“KAYO është e shtetit shqiptar”, Rama mbron kompaninë që zaptoi ambientet e News24: Pse, budallenj jemi ne? Më takonin shitës për makina, helikopterë e pushkë, por do i prodhojmë vetë
Kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ka komentuar mbi krijimin e kompanisë shtetërore KAYO, duke sqaruar qëllimet dhe funksionin e saj, ndërsa justifikoi zaptimin e ambienteve të News24 nga forcat e ushtrisë.
“Ka shumë akuza që kjo kompani është krijuar për të kanalizuar paratë e drogës dhe për të hapur rrugë kontrabandës së armëve. Nuk është e vërtetë. Kjo nuk është kompani private, por e shtetit shqiptar,” tha Rama.
Ai shpjegoi se krijimi i KAYO-s lidhet me nevojën për të menaxhuar blerjet e pajisjeve për Forcat e Armatosura dhe NATO-n: “Rritja e buxhetit të NATO-s bëri që Kryeministria të ishte si një supermarket ku hynin shitës nga të gjitha vendet për të ofruar makina, aeroplanë, helikoptera, pushkë e raketa. Ne nuk mund të përdorim këto para vetëm për të blerë, por duhet të prodhojmë vetë disa pajisje, përfshirë automjetet dhe uniformat, dhe madje edhe për eksport,” theksoi ai.
“Keni dëgjuar që është krijuar një kompani KAYO për të kanalizuar paratë e drogës dhe për t’i hapur rrugë kontrabandës së armëve. Kjo është akuza. Kjo nuk është kompani private, por e shtetit shqiptar. Pse është krijuar kjo kompani. Rritja e buxhetit të NATO-s për të gjitha vendet bëri që qysh në momentin e lansimit kryeministria të bëhej si një supermarket ku hynin dhe dilnin shitës që donin të takoheshin me mua nga të gjitha vendet për të thënë kemi makina, aeroplanë, helikoptera, etj, kemi pushkë e raketa. Ne jemi budallenj këtu? Që paratë e buxhetit t’i përdorim thjesht e vetëm për të blerë ndërkohë që me ato para ne sigurisht do blejmë çfarë nuk prodhojmë dot se nuk prodhojmë dot helikopterë, por makinat i prodhojmë vetë. Ju do shikoni që do i prodhojmë vetë, jo vetëm për veten, por edhe për eksport. Po mirë, jemi budallenj ne që të vijojmë të bëjmë tendera uniformash që përfundojnë në hetim me komisionin e prokurimit dhe njerëz që shkojnë në burg për perimetrin e kokës së policit apo se për rrypat e ushtarëve ndërkohë që kemi dijen më të madhe në Europë këtu për të qepur. Kemi 30 vite që qepim për Versace dhe gjithë saqet e botës, ne kemi krijuar kompaninë e përbashkët, ndërkohë që ushtria suedeze porosit uniforma në Shqipëri në një kompani fasoneri, ne një histori e pafundme tenderash për uniforma. Të gjitha uniformat do prodhohen në Shqipëri nga shqiptarët”, tha Rama.
The post “KAYO është e shtetit shqiptar”, Rama mbron kompaninë që zaptoi ambientet e News24: Pse, budallenj jemi ne? Më takonin shitës për makina, helikopterë e pushkë, por do i prodhojmë vetë appeared first on Albeu.com.
