Reading view

“Pages of the Coast”, libri dhe poezia takohen buzë detit në Green Coast

Mes aromës së detit dhe ritmit dinamik të ditëve verore, Green Coast riktheu për të pestin vit radhazi një prej traditave më të dashura kulturore, Panairin e Librit.

Për 4 ditë radhazi, shëtitorja buzë detit u kthye në një hapësirë të hapur leximi dhe takimi, ku pushuesit dhe vizitorët patën mundësi të zbulonin tituj të rinj, të riktheheshin te autorët e tyre të preferuar dhe ta bënin librin pjesë të natyrshme të pushimeve.

I organizuar nga Green Coast në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Albas” dhe shkrimtaren Rita Petro, panairi solli një përzgjedhje të larmishme titujsh nga letërsia shqipe dhe ajo e huaj, libra për grupmosha të ndryshme, si edhe botimet më të kërkuara të momentit.

Edicioni i pestë erdhi nën konceptin “Pages of the Coast”, me një identitet të ri dhe një frymë më romantike, të frymëzuar nga takimi i librit me detin. Përgjatë shëtitores, stendat e librave u bënë pjesë e peizazhit veror dhe krijuan një atmosferë ku leximi, pushimi dhe bisedat rreth letërsisë ndërthureshin natyrshëm.

Interesi ishte i lartë si nga pushuesit shqiptarë, ashtu edhe nga vizitorët e huaj, të cilët gjetën një përzgjedhje të pasur titujsh në gjuhën angleze. Një kënd i veçantë iu kushtua lexuesve më të vegjël, me libra të përshtatur për grupmosha të ndryshme, duke e kthyer panairin në një eksperiencë tërheqëse për të gjithë familjen.

Këtë vit, ky aktivitet kulmoi me mbrëmjen poetike të organizuar për herë të parë në Green Coast Hotel MGallery Collection. Në një atmosferë të dedikuar artit dhe fjalës së shkruar, shkrimtaret e mirënjohura Rita Petro dhe Mimoza Ahmeti interpretuan para audiences disa nga poezitë e tyre më të bukura, të frymëzuara nga deti dhe bukuria natyrore.

Vargjet u shoqëruan edhe nga zëri melodioz i Kamela Islamajt, duke krijuar një dialog emocional të poezisë me muzikën. Mes tingujve të natyrës dhe dritës së yjeve, mbrëmja i dha publikut mundësinë ta përjetonte letërsinë përtej faqeve të librit, përmes zërit të autoreve dhe tingujve muzikorë.

Me katër ditë kushtuar leximit dhe një mbrëmje ku poezia u ndërthur me muzikën, edicioni i pestë i Panairit të Librit pasuroi kalendarin veror të Green Coast me një tjetër përvojë kulturore.

  •  

Zjarret prekin sërish Spanjën, në rrezik manastiri me rëndësi historike

Një zjarr i fuqishëm pyjor në rajonin e Aragonit, në verilindje të Spanjës, ka detyruar 855 persona të largohen nga banesat e tyre, ndërsa flakët kanë përfshirë më shumë se 10 mijë hektarë tokë dhe po afrohen me një manastir të rëndësishëm historik.

Zjarri, i cili shpërtheu në zonën e Las Peñas de Riglos, vijon të jetë aktiv. Sipas qeverisë rajonale të Aragonit, për shkak të përhapjes së flakëve gjatë natës u evakuuan edhe katër komunitete të tjera, duke e çuar në 16 numrin e qyteteve dhe fshatrave të prekura nga urdhrat e evakuimit.

Shqetësimi kryesor i autoriteteve lidhet me manastirin e San Juan de la Peña-s, një kompleks mesjetar i ndërtuar nën një masiv shkëmbor dhe me rëndësi të veçantë për historinë e Aragonit.

Manastiri lidhet ngushtë me origjinën e Mbretërisë së Aragonës dhe ruan dëshmi të lidhura me disa prej sundimtarëve të saj të hershëm.

Edhe pse zjarri iu afrua kompleksit të enjten pa e përfshirë atë drejtpërdrejt, mbetjet e djegura që binin në zonën përreth detyruan autoritetet të zhvendosnin përkohësisht disa prej objekteve më të çmuara.

Ushtarë spanjollë, së bashku me zyrtarë të trashëgimisë kulturore dhe agjentë të mbrojtjes së natyrës, nxorën nga kompleksi mbetje njerëzore dhe objekte që lidhen me mbretërit e parë të Aragonës. Në mesin e materialeve të evakuuara ishin edhe piktura, relike dhe një kostum origjinal që i përkiste Kontit të Arandas.

Në terren janë angazhuar mbi 500 zjarrfikës dhe 35 mjete ajrore, ndërsa autoritetet spanjolle i kanë kërkuar edhe Francës të dërgojë avionë shtesë për të ndihmuar në përballimin e flakëve.

Zjarri është shfaqur në një periudhë të temperaturave jashtëzakonisht të larta në Spanjë. Sipas Agjencisë Meteorologjike Spanjolle, qershori dhe korriku i këtij viti kanë qenë së bashku periudha dymujore më e nxehtë që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1961. Temperaturat mesatare gjatë këtyre dy muajve ishin 2.9 gradë Celsius mbi mesataren e periudhës 1991-2020.

Temperaturat e larta, të shoqëruara me mungesën e reshjeve, kanë krijuar kushte të favorshme për përhapjen e zjarreve në zona të ndryshme të vendit.

Në fund të korrikut, një zjarr në provincën e Avilës dogji më shumë se 50 mijë hektarë tokë dhe ministri i Brendshëm e përshkroi atë si “më i madhi dhe më agresivi në historinë e Spanjës”. Ndërkohë, në fillim të të njëjtit muaj, një zjarr në provincën e Almerias shkaktoi 14 viktima.

  •  

FOTO / Kapen në portin e Durrësit 120 shishe verë dhe mallra të tjera të padeklaruara

Gjatë një kontrolli të ushtruar në Portin e Durrësit, Dega e Doganës Durrës, në bashkëpunim me strukturat e Policisë Kufitare, në vijën e dytë të kontrollit të mjeteve të rënda, konstatoi një sasi të padeklaruar mallrash në një mjet të ardhur me tragetin e linjës Ankona–Durrës.

Kapen në portin e Durrësit 120 shishe verë dhe mallra të

Në pjesën e pasme të mjetit u gjetën 20 kuti me nga 6 shishe verë, si dhe 2 kondicionerë të rinj dhe 238 kremra kozmetikë, të cilat nuk ishin deklaruar nga drejtuesi i mjetit.

Pas konstatimit, mjeti dhe drejtuesi i tij u referuan pranë strukturave të DVKM Durrës për vijimin e procedurave të mëtejshme.

  •  

Në kërkim për vrasjen e para 20 viteve në Tiranë, prangoset në Athinë 48-vjeçari

Geron Cecja, 48 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare për një vrasje të ndodhur në Tiranë në vitin 2006, është arrestuar në Athinë.

Arrestimi u krye nga një task-forcë speciale e policisë greke, pas informacionit mbi vendndodhjen e tij.

Siç raporton korrespondenti i Top Channel, Artur Bibe, Cecja u arrestua mesditën e djeshme në zonën e Filotheit në Athinë, nga oficerë të Departamentit të Kërkimit të Policisë Greke.

48-vjeçari, i datëlindjes 27 nëntor 1978, akuzohet nga autoritetet shqiptare për vrasjen e një bashkëatdhetari në Tiranë, në vitin 2006. Sipas akuzës, viktima është qëlluar me armë zjarri.

Për të ishte lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar, ndërsa prej rreth 20 vitesh ai ishte në kërkim nga autoritetet shqiptare.

Pas arrestimit, Cecja është dërguar në Prokurorinë Publike kompetente në Greqi.

Tashmë pritet vendimmarrja e autoriteteve greke lidhur me procedurat e ekstradimit të tij drejt Shqipërisë.

  •  

Berisha flet për ‘shtator të zjarrtë’, zyrtari i PD: Politika kërkon moral…

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Lisandër Hoxha, ka deklaruar se opozita duhet të ndryshojë qasje dhe të rikthejë besimin e qytetarëve, në prag të aksionit politik të paralajmëruar nga Sali Berisha për një shtator të zjarrtë.

“Politika do moral, që njerëzit të të besojnë. Ti duhet të jesh i moralshëm dhe të kesh pranë vetes njerëz të moralshëm që nuk t’i kap njeri prej xhakete. I kam bërë paralajmërime dhe kërkesë zyrtare partisë time se nuk mund të kesh njerëz të lidhur me tendera, me qeverinë më të korruptuar të Europës sot, që është qeveria Rama në krye të strukturave drejtuese. Më fal, po budalla i di shqiptarët? Të marrë janë shqiptarët që të shkojnë pas dikujt i cili paradite ngopet me tendera dhe pasdite bën opozitarin? Kjo është vija morale. Kam bërë kërkesë zyrtare për desorifikim dhe ndarje përfundimtare me njerëzit të cilët lidhin xhepin me politikën”, tha Hoxha në Puls me Bruna Çifligun në A2 CNN.

I pyetur nëse ka PD një plan konkret se si do ta vijojë opozitarizmin e saj me nisjen e sesionit të ri parlamentar në shtator, Hoxha u përgjigj:

“Zoti Berisha i ka shifrat mbi tavolinë. i di kush janë pozitat e PD-së, sa është pëlqyeshmëria publike e PD-së, sa është pëlqyeshmëria politike tek elektorati jonë, e liderit, e partisë, e strukturës drejtuese dhe të reflektoj mbi ato shifra, të siguroj që ka aftësinë për të marrë vendimet e duhura. Sot jemi larg pritshmërisë së opozitarëve, të cilët për fatin e mirë për herë të parë në Shqipëri janë shumicë në këtë vend. Për sa kohë gjithë parlamenti dhe partitë bashkë janë nën 50% dhe do ishte mirë që PD-ja të kishte ndërmarrë ato veprime të cilat e afronin me situatën që po vjen në shtator. Kur thuhet shtator i zjarrtë, nuk nënkuptohet luftë guerrile, por nënkuptohet rritja e presionit politik, sidomos nga SHBA-ja përmes ardhjes së ambasadorit të ri, zotit Ëend, i cili ka shpallur prioritetet e veta, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, sidomos kjo e dyta, e cila është ulur këmbëkryq në Shqipëri, janë përfituesit direkt dhe investitorët direkt të këtyre kullave të mëdha. E kanë kthyer vendin tonë në një lavatriçe gjigante të pastrimit të parave”, tha Hoxha në Puls me Bruna Çifligun në A2 CNN.

Hoxha theksoi se PD-ja është aktualisht larg pritshmërive të opozitarëve dhe apeloi për ndërmarrjen e reformave të thella brenda strukturave të saj dhe të garantojë një standard më të lartë moral.

“Unë mendoj që sot interesi i demokratëve, i opozitarëve në tërësi, të cilët janë mazhorancë në këtë vend, për herë të parë pas shumë e shumë vitesh, opozitarët, jo votuesit të PD-së janë mazhorancë në këtë vend, do të duhet të gjendet rruga, mekanizmi që këta opozitarë t’i mbledhin votat në një kuti. A gjendet kjo rrugë? Gjendet. A kanë mundësi ta bëjnë? Kanë. A janë duke e bërë? Jo, akoma. Shpresojmë që javët e ardhshme të kenë gjithë kohën për të kuptuar se me një kovë bojë nuk mbulon dot asnjë karakatinë që ta bësh duket më e bukur dhe më moderne, por do duhet një reformë e thellë serioze për t’i paraprirë politikisht asaj që po vjen. Nëse ky është misioni që ta rrisim PD-në dhe ta çojmë forcë qeverisëse”.

Sipas tij, protesta qytetare që po zhvillohet prej muajsh ka ndryshuar skenën politike dhe ka treguar rënien e besimit ndaj partive.

“Protesta i ka bërë një nder të madh vendit sa nuk e imagjinoni dot, sepse këtu kishte një monopolizim të skenës politike. A thua se një grup i vogël njerëzish kanë gjithmonë të drejtë marrin vendime për pjesën tjetër. Ajo që ka bërë protesta, ajo që i ka bërë politikës shqiptare protesta është defaktorizim absolut i të gjitha palëve. Janë ulur të gjitha palët. Të gjitha palët janë nën 50% të dalin të kundërshtojmë publikisht dhe jam gati të dal dhe t’i kundërshtoj me fakte. Janë nën 50% janë nën 50% çka tregon se dyqanet politike u kthyen kioska kështu që është serioze për ta kuptuar se kush është pozicioni i secilës prej partive se çfarë duan të bëjnë të ardhmen. Partia Demokratike me vepra nuk ka kuptuar asgjë. Unë njerëzit mund të bëhen deklarata çdo ditë edhe unë mund të dalë bëj çdo ditë nga një deklaratë por nëse veprimet nuk përputhen me deklaratat pastaj tregon që këtu ka hipokrizi. Protesta do të prodhojë kushtet që këtu të ketë ndryshime rrënjësore. Nëse s’e bën PD-ja, shoqëria ec përpara dhe nuk e pret PD-në”.

  •  

“Në Big Brother do doja të shihja Zeqinenë”! Kryemadhi ‘analizon’ politikanët: Ilir Meta, strategu i shtëpisë…

Edhe pse në rolin e opinionistes, Monika Kryemadhi ishte një nga protagonistet e Big Brother VIP 5 me komentet e saj.

Në një intervistë për “Pushime On Top”, ajo tregoi se kë nga politikanët e sotëm do të shihte brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri, ndërsa bëri edhe një analizë për politikanët shqiptarë dhe cili do të ishte roli i tyre nëse do të ishin pjesë e Big Brother.

“Ka ndryshuar fizionomia e politikanit. Nuk është më politikani që është në aparencë shtetar, që merr vendime në kuadër të sovranitetit të vendit. Sot politikani është bërë tregtar. Nuk di çfarë të them por do kisha qejf njëherë Zeqinenë në Big Brother. Se pavarësisht sulmeve që kemi, ajo ka bërë një zgjedhje të rreshtohet përpara një gjëje që edhe ajo nuk është e bindur në atë që bën.

Strategu i shtëpisë? Për mua strateg politik ka qenë Ilir Meta, pavarësisht marrëdhënieve personale. Ka pasur një objektiv, funksionimi i një strukture shtetërore. Pavarësisht se ajo nuk mund të ekzistojë, ka qenë perfekt në lojën e shahut që ai ndërtonte.

Intriganti? Edi Rama. Ja fut të gjithëve. Por do ta haj vetë ndonjë ditë.

Mbreti i shtëpisë? Vetëm mbret nuk ka Shqipëria. Edhe në kohën e Skënderbeut, me principata kemi qenë.

Protragonisti i kamerave? Berisha. Edhe për moshën që ka është protagonist. Unë kam vdekur me atë që ka thënë tani, një maternitet në SPAK. Është shumë lart. Nuk i shkon në mendje një 20-vjeçari.

Ai që do i shpëtonte nominimit? Lul Basha.

Banori më impulsiv. Në përgjithësi impulsivët janë shpirtmirë. Por nuk shoh ndonjë shpirtmirë në politik. Mund të quaj Erion Braçen.

Paqebërësi? Niko Peleshi.

Lojtari i heshtur? Damian Gjiknuri”, u shpreh Kryemadhi.

  •  

Zjarret që mund të na djegin të gjithëve

Në një analizë të fundit, botuar në faqen e tij – https://www.attali.com/en/– Zhak Attali, intelektuali i shquar francez, ashtu si edhe në analiza të tjera të tij, ngre alarmin se zjarret që po djegin Francën, por edhe Europën, janë një metaforë pas së cilës fshihet shkatërrimi që i kemi bërë natyrës, degradimi i demokracisë dhe egoizmi i shfrenuar për të shkatërruar natyrën në emër të industrisë së betonit. Sipas tij, ne nuk po përfillim të shkuarën, po shkatërrojmë të tashmen dhe po hedhim në erë të ardhmen.. Jemi ende në kohë, thotë ai, që të shpëtojmë planetin dhe që të mos vijë dita kur zjarret do të djegin edhe qytetet. Veçanërisht pas protestave të fillimit, atyre që vunë alarmin për ruajtjen e zonave të mbrojtura, ky shkrim merr një vlerë të posaçme edhe për ne, shqiptarët.

Franca po digjet—dhe jo vetëm pyjet e saj: Një paralajmërim i fundit.

Nga Zhak Attali

Zjarret e tmerrshme që aktualisht po shkatërrojnë botën – dhe Francën në veçanti – janë një manifestim i mungesës së respektit të brezit të sotëm për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Për të kaluarën, sepse këto zjarre janë rezultat i ndërhyrjes së tepërt njerëzore në natyrë dhe shkatërrimit të barrierave natyrore që dikur pengonin përhapjen e flakëve; për të tashmen, sepse ato përkeqësohen nga ngrohja globale e shkaktuar nga rritja e përditshme e emetimeve të gazrave serrë; dhe për të ardhmen, sepse uji po bëhet gjithnjë e më i rrallë dhe sepse brezi i sotëm, përmes veprimeve të tij,  po rrezikon ta kthejë planetin në një ferr për të gjitha format e ardhshme të jetës. Së fundmi, zjarrvënësit – qofshin ata që veprojnë nga çmenduria, keqdashja, mungesa e respektit apo pakujdesia – bëjnë pjesën tjetër të tragjedisë.

Përballë kësaj, çfarë mund të bëjmë? Zjarrfikës heronj – si profesionistë ashtu edhe vullnetarë – me burime të pamjaftueshme, luftojnë përbindëshat e zjarrtë; njerëz anonimë mbushin boshllëqet. Në Francë, qeveria, ende e fortë, koordinon përpjekjet dhe, me forcën e saj policore demokratike, parandalon aktet e vandalizmit dhe ndalon përhapjen e panikut. Më në fund, Evropa, e thirrur për ndihmë, siguron disa nga burimet që mungojnë.

Dhe pastaj çfarë? Pasi zjarret të vihen nën kontroll, do t’i harrojmë; do t’i lëmë mënjanë imazhet tmerruese të kuajve të tromaksur që galopojnë nëpër rrugët e shkreta të qyteteve të evakuuara, të zjarrfikësve të bllokuar në automjetet e tyre. Nuk do të reflektojmë mbi shkaqet; do t’ia hedhim fajin fatit të keq; nuk do të bëjmë asgjë për të parandaluar që kjo të mos ndodhë përsëri. Do t’i shpërfillim ata që thonë: “Ne jua thamë”; nuk do ta mbrojmë biodiversitetin ose burimet e ujit; nuk do ta zvogëlojmë zhvillimin e tokës, as nuk do të ndryshojmë llojet e bimëve që rritim; nuk do të restaurojmë ligatinat; nuk do ta kursejmë ujin; nuk do të zvogëlojmë emetimet e gazrave serrë; nuk do të shpallim gjendje të jashtëzakonshme për të përshpejtuar mbrojtjen nga zjarri të ndërtesave. Nuk do t’i sigurojmë mbrojtjes civile burime më të konsiderueshme.

Dhe kur të ndodhë përsëri – edhe nëse zjarrfikësit janë më me përvojë dhe procedurat janë më të rafinuara – zjarret do të jenë shumë më të rënda; qytetet nuk do të kursehen; flakët do të vrasin jo vetëm kafshët e tronditura ose zjarrfikësit e bllokuar në krye të detyrës, por edhe njerëz të panumërt, të zënë në befasi në shtëpitë e tyre ose të bllokuar në trafik gjatë një evakuimi të vonuar. Në qytetet e shkreta, aktet e vandalizmit dhe plaçkitjes do të shumëfishohen. Diku tjetër, njerëzit do të zihen për ujë dhe ushqim. Përballë kësaj, ne do të përfundojmë duke i besuar ushtrisë të gjitha kompetencat për të ruajtur rendin – ashtu siç kemi filluar të bëjmë së fundmi – duke harruar demokracinë.

A është ky një ekzagjerim? A është ky një vizion shumë i zymtë për të ardhmen? Jo, kjo është pikërisht dinamika aktuale – një dinamikë që mund të ishte parashikuar që kur filloi gjithçka, më shumë se tridhjetë vjet më parë.

Për më tepër, këto zjarre janë thjesht një metaforë për një fenomen shumë më të gjerë: Po, bota – dhe Franca në veçanti – po digjet nga shumë zjarre të tjera. Sepse flakët nuk janë mjeti i vetëm për të shkatërruar një shoqëri.

Për të folur vetëm për Francën, ky vend konsumohet nga borxhi publik – në fillim zvarritës, pastaj përvëlues, pastaj shpërthyes – i nxitur nga qeveritë e shpërdoruara – domethënë, zjarrvënësit – qoftë nga neglizhenca, pakujdesia apo dëshira piromane. Ai konsumohet gjithashtu nga një islamizëm që fshihet gjithnjë e më pak; nga një antisemitizëm gjithnjë e më i shfrenuar, ksenofobi e paturpshme dhe një refuzim i hapur i çdo solidariteti evropian në të ardhmen. Ai gjithashtu digjet nga mungesa e respektit për të kaluarën, e cila çon në shkatërrimin e biodiversitetit në emër të zgjerimit urban. Dhe në përgjithësi, ai nxitet nga mungesa e respektit nga ana e secilit individ për të gjithë të tjerët – një mungesë që çon në hedhjen e mbeturinave kudo që të dojë, në përhapjen dhe konsumimin e produkteve që janë toksike për veten dhe të tjerët, në shpërfilljen e çdo ligji për kënaqësinë e vet dhe në pranimin e tiranisë së “çdo njeri për veten e tij”.

Përballë kësaj, ashtu si gjatë zjarreve, ka njerëz (mjekë, mësues, oficerë policie, administratorë publikë) që bëjnë punën e tyre me sa më shumë që të jetë e mundur; ka qytetarë që kompensojnë mosveprimin dhe mungesën e respektit ndaj të tjerëve; dhe të tjerë që ofrojnë vullnetarisht kur buxhetet nuk janë të mjaftueshme; së fundmi, është Evropa, e cila ndihmon në mbushjen e boshllëqeve duke financuar borxhin publik, duke mbuluar një pjesë të buxheteve bujqësore dhe të mbrojtjes, dhe e cila, përmes kuadrit të saj ligjor, mbështet parimet themelore të demokracisë.

Megjithatë: nëse nuk i marrim seriozisht të gjitha këto forma të tjera të “zjarreve”, nëse nuk i zvogëlojmë në mënyrë drastike zonat e ndezshme, nëse nuk e vëmë nën kontroll borxhin publik, nëse nuk imponojmë sekularizëm pa kompromis sa më shpejt të jetë e mundur dhe nëse nuk shohim të lindë një projekt pozitiv kombëtar, së shpejti do të jenë qytetet që do të shkatërrohen nga trazirat e një të riu rebel; i gjithë vendi do të zhytet në dhunë. Represioni do të mbizotërojë. Policia do t’ia dorëzojë pushtetin ushtrisë, jo vetëm për të menaxhuar zjarret, por edhe për të ruajtur rendin. Demokracia do të jetë një viktimë anësore e të gjitha këtyre zjarreve.

Ka ende kohë. Por jo për shumë …

Përgatiti ILIR YZEIRI

  •  

Thyen arrestin në shtëpi dhe kryen 8 vjedhje brenda një jave, kapet 20-vjeçari në Tiranë

Një 20-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës pasi dyshohet se ka kryer 8 vjedhje në subjekte të ndryshme brenda një jave, ndërsa ishte nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për të njëjtën vepër penale.

Operacioni i koduar “Multiple” u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me strukturat e tjera policore në territoret ku ishin kryer vjedhjet.

Sipas Policisë, i dyshuari O. H., 20 vjeç, gjatë periudhës 5–13 gusht 2026, dyshohet se ka vjedhur para dhe produkte në tetë subjekte të ndryshme.

Gjatë verifikimeve të kryera pas kallëzimeve të disa qytetarëve, uniformat blu zbuluan se 20-vjeçari ishte aktualisht me masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar më herët pikërisht për vepra të ngjashme.

Policia vijon hetimet për të dokumentuar nëse 20-vjeçari është autor edhe i vjedhjeve të tjera të kryera në Tiranë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

  •  

Miliona për klubet shqiptare, Europa “mbush” arkat e Dinamos dhe Egnatias

Europa nuk po sjell vetëm emocione dhe histori për Dinamon e Egnatian, por edhe miliona euro në arkat e tyre.

Djemtë e Ilir Dajës me kalimin në finalen e “play-off”-it të Ligës së Konferencës kanë siguruar plot 1 milion e 450 mijë euro nga UEFA. Por, kjo shifër mund të rritet ndjeshëm. Nëse Dinamo arrin fazën e ligës, të ardhurat nga kualifikueset do të shkojnë në 3 milionë e 170 mijë euro, shkruan A2.

Shuma e përfituar është edhe më e lartë për Egnatian. Rrogozhinasit bënë përmbysjen e çmendur ndaj Shamrock Rovers, fituan 5-1 dhe siguruan një tjetër mbrëmje historike në Europë. Deri tani, UEFA u ka garantuar 3 milionë e 170 mijë euro, edhe nëse eliminohen në “play-off”-in e Ligës së Europës ndaj Lillestrom. Vetëm fitorja ndaj irlandezëve mbushi arkat e rrogozhinasve me 1 milionë e 460 mijë euro.

Nëse Egnatia kalon përballjen e së enjtes dhe hyn në grupet e Europa League fitimet shkojnë deri në 4 milionë e 310 mijë euro.

Kalimi në këto faza konsiderohet historik për kampionatin shqiptar. Për herë të parë dy ekipe konkurrojnë bindshëm në “playoff”-e të kupave të Evropës, çka mund t’i rrisë shanset për ngjitjen në pikë sa i përket kualifikimit në mbyllje të sesionit të ardhshëm.

  •  

Rritet numri i makinave të regjistruara! Mbi 58 mijë në 7 muaj, shtohen ato elektrike

Në krahasim me periudhën janar-korrik të vitit 2025, numri i mjeteve të regjistruara për herë të parë është rritur me 1.6%. Sipas drejtorit të regjistrimit të mjeteve, Arben Progni, në vetëm shtatë muajt e këtij viti kanë hyrë në qarkullim mbi 58 mijë makina.

“Gjatë periudhës janar-korrik, për shtatë muaj, janë regjistruar për herë të parë në Republikën e Shqipërisë rreth 58.500 automjete”, tha Progni.

Nga shifrat e fundit duket se shqiptarët po preferojnë gjithnjë e më shumë makinat elektrike, me një rritje prej 2.6 herë krahasuar me 2025-n.

“Flota e mjeteve elektrike është rreth 20.000 mjete, por për periudhën janar-korrik janë regjistruar 6400 mjete full elektrikë, që janë 100% elektrike. E kjo në evoluimin e flotës është rreth 50% më shumë. Ndërsa, referuar po të njëjtës periudhë në vitin 2025, mjete elektrike kemi 126% më shumë”, tha ai.

Në dy vitet e fundit, Koreja e Jugut dhe Kina mbeten tregjet kryesore nga ku shqiptarët po preferojnë të marrin automjetet.

“Vendet kryesore janë Republika e Koresë, Kina, SHBA, Italia, Gjermania, Zvicra”, tha ajo.

Në fund të muajit korrik totali i mjeteve që qarkullojnë në vend arriti rreth 1.1 milion.

  •  

Alarm për energjinë në Europë, thatësira godet centralet bërthamore, Danubi në nivel rekord

Thatësira dhe rënia rekord e nivelit të lumenjve rreth Europës ka shtuar frikën për një krizë energjetike në kontinentin tonë. Rumania u detyrua të mbyllë reaktorin e fundit ende në punë në të vetmin central bërthamor, pasi niveli i Danubit shënoi rënie rekord.

Kjo lëvizje e rrallë e Bukureshtit do të prek gjithashtu edhe furnizimet me energji në Moldavinë fqinje  e cila mbështetet tek ky central, për 60 përqind të nevojave energjetike.  Thatësira që ka prekur Danubin, ujërat e të cilit përdoren për të ftohur centralin rumun të Cernavoda, kishin detyruar mbylljen e një reaktori edhe në fund të korrikut.

“Sipas mendimit tim, duhet ta kuptojmë mesazhin që natyra po na përcjell. Në vitin 2018, në lumin Danub u regjistruan nivele rekord të ulëta të ujit. Tani, tetë vjet më vonë, kemi një tjetër rekord për nivelin e ulët të ujit. Dhe po shohim se marrja e ujit nga lumi po bëhet gjithnjë e më sfiduese, për shkak të ndryshimeve klimatike, por edhe ndryshimeve të tjera në shtratin e lumit”, tha profesor Attila Aszodi.

Rumania ka shpallur gjendjen e emergjencës përgjatë gushtit dhe u ka kërkuar kompanive dhe familjeve të reduktojnë konsumin gjatë orëve të pikut. Gati 2/3 e Danubit po përjetojnë rënie më të madhe të nivelit të ujit në 34 vite, ndërsa thatësira po prek prodhuesit e energjisë bërthamore rreth europës.

Franca që përdor centralet bërthamore për gjenerimin e rreth 70 përqind të elektricitetit regjistroi një rënie prej më shumë se 20 përqind në kapacitetin e prodhimit atomik këtë javë për shkak të thatësirës dhe të nxehtit ekstrem.

Hungaria ka shmangur deri më tani një mbyllje totale të centralit bërthamor Paks, por teksa niveli I Danubit pritet të bie edhe më shumë, qeveria e kryeministrit Magjar po shqyrton ndërtimin e një muri nënujor për të kontrolluar rrjedhjen pranë centralit.

Sipas një grupi shkencëtarësh ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu e kanë përkeqësuar thatësirën në Evropë, ndërsa situata pritet të rëndohet edhe më tej.

  •  

Kroacia “digjet” nga zjarret, 36 persona të plagosur

Të paktën 36 persona janë lënduar nga një zjarr i madh që përfshiu qytetin e Omišit në Kroaci gjatë mbrëmjes së të enjtes.

Nga të lënduarit, 14 persona janë dërguar në spital, ndërsa pjesa tjetër ka marrë shërbi mjekësor në qendrat shëndetësore dhe janë larguar.

Shtatë pacientë ndodhen në kujdes intensiv dhe raportohet se janë në gjendje kritike, për shkak të djegieve të rënda.

Shumica e të prekurve kanë marrë trajtim për djegie, ndërsa disa të tjerë kanë pasur vështirësi në frymëmarrje si pasojë e tymit të dendur.

Flakët u përhapën gjatë natës në disa zona, të ndihmuara nga erërat e forta, duke detyruar autoritetet të evakuonin qindra banorë.

Ekipet e zjarrfikësve vijuan përpjekjet për të vënë nën kontroll zjarrin dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.

  •  

Mblidhet Këshilli Bashkiak i Selenicës, Bellaj kundër bashkimit me Vlorën: Duhet të mbetemi të pavarur

Këshilli Bashkiak i Selenicës është mbledhur në një seancë të jashtëzakonshme, ku në fokus të diskutimeve ka qenë projekti për bashkimin e Bashkisë së Selenicës me Bashkinë e Vlorës.

Gjatë mbledhjes, kryetari i Bashkisë Selenicë, Nertil Bellaj, ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj kësaj nisme, duke argumentuar se Selenica duhet të vijojë të funksionojë si njësi vendore më vete.

Sipas Bellajt, bashkimi me Vlorën do të cenonte përfaqësimin e banorëve dhe do të ndikonte në zhvillimin e zonës. Ai theksoi se Selenica ka identitetin, territorin dhe nevojat e saj specifike, të cilat kërkojnë, sipas tij, një administrim të pavarur.

Kryebashkiaku deklaroi se do të vijojë të kundërshtojë projektin e bashkimit dhe të mbrojë interesat e banorëve të Bashkisë Selenicë.

Diskutimi për riorganizimin territorial pritet të vijojë edhe në kuadër të konsultimeve dhe qëndrimeve të njësive vendore të prekura nga propozimi.

  •  

Shqiptarët pa viza drejt Marokut, vendimi hyn në fuqi më 15 gusht

Shtetasit shqiptarë do të mund të udhëtojnë drejt Marokut pa vizë për qëndrime afatshkurtra.

Autoritetet kompetente të Mbretërisë së Marokut kanë vendosur heqjen e regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë që udhëtojnë për qëndrime afatshkurtra. Vendimi hyn në fuqi më 15 gusht 2026.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila ka publikuar informacionin në kuadër të të dhënave zyrtare për regjimin e vizave për shtetasit shqiptarë.

Heqja e vizave pritet të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen e qytetarëve shqiptarë drejt Marokut, duke krijuar më shumë mundësi për turizëm, udhëtime dhe shkëmbime mes dy vendeve.

  •  

Banorët denoncuan bllokimin, IKMT liron burimin dhe kanalin e ujitjes së tokave në Librazhd

Kanali i burimit ujor dhe ujitjes në fshatin Mirakë të Bashkisë së Librazhdit është tashmë në funksion të plotë të banorëve për vaditjen e tokave të tyre. Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit ju përgjigj ankesës së një grupi banorësh të Mirakës, Xibrakës dhe Polisit që denoncuan dëmtimin e këtij kanali me punime të paligjshme.

Inspektorët e IKMT-së verifikuan situatën në terren dhe konstatuan se shtetasi M.H. kishte vendosur tuba plastikë në kanal ndërsa kishte hedhur edhe beton duke reduktuar lëvizjen e ujit në diametrin e tubit. I gjithë punimi ishte kryer pa u pajisur me leje nga institucionet shtetërore.

Pas konstatimit të rastit, IKMT kreu të gjitha procedurat administrative dhe ndërhyri për të rikthyer kanalin në gjendjen e mëparshme, në shërbim të banorëve të këtyre tre fshatrave.

  •  

Euro vijon rënien në nivele historike! Leku i fortë edhe përballë monedhave të tjera

Nuk ndalet rënia e euros. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye me 92.92 lekë, me një rënie prej 0.09 lekësh në raport me ditën e mëparshme, duke vijuar në një nivel të ri historik të rënies së vlerës.

Monedha e përbashkët europiane po bie me shpejtësi këtë fillim gushti, kjo dhe për shkak të pikut të sezonit turistik ku oferta e valutës në treg është rritur për shkak të turistëve të huaj.

Ndërkohë Dollari amerikan ka ruajtur vlerën e tij në krahasim me një ditë më parë dhe shkëmbehet me 80.59 lekë, ndërsa rënie kanë edhe paundi britanik që shkëmbehet me 108.70 lekë si dhe Franga Zviceriane që shkëmbehet me 99.26 lekë.

Dollari Amerikan                    80.59

Euro  EUR                               92.92

Poundi Britanik                     108.70

Franga Zvicerane                   99.26

  •  

PDK shkon në Kuvend, Hamza: Kurti po mban peng shtetin e Kosovës, kërkojmë zbatimin e kushtetutës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, e ka akuzuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po e mban peng shtetin e Kosovës me mosformimin e institucioneve të reja.

Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, ai i bëri thirrje Kurtit që të mundësojë vazhdimin e seancës konstituive të legjislaturës së njëmbëdhjetë.

“Lëvizja Vetëvendosje, zoti Kurti, zonja Haxhiu, zoti Dehari, e ka kaluar një kufi që nuk është dashur ta kalojnë kurrë. Ata qëllimisht e kanë shkelur afatin kushtetues për konstituimin e Kuvendit dhe vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese. Jo një afat të vendosur nga PDK-ja dhe opozita, por nga Kushtetuta, të cilën e kanë suspenduar. Sot nuk kemi kriza politike, por kushtetuese dhe institucionale. Përveç që nuk kemi Kuvend, nuk kemi as qeveri me mandat të ri. Institucionet po funksionojnë me një terren të pasigurt, shkelje kushtetuese dhe shkelje të rregullores së Kuvendit, ndërkaq përgjegjësia politike po shtyhet nga një ditë në tjetrën. Kjo nuk është normale dhe nuk do të lejojmë që të bëhet normale. Shteti nuk është Albin Kurti. Shteti është Kushtetuta, ligjet dhe institucionet dhe kufijtë që askush nuk ka të drejtë t’i kalojë”, tha ai.

Në sallën plenare të Kuvendit, ku prezentë ishin vetëm deputetët e PDK-së dhe Aleancës, Hamza tha se pa e rikthyer kushtetutshmërinë e vendit nuk mund të flitet asgjë me Kurtin.

“Konstituimi i tashëm nuk e kthen orën pas, por Kuvendi duhet të konstituohet, pasi pa u konstituar nuk rrjedhin afatet kushtetuese. Prandaj, edhe sot i ftojmë: hajdeni, konstituoni Kuvendin. Mbi çdo parti është Republika e Kosovës, mbi çdo pushtet është Kushtetuta. Partitë vijnë dhe shkojnë, qeveritë e kryeministrit po ashtu, por Republika e Kosovës duhet të mbetet. Kjo republikë mbetet atëherë kur Kushtetuta respektohet. Albin Kurti po e mban peng shtetin e Kosovës. Pa e rikthyer kushtetutshmërinë, pa e rikthyer rendin kushtetues, me ne nuk mund të flitet për asgjë tjetër”, theksoi Hamza.

  •  

Gjyqi i nënës amerikane transmetohet live, Ndreca: Në Shqipëri mbyllim drejtësinë në emër të privatësisë

Avokati mbrojtës i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Plarent Ndreca, ka reaguar lidhur me moslejimin e kamerave për të transmetuar proceset gjyqësore në Shqipëri.

Duke bërë një krahasim me rastin e gjyqit të Lindsay Clancy, nënës amerikane që akuzohet për vrasjen e tre fëmijëve të saj, gjyq i cili po transmetohet live në SHBA, pavarësisht çështjeve shumë sensitive që trajtohen aty, Ndreca thotë se ky është treguesi më i qartë se sa shumë rrugë ka ende për të bërë drejtësia shqiptare në respekt të parimit kushtetues të publicitetit të seancës gjyqësore.

Reagimi i plotë i Ndrecës:

Ky është gjyqi i Lindsay Clancy, nënës amerikane të akuzuar për vrasjen e tre fëmijëve të saj. Mbrojtja e saj në gjyq mbështetet te problemet e rënda të shëndetit mendor pas lindjes. Në gjyq diskutohen publikisht diagnoza psikiatrike, medikamente, mendime vetëvrasëse dhe detaje thellësisht private të jetës së saj. Gjykohet vrasja e tre fëmijëve.

E megjithatë, gjyqi është publik. Kamerat janë në sallë. Dëshmitë transmetohen. Privatësia nuk ekziston në një seancë shtetërore gjykimi.

Ndërkohë, në Shqipëri, në procese me interes të jashtëzakonshëm publik, dyert mbyllen dhe kamerat largohen në emër të privatësisë.

Dy realitete. Dy standarde të publicitetit të drejtësisë.

Atje kërkohet të mbrohet privatësia pa mbyllur drejtësinë. Këtu, për të mbrojtur privatësinë mbyllim drejtësinë.

Ky është ndoshta treguesi më i qartë se sa shumë rrugë kemi ende për të bërë në respekt të parimit kushtetues të publicitetit të seancës gjyqësore.

  •  

Dy zjarrfikës humbën jetën nga flakët në Francë, një 15-vjeçar përballet me akuza

Një 15-vjeçar është vënë nën akuzë në Francë për zjarrin në Merignac, pranë aeroportit të Bordos, ku muajin e kaluar humbën jetën dy zjarrfikës.

Adoleshenti u paraqit para një gjyqtari dhe më pas u vendos në një qendër të mbyllur arsimore, ndërsa vëllai i tij 22-vjeçar u lirua nga paraburgimi pasi 15-vjeçari mori përgjegjësinë për ndezjen e zjarrit.

Sipas mediave franceze, zjarri dyshohet se nisi pasi adoleshenti hodhi një cigare në barin pranë zonës ku ndodhej me të vëllanë.

Të dy vëllezërit ishin ndaluar aty dhe po pinin cigare, ndërsa 22-vjeçari dyshohet se e kishte fikur cigaren e tij në parking.

Dy zjarrfikësit humbën jetën më 21 korrik, gjatë përpjekjeve për të shuar flakët, pasi automjeti i tyre i emergjencës mbeti i bllokuar nga zjarri.

Pas ngjarjes, Prokuroria e Bordos nisi një hetim për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e zjarrit.

  •  

Tiranë/ “Momenti” godet dy të rinjtë, kapen në flagrancë gjatë shitblerjes së drogës

Goditet një rast i shitblerjes së drogave të forta në kryeqytet. Në kuadër të operacionit të koduar “Momenti”, policia ka arrestuar në flagrancë 2 të rinj gjatë momentit të shitblerjes së drogës.

Një prej të arrestuarve, 19-vjeçari D. Sh u kap në flagrancë në rrugën “Egnatia”, duke i dorëzuar 26-vjeçarit D. F., një çantë me 211 gramë lëndë të dyshuar narkotike Kokainë. Më tej, nga kontrolli i banesës i 19-vjeçarit, u sekuestruan 41 gramë të tjerë të kësaj lënde.  Ndërkaq policia sekuestroi dhe 252 gramë lëndë narkotike Kokainë, 1 automjet tip “BMW” dhe 3 celularë.

Njoftimi i plotë:

Tiranë/Finalizohet si rezultat i punës operative, operacioni antidrogë, i koduar “Momenti”. Goditet në flagrancë, një rast i shitblerjes së drogave të forta.

Arrestohen në rrugën “Egnatia”, të dy shtetasit e përfshirë në këtë rast. Sekuestrohen 252 gramë lëndë narkotike Kokainë, 1 automjet tip “BMW” dhe 3 celularë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i administrimit të shpejtë të një informacioni të siguruar në rrugë operative, për përfshirjen e 2 shtetasve në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, finalizuan operacionin e koduar “Momenti”, gjatë të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit D. Sh., 19 vjeç dhe D. F., 26 vjeç.

19-vjeçari u kap në flagrancë në rrugën “Egnatia”, duke i dorëzuar 26-vjeçarit, një çantë me 211 gramë lëndë të dyshuar narkotike Kokainë. Më tej, nga kontrolli i banesës i 19-vjeçarit, u sekuestruan 41 gramë të tjerë të kësaj lënde.

  •  
❌