Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Ademi: "Ligji i Karakamishevës" është regres i rrezikshëm dhe kthim para vitit 2001



Sekretari i Përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, ka reaguar ashpër ndaj draft-ligjit të ri për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, të ashtuquajturit “Ligji i Karakamishevës”, të hartuar nga OBRM-PDUKM dhe të mbështetur nga koalicioni VLEN.

Sipas Ademit, bëhet fjalë për një akt të pastër regresi politik dhe etnik, që përbën rrezik serioz për barazinë dhe për themelet e Marrëveshjes së Ohrit.

“Skandal mbi skandal. Kur mendon se kanë arritur fundin, ata gjejnë mënyrë të bien edhe më poshtë. Ky është një ligj për ta vajtuar, jo për ta votuar”, thekson Ademi.

Ai vlerëson se ligji në fjalë nuk garanton aspak përfaqësim të drejtë dhe adekuat, por përkundrazi e deformon atë. Sipas tij, draft-ligji: nuk parasheh kuota etnike, duke e kthyer vendin në realitetin para vitit 2001, kur shqiptarët përbënin vetëm 0.2 për qind të administratës shtetërore; nuk obligon institucionet të evidentojnë përkatësinë etnike gjatë punësimeve dhe avancimeve, duke hapur rrugë për diskriminim të legalizuar; nuk përmban asnjë mekanizëm sanksionues, çka e bën ligjin të pazbatueshëm dhe pa peshë reale.

Ademi rikujton se për vite me radhë qytetarëve u ishte thënë se “balancuesi” do të përmirësohej dhe do të rregullohej me ligj, ndërkohë që ai tashmë ishte i sanksionuar ligjërisht. Në draftin aktual, sipas tij, nuk ekziston asnjë zgjidhje reale që e operacionalizon politikën afirmative të garantuar me Amendamentin VI të Kushtetutës.

“Kjo është kthim brutal pas, para vitit 2001. Pa maska dhe pa turp. Edhe atëherë ‘cilësia’ ishte kriter, por në emër të saj u realizua diskriminimi i pashembullt ndaj shqiptarëve”, deklaron Ademi, duke kujtuar stigmatizimin dhe përjashtimin sistematik të shqiptarëve nga institucionet.

Ai e cilëson këtë ligj si alarm kombëtar dhe u bën thirrje shqiptarëve që të reagojnë./Telegrafi/

BDI: 40 milionë euro kredi, investim monoetnik që diskriminon nxënësit dhe studentët shqiptar



Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në një kumtesë për media thotë se e dënon ashpër vendimin e qeverisë për marrjen e kredisë prej 40 milionë euro për ndërtimin dhe renovimin e shkollave dhe konvikteve, e cila sipas BDI-së, në mënyrë të qëllimshme dhe të papranueshme është orientuar pothuajse tërësisht në qytetet maqedone.

"Investimet në arsim janë të mirëseardhura dhe të domosdoshme, por ato duhet të jenë të drejta, gjithëpërfshirëse dhe të balancuara, duke reflektuar realitetin multietnik të shtetit dhe nevojat reale të të gjithë qytetarëve. Përjashtimi i shkollave dhe konvikteve me nxënës shqiptarë nga projektet kapitale në arsim përbën diskriminim institucional dhe shkelje të parimit të barazisë".

"Ky vendim nuk është as rastësi dhe as gabim teknik – është politikë e pastër diskriminuese, e cila synon të përjashtojë komunat shqiptare nga investimet kapitale dhe të rikthejë praktikat e vjetra të ndarjes etnike të buxhetit shtetëror".

"Qeveria po merr kredi në emër të të gjithë qytetarëve, përfshirë shqiptarët, por investimet po i orienton vetëm për një komunitet. Kjo është padrejtësi dhe shkelje e drejtpërdrejtë e parimeve kushtetuese të barazisë dhe bashkëjetesës", thonë nga BDI.

BDI kërkon publikimin e menjëhershëm të listës së projekteve përfituese; sqarimin e kritereve të ndarjes së mjeteve; nëse kjo padrejtësi vazhdon, qeveria mban përgjegjësi të plotë politike dhe morale për thellimin e ndarjeve në vend.

Mexhiti: Marrëveshja "fituesi me fituesin" u arrit në vitin 2007, BDI e theu në vitin 2016



Njëri nga liderët e koalicionit VLEN, njëherit kryetar i komunës së Çairit, Izet Mexhiti në një intervistë për TV21 ka folur për takimin e liderëve të thirrur nga ana e kryeministrit Hristijan Mickoski, duke theksuar se ai kishte propozuar që në këtë takim VLEN-i të përfaqësohet nga kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami.

Mexhiti më tej komentoi se nuk ka një rradhitje se kush në cilin takim do të jetë por që brenda VLEN-it bëhet punë ekipore duke shtuar se kjo e bën VLEN-in kështu si është.

Mexhiti përmendi edhe marrëveshjen e vitit 2007 kur në atë kohë si pjesë e BDI-së u aritë marrëveshja që “fituesi me fituesin” të formoj qeverinë që nënkuptonte se fituesi tek pala maqedonase dhe fituesi te pala shqiptare të krijojnë institucionet e sistemit por që sipas Mexhitit kjo fatkeqësisht nuk u funksionalizua me një ligj.

Kjo marrëveshje më vonë në vitin 2016 u thye nga Bashkimi Demokratik për Integrim, por që sipas Mexhitit po ashtu nuk ishte gabim se iu dha fund një sistemi të keq.

Arta Bilalli-Zendeli: BDI më e fortë se kurrë, VLEN-i është mashë në duart e OBRM-PDUKM-së



Nënkryetarja e BDI-së Arta Bilalli-Zendeli, është e ftuara e radhës në emisionin PodGo në Telegrafi Maqedoni, me të cilën kemi diskutuar për pozitën e saj të re në parti, VLEN-in, si dhe tema tjera.

Ajo tha se BDI-ja kërkon vazhdimisht zgjedhje të parakohshme, ndërsa tha se pas kongresit ato janë më të fortë se kurrë.

- YouTube Prodhim i Telegrafi Maqedoni Bejeni #Subscribe kanalin tonë në YouTube për më shumë video. Detajet: ...

"BDI është më e fortë se kurrë. BDI bëri një hap të guximshëm, me çka dëshmoi se është parti e fortë dhe e orientuar kah e ardhmja, pasi arriti të bëjë reforma në pjesën kadrovike, duke kyçur shumë të rinj. Poashtu bëri një ndryshim të madh pasi vendosi kuotën prej 30 përqind të pjesëmarrjes së gjinisë femërore dhe 10 përqind minimum të rinisë. Risi gjithashtu është se doli me katër rezoluta, e para për ruajtjen e karakterit unitar, e dyta marrëveshja kombëtare për përparim, rezoluta e tretë për pavarësinë e gjyqësorit dhe rezoluta e katërt për integrimin e RMV-së në Bashkimin Evropian".

"Uroj që zgjedhje të ketë sa më shpejt. Dëgjohet se ky vit do të jetë vit zgjedhor. Edhe në buxhetin që është hartuar në Kuvend, kam dëgjuar disa deputetë që merren me çështje ekonomike thonë se ky buxhet është buxhet për zgjedhje. BDI vazhdon të kërkojë zgjedhje parlamentare", tha nënkryetarja dhe deputetja e BDI-së.

Ajo foli edhe për pakënaqësitë pas kongresit të partisë, ndërsa rikujtoi atë që ka thënë Ali Ahmeti.

"Kishte disa pakënaqësi, por ata persona që shprehën pakënaqësi më pas edhe kërkuan falje. Ata persona që shprehën pakënaqësi nuk ka informacione se kanë lëvizur nga BDI. Ndërsa e tha edhe kryetari se ata që janë hidhëruar për funksione lirisht të largohen", tha Bilalli-Zendeli.

Sa i përket votimit të projektit Safe City dhe deputetëve të Frontit Evropian që i përkrahën ndryshimet ligjore, ajo tha se kjo duhet të mbetet në ndërgjegjen e deputetëve.

"Bejxhan Iljas ka më shumë se gjashtë muaj që është larguar nga Fronti, ndërsa Ilir Demiri pak më vonë. Le të ngelet në ndërgjegjen e tyre, të cilët votuan kundër pjesës dërmuese të deputetëve të Frontit Europian", tha nënkryetarja e BDI-së.

Kurse sa i përket VLEN-it, ajo theksoi se ata nuk e ngrisin zërin për asnjë të drejtë të shqiptarëve.

"Janë mashë në duart e OBRM-PDUKM-së, nuk e ngrisin zërin për asnjë të drejtë të shqiptarëve, në pushtet nuk kanë hyrë për ta kritikuar BDI-në, apo për t'i vazhduar ato procese për të cilat vazhdimisht na kanë kritikuar. Kanë mungesë të guximit dhe mundësisë", tha deputetja e BDI-së.

VLEN: “Safe City” është çështje e sigurisë publike



Sistemi “Safe City” është çështje e sigurisë publike, e mbrojtjes së jetës së qytetarëve dhe e vendosjes së rendit në komunikacion. Kur flasim për “Safe City”, nuk flasim për kamera apo gjoba, por për jetë njerëzish. Flasim për rrugë më të sigurta, për familje që nuk duhet të humbasin më baballarë, fëmijë apo motra për shkak të papërgjegjshmërisë së dikujt tjetër, kështu deklarojnë nga koalicioni VLEN.

Ata shprehën se qëndrimi i BDI-së, dëshmon edhe një herë se kjo strukturë nuk ka asnjë lidhje me interesin e përgjithshëm publik.

"Për ta, çdo vendim është pazar, çdo proces është llogari e brendshme, dhe asgjë nuk udhëhiqet nga parimet apo nevoja reale e qytetarëve. Rasti i “Safe City” e zbulon hapur krizën e thellë të brendshme në BDI. Një ditë deklarojnë se “në parim janë pro”, ndërsa ditën tjetër e rrëzojnë të njëjtin qëndrim. Kjo dëshmon rrëmujë politike dhe mungesë totale kontrolli. Është e qartë se Ali Ahmeti nuk e kontrollon më as grupin e tij parlamentar. Anija e tyre politike po fundoset. Sapo u aktivizua klika e vjetër, me Sadulla Durakun në krye, çdo pretendim për reformë u shua. E ashtuquajtura “risi” e BDI-së u zhduk në momentin kur foli e kaluara e tyre. Kjo është arsyeja pse kjo parti nuk mund dhe nuk përfaqëson interesin e shqiptarëve sot. BDI mbetet peng i njerëzve dhe mendësisë të së kaluarës, një mendësi që ka prodhuar krizë pas krize. Kur bëhet fjalë për interesin e qytetarëve, zgjedhin bllokadën. Kur kërkohet përgjegjësi dhe vendimmarrje, zgjedhin kaosin e brendshëm. Kur kërkohet llogaridhënie, kthehen te logjika e pazareve. Refuzimi i tyre për të mbështetur “Safe City” nuk ka të bëjë me përmbajtjen e projektit, por me frikën nga rendi, ligji dhe transparenca. Sepse aty ku ka rregull, nuk ka hapësirë për ndërhyrje, ndikim dhe lojëra prapa perdeve siç janë mësuar çdoherë", thuhet në komunikatën e VLEN-it.

Ata shtojnë se qytetarët duhet ta dinë qartë se problemi nuk është “Safe City”, por sipas tyre problemi është BDI.

Thaçi: Ali Ahmeti duhet të dorëhiqet nga politika, shpresë për BDI-në në qeveri më nuk ka



Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, ka bërë homazhe tek varri i Arbën Xhaferit, duke e kujtuar ish-liderin e partisë në ditëlindjen e 78-të, informon Telegrafi Maqedoni.

Thaçi tha se Xhaferi ka lënë gjurmë të pashlyeshm në politikën në Maqedoni dhe më gjërë dhe se politika e tij është udhërrëfyes se nga duhet të ecin shqiptarët.

Thaçi poashtu komentoi dhe ftesën e Ali Ahmetit për bashkimin e partive shqiptare në Aleancën Kombëtare për Integrim.

“Jam i shokuar me prostitucionin politik të Ali Ahmetit, ai po i laritet Hristijan Mickoskit që ta merr në qeveri. Ahmeti është kanceri i politikës shqiptare në Maqedoni, tashmë edhe me Ziadinin dhe Taravarin. Kjo piskamë, kjo dhelpër që i digjet bishti e që e ka emrin Ali Ahmeti duhet të dorëhiqet nga politika”, tha Thaçi.

Ai deklaroi se shpresë për BDI-në më nuk ka, pavarësisht dëshirës së Ali Ahmetit për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

‘Nuk ka zgjedhje. Aliu gënjen. Askush nuk i ka premtuar asgjë, ai mendon që do të këtë shpresë për BDI-në por më shpresë nuk ka”, deklaroi Thaçi. /Telegrafi/

Stojanoska akuzon, BDI reagon për pretendimet se Ahmeti ka kërkuar të futet në qeveri



Deputetja e OBRM-PDUKM-së, Dafina Stojanoska ka akuzuar sot se kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka kërkuar të bëhet pjesë e qeverisë pa kryetar parlamenti dhe me më pak ministri se partneri aktual shqiptar në qeveri, informon Telegrafi Maqedoni.

Ajo ka shtuar se OBRM-PDUKM ishte e vendosur që BDI-në ta dërgojë në opozitë, ndaj edhe ashtu ndodhi.

"Ali Ahmeti thotë se është pajtuar me Presidentin Mickoski një vit më parë për të mbajtur zgjedhje të parakohshme, por nuk po e thotë të vërtetën për takimin në zyrën time, ku i ofroi të bashkohej me Qeverinë, pa kërkuar kryetarin e Kuvendit dhe duke pranuar një vend ministror më pak se sa kërkonte Vlen, vetëm për të qenë pjesë e së njëjtës qeveri. Por ne mbetëm të palëkundur në atë që ishte një mesazh nga populli - se BDI duhet të kalojë në opozitë. Herën tjetër, para se të thotë gënjeshtra, le ta mendojë me kujdes dhe të jetë i përgatitur që ne do ta themi të vërtetën", u shpreh Stojanoska.

Ndaj kësaj deklarate reaguan nga BDI, duke thënë se Ali Ahmeti nuk ka pasur as takime e as pazare për tu bërë pjesë e Qeverisë.

"Deklarata e deputetes Dafina Stojanovska duket më shumë si një përzierje kujtimesh sesa si një fakt politik. Në gjithë atë lëvizje mes dhjetra banesave që ajo i posedon duket se është ngatërruar se kush ka qenë me kë dhe ku. Një gjë është e sigurt: Ali Ahmeti nuk ka pasur asnjë takim me të, as dhe nuk ka pasur kurrë oferta për hyrje në Qeveri apo pazare politike. Çdo gjë tjetër është përpjekje për sensacion, jo për të vërtetën", deklaruan nga BDI.

Kritikat dhe akuzat ndërmjet pushtetit dhe opozitës filluan sot pasi me shumicë prej 81 votash u miratua aktivizimi i sistemit "Safe City", që do të gjobisë shkelësit e rregullave në komunikacion nga data 1 shkurt.

Për këtë ligj pati reagime të ashpra nga opozita shqiptare, duke e cilësuar ligjin si harxhime shtesë për qytetarët dhe sistemin si antikushtetues dhe diskriminues, pasi i njejti momentalisht do të zbatohet vetëm në tre qytete dhe jo në gjithë territorin e vendit. /Telegrafi/

PDE e Arjanit Hoxhës shkrihet në BDI



Partia Demokratike Evropiane e Arjanit Hoxhës tashmë do të funksionojë si pjesë përbërëse e Bashkimit Demokratik për Integrim, informon Telegrafi Maqedoni.

Kështu informuan nga BDI duke dhënë detaje nga takimi i kryetarit të partisë, Ali Ahmeti me Arjanit Hoxhën.

"Duke u nisur nga thirrja publike e Bashkimit Demokratik për Integrim për bashkimin e partive politike që ndajnë të njëjtin vizion për përfaqësimin dinjitoz dhe të ardhmen politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, sot u zhvillua një takim zyrtar mes Kryetarit të BDI-së, z. Ali Ahmeti, dhe Kryetarit të Partisë Demokratike Evropiane, z. Arjanit Hoxha.Takimi u zhvillua në frymë konstruktive dhe vullnet të ndërsjellë për bashkëpunim politik, me theks të veçantë në nevojën për unifikimin e faktorëve politikë shqiptarë rreth një platforme të përbashkët që garanton stabilitet, përfaqësim të fuqishëm institucional dhe avancim të proceseve euro-integruese të vendit.Palët u dakorduan që në të ardhmen të funksionojnë si një subjekt i vetëm politik në kuadër të Bashkimit Demokratik për Integrim si partia më e konsoliduar dhe e organizuar shqiptare në vend duke i bashkuar kapacitetet organizative, programore dhe njerëzore, në shërbim të interesit të përgjithshëm të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut", thuhet në komunikatën e BDI-së.

Nga BDI njoftojnë se zyrtarizimi i këtij vendimi, si dhe detajet organizative dhe procedurale të integrimit, do të bëhen publike pas miratimit formal nga Këshilli i Përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim, duke shtuar se të dyja palët shprehin bindjen se ky bashkim do të shërbejë si model i përgjegjësisë politike dhe i unitetit, në funksion të interesit qytetar dhe perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut. /Telegrafi/

Qoku: Projekti "Safe City" mbron qytetarët, Ali Ahmeti nuk e ka në kontroll grupin parlamentar



Koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it Bekim Qoku, pas votimit të Ligjit për kundërvajtje në Kuvend, tha se me këto ndryshime nga 1 shkurti do të nis zbatimi i projektit "Safe City".

Qoku tha se ky projekt mbron qytetarët dhe se për VLEN-in jeta e njerëzve nuk ka çmim, njofton Telegrafi Maqedoni.

"Ligji për kundërvajtje, u miratua sot në Kuvend me dy të tretat e votave, që do të thotë se nga 1 shkurti projekti Safe City do të fillojë të zbatohet. Ky projekt mbron qytetarët. Për VLEN jeta e njerëzve nuk ka çmim dhe nuk mund të bëhet matematike për pazare politike".

"Megjithatë, nuk mund të mos theksojmë tradhtinë e BDI-së. Ata premtuan se do ta mbështesin këtë ligj, ndërsa sot dolën kundër. Ky qëndrim i tyre tregon se Ali Ahmeti nuk ka në kontroll grupin e vet parlamentar dhe se vendimmarrja e tyre nuk ka lidhje me interesin publik. BDI tentoi ta kushtëzojë këtë vendim me Badenter dhe nuk i ecën këto pazare", tha Qoku./Telegrafi/

BDI vendos: Nuk do ta votojmë ligjin për "Safe City"



Bashkimi Demokratik për Integrim ka vendosur që mos ata votojë sot propozim ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kundërvajtje, ligj ky që duhet të hyjë në fuqi, që të mund të fillojë funksionimi i sistemi “Safe City” nga 1 shkurti.

Koordinatorja e grupit parlamentar të Frontit Evropian (BDI), Rina Ajdari për TV21 tha se nuk do të votojnë, ndërsa adresoi disa kërkesa për ndryshime.

Kujtojmë se ligji në fjalë kërkon mbështetja me shumicë prej dy të tretash në Kuvend. Paraprakisht, edhe LSDM ka paralajmëruar se nuk do të votojë për ndryshimet e Ligjit.

BDI: Politikat tatimore të qeverisë po rrjepin qytetarët dhe po krijojnë pasiguri juridike



Bashkimi Demokratik për Integrim ka dalë me reagim pas protestave të qytetarëve, të cilët shprehën revoltën ndaj Drejtorisë së të Ardhurave Publike, e cila u kërkon të paguajnë tatim për rrogat që i kanë marrë jashtë vendit, gjegjësisht gjatë punës në vendet ku ka pasur konflikte.

Nga BDI thonë se "politikat e padrejta dhe represive tatimore të qeverisë aktuale, po godasin drejtpërdrejt qytetarët tanë, veçanërisht ata që kanë punuar jashtë vendit në kushte të rënda dhe të rrezikshme. Protestat para Drejtorisë së të Ardhurave Publike janë dëshmi e qartë e dështimit institucional dhe e një politike tatimore të verbër, që përmes tatimeve retroaktive po u vendos barrë të padrejtë financiare qytetarëve që për vite me radhë kanë siguruar ekzistencën e familjeve të tyre dhe kanë kontribuar në ekonominë e vendit".

"Është e papranueshme që qytetarë që kanë punuar në misione ndërkombëtare në Irak, Afganistan, si dhe në vendet e tjera, shpesh duke rrezikuar jetën, sot të trajtohen si objekt për mbushjen e arkës shtetërore. Edhe më skandaloze është mosnjohja e statusit të jorezidentit tatimor, pavarësisht dëshmive të qarta ligjore dhe faktit se shumica e tyre kanë qëndruar mbi 183 ditë jashtë vendit".
"Kjo qeveri, përmes DAP-it, po krijon pasiguri juridike, po injoron ligjin dhe po e shndërron tatimin në mjet ndëshkimi. Qytetarët nuk janë kundër tatimeve, por janë kundër grabitjes, padrejtësisë dhe vendimeve retroaktive që cenojnë dinjitetin dhe sigurinë e tyre ekonomike", thonë nga BDI.

BDI kërkon pezullim të menjëhershëm të vendimeve tatimore me efekt retroaktiv, njohje të plotë të dokumentacionit për statusin e jorezidentit dhe transparencë dhe qartësi institucionale.

"Qeveria duhet të ndalë politikat që rrjepin qytetarët dhe ta kuptojë se shteti nuk ndërtohet duke ndëshkuar ata që kanë sakrifikuar. BDI do të vazhdojë të jetë zëri i qytetarëve dhe të kundërshtojë çdo politikë që cenon drejtësinë sociale dhe dinjitetin njerëzor", thonë nga BDI.

VLEN: Hipokrizi dhe ironi që BDI flet për korrupsion dhe Transparency International



VLEN ka reaguar pas akuzave nga BDI në lidhje me raportin e Transparency International për korrupsionin në vend. Nga VLEN thonë se është ironi e pastër që BDI/AKI flet për korrupsion.

"Për një moment menduam mos ua ka thyer dikush faqen, sepse është e pabesueshme që pikërisht partia që e çoi Maqedoninë e Veriut në pozitat më të ulëta historike në Transparency International sot del të na japë leksione. Partia me disa persona non grata për korrupsion sot mban ligjërata për Transparency International".

"Nëse BDI ka harruar, opinioni nuk ka pse harron. Në kohën e tyre vendi zbriste deri në pozitat 104–111 dhe flitej hapur për kapje shteti, për një sistem ku korrupsioni u bë kulturë qeverisjeje. Produkt i qeverisjes së tyre është Gjoko Ristov, i kapur me 350 mijë euro. Produkt i BDI-së është edhe Enver Bexheti, non grata, gjykatësi që me urdhër të Artan Grubit hapte dyer e mbyllte dosje, deri sa e nxori Sasho Mijallkovin nga burgu me para".

"Korrupsioni nuk po lind sot. Por, sot vetëm po çahet ombrella që i mbante të paprekshëm. Dhe sa më shumë të dalin këto fakte, aq më shumë do ta kuptojë opinioni pse BDI ka nevojë të bërtasë dhe të mbetet në opozitë", thonë nga VLEN./Telegrafi/

BDI: Maqedonia e Veriut 12 vende më poshtë në indeksin e korrupsionit, dështim i qeverisë dhe rrezik për sigurinë e shtetit



BDI shpreh shqetësim të thellë lidhur me përkeqësimin serioz, për siç thonë, të gjendjes në luftën kundër korrupsionit dhe degradimin institucional në vend.

"Sipas raportit më të fundit të Transparency International, Maqedonia e Veriut ka shënuar rënie prej 12 vendeve në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2024, duke u renditur në vendin 88 nga 180 shtete, me vetëm 40 pikë. Kjo rënie drastike është tregues i qartë i humbjes së besimit publik dhe ndërkombëtar ndaj institucioneve shtetërore.

Si opozitë, vlerësojmë se kjo qeveri jo vetëm që ka dështuar të luftojë korrupsionin, por me veprimet e saj e ka normalizuar atë.
Alarmante janë edhe të dhënat nga Fakulteti i Sigurisë, sipas të cilave çdo i treti qytetar ose një anëtar i afërt i familjes së tij ka pasur kontakt me një zyrtar të korruptuar. Ky fakt nuk është më vetëm çështje morale apo administrative, por, siç u theksua edhe nga ekspertët, korrupsioni sistemik përbën kërcënim serioz për sigurinë e shtetit, pasi paralizon institucionet dhe minon funksionimin e rendit demokratik.

Paralelisht me këtë dështim institucional, shumica parlamentare ka miratuar Ligjin për Kontrollin e Emetimeve Industriale, i cili, sipas organizatës “Green Humane City”, hap rrugë për skandale të reja mjedisore. Ky ligj u jep industrive të drejtën që, nën arsyetimin e “sekretit tregtar”, të fshehin nga qytetarët informacion jetik për llojin e mbetjeve që digjen në fabrikat e tyre. Me këtë ligj, qytetarëve u mohohet e drejta themelore për të ditur nëse po rrezikohet shëndeti i tyre dhe ambienti ku jetojnë", thonë nga BDI.
Nga BDI vlerësojnë se korrupsioni po thellohet dhe po shndërrohet në normë; siguria shtetërore dhe besimi qytetar po dëmtohen rëndë; transparenca dhe mbrojtja e mjedisit po sakrifikohen në favor të interesave të ngushta ekonomike./Telegrafi/

BDI: Tre muaj pas zgjedhjeve, Çairi në kaos dhe mashtrime



BDI në një kumtesë për media thotë e tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale, në Komunën e Çairit asnjë nga premtimet e Izet Mexhitit nuk është realizuar, madje nuk ka nisur as edhe një punë e vetme konkrete në terren.

"Para zgjedhjeve, qytetarëve të Çairit iu premtua zhvillim, investime, projekte infrastrukturore, arsim i mirëfilltë, pastërti, përmirësim i jetës së përditshme e çka jo. Sot, pas tre muajsh qeverisjeje lokale, realiteti është krejtësisht i kundërt: premtime boshe, mashtrim elektoral dhe mungesë totale veprimi".

"Sot, asnjë shkollë nuk është renovuar, nuk ka asnjë investim të dukshëm në terren, Çairi vazhdon të ketë mbeturina gjithandej, ndërsa ka humbur fuqia e shqiptarëve në ndërmarrjet e Qytetit të Shkupit. Ajri mbetet i ndotur, ndërsa rrugët gjithë baltë dhe gropa të pakalueshme, të hapura para zgjedhjeve dhe që, edhe pas tre muajsh, nuk janë mbyllur. Kjo nuk është qeverisje, por menaxhim i dështuar dhe mashtrim ndaj qytetarëve".

"Situata është po aq alarmante edhe brenda administratës komunale. Komuna funksionon pa kryetar gjatë pjesës më të madhe të ditës, pasi Izet Mexhiti, si gjithmonë, shfaqet vetëm pasdite, duke e trajtuar udhëheqjen e komunës si çështje dytësore. Kjo mungesë përgjegjësie reflektohet drejtpërdrejt në kaosin institucional dhe mungesën e vendimmarrjes".

"E vetmja “arritje” që mund të evidentohet në këto tre muaj është emërimi në post drejtori i shefit të Shtabit zgjedhor, njëherësh dhëndër i tij, Besim Koka. Ky veprim është dëshmi e qartë se prioriteti i Izet Mexhiti nuk janë qytetarët, por nepotizmi dhe interesat e ngushta personale", thonë nga BDI.

Ademi: Ahmeti dhe Mickoski do të diskutojnë zgjedhjen e qeverisë me Badenter



Takimi midis liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, dhe kryeministrit Hristijan Mickoski ende nuk është rënë dakord, tha sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi.

Ademi për "24 Analiza" tha se Ahmeti do të hapë kërkesat kryesore të kongresit të BDI-së me Mickoskin në takim: zgjedhja e një qeverie me Badenter dhe Badenter në vendimet e Gjykatës Kushtetuese për ligje me shumicë të dyfishtë.

"Këto dy propozime janë për të mirën e të gjithë qytetarëve dhe për forcimin e natyrës unitare të shtetit. Ato absolutisht burojnë nga Kushtetuta. BDI nuk po heq dorë nga zgjedhjet parlamentare, por së pari duhet të ndërhyjmë në ligjin për qeverinë në mënyrë që të mos ketë përfaqësues jolegjitimë të shqiptarëve", tha Ademi.

Ademi kritikoi gjithashtu qëndrimin e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, se nëse Badenter hyn në gjykatë, Gjykata Kushtetuese duhet të mbyllet.

"Darko Kostadinovski është një ushtar partie, që kur u bë kryetar i Gjykatës Kushtetuese ai ka ngritur të gjitha rastet e ndjeshme etnike. Njerëz si ai me pikëpamjet e tij shkaktuan vitin 2001", tha Ademi.

Ai tha se nuk ka marrëveshje as për ligjin "Safe City" dhe as për Avokatin e Popullit.

Ademi i dërgoi një mesazh edhe Venko Filipçes, i cili tha se të gjithë ata që ulen në tryezë me Mickoskin mbështesin kriminelët.

“Nëse Filipçe u ndie kështu kur u takua me Mickoskin në mënyrë sekrete në qeveri pas aksidentit në Koçan, kjo nuk do të thotë që edhe ne duhet të ndihemi kështu”, thotë Ademi./Telegrafi/

Partia e Arjanit Hoxhës i bashkohet BDI-së



Partia e Arjanit Hoxhës PDE sot ka marrë vendim që të pranojë ftesën e BDI-së për t'u bërë pjesë e saj.

"Kuvendi Qendror i Partisë Demokratike Evropiane, në mbledhjen e mbajtur sonte, shqyrtoi ftesën e Bashkimit Demokratik për Integrim për sa bashkimit të forcave politike në kuadër të një formacioni politik.

Duke konsideruar momentumin politik si të rëndësishëm për sa i takon unifikimit politik sa më të madh të shqiptarëve si dhe për të artikuluar sa më fuqishëm në kuadër të një zëri politik sidomos pas Kongresit të BDI-së, ndryshimeve të ndodhura dhe rezolutave të sjella, Kuvendi Qendror i Partisë Demokratike Evropiane vlerëson se duhet t’i jepet shans një bashkimi në kuadër të një partie politike që do të vazhdoje të jetë zëri kryesor i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Kuvendi Qendror autorizoi kryetarin e partisë për të vijuar bisedimet me kryetarin e BDI-së dhe për të gjetur formën dhe modelin më të mirë për përmbylljen këtij procesi", thuhet në njoftimin e PDE-së./Telegrafi/

Taravari: Nuk kemi asgjë të përbashkët me BDI-në



“Nuk kemi asgjë të përbashkët me BDI-në”, kjo ishte përgjigja e Taravarit për thirrjen e BDI-së për t’u bashkangjitur në parti.

Taravari tha se nuk kanë asgjë të përbashkët me BDI-në pasi kjo e fundit është parti e majtë dhe ASH-ja është e djathtë, por pavarësisht kësaj, Taravari tha se duhet të vazhdojë bashkëpunimi me BDI-në, sipas tij, deri në hapjen e negociatave me BE-në.

Ai foli edhe për VLEN-in, duke thënë se ata nuk do të bëhen parti.

“Kjo që na ndodhi neve, ASH-së me VLEN-in, tash është duke i ndodhur Billall Kasamit”, tha në Click Plus Arben Taravari duke e parashikuar largimin e Lëvizjes Besa nga VLEN. Siç tha Taravari, u akuzua se ishte pengesë për bashkimin e VLEN-it, por shtoi se, që nga fundi i majit të vitit të kaluar u tha se VLEN do të shndërrohet në pari që nuk është bërë./TV21/

Ahmeti: Mbështesim propozimin për një njësi zgjedhore, për Qeverinë teknike duhet të konsultohemi me BE-në dhe SHBA-të



Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, pas takimit të liderëve në konferencë për shtyp tha se ai është pajtuar që të ketë një njësi zgjedhore, ndërsa në lidhje me qeverinë teknike, Ahmeti tha se duhet të ketë konsultime me BE-në dhe SHBA-të.

"Kemi diskutuar për anëtarësimin e vendit në BE, çështje për të cilën të gjithë duhet të angazhohemi me përkushtim të madh. Kryeministri referoi për takimet që ka pasur me autoritetet evropiane, me çka ne mbetemi të përkushtuar për të ndihmuar të gjindet zgjidhje sa më e shpejtë, me qëllim që vendi ynë të zë vendin e merituar në BE".

"Sa i përket qeverisë teknike qëndrimi ynë është që duhet të konsultohemi dhe me bashkautorët e sjelljes së këtij ligji, Bashkimin Evropian dhe SHBA-të", tha Ahmeti.

"Gjithashtu diskutuam se duhet të bëhen konsultime shtesë për Kodin Zgjedhor, me çka ne pajtohemi që të ketë një njësi zgjedhore. Kam pika tjera për të cilat duhet t'i diskutoj me kryeministrin Hristijan Mickoski në një takim tjetër", tha Ahmeti. /Telegrafi/

BDI: Ali Ahmeti do të merr pjesë në takimin e liderëve



Bashkimi Demokratik për Integrim njofton se sot, Ali Ahmeti, ka konvokuar mbledhjen e dytë të Këshillit të Përgjithshëm. Siç njoftojnë nga BDI, në këtë mbledhje u diskutua gjerësisht mbi zhvillimet aktuale politike në vend, raportet dhe marrëdhëniet me partitë e tjera politike, si dhe mbi takimin e paralajmëruar të liderëve politikë.

"Këshilli i Përgjithshëm, me unanimitet të plotë, vendosi që Kryetari Ali Ahmeti të marrë pjesë në takimin e liderëve, duke dëshmuar edhe një herë se Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet një parti politike serioze, e përgjegjshme dhe shtetformuese, e cila kultivon vazhdimisht dialogun politik dhe angazhohet për ndërtimin e konsensusit rreth çështjeve thelbësore politike dhe ekonomike të vendit. Në kuadër të kompetencave të tij statutore, Kryetari Ahmeti do të ketë në ekskluzivitetin e tij hapjen dhe trajtimin e temave që janë jetike dhe strategjike për vendin, që kanë të bëjnë me perspektivën evropiane, stabilitetin politik dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik".

"Njëkohësisht, Këshilli i Përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim u bën thirrje të gjitha partive politike në vend që janë të përafërta me vizionin e BDI-së, si dhe kapaciteteve intelektuale, shoqërore dhe profesionale, që t’i bashkëngjiten Bashkimit Demokratik për Integrim dhe të bëhen pjesë e formacionit tonë politik".

"BDI mbetet e hapur për inkorporimin dhe absorbimin e gjithë potencialit intelektual dhe politik në vend, me qëllim avancimin e politikave dhe vizionit që janë në interes të shtetit dhe të të gjithë qytetarëve pa dallim", thonë nga BDI./Telegrafi/

Ali Ahmeti emëron kryetarët e degëve në Kërçovë, Vrapçisht, Prespë dhe Karposh



Nga BDI njoftojnë se sot kryetari i saj, Ali Ahmeti ka emëruar kryetarët e degëve në Kërçovë, Vrapçisht, Prespë dhe Karposh.

"Për kryetarë dege në Kërçovë është emëruar Arlind Sejdini, në Vrapçisht-Evzal Arsllani, në Prespë-Arjan Muedini dhe në Karposh-Hamza Jashari", njoftojnë nga BDI.

Po ashtu, sqarojnë nga atje, se Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm diskutoi edhe rreth takimit të liderëve politikë, me ç’rast u vendos që çështja e pjesëmarrjes apo jo në këtë takim të shqyrtohet dhe të vendoset nesër, në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Përgjithshëm./Telegrafi/

❌