Një tjetër skandal në Maqedoninë e Veriut nën hundën e shqiptarëve që bashkëqeverisin me Hristian Mickoskin. Në tabelën e mirëseardhjes në Tabanoc, pika kufitare me Serbinë, mungon shkrimi në gjuhën shqipe, edhe pse aty ka pasur vend për t’i thënë udhëtarëve “mirëseerdhët” në gjuhën maqedonase, anglisht dhe madje edhe frengjisht. Ligji për gjuhët ekziston, por ai nuk po zbatohet.
Analisti Frrok Çupi deklaroi se ka tentativa për të çorganizuar dhe destabilizuar Tiranën, duke pretenduar se prej kohësh po synohet që Shqipëria të përfshihet në konfliktet rajonale.
Çupi u shpreh se Shqipëria është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor që nuk ndodhet në konflikt dhe se përbën një bazë stabiliteti për rajonin.
Më tej, analisti theksoi se Shqipëria është e vendosur në rrugën e integrimit evropian dhe po udhëheq vendet e tjera të Ballkanit drejt Bashkimit Evropian.
“Të gjithë këta tentojnë të çorganizojnë dhe destabilizojnë Tiranën. Prej kohësh është kërkuar dhe tentohet që fati i Shqipërisë të tërhiqet në konfliktin e Shkupit, ku shkuan disa pseudopatriotë dhe aktorë për të mbështetur studentët e Shkupit dhe ishin bërthama e atyre që krijuan revolucionin e flamingove.
Është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor që nuk ndodhet në konflikt dhe është bazë e stabilitetit në rajon, dhe duan ta tërheqin në konflikt. E para, duke provokuar konflikte në Shkup, në kufi me Serbinë, duke sjellë 15 mijë kombëtarë nga Maqedonia dhe Shqipëria. Shqipëria është e vendosur dhe po udhëheq vendet e tjera të Ballkanit drejt BE-së. Arsyeja tjetër është se këta që duan konflikt në Tiranë kanë bërë llogaritë gabim, sepse nuk e njohin Tiranën dhe nuk mund ta fusin në konflikt për arsye feje.”/ad
Policia spanjolle tha të premten se kishte shkatërruar atë që e quajti një nga rrjetet më të mëdha kriminale të përfshira në kontrabandën e emigrantëve nëpër Mesdhe, duke arrestuar 78 persona dhe duke sekuestruar 18 anije me shpejtësi të lartë.
Rrjeti dyshohet se përdorte anijet për të transportuar drogë sintetike si ekstazi nga Spanja në Algjeri dhe, gjatë udhëtimit të kthimit, për të kontrabanduar emigrantë në bregdetin mesdhetar të Spanjës dhe ishullin e Ibizës, tha policia në një deklaratë.
Hetuesit besojnë se grupi ishte përgjegjës për të paktën 64 operacione kontrabande emigrantësh, në të cilat më shumë se 2,000 persona u sollën në Spanjë, duke gjeneruar fitime prej më shumë se 24 milionë eurosh.
Policia tha se kalimet detare ishin “jashtëzakonisht të rrezikshme” me emigrantët që udhëtonin “të ngjeshur së bashku, me shpejtësi të lartë, në det të trazuar”.
“Në disa raste, pasagjerët madje ishin të lidhur për të mos rënë në ujë gjatë udhëtimit”, thuhej në deklaratë.
Rrjeti ngarkonte deri në 12,000 euro për person të transportuar, me disa operacione që përfshinin deri në 50 emigrantë për kalim, tha policia.
Midis të arrestuarve ishin katër të dyshuar si udhëheqës të organizatës. Autoritetet sekuestruan gjithashtu 18 anije me shpejtësi të lartë me vlerë më shumë se pesë milionë euro.
Operacioni u krye në bashkëpunim me Europolin, agjencinë ligjzbatuese të Bashkimit Evropian, dhe forcat policore në Francë, Portugali dhe Poloni.
Pjesa më e madhe e emigrimit të parregullt drejt Spanjës nëpërmjet detit zhvillohet përgjatë rrugës Atlantike nga Afrika Perëndimore në Ishujt Kanarie, një nga pikat kryesore të hyrjes në Evropë për njerëzit që ikin nga konflikti, persekutimi dhe varfëria.
Ndërsa mbërritjet në Ishujt Kanarie kanë rënë në muajt e fundit, migrimi i parregullt përgjatë rrugës perëndimore të Mesdheut nga Algjeria në Spanjë është rritur./ad
Elbasani në Shqipëri dhe Bitola në Maqedoninë e Veriut do të jenë dy bashkitë e para në Komunitetin e Energjisë që do të marrin mbështetje për zhvillimin e zonave të posaçme për përshpejtimin e projekteve të energjisë së rinovueshme, në kuadër të përpjekjeve për të transformuar zona me një histori të fortë industriale dhe varësi nga karboni.
Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka nënshkruar dy memorandume mirëkuptimi me bashkitë e Elbasanit dhe Bitolës për t’i mbështetur në procesin e dekarbonizimit dhe në zhvillimin më të shpejtë të kapaciteteve të energjisë së rinovueshme, sipas një njoftimi të publikuar më 7 gusht.
Të dy qytetet janë përzgjedhur si projekte pilot pas një thirrjeje për shprehje interesi të zhvilluar më herët gjatë vitit.
Elbasani, i përshkruar nga Sekretariati si “zemra historike industriale e Shqipërisë dhe qendra e prodhimit të çelikut me bazë karboni në Shqipëri”, synon të kalojë drejt një modeli të mbështetur më shumë te energjia dhe industria e pastër.
Bitola, ndërkohë, ndodhet në qendër të rajonit më të rëndësishëm të minierave të qymyrit në Maqedoninë e Veriut dhe përballet me një proces të ngjashëm tranzicioni nga një ekonomi lokale e lidhur historikisht me lëndët djegëse fosile.
Sipas Sekretariatit, të dyja bashkitë “po punojnë për t’u transformuar në qendra të orientuara drejt së ardhmes, të dekarbonizuara, të energjisë dhe industrisë së pastër”.
Mbështetja do të ofrohet përmes Centre for Renewables Acceleration, një strukturë e Sekretariatit që u jep vendeve të Ballkanit Perëndimor asistencë teknike për reformimin e procedurave të lejeve dhe planifikimin e projekteve të energjisë së rinovueshme. Në rajon, qendra mbështetet nga Open Society Foundations – Western Balkans.
Një nga elementet kryesore të bashkëpunimit me Elbasanin dhe Bitolën do të jetë zhvillimi i të ashtuquajturave Renewable Acceleration Areas, ose zona të përshpejtimit të energjisë së rinovueshme.
Këto zona parashikohen në versionin më të fundit të Direktivës së Bashkimit Europian për Energjinë e Rinovueshme, RED III, dhe përcaktojnë territore ku projektet e energjisë së rinovueshme mund të zhvillohen dhe të marrin leje më shpejt, duke synuar njëkohësisht shmangien e dëmeve të mundshme ndaj biodiversitetit.
Këshilli Ministror i Komunitetit të Energjisë u ka rekomanduar palëve kontraktuese që të fillojnë përcaktimin dhe zbatimin e këtyre zonave përpara përfshirjes së plotë të RED III në kuadrin ligjor të Komunitetit të Energjisë.
Për Shqipërinë, përzgjedhja e Elbasanit e vendos një nga qendrat tradicionale industriale të vendit në grupin e parë të bashkive të rajonit ku do të testohet ky model.
Por projekti është konceptuar si një nismë e përbashkët rajonale dhe Sekretariati thekson se përvoja e Elbasanit dhe Bitolës synon të përdoret edhe nga zona të tjera të varura nga aktivitetet me bazë karboni.
“Dy projektet pilot të mbuluara nga memorandumet synohen të jenë të replikueshme, duke ofruar një model që vendet, rajonet dhe bashkitë e tjera të varura nga karboni në Ballkanin Perëndimor mund ta përshtatin dhe zbatojnë,” thuhet në deklaratë.
Sekretariati e lidh krijimin e këtyre zonave edhe me përmbushjen e objektivave energjetike dhe klimatike të harmonizuara me BE-në në kuadër të Traktatit të Komunitetit të Energjisë, të cilat konsiderohen parakushte për integrimin e ardhshëm të vendeve të rajonit në tregun e brendshëm energjetik të Bashkimit Europian.
Sipas njoftimit, krijimi i zonave të përshpejtimit të energjisë së rinovueshme në Elbasan dhe Bitola mund të ketë gjithashtu ndikim ekonomik dhe social.
Duke krijuar një kuadër më të parashikueshëm për investitorët dhe duke përshpejtuar zhvillimin e projekteve, këto zona “mund të tërheqin investime në energjinë e rinovueshme dhe industri të lidhura me energjinë e pastër”.
Sekretariati përmend si shembuj shërbimet e infrastrukturës së qëndrueshme, sistemet e dixhitalizuara të menaxhimit të energjisë dhe prodhimin e gjelbër në të ardhmen./ad
Shpallja « non grata » e dy shqiptarëve nga Maqedonia, njëri hoxhë dhe tjetri politikan llafexhi, do të duhej të ishte objekt debati për një temë më të gjerë dhe jo thjesht për një incident në një protestë ku, hoxha dhe ky politikani llafexhi, janë shprehur me tone kërcënuese për jetën e kryeministrit të zgjedhur shqiptar. Debati, mendoj unë, do të duhej të shtrihej përtej këtij zemërimi kriminal. Pyetja është kjo : çfarë përfaqësojnë sot, në vitin 2026, shqiptarët në Ballkan ? Çfarë janë ata ? Ku jetojnë ? Cili është projekti i tyre europian ? A do të arrijnë ndonjëherë të bëhen qytetarë të Europës dhe a do të bashkohen apo do të rrinë kështu siç janë, të ndarë në dy shtete dhe si pjesë konstituive në dy të tjera? Ajo që duket qysh tani, është se shqiptarët e Malit të Zi dhe ata të Maqedonisë nuk mund dhe as nuk po tregojnë se kanë për qëllim t’i bashkohen trungut amë. Shqiptarët e Kosovës kanë shtetin e tyre të krijuar nga mbështetja e fortë amerikane dhe europiane dhe Shqipëria, apo trungu-amë, është një shtet i konsoliduar, tashmë, që, megjithë problemet që paraqet, duket se po bën hapa të sigurtë drejt integrimit përfundimtar në Bashkimin Europian.
Siç dihet, në fillim të viteve 2000 e më pas, Europa dhe Amerika u përfshinë në një valë të paparë populizmi. Akumulimi i zemërimit, siç thoshte filozofi slloven Sloterdijk, në popujt europianë erdhi për shkak se pas Luftës së Dytë Botërore as kisha dhe as politika nuk arritën ta moderojnë zemërimin ndaj elitave politike që vinte për shkaqe nga më të ndryshmet. Ky zemwrim, pastaj, ra në dorë të inxhinierëve të kaosit, siç thotë gazetari dhe shkrimtari i famshëm, Giuliano da Empoli dhe bëri bashkë aleancën digjitale, logaritmin me zemërimin analog dhe lindën në Itali partia e Bepe Grilos dhe e Mateo Salvinit, në Francë jelekverdhët, në Greqi Syriza, në Hungari Orban, në Gjermani u rrit partia ultranacionaliste AFD dhe në Amerikë erdhi Trump. Të gjitha këto parti politike kishin në programin e tyre luftën kundër elitave dhe e nisën betejën duke përdorur tri armë : shpifjen, kërcënimin dhe denigrimin e kundërshtarit politik në emër të atdheut që po vidhet e po shitet nga elitat. Ata të gjithë dolën si përfaqësues të popullit dhe kërkuan t’i rrafshonin dallimet i majtë, i djathtë. Sot, rezultatet po shihen. Por ajo që ka rëndësi për argumentin tonë, është se edhe vendet e ish-Lindjes u përfshinë në këtë vorbull zhvillimesh dhe Polonia, Çekia, Sllovakia, Hungaria morën e bënë kauzë të vetën sloganet e Europës së vjetër tradicionaliste: atdhe, fe e familje dhe sidomos Orban, në fjalimet e tij, përpiqej të argumentonte se ne do të mbrojmë ato vlera që Europa i ka humbur. Mund të vazhdoja edhe më gjatë e të tregoja se çfarë ka ndodhur hollësisht në këta dhjetë vjet, sidomos duke u mbështetur në librin e famshëm të Giuliano da Empoli « Inxhinierët e kaosit », por kjo do të më largonte nga argumenti ynë. Po në Shqipëri çfarë ndodhi në këta dhjetë vjet ? Po ndër shqiptarët e Ballkanit, në Kosovë, Maqedoni apo Mal të Zi, çfarë ndodhi ? Dy figura zotëruan hapësirën shqiptare, Edi Rama dhe Albin Kurti. Ishte një kohë kur edhe në Mal të Zi ishte një kryeministër me origjinë shqiptare, por ai ishte kryeministër i Malit të Zi dhe në agjendën e tij kishte atë shtet dhe jo shqiptarët. Dhe ashtu duhet të jetë. Në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët njohën disa të drejta. U arrit deri aty sa për herë të parë një shqiptar ishte në krye të Parlamentit të atij vendi. Në të vetmen hapësirë ku populizmi europian i tipit të Bepe Grilos apo Salvinit gjeti vend, ishte Kosova dhe populisti par-exellence ishte Albin Kurti. Ai shfrytëzoi në maksimum zemërmin e shqiptarëve të Kosovës, të cilët nuk arritën të bëjnë dallimin mes lirisë së fituar dhe qeverisjes në liri. Duke përdorur fake-news-et, shpfijen, kërcënimet, dhunën dhe denigrimin e UÇK-së si dhe duke ngritur në kult luftën kundër korrupsionit dhe duke e vizatuar të gjithë elitën politike të Kosovës si hajdute dhe si ajo që e kishte shitur Kosovën për interesat e saj (kujtoni këtu shpifjen për shkëmbim territori), Albin Kurti arriti ta fitojë skenën politike të Kosovës. Pasi mundi kundërshtarët brenda tij, ai e shtriu luftën digjitale sidomos ndaj Edi Ramës dhe ndjekësit e tij, trollerat dhe algoritmet, me rast e pa rast, sulmonin Edi Ramën dhe e paraqitnin atë si të shitur te Serbia dhe si aleat të Vuçiçit. Ndërkaq, Edi Rama, falë talentit dhe karizmës së tij, po fitonte besimin e BE-së dhe të partnerëve ndërkombëtarë dhe prej disa vjetësh ai pothuajse e kishte injoruar Albin Kurtin. Mirëpo, siç thotë përsëri Slotedijk, karakteristikë e liberalëve është se ata ua japin reformat votuesve të tyre me dozë kuajsh dhe, në vend që t’i çlirojnë, i mbysin fare. Kështu i ndodhi edhe Ramës. Siç e kam theksuar që në fillim të nisjes së protestave, Rama ra viktimë e suksesit të tij. Ai krijoi bindjen se nuk ka më asnjë opozitar dhe asnjë kundërshtar. Bëri keq Reformën në Drejtësi duke ia lënë në dorë atë shndërrim gjigand të sistemit, njerëzve që nuk kishin asnjë ideal për drejtësinë dhe sot ne vuajmë dhunën e Altin Dumanit, Erion Banit apo Olsi Dados. SPAK-u, i frymëzuar edhe nga Rama, shërbeu si zyrë informacioni për të mbushur mediat dhe opinionin me sloganin se « socialistët dhe qeveria e Ramës janë hajdutë ». Nisi të marrë vendime duke mos pyetur asnjë organizatë të mjedisit. Aeropoti i Vlorës dhe Zvërneci ishin dy nga vendimmarrjet më të gabuara që prodhuan efektin flutur dhe që derdhën në shesh zemërimin e akumuluar që thoshte filozofi slloven. Protesta është një temë më vete dhe meriton analiza të hollësishme. Ajo që nuk duhet të harrohet, është se populizmi i Albin Kurtit u vu përsëri në lëvizje dhe këtë radhë shfaqi edhe një anë të zezë të mentaliteti shqiptar. Kjo anë e zezë është bashkimi i islamizmit radikal me populizmin antishqiptar të frymëzuar nga Kurti. Përse duhet të vijë të protestojë në Tiranë një hoxhë radikal nga Maqedonia e Veriut ? Shqipëria është vendi kampion i lirisë së besimit. Këtu jo vetëm që nuk dhunohet asnjë besim, por, përkundrazi, ka aq shumë toleranca sa na bën të dukemi qesharakë. Në Kosovë Albin Kurti ka dy vjet që qeveris pa asnjë mandat dhe po e mban peng atë vend për hir të egoizmit të tij dhe dëshirës që t’i ketë të gjitha pushtetet. Tani pyetja është e thjeshtë, nëse do të kishte një vetëdije të përbashkët shqiptare, çfarë do të vlerësonte më shumë kjo ndërgjegje e vrarë mes shqiptarëve ? Krizën e thellë në Kosovë, të drejtat e shqiptarëve që nuk janë kthyer ende në akte nënligjore apo zemërimin e flamingove kundër Edi Ramës ? Në emisionin e fundit të ADN-së për ketë sezon pata të ftuar edhe një jurist të talentuar nga Maqedonia e Veriut, Premtim Isenin. Ai më tha se, nëse Albin Kurti do të vazhdojë me kokëfortësi të mos ndërtojë institucione, por ta mbajë peng Kosovën, atëherë nuk është çudi që protesta e Tiranës të frymëzojë edhe shqiptarët e Kosovës dhe Albini ta shohë veten të rrethuar me demonstrues. Duke menduar këtë dhe duke parë zellin e hoxhës nga Maqeonia e Veriut që do të zhbëjë Edi Ramën, më vjen të pyes, po ku vajti ajo krenari shqiptare dhe ku mbeti ajo ëndrra për t’u thënë të gjithëve se ne jemi më të vjetrit dhe më të famshmit në Ballkan apo edhe në Europë, siç thonë turbo-albanologët ? Ndoshta kemi nevojë të mos ushqehemi me aq shumë folklor sa në këto ditë të nxehta gushti.
Shkencëtarët kanë përdorur inteligjencën artificiale për të krijuar 16 viruse të reja. Bëhet fjalë për një arritje të rëndësishme shkencore, në një kohë kur studiuesit po kërkojnë mënyra të reja për të luftuar rezistencën në rritje të baktereve ndaj antibiotikëve.
Testet treguan se disa prej viruseve të krijuara në laborator ishin në gjendje të kapërcenin rezistencën antibakteriale te disa variante të bakterit E. coli. Këta viruse nuk paraqesin rrezik për njerëzit, pasi ata infektojnë vetëm bakteret.
Megjithatë, studimi ka nxitur edhe shqetësime se, në të ardhmen, inteligjenca artificiale mund të përdoret për krijimin e armëve të reja biologjike.
Studimi, i realizuar nga shkencëtarë të Universitetit Stanford dhe ARC Institute, u publikua të enjten në revistën shkencore Science. /ad
Autoritetet e Republikës Demokratike të Kongos liruan 15 të burgosur dhe ua dorëzuan rebelëve nga lëvizja AFC/M23 të premten, sipas Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC), i cili lehtësoi transferimin e parë të njohur të të burgosurve sipas marrëveshjes së vitit të kaluar për t’i dhënë fund luftimeve në lindje.
Dorëzimi shënoi një nga hapat e parë konkretë në zbatimin e marrëveshjes që qeveria dhe rebelët nënshkruan vitin e kaluar në Katar. Kjo vjen pas muajsh bisedimesh mbi emrat e të burgosurve që do të lirohen.
KNKK-ja tha në një deklaratë se 15 personat u larguan nga qyteti i Benit, i kontrolluar nga qeveria, në një konvoj të enjten në mbrëmje dhe udhëtuan nëpër Ugandë përpara se t’i dorëzoheshin AFC/M23 në territorin Rutshuru në Kongon lindore.
KNKK tha se nuk e dinte nëse të burgosurit i përkisnin grupit rebel, por se ata kishin rënë dakord të transferoheshin.
“Shpresojmë që ky operacion do të ndihmojë në lehtësimin e familjeve që janë ndarë nga të dashurit e tyre për një kohë të gjatë”, tha Stephanie Eller, kreu i operacioneve të KNKK-së në kryeqytetin Kinshasa.
Kongo, Kombet e Bashkuara dhe fuqitë perëndimore e kanë akuzuar vazhdimisht Ruandën fqinje për mbështetjen e kryengritjes me trupat dhe armët e veta, gjë që Ruanda e mohon./ad
Policia e Vlorës ka zbardhur brenda 48 orëve autorësinë dhe rrethanat e djegies së një apartamenti në lagjen “Lef Sallata”, ngjarje që fillimisht u dyshua si aksidentale.
Në pranga ka rënë Barend Hoxhaj, 33 vjeç, banues në Vlorë, i cili dyshohet se në orët e para të mëngjesit të 4 gushtit 2026 i vuri zjarrin derës së një apartamenti ku ndodheshin dy persona, vëlla e motër.
Sipas hetimeve paraprake, motivi i ngjarjes lidhet me konkurrencën, pasi autori i dyshuar dhe pronarët e apartamentit ushtronin të njëjtën veprimtari ekonomike, atë të dhënies me qira të apartamenteve në qytetin e Vlorës.
Nga zjarri nuk pati persona të lënduar, por u shkaktuan dëme materiale të konsiderueshme në banesë.
Policia bën me dije se, menjëherë pas njoftimit të marrë rreth orës 02:40 të datës 4 gusht, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, çuan në identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprime të mëtejshme, ndërsa ndaj 33-vjeçarit rëndon akuza për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”./ad
Presidenti Amerikan, Donald Trump, nënshkroi të enjten disa urdhra ekzekutivë që synojnë të kufizojnë marrjen e shtetësisë me lindje dhe të ashtuquajturin “turizëm lindjeje”.
Kjo lëvizje vjen pasi gjykata e lartë rrëzoi tentativën e tij të mëparshme për të kufizuar shtetësinë me lindje, të cilën Trump e quajti një “vendim shumë të keq”.
Njëri urdhër ekzekutiv u heq të drejtën e shtetësisë me lindje fëmijëve të lindur nga persona të klasifikuar si “armiq të huaj”.
Në atë listë përfshihen anëtarë të organizatave terroriste të huaja dhe persona që bëjnë lobim dhe veprojnë në emër të qeverive të huaja. Urdhri tjetër ekzekutiv ndalon turizmin e lindjeve.
Megjithatë, ligji i SHBA-ve tani ndalon që të huajt të marrin vizë me qëllimin kryesor për të lindur në territorin Amerikan./ad
Serbia vazhdon të instrumentalizojë serbët në rajon për të destabilizuar shtetet fqinje. Politikanët serbë po përdorin gjuhë raciste me qëllim të lidhjes së aleancave me ekstremistët e djathtë në botën perëndimore. Njëkohësisht po vazhdon deformimi i fakteve historike.
Enver Robelli
1. Mësimi i parë
Millan Knezheviq konsiderohet si politikani kryesor i Beogradit në Mal të Zi. Ai e quan veten serb. Dhe kjo është e drejtë e tij. Knezheviq promovon nacionalizmin serb. Përfaqëson qëndrime shumë të afërta me Rusinë. Thotë se me referendumin e vitit 2006 dhe shpalljen e pavarësisë së Malit të Zi është krijuar një “shtet privat”. Referendumin e pavarësisë nuk e pranon. Knezheviq ka lansuar nismën që Mali i Zi ta tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e quan Knezheviqin “mik” e “vëlla” dhe e ka dekoruar me Urdhrin e Flamurit Serb të Klasit të Parë.
Knezheviq nuk i zhgënjeu liderët serbë të “botës serbe” (“srpski svet”): Aleksandar Vuçiqin dhe Millorad Dodikun. Të gjithë këta dhe një grumbull popash, bashkë me Patriarkun e Kishës Ortodokse, Porfirijen, u mblodhën të martën në qytezën Mërkonjiq Grad, në Bosnjën perëndimore, për të përkujtuar dëbimin (sipas palës serbe) apo ikjen (sipas palës kroate) të dhjetëra-mijëra serbëve nga Kroacia gjatë aksionit të forcave kroate të sigurisë “Olluja” (Stuhia), më 4 dhe 5 gusht 1995, kundër bandave të armatosura të të ashtuquajturës Republika Srpska Krajina.
Në fjalimin e tij, Knezheviq atakoi Malin e Zi për shkak se më 2008 e ka pranuar Kosovën dhe për shkak se katër herë e ka “shpallur popullin serb popull gjenocidal” (bëhet fjalë për katër deklarata apo rezoluta të Malit të Zi në lidhje me gjenocidin e forcave serbe në Srebrenicë më 1995, ). Pastaj radha i erdhi Brukselit, i cili, sipas Knezheviqit, paskësh dhënë urdhër që Bogosllovija në Prizren, Manastiri i Deçanit dhe Patriarkana e Pejës t’i jepen Albin Kurtit. Në përfundime të tilla pa asnjë bazë mund të arrijë vetëm një çetnik toksik.
Në vazhdim të fjalimit të tij në Mërkonjiq Grad, i cili tani gjendet në entitetin serb të Bosnjës, Knezheviq tha se 33 për qind e banorëve të Malit të Zi janë serbë; andaj, kush dëshiron të jetojë në paqe me ta, duhet të llogarisë me këta 33 për qind, ndërsa kush do luftë, duhet të llogarisë në rezistencën e këtij 33-përqindëshi, paralajmëroi ai. Në stilin e një agjenti të Kremlinit në Ballkan, Knezheviq tha se serbët e Malit të Zi nuk kanë dalë “nga epruvetat e Brukselit”, por janë popull i Sveti Savës dhe i Kishës Serbe. Nga kjo botë nuk është larg as gjarpëri dhe jatagani. Knezheviq foli për heronjtë që po pritet të zgjohen me jatagan dhe shtoi se “po lindin serbë të rinj, të zemëruar si gjarpëri i Krajinës; mbajeni mend mirë, dushmanë, kurrë më ‘Blesak’ dhe ‘Olluja’” (emrat e aksioneve policoro-ushtarake kroate kundër nacionalistëve të armatosur serbë).
Mësimi i parë që duhet të nxirret nga kjo paraqitje e Millan Knezheviqit është se Serbia po vazhdon t’i destabilizojë shtetet fqinje nëpërmjet instrumentalizimit të politikanëve të pakicave përkatëse serbe. Këtë e bën edhe me Listën Serbe në Kosovë.
2. Mësimi i dytë
Në Mërkonjiq Grad fjalën e mori edhe Millorad Dodiku, politikani më me ndikim i serbëve të Bosnjës dhe aleati më besnik i Vlladimir Putinit në Ballkan. Dodik mban vetëm postin e kryetarit të partisë së tij “socialdemokrate”, pasi drejtësia në Bosnjë e ka detyruar të largohet nga posti i kryetarit të Republika Srpskës dhe i është ndaluar të merret me politikë për gjashtë vite. Dodik ka investuar miliona dollarë në grupe lobimi në Washington, ka arritur të depërtojë në rrethin e Donald Trumpit dhe Departamenti i Shtetit ia ka hequr sanksionet që ia kishte vendosur më 2017. Pasi përmendi, sipas tij, vuajtjet e njëpasnjëshme të serbëve dhe “1 milion viktima” (e dhënë kjo pa asnjë bazë shkencore), edhe Dodik mallkoi Malin e Zi, i cili gjoja po ia fut thikën pas shpine popullit vëlla serb, duke pranuar që në Srebrenicë është kryer gjenocid ndaj boshnjakëve.
Pastaj Dodik foli siç flasin racistët e ekstremit të djathtë në Perëndim. Tha se të “mëdhenjtë duhet të na lënë të qetë” dhe alarmoi të pranishmit e tubuar në një shesh në Mërkonjiq Grad se “nuk kemi shumë kohë” – me gjasë mendonte në realizimin e projektit të “botës serbe”, një eufemizëm për Serbinë e Madhe nga bregdeti i epërm kroat në Kosovë. Në Bashkimin Europian, sipas Dodikut, jetojnë 40 milionë myslimanë – “është çështje kohe kur do ta marrin pushtetin politik. Pse të na përkrahin ata neve?” Brenda BE-së jetojnë rreth 25 milionë njerëz që deklarohen si myslimanë, ose afër 5,5 për qind e 452 milionë banorëve sa ka BE-ja në tërësi. Rreziku që e paralajmëron Dodiku, se Europën së shpejti do ta sundojnë myslimanët, është – gënjeshtër. Kështu flasin neonazistët, ekstremistët e djathtë, nxitësit e urrejtjes dhe propagandistët e Putinit.Andaj, nuk qe fare befasi që Dodiku, në fjalimin e tij, mohoi identitetin nacional të boshnjakëve. Tha se ata në mëngjes hynë si myslimanë në hotelin Holiday Inn në Sarajevë dhe pasdite dolën si boshnjakë. Dodik vazhdoi ofendimin duke ua mohuar boshnjakëve, siç e konsiderojnë veten në kuptimin nacional myslimanët e Bosnjës, edhe çdo trashëgimi në Bosnjë-Hercegovinë. Trashëgimi e këtij vendi, tha ai, janë trashëgimia serbe, kroate dhe turke. Nga këto fjalë jehonte kërcënimi i Ratko Mlladiqit nga korriku i vitit 1995 se “tani ka ardhur koha t’u hakmerremi turqve”. Pastaj filloi masakrimi i njerëzve në Srebrenicë.
Mësimi i dytë që duhet të nxirret nga tubimi në Mërkonjiq Grad është se nacionalistët serbë janë duke tentuar të krijojnë një aleancë me të djathtën ekstreme në Europë, por edhe me disa përkrahës fanatikë të Donald Trumpit, të cilët, po aq sa e urrejnë “Europën liberale”, besojnë se një përballje mes kulturave është e pashmangshme. Gjuha e Dodikut është mesazh ndaj racistëve në Europë: ne, të krishterët pravosllavë të Ballkanit, që në vitet 1990-të e kemi vërejtur rrezikun e “terrorizmit islamik” dhe kemi luftuar kundër tij dhe në mbrojtje të “krishterimit”, por Europa nuk na ka kuptuar.
3. Mësimi i tretë
I fundit në tubimin në Mërkonjiq Grad e mori fjalën presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Si për parafolësit, edhe për të, fajtorë janë të tjerët, jo vetëm për luftërat e fundit në Ballkan në vitet 1990-të, por përherë, e sidomos përgjatë shekullit të 20-të. Në Luftën e Parë Botërore, populli serb ka humbur 29 për qind të popullsisë, tha Vuçiq, por nuk përmendi se atentatin e terroristëve serbë kundër arqidukës austro-hungarez Franz Ferdinand në Sarajevë, më 28 qershor 1914, e kishte përkrahur me propagandë dhe plumba organizata krimopolitike “Dora e Zezë”, e cila synonte një diktaturë ushtarake serbomadhe në Ballkan dhe mbante lidhje të ngushta me shërbimet sekrete serbe. Ky atentat ndezi Luftën e Parë Botërore.
Në Luftën e Dytë Botërore, “Beogradi është bombarduar, ndërsa në Zagreb nazistët i kanë pritur me lule” – ishte një nga shpjegimet e Vuçiqit mbi historinë. E vërtetë është që një trupë kuislingësh kroatë ka bashkëpunuar me nazistët dhe ka kryer krime të rënda në Luftën e Dytë Botërore; këtu hyn edhe kampi i Jasenovcit (Jasenovac): aty janë keqtrajtuar dhe vrarë serbë, romë, kroatë antifashistë dhe hebrenj. Sipas Enciklopedisë së Holokaustit të Muzeut të Holokaustit të SHBA-së, në këtë kamp janë vrarë mes 77’000 dhe 99’000 njerëz (1941–1945). Sigurisht që ky është një krim i madh, por me zmadhimin e numrit të viktimave nga ana e nacionalistëve serbë – ata thonë se në Jasenovac janë vrarë 1 milion serbë – synohet të manipulohen faktet, të komercializohet dhimbja për hesape të politikës ditore dhe të prezantohet populli serb vetëm si viktimë.
Kësisoj tentohet të fshihen disa fakte: gjatë Luftës së Dytë Botërore, rreth 80 për qind e hebrenjve me banim në Serbi janë vrarë (mes 27’000–33’500, sipas The European Holocaust Research Infrastructure). Ata u ekzekutuan në kampet e përqendrimit Sajmishte, afër Beogradit, dhe Crveni Krst, në Nish, apo u shpërndanë në kampe jashtë Serbisë, të cilat i mbanin nën kontroll nazistët gjermanë në Europën e okupuar. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Serbia kishte një qeveri pronaziste të prirë nga gjenerali Millan Nediq. Prej vitesh, politikanë dhe aktivistë nacionalistë në Serbi kërkojnë rehabilitimin e Nediqit. Vetëm ndërhyrja e drejtësisë ka shmangur deri më tani një veprim të tillë. Se çfarë antisemit ishte Nediqi, tregon kjo bisedë e tij me një gjeneral nazist. Ai thotë: “Unë di vetëm një zgjidhje për çështjen hebraike: jashtë me ta. Për sa kohë që ka qoftë edhe një hebre në vend (Serbi), apo për sa kohë ai mund të flasë me serbët, ose për sa kohë serbët mund ta mëshirojnë atë, deri atëherë nuk ka paqe në vend”.
Më 28 mars 1942 u mbajt një takim mes shefit të administratës okupuese ushtarake, dr. Harald Turner, dhe Millan Nediqit. Lidhur me këtë bisedë, Turner shkroi: “Gjenerali Nediq përmendi më tej vështirësitë që po i shkaktojnë ende në vend mbetjet e masonëve, si dhe hebrenjtë dhe anglezët e fshehur. Unë iu përgjigja se çështja hebraike praktikisht është zgjidhur dhe se me hebrenjtë e mbetur dhe masonët ende të pranishëm do të qërohen hesapet së shpejti. Zoti Nediq më pas do të mund të marrë meritën historike se gjatë sundimit të tij çështja hebraike në Serbi është zgjidhur plotësisht”.
Sipas shkrimtarit Filip David, i cili ishte hebre, pakica hebraike në Serbi pësoi jo vetëm nga terrori dhe ligjet racore të nazistëve, por “një rol të rëndësishëm luajti edhe xhandarmëria e Nediqit dhe Policia Speciale për Hebrenjtë dhe Romët, e cila kreu pjesën më të madhe të logjistikës në zgjidhjen përfundimtare të çështjes hebraike. Përpilonte lista, arrestonte shtëpi më shtëpi, nxirrte gjimnazistët nga bankat e shkollës dhe bashkëpunonte ngushtë me Gestapon për dërgimin e tyre në kampe. Vetëm ekzekutimi i ishte lënë në dorë okupatorit”.
Nuk ishte vetëm Nediqi bashkëpunëtor i fashizmit. Kisha Ortodokse Serbe e ka shpallur më 2003 shenjtor vlladikën Nikollaj Velimiroviqin (1881-1956), njërin nga antisemitët më të pështirë në Europë dhe adhurues të Adolf Hitlerit. Në librin e tij “Kroz tamnički prozor” (Përmes dritares së burgut), Velimiroviq shkruan: „Të gjitha parullat moderne evropiane i kanë hartuar çifutët, të cilët e kryqëzuan Krishtin: edhe demokracinë, edhe grevat, edhe socializmin, edhe ateizmin, edhe tolerancën e të gjitha besimeve, edhe pacifizmin, edhe revolucionin gjithëpërfshirës, edhe kapitalizmin, edhe komunizmin. Të gjitha këto janë shpikje të çifutëve, përkatësisht të babait të tyre, djallit. Dhe e gjithë kjo bëhet me qëllim që ta poshtërojnë Krishtin, ta asgjësojnë Krishtin dhe në fronin e Krishtit të vendosin mesian e tyre jahudi, pa e ditur deri në ditën e sotme se ai është vetë Satani, i cili është babai i tyre dhe i cili i ka frenuar me frenat e tij e i fshikullon me kamxhikun e tij… Por është për t’u habitur se si evropianët, të pagëzuar e të mirosur, i janë dorëzuar plotësisht çifutëve, aq sa mendojnë me kokë çifute, pranojnë programe çifute, përvetësojnë luftën çifute kundër Krishtit, pranojnë gënjeshtrat çifute si të vërteta, marrin parullat çifute si të tyret, ecin rrugës çifute dhe u shërbejnë synimeve çifute… Por më e rëndësishmja është se si Evropa e krishterë u bë shërbëtore e çifutëve dhe se si u shkëput nga Ati i dritës e e njohu djallin si Atin e saj në të gjitha mendimet dhe veprat e veta…“. Velimiroviq nuk ishte analfabet – në fillim të shekullit të 20-të ai shkroi dy teza doktorature në Fakultetin Katolik të Universitetit të Bernit dhe – po aty – në Fakultetin e Filozofisë dhe Historisë.
Në fjalimin e tij në Mërkonjiq Grad, Vuçiqi u ankua se nuk po lejohet nga autoritetet kroate të vizitojë ish-kampin e përqendrimit në Jasenovc. Arsyet duhet t’i ketë të qarta Vuçiqi: ka disa vite që mediat e kontrolluara nga regjimi i tij ofendojnë gjithë popullin kroat, duke e etiketuar si pronazist, ustash dhe krimogjen.
Duke qenë propagandist i paskrupullt, Vuçiqi tha se në luftërat e viteve 1990-të Serbia s’ishte agresore; serbët, sipas tij, nuk e shkatërruan Jugosllavinë, por këtë e bënë të tjerët, sllovenët, kroatët e kështu me radhë. “Ju u vërsulët në shpërbërjen e subjektit (e kishte fjalën për Jugosllavinë)… shkaktuat konflikte…”. Në të vërtetë, republika e parë që nisi shkatërrimin e Jugosllavisë ishte Serbia, duke goditur Kushtetutën e vitit 1974 dhe duke hequr arbitrarisht autonominë e Kosovës dhe Vojvodinës, dy njësi federale krahas gjashtë republikave të tjera.
Mësimi i tretë nga ky demonstrim i nacionalizmit serb në Bosnjë dhe sidomos nga fjalimi i Aleksandar Vuçiqit është se deformimi i historisë është shndërruar në program shtetëror serb. Në këtë frymë toksike mohohen krimet e luftës ndaj kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Në të gjitha fjalimet e mbajtura vërehej një urrejtje e madhe sidomos ndaj Malit të Zi: duket se në Beograd ekziston një mllef i madh që Mali i Zi ka gjasa të anëtarësohet në Bashkimin Europian, ndërsa Serbia po bën hapa prapa dhe gjithnjë e më shumë i ngjan një xhamahirie ortodokse.
Derisa Serbia mbetet e fundosur në moçalin e miteve historike, jeta e përditshme duket kështu: në vitin 2026, sipas gazetës kroate “Jutarnji list”, më shumë serbë kanë kërkuar punë në Kroaci sesa në Gjermani.
Në Kroaci nuk është tabu të thuhet publikisht se gjatë aksionit “Olluja” individë të armatosur kroatë kanë kryer krime dhe plaçkitje, por pa e injoruar kontekstin. Më 1991, të ashtuquajturit kryengritës serbë të rajonit të Krajinës, të përkrahur nga njësitë e Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ) dhe nga grupet paramilitare nën kontrollin e shërbimeve sekrete të Beogradit, sulmuan Republikën e Kroacisë dhe dëbuan deri në 200 mijë kroatë, shkatërruan shtëpi, kisha e fabrika, bombarduan qytete kroate si Zagrebi, Zara, Shibeniku dhe Dubrovniku. Si pasojë e agresionit serb, u vranë rreth 14 mijë njerëz në Kroaci dhe u plagosën mbi 37 mijë.
Qeveria spanjolle i ka lëshuar një ultimatum Italisë, duke kërkuar që të heqë kontrollet kufitare të vendosura për udhëtarët që vijnë nga Spanja deri të dielën, duke argumentuar se masa është “e padrejtë, në kundërshtim me interesat e Bashkimit Evropian dhe diskriminuese ndaj popullsisë spanjolle”.
Nëse masat mbeten në fuqi, administrata e kryeministrit Pedro Sanchez paralajmëroi se do të miratojë “masa proporcionale” për të mbrojtur interesat e qytetarëve spanjollë, por nuk dha detaje se cilat mund të jenë këto masa.
Në një deklaratë të lëshuar të premten, qeveria spanjolle argumenton se vendimi i marrë nga Roma më 1 gusht “bazohet në argumente të rreme të papajtueshme me Kodin Kufitar të Shengenit dhe me faktet”.
Italia e justifikoi rivendosjen e përkohshme të kontrolleve pas mbërritjes masive të emigrantëve në Ceuta, megjithëse inspektimet prekin kryesisht trafikun ajror dhe detar midis dy vendeve.
Qeveria spanjolle thekson se asnjë prej emigrantëve që hynë në mënyrë të parregullt në Ceuta javën e kaluar nuk u lejua të lëvizte lirisht brenda zonës Shengen, pasi qyteti autonom ka një status të veçantë.
Gjithashtu theksoi se shumica dërrmuese tashmë janë kthyer në Marok dhe hodhi poshtë idenë se kjo krizë migrantësh paraqet ndonjë rrezik për shtetet e tjera anëtare të BE-së.
Spanja vuri në dukje gjithashtu se, sipas të dhënave të Frontex, Italia ka regjistruar vitet e fundit numrin më të lartë të kalimeve të parregullta të kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian, në disa periudha dyfishin e shifrave të Spanjës.
Gjithashtu kritikoi qeverinë italiane për shkeljen e Rregullores së Dublinit që nga viti 2022, duke zhvendosur presionin më të madh emigrator mbi pjesën tjetër të partnerëve të saj evropianë.
Qeveria theksoi më tej se Spanja nuk u përgjigj kurrë me kontrolle kufitare pavarësisht kësaj situate dhe kujtoi se tregoi solidaritet me Italinë duke pranuar disa nga emigrantët që mbërritën në Lampedusa në vitin 2023 dhe duke hapur vazhdimisht portet e saj për njerëzit e shpëtuar në rrugën e Mesdheut Qendror.
Qeveria shprehu besim se “angazhimi ndaj projektit evropian, logjika e shëndoshë dhe besimi i mirë” do të mbizotërojnë dhe akuzon qeverinë italiane për nxitjen e “përçarjeve dhe konflikteve të pakuptimta të nxitura nga motive të brendshme zgjedhore”./ad
Një 55-vjeçar është vënë në pranga këtë të premte nga policia e Shkodrës, pasi dyshohet se ka kultivuar bimë narkotike Cannabis Sativa në fshatin Arst.
Sipas raportimeve të policisë, në pranga ka rënë S. N., 55 vjeç, ndërkohë është proceduar penalisht kryeplaku i fshatit M. K., 60 vjeç, për shpërdorim detyre.
Gjatë operacionit në fshatin Arst, forcat e rendit zbuluan 130 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të cilat u asgjësuan me djegie, ndërsa një pjesë e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, si rezultat i kontrolleve intensive në terren dhe i hetimeve me metoda proaktive, për evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve, finalizuan operacionin e koduar “Arsti”.
Gjatë operacionit, në territorin e fshatit Arst, u gjetën të kultivuara 130 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të cilat u asgjësuan me djegie, përveç një pjese që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua shtetasi S. N., 55 vjeç, banues në fshatin Arst, i dyshuar si autor i kultivimit të këtyre bimëve.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për kryeplakun e fshatit Arst, shtetasin M. K., 60 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Kontrollet vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme./ad
Arabia Saudite, Turqia dhe Pakistani kanë nënshkruar një pakt të ndërsjellë mbrojtjeje që përcakton se një sulm kundër cilësdo prej tyre do të konsiderohet si një sulm kundër të gjithëve.
Marrëveshja midis tre aleatëve të SHBA-së vjen në një kohë kur Arabia Saudite përballet me kërcënime në shumë fronte dhe do ta detyronte secilin vend të ndërhyjë nëse një tjetër sulmohet, njësoj si pakti midis vendeve të NATO-s.
“Synon të forcojë parandalimin kolektiv kundër çdo akti agresioni dhe parashikon më tej përmirësimin e të gjitha aspekteve të bashkëpunimit mbrojtës midis tre shteteve”, thanë të tre vendet në një deklaratë të përbashkët.
Marrëveshja u nënshkrua në Mekë, qytetin më të shenjtë të Islamit dhe vendlindjen e Profetit Muhamed, duke e mbushur atë me simbolikë politike dhe fetare.
Përveçse është shtëpia e vendeve më të shenjta të Islamit, Arabia Saudite është një nga eksportuesit kryesorë të naftës në botë. Pakistani është i vetmi vend mysliman i armatosur me armë bërthamore.
Marrëveshja erdhi pas një takimi midis kryeministrit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, Princit të Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, dhe kryeministrit të Pakistanit, Shehbaz Sharif.
“Udhëhiqet nga lidhjet historike afatgjata midis tre shteteve, bazuar në lidhjet e qëndrueshme të vëllazërisë dhe solidaritetit islamik që i bashkojnë ato, dhe duke u bazuar në interesat e tyre të përbashkëta strategjike dhe bashkëpunimin afatgjatë në mbrojtje”, shtohet në deklaratë./ad
Për një periudhë 11 vjeçare, 610 deputetë, kryebashkiakë, gjyqtarë, prokurorë apo titullar institucionesh janë referuar pranë organeve të drejtësisë dhe hetimit tatimor nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.
Të dhënat e ILDKP zbulojnë se nga viti 2014 deri në 2025 janë marr 2306 gjoba si masa administrative dhe janë referuar 610 subjekte pranë Prokurorisë, Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Tatimeve dhe Agjencisë së Inteligjencës Financiare. Kategoria e shkeljeve lidhet me deklarata pasurish të rreme, të paplota, ose të dorëzuara me vonesë dhe në shkelje të rregullave për konflikt interesi. Ndërsa vetëm për vitin 2025 rezultojnë 75 masa administrative me gjobë, si dhe 16 referime penale dhe referime të tjera.
Historiku i rasteve të referuara pranë organeve të zbatimit të ligjit, bazuar në verifikimin e deklaratave, klasifikohet në nivel “të lartë” sipas indikatorit përkatës të OECD, që llogaritet të paktën 5 raste për 1 milion banorë. Arsyeja më e shpeshtë e sanksioneve ka të bëjë me parregullsi në deklarime ose fshehje informacioni, ku nuk respektohet afati i dorëzimit ose mosdeklarimi nuk ka shkaqe të arsyeshme. Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për sinjalizuesit që synon parandalimin e goditjen e korrupsionit në sektorin publik dhe mbrojtjen e punonjësve që denoncojnë paligjshmëritë, raporti vjetor i ILDKP bën me dije se në 2025 janë regjistruar dhe trajtuar në total 11 raste sinjalizimi dhe 8 kërkesa për mbrojtje nga hakmarrja.
Në analizim të rasteve të paraqitura, rezulton se sinjalizimet dhe kërkesat për mbrojtje nga hakmarrja, kryesisht lidhen me institucione të administratës publike si në nivel qendror ashtu edhe në atë vendor, si dhe me institucione të tjera të sektorit publik, përfshirë institucionet e pavarura dhe ato të arsimit të lartë, çka dëshmon për një shtrirje të gjerë të problematikave të raportuara dhe për rëndësinë e forcimit të integritetit në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe administratës publike.
Shkak për të denoncuar raportohet të jenë dyshime për konflikt interesi, për parregullsi në ushtrimin e funksioneve publike, shkelje të procedurave të prokurimeve publike, si dhe raste të mundshme të falsifikimit të dokumenteve zyrtare. Një pjesë e rasteve lidhet gjithashtu me çështje për trajtim të padrejtë të punonjësve./ad
Hungaria ka fikur dritat dekorative në ndërtesën e parlamentit të Budapestit, Kështjellën e Budës dhe Urën e Zinxhirit për të kursyer energji gjatë një vale të nxehti, një veprim që zhgënjeu disa turistë, por u mirëprit nga banorët.
Vala e zgjatur e të nxehtit dhe nivelet rekord të ulëta të ujit në Danub e detyruan Hungarinë të minimizojë funksionimin e centralit të saj të vetëm bërthamor, i cili përdor ujin e lumit për ftohje.
Sot, temperaturat u rritën në 40 deri në 42 gradë Celsius, shumë mbi mesataren e gushtit.
“Jam shumë e zhgënjyer sepse erdha në Budapest, ndoshta për herën e vetme në jetën time, dhe dje u ngjita në kodër dhe prisja që ndërtesa të ndriçohej”, tha Silke Schneiders, një turiste nga Gjermania. “Gjithashtu bëra një udhëtim me anije në lumë natën dhe të gjitha dritat në urë ishin fikur.”
Por shumë hungarezë thanë se ishte vendimi i duhur pasi u detyruan të ulnin konsumin e energjisë pas thirrjes së qeverisë për të kufizuar presionin në rrjet.
Në kryeqytetin rumun, Bukuresht, ndriçimi rrugor u zvogëlua me një të tretën mbrëmë, ndërsa dritat u fikën plotësisht në monumente dhe muze për të kursyer energji. Masa të ngjashme u zbatuan edhe në qytete të tjera.‘Duket se kemi arritur në këtë pikë për shkak të vendimeve të këqija, duke pasur parasysh krizën klimatike me të cilën jemi përballur prej dekadash’, tha Mircea, 25 vjeç, një teknolog ushqimor, përpara bashkisë së errët./ad
Belgjika do të vendosë rreth 30 personel ushtarak në territorin vetëqeverisës të Groenlandës në fillim të shtatorit, si pjesë e misionit të sapokrijuar të NATO-s, Arctic Sentry, konfirmoi të premten Ministri i Mbrojtjes Theo Francken për transmetuesin belg VTM.
Vendosja do të përfshijë trupa nga Brigada e 1-rë me bazë në Leopoldsburg, si dhe anëtarë të Forcave Speciale Belge.
Misioni synon të forcojë praninë e NATO-s në rajonin e Arktikut, duke përfshirë zonën përreth Groenlandës, Islandës dhe Oqeanit Arktik, mes asaj që aleanca e përshkruan si interes strategjik në rritje nga Rusia dhe Kina.
Forcat belge do të kryejnë aktivitete parandaluese dhe stërvitore, duke përfshirë operimin e dronëve dhe testimin e sistemeve kundër dronëve.
Sipas autoriteteve belge, territori i gjerë i Groenlandës ofron kushte të përshtatshme për kryerjen e ushtrimeve të tilla.
Belgjika do ta udhëheqë operacionin së bashku me Kanadanë, Danimarkën, Francën, Finlandën, Holandën, Slloveninë dhe Suedinë.
Sipas VTM, aleanca synonte t’i dërgonte një “mesazh të qartë” Presidentit të SHBA-së Donald Trump, duke pohuar se është “e aftë të sigurojë mbrojtjen e Arktikut dhe të vetë ishullit strategjik”.
Vendimi vjen pas tensioneve mbi Groenlandën, pasi Trump përsëriti së fundmi dëshirën e tij për të blerë ishullin, duke e quajtur kontrollin e SHBA-së mbi Groenlandën një domosdoshmëri historike dhe strategjike.
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen i hodhi poshtë komentet e Trump, duke përsëritur se Groenlanda “nuk është në shitje” dhe se vetëm populli i Groenlandës mund të përcaktojë të ardhmen e ishullit./ad
Janë sekuestruar 101 çadra dhe 202 shezlongë të vendosur në mënyrë të paligjshme në hapësirat publike të plazhit të Spilles.
Ndërhyrja është kryer nga shërbimet e Stacionit të Policisë Rrogozhinë në kuadër të operacionit policor “Plazhi i lirë”, i cili ka si qëllim lirimin e hapësirave publike të zëna pa leje gjatë sezonit veror.
Sipas Policisë, pajisjet e plazhit ishin vendosur pa autorizimin përkatës nga dy shtetas, ndaj të cilëve është nisur procedimi penal në gjendje të lirë.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurori për shtetasit B. T., 37 vjeç dhe Z. K., 71 vjeç, banues në Spille dhe Elbasan.
Policia bën me dije se kontrollet do të vijojnë përgjatë gjithë vijës bregdetare për të garantuar lirimin e hapësirave publike dhe respektimin e rregullave nga subjektet që ushtrojnë aktivitet gjatë sezonit turistik./ad
Partia Demokratike e Kosovës ka refuzuar ftesën për takim nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, duke i bërë thirrje që të fokusohet në konstituimin e Kuvendit të Kosovës brenda afateve të përcaktuara me Kushtetutë.
Kurti ka ftuar në takim liderët e partive të tjera politike, në kuadër të përpjekjeve për të diskutuar situatën politike dhe hapat e ardhshëm për funksionimin e institucioneve.
Sipas informacioneve të fundit, një takim mes Kurtit dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pritet të zhvillohet sot rreth orës 13:30.
Ndërkohë, ende nuk ka një përgjigje zyrtare nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nëse do t’i përgjigjet ftesës për takim.
PDK ka deklaruar se prioritet duhet të jetë krijimi i institucioneve të reja dhe respektimi i afateve kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, duke mos e konsideruar të nevojshëm një takim politik në këtë fazë./ad
Ish-deputeti socialist Halit Valteri është bërë baba për herë të tretë. Përmes një postimi në rrjetet sociale ai ka ndarë me ndjekësit lajmin e bukur për ardhjen në jetë të djalit të tij, Dard. Valteri ka publikuar një fotografi nga materniteti, ku shihet me të birin e porsalindur në krahë.
“Mire se erdhe ne jete, Dard. Na e mbushe zemren me dashuri dhe na dhe nje arsye me shume per ta falenderuar Allahun cdo dite”, shkruan ai.
Me lindjen e Dardit, familja e tij është zgjeruar edhe më shumë. Dy vajzat e tij, Hera dhe Dua, tashmë janë bekuar me vëllain e tyre të vogël.
Postimi i plotë:
Sot Zoti me bekoi me mrekulline me te madhe. Erdhi ne jete djali im, Dard Halit Valteri.
Falenderimi i takon Allahut, Krijuesit te gjithesise, per kete dhurate te paçmuar. Familja jone sot u be edhe me e madhe, edhe me e bekuar.
Hera dhe Dua tani kane vellain e tyre, ndersa Eva ka birin e vet. Nuk ka lumturi me te madhe sesa ta shohesh familjen duke u rritur me dashuri, shendet dhe bekimet e Zotit.
I lutem Allahut ta rrise Dardin me shendet, me besim, me urtesi dhe me dinjitet, ta beje njeri te mire per familjen, per vendin dhe per kedo qe do ta njohe.
Mire se erdhe ne jete, Dard. Na e mbushe zemren me dashuri dhe na dhe nje arsye me shume per ta falenderuar Allahun cdo dite./ad
Të ardhurat e 10 televizioneve kryesore në vend arritën në rreth 6.8 miliardë lekë në vitin 2025, apo në rreth 70 milionë euro.
Në krahasim me një vit më parë, të ardhurat shënuan rritje të lehtë me 3%, pas rënies me 0.5% në 2024-n, por larg ritmeve dyshifrore të zgjerimit prej 14% në vitin 2023.
Të dhënat u përpunuan nga “Monitor”, bazuar në bilancet e kompanive, të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Të ardhurat e operatorëve vijnë në pjesën më të madhe nga reklamat, apo dhe nga sinjalet e transmetimit.
Dy televizionet më të mëdha “TV Klan” dhe “Top Channel” vijojnë të dominojnë dukshëm skenën e ekranit, duke marrë të dyja së bashku 63% të tregut në 2025-n.
Nga 9 televizionet që i kanë raportuar bilancet e 2025-s, vetëm dy prej tyre kanë shënuar rënie të të ardhurave, ndërsa të tjerat kanë arritur të rriten lehtë me ritme një shifrore.
Ndonëse mund të kenë ndikim përmes audiencës, televizionet, sidomos ato të lajmeve, nuk rezultojnë një biznes fitimprurës, me përjashtim të dy të mëdhenjve. Në vitin 2025, rezultati financiar i 9 televizioneve ishte vetëm 550 milionë lekë (më pak se 6 milionë euro), teksa katër prej tyre ishin me humbje.
Duke hequr televizionet me humbje, fitimet ishin 836 milionë lekë, me 87% të të cilave i përkasin “Klan” dhe “Top Channel”. Në krahasim me 2024-n, shumica e televizioneve i përmirësuan fitimet, që gjithsesi mbeten shumë të ulëta në raport me kapitalin që vihet në punë dhe të ardhurat.
Prej vitesh tregu ka hyrë në ngërç, pasi kriza ekonomike dhe mos hyrja e kompanive të reja në vend po ndikon buxhetet e reklamave dhe rrjedhimisht dhe të ardhurat e televizioneve.
Një tjetër ndikim ka ardhur nga zhvillimi i platformave digjitale, ku reklamuesit po kalojnë më shumë buxhet për të arritur audienca më të targetuara. Biznesi i televizioneve duket se po konkurrohet ndjeshëm nga zhvendosja e reklamave në rrjetet sociale dhe në marketingun direkt që bëhet përmes influencuesve.
Më herët, tatimet njoftuan se nisën hetimin ndaj 100 individëve/subjekteve për të ardhurat e përfituara nga platformat sociale. Bëhet fjalë për platformat Facebook; TikTok; YouTube; Instagram; Google; PayPal. Tatimet bënë të ditur se nga verifikimet paraprake dyshohet se janë rreth 33 milionë euro të padeklaruara.
Kjo shumë është 47% e të ardhurave që 10 televizionet gjeneruan në 2024-n, me burimin kryesor që janë reklamat e bizneseve.
Problem është dhe mungesa e matjes së audiencës. “Megjithëse aktualisht mungojnë të dhënat zyrtare të publikuara mbi investimin total të publicitetit në mediat e ndryshme, përsëri është lehtësisht e dallueshme se tregu i mediave televizive përthith pjesën më të madhe të këtij investimi.
Ky fakt, e bën tregun e mediave televizive tërheqës nga pikëpamja e investitorëve, por në të njëjtën kohë ekzistojnë barriera si të karakterit rregullator ashtu edhe të karakterit financiar”, thuhet në raportin vjetor të “Top Channel”.
“Mungesa e një tregu të formuar, nxit parashikime teorike, ndërsa mungesa e matësve të audiencës rrit koston e segmentimit”, theksohet në raportin vjetor të Vizion Plus.
Tregu i televizioneve kërkon dhe investime të vazhdueshme, që nuk mundësohen nga të ardhurat dhe rentabiliteti i tij.
“Teknologjia e transmetimeve televizive përjeton një zhvillim shumë të shpejtë, i cili kërkon në mënyrë të vazhdueshme investime teknologjike, jo gjithmonë të përballueshme duke pasur parasysh karakteristikat e tregut shqiptar (popullsi e vogël, dhe të ardhura për frymë të ulëta në krahasim me vendet e Komunitetit Europian”, thuhet në raportin vjetor të “Top Channel”.
GARA E TELEVIZIONEVE
“TV Klan” kryeson renditjen si televizioni më i madh në vend prej disa vitesh. Në 2025-n, të ardhurat ishin 2.3 miliardë lekë, me një rritje prej 3.2% me bazë vjetore.
Sipas raportit vjetor, burimi kryesor i të ardhurave mbetet transmetimi i spoteve publicitare në televizion (1,3 miliardë lekë), i ndjekur nga të ardhurat nga sinjali (309.0 milionë lekë), të ardhura të tjera televizive, blerja e kohës televizive, reklama në web dhe në platformën OTT, si dhe abonimet OTT.
Televizioni raporti fitime prej 484 milionë lekësh, me rritje 56%, që sipas raportit erdhi kryesisht si rezultat i uljes së kostove për blerjen e të drejtave televizive dhe të shpenzimeve administrative.
“Top Channel” është i dyti më i madh në vend. Të ardhurat e televizionit ishin 1.95 miliardë lekë në 2025, me zgjerim prej 3.3% me bazë vjetore. Fitimet para taksave ishin 242 milionë lekë, me rritje prej 54%.
“Media Vizion” (Vizion Plus) raportoi të ardhura prej 655 milionë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel me vitin e mëparshëm, pas rritjes dy shifrore të dy viteve të mëparshme. Fitimet mbetën minimale në 25 milionë lekë, nga 22 milionë lekë në 2024-n.
“TV A2” , i katërti më i madh në vend, nuk ka deklaruar ende bilanc për 2025-n. Në 2024-n, të ardhurat ishin 446 milionë lekë, ndërsa fitimet 4.2 milionë lekë.
“ABC News” raportoi rritje të ardhurash me 29%, në 376 milionë lekë, pas rënies në 2024-n. Televizioni deklaroi për herë të parë një fitim prej 85 milionë lekësh.
“Report TV” (MTSC) deklaroi të ardhura prej 309 milionë lekë, me rritje 6%. Televizioni raportoi humbje prej 18 milionë lekësh.
“News 24” ka raportuar rritje të të ardhurave me 6%, në 274 milionë lekë. Televizioni i lajmeve ka deklaruar humbje prej 114 milionë lekësh.
“EuroNews” ka deklaruar rënie të të ardhurave për të dytin vit radhazi, me 4.6%, në 185 milionë lekë. Kompania vijon të dalë me humbje që nga fillimi i aktivitetit, që në 2025-n ra në 109 milionë lekë, nga 139 milionë lekë në 2024-m.
Televizioni “Scan”, me fokus në lajmet ekonomike, shënoi rritje të fortë të të ardhurave, me 46%, në 174 milionë lekë, ndërsa kaloi nga humbjet në fitim minimal.
“MCN TV” (Johaniteri) kishte një vit me rënie të të ardhurave, pas rritjes së fortë në 2024-n. në 2025-n, qarkullimi vjetor ishte 72 milionë lekë, me tkurrje prej rreth 33%, ndërsa vijon të deklarojë humbje, që arritën në 49 milionë lekë.
“Syri TV” nuk deklaron bilanc që nga viti 2023, kur të ardhurat ishin 13 milionë lekë. Tre televizione të tjera janë praktikisht ta falimentuara, ndonëse vazhdojnë të transmetojnë sinjal: FAX NEWS (Fax Media Neës); TV ORA (“Ora” sh.a); ORA NEWS/ monitor-ad