“Kur zbrita në Rinas, më vendosën syze dielli se…”/ Vizita në Shqipërinë Komuniste, Milaim Zeka: Kam ngrënë vetëm bukë e djathë, ika duke qarë
Komunizmi në Shqipëri ka histori të individëve të vërtetë që arritën të mbijetojnë përballë një regjimi komunist që synoi t’i shkatërronte.
Çdo histori është e veçantë, por ajo që i bashkon është qëndrueshmëria dhe guximi i tyre. Ata nuk përfaqësojnë vetëm vuajtjet e tyre personale, por edhe dhimbjen dhe qëndresën kolektive të një populli që, për dekada, sfidoi dhunën dhe shtypjen.
Analisti nga Kosova, Milaim Zeka, tregon në “Top Story” vizitën e tij në Shqipërinë Komuniste, duke u shprehur se nuk ishte aspak ashtu se si e mendonin shqiptarët e Kosovës.
“Kur zbrita në Rinas, si djalë i ri, më priti sigurimi i shtetit dhe më vendosën syzat e diellit dhe më thanë që aty ka plotë agjentë jugosllavë. Më vendosën në hotel dhe kam takuar Bujar Hoxhën. Ju them kush ka qenë përgjegjësit kryesor për Kosovën. I dënonin si spiunë. Kam takuar Bujar Hoxhën, Ajet Haxhiun etj. Pasi u ktheva nga Shqipëria, 56 ditë qëndrim, a të besohet që unë kam ngrënë vetëm bukë të zezë e djathë e domate në Shqipëri. Nuk kam ngrënë se gatimi bëhej në banja. Nga Tirana e deri në Vienë kam shkuar duke qarë nga zhgënjimi.
Nëse Enver Hoxha ka bërë krime kaq të mëdha dhe i ka bërë, se janë të dokumentuara, shumë krim më të madh se Enver Hoxha kanë bërë djemtë dhe vajzat e tij që nuk i hapën dosjet”, shprehet Zeka.
