, qoftë ndaj aleatëve apo kundërshtarëve”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, duke folur për negociatat e ardhshme.

Ajo përsëriti qëndrimin e Trumpit se “zero kapacitete bërthamore” për Iranin është një kërkesë e panegociueshme.

“Presidenti dëshiron të shohë nëse mund të arrihet një marrëveshje”, tha Leavitt. “Por ndërkohë, i kujtojmë regjimit iranian se presidenti ka edhe shumë opsione të tjera, përveç diplomacisë, si komandant i forcës ushtarake më të fuqishme në historinë e botës”.

Dy aeroporte në Poloni mbyllen për shkak të sulmeve ajrore ruse në Ukrainë

Dy aeroporte në Poloninë juglindore u mbyllën si masë paraprake për shkak të sulmeve ruse në territorin e afërt të Ukrainës, thanë autoritetet polake të shtunën, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

“Në lidhje me nevojën për të siguruar mundësinë e funksionimit të lirë të aviacionit ushtarak, aeroportet në Rzeszow dhe Lublin kanë pezulluar përkohësisht operacionet e fluturimit”, postoi Agjencia Polake e Shërbimeve të Navigimit Ajror në platformën X.

Të dy qytetet janë afër kufirit me Ukrainën, ndërsa Rzeszow është qendra kryesore e NATO-s për furnizimet me armë në Ukrainë.

Aviacioni ushtarak kishte filluar të operonte në hapësirën ajrore polake për shkak të sulmeve ruse në Ukrainë, tha Komanda Operacionale e Forcave të Armatosura Polake në X.

“Këto veprime janë të natyrës parandaluese dhe synojnë sigurimin dhe mbrojtjen e hapësirës ajrore, veçanërisht në zonat ngjitur me rajonet e kërcënuara”, tha ushtria.

EMRAT/ Si u ndanë gjyqtarët kushtetues? Kush votoi Pro dhe Kundër ankimimit të qeverisë

Në një seancë maratonë për më shumë se 10 orë, 8 gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk kanë arritur të marrin një vendimin për ankimimin e Edi Ramës për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra.

Votat u ndanë katër Pro dhe katër Kundër duke mos bërë të mundur marrjen e një vendimi dhe për rrjedhojë mbetet në fuqi vendimi i GJKKO për pezullimin nga detyra të Ballukut.

LEXO EDHERikthehet në fuqi pezullimi nga detyra për Ballukun/ Vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese

Gjyqatarët kushtetues që votuan PRO ankimimit të qeverisë: Fiona Papajorgji, Marjana Seminit, Gent Ibrahimi dhe Sonila Bejtja.

Gjyqtarët kushtetues që votuan KUNDËR ankimimit të qeverisë: Ilir Toska, Marsida Xhaferllari, Asim Vokshi, Sandër Beci.

Kryeministri Edi Rama e çoi në Gjykatën Kushtetuese çështjen Balluku, me argumentin se GJKKO ka shkelur kufirin e një tjetër pushteti, atij ekzekutiv duke marrë kompetencat e tij si kryeministër për pezullimin ose shkarkimin e një anëtari qeverie.

Pas kërkesës së kryeministrit, gjykata riktheu përkohësisht në detyrë Ballukun deri sa çështja e saj të shqyrtohej në themel nga “Kushtetuesja”.

Kjo ishte mbledhja e tretë e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, kur dy mbledhjet e mëparshme dështuan pasi disa anëtarë të saj kërkuan më tepër kohë.

Belinda Balluku është marrë e pandehur nha SPAK për shkelje në tenderin e Tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për 7 procedura të tjera prokurorimi lidhur me ndërtimin e lotëve të Unazës së Madhe në Tiranë.

Kujtojmë se, SPAK i është drejtuar edhe me një kërkesë Kuvendit, ku kërkon heqjen e imunitetit të Ballukut si deputete, dhënien e autorizimit dhe hapjen e rrugës për të dhënë një masë më të ashpër sigurie.

Rikthehet në fuqi pezullimi nga detyra për Ballukun/ Vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese vendosur të lërë në fuqi vendimin e GJKKO-së, që ka pezulluar nga detyra Ballukun si zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës.

Balluku, pas këtij vendimi, nuk duhet të jetë më pjesë e kabinetit qeveritar.

Gjykata zhbëri vendimin që e rikthente përkohësisht në detyrë zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

Gjyqtarët votuan 4 me 4 duke u ndarë në dy grupe: njëra palë që mendon se masa e pezullimit nuk mund të merret pa lejen e Kuvendit dhe pala tjetër që mendon se është e panevojshme.

Kështu, rikthehet në fuqi masa e GJKKO-së dhe Balluku pezullohet nga detyra.

LEXO EDHE:  Çështja “Balluku”/ Kushtetuesja ndahet 4 me 4, mbetet në fuqi pezullimi nga detyra

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rastin Balluku është i paankimueshëm diku tjetër dhe futet në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare.

VENDIMI I GJYKATËS KUSHTETUESE 

Gjykata Kushtetuese e mbledhur sot në datën 06.02.2026 mori në shqyrtim çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë me objekt: zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër; shfuqizimi i vendimeve gjyqësore të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për pjesën që ka disponuar vendosjen dhe vazhdimin e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe interpretimin e pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës.

Paraprakisht Gjykata vlerësoi njëzëri se imuniteti i ministrit rregullohet nga neni 103, pika 3 i Kushtetutës në lidhje me nenet 73, pikat 1 dhe 2. Në regjimin kushtetues të imunitetit të ministrit, ashtu sikurse të deputetit, nuk përfshihet garancia e parashikuar në nenin 242, paragrafi 2 i Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit masa e pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral. Gjykata thekson se sipas Kushtetutës sistemi qeverisës bazohet në parimin e shtetit të së drejtës sipas të cilit edhe ministrat i nënshtrohen ligjit dhe mund të mbahen ligjërisht përgjegjës nëse e shkelin atë. Ndër parimet e tjera themelore janë edhe ato të epërsisë së Kushtetutës si ligji më i lartë dhe zbatimi i drejtpërdrejtë i dispozitave të saj, detyrimi i shtetit për të vepruar brenda bazës dhe kufijve të së drejtës dhe ndarja dhe balancimi ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor.

Në lidhje me objektin e kërkesës, në përfundim të diskutimeve, vlerësimet e gjyqtarëve u ndanë në dy qëndrime dhe Gjykata nuk arriti numrin e kërkuar të votave për vendimmarrje, sipas parashikimeve të nenit 133, pika 2, të Kushtetutës dhe nenit 72, pika 2, të Ligjit Organik të saj.

Sipas njërit qëndrim, Gjykata në jurisprudencën e saj në lidhje me nenin 73, pika 3 të Kushtetutës është shprehur se imuniteti i deputetëve nuk është privilegj personal i tyre por qëllimi kryesor i tij është mbrojtja e vetë Kuvendit dhe në veçanti funksionimi i duhur i tij. Në këtë kuptim, marrja e autorizimit nga Kuvendi për zbatimin e masave që kufizojnë paraprakisht lirinë e deputetit synon ntë mbrojë veprimtarinë e vetë Kuvendit (shih vendimin nr. 81, datë 21.11.2024 të Gjykatës Kushtetuese). Kjo do të thotë se edhe neni 103, pika 3 i Kushtetutës, duke parashikuar se anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit synon mbrojtjen dhe funksionimin e organit ekzekutiv, pjesë e të cilit është edhe ministri. Duke iu referuar masës së pezullimit të ushtrimit të detyrës apo shërbimit publik vlerësohet se për nga shkalla dhe intensiteti i saj ajo prek funksionin kushtetues politik të ministrit. Prandaj në balancimin e parimit kushtetues të efektivitetit të ndjekjes penale dhe atij të funksionimit të pushtetit ekzekutiv në kuptim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve sipas nenit 7 të Kushtetutës edhe për këtë masë kërkohet dhënia e autorizimit paraprak nga Kuvendi.

Sipas qëndrimit tjetër, ngjashëm me standardin e interpretimit të pranuar nga Gjykata në rastin e regjimit të imuniteteve, i cili duhet të jetë i ngushtë/i kufizuar, bazuar në vullnetin e kushtetutëbërësit në reformën e vitit 2012 për zvogëlimin e imunitetit, Kushtetuta në formën e saj aktuale ka parashikuar autorizimin paraprak të Kuvendit për masat procedurale penale të parashikuara shprehimisht në nenin 73, pika 2 të saj. Në këtë dispozitë nuk parashikohet masa ndaluese e pezullimit të ushtrimit nga detyra sipas nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndonëse zbatimi i kësaj mase pamundëson ushtrimin e funksioneve të ministrit dhe për pasojë ndërhyn edhe në veprimtarinë e Këshillit të Ministrave. Në këndvështrim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, çështja e shtimit ose ndryshimit të mekanizmave balancues, ku përfshihen edhe garanci të tilla, i përket vlerësimit të ligjvënësit kushtetues.

Për sa më lart, Gjykata Kushtetuese vendosi:

Rrëzimin e kërkesës.

Heqjen e masës së pezullimit të caktuar me vendimin e Mbledhjes së Gjyqtarëve të datës 12.12.2025.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi me botimin e vendimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës.

GJKKO, me kërkesë të SPAK pezulloi nga detyra zv/kryeministren Balluku e pandehur për abuzime me tenderin e Llogarasë, por Kryeministri Rama e cilësoi këtë si një shkelje të kompetencave të tij.

Rama e çoi në Gjykatën Kushtetuese çështjen Balluku, me argumentin se GJKKO ka shkelur kufirin e një tjetër pushteti, atij ekzekutiv duke marrë kompetencat e tij si kryeministër për pezullimin ose shkarkimin e një anëtari qeverie.

Pas kërkesës së kryeministrit Rama, gjykata riktheu përkohësisht në detyrë Ballukun deri sa çështja e saj të shqyrtohej në themel nga “Kushtetuesja”.

Ndërkohë, Kuvendi pritet të shprehet edhe për kërkesën e SPAK për një masë më të ashpër ndaj zonjës Balluku.

Çështja “Balluku”/ Kushtetuesja ndahet 4 me 4, mbetet në fuqi pezullimi nga detyra

Pas rreth 10 orësh mbledhje, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimin mbi ankimimin e qeverisë ndaj vendimit të GJKKO, e cila pezulloi Belinda Ballukun nga detyra e zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Katër anëtarë të Gjykatës Kushtetuese kanë vendosur pro pranimit të padisë së qeverisë, ndërsa katër anëtarët e tjerë kanë vendosur kundër ankimimit të qeverisë, çka le në fuqi pezullimin nga detyra për Ballukun.

Në vendimin e shpallur nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Fiona Papajorgji rezulton se kërkesa nuk ka marrë korumin e votave pasi do duhej të ishin të paktën 5 gjyqtarë.

Kujtojmë se GJKKO, me kërkesë të SPAK, e pezulloi nga detyra zv/kryeministren Balluku në nëntor 2025.

Pas këtij vendimi, Këshilli i Ministrave e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese, me argumentin se GJKKO ka shkelur kufirin e një tjetër pushteti, atij ekzekutiv duke marrë kompetencat e tij si kryeministër për pezullimin ose shkarkimin e një anëtari qeverie.

Nga ana tjetër, SPAK i është drejtuar edhe me një kërkesë Kuvendit, ku kërkon heqjen e imunitetit të Ballukut si deputete, dhënien e autorizimit dhe hapjen e rrugës për të dhënë një masë më të ashpër sigurie.

Mazhoranca priste pikërisht këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese për të proceduar në Kuvend me çështjen e imunitetit të Ballukut.

Belinda Balluku është marrë e pandehur nha SPAK për shkelje në tenderin e Tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për 7 procedura të tjera prokurorimi lidhur me ndërtimin e lotëve të Unazës së Madhe në Tiranë.

EMRI/ Emërohet Drejtori i ri i Muzeut Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve të Shqipërisë, Blendi Gonxhja, njoftoi përmes një postimi në rrjetet sociale emërimin e Arbër Minxhozit si Drejtor të Muzeut Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”.

Sipas ministrit, eksperienca e Minxhozit fokusohet në zhvillimin e projekteve që afrojnë institucionet me publikun përmes komunikimit, edukimit dhe aktivizimit të hapësirave kulturore, me vëmendje të veçantë ndaj të rinjve, pjesëmarrjes qytetare dhe krijimit të modeleve funksionale që ndërtojnë vlera afatgjata.

“Me formim në administrim dhe menaxhim, përvojë të kombinuar në sektorin privat dhe publik, si dhe trajnim ndërkombëtar në lidership dhe qeverisje publike, përfshirë programe ekzekutive pranë Harvard Kennedy School, Arbër Minxhozi sjell një profil drejtuesi që ndërthur mendimin strategjik me një qasje bashkëkohore dhe të ndjeshme ndaj rolit të institucioneve kulturore.

Përvoja e tij profesionale është ndërtuar mbi zhvillimin e projekteve që afrojnë institucionet me publikun, përmes komunikimit, edukimit dhe aktivizimit të hapësirave kulturore, me një vëmendje të veçantë ndaj të rinjve, pjesëmarrjes qytetare dhe krijimit të modeleve funksionale që ndërtojnë vlera afatgjata.

Vizioni i platformës së përzgjedhur mes një procesi transparent për drejtimin e ri të Muzeut Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” synon ta zhvillojë muzeun si një platformë aktive dijesh dhe përvoje, ku historia kuptohet dhe përjetohet përmes formateve edukative, workshopeve rinore, përdorimit të menduar të teknologjisë inovative dhe përvojave më interaktive për vizitorët, krahas rrjetëzimit e burimeve alternative të mbështetjes.

Qasja e tij synon forcimin e rolit të muzeut në jetën kulturore dhe turistike të qytetit, duke e pozicionuar “Shtëpinë me Gjethe” si një hapësirë ku edukimi, reflektimi historik dhe turizmi kulturor bashkohen në mënyrë natyrale dhe bashkëkohore.

I urojmë suksese Arbërit, duke falënderuar drejtoreshën Etleva Demollari që i le stafetën pas shumë viteve kontributi e drejtimi pozitiv!”, shkruan Gonxhja.

❌