Reading view

“Trusti i Zvërnecit”, ndërtime deri në 8 kate në zonën e mbrojtur

Edhe pse kanë kaluar dy javë nga denoncimi i parë i ambientalistëve për ndërhyrjen me makineri të rënda në zonën e mbrojtur Pishë–Poro–Nartë, institucionet vijojnë të ofrojnë transparencë të cunguar.

Në një përgjigje të mbërritur sot për Citizens.al, një pjesë e të cilës u nda edhe në fomën e një deklarate nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) bëhet zyrtarisht i ditur për herë të parë emri i kompanisë që po zhvillon punimet.

IKMT njofton se shoqëria “Zvërnec South Adriatic Developmenet” po kryen punime përgatitore rrethimi dhe ndërtimi të rrugëve me leje të Këshillit Kombëtar të Territorit, të miratuar me vendimin Nr. 5 të datës 29 prill 2026.

Institucionet janë kujdesur ta ndajnë këtë dokument me njëri-tjetrin, por jo me publikun. Megjithë ndjeshmërinë e lartë dhe shqetësimet e ambientalistëve për një “katastrofë mjedisore”, vendimi nr. 5 nuk gjendet në faqen e KKTU, por përmendet vetëm në rendin e ditës për mbledhjen e 29 prillit.  IKMT sqaron se leja e zhvillimit për projektin nuk është lëshuar ende, dhe se kjo është një leje “përgatitore” në funksion të ndërtimit.

Projekti quhet “Zvërnec Peninsula” dhe sipas përshkrimit do të përfshijë godina nga 1 deri në 8 kate për banim, hotel, shërbime edhe sipas emërtimit edhe një port.

A po i besohet Zvërneci një kompanie “guaskë”?

Sipas dokumentave zyrtare, pas kompanisë “Zvërnec South Adriatic Development” qendrojnë dy emra të panjohur për publikun shqiptar: Nikita Maximovich Vinogradov, shtetas holandez, i lindur në vitin 1991, dhe Zoya Georgieva Gyurova, shtetase bullgare, e lindur në vitin 1988. Ata janë pronarë përfitues me nga 50% të kompanisë që po kryen punime në zonën e mbrojtur Pishë–Poro–Nartë.

Pronësia e kompanisë kalon përmes një zinxhiri shoqërish të regjistruara në Holandë, “Universal Properties Projects B.V”, “Blue Industries Investment Holding B.V” dhe “Dutch Trust Management B.V”, e cila shënohet në ekstrakt si subjekti që “ushtron kontrollin e fundit mbi trust”. Pra, kompania shqiptare që ka marrë lejen nga qeveria, kontrollohet përmes një strukture ndërlikuar me disa shtresa që e bëjnë të vështirë për t’u lexuar nga publiku.

Një nga zonat e fundit të mbrojtura e të pa prekura të bregdetit shqiptar po i besohet një kompanie me pronësi të fshehur pas disa hallkave me shtetas të huaj dhe një trust-i. Ndërsa punimet kanë filluar, asnjë nga dokumentet e projektit nuk është bërë i njohur për publikun.

Organizatat ndërkombëtare në alarm

EuroNatur dhe organizata të tjera mjedisore kanë reaguar ashpër ndaj situatës në Pishë–Poro–Nartë, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të punimeve, transparencë të plotë mbi lejet dhe procedurat e ndjekura, si edhe një hetim për të verifikuar nëse Shqipëria po respekton angazhimet e saj ndaj standardeve europiane të mbrojtjes së mjedisit.

Sipas organizatës EuroNatur dhe partnerëve të saj, punimet po kryhen pa një proces transparent, pa përfshirjen e publikut dhe pa respektuar standardet e vlerësimit të ndikimit në mjedis, çka konsiderohet shkelje e ligjeve shqiptare dhe e detyrimeve të marra në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Drejtori ekzekutiv i EuroNatur, Gabriel Schwaderer, deklaroi se këto ndërtime jo vetëm që rrezikojnë një nga zonat më të rëndësishme natyrore të Europës, por edhe dëmtojnë besueshmërinë e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE.

Reagim të fortë ka pasur edhe nga organizata BirdLife Europe, e cila deklaroi se fadromat po shkatërrojnë në mënyrë të paligjshme një nga zonat më të rëndësishme natyrore të Shqipërisë. Organizata thekson se pylli bregdetar i Pishë Poro–Nartës është habitat i flamingove, pelikanit kaçurrel dhe një pikë kyçe ndalese për miliona zogj shtegtarë që lëvizin mes Europës dhe Afrikës.

BirdLife Europe përmend gjithashtu se në këtë zonë është planifikuar një projekt i madh zhvillimi i lidhur me Jared Kushner, megjithëse mbetet ende e paqartë nëse punimet aktuale kanë lidhje direkte me të.

Fundjavën e kaluar, më 7 maj, aktivistë dhe organizata mjedisore, përfshirë edhe Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), protestuan me thirrjen “Hiqni duart nga Vjosë–Narta”. Një tjetër protestë pritet të mbahet në fundjavën e 16 majit.

Aktivistët kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të punimeve në Pishë Poro–Nartë dhe transparencë të plotë mbi atë që po ndodh në terren. Ata kundërshtuan gjithashtu deklaratat e ministrit të Mjedisit, cili është shprehur se “në zonë nuk po ndodh asnjë degradim”, por vetëm rrethim i një prone private për arsye të survejimeve gjeologjike.

“Në vend që të merren masa të menjëhershme për verifikimin e situatës dhe ndalimin e punimeve, po vërehet një tendencë për t’i justifikuar këto ndërhyrje, ndërkohë që aktiviteti në zonë po intensifikohet”, deklaroi PPNEA.

Organizata kërkon gjithashtu që Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, IKMT dhe Policia e Shtetit të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre ligjore dhe të marrin menjëherë territorin në mbrojtje, duke ndaluar çdo aktivitet të paligjshëm brenda zonës së mbrojtur.

Lexo gjithashtu:

The post “Trusti i Zvërnecit”, ndërtime deri në 8 kate në zonën e mbrojtur appeared first on Citizens.al.

  •  

“Jo më GoFund për jetën!”

Një grup qytetarësh po mbledhin firma për hartimin e një ligji të ri. Ata kërkojnë që shteti shqitar t’u japë fëmijëve mundësinë të trajtohen jashtë vendit në rast sëmundjeje.

Janë të shumta rastet që hasim në rrjetet tona sociale ku familjarët, nga pamundësia ekonomike, ndërmarrin fushata për të mbledhur të ardhura me qëllim kurimin e fëmijëve jashtë vendit, në rastet kur nuk ju jepet asnjë shpresë në sistemin shëndetësor shqiptar.

Sot fati i tyre varet nga zemërgjerësia e qytetarëve, të cilët rreken të dhurojnë sa munden.

Shkak për këtë nismë u bë rasti i një fëmije nga Korça, i cili arriti të kurohej jashtë shtetit falë një fushate mbledhjesh fondesh.

“Lindi ideja pikërisht nga një grup qytetarësh korçarë për propozimin e një projektligji në parlament, pikërisht me qëllimin e kurimit të këtyre fëmijëve jashtë shtetit, por me fonde të shtetit, pra me financim shtetëror”, u shpreh Evis Miço, avokate në profesion dhe pjesë e Nismës për Fëmijët.

Sipas Miços, grupi i juristëve që punoi mbi projektligjin analizoi legjislacionin aktual shqiptar dhe praktikat e vendeve të Bashkimit Evropian për të ndërtuar një mekanizëm të shpejtë dhe më funksional.

“Ka një ligj ekzistues që është ai i sigurimit të detyrueshëm shëndetësor, i cili trajton si të gjithë shtetasit e tjerë edhe fëmijët, por ky projektligj i trajton fëmijët si një target grup i posaçëm”, u shpreh Evis Miço.

Sipas saj, projektligji i propozuar do të ofrojë procedura më të shpejta, afate më të shkurtuara ku institucioni shëndetësor aktivizon menjëherë procedurën e trajtimit të sëmundjen jashtë vendit.

“Ky nuk mund të jetë standardi ynë”

Për Ardit Konomin, inxhinier në profesion dhe pjesë e Nismës për Fëmijët, Shqipëria ka vonuar prej kohësh krijimin e një mekanizmi të tillë.

“Ka pasur shumë raste Shqipëria, fëmijësh, familjesh, prindërish, gjyshërish që kanë kaluar peripeci të rënda, në tentativë për të siguruar alternativë mjekësore për këta fëmijë. Ky projektligj zgjidh ekzaktësisht këtë lloj krize, këtë lloj situate shumë të vështirë që krijohet”, u shpreh Konomi.

Sipas Konomit solidariteti ka ekzistuar gjithmonë, por nuk mund të mbetet zgjidhja e vetme.

“Të kërkuarit financim të fondacionet bamirëse, te njerëzit ka funksionuar deri diku sepse krijon ndjeshmëri shumë të lartë, janë njerëz të ndjeshëm, të dashur e pozitivë. Por në fund të fundit ky nuk mund të jetë standardi ynë”, u shpreh Ardit Konomi për Citizens.al.

Përballimi i kostove financiare nga shteti shqiptar, nënkupton llogaritje e këtij shpenzimi në buxhetin e shtetit. Mirëpo, sipas Konomit, ndërhyrja në buxhetin e shtetit është e papërfillshme.

“Nuk janë efekte financiare të rënda për buxhetin, bëhet fjalë për zero pikë-gjëra të vogla, shumë të vogla për buxhetin e shtetit”, u shpreh Konomi.

Ai argumenton se në një plan afatgjatë mund të sjellë edhe ulje të kostove sociale dhe shëndetësore.

“Duke llogaritur kostot që ka shteti me çdo lloj trajtimi që ofron në kushtet e sotme, duke llogaritur kushtet e paaftësisë e cila shtrihet gjatë gjithë jetës dhe çdo element tjetër të lidhur, qoftë në aspektin social, shëndetësor, normalisht që kostot do të zërohen”, argumenton Konomi.

Nga burokracia te roli proaktiv i shtetit

Organizata “Qëndresa Qytetare” i është bashkuar nismës, duke kontribuuar për mbledhjen e firmave në qytetin e Tiranës.

Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare, thotë se problemi nuk qëndron te mungesa e fondeve, por edhe të mënyra se si janë menaxhuar ato deri më sot. Ndërsa shton se dhe në rastet kur ka ekzistuar një kuadër ligjor, ka qenë i pa aksesueshmë për qytetarët e thjeshtë.

“Ne kemi parë që përgjatë gjithë këtyre dekadave ja kanë dalë ta përfitojnë si shërbim ata të cilët kanë qenë zyrtarë të lartë, që burokracia është thyer, por është bërë e pamundur për qytetarin e thjeshtë për ta aksesuar këtë kuadër”, u shpreh Qiraxhi për Citizens.al.

Sipas Qiraxhit, kur bëhet fjalë për qytetarët për ti ardhur në ndihmë fëmijëve me vështirësi shëndetësore, solidariteti i tyre është i jashtëzakonshëm. Por jo të gjithë, mund të ndërtojnë një fushatë mbledhjesh fondesh.

“Çfarë ndodh me ato familje dhe me ata fëmijë të cilët nuk e kuptojnë se çdo të thotë një fushatë ndërgjegjësuese, nuk e kuptojnë se çdo të thotë të bësh një “GoFundMe”. Nuk arrijnë dot të penetrojnë në ato që janë fondacione të cilat bëjnë një punë të jashtëzakonshme, por e kanë të limituar mundësinë e tyre për të ndihmuar”, tha Migen Qiraxhi.

Ndaj, sipas tij ky projektligj e bën institucionin shtetëror proaktiv pa pasur nevojën e ndërgjegjësimit.

“Shteti jep zgjidhje të menjëhershme. Nuk e diagnostikon dot, e çon në një institucion më të avancuar. Ka një diagnozë që nuk e kuron dot, menjëherë është ai vetë që merr mekanizmin dhe vihet në lëvizje për ta kuruar jashtë vendit”, sjell në vëmendje Qiraxhi se si do të funksionojë shteti në rast të miratimit të projektligjit.

20 mijë firmat që priten të mblidhen duhet të dërgohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) brenda qershorit.

KQZ-ja bën verifikimet e duhura dhe më pas shkon në parlament ku ndiqet në tre komisione, atë të ligjit, të financave dhe shëndetësisë. Në rastin më të mirë, për të kaluar më pas në votim në kuvend.

The post “Jo më GoFund për jetën!” appeared first on Citizens.al.

  •  
❌