Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi të mërkurën se do të shpallë gjendje të jashtëzakonshme për sektorin energjetik të vendit për shkak të kushteve ekstreme të motit dhe sulmeve ruse që kanë lënë pjesën më të madhe të Kievit pa energji elektrike.
“Do të shpallet gjendje e jashtëzakonshme për sektorin energjetik të Ukrainës”, tha Zelensky në një deklaratë në platformën sociale amerikane X pas një takimi.
Ai shtoi se pasojat e sulmeve ruse dhe “përkeqësimit të kushteve të motit” janë të rënda, ndërsa autoritetet po punojnë pa ndërprerje për të rikthyer energjinë elektrike dhe ngrohjen.
Zelensky theksoi se do të krijohet një qendër koordinimi e përhershme për të adresuar situatën në Kiev dhe se ka ngarkuar ministrin e energjisë të “mbikëqyrë punën për të mbështetur njerëzit dhe komunitetet në këto kushte, si dhe për të trajtuar çështje praktike”.
Ai tha se po punohet për të rritur “ndjeshëm” vëllimin e importit të energjisë elektrike në Ukrainë, dhe gjithashtu ka ngarkuar qeverinë me përgatitjen e një rishikimi të rregullave të orës policore “për këtë mot jashtëzakonisht të ftohtë”. /AA/
Ministri i sapoemëruar i Mbrojtjes i Ukrainës ka thënë se ushtria e saj dëshiron dy milionë rekrutë.
Mykhailo Fedorov tha gjithashtu gjatë një fjalimi në parlament se rreth 200,000 ushtarë ukrainas kishin humbur jetën, raportoi agjencia e lajmeve Interfax e Ukrainës.
34-vjeçari, i emëruar në rolin e tij të ri nga parlamenti këtë mëngjes, premtoi të nxisë inovacionin dhe reformën për të forcuar ushtrinë në një fazë kritike të luftës, transmeton Telegrafi.
Fedorov mbajti role të mëparshme si zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Transformimit Digjital, dhe ka qenë një figurë e rëndësishme në formësimin e përgjigjes kibernetike të Ukrainës ndaj pushtimit.
Në mënyrë specifike, ai ndihmoi në përmirësimin e lidhjes për forcat e vendit në vijën e parë të frontit duke vendosur terminalet Starlink të Elon Musk.
Ai gjithashtu luajti një rol udhëheqës në krijimin e një 'linje dronësh' mbrojtës, që synon të shkaktojë dëme maksimale trupave të Moskës. /Telegrafi/
Komisioni Evropian prezantoi zyrtarisht të mërkurën një paketë huaje prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, teksa Brukseli përshpejton përpjekjet për të mbështetur luftën e Kievit përballë sulmeve gjithnjë e më të ashpra ruse dhe nismave të udhëhequra nga SHBA për t’i dhënë fund luftës.
Dy të tretat e paketës do të përdoren për të ofruar ndihmë ushtarake për Ukrainën, çka mund të përfshijë prokurimin e armëve dhe municioneve edhe nga jashtë BE-së, tha presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen. Tridhjetë miliardë eurot e mbetura do të përdoren për të mbuluar boshllëkun e pritshëm në buxhetin e Kievit.
Sipas Komisionit, Ukraina ka nevojë për 135.7 miliardë euro mbështetje ushtarake dhe buxhetore në vitet 2026 dhe 2027. Kjo përfshin 52.3 miliardë euro mbështetje fiskale dhe 83.4 miliardë euro ndihmë ushtarake. Po sipas Komisionit, Kievit pritet t’i mbarojnë fondet në prill.
“Me këtë mbështetje, ne sigurohemi që Ukraina, nga njëra anë, të mund të forcojë mbrojtjen e saj në fushëbetejë dhe aftësitë e saj mbrojtëse – pra të gjitha nevojat ushtarake – dhe, nga ana tjetër, të mbajë funksionimin e shtetit dhe shërbimeve bazë”, tha para gazetarëve, Von der Leyen.
Ajo shtoi se mbështetja ushtarake do të funksionojë sipas një “parimi kaskadë”, ku Ukraina do të furnizohet me armë nga jashtë bllokut vetëm nëse nuk ka pajisje të përshtatshme ushtarake evropiane në dispozicion.
“Preferencë evropiane së pari, dhe nëse kjo nuk është e mundur, atëherë blerje jashtë”, pohoi ajo.
Franca ka shtyrë prej kohësh “preferencën evropiane” në prokurimin e pajisjeve ushtarake. Megjithatë, Gjermania dhe shumë vende të Evropës Lindore të BE-së argumentojnë se blloku duhet të mbetet i hapur për blerjen e pajisjeve mbrojtëse nga Uashingtoni, pavarësisht zbehjes së mbështetjes amerikane për Kievin dhe tensioneve të fundit lidhur me kërcënimet e presidentit amerikan, Donald Trump për të pushtuar Grenlandën, një territor gjysmë-autonom danez.
Huaja do të funksionojë mbi bazën e “bashkëpunimit të përforcuar” mes vendeve të BE-së, duke u lejuar Hungarisë, Çekisë dhe Sllovakisë të përjashtohen nga skema. Këto tre vende janë thellësisht skeptike ndaj ofrimit të ndihmës financiare për Kievin.
Një zyrtar i lartë i Komisionit tha se huaja, e mbështetur nga buxheti afatgjatë i BE-së, do t’i kushtojë shteteve anëtare pagesa vjetore interesi prej rreth 3 deri në 4 miliardë euro. Propozimi i së mërkurës vjen gjithashtu pasi Komisioni dhe Gjermania, ekonomia më e madhe e BE-së, dështuan vitin e kaluar ta bindnin Belgjikën të mbështeste një “hua reparacionesh” për Kievin duke përdorur asetet sovrane ruse të ngrira. Belgjika mban shumicën dërrmuese të 185 miliardë eurove fonde të Kremlinit të bllokuara nga BE-ja pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska në vitin 2022.
Megjithatë, Von der Leyen sugjeroi se huaja e reparacioneve “mbetet në tryezë”.
“Është… shumë e rëndësishme t’i dërgojmë Rusisë një kujtesë të fortë se ne rezervojmë të drejtën për të përdorur asetet ruse të ngrira,” tha ajo, duke shtuar se këto asete do të mbeten të bllokuara deri në përfundimin e luftës dhe se Ukraina do të duhet ta shlyejë huanë vetëm pasi Moska të paguajë reparacione ndaj Kievit.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha në rrjetet sociale se breshëria përfshinte 113 dronë sulmues si dhe tre raketa balistike “është shumë e rëndësishme t’i përforcojmë luftëtarët tanë tani”.
Huaja duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe vendet e BE-së. Komisioni synon që disbursimi i parë të bëhet deri në prill, tha Von der Leyen. /Telegrafi/
Donald Trump është i vetmi udhëheqës botëror i aftë të ndalojë Vladimir Putinin nga kërcënimi ndaj Evropës, sipas presidentit të Polonisë, Karol Nawrocki.
Në një intervistë me programin Today të Radio 4, ai tha se udhëheqësit rus nuk duhet t'i besohet, por se Evropa duhej të bënte gjithçka që mundej për të mbështetur presidentin Trump në përpjekjet e tij për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, transmeton Telegrafi.
Presidenti Nawrocki ishte tashmë i njohur si një mbështetës i fortë i Donald Trump edhe para se ai të zbarkonte në Britani për takime me kryeministrin Sir Keir Starmer dhe të tjerë.
Tani, ai thotë se me Rusinë e Vladimir Putinit që kërcënon vendin e tij, si dhe Evropën Qendrore dhe Lindore, presidenti i SHBA-së është i vetmi person që mundet, siç e tha ai, "ta zgjidhë këtë problem" - si dhe t'i jep fund luftës në Ukrainë.
Duke iu referuar inkursionit masiv të shtatorit të kaluar nga dronë rusë, kur më shumë se 20 fluturake pa pilot kaluan në Poloni nga Bjellorusia dhe Ukraina, Nawrocki e quajti atë "një situatë të jashtëzakonshme", duke shtuar se "deri në atë kohë, asnjë shtet anëtar i NATO-s nuk kishte përjetuar një sulm me dronë në atë shkallë".
Rusia, tha ai, po vë në provë mbrojtjen e Polonisë dhe solidaritetin e NATO-s.
Presidenti polak më pas falënderoi Britaninë për dërgimin e aeroplanëve luftarakë RAF Typhoon për të ndihmuar në mbrojtjen e kufijve të saj.
Ai tha se Polonia kishte qenë në një gjendje lufte hibride me Rusinë që nga viti 2021, pasi merrej me dronë dhe dezinformim.
Ky aktivitet rus në zonën gri tregoi se "po jetojmë në kohë të rrezikshme", shtoi ai.
Ai u pyet për miqësinë e tij me Donald Trump, veçanërisht në dritën e kërcënimeve të presidentit amerikan për të marrë "me çdo mjet" territorin autonom danez të Grenlandës, diçka që ka tronditur Evropën dhe që kërcënon të prishë aleancën 77-vjeçare të NATO-s.
Ai këmbënguli se SHBA-të, pavarësisht deklaratave të fundit nga zyrtarët amerikanë për të kundërtën, ishin ende garantuese të sigurisë në Evropë.
Ajo që Donald Trump po bënte në emër të evropianëve, tha ai, "meriton mbështetje dhe respekt të madh".
Nawrocki tha se mund ta shihte Evropën duke "shkëputur" veten nga Shtetet e Bashkuara, dhe tha se kjo nuk ishte e mirë as për sigurinë ekonomike dhe as për sigurinë ushtarake të Bashkimit Evropian.
Kjo la ende çështjen e sikletshme të Grenlandës. Ky diskutim, tha ai, duhet të mbetet një çështje midis kryeministrit danez dhe presidentit Trump.
Karol Nawrocki ishte i bindur se kjo çështje do të zgjidhej përmes NATO-s dhe përmes dialogut midis Danimarkës dhe SHBA-së.
Por Nawrocki e përdori gjithashtu këtë intervistë për të kritikuar udhëheqësit evropianë për, siç e tha ai, se ishin "të përfshirë në gjëra jo aq të rëndësishme, në çështje ideologjike si marrëveshja e gjelbër për shembull, politika e klimës, çështjet e migracionit".
Evropa, tha ai, nuk po ndërtonte qëndrueshmërinë dhe sigurinë e saj gjatë viteve, ndërsa Polonia tani po ndante afër 5% të GDP-së së saj për mbrojtje.
Megjithatë, për Britaninë, ai kishte disa fjalë të ngrohta. Marrëdhëniet midis Polonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar ishin "jashtëzakonisht të rëndësishme" dhe sot rreth një milion polakë jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar.
"Do të doja të shprehja vlerësimin tim shumë të thellë për ushtarët britanikë që janë të stacionuar në Poloni... duke marrë përgjegjësinë për krahun lindor të NATO-s", tha ai.
Ai shprehu shpresën e tij se, me ekonominë e Polonisë që po rritet me shpejtësi, Britania si pritëse e samitit të G20 të vitit të ardhshëm do ta ftonte Poloninë të merrte pjesë. /Telegrafi/
Në një deklaratë të fundit, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka theksuar se Rusia po humb masovisht ushtarë në luftën kundër Ukrainës.
Sipas Rutte, vetëm në një muaj, humbjet ruse arrijnë nga 20 mijë deri në 25 mijë të vrarë.
“Nuk po flas për ata që janë plagosur rëndë, por për ata të vrarë - të vdekur”, theksoi ai.
Krahasuar me luftën në Afganistan në vitet 1980, kur Rusia humbi rreth 20 mijë ushtarë gjatë dhjetë vjetëve, shifrat e luftës në Ukrainë janë “të qarta dhe të papërballueshme”.
“Tani po humbasin atë numër - dhe më shumë - në vetëm një muaj. Kjo nuk është e qëndrueshme edhe për ta”, shtoi Rutte.
Deklarata vjen ndërkohë që forcat ukrainase vazhdojnë të tregojnë një mbrojtje të vendosur kundër agresionit rus, duke shkaktuar humbje të mëdha në radhët e ushtrisë së Moskës. /Telegrafi/
Deputetët ukrainas sot nuk e miratuan emërimin e ministrit të Mbrojtjes në largim, Denis Shmyhal në postin e ministrit të Energjetikë.
Ky ishte një rast i rrallë i mos miratimit të vendimit të presidentit, Volodymyr Zelensky, i cili po përpiqet të riorganizojë sektorë kyç në një moment kritik të luftës me Rusinë.
Shmyhal, i cili ka qenë kryeministër për pesë vjet dhe vitin e kaluar u transferua në ministrinë e Mbrojtjes, u angazhua nga Zelensky për të drejtuar sektorin e energjisë, i cili po tronditet nga akuza për korrupsion dhe sulme ruse ndaj infrastrukturës.
Ministrja e fundit e energjisë u shkarkua nga detyra vitin e kaluar për shkak të një skandali korrupsioni, në të cilin ishte i përfshirë edhe paraardhësi i saj.
Për emërimin e Shmyhalit ishin të nevojshme 226 vota deputetësh. Vetëm 210 votuan pro, ndërsa deputetët e tre partive opozitare abstenuan, raporton reuters.
Shmuhali u propozua për këtë funksion si pjesë e një riorganizimi të gjerë të qeverisë, në kohën kur Kievi po përballet me shtypje gjithnjë e më të madhe ruse në luftën që muajin e ardhshëm hyn në vitin e pestë. /Telegrafi/
Rusia është akuzuar se ka mashtruar trupat afrikane që t'i bashkohen radhëve të saj, përpara se t'i përdorë ato si "mish për top" në luftën e saj me Ukrainën.
Ambasadori i Ukrainës në Afrikën e Jugut, Olexander Scherba, pretendoi se Moska "nuk i vlerësonte" jetët e afrikanëve që ishin joshur me dëshirë ose me vetëdije në vijat e frontit për të forcuar numrin e saj në rënie.
Në nëntor, Kievi tha se kishte identifikuar 1,426 luftëtarë nga 36 vende afrikane që shërbenin në ushtrinë ruse, por paralajmëroi se numri i vërtetë mund të jetë më i lartë, transmeton Telegrafi.
Ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha pretendoi se ata po përdoreshin si mish për top në luftën e cila ka parë rreth një milion rusë të vrarë, të plagosur ose të zhdukur që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës në shkurt 2022.
Dhe video rrëqethëse janë shfaqur gjithashtu në mediat sociale që duket se tregojnë trupat ruse duke përdorur gjuhë raciste, duke bërë shaka për vdekjet afrikane dhe madje duke detyruar një rekrut të hidhet në erë për të shkatërruar një bunker ukrainas.
Pamjet e qarkulluara gjerësisht në mediat sociale duket se tregojnë një mercenar me ngjyrë me një minë tokësore të lidhur në gjoks, i cili detyrohet të veprojë si një 'bombë njerëzore' nga një ushtar rus që e mban nën kërcënimin e armës.
Rusi përdor një term racist dhe e përshkruan rekrutin si një 'hapës shishesh', duke thënë se do të hidhet në erë për të 'hapur' një bunker armik.
'Ai është gati të vrapojë - do të kërcejë nëpër pyll', thotë ushtari, përpara se të shtojë: 'Nga çfarë dreqin ke frikë? Mos u bëj idiot'.
Një video tjetër e gjetur gjithashtu në internet supozohet se tregon një grup mercenarësh me ngjyrë në një pyll me borë duke kënduar në gjuhën e tyre.
Një nga trupat ruse që duket se po i filmon ata thotë: 'Shikoni sa të disponueshëm ka këtu'. Ai shtoi se ata do të 'këndojnë ndryshe' pasi të vendosen në front.
Që kur Rusia pushtoi Ukrainën, kanë dalë shumë raporte për shtetas afrikanë që luftojnë përkrah forcave të Moskës, me disa që akuzojnë ushtrinë ruse se përdor taktika mashtruese për t'i rekrutuar ata.
Vetëm dy javë më parë, Duduzile Zuma-Sambudla, vajza e ish-presidentit të Afrikës së Jugut, Jacob Zuma, dha dorëheqjen si deputete për shkak të akuzave se ajo mashtroi 17 burra që të luftonin për Rusinë kundër Ukrainës.
Burrat e moshës midis 20 dhe 39 vjeç u joshën të bashkoheshin me forcat mercenare “nën pretekstin e kontratave fitimprurëse të punës”, dhe kishin lëshuar thirrje alarmi pasi mbetën të bllokuar në zonën e Donbasit të Ukrainës.
Rusia është akuzuar gjithashtu për mashtrimin e grave nga Afrika e Jugut dhe pjesë të tjera të Afrikës që të punonin në fabrikat ruse të dronëve, përmes fushatave në mediat sociale duke u premtuar atyre vende pune në fusha të tilla si ushqimi dhe mikpritja.
Kenia raportoi gjithashtu vitin e kaluar se disa nga qytetarët e saj ishin ndaluar në kampe ushtarake ruse pasi u përfshinë pa dashje në konflikt.
Atleti kenian Evans Kibet është një nga një numër në rritje i rekrutëve ndërkombëtarë që - me dashje ose pa dashje - u regjistruan për 'mullirin e mishit' të ushtrisë ruse dhe përfunduan si rob lufte në Lviv.
Ai mbërriti në Shën Petersburg në fund të korrikut me një vizë dyjavore për të organizuar një ngjarje në emër të vendit të tij, i famshëm për vrapuesit e tij të distancave të gjata.
35-vjeçari thotë se erdhi për të marrë pjesë në një festival kulturor dhe për t'u mësuar atletëve rusë si të stërviteshin. Ai pretendon se një anëtar i stafit të festivalit e bindi të qëndronte, duke thënë se mund të organizonte një vizë pune njëvjeçare.
Mundësia për të siguruar një jetë më të mirë për familjen e tij, dhe veçanërisht vajzën e tij adoleshente, ishte shumë joshëse, thotë ai, kështu që nënshkroi një grumbull dokumentesh që ia paraqiti burri edhe pse ato ishin shkruar në rusisht dhe të pakuptueshme. /Telegrafi/
Të hënën, Ministria e Mbrojtjes e Lituanisë raportoi se aeroplanët luftarakë të NATO-s në detyrë policimi ajror, ishin ngritur javën e kaluar për të identifikuar dy aeroplanë të veçantë rusë që fluturonin në hapësirën ajrore ndërkombëtare midis Kaliningradit dhe Rusisë kontinentale.
Aeroplanët luftarakë aleatë u ngritën në ajër për të identifikuar aeroplanët luftarakë rusë që kishin hyrë në hapësirën ajrore neutrale, pa plane të raportuara fluturimi dhe pa transponderët e tyre të aktivizuar - kundër rregullave të fluturimit në një mjedis tashmë të tensionuar në rajon, pasi një nga raketat hipersonike të Rusisë u vendos në Ukrainën perëndimore, duke ngritur zemërimin e bashkësisë ndërkombëtare, transmeton Telegrafi.
Në rastin e parë, të hënën e kaluar, një aeroplan luftarak i NATO-s u nis për të identifikuar një aeroplan luftarak shumërolësh Sukhoi-30 në rrugën nga Kaliningradi, një enklavë ruse e vendosur midis Polonisë dhe Lituanisë, drejt Rusisë kontinentale.
Në rastin e dytë, tha ministria, aeroplanët luftarakë të policimit ajror të NATO-s, u ngritën në ajër për të identifikuar një aeroplan transportues rus Antonov-26 që fluturonte në drejtim të kundërt, përsëri pa një plan fluturimi ose transponderë radari.
Polonia dhe vendet baltike kanë qenë në gatishmëri të lartë që kur një raketë Oreshnik nga Bjellorusia goditi objektiva civile në Lviv javën e kaluar, duke shkaktuar një takim urgjent në OKB të hënën, të përqendruar në sulmet e fundit të Rusisë ndaj objektivave energjetikë në Ukrainë që kanë lënë qindra mijëra njerëz pa energji elektrike në temperatura nën zero.
Bloomberg të hënën raportoi se, mes tensioneve të tilla në Evropën verilindore, NATO i ka kërkuar Turqisë të kontribuojë me aeroplanë luftarakë F-16 të prodhuar në Amerikë në misionin policor të Baltikut disa muaj përpara afatit.
Radha e Turqisë në rotacionin katërmujor të aeroplanëve të NATO-s që operojnë nga Estonia për të patrulluar pikërisht këtë lloj aktiviteti të aviacionit rus, ishte planifikuar të fillonte në gusht. /Telegrafi/
Ish-shefi i inteligjencës ushtarak britanike, Richard Dearlove, tha se është "i sigurt" se presidenti rus Vladimir Putin përdor sozi në disa raste publike për të zvogëluar rrezikun e vrasjes.
Në komentet për The Sun, ish-kreu i MI6 tha se përdorimi i zëvendësuesve do të ishte një masë sigurie logjike dhe "normale" për një udhëheqës kaq të profilit të lartë dhe shumë të shënjestruar sa Putini, veçanërisht në mes të luftës së vazhdueshme të Rusisë në Ukrainë.
"Do të ketë raste, dhe kjo do të varet nga rrethanat, kur ai sigurisht, për arsye sigurie, do të ketë një sozi", tha Dearlove, transmeton Telegrafi.
Ai shtoi se vrasja ka qenë prej kohësh një tipar i jetës politike ruse dhe se rreziqet me të cilat përballet Putini, janë rritur vetëm që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia.
"Ai do të ishte një objektiv droni edhe për ukrainasit, nëse ata do të mund të dinin saktësisht se ku ndodhej", tha Dearlove.
"Pra, mendoj se është mjaft logjike që në rrethana të caktuara ai përdor një sozi", shtoi ish-kreu i inteligjencës ushtarake britanike.
Dearlove sugjeroi që sozitë nuk do të përdoren në mjedise me kontakt të ngushtë, siç janë takimet diplomatike, ku mashtrimi do të ishte i vështirë për t'u mbajtur.
Në vend të kësaj, tha ai, zëvendësuesit ka më shumë të ngjarë të shfaqen gjatë ngjarjeve publike, në natyrë ose pak të kontrolluara.
"Por le të themi se dikush po ecën rreth një fabrike makinash ose po viziton një kënd lojërash për fëmijë - veçanërisht nëse është një ngjarje në natyrë dhe shtypi është në distancë", tha ai.
"Këto janë llojet e rasteve kur Putini do të përdorte një sozi", shtoi ai.
Spekulimet mbi përdorimin e sozive nga Putini kanë qarkulluar për vite me radhë, së bashku me thashethemet e vazhdueshme për shëndetin e tij.
Shërbimet e sigurisë ukrainase kanë pohuar vazhdimisht se shumë burra që i ngjajnë Putinit në trup, ecje dhe strukturë të fytyrës janë trajnuar për t'u shfaqur në vendin e tij.
Zyrtarët perëndimorë dhe ekspertët e sigurisë kanë vënë në dukje gjithashtu paraqitjet publike gjithnjë e më të koreografuara, dhe protokollet më të rrepta të sigurisë rreth udhëheqësit rus.
Në vitin 2023, rrjeti televiziv TBS i Japonisë kreu një analizë të asistuar nga inteligjenca artificiale të paraqitjeve publike të Putinit, duke u përqendruar në njohjen e fytyrës dhe lëvizjet e trupit.
Rrjeti arriti në përfundimin se Putini dukej se kishte marrë pjesë personalisht në paradën e Ditës së Fitores në Moskë atë vit, por sugjeroi që një individ tjetër mund ta ketë inspektuar urën e Krimesë muaj më parë. Analiza e inteligjencës artificiale gjeti vetëm një përputhje prej 53% midis dy paraqitjeve.
Sipas TBS, një vizitë në Mariupol prodhoi një përputhje prej 40%, ndërsa imazhet nga Krimea treguan një rezultat ngjashmërie prej vetëm 18%, duke i bërë ekspertët të arrinin në përfundimin se kishte një probabilitet të lartë që të paktën dy sozi të ishin të përfshira.
Në fund të tetorit 2022, kreu i inteligjencës ushtarake të Ukrainës, Kyrylo Budanov, tha se Putini po përdorte sozi që i ishin nënshtruar operacioneve plastike.
"Tani është praktikë e zakonshme. Ne dimë konkretisht për tre persona që vazhdojnë të shfaqen, por sa janë, nuk e dimë. Të gjithë kanë bërë operacione plastike për t'u dukur njësoj", tha Budanov.
"E vetmja gjë që i zbulon është gjatësia e tyre. Është e dukshme në video dhe fotografi. Gjithashtu gjestikulacionet, gjuha e trupit dhe veshët, pasi ato janë unike për çdo person", shtoi ai.
Budanov më parë e kishte lidhur përdorimin e supozuar të sozive me përpjekjet për të fshehur problemet shëndetësore të Putinit. /Telegrafi/
Imazhet e reja satelitore sugjerojnë se numri i fluturakeve të nxjerrë nga përdorimi në "varrezën e helikopterëve" të Rusisë është rritur ndjeshëm, që nga pushtimi i plotë i Ukrainës në vitin 2022.
Baza ajrore ruse pranë qytetit perëndimor të Syzranit, e njohur gjerësisht për ruajtjen e fluturakeve që nuk janë më të aftë për fluturim, tani mban rreth 71 helikopterë Mi-8 dhe Mi-24/35, sipas platformës së inteligjencës me burim të hapur The Military Watch, e cila mblodhi imazhet satelitore të vendit gjatë viteve.
Rreth 31 nga këto njësi mbërritën në objekt pas vitit 2022, duke sugjeruar se Moska ka pësuar humbje të konsiderueshme luftarake në flotën e saj të helikopterëve gjatë viteve, sugjeroi platforma në një postim në X të dielën, transmeton Telegrafi.
Helikopteri Mi-8 është një fluturake që përdoret gjerësisht jo vetëm nga ushtria, por edhe nga zbatimi i ligjit dhe agjenci të ndryshme shtetërore në Rusi, ndërsa seria Mi-24/35 është e dedikuar kryesisht për role ushtarake, duke shërbyer si fluturake sulmi dhe transporti trupash.
Vlerësohet se ka rreth 300 njësi të secilit lloj në shërbim ushtarak rus, por numri i saktë i strukturave të helikopterëve të gatshëm për luftë mbetet i panjohur.
Disa fluturake të ruajtura në bazën Syzran besohet se kanë arritur fundin e jetëgjatësisë së tyre të shërbimit ose janë çaktivizuar gjatë luftimeve, dhe do të përdoren si burim pjesësh këmbimi për të mirëmbajtur flotën ekzistuese.
Mendohet se Rusia vazhdimisht lufton për të mbajtur ritmin me riparimet dhe prodhimin e helikopterëve të rinj të nevojshëm, për shkak të humbjeve të vazhdueshme të shkaktuara nga forcat ukrainase.
Në vitin 2023, Moska thuhet se kërkoi të riblejë motorët e helikopterëve që më parë i kishte eksportuar në vende si Egjipti, Pakistani, Bjellorusia dhe Brazili në një përpjekje për të forcuar forcat e saj për shkak të humbjeve të konsiderueshme të pajisjeve, raportoi media ushtarake ukrainase Militarnyi.
Konflikti në Ukrainë gjithashtu ka prishur ndjeshëm pozicionin e Rusisë si një furnizues global i armëve, me eksportet e armëve të Moskës që kanë rënë me 47% që nga pushtimi në shkallë të plotë.
Sipas ushtrisë ukrainase, Rusia ka humbur 347 helikopterë të të gjitha llojeve në luftën e saj kundër Kievit. /Telegrafi/
66 dismantled helicopters on 17.09.2024 and 71 on 07.05.2025. We can see that the number of helicopters in storage is increasing, most likely due to the end of service life. pic.twitter.com/PAWdso6LNt — The Military Watch (@MarcinRogowsk14) January 11, 2026
Rusia dhe Ukraina kanë raportuar viktima dhe dëme në infrastrukturën lokale mes sulmeve me dronë gjatë natës.
Në Rusi, Guvernatori i Voronezhit, Aleksandr Gusev, shkroi në Telegram të dielën se qendra administrative e rajonit pësoi "një nga sulmet më të rënda me dronë" që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
"Për fat të keq, një grua e re vdiq në kujdes intensiv mbrëmë pasi u plagos kur mbeturinat e dronit ranë mbi një shtëpi private", tha Gusev.
Guvernatori theksoi se një grua aktualisht mbetet në spital pasi pësoi lëndime në bark, ndërsa dy të tjera po marrin trajtim ambulator për prerje.
Ai vuri në dukje se autoritetet dhe shërbimet e emergjencës vazhdojnë të punojnë në vendet e dëmtuara, të cilat ai tha se përfshijnë më shumë se 10 ndërtesa apartamentesh, njëra prej të cilave nuk është banesore, si dhe një "numër të barabartë" shtëpish private, një shkollë të mesme dhe disa ndërtesa administrative.
Ministria Ruse e Mbrojtjes pretendoi se mbrojtja e saj ajrore rrëzoi 33 dronë ukrainas gjatë natës, 17 prej të cilëve u rrëzuan mbi rajonin e Voronezhit.
Ukraina nuk ka komentuar ende për sulmin, megjithëse Forcat e saj Ajrore pretenduan në Telegram se rrëzuan 125 nga 154 dronë të lëshuar nga Rusia në vend gjatë natës.
Ndërsa në rajonin veriperëndimor të Zhytomyr të vendit, Guvernatori Vitalii Bunechko tha se sulmet gjatë natës kishin në shënjestër objektet kritike të infrastrukturës, duke rezultuar në shtrimin në spital të dy punëtorëve që pësuan lëndime të moderuara.
Shërbimi Shtetëror i Emergjencave i Ukrainës tha se katër persona u plagosën pas sulmeve në fshatin Movchany, i vendosur në jug të qytetit të dytë më të madh të vendit, Kharkiv, i cili është rreth 30 kilometra (18.6 milje) nga kufiri rus.
"Pati shkatërrime dhe dëme në ndërtesat e banimit, si dhe një zjarr në një sipërfaqe prej 150 metrash katrorë", shtoi ai. /Telegrafi/
Një sulm me dron nga Ukraina ka shkaktuar zjarr në një depo nafte në rajonin jugor të Volgogradit në Rusi.
Guvernatori lokal Andrei Bocharov tha se deri më tani nuk është raportuar për viktima.
Ai nuk specifikoi dëmet, por tha se njerëzit që jetojnë aty pranë mund të duhet të evakuohen.
Ushtria ukrainase tha se kishte goditur depon e naftës Zhutovskaya gjatë natës, e cila thuhet se furnizonte me karburant forcat ruse.
Sulmi erdhi një ditë pasi Rusia sulmoi Ukrainën duke përdorur qindra dronë dhe dhjetëra raketa, duke vrarë të paktën katër persona në kryeqytetin Kiev, sipas zyrtarëve ukrainas.
Vetëm për herë të dytë në pushtimin në shkallë të plotë që filloi në shkurt 2022, Rusia përdori një raketë hipersonike Oreshnik që goditi Ukrainën perëndimore të premten.
Udhëheqësit e Evropës e dënuan sulmin rus si "përshkallëzues dhe të papranueshëm", dhe ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, tha se Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë një takim urgjent më 12 janar për të diskutuar sulmin.
Ukraina ka synuar infrastrukturën energjetike të Rusisë në muajt e fundit, duke u përpjekur t'i ndërpresë Moskës aftësinë për të financuar fushatën e saj ushtarake kundër Kievit me të ardhurat e saj nga eksporti i naftës. /Telegrafi/
Presidenti amerikan Donald Trump u pyet së fundmi nëse do të mund të urdhëronte kapjen e presidentit rus, Vladimir Putin - një skenar i ngjashëm me liderin e Venezuelës, Nicolas Maduro.
Trump u përgjigj se nuk e konsideronte të nevojshme një veprim të tillë.
“Kam pasur gjithmonë një marrëdhënie relativisht të mirë me Putinin, por gjithashtu shprehu zhgënjimin tim mbi situatën aktuale të luftës në Ukrainë”, tha ai.
Lideri amerikan sërish deklaroi se ka ndalur tetë lufta në botë, por kësaj radhe nuk tregoi se cilat konflikte.
Deklarata e 79-vjeçarit vjen ndërsa tensionet mes SHBA-së dhe Rusisë mbeten të larta, duke ngritur pyetje mbi strategjinë dhe qëndrimin e administratës amerikane ndaj konfliktit Ukrainë-Rusi.
Ndryshe, Maduro tashmë gjendet në qelitë e paraburgimit në New York, ku pritet të nis gjykimi për narko-terrorizëm. /Telegrafi/
Rusia ka përdorur gjatë natës raketën balistike me kapacitet bërthamor të quajtur “Oreshnik” në një sulm të gjerë ajror kundër Ukrainës, duke shënuar një përshkallëzim të dukshëm të ofensivës ushtarake.
Në kryeqytetin Kiev, sipas raporteve, të paktën katër persona u vranë dhe 25 të tjerë u plagosën, ndërsa shpërthime të forta u dëgjuan për disa orë.
Ky është vetëm hera e dytë që raketa “Oreshnik” përdoret në konflikt, pas përdorimit të saj të parë në nëntor të vitit 2024 kur goditi qytetin e Dnipros, raporton skynews.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se sulmi me këtë armë u krye si përgjigje ndaj një sulmi me dronë që sipas Moskës kishte synuar rezidencën e presidentit rus, Vladimir Putin, pengesë që Ukraina e ka mohuar fuqishëm.
— (@)
Autoritetet ukrainase thanë se raketa ka goditur infrastrukturën strategjike në rajonin e Lvivit, rreth 60 km larg kufirit me Poloninë, duke nxitur shqetësime për sigurinë në kontinent. “Një sulm i tillë kaq pranë kufirit të BE-s dhe NATO-s paraqet një kërcënim serioz për sigurinë evropiane”, deklaroi ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha.
Raketa “Oreshnik” konsiderohet një sistem raketor hipersonik me rreze të mesme veprimi, i aftë të fluturojë deri në 5500 km dhe mund të transportojë një ngarkesë bërthamore, edhe pse në këtë rast besohet se është përdorur me lëndë shpërthyese konvencionale. Analistët perëndimorë shprehin shqetësim se përdorimi i këtij armamenti, veçanërisht pranë kufijve të NATO-s dhe BE-s, shënon një hap të ri të rrezikshëm në konfliktin e vazhdueshëm.
Përveç raketës “Oreshnik”, Ukraina raportoi se forcat ruse kishin lëshuar edhe dhjetëra raketa të tjera kundër objektivave energjetikë dhe civilë, si dhe një valë dronësh, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturë dhe duke përkeqësuar kushtet e jetesës për civilët në zona të shumta të vendit. /Telegrafi/
Volodymyr Zelensky ka reaguar pas sulmit të fundit rus në Ukrainë.
Ai tha se ndërtesat e banimit dhe objektet energjetike u goditën në sulm, i cili përdori 242 dronë dhe 13 raketa balistike.
Moska gjithashtu qëlloi një raketë balistike me rreze të mesme veprimi Oreshnik.
"Sulmi ndodhi pikërisht kur kishte një valë të konsiderueshme të ftohti", tha Zelensky.
"I drejtuar pikërisht kundër jetës normale të njerëzve të zakonshëm", shtoi ai.
Zelensky tha gjithashtu se një ndërtesë e ambasadës së Katarit u dëmtua nga një dron rus.
"Katari, një shtet që bën kaq shumë për të ndërmjetësuar me Rusinë në mënyrë që të sigurojë lirimin e të burgosurve të luftës dhe civilëve që mbahen në burgjet ruse", tha ai.
Presidenti ukrainas bëri thirrje për një “reagim të qartë” nga bota, “mbi të gjitha nga Shtetet e Bashkuara, sinjaleve të të cilave Rusia u kushton vërtet vëmendje”, sipas tij.
"Rusia duhet të marrë sinjale se është detyrim i saj të përqendrohet në diplomaci dhe duhet të ndiejë pasojat sa herë që përqendrohet përsëri në vrasje dhe shkatërrimin e infrastrukturës”, vazhdoi Zelensky.
“Sulmi shërben gjithashtu si një kujtesë shumë e fortë për të gjithë partnerët tanë se mbështetja e mbrojtjes ajrore të Ukrainës është një përparësi e përhershme." /Telegrafi/
Ushtria ruse thotë se ka goditur një objektiv në Ukrainë me raketën e saj hipersonike Oreshnik, si pjesë e asaj që e quan një sulm masiv gjatë natës ndaj objekteve energjetike dhe vendeve të prodhimit të dronëve.
Ministria e mbrojtjes thotë se sulmi ishte një përgjigje ndaj një përpjekjeje për sulm me dron ukrainas në njërën nga rezidencat e Vladimir Putinit në fund të vitit të kaluar.
Kievi thotë se pretendimet e Moskës se u përpoq të sulmonte rezidencën, në rajonin rus të Novgorodit, janë "gënjeshtra".
Kjo akuzë u hodh poshtë edhe nga presidenti amerikan Donald Trump i cili ka thënë se Ukraina nuk shënjestroi një rezidencë që i përkiste udhëheqësit rus Vladimir Putin në një sulm të dukshëm me dron.
Pas kontrolleve nga zyrtarët amerikanë, Trump tha se megjithëse “diçka ndodhi afër”, rezidenca e udhëheqësit rus nuk ishte në shënjestër.
“Nuk besoj se ka ndodhur ai sulm”, tha ai. /Telegrafi/
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha më 7 janar se beson që lufta në shkallë të plotë e Rusisë kundër Ukrainës, mund të përfundojë në gjysmën e parë të vitit 2026.
Duke folur në ceremoninë e hapjes që shënoi fillimin e presidencës së Qipros në BE, Zelensky vuri në dukje atë që e përshkroi si një fazë të re në negociatat me partnerët evropianë dhe Shtetet e Bashkuara.
Ai gjithashtu theksoi se Bashkimi Evropian duhet të luajë një rol qendror në procesin e negociatave, transmeton Telegrafi.
"Ndërsa Qiproja fillon presidencën e saj të Këshillit të BE-së, ne vërejmë se negociatat kanë arritur një moment të ri së bashku me partnerët tanë evropianë dhe, natyrisht, Shtetet e Bashkuara dhe të gjithë anëtarët e Koalicionit të të Gatshmëve", tha Zelensky.
"Ne besojmë sinqerisht se kjo luftë mund të përfundojë gjatë presidencës suaj të Këshillit të BE-së", shtoi presidenti ukrainas.
Presidenca e Qipros në Këshillin e Bashkimit Evropian do të vazhdojë gjatë gjysmës së parë të vitit, deri në fund të qershorit 2026.
Komentet e Zelensky vijnë pas disa raundeve të bisedimeve të fundit midis delegacioneve ukrainase, evropiane dhe amerikane në Paris.
Samiti i "Koalicionit të Gatshmëve", i organizuar nga presidenti francez Emmanuel Macron, zhvillohet ndërsa Kievi sinjalizon se një marrëveshje për t'i dhënë fund pushtimit pothuajse katërvjeçar në shkallë të plotë të Rusisë është "90% gati".
Takimi mbledh së bashku përfaqësues nga 35 vende, përfshirë 27 krerë shtetesh dhe qeverish, zyrtarë të lartë të BE-së dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte.
Sipas një draft-deklarate të përbashkët të raportuar, ende subjekt i ndryshimeve dhe një miratimi përfundimtar nga udhëheqësit, garancitë e sigurisë së Koalicionit do të përfshijnë një forcë të mbështetur nga SHBA-të dhe të udhëhequr nga Evropa të vendosur në Ukrainën e pasluftës, si dhe monitorimin e armëpushimit nga Uashingtoni. /Telegrafi/
Shtetet e Bashkuara duhet të ushtrojnë presion mbi Rusinë duke “kryer një lloj operacioni” për të larguar kreun çeçen Ramzan Kadyrov nga pushteti, ashtu siç bënë me udhëheqësin venezuelas Nicolas Maduro, tha të mërkurën presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Në komentet për gazetarët, Zelensky tha se operacioni për të larguar Maduron tregoi se Uashingtoni kishte fuqinë për të ndikuar në Moskë nëse dëshironte vërtet, duke argumentuar se rrëzimi i Kadyrovit do ta bënte presidentin rus Vladimir Putin “të mendonte dy herë” për ofensivën e tij të vazhdueshme ndaj Ukrainës.
Forcat speciale amerikane rrëmbyen Maduron dhe gruan e tij nga Karakasi të shtunën e kaluar, duke tronditur aleatët e Uashingtonit dhe duke marrë dënimin nga partneri i Venezuelës, Moska, transmeton Telegrafi.
Kadyrov, udhëheqësi i rajonit rus me shumicë myslimane të Çeçenisë që nga viti 2007, është një nga mbështetësit më të zëshëm të Putinit dhe dërgoi mijëra ushtarë për të luftuar në Ukrainë.
“Ata duhet të ushtrojnë presion mbi Rusinë. Ata kanë mjetet, ata dinë si. Dhe kur duan vërtet, ata mund t’i gjejnë ato”, tha Zelensky për Shtetet e Bashkuara.
"Ja një shembull me Maduron. Ata kryen një operacion. Të gjithë mund ta shohin rezultatin, e gjithë bota mund ta shohë. Ata e bënë menjëherë. Le të kryejnë një lloj operacioni me, si quhet ai - Kadyrov", tha Zelensky.
Kadyrov u përgjigj në një postim në Telegram, duke thënë se Zelensky "në mënyrë frikacake la të kuptohej se nuk do të kishte problem të qëndronte mënjanë dhe të shikonte nga një distancë e sigurt ndërsa dikush tjetër ndëshkonte shkelësin e tij".
"Ruaje fytyrën dhe mos e poshtëro veten. Nëse do të kishe një fije mashkullorie brenda teje, do ta kuptoje sa poshtëruese tingëllojnë fjalët dhe kërkesat e tua," shtoi ai, duke iu drejtuar udhëheqësit ukrainas.
Disa orë pas operacionit amerikan për të kapur Maduron, Zelensky kishte bërë shaka se edhe vetë Putini duhet të jetë në shënjestër.
"Nëse mund ta bësh këtë me diktatorë, atëherë Shtetet e Bashkuara e dinë çfarë të bëjnë më pas", tha ai në një konferencë për shtyp në Kiev gjatë fundjavës, duke qeshur dhe buzëqeshur.
Ukraina, e cila ka qenë duke luftuar një pushtim të plotë rus për gati katër vjet, ka pretenduar prej kohësh se partnerët e saj, përfshirë Shtetet e Bashkuara, nuk kanë ushtruar presion të mjaftueshëm mbi Kremlinin për t'i dhënë fund luftës.
Kadyrov, i cili e ka sunduar Çeçeninë me grusht të hekurt për gati dy dekada, ka mbështetur vazhdimisht Moskën që të përdorë opsionet më ekstreme në Ukrainë - madje duke hedhur idenë e një sulmi bërthamor. /Telegrafi/
Garancitë e sigurisë për Ukrainën nga partnerët evropianë dhe Shtetet e Bashkuara nuk përfshijnë një “ombrellë bërthamore”.
Kjo është thënë nga presidenti Volodymyr Zelensky në një koment për gazetarët, raporton Ukrinform, përcjell Telegrafi.
"Nuk ka diskutim për armë bërthamore. Sa i përket garancive të sigurisë nga partnerët tanë evropianë dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po diskutojmë një kontingjent, mbrojtje në tokë, në ajër, në det, si dhe një linjë të veçantë të 'mbrojtjes ajrore'", tha Zelensky.
Sipas tij, diskutimet përfshijnë gjithashtu forcimin e ushtrisë ukrainase dhe sigurimin e fondeve shtesë për personelin.
Ai theksoi se çështja kryesore mbetet personeli i brigadave luftarake dhe sigurimi i gatishmërisë së tyre të lartë luftarake.
Zelensky vuri në dukje gjithashtu se Ukraina po zhvillon bisedime për marrjen e licencave të veçanta për të zhvilluar bashkëprodhim në industrinë e mbrojtjes.
Pas një takimi në Paris, udhëheqësit e Koalicionit të Vullnetmirëve, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara nënshkruan një deklaratë të titulluar "Garanci të Forta Sigurie për një Paqe të Fortë dhe të Qëndrueshme në Ukrainë". /Telegrafi/
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni u ka thënë partnerëve evropianë dhe amerikanë, se Italia nuk do të vendosë trupa në Ukrainë si pjesë e garancive të ardhshme të sigurisë.
Meloni mori pjesë në takimin e Parisit të përqendruar në nismat negociuese për të finalizuar garancitë e sigurisë për Ukrainën, transmeton Telegrafi.
Qeveria italiane tha se këto garanci janë "të frymëzuara nga Neni 5 i Aleancës Atlantike, siç është sugjeruar prej kohësh nga Italia".
Ato pritet të jenë pjesë e një pakete më të gjerë marrëveshjesh që do të miratohen në koordinim të ngushtë me SHBA-në, "përfshirë përmes një mekanizmi efektiv dhe të strukturuar mirë për të monitoruar armëpushimin e shpresuar dhe një forcim të forcave ushtarake ukrainase".
"Duke konfirmuar mbështetjen e Italisë për sigurinë e Ukrainës, në përputhje me atë që është bërë vazhdimisht, kryeministrja Meloni përsëriti një numër pikash të fiksuara të qëndrimit të qeverisë italiane mbi çështjen e garancive, në veçanti përjashtimin e trupave italiane që do të vendosen në terren".
Deklarata gjithashtu vuri në dukje se pjesëmarrja e vendeve të koalicionit në forcat shumëkombëshe do të jetë vullnetare, dhe se çdo vendim për mbështetjen e Ukrainës në rast të një sulmi të ri, duhet të merret në përputhje me procedurat kushtetuese kombëtare. /Telegrafi/