Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka pritur në takim Koordinatoren Nacionale për Zgjedhje, Laura Pula dhe Menaxherin e projektit strategjik “Mbrojtja e votës”, Besim Kusari.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se takimi u zhvillua në ambientet e Prokurorisë së Prizrenit dhe temë e diskutimeve të këtij takimi ishte zhvillimi i hetimeve paraprake lidhur me mospërputhjen e votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet të Republikës së Kosovës në regjionin e komunës së Prizrenit.
Kryeprokurori i Prizrenit, informoi se pas evidentimit të mospërputhjeve të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet, në rajonin e komunës së Prizrenit, ku ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave, ka filluar grumbullimi i informatave të nevojshme sigurimi i provave relevante, që të vërtetohet kryerja e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin zgjedhor.
Gjatë këtij takimi u diskutua për angazhimin e Prokurorit të Shtetit lidhur me mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe vazhdimin e procesit të hetimit në drejtim të mbledhjes së provave dhe sigurimit të dëshmive të nevojshme. /Telegrafi/
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen edhe 28 komuna të tjera.
Sipas të dhënave që rezultojnë në faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri më tani janë rinumëruar 40.16 të votave, apo 1 mijë e 27 vendvotime të procesuara.
Në platfomën e KQZ-së për rezultate https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/, në hapësirën QNR > Rinumërim, do të paraqiten rezultatet pas numërimit të çdo vendvotimi. /Telegrafi/
Procesi zgjedhor i 28 dhjetorit 2025 është shoqëruar me zhvillime të shumta dhe vendime të rëndësishme institucionale, të cilat kanë nxjerrë në pah parregullsi serioze në administrimin dhe numërimin e votave në disa komuna të Kosovës.
Menjëherë pas ditës së zgjedhjeve dhe publikimit të rezultateve preliminare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar ankesa dhe raporte të shumta lidhur me parregullsi gjatë numërimit të votave, veçanërisht në nivelin e votave të kandidatëve brenda subjekteve politike
Por, çfarë ndodhi?
Fillimisht, KQZ ka marrë vendim që në 10 komuna të zhvillohet rinumërim i plotë i votave, me qëllim të verifikimit të saktësisë së rezultateve dhe adresimit të dyshimeve të ngritura.
Ky vendim u mor pas identifikimit të mospërputhjeve ndërmjet rezultateve të raportuara dhe materialeve zgjedhore.
Megjithatë, gjatë këtij procesi janë evidentuar raste të dyshimit vjedhjes së votave dhe manipulime brenda subjekteve politike, ku votat dyshohet se janë transferuar nga një kandidat te tjetri.
Si rezultat, KQZ mori një vendim të ri dhe më gjithëpërfshirës, duke urdhëruar që të gjitha 28 komunat e vendit të shkojnë në rinumërim të plotë të votave, në mënyrë që të garantohet transparenca dhe besueshmëria e rezultateve përfundimtare.
Po ashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që anëtarët e subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve (KKZ) në komunën e Prizrenit të shkarkohen nga detyra, për shkak të përgjegjësisë së dyshuar në parregullsitë e konstatuara.
KQZ ka paralajmëruar se do të bashkëpunojë ngushtë me organet e drejtësisë për hetimin e plotë të rasteve dhe ndëshkimin e përgjegjësve.
Çfarë thonë njohësit e fushës?
Në lidhje me këtë situatë, analisti politik Mazllum Baraliu vlerëson se ky proces ka nxjerrë në pah defekte serioze në sistemin zgjedhor.
“Procesi paraprak kishte defekte në sistemin e llogaritjes dhe publikimit të rezultateve preliminare, gjë që shkaktoi befasi, pritje dhe pakënaqësi si në opinion, ashtu edhe në partitë politike. Procesi i rinumërimit po nxjerr në pah defekte serioze që janë lejuar të ndodhin, si rasti i Prizrenit, por edhe në komuna të tjera”, ka deklaruar Baraliu.
Sipas tij, vendimi për rinumërim total po e zvarrit shpalljen dhe certifikimin e rezultateve përfundimtare, duke ndikuar drejtpërdrejt në respektimin e afateve kushtetuese.
“Jemi në ngushticë kohore për konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë, zgjedhjen e presidentit dhe miratimin e buxhetit. Prandaj, KQZ duhet të angazhojë kapacitete shtesë, me punë në tri ndërrime, 24 orë, në mënyrë që procesi të mos stërzgjatet”, ka theksuar ai shkruan Telegrafi.
Ndërkohë, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në një deklaratë për Telegrafin e ka cilësuar këtë proces zgjedhor si një proces me “dy fytyra”.
“Së pari, kemi një imazh jashtëzakonisht pozitiv të organizimit dhe administrimit të votimit në ditën e zgjedhjeve, transparencës së KQZ-së dhe shpejtësisë në publikimin e rezultateve preliminare. Në anën tjetër, kemi një nga cenimet më të rënda të procesit zgjedhor pas vitit 2010, me skema manipulimi, në disa raste edhe industriale të votave të kandidatëve”, ka deklaruar Cakolli.
Ai ka theksuar se qytetarët kanë treguar pjekuri të lartë demokratike, ndërsa integriteti i zgjedhjeve është cenuar nga komisionerë të caktuar.
“Kjo situatë dëshmon nevojën e pashmangshme për rishikimin e sistemit të numërimit të votave. Kalimi i numërimit në qendrat komunale ka rritur potencialin për manipulime, pasi mjafton ndërhyrja e një zyrtari për të deformuar tërësisht rezultatin”, ka thënë ai.
Sipas Cakollit, zgjidhja afatgjate duhet të jetë kalimi në numërim digjital, i cili do ta zvogëlonte ndërhyrjen dhe do ta përshpejtonte ndjeshëm procesin.
“Personat që kanë kryer shkelje, manipulime apo keqpërdorime duhet të hetohen dhe të dënohen sa më parë, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten dhe dënimet të kenë efekt parandalues”, ka përfunduar Cakolli.
Ndryshe, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e mërkurë, 21 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar 834 nga 2,557 vendvotime.
Sipas këtyre të dhënave, deri më tani rinumërimi është përmbyllur plotësisht në 7 komuna.
Në platfomën e KQZ-së për rezultate https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/, në hapësirën QNR > Rinumërim, do të paraqiten rezultatet pas numërimit të çdo vendvotimi. /Telegrafi/
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e mërkurë, 21 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar 834 nga 2,557 vendvotime.
Sipas këtyre të dhënave, deri më tani rinumërimi është përmbyllur plotësisht në 7 komuna.
Në platfomën e KQZ-së për rezultate https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/, në hapësirën QNR > Rinumërim, do të paraqiten rezultatet pas numërimit të çdo vendvotimi. /Telegrafi/
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) po planifikon që shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të bëhet në fillim të muajit shkurt të këtij viti, raporton KosovaPress.
Por, sipas KQZ-së, shpallja e këtyre rezultateve mund të vijë pas përfundimit të procesit të rinumërimit të më shumë se 1 mijë e 800 vendvotimeve të mbetura, i cili po planifikohet të përmbyllet deri në fund të muajit janar.
Kjo është konfirmuar për KosovaPress nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka treguar për dinamikën e punës në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
“Aktualisht, numri i ekipeve të angazhuara në procesin e rinumërimit gjatë një dite pune është 76. Bazuar në këtë kapacitet dhe numri i vendvotimeve të mbetura për t’u rinumëruar, planifikojmë dhe po bëjmë përpjekje që i gjithë procesi të përmbyllet deri në fund të muajit janar”, ka thënë Elezi.
Elezi ka thënë se KQZ do të shpallë rezultatin përfundimtar pas përfundimit të rinumërimit, që sipas tij, mund të zvogëlojë nevojën për ankesa, pasi rinumërimi mund të heq të gjitha dilemat sa i përket rezultateve.
“Pas përfundimit të procesit të rinumërimit, KQZ do të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Ashtu siç parashihet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, subjektet politike dhe kandidatët do të mund të parashtrojnë ankesat e tyre lidhur me këtë rezultat në PZAP dhe, eventualisht, procesi mund të vazhdojë deri në Gjykatën Supreme.
Natyrisht, procesi i rinumërimit i heq të gjitha dilemat sa i përket rezultateve dhe kjo mund të zvogëlojë edhe nevojën për ankesa, por KQZ duhet të presë afatin për paraqitjen e këtyre ankesave dhe shqyrtimin e tyre para se të procedojë me certifikimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve dhe njëkohësisht me përmbylljen e procesit zgjedhor”, ka shtuar Elezi.
Sipas të dhënave, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar procesi i rinumërimit të vendvotimeve, i cili po realizohet në bazë të dy vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në total, procesi i rinumërimit do të përfshijë të gjitha 2,557 vendvotimet ku është zhvilluar procesi i rregullt zgjedhor më 28 dhjetor 2025.
Sipas vendimit të parë të KQZ-së, të datës 13 janar 2026, ishte paraparë rinumërimi i 914 vendvotimeve, ndërsa me vendimin e dytë, të datës 19 janar 2026, është vendosur që të përfshihen edhe 1,643 vendvotime të tjera, duke e zgjeruar procesin në tërësi./kp/
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.
Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e martë, 20 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar 688 nga 2,557 vendvotime, të cilat u takojnë komunave: Deçan (5/51), Gjakovë (15/145), Gllogoc (7/73), Gjilan (13/130), Dragash (57/57), Istog (6/62), Kaçanik (45/45), Klinë (6/63), Fushë Kosovë (6/62), Kamenicë (5/50), Mitrovicë e Jugut (10/102), Leposaviq (25/25), Lipjan (9/85), Novobërdë (2/23), Obiliq (3/33), Rahovec (8/78), Pejë (14/139), Podujevë (11/110), Prishtinë (26/262), Prizren (235/235), Skenderaj (72/72), Shtime (34/34), Shtërpcë (2/17), Suharekë (9/89) dhe Ferizaj (63/152).
Sipas këtyre të dhënave, deri më tani rinumërimi është përmbyllur plotësisht në 6 komuna.
Sipas vendimit të parë të KQZ-së, më 13 janar 2026, në 10 komuna ishte planifikuar të rinumëroheshin 100% të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skenderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërkaq në 28 komunat tjera, vetëm nga 10% e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut).
Pas vendimit të dytë të KQZ-së, më 19 janar 2026, në proces të rinumërimit do të përfshihen edhe vendvotimet tjera të këtyre komunave. /Telegrafi/
Në kohën kur dukej se Kosova po shkonte drejt formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, procesi zgjedhor u kthye disa hapa prapa.
Zbulimi i mospërputhjeve serioze në votat e kandidatëve për deputetë e detyroi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të marrë vendim për rinumërim të plotë të të gjitha votave në vendvotimet e rregullta.
Vendimi i marrë më 19 janar pasoi rinumërimin e pjesshëm nga java e kaluar, gjatë të cilit u evidentuan shkelje dhe dallime të theksuara, si dhe thirrjet e vazhdueshme të partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile për një rinumërim tërësor të votave, shkruan Evropa e Lirë.
Për vëzhguesit e proceseve zgjedhore dhe zhvillimeve politike në Kosovë, ky vendim ishte i domosdoshëm për mbrojtjen e integritetit të votës, por njëkohësisht hap rrezikun e vonesave të gjata procedurale dhe të një krize të mundshme institucionale.
Roli i KQZ-së dhe mundësitë për përshpejtim
Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë se zvarritja e rinumërimit përtej javës së parë të shkurtit mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta në certifikimin e rezultateve përfundimtare dhe, rrjedhimisht, në konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.
Ai thekson se rinumërimi i votave pasohet edhe me procedura të tjera ligjore, përfshirë afatin prej dhjetë ditësh për ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) - çka e ngushton edhe më shumë hapësirën kohore për përmbylljen e procesit.
Megjithatë, sipas tij, gjithçka mund të përshpejtohet nëse KQZ-ja rrit kapacitetet teknike dhe njerëzore për rinumërim.
“Kësisoj, besoj se me një dinamikë të tillë, KQZ-ja mund të vijojë me rinumërim të plotë... sepse deri më tash janë rinumëruar gati 600 kuti të votimit, që nënkupton se mbeten edhe rreth 2 mijë të tjera. Në rast se dyfishohet numri i tavolinave për rinumërim, procesi mund të përmbyllet më shpejt”, shpjegon Cakolli për Radion Evropa e Lirë.
Pasojat e mundshme
Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thekson se zbardhja e çdo manipulimi eventual të votave duhet të jetë prioritet i institucioneve të rendit dhe ligjit.
Sipas tij, keqpërdorimet e votave ngrenë dyshime serioze se ato mund të kenë ndodhur pa udhëzime nga strukturat e partive politike.
Duke iu referuar përvojës së zgjedhjeve të 9 shkurtit - pas të cilave formimi i institucioneve u zvarrit për disa muaj, për të përfunduar me zgjedhje të parakohshme më 28 dhjetor - Muhaxhiri paralajmëron se partitë politike mund t’i shfrytëzojnë afatet ligjore për bllokada të reja institucionale.
“... sepse edhe partitë duhet të sqarohen për çështjen e komisionerëve, për çështjen e manipulimit të votave. Do të krijohen pengesa të mëdha përbrenda partive - gjë që, pastaj, do të ndikojë edhe në dobësimin e tyre në raport me krijimin e koalicioneve të mundshme, ose të ndonjë strategjie në raport me Qeverinë [e ardhshme] dhe zgjedhjen e presidentit”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.
“Politikanët kosovarë e kanë dëshmuar se kanë kapacitete të pafundme për bllokada dhe për krijimin e pengesave në funksionimin normal të institucioneve. Prandaj, rreziku që kjo situatë të përsëritet mbetet real”, shton ai.
Të dy analistët paralajmërojnë se nëse zinxhiri i vonesave vazhdon - nga rinumërimi tek ankesat, certifikimi dhe konstituimi i Kuvendit - vendi mund të përballet me një krizë të thellë institucionale, duke përfshirë edhe rrezikun për zgjedhjen e presidentit të ri.
Afatet ligjore dhe rreziku për zgjedhjen e presidentit
Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti i ri duhet të zgjidhet nga Kuvendi i Kosovës jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.
Presidentes Vjosa Osmani, mandati i skadon më 4 prill, që do të thotë se afati për zgjedhjen e presidentit të ri ose të Osmanit edhe për një mandat të ri është 4 marsi.
Cakolli paralajmëron se në situatën aktuale, me vonesat që pritet të shkaktojë rinumërimi dhe procedurat pasuese, Kuvendi mund të mos arrijë të konstituohet deri në atë kohë, “e lëre më të zgjidhet Qeveria e re dhe të votohet presidenti i ardhshëm”.
Shqetësim të ngjashëm ndan edhe Muhaxhiri.
“... do të hyjmë në një kaos ligjor, sepse as Kushtetuta e Kosovës nuk e parasheh një skenar të tillë. Do të futemi në një tunel pa asnjë dritë, sepse askush nuk do të ketë mundësi institucionale ta zhbllokojë situatën”, thekson Muhaxhiri.
Ai shton se krijimi ose jo i një krize të tillë institucionale mbetet “në ndërgjegjen e partive politike”, të cilat mund të ndikojnë në përshpejtimin ose vonesën e të gjitha procedurave.
Si mund të shmanget kriza?
Ekspertët e proceseve zgjedhore paralajmërojnë se për të shmangur një krizë institucionale, partitë politike duhet t’i përshpejtojnë procedurat e rinumërimit dhe të shmangin përdorimin e afateve për bllokada.
Sipas tyre, edhe presidentja e vendit dhe partitë duhet të sigurojnë koncensus për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.
Përndryshe, vonesat në këto procese, theksojnë ata, mund të kenë edhe pasoja ekonomike për Kosovën.
Në këtë aspekt, rreziku më i madh lidhet me mosmiratimin e buxhetit të shtetit deri më 28 shkurt.
Pas kësaj date, nuk mund të merren vendime për lëvizje të mjeteve financiare, përfshirë pagat, pensionet dhe pagesat për kategoritë sociale.
Në rrezik mund të vihen edhe disa marrëveshje ndërkombëtare që kërkojnë dritën jeshile nga Kuvendi.
Për shembull, afati i fundit për hyrjen në fuqi të marrëveshjes me Bankën Botërore, e cila parasheh financimin e politikës zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër, është 13 shkurti.
“Barra e përgjegjësisë bie mbi vetë partitë politike, sepse, fundja, vetë KQZ-ja është trup politik i përbërë prej tyre. Vendimet për udhëheqjen dhe përmbylljen e procedurave sa më shpejt që është e mundur, janë në diskrecionin e tyre”, përfundon Cakolli.
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.
Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e diel, 19 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar 61% apo 558 nga 914 vendvotime, të cilat u takojnë komunave: Deçan (5/5), Gjakovë (15/15), Gllogoc (7/7), Gjilan (13/13), Dragash (57/57), Istog (6/6), Kaçanik (45/45), Klinë (6/6), Fushë Kosovë (6/6), Kamenicë (5/5), Mitrovicë e Jugut (10/10), Leposaviq (25/25), Lipjan (9/9), Novobërdë (2/2), Obiliq (3/3), Rahovec (8/8), Pejë (14/14), Podujevë (11/11), Prishtinë (26/26), Prizren (232/235) dhe Skënderaj (50/72).
Sipas të dhënave, deri më tani rinumërimi është përmbyllur në 20 komuna.
Në platformën e KQZ-së për rezultate https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/, në hapësirën QNR > Rinumërim, do të paraqiten rezultatet pas numërimit të çdo vendvotimi. /Telegrafi/
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se Prokurori i Shtetit ka monitoruar në vazhdimësi procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore dhe do të ndërmarrë veprime për çdo dyshim për keqpërdorim të votave.
Sipas njoftimit për media thuhet se koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, pas evidentimit të mospërputhjeve të votave gjatë rinumërimit, ka kërkuar nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore që në komunat ku ka përfunduar rinumërimi të fillojnë grumbullimin e informatave dhe provave relevante që mund të vërtetojnë kryerjen e ndonjë vepre penale lidhur me procesin zgjedhor.
“Prokurorja Pula ka kërkuar gjithashtu që edhe në komunat ku rinumërimi nuk ka përfunduar, menjëherë pas përfundimit të tij të fillohet me procesin e grumbullimit të provave të nevojshme”, thuhet në njoftim.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit thekson se Prokurori i Shtetit do të mbetet i angazhuar për ta mbrojtur votën e lirë të qytetarëve, dhe do të hetoj çdo rast, për të cilin ka dyshime se është keqpërdorë – falsifikuar vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë./Telegrafi/
Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Nait Hasani ka reaguar lidhur me manipulimin e votave ku nga procesi i rinumërimit të disa vendvotimeve atij i janë larguar deri më tani 3 mijë e 414 vota.
Sipas tij, procesi ka shkaktuar cenim të rëndë të vullnetit të lirë të qytetarëve dhe manipulim të emrit të tij.
“Me atë që pash në rinumërim, votat e mia janë rritur në mënyrë të padrejtë, duke u përdorur emri im për manipulime të papranueshme zgjedhore. Ky veprim përbën jo vetëm shkelje ligjore, por edhe akt të rëndë moral dhe politik”, ka shkruar Hasani.
Ai refuzon çdo votë që nuk buron nga vullneti i lirë i qytetarëve dhe siguron se qëndron pranë demokracisë dhe transparencës.
“Unë refuzoj kategorikisht çdo votë që nuk buron nga vullneti i lirë i qytetarit. Nuk kam hyrë në politikë për të fituar me mashtrime, por për të fituar me besim. Nuk kam nevojë për vota të vjedhura, sepse respektoj votën e ndershme më shumë se çdo rezultat”, u shpreh Hasani.
Hasani thekson gjithashtu rëndësinë e drejtësisë dhe përkushtimin e tij për të mbrojtur të ardhmen demokratike të vendit.
“Drejtësia nuk duhet të heshtë. As unë nuk do të hesht. Unë do të vazhdoj të qëndroj në anën e qytetarëve, në anën e votës së lirë dhe në anën e së vërtetës, edhe nëse kjo rrugë është më e vështirë. Ky reagim nuk është për të mbrojtur vetëm emrin tim, por për të mbrojtur të ardhmen demokratike të Kosovës”, ka shkruar ai. /Telegrafi/
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të mbajë sot (e hënë, 19 janar 2026), në ora 13:30, mbledhjen e radhës, ku në rend dite do të jetë raporti mbi procesin e deritanishëm të rinumërimit të vendvotimeve.
Kjo mbledhje vjen në kohën kur dyshimet për manipulim të votave kanë nxitur reagime të forta nga subjektet politike dhe kërkesa të shumta për rinumërim të plotë dhe hetime nga organet e drejtësisë.
Mospërputhjet më të mëdha janë evidentuar në komunën e Prizrenit, duke ngritur shqetësime serioze për keqnumërim gjatë procesit fillestar.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, KQZ mund të marrë një vendim të ri për të zgjeruar rinumërimin në komunat e tjera, në varësi të gjetjeve që dalin gjatë procesit aktual të rinumërimit.
Deri më tani, procesi i rinumërimit është duke u zhvilluar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
Sipas të dhënave zyrtare, deri në orën 07:15, janë rinumëruar 556 vendvotime nga gjithsej 914, ndërsa pritet që KQZ të prezantojë detaje shtesë lidhur me gjetjet dhe hapat e mëtejmë gjatë mbledhjes së sotme./Telegrafi/
Dyshimet për manipulim të votave kanë shkaktuar reagime të shumta nga partitë politike, zyrtarët institucionalë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët po kërkojnë transparencë të plotë, rinumërim të plotë të të gjitha votave dhe hetime nga organet e drejtësisë.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka deklaruar se “vota e qytetarëve është e shenjtë dhe çdo cenim i saj është i papranueshëm”, duke kërkuar që çdo parregullsi të trajtohet seriozisht.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka theksuar se “vota nuk tjetërsohet”, duke kërkuar rinumërim të plotë për të garantuar vullnetin e qytetarëve.
“Përgjegjësi sipas ligjit, burg, për këdo që ka cenuar votën e lirë. Komisionerët manipulues kanë emra. Dihen të gjithë. Jepuni atyre dhe porositësve përgjigjen pa hezitim. Dhe për të hequr çdo dyshim, KQZ duhet të sigurojë rinumërim të plotë të çdo kutie në çdo qytet. ”, ka shkruar ai.
Edhe Ramush Haradinaj ka kërkuar rinumërim të të gjitha votave, duke deklaruar se “demokracia nuk mund të jetë viktimë e një grushti hajdutësh”.
“Procesi i këtyre zgjedhjeve qysh sot është lënduar dhe pas këtyre gjetjeve, vota duhet të rinumërohet një për një. Pa rinumërim të tërësishëm, nuk sigurohet integriteti i këtyre zgjedhjeve,” shkruan ai.
Deputetja e zgjedhur e LDK-së Hykmete Bajrami ka kërkuar rinumërim në gjithë Kosovën dhe reagim të menjëhershëm institucional, duke theksuar se “drejtësia duhet të veprojë pa vonesë”.
Nga ana tjetër, Eugen Cakolli nga KDI ka ngritur alarmin për, siç e ka quajtur, “manipulim industrial të votave në disa komuna”, duke kërkuar që Prokuroria të nisë hetime urgjente.
Ndërkohë, edhe deputeti i zgjedhur Anton Quni i LDK-së, është distancuar nga çdo manipulim, duke deklaruar se “rritja e votave në emrin tim është kriminale”.
Reagim ka pasur edhe nga Driton Selmanaj, i cili pas humbjes së mbi 800 votave ka deklaruar se “rinumërimi i të gjitha kutive është i domosdoshëm”.
Në ndërkohë, Kryeprokurori i Prizrenit ka autorizuar Policinë e Kosovës që të nisë hetimet për dyshimet për manipulim të votave.
“Çdo person që ka vendosur nënshkrimin e tij duke falsifikuar rezultatet zgjedhore dhe duke ndryshuar vullnetin e qytetarit, nuk duhet të qëndrojë i qetë, do të mbajë përgjegjësi të plotë penale,” tha Petrit Kryeziu, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se nuk përjashtohet mundësia e rinumërimit në gjithë Kosovën, në varësi të gjetjeve gjatë procesit.
Sipas të dhënave zyrtare, deri në orën 07:15 të ditës së sotme, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 556 vendvotime nga gjithsej 914, ndërsa procesi pritet të vazhdojë edhe gjatë ditës.
Autoritetet kanë theksuar se çdo parregullsi do të trajtohet në përputhje me ligjin, me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor./Telegrafi/
Të gjitha qytetet e Kosovës mund të përfshihen në një proces të plotë rinumërimi të votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, varësisht nga gjetjet që po dalin nga procesi aktual i rinumërimit.
Rinumërimi i votave deri më tani ka sjellë ndryshime të konsiderueshme në numrin e votave të kandidatëve individualë, ku disa kanë përfituar e disa kanë humbur vota, megjithëse balanca mes partive politike ka mbetur pothuajse e pandryshuar.
Mospërputhjet më të theksuara janë evidentuar në komunën e Prizrenit, duke ngritur shqetësime serioze për keqnumërim gjatë procesit fillestar.
Pas rinumërimit në disa komuna, ndryshimet më të mëdha janë vërejtur te kandidatët e tri partive kryesore politike, veçanërisht në rajonin e Prizrenit, ku dallimet kanë qenë më të theksuara krahasuar me komunat e tjera.
A do të ketë rinumërim në të gjithë vendin?
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka deklaruar për KosovaPress se KQZ nuk e përjashton mundësinë e një vendimi të ri për rinumërim të vendvotimeve të tjera, në varësi të gjetjeve që dalin nga procesi aktual.
“Aktualisht, KQZ nuk ka marrë ndonjë vendim tjetër”, ka thënë Elezi, duke shtuar se çdo hap i radhës do të varet nga rezultatet dhe evidencat që dalin nga rinumërimi në komunat e përfshira.
Sipas vendimit të KQZ-së të datës 13 janar 2026, rinumërimi i plotë i votave është paraparë të zhvillohet në 10 komuna, ndërsa në 28 komuna të tjera do të rinumërohen vetëm 10 për qind e vendvotimeve të tyre.
Prokuroria: Janë evidentuar keqpërdorime të votave
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se, si institucion i Prokurorit të Shtetit, ka monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, tani që procesi i rinumërimit po i afrohet fundit, janë evidentuar keqpërdorime të dukshme të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike, veçanërisht në rajonin e Prizrenit.
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon rinumërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të përfshihen në këtë proces.
Mbi gjysma e vendvotimeve tashmë janë rinumëruar
Sipas të dhënave zyrtare, nga fillimi i këtij procesi e deri më tani janë rinumëruar rreth 56 për qind e vendvotimeve, apo 509 nga gjithsej 914 vendvotime të parashikuara për rinumërim.
Rinumërimi ka përfshirë komunat: Deçan (5/5), Gjakovë (15/15), Gllogoc (7/7), Gjilan (13/13), Dragash (57/57), Istog (6/6), Kaçanik (45/45), Klinë (6/6), Fushë Kosovë (6/6), Kamenicë (5/5), Mitrovicë e Jugut (10/10), Leposaviq (25/25), Lipjan (9/9), Novobërdë (2/2), Obiliq (3/3), Rahovec (8/8), Pejë (14/14), Podujevë (11/11), Prishtinë (26/26), Prizren (232/235) dhe Skënderaj (4/72).
Sipas KQZ-së, deri më tani rinumërimi është përmbyllur në 19 komuna. Më pas, procesi do të vazhdojë edhe në komunat e tjera, sipas radhës së përcaktuar./Telegrafi.
Procesi i rinumërimit të votave, po nxjerr në pah gabime të shumta sa i përket numrit të votave për kandidatët për deputet.
Si rrjedhojë e këtij procesi një diferencë e madhe e votave të disa kandidatëve është hasur në Prizren, që ka bërë që Prokuroria Themelore e Prizrenit të vihet në lëvizje.
Petrit Kryeziu, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, ka bërë të ditur për Telegrafin se sot me iniciativë të tij ka dhënë autorizim me shkrim për Policinë e Kosovës që të nisë hetimet për manipulimet e dyshuara në procesin zgjedhor.
“Sot në cilësinë e kryeprokurorit, me vetiniciativë kam lëshuar autorizim me shkrim për Policinë e Kosovës që të identifikojnë personat përgjegjës, të sigurojnë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet,” tha Kryeziu.
Ai theksoi se çdo individ që ka ndryshuar rezultatin e votës ose ka falsifikuar dokumente zgjedhore do të përgjigjet penalisht.
“Çdo person që ka vendosur nënshkrimin e tij duke falsifikuar rezultatet zgjedhore dhe duke ndryshuar vullnetin e qytetarit, nuk duhet të qëndrojë i qetë, do të mbajë përgjegjësi të plotë penale,” tha Kryeziu.
Kryeprokurori shtoi se manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore janë krim dhe do të ndëshkohen pa kompromis.
Prokuroria e Prizrenit ka nisur një hetim të plotë për të zbuluar çdo shkelje dhe për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor. /Telegrafi/
Kandidatja për deputete nga radhët e PDK-së, Luljeta Veselaj-Gutaj ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në procesin zgjedhor, duke thënë se i është cenuar integriteti personal dhe politik, si dhe integriteti i shtetit demokratik.
Në një postim publik, ajo ka theksuar se këtë vit shënon 20 vjet angazhim politik dhe se për herë të parë, sipas saj integriteti i saj është cenuar nga keqmenaxhimi i procesit zgjedhor.
“20 vjet të jetës sime kam punuar me profesionalizëm, parime të drejta, kompetencë dhe integritet, i cili për herë të parë në jetën time po më cenohet nga individë që procesin zgjedhor e kanë menaxhuar me papërgjegjësi dhe agjenda të panjohura për mua dhe pa dijeninë time”, ka shkruar Veselaj-Gutaj.
Ajo ka vlerësuar se tjetërsimi i votës përbën një nga goditjet më të rënda ndaj demokracisë dhe ka paralajmëruar se do të kërkojë përgjegjësi nga institucionet e drejtësisë.
“Tjetërsimin e votës e konsideroj krimin më të madh që mund t’i ndodhë demokracisë dhe rrugës sonë për një shoqëri të drejtë. Kjo nuk mund assesi të falet”, ka theksuar ajo.
Sipas Veselaj-Gutajt, ajo që ka ndodhur nuk mund të quhet thjesht vjedhje, por sabotim i shtetit dhe i procesit demokratik.
“Kjo nuk është demokraci, madje nuk mund ta quajmë as vjedhje, është sabotim i shtetit, dhe i gjithë asaj për çka sakrifikuam në këtë çerek shekull”, ka shkruar ajo.
Veselaj-Gutaj ka kërkuar që të gjithë përgjegjësit të vihen para drejtësisë dhe që të bëhet rinumërim i votave në të gjitha komunat.
“Kjo dukuri që i preku të gjithë kandidatët pa asnjë përjashtim… duhet të ndalohet qysh tash dhe të papërgjegjshmit të sillen para përgjegjësisë. Madje rinumërimi duhet të bëhet në të gjitha komunat”, ka theksuar ajo.
Pavarësisht zhgënjimit, ajo ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin e saj politik.
“Ndonëse e mllefosur dhe e zhgënjyer me këtë dukuri të shëmtuar, unë do të vazhdoj rrugën time në karrierën politike me plot përgjegjësi, kompetencë dhe integritet”, ka përfunduar Veselaj-Gutaj.
Kujtojmë se ish-deputetes së PDK-së deri tash i janë larguar mbi dy mijë vota pas rinumërimit. /Telegrafi/
Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kërkuar rinumërimin e votave në të gjithë Kosovën, duke apeluar për reagim të shpejtë dhe efikas nga institucionet e drejtësisë lidhur me dyshimet për manipulim të procesit zgjedhor.
Në një reagim publik, Bajrami thekson se çdo person që ka ndërhyrë apo prekur votën e qytetarëve duhet të mbajë përgjegjësi ligjore dhe morale.
“Kushdo që ka prekur votën duhet të japë përgjegjësi para ligjit dhe para qytetarëve,” ka deklaruar Bajrami.
Ajo ka theksuar se mbrojtja e votës është thelbësore për funksionimin e demokracisë dhe për ruajtjen e besimit të qytetarëve në proceset zgjedhore. /Telegrafi/
Eugen Cakolli nga KDI, ka reaguar ashpër lidhur me dyshimet për manipulim të votave të kandidatëve gjatë procesit të numërimit, duke kërkuar nga Prokuroria që të nisë menjëherë hetimet dhe ndjekjet penale.
Në një reagim publik, Cakolli thekson se manipulimet e evidentuara në disa vendvotime dhe komuna kanë marrë përmasa industriale dhe nuk mund të konsiderohen si gabime njerëzore apo rastësi.
“Ku është dhe çka po pret Prokuroria që nuk po nisë hetimet dhe ndjekjet penale për manipulimin e votave të kandidatëve – që në disa vendvotime e komuna kanë marrë përmasa industriale”, ka shkruar Cakolli.
Sipas tij, emrat e komisionerëve për secilën tavolinë të numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit dihen, por manipulimet nuk janë kryer vetëm nga ta.
“Dhjetëra e qindra vota të shtrembëruara në një vendvotim të vetëm, e mijëra në nivel komune – kryesisht për kandidatë të caktuar dhe në komunat e tyre – nuk janë as rastësi, as gabim njerëzor,” ka shkruar Cakolli.
Ai vlerëson se përfshirja e kandidatëve të caktuar në këto skema është e mundshme dhe se hetimet duhet të përfshijnë edhe ta, për të zbardhur plotësisht rastin.
Cakolli apelon që organet e drejtësisë të veprojnë pa vonesë, në mënyrë që të mbrohet integriteti i procesit zgjedhor dhe besimi i qytetarëve.
“Kështu që, hetimi, pashmangshëm duhet t’i përfshijë edhe ata”, ka shkruar Cakolli./ Telegrafi/
Rinumërimi i deritanishëm i votave me shumë mundësi do ta lë jashtë Kuvendit ministrin në detyrë të Zhvillimit Rajonal dhe kryetarin e Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Fikrim Damkën.
Sipas shifrave aktuale, mandati pritet t’i kalojë Ergul Mazrekut, i cili ka marrë 2.511 vota, 15 më shumë pas rinumërimit.
Ndërkohë, Damkës i janë hequr 68 vota që më parë i ishin përshkruar gabimisht, duke e lënë totalin e tij aktual në 2.449 vota pas rinumërimit të 470 nga 914 vendvotime.
Procesi i rinumërimit ka zbardhur manipulime të evidentuara në Qendrat Komunale të Numërimit, me devijimin më të madh të votave në Prizren.
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve që KQZ ka vendosur të rinumërohen.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se deri tani procesi i rinumërimit është përmbyllur në 19 komuna, ndërsa gjatë ditës së sotme po vazhdon rinumërimi i vendvotimeve në komunën e Prizrenit. Pas përfundimit të rinumërimit në Prizren, do të përfshihen edhe komunat e tjera, sipas radhës. /Telegrafi/
Driton Selmanaj, kryetar i Degës së LDK-së në Prizren dhe kandidat për deputet, ka reaguar pas procesit të rinumërimit të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, duke denoncuar manipulime të përmasave shqetësuese në të gjithë Kosovën.
Në një postim në rrjetet sociale, Selmanaj thotë se rinumërimi në komunën e Prizrenit po nxjerr të dhëna shqetësuese.
“Rinumërimi në Prizren, po nxjerrë të dhëna tejet shqetësuese, ku të gjithë kandidatëve të të gjitha partive politike pa përjashtim i janë prekur apo ndryshuar votat. Disa me dallime shumë të mëdha e disa më të vogla, por asnjë nuk i ka shpëtuar abuzimit apo ndryshimit të vullnetit qytetar”, ka shkruar Selmanaj.
Duhet theksuar se nga procesi i deritanishëm i rinumërimit të votave, Selmanaj ka minus 877 vota.
Selmanaj paralajmëron skenarë të mirorganizuar për abuzim masiv të votave dhe kërkon veprime të menjëhershme nga institucionet.
“Po e përsërisë atë që e kam thënë edhe për zgjedhjet e 9 shkurtit, se KQZ,Prokuroria dhe institucionet tjera kompetente, në kuadër të kompetencave ligjore dhe kushtetuese, duhet t’i ndërmarrin të gjitha veprimet që ta rikthejnë rregullsinë e procesit dhe me këtë abuzuesit të marrin dënimin e merituar. Vota e secilit qytetarë është e shenjtë dhe të gjithë pa përjashtim duhet të angazhohemi që ato të mbrohen me çdo kusht”, ka shkruar ai.
Selmanaj thekson se LDK duhet të udhëheqë misionin për mbrojtjen e procesit zgjedhor.
“Mbrojta e rregullsisë së procesit ku përmes votës shprehet vullneti politik i qytetarëve tanë, është misioni më PATRIOTIK që sot mund t’i bëjmë vendit tonë. Pa asnjë dyshim Lidhja Demokratike e Kosovës duhet ta udhëheqë këtë mision!”, u shpreh Selmanaj.
Ai përfundon me apelin se rinumërimi i votave në gjithë Kosovën është i domosdoshëm për të rikthyer besimin e qytetarëve.
“Rinumërimi i votave në gjithë Kosovën, është e vetmja mënyrë që zbardh të vërtetën dhe rikthen besimin e të gjithëve për këtë proces elektoral. Në zgjedhjet e 9 shkurtit KQZ dhe subjektet politike nuk kishin vullnet, uroj që tani mos ta bëjnë të njëjtin gabim!”, u shpreh ai. /Telegrafi/
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kërkuar një rinumërim të plotë të votave pas gjetjeve të skemave të mundshme të manipulimit.
Në një postim në rrjetet sociale, Haradinaj thekson se rinumërimi i pjesshëm po tregon manipulime të përmasave shqetësuese, duke shtuar se pa një rinumërim të tërësishëm nuk mund të garantohet integriteti i zgjedhjeve.
“Procesi i këtyre zgjedhjeve qysh sot është lënduar dhe pas këtyre gjetjeve, vota duhet të rinumërohet një për një. Pa rinumërim të tërësishëm, nuk sigurohet integriteti i këtyre zgjedhjeve,” shkruan ai.
Haradinaj apelon gjithashtu tek mekanizmat e drejtësisë dhe institucionet e vendit që të veprojnë për të mbrojtur votën e qytetarit dhe për të rikthyer integritetin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
"E habitshme qysh Prokuroria nuk është vënë në lëvizje qysh sot. Demokracia nuk mund të jetë viktimë e një grushti hajdutësh", ka shkruar Haradinaj.
Ai paralajmëron se çdo drejtim tjetër mund të ketë pasoja të pariparueshme. /Telegrafi/