Reading view

Flakët përfshijnë një shtëpi në Carralevë – rreth 35 mijë euro dëme, Policia e heton si zjarrvënie

Një shtëpi është përfshirë nga flakët në orët e vona të së martës në fshatin Carralevë të Shtimes, ndërsa dëmet materiale raportohet se kapin vlerën e dhjetëra mijëra eurove, mëson Sinjali.

Rasti ka ndodhur në lagjen Balaj, ndërsa Policia është njoftuar rreth orës 00:00 të 12 gushtit se një shtëpi ishte duke u djegur.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se pronari i shtëpisë është R.XH rreth 33-vjeçar.

Menjëherë pas raportimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat policore dhe hetuesit e Stacionit Policor në Shtime, si dhe ekipet e zjarrfikësve, të cilët kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin.

Pronari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe ka deklaruar se, sipas vlerësimit të tij, dëmet e shkaktuara nga zjarri arrijnë deri në 35 mijë euro.

Për shkak të vlerës së dëmit, për rastin është njoftuar edhe Njësia Rajonale e Hetimeve, e cila pritet të kryejë ekzaminimet e mëtejshme në vendin e ngjarjes. Deri atëherë, lokacioni është siguruar nga njësitë policore.

Prokurori kujdestar është njoftuar dhe, me autorizimin e tij, rasti është iniciuar si “Zjarrvënie”.

Për momentin nuk është identifikuar ndonjë person i dyshuar, ndërsa mbetet të sqarohet edhe shkaku i zjarrit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Flakët përfshijnë një shtëpi në Carralevë – rreth 35 mijë euro dëme, Policia e heton si zjarrvënie appeared first on Sinjali.

  •  

Dasma në Prekaz përfundon me bastisje – Policia gjen tri a*më e rreth 250 gëzhoja, dy persona në ndalim

Një aheng familjar në Prekaz të Epërm të Skenderajt ka përfunduar me intervenimin e Policisë, kontrollin e shtëpisë dhe automjeteve, si dhe sekuestrimin e disa a*mëve e qindra gëzhojave, mëson Sinjali.

Rasti ka ndodhur të martën, më 11 gusht, rreth orës 21:30, pasi Policia ka marrë informacion se në një aheng familjar po kishte të shtëna.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se personat e dyshuar në këtë rast janë Muharrem Fazliu rreth 61-vjeçar dhe Florent Fazliu rreth 23-vjeçar.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë patrulla policore, hetuesit dhe Forenzika. Gjatë kontaktit me pronarin e shtëpisë ku po mbahej ahengu, ai ka pranuar se kishte pasur të shtëna me një a*më me gaz, të cilën më pas ia ka dorëzuar Policisë.

Por rasti nuk ka përfunduar me kaq.

Pasi në vendin e ngjarjes janë vërejtur edhe gëzhoja të tjera, është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka autorizuar kontrollin e shtëpisë dhe automjeteve të të dyshuarve.

Gjatë kontrollit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe dy a*më të tjera – një pistoletë CANIK, kalibër 9×19 mm, dhe një TT, kalibër 7.62 mm.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, janë sekuestruar gjithashtu 240 gëzhoja, të raportuara si të kalibrit 9×9 mm, gjashtë gëzhoja të kalibrit 7.62 mm, si dhe 11 fishekë të pashkrepur të kalibrit 9×19 mm.

Dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor dhe janë intervistuar.

Me vendim të Prokurorit kujdestar, ndaj tyre janë iniciuar rastet për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa të dy janë ndaluar për 48 orë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Dasma në Prekaz përfundon me bastisje – Policia gjen tri a*më e rreth 250 gëzhoja, dy persona në ndalim appeared first on Sinjali.

  •  

Të shtëna në dasmë te “M-Event” në Skenderaj – Policia sekuestron a*mën, një person përfundon në ndalim

Të shtëna me a*më janë raportuar në mesnatë në një dasmë që po mbahej në restorantin “M-Event”, në fshatin Polac të Skenderajt, ku intervenimi i Policisë ka rezultuar me arrestimin e një personi, mëson Sinjali.

Ngjarja ka ndodhur më 12 gusht, ndërsa Policia është njoftuar rreth orës 00:30 se në ambientet e restorantit ishin dëgjuar të shtëna.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se personi i dyshuar është Agim Behrami rreth 45-vjeçar.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe, pas kontaktit me pronarin e restorantit dhe përgjegjësin e dasmës, kanë siguruar informacion se gjatë ahengut një person kishte shtënë me a*më me gaz.

Policia ka identifikuar të dyshuarin, ndërsa atij i është sekuestruar një pistoletë me gaz Zoraki 917-T, me një karikator. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar edhe katër gëzhoja.

Behrami është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë.

Rasti është iniciuar për veprat penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Të shtëna në dasmë te “M-Event” në Skenderaj – Policia sekuestron a*mën, një person përfundon në ndalim appeared first on Sinjali.

  •  

Gruaja denoncon bashkëshortin në Prishtinë: “Më goditi me shishe” – pretendon se dhuna kishte ndodhur edhe më parë

Një rast i dhunës në familje është raportuar mbrëmjen e së martës në Prishtinë, ku një grua ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë fizike dhe psikike, mëson Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se viktima është L. Xh. 27-vjeçare, ndërsa personi i dyshuar është bashkëshorti i saj, G. P. rreth 26-vjeçar.

Rasti është raportuar rreth orës 23:10, kur njësia policore ka kontaktuar me 27-vjeçaren në rrugën “Rexhë Delia”.

Sipas deklaratës së saj, incidenti kishte ndodhur më herët në shtëpinë e bashkëshortit, në rrugën “Helena Topia”, ku ajo pretendon se gjatë ushtrimit të dhunës fizike ishte goditur me një shishe.

Siç thonë burimet, gruaja u ka deklaruar hetuesve se ky nuk ishte rasti i parë. Sipas saj, edhe gjatë ditëve të mëhershme kishte përjetuar dhunë fizike dhe psikike, por rastet nuk i kishte denoncuar në Polici.

Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa Policia ka siguruar edhe prezencën e të dyshuarit, i cili është intervistuar lidhur me pretendimet.

Pas konsultimit me Prokurorin kujdestar për rastet e dhunës në familje, është urdhëruar që rasti të procedohet në kuadër të dhunës në familje. Hetimet lidhur me rrethanat e rastit pritet të vazhdojnë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Gruaja denoncon bashkëshortin në Prishtinë: “Më goditi me shishe” – pretendon se dhuna kishte ndodhur edhe më parë appeared first on Sinjali.

  •  

Ekskluzive| Hipi në një “Pickup” për të shkuar me të, por gjithçka mori tjetër rrjedhë – 52-vjeçari sulmohet dhe grabitet në Prishtinë

Një rast i grabitjes është raportuar të martën në fshatin Shkabaj të Prishtinës, ku një 52-vjeçar dyshohet se është sulmuar fizikisht dhe më pas është grabitur nga një person ende i paidentifikuar, mëson Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se viktima është N. K., i cili para Policisë ka rrëfyer se ngjarja ndodhi derisa ishte duke shkuar drejt stacionit të autobusëve.

Sipas informacioneve të rastit, pranë tij ishte ndalur një veturë e tipit Pickup, ngjyrë e bardhë, drejtuesi i së cilës i kishte kërkuar të hipte dhe të shkonte me të. N. K. kishte pranuar dhe kishte hipur në automjet.

Por pak më vonë situata dyshohet se ka marrë tjetër rrjedhë.

Kur kishin arritur në zonën e Arbërisë, afër Shkabajt, i dyshuari dyshohet se ka marrë disa mjete pune dhe e ka goditur 52-vjeçarin në gjoks.

Më pas, sipas denoncimit, atij i janë grabitur 180 euro para të gatshme dhe një telefon në vlerë rreth 190 euro, ndërsa i dyshuari është larguar në drejtim të panjohur.

Viktima ka marrë trajtim mjekësor dhe më pas është intervistuar nga Policia.

Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar i Departamentit për Krime të Rënda, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për “Grabitje” dhe ndërmarrjen e veprimeve për identifikimin e të dyshuarit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ekskluzive| Hipi në një “Pickup” për të shkuar me të, por gjithçka mori tjetër rrjedhë – 52-vjeçari sulmohet dhe grabitet në Prishtinë appeared first on Sinjali.

  •  

Hajnat e maskuar futen në një shtëpi në Ferizaj – pronarja raporton se iu vodhën 30 mijë euro ari dhe një Beretta

Një vjedhje e rëndë me dëm të konsiderueshëm është raportuar në fshatin Bibaj të Ferizajt, ku dy persona të maskuar dyshohet se kanë depërtuar në një shtëpi dhe kanë marrë stoli ari në vlerë prej dhjetëra mijëra eurosh, si dhe një armë, mëson Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rastin në Polici e ka raportuar V.H. rreth 45-vjeçare e cila ka deklaruar se persona të panjohur i kishin hyrë në shtëpi dhe i kishin vjedhur stoli ari në vlerë rreth 30 mijë euro.

Përveç stolive, sipas deklarimit të saj, është marrë edhe një Beretta me leje, vlera e së cilës është rreth 1,800 euro.

Pamjet e kamerave të sigurisë pritet të jenë një nga provat kryesore për hetuesit. Sipas ankueses, në incizime shihen dy persona të maskuar duke hyrë në shtëpi dhe duke marrë gjërat me vlerë.

Policia është njoftuar për rastin më 11 gusht, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit dhe njësia e Forenzikës Rajonale, të cilët kanë nisur veprimet për identifikimin e autorëve.

Rasti po hetohet si “Vjedhje e rëndë”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Hajnat e maskuar futen në një shtëpi në Ferizaj – pronarja raporton se iu vodhën 30 mijë euro ari dhe një Beretta appeared first on Sinjali.

  •  

Premierliga lë pas Evropën, klubet e promovuara shpenzojnë tri herë më shumë se katër ligat tjera së bashku

Diferenca financiare mes Premierligës dhe katër kampionateve të tjera elitare të Evropës vazhdon të jetë jashtëzakonisht e madhe.

Sipas shifrave deri më 12 gusht, klubet e promovuara në Premierligë kanë shpenzuar plot 290.6 milionë funte gjatë afatit kalimtar veror.

Ipswich Town kryeson listën me rreth 143.6 milionë funte të investuara, i ndjekur nga Coventry me 93.8 milionë dhe Hull City me 53.8 milionë funte.

Në Serie A, klubet e promovuara kanë shpenzuar gjithsej 51.2 milionë funte, ndërsa në La Liga kjo shifër arrin në 30.3 milionë.

Bundesliga regjistron 13.1 milionë funte shpenzime nga skuadrat e sapopromovuara, ndërsa në Ligue 1 shifra është vetëm 1.5 milionë funte.

Në total, klubet e promovuara në Serie A, La Liga, Bundesliga dhe Ligue 1 kanë shpenzuar rreth 96.1 milionë funte.

Kjo do të thotë se skuadrat e sapopromovuara të Premierligës kanë investuar rreth 194.5 milionë funte më shumë se ato të katër ligave të tjera të mëdha evropiane së bashku.

Shifrat tregojnë edhe një herë fuqinë financiare të futbollit anglez dhe hendekun e madh ekonomik mes Premierligës dhe pjesës tjetër të elitës evropiane.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Premierliga lë pas Evropën, klubet e promovuara shpenzojnë tri herë më shumë se katër ligat tjera së bashku appeared first on Sinjali.

  •  

Përditësohen të dhënat, kjo është gjendja në pikëkalimet kufitare për hyrje/daljet nga Kosova

Fluksi në pikat kufitare të Kosovës është shtuar gjatë mbrëmjes së së mërkurës, me pritjet më të gjata të regjistruara në pikën kufitare në Muçibabë.

Sipas të dhënave të fundit, në Muçibabë pritjet për hyrje arrijnë deri në 40 minuta, ndërsa për dalje deri në 30 minuta. Kolona në hyrje është rreth 400 metra, ndërsa në dalje rreth 250 metra.

Në Dheun e Bardhë pritjet për hyrje janë 15 deri në 20 minuta, ndërsa për dalje rreth 30 minuta. Kolonat arrijnë në 100 metra në hyrje dhe 150 metra në dalje.

Në Jarinjë pritjet për hyrje janë 25 deri në 30 minuta, ndërsa për dalje 5 deri në 10 minuta.

Pritje ka edhe në Han të Elezit, ku qytetarët presin rreth 15 minuta për hyrje dhe shtatë minuta për dalje, me kolonë prej rreth 200 metrash në hyrje.

Në pikat tjera kufitare pritjet kryesisht variojnë nga një deri në pesë minuta, ndërsa për kamionët nuk raportohen kolona të konsiderueshme.

Të dhënat janë përditësuar të mërkurën në orën 20:42.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Përditësohen të dhënat, kjo është gjendja në pikëkalimet kufitare për hyrje/daljet nga Kosova appeared first on Sinjali.

  •  

Arrestohet i dyshuari për kërcënimin ndaj Ramush Haradinajt

Është arrestuar personi i dyshuar për kërcënimin ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Sipas saj, i dyshuari është arrestuar nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë.

Rasti është duke u trajtuar në koordinim me organet e drejtësisë, ndërsa pritet të ndërmerren veprimet e mëtejme procedurale.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Arrestohet i dyshuari për kërcënimin ndaj Ramush Haradinajt appeared first on Sinjali.

  •  

“Lavdi Allahut”, Trump thotë se SHBA-ja ka marrë kontrollin e Hormuzit dhe Irani është dobësuar

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se SHBA-ja ka vendosur kontroll të plotë mbi Ngushticën strategjike të Hormuzit dhe ka lënë të kuptohet se Uashingtoni synon ta ruajë atë.

Trump e ka përshkruar bllokadën detare amerikane si një “mur çeliku”, duke pretenduar se Irani nuk ka kapacitet për ta sfiduar atë.

Sipas tij, Irani nuk ka më një marinë dhe forcë ajrore funksionale, ndërsa ka pretenduar se Garda Revolucionare Islamike është dobësuar rëndë.

Presidenti amerikan ka thënë gjithashtu se udhëheqja iraniane është në një pozitë të pasigurt dhe se vendi po përballet me probleme të mëdha financiare dhe ekonomike.

“Irani vetëm flet dhe nuk vepron më; nuk është më ngacmuesi i Lindjes së Mesme. Lavdi Allahut!”, tha 80-vjeçari.

Deklaratat e Trump vijnë në një kohë tensionesh të larta rreth Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve më të rëndësishme detare për transportin e naftës dhe gazit në botë.

Çdo bllokim ose kufizim i trafikut në këtë ngushticë mund të ketë pasoja të mëdha për furnizimin global me energji dhe për çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post “Lavdi Allahut”, Trump thotë se SHBA-ja ka marrë kontrollin e Hormuzit dhe Irani është dobësuar appeared first on Sinjali.

  •  

NATO vlerëson përmirësim të situatës së sigurisë në Kosovë, ndryshon pozicionimin e KFOR-it

NATO ka njoftuar se misioni paqeruajtës KFOR ka nisur përshtatjen e pozicionimit dhe pranisë së tij në terren, pas përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë.

Sipas Aleancës, ndryshimet synojnë që KFOR-i të jetë i përshtatur me rrethanat aktuale dhe po zbatohen nën udhëheqjen e komandantit të misionit, gjeneralmajor Özkan Ulutaş.

Procesi po zhvillohet në koordinim të ngushtë me autoritetet dhe palët relevante.

“NATO po punon për të siguruar që misioni ynë paqeruajtës në Kosovë, KFOR, të jetë i optimizuar për mjedisin aktual, duke pasur parasysh përmirësimet në situatën e sigurisë”, thuhet në njoftim.

NATO ka theksuar se këto përshtatje tregojnë progres në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Megjithatë, Aleanca ka bërë të qartë se ndryshimet varen nga situata në terren dhe mund të rikthehen nëse vlerësohet e nevojshme.

“Ky proces bazohet në kushte dhe mund të kthehet mbrapsht, nëse kjo vlerësohet e nevojshme”, ka theksuar NATO.

Aleanca ka ritheksuar përkushtimin e saj për sigurinë afatgjatë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post NATO vlerëson përmirësim të situatës së sigurisë në Kosovë, ndryshon pozicionimin e KFOR-it appeared first on Sinjali.

  •  

Krasniqi kritikon LDK-në pas përplasjeve në Kuvend: Ku është Abdixhiku, ku është Osmani?

Ish-deputetja e LDK-së, Rezarta Krasniqi, ka reaguar pas zhvillimeve të sotme në Kuvendin e Kosovës, ku pati përplasje mes deputetëve të PDK-së dhe AAK-së me ata të Lëvizjes Vetëvendosje.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka drejtuar kritika të ashpra ndaj partisë së saj, duke e pyetur kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, si dhe presidenten Vjosa Osmani se ku janë në këtë situatë.

Ajo ka thënë se ndihet “thellësisht e turpëruar” nga heshtja e LDK-së, duke vlerësuar se partia që dikur kishte rol qendror në proceset shtetformuese sot është pa zë dhe pa ide.

“Jam thellësisht e turpëruar që partia ime, partia që skicoi vetë idenë e shtetit të Kosovës, sot rri e heshtur, e pa zë, e pa ide – derisa do të duhej ta ballafaqonte këtë pushtet”, ka shkruar Krasniqi.

Ajo ka pyetur se kush po e përfaqëson sot votuesin e LDK-së dhe ku është zëri i tij, duke shtuar se partia nuk po shihet as në Kuvend dhe as jashtë tij.

“Si u bë kështu që partia protagoniste e secilit proces të rëndësishëm të shtetit, sot të jetë një parti e strukur e hedhur diku në margjina. E pafalshme, ofenduese është kjo”, ka përfunduar Krasniqi.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Krasniqi kritikon LDK-në pas përplasjeve në Kuvend: Ku është Abdixhiku, ku është Osmani? appeared first on Sinjali.

  •  

Lëndohet motoçiklisti në Gjilan, u përplas me veturën

Një person ka mbetur i lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur sot rreth orës 17:50 në qytetin e Gjilanit.

Në aksident janë përfshirë një automjet dhe një motoçikletë, ndërsa i lënduar ka mbetur drejtuesi i motoçikletës.

Lajmin për Gazeta Sinjali e ka konfirmuar Valon Osmani, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit.

Sipas tij, motoçiklisti është dërguar në Qendrën Emergjente të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, ku po merr trajtim mjekësor.

Ndërkohë, hetuesit policorë të Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor në Gjilan kanë nisur hetimin për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Lëndohet motoçiklisti në Gjilan, u përplas me veturën appeared first on Sinjali.

  •  

Tragjedi në një çerdhe në SHBA, gjenden të vdekur dy të rritur dhe një fëmijë

Tre persona, dy të rritur dhe një fëmijë, janë gjetur të vdekur të mërkurën në një çerdhe private në Hopkins të Minnesotës, rreth 24 kilometra në jugperëndim të Minneapolisit.

Sipas Policisë, viktimat besohet se janë familjarë mes vete. Në momentin e ngjarjes, brenda çerdhes ndodheshin edhe shtatë fëmijë të tjerë, të gjithë nën moshën pesë vjeç.

Shefi i Policisë së Hopkinsit, Brent Johnston, ka deklaruar se autoritetet dyshojnë se njëri prej viktimave, një burrë, është përgjegjës për vdekjen e dy personave të tjerë.

Megjithatë, ende nuk është përcaktuar saktësisht se si kanë humbur jetën viktimat, ndërsa motivi i ngjarjes është duke u hetuar.

Policia u njoftua për rastin pasi një prind mbërriti në çerdhe për të marrë fëmijën e tij.

Johnston e ka përshkruar skenën si një nga rastet më të rënda me të cilat është përballur gjatë karrierës së tij.

Kryetari i Hopkinsit, Patrick Hanlon, ka thënë se komuniteti është i tronditur nga ngjarja dhe ka falënderuar autoritetet për reagimin.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Tragjedi në një çerdhe në SHBA, gjenden të vdekur dy të rritur dhe një fëmijë appeared first on Sinjali.

  •  

Bisedimet Iran–SHBA për armëpushimin në ngërç, Teherani: Asnjë përparim për rikthimin e marrëveshjes

Irani dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë arritur përparim në përpjekjet për rikthimin e marrëveshjes së përkohshme të armëpushimit dhe përcaktimin e një afati për zbatimin e saj.

Një zyrtar i lartë iranian ka thënë për Reuters se bisedimet po zhvillohen përmes ndërmjetësve, por deri tani nuk është arritur ndonjë rezultat konkret.

“Nuk ka pasur absolutisht asnjë përparim në këtë çështje”, ka deklaruar ai.

Marrëveshja e arritur në qershor parashikonte ndërprerjen e operacioneve ushtarake dhe një periudhë 60-ditore për arritjen e një marrëveshjeje më të gjerë për programin bërthamor të Iranit dhe heqjen e sanksioneve amerikane.

Megjithatë, marrëveshja u shpërbë brenda pak javësh, ndërsa të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të angazhimeve.

Teherani ka hedhur poshtë raportimet se palët janë pajtuar për zgjatjen e periudhës 60-ditore, duke argumentuar se, sipas tij, kjo periudhë nuk ka hyrë asnjëherë realisht në fuqi.

Një tjetër pikë e fortë përplasjeje mbetet Ngushtica e Hormuzit. SHBA-ja kërkon rihapjen e plotë të kësaj rruge strategjike detare, ndërsa Irani akuzon Uashingtonin për mosheqjen e bllokadës ndaj porteve iraniane dhe moslirimin e aseteve të ngrira.

Zyrtari iranian Mohsen Rezaei ka paralajmëruar se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur nëse SHBA-ja nuk pranon kushtet e Teheranit për përfundimin e konfliktit.

Situata është tensionuar edhe më tej pas sulmeve ndaj anijeve në rajon, duke rritur shqetësimet për furnizimin global me naftë.

Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një prej rrugëve më të rëndësishme energjetike në botë, ndërsa tensionet e fundit kanë ndikuar edhe në rritjen e çmimit të naftës Brent.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Bisedimet Iran–SHBA për armëpushimin në ngërç, Teherani: Asnjë përparim për rikthimin e marrëveshjes appeared first on Sinjali.

  •  

Eklipsi diellor nis spektaklin në qiell, do të jetë i dukshëm pjesërisht edhe nga Kosova

Një nga fenomenet më spektakolare astronomike ka nisur të shfaqet, me momentet e para të eklipsit të plotë diellor që janë vërejtur në Rusi.

Gjatë orëve në vijim, hija e Hënës pritet të përshkojë zona të mëdha të Arktikut dhe Grenlandës, ndërsa fenomeni do të jetë i dukshëm edhe në pjesë të Islandës dhe Spanjës.

Edhe nga Kosova do të mund të vërehet eklipsi, por vetëm në formë të pjesshme. Hëna do të kalojë përpara Diellit dhe do të mbulojë vetëm një pjesë të tij.

Fenomeni pritet të jetë veçanërisht interesant pasi do të ndodhë pranë perëndimit të Diellit, ndaj për një pamje më të mirë rekomandohen vende me horizont të hapur drejt perëndimit.

Ekspertët paralajmërojnë se Dielli nuk duhet të shikohet drejtpërdrejt me sy të lirë, dylbi, teleskop apo kamera pa filtra të posaçëm solarë.

Për vëzhgim të sigurt rekomandohet përdorimi vetëm i syzeve të certifikuara për eklipse diellore.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Eklipsi diellor nis spektaklin në qiell, do të jetë i dukshëm pjesërisht edhe nga Kosova appeared first on Sinjali.

  •  

Aksident në qendër të Gjilanit, përplasen vetura dhe motoçikleta

Një aksident trafiku ka ndodhur para pak çastesh në qendër të Gjilanit, tek semaforët.

Në aksident janë përfshirë një veturë dhe një motoçikletë.

Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po merren me rastin.

Ende nuk dihet nëse si pasojë e aksidentit ka persona të lënduar.

Rrethanat e aksidentit pritet të sqarohen pas përfundimit të hetimeve nga Policia.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Aksident në qendër të Gjilanit, përplasen vetura dhe motoçikleta appeared first on Sinjali.

  •  

Dronët ukrainas godasin portin e madh rus

Dronët ukrainas kanë goditur Novorossiyskun, një prej porteve më të rëndësishme të Rusisë në Detin e Zi dhe një pikë kyçe për eksportet e naftës, tregtinë detare dhe aktivitetin ushtarak.

Sulmi raportohet se zgjati më shumë se pesë orë dhe aktivizoi sistemet ruse të mbrojtjes ajrore. Dëme janë raportuar në disa ndërtesa, ndërsa aktiviteti në disa terminale portuale është ndërprerë përkohësisht.

Novorossiysku ka rëndësi të veçantë strategjike për Moskën, pasi aty ndodhen terminale të mëdha energjetike dhe objekte të lidhura me Flotën ruse të Detit të Zi.

Ndërkohë, Ukraina raportohet se ka pezulluar sulmet ndaj cisternave të naftës që përdorin këtë port, pas një kërkese nga zëvendëspresidenti amerikan JD Vance drejtuar presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Kërkesa amerikane lidhej veçanërisht me anijet që transportojnë naftë kazake përmes terminalit të Konsorciumit të Tubacionit Kaspik, CPC.

Uashingtoni kishte shprehur shqetësim se sulmet mund të shkaktonin çrregullime në tregjet globale të naftës dhe të preknin interesat e kompanive amerikane Chevron dhe ExxonMobil.

Sipas raportimeve, Ukraina është pajtuar të mos godasë infrastrukturën e CPC-së apo anijet jo-ruse, për sa kohë ato nuk janë nën sanksione ukrainase dhe nuk transportojnë naftë apo ngarkesa ruse.

Megjithatë, Novorossiysku mbetet një objektiv i rëndësishëm strategjik për Ukrainën, për shkak të rolit të tij në kapacitetet ushtarake, logjistike dhe energjetike të Rusisë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Dronët ukrainas godasin portin e madh rus appeared first on Sinjali.

  •  

Skandal pas ndeshjes në Ligën e Kampionëve, lojtari godet me grusht punonjësin në tunel

Një përfundim i tensionuar i shoqëroi përballjen dramatike mes Bodo/Glimt dhe Union Saint-Gilloise, me norvegjezët që siguruan kualifikimin në play-off të Ligës së Kampionëve pas një fitoreje 3-2 në kohën shtesë.

Pas ndeshjes, situata u përshkallëzua edhe jashtë fushës. Sipas portalit norvegjez “Bodo Nu”, një futbollist i Union SG dyshohet se ka goditur me grusht në fytyrë një punonjës të administratës së Bodo/Glimt në tunel. Sipas të njëjtit raportim, punonjësi nuk ka pësuar lëndime.

Gazeta norvegjeze “VG” raportoi për incidentin dhe kërkoi qëndrimin e Bodo/Glimt. Zëdhënësi i klubit, Simen Pedersen, nuk pranoi ta konfirmonte apo mohonte rastin.

“Ne nuk do të komentojmë për këtë”, deklaroi Pedersen për “VG”.

Ai gjithashtu bëri të ditur se Bodo/Glimt nuk e ka raportuar incidentin në UEFA, pasi në vendngjarje ndodhej delegati i UEFA-s.

“UEFA ka delegatin e saj, i cili ishte aty ku ndodhi gjithçka dhe ndoshta e ka parë të gjithë situatën. Ai përgatit raport pas çdo ndeshjeje, pavarësisht se çfarë ndodh, kështu që presim që ajo që ka parë të përfshihet në raportin e tij”, shtoi ai.

Ndërkohë, UEFA i ka konfirmuar “VG”-së se raportet zyrtare nga ndeshjet e së martës janë duke u shqyrtuar, ndërsa nuk ka dashur të japë detaje të tjera. Edhe Union Saint-Gilloise është kontaktuar nga mediumi norvegjez, por klubi belg nuk kishte kthyer përgjigje në kohën e publikimit.

Tensionet nisën para se lojtarët të arrinin në dhomat e zhveshjes

Sipas gazetarëve të “VG” që ndodheshin në stadium, përplasjet kishin nisur gjatë rrugës drejt dhomave të zhveshjes.

Një futbollist i Union SG ishte irrituar nga gjestet e një tifozi vendas. Lojtari dyshohet se tentoi të afrohej drejt tribunës, por u ndalua nga pjesëtarët e sigurimit. Pas kësaj, tensionet vazhduan në drejtim të tunelit.

Pas përfundimit të takimit, Pedersen kishte folur për një atmosferë të tensionuar, duke theksuar se skuadra belge ishte shumë e pakënaqur me vendimet e gjyqtarit. Në atë moment, ai tha se, sipas informacionit që kishte, nuk kishte pasur goditje.

Një ditë më vonë, pas raportimeve për grushtin e dyshuar, klubi norvegjez zgjodhi të mos komentojë më tej.

Në aspektin sportiv, Bodo/Glimt siguroi kualifikimin falë një goli të shënuar në fund të kohës shtesë. Ndeshja e parë në Belgjikë kishte përfunduar 3-3, ndërsa norvegjezët fituan 3-2 në shtëpi dhe kaluan tutje me rezultat të përgjithshëm 6-5.

Union Saint-Gilloise do të vazhdojë garat në Ligën e Evropës, ndërsa Bodo/Glimt do të përballet me NEC Nijmegen në play-off-in e Ligës së Kampionëve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Skandal pas ndeshjes në Ligën e Kampionëve, lojtari godet me grusht punonjësin në tunel appeared first on Sinjali.

  •  

Galatasarayi ofron 45 milionë euro për Martinellin, Arsenali nuk ka dhënë përgjigje

Galatasaray ka bërë një lëvizje konkrete për të transferuar Gabriel Martinellin, duke i dërguar Arsenalit një ofertë zyrtare prej 45 milionë eurosh, raporton “Sky Sports”.

Klubi londinez ende nuk ka marrë një vendim për propozimin e ardhur nga Turqia, pasi oferta nuk është pranuar, por as nuk është refuzuar. Martinelli tashmë konsiderohet objektivi kryesor i Galatasarayt për këtë afat kalimtar.

Interesimi i kampionëve turq për sulmuesin brazilian është intensifikuar në ditët e fundit. Fillimisht ishte raportuar se Galatasaray po shqyrtonte mundësinë e një oferte rreth 40 milionë euro ose kishte nisur kontaktet për të kuptuar situatën e lojtarit.

Kjo lëvizje erdhi pasi klubi turk nuk arriti të avancojë në përpjekjet për të siguruar shërbimet e Rafael Leaos nga Milani. Tashmë, vëmendja është përqendruar te Martinelli dhe oferta prej 45 milionë eurosh tregon se Galatasaray është serioz për transferimin e tij.

Situata kontraktuale e brazilianit mund ta bëjë rastin edhe më interesant. Martinelli ka hyrë në vitin e fundit të marrëveshjes së tij me Arsenalin, ndonëse klubi anglez ka mundësinë ta zgjasë kontratën.

Sulmuesi ishte pjesë e skuadrës së Arsenalit që sezonin e kaluar triumfoi në Ligën Premier, por gjatë sezonit pati më pak paraqitje si titullar. Në të njëjtën kohë, Arsenali ka shtuar opsionet në repartin ofensiv dhe po kërkon edhe përforcime të tjera në krahun e majtë.

Megjithatë, 45 milionë euro nuk duket të jenë të mjaftueshme për ta bindur Arsenalin. Klubi anglez e vlerëson Martinellin më lart dhe, për më tepër, nuk dëshiron ta humbasë brazilianin pa gjetur paraprakisht një zëvendësues të përshtatshëm.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Galatasarayi ofron 45 milionë euro për Martinellin, Arsenali nuk ka dhënë përgjigje appeared first on Sinjali.

  •  
❌