Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Trump: Fjalën e fundit për paqe në Ukrainë e them unë

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ai do të jetë personi që do të japë fjalën e fundit për një marrëveshje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës. Në një intervistë me Politico, Trump tha se, pavarësisht çdo gjëje që Zelensky propozon kur të takohen në Mar-a-Lago të dielën, presidenti ukrainas “nuk ka asgjë derisa Trump ta miratojë”.

“Kështu që do të shohim se çfarë ka”, tha Trump.

Zelensky tha se plani i tij i ri prej 20 pikash për paqen përfshin një zonë të demilitarizuar të propozuar me një kusht kyç: Rusia do të duhet të tërheqë forcat e saj nga një shtrirje përkatëse toke në Donetsk.

Zyrtarët ukrainas e kanë përshkruar planin si “një përpjekje për të treguar fleksibilitet pa lëshuar territor.

Trump dukej optimist për takimin me Zelenskyn, duke thënë: “Mendoj se do të shkojë mirë me të. Mendoj se do të shkojë mirë me Vladimir Putinin.”

Trump shtoi se “do të flasë me udhëheqësin e Rusisë së shpejti”.

Takimi i së dielës pritet të përqendrohet në garancitë e sigurisë, menaxhimin e centralit bërthamor Zaporizhzhia, plus kontrollin territorial të Donbasit, të cilin Moska e ka pretenduar.

OBSH: Një e treta e vdekjeve në Evropë lidhen me alkoolin

 Alkooli është përgjegjës për një në tre vdekje nga lëndimet dhe dhuna në Evropë, duke paraqitur kërcënim të madh për shëndetin publik, veçanërisht gjatë periudhave të festave kur konsumi zakonisht rritet, thuhet në raportin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Sipas raportit bazuar në të dhënat e vitit 2019, gati 145 mijë vdekje të lidhura me lëndimet në rajon i atribuohen alkoolit, përfshirë vetëlëndimin, lëndimet në trafikun rrugor dhe rrëzimet. “Asnjë substancë tjetër psikoaktive nuk kontribuon kaq shumë në lëndimet e paqëllimshme dhe të qëllimshme”, tha OBSH-ja duke paralajmëruar se alkooli mbetet faktor rreziku veçanërisht i rrezikshëm për të rinjtë.

OBSH-ja tha se Evropa ka nivelet më të larta të konsumit të alkoolit në nivel global, me përdorimin e alkoolit që shkakton rreth 800 mijë vdekje çdo vit, rreth një në çdo 11 vdekje.

“Alkooli është substancë toksike që dëmton gjykimin, ngadalëson kohën e reagimit dhe nxit sjelljen e marrjes së rrezikut”, tha Carina Ferreira-Borges, këshilltare rajonale e OBSH-së për alkoolin, drogat e paligjshme dhe shëndetin e burgjeve, duke shtuar se shumë lëndime të lidhura me alkoolin janë të parandalueshme.

Raporti thekson një lidhje të fortë midis alkoolit dhe dhunës, ku më shumë se 40 për qind e vdekjeve nga dhuna ndërpersonale dhe mbi një e treta e vdekjeve nga vetëlëndimi në vitin 2019 ishin të atribuueshme alkoolit.

Alkooli gjithashtu përbën kërcënim serioz për adoleshentët dhe të rinjtë, tha OBSH-ja duke përmendur pirjen e tepërt episodike si faktor kyç pas lëndimeve rrugore, mbytjeve, rënieve dhe vetëlëndimit midis grupmoshave më të reja. Pavarësisht progresit në dekadat e fundit, pabarazi të mprehta vazhdojnë në të gjithë Evropën, thotë raporti.

Vendet e Evropës Lindore regjistrojnë shkallën më të lartë të vdekjeve nga lëndimet e lidhura me alkoolin, me alkoolin të lidhur me më shumë se gjysmën e të gjitha vdekjeve nga lëndimet në disa vende, krahasuar me më pak se 20 për qind në shumë shtete perëndimore dhe jugore.

Media britanike: Shqipëria kryeson mes destinacioneve më të mira për pushime

Një udhëtim me anije prej 600 miljesh në Nil, një vizitë në Shqipëri apo një turne rreth pamjeve romake të Britanisë së Madhe ishin ndër destinacionet më të mira për pushime sipas ekspertëve të turizmit, shkruan Kate Pasola në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Which?”.

Secila nga këto vende u vlerësua si më e mira në ofrimin e çdo lloj pushimi, nga turnetë me shoqërues deri te pushimet në plazh. Mund të jeni të sigurt se ato ofrojnë pushime të shkëlqyera!

Ekspertët rekomanduan destinacione – ku turistët mund të eksplorojnë jetën e egër, vijën bregdetare, vendet historike dhe kulturore – si dhe alternativa që ishin më shumë një frymëzim për udhëtime autentike në vitin 2026.

Shqipëria

E konsideruar nga ekspertët e turizmit si destinacioni më mahnitës për pushime në plazh me çmime të përballueshme, Shqipëria ofron shumë më tepër sesa thjesht një udhëtim në Mesdhe.

Ju mund të eksploroni gjithçka, nga fshatrat e listuara në UNESCO me arkitekturën magjepsëse të epokës osmane deri te vendet piktoreske përgjatë Rivierës Shqiptare.

Turistët do të kenë mundësinë të bëjnë një xhiro me anije rreth gadishullit, të vizitojnë kështjella dhe zonat ku prodhohet vera vendase.

Shqipëria ka disa nga vreshtat më të vjetra në botë.

“One Traveller”, operatori turistik britanik, e ka përshkruar Shqipërinë si një zgjedhje të shkëlqyer për pushime solo në zemër të Evropës.

Udhëtimi për shtatë netë në Shqipëri kushton 2,510 euro për person.

Çmimi përfshin fluturimet, akomodimin, shumicën e vakteve, pijeve dhe turet.

Nëse planifikoni të vizitoni Shqipërinë, “One Traveller” rekomandon muajt maj, qershor, shtator dhe tetor.

Media britanike “Which?”, duke ndjekur sugjerimet e ekspertëve të turizmit, ka renditur destinacionet më të mira për udhëtime autentike në vitin 2026:

Shqipëria
Austria
Japonia
Anglia Veriore
Vietnami&Kamboxhia
Egjipti
India
Kosta Rika.

Parashikimi i motit/ Si do vijojnë temperaturat përgjatë ditës

Ditën e shtunë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme. Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin e vranësira të pakta kalimtare në relievet malore në lindje.

Mjegull e dendur / mjegullinë përgjatë zonaveluginore në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes. Prezencë e ngricave përgjatë akseve rrugore kryesisht në relievet malore.

Era do të fryjë me drejtim kryesor verilindje – veri me shpejtësi mesatare 6 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi deri në 10 m/s.

Valëzimi në det pritet të jetë forcës 1-3 ballë.

Greqi, shpëtohen 52 emigrantë në Egje

Autoritetet greke kanë shpëtuar gjithsej 52 emigrantë në dy operacione të ndryshme në detin Egjé, ndërsa kërkimet vazhdojnë për gjetjen e një djali të huaj të zhdukur pranë ishullit Farmakonissi.

Kërkimet po zhvillohen në ishullin Farmakonissi dhe në zonën detare përreth tij, pas shpëtimit të 13 shtetasve të huaj në ishull.

Farmakonissi ndodhet në lindje të ishujve Patmos dhe Lipsi. Operacionet po koordinohen nga Qendra e Përbashkët e Koordinimit të Kërkim-Shpëtimit, me ndihmën e dy mjeteve të Rojës Bregdetare dhe një helikopteri të Forcave Ajrore.

Ndërkohë, e njëjta qendër koordinoi edhe shpëtimin e 39 shtetasve të huaj që ndodheshin në një mjet lundrues, 44 milje detare në jug të Kali Limenes, në brigjet jugore të Kretës.

Operacioni u krye nga një anije e Rojës Bregdetare dhe emigrantët u transportuan në portin e Kali Limenes. Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë për identitetin e djalit të zhdukur, ndërsa kërkimet vijojnë.

Si shkohet drejt paqes? Kamberi: Pa një tryezë SHBA-BE–Rusi–Ukrainë nuk ka zgjidhje të qëndrueshme për luftën

TIRANË- Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Geron Kamberi analizoi vatrat e nxehta në Lindjen e Mesme dhe fatin e krizës në Gaza dhe luftën Ukrainë-Rusi.

Gjatë intervistës në “News Line”, Kamberi u shpreh se në terren ka patur shumë përpjekje, por zgjidhjet reale të konflikteve janë ende të largëta.

Ajo çfarë do jetë më e rëndësishmja është s do jetë e ardhmja e Gazës. Si do vijojnë marrëveshje, çfarë roli do kenë vendet e tjera brenda këtij peizazhi. Duhet parë se çfarë roli do të marrë Turqia. Duket sikur po merr një rol kujdestarie. Përpjekjet për të ndërmjetësuar konfliktin në Ukrainë, janë ende të papërfunduara. Ka optimizëm, i cili ngrohet dhe ftohet brenda disa orësh”, tha ai.

Lidhur me luftën Ukrainë-Rusi, eksperti u shpreh se nuk shikon zgjidhje të qëndrueshme nëse nuk ulet në tavolinë katërkëndëshi gjeopolitik: SHBA, BE, Rusi dhe Ukrainë. Megjithatë, Kamberi shpreson së viti 2026, të jetë ogur i mirë për t’i dhënë fund konfliktit, që vijon të marrë shumë jetë të pafajshme.

“Për sa kohë që nuk do kemi një katërkëndësh në tavolinë ku të përfshihen, ShBA, BE, Ukrainë dhe Rusia në një tavolinë, besoj se nuk do të funksionojë.
Sa më gjatë të vazhdojë ai konflikt, aq më e vështirë do jetë dhe për BE, që të përqendrohet te procesi i zgjerimit, uroj dhe shpresoj që mos të ketë një zhvendosje fokusi nga ky objektiv. Shpresoj që viti 2026, të jetë një vit, që të jemi afër zgjidhjes”, tha ai./abcnews.al

SHBA sulmon ISIS në Nigeri/ Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare: Tregues force, shqetësimi lidhet me…

TIRANË- Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara kanë kryer një “sulm të fuqishëm dhe vdekjeprurës” kundër grupit Shteti Islamik ISIS në veri-perëndim të Nigerisë.

Trump e përshkroi ISIS si një grup “terroristë të neveritshëm”, duke akuzuar grupin se synon dhe vret brutalisht, kryesisht, civilë të pafajshëm që janë krishterë.

Ai tha se ushtria amerikane ka kryer “sulm të përsosur” dhe se operacioni është koordinuar me Nigerinë në shtetin Sokoto.

Trump shkroi se ai kishte paralajmëruar sulme ndaj kudo qe kishte vrare te krishterët ne Nigeri, ndërsa e përmbylli Statusin e tij duke iu uruar Krishtlindjet grupeve terroriste.

Ekspertit i marrëdhënieve ndërkombëtare Geron Kamberi, i ftuar në “News Line“, tha se sulmi i ndërmarrë nga SHBA është një tregues force. Sipas tij, SHBA kërkon të përçojë mesazhin se ka ende interes në Nigeri.

Ai shtoi faktin se Nigeria është një vend i pasur me uranium dhe ky fakt e ka shqetësuar Washingtonin se Nigeria mund të afrohet me Iranin.

“Nigeria është vendi ku janë pasuritë më të mëdha të uraniumit dhe kishte shqetësim nga SHBA se kjo mund ta afronte me Iranin. Doktorin e SHBA, është e tillë, që në rastin e Nigerisë ajo që të bën përshtypje, është justifikuar me sulmet ndaj besimeve të krishtera. Është një shenjë gjeostrategjike, që tregon SHBA kanë ende interes për atë territor. Po ashtu ishte një lloj shenje për të treguar se ne jemi ende këtu”, tha ai./abcnews.al

Fëmija me fruth shtrohet në QSUT/ Apeli i ISHP: Vaksinoni të vegjlit!

TIRANË- Një fëmijë diagnostikohet me fruth në vend.

ISHP konfirmon për Abc News se në Shqipëri ky është rasti i parë i diagnostikuar me këtë sëmundje infektive për këtë vit dhe po merr trajtim në pediatrin infektive në QSUT.

ISHP- ka kryer hetimin epidemiologjik dhe rezulton i pavaksinuar me fruth.

Ndaj specialistët e ISHP-së bëjnë shpesh thirrje për vaksinim kundër fruthit, por, edhe të aplikimit të çdo vaksine të këshillueshme nga bluzat e bardha për të vegjlit./abcnews.al

Shuhet “Picasso i futbollit”/ Mbyll sytë futbollisti i shquar skocez Robertson, ishte 72 vjeç

Në histori ka hyrë nga porta kryesore. Xhon Robertson është një nga emblemat e futbollit skocez, britanik dhe atij botëror, dhe ky sport sot po mban zi për largimin e tij.

Në moshën 72-vjeçare mbylli sytë pasi vuajti nga një sëmundje, ndërsa mbahet mend si një prej yjeve të Notingem Forestit të viteve 70-të e 80-të të shekullit të kaluar, që arritën diçka krejt të veçantë.

Fituan vetëm një kampionat anglez, por plot dy Champions.

Në 1978, skuadra e trajnerit Brajan Klaf triumfoi në atë që sot njihet si Premier Liga, pasi u ngjit në elitë vetëm në 1977.

Më pas, në 1979 dhe 1980, fitoi Kupën e atëhershme të Kampionëve, Championsin e tanishëm dhe Robertson ishte vendimtar.

Lojtari ofensiv I krahut të majtë shërbeu asistin në suksesin 1-0 ndaj Malmos në 1979 në Mynih, dhe shënoi golin e vetëm në fitoren ndaj Hamburgut në1980 në “Santiago Bernabeu” të Madridit.

Trajneri I tij, Klaf, I vuri epitetin “Pikaso I futbollit” për stilin e tij artistik të lojës.

Për 14 vjet luajti për Notingem Forestin, plot 500 ndeshje, duke fituar një titull në Angli, dy Champions, dy Kupa të Ligës në Angli, një Superkupë të Europës dhe dy Superkupa të Anglisë.

Për Skocinë luajti 28 ndeshje dhe shënoi 8 gola, e nuk harrohet ai në 1981 në “Uembli” të Londrës kundër rivalit më të urryer, Anglisë, në fitoren 1-0 në Kampionatin e vendeve britanike.

Skulptorët shqiptarë që bënë kryevepra e histori në Venecia. E vërteta që pak e dinë…

Skulptorët shqiptarë që bënë kryevepra e histori në Venecia. E vërteta që pak e dinë…
Historia e artit europian fsheh brenda saj emra të mëdhenj shqiptarë, të cilët për shekuj me radhë kanë mbetur në hije. Në një lidhje direkte për ABC e Mëngjesit, studiuesi Alban Kraja solli në vëmendje një kapitull mahnitës të historisë sonë kulturore: historinë e dy skulptorëve virtuozë shqiptarë që magjepsën Italinë e shekujve XVI–XVII.
Giovanni Battista Albanese dhe vëllai i tij Girolamo Albanese ishin skulptorë, arkitektë dhe piktorë me origjinë shqiptare, të cilët u bënë emra të njohur në Italinë e kohës. Ata kishin qendrën e tyre artistike në Vicenza, ndërsa në Venecia realizuan disa nga kryeveprat që sot admirohen nga mijëra vizitorë nga e gjithë bota.
Sipas studiuesit Alban Kraja, gjyshi i tyre vinte nga Shkodra, ndërsa origjina shqiptare e familjes është e dokumentuar. Pas pushtimit osman të Shkodrës, një pjesë e madhe e popullsisë u detyrua të emigrojë drejt territoreve të Republikës së Venecias.
“Rreth 40% e qytetarëve të Shkodrës u zhvendosën në Venecia, sepse ishte vendi më mikpritës për ta në atë periudhë historike,” shpjegon Kraja.
Një nga dëshmitë më të forta të kontributit shqiptar në artin italian ndodhet në Kishën San Giorgio Maggiore në Venecia. Pikërisht aty gjenden pesë statuja të realizuara nga Giovanni Battista Albanese, vepra që edhe sot konsiderohen si shembuj të shkëlqyer të artit skulpturor të kohës.
“Gjurmët e Giovanni Battista Albanese janë qartësisht të dukshme në këtë kishë ikonike,” thekson studiuesi, duke shtuar se arti i tij përfaqëson nivelin më të lartë të mjeshtërisë së epokës.
Veprimtaria e Giovanni Battista Albanese nuk u kufizua vetëm në Venecia. Në sheshin kryesor të Vicenza-s, ai ka realizuar një statujë monumentale që vazhdon të qëndrojë aty edhe sot, si një dëshmi e pavdekshme e talentit të tij.
Qendra e tyre krijuese ishte pikërisht Vicenza, nga ku vëllezërit Albanese udhëtonin drejt Venecias për të realizuar porositë më të rëndësishme artistike të kohës.

Beograd, gjendet një bombë ajrore nga Lufta e Dytë Botërore

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka bërë të ditur se një bombë ajrore e Luftës së Dytë Botërore, e gjetur në kantierin e ndërtimit “Beogradi në ujë”, do ta largojnë, transportojnë dhe asgjësojnë të dielën herët në mëngjes.

Ministria serbe tha se bëhet fjalë për një bombë ajrore amerikane e tipit AN-M44, me peshë totale afër 470 kilogramësh dhe me mbushje shpërthyese 250 kilogramësh, e cila daton që nga bombardimet aleate të pozicioneve gjermane gjatë çlirimit të Beogradit në vitin 1944.

Mjeti shpërthyes është gjetur në rrugën “Nikolaja Kravcova”. Ekipi specialist i sektorit për situata emergjente më herët ka kryer zbulimin, identifikimin dhe vlerësimin e gjendjes së bombës, në mënyrë që të garantojë kushte të sigurta për largimin dhe asgjësimin e saj.

Ministria u ka bërë thirrje qytetarëve që jetojnë aty pranë, përfshirë zonën përreth Qendrës tregtare “Galerija” dhe pjesë të disa rrugëve, që të dielën nga ora 06:00 deri në orën 09:00 të largohen përkohësisht nga banesat e tyre.

Qytetarëve që nuk mund të largohen nga banesat u është rekomanduar të hapin dritaret, të ulin grilat dhe të qëndrojnë larg dritareve. Vendndodhja ku është gjetur bomba po sigurohet nga pjesëtarët e Drejtorisë së Policisë së Beogradit.

Ministria u ka bërë thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet e shërbimeve kompetente dhe të monitorojnë informacionet në media në mënyrë që aksioni të realizohet në mënyrë të sigurt dhe në kohën sa më të shkurtër të mundshme.

Japonia miraton buxhet rekord prej 58 miliardë dollarësh për mbrojtjen

Japonia ka miratuar një projektbuxhet rekord për mbrojtjen prej 9.04 trilionë jenësh (58 miliardë dollarë) për vitin fiskal 2026, mes tensioneve me Kinën. Sipas agjencisë së lajmeve Kyodo, projektbuxheti për vitin fiskal 2026, që nis në muajin prill dhe që përfshin shpenzimet për strehimin e bazave ushtarake amerikane, tejkalon rekordin e mëparshëm prej 8.7 trilionë jenësh (55.7 miliardë dollarë) të ndara për vitin aktual fiskal që përfundon në mars 2026.

Viti fiskal 2026 shënon vitin e katërt të planit pesëvjeçar të Japonisë për forcimin e mbrojtjes në vlerë prej 43 trilionë jenësh (275 miliardë dollarë). Sipas planit, 100.1 miliardë jenë (641 milionë dollarë) janë parashikuar për zhvillimin e sistemit të mbrojtjes bregdetare me shtresa “Shield”, i cili përfshin mjete ajrore, sipërfaqësore dhe nënujore.

Vendi po rrit gjithashtu investimet në teknologjinë e dronëve, përfshirë 1.1 miliardë jenë (7 milionë dollarë) për të vlerësuar dronë me qëndrueshmëri të gjatë fluturimit për të kundërshtuar shkeljet e hapësirës ajrore.

Për të forcuar kapacitetet e tij hapësinore, Japonia planifikon të riemërtojë Forcën Ajrore të Vetëmbrojtjes në Forcën Ajrore dhe Hapësinore të Vetëmbrojtjes, duke ndarë edhe 1.1 miliardë jenë për blerjen e pajisjeve për monitorimin e ndërhyrjeve satelitore.

Buxheti përfshin gjithashtu 30.1 miliardë jenë (193 milionë dollarë) për blerjen e raketave të drejtuara hipersonike si aftësi kundërsulmi. Më herët, kabineti i kryeministres Sanae Takaichi miratoi projektbuxhet fillestar shtetëror në total prej 122.3 trilionë jenësh (783 miliardë dollarë) për vitin fiskal që nis prillin e ardhshëm, më i madhi në historinë e vendit.

Forcimi i mbrojtjes së Japonisë vjen teksa tensionet me Kinën janë përshkallëzuar që nga 7 nëntori, kur kryeministrja japoneze deklaroi se një sulm kinez ndaj Tajvanit mund të përbënte ligjërisht një “situatë kërcënuese për mbijetesën”, duke i lejuar potencialisht Japonisë të ushtrojë të drejtën e vetëmbrojtjes kolektive.

Deklaratat e saj shkaktuan reagim të ashpër në Pekin, me Kinën që këshilloi kundër udhëtimeve drejt Japonisë dhe rivendosi ndalimin e importeve të produkteve të detit, ndër masa të tjera kufizuese.

Analizë/ Përse mbushja e tregut me automjete kineze alarmon Evropën?

Pasi i kaloi dy dekada karrierë të suksesshme duke prodhuar interiore për markat kryesore botërore të automobilave, Tomasi, ish-menaxher i lartë në një kompani shumëkombëshe italiane, u largua nga industria e makinave në vjeshtën e vitit 2025.

“Mendoj se është e mbaruar”, theksoi ai duke shpjeguar arsyen kryesore pse u largua nga biznesi.

“Industria ka marrë fund”, shtoi Tomasi, i cili kërkoi që mbiemri i tij të mos përdoret në këtë tekst.

Industria e famshme evropiane e automobilave përballet me rrezikun e një vërshimi automjetesh kineze me cilësi të lartë dhe çmime jashtëzakonisht të ulëta – disa deri në 10.290 euro në tregje të caktuara – të cilat nisën të mbërrijnë në kontinent veçanërisht pas pandemisë së Covid-19.

Ekspertët paralajmërojnë se ky fluks rrezikon një industri që për dekada ka shërbyer si shtylla kurrizore e prodhimit evropian.

Pavarësisht tarifave të vendosura nga Brukseli në vitin 2024, deri në 35 për qind për disa automjete elektrike (EV) kineze, përveç një takse importi prej 10 për qind, shitjet e automjeteve kineze në Evropë pothuajse u dyfishuan mes viteve 2024 dhe 2025.

Mbi gjysmë milioni modele kineze janë shitur vetëm në nëntë muajt e parë të këtij viti.

Gjiganti kinez i automjeteve elektrike, BYD, raportoi rritje vjetore të shitjeve prej 225 për qind, duke u bërë prodhuesi kryesor i automjeteve elektrike më i shitur në BE gjatë disa muajve të vitit 2025, pavarësisht tarifave.

Prodhues të tjerë i anashkaluan barrierat tregtare të BE-së për automjetet elektrike duke dërguar automjete me motorë me djegie të brendshme dhe hibride, të cilat nuk i nënshtrohen të njëjtave detyrime.

Industria automobilistike e Kinës daton që nga vitet ‘50, por prodhuesit e saj për një kohë të gjatë kanë vuajtur nga reputacioni i cilësisë së dobët dhe dizajnit të rëndomtë, prandaj edhe industria e saj nuk lulëzonte në botë.

Por, kjo ka ndryshuar së fundmi.

Para se ekonomia botërore të ndalej në vitin 2020 për shkak të pandemisë së koronavirusit, Tomas thotë se profesionistët teknikë në industrinë evropiane të automobilave i shpërfillnin markat kineze, duke thënë: “janë të tmerrshme, nuk dinë të prodhojnë. Do t’u duhen 20, 30, 40 vjet për të arritur nivelin tonë dhe deri atëherë ne do të jemi shumë më përpara”.

“Ajo që ndodhi është se, praktikisht për pesë vjet, ata na tejkaluan”, tha ai.

“Tani makinat e tyre janë vërtet të jashtëzakonshme”.

Një stuhi e përsosur

Prodhuesit kinezë kanë gëzuar kamotshëm përparësi në kosto falë përdorimit të energjisë së lirë, kryesisht me bazë qymyri, si dhe një fuqie punëtore me fuqi minimale negociuese. Por së fundmi, një stuhi e përsosur faktorësh ka bërë të mundur që makinat kineze të kenë çmim shumë më të ulët se konkurrentët perëndimorë.

Si reagim ndaj pushtimit të Ukrainës nga Kremlini në vitin 2022, BE-ja ndaloi importet e çelikut nga Rusia. Kina, ndërkohë, ka rritur ndjeshëm importet e metaleve me cilësi të lartë nga ky vend.

Për më tepër, industria automobilistike kineze ka qenë në gjendje të shfrytëzojë rritjen e paparë të prodhimit gjatë dekadës së fundit. Industria e makinave në Kinë ishte më e madhja në botë qysh në vitin 2009, por prodhuesit ishin kryesisht të përqendruar në tregun e brendshëm të tejngopur.

Kjo ndryshoi kur luftërat e ashpra të çmimeve brenda Kinës i shtynë prodhuesit të shikonin jashtë. Në vitin 2023, Kina e tejkaloi Japoninë duke u bërë eksportuesi më i madh i makinave në botë, duke prodhuar dhjetëra milionë automjete çdo vit.

Dhe pastaj kemi subvencionet e dyshuara në këtë industri.

Kina e ka mohuar se i mbështet prodhuesit e makinave, por një hetim i BE-së në vitin 2024 zbuloi se fondet publike ishin “të pranishme në të gjithë zinxhirin e furnizimit”, nga minierat që nxjerrin lëndët e para deri te anijet që transportojnë automjetet elektrike drejt Evropës.

Shtetet e Bashkuara, në vitin 2024, vendosën një tarifë prej 100 për qind mbi automjetet elektrike kineze, pasi hetimi i tyre arriti në përfundimin se industria amerikane e automobilave po “dëmtohej ndjeshëm” nga disa modele të subvencionuara kineze.

Paul Bennet, partner drejtues në firmën këshilluese automobilistike Madox Square me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, i tha REL-it se hyrja rrufe e automjeteve kineze në tregun evropian mund të jetë me më shumë sesa thjesht biznes.

“Në përgjithësi, edhe pse përfitimet ekonomike janë të qarta, aspektet gjeopolitike të kësaj strategjie nuk duhen anashkaluar”, tha ai.

“Sipas mendimit tim, ka gjasa që kjo të jetë pjesë e përpjekjeve më të gjera të Kinës për të riformësuar dinamikat ekonomike globale dhe për të forcuar pozicionin e saj në skenën botërore”, sipas tij.

Derisa disa aktorë të brendshëm thonë se Evropa ende mund të ketë mundësi për t’u kundërpërgjigjur, koha po soset.

Mbrojtja ndaj tarifave

Sipas rregullave të tanishme të tregut, një automjet kinez i prodhuar brenda BE-së nuk do t’i nënshtrohej të njëjtave tarifa si ato të importuara nga jashtë bllokut. Prodhuesit kinezë po lëvizin shpejt për të shfrytëzuar këtë kusht.

BYD i Kinës është në proces të ndërtimit të një fabrike prej 4.6 miliardë dollarësh në Hungari dhe, në Barcelonë, makinat tashmë po prodhohen nga ndërmarrja e përbashkët mes Ebro-EV Motors të Spanjës dhe markës kineze Chery, shkruan REL.

Festat, ku i kalojnë shqiptarët? Eksperti i turizmit: Korça dominon brenda vendit! Ja tre qytetet më të kërkuara në Evropë

SHQIPËRI– Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka pritur fluks udhëtarësh gjatë nëntorit. Sipas të dhënave rezulton se janë përpunuar mbi 765 mijë pasagjerë të ardhur nga 67 destinacione.

Rritja e fluksit lidhet drejtpërdrejt si me vijimin e kërkesës turistike pas sezonit veror, por edhe me zgjerimin e destinacioneve te fluturimeve.

Siç ka shumë shqiptarë që zgjedhin të kalojnë pushimet jashtë vendit, ka edhe të huaj që vijnë në Shqipëri për të shijuar ditët e fundvitit.

Eksperti për turizmin, Isa Krasniqi, i ftuar në “Money Report” u shpreh se për festat e fundvitit, qytetet j metë frekuentuara nga Shqiptarët janë Vjena, Praga dhe Roma. Megjithatë ka prej atyre që zgjedhin që pushimet t’i kalojnë në vende të ngrohta, siç është Dubai.

“Shqiptarë kanë zgjedhur këtë vit më shumë, tre qytete si Vjena, Praga, dhe Roma. Të tre këto qytete kanë linja ajrore direkte, por janë dhe qytetet që të ofrojnë atmosferë të madhe sa i përket festave të fundvitit. Ka edhe fluturime për në vende të nxehta, siç është dhe Dubai, por ka dhe prej atyre që duan të kalojnë festat e fundvitit në Shqipëri”, tha ai.

I pyetur se cilat janë qytetet më të kërkuara brenda vendit për të kaluar festat, eksperti u shpreh se Korça është dominuesja absolute, por megjithatë vitet e fundit ka një interes të shtuar për Beratin dhe Shkodrën.

“Korça është vend i parë për shumë arsye, në këtë vit sidomos ka hyrë shumë vizita e Beratit, por edhe e Shkodrës. Jo vetëm vizita, por po preferohet dhe akomodimi në këto dy vende. Gjithashtu edhe Vlora mbetet një destinacioni”, tha ai.

Ai theksoni se Shqipëria duhet të ketë ofertë gjithëvjetore në turizëm, pasi ky sektor shprehet Krasniqi ka shumë potencial dhe të gjithë duhet të punojmë për këtë objektiv.

“Ka shumë gjermanë, të cilët po e frekuentojnë në pjesën e fundit të vitit, për të festuar vitin e ri. Ka edhe nga Spanja, që vijnë dhe janë entuziastë për vizitën e tyre në Shqipëri. Janë mahnitur kur kanë parë bukuritë e vendit tonë.

Ne duhet të shkojmë në një turizëm gjithëvjetor. Duhet ta ngremë turizmin dhe të jetë gjithëvjetor. Të investojmë në promovimin e Shqipërisë, por edhe përmirësimin e infrastrukturës. Të kemi çfarë të themi tek të huajt”, tha ai./abcnews.al

❌