Pas rinumërimit, Fikrim Damka nga partia e turqve “KDTP”, është i vetmi që e ka humbur mandatin e deputetit.
Koordinatorja Nacionale e Zgjedhjeve në Prokurorinë e Shtetit, Laura Pula, tha se Damka gjithsesi duhet të intervistohet në rastin ku dyshohet se ka pasur manipulime të votave.
“Me siguri që po [që duhet të intervistohet]”, ka thënë Pula.
“Gjithsesi. Unë sa e di, e kemi vetëm një rast që një deputet e ka humbur mandatin, edhe është ky deputet [Fikrim Damka]. Nuk e kam vërejtur që ka mandate të humbura për deputetë të tjerë, pavarësisht tendencave që t’iu rrisin numrin e votave me qindra a mijëra, prapë nuk kanë arritur kuotën e saktë nga vendi prej nga vijnë për me u ba deputetë”.
“Prandaj, është i vetmi ky kandidat që e ka humbur mandatin e deputetit dhe pa mëdyshje që duhet të intervistohet”, tha Pula në Klan Kosova.
“Të jemi të qartë, kjo është çështje ekskluzive e Kryeprokurorit të Prokurorisë përkatëse për ta vazhdu hetimin deri në fund”.
34 kryesues të Qendrave Komunale të Numërimit (QKN) në rajonin e Mitrovicës janë ndaluar për 48 orë, pas intervistimit në stacionin policor, nën dyshimet për manipulim të votave.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.
Ai bëri të ditur se hetimet po zhvillohen në disa komuna të rajonit.
Më herët gjatë ditës, Prokuroria Themelore në Mitrovicë kishte njoftuar se do të intervistojë gjithsej 43 kryesues të QKN-ve në Mitrovicë Jug, Mitrovicë Veri, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, për shkak të dyshimeve për manipulim të votave gjatë procesit zgjedhor.
Sipas Prokurorisë, hetimet janë iniciuar pas parregullsive të evidentuara gjatë procesit të rinumërimit të votave.
Ditëve të fundit, autoritetet në Kosovë kanë intervistuar qindra njerëz nëpër komuna të ndryshme, dhe kanë ndaluar dhjetëra, nën dyshimet e njëjta.
Përgjatë procesit të rinumërimit, votat për disa kandidatë ndryshuan, me raste deri në 6 mijë për një individ - ndërsa ato për partitë nuk u cenuan.
Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, manipulimi i qëllimshëm i votës apo i rezultatit zgjedhor përbën vepër penale dhe dënohet me burgim deri në pesë vjet. /Telegrafi/
Në stacioni Policorë Mitrovicë-Veri janë duke u bërë intervistime për shkak të dyshimit për manipulim të numërimit të votave në zgjedhjet e 28 dhjetor 2025.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin zëvendësdrejtori për rajonin e Veriut, Veton Elshani.
"Po që nga mëngjesi ka filluar intervistimi. Më shumë informacione, drejtohuni tek Prokuroria", tha Elshani.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë janë 43 persona që do të intervistohen për shkak të dyshimit për manipulim të votave në komunat e Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok, Mitrovicë Veri dhe Mitrovicë Jug.
Ditëve të fundit, autoritetet në Kosovë kanë intervistuar qindra njerëz nëpër komuna të ndryshme, dhe kanë ndaluar dhjetëra, nën dyshimet e njëjta.
Përgjatë procesit të rinumërimit, votat për disa kandidatë ndryshuan – me raste deri në 6 mijë për një individ – ndërsa ato për partitë nuk u cenuan.
Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, çdo manipulim i qëllimshëm i votës apo rezultatit zgjedhor përbën vepër penale dhe dënohet me deri në pesë vjet burgim. /Telegrafi/
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se ka urdhëruar intervistimin e 43 kryesuesve të Qendrave Komunale të Numërimit nga komunat Mitrovicë Jug, Mitrovicë Veri, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Këto intervista po zhvillohen për shkak të dyshimeve për manipulim të numërimit të votave gjatë zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025.
Autoritetet theksojnë se qëllimi i këtyre veprimeve është mbrojtja e votës së lirë të qytetarëve dhe garantimi i integritetit të procesit zgjedhor.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuar në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe trajtimit të çdo rasti të dyshuar, me synimin e mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit”, thuhet në njoftim.
Rinumërimi i votave u krye pas dyshimeve për manipulime të kandidatëve për deputetë.
Gjatë këtij procesi, votat për disa kandidatë ndryshuan, në disa raste deri në 6 mijë për një individ, ndërsa votat për partitë mbetën të pandryshuara.
Autoritetet e zbatimit të ligjit kanë intervistuar qindra persona, kanë ndaluar dhjetëra dhe po vazhdojnë hetimet.
Përveç Prizrenit, Malishevës hetime po kryhen edhe në Ferizaj, Pejë dhe Drenas. /Telegrafi/
Kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka ka reaguar pas rezultateve zyrtare të shpallura nga Komisioni Qendror Zgjedhor (MSK).
Damka përmes një postimi në rrjetin social në Facebook i uroi suksese për mandatin e deputetit Fatma Taçit dhe Ergul Mazrekut.
Ai beson se Taçi dhe Mazreku do të paraqesin një përfaqësim të fortë në Kuvend në përputhje me të drejtat dhe përfitimet e shoqërisë turke.
"Përgëzoj përzemërsisht Ergul Mazrekun dhe Fatma Taçin që u zgjodhën deputet nga partia jonë sipas rezultateve zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (MSK). I uroj suksese në këtë përgjegjësi të rëndësishme dhe të lartë që po ndërmarrin; sinqerisht besoj se do të vendosin përfaqësim të fortë në përputhje me të drejtat dhe përfitimet e popullit tonë. Parimi themelor që gjithmonë e kemi mbrojtur si Parti Demokratike Turke e Kosovës është përfaqësimi i fuqishëm i vullnetit të popullit tonë nën një kulm partiak në Kuvend. Në këtë drejtim, ne e kemi konsideruar si parim të domosdoshëm që dy deputete nga partia jonë të marrin pjesë në Kuvend dhe të sigurojnë se përfaqësimi i femrës është i garantuar", ka thënë Damka.
Sipas tij, lufta e tyre zhvillohet mbi parime dhe jo mbi individë.
"Përfaqësim i fortë, përfaqësim i drejtë dhe strukturë politike në të cilën pjesëmarrja aktive e grave në politikë ka qenë gjithmonë prioritet për ne; dhe do të vazhdojë të jetë prioritet në vazhdim. Shpresoj që mandati i ri legjislativ të jetë i dobishëm për popullin, shoqërinë dhe vendin tonë.Damka duke theksuar se parimi thelbësor i KDTP-së është që vullneti i shoqërisë turke të përfaqësohet fuqishëm nën kulmin e një partie në Kuvendin e Kosovës, tha se në këtë kuadër dy deputete nga partia duhet të marrin pjesë në Kuvend dhe të sigurojnë përfaqësimin e femrës parim i domosdoshëm", ka shkruar Damka. /Telegrafi/
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025 për Kuvendin e Kosovës.
Anëtarët e KQZ-së i kanë miratuar listat e kandidatëve të të gjitha partive, përveç asaj të Listës Serbe. Tre anëtarë kanë votuar për, dy kundër nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe anëtarët tjerë kanë abstenuar.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi ka treguar se nga sa ulëse kanë fituar partitë politike në Kuvendin e Kosovës.
Ai njoftoi se Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar 51.10 për qind të votave, apo 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, 20.19 për qind të votave apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës, 13.24 për qind të votave apo 15 ulëse, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 5.50 për qind të votave apo gjashtë ulëse.
Ndërkaq, nga ulëset e rezervuara për minoritetin serb, nëntë ulëse i ka fituar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, dhe një ulëse, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Ndërkaq, lidhur me çështjen e KTDP-së në diskutim u përfshi edhe Sami Kurteshi nga LVV-ja.
Ai tha se zgjedhja e dy kandidatëve për deputet nga KTDP-ja është e jashtëligjshme dhe nuk do ta votojë.
Ndërsa kryetari i KQZ, Radoniqi tha se këtë çështje e kanë biseduar dhe më herët dhe palët mund të bëjnë ankesë pas shpalljes së rezultateve.
“Sa i përket çështjes së KTDP e kemi diskutuar këtë çështje, po ligji thotë, por sipas meje dhe Kushtetueses kemi të bëjmë me dy ulëse, ku në Kuvend kërkohet plotësimi i kuotës gjinore. Këtë çështje e ka trajtuar Kushtetuesja në një vendim të kaluar. Propozoj që pas shpalljes këtë çështje ta ushtroni me ankesë...pjesa tjetër i mbetet KTDP në PZAP”, tha Radoniqi. /Telegrafi/
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se sot do të shpallen rezultatet nga zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025.
Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi për media nga KQZ-ja.
“Ju njoftoj se sot (e shtunë, 31.01.2026, ora 10:00) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës me rendin e ditës të cilin e gjeni të bashkangjitur. Hyrje: Kreshnik Radoniqi, Kryesues i mbledhjes së KQZ-së; 2. Shpallja e rezultateve përfundimtare për Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës, së Kosovës, të mbajtura me datën 28.12.2025. 3. Të ndryshme”, thuhet në njoftim.
Mbledhja e KQZ-së do të jetë e hapur për publikun dhe mediat.
Ndryshe, që nga mbajtja e zgjedhjeve më 28 dhjetor 2025, autoritetet e zbatimit të ligjit kanë zhvilluar intervista me qindra persona, kanë ndaluar dhjetëra të tjerë dhe kanë vazhduar hetimet nën dyshimet për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë në disa komuna të vendit.
Si pasojë e këtyre dyshimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mori vendim për rinumërim të plotë të votave për kandidatët në të gjitha komunat e Kosovës, ndërsa votat për subjektet politike nuk u përfshinë në këtë proces dhe mbetën të pandryshuara.
Megjithë parregullsitë dhe vjedhjet e votave brenda partive politike, ndarja e mandateve të deputetëve për subjektet politike ka mbetur e njëjtë, pa ndryshime në përbërjen e përgjithshme të Kuvendit.
Deri më tani, pasojat konkrete nga këto manipulime kanë rezultuar vetëm me largimin nga Kuvendi të deputetit të komunitetit turk, Fikrim Damka, vendi i të cilit është zëvendësuar nga bashkëpartiaku i tij, Ergul Mazrek.
Sipas hetimeve, manipulimi i votave dyshohet se është kryer në dy forma kryesore: përmes shtimit të votave drejtpërdrejt në sistem nga numëruesit, në rastet kur qytetarët kanë votuar më pak se 10 kandidatë, si dhe përmes transferimit të votave nga një kandidat tek tjetri brenda së njëjtës parti politike.
Këto parregullsi kanë çuar në nisjen e hetimeve në disa komuna, ku një numër komisionarësh dhe vëzhguesish kanë përfunduar në paraburgim, ndërsa prokuroria ende nuk ka ftuar për intervistim deputetët emrat e të cilëve kanë spikatur me dallime të mëdha votash, megjithëse nuk është përjashtuar mundësia që edhe ata të përfshihen në procedurat hetimore në vijim. /Telegrafi/
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka përmbyllur procesin e monitorimit të ofruesve të shërbimeve mediale audiovizuale (OSHMA) të cilat kanë mbuluar fushatën e Zgjedhjeve të Parakohshme 2025.
Sipas njoftimit për media bëhet e ditur se monitorimi ka pasur për qëllim vlerësimin e performancës së OSHMA-ve në pajtim me Kreun VIII “Mediat gjatë fushatës së zgjedhjeve” të Ligjit Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Rregulloren KPM-2024/03 për Obligimet e Ofruesve të Shërbimeve Mediale gjatë Fushatës Zgjedhore.
"Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare u mbajtën më 28 dhjetor 2025, ndërsa fushata zgjedhore zgjati nga data 17 deri më 28 dhjetor 2025 (ora 07:00), para hapjes së vendvotimeve. Në zgjedhje morën pjesë 24 subjekte politike të certifikuara (SCP), prej të cilave 19 parti politike, 2 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur".
Po ashtu siç thuhet në raport: "Zyra Ekzekutive e KPM-së, para fillimit të fushatës, hartoi Planin e Veprimit për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare 2025 në Republikën e Kosovës, i cili përcaktoi aktivitetet e Zyres Ekzekutive të KPM-së në përputhje me mandatin ligjor të përcaktuar me Ligjin Nr. 04/L-44 për KPM-në, Ligjin Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Rregulloren KPM-2024/03 për obligimet e ofruesve të shërbimeve mediale gjatë fushatës zgjedhore".
Në raport shpjegohet se periudha para fushatës përfshiu aktivitete të KPM-së për komunikim dhe sensibilizim të të licencuarve, me qëllim njoftimin e tyre mbi detyrimet gjatë procesit zgjedhor.
"Gjatë kësaj kohe, KPM organizoi dy takime me të licencuarit për të diskutuar mbi procesin zgjedhor, përkatësisht detyrimet e mediave sipas Ligjit Nr. 08/L-228 dhe akteve nënligjore të KPM-së, duke përfshirë veçanërisht Rregulloren e re të KPM-së 2024/03, lidhur me obligimet e ofruesve të shërbimeve mediale gjatë fushatës.
Gjatë fushatës zgjedhore dhe deri në mbylljen e vendvotimeve, KPM monitoroi dhe vlerësoi pajtueshmërinë e të licencuarve me legjislacionin në fuqi dhe identifikoi shkeljet e mundshme. Për shkak të mungesës së kuorumit të Komisionit të KPM-së, nuk u mor asnjë vendim për shkeljet e konstatuara nga Zyra Ekzekutive. Periudha paszgjedhore u fokusua në përgatitjen e raportit preliminar dhe atij përmbledhës, që reflekton veprimet e KPM-së dhe gjetjet e monitorimit të të licencuarve gjatë fushatës".
Tutje në raport thuhet se në përgjithësi, OSHMA-të e përfshira në monitorim ofruan hapësirë dhe mbuluan kryesisht aktivitetet zgjedhore të subjekteve politike LVV, PDK, LDK dhe AAK.
"Ndërkaq, subjekteve të tjera të certifikuara nuk u ofrua mundësia e njëjtë për hapësirë “pa pagesë” gjatë fushatës, për çka Zyra Ekzekutive e KPM-së ka njoftuar OSHMA-të dhe i ka udhëzuar të veprojnë në pajtim me Rregulloren KPM-2024/03. Gjatë periudhës monitoruese, shkeljet më të zakonshme të konstatuara përfshinë: mosidentifikim të duhur të reklamimit politik, përfshirje dhe përdorim të fëmijëve në spote politike, sponsorizim të emisioneve politike, reklamim me ekran të ndarë, vendosje të produkteve në emisione të çështjeve aktuale dhe shkelje të heshtjes zgjedhore", thuhet në raportin e KPM-së. /Telegrafi/
Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes Departamentit për Krime të Rënda, ka njoftuar se po e ndjek me vëmendje të plotë procesin e rinumërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Sipas njoftimit, gjatë procesit të rinumërimit janë vërejtur dyshime për mospërputhje në rezultatet e kandidatëve për deputet pas përfundimit të numërimit të votave në komunën e Obiliqit.
Në këtë kontekst, Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës që të nisë hetime paraprake, me qëllim të verifikimit të saktësisë së rezultateve dhe të përcaktimit nëse ka pasur shkelje të mundshme nga persona përgjegjës.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe në trajtimin e çdo rasti të dyshuar, me synim ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimin e ligjit. /Telegrafi/
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se çështja e presidentit apo presidentes së ardhshme do të trajtohet vetëm pasi të përmbyllen disa hapa të rëndësishëm institucionalë, duke theksuar se takimi me presidenten përbën hapin e katërt në këtë proces.
Në një prononcim për media, Kurti sqaroi se pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve dhe trajtimit të të gjitha ankesave të mundshme, vendi duhet të kalojë nëpër tri faza paraprake.
“Ndërkaq, sa i përket takimit me presidenten, jemi në komunikim dhe jemi takuar, por ta keni parasysh se ai do të jetë hapi i katërt. Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve dhe trajtimit të të gjitha ankesave të mundshme, kemi nevojë për tre hapa paraprakë. I pari, konstituimi i Kuvendit, që nënkupton zgjedhjen e kryetares apo kryetarit dhe të pesë nënkryetarëve, pastaj formimi i qeverisë dhe pastaj na duhet që menjëherë të fillojmë me vendimet për marrëveshjet ndërkombëtare. Kemi tri marrëveshje me Bankën Botërore dhe kemi planin e rritjes së BE-së, i cili është në shumën e gjithëmbarshme prej 882.6 milionë euro, ku rreth 30 për qind janë grante, ndërkaq 70 për qind janë kredi”, theksoi ai.
Duke folur për raportet me opozitën, kryeministri nënvizoi se Lëvizja Vetëvendosje ka marrë një mbështetje të madhe nga qytetarët, çka sipas tij përbën një përgjegjësi të lartë për formimin e Qeverisë së re.
Megjithatë, ai theksoi se për çështje që kërkojnë shumicë të cilësuar në Kuvend, si marrëveshjet ndërkombëtare dhe zgjedhja e presidentit apo presidentes, bashkëpunimi me opozitën është i domosdoshëm.
“Unë besoj që në raport me opozitën, te marrëveshjet ndërkombëtare, por edhe te konstituimi i Kuvendit dhe formimi i qeberisë, do të shohim se a po ia fillojmë një kapitull të ri që dallon nga ai i vitit 2025 që sapo e kaluam. Ne duhet të shohim në Kuvend se a ka atmosferë për një raport të ri Qeveri–Opozitë. Unë nuk mund ta them këtë paraprakisht, por pa dyshim muaji shkurt është muaji që do të na tregojë neve se a do të mund të hapim një kapitull të ri të raporteve tona. Populli na ka dhënë një mbështetje shumë të madhe, e cila është përgjegjësi e lartë për ne për formimin e qeverisë, nuk do të kemi asnjë problem, por për dy të tretat e votave që nevojiten në Kuvend, prej marrëveshjeve ndërkombëtare deri te zgjedhja e presidentes apo presidentit, ne kemi nevojë për bashkëpunim me opozitën. Nga ana jonë, gatishmëria dhe interesimi ekziston. Në muajin shkurt do të shohim se a ka gatishmëri dhe interesim nga opozita”, tha ndër tjerash Kurti. /Telegrafi/
Procesit të stërzgjatur të numërimit të votave nga Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare 2025 duket se po i vije fundi.
Ky proces fillimisht ishte përfunduar pothuajse, por që Komisioni Qendror Zgjedhor hasi në disa parregullsi që ndodhën fillimisht në Prizren, ku kishte dallime të mëdha në vota tek kandidatët për deputetë, për të kaluar më pas edhe tek komunat si Drenasi dhe Malisheva – andaj të gjitha komunat shkuan në rinumërim.
Në një prononcim për Telegrafin, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se sot (30 janar) pritet që ky proces të përfundojë.
“Nga fillimi i këtij procesi (13 janar) dhe deri në përfundimin e ditës së enjte (29 janar) janë rinumëruar rreth 95% apo 2,414 nga 2,557 vendvotime”, tha ai.
Elezi shtoi më tutje: “Pra, kanë mbetur për t’u rinumëruar edhe 143 vendvotime që i takojnë 4 komunave të fundit nga ky proces, si Prishtinë, Podujevë, Suharekë dhe Shtërpcë. Ky proces, planifikohet të përmbyllet gjatë ditës së sotme”.
Kjo është dita e 18-të e rinumërimit të votave, derisa pritet që Kosova të ketë Qeveri në muajin shkurt.
Lëvizja Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 28 dhjetorit me 51.10 për qind, që në total i bie që kanë siguruar 57 ulëse në Kuvend. /Telegrafi/
Gjykata Themelore në Gjakovë, në dy seanca të ndara dëgjimore, të mbajtura të mërkurën njëra në ora 18:30 ndërsa tjetra në ora 21:55, sot ka nxjerrë vendim duke aprovuar kërkesat e Prokurorisë Themelore në Gjakovë dhe ka caktuar masën e paraburgimit ndaj 15 personave, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të falsifikimit të rezultateve të votimit.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve për numërimin e votave, me autorizime të marra nga KQZ, në Qendrën Komunale të Numërimit në Malishevë, e vendosur në palestrën e sporteve “Habib Zogaj”, me veprime të kundërligjshme kanë ndërhyrë në procesin e votimit, duke falsifikuar rezultatet e tij, me ç’rast kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor dhe vullnetin e lirë të votuesve.
"Gjyqtari i procedurës paraprake, Sulltan Dobraj, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, pasi ekziston rreziku real që, nëse gjenden në liri, të njëjtit mund të ndikojnë në dëshmitarë dhe të pengojnë rrjedhën e procedurës penale, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një vepër penale me peshë të rëndë".
Me këtë vendim, të pandehurit do të mbahen në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, kohë kjo që do të llogaritet nga dita e arrestimit të tyre e deri me 28 shkurt 2026.
Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës, brenda afatit ligjor. /Telegrafi/
Pas përfundimit të rinumërimit të votave në Komunën e Malishevës, Prokuroria Themelore në Gjakovë sot ka ndërmarrë një aksion të gjerë hetimor, lidhur me dyshimet për manipulim të procesit zgjedhor.
Në një konferencë për media, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi, ka bërë të ditur se pas rinumërimit është lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve konkrete hetimore me qëllim të grumbullimit të provave.
“Pas përfundimit të rinumërimit të votave në Malishevë, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës për të ndërmarrë veprime konkrete në drejtim të grumbullimit të provave”, ka deklaruar Gashi.
Ai ka bërë të ditur se gjatë aksionit të sotëm janë intervistuar gjithsej 58 persona të dyshuar për veprën penale "falsifikim i rezultateve të votimit".
“Sot kemi realizuar një aksion ku nga 18 kryesues dhe 50 komisionerë, janë intervistuar 15 kryesues dhe 43 komisionerë. Pesëmbëdhjetë kryesuesit janë ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor Prokuroria do të vendosë për masën e sigurisë”, ka theksuar kryeprokurori Gashi.
Sipas tij, për 43 komisionerët e intervistuar, Prokuroria është ende në fazën e vlerësimit për caktimin e ndonjë mase eventuale.
“Në këtë rast kanë qenë të angazhuar dy prokurorë nga Departamenti për Krime të Rënda”, ka shtuar Gashi, transmeton Telegrafi.
Ai ka theksuar se në komunën e Malishevës kanë qenë 75 vendvotime dhe nga to 9057 vota janë të shtuara dhe 7996 janë vota të hequra, në total 17 mijë e 53 vota.
Detaje shtesë për aksionin ka dhënë edhe nënkoloneli i Policisë së Kosovës, Bekim Avdija, i cili ka bërë të ditur se në këtë rast dyshohet për përfshirjen e gjithsej 68 personave.
“Pas grumbullimit të provave që kemi mbledhur, kemi parë se janë të implikuar 68 persona, kryesues dhe komisionerë. Sot janë intervistuar 43 komisionerë dhe 15 kryesues, ndërsa kanë mbetur edhe tre kryesues dhe shtatë komisionerë, të cilët besojmë se së shpejti do të intervistohen”, ka deklaruar Avdija.
Ai ka theksuar se Policia do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Prokurorinë për procedimin e të gjitha shkeljeve.
“Do të vazhdojmë bashkëpunimin me Prokurorinë, në mënyrë që të procedohen sipas ligjit të gjitha shkeljet deri në elementet e fundit”, ka shtuar Avdija.Ndërkaq, Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, prokurorja Laura Pula, ka deklaruar se veprimet e shpejta të Prokurorisë kanë rezultuar me arrestime të personave që dyshohet se kanë manipuluar vota.
“Si rezultat i veprimeve të shpejta janë kryer arrestime, duke përfshirë komisionerë që dyshohet se kanë manipuluar vota. Asnjë individ, pavarësisht pozitës apo funksionit, nuk qëndron mbi ligjin dhe integriteti i procesit zgjedhor është i panegociueshëm”, ka deklaruar Pula.
Ajo ka shtuar se Prokuroria e Shtetit do të vazhdojë hetimet deri në zbardhjen e plotë të rasteve.
“Prokuroria e Shtetit do të mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e votës së qytetarëve. Do të vazhdojmë bashkëpunimin me të gjitha autoritetet e zbatimit të ligjit dhe nuk do të ndalemi deri në hetimin e fundit”, ka theksuar Pula. /Telegrafi/
Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, ka mbajtur kolegjiumin e rregullt me kryeprokurorët e të gjitha prokurorive dhe përfaqësues nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ku u diskutua trajtimi i rasteve që lidhen me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Gjatë takimit, Qalaj ka vlerësuar angazhimin e prokurorëve të shtetit gjatë procesit zgjedhor, duke theksuar se institucionet e prokurorisë kanë vepruar me profesionalizëm dhe vigjilencë.
“Gjatë procesit zgjedhor, prokuroritë kanë vepruar në përputhje me kompetencat ligjore, me qëllim të garantimit të integritetit të procesit zgjedhor dhe mbrojtjes së vullnetit të qytetarëve të shprehur me votë”, ka deklaruar Qalaj.
Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, prokurorja Laura Pula, ka informuar të pranishmit për koordinimin ndërmjet Koordinatores Nacionale dhe prokurorive, lidhur me rastet kur është evidentuar ose dyshuar për cenim të procesit zgjedhor.
Ajo ka bërë të ditur se prokuroritë themelore kanë ndërmarrë veprime konkrete në rastet e dyshimeve për keqpërdorim apo falsifikim të votave, duke përfshirë grumbullimin e informatave dhe sigurimin e provave relevante.
Edhe kryeprokurorët e prokurorive themelore kanë raportuar për veprimet hetimore të zhvilluara, veçanërisht në rastet e dyshimeve për manipulim të votave për kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Në përmbyllje të kolegjiumit, u.d. Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar unifikim të veprimeve dhe praktikave hetimore në të gjitha prokuroritë.
“Është e domosdoshme që trajtimi i rasteve që ndërlidhen me keqpërdorimin apo falsifikimin e votave të bëhet në mënyrë të unifikuar dhe sa më efikase në nivel vendi”, ka theksuar Qalaj. /Telegrafi/
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon procesi i rinumërimit të fletëvotimeve për vendvotimet për të cilat KQZ ka marrë vendim për rinumërim.
Sipas njoftimit, nga fillimi i këtij procesi, më 13 janar 2026 në ora 18:00, e deri më 28 janar 2026 në ora 10:00, janë rinumëruar mbi 80 për qind e vendvotimeve, përkatësisht 2,061 nga gjithsej 2,557 vendvotime.
KQZ bën të ditur se deri më tani, 30 komuna e kanë përmbyllur tërësisht procesin e rinumërimit.
Rezultatet e rinumërimit publikohen në platformën zyrtare të KQZ-së për rezultate, në seksionin QNR > Rinumërim, dhe përditësohen pas përfundimit të numërimit të çdo vendvotimi. /Telegrafi/
Prokuroria Themelore e Gjakovës në bashkëpunim me policinë është duke zhvilluar një aksion në Malishevë lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve zgjedhore të 28 dhjetorit.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj prokurorie Drin Domi.
“Aksioni është duke u zhvilluar me urdhër të Prokurorisë Themelore në Gjakovë mbi dyshimet për falsifikim të rezultateve zgjedhore të kandidatëve brenda subjekteve politike”, ka thënë Domi.
Ai ka shtuar se për detaje tjera do të njoftohemi pas përfundimit të këtij aksioni.
Kujtojmë se të premten e kaluar Prokuroria Themelore e Prizrenit realizoi aksion lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve zgjedhore, që përfundoi me 109 të arrestuar. /Telegrafi/
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Selam Hajrizi ka kërkuar që kandidatët për deputetë dhe të gjithë të përfshirët në manipulimin e votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit të marrin përgjegjësi, duke thënë se ligji duhet të veprojë pa dallim.
Ai ka vlerësuar se hetimet duhet të shkojnë përtej komisionerëve dhe të zbardhin të vërtetën për ndërhyrjet brendapartiake në procesin zgjedhor.
“Do të ishte mirë që të gjithë deputetët të marrin përgjegjësi. I kemi dëgjuar të thonë që nuk jemi pjesë e një aspekti të tillë… këtu do e shoh që kryeprokurori Kryeziu, një prokuror i ri i Prizrenit që duket të jetë i guximshëm duhet ta bëjë punën e tij.
Ligji duhet të jetë mbi të gjithë. Të gjithë marrin përgjegjësinë e duhur. Edhe deputetët do të ishte mirë të marrin përgjegjësinë dhe të tregojnë të vërtetën se çka ka ndodhur”, ka thënë Hajrizi në FIVE të TV Dukagjinit.
Ndërkohë, Prokuroria ka konfirmuar se rreth 20 komisionerë nga të gjitha partitë parlamentare ndodhen në paraburgim prej 30 ditësh, ndërsa hetimet janë zgjeruar nëpër komuna të ndryshme të vendit.
Procesi i rinumërimit po vazhdon në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ku deri më tani janë rinumëruar rreth 77 për qind e vendvotimeve.
KQZ ka bërë të ditur se rinumërimi pritet të përfundojë deri në fund të muajit, ndërsa certifikimi i zgjedhjeve do të varet nga afatet ligjore për ankesa.
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon rinumërimi i fletëvotimeve për vendvotimet për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për rinumërim.
Sipas KQZ-së, deri më tani janë rinumëruar rreth 74 për qind e vendvotimeve, apo 1,887 nga gjithsej 2,557 vendvotime të përfshira në këtë proces.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se rinumërimi ka nisur të martën, më 13 janar 2026, në ora 18:00, dhe po vazhdon pa ndërprerje.
“Nga fillimi i këtij procesi dhe deri më tani, më 27 janar 2026, ora 10:00, janë rinumëruar rreth 74 për qind apo 1,887 nga 2,557 vendvotime”, ka njoftuar Elezi.
Ai ka shtuar se procesi i rinumërimit tashmë është përmbyllur në 27 komuna, ndërsa në komunat e tjera po vazhdon sipas planifikimit të KQZ-së.
KQZ ka bërë të ditur se rezultatet e rinumërimit publikohen pas përfundimit për secilin vendvotim dhe janë të qasshme për qytetarët në platformën zyrtare të rezultateve, në seksionin QNR > Rinumërim.
Procesi i rinumërimit po zhvillohet nën mbikëqyrjen e institucioneve përkatëse, me qëllim të garantimit të transparencës dhe integritetit të procesit zgjedhor./Telegrafi/
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë rinumëruar votat në mbi 70 për qind të vendvotimeve, apo 1804 nga 2557 vendvotime.
Në 25 komuna është përmbyllur procesi i rinumërimit ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Procesi i rinumërimit ka nisur më 13 janar.
“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen”.
“Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e hënë, 26 janar 2026, ora 16:00) janë rinumëruar mbi 70% apo 1,804 nga 2,557 vendvotime”, ka njoftuar KQZ-ja.
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon rinumërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim.
Nga fillimi i këtij procesi, më 13 janar 2026, ora 18:00, deri më 26 janar, ora 10:00, janë rinumëruar rreth 67% ose 1,729 nga 2,557 vendvotime.
KQZ ka bërë të ditur se rinumërimi do të vazhdojë deri në përfundimin e listës së vendvotimeve për të cilat është marrë vendimi, duke siguruar transparencë dhe korrektësi në procesin zgjedhor. /Telegrafi/