Afro 2,5 miliardë dollarë llogaritet dëmi i përmbytjeve në tre dekada, e megjithatë askush nga përfaqësuesit e institucioneve që janë të angazhuara me mirëmbajtjen e sistemit hidrik në Shqipëri, vlerësimin e riskut para dhe gjatë emergjencave nuk ka dhënë llogari para drejtësisë dhe as është gjetur fajtor.
Fatura e dëmit ekonomik bëhet publike nga një raport i detajuar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, që ka kaluar në lupë përgjegjësitë në nivel qendror dhe të pushtetit lokal duke nisur nga ministria e bujqësisë deri tek ndërmarrjet që administrojnë argjinaturat, sistemin kullues dhe kanalizimet.
Gjetjet janë bërë publike pas auditimit mbi përmbytjet e 2024 në qytetin e Vlorës, ku dhe janë administruar qindra dokumente mbi hartën, kanalizimin, deri tek hidrovorët dhe kontratat e mirëmbajtjes së tyre.
Në këtë kontroll, përpos evidentimit të problematikës për mos pastrimin e kanaleve kulluese prej dekadash nga institucionet përgjegjëse, ngrihen pikëpyetje për mosmenaxhim efektiv të riskut nga përmbytjet në nivel kombëtar, i cili duhet të përshtatej me kushtet klimaterike, që në këto kushte, sipas KLSH, bie në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen civile.
E ndërsa ekspozohet se 3,285 objekte janë ndërtuar pa leje në infrastrukturën ujitëse, kulluese dhe të mbrojtjes, ky është vetëm njëri ngërç, pasi të tjerat lidhen me mosbashkëpunimin e duhur midis institucioneve për menaxhimin e situatave të përmbytjes, deri tek mungesa e mirëmbajtjes të sistemit kullues.
Historiku i përmbytjeve më të rënda në Shqipëri:
Në muajt Dhjetor 1962 dhe Janar 1963 pati rreshje të shumta në të gjithë vendin dhe ujrat u shpërndanë në të gjithë ultësirën Perëndimore (zona fushore nga veriu në jug) duke përmbytur më shumë se 70 mijë ha toka bujqësore dhe të gjitha qendrat e banuara që ndodheshin në këto zona si dhe qytetet e Shkodrës, Lezhës dhe Beratit. Në atë kohë u bashkuan ujrat e Lumit të Vjosës me ato të Semanit dhe të Shkumbinit si dhe ujrat e Drinit me ato të Matit dhe Ishmit. Kjo bëri të domosdoshme marrjen e masave.
Për këtë u kryen studime e u ndërtuan argjinaturat në lumenjtë e Vjosës, Semanit, Shkumbinit, Matit dhe Bunës. Paralelisht me këto argjinatura u krye dhe bonifikimi i tokave kënetore duke filluar në veri nga këneta e Velipojës dhe e Casit në Shkodër, të Ishull Shëngjinit e Talës në Lezhë, të Thumanës në Krujë, të kënetës së Durrësit, të Bashtovës në Kavajë, të Tërbufit e Karavastasë së vogël në Lushnje, të Hoxharës në Fier, të Akernisë në Vlorë e duke përfunduar në Jug të vendit tonë me ato të Vurgut e Mursisë në rrethin e Sarandës.
Shtator 1995-Janar 1996, përbën një periudhë kohore, gjatë së cilës zona të ndryshme të vendit u ndeshën me përmbytjet e herëpashershme. U shndërruan në gërmadha shumë shtëpi banimi, në raste të veçanta duke marrë edhe jetë njerëzish në zonat Shkodër, Lushnjë, Krujë, Laç, Durrës, Lezhë dhe të gjitha zonat ku u ndjenë pasojat e përmbytjes.
Përmbytjet shtator 2002. Përmbytja që ndodhi në periudhën 22-30 Shtator 2002 nga reshjet e shumta, krijuan një situatë të rëndë për zonat e Milotit, Lezhës, Torovicës, Zadrimës e Shkodrës. U përmbytën mbi 16.000 ha tokë bujqësore dhe u prekën 7500 familje. U evakuuan shumë familje nga zonat e përmbytura.
Përmbytjet shkurt-mars 2004. Zonat fshatare në Veri të Shqipërisë kanë pësuar një dëm të jashtëzakonshëm, nga i cili është e vështirë të rikuperohet për disa vite.
Përmbytjet dhjetor 2005. Situata emergjente shkaktuar nga përmbytjet e dhjetorit 2005, preku kryesisht ne zonat Jugore të Shqipërisë.
Në janar 2010, në rajonet Shkodër e Lezhë, u përmbytën rreth 14,000 hektarë dhe 1200 godina, ndërsa 12,000 njerëz u desh të evakuoheshin nga banesat. Shkodra asaj kohe i ngjante Venecias, aq sa banorët nisën të përdornin gomonet në vend të makinave.
Në shkurt 2015 u përmbytën rreth 3,000 hektarë dhe mbi 600 banesa në pjesën perëndimore e jugperëndimore të vendit. Nga këto përmbytje u prekën rreth 42,000 persona, ndërsa rreth 600 familje u desh të evakuoheshin.
Përmbytjet e nëntorit 2017 përgjatë rrjedhës së Vjosës ku u dëmtuan 4,700 banesa
2021 dhe 2024 në zonat Lezhë, Shkodër dhe Vlorë, me mijëra hektarë tokë të përmbytur, banesa e biznese të shkatërruara dhe rrugë të bllokuara përkohësisht nga rrëshqitjet.