Reading view

“Hartë memece për të mbyturit” – teatri si hapësirë kujtese, dramaturgjia si dëshmi

Nga Dr. Silvana Leka

Metafora e ikjes dhe e harresës

Gushti ka peshë të veçantë në historinë dhe kujtesën e Durrësit që, në harkun e këtij muaji, ndërthur ngjarje me rëndësi, që ndikuan në fatin e tij, që nga rënia e qytetit nën sundimin osman (13-17 gusht 1501), te krijimi i flotës detare luftarake (15 gusht 1945) e deri te eksodet e gushtit 1991, disa prej të cilave janë të pranishme në kujtesën publike e të tjera më pak të artikuluara. Në këtë kuadër, vënia në skenë e “Hartë memece për të mbyturit” të Arian Lekës në shëtitoren “Taulantia”, në 35-vjetorin e eksodeve, ofroi një dimension të mirëfilltë dramaturgjik kujtese, pasi zhvendosja e performancës në bregdet, e konceptuar nga regjisorja Driada Dervishi, ishte zgjedhje e suksesshme hapësinore, që e zgjeroi konceptin e teatrit përtej kufijve të hapësirës së tij konvencionale. Ndërthurja e hapësirës reale me kujtesën kolektive krijuan një fushë të reflektimi, duke e vendosur teatrin në dialog me historinë e qytetit. Deti u bë skenë, kujtesë dhe partner dramaturgjik, pasi kur një tekst bashkëkohor vendoset në një mjedis urban me kujtesë të fortë kolektive, hapësira mbetet sfond i veprimit historik, por funksionon edhe si prani geo-emotive, me mundësi të gjera interpretative. Në këtë mënyrë, kufijtë mes skenës dhe realitetit u ridimensionuan. Po ashtu dhe kufitë mes kujtesës kolektive dhe asaj personale.

Një qasje e tillë i mundësoi të njëjtit tekst të fitojë një rezonancë të re sociale, politike dhe emocionale, pasi zhvendosja e “murit të katërt” e nxori spektatorin nga pozicioni tradicional i vëzhguesit dhe e vendosi atë brenda të njëjtit mjedis fizik ku zhvillohet veprimi. Kjo formë e praktikës skenike lidhet me një prej prirjeve të rëndësishme të teatrit bashkëkohor: kalimin nga teatri i konceptuar brenda një arkitekture të përcaktuar skenike drejt praktikave site-specific, ku karakteri fizik, historik dhe social i vendit është kontekst, por bëhet gjithashtu pjesë organike e procesit krijues dhe e dramaturgjisë së shfaqjes.

Duke kapërcyer kufijtë tradicionalë të zhanreve, vepra solli në skenë dëshmi të fatit njerëzor dhe artikuloi një thirrje të qartë humaniste përballë realitetit të eksodeve, ku historia rrezikon të përsëritet. Në këtë optikë, peizazhi natyyror (deti) dhe ai urban (qyteti) u ofruan si imazhe kujtese dhe imazhe të krizës bashkëkohore të humanizmit, duke bërë që emigrimi shqiptar ta kapërcejë kontekstin e vet lokal për të marrë vlerë më të gjerë simbolike – atë të reflektimit mbi tragjeditë moderne të migrimit dhe mbi përgjegjësinë njerëzore përballë tyre.

 

Qytetari në skenë

Një prej risive me të cilat u përball audienca gjatë shfaqes ishte në zgjerimin e nocionit të interpretuesit. Krahas aktorëve profesionistë, si Sanije Hoti, Mimoza Marjanaku dhe Kastriot Ramollari, në strukturën e performancës u përfshinë edhe qytetarë të Durrësit me profesione të ndryshme, anëtarë të Klubit të Librit “Gjergj Vlashi”, gazetarë. Ky aspekt nuk duhet parë si zgjerim numerik i trupës, as si një rikthim formal te modeli i teatrit dokumentar, veçanërisht te përdorimi i “aktorëve joprofesionistë”, si njerëz nga jeta reale, bartës të dëshmive autentike. Kemi të bëjmë me një kërkim regjisorial që synon zgjerimin e regjimit të përfaqësimit teatror. Nëse aktorët profesionistë i dhanë shfaqjes përpunimin teknik, disiplinën skenike dhe artikulimin e kontrolluar të materialit, qytetari-interpretues përcolli përvojën e drejtpërdrejtë, zërin personal dhe lidhjen konkrete me eksodet. Prania e zërit dhe imazhit qytetar, më shumë se me funksion dekorativ apo episodik u shndërrua në hapësirën ku kujtesa individuale u takua me atë kolektive dhe ku dëshmia fitoi një status të ri estetik.

Në të njëjtën logjikë funksionoi edhe prania e gazetarëve të qytetit dhe e materialit të tyre mediatik, të integruar organikisht në strukturën e shfaqjes (Vali Qyrfyçi, Elitjona Doka, Geri Emiri). Kronika, dëshmia dhe lajmi u ndërthurën me një strukturë polifonike interpretimi, duke krijuar një marrëdhënie të veçantë midis artit, dokumentit dhe realitetit. Kjo zgjedhje skenike përputhet me natyrën hibride të “Hartë memece për të mbyturit”, e cila ndërthur poezinë, poemën, prozën poetike, tregimin, kronikën, dokumentin, esenë, studimin dhe elementin dramatik. Ky pluralitet zhanror përcaktoi një pjesë të veçantë të identitetit estetik të shfaqejs, ku gjuha e prozës, saktësia e ligjërimit gazetaresk, referencat rekigjoze dhe shtresëzimet shkencore dhe të kujtesës historike artikuluan fatin e të përjashtuarit, të “njeriut ballkanik”, të individit ende të paintegruar në Europë, përballë historisë, humbjes dhe shpresës. Ky dimension e zgjeroi kuptimin e veprës përtej përvojës së një komuniteti apo të një kombi. Historia e dhimbshme e ikjeve dhe e humbjeve shqiptare u shndërruan në reflektim më universal mbi braktisjen e vendit, zbehjen e kujtesës kulturore dhe cenueshmërinë e humanizmit përballë traumave historike.

 

Zëri femëror si arkiv i mungesës

Një nga zgjedhjet regjisoriale më të arrira në përpunimin skenik të “Hartë memece për të mbyturit” ishte mbështetja e dallueshme  e dramaturgjisë mbi një trupë kryesisht femërore: Sanije Hoti, Mimoza Marjanalu, Teuta Dhima, Mirela Ylli, Valbona Shkurti-Sakollari, Eda Deveja, Silvana Leka, Frosina Bardhi, Dalina Beshiri, Arta Haxhiu dhe Fabiola Bregu. Më shumë se një zgjedhje kasti apo një konfigurim gjinor, përqendrimi te figurat femërore, si bartëse të kësaj kujtese, shfaqet si një vendim regjisorial me një logjikë të qartë dramaturgjike: lidhjen e korit bashkëkohor me traditën e korit tragjik. Në këtë strukturë, zëri individual e pezullon përkohësisht autonominë e vet për t’u integruar në një zë më të gjerë, atë komunitar, ku përvoja personale merr kuptim përtej fatit të veçantë. Pa e reduktuar praninë femërore në një funksion sentimental, kjo zgjedhje i dha shfaqjes një strukturë të dallueshme shumëzanore, ku ëri i një individi vazhdon të jehonojë në kujtesën e të tjerëve.

Përmes këtij konfigurimi skenik, shfaqja vuri në plan të parë kujtesën fillestare, kujtesën amësore, duke e përcjellë dramën e së djeshmes dhe të së sotmes përmes figurave femërore. Nënat, gratë, motrat, vajzat dhe fëmijët i dhanë eksodit shqiptar përmasën e veçantë njerëzore, që e zhvendosi narrativën nga akti i nisjes-ikjes drejt përvojës së mungesës. Kjo zgjedhje ndërroi edhe këndvështrimin tradicional mbi eksodin, i cili zakonisht ndërtohet rreth figurës së burrit, babait, djalait, të riut, emigrantit. Nëse burrat dhe të rinjtë imagjinata i lidh kryesisht me aktin e nisjes, gratë dhe fëmijët e rikthejnë historinë te shtëpia, te familja dhe te përditshmëria. Vëmendja shkon drejt asaj që mbetet dhe që, përmes mungesës, përjeton pasojat e ikjes.

Kështu, emigrimi, si ngjarje historike, politike apo statistikore, transformohet edhe në pasojë intime e një shkëputjeje që vazhdon të prodhojë shenja dhe gjurmë. Vëmendja në vepër kaloi nga të humburit e tragjedive te ata që presin, humbin, kujtojnë, mbajnë zi, shpresojnë, përshtaten dhe mësohen të jetojnë me mungesën. Zërat femërorë në këtë kuptim, u bënë dëshmitarë dhe hapësira njerëzore ku historia vazhdon të përjetohet edhe sot.  Tragjedia e zhvendosi kështu kufirin,  nga ai politik te kufiri emocional; nga pyetja “kush iku?” te pyetja më e ndërlikuar: “kush mbeti dhe çfarë mbajti mbi vete?”. Ky pikëvështrim e shndërron emigrimin nga një fenomen historik në një përvojë të trashëguar emocionalisht, ku figura femërore funksionon si një lloj arkivi njerëzor. Përtej artikulimit si kategori e ngurtë gjinore, femërorja është kujtesë, kujdes dhe i mbijetesë emocionale. Aktoret në shfaqej u bënë bartëse të figurave përmes të cilave historia nuk rrëfehet nga perspektiva e pushtetit apo e vendimmarrjes politike, por nga ajo e jetës së cenuar prej pasojave të saj.

Në këtë kontekst merr peshë të veçantë edhe prania e zërit fëminor. Vajza këngëtare Esli Kurti, përmes këngëve të saj për detin, qytetin dhe ritualet arbëreshe, e zhvendosi tragjedinë nga e kaluara drejt së tashmes dhe, njëkohësisht, drejt së ardhmes, drejt një brezi që e përjeton ikjen si kujtim të trashëguar dhe si realitet të vetin. Po ashtu edhe kënga polifonike e jugut, që shprehu se, nëse brezi i të rriturve e përjetoi eksodin, ata që mbetën dhe fëmija trashëgoi pasojat dhe kujtesën e tij. Kjo shtresëzim kohor i dha shfaqjes një dimension të qartë etik. Rrëfimi tregon sa ka ndodhur dhe u përcillet brezave, ndërsa mendojmë se  çfarë duhet të kujtojë një brez nga një histori që nuk e ka përjetuar drejtpërdrejt.Mbi të gjitha, a është ikja ende një zgjedhje e dëshiruar apo është shndërruar në një formë të detyruar të ekzistencës? Në këtë mënyrë, teksti dramaturgjik dhe regjia artikuluan idenë se emigrimi vazhdon në historitë që përcillen nga një brez te tjetri dhe në mënyrën se si ato formësojnë një shoqëri me mendësi emigrimi.

Në planin estetik dhe dramaturgjik, përcjellja e kumtit përmes zërit dhe imazhit femëror e ndihmon shfaqjen të shmangë edhe një rrezik të mundshëm të materialit: viktimizimin, heroizimin ose politizimin e drejtpërdrejtë të eksodit. Duke e parë historinë kryesisht përmes zërave femërorë, teksti dhe regjia e zhveshën atë nga patetizmi dhe retorika imediate, për ta rikthyer në përmasën e saj më themelore: marrëdhëniet njerëzore dhe pasojat që historia e madhe lë mbi jetët e zakonshme. Pikërisht këtu mori formë edhe pyetja më e mprehtë e shfaqjes: pse vazhdojmë të ikim sot, tridhjetë e pesë vjet pas eksodit? Edhe kalimi nga “historia e emigrimit” te “historia e njeriut” përputhet me kumtet e veprës së Arian Lekës, në të cilën përvoja shqiptare kapërcen kufijtë e një rasti kombëtar dhe shndërrohet në reflektim mbi një përvojë më universale të fatit njerëzor.

Në një vlerësim kritik, pra, mund të thuhet se regjia e vendosi zërin femëror në skenë si subjekt të kujtesës. Kjo kujtesë nuk matet me numrin e atyre që ikën, por me numrin e jetëve që ndryshuan për shkak të ikjes. Këtu qëndron një nga kumtet më të fuqishme që u përcoll: një eksod mund të nisë si historia e atyre që morën detin dhe u larguan, por nuk përfundon me historinë e atyre që mbetën në breg. Ai vazhdon te njerëzit që e mbajtën detin brenda kujtesës së tyre dhe te brezat që, edhe sot, përballë mungesës së alternativave, e shohin largimin si një nga përgjigjet e mundshme ndaj jetës.

 

Objekte me kujtesë

Një tjetër risi e kësaj vënies në skenë të “Hartës memece pë të mbyturit” lidhet me përdorimin e objekteve reale si shenja dramaturgjike. Fuçitë, këpucët, valixhet, rrobat e përdorura, qeset plastike, lulet prej letre, qirinjtë dhe plasmasi mbështjellës, të pranishme në tekstin letrar, nuk mbeten thjesht elemente të dekorit. Sapo hyjnë në hapësirën skenike, ato u shkëputën nga funksioni i tyre utilitar dhe fituan autonomi të re kuptimore, të lidhur ngushtë me libretin, por jo të varur prej tij. Këpucët, të shkëputura nga trupat që dikur i kanë mbajtur, u shndërruan në shenja të mungesës dhe të gjurmës: një prani e mbetur pas trupit, e pashlyer, por pa njeriun. Valixhet në skenë dhe në duart e aktorëve artikuluan tensionin ndërmjet dilemës së ikjes dhe qëndrimit, ndërmjet dëshirës për të lëvizur dhe pamundësisë për t’u vendosur përfundimisht diku. Ndërsa fuçitë lundruese rikthyen në hapësirën e shfaqjes idenë e barrierës, duke krijuar një urë asociative ndërmjet izolimeve të së kaluarës dhe formav dhe kufijve burokratikë të së tashmes në hapësirën evropiane, për vendet kandidate për Bashkimin Evropian.

Në këtë sistem shenjash, objektet e jetës së përditshme fitouan status të ri. Nga sende me funksion utilitar e industrial, ato u shndërruan në objekte-memorie. Një trajtim i tillë rezulton i rëndësishëm, sepse përvoja e ikjes nuk mbetet e mbyllur në abstraksionin metaforik, por merr formën e gjurmëve konkrete. Një palë këpucë, një valixhe, një fuçi, një copë plasmasi apo një lule letre bëhen bartëse të një historie që ka nevojë të riartikulohet. Ato funksionuan si fragmente të një kujtese të shpërndarë, ku sendi i zakonshëm fiton aftësinë për të evokuar atë që mungon.

Në këtë pikë, dramaturgjia e imazhit e ndërtuar nga Driada Dervishi i qëndron larg ilustrimit të drejtpërdrejtë të poezisë dhe synoi zgjerimin e horizonteve të saj kuptimore. Ndërveprimi mes fjalës, trupit, objektit dhe hapësirës urbane krijoi një strukturë performative ku poezia u përshtatet për skenënn e hapur, por edhe u rivendos në një sistem të ri marrëdhëniesh. Në këtë kuptim vetë vepra letrare dëshmoi se teatri i poezisë dialogon në mënyrë produktive me format dokumentare, komunitare dhe “site-specific” të teatrit bashkëkohor, pa e humbur natyrën e vet poetike. Të dyja format e artit u takuan te gjuha performative, duke bërë që teatri të jetë njëherazi akt estetik, akt kujtese dhe qëndrim i vetëdijshmëm qytetar.

  •  

Regjimi iranian nuk gjen qetësi, ekzekuton dy protestues të rinj

Regjimi iranian vijon terrorin, ekzekuton dy protestues të rinj; Rajavi
Të rinjtë e ekzekutuar

Regjimi iranian ekzekutoi publikisht në Isfahan dy protestues të rinj, Abolfazl Sepahi dhe Amirhossein Safari, të arrestuar gjatë kryengritjes së janarit 2026. Megjithë praninë masive të forcave të sigurisë, qytetarët protestuan dhe u përballën me gaz lotsjellës…

Në agimin e së martës, më 28 korrik 2026, Abolfazl Sepahi Badjani, 24 vjeç, dhe Amirhossein Safari Hosseinabadi, 27 vjeç, dy prej të arrestuarve gjatë kryengritjes së janarit 2026, u ekzekutuan publikisht në sheshin Alikhani të Isfahanit. Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit deklaroi se regjimi i kreu këto ekzekutime publike për të përhapur frikë në shoqëri dhe për të parandaluar zgjerimin e protestave popullore.

Sipas raportit, përpara ekzekutimit, forcat e sigurisë dhe njësitë represive, nga frika e reagimit të qytetarëve, kishin dislokuar agjentë në rrugët përreth sheshit Alikhani dhe në tarracat e ndërtesave aty pranë. Pavarësisht pranisë së gjerë të forcave të sigurisë, disa nga qytetarët e pranishëm protestuan kundër ekzekutimit të dy të rinjve, duke thirrur: “Të pandershëm, të pandershëm!”. Forcat e regjimit sulmuan turmën dhe përdorën gaz lotsjellës për ta shpërndarë.

Ekzekutimi i Abolfazl Sepahit dhe Amirhossein Safarit lidhet me çështjen e njohur si “Dosja e Sheshit Alikhani”. Kjo çështje përfshin një grup të rinjsh të arrestuar gjatë kryengritjes së janarit 2026 në Isfahan. Sipas deklaratës së Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, sistemi gjyqësor i regjimit ka dënuar me vdekje 12 protestues në kuadër të kësaj dosjeje.

Përpara ekzekutimit të Abolfazl Sepahit dhe Amirhossein Safarit, ishin ekzekutuar edhe Erfan Esfandiari dhe Gol-Mohammad Mohammadi, dy të burgosur të tjerë të së njëjtës dosje. Në këtë mënyrë, deri tani katër prej të dënuarve në çështjen e Sheshit Alikhani kanë humbur jetën për shkak të zbatimit të dënimeve me vdekje, ndërsa tetë të rinj të tjerë vazhdojnë të përballen me rrezikun e ekzekutimit të afërt.

Këshilli Kombëtar i Rezistencës e ka cilësuar procesin gjyqësor si të privuar nga standardet më themelore të një gjykimi të drejtë. Sipas deklaratës, seancat u zhvilluan nga Mohammad Barati-Dorcheh dhe Mohammad-Reza Tavakoli, ndërsa të pandehurve iu mohua e drejta për të zgjedhur lirisht avokatët e tyre. Madje edhe avokatëve të caktuar nga gjykata nuk iu lejua qasje e plotë në dosjet dhe dokumentet e klientëve. Këto rrethana kanë ngritur shqetësime serioze për mungesën e transparencës gjyqësore, mohimin e së drejtës së mbrojtjes dhe dhënien e vendimeve të paracaktuara.

Rezistenca Iraniane kishte paralajmëruar më 19 korrik 2026 për rrezikun e afërt të ekzekutimit të këtyre të burgosurve. Ajo u kishte bërë thirrje Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut që të ndërhynin menjëherë për të parandaluar zbatimin e dënimeve. Pavarësisht këtyre paralajmërimeve, Abolfazl Sepahi dhe Amirhossein Safari u ekzekutuan publikisht.

Tetë të burgosurit e tjerë që vazhdojnë të jenë nën dënim me vdekje në të njëjtën çështje janë: Alireza Sepahi, 24 vjeç; Ghaem Hosseini, 20 vjeç; Shervin Bagherian, 18 vjeç; Amirhossein Ebrahimi Analucheh, 19 vjeç; Amirhossein Maleki, 19 vjeç; Ali Dashti, 19 vjeç; Abolfazl Ebrahimi, 18 vjeç; dhe Alireza Raeisi, 21 vjeç. Mosha e tyre e re, veçanërisht prania e disa 18 dhe 19-vjeçarëve në këtë grup, e bën edhe më urgjente ndërhyrjen ndërkombëtare për shpëtimin e jetës së tyre.

Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, e cilësoi ekzekutimin publik të Abolfazl Sepahit dhe Amirhossein Safarit si një “krim mesjetar”. Ajo deklaroi se diktatura fetare, përmes ekzekutimeve të njëpasnjëshme të të rinjve muxhahedinë dhe protestuesve të guximshëm, po përpiqet dëshpërimisht të parandalojë shpërthimin e zemërimit popullor dhe ringritjen e protestave.

Sipas zonjës Rajavi, këto ekzekutime jo vetëm që nuk do t’i ndalin protestat, por do ta forcojnë më tej vendosmërinë e të rinjve kryengritës për përmbysjen e regjimit gjakatar.

Maryam Rajavi u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara, të gjitha organizatave të të drejtave të njeriut, Bashkimit Evropian dhe vendeve të tij anëtare që ta dënojnë me vendosmëri ekzekutimin publik të dy të rinjve. Ajo kërkoi gjithashtu masa të menjëhershme dhe efektive për ndalimin e makinës së ekzekutimit dhe represionit, si dhe për shpëtimin e të burgosurve politikë të dënuar me vdekje, veçanërisht tetë të rinjve të mbetur në dosjen e Isfahanit.

Në përfundim të deklaratës, Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit theksoi se heshtja dhe mosveprimi i bashkësisë ndërkombëtare i japin regjimit iranian dritë jeshile për vazhdimin dhe intensifikimin e ekzekutimeve. Këshilli kërkoi që dosja e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Iran t’i referohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe që drejtuesit e regjimit të dalin para drejtësisë për krime kundër njerëzimit.

Burimi: https://al.ncr-iran.org

  •  

Libri i Zef Mazit për diplomacinë e Kosovës (1991–1999) promovohet në Vjenë

Ambasada e Kosovës në Austri, në bashkëpunim me Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu”, organizoi më 29 Maj promovimin e librit të autorit dhe ish-ambasadorit të Shqipërisë pranë organizatave ndërkombëtare në Vjenë, Zef Mazi. Të ftuarit veç promovimit shijuan edhe një bashkëbisedim shumë profesional dhe të afërt me autorin e njohur. Aktiviteti u shoqërua me pjesë klasike, interpretuar në piano.

Libri, i cili titullohet “Kosova – Lufta e Heshtur: Diplomacia e padukshme që ndryshoi lojën (1991–1999)”, sjell një dëshmi të rëndësishme mbi angazhimet diplomatike dhe zhvillimet ndërkombëtare që shënuan rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë. Por, tregon edhe atë pjesën e panjohur për publikun e gjerë dhe studiuesit lidhur me punën për çështjen e Kosovës.

Po ashtu, botimi hedh dritë mbi dimensione më pak të njohura të përpjekjeve politike dhe diplomatike gjatë viteve 1991–1999, duke paraqitur rolin e diplomacisë dhe ndërveprimin ndërkombëtar në një nga periudhat më vendimtare për Kosovën.

Në kuadër të këtij aktiviteti, Autori trajtoi me kujdes dhe shumë profesionalizëm aspektet historike, politike dhe diplomatike të periudhës së përshkruar në libër. Në aktivitetin që u zhvillua në hapësirën Spielraum në kompleksin Gasometer C35 në Vienna, kishte gati 250 të pranishëm prej komunitetit shqiptar dhe publiku i interesuar në kryeqytetin e Austrisë.

  •  

INTERVISTA/ Diplomati Mazi: “Integrimi s’është proces teknik, por politik!”

Diplomati Zef Mazi: Procesi po zvarritet qëllimisht! Korrupsioni dhe krimi, pengesat reale drejt BE-së!

INTERVISTOI: BEN ANDONI/ Me një eksperiencë të gjatë në diplomaci, negociata ndërkombëtare dhe çështje strategjike globale, Zef Mazi, ish-kryenegociator i Shqipërisë për Integrimin dhe ish-asistent i Posaçëm për Strategjinë i Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore ndan analizën e tij mbi rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së, kuptimin real të procesit të negociatave, sfidat e drejtësisë, krimi dhe korrupsioni.

zef mazi

Në këtë intervistë për gazetën “Panorama”, ai ndalet jo vetëm te raporti IBAR dhe metodologjia e zgjerimit të BE-së, por edhe te tensionet globale, lufta në Ukrainë, raportet Perëndim-Rusi-Kinë, dinamika në Lindjen e Mesme dhe pozicionimi i Shqipërisë në një botë gjithnjë e më shumëpolare.
Z.Mazi! Publiku shqiptar në ditët dhe javët e fundit është i përfshirë në një debat që shpesh shkon në grotesk lidhur me integrimin, sidomos sa i përket IBAR-it. Ky element thjesht teknik po merr të gjithë “asistencën” publike për median nga zëra të ndryshëm, të cilët duket se në thelb nuk e kuptojnë procesin. Në çfarë momenti është Shqipëria sa i përket integrimit?

“E kam ndjekur debatin. Epiteti “grotesk” është karakterizim i kujdesshëm. Në marrëdhëniet me BE asgjë nuk është teknike, por vetëm politike. Edhe kur, në dukje, është teknike, nën të fshihen vetëm interesa politike dhe ekonomike të shteteve të BE. Raporti IBAR – Raporti i Vlerësimit i Kushtet/ Kërkesave të Ndërmjetme – u mbajt dy muaj në diskutim ndërmjet shteteve të BE. Disa shtete ishin dhe janë skeptike, disa më pak skeptike, një numër jo i madh ishin në favor të miratimit të raportit. Mbizotëronte arsyetimi se paraqitja e raportit ishte e parakohshme, pasi nuk ishin plotësuar kushtet e ndërmjetme. Përfundimisht, raporti u miratua pas dy muajsh, duke u ashpërsuar gjuha e krahasuar me draftin e muajit shkurt. Miratimi i raportit ka rëndësi të madhe politike. Me miratimin e tij, hapet rruga të ecet përpara me negociatat për mbylljen e një kapitulli, ose eventualisht, disa kapituj në Grup-kapitujt 1 – Themelorët.

Miratimi përbën një hap përpara, një fazë të re, ndërkohë që ka shumë punë substanciale për të bërë dhe kritere për të përmbushur në vijueshmëri deri në përmbushjen e kërkesave përmbyllëse. Formulimet e raportit e bëjnë më të lehtë për skeptikët të thonë nesër duhet edhe kjo, edhe ajo, etj.. Në 4-5 faqet e fundit shkruhet se për të arritur këtë duhen bërë 1,2,3,4,5 dhe mbyllet me, “Monitorimi i ecurisë në përqasjen dhe zbatimin e korpusit legjislativ të BE dhe standardeve përkatëse europiane do të vijojë gjatë gjithë negociatave… BE do i kushtojë vëmendje të posaçme monitorimit të gjithë çështjeve specifike të përmendura më lart për t’u siguruar që Shqipëria ka kapacitetet administrative, kapacitetet për të përmbushur përqasjen ligjore në të gjithë sektorët e këtij Grup-kapitujsh, si dhe ecurinë e mëtejshme në zbatimin dhe në veprimet konkrete për të siguruar përshtatshmërinë me ligjet, rregullat ose marrëveshjet. Duhet t’u kushtohet shqyrtim i veçantë lidhjeve midis Grupkapitullit aktual dhe Grup-kapitujve të tjerë të negociatave.

Vetëm në një stad të mëvonshëm mund të bëhet një vlerësim përfundimtar i përshtatshmërisë të legjislacionit të Shqipërisë me korpusin ligjor të BE dhe standardet përkatëse si dhe i pakaciteteve të tij zbatuese. BE fton Shqipërinë që të paraqesë rregullisht informacion të hollësishëm me shkrim tek Këshilli i Stabilizim Asocimit mbi ecurinë e zbatimit të korpusit ligjor të BE… Konferenca do duhet t’i kthehet këtij Grup-kapitujsh në një moment të përshtatshëm…”. Ecuria e procesit të integrimit me BE nuk duhet trajtuar as me eufori, me daulle dhe fjalë të mëdha, as me partizanllëk dhe as me negativitet pothuaj të plotë, ajo nuk është bardhezi. Integrimi kërkon përqasje me ekuilibrin dhe kujdesin e duhur duke vlerësuar realisht, saktë ecurinë dhe problematikat që duhen plotësuar”.

 

Në kujtesën, kontributin dhe kulturën tuaj, a kanë qenë njësoj vendet e tjera kaq të konfuzuara sa i përket integrimit dhe hallkave?

 

“Konfuzioni është luhatur nga njëra kohë te tjetra për arsye të ndryshme. Ai lidhet edhe me efektin e propagandës të madhe, të koordinuar, të makinerisë mediatike të kontrolluara nga shteti dhe të mungesat mjaft të ndjeshme të mediave profesionale, relativisht të pavarura dhe me integritet. Sipas raportimeve, mbështetja për këtë proces sot në Serbi ka rënë në afro 40 për qind. Mali i Zi ka ndryshim për disa arsye: angazhimi i BE për të thënë se nuk e ka harruar integrimin, ai është ende gjallë; Mali i Zi është i vogël, ka përbërje demografike delikate dhe bëhet kujdes që të shtyhet sa më shpejt drejt BE, prandaj BE miratoi edhe fillimin e procesit të përgatitjes të traktatit të hyrjes me Malin e Zi. Duhet të njihet se në vitin 2012 Mali i Zi ka hapur 33 kapituj me BE. Sot, pas 14 vitesh, ka mbyllur provizorisht vetëm 14 kapituj. Kjo e ka forcuar mjaft pozitën e tij të qartë si i pari në procesin e integrimit në BE. Maqedonia e Veriut ka problemet e veta politike, që lidhem dhe me ndryshime eventuale kushtetuese etj., dhe sikur ka mbetur në vend. Shkëputja e Shqipërisë nga Maqedonia ishte diçka e mirë dhe e merituar. Megjithatë, Shqipëria shoh se nuk arriti të sigurojë mbajtjen lidhur të saj me Malin e Zi. Ecuria drejt BE është lëvizje që duhet t’i shërbejë vetëm popullit shqiptar. Ajo është lëvizje jopartiake, gjithëpartiake, mbipartiake, e fokusuar tek shteti ligjor, siguria, të drejtat, pushteti lokal, komunitetet e forta, pavarësia ekonomike, transparenca, llogaridhënia dhe një e ardhme më e mirë për popullin dhe familjet shqiptare. Problemet me BE nuk zgjidhen nga fundi, por nga kreu, një nga një, për të arritur te fundi – hyrja në BE!”

Për Shqipërinë referohet si shqetësim i madh korrupsioni që tashmë kap nivele kritike, por edhe grupet kriminale dhe Drejtësia. Madje, kjo tashmë në kolaps të plotë, prej stokut të frikshëm të dosjeve të mbartura. Paradoksalisht jemi shumë më afër integrimit, të paktën nga narrativa qeveritare. A mund të na thoni, në dijeninë tuaj, mënyrën sesi i përcjell metodologjitë e integrimit BE-ja?

“Është e vërtetë, ngrihet në çdo raport, pasi ka shqetësim të madh, përbën pengesë të ndjeshme. Stoku i dosjeve të mbartura ka arritur në dhjetëra mijëra. Sesi do ecet është e paqartë, ndoshta e zymtë, pavarësisht narrativës. Metodologjia e Re e integrimit, që u miratua nga BE në vitin 2020, ishte krijim francez, tipik në përputhje me synimin e politikës të atij vendi ndaj zgjerimit të BE. U shkrua se ajo do forcojë drejtimin politik, do shpejtojë procesin, do ulë burokracinë. Kuptoj se ka ndodhur e kundërta: i gjithë procesi është ngadalësuar, burokracia është shtuar duke shkuar deri në udhëkryq strategjik të humbjes të plotë të kredibilitetit të BE: pyetja është – do apo nuk do BE që ky rajon të integrohet në BE. Kjo pyetje sot është krejt e justifikuar. Letra e kancelarit Merz për “integrim gradual” është fiasko e radhës. Është një ide e vjetër e hedhur nga Austria që më 2021. Nuk ka dhe nuk mund të ketë integrim gradual, sepse rrezikohet gjithçka, një nga stacionet e rrugës bëhet stacioni fundor dhe nuk hyn në BE. Traktati i BE, në Nenin 49, e përcakton qartë se cila është rruga, me çfarë kërkesash dhe kushtesh ecet në atë rrugë, duke filluar nga citimi i vlerave në Nenin 2 të Traktatit. Nuk ka rrugë tjetër: ose integrim të plotë, me të gjitha të drejtat, sipas përcaktimit të Traktatit të BE dhe Kritereve të Kopenhagenit, ose jo integrim! “Është pak shtatzënë” nuk ka, “ose është, ose nuk është shtatzënë”. Akrobaci të tilla të pahijshme synojnë, sipas meje, vetëm shtyrje të procesit deri në moshyrje në BE. Kështu e shoh letrën e Merz-it”.

Ka një zbutje të zërave për Rusinë në BE, ndërkohë që po punohet për kanale të tjera ndërmjetësimi për fundin e luftës me Ukrainën dhe të ardhmen. Deri ku mendoni se mund të arrihet në lidhje me ta?

“E shoh disi ndryshe. Për vite Rusia u mundua të evitonte që konflikti me Ukrainën të kthehet në konflikt NATO-Rusi. Ndoshta mesazhi në Kinë nuk ka qenë çfarë do të bëjë Rusia, por çfarë ka evituar të bëjë Rusia deri tani dhe që mendon ta bëjë. Në këto katër plus vite shumëçka ka ndryshuar, përfshirë krejt përqasjen në këtë “lojë” të madhe. Periudha “Rusia luan blofin” nuk është më e qëndrueshme. Realiteti flet për diçka shumë ndryshe dhe serioze. Ka përshkallëzim: për shembull, fillimisht NATO mohoi se hapësira ajrore e vendeve të saj përdorej për të sulmuar Rusinë; pastaj argumentoi se drone ukrainase nuk kishin leje të hynin dhe të jenë në hapësirën ajrore të NATO-s; më pas dronet nga ato hapësira u lëshuan; ministri i Mbrojtjes i Lituanisë të vockël flet për sulm në Kaliningrad, ndërsa kryeministri suedez thotë se NATO duhet të ndihmoje Ukrainën që t’i orientojë sulmet në “drejtimin e duhur”.

Kjo pakujdesi e skajshme, iluzore, nëse vazhdon, do ndezë luftë botërore. Kur sulmet e mbështetura nga Perëndimi shkojnë në thellësi të territorit rus, tregon se çfarë është zgjedhur të bëhet. Kjo duhet absolutisht ndalur. Është prishur kredibiliteti, kur ndodh kjo, diplomacia prishet së bashku me të. Në rast se kritikohen udhëheqësit më jopopullorë në Euvropë, etiketimi vjen fluturimthi – kukulla e Putinit. Kjo bëhet për të mbytur kritikën. Për shembull, Merz mbështeti gjenocidin në Gaza, tha se Izraeli “po bën punën e pisët” për ne me Iranin, provokon deri aty sa, bashkë me Macron dhe Starmer, po çojnë Europën në luftë me Rusinë. Njihet se sistemet e “guidimit” të raketave dhe dronëve ukrainase janë gjermane, raketat janë angleze, objektivat vijnë nga satelitët; vlerësohet gjerësisht se po deindustrializohet Gjermania, po i merret fryma lirisë të fjalës dhe demokracisë, po ndiqet penalisht opozita kryesore dhe zërat kundër në Gjermani, dhe jo vetëm, ndërkohë që Merz synon të ndërtojë ushtrinë më të madhe në Europë. Sikur ndiqet një model mbarëeuropian sjelljeje, sepse kritikat karakterizohen si “propagandë ruse që bëjnë tradhtarët”.

Fatkeqësisht, ka efekt, se popullsitë janë indoktrinuar të thonë “janë papagaj putiniste, janë zhul i Kremlinit, është propagandë ruse” dhe broçkulla të ngjashme sa herë që ndryshon narrativa e luftës. Asnjë nuk ndodh në boshllëk, thotë një shprehje latine. Duhen bërë bashkë piklat që të duket më e qartë pamja. Operacioni i ndryshimit të regjimit në Ukrainë, me synim të transformonte vendin nga partner rus në platformë e vijës të parë kundër Rusisë, ishte shkaku që nxiti luftën në vitin 2014. Aty filloi kthimi tek roli i mëparshëm i konfrontimit të Rusisë, ndërkohë që epokës të hegjemonisë gradualisht i ka ardhur fundi. Sot është e dukshme ekuilibri me ishhegjemoninë kolektive perëndimore. Faktikisht ka dalë dhe po rritet një botë multipolare, çka nxjerr në pah se po humb baza e arsyetimit të ekzistencës të asaj hegjemonie. Prandaj drejtues europianë duan të rikthejnë dhe të rivendosin objektivin e parë: të përmbahet Rusia, duke ruajtur hegjemoninë me çdo kusht. Kjo nuk ka të ardhme, se bazohet te narrativa fals se Rusia synon të rivendosë Bashkimin Sovjetik dhe jo të ekuilibrojë zgjerimin e NATO dhe ndërhyrjen ushtarake. Por, shpërndarja e forcës ka ndryshuar, qëndrimet e SHBA janë të lexueshme, SHBA nuk do të luajë lojën e narrativave false të drejtuesve europianë. Nuk mund të mbahet më gjatë dominimi strategjik hegjemonist njëkohësisht në Europë, në Lindjen e Mesme, në Euro-Azi dhe Azisë Lindore etj., praktikisht ndaj dhe kundër Kinës.

Në botë shumëpolare, SHBA nuk mund të jetë kudo e pranishme, prandaj, ajo do i kthehet Hemisferës Perëndimore dhe Azisë Lindore. Po të kishte Europa drejtues largpamës kombëtarë, ata duhet të ishin adaptuar me shpërndarjen e re të forcës duke i dhënë fund kësaj lufte, duke bërë paqe me Rusinë, duke vendosur një kuadër, një arkitekturë të përbashkët të sigurisë pan-Europiane, që shpëton edhe Ukrainën, duke e hequr atë nga linja e parë e konfrontimit në një Europe të rindare dhe duke diversifikuar lidhjet ekonomike. Por fatkeqësisht Europa nuk ka drejtues kombëtarë largpamës, të aftë të mendojnë strategjikisht, por ka që mendojnë se armët janë ato që bëjnë paqe. Kjo nuk vërtetohet as edhe një grimë nga realiteti. Klasa politike drejtuese europiane vazhdon të mbetet e ngulitur në narrativat rusofobe, sponsorisuar kryesisht nga balltikët ekstremë, dhe nga disa në Europë, në politika që intensifikojnë konfrontimin dhe zgjasin konfliktin. Thellë-thellë, kemi të bëjmë me qëndrime dhe simpati fals përballë përgjegjësisë reale. Përgjegjësia morale reale është të kontribuosh konkretisht për zgjidhje, jo të nxitësh vijimin e luftës, të ulesh të bisedosh, të kuptosh mirë problemin, mendimin, shqetësimin dhe pozicionin e tjetrit, të ulesh aq herë sa është e nevojshme për të arritur marrëveshje, jo të dëgjosh dhe flasësh broçkulla. Si është vepruar deri tani, duke anatemuar, sharë, pa u takuar, pa biseduar, duke injoruar çdo shqetësim të tjetrit, nuk është rruga përpara”.

A janë të tepërta dhe pak të ekzagjëruara apelet ose “këshillat” e qeverisë shqiptare drejtuar BE-së në disa aspekte, përfshirë edhe Rusinë? Publiku është shumë konfuz sa u përket politikave amerikane. Ndërkohë që luhatjet dhe qëndrimet e administratës “Trump” dhe vetë presidentit amerikan e bëjnë të vështirë çdo parashikim. A mendon se po ndryshon diçka në Iran apo regjimi thjesht “e bleu” me gjak e raketa mbijetesën e vet?

“Po përpiqem shkurt: nga konflikti i mbytjes të anijes “Lusitania” (false flag, me të cilin Anglia synonte të armiqësonte SHBA me Gjermaninë dhe të thithte SHBA në luftë, dhe Lufta e Parë Botërore, tek konfliktet e sotme me Iranin, Rusinë dhe Kinën, në qendër kanë pasur interesa ekonomike dhe strategji gjeopolitike. Luftërat nuk fillojnë spontanisht, ato përgatiten, përfshirë kohë më parë me propagandë. Historikisht luftërat janë ndezur mbi pretendime false, ndërkohë që motivet gjeopolitike dhe ekonomike kanë qenë të fshehura. Rol veçanërisht kyç kanë luajtur bankat qendrore, qendrat e fuqive imperiale, sistemet e kontrolluara financiare. Të besosh se lufta aktuale kundër Iranit është e lidhur me programin bërthamor të Iranit, thjesht do të thotë të biesh në grackën e propagandës. Njerëzit masivisht nuk duan luftë. Kjo është arsyeja përse bëhen fushata propagandistike, ka ngjarje shokuese, përhapen imazhe të armikut të rrezikshëm, përpunohen dhe përhapen narrativa emocionale, të gjitha për të orientuar lëvizjet e popujve dhe të politikës drejt luftës. Harrohet se përplasje të vogla, të izoluara, realisht mund të provokojnë qëllimisht konflikte globale. Format e reja që po dalin për kontroll të centralizuar mund të jenë në gjendje të përhapen dhe të zënë vend nën pretekstin e luftës. Marrëveshja e shumëfolur SHBA-Iran, me ndërmjetësinë e Pakistanit, nuk duket se do përfundohet, se paku sot për sot. Ka një periudhe 60-ditore armëpushimi, apo mossulmimi. Koha ka treguar se nuk është respektuar aspak, por është prishur që ditën e parë të nënshkrimit.

Çështja e uranit të pasuruar, apo e mospasurimit, kthimit të tij tek një vend tjetër, nuk është në rendin e ditës, sot për sot, nuk është diskutuar, pavarësisht nga narrativat rreth saj. Ngushtica e Hormuzit nuk ishte e mbyllur para se të sulmohej Irani, ajo u mbyll vetëm pas sulmit izraelito-amerikan. Sot nuk është mbyllur, një numër anijesh kalojnë pasi plotësojnë disa kërkesa dhe bëjnë tarifat përkatëse të tranzitimit dhe të sigurisë. Moskalimi i anijeve u bllokua kryesisht edhe nga Shoqëritë e mëdha të Sigurimit të Anijeve që refuzuan t’i sigurojnë ato. Ndërkohë që vazhdojnë përpjekjet për një paqe më të qëndrueshme, të përhershme, disa kërkesa të Iranit janë të palëvizshme, si kthimi i pasurive financiare të bllokuara, heqja e sanksioneve, mospërdorimi i Gjirit si platformë për të sulmuar Iranin asnjë herë tjetër. Në këto 80 vite e këtej, koha ka dëshmuar për mashtrime dhe shpresa boshe. Pak ditë më parë Trump deklaroi në True Social se “marrëveshja është gjerësisht negociuar. Aktualisht po negociohen aspekte përfundimtare dhe hollësi dhe do njoftohet se shpejti. Ngushtica e Hormuzit do të hapet”. Iranianët e shohin ndryshe, agjencitë e tyre raportojnë se është i pavërtetë pretendimi i Trumpit për Ngushticën e Hormuzit se ajo do kthehet në gjendjen e mëparshme. Ajo do mbetet nën kontrrolin e Iranit nëse do arrihet marrëveshje. Irani është dakord të rrisë numrin e anijeve që kalojnë në ngushticë në nivelet e paraluftës, që nuk do të thotë “kalim i lirë” si ishte para luftës.

Administrimi i ngushticës, përcaktimi i rrugëve, orët e kalimit, mënyra e kalimit si dhe lëshimi i lejeve do mbeten ekskluzivisht nën kontrollin dhe diskrecionin e Iranit. Çka dëgjohet ndryshe është larg realitetit. Arabia Saudite raportohet se ka hedhur idenë e një pakti mosagresioni me Iranin. Kjo erdhi pas thyerjes të shtresave mbrojtëse të mbrojtjes ajrore dhe detare amerikane gjatë javëve të para të luftës që filloi më 28 shkurt. Arabia Saudite, në heshtje, po shqyrton një marrëveshje rajonale sipas modelit të Kartës të Helsinkit: bashkëpunim ekonomik, garanci për sigurinë dhe stabilitet pa një shtet “perandorak” që dikton rregullat. Nëse vërtetohet, kjo do thotë se sauditët pranojnë arkitekturë të re sigurie, që njeh rolin e Iranit në rajon dhe po hedhin vështrimin në drejtim tjetër, përfshirë çka përmban për sigurinë e saj marrëveshja strategjike me Pakistanin. Çështja kyç sot është a mundet diplomacia të mbushë hapësirën e fundit bosh para se i gjithë rajoni të rrëshqasë në konfrontim shumë më të gjerë. Pakistani luan rol qendror. Marshalli pakistanez Asim Munir përfundoi para disa ditësh misionin e tij të dytë të takimeve të larta në Iran, përfshirë me persona të rrethit të brendshëm të Liderit Suprem. Ministri i Jashtëm pakistanez Mohsin Naqvi është aktivisht i përfshirë në lehtësimin e mekanizmave ditorë të komunikimeve dierkte Iran-SHBA dhe koordinimin. Pakistani duket se është i vetmi vend që mban njëkohësisht funksionet e kanaleve të besimit me Teheranin, Pekinin, Dohan, Riadin, Abu Dabin dhe me ndërmjetësit afër Uashingtonit.

Ndërkohë njihet se Pakistani koordinon veprimet me Kinën. Po aq e rëndësishme është e rritja e shpejtë e rezistencës rajonale ndaj një përshkallëzimi tjetër ushtarak nga ana e SHBA. Shtetet e Gjirit dhe Pakistani raportohet se e kanë paralajmëruar Uashingtonin direkt se janë kundër operacioneve të reja ushtarake. Kjo nuk bazohet te simpatia ideologjike ndaj Teheranit, por nga rreziku i destabilizimit të pakontrollueshëm rajonal, që do ketë impakt të madh në infrastrukturën e Gjirit, në energji, rrugët detare, uzinat e shkripërimit dhe tregjet globale të naftës. Ekonomisë botërore, nëse rifillon lufta me Iranin, do i hiqen nga tregu 25 milionë fuçi nafte në ditë. Kjo do të thotë se rezervat strategjike të shteteve do mbarojnë brenda tre muajve. Ndërkohë, ose nuk njihet, ose bëhet sikur harrohet se Irani, Persia e lashtë, nuk është as Siria, as Iraku, as Afganistani, por është një shtet komb real, me 93 milin banorë, me histori, qytetërim, kulturë 7 mijë vjeçare dhe me kontribute madhore te njerëzimi. Në të njëjtën kohë, raportohet se Irani nuk operon më nga pozita të dobësuara që ishte në fillimet e luftës, se infrastruktura e raketave është rivendosur gjerësisht, kapacitetet detare janë rishpërndarë dhe forcuar, strukturat komanduese janë stabilizuar. Vlerësimet aktuale sugjerojnë se Irani posedon 70 për qind të kapaciteteve të raketave dhe ka rivendosur funksionalitetin operativ të rreth 30 nga 33 pika raketash strategjike që ka në afërsi të Ngushticës të Hormuzit. Kina dhe Rusia, në heshtje, e kanë fuqizuar qëndrueshmërinë e Iranit pa ndërhyrë hapur në konflikt. Mbështetja kineze përfshin teknologji dypërdorimëshe, mbështetje satelitore, komponentë dronësh dhe raketash, integrim me BeiDou dhe ndihmë indirekte përmes kanaleve të mbyllura. Rusia duket se i jep informacion zbulimi dhe e përditëson strategjikisht”.

Putini vizitoi Kinën. Momenti është mjaft domethënës. Keni koment çfarë mund të ketë dalë nga ai takim dyditor? Kina është faktor tejet i madh në gjeopolitikën ndërkombëtare. Po Shqipëria ku shkon me qëndrimet e saj, si i sheh, edhe simbolikisht?

“Kjo pyetje kërkon përgjigje të gjatë. Aq sa lejohet në një intervistë, përmbledhur, si e shikoj unë: partneriteti Kinë-Rusi drejton integrimin Euro-Aziatik, drejton struktura të rëndësishme, si BRICS (që nuk është në gjendje të mirë për shkak të sabotimit nga brenda të Indisë dhe Emirateve) dhe Organizata e Bashkëpunimit e Shangait. Xi dhe Putin miratuan zyrtarisht dhe po shtyjnë ecjen përpara drejt multipolaritetit dhe një sistemi të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare. Kjo u përcaktua në një Deklarate të firmosur, vulosur dhe shpallur publikisht gjatë vizitës së Putinit në Pekin. Ka rëndësi shumë të madhe kur dy drejtues të fuqive globale vendosin ravijëzimin e së ardhmes gjeopolitike për shumicën e njerëzimit. Kujtoj se, kur Xi përcillej nga Putini në fund të vizitës të tij në Moske në 2023, Xi i tha Putinit: “Tani po ndodhin ndryshime që nuk janë parë në 100 vjet”. Ata ranë dakord se së bashku po i shtyjnë përpara këto ndryshime. Disa nga pikat thelbësore që duhen shënuar: Policentrizmi: kanë dështuar përpjekjet e një numri shtetesh për të menaxhuar vetëm çështjet globale, për t’i imponuar interesat e tyre gjithë botës dhe kufizuar zhvillimin sovran të vendeve të tjera në frymën e epokës koloniale.

Ligji i Xhunglës: normat bazë të njohura universalisht të së drejtës ndërkombëtare shkelen rregullisht (…), ekziston rreziku i fragmentizimit brenda komunitetit ndërkombëtar dhe kthim te ligji i xhunglës.

Arkitekturë e Re e Sigurisë: Është e domosdoshme t’u kushtohet vëmendja e duhur shqetësimeve të gjitha vendeve në fushën e sigurisë, të fokusohesh te bashkëpunimi për çështjet e sigurisë, të hedhësh poshtë konfrontimin dhe strategjitë e “vetëm unë të fitoj, t’i të humbasësh”, të kundërshtohet ekspansioni i aleancave ushtarake, luftërave hibride dhe atyre përmes të tretëve, dhe të promovohet krijimi i arkitekturës të përditësuar, të balancuar, efektive dhe të qëndrueshme e sigurisë globale dhe rajonale (…) është e papranueshme që t’u imponohesh shteteve sovrane që të abandonojnë neutralitetin e tyre. (Kjo e fundit është çfarë Moska i propozoi Uashingtonit dhe NATO më 17 dhjetor 2021. Mospërgjigjja, injorimi, precipitoi në luftën në Ukrainë pas dy muajsh kur u mësua edhe se planifikohej një “blitzkrieg” në Donbas.

Hegjemonia: Hegjemonia nuk është e papranueshme dhe duhet të ndalohet/të mos lejohet. Asnjë shtet apo grup shtetesh nuk duhet të kontrollojnë çështjet ndërkombëtare, fatin e vendeve të tjera, ose të monopolizojnë mundësitë për zhvillim.

Kombet e Bashkuara: Është e domosdoshme të forcohet roli i multilateralizmit si mjeti parësor për të trajtuar sfidat e shumëfishta dhe komplekse globale dhe të ndalet dobësimi i Kombeve të Bashkuara. Kjo duhet të çojë në “reformimin e Kombeve të Bashkuara”.

Pika 4 e Deklaratës: Diversiteti global i qytetërimeve dhe vlerave është thelbi i çështjes. Ajo thotë: “Sistemi shpirtëror dhe moral i çdo qytetërimi nuk mund të konsiderohet eksepsional ose superior ndaj të tjerëve. Të gjitha vendet duhet t’i përmbahen mendimit të qytetërimeve të bazuar në barazi, shkëmbim reciprok të përvojave dhe dialogut dhe, së bashku duhet të forcojnë respektin e ndërsjellë, mirëkuptimin, besimin dhe shkëmbimet midis kombësive dhe qytetërimeve të ndryshme, të promovojnë mirëkuptimin e ndërsjellë dhe miqësinë ndërmjet popujve të gjithë vendeve dhe të mbrojnë diversitetin e kulturave dhe qytetërimeve”. Thellësia, gjerësia dhe objekti i kësaj deklarate të përbashkët del mbi gjithçka tjetër në atë vizitë. Ndërkohë, nuk ka pasur rrjedhje për çka u bisedua për dy orë në grup informal fare të ngushtë, 3+3, midis Xi dhe Putinit. Menu-ia mendohet se ka pasur luftën për të tretë në Ukrainë, që në fakt është luftë RusiNATO dhe përdoret Ukraina, luftën në Iran dhe vlerësimi e përkrahjes të tyre për Iranin, Rruga Veriore Detare/Rruga e Mëndafshtë e Arktikut, Iniciativa Rripi dhe Rruga (Lindje-Perëndim), dedollarizimi i ekonomisë globale, vlerësimin i bilancit tregtar Rusi-Kinë që tani operon me juan dhe rubla, BRICS, e ardhmja e Forcës të Gazsjellësit Siberia 2, Ngushtica e Hormuzit, aspekte të Ngushticës të Malakës dhe idesë të vjetër për bllokimin e saj për të përmbajtur Kinën etj.. Në këtë gamë të gjerë çështjesh të mëdha mjaft delikate gjeostrategjike të ravijëzimeve të reja ndërkombëtare, Shqipëria e vogël, modeste, pa peshë dhe forcë, është e udhës të tregohet shumë e matur në deklarata dhe qëndrime publike, si dhe në ato jopublike. Kjo nuk do të thotë aspak të rishikohen pozicionet e saj strategjike që janë përcaktuar dhe vendosur prej dekadash. Kujdesi i nevojshëm, i balancuar, i mirëmenduar, me dinjitet dhe integritet, edhe pse me dimension të vogël, të bën të respektuar, të vlerësuar dhe është vetëm në të mirë të vendit dhe kombit tonë”./Gazeta Panorama

  •  

“Ullishta”, një elegji adriatike për kujtesën, njeriun dhe qytetërimin

Nga Prof. Asoc. Dr. Arian Leka

 

“Ullishta” (Inwritershouse, 2025) me autorë Joan Arvanitis (teksti) dhe  Gazmend Çitaku (fotografitë) është një libër që, para studiuesve hapet si tekst socio-etnografik, por për lexuesin shndërrohet në një album poetik, shoqëruar me imazhe mbi kulturën e ullirit. Duke qenë se kjo pemë, për mijëra vjet, ka qenë dhe mbetet boshti simbolik dhe ekonomik i viseve adriatike në Mesdhe, vepra prodhon ndjesi dhe mendim mbi këtë qytetërim të kapur fort pas rrënjëve dhe degëve të ullirit.

“Ullishta” ndërthur përjetimet e sotme me kujtesën historike, antropologji kulturore me mitologjinë e brigjeve përreth Ulqnit, duke e paraqitur ullirin siç është:  një krijesë të gjallë, bashkuese e kohëve, popujve dhe mënyrave të jetesës që mbijeton, pavarësisht gjuhëve që flasim, ritualeve dhe shkronjave të albabeteve, luftërave  apo idologjive politike apo fetare.

Në aspektin letrar “Ullishta” ka ngarkesë të fortë poetike. Gjuha është metaforë, ritmike dhe simbolike. Edhe struktura e librit i ngjan një ulliri: trungu i përdredhur, me zgavra të errëta, ku zezi hyn drita, me gjethet gri-argjendi, i qëndrueshëm në çdo terren. Ka vetëm një kusht: ta shohë detin apo t’i ndjejë erërat e detit. E veshur me këtë gjuhë autori e personifikon ullirin si njeri, pasi ulliri i autorit Joan Arvanitis “kujton”, “duron”, “shikon”, “gëzohet” dhe “vuan”. Kjo i jep pemës status human.

Fotografitë e kujdesshme të Gazmend Çitakut e plotësojnë më së miri dimensionin artistik të veprës duke krijuar dialog mes tekstit dhe imazhit. Estetika vizuale e trungjeve shekullore, e dritës mbi gjethe dhe peizazhit bregdetar, bën që libri të jetë edhe një suvenir. Kompozimet e fotove krijojnë forma skulpturore, ritëm pamor, figura të gjalla e monumentale të trungut, që shpreh lidhjen mes njeriut me tokën, ritualit me punët e motit dhe i jep veprës vlerë kulturore dhe dokumentare. Fotografitë emocion viziv, duke u harmonizuar me tonin filozofik të tekstit, që përdor peizazhit e ullishtave të Ulqinit për të theksuar identitetin lokal. Ullinjtë shekullorë të kodrave dhe brigjeve përreth bëhen dëshmi biologjike e vazhdimësisë që parapriu shtetet, kombet moderne dhe kufijtë politikë.

Gazmend Çitaku

Që në faqet e para të librit lexuesi takon ullirin, këtë përfaqësim real, të veshur me metafizikë nha njeriu. Njerëzit e këtyre viseve, ku etnitë jetojnë bashkë, e konsideruan ullirin si diçka përtej të zakonshmes. E lidhën me paqen, vazhdimësinë, urtësinë, sakrificën dhe të shenjtën. “Mrekulli ndër pemë dhe engjëll mes njerëzve – trungu i ullirit”, shkruan Joan Arvanitis për ullirin në hyrjen e librit, duke i vendosur fjalët në kufirin mes prozës poetike dhe eseistikës mendimtare.

Arkivat e gjelbërta të Mesdheut

Ndoshta vetëm zjarri mund të ketë mbledhur rreth vetes po aq shumë njerëz sa ulliri. Duke mos e vështruar Mesdheun si një hapësirë të ndarë nga opozicioni det-tokë, por si një sistem mikro-rajonal të lidhur nga klima, bujqësia, lëvizja dhe kultura, libri e sjell ullishtën si element themelor të identitetit endemik mesdhetar. Kjo ndjesi të bën të pranosh se ulliri u përket atyre që e gëzojnë duke e kultivuar.

Teksti krijon ndjesinë se ullishtat, më shumë se çdo gjë tjetër, janë arkiva të gjalla të historisë, ku çdo trung ruan “thellësinë e së kaluarës në brazdat e trungut”. Dimensioni mitologjik përshkon të gjithë veprën. Ulliri – si pemë e shenjtë, ulliri – simbol i paqes, i durimit dhe pavdekësisë. Ulliri mbi kryet e poetëve dhe të fituesve të garave, por dega e ullirit edhe mbi dorën e xhelatit, që “i ofrohet atij që të ulë dorën e tij mëkatare”. Veç triumfit e lavdisë, pema e ullirit lidhet me faljen dhe pajtimin. Legjenda e “Kronit të Nanës”, ku nuk mund të dallojmë më “fëmijën-ulliri, midis të gjitha pemëve përreth saj”, krijon mitin lokal mbi lindjen e ullishtës: ulliri lind nga sakrifica dhe etja.

Një nga shtresat më të domethënëse të veprës është dimensioni etnografik. “Ritualet kryhen kur mblidhet fryti… fillimi i mbledhjes dhe mbarimi i saj – janë ceremoni pagane”, theksohet në libër, për t’i dhënë rëndësi faktit se ulliri është kulturë përbashkuese. Autori dokumenton përditshmërinë, zakonet, ritualet dhe mënyrën tradicionale të jetës rreth ullishtës, që edhe kur është rutinë, mitizohet, kthehet dashur pa dashur kult.

Kujdesi, mbjellja, kultivimi dhe vjelja e ullinjve i jep vlerën kolektivitetit, kultit të bashkësisë. Njerëzit e kultivojnë ullirin, natyra punon për ullirin, por edhe ulliri punon për njeriun: kokrra, gjethja lëvorja e vaji përdoret për rite, shërim dhe bekim. Ndaj njerëzit i këndojnë, i besojnë ullirit historitë e fshehta si të ishin në rrëfyesore, duke e konsideruar ullirin një pjesëtar të shtëpisë, një emër të familjes që, ndryshe nga ata, pëlqen të flejë jashtë, të ketë për strehë e çati jo shtëpinë, por qiellin e hapur. Nën ullinj “janë krijuar ciklet e poezive lirike dhe epike për heronjtë e së kaluarës”, nënvizohet në tekst, duke i dhënë edhe fjalëve, njëlloj si ullirit, vlerën e arkivit që mbledh kulturën orale, “proverbat, enigmat, magjitë dhe ritualet magjike.”

Si arkeologji kulturore ullishta provon lidhjen mijëvjeçare mes brigjeve, ku ulliri, pema që ruan kohën, shfaqet si dëshmi e vazhdimësisë së jetës njerëzore.

 

Ungjilli sipas ullirit: miti dhe ekonomia

Ulliri nuk mund të jetojë “askund ku nuk ka det”, shkruhet në libër. Marrëdhënia organike mes njeriut dhe natyrës në drejtimet tokë-det-qiell. Lidhja e tyre e pandashme krijon dualitetin themelor, që përcakton identitet pë brigjet. Shushurima e ullirit “tingëllon si valët e largëta të detit”. Kështu lexohet mes fletëve të librit dhe kjo sintetizon filozofinë e veprës: ulliri – zëri i tokës; deti – fryma.

Njeriu në veprën “Ullishta” është përdoruesi i natyrës, zotëria-shërbyes, jo Zoti vetë. Njeriu duhet të përkulet para trungut, të lutet pranë tij, të presë me durim përballë pemës dhe ta kuptojë urtësinë e ullirit pse nuk jep fruta çdo vit. Kjo filozofi dhe ekologji njëherazi, bëhet aktuale në kohën kur njeriu ka krijuar natyrën paralele, me bimësi artificiale, me stinë intensive, me prodhime hibride, pemë xhuxhmaxhuxhe dekorative dhe bimë, fruta e lule gjithëvjetore, pa pjalm, polen e pa farë. Në këtë këndvështrim, edhe pse libri “Ullishta” është kryesisht eseistik dhe i shkruar me gjuhë poetike, nënkupton mbrojtje të dijes tradicionale mbi kultivimin e ullirit dhe respekt ndaj ritmeve të jetës së gjelbër.

Përmenden edhe ciklet e mbjelljes, krasitjes, ushqimit dhe vjeljes së frytit. Kjo njohuri lidhet me traditën e hershme të përzgjedhjes së varieteteve, shartimit dhe përshtatjen klimatike. Ulliri është pemë e rezistencës, që jeton si asket edhe në toka të varfra, në klimë të thatë, në erëra, mbi gurë, por gjithmonë nën qiell të hapur, jo në sera.  Veç këtyre, libri prek edhe dimensionin shëndetësor të ullirit, aspektet kuruese, kur thotë se “nga vaji i frytit të ullirit, qenia njerëzore merr forcë”. Këto dije, përhapur si urtësi familjare në kohët kur nuk dihej asgjë për studimet moderne mbi dietën mesdhetare, vetitë antioksidante që ndihmojnë shëndetin kardiovaskular, u dhanë njerëzve të brigjeve jetëgjatësi, sikurse shkruhet në libër: “Nga vaji i frytit të ullirit, qenia njerzore merr forcë; të gjithë njerëzit e ushqyer me vajin e ullirit janë të butë nga natyra. Nga lëngu i hardhisë, ndodh e kundërta: disa flasin gënjeshtra, disa humbasin fillin e mendjes, ndërsa të tjerët dalin nga arsyeja. Populli thotë edhe këtë: gjithmonë i kthehesh ullir-it, dashuria e tij mbetet e njëjtë për atë që largohet dhe kthehet, ndërsa me gruan njeriu mund të kthehet vetëm një herë; pas kësaj, gjithçka është nën dyshim – si besnikëria e gruas, ashtu edhe fisnikëria jote – bëhu i kujdesshëm o udhëtar kalimtar.”

Sigurisht që në sfond të tekstit qëndron edhe ekonomia tradicionale e ullishtarisë. Vjelja, përpunimi dhe ruajtja e vajit ishin baza ekonomike e shumë familjeve bregdetare. Ulliri krijoi shëmbim mallrash, punishte dhe lidhje ndërmjet brigjeve, duke hedhur dritë mbi faktin se kjo trashëgimi kulturore nuk është abstrakte, por përfaqëson edhe një potencial të madh, pasi ullishtat shekullore të Adriatikut, nëse kemi vullnet të fortë dhe dëshirë të zjarrtë, mund të shndërrohen në pjesë të ekonomisëm tërheqje për turizmit gatronomik dhe kulturor të ullirit, ullishtave dhe pyjeve të ullishtave “që mbajnë erë të ëmbël nga bima e verdhë brnistra, trumza, pelini, meli dhe manaferrat, së bashku me aromën e manushqes.”

Idila rurale te historia e trazuar: leximi simbolik i ullishtes

Pjesa e dytë, “Mbledhtarët e ullijve”, përbën një udhëtim prekës të veprës. Aty paraqet dinjiteti njerëzor në sporvën e jetës, varfërisë, brendësia e familjes përballë punës jo të lehtë, anatomia e përditshmërisë, ku zemra ndjen dhe trupi kupton se çfarë ndodh me mbledhëtarët e ullinjve.

Familja që mbledh ullinj nën rrebeshin e shiut mishëron etikën e thjeshtë të jetesës, ku puna, solidariteti dhe natyra bashkëjetojnë. Duket idilike, romantike, nostaligjike, e bukur, por jo shumë gjatë, vetëm pak paragrafë, deri sa rrëfim mbaron. Të gjithë largohen, zhduken një ditë, varrsen nën ulli. Ulliri mbetet aty, elementi konstant i historive.

Edhe kur teksti përmendend grekët e lashtë dhe filozofia e tyre e masës dhe maturisë (Asgjë e tepërt, o qytetar i Athinës! Edhe pse gjithçka në këtë botë është interes, mësohu se në maturi gjendet strehimi më i fuqishëm i çdo gjëje të gjallë”), përtej referencës historike, fjalët rikthejnë idenë se kultura e brigjeve është ndërtuar mbi ekuilibrin ndërmjet natyrës dhe qytetërimit, asaj që bëjnë duart dhe asaj që bëjnë stinët. Në këtë këndvështrim, ullishta bëhet simblolikë e bashkëjetesës dhe mbijetesës, ku rrënjët janë të përbashkëta edhe kur degët shtrihen në drejtime të ndryshme, sipas rrymave, rrjedhave, erërave.

Joan Arvanitis dhe humanizmi i ullirit

Poema përmbyllëse me titullin kushtues “Ullirit”, ka 16-të vargje strofike dhe përfaqëson kulmin artistik dhe filozofik të veprës Ullishta. Në to përmblidhet simbolika, drama dhe madhështia shpirtërore e ullirit dhe e njeriut që i ngjan atij. Jo më si kulturë bujqësore, por si figurë humane. Vargjet sjellin alegorinë e ullirit të plagosur, të vetmuar, por bartës i paqes dhe kujtesës së brezave. Poema mbështetet mbi përfytyrimet e ullirit që “fsheh fytyrën”, “kujton”, “tregon sekretet” dhe madje “qan me gjethe”.  Ky animim ia kthen fjalëve fuqinë që deri në ato faqe i kishin marrë proza meditative dhe imazhi ilustrues. Njeriu-ulli-dëshmitar i kohërave dhe kultivues jo vetëm i kokrrave të pjekura e plot me vaj, por edhe i mundimeve dhe kujtesës kolektive.

Jovan Nikolaidis

Që në vargun hapës: “Sa vuan, o shëmti e imja”, prozatori ia lëshon vendin poetit, që krijon kundërvënien e fuqishme mes pamjes së jashtme (të shëmtuar) dhe bukurisë së brendshme të ullirit. Ulliri i kësaj poeme është më afër Aristotelit se sa Platonit, që mendonte se njeriu duhet ta shmangë shëmtianë. Por një shëmti si ajo e ullirit të Joan Arvanitis shërben për ta bërë bukurinë të dallohet më qartë. Krijesa gjithë zgavra, e heshtur dhe e përvuajtur, që e quajmë ulli, bëher rojtar mbrojës i dinjitetit të thellë etik. Ky ulli është Sokrati me shpirt të lirë e të bukur, futur brenda një trupi të shëmtuar, të lodhur, të plakur, gjithë sëmundje, që ndoshta ishte edhe paksa belban, por ja që me gjithë këtë cen, thoshte të vërtetën dhe “shkruante e fliste” shumë bukur. Kjo e bën këtë njeri-ulliri të jetë metafora e të urtit, vetësakrifikuesit, jo vetëm i pavlerësuar, por madje i dënuar nga bota. “Mirësia brenda teje lidhet me paqen” dhe  “Sekretet e tua i tregon me heshtje” shprehin idenë se urtia e vërtetë nuk ka nevojë për zhurmë apo madhështi të jashtme. Heshtja e ullirit është mençuria, që mbijeton. Poezia ka vlera artistike dhe gjuhë lirike të pasur me përfytyrime, si “dëshirë e kaltër”, “krushk i vjetër”, “vitet e errëta”, që krijojnë atmosferën meditative. Edhe pyetja retorike përmbyllëse: “A mos vallë qan me gjethe kur shushurit?”, i jep poezisë fund reflektues, ku natyra dhe ndjenja njerëzore bashkohen, për ta kthyer këtë pemë në një pasqyrë të fatit dhe shpirtit.

Iluminizmi: ky është vetëm një dimension poemës “Ulliri”. Krahas këtij, autori ndërton edhe estetikën e së “shëmtuarës sublime”. Trungu i ullirit në poemë, aspak ideal si fizik, përshkruhet vërtet si i shëmtuar, shtrembër, i plakur, i ashpër, por pikërisht aty qëndron “bukurisa morale”. Por kujt i duhet kjo “bukuri morale”, kjo etikë e lartë, kur Sokrati dhe Krishti, përfundojnë keq e kur pas vrasjes së tyre, ata që i vranë e i përqeshën, i shpallën mendimtarë e profetë?

Shëmtia sublime dhe urtia e heshtur në poezinë “Ullirit”

E keqja ka fuqi dhe forcën e numrave të saj e kemi provuar sa herë që diktati, disiplinimi i mendimit, ndëshkimet, diktarurat dhe autokratët shfaqen në derën tonë, siç e pamë në Europën Qendrore deri dje dhe siç vazhdojmë ta shohim në Europën Juglindore edhe sot. Ulliri, kjo metaforë e njeriut, ndihet i tradhëtuar. Cila qenka shëmtia e vërtetë e ullirit, nëse shëmtia fizike nuk e prek atë? Varfëria është shëmti. Mjerimi. Varfëria e pamerituar. Kjo është edhe tradhëtia që i bëhet një peme kaq të begatë, bujare, që gjithmonë jep dhe kurrë nuk kërkon, kulturë që është e detyruar të jetojë mes njerëzve me vese, me mendje të skllavëruar, bashkë me primitvët modernë.

Personifikimi i ullirit si “i bekuar, i duruar dhe modest” krijon kontrast me njeriun bashkëkohor, i cili nuk di më të presë, s’do të punojë dhe të ruajë trashëgiminë. Në kulturën tradicionale të Adriatikut lindor, ulliri ishte simbol i vazhdimësisë, maturisë dhe lidhjes së njeriut me tokën. Sot, kjo lidhje është dobësuar nga etja për fitim të menjëhershëm dhe nga kultura e komfort-rehatisë.

Në viset e Adriatikut lindor, nga Ulqini e deri në brigjet e jugut shqiptar dhe dalmat, ullishtat dikur përfaqësonin ekonominë e ngadaltë, por të sigurt. Sot, shumë prej tyre braktisen, nuk ka kush vjel, ndërsa njerëzit ëndërrojnë pasurim përmes turizmit të shpejtë, ndërtimeve kaotike ose emigrimit që sjell para dhe bashkë me paratë edhe pandehmën e asaj që Umberto Eco ofron një vëzhgim të patrembur kur citon Karl Marksin. Çështja është te koncepti i pakapshëm i shëmtisë dhe relativiteti i bukurisë në historinë e njerëzimit. Çfarë quajmë të mirë? Çfarë quajmë të bukur?

Në vitin 1844 ky i fundit e përshkruan shëmtinë si diçka që lidhje me varfërinë dhe që ka kuptim vetëm në mungesë të parave. Kur shkruan se “jam i shëmtuar vetëm kur nuk kam para”, por në prani të parave, edhe pse jam i shëmtuar, mund të blej gratë më të bukura, gjithçka bëhet e qartë edhe për njeriun që rritet pranë ullinjve, që jeton në mënyrë sezonale, midis tempove “piano-piano” dhe “avash-avash”.

Prej kësaj kultohet se “efekti shëmti”, fuqia penguese e shëmtisë, anulohet nga paratë. Edhe ky njeri i brigjeve adriatiko lindire e juglindore, ku natyra punon më shumë se individi, e ka bërë të vetën mendësinë se edhe pse është i çalë, paraja e bën me njëzet e katër këmbë. Prandaj nuk jam i çalë. Jam i keq, i pandershëm, i paskrupullt, budalla, por paraja është e nderuar. Pa tru, por paraja është truri i vërtetë i të gjitha gjërave dhe me tru e me mend e me mendim është edhe poseduesi i parave. Përveç kësaj, ky posedues mund të blejë njerëz të zgjuar për vete. A nuk është ai që ka pushtet mbi të zgjuarit, madje më i zgjuar se vetë i zgjuari?

Libri “Ullishta”, edhe pse nuk e trajton në mënyrë të drejtpërdrejtë tematikën, e shpreh si një humbje shpirtërore distancimin nga puna. Për “të pavëmendshmit”, ulliri “shërben vetëm për prerje me sëpatë, sharrë motorike dhe zjarrin në oxhak”.

Ky vëzhgim kritik shkon ndaj një shoqërie që sheh vetëm paratë, jo trashëgiminë shumëbrezëshe, ndaj së cilës “rinia e sotme dëshiron të ecë vetëm drejt, sa më shpejt, sa më lehtë.” Ky rob i komoditetit dhe izolimit, ndonjëhrë ndjen ndostalgji për “moskokëçarjen në varfëri”, të mbledhësve të ullinjve, që punojnë nën shi, me “rroba të vjetra” por “ama, të lumtur”, por kjo mund të sjellë ngushëllim, por nuk di ta zgjidhë jetën e vet edhe po të themi se pasuria materiale nuk prodhon domosdoshmërisht edhe paqe shpirtërore. E ka dëgjuar, me siguri e ka dëgjuar se “nëse largohesh prej ullirit, do të jetojë i vetmuar pa zhurmë dhe pa dëshmitarë! Nëse e përkëdhel trungun e tij, do ta mbajë mend prekjen tënde deri te nipërit e tu.”

 

 

Kultura e punës dhe kriza e njeriut bashkëkohor

 

Në fund të vitit 1889, Van Gogh-u pikturoi tre versione një pikture ku gratë vjelin ullinj. Piktura ka afri tematike me “Mbledhëtarët e ullinjve”, por ajo nuk duhet lexuar si mesazh politik, apo se  “bota ishte më mirë ashtu siç ishte”. Jo, nuk ishte më e mirë e kjo. Ka pamje të botës që nuk ndryshojnë kurrë, janë arketipe, si mbledhësin e ullinjve që, edhe kur e romantizojmë, nuk ka asgjë romantike. Prej thuajse 150-të viteve largësi, vepra e Van Gogh-ut na shtyn të pyesim se çfarë humbet një shoqëri kur kultivimin e vlerave me ritmin e ciklit natyror e zëvendëson me shpejtësinë e suksesit dhe fitimit.

Duke e lexuar si poemë, ese antropologjike, meditim filozofik dhe dokument kulturor, nga vepra “Ullishta” mund të kemi të një përgjigje mbi atë që humbasim dhe atë që fitojmë. Në mënyrë ideale, te pema e ullirithohim gjurmët e kulturës detare dhe një qytetërim të ndërtuar mbi durimin, kujtesën, bashkëjetesën dhe bashkëpunimin. Por ullinjtë janë të motshëm. Asgjë e gjallë në ato brigje nuk është me i vjetër se ata. Ullinjtë dinë ta dallojnë mungesën e dëshirës për punën e duarve. Ata ullinj shekullorë e dinë se nuk i mbollëm ne, por paraardhësit tanë. Ne jemi mbledhësit e ullinjve.

“Ullishta”, kjo elegji për një skaj të qytetërimit mesdhetar, në vetëzbehje tani, jeton si relike muzeale brenda një shoqërie të nxituar, që strehohet në ankesa, që gjen gëzim te nihilizmi dhe te nostalgjia dhe përpiqet më kot të kapë kohën e humbur. Falë një peme si ulliri, që ka parë shumë, shoqëri mund të kuptojë krizën e e vet morale, vanitetin, krenarinë e zbrazët epike dhe euforinë nacionaliste, që mund të ngrejë gjithçka, madje dhe luftë, veç jo një vend me begati normale dhe të jetueshëm, të bërë me punë. Por të gjitha këto tasni nuk janë është “problem” i autorëve Joan Arvanitis dhe Gazmend Çitaku, që e kanë bërë tashmë “ullishtën” e tyre dhe e kanë punuar kopshtin, siç kërkonte Volteri.

  •  

Kosovë\Bllokada si program politik

Nga Dr. Sadri RAMABAJA*

Diskursi i fundit i opozitës kosovare po dëshmon një transformim të rrezikshëm të kulturës politike në Kosovë: nga konkurrenca demokratike drejt institucionalizimit të bllokadës si metodë veprimi politik. Deklaratat e fundit të Vjosa Osmanit dhe Enver Hoxhajt nuk janë më thjesht retorikë opozitare e zakonshme; ato përfaqësojnë artikulimin e një strategjie të vetëdijshme për prodhimin e krizës institucionale në rast se rezultati zgjedhor i 7 qershorit 2026 konfirmon edhe një herë dominimin elektoral të Albin Kurtit dhe të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në thelb, opozita nuk po flet më për alternativë qeverisëse, por për pamundësimin e funksionimit normal të shtetit nëse qytetari nuk voton sipas preferencave të saj. Kjo është një rrëshqitje serioze nga demokracia përfaqësuese drejt një logjike obstruksioniste, ku humbja zgjedhore tentohet të kompensohet përmes paralizimit institucional. Kur një ish-presidente paralajmëron publikisht krizë dhe zgjedhje të njëpasnjëshme si instrument presioni politik, ndërsa një figurë e lartë e PDK-së flet për “përmbysje të rendit kushtetues” pa ofruar asnjë provë konkrete, kemi të bëjmë me prodhim të qëllimshëm të frikës politike dhe me normalizim të gjuhës së destabilizimit.

Më problematikja në këtë qasje është fakti se opozita po përpiqet ta paraqesë bllokimin si akt patriotik dhe si “mbrojtje të demokracisë”. Kjo është një përmbysje klasike e kuptimeve politike. Demokracia nuk mbrohet duke refuzuar pjesëmarrjen institucionale, as duke bojkotuar votimin, e aq më pak duke paralajmëruar mosfunksionalizim të Gjykatës Kushtetuese apo krizë të qëllimshme parlamentare. Në fakt, një opozitë që deklaron paraprakisht se nuk do ta njohë funksionalitetin institucional në rast të humbjes së saj, po e zhvendos veten nga roli i opozitës demokratike në një subjekt pengues të rendit kushtetues.

Deklaratat e Hoxhajt janë veçanërisht simptomatike për krizën konceptuale të opozitës tradicionale kosovare. Kur ai flet për rrezikun e ndryshimit të sistemit politik “brenda dy ose tri ditësh”, pa asnjë bazë juridike apo institucionale reale, kemi të bëjmë më shumë me narrativë apokaliptike sesa me analizë politike. Kjo gjuhë nuk synon debat racional publik, por mobilizim emocional përmes frikësimit kolektiv. Në vend se të ndërtojë alternativë programore, opozita po ndërton skenarë katastrofikë, duke tentuar ta delegjitimojë paraprakisht çdo rezultat që nuk i shkon për shtati.

Në plan më të gjerë, kjo sjellje dëshmon krizën e thellë të elitave të vjetra politike në Kosovë. Përballë një elektorati që vazhdon t’i japë mbështetje të fuqishme Vetëvendosjes, opozita duket se ka hequr dorë nga beteja për bindje demokratike dhe po investon në strategjinë e konsumimit institucional të kundërshtarit. Mirëpo, kjo është një strategji me pasoja serioze për vetë shtetin. Sepse kur partitë politike fillojnë ta trajtojnë krizën si instrument legjitim të luftës për pushtet, atëherë vetë demokracia shndërrohet në peng të kalkulimeve taktike.

Paradoksi më i madh është se opozita po flet në emër të mbrojtjes së Kushtetutës, ndërkohë që po promovon kulturën e mosfunksionimit kushtetues. Nuk mund të mbrohet rendi demokratik duke sabotuar institucionet që e mishërojnë atë. Demokracia parlamentare nuk nënkupton që opozita ka të drejtë vetoje mbi vullnetin elektoral të shumicës; ajo nënkupton garë politike, kontroll institucional dhe rotacion përmes votës, jo përmes bllokadës.

Në këtë kuptim, problemi nuk është më vetëm polarizimi politik. Problemi real është shfaqja e një mentaliteti politik që e konsideron shtetin funksional të pranueshëm vetëm atëherë kur pushteti kontrollohet nga vetë opozita. Dhe ky është një regres serioz për kulturën demokratike të Kosovës.

*Titulli origjinal i autorit: Bllokada si program politik: opozita kosovare mes krizës së legjitimitetit dhe sabotimit institucional

  •  

Reza Pahlavi nën akuza të rënda: Vrasja në Kanada zbulon të pathënat e tij

Reza Pahlavi nën akuzë të rënda: Vrasja në Kanada zbulon anën autoritare të rrethit të tij*

Artikulli i revistës The Atlantic heton vrasjen e Massoud Masjoudit në Kanada dhe kritikat në rritje ndaj Reza Pahlavit, duke e portretizuar atë dhe rrethin e tij si autoritarë. Çfarë po ndodh brenda opozitës iraniane në mërgim?

Revista amerikane The Atlantic, në një artikull të Robert F. Worth, sugjeron se vrasja e Massoud Masjoudit në Kanada ka vënë Reza Pahlavin nën vëzhgim të shtuar nga një numër në rritje kritikësh, të cilët e shohin atë dhe rrethin e tij të ngushtë si autoritarë të rrezikshëm.

Masjoudi akuzon këshilltarët e Pahlavit për lidhje me IRGC-në

Massoud Masjoudi ishte bindur se dy këshilltarë të Reza Pahlavit po punonin fshehurazi për Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC). Ai dorëzoi dhjetëra ankesa dhe bëri akuza që shumë i konsideruan të pazakonta, duke përfshirë pretendimin se dy mbështetës të Pahlavit po komplotonin për ta vrarë.

Trupi i Masjoudit u zbulua më 6 mars dhe policia kanadeze akuzoi dy mbështetës monarkistë, Mehdi Ahmadzadeh Razavi dhe Arezou Soltani, për vrasje me paramendim.

Artikulli i Robert F. Worth

Në artikullin e tij “Anën brutale të monarkistëve iranianë” , Robert F. Worth shkruan se në fillim të shkurtit, ndërsa pjesa më e madhe e botës ishte përqendruar te lufta e afërt në Gjirin Persik, një emigrant iranian i zëshëm, Massoud Masjoudi, u zhduk në Kanada.

Kur trupi i tij u gjet në mars, autoritetet kanadeze akuzuan dy ndjekës të Reza Pahlavit për vrasje. Masjoudi, një kritik i ashpër i Pahlavit, kishte kaluar muaj të tërë duke denoncuar Pahlavin dhe bashkëpunëtorët e tij. Ai kishte emëruar specifikisht dy të akuzuarit dhe pretendonte se ata po komplotonin për ta heshtur atë.

Me fjalë të tjera, vrasja duket se është pjesë e një lufte më të gjerë që ka përballur Pahlavin me një rreth në zgjerim kritikësh, të cilët e shohin atë dhe ata që e rrethojnë si gjithnjë e më autoritarë.

Entuziazmi për luftë dhe zhgënjimi pasues

Në fund të shkurtit, shumë përpara se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli të fillonin sulmet ushtarake kundër Iranit, Pahlavi dhe mbështetësit e tij shprehën entuziazëm për luftën. Ata pretenduan se më shumë se 100,000 dezertorë nga strukturat e sigurisë iraniane ishin gati të ndihmonin ish-kurorin për të sjellë një epokë të re. Pahlavi dukej se priste një kthim triumfal, i ngjashëm me pritjen masive që pati Ruhollah Khomeini në 1979.

Por Pahlavi nuk u kthye. Më shumë se dy muaj pas luftës, Ngushtica e Hormuzit mbeti e mbyllur dhe regjimi iranian ishte ende në pushtet. Pahlavi dhe shumë mbështetës të tij e bënë të qartë se ndiheshin të tradhtuar nga negociatat e paqes në vazhdim dhe vazhduan të kërkojnë sulme të mëtejshme ajrore.

Një mbështetës i shquar, anëtar i bordit të organizatës jofitimprurëse të Pahlavit, shkroi në X: “Lufta nuk shkoi siç e doja unë.” Ai shtoi se mbështetësit e regjimit ishin “kafshë” dhe se Teherani “duhej bombarduar çdo ditë me 5,000 objektiva”.

Kritikat brenda opozitës

Ndërkohë, kritikët e Pahlavit brenda opozitës i intensifikuan sulmet, duke e përshkruar atë si fashist dhe një figurë me kapacitete intelektuale të kufizuara, që drejton një kult toksik të orientuar nga lufta. Nikahang Kowsar, dikur aleat i ngushtë, shkroi në prill se Pahlavi ishte “një njeri me privilegj trashëgues, pa arritje serioze, i aftë të lëvizë me erën dhe jashtëzakonisht i zoti të mbajë miliona njerëz emocionalisht të investuar, duke ofruar vetëm kontradikta, iluzione dhe zhgënjim”.

Këshilltarët si “Rottweiler”

Artikulli sugjeron se këshilltarët e Pahlavit po e pozicionojnë atë si monark – trashëgimtarin e “trashëgimisë së lavdishme” të një monarkie 2500-vjeçare – dhe se ky projekt kërkon luftë politike kundër kujtdo që nuk pranon supremacinë e tij.

Një person që kishte punuar me këshilltarët Amir Etemadi dhe Ali Ghazizadeh (ose Ali Reza Etemadi) i tha Worth se ata besonin se “thyerja e opozitës është po aq e rëndësishme sa lufta kundër regjimit. Ata vërtet besojnë se Pahlavi nuk mund të jetë efektiv nëse nuk është zëri i vetëm”.

Dy këshilltarët nuk vonuan të bënin armiq. Në 2018, Kowsar – ende afër Pahlavit – u përplas me ta. Ai më vonë tha se ata silleshin si “Rottweiler”: të nënshtruar ndaj Pahlavit, por armiqësorë dhe të vrazhdë me të gjithë të tjerët.

Rasti i Massoud Masjoudit

Një tjetër figurë e opozitës që u largua nga këshilltarët e rinj të Pahlavit ishte Massoud Masjoudi, matematikan dhe aktivist me bazë në Kanada. Fillimisht ai admironte Reza Pahlavin dhe, së bashku me Ghaseminejad dhe Etemadi, ishte pjesë e rrjetit të emigrantëve iranianë të njohur si Iran Revival (Farashgard). Por shpejt u zhgënjye dhe u bë një nga kritikët më të zëshëm të lëvizjes.

Masjoudi u bind se dy këshilltarët e rinj po punonin fshehurazi për IRGC-në. Ai dorëzoi ankesa të shumta dhe pretendoi se dy mbështetës të Pahlavit – Mehdi Ahmadzadeh Razavi dhe Arezou Soltani – po komplotonin për ta vrarë. Trupi i tij u gjet më 6 mars dhe çifti u akuzua për vrasje me paramendim. Një deklaratë gjyqësore thotë se çifti takoi një praktikues të mjekësisë tradicionale në Vancouver për të marrë një substancë vdekjeprurëse për të “hequr qafe” Masjoudin.

Manipulimi në rrjete sociale

Në mes të 2023, eksperti i manipulimit në rrjete sociale Jeff Golberg publikoi një raport që dokumentonte një fushatë të madhe të koordinuar online me llogari të rreme që lavdëronin Pahlavin. Raporti identifikoi 4,765 llogari që postonin më shumë se 100 herë në ditë dhe gjeneruan 843 milionë tweet-e.

Kritika për nxitjen e protestave

Artikulli i The Atlantic vë në dukje se pas kryengritjes së janarit dhe shtypjes së përgjakshme të saj, Pahlavi u kritikua ashpër për inkurajimin e njerëzve të protestonin duke bërë pretendime të pabazuara për dezertime masive brenda forcave të sigurisë iraniane – pretendime që mund të kenë dhënë një ndjenjë të rreme sigurie.

Reagimi pas armëpushimit

Pas njoftimit të Donald Trump për armëpushim me Iranin më 7 prill, Pahlavi lëshoi një fjalim ku pranoi se vendimi kishte “zhgënjyer shumë prej jush”. Ai më pas nisi një turne evropian duke promovuar ndryshimin e regjimit dhe akuzoi Mbretërinë e Bashkuar për pajtim.

Megjithatë, kritikët e tij brenda opozitës ishin më të zëshëm se kurrë. Në fund të muajit të kaluar, një nga monarkistët më të shquar brenda Iranit, i burgosuri politik Manouchehr Bakhtiari, u bashkua me ta. Në një mesazh audio të ashpër drejtuar Pahlavit, Bakhtiari deklaroi: “Midis atyre që pretendojnë se mbështesin monarkinë, ti je ai që e ke tradhtuar më shumë atë që dikur u betove të mbrosh”.

Thirrjet e Pahlavit për më shumë bombardime kanë marrë një ton gjithnjë e më të dëshpëruar, teksa Trump duket se është lodhur nga lufta. Kur Worth pyeti një mbështetës të shquar se si do të përballonte Republikën Islamike tani që shumë strategji kishin dështuar, ai u përgjigj: “Nëse ushtria amerikane mund të garantojë uljen e kurorëprincit në një qytet iranian, kjo do të ndryshojë rezultat. Unë mendoj se IRGC do të shembet”.

Worth përfundon se u befasua jo vetëm nga pamundësia e këtij skenari, por nga vetë skenari. Pahlavi mund të mos jetë as i gatshëm të ndërmarrë një udhëtim aq të rrezikshëm. Siç i tha Pahlavi një intervistuesi në 2023: “Jeta ime për 40 vitet e fundit ka qenë këtu në Amerikë. Fëmijët e mi jetojnë këtu, miqtë e mi jetojnë këtu, të gjithë që njoh janë këtu. Nëse do të kthehesha, çfarë saktësisht do të kthehesha?”

*Reza Pahlavi nën akuzë të rënda: Vrasja në Kanada zbulon anën autoritare të rrethit të tij – Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI)

  •  

Bjellorusia në prag të një “marrëveshje të madhe” me ShBA-në

(A do të triumfoj “dimplomacia e potasit” e Uashingtonit aty ku diplomacia e sanksioneve të Brukselit dështoj?)

Nga Eljanos Kasaj*

Minsk, Bjellorusi-Gjatë një interviste me gazetarin kubano-amerikan të RT America (Russian Today/Россия Сегодня), Rick Sanchez, Presidenti bismarkian bjellorus Aliaksandr Lukashenka (Аляксандр Лукашэнка) ka deklaruar se Bjellorusia është gati për një “marrëveshje të madhe” me Shtetet e Bashkuara, por ajo duhet të jetë e përgatitur në mënyrë të tillë që të pasqyrojë interesat e të dy vendeve.

“Ne jemi gati për këtë takim. Jemi gati për një marrëveshje, por ajo duhet të përgatitet në mënyrë që të pasqyrohen interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bjellorusisë”, tha Presidenti Lukashenka.

Këto fjalë të udhëheqësit bjellorus janë veçanërisht emfazuar prej Agjencisë Telegrafike Bjelloruse BELTA (Беларускае Тэлеграфнае Агенцтва), ekspertët e së cilës i shikojnë parë ato si simbol të vullnetit të udhëheqjes bjelloruse për të hyrë në dialog me Perëndimin, pas pothuajse 5 vitesh stanjacioni dhe pothuajse asnjë kontakti diplomatik serioz ose produktiv.

Ndërkaq shumë ekspertë politik, analistë dhe gazetarë prej hapsirës post-sovjetike, e shikojnë retorikën e zbutur dhe tonin dakortësues të udhëheqësit bjellorus (të njohur për karakterin e tij politik à la soviétique), si një rezultat të strategjisë së Ostpolitika-s të Presidentit Trump, fort të ngjashme me atë të Kancelarit gjermano-perëndimor Willy Brandt gjatë Luftës së Ftohtë (1947-1991), e cila synon që në vend të vijimit të politikës të konfrontimit të Uashingtonit me Minskun, të aplikoj një strategji më fleksible, e cila synon paqëzimin e mardhënieve midis Bjellorusisë dhe Perëndimit përmes “Wandel durch Annäherung” ekonomik, duke braktisur kështu doktrinën e “sanksioneve të ashpëra punitive”, të adaptuar historikisht dhe pa sukses prej elitave brukseliane të Bashkimit Evropian kundrejt Minskut.

Pra, rredhimisht lind pyetja se çfarë do të sillte dakortëzimi për këtë “marveshjeje të madhe” për Bjellorusinë dhe Shtetet e Bashkuara?

Fillimisht, përpara se ti përgjigjemi kësaj pyetje, le te fillojmë me atë që është aritur deri më tani prej dialogut midis administratës së Presidentit Trump dhe Presidentit Lukashenka.

Pikërisht ky kuriozitet i fundit, i cili mund të quhet edhe shtylla kurrizore e ekonomisë bjelloruse, për amerikanët duket se ishte “leva e Arkimedit” për ta nxjerrë situatën politike prej stanjacionit, duke përdorur një strategji të kombinuar midis dialogut diplomatike dhe atij ekonomik, për të arritur që të normalizojnë marrëdhëniet me Bjellorusinë.

Iniciativa amerikane filloi me një eksperiment diplomatik, duke hapur një dialog konsultativ me Minskun si pjesë e bisedimeve të Shteteve të Bashkuara me Rusinë në Anchorage të Alaskës, mbi zgjidhjen e konfliktit të zgjatur të armatosur ruso-ukrainas, i cili rezultoi shumë pozitiv dhe premtues.

Pas këtij suksesi të parë, ishte e qartë se akulli më në fund ishte thyer dhe se hapat e mëtejshëm mund të ndërmerreshin, megjithëse me shumë kujdes, pasi ende duhej ndërtuar besimi i ndërsjellë.

Hapi i parë u ndërmor me vendimin e administratës amerikane për të hequr sanksionet amerikane ndaj Belavia Belarussian Airlines (‘Белавія’ —беларуская авіякампанія), si dhe atyre në avionin presidencial të Presidentit Lukashenka.

Pas linjave ajrore bjelloruse, administrata amerikane vijoj më tej dhe hoqi sanksionet mbi industrinë e potasës, një nga sektorët kryesorë ekonomikë të Bjellorusisë, duke synuar gjigantët kryesorë shtetërorë dhe privatë të prodhuesve dhe eksportuesve të potasit bjellorus, si Belaruskali (Беларуськалій), Slavkali (Славкалій), Agrarazkvit (Аграразквіт) dhe Kompaninë Bjelloruse të Potasit/Belarusian Potash Company (Беларуская калійная кампанія).

Së fundi, radhën e pati ajo e financave, ku administrate e Presidentit Trump mori vendimin për heqjen e sanksioneve ndaj Ministrisë së Financave të Bjellorusisë (Міністэрства фінансаў Беларусі) dhe Bankës Bjelloruse për Zhvillim dhe Rindërtim “Belinvestbank” (Беларускі банк развіцця і рэканструкцыі “Белінвестбанк”).

Edhe pse është ende shumë herët për të nxjerrë përfundime të qarta rreth ndikimit të këtyre zhvillimeve në ekonominë bjelloruse, Banka Euroaziatike e Zhvillimit (Евразийский банк развития) ka parashikuar që gjatë vitit 2026 rritja e PBB-së së Bjellorusisë do të përshpejtohet pas kësaj heqjeje të sanksioneve nga Uashingtoni, e nxitur rrjedhimisht prej rifillimit të eksporteve dhe kërkesa e qëndrueshme e konsumatorëve.

Dhe këtu vijmë te pyetja e lartpërmendur se çfarë saktësisht do të sillte dakortësimi për këtë “marrëveshje të madhe” midis Bjellorusisë dhe Shteteve të Bashkuara:

Nëse do t’i analizonim në detaje këto vendime të administratës së Presidentit Trump për të hequr sanksionet në disa sektorë kyç të ekonomisë bjelloruse, do të shihnim gjithashtu se si është përgatitur skema brilante e amerikanëve për të stimuluar situatën aktuale në prag të “marrëveshjes së madhe”: heqja e sanksioneve mbi linjat ajrore bjelloruse ka pasur për qëllim të sinjalizojë riaktivizimin e rrugëve tregtare, ndërsa heqja e sanksioneve mbi industrinë bjelloruse të prodhimit të potasit dhe sektorin financiar, duket se synon t’u mundësojë investitorëve dhe kompanive amerikane të hyjnë në tregun bjellorus, i cili ka shumë të ngjarë të dominohet nga kërkesa e konsumatorëve amerikanë (mes paqëndrueshmërisë globale të furnizimit me potas/plehra kimike përveç naftës dhe gazit) dhe ku pagesat ose transaksionet bankare tani mund të bëhen më lehtë se më parë.

Këtu mund të vërejmë edhe interesat real të palës amerikane në “marrëveshjen e madhe” me Bjellorusinë: zbatimi i fundit i një politike të diversifikimit të partnerëve ekonomikë, si rezultat i gjendjes aktuale të marrëdhënieve të tensionuara ndërqeveritare dhe bilaterale midis Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë (e cila, si Bjellorusia, është një nga vendet kryesore prodhuese të potasit/plehërave kimike në botë), po përdoret nga Uashingtoni si një mjet për ta distancuar disi Minskun nga Moska dhe Pekini, por amerikanët po e bëjnë këtë pa synuar të krijojnë një skizëm ose përçarje midis Minskut dhe aleatëve të tij historik, duke synuar kryesisht që ta mbajnë Bjellorusinë në statusin e saj historik si një “zonë jastëk”(buffer zone).

Nga ana tjetër, ky projekt i amerikanëve është duke u mirëpritet në mënyrë direkte dhe indirekte nga qeveria bjelloruse, e cila që nga viti 2025 ka nisur një politikë diplomatike dhe ekonomike multi-vektoriale (e referuar edhe nga diplomacia bjelloruse si ‘politika e jashtme e harkut të largët’), duke marrë çdo masë të mundshme për të parandaluar dominimin total politik dhe, mbi të gjitha, ekonomik të Rusisë dhe Republikës Popullore të Kinës në vend.

Për këtë arsye mund edhe që të hamendësojmë se nëse do të arrihet një marrëveshje me amerikanët, ajo me siguri do të përfshijë mundësinë që Bjellorusia të ketë akses në portin kritik lituanez të Klaipėda, e cila do ta çlironte Minskun prej varësisë lognistike prej portit rus të Shën Petersburgut, i cili sot është e vetmja rrugë tregëtare për transportimin e produkteve bjelloruse të plehrave në tregjet amerikane, evropiane dhe globale. Në të njëjtën kohë, kjo do t’i japë fund dominimit të tregut rus në ekonominë bjelloruse dhe do të stabilizojë eksportet bjelloruse në nivelet para viteve 2020/2021.

Në të njëjtën kohë, bazuar në këtë qasje pragmatiste, mund të supozojmë se për Minskun, synimi i vërtetë nuk është aq shumë maksimizimi i përfitimeve nga marrëveshja, por vetë marrëveshja, e cila mund të ketë gjithashtu simbolikisht një ndikim në situatën politike të qeverisë së Presidentit Lukashenka, e cila tani mund të deklaroj se ka arritur të thyejë izolimin politiko-ekonomik të Perëndimit, si dhe ta përdorë marrëveshjen si një mjet për të pasur një dialog më të barabartë me Kremlinin.

Si përfundim, mund të konkludojmë se, megjithëse bisedimet midis palëve bjelloruse dhe amerikane janë ende duke vazhduar, tanimë është e qartë nga retorika e udhëheqjes bjelloruse se “diplomacia e potasit” e Uashingtonit ka arritur të krijojë një dialog praktik dhe reciprok me Minskun, ku presioni ekonomik dhe izolimi politik nga evropianët nuk kishin mundur ta arrinin këtë.

Gjithashtu, arritja e kësaj marrëveshjeje mund t’u japë amerikanëve një avantazh për ta përdorur atë avantazh si një mjet presioni politik mbi evropianët, ashtu si në rastin e dialogut me Rusinë, i cili sot po zhvillohet vetëm midis Moskës dhe Uashingtonit, edhe në këtë situatë dialogu me Minskun mund të duket se po zhvillohet pa praninë e evropianëve, duke sinjalizuar kështu një divergjencë dhe ndoshta ndarje rrugësh midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

*Fakulteti i Shkencave Politike. Universiteti i Wroclaw (Uniwersytet Wrocławski), Poloni

  •  

Shpartallimi

Nga Eljanos Kasaj*

Federata Ruse e njohu zyrtarisht pavarësinë e Republikës së Kroacisë më 17 shkurt 1992, pak pasi e bëri këtë Bashkimi Evropian më 15 Janar, por në mënyrë suprizuese përpara Shteteve të Bashkuara, të cilat e shpallën njohjen e tyre vetëm më 7 prill.

Kjo lëvizje diplomatike sinjalizonte kursin e ri politik të Moskës, e cila do të ishte zyrtarisht e drejtuar drej Perëndimit dhe krijimit të një diplomacie përtej tabuve historike të periudhës sovjetike.

Por, vendosja e mardhënieve diplomatike midis Moskës dhe Zagrebit nuk ishte e vetmja gjë që do të karakterizonte politikën e re të jashtëme ruse drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ajo gjithashtu do të shënonte dhe fillimin e një politike të re ushtarake të Kremlinit, qeveria pro-Perëndimore e të cilit (prej idelogjisë së re gjeopolitike ose benefiteve financiare), por dhe prej egos së historisë së saj kombëtare si një prej dy superfuqive botërore, tashmë do të vendoste që të participonte në mënyrë direkte dhe indirekte në luftrat e përgjakshëme të Jugosllavisë (1991-1999).

Për ta shjtjelluar se cilat qenë konditat politike për këtë ndërhyrje të Rusisë dhe impaktin që ajo pati në zhvillimet politiko-ushtarake në Ballkanin Perëndimor, duhet që të analizojmë mënyrën se si ngjarjet u zhvilluan dhe se cili qe roli direkt dhe indirekt i Rusisë në to:

Viti i zi 1991

Më 25 qeshor 1991 Republika e Kroacisë deklaroj indipendencën prej Republikës Federative të Jugosllavisë, pas një referendumi ku mbi 93% e votuesve mbështetën sovranitetin e shtetit kroat- ky veprim i shkaktuar nga rënia e Federatës Jugosllave, çoi edhe në shpërthimin e një lufte katërvjeçare (1991–1995) kundër forcave serbo-jugosllave.

Akti i indipendencës u ndoq me atë të kapjes së kazermave të Ushtrisë Popullore Jugosllave në territorin kroat, në periudhën e verës dhe vjeshtës së vitit 1991, prej të cilave Ushtria e re kroate arriti që të shtinte në dorë: 40 obusë 152 mm, 37 obusë 122 mm, 42 obusë 105 mm, 40 obusë 155 mm, 12 MLRS, 300 mortaja 82 mm dhe 120 mm, 180 topa ZIS-3 dhe B-1, 110 topa antitank 100 mm, 36 topa vetëlëvizës, 174 ATGM, 2,000 granatahedhës, 190 tanke M-84, T-55, PT-76 dhe madje edhe T-34-85, 179 autoblinda dhe BMP, 180 topa antiajrorë 20 mm, 24 ZSU M-53/59 “Pragë”, 10 ZSU-57-2 ZSU, 20 armë kundërajrore, 200,000 armë të vogla, 18,600 ton municione, 1,630 ton karburant.

Me një armatim të tillë, kroatët ishin në gjendje t’i rezistonin ushtrisë goliathane jugosllave për disa muaj, gjatë vjeshtës dhe dimërit të 1991 dhe fillimit të vitit 1992, por këtë rezistencë kurajoze, Kroacia dhe populli kroat e pagoi shtrenjt dhe me gjak.

E gjendur në kushtet e pushtimit, copëzimit të pjesëve të territorit të saj dhe shkatërrimit së të gjithë infrastrukturës kryesore automobilistike, hekurudhore dhe industriale, ekonomia kroate, ashtu si dhe ajo jugosllave, hyri në stanjacion, standardet e jetesës, pagat dhe pensionet, gjithë sistemi social shtetëror kroat, qe duke u dromcuar brenda atij viti kaotik. Ndërsa në fushat e betejës, Kroacia, pavarësisht rezistencës fort patriotike dhe të guximëshme të ushtrisë kroate, kishte humbur tashmë atë ‘që duhej të humbiste’ (siç edhe theksonte retoritorika shoviniste e Beogradit aso kohe): një të tretën e territorit të saj, të simbolizuar me proklamimin e proto-shtetit të Republikës Serbe të Krajina-s (1991-1995) dhe të Obllastit Autonom Serb të Sllavonisë Lindore, Branja-së dhe Srijem-it Perëndimorë (1991-1992).

Kur dukej se republika e re ishte duke u përballur me situatën më kritike të historisë së saj moderne, Kroacia, e cila deri në fillim të vitit 1992 ende njohej si pjesë e Republikës Federative Jugosllave, u godit edhe nga një embargo ndërkombëtare e Perëndimit mbi importin e armëve (një iniciativë kjo e brishtë dhe fisnike për të mos lejuar eskalimin e më tejshëm të konfliktit)-gjë, e cila çoi edhe në lindjen e një tjetër sfide për Zagrebin: efortat për thyerjen ose anashkalimin e embargos.

Por, ndihma aq e nevojitur në atë kohë, do të vinte jo prej Perëndimit (vëmendja e të cilit ishte e përqëndruar aso kohe në Lidjen e Mesme, në Luftën Amerikano-Irakiane, 1990-1991), por prej Lindjes, prej Moskës!

E koordinuar dhe financuar prej kompanisë së themeluar në Ishujt e Virgjër Britanik, ‘Winsley Finance Limited’, dhe veçanërisht prej bizesmenit, tregëtarit të armëve dhe patriotit kroat Zvonko Zubak, ajo do të qe një nga operacionet sekrete ushtarake më ambicioze dhe brilante në historinë ballkanike të fund-shekullit të XX, e cila do të ndryshonte në mënyrë dramatike fatin e Luftës së Indipendencës së Kroacisë dhe popullit kroat.

Thyerja e embargos

Prej vitit 1992 deri në vitin 1997, prej aerodromit të një baze ushtarake 200 kilometra në lindje të Moskës, u organizuan rreth 160 fluturime nga Rusia drejt Republikës së Kroacisë, ku u transportuan rreth 16,000 ton armatime dhe pajisje ushtarake (mesatarisht njëqind ton armë për fluturim).

Skema e përdorur për këtë operacion (i cili ishte dhe operacioni më i madh ushtarak rus që prej Luftës së Afganistanit, 1979-1989) ishte sa gjeniale aq edhe dinake: kur avoinët e mëdhenj civil rus Antonov dhe Iljushin hynin në hapësirën ajrore kroate prej Hungarisë, kjo ishte pothuajse gjithmonë natën, gjë që i bënte ata të vështirë për tu deduktuar prej artilerisë kundërajore jugosllave (një pjesë e së cilës ishte e disloksuar në territoret e pushtuara kroate): e njëjta dredhi u luajt shumë herë – pilotët rusë gjithmonë vinin re se po kishin “vështirësi teknike” dhe i kërkonin kontrollit të trafikut ajror të Zagrebit t’i lejonte të uleshin në një aeroport aty pranë. Në 85 përqind të rasteve, ky aeroport “ndihmës” ishte ai në Pula, dhe pjesa tjetër e fluturimeve u drejtuan në aeroportin në Krk-të dyja qytete të lokalizuara në bregdetin shkëmbor dalmat dhe të mbrojtura prej fortesës natyrore të Maleve Dinarike.

Aty ekipet koordinuara mirë të ushtrisë kroate i shkarkonin avionët në vetëm katër orë dhe deri në agim puna zakonisht ishte kryer dhe gjithçka ishte e pastër.

Me anë të kësaj skeme Rusia e furnizoj Republikën e vogël në brigjet e Adriatikut  gjithashtu edhe me 18 helikopter transporti Mi-17, 40 avionë MIG-21, 12 helikopterë luftarakë Mil Mi-24, si dhe sistemet raketore anti-tank 9K111 Fagot dhe 9K113 Konkurs, 35,000 pushkë sulmi Zastava M70 dhe rreth 30 milionë plumba.

Së bashku me skuadriljet, rusët sollën gjithashtu edhe shumë pjesë këmbimi dhe stacione montim-riparimi. Ndërsa sa herë që ishte e nevojshme, me dhjetëra ekspertë ushtarak dhe pilotë rusë erdhën në Zagreb për të ndihmuar trajnimin e forcave ajrore kroate, veçanërisht për helikopterët luftarak Mil Mi-24, me të cilin pilotët kroat nuk kishin fluturuar më parë.

Rusia i dorëzoi Kroacisë edhe sistemet e raketave S-300 PMU në vitet 1994 dhe 1995, ajkën e teknologjisë ushtarake sovjetike. Në atë kohë, ky ishte versioni më modern i sistemit më të mirë të raketave kundërajrore në botë, i cili mund të rrëzonte çdo objektiv fluturues të targetuar në një distancë prej 120 km deri në 400 km. Sistemi u demonstrua në publik për herë të parë maj 1995 në paradën e parë ushtarake të Kroacisë sovrane, në lagjen zagrebase të Jarun – Beogradi e mori mesazhin dhe pas këtij demonstrimi, MIG-29-at jugosllavë nuk fluturuan më mbi Kroaci.

Demonstrimi i këtyre sistemeve bëri gjithashtu të qartë të elitat politike serbo-jugosllave se Kroacia nuk ishte më vetëm, por se në mënyrë direkte dhe indirekte Moska qëndronte pas “mrekullisë ushtarake të Zagrebit”, dhe se rusët kishin zgjedhur që të mbështesnin kroatët katolik në luftën e tyre kundër Jugosllavisë serbo-orthodhokse.

Shpartallimi

Aktet e fundit të dramës kroato-jugosllave do të luheshin pas demonstrimit të arsenalit modern ushtarak rus prej Ushtrisë kroate, gjatë vitit 1995 dhe do të simbolizoheshin me tri operacionet kyçe ushtarake, të cilat do të sillnin edhe fitoren e Kroacisë kundër Jugosllavisë së Presidentit Millosheviq:

-Operacioni ‘Bljesak’(1-4 maj), ku forcat kroate rimorën kontrollin e rreth 500 km katrorë territor brenda 36 orësh, duke rihapur autostradën vendimtare Zagreb-Lipovac dhe duke prerë në mënyrë efektive pjesën perëndimore të Republikës Serbe të Krajinës;

-Operacioni ‘Ljeto ‘95’(25-30 korrik), ku trupat kroate, në koordinim me trupat e Këshillit Kroat të Mbrojtjes, morën kontrollin e Bosansko Grahovo dhe Glamoč në Bosnjën perëndimore, duke rrethuar rajonin e Kinin;

-Operacioni ‘Oluja’(4-7 gusht), ku ushtria kroate arriti të rimerrte rajonin e Kninit dhe pjesën më të madhe të territoreve të pushtuara brenda 85 orësh, dhe të rivendosin rendin kushtetues kroat në të gjithë vendin (duke përjashtuar Sllavoninë Lindore).

Në të gjitha këto operacione ushtarke, arsenali dhe pajisjet ushtarke ruse luajtën një rol deciziv, të cilat sollën në mënyrë direkte fitoren e Zagrebit kundër Beogradit, dhe në mënyrë indirekte ose simbolike “fitoren”e Rusisë kundër Jugosllavisë (“konflikti politiko-ideologjik” midis të cilave kishte ngrirë që prej vitit të largët 1948).

Përfundim

Më 12 nëntor 1995, u nënshkrua Marrëveshja e Erdutit midis autoriteteve të Republikës së Kroacisë dhe autoriteteve lokale serbo-jugosllave të Obllastit Autonom Serb të Sllavonisë Lindore, Branja-së dhe Srijem-it Perëndimorë (1991-1992), e cila në mënyrë efektive i dha fund konfliktit të armatosur në rajon dhe krijoi kushtet për zgjidhjen paqësore të Luftës Kroate për Pavarësi në Kroacinë lindore.

Riintegrimi i këtyre tokave u përfundua me sukses më 15 janar 1998, kur Kroacia rimori kontrollin e plotë mbi kufijtë e saj lindorë.

Më  4 nëntor të vitit 1996, Presidenti rus Boris Jelcin dekoroi Presidentin kroat Franjo Tuxhman me Medaljen ‘Zhukov’, duke njohur “kontributin e tij aktiv në fitoren e luftës ndaj fashizmit”, fjalë të cilat u interpretuan prej medias ruse të kohës si një analogji e rëndësishme politike, e cila përveç karakterit të saj historik (përkujtimit të fitores së luftës së Ushtrisë Popullore Jugosllave kundër okupatërve Nazi-Fashist, gjatë Luftës së Dytë Botërore, 1939-1945), kishte edhe një karakter aktual, me fitoren e Ushtrisë Kroate të Luftës së Indipendencës së Kroacisë (1991-1995) kundër Ushtrisë Jugosllave dhe çlirimin e tokave kroate prej okupacionit të ushtrisë jugosllave dhe kolaboracionistëve të tyre separatist.

Ndonëse sot ky episod historik është përpjekur që të lihet në hije prej qeverisë aktuale ruse (e cila, e cila kërkon që ta përdori ideologjinë e Beogradit të ‘viktimizimit të popullit serb’ gjatë viteve 1990′ si një mjet për të ruajtur prezencën dhe influencën e saj politike në Serbi), ajo duket se nuk është harruar në Kroaci, ku shumë gazetarë, historianë dhe analistë e kanë përmendur dhe vijojnë që ta emfazojnë rolin deciziv të Rusisë në kuadër të Luftës së Indipendencës së Kroacisë.

Ajo gjithashtu shërben si simbol i kohës kur Rusia, në qeverinë proto-demokratike të Presidentit Jelcin, ishte integruar dhe bërë pjesë e Perëndimit, duke luftuar dhe suportuar kazua të cilat sot për shumë duken të paimagjinueshme (si të luftruarit kundër Jugosllavisë orthodhokse), dhe duke u kthyer në një faktor pozitiv në kuadër të efortave për të stabilizuar Ballkanin Perëndimor, gjatë zhvillimeve kaotike politike, ekonomike dhe ushtarake të viteve të tranzicionit 1990′.

*Fakulteti i Shkencave Politike. Universiteti i Wroclaw (Uniwersytet Wrocławski), Poloni

 

  •  

Shqipëria ndihmon Bujanocin me një mjedis sportiv!

Një financim nga Bashkia e Tiranës dhe asistuar nga Ambasada jonë në Beograd, e plotëson Shkollën Fillore të Bujanocit me një sallë sportive. Në dukje, një gjë e thjeshtë, por nga ato hapat që Shqipëria po i hedh me kujdes në drejtim të bashkatdhetarëve të saj në Luginën e Preshevës për t’i asistuar në përditshmërinë e tyre.

Ambasadori Bardhyl Canaj mori pjesë ditën e Martë në ceremoninë e inaugurimit të projektit për ndërtimin e sallës së sportit në Shkollën Fillore “Naim Frashëri” në Bujanoc. Një investim që ndihmon në përmirësimin e kushteve për nxënësit, zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës arsimore dhe fuqizimin e rinisë në këtë komunë.

Projekti, me vlerë 550,000 euro, i financuar nga Bashkia e Tiranës dhe mbështetur nga Këshilli Bashkiak  i  Bashkisë Tiranë, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë, Drejtoren Ekzekutive të Unionit të Bashkive Shqiptare të Rajonit, Adriola Kambo, dhe Kryetarin e Komunës në Bujanoc, Arbër Pajaziti, përfaqëson një dëshmi konkrete të solidaritetit dhe përkushtimit institucional për të ardhmen e të rinjve në Bujanoc.

Ky hap simbolizon një investimin në arsim dhe sport si shtylla të zhvillimit të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të këtij komuniteti.

  •  

Feja dhe arsyeja në sferën publike! Një reflektim pas ndarjes nga jeta të Jürgen Habermas

Një javë më parë u nda nga jeta, në moshën 96 vjeç, Jürgen Habermas, një figurë qendrore në traditën e Shkollës së Frankfurtit dhe njëri prej filozofëve dhe intelektualëve publikë më të shquar e më të cituar të gjysmës së dytë të shekullit të 20-të dhe fillimit të shekullit të 21-të. Habermas dha një kontribut të jashtëzakonshëm në debatin bashkëkohor mbi shoqërinë civile, demokracinë dhe modernitetin. Ndarja e tij nga jeta është cilësuar si “fundi e një epoke”, për shkak të kontributin e tij të jashtëzakonshëm në teorinë kritike dhe në mendimin demokratik. Eseja “Feja dhe arsyeja në sferën publike”, shkruar nga Prof. Tarifa, evokon dhe reflekton mbi pikëpamjen habermasiane mbi besimin, racionalitetin, modernitetin dhe demokracinë bashkëkohore.

Nga Fatos Tarifa

Të gjitha luftërat kulturore kanë pasur dhe kanë në themel të tyre konfliktin mes dy mënyrave radikalisht të kundërta të të kuptuarit të botës: njëra esencialisht empirike, tjetra dogmatike. Ky ka qenë dhe mbetet konflikti mes shkencës dhe besimit fetar, mes natyrores dhe të mbinatyrshmes. E vetmja zgjidhje politike që mund t’i jepet një konflikti të tillë në frymën e liberalizmit demokratik është ajo që mundëson krijimin e një sfere publike të paanshme, ku secili botëkuptim të ketë realisht mundësinë të afirmojë vërtetësinë e vet.

Diskursi publik në një epokë postmetafizike

Ekzistenca e një sfere publike të tillë dhe vetë shoqëria pluraliste, në të cilën jetojmë sot, shpeshherë rrezikohen nga ambicie autoritariste për konformitet ideologjik. Një rrezik i tillë mund të mënjanohet, ose të përballohet vetëm nëse, në veprimtarinë tonë promovojmë empirizmin, si bazë e njohjes dhe e dijes, dhe jo besimin e verbër te dogma dhe tek autoritetet.

Çështja, sidoqoftë, është shumë më e komplikuar se kaq dhe, siç do të vë në dukje më poshtë, unë, ashtu si Jürgen Habermas, mendoj se feja nuk mund dhe nuk duhet të përjashtohet nga diskursi publik.

Këtu unë nuk trajtoj dallimet mes shkencës dhe fesë si sisteme epistemologjikë, një subjekt me të cilin jam marrë më parë, por përqendrohem në dy çështje që kanë të bëjnë, e para me rolin e fesë, sekularizmin dhe raportet e tyre me shtetin ligjor dhe sferën publike, dhe tjetra me marrëdhëniet mes fesë dhe sekularizmit me arsyen dhe të mirën publike.

Në veprën e tij Feja dhe racionaliteti: Ese mbi arsyen, zotin dhe modernitetin (2002), Habermas ka argumentuar se “trajektorja e historisë na ka sjellë sot në një moment të tillë epokal, kur gjuha metafizike humbet kohezionin e vet, fragmentohet dhe çmitizohet dhe, prandaj, ajo ose duhet t’i provojë pretendimet e saj mbi të vërtetën, ose duhet të zëvendësohet nga një arsyetim postmetafizik”.

Habermas mendonte se sfida e teologjisë, religjiozitetit, filozofisë, çdo forme të menduari dhe çdo diskursi ka të bëjë me atë se si një model i dhënë mund të justifikojë pretendimet e veta ndaj së vërtetës, për shkak se mbizotërimi i teknologjisë në kulturën dhe në jetën e shoqërive perëndimore bashkëkohore na shtyn që t’i refuzojmë zgjidhjet metafizike të atyre gjërave, që në kohën tonë mund të shihen vetëm si probleme reale të kohës.

Sipas tij, sot jetojmë në një “epokë post-metafizike”, kur besimi modern është bërë refleksiv dhe është në tërheqje për shkak se, në një “shoqëri homogjenizuese të medias, gjithçka humbet gravitetin, ndoshta edhe vetë Kristianizmi i institucionalizuar”. Habermas insistonte në idenë se, ndonëse “triniteti jo i shenjtë i Kolonializmit, Kristianizmit dhe Etnocentrizmit” është trajtuar nga kërkimi kritik, kërkimet mbi këtë subjekt nuk kanë dhënë shumë rezultat për shkak se “imazhi retorik që përçon ky trinitet—ai i tregut të lirë, i të drejtave të njeriut, i egalitarizmit, i universalizmit etj., “është pa ndonjë alternative të qartë”.

Dy botëkuptime të kundërta që bashkëjetojnë

Përderisa shkenca dhe feja vazhdojnë e do të vazhdojnë të bashkekzistojnë në shoqëri, çështja shtrohet se si mund të arrihet një bashkekzistencë paqësore mes këtyre botëkuptimeve të kundërt, prej të cilëve njëri është esencialisht natyralist, ndërsa tjetri mbinatyralist.

Një bashkekzistencë e tillë në Perëndim, në kohën tonë nuk do të ishte problematike po të mos bëhej fjalë për dëshirën evangjelike për të universalizuar besimet e gjithkujt, dëshirë e cila mund të thuhet se i ngjan një mentaliteti totalitarist. Motoja e evangjelistëve fundamentaliste është kjo: Të tjerët duhet të besojnë njëlloj si ne, ngaqë një pluralitet botëkuptimesh krijon dyshime mbi të vërtetën.

Përpjekja për të krijuar një konformitet botëkuptimor fetaro-ideologjik manifestohet shpeshherë në përpjekje për të shtypur forcërisht pikëpamjet e kundërta (si, për shembull, xhihadistët islamikë, për të cilët “qafirët”—të pabesët—nuk meritojnë veçse vdekjen), ose për të konvertuar njerëz me një botëkuptim të ndryshëm fetar në fenë e tjetrit.

Po të mos kishte forca fanatike që insistojnë në idenë dhe përpjekjen që të gjithë duhet të kemi të njëjtin botëkuptim me ta (përndryshe meritojmë “të vdesim”), nuk do të kishte arsye të shqetësoheshim për një bashkekzistencë mes botëkuptimeve të ndryshme dhe individëve, ose grupeve shoqërorë që i bartin ato.

Nëse problemi vazhdon të jetë shqetësues edhe në kohën tonë, që është koha e një zhvillimi të paparë në shkencë e në teknologji, kjo ndodh për shkak se fanatizmi fetar vazhdon të ekzistojë e të jetë i rrezikshëm për shoqërinë.

Qytetërimi modern – një qytetërim juridik, jo teologjik

Nga pikëpamja politike dhe ajo e sigurimit të harmonisë sociale, qëndrimi më i drejtë për zgjidhjen e problemit të bashkëjetesës së botëkuptimeve të ndryshme fetare dhe atyre jofetare do të ishte që politika (dhe shteti si instrument i saj), të qëndrojnë ideologjikisht neutralë, të mos përzihen në çështjet e fesë, por të mundësojnë krijimin e një sfere publike për realizimin e interesave dhe mbrojtjen civile dhe juridike të të gjithë qytetarëve të vet, duke mos mbështetur dhe duke mos u ndikuar nga asnjë kozmogoni e veçantë.

Dallimet mes botëkuptimeve të ndryshme duhet të debatohen brenda kësaj sfere publike, pa pjesëmarrjen e shtetit në të. Si individ dhe si qytetar, çdokush është, ose duhet të jetë absolutisht i lirë që të besojë si të dojë mbi formën më të lartë ekzistenciale të realitetit (natyra apo perëndia).

Në të vërtetë, liria e besimit dhe pluralizmi ideologjik janë një element qendror i pavarësisë dhe i lirisë individuale të njeriut dhe një kusht esencial për krijimin dhe mbrojtjen e demokracisë liberale. Nga ana tjetër, në çdo shoqëri demokratike, neutraliteti ideologjik i shtetit është një parim dhe një kusht esencial për sigurimin e lirisë së ndërgjegjes së gjithsecilit.

Në Shtetet e Bashkuara, kjo liri është sanksionuar në Amendamentin e Parë të Kushtetutës, i cili mbron të drejtën e çdo individi që të besojë në çfarëdolloj botëkuptimi (jo vetëm fetar) që ai dëshiron dhe që e zgjedh me vullnetin e tij të lirë.

Dyqind e pesëdhjetë vite më parë, themeluesit e demokracisë amerikane e gjykuan të domosdoshme që ta sanksiononin këtë si një prej të drejtave themelore të njeriut, si reagim ndaj sundimit kolonialist britanik dhe, më pas, ndaj impulseve hegjemoniste të legjislaturave të shteteve të veçanta të federatës amerikane, të cilat rrezikonin t’ia nënshtronin lirinë e individit dhe të drejtat e pakicës “tiranisë së shumicës”.

Një gjuhë politike racionale për realitetin material empirik të shoqërisë

Ndarja e kishës nga shteti me anë të një sfere publike ideologjikisht neutrale u bë (që nga koha e Revolucionit Amerikan dhe e Revolucionit Francez)—dhe vazhdon të mbetet—një parim esencial i çdo forme të demokracisë liberale. Me këto revolucione, qytetërimi modern u bë një qytetërim juridik, jo një qytetërim teologjik.

Në praktikë, një neutralitet i tillë do të thotë—dhe kërkon—që, në hartimin e politikave sociale (për çështje të tilla, si për shembull, aborti, të drejtat e individit ose vdekja me dinjitet), argumentet mbi bazën e të cilave merren vendime, ose votohen ligje, duhet t’i referohen kësaj bote: botës fizike, të përkohshme për secilin nga ne, të cilën e “trashëgojmë” nga paraardhësit tanë, në të cilën jetojmë, të cilën e prekim dhe e njohim përmes shqisave tona dhe e kuptojmë përmes arsyes sonë, si qenie reale të arsyeshme që jemi.

Kjo do të thotë që, cilido qoftë botëkuptimi i individëve që shoqëria i zgjedh për të hartuar e miratuar ligje, politika sociale e për të marrë vendime, të cilat ndikojnë mbi tërë shoqërinë, mbi shumicën e saj, ose qoftë edhe mbi një pakicë, ata kërkohet të veprojnë empirikisht dhe racionalisht, si qenie të kësaj bote reale, empirike, të prekshme.

Një empirizëm pragmatik i tillë është jo vetëm i natyrshëm, por edhe i domosdoshëm në realitetin politik të një shoqërie pluraliste, në të cilën, individët e zgjedhur demokratikisht për të hartuar ligjet dhe për të drejtuar punët e shtetit, duhet të preokupohen për shqetësimet e qytetarëve në realitetin material në të cilin ata jetojnë, dhe jo për atë sferë transcendentale të besimeve të tyre.

Është e kuptueshme—dhe e natyrshme—që një besim fetar të influencojë mbi normat morale të një individi ose të një grupi shoqëror. Por, kur një individ merr pjesë në një debat publik, ose zgjidhet apo emërohet në pozicione publike vendimmarrëse, ai kërkohet që t’i mbështesë gjykimet e veta në arsye dhe në fakte konkrete, në interesa që janë të përbashkëta për individët e të gjitha besimeve fetare, si dhe për ata që nuk besojnë në asnjë fe.

Në një demokraci pluraliste duhet të ekzistojë një gjuhë politike e përbashkët për të gjithë shoqërinë. Kjo gjuhë nuk mund të jetë gjuha e teologjisë dhe asnjë lloj gjuhe tjetër sektare.

Problemi me të cilin ndeshet një shoqëri e hapur është pikërisht ai që kundërshtohet nga çdo sistem totalitarist—bashkekzistenca paqësore mes botëkuptimeve të ndryshme. Empirizmi pragmatik në sferën publike i shërben pikërisht ruajtjes dhe konsolidimit të një shoqërie të hapur, në të cilën pikëpamjet dhe botëkuptimet e çdo individi, të çdo grupi shoqëror dhe të çdo komuniteti janë të garantuara nga totalitarizmi ideologjik.

Raison d’être e çdo totalitarizmi ideologjik—fashist, komunist apo religjioz—është krejt e kundërta: krijimi i një besimi, ose një ideologjie të vetme, e njëjtë për të gjithë, mbi bazën e së cilës të hartohen dhe të justifikohen të gjitha politikat sociale.

Mjetet për realizimin e këtij uniformiteti mund të variojnë nga fushatat propagandistike indoktrinuese paqësore (kjo ka qenë një taktikë e preferuar e komunistëve dhe sot është një taktikë që e përdor e djathta kristiane), te dhuna, burgosjet dhe vrasjet (metoda këto njëlloj të përdoruara si nga komunistët, dhe nga fashistët), apo bombat dhe terrori në shkallë të gjerë (metoda të preferuara të fundamentalistëve fetarë sot).

Pavarësisht mjeteve dhe metodave që përdorin, synimi final i çdo totalitarizmit ideologjik është i njëjtë: të imponojë te të gjithë anëtarët e shoqërisë një pikëpamje të vetme, për ta bërë më të lehtë sundimin mbi ta.

Një shoqëri postsekulariste

Në teorinë liberale, feja trajtohet—para së gjithash dhe kryesisht—si një rast për të argumentuar tolerancën dhe neutralitetin. Ky orientim ka të bëjë, së pari, me vlerësimin e fesë si një çështje esencialisht private dhe, së dyti, me pikëpamjen se feja është, në një farë kuptimi, një “survival” prej një epoke të kaluar dhe jo një fushë që zgjerohet brenda modernitetit.

Si reagim ndaj faktit që në shoqëritë kapitaliste demokratike feja vijon të jetë një faktor në sferën politike, teoricienët liberalë kanë qenë e janë të detyruar t’i pranojnë dhe t’i trajtojnë çështjet e identiteteve e të praktikave fetare si çështje që nuk mund të injorohen.

Mbështetur në pikëpamjet që Habermas ka formuluar dhe argumentuar në shumë prej veprave të tij gjatë më shumë se katër dekadave të fundit, më poshtë shtjelloj shkurtimisht një aspekt që ka të bëjë me marrëdhënien mes fesë dhe arsyes e të mirës publike.

Përpos termave shoqëri “postindustriale”, “postkapitaliste”, “postmoderne”, “posthistorike”, “postnacionale”, “poststrukturaliste”, “posthumane” etj., ka kohë që filozofë dhe sociologë të ndryshëm flasin edhe për një shoqëri, ose për një epokë “postsekulariste”, term ky që për herë të parë është përdorur nga Habermas në librin e tij Diskurs filozofik mbi modernitetin (1987).

Se çfarë kuptohet me “postsekularizëm” është një çështje mbi të cilën debatohet gjerësisht, kryesisht në radhët e sociologëve që studiojnë fenë dhe rolin e saj në shoqërinë e sotme. Disa autorë mendojnë se prefiksi “post” është, në këtë rast, i pasaktë. Të tjerë janë të mendimit se, ashtu sikurse koncepti “postmodern” reflekton qëndrime të ndryshme ndaj modernitetit, edhe koncepti “postsekularist” reflekton qëndrime të ndryshme ndaj fesë dhe sekularizmit.

Feja, arsyeja dhe e mira publike

Çështjes që shqyrtojmë mund t’i qasemi historikisht dhe filozofikisht duke vënë në dukje rolin që ka luajtur feja, si dhe lëvizjet e herëpashershme për rivitalizimin e saj, gjatë periudhës moderne. Habermas e kritikonte mënyrën se si feja, me pikëpamjet, pozicionin dhe praktikat e saj jo liberale, ndërhyn në politikën bashkëkohore. Por ai vinte në dukje, gjithashtu, se feja ka luajtur e mund të luajë edhe një rol të rëndësishëm në lëvizjet për paqe, për të drejta civile e njerëzore dhe për mundësi të barabarta zhvillimi.

Një rol të tillë, sipas tij, luajti Reformacioni protestant në jetën e popujve europianë dhe të popujve të tjerë, pasi ajo lëvizje e gjerë brenda fesë së krishterë kontribuoi në zhvillimin e individualizmit, një etike të re pune, autonomisë morale dhe në krijimin e një sfere publike, në të cilën qytetarët mund të diskutojnë lirisht çështje të përbashkëta, duke u bërë bazë për demokracinë moderne. Lëvizjet kundër skllavërisë në Shtetet e Bashkuara dhe ndikimi i feve të vogla protestante në një varg lëvizjesh sociale gjatë shekujve të 18-të dhe 19-të, përfshirë edhe ato që u frymëzuan nga pikëpamje demokratike, kanë luajtur gjithashtu një rol progresiv.

Habermas vinte në dukje edhe në rolin që ka luajtur spiritualizmi (jashtë ortodoksisë religjioze) dhe marrëdhëniet e tij me Romanticizmin, Socializmin utopik dhe Humanizmin, si edhe rëndësinë që kanë pasur motivet dhe praktikat organizative fetare në një varg lëvizjesh sociale gjatë shekullit të 20-të në Europë, në Shtetet e Bashkuara dhe në vende e rajone të tjera të globit. Në këtë vështrim, mund të thuhet, siç argumenton Charles Taylor, se historia e sekularizimit të shoqërisë moderne ka qenë dhe është jo vetëm historia e rënies së rolit të fesë, por edhe një histori e rritjes së angazhimeve të saj në projektet transformuese të kësaj jete tokësore.

Ajo që përbën thelbin e pikëpamjes habermasiane ka të bëjë, nga njëra anë, me mundësinë që progresi, liria dhe emancipimi të konceptohen qartë në terma thjesht sekularistë dhe, nga ana tjetër, me mundësinë që mes diskursit mbi besimin dhe arsyes publike (po kështu dhe së mirës publike) mund të bëhet—dhe të ruhet—një diferencim i qartë. Habermas theksonte me të drejtë se vetë ideja mbi lirinë dhe emancipimin shoqëror ka lindur dhe është zhvilluar historikisht edhe në kuadër të diskursit fetar në Europë, dhe se, në një masë të caktuar, ky diskurs vazhdon t’i japë përmbajtje kësaj ideje.

Është një fakt i njohur që Theodor Adorno, Max Horkheimer, Herbert Marcuse dhe mendimtarë të tjerë të traditës së Shkollës së Frankfurtit, përfshirë këtu edhe përfaqësuesin më të shquar të brezit të fundit të kësaj tradite, Habermas, e kanë pasuruar përmbajtjen e ideve të tyre filozofike—veçanërisht në periudhën e hershme të krijimtarisë së tyre—duke u mbështetur në traditën fetare, përfshirë edhe traditën hebraike, si edhe në traditën e teologjisë së krishterë dhe në idealizmin gjerman.

Edhe pse Habermas ka pasur një lidhje më shumë historike me Shkollën e Frankfurtit, bazuar në ndërdisiplinaritetin teorik të themeluesve të saj dhe jo specifikisht në zhvillimin intelektual të saj, në esenë e tij filozofike Mes natyralizmit dhe fesë (2008) ai theksonte se “mendimi postmetafizik” dhe arsyeja publike nuk duhen privuar nga resurset e një tradite (fetare), e cila nuk i ka shterur “substancën kognitive” dhe “potencialin semantik” me të cilat ajo mund t’i kontribuojë shoqërisë, përtej një komuniteti të caktuar besimtarësh.

Ky koncept habermasian merr rëndësi të veçantë në ditët tona, pasi jo vetëm që arsyeja publike fiton vlerë nëse integron edhe kontributet që mund të japë feja, por edhe sepse, për të pasur drejtësi politike, kërkohet që diskursi publik të njohë, të tolerojë dhe të lejojë përfshirjen në të edhe të asaj pjese të qytetarëve që besojnë në fe.

Në esenë e tij Feja në sferën publike (2007), Habermas argumentonte se, “Ndërsa qytetarët besimtarë mund të japin kontribute publike përmes gjuhës së tyre fetare, nëse kjo gjuhë përkthehet, qytetarët jobesimtarë duhet të hapin mendjet e tyre ndaj përmbajtjes së vërtetë të mundshme të atyre kontributeve, madje edhe të hyjnë në dialog, përmes të cilit, arsyet fetare mund të bëhen pjesë e argumenteve të aksesueshëm për të gjithë”.

Sidoroftë, edhe pse Habermas kërkonte që feja dhe argumentet e saj të bëhen pjesë e diskursit publik, ai insistonte në konceptin sekularist të shtetit. Sipas tij, ndërsa toleranca zyrtare për forma të ndryshme të praktikës fetare dhe ndarja kushtetuese e kishës prej shtetit janë pozitive e të domosdoshme, këto, në vetvete, nuk janë garanci të mjaftueshme për të siguruar lirinë fetare për këdo.

Një polifoni zërash në sferën publike

“Nuk mjafton të mbështetemi thjesht në vullnetin e mirë të një autoriteti të sekularizuar”, shkruante ai. “Vetë palët në konflikt duhet të arrijnë të merren vesh në lidhje me marrëdhënien mes një lirie pozitive, për të praktikuar cilëndo fe që dëshiron, dhe lirisë negative për të mos u ndikuar nga praktikat religjioze të të tjerëve”.

Habermas theksonte se, “Në qoftë se duam që parimi i tolerancës të qëndrojë mbi çdo dyshim për represion, atëherë duhet të gjenden arsye bindëse rreth asaj se çfarë duhet toleruar dhe çfarë jo, arsye të cilat mund t’i pranojnë njëlloj të gjitha palët”. “Zgjidhje të drejta”, sipas tij, “mund të gjenden vetëm nëse të gjitha palët mësohen të marrin në konsideratë edhe pikëpamjen e tjetrit. Dhe procedura që i përshtatet më së miri këtij qëllimi është mënyra e formimit të vullnetit demokratik përmes marrëveshjes”.

Habermas argumentonte se një “kompleks polifonik zërash publikë” është një kusht i domosdoshëm për krijimin e një sfere publike demokratike, e cila të jetë gjithëpërfshirëse, pra të mos përjashtojë askënd që beson, ose që nuk beson në ndonjë fe.

Brenda kësaj sfere publike, rëndësi esenciale merr parashtrimi dhe mbrojtja e argumenteve pasi, as arsyeja publike dhe as e mira publike nuk mund të bëjnë përpara thjesht përmes tolerancës ndaj pikëpamjeve të ndryshme, por përmes mirëkuptimit të ndërsjellë dhe formimit të vullnetit kolektiv.

  •  

A ka vdekur Partia Socialiste?

Nga Fatos Tarifa

Titulli i kësaj analize, në formën e një pyetjeje retorike dhe të një figure gjuhësore, është zgjedhur qëllimisht për të tërhequr vëmendjen e socialistëve shqiptarë dhe të publikut të gjerë mbi gjendjen dhe fatin e Partisë Socialiste. Ai ngre dyshime dhe provokon debat ose kritika mbi gjendjen aktuale të partisë më të madhe në vend dhe mbi shëndetin e demokracisë në Shqipëri. Me këtë titull unë nuk pyes nëse PS ka pushuar realisht së ekzistuari, edhe pse fjala “vdekje” nënkupton fundin e një organizmi të gjallë, siç është, ose duhet të jetë edhe një organizatë politike, por nënkuptoj se PS mund të ketë humbur energjinë, identitetin, besimin dhe shpresën e qytetarëve që e kanë mbështetur dhe e mbështetin dhe e votojnë për të.

Pas këtij sqarimi të nevojshëm, qysh në krye parashtroj një tezë polemike, ose bëj këtë pohim kritik, që nga pikëpamja stilistike dhe retorike mund të konsiderohet si një antitezë paradoksale: Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, qysh nga viti 2013, i ka fituar Partia Socialiste, jo kryetari i saj, por vendin nuk e ka drejtuar dhe nuk drejton kjo parti, por kryetari i saj.

Edhe pse PS ka qenë, është e do të mbetet edhe për një të ardhme të parashikueshme partia politike më e madhe në vend, kjo parti nuk ka zë. Në emër të saj flet një njeri i vetëm—kryetari i partisë, në këtë rol dhe, sidomos, në rolin e kryeministrit të vendit. Partia dhe shteti janë bërë një, siç kanë qenë e janë në sistemet autoritaristë.

Në një demokraci funksionale, kur flet partia, lideri dëgjon dhe vepron në përputhje me vijën, sugjerimet dhe direktivat e partisë. Në Shqipërinë e sotme flet vetëm lideri, ndërsa Partia Socialiste hesht. Një e vërtetë që nuk mund të mohohet dhe as të fshihet është kjo: një lider që i trembet mendimit kritik të anëtarëve të partisë, ose të deputetëve të partisë në parlament, i trembet vetë demokracisë dhe nuk e do e nuk punon për të.

Kryetari i PS-së e ka vënë partinë në rresht, i ka disiplinuar dhe regjimentuar anëtarët e saj duke ua mbyllur gojët. Askush në PS dhe në grupin parlamentar të saj nuk guxon të mendojë ndryshe nga kryetari-kryeministër dhe aq më pak të shprehë një pikëpamje të ndryshme nga e tij. Shumica e deputetëve socialistë janë thjesht ushtarë të kryetarit, të komanduar në çdo hap e në çdo gjë prej tij, jo socialistë me bindje, jo mendje të hapura e të lira.

Kryetari e ka shndërruar PS-në nga një organizatë politike, në një strukturë të disiplinuar vertikalisht, ku dominon bindja ndaj kryetarit dhe konformizmi, jo mendimi, fjala dhe debati i lirë. Një parti pa debat është një organizatë pa jetë politike. Dhe në një parti ku guximi për të folur mungon, ose ndëshkohet, fillon të sundojë mediokriteti. Ajo parti nuk është më dhe nuk funksionon si një komunitet politik me demokraci të brendshme. Kulti i së vërtetës dhe kolegjialiteti janë zëvendësuar nga kulti i kryetarit. Dhe më mirë se kudo kjo pasqyrohet në jetën dhe vendimmarrjen e grupit parlamentar të asaj partie. Disiplina është vërtet një normë e çdo partie politike, por kur ajo mbyt mendimin e lirë, bëhet një inkubator dhe instrument i mediokritetit politik.

Momenti kur një kryetar partie fillon të kërkojë më shumë besnikëri prej anëtarëve dhe organeve drejtuese të saj sesa ide, më shumë heshtje sesa debat, është edhe momenti kur ajo parti fillon të varfërohet shpirtërisht. Të mos harrojmë se demokracia e brendshme në parti nuk shuhet me një akt të vetëm; ajo dobësohet e venitet ngadalë—shpesh në mënyrë thuajse të padukshme—sa herë që guximi për të folur zëvendësohet nga konformizmi dhe sa herë që autoriteti i kryetarit ngrihet mbi autonominë e mendimit. Partia mund të duket e fortë por, në thelb, ajo pushon së qeni një bashkësi idesh e parimesh dhe bëhet vetëm një mekanizëm pushteti.

Nën drejtimin e kryetarit aktual të saj, PS dhe, sidomos deputetët e saj, nuk janë më një hapësirë publike e politike e mendimit të lirë, por një kazermë politike, një ushtri konformistësh nën komandën e kryetarit, ku guximi për të mbrojtur idetë dhe parimet socialiste, fjala dhe mendimi kritik sakrifikohen në emër të bindjes ndaj kryetarit.

Deputetëve socialistë kryetari i partisë u kërkon bindje, jo ide. Idetë i ka vetëm ai dhe bën si të dojë. Të tjerët kanë veshë, por jo gojë, duar e kartonë por jo mendim. Në këtë mënyrë, kryetari nuk drejton më një parti politike, por një kazermë. Në një kazermë nuk kërkohet mendim, por urdhër; nuk vlerësohet guximi për të folur, por bindja dhe heshtja.

Një parti politike jeton nga fjala e lirë, nga guximi për të kundërshtuar dhe nga mendimi kritik i anëtarëve të saj. Partitë politike krijohen si bashkësi njerëzish që ndajnë ide, bindje dhe aspirata të përbashkëta, por edhe si hapësira ku këto ide testohen përmes debatit dhe mendimit racional kritik.

Forca e një partie politike nuk qëndron thjesht te programi i saj apo te kryetari, por te liria e brendshme që ajo parti u jep anëtarëve të saj për të menduar, për të kundërshtuar dhe për të kontribuar në formësimin e drejtimit politik të saj. Qysh më 1861, John Stuart Mill, në veprën e tij klasike Konsiderata mbi qeverinë përfaqësuese, argumentonte se cilësia e çdo qeverisjeje dhe e çdo organizate politike vlerësohet nga hapësira që ajo krijon për debat të lirë dhe kritikë të brendshme dhe se pa këtë liri, çdo organizatë rrezikon të bjerë në stanjacion dhe autoritarizëm. Të njëjtën pikëpamje mbronte edhe Walter Bagehot në veprën e tij Kushtetuta angleze (1867), kur shkruante se “liria për të folur, për të kritikuar dhe për të ndikuar në vendimmarrje brenda partisë është një mikrokozmos i lirisë në vetë shtetin”.

Partitë lindin, rriten e zhvillohen nga liria dhe pluralizmi i mendimit; ato varfërohen e vdesin nga uniformiteti i tij. Një parti e fortë nuk është ajo në të cilën të gjithë mendojnë njësoj, por ajo ku askush në parti (dhe as në grupin e deputetëve që e përfaqësojnë atë në parlament) nuk ka frikë të mendojë ndryshe. Uniteti i vërtetë lind dhe ushqehet nga bindja; uniteti i imponuar lind dhe ushqehet nga frika.

Kur liria për të menduar, guximi për t’u shprehur lirisht, dhe e drejta për të kundërshtuar zëvendësohen nga frika, konformizmi dhe disiplinimi vertikal, partia e humbet shpirtin e saj demokratik dhe pushon së qeni një organizatë demokratike. Ajo shndërrohet në një strukturë të centralizuar rreth vullnetit të një njeriu të vetëm. Ky quhet centralizëm autoritarist, ose partitokraci e mbyllur dhe vetë qeveria shndërrohet, siç edhe ka ndodhur realisht te ne, në një aparat personal pushteti.

Kjo dukuri përfaqëson pikërisht atë që, në sociologjinë e organizatave politike, Robert Michels e përshkruan si prirjen e partive politike për t’u transformuar nga institucione përfaqësuese, në aparate të kontrolluara nga një elitë e ngushtë drejtuese, ose nga një lider i vetëm.

Në një parti të tillë nuk kultivohet debati, por heshtja dhe bindja; nuk vlerësohet autonomia e mendimit dhe racionaliteti, por besnikëria ndaj kryetarit. Dhe një kryetar partie, i cili kërkon bindje absolute nga anëtarët e saj, nga organet drejtuese dhe përfaqësuesit e saj në parlament, nuk ndërton dhe nuk drejton një parti politike dhe një qeveri demokratike, por një oborr të vetin, ku mund të sundojë siç do ai vetë, jo siç do të donte masa e gjerë e partisë dhe siç do të ishte në të mirë të interesit publik.

***

Pikëpamja që unë mbroj dhe shpreh këtu se pa demokraci në parti nuk ka demokraci në qeverisje, mund të jetë normativisht shumë e fortë, por rasti i Shqipërisë ka provuar e provon se ajo është e vërtetë në praktikë. Janë partitë ato që formojnë elitën politike të vendit dhe është demokracia në parti ajo që kultivon kulturën demokratike të qeverisjes. Ata që vihen në krye të qeverisë, si rregull, qeverisin siç kanë mësuar të drejtojnë partinë. Giovanni Sartori, një ndër teoricienët më të shquar të demokracisë, i konsideronte partitë si “instrumentet kryesore të demokracisë”, pasi, theksonte ai, “nëse partitë nuk janë demokratike brenda vetes, i gjithë procesi demokratik komprometohet ngaqë udhëheqja që ato prodhojnë është ajo që qeveris vendin”.

Sa vura në dukje më sipër më sjellin në idenë e “liderit absolut”. Dukuria nuk është e panjohur dhe as vetëm shqiptare. Shumë kryetarë partisë, pasi bëhet kryeministre, kontrollojnë gjithçka: listat e kandidatëve, karrierën politike, vendimet strategjike.

Në Shqipëri, sot është bëtë normë që kryetari i partisë më të madhe, në postin e kryeministrit, kontrollon dhe vendos për gjithçka: çfarë do privatizohet, çfarë do prishet, çfarë do ndërtohen (rrugë, ura, tunele, konvikte studentësh, porte e aeroporte), ku, si, kur dhe nga kush; çfarë ligjesh do ndryshohen, si do të ndryshohen dhe në dobi të kujt; si duhet të jenë shkollat dhe universitetet, si duhet të kualifikohem mësuesit e pedagogët, ç’ditë të vitit duhen shpallur festa zyrtare etj., etj. Te ne, të gjitha këto i di dhe i vendos një njeri i vetëm, kryeministri, edhe pse nuk mbahet mend se kur ka qenë hera e fundit që Partia Socialiste e ka zgjedhuar atë kryetar të saj. Në këta 13 vite, kryeministri që kemi ka bërë çfarë ka dashur dhe si ka dashur ai vetë.

***

Alibia e kryeministrit dhe e bashkëpunëtorëve të tij të afërt servilë se PS ka fituar në katër zgjedhjet e fundit parlamentare dhe, për këtë arsye, kryeministri duhet të mbetet në krye të partisë pa qenë nevoja të rizgjidhet në atë post, nuk është një alibi demokratike.

Në sistemet parlamentarë, mandati nuk i jepet një individi të vetëm, por partisë. Kryeministri është thjesht figura që përfaqëson partinë fituese në zgjedhje të përgjithshme dhe në qeverisjen e vendit pas tyre. Fitorja e një partie politike në zgjedhje nuk mund të përdoret si një alibi për legjitimitet personal, si një fitore individuale e kryetarit të partisë për të justifikuar qëndrimin e vet në pushtet pa asnjë kufizim në kohë. Kjo lloj alibie quhet “retorikë e personalizimit të mandatit”, pasi qëndrimi në pushtet vishet me aureolën e legjitimitetit institucional kur, në fakt, legjitimiteti i fitores në zgjedhje i përket partisë.

Një logjikë e tillë i shërben personalizimit të partisë e të pushtetit, jo institucionalizimit të jetës politike në parti dhe të pushtetit. Dhe në një parlament në të cilin pushteti i kryetarit të partisë personalizohet në figurën e tij si kryeministër, një pjesë e madhe e deputetëve të asaj partie bëhen besnikë ndaj kryetarit, jo ndaj qytetarëve që i kanë votuar. Rrjedhimisht, siç shohim të ndodhë për ditë në Shqipëri, parlamenti dobësohet, ndërsa qeveria bëhet thuajse e pakontrollueshme. Kjo dukuri ndeshet edhe në disa prej demokracive të reja në Europës Lindore por, njëlloj si në periudhën e socializmit shtetëror, edhe në këtë periudhë post-socialiste, Shqipëria “ha bukë veç”, si një rast ekstrem.

Nga një parti, në të cilën mendimi i lirë nuk çmohet e nuk inkurajohet dhe në të cilën kryetari është gjithçka, anëtarët më të mirë largohen, ndërsa mbeten ata që besnikërinë ndaj partisë shndërrojnë në servilizëm ndaj kryetarit të saj. Kryetari mund të mburret se ka një parti “të bashkuar” kur, në të vërtetë, partia është tashmë një organizatë e varfëruar nga mendimi dhe e nënshtruar nga frika.

Si mundet deputetët e saj të përfaqësojnë qytetarët që i kanë votuar kur ata nuk përfaqësojnë dot veten e tyre? Si mundet që ata të flasin në emër të qytetarëve  e të mbrojnë vullnetin dhe interesat e tyre, kur nuk janë të lirë të shprehin e të mbrojnë mendimet e veta? Uniteti i imponuar nga frika nuk është unitet, por heshtje kolektive. Historia politike dëshmon se, shpesh herë, uniteti i imponuar nga lart nuk është shenjë force e vitaliteti, por shenjë e një demokracie të brendshme në agoni, ose ta jetë.

Kur heshtja në parti dhe në radhët e deputetëve të saj në parlament zëvendëson debatin e lirë, guximi për të kundërshtuar kryetarin e partisë perceptohet si devijim nga linja e saj. Edhe pse, siç vura në dukje më sipër, partia mund të duket e bashkuar e në unitet, shpesh kjo është vetëm pamja e jashtme saj. Në të vërtetë, ajo rrezikon të humbasë vitalitetin intelektual dhe moral që e bën dhe e mban një organizatë politike të gjallë.

***

Partitë që përfundojnë në këtë gjendje nuk janë të afta të ndërtojnë një elitë politike të kualifikuar, të lirë e kritike, por një trupë të heshtur ndjekësish besnikë e të trembur, pa mendim, pa guxim, pa vizion, si kjo elite “socialiste” në parlament dhe në qeveri që sot drejton vendin.

Ata nuk janë më bashkëkrijues të politikës së partisë, por thjesht zbatues të vullnetit të një njeriu të vetëm, kryetarit. Një realitet i tillë ka varfëruar jo vetëm jetën e brendshme organizative, intelektuale e morale të partisë, por edhe vetë kulturën demokratike të shoqërisë.

Nuk duhet harruar se demokracia nuk mësohet vetëm në shkolla, si një teori politike mbi shoqërinë dhe shtetin, por edhe brenda partisë. Studiuesit e politikës i konsiderojnë partitë si “shkolla të demokracisë”. Robert Dahl, një tjetër teoricien i demokracisë ndër më të shquarit, në veprën e tij Poliarkia (1971), argumenton se “demokracia nënkupton një kulturë politike, në të cilën qytetarët trajnohen të marrin pjesë, të diskutojnë e të tolerojnë opozitën. Shkolla të kësaj kulture janë partitë politike”.

Nëse një parti lejon debat të hapur, zgjedhje realisht të lira brenda saj dhe respekton mendimin ndryshe, atëherë anëtarët dhe drejtuesit e saj marrin një kulturë demokratike dhe sillen në mënyrë demokratike. Kjo kulturë demokratike më pas sendërtohet dhe pasqyrohet në mënyrën e qeverisjes. Në të kundërt, një parti e organizuar dhe e drejtuar në mënyrë autoritariste prodhon drejtues që qeverisin në të njëjtën mënyrë.

Nëse vendimet në parti dhe, në emër të saj, nga mazhoranca parlamentare, merren nga një njeri i vetëm, nga kryetari-kryeministër, në mungesë të debatit të lirë, dhe nëse në zgjedhjet për strukturat drejtuese të partisë dhe në ato për organet përfaqësuese qendrore e lokale nuk ka konkurrencë të brendshme, atëherë elita që prodhon “partia” nuk krijohet në mënyrë demokratike dhe, ipso facto, qeverisja në emër të kësaj partie është jo tolerante ndaj kritikave dhe as e shtrënguar të mbajë përgjegjësi.

Siç me të drejtë vinte në dukje Samuel Huntington, “një parti që shtyp mendimin ndryshe brenda radhëve të saj, ka pak gjasa që ta tolerojë atë në qeverisje. Praktikat e mësuara në jetën e brendshme të partive kushtëzojnë dhe orientojnë sjelljen politike në qeverisje”.

Para tij, Maurice Duverger, në veprën e tij tashmë klasike, Partitë politike, argumentonte se, “demokracia e brendshme në parti nuk është një luks, por një parakusht për legjitimitetin e partisë në sytë e elektoratit dhe për funksionimin e demokracisë në shoqëri”.

Të njëjtën ide ka argumentuar sociologu i shquar amerikan Semour Martin Lipset, në veprën e tij Njeriu politik, në të cilën pohon se, “pa demokraci brenda partisë, përvoja e vendimmarrjes demokratike mbetet e kufizuar dhe demokracia në qeverisje vihet në rrezik”.

Në çdo demokraci përfaqësuese, partitë janë porta kryesore për të hyrë në jetën e organizuar politike të vendit, për t’u zgjedhur apo emëruar në organe dhe institucione drejtuese dhe për të marrë funksione politike e përgjegjësi. Kandidatët për deputetë në parlament, ata për një portofol në qeveri apo për poste në institucionet vendore kalojnë pothuajse gjithmonë përmes partive.

Kjo nuk ndodh në Shqipëri. Te ne, jo vetëm anëtarët e kabinetit qeveritar janë zgjedhja personale e kryeministrit (jo e partisë)—shumë herë emërime surprizë dhe në minutën e fundit për kryesinë e partisë, për publikun e gjerë, por edhe për vetë ata burra e gra, të cilëve kryeministri u ofron një portofol në kabinetin e tij—por edhe anëtarët e parlamentit dhe kryetarët e bashkive që përfaqësojnë atë parti, pa asnjë lloj konkurrence idesh e aftësish dhe pa garë në parti. Shumë prej tyre, madje, nuk i lidh asgjë me Partinë Socialiste.

***

Në mbyllje, dëshiroj të sqaroj se, gjithçka që kam parashtruar në këtë analizë, motivohet nga kujtimi i prindërve të mi, të cilën e deshën Partinë Socialiste qysh nga krijimi i saj dhe votuan për të deri në frymën e tyre fundit. Por motivohet edhe nga simpatitë e mia politike për këtë parti dhe nga respekti që kam për një numër të vogël deputetësh socialistë në Kuvendin e Shqipërisë, të cilët kanë pasur dhe kanë kurajën të mendojnë e të flasin ndryshe nga kryetari i saj.

  •  

Raporti nga Ferri i Luftës

 

  (Si lufta e Izraelit dhe SHBA-së kundër Iranit po gjynjëzon sot ekonominë botërore)

Nga Eljanos Kasaj*

Që prej fillimit të operacioneve ushtarake izraelito-amerikane kundër Republikës Islamike të Iranit më 28 shkurt 2026, të inicuara prej qeverisë ultranacionaliste të Kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu, situata në Lindjen e Mesme duket gjithmonë e më shumë në prag të një eskalimi total, i cili duket se ka për të pasur pasoja katastrofale për ekonominë globale, sot të drobitur prej katër viteve të konfliktit të aramtosur ruso-ukrainas, sanksioneve unilaterale të Brukselit kundër Moskës dhe “luftës tarifore”midis Shteteve të Bashkuara dhe shteteve mardhëniet me të cilat Uashingtoni sot i ka quajtur si historikisht asimetrike (ironikisht shumica e të cilave janë aleatë historikë të SHBA-së), duke sjellë atë që shumë ekspertë e kanë qujatur si një fazë të re “satnjacioni ekonomik global” dhe ndoshta një “krizë të re financiare”, e cila ka për të impaktuar ekonomitë e shumë vendeve kyçe në tregun ndërkombëtar dhe ngadalësuar ndejshëm rritjen e ekonomisë globale.

Kostot ekonomike dhe ushtarake të SHBA-së dhe vendeve të rajonit

Gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike të Lajmeve Ruse (TASS), eksperti tajlandez në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe lektor në Institutin e Studimeve të Paqes të Universitetit Princ të Songkla-s, Rustam Wansu, ka thënë se nëse konflikti i armatosur do të vijoj të zgjatet, kostoja e tij mund të bëhet “jashtëzakonisht e lartë” për Uashingtonin dhe aleatët e tij.

Ndërsa siç ka raportuar dhe Financial Times, duke cituar kreun e kërkimit global në Barclays, Ajay Rajadhyaksha, “një konflikt i zgjatur i armatosur me Iranin mund të ngadalësojë rritjen ekonomike të SHBA-së”, ku “çdo rritje prej 10 dollarësh në çmimin e naftës së papërpunuar Brent mund të ulë rritjen e PBB-së së SHBA-së me 0.1-0.2 pikë përqindjeje gjatë 12 muajve në vijim”.

Por, përveç këtyre dëmeve ekonomike, kostot e pajisjeve ushtarake të përdoruar prej ushtrisë amerikane gjatë operacioneve ushtarake kundër Republikës Islamike të Iranit, duket të jenë një tjetër goditje për buxhetin dhe ekonominë amerikane.

Bazuar në analizën e Agjencisë Turke të Lajmeve Anadolu, gjatë 24 orëve të para të operacioneve ushtarako amerikano-izraelite në Lindjen e Mesme, forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara shpenzuan rreth 779 milionë dollarë(!), të cilat përllogaritet të përbëjnë afërsisht 0.1% të buxhetit të përgjithshëm ushtarak amerikan për vitin 2026.

Ndërsa, siç ka raportuar media amerikane CNN, gjatë 48 orëve të fundit, forcat ushtarake iraniane kanë kryer sulme precize dhe të mirë-kordinuara, ku janë përdorur raketa balistike, hipersonike ose me fluturim të ulët (të tilla si Fateh-110, Qiam-1, Zolfaghar, Soumar, Paveh dhe Hoveyzeh), si dhe me dronë kamikaz (Shahed), të cilat kanë targetuar rreth nëntë baza ushtarake amerikane : katër objekte ushtarake në Kuvajt (Baza Ajrore Amerikane Ali al-Salem), dy në Emiratet e Bashkuara Arabe (Bazat Ajrore Amerikane Al Dhafara dhe Al Minhad)  dhe nga një në Irak (Baza Ajrore Amerikane Al-Asad dhe objektet ushtarake në Aeroportin e Erbil), Bahrain (Zyrat Qëndrore të Komandës së Flotës së Pestë Amerikane) dhe Katar (Baza Ajrore Amerikane Al Udeid).

Ndërkaq Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar zyrtarisht humbjen e tre avionëve luftarakë F-15E Strike Eagle, të cilët u qëlluan aksidentalisht nga Mbrojtja Ajrore e Kuvajtit, teksa ishin nisur për të asistuar në operacionet ushtarake izraelito-amerikane kundër Teheranit.

Sipas Agjencisë Telegrafike të Lajmeve Ruse (TASS), bazuar në analizën e Agjencisë së Lajmeve Turke Anadolu dhe në imazhet satelitore, është përllogaritur se dëmet materiale të shkaktuara ushtrisë amerikane janë rreth 1.902 miliard dollarë, ndërsa 6 ushtarë amerikanë kanë humbur jetën në operacionet ushtarke dhe 18 ushtarë janë plagosur rëndë.

Objektiva të sulmeve uraniane kanë qenë edhe dy baza ushtarake evropiane: Cde la Paix (Abu Dhabi), një bazë ajrore detare franceze pranë Portit Zayed u godit nga dronë iranian Shahed, gjithashtu dhe RAF Akrotiri, një nga dy Zonat e Bazave Sovrane të Mbretërisë së Bashkuar në ishullin e Qipros u sulmua nga doronë Shahed.

Sulmet e forcave ushtarake iraniane kanë targetuar gjithashtu edhe objektiva ushtarak, infrastrukturor dhe ekonomik në shtetet arabe aleate të Shteteve të Bashkuara në Gadishullin Arabik: Sulltanatin e Omanit, Emiratet e Bashkuara Arabe, Mbreterinë e Arabisë Saudite, Shtetin e Kuvajtit, Mbretërinë e Bahrain dhe Shtetin e Katarit.

Pesë aeroporte arabe raportuan dëme të konsuderushme infrastrukturore prej sulmeve raketore dhe atyre me dron të ushtrisë iraniane, duke përfshirë Aeroportin Ndërkombëtar Zayed (Abu Dhabi), Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait, Aeroportin Ndërkombëtar të Kuvajtit (konkretisht Terminalin 2) dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Bahrainit.

Ndërkohë që zjarre u raportuan në Zonën e Industrisë së Naftës Fujairah në Emiratet e Bashkuara Arabe pas sulmeve me dronë dhe në Rafinerinë e Naftës Al-Ahmadi në Kuvajt, ndërsa në Katar prodhimi dhe eksportet e Gazit Natyror të Lëngshëm (LNG) u ndalën pas sulmeve me dronë që goditën impiantet në Mesaieed dhe Ras Laffan. Sulme me dronë pati edhe në një rezervuar karburanti në portin tregtar Duqm të Omanit, duke shkaktuar dëme materiale dhe infrastrukturore.

Sulme ka pasur gjithashtu në qerndra banimi dhe objekte akomoduese (hotele, resorte), si në rastin e  Central Erbil Hotel ( Irak), Crowne Plaza Manama (Bahrain), Jumeirah Burj Al Arab dhe Fairmont The Palm (Dubai), ku shpërthime u raportuan edhe në disa grataçiela banimi dhe qebdra financiare.

Impakti në ekonominë globale

Më 4 mars 2026, Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të Republikës Islamike të Iranit e shpallën Ngushticën e Hormuzit të mbyllur për të gjithë trafikun detar pas sulmeve ushtarake të kryera nga SHBA-të dhe Izraeli, duke bllokuar kështu një nga arteriet më të rëndësishme të transportit detar, e cila përbën afërsisht 20% të furnizimeve globale me naftë dhe vëllime të konsiderueshme të gazit natyror të lëngshëm (LNG).

Brenda 24 orëve pas mbylljes së Ngushticës, çmimet e naftës bruto Brent u rritën afërsisht me 10-13% në ditët e para të konfliktit, duke u rritur nga afërsisht 70 dollarë në mbi 80 dollarë për fuçi. Ndërsa disa analistë kanë paralajmëruar se një konflikt i zgjatur mund t’i shtyjë çmimet përtej 100 dollarëve ose edhe 120 dollarëve për fuçi (duke shtuar potencialisht 0.8% në inflacionin global).

Ndërsa pas sulmeve ndaj objekteve industriale dhe rafinerive të naftës në Katar, Kuvajt dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, çmimet standarde evropiane të gazit natyror u rritën me 40%, ndërsa ato të naftës gjithashtu u rritën ndjeshëm (sidomos në Gjermani me 20% dhe Britaninë e Madhe me 10-15%), duke detyruar disa qeveri që të ndërhynin për të stabilizuar tregun dhe për të mbrojtur qytetarët dhe industritë vendase prej këtij destabilizmi të papritur të tregut global të lëndëve hidrokarbure.

Në të njëjtën kohë shtetet aziatike, të cilët kanë qenë historikisht edhe blerëit dhe konsumatorët më të mëdhenj të gazit dhe produkteve të naftës të prodhuar prej shteteve të Gadishullit Arabik, janë impaktuar jashtëzakonisht që prej fillimit të konfliktit të aramatosur në Lindjen e Mesme, ku sipas analizës së publikuar nga media hongkongase South China Morning Post, çdo rritje e qëndrueshme prej 10 dollarësh për fuçi në çmimet e naftës do ta ulte rritjen e PBB-së së Azisë “drejtpërdrejt” me 20 deri në 30 pikë bazë, ose 0.2 deri në 0.3 pikë përqindjeje.

Aktualisht Bankat Qëndrore në Korenë e Jugut dhe Indi pritet të mbajnë normat e interesit të qëndrueshme për një kohë më të gjatë për të luftuar inflacionin në rritje të nxitur nga çmimet e energjisë, ndonëse Rupia indiane ka rënë me 0.9% në një nivel rekord të ulët kundrejt dollarit amerikan dhe won-i koreanojugor ka rënë poshtë 1500 për dollarë amerikanë për herë të parë që nga kriza financiare e vitit 2009, ndërsa analistët vlerësojnë se inflacioni rajonal mund të rritet me 0.7 deri në 0.8 pikë përqindjeje, ku Tajlanda, Filipinet dhe Singapori shënohen si më të prekshmet për shkak të peshës së konsiderushme të importeve të energjisë (gazit dhe lëndëve hidrokarbure) në ekonomitë e tyre.

Republika Popullore e Kinës dhe Japonia paraqesin dy situata krejtësisht të kundërta, ndonëse për të dyja importet e energjisë prej Lindjes së Mesme përbëjnë një pëqindje të rëndësishme të ekonomine të tyre (95-96% për Japoninë dhe 44-50% për Kinën), bllokada e Ngishticës së Hormuzit e ka goditur rëndë ekonominë e Japonisë ishullore, ku mardhëniet e acaruara të Tokios me fqinjët e saj rajonal (Pekinin, Moskën dhe Phenianin), duket e kanë izoluar Japnoninë prej rrugëve alternative të mbrojtur ekonominë dhe konsumatorët japonez prej rritjes së çmimeve ose inflacionit-ndërkaq, parashikimet për ekonominë kineze duken më shpresdhënëse, ku falë mardhënieve të ngushta me Moskën, Pekini mund të mundohet që të balancojë importet e humbura prej Republikës Islamike të Iranit dhe mbretërive të Gadishullit Arabik, me importet e energjisë ruse (i cili sot aktualisht është i vetëmi furnizues i mundshëm për ekonominë gjigande kineze) dhe me ato të vendeve të Azisë Centrale (Kazahstanit, Uzbekistanit ose Turkmenistanit).

Reagimi ndërkombëtar mbi situatën në Lindjen e Mesme

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, e ka dënuar zyrtarisht operacionin ushtarak amerikan kundër Republikës Islamike të Iranit, duke e quajtur atë një “shkelje të së drejtës ndërkombëtare” dhe një “ndërhyrje ushtarake të pajustifikuar dhe të rrezikshme”. Ndërkohë, pas refuzimit të Madridit për të lejuar Shtetet e Bashkuara të përdorin bazat ushtarake të operuara bashkërisht në Rota dhe Morón për çdo operacion që lidhet me sulmet ndaj Teheranit, afërsisht 15 avionë amerikanë, duke përfshirë anije cisterna për furnizim me karburant nga ajri, u nisën nga bazat spanjolle për në vende të tjera të NATO-s, kryesisht në Bazën Ajrore Ramstein në Gjermani.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i ka denoncuar operacionet ushtarake amerikano-izraelite si një “shkelje të qartë” të së drejtës ndërkombëtare dhe sovranitetit të shtetit iranian-në të njëjtën kohë, ashtu si Madridi, Ankaraja ka refuzuar përdorimin e hapësirës së saj ajrore ose të Bazës Ajrore Incirlik për operacione sulmuese kundër Republikës Islamike të Iranit.

Presidenti bjellorus Aliaksandr Lukashenka, gjatë një takimi me ambasadorin iranian në Minsk Alireza Sanei, i ka dënuar ashpër operacionet ushtarake kundër Teheranit, duke i quajtur shprehimisht një “sulm të pabesë” të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe gjithashtu ka theksuar se vdekjet e “civilëve të pafajshëm, veçanërisht fëmijëve” gjatë sulmeve ishin “absolutisht të papranueshme”.

Sulltanati i Omanit, një ndërmjetësues i hershëm midis Uashingtonit dhe Teheranit, ka lëshuar një dënim të fortë të veprimit ushtarak, duke e etiketuar atë si një akt të paligjshëm agresioni dhe një shkelje të Kartës së OKB-së, e cila ka dëmtuar jashtëzakonisht bisedimet e vazhdueshme të paqes në Gjenevë dhe e ka rritur rrezikun e një konflikti më të gjerë rajonal.

Qeveria kineze ka kritikuar ashpër bombardimet amerikane kundër Teheranit dhe i ka quajtur ato “të papranueshme” dhe një “shkelje flagrante” të Kartës së OKB-së dhe sovranitetit të Republikës Islamike të Iranit, në të njëjtën kohë Pekini ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të operacioneve ushtarake për të parandaluar një skenar të “ligjit të xhunglës” dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm rajonal.

Moska e ka dënuar ashpër bombardimet brutale izraelito-amerikane kundër Teheranit dhe popullsisë civile iraniane, duke i quajtur si një shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së OKB-së, njëkohësisht diplomacia ruse ka tërhequr vëmendjen se sulmet kundër Republikës Islamike të Iranit ndodhën kur palët amerikane dhe iraniane kishin pasur rezultate fort produktive gjatë bisedimeve në Gjenevë, një paralelizëm ky i rezultateve të Protokolleve të Minskut të cilat sollën edhe një skenar të ngjashëm me atë aktual iranian në kuadër të konfliktit të armatosur ruso-ukrainas (premtimet fallse – në të njëjtën kohë, Kremlini i ka kritikuar atë që e ka quajtur si një provokim prej Parisit dhe Londrës, të cilat kërkojnë që të përdorin gjendjen kaotike gjeo-politike për të zgjeruar arsenalin e tyre bërthamor, duke ndezur kështu “një garë të rrezikshme të armëve atomike”.

*Fakulteti i Shkencave Politike. Universiteti i Wroclaw (Uniwersytet Wrocławski), Poloni

 

 

 

 

  •  

Sulltanët osmanë, vinë sëbashku në shqip

Skeda e librit: PERANDORIA OSMANE, (1299 – 1922)

Autor: Prof. Dr. Ahmet Simsirgil (Ahmet Shimshirgil)

Përgatiti për botim: Mehdi Gurra

Përktheu nga anglishtja: Lorena Zhuli

-Botim i Fondacionit ALSAR-

Tiranë, 2025

 

 

Nga Kujtim Nuro*

Nuk është e lehtë të përgatitësh një libër të tillë, sepse në brendësi të librit, autori nuk ka paraqitur thjesht dhe vetëm jetën e sulltanëve, por, duke na dhënë në mënyrë të hollësishme jetën dhe veprimtarinë e 36 sulltanëve, ai na ka dhënë në mënyrë të plotë edhe historinë e gjithë Perandorisë Osmane. Historiani i mirënjohur ka ditur të analizojë të gjitha ngjarjet dhe sulltanët e kësaj periudhe të gjatë kohore duke përdorur metodën e krahasimit dhe të përgjithësimit të fakteve që nga fillimi i librit dhe deri në përfundim të tij. Dhe këtë mund ta bëjë vetëm një historian i përgatitur dhe i përkushtuar, siç është Prof. Dr. Ahmet Simsirgil. Për rrjedhojë, studiuesi dhe lexuesi do të kuptojnë dhe mësojnë lindjen, zgjerimin, disfatat dhe fitoret e kësaj Perandorie deri në rënien e saj, kur më 29 Tetor 1923, parlamenti turk nën drejtimin e Mustafa Ataturk shpalli krijimin e Republikës Turke. Njëkohësisht, libri do të shërbejë si një ndër burimet kryesore për studiuesit e historisë, afërsisht 630-vjeçare të kësaj Perandorie, si dhe një model i shkrimit akademik nga specialistët e rinj. Duke lexuar librin, lexuesi do të kuptojë se kjo perandori është perandoria më e madhe turke, e cila ka pasur një ekzistencë kohore në epokën e mesjetës, të rilindjes dhe të modernitetit. Kjo perandori ka arritur të shtrihet në tre kontinentet dhe të ketë një madhështi dhe lavdi që shoqëria njerëzore nuk e kishte njohur më parë. Bazën e krijimit, Perandoria Osmane e ka në dy fshatra të Anadollit, por për një periudhë pesëdhjetë vjeçare ajo filloi të shndërrohej në një shtet të Rumelisë dhe brenda 100 vjetëve, kufijtë e saj arritën deri në brigjet e Adriatikut.

Në këtë studim, autori thekson se ky shtet gjatë mbretërimit të 36 sulltanëve të kësaj Perandorie filloi me 400 çadra, me Osman Gaziun dhe me 3.000 km2, u zgjerua deri në rënien e saj në 2.2 milion km2 . Kjo perandori përfshinte brenda saj 72 popuj së bashku. Dhe një nga veçoritë ë bashkëjetesës së saj është toleranca që ajo ndoqi ndërmjet tre besimeve të ndryshme dhe institucioneve të tyre fetare. Dëshmi tjetër është toleranca që ajo mbajti ndaj hebrenjve, të cilët i mirëpriti kur erdhën në këtë Perandori nga Spanja dhe Portugalia. Gjithashtu, faktorë të tjerë të ekzistencës së saj për një periudhë kaq të gjatë kohore është krijimi i një ushtrie të madhe në numër dhe i një administrate qendrore dhe lokale të qëndrueshme, duke kryer vazhdimisht reforma për përmirësimin e saj. Porta e Lartë krijoi një sekretari të përkryer, e cila ishte pjesë e rëndësishme e burokracisë së një shteti. Rrjedhojë e sekretarisë së përkryer janë dokumentet e ruajtura deri në ditët e sotme, që ajo krijoi gjatë veprimtarisë së institucioneve të asaj periudhe. Ishin vetë personalisht sulltanët që tregonin vëmendje dhe kujdes për krijimin dhe ruajtjen e dokumenteve në vende të sigurta, jashtë lagështirës dhe fatkeqësive natyrore. Dëshmi janë dokumentet Osmane, që ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror, Tiranë dhe ato që ruhen në Arkivin Osman të Stambollit. Kjo administratë vepronte në bazë të ligjeve, që u krijuan nga juristë dhe mendimtarë të aftë. Në këtë administratë përveç nëpunësve të besimit mysliman, kishte edhe nëpunës të besimeve të tjera. Edhe kur nga Shkodra i shkruan Sulltan Abdyl Hamitit se në sekretarinë e vilajetit të Shkodrës ka edhe nëpunës të besimit katolik, të cilët duhet të largohen nga detyra, ai iu është përgjigjur: Pavarësisht besimit, duke qenë se ata kanë eksperiencë dhe janë të aftë në punën e tyre, të vazhdojnë detyrën që iu është ngarkuar. E njëjta gjë ndodhi edhe me Sami Frashërin, kur në Parlamentin Osman, një deputet u ngrit dhe i kërkoi sulltanit të lartpërmendur që meqënëse Abdyl Frashëri ishte burgosur për shkak të qëndrimit të tij kundër Perandorisë Osmane, vëllai, Samiu, duhej të largohej nga Stambolli dhe të internohej në një nga vendet e largëta të kësaj Perandorie. Sulltan Hamiti heshti dhe Sami Frashëri vazhdoi detyrën e tij si kryesekretar i komisionit ushtarak i Portës së Lartë. Nëpunësit, që punonin në këto zyra zgjidheshin me konkurs, ashtu siç zgjidheshin edhe nëpunësit e kazave, sanxhaqeve dhe vilajeteve, të cilët përveç se duhet të ishin të aftë, duhet të dinin gjuhën e vendit ku shërbenin, traditat dhe zakonet e krahinës. Eshtë për tu theksuar se kur individë apo grupe të ndryshme të popullsisë i drejtonin ankesa sulltanit për ndonjë nëpunës që kishte shkelur rregullat dhe nuk kishte vepruar sipas ligjit, ai gjithmonë u jepte të drejtë këtyre dhe kërkonte që të merreshin masa ndëshkimorë ndaj nëpunësve, që kishin shkaktuar këto shqetësime. Karakteristikë tjetër e shumicës së sulltanëve të Perandorisë Osmane ishte se ata përpara se të ndërmerrnin fushata, të shpallnin vendime apo të hartonin ligje dhe t’i zbatonin ato, një deri dy ditë në javë i shpenzonin në mbledhjet me dijetarë të fushave të ndryshme, veçanërisht të jurisprudencës. Sulltan Murat Hani I II-të, përpara se të ndërronte jetë, i la porosinë djalit të tij: “Biri im, një sulltan është si një person, që mban një peshore. Kur të bëhesh sulltan, dëshiroj që ti ta mbash atë peshorë me drejtësi. Atëherë Perëndia do të lutet për më të mirën për ty”. Sulltanët nuk ndërhynin në vendimet e kadinjve, gjykatësve më të lartë të rangut islam. Porta e Lartë u bë shtëpia e dijetarëve dhe ulemavë të fesë islame. Prof. Ahmet Simsirgil në ketë studim të gjerë, nuk ka dhënë thjesht biografinë e sulltanëve që kanë drejtuar ketë perandori, por ai ka dhënë edhe fitoret dhe disfatat e tyre gjatë betejave ushtarake, aftësitë dhe mangësitë që ata kishin në drejtimin, organizimin dhe zgjerimin e Perandorisë, në zhvillimin urban të vendit, të ngritjes se institucioneve arsimore, fetare, sociale, etj. Ai jep të dhëna se si u krijua kjo fuqi madhështore, se ata ishin turq, mongolë apo arabë, duke arritur ne përfundimin se në bazë të dokumenteve arkivore, ata ishin vetëm me origjinë turke. Të gjithë sulltanët ndoqën si udhërrëfyes të jetës dhe veprimtarisë së tyre fjalët e fundit para vdekjes të sulltanit të parë, Osman Gaziut: “Qëllimi ynë nuk është një dominim i thjeshtë botëror, por përhapja e së vërtetës islame”. Këto parime ata i futën në çdo vend që pushtuan dhe administruan. Kurse Sulltan Orhan Gaziu, i cili ka ndërruar jetë në vitin1362 shpalli dekretin: “Drejtësia me e keqe është ajo që vjen me vonesë. Edhe pse vendimi është i drejtë, është torturë kur ajo vjen me vonesë.” Por, ai që hodhi themelet e një shteti të fuqishëm me organet e tij themelore në fushën e drejtesisë, financiare dhe ushtarake ishte Murat Hudavendigari (1362 -1389). Kanuni Sulltan Sulejmani (I madhërishmi: 1520-1566, errdhi në fron në moshën 26 vjeç dhe mbretëroi 46 vjet. Ai gjeti një mbështetje të madhe nga turqit, të cilët i dhanë pseudonimin ‘’Kanuni – I drejti Ligjvënësi). Gjatë sundimit të gjatë të tij, ushtritë osmane zhvilluan shume beteja në Europë, Azi dhe Afrikë. Territori i Perandorisë u zgjerua në të tre kontinentet, duke marrë drejtimin e 13 fushatave ushtarake. Ai i zgjeroi me 6.500.000 km2 tokat osmane, të cilat i trashëgoi nga babai i tij, Selim Hani (1512 -1520) me 14.800.000 km2. Veçori tjetër e tyre ka qenë, edhe pse ata kanë qenë zotërues të një Perandorie të madhe dhe të fuqishme, gjithmonë kanë bërë një jetë të thjeshtë. Nuk ndërtuan për vehte dhe familjet e tyre pallate apo vila luksoze. Autori vë në dukje se ata qëndruan në dhomat e tyre modeste të pallatit Topkapi. Ky pallat është ndërtuar në vitin 1478, projektues të të cilit ishin arkitektë turq, arabë dhe perëndimore. Sot ky pallat është një nga muzeumet me të njohura në botë dhe një nga vendet e para për tu vizituar, për të gjithë ata që vizitojnë Stambollin. Kurse një karakteristikë e jetës private të sulltanëvë ishte se bashkëshortet, në pallat ua zgjidhnin nënat e tyre. Dhe një nga këto vajza të pallatit është edhe sulltanesha Hyrem, gruaja e Sulejmanit të Madhërishëm, një nga personazhet kryesore të filmit serial televiziv turk me të njëjtin emër. Ky film është ndjekur edhe nga një numër i madh shikuesish shqiptarësh.

Prof.dr. Ahmet Simsirgil e përshkruan në mënyrë të hollësishme këtë sulltaneshë, sipas të cilit, Sulltanesha Hyremi ka të ngjarë që mund të jetë nga Ukraina perëndimore. Gruaja e dashur e Sulejmanit të Madhërishëm ishte në qendër të vëmendjes, që nga tiparet e saj fizike dhe deri te gjendja e saj morale, nga veshja dhe deri te veprimet që ajo kryente. Mendohet, -shkruan me poshtë autori-, se ka lindur në vitin 1506 dhe ishte bija e një prifti rus. Emri i vërtëtë i saj ishte Alksandra Lisovska. Ajo është skllavëruar nga turqit e Krimesë në moshën 9 vjeç dhe është arsimuar në Pallatin e Krimesë për disa vjet. Më vonë, me cilësitë dhe arsimimin e saj, ajo ju dha dhuratë Pallatit Osman nga Hani i Krimesë. Mbasi hyri në Pallatin Osman, ajo është edukuar me rregullat islame dhe turke. Për shkak të karakteristikave të saj të veçanta që kishte, në pallat iu dha emri Hyrem (e gëzuar – në persisht). Nëna ë Sulejman Hanit, Sulltanesha Hafsa e zgjodhi këtë vajzë të zgjuar, si grua për djalin e saj. Prof. Ahmet Simsirgil, përveç aftësive të sulltanëve në fushën ushtarake, të drejtimit dhe të organizimit të shtetit, ka ditur të na japë se një pjesë e tyre kanë qenë edhe poetë, poezia e të cilëve ishte pranë stilit të letërsisë së Divanit. Gjithashtu, sulltanët, për të parë me sytë e tyre kushtet dhe jetesën e popullsisë, vazhdimisht dhe veçanërisht gjatë muajit të shenjtë, Ramazanit, dilnin në qytet me rroba të tjera, si qytetare te thjeshtë për të kontrolluar dyqanet, çmimet e mallrave, deri edhe në saktësinë e peshës se bukës, të mishit dhe të produkteve të tjera që pronarët shisnin. Ndaj atyre që shkelnin rregullat, merreshin masa ndëshkimore.

*Osmanolog dhe Orientalist

 

Dy fjalë për autorin: Prof. Dr. Ahmet Simsirgil

Prof. Dr. Ahmet Simsirgil është një ndër historianët e shquar të Republikës së Turqisë. Ka mbaruar studimet e tij në Universitetin “Ataturk’’, Erzurum, në vitin 1978, në degën e historisë.  Në vitin 2003 ka marrë titullin Prof. dr. dhe sot është pedagog pranë Departamentit të Historisë se Universitetit Marmara, Stamboll. Nga pena e tij kanë dalë mbi 40 libra kushtuar historisë së Perandorisë Osmane, në fushën administrative, politike, ekonomike sociale dhe fetare. Krahas kësaj, ai ka shkruar dhe një numër të shumtë artikujsh për ngjarjet historike në shtypin e përditshëm turk dhe është një përgatitës dhe bashkëbisedues aktiv në serialet televizivë të emisioneve me karaktër historik, duke u ndjekur me vëmendje nga mijëra shikues dhe dashamirës të historisë, jo vetëm në Turqi, por edhe nga jashtë saj. Një nga emisionet më interesante dhe më të ndjekura të tij, është emisioni televiziv serial: Historia dhe Qytetërimi. Fondacioni ALSAR, nën drejtimin e Mehdi Gurrës, ka dhënë dhe vazhdon të japë një ndihmesë të madhe në fushën e botimit të librave, jo vetëm të historisë dhe kulturës sonë kombëtare, por edhe të qytetërimit botëror. Ky fondacion, duke botuar kohët e fundit, edhe në shqip, të përkthyer nga anglishtja, librin e historianit të mirënjohur, Prof. dr. Ahmet Simsirgil, kushtuar jetës dhe veprimtarisë së sulltanëve të Perandorisë Osmane, ka pasuruar në këtë mënyrë bibliotekat tona me një libër që iu ka munguar deri më sot jo vetëm studiuesve, mësuesve studentëve, veçanërisht të degës së historisë, por edhe publikut tonë të gjerë.

  •  

Platforma\Drejtuesja e muxhahedinëve, Rajavi: Vdekja e Khameneit, mbarim i despotizmit fetar!

Vdekja e Khameneit është vdekja e despotizmit fetar dhe fundi i regjimit të Velayat-e Faqih

Mesazh i Maryam Rajavi, Presidente e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit për Periudhën Tranzitore për t’i dorëzuar Sovranitetin Popullit të Iranit

Vdekja e Khameneit është vdekja e tiranisë fetare dhe fundi i regjimit të Velayat-e Faqih. Tani është koha për të vendosur lirinë dhe sovranitetin e popullit të Iranit.

Në emër të Rezistencës së popullit iranian, unë shpall:

Bazuar në Planin me 10 Pika për transferimin e sovranitetit tek populli i Iranit, NCRI ka shpallur formimin e një qeverie të përkohshme. Pararendësi i shpalljes së një qeverie të përkohshme daton në tetor 1981.

Siç demonstroi populli iranian gjatë kryengritjes së janarit, ata kërkojnë një të ardhme të bazuar në një republikë demokratike dhe refuzojnë si mullat tiranikë ashtu edhe Shahun diktatorial.

Unë i shpall komunitetit ndërkombëtar se vetëm populli i Iranit ka legjitimitetin për të përcaktuar të ardhmen politike të vendit të tyre.

Ne kemi thënë vazhdimisht se populli iranian shkruan fatin e tij me gjakun e djemve dhe vajzave të tyre trima dhe se nuk ka nevojë për ndërhyrje të huaj. Ne kemi thënë vazhdimisht se nuk kërkojmë para apo praninë e forcave të huaja në tokën iraniane.

Tani është koha për solidaritet dhe unitet kundër mbetjeve të diktaturës fetare dhe fashizmit monarkik që kërkojnë të vjedhin revolucionin demokratik dhe produktin e 47 viteve vuajtje dhe sakrifica nga populli iranian dhe fëmijët e tyre trima.

NCRI, koalicioni më i qëndrueshëm demokratik dhe i pavarur në historinë e Iranit, duke u mbështetur në një Rezistencë me 100,000 dëshmorë për lirinë, paraqiti planin e Frontit të Solidaritetit Kombëtar 24 vjet më parë bazuar në parime të forta, nacionaliste dhe patriotike. Ky plan u bën thirrje të gjitha forcave politike brenda frontit të popullit, që janë të përkushtuara për rrëzimin e despotizmit fetar dhe vendosjen e një republike demokratike bazuar në ndarjen e fesë nga shteti, të veprojnë në solidaritet dhe unitet në këtë moment të ndjeshëm, pavarësisht dallimeve të tyre.

Këtu, unë u bëj thirrje personelit patriotik të ushtrisë të qëndrojnë krahas popullit të Iranit. Garda Revolucionare dhe të gjitha forcat e tjera që ruajnë regjimin duhet të heqin armët dhe të dorëzohen tek populli.

Derisa të krijohet qeveria e përkohshme, studentët, punëtorët, punëtorët e naftës, fermerët, sipërmarrësit e rinj, infermierët dhe mësuesit, gratë dhe burrat njësoj, së bashku me ushtarët dhe oficerët brenda Ushtrisë Kombëtare Çlirimtare, janë ruajtësit e sigurisë publike, shëndetit dhe sigurisë, dhe përgjegjës për adresimin e nevojave të popullit dhe zgjidhjen e problemeve të tyre.

Bazuar në rezolutat e NCRI, sapo të krijohet qeveria e përkohshme në territorin iranian, ajo është e detyruar të mbajë zgjedhje të lira dhe të ndershme brenda gjashtë muajve për një Asamble Kombëtare Legjislative dhe Kushtetuese. Detyrat e kësaj Asambleje janë të hartojë kushtetutën, të përcaktojë sistemin e ri republikan të vendit, të legjitimojë për administrimin e çështjeve aktuale derisa të formohet Asambleja e parë Kombëtare sipas kushtetutës së re, dhe të caktojë një qeveri që, pas dorëheqjes së qeverisë së përkohshme gjashtëmujore, do të marrë përgjegjësinë për çështjet e vendit nën mbikëqyrjen e Asamblesë Kushtetuese.

Unë theksoj përsëri se NCRI dhe Qeveria e Përkohshme nuk kërkojnë pushtet, por transferimin e pushtetit tek sovraniteti i popullit iranian.

Lavdi popullit të Iranit

Fitorja i takon revolucionit demokratik të Iranit

Rroftë republika demokratike

Sekretariati i NCRI

Shkeputur nga https://tinyurl.com/yc8j7xy2

  •  

Stalini po rikthehet në Rusi!?

Nga Eljanos Kasaj*

Moskë, Rusi-70 vite më parë, më 25 shkurt 1956, Sekretari i Parë i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Nikita Sergejeviç Hrushov mbajti fjalimin e tij skandaloz dhe historik, të njohur ndryshe si “fjalimi sekret”, gjatë Kongresit XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, ku për herë të parë dhe zyrtarisht, kritikoj kultin e individid të Josif Visarionoviç Stalinit dhe krimet e kryera kundër popujve sovjetik prej aparatit shtetëror stalinian (veçanërisht prej NKVD-së), gjatë implementimit të programit të indurstrializimit të viteve 1930′ ose fushatës kundër kulak-ëve (fshatarëve që i kishin rezistuar kolektivizimit të tokës së tyre), pa përmendur këtu spastrimet e kryera gjatë viteve të Terrorit të Madh (1937-1938), të cilat panë ajkën e inteligjencias politike, shkencore, artistike dhe ushtarake sovjetike të pushkatuar ose të deportuar në komapet e GULAG-ut në Siberi ose Kazahistan (nëse sigurisht, kishin pasur fatin që të mos mernin një plumb pas koke).

25 vite më pas, me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik (1991), kur qeveria demokratike ruse e Presidentit Boris Jelcin vendosi që të hapi arkivat sekrete shtetërore dhe njëkohësisht edhe diskutimet publike për të kaluarën, duke ekspozuar plotësisht rolin personal të Stalinit në krimet e epokës sovjetike, u duk për një moment se Rusia gjithashtu kishte hyrë në rrugën e vendeve të ish-Bllokut Lindor, duke u munduar që ta pastronte veten prej dogmatikës ideologjike sovjetike pothuaj se mbi 70-vjeçare, duke i treguar publikut rus atë çka vërtet kishte ndodhur gjatë periudhës së diktaturës së proletariatit në Rusi.

Duhet theksuar se aso kohe kjo iniciativë politike e Presidentit Jelcin pati gjithashtu edhe mbështetjen e gjerë të inteligjencias ruse-akademikëve, shkrimtarëve, kinematografëve, muzikantëve, artistëve, piktorëve, etj.

Por sot në Rusinë e Presidentit Vladimir Putin, diktatori gjeorgjian është duke kaluar në një proces të ngjashëm me purgatorin e Dantes ose atë çka ekspertët dhe historianët evropian, por edhe rusë, e kanë quajtur me të drejt si përpjekje për rehabilitim politik.

Kampet e GULAG-ut, Terrori i Madh, deportimet masive të popujve të konsiduar si “armiq ose tradhëtar” (si baltikët, gjermanët, çeçenët, tatarët e Krimesë, kallmikët, etj) sot janë gjithmonë e më pak duke u përmendur ose diskutuar prej medias (televizioneve, gazetave), botës artistike (kinematografisë, letërsisë, arteve figurative) ose prej qarqeve akademike/skolastike ruse.

Ndërsa diskutimet publike me karakter intelektual, bazuar në materaliet historike, dokumentacionet ose procesverbalet që sot ende ruhen në arkivat shtetërore ruse (dhe të cilat sigurisht që mund të interpretohen më pas prej specialistëve ose historianëve bazuar dhe në kontekstet historike), duket se janë diçka që i përkasin të shkuarës tashmë.

Mjafton të hedhim një sy se çfarë gazetat ruse shkruajnë për këtë datë historike, për të kuptuar pozicionin zyrtar të Kremlinit mbi këtë tematikë fort kontraversiale:

Kolumnistët e “Rasiskaja Gazjeta” në artikujt e tyre e kanë krahasuar periudhën e terrorit stalinist të viteve 30′ kundër popujve dhe inteligjencias sovjetike me periudhën e Mbretërimit të Terrorit (shatator 1793-korrik 1794) që nodhi gjatë Revolucionit Francez, ku Komiteti i Sigurisë Publike dhe Maximilien Robespierre, ndërmorën ekzekutime masive pa gjyq, spastrime të armiqve politikë dhe burgosjen dhe torturat çnjerëzore të mijëra qytetarëve të akuzuar si armiq të revolucionit…praktika pak-a-shumë të njëjta me ato që Stalini ndoqi kundër popujve sovjetik ose kundërshatëve politike ose atyre që shikoheshin prej diktatorin gjeorgjian si potencialisht të rrezikshëm për pushtetin e tij absolut.

Por, sigurisht që analistët e “Rasiskaja Gazjeta”nuk e kanë quajtur të nevojshme që të paraqisin të gjithë tablonë e ngjarjeve historike me të cilat ata kanë dashur që në mënyrë groteske të humanizojnë ndërmarjet politike të “Babait të Popujve” (siç quhej ndryshe prej propagandës shtetërore sovjetike Stalini).

Ndërsa gazeta “Komsomolskaja Pravda” shkon edhe më tej në përpjektjen për ta rehabilituar figurën e Stalinit, duke shkruajtur se “kulti i personalitetit ishte i dëmshëm, por Stalini solli fitoren e Luftës (Luftës ë Madhe Patriotike 1941-1945) dhe industrializimin (e Bashkimit Sovjetik në vietet 1930′)”, por pa përmendur kostot e mëdha në njerëz të këtyre dy momenteve kyçe të udhëheqjes së Stalinit, ose brutalitetin e treguar prej aparatit shtetëror sovjetik, ku njesitet speciale të NKVD-së ishin urdhëruar që të hapnin zjarr kundër të gjithë ushtarëve sovjetik që përpiqeshin të tërhiqeshin gjatë luftimeve me trupat naziste (edhe kur situata mund të kërkonte një tërheqje taktike) ose se shumë prej veprave industriale u ndërtuan duke e shtrydhur popullin sovjetik si limon, ashtu si dikur car Ivani i Tmerrshëm kishte arritur fitore të mëdha në luftërat kundër tatarëve, por gjithashtu e kishte terrorizuar popullin e tij dhe kishte ngritur aparatin e parë të sigurisë shtetërore, Opriçnik-ën (të njohur si paraardhësja e NKVD-së ose KGB-së).

Në kontekst të kulturës materiale, gjërat duken se kanë shkuar edhe më larg.

Në shkurt të vitit 2026, bashkia e qytetit të Moskës njoftoi se Muzeu i GULAG-ut, një prej muzeve më të mëdhenj dhe ikonik të kryeqytetit rus, por i mbyllur për arsye sigurie që prej 14 nëntorit të vitit 2024, do të shndërrohej në “Muzeun e Kujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Popullit Sovjetik”(duke u fokusuar në krimet e nazistëve në Bashkimin Sovjetik). Ndërsa në vitin 2025, gjatë javëve përkujtimore të Ditës së Fitores së Lufës së Madhe Patriotike (1941-1945), një monument bazoreliev i Stalinit, u zbulua në stacionin Taganskaja të Metrosë së Moskës, kopje e monumentit që u instalua gjatë përfundimit të stacionit në vitin 1950 dhe që u hoq gjatë procesit të de-stalinizimit të Nikita Hrushovit të fillimit të viteve 1960.

Duket qartë pra se vetë instancat qeveritare ruse (urbane, rajonale ose federale), me bekimin e Kremlinit, janë duke udhëhequr rrugën për çka duket si potencialisht në një përpjekje për të ri-formësuar qëndrimet sociale dhe kujtesën kolektive ruse.

Ndërsa ditët me rëndësi monumentale për demokracinë ruse, sot ose janë lënë në haresë (si ditët komemoruese të gushtit 1991) ose shikohen si ditë të cilat shikohen në mënyrë fort skeptike ose kritike (25 shkurti 1956), si ditë që më shumë se demokracinë, sollën poshtërimin dhe uljen e prestigjit të Rusisë-duke i bërë kështu jehonë traumës së viteve të egër 1990′, gjurma e të cilave duket se ende vijon që të ndihet në shoqërinë ruse, dhe të cilat qeveria ruse sot po i përdor për të hyjnizuar më tej sistemin e vjetër sovjetik dhe figurat kyçe politike që ky sistem prodhoj (si figura e Stalinit), të cilat sot ende vijojnë të dominojnë skenën politike, historike dhe mediatike ruse.

*Fakulteti i Shkencave Politike. Universiteti i Wroclaw (Uniwersytet Wrocławski), Poloni

 

 

 

 

  •  

Letërkëmbimi si arkiv i mendimit shqiptar

Nga Prof. Asoc. Dr. Arian Leka

Libri Shqipëria prej letrave i Ben Andonit përfaqëson një nga ndërhyrjet më të qëndrueshme metodologjike në studimet bashkëkohore mbi historinë e mendimit shqiptar të shfaqur përmes letërkëmbimit. Duke e zhvendosur vëmendjen nga diskurset normative të historiografisë zyrtare drejt epistolaritetit si formë arkivore, diskursive dhe kulturore, vepra ndërton një paradigmë të kërkimit shkencor, që e trajton letrën jo si burim dytësor, plotësues apo ilustrues, por si hapësirë autonome të prodhimit të dijes dhe të formësimit të vetëdijes kolektive. Letërkëmbimi në këtë libër konceptohet si dokument me vlerë të shumëfishtë. Ai është tekst, objekt material dhe akt komunikimi, ku dimensioni privat ndërthuret me atë publik dhe ku individualja takon me historiken.

Në këtë kuptim, studimi i Ben Andonit në librin Shqipëria prej letrave (Papirus, 2025) vendoset në dialog të drejtpërdrejtë me qasjet e historisë kulturore dhe mikrohistorisë, si dhe me teoritë mbi materialitetin e tekstit dhe praktikat shoqërore të shkrimit e të leximit, sidomos në epokën e disleksisë dhe disgrafisë që përjetohet sot.

Autori e paraqet epistolari si një “arkiv intim të mendimit”, ku idetë, përveçse artikulohen në formë programatike dhe problemore, prekim edhe zona të emocionalitetit, dyshimit dhe të negociimit të shkruesve mes tyre. I strukturuar në tetë kapituj tematikë, studimi mbështetet mbi një korpus të gjerë dhe të përzgjedhur prej rreth 1200 letrash, të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit, Arkivi i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, arkiva akademike dhe burime të tjera private të qëmtuara me kujdes nga autori. Ky material e pozicionon veprën brenda asaj që paleontologu Armando Petrucci e ka përkufizuar si “historia sociale e shkrimit” ku, po aq sa përmbajtja semantike e tekstit, ka rëndësi edhe mënyra e shkrimit, rrethanat e prodhimit, adresimi, qarkullimi dhe çdo element tjetër formal i tij.

Ben Andoni tregon vetëdije kritike për kufijtë e përzgjedhjes, duke shmangur pretendimet totalizuese dhe duke e paraqitur librin si një bazë të hapur për kërkime të mëtejshme në disa disiplina. Ky pozicionim metodologjik e largon studimin nga ambicia enciklopedike dhe i jep atij karakter më të thellë eksplorues, ku epistolarët trajtohen si nyje komunikimi në qarqe intelektuale dhe kulturore, brenda dhe jashtë hapësirës kombëtare. Në këtë aspekt, vepra dialogon gjithashtu edhe me analizat e kryera prej historianit të kulturave Robert Darnton, mbi çështjet e qarkullimit të ideve dhe funksionimin e mediave joformale përgjatë historisë intelektuale europiane, ku letërkëmbimi luan një rol jodytësor.

Një nga kontributet më të qenësishme të librit Shqipëria prej letrave qëndron në rivlerësimin e epistolarit si “histori alternative” në mendimit shqiptar. Prej këtij këndvështrim letra shfaqet si formë diskursive ku subjektiviteti, retorika e afërsisë dhe koha e përditshme prodhojnë një lloj dijeje që u mungon teksteve zyrtare, programatike apo institucionale, duke plotësuar dhe pasuruar dokumentacionin për personalitetet, për debatin dhe kohën e shkrimit.

Falë këtij trajtimi, lexuesi merr njohuri se në letrat shqiptare të periudhave të ndryshme, krahas ideologjisë kombëtare, si shqetësim kryesor, artikulohet edhe dimensioni njerëzor i mendimit, ku shfaqen shpresat, iluzionet, dilemat, zhgënjime dhe kode apo mënyra të pasura adresimesh të letërshkruesve. Një qasje e tillë prej autorit ndaj dokumentit e zhvendos fokusin e studimit nga “historia e ideve” drejt “historisë së mendësive” dhe praktikave kulturore të ushtruara gjatë kohës së komunikimeve përmes letrave.

Materiali i shyqrtuar bën me dije gjithashtu se epistolarët funksionojnë si burime primare për historinë e përditshmërisë, duke ndriçuar proceset e zgjimit kombëtar, shtetformimit dhe organizimit kulturor dhe duke mbështetur mendimin e historianit Peter Burke, se kultura shpesh shfaqet më qartë në format e saj të vogla dhe jo zyrtare. Në këtë hapësirë, letra shqiptare, e vendosur në një diskurs më të gjerë epostilar, fiton vlerë të shumëfishtë dokumentuese.

LeterLl

Leter e Abaz Kupit drejtuar Gurit

Libri Shqipëria prej letrash vendoset në vijimësi kritike kundrejt traditës së botimeve epistolare shqiptare të mëhershme, të intensifikuara si publikime kryesisht pas viteve ’90, të tilla si Letërkëmbimet e Mit’hat bej FrashëritKuvend letrash me miqtë i Mustafa Merlika-Krujës, Letërkëmbimi Camaj–Pipa apo Dashuri në moshën e Krishti, me letërkëmbimin intim të Dritëro Agollit, si edhe rishikim në korrespondencat e mëhershme të Dora d’Istrias me De Radën, të Fan Nolit me bashkëpunëtorët apo të Lasgush Poradecit më Asdrenin. Në këtë vështrim, letërkëmbimet e Pjetër Bogdanit, Kristoforidhit, Veqilharxhit dhe personaliteteve të tjera shfaqen si dëshmi të angazhimit intelektual dhe qytetar në çështje themelore të historisë shqiptare.

Strukturimi i veprës në kapituj tematikë, të tillë si miqësia, feja, patriotizmi, arsimi, shkenca, kultura, lufta, anonimati etj, përfaqëson brenda librit një zhvendosje të rëndësishme që, duke u nisur nga kronologjia lineare, priret dhe mbërrin drejt analizës së mendësive përmes epistolarëve. Ndërhyrjet dhe intriduktat e autorit, letra, si fakt dhe letërkëmbimi si proces, i përcillet lexuesit si mjet i ndërtimit të rrjeteve të para të komunikimit intelektual shqiptar, duke dëshmuar për një kulturë shkrimi aktive dhe të vetëdijshme.

Risi sjell botimi edhe në ndërtimin e një aparati interpretues dhe klasifikues, që i vendos këto epistolarë në raport hierarkik, tematik dhe kronologjik, si dhe në dialog me traditat europiane të letërshkrimit humanist dhe modern, siç do e cilësonte Janet Gurkin Altman në veprën “Epistolariteti: qasje ndaj një forme.”

Për secilin kategorizim autori veçon çështje të adresimit, si te Patër Anton Harapi, për çështjet e etikës së komunikimit ndaj hierarkisë, si te Ernest Koliqi ndaj Mustafa Krujës, ku miqësia dhe instutucioni mbahen të balancuar apo te shprehja e keqardhjes dhe ankimet e përmbajtura të Gjeçovit ndaj autoriteveve, nderimi për anën protokollare, si në letërkëmbimin mes Eqrem Bej Vlorës ndaj Ahmet Zogut, apo befasi të tilla si shprehja e ndjenjave miqësore të Ahmet Zogut ndaj Fan Nolit, falënderimet e dashamirëse të shqiptarëve të shquar në koloni dhe në diasporë, deri te mirësjellja formale apo shprehjet dashurore dhe letërkëmbimi mes kundërshtarëve të mëvonshëm me përkatësi e prapavija të ndryshme ideologjikë.

 

 

Leter e Martin Ivanajt per Zogun

Zhvendosja e praktikave shqiptare të shkrimit i vendos këto në dialog me traditat e Lindjes së Largët, Mesopotamisë, Egjiptit të Lashtë apo qytet-shteteve italiane i jep analizës në libër një dimension ndërkulturor dhe evolucionar, duke e nxjerrë rastin shqiptar nga izolimi interpretues.

Hipotezat mbi ekzistencën e scriptoriumeve vendase, të mbështetura në analiza krahasuese dhe dëshmi indirekte, e zgjerojnë fushën e studimit drejt paleografisë shqiptare dhe historisë së shkrimit para shtypshkrimeve, që të shtyjnë të kërkosh më thellë në kohën, drejt traditave më të hershme të skribëve në hapësirën shqiptare.

E spikatur në studimin Shqipëria prej letrash është analiza e kaligrafisë si praktikë sociale dhe komunikative përmes dorëshktimeve. Duke u distancuar nga konceptimi i bukurshkrimit si “art elitar”, autori e trajton shkrimin e dorës si element paratekstual, ku forma grafike e shkronjës interpretohet si shenjë e formimit kulturor, statusit shoqëror, e dinjitetit, e vetëdijes gjuhësore si dhe e identitetit të shkruesit. Në këtë kuptim, bukurshkrimi apo kaligrafia shndërrohet në një “portret kulturor”, mbi individualitetin grafik të shkruesit, siç theksohet edhe në aktet më të fundit të UNESCO-se, mbi marrjen nën kujtestari të të shkruarit me dorë, si një aftësi kritike dhe thirrje për identitetin kulturor.

Ben Andoni bën disa veçime, kur merr në shqyrtim disa prej personaliteteve të mirënjohura të Rilindjes Kombëtare dhe figura historike të shekullit XX, që tregojnë vëmendje dhe kujdes të posaçm ndaj letrës së dorëshkruar. Mes tyre ai veçon shembujt e bukurshkrimit të Ndje Mjedës apo Shtjefën Gjeçovit, nistoret e Sami Frashërit apo theksimet në dorëshkrimin e Çajupit, që përforcojnë qëndrimin e autorit ndaj për trajtimin e epistolar përtej një vepre artit të shkruar bukur, por edhe argument se stili në shkrim, ritmi i tij e deri te vendndodhja e shkronjave, pasqyrojnë jo rrallë edhe autoritetin e shkruesit, që qëndron pas tyre.

Analizimi i këtyre dëshmive të dorëshkruara, plotësuar edhe me prekje filologjike në përshkrim shërben sjell në mënyrë të prekshme përmbajtjen dhe materjen e letrës apo trajtimin formal të shkrimit, si trajtim më vete përmes kapitullit “Të komunikosh me anë të bukurshkrimit.” Ky kapitull sjell e zhvendos vëmendjes drejt “kaligrafisë si praktikë sociale dhe komunikative”, për të qëndruar më pranë propozimeve të studiuesit Armando Petrucci mbi individualitetin grafik të teksteve të dorëshkruara. Autori bën interpretime mes afrive dhe dallimeve të “shkrimit publik”, si instrument për të orientuar mendimin dhe komanduar hapësirën dhe “shkrimit të dorës”, si mjet që bën të mundur përhapjen e ideve nga qarqeve e mbyllura personale dhe intelektuale, drejt një hapësire më të gjerë publike.

Leter e Qemal Stafes per Lef Nosin

Dallimi metodologjik përmbushet në libër edhe përmes trajtimit përdorimit të letërkëmbimit si strategji narrative në letërsinë artistike, si në romanet epistolare apo tekstet letrare me formë ditari, ku letërsia shqiptare ka modele, si te Sikur t’isha djalë nga Haki Stërmilli apo Letra grues seme të vdekun të Gj. Maranaj (Gjovanin Gjadri). Ben Andoni e veçon me korrektësi dallimin, duke theksuar se letërkëmbimet mes personazheve letrarë romanorë konsiderohen mjet i arkitekturës së veprës letrare, ndërkohë që epistolari mes personaliteteve paraqitet si dëshmi me rol dhe ndikim në ndërtimin objektiv të kujtesës. Kësisoj letërkëmbimi real i personaliteteve historike trajtohet si burim për ndërtimin objektiv të historisë, në përputhje me prurjet e studimeve të komunikimit historik dhe të paratekstit. Ky dallim e përforcon statusin e letrës si dëshmi aktive në ndërtimin e mendësisë individuale dhe kolektive dhe jo thjesht si artefakt letrar i kureshtjes.

Libri Shqipëria prej letrave”, nga Ben Andoni e vlerëson letrën e shkruar si transferim idesh dhe ndjeshish, gjithshtu edhe si një dëshmi me rëndësi kulturore, historike dhe njerëzore, duke trajtuar dukurinë e epistolaritetit si ë burim thelbësor për të kuptuar botën shpirtërore të elitave dhe individëve të kohës, përfshi edhe përditshmërinë sociale e kulturore të shqiptarëve. Perspektiva e ofruar ndihmon që Shqipëria të kuptohet përtej narrativave të gatshme apo artikulimit me ndërmjestësim, si një bisedë e hapur, “e paanshme, një kundërvënie ndaj digresioneve, paragjykimeve dhe shqetësimeve tematike, që ndërlikojnë përdorimin e historiografisë së lashtë narrative”. Një lexim i tillë nxit që të interesuarit ta ribëjnë Shqipërinë prej zërit të drejtpërdrejtë të atyre që e menduan, e deshën në mënyrën e tyre dhe e kundërshtuan atë në letërkëmbime.

Vlera studimore e tekstit është shumëplanëshe dhe e qëndrueshme, pasi përbën një kontribut të rëndësishëm dokumentues, mbështetet në një korpus të pasur burimesh (kodikë, dorëshkrime, letra arkivore, dokumente shtetërore dhe fetare etj), duke i analizuar ato nga ana përmbajtjësore e gjuhësore dhe për nga forma grafike. Teksti sjell kontribut, veç të tjerash edhe për historinë e shkrimit shqip dhe të alfabetit, pasi ndjek evolucionin e formës së shkronjave nga dorëshkrimet mesjetare deri te shkrimi modern, duke nxjerrë në pah marrëdhënien mes fonetikës së shqipes dhe zgjidhjeve grafike të përdorura ndër shekuj.

Vepra shoqërohet me një aparat referencial të pasur e të gjerë, që përfshin studiues shqiptarë dhe të huaj, klasikë dhe bashkëkohorë (Çabej, Kastrati, Domi, Sinani, Koçollari, Dervishi, apo Bradley, Sogno, Camiciotti, Claude, Del Corno), element ky që e vendos atë në dialog të qëndrueshëm me teoritë e epistolaritetit, historisë kulturore, studimeve të komunikimit dhe filologjisë. Referencat e sjella nga autori funksionojnë si instrumente analitike dhe jo si ornament akademik, duke legjitimuar interpretimet dhe duke e pozicionuar epistolarin shqiptar në hartën europiane të praktikave të shkëmbimit të ideve. Epistolariteti në këtë libër krijon komunikimim dhe kujtesë, duke e zgjeruar ndjeshëm horizontin e studimeve letrare, historike dhe filologjike, ku shkrimi është sa tekst intim e privat aq edhe identitet shoqëror me ndikim në sferën publike.

Shqipëria prej letrave e Ben Andonit përfaqëson një kontribut metodologjik dhe dokumentues me vlerë të qëndrueshme për historinë e mendimit shqiptar me prejardhje nga dorëshkrimet. Duke i njohur  epistolarit statusin si dëshmi kulturore, historike dhe njerëzore, botimi ofron një model kërkimi ndërdisiplinor të zbatueshëm edhe për fusha të tjera të dijeve albanologjike.

 

  •  

Rusët për sportistët e tyre: Neutraliteti si tradhti kombëtare

Neutraliteti si tradhti kombëtare-lëvizja më e re e Ministrisë ruse të Sporteve që atakon sportistët dhe atletët ruse që garojnë nën dy-flamur

Nga Eljanos Kasaj*

Moskë-Ministri i Sportit i Federatës Ruse, Mihail Djegtjarjov, ka akuzuar publikisht 38 atletë rus për “tradhti” për shkak të ndryshimit të besnikërisë kombëtare dhe garimit për vende të tjera në vend të Rusisë në Lojërat Olimpike Dimërore në Milano dhe Cortina.

Ndër të përmendurit në listën e të akuzuarve, janë edhe shumë atletë rus që sot garojnë nën flamurët e disa vendeve evropiane, si dyshja ruso-hungareze e vallëzimit mbi akull, Maria Evgenjvna Pavlova dhe Alexej Vadimoviç Svjatçenko, tri herë kampionë të Hungarisë për patinazh artistik (2023-2024, 2026), të cilët përfunduan të katërt në ngjarjen kryesore sportive dimërore të këtij viti.

Në një raport të publikuar nga media hungareze Blikk dhe të cituar gjithashtu prej medias Hungary Today, vihet në dukje se shumica e atletëve që ndryshojnë shtetësinë nuk bëjnë deklarata politike. Ata rrallë komentojnë për politikën ruse ose për konfliktin e armatosur në Ukrainë, dhe edhe nëse kanë opinione, priren t’i mbajnë ato private (gjë që nuk ka mjaftuar për ti shpëtuar ata prej kritikave të mediava pro-Kremlinit, por edhe prej atyre opzicionere).

Zoti Djegtjarjov nuk i zgjodhi fjalët kur iu drejtua ashpër vendimeve të 38 atletëve për të mos pranuar të bojkotonin Lojrat Olimpike Dimërore ose për të garuar nën statusin e Athlètes Individuels Neutres (atletëve individual neutral), i cili historikisht është aplikuar kryesisht për atletët rus dhe bjellorus, për shkak të skandaleve të përdorimit të lëndëve ilegale të dopingut ose prej situatave volatile politike midis Rusisë, Bjellorusisë dhe Perëndimit.

“Ndryshimi i shtetësisë është tradhti e pastër. Ky është opinioni im dhe bindja ime. Unë kam të drejtë,” -ka theksuar prerazi Ministri rus.

Mediat hungareze shtojnë gjithashtu se Presidenti rus Vladimir Putin nuk ka folur kundër komenteve të zotit Djegtjarjov , duke sugjeruar se fjalët e ashpra të Ministrit të Sporteve me shumë gjasa pasqyrojnë politikën zyrtare të qeverisë ruse, e cila që prej vitit 2022, ka etiketuar gjithë pjestarët e inteligjencias, botës së artit dhe sporteve, të cilët nuk kanë pranuar që të suportojnë iniciativën ushtarake të Kremlinit në Ukrainë ose kanë preferuar që të largohen prej Rusisë deri në përfundim të konfliktit të armatosur ruso-ukrainas dhe normalizimit të situatës politike në vend.

Por, zoti Djegtjarjov shkoi më tej dhe gjithashtu propozoi sanksione të ashpra për atë që ai i quajti atletë “tradhtarë”, duke përfshirë ndalimin e plotë të hyrjes së tyre në Federatën Ruse:

“Ne u sigurojmë atyre vite mbështetjeje—arsim, trajnerë, ambiente stërvitjeje. Pastaj papritmas hedhin pasaportat e tyre dhe zhduken. Nëse u marrim gjithçka, ua ndalojmë hyrjen dhe bllokojmë aksesin në objektet tona sportive, arrijmë qëllimin tonë. Kjo është një çështje delikate, por nuk ka vend për kompromis.”

Duket se fjalët e Ministrit rus i mëshojnë faktit se shumica e atletëve rus që sot përfaqësojnë vende të ndryshme në kompeticionet sportive ndërkombëtare, si dyshja ruso-hungareze Pavlova dhe Svjatçenko ndonëse garojnë nën flamurin e Hungarisë, vazhdojnë të jetojnë në Rusi dhe të stërviten në facilitetet sportive në qytetin e Soçi-t, në brigjet e Detit të Zi, vendi i Lojërave Olimpike Dimërore 2014, për pjesën më të madhe të vitit.

Nëse sanksionet shtetërore të propozuara nga zoti Djegtjarjov do të zbatohen, ato mund të shkaktojnë një goditje të rëndë jo vetëm për këta patinatorë artistikë, por edhe për gjithë atletët rus që garojnë në disiplina të ndryshme sportive për Hungarinë, Kazahstanin, Shqipërinë, Poloninë, Gjeorgjinë, etj.

Njëkohësisht, kjo lëvizje politike, ndonëse në dukje në kontekst të krenarisë kombëtare sportive, ka edhe një mesazh të qartë politik, se periudha kur neutraliteti ishte një mënyrë e sigurt për të manovruar politikisht në Rusi ka përfunduar dhe se Moska tashmë është duke filtruar gjithë fushat e artit, shkencës dhe sporteve, për ta “sterilizuar” vendin prej faktorëve jo-luajal ose të cilët janë të gatshëm që ta sakrifikojnë karierën e tyrë për aventurat ushtarake të Kremlinit.

*Fakulteti i Shkencave Politike. Universiteti i Wroclaw (Uniwersytet Wrocławski), Poloni

  •  

Përplasjet e diplomacisë në Budapest

Nga Eljanos Kasaj*

Budapest, Hungari-Gjatë 9-10 shkurtit në Hotel “Corinthia”, në Budapest, u zhvillua Dialogu i tretë Global i Budapestit, i organizuar nga Instituti Hungarez i Çështjeve Ndërkombëtare (HIIA) dhe Fondacioni i Kërkimeve “Observer” (ORF).

Diskutimi i parë i zhvilluar në panelin ndërkombëtar mbante titullin “Rivendosja e Vetëbesimit Qytetërues: Cilat Vlera do ta Sigurojnë të Ardhmen Tonë?”, dhe mblodhi së bashku Zëvendës Sekretaren e Shtetit të SHBA-së për Diplomaci Publike Sarah B. Rogers, Drejtorin Politik të Kryeministrit Hungarez Balázs Orbán, editorin e medias britanike “UnHerd” Sohrab Ahmari dhe Drejtorin Ekzekutiv Ndërkombëtar të ADF, Paul Coleman.

Diskutimi në panel, i moderuar nga presidenti i HIIA-s, Gladden Pappin, shqyrtoi gjendjen e demokracisë, lirisë së fjalës dhe sovranitetit si në Evropë ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë fjalës së saj, Nënsekretarja e Shtetit Sarah B. Rogers theksoi rëndësinë qendrore të lirisë së shprehjes në vetëqeverisjen demokratike, duke deklaruar se: “nuk ka vetëqeverisje pa liri të fjalës”. Ajo paralajmëroi se censura në shoqëritë perëndimore sot shpesh vepron në mënyrë indirekte, përmes presionit rregullator dhe organizatave joqeveritare (OJQ) të lidhura me qeverinë, në vend që të kryejë shtypje të hapur shtetërore.

Zonja Rogers shpjegoj më tej se censura e fjalës së lirë në mediat sociale është një “pikë mbytëse ekzistenciale” dhe se nëse një “aparat censure” ose “klasë censure” mund t’i frikësojë kompanitë ndërkombëtare të platformave të mediave sociale ( Facebook, Instagram, Telegram, Ëhatssapp ose X) në masën që ato dëshirojnë, “kjo mund të shtrembërojë demokracinë në mënyra të frikshme”.

Këto fjalë të Nënsekretares së Shtetit duket se theksojnë situatën distiopiane të lirisë së falës në Evropë, e cila është kthyer në një çështje të shumë debatuar midis Uashingtonit dhe elitave politike të Brukselit që prej ardhjes në pushtet të administratës së Presidentit Donald Trump, e cila ka kritikuar ashpër faktin se gjatë vitit 2023, ku policia britanike në Angli dhe Uells kreu shumë arrestime për komente ose opinione të kryera në mediat sociale ose mbi bastisjen e kryer në zyrat e platformës sociale “X” prej njësisë franceze të krimit kibernetik e prokurorisë së Parisit, të mbështetur nga Europol, e cila u bazua në akuza të papranueshme për zyrtarët. Madje u quajt prej pronarit të platformës “X”, miliarderit Elon Musk si “sulm politik”i fjalës së lirë, bazuar në karakterin fort liberal të lirisë së të shprehurit të opinionit publik që platforma mëton se disponon.

Folësit reflektuan gjithashtu mbi të ardhmen e marrëdhënieve hungarezo-amerikane brenda një kuadri më të gjerë qytetërues, bazuar në vlerat historike, kulturale dhe politike.

Nënsekretarja Rogers argumentoi se rivendosja e “besimit qytetërues” në aleancën transatlantike varet nga lejimi i funksionimit të vetëqeverisjes së vërtetë demokratike, duke vënë në dukje se qëndrimet politike të Presidentit Donald Trump dhe administratës amerikane mbi luftën emigracionin e jashtëligjshëm, mbrojtjen e sovranitetit kombëtarë dhe çështjet familjare (vlerat tradicionale familjare) shpesh përputhen më ngushtë me opinionin publik evropian sesa me atë disa elita evropiane-duke lënë kështu të kuptohet se sot ideologjikisht Uashingtoni qëndron në një pozicion krejt ndryshe me atë të elitave neoliberale brukseliane.

Vlen të theksojmë këtu që sot qeveria hungareze është aleati i vetëm ideologjik dhe politik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Evropë. Vendi është shquar se me anë të luftës kundër emigracionit të jashtëligjshëm, promovimin e vlerave tradicionale familjare, ndalimin e propagandës degjeneruese të LGBT-së në media ose institucionet shtetërore dhe arsimore, promovimin e patriotizmit bazuar në vlerat kombëtare dhe vënien e interesit kombëtarë të Hungarisë dhe popullit hungarez përpara gjithçkaje- të gjitha këto iniciativa politike kanë bërë të mundur që Hungaria të jetë një vend evropian i cili gëzon respektin dhe miqësinë jo vetëm të Shteteve të Bashkuara, por dhe të Rusisë, Kinës, Bjellorusisë, Japonisë, Sllovakisë, Kilit, Gjeorgjisë, Turqisë dhe vendeve turkike të Azisë Centrale dhe Kaukazit.

Ky aktivitet u mundua të tregojë se është një shembull suksesi dhe se si paqja dhe harmonia midis shteteve dhe popujve vjen vetëm kur qeveritë kanë një program të qartë politik bazuar në interesin kombëtarë dhe vlerat historike të qytetërimit të popullit të tyre, të cilat, kur ndahen prej edhe shumë qeverive të tjera patriotike, mund të kthehen në ura bashkëpunimi dhe të lidhjes së miqësive të ngushta midis shteteve dhe popujve.

*Fakulteti i Shkencave Politike. Universiteti i Wroclaw (Uniwersytet Wrocławski), Poloni

  •  

Bisedë me Volterin

Nga Fatos Tarifa

Epoka e Iluminizmit ka qenë dhe mbetet një ndër më interesantet në historinë e njerëzimit. Figura qendrore dhe, padyshim, më e shquara e asaj epoke ishte Volteri, ndaj edhe, shpesh herë, ajo është quajtur l’époque de Voltaire. Për më shumë se gjysmë shekulli kam lexuar shumë nga veprat dhe letrat e tij dhe gjithnjë kam mbetur i mahnitur nga thellësia e mendimit, nga stili i tij dhe besimi që ai kishte tek Arsyeja dhe tek e Vërteta. Leximi i veprave të Volterit ka nxitur shpesh herë një monolog të brendshëm tek unë, sepse idetë e tij të angazhojnë, të vënë në punë mendjen e të bëjnë të reflektosh për kohën e tij dhe për kohën tonë.

Ky monolog i vazhdueshëm më krijoi së fundmi një dëshirë të habitshme për të komunikuar me këtë champion de la raison et de la tolérance, siç me të drejtë është quajtur ai. Një dëshirë e marrë, por kokëfortë, këmbëngulëse. Iu nënshtrova kësaj dëshire pa shumë rezistencë, si një ushtrimi të dobishëm intelektual, dhe e lashë të lirë imagjinatën. Produkt i saj është kjo bisedë me Volterin një mbrëmje në Paris, në një kohë pa datë, në Café Procope, kafeja e tij e preferuar në 13 Rue de l’Ancienne-Comédie, të cilën e ndaj sot me lexuesin.

Au Café Procope

Monsieur de Voltaire, mirë se vini në shekullin e 21-të! Si ishte rrugëtimi juaj në kohë?

Volter: I jashtëzakonshëm. Në Paris ndien më pak erë kuajsh dhe më shumë aromë kafeje të djegur. E quani kafe këtë që pini?

Po. Njerëzit sot nuk jetojnë dot pa të. Në Amerikë madje kanë një shprehje: There’s no life before coffee, edhe pse kafeja që pinë atje nuk i afrohet aspak kafesë që pihet sot në Napoli, në Tiranë apo në Paris. Thonë se kafeja të nxit në punë, motivon bisedat…

Volter: Dhe mediokritetin, ma ha mendja. Disa gjëra kurrë nuk ndryshojnë.

Keni të drejtë. Por mendoj se as kjo kafé, që me sa kam lexuar është më e vjetra në Paris, nuk ka ndryshuar qysh nga koha kur këtu vinit ju. Kjo është arsyeja që ju propozova të takoheshim në këtë vend.

Volter: Ah, Kafé Prokop! Nuk mund të zgjidhnit një vend më të mirë në Paris për këtë bisedë. Ky lokal nuk është thjesht një kafé; është një monument i arsyes, i rebelimit dhe i kafesë së pjekur aq fortë, sa në kohën time zgjonte mendjet e fjetura. Këtu e pinte kafenë në vitet e tij të fundit La Fonteni; këtu unë debatoja për pushtetin e mbretërve dhe stilin e satirës me mendje të tjera të ndritura, si Didëroi, d’Alamberi, Rusoi (kur ky i fundit nuk ishte shumë sentimental dhe dramatik), apo Benxhëmin Franklin, që erdhi në Paris si i pari ambasador i republikës së sapo formuar amerikane.

Edhe Franklin vinte në këtë kafe?

Volter: Po. Këtu jam takuar me të për herë të parë. Franklin ishte një njeri i rrallë. Jo vetëm ishte i ditur në shumë fusha, por kishte edhe një mendje të mprehtë, një humor të hollë dhe një ironi therëse. Këto më pëlqenin shumë tek ai. Fatkeqësisht unë isha 83 kur u njoha me të dhe pas kësaj nuk jetova veç disa muaj më shumë. Kjo kafé ishte një vend i mendimtarëve iluministë. Të gjithë ne i kemi ngrohur me frymën dhe mendjet tona këta mure. Këtu debatoheshin ide që ndiznin mendjet e filozofëve të rinj. Por, më shumë se kjo—dhe më ndjeni për sentimentalizmin tim—Prokop më sjell ndër mend shumë kujtime. Më kujton gishtërinjtë e llangosur me bojë, sepse këtu kam shkruar shumë nga letrat e mia, të qeshurat tona më të mprehta e më therëse sesa tehu i sëpatës së gijotinës dhe guximin që duhej për t’ua thënë të vërtetën në sy njerëzve të fuqishëm në pushtet me një filxhan të vogël kafeje përpara. Njëherë e një kohë, priftërinjtë e konsideronin kafenë si pijen e të pabesëve, e njerëzve që nuk besonin në fe. Tani ata vetë e pinë kafenë në kisha e katedrale në intervalet mes lutjeve. Kështu ka ecur përpara njerëzimi: herezia e djeshme dhe e sotme bëhen zakonet e së nesërmes. Por, në kohën time, kafeja këtu ishte aq e mirë, sa unë pija 40 të tilla në ditë, përzier me çokollatë. Të porosisim një kafe para se të nisim bisedën tonë e të shohim si e bëjnë sot. Me kënaqësi vura re kur hyra se kësaj dhome që ju zgjodhët të ulemi, i kanë venë emrin tim. Ja tek është edhe një prej skrivanive të mia. Njëlloj siç ka qenë. Nuk besoj se do të kisha ardhur me kaq kënaqësi në një takim si ky diku tjetër në Paris—në Versajë jo e jo. Atje fjalët fshihen pas maskave, këtu fjalët marrin kuptimin e tyre të vërtetë.

Përshkrimi juaj më sjell të gjallë në përfytyrimin tim atë kohë dhe këtë kafé-seli të Iluminizmit. Pas jush, siç kam lexuar, kjo kafé u bë vendi ku vinin Dantoni dhe Robespjeri, frymëzuesit dhe aktorët kryesorë të revolucionit që përmbysi monarkinë në Francë, por që u bënë edhe viktimat e atij revolucioni. Këtu vinin edhe Napolon Bonaparti, Viktor Hugo dhe njerëz të tjerë të shquar të kombit tuaj. Mund të ishim takuar edhe në Gjenevë, ku ju keni jetuar për shumë vite me radhë, por nuk mësova dot një kafé që të kish qenë vendi juaj i preferuar.

Volter: Oh, jo. Marrëdhënia ime me Gjenevën ka qenë krejt tjetër nga ajo me Parisin. Gjeneva ishte kalviniste, konservatore dhe unë jam përplasur shpesh me autoritetet e atij qyteti për teatrin dhe për lirinë e fjalës. Veç kësaj, kafetë publike në Gjenevë nuk kishin atë rol të rëndësishëm në jetën intelektuale të atij qyteti si në Paris. Në atë vend unë i prisja miqtë në sallonet e rezidencës sime në Les Délices, jashtë Gjenevës. Nuk e di nëse ajo ndërtesë ende ekziston.

Sigurisht që po. Është shndërruar në një institut dhe në shtëpi muze—Institut et Musée Voltaire—pjesë e Bibliotekës së Gjenevës.

Volter: Më vjen mirë që e dëgjoj. Më në fund, Gjeneva është miqësuar me mua. Por, më thoni, ju lutem, diçka për veten tuaj, veç atyre që më shkruanit në ftesën që më bëtë. Më thatë se jeni nga Shqipëria dhe kjo më bëri kureshtar.

Po, nga Shqipëria, për të cilën ju edhe keni shkruar në veprën tuaj Ese mbi zakonet dhe shpirtin e kombeve.

Volter: Shqipëria e Skënderbeut! Po, kam shkruar për vendin tuaj si një vend malor me burra trima dhe për heroin tuaj kombëtar. Kam thënë se ai e pengoi ekspansionin osman drejt Europës në shekullin e 15-të dhe për një kohë të gjatë e mbrojti Krishterimin nga ushtritë e sulltanëve osmanë. Jam njohur në atë kohë me kronikat turke sepse, si historian, isha i interesuar të kuptoja ndikimin që ka pasur ekspansioni osman në historinë e Europës deri në fund të shekullit të 17-të, kur ushtria osmane u thye në portat e Vienës, më 1683. Për Skënderbeun kam shkruar me admirim. Kam thënë se ai lindi në Shqipëri, në atë kohë pjesë e Epirit, një vend i njohur qysh nga kohët e lashta heroike të Greqisë e të Romës. Me këtë emër, Iskander, e pagëzoi sulltani për aftësitë e tij ushtarake të jashtëzakonshme, të ngjashme me ato të Aleksandrit të Madh. Kam shkruar se si Skënderbeu, falë mençurisë, guximit dhe trimërisë së tij, mori Krujën dhe i bashkoi shqiptarët për të penguar avancimin e ushtrive të mëdha turke drejt Europës përmes Italisë dhe Mesdheut perëndimor. Ai kë qenë një shembull i shkëlqyer se si një udhëheqës i mençur dhe trim mund t’i rezistojë një perandorie të madhe. Për shqiptarët kam thënë se, në atë kohë, ata njiheshin si ushtarët më të mirë në atë pjesë të botës. Rezistenca që u bënë turqve për një kohë të gjatë dëshmon se kanë qenë vërtet të tillë.

Një vlerësim i tillë më bën të ndihem mirë dhe fakti që për Shqipërinë dhe Skënderbeun keni shkruar në një nga veprat tuaja më të rëndësishme ka pasur dhe ka një domethënie të madhe historike për ne shqiptarët. Ndoshta e dini se Antonio Vivaldi shkroi dhe vuri në skenë, në Firence, në vitin 1718, një opera titulluar “Skënderbeu”, kushtuar heroit tonë kombëtar.

Volter: Jo, nuk kam dëgjuar për të. Italinë (dhe Firencen) i kam vizituar në fund të viteve 1720, por nuk kam dëgjuar për këtë opera. Për Vivaldin po, por krijimtaria e tij mbeti e panjohur për mua dhe nuk kam shkruar asnjëherë për këtë kompozitor, edhe pse, veç shumë veprave dramatike—tragjedi dhe komedi—unë kam shkruar edhe disa librete operash.

Këtë e kam mësuar më vonë. Fillimisht ju kam njohur përmes Kandidit, që ndoshta është vepra juaj më e njohur, të cilën e kam lexuar të përkthyer në shqip kur isha nxënës në shkollë të mesme. Nuk do të kisha marrë guximin t’ju ftoja dhe as ta nisja këtë bisedë me ju pa lexuar këtë libër, si dhe disa prej veprave tuaja më të mira—Letrat mbi kombin anglezFjalorin filozofikEsenë mbi zakonet dhe shpirtin e kombeve, Traktatin mbi tolerancën e ndonjë tjetër. Kureshtja ime për të mësuar më shumë për veprën tuaj dhe për epokën që me të drejtë mori emrin tuaj mund të them se ka nisur me leksionet mbi historinë e filozofisë që kam marrë në Universitetin e Tiranës nga profesori im i nderuar Zija Xholi. Ai ishte një njohës shumë i mirë i historisë së filozofisë nga kohët e lashta deri në fundin e shekullit të 19-të dhe një admirues i madh i filozofëve iluministë, i juaji veçanërisht. Ishte pikërisht ai, gjysmë shekulli më parë, që e bëri filozofinë një subjekt të dashur për mua dhe studimin e saj një prej kënaqësive të mia intelektuale më të mëdha.

Volter: Pra, po flas me një filozof.

Oh, jo. Maître, unë vij te ju jo si një filozof, por si një kërkues, si një studiues i jetës shoqërore. Filozof është një titull shumë i lartë dhe një privilegj që nuk e meritoj, edhe pse studimet universitare i kam kryer në këtë fushë. Filozof nuk të bën thjesht arsimi që merr. Por, Monsieur de Voltaire, më lejoni t’ju them se e kam pritur shumë gjatë këtë takim me ju, për vite me radhë. Më dukej e pamundur të vinit nga thellësia e shekujve.

Volter: E pamundura, i dashur mik, është thjesht ajo provincë e pa eksploruar e arsyes. Ja tek jam. Le të bisedojmë në qetësinë sublime të kësaj kafeje, sepse bota është bërë më e zhurmshme që nga koha ime, dhe do të doja të dija nëse është bërë edhe më e mençur.

Dyshoj nëse është bërë më e mençur dhe kjo është arsyeja pse dëshiroja kaq shumë të bisedoj me ju. Në një rast, ju jeni shprehur se çdo njeri është produkt i kohës së tij dhe vetëm pak njerëz janë në gjendje të ngrihen mbi idetë e kohës së tyre. Ju vetë jeni një ndër këta të paktë njerëz. Çështjet që shqetësojnë njerëzimin sot—raporti me të vërtetën, liria, marrëzia njerëzore—janë të njëjtat për të cilat ju qeshnit në kohën tuaj, afro tre shekuj më parë. Dogma të vjetra e të reja, besëtytni dhe absurditete të çdo lloji, hipokrizia dhe intoleranca vazhdojnë të jenë mjaft të përhapura dhe, po kështu, padrejtësitë dhe krimi. Edhe pse shekujt kalojnë, duket se arsyeja dhe marrëzia kurrë nuk tërhiqen nga jeta e shoqërisë. Kemi nevojë për një mendje të mençur që të na shpjegojë burimet e tyre dhe, kush tjetër më mirë se ju mund të fliste për çështje të tilla?

Volter: Më mirë do të ishte, ndoshta, të pyesnit ndërgjegjen tuaj, por e pranoj komplimentin. Erazmi i Roterdamit na kujton se marrëzia njerëzore është e palodhur dhe, arsyeja shumë herë përton të lëvizë. Dueli mes tyre është i pabarabartë, por e qeshura është arma më e mirë për të luftuar marrëzinë dhe për ta lartësuar arsyen. Nëse injoranca është djepi i besëtytnive, e qeshura është  asgjësuesi i tyre. Më duhet t’ju them, sidoqoftë, se nëse më thirrët nga varri me shpresë se do të merrni nga unë përgjigjet më të mira, do të mbeteni i zhgënjyer, por nëse këtë e bëtë që të jeni në shoqërinë time ndërsa kërkojmë së bashku përgjigje për këto çështje, atëherë mendoj se mund t’ju jem i dobishëm, sidomos me të qeshurën time. Të paktën e qeshura duket se ka mbijetuar më mirë se sa eshtrat e mia.

Hmm! Jo rrallë, edhe sot, njerëzit përdorin shprehjen le rire de Voltaire, si një formë e qeshure sarkastike për të çarmatosur kundërshtarin, ose për të venë në dukje një absurditet. Është e qeshura me të cilën ju vinit në lojë dogmat, fanatizmin, hipokrizinë, priftërinjtë dhe mbretërit. Por, më thoni, ju lutem, cila është përshtypja juaj e parë nga kjo botë moderne?

Volter: E njëjta si për çdo shekull: shumë njerëz flasin me zë të lartë dhe bërtasin, pak njerëz mendojnë. Përveçse tani ata u flasin disa pasqyrave të vogla që i mbajnë tërë kohën në duar, ose ngjitur pas veshëve.

I quajmë smartphone, në frëngjisht le portable. Mund të flasësh ose të komunikosh me shkrim, aty për aty, me këdo, kudo në botë.

Volter: Nëse është kështu, atëherë besoj se numri i budallenjve është shumëfishuar po aq sa edhe fjalët e tyre. Unë jetova në një kohë kur ndriçoheshim me qirinj dhe fenerë; ju jetoni në një epokë të elektricitetit dhe të internetit. Megjithatë, nëse harroni arsyen, nëse nuk e kultivoni atë, do ta gjeni veten përsëri në errësirë. Tani ju flisni me njëri-tjetrin nga përtej oqeanit sikur të jetonit në të njëjtin fshat por, megjithatë, shumë njerëz mbeten të lidhur si skllevër në mendjet e tyre pas idhujve të rinj. E quani progres këtë? Unë shoh të njëjtat besëtytni e paragjykime të vjetra të veshura për një kohë të re. Janë këto les réseaux sociaux për të cilat kam dëgjuar?

Po. Rrjete sociale. Kushdo ka, ose mund të ketë një platformë dhe të ndajë me të tjerët opinionet e veta, çdo lloj informacioni, një krijim artistik, por edhe gënjeshtra, marrëzi dhe shpifje pa fund.

VolterC’est magnifique! Në kohën time duhej të kishe një shtypshkronjë dhe dëshirë të vdisje. Sot mjafton vetëm një gisht. Nëse më pyesni se çfarë mendoj për rrjetet sociale dhe për mediat sociale, për të cilat gjithashtu kam dëgjuar, mund të them se janë një shpikje e përsosur—një “sallon”, në të cilin kushdo flet, askush nuk dëgjon dhe reputacioni i çdokujt mund të shkatërrohet në çast. Unë shoh se njerëzit sot u besojnë këtyre mjeteve që mbajnë në duar më shumë se sa besimtarët në kohën time priftërinjve dhe librave të shenjtë.

Por interneti sot i lidh njerëzit kudo që janë dhe përmes tij mund të marrësh në çast informacion për çdo gjë.

Volter: Një enciklopedi në çdo xhep. Nuk e di se çdo të kishin bërë Didëroi dhe d’Alamberi nga gëzimi. Kjo do të ishte përmbushja e ëndrrës së tyre më të madhe. Por, më thoni ju lutem, a e përdorin njerëzit këtë mrekulli për të zhvilluar arsyen e tyre?

Disa. Ndonjëherë. Por jo shumica dhe jo gjithnjë. Shumica e përdorin më shpesh për thashetheme, për sulme personale, për teori konspirative dhe për cat videos, nëse keni dëgjuar për to, video nga jetët e tyre të përditshme që i ngarkojnë në platforma të ndryshme të medias sociale, si YouTubeFacebook apo Instagram. Në Francë përdorin të njëjtat fjalë për to, të huazuara nga anglishtja, por shpesh në formë të shkurtuar: YT, le Face or FB, apo Insta.

Volter: Me sa shoh, njerëzimi e ka perfeksionuar artin e shpërqendrimit. Në kohën time njerëzit humbitnin vetëm mbrëmjet, sot humbasin tërë kohën. Veç kësaj, edhe pse njerëzit nuk kanë qenë kurrë kaq shumë të lidhur me njëri-tjetrin sa janë sot, ata as nuk janë keqkuptuar mes tyre kaq lehtë dhe kaq shpejt sa sot.

Ju thashë më parë, Maître, se unë vij në këtë takim me ju si një studiues i jetës së shoqërisë, ose, më saktë, si një nxënës që kërkon të mësojë nga mençuria juaj. Nuk kam përgjigje, kam vetëm pyetje dhe shpresoj që ju të mos bezdiseni prej tyre. Më shihni, pra, si një student nga distanca e shekujve, i etur për të mësuar nga ju. Dhe nëse mund t’ju dukem kurajoz apo i guximshëm në këtë bashkëbisedim, kuptoni, ju lutem, se kjo vjen nga që jetoj në shekullin e 21-të, kur budallallëku dhe supersticioni gjenden me bollëk,  pra në një botë ku ju mund të ndiheni si në shtëpinë tuaj.

Volter: Në të vërtetë, në kaq pak orë sa jam këtu, kështu po ndihem. Njerëzimi duket se nuk ka hequr dorë nga venerimi i idhujve. U jepni atyre emra të tjerë, rikonstruktoni burgjet dhe këtë e quani progres. Po, progres. Iluzioni i përhershëm. Njerëzit ngrenë ndërtesa më të larta, por në themel të tyre sërish qëndrojnë paragjykimet. Derisa këto të fundit të çrrënjosen, pamja që ofrojnë këto ndërtesa s’është veçse një marrëzi më e lartë. Por ju po më përkëdhelni sedrën duke më quajtur mjeshtër, pa e ditur, ndoshta, se ç’barrë të rëndë më ngarkoni mbi supe. Nuk dua që t’ju zhgënjej. Unë kurrë nuk i kam mësuar askujt asgjë të sigurt, veç dyshimit. Mësimi i vetëm që u jap njerëzve është se dyshimi është fillimi i çdo mendimi. Nëse e keni mësuar këtë, ia keni dalë mbanë. Klasa ka mbaruar. Sa për pyetjet, besoj jeni i një mendjeje me mua se ato janë gjithnjë një shoqëri më e mirë sesa përgjigjet. Prej tyre nuk bezdisem kurrë, janë përgjigjet ato që më bezdisin. Dhe kurrë mos kërkoni ndjesë për pyetjet që bëni, vetëm për përgjigjet që jepni. Përgjigjet, nëse i di ato dhe, sidomos, nëse je i sigurt për to, të bëjnë dembel dhe ta trashin mendjen, ndërsa pyetjet ta mbajnë mendjen gjallë e në lëvizje. Unë gjithnjë i gjykoj njerëzit nga pyetjet që bëjnë, jo nga përgjigjet që japin.

Monsieur de Voltaire, Apôtre du doute (apostull i dyshimit), nëse më lejoni t’ju quaj kështu…

Volter: Një apostull? Atëherë unë duhet të kem kishën time të heretikëve, edhe pse ajo do të shembej nga grindjet më parë sesa të vihej çatia.

Atëherë, më lejoni t’ju drejtohem me fjalët cher Voltaire

Volter: I dashur? Më në fund, përveç mon cher ange, Émili, ja dhe një tjetër që mendon se mund të jem një njeriu i dashur, edhe pse vetëm nga një distancë e sigurt (buzëqesh).

Më konsideroni një nxënës të dyshimit, ose një bashkudhëtar tuajin në rrugën e dyshimit. Unë nuk di asgjë, por dëshiroj të mësoj se si të mos besoj çdo gjë. Kurrë nuk pretendoj se jam i sigurt në ato që di. Prej jush kam mësuar t’i çmoj ata njerëz që kërkojnë të vërtetën, por edhe të ruhem nga ata që thonë se e kanë zbuluar, ose e dinë atë.

Volter: Saktë! Të dyshuarit, sigurisht, është një gjendje e pakëndshme, por të qenit gjithnjë dhe për çdo gjë i sigurt është një gjendje qesharake.

Le të themi, pra, se unë jam mikpritësi juaj modest në Parisin tuaj dhe ju një vizitor i nderuar në këtë qytet që kaq shumë i ka dhënë kulturës së njerëzimit, filozofi mendjendritur, nga i cili dua të mësoj. Unë jam publiku, ju jeni mendja që i flet atij. Unë me dëshirë zgjedh këtë mbrëmje të bëhem një target i mendimit tuaj, ju shigjeta që qëllon mbi këtë target.

Volter: Një student i mirë është ai, i cili, kështu si ju, nuk fillon duke pretenduar se është i ditur. Kjo është kryesorja. Ndërsa të pranosh me dëshirë të bëhesh një target, kjo, në kohën time, por besoj edhe sot, ishte një luks mjaft i rrallë. Mos kini frikë, unë vetëm përpiqem të provoj se jeni i gjallë. Le të jemi bashkudhëtarë në kontradiktë.

Ose, nëse ju vjen më mbarë, mendoni se para jush keni një bartës të budallallëkut. Kjo, jam i sigurt, do ju bëjë ta nisni me dëshirë këtë bisedë.

Volter: “Ha, ha! Në atë rast do më duhet të merrem gjatë me ju. Dakord. Veçse duhet të më shpërbleni me një të qeshur.

Shoh se nuk keni ndryshuar aspak nga Volteri që kam njohur përmes leximeve të mia.

Volter: Atëherë as njerëzimi nuk ka ndryshuar. Ja, më thoni, miku im i shekullit të 21-të, a ka shpëtuar sot bota përfundimisht nga fanatizmi dhe fanatikët? Nga predikimet e priftërinjve, të imamëve e të rabinëve? A e kanë kuptuar njerëzit më në fund se një ligj i mirë vlen më shumë se sa një predikim i gjatë?

Sigurisht që jo. Edhe pse kishat nuk i djegin më heretikët e tyre, as librat e filozofëve e të shkencëtarëve dhe, në shumë vende të përparuara, njerëzit sot gëzojnë të drejta dhe liri që ishin të panjohura në kohën tuaj, fanatizmi, në forma nga më të ndryshmet, vazhdon të ekzistojë.

Volter: E shihni, pra? Fanatizmi është ai bar i keq në kopshtin e njerëzimit që nuk shkulet lehtë. Ai mbin e lulëzon në çdo parcelë tokë ku gjen injorancë dhe ushqehet me gjak. Inkuizicioni është ndaluar. Bravo! Por dyshoj se inkuizitorë të rinj, të veshur ndryshe dhe me emra të tjerë, i keni ende midis jush.

  •  
❌