Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Pesë familje në Britani padisin TikTok-un pas vdekjes së fëmijëve nga “Blackout Challenge”

Pesë familje në Mbretërinë e Bashkuar pretendojnë se fëmijët e tyre humbën jetën duke tentuar të kryenin të ashtuquajturën “Blackout Challenge”, një sfidë e rrezikshme që përfshin ndalimin e përkohshëm të frymëmarrjes dhe që mund të shkaktojë dëmtime serioze të trurit apo vdekje.

Prindërit kanë ngritur padi në Shtetet e Bashkuara kundër TikTok-ut, duke e fajësuar platformën për ekspozimin e të miturve ndaj përmbajtjes së rrezikshme dhe duke kërkuar të zbardhin rrethanat e orëve të fundit të jetës së fëmijëve të tyre.

Sipas Sky News, rasti përfshin pesë fëmijë të moshës 12 deri në 14 vjeç, të cilët u gjetën pa ndjenja në incidente të ndara gjatë një periudhe disa mujore. Familjet besojnë se ata po imitonin sfidën e rrezikshme që ka qarkulluar prej vitesh në internet.

Mes viktimave janë Maya Walsh (13 vjeç), Noah Gordon (12 vjeç), Jules (14 vjeç), Archie (12 vjeç) dhe Isaac (13 vjeç). Në disa raste, prindërit gjetën prova indirekte në pajisjet elektronike të fëmijëve, përfshirë video të regjistruara që dyshohet se lidhen me TikTok, edhe pse nuk ishin publikuar.

TikTok ka mohuar se “Blackout Challenge” ka qenë ndonjëherë trend në platformë dhe thotë se e ka ndaluar këtë lloj përmbajtjeje që nga viti 2020, duke theksuar se heq 99% të materialeve që shkelin rregullat para se të raportohen. Kompania ka shprehur gjithashtu ngushëllime për familjet.

Seanca e parë dëgjimore pritet të mbahet të premten, ndërsa TikTok do të kërkojë rrëzimin e padisë, duke argumentuar se çështja është ngritur në juridiksion të gabuar, pasi incidentet ndodhën në Britani.

Familjet thonë se pasiguria mbi shkaqet e vdekjes së fëmijëve të tyre ua ka bërë të pamundur përballimin e humbjes, ndërsa procesi ligjor pritet të përcaktojë përgjegjësinë e platformave sociale në mbrojtjen e të miturve online.

Greqi, shpallen të pafajshëm 24 vullnetarët që shpëtuan emigrantët në Egje

Gjykata e Lesbos në Greqi ka shpallur të pafajshëm 24 punonjës humanitarë të cilët u përballën me një proces gjyqësor maratone prej shtatë vitesh.

Vullnetarët, të cilët ndihmonin refugjatët që mbërrinin në ishujt grekë gjatë kulmit të krizës klandestine, rrezikonin deri në 20 vite burg nën akuzat e rënda për kontrabandë të emigrantëve.

Vendimi u prit me lot gëzimi dhe duartrokitje në sallën e gjyqit, duke i dhënë fund asaj që Parlamenti Evropian e kishte cilësuar si rastin më të madh të kriminalizimit të solidaritetit në Evropë.

Në mesin e të liruarve është edhe Sara Mardini, refugjatja siriane, historia e së cilës u bë e famshme përmes filmit “The Swimmers” në Netflix, si dhe aktivisti gjerman Sean Binder. Të dy kishin kaluar mbi 100 ditë në qeli që në vitin 2018, kur nisën arrestimet e para.

Akuza pretendonte se vullnetarët kishin lehtësuar hyrjen e paligjshme të emigrantëve duke monitoruar radiot detare dhe duke përdorur aplikacione si WhatsApp për të komunikuar, por mbrojtja dhe organizatat ndërkombëtare i quajtën këto prova qesharake dhe të pabaza.

Avokati i të pandehurve u shpreh se u deshën gati 2,900 ditë që drejtësia të thoshte fjalën e saj të qartë, ndërsa vetë aktivistët theksuan se shpëtimi i jetëve në det është një detyrim njerëzor dhe jo një krim.

Ndonëse pafajësia u mirëprit nga grupet e të drejtave të njeriut si Amnesty International dhe Human Rights Watch, ata paralajmëruan se këto ndjekje penale kanë frikësuar vullnetarët e tjerë dhe kanë ndërprerë punën jetike në Detin Egje, ku njerëzit vazhdojnë të mbyten çdo ditë.

Ky vendim shihet si një mesazh i fortë për Greqinë dhe vendet e tjera evropiane që politikat e ashpra kufitare nuk duhet të godasin ata që ofrojnë ndihmë humanitare.

Rimbursim për fëmijët nën 18 vjeç/ Stefani: Kush ka paguar tatim, do përfitojë nga tatimi i paguar!

Për herë të parë, nga ky vit, njërit prej prindërve do t’i zbriten nga të ardhurat vjetore bruto të 2025-s, 48 mijë lekë shpenzime për përkujdesin e fëmijëve edhe 100 mijë lekë për arsimin, kur të plotësojë Deklaratën e të Ardhurave Personale në muajin mars. Kompensimi do të përfitohet nga rillogaritja e tatimit të paguar në 2025.

Eksperti kontabël Edvin Stefani deklaroi se përfitimi i shumës prej 48 mijë lekësh për fëmijë varet nga tatimet e paguara nga prindi. Ai sqaroi se vetëm ata që kanë paguar tatim mund të përfitojnë, dhe se për çifte ku një bashkëshort nuk ka paguar tatim për shkak të të ardhurave, përfitimi nuk mund të merret.

Stefani shtoi se deklaratat nuk kërkojnë dokumentacion domosdoshmërisht, por tatimet e përdorin për të lehtësuar procesin e verifikimit.

“Kush ka paguar tatim, do të përfitojë nga tatimi i paguar. Tatimi i kësaj deklarate duhet të jetë më i vogël se ai i përfituar gjatë vitit. Për shembull, dikush që ka pagën bruto deri në 50 mijë lekë, ka përfituar nga tatimi. Nuk do ta këshilloja dikë me pagë neto 35 mijë lekë, sepse nuk ka paguar tatime; nëse ke paguar, do të marrësh diçka nga ajo që ke paguar.

Njerëz të ndryshëm kanë pasur detyrime tatimore të ndryshme. Dikush që fiton 80 mijë lekë ka pasur një ngarkesë tatimore prej 13%, dhe këta përfitojnë 13% të shumës prej 48 mijë lekësh.

Në rastin e një çifti ku bashkëshorti ka hapur një biznes dhe bashkëshortja është e punësuar, dhe kanë dy fëmijë, ligji thotë se përfiton ai që ka të ardhura më të mëdha. Por nëse bashkëshorti nuk ka paguar tatim sepse ka të ardhura mbi 4 milionë dhe është përjashtuar nga tatimi, çifti nuk përfiton. Nëse të ardhurat do të ishin më të ulëta, ata mund të përfitonin.

Deklaratat nuk kërkojnë domosdoshmërisht dokumentacion, por tatimet e kërkojnë për të lehtësuar punën e tyre.”  / abcnews.al /

Rimbursim për fëmijët nën 18 vjeç/ Eksperti: Nuk është marrje parash mbrapsht! Përfiton prindi me të ardhura më të larta

Për herë të parë, nga ky vit, njërit prej prindërve do t’i zbriten nga të ardhurat vjetore bruto të 2025-s, 48 mijë lekë shpenzime për përkujdesin e fëmijëve edhe 100 mijë lekë për arsimin, kur të plotësojë Deklaratën e të Ardhurave Personale në muajin mars. Kompensimi do të përfitohet nga rillogaritja e tatimit të paguar në 2025.

Eksperti kontabël Armand Mala deklaroi se shumën prej 48 mijë lekësh për fëmijë nuk e konsideron si marrje parash mbrapsht, por si zbritje nga baza tatimore.

Mala theksoi se ligji parashikon që kompensimi bëhet nga prindi me të ardhura më të mëdha.

“Nuk është marrje parash mbrapsht 48 mijë lekë për fëmijë. Kjo shumë do të zbritet nga baza tatimore. Të ardhurat, para se t’u nënshtrohen tatimeve, do të ulen me 48 mijë lekë për fëmijë, nëse mbështesim me fatura arsimin e tyre – kjo mund të jetë 100 mijë lekë për fëmijë.

Faturat mund të jenë qendër kursesh, ose institucione arsimore private. Kushti është që të ardhurat të jenë nën 120 mijë lekë, pra paga e prindërve. Ligji parashikon që kompensimi bëhet nga prindi me të ardhura më të mëdha.”  / abcnews.al /

Moska: Perëndimi me dy standarde për Groenlandën

Moska e konsideron Groenlandën territor të Danimarkës. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Rusia, ashtu si pjesa tjetër e botës, po ndjek me vëmendje zhvillimet rreth ishullit, të cilat, sipas tij, janë kontradiktore.

Peskov e quajti situatën të jashtëzakonshme nga pikëpamja e ligjit ndërkombëtar, veçanërisht pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka minimizuar rëndësinë e së drejtës ndërkombëtare në këtë çështje.

Sipas Kremlinit, tensionet rreth Groenlandës nxjerrin në pah standardet e dyfishta të vendeve perëndimore, të cilat, sipas Moskës, pretendojnë epërsi, ndërsa akuzojnë Rusinë dhe Kinën se përbëjnë kërcënim për ishullin.

Nga ana tjetër, Moska ka shprehur gatishmëri ndërmjetësimi pas telefonatave të presidentit rus, Putin, me kryeministrin izraelit dhe presidentin iranian.

Në bisedën me Netanyahun, Kremlini tha se Putin paraqiti ide për stabilitetin në Lindjen e Mesme.

I pyetur se çfarë mbështetjeje mund t’i ofrojë Rusia Iranit, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se “Rusia tashmë po ofron ndihmë jo vetëm për Iranin, por edhe për të gjithë rajonin, në uljen e tensioneve”.

“Groenlanda”, Trump kërcënon me tarifa/ Paralajmëron vendet që nuk e mbështesin në synimin për kontrollin në ishull

Donald Trump I ka të qarta synimet e tij në lidhje me Groenlandën dhe mund të vendosë tarifa për vendet që nuk bien dakord me të.

Presidenti amerikan deklaroi se mund të ndëshkojë ekonomikisht shtetet që kundërshtojnë ambicien e tij për të bërë ishullin pjesë të shteteve të bashkuara.

“Mund të vendos një tarifë për vendet që nuk bien dakord për Groenlandën, sepse ne kemi nevojë për të për sigurinë kombëtare, kështu që mund ta bëj diçka të tillë”

Tarifat kanë qenë arma e preferuar ekonomike për Donald Trump që pas rikthimit të tij në detyrë një vit më parë.

Ambiciet e tij për Groenlandën kanë shqetësuar aleatët europianë të Uashingtonit, të cilët kanë paralajmëruar se një ndërhyrje në ishull mund të jetë fundi I NATO-s.

Komentet e Trump erdhën teksa një delegacion dypartiak nga Kongresi Amerikan vizitoi Danimarkën.

Delegacioni prej 11 anëtarësh, i udhëhequr nga senatori demokrat Chris Coons, u takua me kryeministren daneze Mette Frederiksen dhe homologun e saj të Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, si dhe me parlamentarë danezë dhe të Groenlandës, me premtimin se do të përpiqen të ulin tensionet pasi të rikthehen në Shtetet e Bashkuara.

Ligjvënësit si nga Partia Republikane e Trump ashtu edhe nga demokratët kanë thënë se do të mbështesin legjislacionin për të kufizuar Trump për të pushtuar Grenlandën.

Por kjo nuk është garanci e mjaftueshme për Europën, e cila ka filluar të veprojë në mbrojtje të ishullit.

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, i kërkoi NATO të ketë një prani të koordinuar në rajonin e Arktikut për të parandaluar tensionet dhe për t’iu përgjigjur “ndërhyrjes nga aktorë të tjerë”.

Meloni tha se rajoni po bëhej gjithnjë e më i rëndësishëm për shkak të zhvillimit të rrugëve të reja detare dhe burimeve të tij të mëdha të energjisë dhe mineraleve.  / abcnews.al /

Kontrata 6 milionëshe e lobimit në SHBA/ Kompania amerikane nxjerr zbuluar Berishën: U pagua nga PD

Kompania lobuese amerikane nxjerr zbuluar Partinë Demokratike. Paratë për të paguar kontratën e lobimit 6 milion dollarë në SHBA po paguhen nga vetë Partia Demokratike dhe jo fondacioni anonIm i themeluar nga 72-vjeçari elektriçist emigrant nga Tropoja, Nuredin Seci.

Në raportimin e fundit 6-mujor në FARA, Continental Strategy deklaron se ka marrë dy pagesa, në total, 750 mijë dollarë në datat 4 prill dhe 31 gusht 2025, direkt nga Partia Demokratike ndërsa fondacioni Make Albana Great Again nuk rezulton askund.

Kontrata e lobimit u lidh firmos ne prill të vitit të kaluar, gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të 11 majit. Sali Berisha publikisht mohoi që Partia Demokratike të ishte kishte paguar per kete kontrate, kurse Noka firmosi vetem per te pranuar sherbimin.

“S’është kontratë e PD. Nga arka e PD-së ska ardhur dhe dalë asnjë qindarkë, e tëra është veprimtari e një fondacioni. Noka ka firmosur shërbimin, por nuk është kontratë e PD, sështë palë kontraktuese PD. Është një kontratë për gjithë shqiptarët, për marrëdhënie të mira mes PD, Shqipërisë dhe SHBA”

Por përvec deklarimit të pagesave, kompania lobuese ka nxjerrë zbuluar PD edhe për qëllimin e saj. Të vetmen punë që ka kryer në këto muaj kanë qenë disa letra drejtuar DASH dhe Departamentit të Drejtësisë, për ti mundësuar një vizitë Sali Berishës në SHBA dhe për ti hequr non-gratën. Të dyja nuk kanë ndodhur.

Kurse në Shqipëri, SPAK menjëherë nisi hetimet për kontratën e lobimit 6 milion dollarë. Deri më tani nuk dihet në çfarë faze janë hetimet, por SPAK ka vijuar hetimet për pasurinë e familjes së Sali Berishës, çfarë e ka shqetësuar jo pak doktorin, ashtu si me rastin e fundit të Kuvendit të Rithemelimit.

Përveç faturës 1.4 milionë dollarë për La Civitën te firmosur po nga Flamur Noka, del se edhe kontrata e lobimit 6 milionë dollarë po paguhet nga vetë Partia Demokratike. 750 mijë dollarët e para me të gjitha gjasat janë vetëm paradhënia e cila ishte si kusht në kontratë, kurse në total tarifa shkon 6 milionë dollarë, me një afat pagimi në harkun kohor të 2 viteve.

“RTSH, asnjë lekë derisa ta meritojnë!”, Rama: Të reformohet ose të mbyllet! Hera e fundit që e kam parë, në vitet ’90

Kryeministri Edi Rama deklaroi se në komisionet parlamentare duhet të ketë përfaqësim politik dhe jo vetëm nëpunës civilë, duke theksuar nevojën për koordinim të vazhdueshëm në një klimë politike dhe mediatike të ndotur.

Ai u shpreh se reforma e televizionit publik ka dështuar dhe se aktualisht Shqipëria nuk ka një TV publik funksional, pavarësisht buxhetit të garantuar.

Rama paralajmëroi se qeveria nuk do t’i japë asnjë fond shtesë deri sa televizioni publik të meritojë taksat e qytetarëve, duke lënë të hapur edhe opsione si mbyllja, partneriteti apo privatizimi.

“Jam i bindur se në komisionet parlamentare duhet garantuar përfaqësimi politik; nëpunësit civil janë për të mbështetur, por jo për të diskutuar me komisionet. Duhet ministri, dhe në raste pamundësie shkon zëvendësi. Duhet të jemi “on call”, sepse në këtë proces kemi nevojë për koordinim dhe ndërveprim në kushtet ku mjedisi politik dhe mediatik është i ndotur. Bëhet fjalë për “tenxhere”. Duhet të shfrytëzojmë çdo hapësirë për të thënë fjalën tonë.

Nuk mund të mbarojë misioni as në seanca, as në komisione. E vërteta historike është se kemi tentuar të krijojmë kushtet që televizioni publik të reformohet, por kemi dështuar. Deri tani bilanci i tij është një “dështim i suksesshëm”, dmth nga borxhi në borxh, në mosperfillje. Nuk e kemi një televizion publik në Shqipëri; hera e fundit kur e kam parë ka qenë në vitin 1990, para përmbysjes së sistemit. Kam shkuar i ftuar, por nuk kam parë as veten, janë të vetmet intervista dhe nuk kam marrë asnjë mesazh. U kam thënë: mbylleni.

Buxhetin e tyre, televizioni e ka, ndërsa të tjerët nuk e kanë të garantuar. Televizioni publik ka buxhet, por është në borxh; duan të drejtën e transmetimit të FSHF, por nuk paguajnë lekët. Sepse ne jemi publiku dhe i shkojmë qeverisë. Nuk kemi për t’iu dhënë asnjë lekë deri sa të meritojnë taksat e shqiptarëve. Çdo opsion duhet të jetë i hapur: mbyllja, partneriteti, privatizimi, por unë nuk marr pjesë në asnjë lloj tentative.”  / abcnews.al /

Bullgaria drejt zgjedhjeve të parakohshme/ Partitë kryesore refuzuan të formojnë qeverinë

Bullgaria shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Presidenti bullgar, Rumen Radev njoftoj këtë të premte se vendi do të duhet të shkoj në votime të reja pasi partitë kryesore refuzuan një mandat për të formuar një qeveri, kjo pas dorëheqjes së administratës së mëparshme si pasojë e protestave masive.

Radev i ofroi Aleancës për të Drejta dhe Liri shansin e fundit për të formuar një qeveri, por ajo e refuzoi kërkesën, e treta që refuzon këtë javë.
Kryeministri i Bullgarisë, Rosen Zhelyazkov dha dorëheqje më 11 dhjetor.

Në katër vitet e fundit, Bullgaria ka mbajtur shtatë palë zgjedhje parlamentare – të fundit në tetor të vitit 2024 – teksa vendi përballet me ndarje të mëdha politike dhe shoqërore.

“Parlamenti, kanal televiziv i dedikuar dhe ndryshime kushtetuese”, Rama: Dialog me PD? Derën e kanë të hapur, por s’mund të na pengojnë

Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria do të vijojë punën pa pritur opozitën, duke theksuar se ata që duan të bashkëpunojnë janë të mirëpritur. Ai akuzoi kundërshtarët politikë se po pengojnë proceset dhe po dëmtojnë imazhin e Shqipërisë jashtë vendit, ndërsa brenda vendit veprojnë vetëm për bllokim.

Rama shtoi se Kuvendi duhet të modernizohet me më shumë teknologji dhe paralajmëroi nisjen e një procesi për ndryshime kushtetuese, përfshirë edhe zvogëlimin e numrit të deputetëve.

“Ajo pjesë e politikës që ne nuk e kemi përballë, por e kemi pas vetes, është duke u përpjekur të na pengojë që të vazhdojmë përpara. Ne duhet të ecim me shumë vendosmëri drejt futjes sa më të thellë të teknologjisë në punën e Kuvendit.

Mendoj se kanali i Parlamentit në televizion duhet të kthehet në një kanal funksional, jo thjesht të transmetojë drejtpërdrejt seancat apo mbledhjet. Kjo duhet të bëhet për Kuvendin, duke ftuar edhe palën opozitare.

Puna jonë nuk pret. Do të ishte qershia mbi tortë nëse të tjerët do të ishin të interesuar të bënin punën për vendin dhe për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ata nuk janë të interesuar, por janë të angazhuar të përcjellin jashtë kufijve idenë se ky vend është një narkoshtet, ndërkohë që brenda janë të organizuar vetëm për të penguar.

Ne nuk do të presim për asnjë rast dhe për asnjë arsye askënd për të vijuar punën tonë. Kushdo që dëshiron të bashkëpunojë apo të ulet për dialog, është i mirëpritur. Për gjithçka tjetër, rrugët janë të ndara: ne përpara, ata prapa. Ajo që ata bëjnë është vetëm “lehja e qenit”.

Duhet të mendohet edhe ngritja e një grupi nismëtar për ndryshimet kushtetuese. Parlamenti i Shqipërisë ka nevojë të zvogëlohet në numër; nga 140 deputetë mund të kalojë në 100. Kjo do të racionalizonte forcat dhe burimet, por ka edhe aspekte të tjera që duhen trajtuar. Prandaj, duhet ngritur një grup që të hapë këtë proces.”  / abcnews.al /

Dialogun e “zgjon” vetëm Amerika/ Analistët në Serbi: Kurti mbahet “nën kontroll” vetëm me sanksione

Rikthimi i Peter Sorensen në terren, të derguarit të Bashkimit Europian për dialogun Kosove-Serbi, ka rihapur edhe njehere diskutimet për marrëdhëniet mes dy vendeve.

Brukseli njoftoj se ky vit do të sjell një ringjallje të mundshme te bisedimeve, ose të paktën do bëhen përpjekje, por sipas analistëve në Serbi, zgjimi mund të vij vetëm nga Amerika.

“Dialogu është në rënie të lirë. Bashkimi Evropian aktualisht nuk ka mekanizma efektivë për të siguruar konstruktivitetin e palëve, prandaj besoj se në ringjalljen e procesit një peshë të madhe do të sillte angazhimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”

Duke e cilësuar dialogun Kosovë-Serbi në një ngërç historik dhe marrëveshjet e arritura më parë të dështuara, analistët në Serbi shohin si zgjidhje mbajtjen e Albin Kurtit, tashmë me shumicë të konsiderueshme për të formuar qeveri të re, nën sanksione.

“Ajo që ka bërë deri më tani Kurti i ka sjellë rezultate, dhe ai do të vazhdojë ta bëj këtë, përfshirë refuzimin e dialogut. Ai nuk do të jetë i butë nëse nuk ka sanksione të mëdha. Në këtë kuptim, ai është shumë i parashikueshëm”

Ndalesën këtë fillim vit në Prishtinë dhe Beograd analistët e shohin si një parje nga afër të terrenit politik në të dy vendet, që gjithësesi nuk është i qetë në asnjë prej tyre, me Vuçiç qe ka paralajëmruar zgjedhje të parakohshme por duket se nuk ka gjasë ta lëshoj pushtetin dhe Kosovën “të lodhur” nga një krizë e gjatë politike pa institucione.

“Banjska”, trupë e re gjykuese/ Tre të akuzuarit vetëdeklarohen të pafajshëm për sulmin

Vazhdon gjykimi ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist të Banjskës, por me ndryshimin e trupës gjykuese.

Nga tani, kryetari i togave të zeza për këtë cështje do jetë jo më Arben Hoti, por Ngadhnjim Arrni.

Lëvizja erdhi pas ngritjes në detyrë të gjyqtarit Hoti.

Duke u gjykuar për kryerje të veprës terroriste për sulmin, ku u vra rreshteri i policisë Afrim Bunjaku, janë tre të akuzuarit: Bllagoje Spasojeviç, Vladimir Toliç dhe Maksimoviç.

Në akuzë thuhet se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë të akuzuarit kanë tentuar ta shkëpusnin pjesën veriore të territorit të Kosovës dhe t’ia bashkonin Serbisë.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë po ashtu një vendim që lidhet me cështjen , përmes të cilit ka refuzuar propozimin që gjykimi për 42 të akuzuarit e tjerë të akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë të vazhdojë në mungesë.

Përpos tre të akuzuarve që janë duke u gjykuar lidhur me sulmin në Banjskë, Prokuroria Speciale më 11 shtator të vitit të kaluar ka ngritur akuzë edhe kundër Milan Radoiçiqit dhe 41 të tjerëve që janë në kërkim.

Të akuzuarit ngarkohen se nëpërmjet përdorimit të dhunës me armatim të rëndë kanë tentuar që ta shkëpusin pjesën veriore të Kosovës, të banuar kryesisht me serbë, dhe që atë t’ia bashkojnë Serbisë, nga ku mbeti i vdekur polici Afrim Bunjaku, dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë, si dhe e popullatës civile.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq është i akuzuari kryesor për organizimin e sulmit.  / abcnews.al /

Ndërhyrje tek drejtësia për 8 mijë euro/ Gjykata e Posaçme dënon avokatin Besart Logu

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar avokatin Besart Logu me 2 vite burgim, pasi u shpall fajtor për marrje ryshfeti me qëllim ndikimin në vendimmarrjen e drejtësisë.

Sipas vendimit të gjykatës, dënimi me burg është konvertuar në 2 vite e 8 muaj shërbim prove. Po ashtu, Logut i është hequr e drejta për të ushtruar profesionin e avokatit për një periudhë 9-mujore.

Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) rezulton se avokati Logu ka marrë shumën prej 8 mijë euro nga një klient, me pretendimin se do të ndikonte te prokurori, gjyqtari dhe ekspertët e çështjes penale që po shqyrtohej ndaj tij.

SPAK thekson se kjo shumë nuk përbënte pagesë për shërbime ligjore, por ishte ryshfet për të liruar nga burgu një shtetas italian, i arrestuar për krijimin e skemave mashtruese me TVSH dhe për mos pagesë taksash.

Greqia planifikon zgjerimin e ujërave territoriale pavarësisht paralajmërimit të Turqisë

Greqia po planifikon të zgjerojë më tej ujërat e saj territoriale, përfshirë edhe zona të mundshme në Detin Egje, pavarësisht kërcënimit të hershëm të Turqisë për luftë nëse Athina ndërmerr një hap të tillë.

Dy vendet, aleatë në NATO por rivalë historikë, kanë ulur tensionet vitet e fundit, megjithatë vazhdojnë të kenë mosmarrëveshje mbi kufijtë e shelfit kontinental në Detin Egje – një zonë që besohet se ka potencial të konsiderueshëm energjetik dhe që ndikon edhe në çështjet e hapësirës ajrore dhe fluturimeve.

Greqia ka zgjeruar tashmë ujërat e saj territoriale në Detin Jon në 12 milje detare nga 6, pas marrëveshjeve me Italinë, si dhe ka nënshkruar një marrëveshje për delimitimin detar me Egjiptin në Mesdheun lindor. Megjithatë, Athina ka shmangur deri tani veprime të ngjashme në Detin Egje, për shkak të kundërshtimit të fortë të Ankarasë.

Në vitin 1995, parlamenti turk shpalli një casus belli (shkak për luftë) në rast se Greqia zgjeron në mënyrë të njëanshme ujërat e saj territoriale përtej 6 miljeve detare në Detin Egje, një qëndrim që Athina thotë se bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare detare.

Duke iu përgjigjur pyetjeve në parlament, Gerapetritis tha se zgjerimi i mëtejshëm është i pritshëm.

“Sot, sovraniteti ynë në Detin Egje shtrihet në gjashtë milje detare. Ashtu siç pati marrëveshje me Egjiptin dhe Italinë, do të ketë edhe një zgjerim të mëtejshëm të ujërave territoriale,” deklaroi ai, pa specifikuar zonat konkrete që mund të përfshihen.

Ministria e Jashtme e Turqisë nuk reagoi menjëherë ndaj deklaratave.

Në korrik, Greqia hodhi një tjetër hap duke shpallur kufijtë e dy parqeve të reja detare në Detin Jon dhe në Detin Egje. Parku në Egje, me një sipërfaqe prej rreth 9,500 kilometrash katrorë, do të shtrihet fillimisht rreth ishujve jugorë të Ciklades, më në jug të Turqisë. Ky njoftim ka ngjallur kundërshtime nga Ankaraja.

Greqia ka theksuar se çështja e vetme që është e gatshme të diskutojë me Turqinë është përcaktimi i zonave detare, përfshirë shelfin kontinental dhe zonën ekskluzive ekonomike.

“Kina po mendon strategji të reja”, Kamberi: Groenlanda, ambicie e hershme e Trump. Kërkon të zgjerojë perimetrin e sigurisë

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Geron Kamberi, tha se Kina ka nisur të mendojë strategji për sigurimin e burimeve energjitike.

Ai shtoi se situata globale multipolare ka vendosur rendin ndërkombëtar në një çekuilibër, duke rritur nevojën për manovra diplomatike dhe ekonomike.

Kamberi komentoi gjithashtu situatën e Groenlandës, duke thënë se interesi i Trump ka qenë që në administratën e parë dhe se presidenti kërkon të zgjerojë perimetrin e sigurisë.

“Kina ka nevojë për burime energjitike dhe në Venezuelë e Iran ka qenë blerës i rregullt i burimeve të tyre. Për shkak të shqetësimeve gjeopolitike, Kina ka nisur të mendojë strategji të reja. Kjo është e kuptueshme, pasi jetojmë në një botë multipolare që e ka vendosur rendin global në një lloj çekuilibri. Lëvizjet e fundit tregojnë se qendrat e mëdha të fuqisë janë alarmuar nga krijimi i fuqive të reja, duke lindur nevoja për këto manovra diplomatike dhe ekonomike.

Sa i përket Groenlandës dhe deklaratave të Trump, mund të themi se ka një ironi të vogël: sipas dy ministrave, Groenlanda tha se ‘jemi dakord për të mos rënë dakord’. Kjo tregon sa e ndërlikuar dhe dramatike mund të duket situata, duke i dhënë një ngjyrim thuajse komik dialogut diplomatik.

Gjithsesi, kjo krizë ka potencial të rrisë bashkëpunimin mes SHBA dhe BE. Çdo veprim ushtarak amerikan ndaj Groenlandës, ku aktualisht ndodhet një bazë strategjike, është me rëndësi të madhe. Historia nuk është e re: Trump në administratën e parë pati shprehur interes për blerjen e Groenlandës, një kërkesë që duket se lidhet me zgjerimin e perimetrit të sigurisë për të shmangur çdo kërcënim.

Në këtë kontekst, mund të ketë një rritje të interesit për minerale, jo vetëm për arsye strategjike, por edhe për shkak të ndryshimeve klimatike që e bëjnë rajonin gjithnjë e më të aksesueshëm.”

“Qëndrimi i Berishës ndaj SPAK, politikisht i gabuar!”, Bejko: Mbështetja e sinqertë ndaj SPAK-ut, do i sillte pikë politike

Analisti Roland Bejko vlerësoi se qëndrimi i kryetarit të PD-së, Sali Berisha, ndaj SPAK-ut dhe drejtësisë ka qenë ekstrem dhe politikisht i gabuar.

Ai shtoi se gjatë ngritjes së Komisionit “Xhafaj” u krijua përshtypja e një kompromisi me Edi Ramën, duke vendosur barriera të mundshme. Bejko theksoi se nëse opozita shpreh sinqerisht mbështetjen ndaj SPAK-ut dhe drejtësisë, kjo do t’i sillte pikë politike.

“Kemi një qëndrim politik nga kryetari i partisë, Sali Berisha. Qëndrimi i tij ndaj SPAK-ut dhe drejtësisë ka qenë ekstrem dhe politikisht i gabuar. Në një moment u krijua përshtypja se kishte një lloj kompromisi me Edi Ramën, veçanërisht gjatë ngritjes së Komisionit “Xhafaj”, i cili dukej sikur do të vendoste barriera.

Nëse ky qëndrim ka qenë një lëvizje taktike, atëherë dita kur opozita do të shprehë sinqerisht mbështetjen ndaj SPAK-ut dhe drejtësisë do t’i sjellë asaj pikë politike.”  / abcnews.al / 

“PD po rifreskon listat e anëtarësisë”, Indrit Hoxha: Drejt digjitalizimit! Basha më hoqi nga lista, kur isha në detyrë

Rithemelimi i Partisë Demokratike është shoqëruar me një rihetim nga ana e SPAK-ut lidhur me financimet e Kuvendit të 11 dhjetorit 2021.

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Indrit Hoxha, deklaroi se çdo donacion është i deklaruar në KQZ dhe se gjithçka është transparente dhe ligjore, por nuk dha detaje lidhur me procesin në SPAK. Hoxha shtoi se Partia Demokratike po rifreskon listat e anëtarësisë për të mos përjashtuar askënd dhe se, sipas tij, PD-ja do të kalojë drejt digjitalizimit të anëtarësisë, për shkak të mospërputhjes mes numrit të anëtarëve të deklaruar dhe pjesëmarrjes reale në votime.

“Duhet të ndajmë financimin e një force politike që është e rregullt nga ana juridike, nga ajo periudhë kur nuk kishim as status financiar dhe as juridik, dhe nuk na njihte askush. Si çdo organizim që vepron brenda kuadrit ligjor, kjo gjë nuk përbën asnjë pengesë.

Çdo donacion për partitë politike është i deklaruar në KQZ, ashtu siç janë mbyllur edhe bilancet për zgjedhjet. Gjithçka është transparente dhe ligjore. Unë jam një nga personat që jam pyetur për çështjen e financimeve dhe, për arsye ligjore, nuk është korrekte që ta komentoj më tej. Nëse nuk do të isha përfshirë drejtpërdrejt në këtë proces, do ta bëja publike këtu edhe koston e Kuvendit të 11 nëntorit.

Partia Demokratike po rifreskon listat e anëtarësisë. Është rënë dakord që ata që kanë votuar për Bashën herën e fundit, së bashku me ata që kanë marrë pjesë në Foltore, të kenë të drejtën e anëtarësimit. Kjo bëhet për të mos përjashtuar askënd nga PD-ja.

Mua më ishte hequr emri nga listat e PD-së kur isha sekretar i forumit në detyrë. Ka ardhur koha që anëtarësia në PD të digjitalizohet, pasi sot një degë mund të deklarojë 15 mijë anëtarë, ndërsa në votime marrin pjesë vetëm rreth 1 mijë. Mbi këtë problem po ndërtohet një organizim i ri.”, tha Hoxha.  / abcnews.al /

“Presioni ndaj Berishës është rritur”, Bejko: Premtoi shumë, por i zhgënjeu! Salianji, ‘heroi’ i PD pas burgut

Analisti Roland Bejko tha për Real Story se takimet e Sali Berishës zhvillohen kryesisht me njerëzit më të afërt, të cilët shpesh shmangin t’i thonë të vërtetën për shkak të besnikërisë ndaj tij.

Sipas Bejkos, pas humbjeve të njëpasnjëshme dhe zhgënjimit, uniteti i krijuar rreth Berishës po zbehet, ndërsa premtimet për rikthim të shpejtë në pushtet nuk janë përmbushur.

Ai theksoi se presioni ndaj Berishës është rritur.

“Takimet që zhvillon Berisha janë kryesisht me njerëzit më të afërt të tij, me ata që u beson më shumë. Kemi vënë re se këta, nga dashuria e madhe për Berishën, shpesh vihen në siklet për t’i thënë të vërtetën. Ata shkojnë deri në maksimum në mbështetje të disa emrave që vijnë pas Berishës. Në Lezhë, ai i tha: “Ka kaq të vështirë e keni ju të trashëgoheni diku tjetër?”

Është arritur pika e ngopjes, pasi janë humbur të gjitha zgjedhjet dhe ka pasur zhgënjim nga Basha, kur ishin bërë gati për të marrë pushtetin dhe humbja ishte e butë. Me rikthimin e Berishës, si një figurë karizmatike, e ndershme dhe e viktimizuar pas shpalljes “non grata”, u krijua një unitet i përkohshëm. Berisha u premtoi se nëse do të ishte kryetar për gjashtë muaj, do t’i kthente në pushtet, por sot ata e kuptojnë situatën reale dhe e ballafaqojnë me atë që Berisha u thotë.

Përtej Partisë Demokratike është e djathta dhe një elektorat i pakënaqur që nuk po mblidhet brenda PD-së. Presioni ndaj Berishës është shumë i fortë dhe për herë të parë, që kur ai është kryetar, figura si Ervin Salianji dalin përpara dhe zhvillojnë takime me mbështetës të tjerë demokratë.

Ervini ka një avantazh, sepse pas daljes nga burgu partia e ka konsideruar si hero dhe si figurë të viktimizuar për shkak të dhunës që, sipas tyre, ka ushtruar mazhoranca.”  / abcnews.al /

❌