Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

22:59 Serbia arreston një veteran të UÇK-së

Një ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shtetas i Kosovës, është arrestuar nga autoritetet në Serbi paraditen e 5 shkurtit, thanë nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) dhe avokati Arianti Koci.

Nënkryetari i OVL të UÇK-së, Gazmend Syla, tha për Radion Evropa e Lirë se Lozhani u arrestua në kufirin mes Serbisë dhe Kroacisë dhe gjatë kontrollit i është gjetur në xhep kartela e anëtarësisë së veteranit të UÇK-së.

Syla shtoi se ai ka marrë pjesë në disa stërvitje në Shqipëri dhe nuk ka informacione të ketë qenë në vijat e frontit në Kosovë.

Ndërkaq, Koci tha se arrestimi ndodhi rreth orës 11:00 të 5 shkurtit.

Sipas tij, ky rast nuk është i izoluar, pasi arrestime të shtetasve të Kosovës që kalojnë nëpër Serbi po përsëriten.

Koci kërkoi nga autoritetet e Kosovës që të reagojnë për këto arrestime, pa përjashtuar edhe masa politike, “përfshirë edhe mbylljen 24-orëshe të kufirit, nëse arrestimet vazhdojnë”.

“Nga ana ime në cilësinë e avokatit, po bëhet maksimumi i mundshëm. Megjithatë, mbrojtja efektive e qytetarëve të Kosovës nuk mund të mbetet vetëm në nivel individual. Kjo është përgjegjësi e shtetit, brenda dhe jashtë kufijve të tij”, shkroi ai.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ende nuk kanë reaguar për këtë rast.

Ende nuk dihet se nën çfarë pretendimesh është arrestuar Lozhani.

Por, Serbia ka arrestuar vazhdimisht shtetas të Kosovës nën pretendime për krime lufte në Kosovë më 1998-’99, dhe vetëm në vitin 2025 u regjistruan disa arrestime të tilla.

Serbia gjatë viteve ’90 e karakterizoi UÇK-në si organizatë terroriste, ndërsa për Kosovën, UÇK-ja është organizata që mbrojti popullsinë lokale nga represioni i forcave të armatosura jugosllave./mxh

22:45 Vjedhja spektakolare në Luvër, kurora e mbretëreshës gjendet vetëm “pak e shtypur”

urora e Mbretëreshës Eugenie, bashkëshortes së Napolonit III, një prej thesarëve më të çmuar të Luvrit, u gjet e shtypur pas grabitjes spektakolare që tronditi muzeun më 19 tetor të vitit të kaluar.

Megjithëse grabitësit vodhën bizhuteri me vlerë rreth 88 milionë euro (£76 milion, $104 milion), kurora e dekoruar me diamante mbeti pas, e dëmtuar, por sipas muzeut është gati e paprekur dhe mund të rikthehet në gjendjen e saj origjinale.

Fotografitë e para të publikuara nga muzeu tregojnë se kurora ishte lënë “shumë e deformuar”, pasi grabitësit përpiqeshin ta nxirrnin nga një vrimë e ngushtë në vitrinën e saj prej qelqi. Kurora ka humbur një nga tetë shqiponjat prej ari që e zbukuronte, por ruan 56 smeralde dhe pothuajse të gjitha diamantet e saj (vetëm 10 nga 1,354 diamantet mungojnë). Sipas muzeut, rikthimi do të bëhet pa nevojën për rindërtim, duke ruajtur kështu pamjen dhe strukturën origjinale të shekullit XIX.

Rikthimin e kurorës do ta mbikëqyrë një komitet ekspertësh i udhëhequr nga presidentja e Luvrit, Laurence des Cars, që do të sigurojë se çdo detaj historik do të rikthehet me kujdes maksimal. Grabitja e tetorit të kaluar ishte mjeshtërisht e planifikuar. Grabitësit përdorën një ngritës mekanik të vjedhur për të hyrë në Galerinë e Apollonit përmes një ballkoni pranë lumit Sena.

Ngjarja tronditi jo vetëm muzeun, por edhe publikun ndërkombëtar, duke nxjerrë në pah pasurinë e jashtëzakonshme të Luvrit dhe rrezikun që i kanoset objekteve të rralla historike. Kurora e Mbretëreshës Eugenie mbetet një simbol i madhështisë dhe elegancës franceze të shekullit XIX, dhe rikthimi i saj i plotë do të jetë një fitore e madhe për trashëgiminë kulturore dhe për muzeun më të vizituar në botë./mxh

22:37 Shpërthim në një minierë qymyri në Indi, të paktën 16 viktima, disa të tjerë të zhdukur

Të paktën 16 persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë lënduar pas një shpërthimi të ndodhur në një minierë Meghalaya-s në Indi. Raportohet se shumë persona të tjerë kanë mbetur të bllokuar, ndërsa dyshohet se miniera ishte e paligjshme.

Shpërthimi ndodhi rreth orët e para të mëngjesit, ndërsa tunelet e ngushta vështirësonin punën e autoriteteve për t’ia ardhur në ndihmë të lënduarve.

Miniera të tilla dikur ishin shumë të zakonshme në shtetet verilindore të Indisë, por u ndaluan në vitin 2014 për shkak të numrit të lartë të aksidenteve dhe shkatërrimit mjedisor që ato shkaktojnë./mxh

22:25 Sllovenia shqyrton ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç

Sllovenia po përgatit një projektligj që do të ndalojë aksesin në mediat sociale për fëmijët nën 15 vjeç, tha zëvendëskryeministri slloven Matej Arkon në një konferencë për shtyp të martën. Sllovenia, me një popullsi prej rreth 2 milionë banorësh, ndjek shembullin e Spanjës dhe vendeve të tjera që kanë propozuar ndalimin e përdorimit të mediave sociale nga adoleshentët , në një shenjë të një forcimi të qëndrimeve në Evropë ndaj teknologjisë që disa thonë se është projektuar të krijojë varësi.

Arkon tha se Ministria e Arsimit ka marrë iniciativën, duke u mbështetur në përvojën e vendeve të tjera, dhe se ekspertë në arsim dhe teknologji dixhitale do të përfshihen gjithashtu në hartimin e projektligjit që synon mbrojtjen e fëmijëve dhe adoleshentëve.

“Ka qenë një çështje shumë ‘e nxehtë’ në të gjithë botën dhe në Evropë në javët dhe muajt e fundit, dhe me këtë, ne si qeveri po tregojmë se kujdesemi për fëmijët tanë”, tha Arkon pas një mbledhjeje të kabinetit.

Ai vuri në dukje se qeveria dëshiron të rregullojë rrjetet e mediave sociale ku ndahet përmbajtja, duke përmendur ndër të tjera TikTok, Snapchat dhe Instagram.

Spanja dëshiron të ndalojë mediat sociale për adoleshentët nën moshën 16 vjeç. Vende të tjera, përfshirë Britaninë dhe Francën, po shqyrtojnë gjithashtu masa më të ashpra në mediat sociale, pasi Australia në dhjetor u bë vendi i parë që ndaloi aksesin në platforma të tilla për fëmijët nën moshën 16 vjeç./mxh

22:17 Administrata Trump lançon sot faqen e internetit ‘TrumpRx’ për ilaçe me zbritje

Administrata Trump do të lançojë sot ‘TrumpRx’, një faqe interneti që do t’i ndihmojë pacientët të blejnë ilaçe me recetë direkt nga prodhuesit me një çmim të zbritur, në një kohë kur kujdesi shëndetësor dhe kostoja e jetesës janë shqetësime në rritje për amerikanët.

Faqja e internetit e organizuar nga qeveria nuk pritet të jetë një platformë për blerjen e ilaçeve, por përkundrazi do të krijohet si një lehtësues.

Zbulimi i faqes, i planifikuar për të enjten në mbrëmje, u njoftua nga sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt, e cila në një postim në ‘X’ e quajti “një faqe interneti të teknologjisë së fundit për konsumatorët amerikanë për të blerë ilaçe me recetë me kosto të ulët”.

Sekretarja tha se Presidenti Donald Trump do ta bëjë njoftimin së bashku me Administratorin e Qendrave për Shërbimet Medicare dhe Medicaid, Dr. Mehmet Oz, dhe Joe Gebbia, drejtor i Studios Kombëtare të Dizajnit të Trump.

Presidenti e paralajmëroi për herë të parë TrumpRx në shtator ndërsa njoftonte të parën nga më shumë se 15 marrëveshjet e tij me kompanitë farmaceutike për të ulur çmimet e ilaçeve në përputhje me çmimin më të ulët të ofruar në vendet e tjera të zhvilluara./mxh

22:09 Tentoi të v*asë me armë mësuesin në Uells, arrestohet 15-vjeçari

Një djalë 15-vjeçar u arrestua sot në 5 shkurt nga policia nën dyshim për tentativë vrasjeje pas një incidenti në Milford Haven Comprehensive School në Pembrokeshire, Uells. Incidenti ndodhi të enjten rreth orës 15:20, kur nxënësi tentoi të sulmonte një mësues me armë.

Policia e Dyfed-Powys tha se menjëherë pas ngjarjes, shkolla u vendos nën bllokadë, për të siguruar nxënësit dhe stafin. Mësuesi i sulmuar po merr trajtim mjekësor për lëndimet e marra. Asnjë nxënës nuk u dëmtua dhe shumica tashmë kanë shkuar në shtëpi. Një zëdhënës i Shërbimit të Ambulancës në Uells tha se u thirrën në vendngjarje dhe një pacient u transportua në spital. Policia vijoi të qëndrojë në shkollë për hetime.

Këshilli i Pembrokeshire konfirmoi se të gjithë nxënësit janë të sigurt dhe se çdo aktivitet pas shkollor për këtë mbrëmje është anuluar. Incidenti është nën hetim dhe se oficerët po punojnë për të kuptuar të gjitha rrethanat e ngjarjes. Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal. Autoritetet po bëjnë thirrje që prindërit dhe komuniteti të qëndrojnë të qetë dhe të lejojnë policinë të kryejë hetimin.

Djali 15-vjeçar u la në paraburgim, ndërkohë që hetimet vazhdojnë për të përcaktuar motivin dhe mënyrën sesi ndodhi incidenti. Policia dhe autoritetet shkollore po bashkëpunojnë ngushtë për të siguruar që të gjithë nxënësit dhe stafi të ndihen të mbrojtur dhe për të parandaluar çdo incident të ngjashëm në të ardhmen./mxh

21:58 Pas skandalit dhe faljes publike, a po i vjen fundi kryeministrit britanik?!

Ky është një moment jashtëzakonisht serioz për kryeministrin e Britanisë së Madhe, Keir Starmer. Sipas analizës së BBC-së, çdo veprim dhe deklaratë e tij gjatë ditës tregon se ai dhe ekipi i tij e kuptojnë thellësisht gravitetin e situatës.

BBC vë në dukje se kryeministri britanik ka zgjedhur të mos mbajë fjalimin që kishte planifikuar mëngjesin e sotëm, 5 shkurt, për fonde dhe iniciativa qeveritare, duke kërkuar falje publike ndaj viktimave të Jeffrey Epstein dhe duke pranuar se kishte “besuar gënjeshtrat e Peter Mandelson” dhe e kishte emëruar atë në postin më të lartë diplomatik të Mbretërisë së Bashkuar.

Më domethënëse ishte momenti kur, i pyetur nga gazetarët, Starmer pranoi se e kupton “zemërimin dhe frustrimin e deputetëve laburistë”.

Janë pikërisht ata deputetë që do të vendosin fatin e kryeministrit, dhe tani ata janë më të zemëruar se kurrë përgjatë udhëheqjes së Starmer.

Deputetja laburiste Rachael Maskell, e cila ka qenë shpesh kritike e tij për politikat sociale, tha se e sheh pozicionin e kryeministrit si “të papërballueshëm” dhe se është “e pashmangshme” që ai të japë dorëheqjen.

“Nuk mendoj se ka ndonjë zgjedhje. Ai e mbajti për disa muaj sekret për Parlamentin faktin që dinte për lidhjet mes Peter Mandelson dhe Jeffrey Epstein në momentin e emërimit. Kjo ishte një gjë e pandershme, si për deputetët, ashtu edhe për viktimat e Epstein”, tha ajo për BBC Radio York.

Një deputet tjetër laburist, i cili nuk dëshironte të identifikohej, tha për BBC Radio 5 Live:

Nuk e di si mund të vazhdojë…

Ministrat aktualë pranojnë se situata është jashtë kontrollit të qeverisë dhe mund të shkojë në çdo drejtim.

Megjithatë, pavarësisht zemërimit të fshehtë, shumë pak deputetë po kërkojnë publikisht dorëheqjen e kryeministrit. Ata që e bëjnë këtë zakonisht nuk kanë qenë mbështetës të fortë të udhëheqjes së tij.

Shumë pak janë edhe ata që kërkojnë publikisht shkarkimin e shefit të kabinetit, Morgan McSweeney, të cilin Starmer ka rezistuar ta largojë, edhe pse ai kishte insistuar për emërimin e Mandelson.

Kjo tregon se, megjithë dobësimin e pozicionit të Starmer aktualisht, nuk ka ende një sfidë të hapur ndaj tij.

Një deputet theksoi se diçka e tillë mund të ndodhë vetëm pas zgjedhjeve në maj në Skoci, Wales dhe disa autoritete lokale në Angli.

Një ish-ministër shtoi:

Mendoj se ka shumë pak gjasa që që dikush të veprojë para majit, por gjithçka po lëviz shumë shpejt. Nuk e di se si kryeministri mund të rikuperojë gabimin e jashtëzakonshëm me emërimin e Mandelson.

“Ai ka mbaruar. Është thjesht çështje kohe”, tha një ministër tjetër./mxh

21:51 Analisti: Rama dhe Berisha, të dy janë konsumuar si figura politike

Last Updated on 05/02/2026 by Monika

Analisti Fatos Lubonja ndau sot një qasje kritike lidhur me drejtuesit e mazhorancës dhe opozitës.

Në një dalje televizive, Lubonja tha se Edi Rama dhe Sali Berisha janë dy figura politike që tanimë janë konsumuar.

Sipas analistit, teza kryesore për situatën aktuale në vend nuk është nëse duan Ramën apo Berishën, por nëse duan rotacionin dhe demokracinë.

“Teza ime kryesore është që këtu nuk është problemi doni Ramën apo Berishën, por problemi qëndron nëse doni autokracin apo demokraci. Do rotacion sidoqoftë me këdo qoftë apo autokraci. Pra duhet futur në lojë të gjithë aktorët e tjerë kur flasim për opozitë. Unë kam thënë që një ndryshim nuk bëhet më Berishën, por nuk bëhet edhe pa Berishën dhe duhet gjetur një zgjidhje. Të dy janë konsumuar si figura politike. Rama është rrezik për demokracinë, Berisha i kemi dhënë shanse dy herë”,-tha Lubonja./mxh

21:49 Dosja “Epstein”/ Artan Hoxha: Problem që Shqipëria ndjell kërshëri për këto personazhe

Last Updated on 05/02/2026 by Monika

Gazetari Artan Hoxha tha sot se është problematike dhe shqetësuese që Shqipëria është një vend tërheqës për personazhe të përshirë në afera e skandale me përmasa të mëdha, si të dosjes “Epstein”.

Hoxha u shpreh se gjithçka lidhet me rolin si pastrues parash, shkarkues lobimi dhe interesash.

Siaps gazetarit është e pamundur që kjo gjë të shmanget, pasi personazhe të tillë qarkullojnë kudo.

“Unë mendoj se më shumë sesa këta ‘broker-at’ ndërkombëtarë, janë të gatshëm për të të ofruar mundësinë që t’i përdorësh si shkarkues lobimi dhe interesash. Edhe këta janë në rolin e pastrueses. Po të shikosh, vendet që lëvizin me këta personazhe shumë të rëndësishëm për politikën globale në momente të caktuara, janë ose diktatoriale, ose gjysmëautokratike, Kazakistan, Azerbajxhan , etj. Ata gjejnë vende të botës së tretë, ku sigurisht, atje mund të lëvrohen këto shuma të mëdha pa kokëçarje për ta. Prandaj them që ne nuk na interesojnë shumë se çfarë bëjnë këto lloj personazhesh, se janë në qarkull edhe nëse nuk duam ne. Problemi dhe fatkeqësia jonë është që, si është e mundur, që një vend si ne me resurse shumë të cunguara, të bëhet kaq kërshërindjellës për këto lloj personazhesh”,-tha Hoxha./mxh

21:47 Izrael, kabineti i Sigurisë në takim urgjent përpara bisedimeve SHBA-Iran

Kabineti izraelit i sigurisë është mbledhur në një seancë urgjente përpara bisedimeve të planifikuara midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, konfirmoi sot një zyrtar izraelit.

Faqja e internetit e lajmeve ynet raportoi se takimi, i cili fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej të dielën, është shtyrë.

Sipas burimeve iraniane, bisedimet me SHBA-në do të zhvillohen nesër në kryeqytetin e Omanit, Muscat.

Teherani tha se po planifikon të kufizojë bisedimet për programin e tij bërthamor, ndërsa Uashingtoni dëshiron të vendosë në axhendë programin e raketave të Iranit, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe mbështetjen e tij për grupet e armatosura anti-izraelite si Hamasi, Hezbollahu dhe Huthët.

Sipas qeverise izraelite bisedimet SHBA-Iran mund të dështojnë.

“Ynet” raportoi shqetësimet izraelite se presidenti i SHBA-së Donald Trump mund të bëjë lëshime për të arritur një marrëveshje të kufizuar mbi kufizimin e programit bërthamor të Iranit./mxh

21:35 Dafina ndan si rrallëherë foto me djalin dhe i dedikon fjalët e ëmbla

Dafina Zeqiri ka qenë shumë private për jetën e saj me bashkëshortin, Kreshnik Gjergji, dhe të voglin e tyre, Daskan, ama ndonjëherë ndan dhe detaje të bukura për këtë fazë të re të jetës si grua dhe nënë.

Së fundmi, këngëtarja ka ndarë disa foto të Daskanit, për të cilën është treguar gjithmonë shumë e kujdesshme që t’i ruajë privatësinë duke mos i zbuluar portretin.

Në mbishkrimin e postimit, Dafina i dedikon të birit dhe dy fjalë të ëmbla dashurie:

“Ti ndryshove jetën time përgjithmonë. Ti e kthen çdo gjë gri me ngjyra, çdo stuhi në diell. Dashuria ime më e madhe.”

Në janar të vitit 2025 Dafina zbuloi se ishte në pritje të ëmbël me parterin e saj prej disa vitesh, biznesmenin Kreshnik Gjergji.

Në korrik të po atij viti, këngëtarja dha lajmin e ëmbël se ishte bërë nënë e një djali, të cilit i kanë vendosur emrin Daskan./mxh

21:27 Mozzik pa filtra: ‘Vajzën po ta rrit Karimi’ në këngën ku reperi i bën diss vetes

Në këngën “Diss”, që ka marrë menjëherë vëmendje të madhe, Mozzik shkon edhe më tej duke rikthyer në vëmendje vargje shumë të ashpra që, sipas tij, i janë drejtuar ndër vite në rrjete sociale dhe media. Reperi citon komente fyese që prekin jetën e tij personale, përfshirë edhe vajzën e tij Hana, duke përmendur fraza si “vajzën po ta rrit Karimi”, vargje që kanë ndezur debat të fortë në publik.

Përmes këtyre teksteve, Mozzik nuk synon të sulmojë drejtpërdrejt persona të caktuar, por të tregojë presionin psikologjik dhe gjuhën e rëndë me të cilën është përballur vazhdimisht. Kënga shërben si një pasqyrë e komenteve më të errëta që, sipas reperit, i janë drejtuar për marrëdhënien me ish-partneren Loredana, jetën familjare dhe figurat publike të lidhura me të.

Ky stil i drejtpërdrejtë dhe pa filtra e ka bërë “Diss” një nga këngët më të komentuara të EP-së së re, duke ndarë opinionin mes atyre që e shohin si një akt të guximshëm artistik dhe atyre që e konsiderojnë tejet provokues./mxh

21:18 “Zilja që do ta mbaj gjithmonë në zemër”/ Beatrix Ramosaj ndan momentim prekës me nënën e saj

Këngëtarja Beatrix Ramosaj ka ndarë me ndjekësit një video thellësisht emocionuese, përmes së cilës ka bërë të ditur se nëna e saj ka përfunduar sot seancën e fundit të kimioterapisë. Ky moment shënon një hap shumë të rëndësishëm në rrugëtimin e saj drejt shërimit, pas një periudhe të gjatë dhe të vështirë për gjithë familjen.

Në pamjet e publikuara, nëna e Beatrix surprizohet nga stafi mjekësor me një zile simbolike, duartrokitje dhe përqafime plot dashuri, një gjest që ka sjellë emocione të forta dhe lot gëzimi për të gjithë të pranishmit. Këngëtarja e ka përshkruar këtë çast si një kujtim që do ta mbajë përgjithmonë në zemër, duke theksuar forcën dhe qëndresën e jashtëzakonshme të nënës së saj gjatë këtij procesi të vështirë.

Beatrix ka theksuar se, ndonëse rrugëtimi i shërimit nuk ka përfunduar ende dhe ka hapa të tjerë përpara, ky ishte një moment i shenjtë dhe i merituar për t’u festuar. Ajo është shprehur thellësisht krenare për guximin, forcën dhe zemrën me të cilën nëna e saj ka përballuar çdo sfidë.

Në mesazhin e saj, këngëtarja ka shprehur mirënjohje të veçantë për infermierët, mjekët dhe të gjithë ata që kanë qenë pranë familjes me lutje, mesazhe dhe mbështetje morale gjatë momenteve më të vështira. Ajo e ka përshkruar këtë ditë si një ditë drite dhe shprese.

Në fund, Beatrix e ka lidhur këtë moment me besimin e saj, duke theksuar se e gjithë kjo rrugë ka qenë e mundur falë dorës së Zotit, të cilit ajo ia beson vazhdimin e këtij udhëtimi drejt shërimit të plotë./mxh

21:07 Spanja realizon transplantin e parë të fytyrës, një arritje historike për mjekësinë moderne

Mjekësia spanjolle ka shënuar një moment historik me realizimin e transplantit të parë të fytyrës në vend, një ndërhyrje tepër komplekse që hap një kapitull të ri në kirurgjinë rindërtuese. Operacioni u krye falë indeve të dhuruara nga një grua që kishte zgjedhur eutanazinë, praktikë e legalizuar në Spanjë që prej vitit 2021.

Ndërhyrja u zhvillua në Spitalin Universitar Vall d’Hebron në Barcelonë dhe u konsiderua një hap i rëndësishëm për avancimin e transplantologjisë. Indet e dhuruara iu transplantuan një pacienteje që vuante nga dëmtime të rënda në fytyrë, të shkaktuara nga një infeksion serioz, i cili kishte komprometuar funksione jetike si frymëmarrja, ushqyerja dhe komunikimi verbal.

Operacioni u realizua nga një ekip multidisiplinar prej rreth 100 profesionistësh shëndetësorë dhe bëri të mundur rindërtimin e pjesshëm të fytyrës, duke hapur rrugën për rikuperimin gradual të funksioneve bazë të pacientes.

Donatorja kishte shprehur paraprakisht vullnetin për dhurimin e organeve dhe indeve pas procedurës së eutanazisë, çka i lejoi ekipet mjekësore të planifikonin me saktësi çdo fazë të ndërhyrjes, përfshirë përputhjen biologjike dhe përgatitjen e indeve.

Operacioni u drejtua nga Dr. Joan Pere Barret, drejtues i Shërbimit të Kirurgjisë Plastike dhe Djegieve në Vall d’Hebron, i cili theksoi se transplantet e fytyrës përfshijnë transferimin e lëkurës, muskujve, nervave dhe strukturave kockore, si dhe një trajtim të vazhdueshëm me medikamente imunosupresive për të shmangur refuzimin nga organizmi./mxh

20:42 Joga e fytyrës “fshin” rrudhat: Mjaftojnë vetëm 20 minuta në ditë (Lifestyle)

Kjo metodë natyrale e rinovimit shtrëngon lëkurën, zvogëlon rrudhat dhe përmirëson tonusin e fytyrës, pa injeksione dhe pa trajtime të shtrenjta

Në një botë ku pamja rinore shpesh lidhet me trajtime të kushtueshme dhe ndërhyrje estetike, gjithnjë e më shumë njerëz po i drejtohen një zgjidhjeje më të thjeshtë dhe më natyrale – Joga e fytyrës.

Kjo teknikë për kujdesin e fytyrës, e cila kombinon ushtrime për muskujt e fytyrës dhe elemente masazhi, po bëhet gjithnjë e më popullore sepse premton lëkurë më të shtrënguar dhe pamje më të freskët, pa asnjë injeksion.

Thelbi është i thjeshtë: ashtu siç stërvitim trupin, mund të stërvitim edhe muskujt e fytyrës. Joga e fytyrës përfshin lëvizje të synuara për fytyrën, qafën dhe dekoltenë, të cilat stimulojnë tonusin muskulor, përmirësojnë qarkullimin dhe ndihmojnë në shtrëngimin natyral të lëkurës.

Me praktikë të rregullt, fytyra mund të duket më e çlodhur, më e fortë dhe më e definuar, ndërsa rrudhat dhe vijat e imta bëhen më pak të dukshme.

Një përparësi e veçantë e kësaj metode është efekti i saj holistik. Përveç ndryshimeve estetike, Joga e fytyrës relakson muskujt e tendosur të fytyrës, përmirëson furnizimin e lëkurës me oksigjen dhe nxit drenazhin limfatik, gjë që kontribuon në një ten më të shëndetshëm dhe më të freskët. Për më tepër, është plotësisht falas dhe mund të praktikohet në shtëpi.

@nadiadassouki Start your day refreshed with my top 3 face yoga exercises! Achieve a rosy glow, reduce under-eye puffiness, and rejuvenate your skin. Don’t forget to use a hydrating oil for a smooth, effective massage 💫 #morningroutine #faceyoga #over40 #glowingskin #beauty #hautpflege #facelift #schönheit #puffy #skincare ♬ Originalton – Nadia Dassouki

Joga e fytyrës: ushtrime për fillestarë

Kundër rrudhave në ballë: Vendosni shuplakat në ballë dhe tërhiqni lehtë lëkurën nga jashtë për 10 sekonda, ndërkohë që përpiqeni të mblidhni vetullat. Duart krijojnë rezistencë ndaj lëvizjes.

Për ngritjen e faqeve: Buzëqeshni me gojë të mbyllur, vendosni gishtat në majat e faqeve, ngritini lehtë dhe mbajeni buzëqeshjen.

Për sytë dhe kapakët: Hapni sytë sa më shumë, sikur të jeni të befasuar. Shikoni drejt për 5 sekonda pa ngritur vetullat.

Për buzët dhe rrudhat nazolabiale: Fryni faqet dhe për 30 sekonda lëvizni ajrin nga njëra anë në tjetrën.

Për mjekrën e dyfishtë: Anoni lehtë kokën pas dhe bëni lëvizjen sikur po puthni tavanin.

Kur shihen rezultatet?

Për efekte të dukshme rekomandohet ushtrim prej 20–30 minutash në ditë, tre deri në katër herë në javë. Këshillohet përdorimi i kremit ose vajit për t’i bërë lëvizjet më të lehta, ndërsa fillestarëve u rekomandohet të ushtrojnë para pasqyrës.

Ndryshimet e para mund të vërehen pas 6 deri në 8 javë, ndërsa për rezultate më të theksuara nevojiten tre deri në katër muaj praktikë të rregullt. Ashtu si në çdo stërvitje, vazhdimësia është çelësi.

Joga e fytyrës nuk jep efekt të menjëhershëm si botoksi, por në plan afatgjatë mund të kontribuojë në lëkurë më të fortë, tonus më të mirë të fytyrës dhe pamje më të freskët – në një mënyrë plotësisht natyrale./et

20:40 VIDEO/ Digjet një automjet në zonën e Ujit të Ftohtë, bllokohet rruga

Last Updated on 05/02/2026 by Monika

Një automjet është përfshirë nga flakët ditën e sotme në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, duke shkaktuar bllokim të përkohshëm të qarkullimit rrugor. Sipas raportimeve, makina ka marrë flakë gjatë lëvizjes dhe brenda pak minutash është përfshirë totalisht nga zjarri, duke shkaktuar panik tek kalimtarët dhe shoferët e tjerë.

Menjëherë janë njoftuar shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë ndërhyrë për të shuar flakët dhe për të siguruar zonën. Fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar, ndërsa policia ka nisur hetimet për shkaqet e ngjarjes dhe po menaxhon qarkullimin e trafikut deri në largimin e automjetit të djegur./mxh

19:59 Ku e kufizojnë më shumë evropianët qasjen në të dhënat e tyre personale?

Përdoruesit e internetit në BE po ndërmarrin më shumë veprime për të mbrojtur të dhënat e tyre personale në internet, shkruan euronews.

Ndërsa të dhënat e reja tregojnë rezistencë në rritje ndaj gjurmimit në internet, sa larg është e gatshme të shkojë BE për të rimarrë sovranitetin digjital?

Të dhënat e reja tregojnë se qytetarët e BE-së po marrin më shumë masa paraprake me të dhënat e tyre personale në internet, ndërsa Evropa përpiqet të rimarrë sovranitetin e saj digjital nga kompanitë e mëdha të teknologjisë amerikane.

Në vitin 2025, shumica e përdoruesve të internetit në Bashkimin Evropian zgjodhën të mos lejonin që të dhënat e tyre personale të përdoren për reklama, ndërsa 56.2% kufizuan ose refuzuan qasjen në vendndodhjen e tyre gjeografike, sipas të dhënave të fundit të Eurostat.

Kufizimi i qasjes në profilet e mediave sociale ose në ruajtjen e përbashkët në internet u bë gjithashtu më i zakonshëm, me 46% të përdoruesve të internetit që ndërmorën një hap të tillë.

Shifra përfaqëson një rritje prej pesë pikësh përqindjeje krahasuar me vitin 2023.

Përveç kësaj, 39% e njerëzve kontrolluan nëse faqja e internetit ku ata dhanë të dhëna personale ishte e sigurt, dhe 37.6% lexuan deklaratat e politikës së privatësisë përpara se të ndanin të dhënat e tyre personale.

Përqindja më e lartë e përdoruesve të internetit që morën masa për të mbrojtur të dhënat e tyre u regjistrua në Finlandë (92.6%), e ndjekur nga Holanda (91.2%) dhe Çekia (90.3%).

Në të kundërt, përqindjet më të ulëta u regjistruan në Rumani (56%), Slloveni (57.4%) dhe Bullgari (62%).

Kërcënimet ndaj të dhënave personale

Në disa raste, organizatat dhe rregullatorët evropianë kanë çuar kompanitë e teknologjisë në gjykatë për keqpërdorimin e supozuar të informacionit personal të qytetarëve.

Në janar 2026, autoriteti austriak i mbrojtjes së të dhënave ngriti një padi kundër Microsoft, për vendosjen e paligjshme të cookie-ve të gjurmimit në pajisjet e një fëmije pa pëlqimin e tyre.

Padia, e bërë nga grupi i të drejtave të privatësisë noyb në qershor 2024, synonte softuerin arsimor të Microsoft, Microsoft 365 Education, i cili përdoret nga miliona studentë dhe mësues në shkollat evropiane.

Vitin e kaluar, nëntë organizata të shoqërisë civile ngritën një padi të përbashkët kundër X të Elon Musk për shkelje të supozuara të Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA) të BE-së.

Padia synonte përdorimin nga platforma të informacionit personal të ndjeshëm, siç janë mendimet politike, orientimi seksual, besimet fetare dhe gjendjet shëndetësore, për reklama të synuara.

Ajo bazohej në një hulumtim nga AI Forensics, një organizatë jofitimprurëse evropiane që heton algoritmet me ndikim, e cila zbuloi, ndër të tjera, se Dell Technologies kishte synuar përdorues në X me interesa në medikamente specifike, orientim seksual dhe besim.

Si po reagojnë qeveritë e BE-së?

BE-ja dhe shtetet e saj anëtare duket se po shtojnë përpjekjet për të ndaluar shkeljen e rregullave të saj digjitale dhe për të fituar më shumë pavarësi digjitale.

Dhjetorin e kaluar, BE-ja e gjobiti X me një gjobë prej 120 milionë eurosh, dënimi i saj i parë ndonjëherë sipas DSA-së, për shkelje të detyrimeve të transparencës dhe rregullave të reklamimit.

BE-ja po punon gjithashtu për rritjen e sovranitetit të saj digjital nga kompanitë e mëdha teknologjike amerikane, pasi Amazon Web Services, Microsoft dhe Google aktualisht kontrollojnë rreth 70% të tregut të cloud-it në Evropë.

Në një nga masat, Komisioni Evropian është gati të miratojë Aktin e ri të Zhvillimit të Cloud-it dhe AI-së.

Synon të trefishojë të paktën kapacitetin e qendrës së të dhënave të BE-së brenda pesë deri në shtatë viteve të ardhshme.

Ndërkohë, në nivel kombëtar, Franca njoftoi se do të zëvendësojë platformat amerikane Microsoft Teams dhe Zoom me platformën e saj të videokonferencave të zhvilluar në vend.

Platforma Visio do të përdoret në të gjitha departamentet qeveritare deri në vitin 2027. /et

19:57 Goditje e rëndë për Asllanin, Federata Turke nuk e kursen dhe i prish planet mesfushorit të Kombëtares

Federata Turke e Futbollit i ka çuditur të gjithë me vendimin që ka marrë sot për Kristjan Asllanin, sa i përket kartonit të kuq që ai mori në ndeshjen e debutimit me Beshiktashin.

Të gjithë mendonin se Asllani e kishte shlyer pezullimin në ndeshjen e mesjavës në Kupë, sipas rregullores, dhe se dërgimi i tij në Komisionin e Disiplinës ishte thjesht formaliteti i rastit. Ndaj ai pritej të luante në fundjavë ndaj Alaniasporit në kampionat. Por Komisioni i Disiplinës ka vendosur që të japë një masë më të ashpër për futbollistin shqiptar.

“Futbollisti i Beshiktash, Kristjan Asllani, dënohet me pezullim prej dy ndeshjesh në kompeticione zyrtare në përputhje me Nenin 43 të Rregulloreve të Disiplinës për një faull të rëndë ndaj një lojtari të ekipit kundërshtar në ndeshjen Beshiktash-Koniaspor të luajtur me 31 janar”, shkruhej në vendimin e marrë sot nga Komisioni i Disiplinës në Federatën Turke.

Një lajm që i ka çuditur të gjithë, pasi tashmë Asllani rezulton i pezulluar edhe për ndeshjen e kësaj fundjave dhe shtyn kthimin e tij në fushë për javën tjetër, duke prishur padyshim planet për mesfushorin e Kombëtares./mxh

19:52 Bugattin nuk e ndal as i ftohti, më së miri e dëshmon kjo video

I ftohti nuk mund ta ndalojë një pronar Bugatti të shijojë veturën e tij të mrekullueshme.

Panairi vjetor i veturave me djegie të brendshme (ICE) në St. Moritz dëshmon të jetë vendi i përsosur për këto hipervetura, siç dëshmohet nga videoja më poshtë.

Nga një Type 35 i zvogëluar dhe ajo që duket të jetë një Type 51 i mrekullueshëm, deri te një treshe veturash hiper-ekzotike Bolide, gama e veturave dukej shkëlqyeshëm në pistën e mbuluar me akull dhe borë.

Sa herë që gjen kaq shumë modele Bugatti në një vend, mund të supozosh me siguri se ky është një rast i veçantë.

Megjithatë, ajo që është më mbresëlënëse janë kushtet. /et

19:45 Ademi u rizgjodh në krye të FFK, urimi i Presidentit të UEFA-s

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, i ka dërguar një letër urimi presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, me rastin e rizgjedhjes së tij në krye të FFK-së.

Në mesazhin e tij, kreu i UEFA-s ka vlerësuar progresin e vazhdueshëm të futbollit në Kosovë, duke theksuar veçanërisht zhvillimin e futbollit të femrave dhe sukseset e Kombëtares së Kosovës në konkurrencën e meshkujve.

“Rritja dhe zhvillimi me hapa të sigurt janë qartësisht të dukshme në futbollin e femrave; ndërsa në atë të meshkujve, për herë të parë, së shpejti do të ndjekim ekipin kombëtar duke garuar në fazën ‘play-off’ për një vend në Kupën e Botës, duke shënuar kështu një moment shumë të veçantë në historinë e futbollit në Kosovë”, thekson Çeferin në letrën e tij.

Ai, po ashtu, i ka uruar suksese të mëtejshme presidentit Ademi në mandatin e ri, duke shprehur besimin për vazhdimin e bashkëpunimit dhe zhvillimit të futbollit kosovar.

Letra e plotë e presidentit Çeferin:

I nderuar President, i dashur Agim,

Kam kënaqësinë t’ju përcjell urimet e mia të përzemërta me rastin e rizgjedhjes suaj sot si president i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Rritja dhe zhvillimi me hapa të sigurt janë qartësisht të dukshme në futbollin e femrave; ndërsa në atë të meshkujve, për herë të parë, së shpejti do të ndjekim ekipin kombëtar duke garuar në fazën ‘play-off’ për një vend në Kupën e Botës, duke shënuar kështu një moment shumë të veçantë në historinë e futbollit në Kosovë.

Ju uroj suksese të mëtejshme, Agim, në këtë kapitull të ri dhe emocionues që keni përpara.

Të uroj më të mirat, Agim, ndërsa hyn në kapitullin tjetër emocionues që ke përpara./mxh

❌