Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Kush e donte të vrarë Jani Aliaj? / Karamuço: Nëse do ishte në Shqipëri, do eliminohej! Burgu i Korydallos, i rrezikshëm…

Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço komentoi për “Ora e Fundit” vrasjen e shqiptarit Jani Aliaj në burgun e Korydallos në Greqi.

Karamuço theksoi se eliminimi i tij është bërë nga vrasës me pagesë, të cilët janë dënuar me burgim të përjetshëm, si dhe se ka pasur disa tentativa më parë.

Më tej, eksperti tha se burgu i Korydallos ka sjellë shqetësim për banorët dhe se, nëse Jani Aliaj do të ishte në Shqipëri, do të eliminohej.

“Ka pasur tentativë tjetër për vrasje nga grupe të tjera arabe. Vrasësi i Jani Aliajt është me pagesë dhe ai ka burgim të përjetshëm; ai ndodhet në burg, por i marrin familjarët e tyre. Mendoj dhe dyshoj që, pas një viti, viktima, nëse do kishte shpëtuar, mund të kishte pësuar një atentat tjetër brenda sistemit shqiptar, për shkak të shumave të mëdha të parave që mendohet se janë përdorur në burgun e sigurisë së lartë.

Në Korydallos ka sende të paligjshme, mjete të mprehta posedohen lehtësisht; është vetëm statusi nëse mund t’i sigurosh, ndaj nuk është fare e vështirë.

Ka pasur kërkesa nga banorët që ai burg duhej të mbyllej, sepse ka pasur tentativa edhe me dronë për të kryer krime. “, tha Karamuço.

(EMRAT) Përplasen dy automjete në Laç/ Vdes 25 vjeçari, plagosen dy të rinj

Rreth orës 22:00, në qytetin e Laçit, janë përplasur automjeti me drejtues shtetasin Aron Zymaj me automjetin me drejtues shtetasin Gentjan Xhaferri.

Si pasojë e aksidentit, ka ndërruar jetë shtetasi Elinor Tusha rreth 25 vjeç, i cili ishte pasagjer në automjetin e shtetasit Gentjan Xhaferri.

Gjithashtu, janë transportuar për ndihmë mjekësore drejtuesi i automjetit, shtetasi Gentjan Xhaferri 23 vjeç, si dhe pasagjeri tjetër, shtetasi Leandro Fufi 23 vjeç, të cilët ndodhen në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.

Shtetasi Aron Zymaj është shoqëruar në Komisariat për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

“Zëri i Shqiptarëve: Qeveria Berisha kreu krim shtetëror duke vrarë shtetas të vet më 21 janar

Shumica e shqiptarëve mendojnë se më 21 janar me vrasjen e katër protestuesve në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, qeveria e asaj kohe kreu krim shtetëror duke vrarë shtetas të vet.

62.9% e shqiptarëve mendojnë se qeveria Berisha, kreu krim shtetëror, pyetjes në sondazhin Zëri i Shqiptarëve në ABC News, se cila ishte përgjegjësia e qeverisë së atëhershme për 21 janarin 2011? Ndërkohë, 19.2% e të anketuarëve mendojnë se qeveria mbrojti pushtetin e vet, 21 janarin e 15 viteve më parë, dhe 17.9 % shprehen se mbrojti shtetin.

Kampioni në këtë sondazh është 1425 banorë të rritur të vendit, me një marzh gabimi prej +/- 2.6%. Si cdo herë linku   i pyetësorit u shpërnda me SMS të rastësishme në mënyrë proporcionale në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë. Pyetësori u plotësua elektronikisht në mënyrë krejt anonime nga të anketuarit.  / abcnews.al /

Sondazhi/ Pas 15 vjetësh, cila mendoni se ishte përgjegjësia e opozitës së atëhershme? Ja si përgjigjen shqiptarët

Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, janë katër protestuesit e vrarë 15 vite më parë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Sondazhi ‘Zëri i Shqiptarëve’, këtë të hënë në ABC News i është referuar pikërisht kësaj ngjarje, për të cilën ende nuk ka drejtësi.

Pas 15 vjetësh, cila mendoni se ishte përgjegjësia e opozitës së atëhershme? Ishte pyetja e radhës për të cilën, 47.9% e shqiptarëve mendojnë se nuk e çoi protestën deri në fund, 26.7% shprehen se çoi njerëzit drejt një masakre të paralajmëruar, ndërsa 25.4% të tjerë, e bëjnë po aq fajtore sa qeveria.

Kampioni në këtë sondazh është 1425 banorë të rritur të vendit, me një marzh gabimi prej +/- 2.6%. Si cdo herë linku   i pyetësorit u shpërnda me SMS të rastësishme në mënyrë proporcionale në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë. Pyetësori u plotësua elektronikisht në mënyrë krejt anonime nga të anketuarit.

“Zëri i Shqiptarëve”, Sondazhi: Nuk ka vullnet për të vendosur drejtësi për 21 janarin

63.2% e shqiptarëve mendojnë se nuk ka vullnet për të vendosur drejtësi për 21 janarin.

Në sondazhin e kësaj të hëne “Zëri i Shqiptarëv” në ABC News, shqiptarët u ftuan të përgjigjen lidhur me vrasjen e 4 protestuesve në bulevard, 15 vite më parë.

Përse 15 vjet pas 21 janarit 2011, ende nuk është vendosur drejtësi? Ishte pyetje e parë e këtij sondazhi ku ndër të tjera, 19.3% fajësojnë drejtësinë duke e quajtur atë të paaftë. Dhe 17.5 % të tjerë mendojnë se nuk ka prova.

Kampioni në këtë sondazh është 1425 banorë të rritur të vendit, me një marzh gabimi prej +/- 2.6%. Si cdo herë linku   i pyetësorit u shpërnda me SMS të rastësishme në mënyrë proporcionale në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë. Pyetësori u plotësua elektronikisht në mënyrë krejt anonime nga të anketuarit.  / abcnews.al /

Bordi i Paqes, “Reflektim i SHBA-së ndaj situatave politike”, Basha: Shqipëria në një rrugë të re…

Eksperti i sigurisë Faik Basha tha se zhvillimet e fundit në konfliktet ndërkombëtare dhe situatat politike pasqyrojnë një riformatim të rolit të SHBA-së.

Ai citon deklaratat e Trumpit se ekzistojnë organizma që shpenzojnë fonde, por nuk sjellin kontribut ekonomik, dhe se pritet një ndryshim i ri në politikën globale, ku do të ketë një riformatim.

“E gjitha kjo është politike dhe reflektim i asaj që SHBA-ja ka bërë ndaj konflikteve dhe situatave politike, si dhe ndaj aktorëve që Trump i ka konsideruar vendimtarë. Kemi parë se në Ukrainë ka pasur ulje dhe ngritje të njëpasnjëshme të situatës atje. Situata në Gaza është një luftë e tmerrshme dhe ka lindur nevoja për të rikualifikuar disa pjesë.

Trump ka thënë se ekzistojnë disa organizma që harxhojnë fonde, por nuk sjellin asnjë kontribut për ekonominë. Jemi dëshmitarë të asaj që do të jetë një ndryshim i ri në politikën globale; organizma të rinj do të lindin në Bordin e paqes.

Ftesa që i është bërë Shqipërisë është shumë e madhe dhe tregon se Shqipëria do të jetë në një rrugë të re, në një organizëm të ri që do të jetë i rëndësishëm.”

Vizat, “Shqiptarët abuzojnë me mbrojtjen sociale”/ Bimo: Droga nga Venezuela, problem ishujt që pastrojnë paratë

Ish-ambasadori Roland Bimo tha për Real Story se problemi mes shqiptarëve dhe vizave amerikane është se një pjesë e madhe abuzojnë me mbrojtjen sociale, si mugon ndërgjegja qytetare.

Bimo tha se ardhja e Donald Trumpit në pushtet është një “përmbysje e madhe” dhe se në Shqipëri ka një “përzierje groteske”. Ai shtoi se shumë pak është folur për arsyet e përfshirjes së vendeve në rastin e Venezuelës dhe për rrugët e pastrimit të parave, duke theksuar se problemi real shfaqet kur paratë pastrohen nëpër banka.

“Ne kemi një dobësi të brendshme që fajin e hedhin gjithmonë te të tjerët. Në këtë rast, fajin e kanë vetëm njerëzit tanë që shkojnë dhe abuzojnë me mbrojtjen sociale. Në Amerikë kjo është pak më e ndjeshme; për mua ka qenë edhe në kohën kur isha në detyrë, kur më bëhej e ditur se sa përqindje e shqiptarëve do të përpiqeshin të mbanin emrin shqiptar. Nëse ke qenë i keqpërdorur nga opozita, nuk duhet të tejkalohet nga ata. Nuk mund të them se Serbia nuk është në atë listë sepse reagon.

Ishte një koment në shtypin tonë që e kishte këtë narrativë, por nuk qëndron, sepse është çështje statistikash; ata kanë edhe pak më shumë ndërgjegje qytetare krahasuar me ne. Tek ne nuk i intereson se çfarë dëm i bëhet gjësë së përbashkët. Shumë pak intelektualë apo specialistë kanë mundësi të shpjegojnë se çfarë po ndodh në botë.

Ardhja e Trumpit është një përmbysje e madhe. Në Shqipëri kemi një përzierje groteske; mundohemi të jemi njësoj, por janë masa që nuk shkojnë. Shumë pak është folur pse shkuam në Venezuelë, pse droga shitet dhe pse emri i parave është zero. Kur pastrohen nëpër banka, atëherë është problemi.

Shqetësimi janë ishujt ku qarkullojnë paratë: 5 për qind e kokainës shkon në SHBA, sasia tjetër shkon në Evropë dhe Britani, por këta ishuj kontrollohen nga City of London, dhe këtu lind një pikëpyetje e madhe.”  / abcnews.al /

‘Vdes’ Ramaduro/ Minxhozi: Rama kaloi 2 kriza të mëdha politike. Mërtiri: Maduro dhe Rama, vija paralele. Berisha thotë përralla

Analisti politik Skënder Minxhozi tha për Real Story se kryeministri Rama ka kaluar dy kriza të mëdha politike, atë të dorëzimit të mandateve dhe Çadrën, gjatë mandatit të parë të presidentit Trump.

Sipas Minxhozit, opozita është përpjekur t’i shfrytëzojë këto ngjarje për të krijuar kapital politik, por paralelja mes Tiranës dhe Karakasit, sipas tij, është e pamundur.

“Nën qeverisjen e Trumpit, Rama kaloi pa i hyrë gjemb në këmbë dy nga krizat më të mëdha politike: atë e ‘Çadrës’ dhe bojkotin.

Opozita është munduar t’i shfrytëzojë këto ngjarje për të krijuar kapital politik, por paralelja midis Karakasit dhe Tiranës është e pamundur. Kjo narrativë do ta shoqërojë opozitën për sa kohë ajo udhëhiqet nga liderët e vjetër.”

Analisti Ergys Mërtiri deklaron se Sali Berisha lidh ngjarjet globale me çështjen e tij personale dhe krijon narrativa të pabaza. Ai thekson se arrestimi i Maduros nuk ka lidhje me Ramën, ndërsa pretendimet se Rama do të arrestohet dhe Berisha do të vijë në pushtet janë “përralla pa sens”.

“Dy gjëra vlen të theksohen: mënyra se si e përdor Rama këtë situatë dhe gjendja në të cilën ndodhet Berisha. Për mua, Rama nuk ka merita, sepse SHBA-së i duhet Shqipëria. Ai përfiton personalisht, pasi kundërshtari që ka përballë artikulon narrativa dhe ‘përralla’ që i modifikon sipas interesit.

Berisha ka një tundim për ta lidhur hallin e vet me shumë ngjarje: sa herë ka revolta në botë, thotë se “po fryn era” dhe se çdo gjë që ndodh në glob ka lidhje me Berishën. Gjithçka është një përrallë pa sens. Arrestimi i Maduros nuk ka asnjë lidhje me Ramën, vija paralele. Berisha thotë se Rama do të arrestohet dhe se ai do të vijë në pushtet.”  / abcnews.al /

Zjarri në qendrën tregtare në Pakistan, shkon në 21 numri i viktimave, mbi 60 persona ende të zhdukur

Numri i të vdekurve nga një zjarr vdekjeprurës që shpërtheu të shtunën në një qendër tregtare në Karaçi, te Pakistanit, ka shkuar në 21, sipas një përditësimi të ri nga autoritetet.

“Janë gjetur gjithsej 21 trupa dhe kërkimet janë duke vazhduar”, tha sot për AFP-në Hassan Khan, kreu i shërbimeve të shpëtimit, ndërsa fati i rreth 60 personave është ende i panjohur.

Zjarri shpërtheu natën e së shtunës në qendrën tregtare shumëkatëshe Gul Plaza dhe flakët vazhduan për më shumë se 24 orë, duke penguar përpjekjet e shpëtimit në zonën e dendur të populluar.

Pas orësh përpjekjesh për shuarjen e zjarrit, zjarrfikësit filluan dje, të dielën, të përpiqen të ftohin mbeturinat dhe t’i pastrojnë ato, megjithëse shqetësimet po rriten se njerëzit mund të jenë ende të bllokuar nën gërmadha.

Zjarrfikësit thanë se ndërtesa, e cila strehon më shumë se 1,200 dyqane, nuk kishte ventilim, duke e mbushur qendrën tregtare me tym të dendur dhe duke ngadalësuar përpjekjet e shpëtimit për të arritur njerëzit e bllokuar brenda.

“Duket se është shkaktuar nga një qark i shkurtër”, u tha gazetarëve në vendin e ngjarjes të mërkurën shefi i policisë së provincës Sindh, Javed Alam Odo, duke shtuar se planimetria e qendrës tregtare dhe prania e materialeve të ndezshme si qilimat dhe batanijet nënkuptonin se zjarri vazhdonte të digjej në disa zona.

Deri të dielën në mbrëmje, pjesë të mëdha të ndërtesës ishin shembur. Shpëtuesit paralajmëruan se struktura e mbetur ishte e paqëndrueshme dhe mund të shembet e gjitha.

Sipas shërbimeve të shpëtimit, autoritetet u njoftuan për herë të parë për zjarrin në orën 22:38 të shtunën, kur u informuan se dyqanet në katin përdhes ishin përfshirë nga flakët. Kur mbërritën zjarrfikësit, flakët ishin përhapur tashmë në katet e sipërme, duke mbuluar pjesën më të madhe të ndërtesës.

Shitësit e dyqaneve dhe banorët u thanë mediave lokale se reagimi i vonuar i zjarrfikësve, si dhe mungesa e ujit dhe pajisjeve, penguan përpjekjet fillestare për të shuar zjarrin.

Aksidentohet autobusi i shkollës në Afrikën e Jugut, humbin jetën 13 fëmijë

Një kamion dhe një minibus shkolle janë përplasur këtë të hënë, në provincën Gauteng të Afrikës së Jugut, duke lënë të paktën 13 fëmijë të vdekur.

Associated Press shkruan se të paktën 11 nxënës kanë humbur jetën në vendngjarje, ndërsa dy të tjerë ndërruan jetë në spital nga plagët e marra.

Mjeti privat po transportonte nxënës drejt shkollave fillore dhe të mesme në jugperëndim të Johannesburgut, kur incidenti ndodhi rreth orës 7 të mëngjesit.

Dëshmitarët thanë se minibusi që mbante fëmijët po parakalonte automjete të ndaluara kur u përplas kokë më kokë me kamionin. Policia tha se ngjarja po hetohet dhe se shoferi i kamionit do të merret në pyetje.

Ministri i departamentit provincial të arsimit, Matome Chiloane, u tha gazetarëve se edhe shoferi i autobusit të shkollës do të hetohet për mundësinë e drejtimit të pakujdesshëm.

Shërbimet e emergjencës në Gauteng transportuan pesë pacientë në Spitalin Sebokeng, ndërsa dy të tjerë u dërguan në Spitalin Kopanong për kujdes të mëtejshëm mjekësor. Edhe shoferi i autobusit u plagos dhe ishte mes të dërguarve në spital.

Prindërit u panë duke qarë pa kontroll në vendin e aksidentit, ndërsa shërbimet e emergjencës po mblidhnin libra dhe materiale shkollore.

Presidenti Cyril Ramaphosa shprehu trishtimin e tij për humbjen e jetëve, duke thënë se autoritetet kombëtare dhe provinciale do t’u ofrojnë familjeve dhe shkollave mbështetjen e nevojshme psikosociale.

Fëmijët tanë janë pasuria më e çmuar e kombit dhe ne duhet të bëjmë gjithçka, nga respektimi i rregullave të qarkullimit deri te cilësia e shërbimeve të transportit,” tha Ramaphosa.

Ministrja e arsimit bazë të vendit, Siviwe Gwarube, tha se shumë aksidente që përfshijnë transportin e nxënësve shkaktohen nga gabimet e shoferëve. Ajo gjithashtu u bëri thirrje autoriteteve të transportit të sigurojnë që mjetet e ngarkuara me transportin e fëmijëve të jenë të përshtatshme për qarkullim.

Industria e modës ‘në zi’/ Ndahet nga jeta stilisti i njohur italian Valentino Garavani

Stilisti i famshëm italian i modës, Valentino Garavani, ka ndërruar jetë, ka njoftuar të hënën fondacioni i tij. Ai ishte 93 vjeç.

“Valentino Garavani u nda nga jeta sot në rezidencën e tij në Romë, i rrethuar nga njerëzit e tij më të dashur,” thuhet në njoftimin e fondacionit të publikuar në Instagram.

Sipas njoftimit, homazhet në nderim të stilistit do të mbahen të mërkurën dhe të enjten, ndërsa ceremonia mortore do të zhvillohet të premten në Romë, në orën 11:00.

Valentino Garavani konsiderohet një nga figurat më ikonike të modës botërore, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në industrinë e modës.  / abcnews.al /

Trump: Evropa duhet të fokusohet në Ukrainë, jo në Groenlandë

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Evropa duhet të përqendrohet në luftën në Ukrainë dhe jo në çështjen e Groenlandës, duke këmbëngulur se do të zbatojë planin e tij për vendosjen e tarifave ndaj vendeve evropiane.

Në një intervistë të shkurtër telefonike për rrjetin amerikan informativ, Trump tha se do t’i godasë “100 për qind” vendet evropiane me tarifa, nëse nuk arrihet një marrëveshje lidhur me Groenlandën.

“Evropa duhet të fokusohet në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, sepse, sinqerisht, po shihni se çfarë u ka sjellë kjo atyre,” ka thënë Trump.

“Kjo është ajo në të cilën duhet të përqendrohet Evropa – jo Groenlanda.”

I pyetur nëse do të përdorte forcën për të marrë nën kontroll Groenlandën, Trump është përgjigjur shkurt: “Pa koment”.

Trump ka komentuar gjithashtu edhe çështjen e Çmimit Nobel për Paqe, duke hedhur poshtë pretendimet se Norvegjia nuk ka ndikim në vendimmarrje dhe se vendimi u takon vetëm anëtarëve të komitetit.

Ai përmendi edhe një letër të mëhershme, të cilën ia kishte dërguar kryeministrit norvegjez, ku shprehej se nuk ndihej më i detyruar “të mendonte vetëm për paqen”, pasi nuk ishte nderuar me Çmimin Nobel për Paqe.

“Norvegjia e kontrollon plotësisht këtë çmim, pavarësisht asaj që thonë. Ata pëlqejnë të thonë se nuk kanë asnjë lidhje me të, por në fakt kanë gjithçka në dorë,” ka deklaruar Trump.

/ abcnews.al /

Kontrolle gjyqtarit/ RMV, fshehu paratë në mur, 350 mijë euro në banesën e prindërve

Gjykatësit maqedonas Gjoko Ristov i janë gjetur 350 000 euro në murin e shtëpisë së prindërve të tij. Zbulimi ka ardhur pas një aksioni të policisë financiare në vendin fqinj.

“Në kuadër të një hetimi që po e udhëheq Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, gjatë fundjavës së kaluar është realizuar një bastisje në një lokacion në Negotinë. Veprimet janë zhvilluar nën drejtimin e Drejtorisë së Policisë Financiare, në koordinim me prokurorin publik kompetent.”-njofton ministria e brendshme.

Gjykatësi Ristov është në detyrë në Gjykatën e Apelit në Shkup, ndërsa ndaj tij rëndojnë veprat penale: Fitim i kundërligjshëm dhe fshehje e pasurisë.

Për 350 000 eurot e gjetura ekzistojnë dyshime se rrjedhin nga veprimtari të paligjshme të lidhura me korrupsion dhe tregti me ndikim-njofton Policia Financiare.

Emri i gjyqtarit Gjoko Ristov më herët ishte lidhur me Fehmi Stafën, ish-avokat i popullit, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim për shkak të dyshimeve se ka marrë 50.000 euro ryshfet.

Gjoko Ristov është në kërkim, ndërsa për vendndodhjen e tij nuk ka ende të dhëna.  / abcnews.al /

Rinumërimi në Kosovë/ Ukshini: Partitë politike i dinë rezultatet. Prioritetet e Kurtit janë…

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në Kosovë vendosi që i gjithë vendi t’i nënshtrohet procesit të rinumërimit të votave për kandidatët për deputet. Në 10 komuna rinumërimi është në proces që pas vendimit të parë, ndërsa për 28 të tjera po bëhen përgatitjet për të parë edhe njëherë votat preferenciale. Prokuroria ka kërkuar mbledhjen e provave që do të shërbejnë më pas për ndjekje penale, por koha e këtij procesi rrezikon kapjen e afateve për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Ish ambasadori Syle Ukshini tha për ‘Ballkan Update’ se afatet për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit nuk pritet të rrezikohen. Sipas tij, ka kohë të mjaftueshme dhe partitë politike i dinë rezultatet përtej numrit të votave.

Ukshini tha se partitë mund të hyjnë lirisht në negociata për zgjedhjen e presidentit, ndërsa shtoi se Kurti e ka bërë të qartë se prioritet mbeten formimi i qeverisë së re dhe miratimi i buxhetit për vitin 2026.

“Afatet për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit nuk besoj se do ta rrezikohen. Ka mjaft kohë; partitë politike i dinë rezultatet përtej numrit të votave.

Ato e dinë sa deputetë kanë dhe lirisht mund të hyjnë në negociata për kreun e ri të shtetit. Kurti e ka bërë të qartë se prioritet janë formimi i qeverisë së re dhe buxheti për vitin 2026.”

/ abcnews.al /

Hagë, palët dorëzojnë dosjet përfundimtare/ Seancat e fundit nga data 9-18 shkurt

Procesi gjyqësor në rastin e ish-krerëve të UÇK-së po shkon drejt fundit.

Këtë të hënë në Hagë, në Dhomat e Specializuara të Kosovës dorëzohen dosjet përfundimtare.

Prokuroria dhe ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit do t’i dorëzojnë dosjet përkatëse trupit gjykues.

Pas dorëzimit të dosjeve, pason fjala përfundimtare, e cila pritet të mbahet nga 9 deri më 18 shkurt.

Pas këtyre dative procesi gjyqësor quhet i mbyllur.

Katërshja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndodhen në Hagë nga nëntori i 2020-tës, duke mos iu ofruar asnjë mundësi lirimi nga paraburgimi deri në këtë fazë të procedurës.

Pas përfundimit të fjalëve përfundimtare, gjykatësit do të kenë një afat prej tre muajsh për të shpallur vendimin e shkallës së parë, me mundësi shtyrjeje edhe për dy muaj të tjerë.

Në këtë rast përfshihen katër ish-udhëheqës të lartë të UÇK-së mes tyre ish-presidenti Hashim Thaçi ish-kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi të gjithë të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë konfliktit të fundit në Kosovë nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999.

Procesi i Speciales është themeluar me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe ka për qëllim të hetojë dhe të gjykojë krimet e dyshuara të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Ky gjyq ka shkaktuar reagime të ndryshme, me një vëzhgim të fortë mbi drejtësinë ndërkombëtare dhe ndikimin e madh në diskutimet politike që lidhen me të kaluarën e konfliktit dhe marrëdhëniet rajonale.   / abcnews.al /

Censusi i shpendëve të ujit/ Specialistët nisin numërimin në Vlorë dhe Prespë

Në vend ka nisur numërimi I shpendëve të ujit.

Prej dy ditësh  në  lagunën e  Nartës, Orikum dhe Butrint po zbulohen  shpendë të cilët kanë krijuar habitatin e tyre në këtë periudhë të vitit madje dhe për herë të parë.

“Anasakuta eshte nje lloj shpendi qe u  evidentua sot, gjendet ne lagune por deri me tani se kishim pare.”

“Ka prezence te larte kryesisht te atyre qe ndodhen ne lagune,  rosa te ndryshme,  flamingo, pelikane  dhe bajza etj .”

Për specialistet e zonave të mbrojtura në  Qarkun e Vlorës  shqetësim mbetet gjuetia e paligjshme.

“Kemi konstatuar tre kurthe nga gjuetaret,  I kemi cmontuar.”

Ndërsa  në liqenin e Prespës së Madhe  janë parë dhe specie të rralla.

“Bajza, disa rosa, rosa me kater sy qe mund te jene me te rralla dhe karizmatike me njerezit.”

“Krahasuar dhe me vendet e tjera kemi konstatuar nje shifer gati te perafert me vitet e tjera. Kemi pasur dhe  pranine mergus merganse..  specie  e rralle.”

Specialistët thonë se  ndryshimet klimatike  e kanë bërë liqenin e Prespës një habitat të papërshatshëm për disa  shpendë migratory.

Censusi i shpendëve ujorë kryhet çdo vit në janar për të parë se cilët  prej tyre zgjedhin të dimërojnë në vendin tonë.

Të dielën  censusi do të vijojë në liqenin e Ohrit në Pogradec.

“Kryengritja e zgjatur paqësore” e Berishës, që zgjat më pak se 2 orë…

Nga Eduard Zaloshnja

Kreu i PD, Sali Berisha, foli sot për protestën e rradhës së opozitës më 24 Janar. Gjatë bashkëbisedimit me ndjekësit në rrjetet sociale, Berisha tha se opozita nuk synon të marrë pushtet me dhunë. Ai shtoi se beson tek një kryengritje paqësore dhe të zgjatur, prej së cilës mund të ndryshohet pushteti, sipas tij.

Por proesta të ngjashme të PD-së deri më sot kanë treguar se protestuesit vijnë me furgona në Tiranë nga qytete të ndryshme dhe në më pak se 2 orë shpërndahen andej nga kanë ardhur, pasi kanë dëgjuar fjalimet e zakonshme të Berishës & co.

Po çfarë na tregon historia botërore për protestat paqësore të suksesshme?

Në vitin 1986, miliona filipinas dolën në rrugët e Manilës, duke protestuar në mënyrë paqësore (në atë që u quajt “Lëvizja e Pushtetit të Popullit”). Dhe në ditën e katërt të protestave paqësore të vazhdueshme, regjimi i Markosit u rrëzua…

Në vitin 2003, qindra mijra gjeorgjianë rrëzuan Shevardnadzen me revolucionin e tyre “të trëndafilave”, gjatë të cilit protestuesit pushtuan parlamentin me lule në duar.

Para disa vitesh, presidentët e Sudanit dhe Algjerisë deklaruan dorëheqjen e tyre, falë protestave të përditshme paqësore qindra-mijëshe.

Në secilin rast, fushatat e përditshme të qindra mijrave qytetarëve arritën të rrëzojnë elitat politike, dhe të sjellin ndryshime të rëndësishme.

Ka shumë arsye etike e morale për të zgjedhur strategjinë paqësore për ndryshim. Dhe rezultat e një studimi shkencor të Profesores Erica Chenoweth, të Universitetit të Harvardit, tregojnë se protestat jo të dhunëshme s’janë vetëm një zgjedhje e mirë morale, por edhe shumë më efikase për ndryshimin e gjendjes politike.

Duke analizuar qindra lëvizje (si të dhunshme, edhe paqësore), qysh nga viti 1900 e deri në ditët tona, Profesorja Chenoweth arriti në përfundimin se lëvizjet paqësore kanë gjasa dyfish më të mëdha të jenë të suksesshme, krahasuar me ato të dhunshme. E megjithëse dinamikat e çdo lëvizje varen nga shumë faktorë, ajo ka gjetur se pjesëmarrja aktive në lëvizjen paqësore e të paktën 3.5% të popullsisë garanton suksesin e saj.

Kur filloi studimin e saj mbi këtë temë, Profesorja Chenoweth nuk besonte se lëvizjet paqësore mund të ishin më të fuqishme se ato të dhunshme. Gjatë punës për mbrojtjen e doktoraturës në Universitetin e Kolorados, ajo kishte studiuar për vite faktorët që kontribuonin në lindjen e terrorizmit dhe të lëvizjeve të dhunshme. Por në një konferencë shkencore në Uashington, ajo u ngacmua nga disa kumtesa mbi lëvizjet paqësore.

E ndihmuar nga studiuesja Maria Stephan, ajo mblodhi të dhëna dhe studime për qindra lëvizje që kishin synuar ndryshime politike në vende nga më të ndryshme të botës (Në analizën e saj të gjerë, ajo përjashtoi rastet kur ndryshimet politike kishin ardhur si rezultat i ndërhyrjeve direkte ushtarake të huaja). Profesorja Chenoweth i klasifikoi të dhunshme lëvizjet, kur ishin përdorur bomba, kur kishin ndodhur dëmtime të infrastrukturës etj., ose thjesht, kur ishin shkaktuar dëme materiale ose lëndime njerzore.

Në përfundim, ajo gjeti se probabiliteti i suksesit të një lëvizje paqësore ishte 93%. Ndërsa probabiliteti i suksesit të një lëvizje të dhunshme ishte sa gjysma – vetëm 46%.

Kufiri 3.5%, kyçi i suksesit

Siç duket qartë nga probabilitetet e mësipërme, jo të gjitha lëvizjet paqësore janë të suksesshme. Sipas Profesores Chenoweth, numri i pjesëmërrsve në lëvizjen paqësore është një faktor kritik për suksesin. Në qoftë se të paktën 3.5% e popullsisë, konkludoi ajo, merr pjesë aktive në lëvizjen paqësore, suksesi është i pashmangshëm.

Studimi i Profesores Chenoweth tregon se asnjë lëvizje paqësore nuk ka dështuar, kur e ka arritur këtë kufi.

SHËNIM I RËNDËSISHËM: 3.5% E POPULLSISË NË SHQIPËRI ËSHTË RRETH 82 MIJË BANORË

Gati 5 milionë euro për Mitajn/ Al Ittihad merr ofertat për mbrojtësin e Kombëtares shqiptare

Për të pestën ndeshje me radhë ishte në tribunë. Për të dytën gherë radhazi skuadra e tij nuk e mori fitoren, madje këtë herë humbi. E tillë situata e Mario Mitajt në Arabinë Saudite, dhe e ekipit kampion të vendit, Al Itihad.
Në një nga të papriturat më të mëdha të sezonit, Al Etifak mposhti favoritët me një gol të vetëm dhe kundër rrjedhës së lojës, ndërsa trajneri Serzhio Konseisao dhe drejtuesit e klubit duket se kanë ndarë mendjen. Mitaj lihet qëllimisht jashtë ekipi për 4 ndeshje njëra pas tjetrës, ndërsa më herët ishte I pezulluar.
Lajmet janë se për mbrojtësin kuqezi ka interesim nga Europa, nga Spanja, Anglia po Italia, ndërsa së fundmi njoftohet se një klub ka ofruar 5 milionë euro për kartonin e tij.
Al Itihad shpenzoi 4 milionë euro kur e mori nga Lokomotiva e Moskës. Gjithsesi, duket se jo gjithçka është vendosur.

Mbrojtësi portugez I Lacios, Nunjo Tavaresh, duket se nuk do të vijë në Arabinë Saudite, pasi Beshiktashi është shumë më pranë, madje dhe Dortmundi ka shprehur dëshirë për të.
Mbetet të shihet nëse Mitaj do të sakrifikohet apo do të kthehet në ekip, por kryesorja është që gjendja të sqarohet dhe ai të luajë, pasi do të ishte minus I madh nëse nuk do të ishte në fushë, ndërsa afrojnë ndeshjet e kombëtares në plej ofin e Kupës së Botës.

Nderim për heroin kombëtar/ Lezhë, kujtohet përvjetori i vdekjes së Skënderbeut

Në Lezhë u mbajtën homazhe në ndërim të  Gjergj Kastriotit, Skënderbeut. Ceremonia për  558-vjetorin e vdekjes u zhvillua në vendvarrimin e heroit kombëtar. Të shumtë ishin ata që nderuan figurën e tij.

Historiani Paulin Zefi rrefeu momentet  e fundit të jetës së Skëndërbeut

“Lamtumirë Arbëri, Zoti u kujdestë për ty ashtu si për shpirtin tim!”

Ndërsa  përfaqësuesit  e pushtetit qendror, vendor dhe klerit  apeluan për mbrojtjen dhe përcjelljen e vlerave kombëtare brez pas brezi.

“Ketu kujtesa nuk eshte vetem histori por amanet… busull per kombin shqiptar.”

Ne nderim të Skëndërbeut  u mbajt dhe një koncert përkujtimor. Përmes pjesëve lirike u kujtua humbja që përjetoi populli shqiptar pas kalimit në amshim të Gjergj Katriotit, Skëndërbeut.

 

❌