Reading view

Konspiracioni mbi “komplotin idiotesk” të shkarkimit kushtetues që bëri Erion Veliaj

Nga Hermes Kafexhiu

Të vjen për të qeshur se si media ndërton përralla me mbret mbi vendimin e djeshëm të Erion Veliajt. Edhe po ajo media me dy standarde që hesht për mullarin që ndriçon vërdallë dhe zgjohet sa herë që Veliaj bën ndonjë lëvizje.

Është shumë e thjeshtë, nuk e duan të lirë. Nuk e duan të lirë me arsye, po dhe pa arsye, vetëm se e urrejnë edhe këtë palën e dytë unë nuk mundem dot ta kalkuloj.

I irriton më shumë Veliaj ndonjëherë më shumë se një kriminel i provuar.

Gjithë gjuha linçuese buron dhe sponsorizohet nga fryma që dosjet e SPAK-ut lëshohen si pamflete rozë në media dhe pikërisht kjo strukturë barrikaduese reagon dhe ndaj këtij vendimi.

Sajon komplotin, konspiracionin dhe mbi të gjitha telenovelën e armiqësive.

E gjitha bëhet për të hequr vëmendjen nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese që vendos mandatin e qytetarëve përballë faktit se akuza nuk ka proporcionalitet.

Ky është debati real, që Tirana është drejtuar tërësisht në raport me pasojat antikushtetuese pas arrestimit të Veliajt.

Kjo është gjithë e vërteta që kërkon të hiqet nga vëmendja me arsyetimet imagjinare për komplote, konspiracione, mesazhe, prapaskena e lloj-lloj insinuatash, të cilat ndërtojnë një retorikë ku publiku gjen atë epshin e kënaqësisë së telenovelës mbi gjyqin popullor.

Pikërisht këtu qëndron thelbi i asaj që ndodhi dje.

Nuk kemi përpara një histori me komplote, mesazhe të fshehta dhe armiqësi personale. Kemi një vendim institucional, i cili duhet lexuar në raport me një fakt shumë më të madh, vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe pasojat e tij mbi funksionimin e Bashkisë së Tiranës.

Ajo që nuk mund të bësh është ta zëvendësosh debatin juridik me një telenovelë.

Ky është debati që duhet të bëjë media. Ky është debati që duhet të bëjë politika. Ky është debati që duhet t’i interesojë qytetarit.

Kushtetuta është vendosur në mes të kësaj historie, atëherë Kushtetuta nuk mund të përdoret vetëm si dekor në tituj lajmesh. Ajo duhet të jetë pikënisja dhe fundi i debatit.

Prandaj gjithë kjo zhurmë për “komplotin Veliaj-Ristani”, për luftën e brendshme, për mesazhet dhe prapaskenat është, në rastin më të mirë, një shpërqendrim dhe, në rastin më të keq, një mënyrë për t’i ikur pyetjes që nuk është aspak komode, a po respektohet realisht mandati i qytetarëve të Tiranës dhe çfarë pasojash ka pasur mbi të gjithë kjo histori?

Mund të diskutohet vendimi i Veliajt. Mund të kritikohet. Mund të kundërshtohet. Por ai duhet të diskutohet në gjuhën e ligjit, të institucioneve dhe të Kushtetutës, jo në gjuhën e konspiracionit.

Në lojë është parimi nëse mandati i qytetarëve ka vlerë edhe kur personi që e ka marrë atë mandat nuk u pëlqen disave.

Nëse përgjigjja është po, atëherë gjithë kjo zhurmë duhet të marrë fund aty ku duhet të fillojë debati i vërtetë, te Kushtetuta.

Qytetarët e Tiranës nuk kanë votuar për një telenovelë. Kanë votuar për një kryetar bashkie.

Demokracia nuk mund të zëvendësojë votën me narrativën, mandatin me insinuatën dhe Kushtetutën me gjyqin popullor. Kjo është çështja. Gjithçka tjetër është zhurmë.

  •  

Të besosh të pabesueshmen

Nga Leonidha Mërtiri
Pardje, kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, pohoi se nga informacionet që zotëronte, veprimtari hibride të dy shteteve të rajonit tonë, synojnë, sipas tij, të destabilizojnë shtetin e Malit të Zi. Emrat e këtyre vendeve nuk u përmendën. Flakë për flakë me deklaratën e Spajiçit, media malazeze “Vijesti” bën të njohur, sikundër thotë, nga burime, të cilat, megjithatë, nuk përcaktohen, se, këto vende janë Shqipëria dhe Serbia, që, siç ilustron përmes deklaratës kryeministri Spajiç, veprimtaria e tyre shoqërohet me veprime të koordinuara. Veprime të koordinuara dhe me kë? Me Serbinë(!)

Por Spajiç, teksa flet për urët e këtij zjarri, premton se këto përpjekje nuk do ta ndryshojnë kursin e këtij vendi dhe nuk do ta ndalin atë në rrugën e Bashkimit Europian. Presidenti i Malit të Zi ka thirrur pas kësaj mbledhjen e Këshillit të Mbrojtjes të hënën që vjen. Media malazeze është në qendër të kësaj loje, pasi kryeministri, dashur, padashur u dha viston atyre të spekullojnë më tej. Por, ç’po ndodh pas kësaj? Mediat vazhdojnë të zhurmojnë dhe të përplasen midis tyre. Gazeta tjetër “Dan” e zëvendëson Shqipërinë me Kroacinë në këtë mishmash të krijuar. Loja e kungulleshkave i zgjeron përmasat e veta. Paragjykimet mbeten përsëri.

Dyshimet apo akuzat e ngritura, që normalisht bëhen shqetësime, kërkohet të shtrihen litarë, që arkitektët e tyre t’ia kenë arritur modelit të thirrur. Qëllimi është i qartë: Të besohet e pabesueshmja. Ministria Shqiptare e Europës dhe Punëve të Jashtme, nëpërmjet kryediplomatit të saj, reagoi menjëherë, duke hedhur poshtë çdo insinuatë, të gatuar nga kushdoqoftë, për përfshirje të Shqipërisë në destabilizimin e Malit të Zi. Shqipëria, pjesë e skenarëve destabilizues ndaj vendit fqinj dhe mik të saj?!  O tempora, o mores! A mund ta besonte dhe ta besojë njeri këtë?

Koha flet kthjellët. Realiteti shpreh të kundërtën. Anëtarësimi i Malit të Zi në Aleancën e Atlantikut të Veriut, në qershor të vitit 2017, si anëtar i 29-të, kaloi jo pa vështirësi të njohura për të, përmes sfidash. Ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë së saj në vitin 2006. Kërcënimet ruse bëheshin të shpeshta përballë vendosmërisë së këtij vendi për t’iu bashkuar NATO-s. Ato patën mbështetje edhe forcat proserbe brenda kësaj republike të vogël, por dhe Kishën Ortodokse Serbe. Ndaj dhe ish kreu i Aleancës, në prag të pranimit të Malit të Zi, do të pohonte se NATO ishte në dijeni të ndikimit të rritur rus në Ballkan dhe intervenimit në proceset politike në Malin e Zi.

Parlamenti i Shqipërisë, me ratifikimin e Protokollit për anëtarësimin e vendit fqinj në Aleancën e Atlantikut të Veriut, ndër vendet e para firmosi për këtë anëtarësim.

I njëjti skenar, por me formate të ndryshëm dhe tani për të penguar anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Marrëdhëniet e partneritetit, të miqësisë midis dy vendeve nuk kanë shumë nevojë për komente:

Popujt e të dy vendeve lëvizin lirisht te njëri-tjetri, me kartë identiteti, sikurse qarkullimi i mallrave. Është shtuar numri i pikave kufitare, i cili nuk shihet si më  parë si rrezik, por për lehtësi të  bashkëpunimit ndërkufitar. Flet pa ngërçe forcimi i bashkëpunimit ekonomik në fusha të ndryshme, si në energjitikë, turizëm, në transportin detar, shkëmbimet në fushën e kulturës, arsimit. Takimet e përbashkëta midis dy qeverive, jo vetëm i kanë afruar ato me njëra tjetrën, por marrëdhëniet i ka bërë më solide, që ato të mos helmatisen dhe besimi të jetë i ndërsjelltë, kundër hijeve që faniten.

Shqiptarët që jetojnë në Mal të Zi, i kanë kontribuar dhe i kontribuojnë forcimit të shtetit malazez. Një urë tepër e rëndësishme në marrëdhëniet midis dy vendeve. Integrimi i këtyre të fundit në Bashkimin Europian, ku pritet anëtarësimi i shpejtë i tyre, do t’i japë më shumë frymë këtij partneriteti, forcimit të mëtejshëm të stabilitetit në rajonin tonë. Kështu dhe skenarët e përgatitur në dhoma të errta apo me dritë do të shfaqen edhe në të ardhmen, por e pabesueshmja, dhe me ndonjë gjurmë që mbetet diku, zor se bëhet e besueshme. Pavarësisht dhe atyre mediave që u rrinë pranë.
  •  

Del e vërteta për supermakinat dhe jahtin e Andrew Tate, avokatët thonë se nuk ishin në pronësi të tij –


Influenceri kontrovers Andrew Tate ka ekzagjeruar pasurinë dhe stilin e tij të jetesës në rrjetet sociale, ndërsa disa prej makinave luksoze dhe një jaht me vlerë 50 milionë dollarë të shfaqura në postimet e tij nuk kanë qenë në pronësi të tij. Pretendimi është bërë nga përfaqësuesit e tij ligjorë në një parashtresë drejtuar një gjykate në Florida.

Andrew Tate dhe vëllai i tij, Tristan, ndodhen në paraburgim në Florida, ndërsa kërkojnë lirimin me kusht dhe presin përfundimin e procedurave të ekstradimit drejt Britanisë së Madhe.

Dy vëllezërit u arrestuan muajin e kaluar, pasi prokurorët britanikë ngritën 38 akuza të reja ndaj tyre, përfshirë akuza për përdhunim dhe vepra të lidhura me trafikimin seksual. Të dy i mohojnë akuzat.

Prokurorët kanë argumentuar se vëllezërit përbëjnë rrezik për arratisje, duke iu referuar deklaratave të tyre publike për pasurinë, ndikimin dhe mundësinë për të përdorur identitete të ndryshme.

Avokatët e Tate, megjithatë, kanë paraqitur një version tjetër të pasurisë së tij. Sipas tyre, imazhi i një jete jashtëzakonisht të pasur i shfaqur në rrjetet sociale ka qenë pjesë e një strategjie për të tërhequr vëmendje, për të rritur audiencën dhe për të gjeneruar të ardhura.

Në dokumentet drejtuar gjykatës, ata pretendojnë se jahti luksoz i përmendur nga prokurorët nuk ishte në pronësi të vëllezërve Tate. Sipas mbrojtjes, ata ishin paguar për ta promovuar atë.

Të njëjtin argument avokatët e përdorin edhe për disa prej automjeteve luksoze që shfaqeshin në përmbajtjet e Tate. Një Aston Martin dhe makina Bugatti, sipas tyre, ishin marrë me qira dhe nuk përbënin pjesë të pasurisë së tij personale.

Mbrojtja pretendon gjithashtu se një pjesë e deklaratave të ekzagjeruara për pasurinë ishte përdorur për efekt komik dhe për të ndërtuar personazhin publik të influencerit.

Andrew Tate u bë i njohur fillimisht pas pjesëmarrjes në versionin britanik të “Big Brother” në vitin 2016. Ish-kickbokseri më pas ndërtoi një audiencë prej miliona ndjekësish në rrjetet sociale, kryesisht përmes videove ku promovonte një stil jetese të lidhur me makina të shtrenjta, udhëtime dhe pasuri të mëdha.

Aktualisht, Andrew dhe Tristan Tate përballen me gjithsej 59 akuza për vepra të dyshuara që lidhen me periudhën nga korriku 2010 deri në gusht 2017. Të dy vëllezërit i mohojnë akuzat.

  •  

Trump paralajmëron tarifa 50% për makinat dhe çelikun nga 1 janari 2027 pas dështimit të bisedimeve me Kanadanë –


Tarifat e SHBA-së për të gjitha makinat, kamionët, pjesët e automjeteve dhe çelikun do të rriten në 50% duke filluar nga 1 janari 2027, njoftoi Presidenti i SHBA-së Donald Trump në një postim në Twitter të hënën, pasi bisedimet tregtare me Kanadanë dështuan.

“Prodhoni në SHBA dhe do të keni zero tarifa. Kanadaja nuk do të trajtohet më sikur të ishte një shtet i SHBA-së!”, shkroi Trump.

“Në tregti, por edhe në fusha të tjera, ato janë ndër kombet më të vështira në botë për të bërë biznes. Ata e marrin gjithçka si të mirëqenë, e megjithatë: Ne nuk kemi nevojë për Kanadanë, ata kanë nevojë për ne”, ka vijuar më tej Trump.

Të dy vendet nuk arritën një marrëveshje tregtare të premten vonë, me secilën palë që fajësoi tjetrën, ndërsa Kanadaja përgatiti tarifa për disa produkte amerikane në hakmarrje për tarifat prej 50% të Trump për mallra të tjera kanadeze.

Megjithatë, drejtuesit e industrisë së automobilave, duke folur në kushte anonimiteti, shprehën skepticizëm në lidhje me kërcënimin e Trump, duke vënë në dukje se presidenti amerikan ka njoftuar më parë tarifa të larta që nuk u zbatuan kurrë dhe se çdo tarifë e asaj madhësie ka të ngjarë të shkaktojë hakmarrje masive kanadeze.

Ata gjithashtu theksuan se janari është ende disa muaj larg pas zgjedhjeve të mesit të mandatit të nëntorit, dhe se kërcënimi i Trump mund të ketë për qëllim rifillimin e negociatave.

  •  

Tejkalimi i afateve bjerr besimin te drejtësia e re

Nga Zylyftar Bregu

Dosja “Beqja” veç të tjerave, tregoi se edhe drejtësia e re po demonstron të njëjtat shenja si ajo e vjetra: Një person me dy procese të ndara në të njëjtën strukturë të posaçme (SPAK dhe GJKKO), i akuzuar për grup të strukturuar kriminal, por gjykohet në procese të ndara nga bashkëpunëtorët e tij. Pas 25 muajsh në qeli, gjykata detyrohet ta lirojë, pa mbaruar gjyqi në themel.

Ndërsa pritet që gjykata të japë verdiktin për fajësinë e të arresturëve të rëndësishëm, ata po i rikthehen lirisë me truket proceduriale. Kjo situatë e vendos SPAK në pozitë të vështirë para opinionit publik. Duket se arrestimet më së shumti janë bërë për të “shuar urinë” e opinionit publik që besonte tek pafuqia e sturkturave të drejtësisë për të hetuar të paprekshmit. Si pasojë e të parës, të realizohet edhe “gjyqi publik”, në disa raste edhe me vetë materialet që SPAK ose GJKKO ka rrjedh për gazetarët.

Gjyqi publik sigurisht që zhvillohet më shpejt se sa gjyqi penal, por 25 muaj janë të mjaftueshme për të përfunduar edhe gjyqin penal e për të vendosur pikën mbi i për fajësinë ose pafajësinë e të akuzuarit.

Me të njëjtën logjikë që u zhvillua gjyqi publik për fajësinë e Beqes, qysh në momentin e arrestimit në 4 korrik 2024, ka nisur “amnistia” e tij në datën 31 korrik 2026, kur gjykata e nxori nga burgu “për shuarje të masës së sigurisë”. Opinioni publik nuk e ndërton narrativën e tij me logjikën e Kodit të Procedurës Penale.

Në fakt rasti i Ministrit të Shëndetësisë nuk është i vetmi që tregon se rezultatet e drejtësisë së re nuk janë ato që priteshin. Edhe të akuzuarit për dosjen “Llogaraja” ku është e implikuar edhe zëvendëskryeministrja Balluku, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi shpëtuan nga izolimi shtëpiak për t’ju rikthyer jetës normale, me detyrimin për t’u paraqitur një herë në muaj tek oficerët e BKH-së. Arsyeja është e njëjtë: Hetimi ose gjykimi nuk kanë përfunduar brenda kohës që parashikon kodi i procedurës penale në Shqipëri.

SPAK-u dhe GJKKO-ja kanë detyrimin të demonstrojnë para pritshmërive të opinionit publik shqiptar, të paktën një proces gjyqësor model. Në këtë mënyrë GJKKO-ja, respekton edhe nenin 342 të Kodit të Procedurës Penale i cili thotë se gjykimi duhet të kryhet i pandërprerë. Nga kalendari i deritanishëm, sidomos për çështjet me interes të lartë publik, periodiciteti i seancave në GJKKO, i kapërcen hapësirat një mujore nga njëra tek tjetra.

Dosjet e hapura nga struktura e posaçme janë të një interesi të lartë publik dhe zvarritja e tyre “ushqen” bindjen e rrënjosur se pavarësisht propagandës për drejtësinë e re asgjë nuk ka ndryshuar.

Në të gjithë botën njihet angazhimi i strukturave të hetimit dhe gjykimit për rastet me interes të lartë publik.

Gjyqi ndaj Marine Le Pen, nisi në 30 shtator 2024 dhe përfundoi më 31 mars 2025 (ishin mbi 20 të pandehur). Por procesi dhe vendimi kualifikohej si shumë i rëndësishëm nga opinion publik, sepse ndikonte drejtpërdrejtë në mundësinë e Le Pen për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale në Francë.

Ndërsa hetimi dhe gjykimi i punonjësit të policisë në SHBA, Derek Chauvin, i cili vrau 46 vjeçarin George Floyd, më 25 maj 2020, zgjati vetëm tre javë. Edhe në këtë rast sjellja e strukturave të drejtësisë ishte vendimtare për sigurinë publike të SHBA-së.

Arsyet se përse arrestimet e bujshme të zyrtarëve të lartë në Shqipëri shfryhen si tullumbacet mund të jenë të shumta, të natyrave objektive dhe subjektive. Por, disa prej tyre (të artikuluara herë pas here) tashmë duket se janë vërtetuar.

Në disa raste SPAK-u dhe GJKKO-ja janë nxituar në arrestimet pa prova të mjaftueshme. Madje këto prova nuk arrijnë ti sigurojnë as gjatë kohës së hetimeve. Arrestimi dhe mbajtja në paraburgim për 7 muaj e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së, Thoma Gëllçi është rasti më kuptimplotë i kësaj praktike. Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut e ka konsideruar se arrestimi është kryer pa prova të mjaftueshme. Thoma Gëllçi ka fituar pafajësinë.

Komoditeti që SPAK-u i krijon vetes për të punuar qetë me të dyshuarin në paraburgim do të justifikohej nëse provat do të siguroheshin, madje brenda afateve ligjore, por rastet po tregojnë që “qetësia” e SPAK-ut shkon përtej këtyre afateve. As gjykata që duhet të kontrollojë ecurinë e hetimeve, nuk e prish “rehatinë” e SPAK-ut.

Në disa raste arrestimet kryhen me shpresën se provat do të vijnë nga shtetet ku është shtrirë veprimtaria kriminale e të dyshuarit. Por, edhe nëse kjo është e vërtetë, mbase do të ishte mirë që edhe arrestimet të realizohen pasi të vijnë provat. Strukturat e posaçme nuk mund të ecin sipas parimit “peshku në det e tigani në zjarr”.

Nëse arrestimet kanë qenë të nxituara dhe rezultatet e hetimeve përgjatë kohës së paraburgimit nuk kanë qenë atë që priteshin, “shuarja” e masave të sigurisë duket si një “reflektim pendues” për nxitimin e vendimit të arrestimit.

Për të gjitha këto dinamika duket se më shumë se sa tek SPAK-u, “topi është në duart e GJKKO-së”, e cila ka detyrimin procedurial për të kontrolluar cilësinë e hetimeve në çdo fazë të tij. Gjykata nuk mund të mjaftohet duke evidentuar shuarjen e masave të sigurisë, pa reflektuar për rrethanat që çuan aty. Nëse nuk kontrollojnë dot strukturën hetimore, do të vërtetojnë se jemi në ‘republikën e prokurorëve’.

  •  

Për ata që thonë se Erion Veliaj i është shmangur procesit në GJKKO

Nga Hermes Kafexhiu

Qarkullon një fjali që tingëllon si përfundim i dhënë, Erion Veliaj i është shmangur procesit në GJKKO.

E para Erion Veliaj po të donte t’i shmangej kishte zgjedhur të arratisej dhe jo të bënte tre procese njëkohësisht, procesin në GJKKO, procesin me Dadon në Administrative dhe procesin e ri dhe më interesant që pritet të vijojë mbi atë që fshihet pas denoncuesit anonim Nesti Angoni.

Por çfarë do të thotë realisht kjo?

Veliaj nuk është shmangur nga procesi. Ai dhe mbrojtja e tij kanë zgjedhur të kundërshtojnë disa nga premisat juridike mbi të cilat ai proces është ngritur, duke ngritur pikëpyetje mbi konfliktin e interesit, legjitimitetin e autoritetit që ka ushtruar ndjekjen penale dhe standardet e ndryshme që, sipas tyre, janë përdorur në çështjen e tij.

Mund të jesh dakord ose jo me këto pretendime. Mund të mendosh se gjykata duhet t’i rrëzojë. Por është e pasaktë që kundërshtimi i legjitimitetit të një procesi të barazohet automatikisht me shmangien e tij.

Në fund të fundit, pyetja është shumë e thjeshtë, nëse një i pandehur pretendon se personi që ushtron pushtetin penal ndaj tij nuk e ka fituar atë pushtet në përputhje me ligjin, a ka të drejtë gjykata ta shqyrtojë këtë pretendim?

Pikërisht këtu vlen, si një ilustrim dhe jo si krahasim një për një, edhe rasti amerikan i John Sarcone, për të cilin raportoi Bloomberg Law e cituar nga avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, në rrjetet e tij sociale. Një gjykatë federale amerikane shqyrtoi jo fajësinë e personit që po hetohej, por ligjshmërinë e titullit mbi të cilin një prokuror ushtronte kompetencat e tij. Kur autoriteti u konsiderua i paligjshëm, edhe ushtrimi i atij pushteti u ndal.

Kjo nuk do të thotë se çështja amerikane dhe ajo e Veliajt janë të njëjta. Nuk janë.

Tregon një parim të thjeshtë:

Para se të pyesësh nëse dikush duhet të dënohet, shteti duhet të jetë në gjendje të provojë se pushteti që po kërkon ta dënojë është ushtruar në përputhje me ligjin.

Prandaj, debati nuk është nëse Erion Veliaj duhet t’i përgjigjet drejtësisë. Patjetër që duhet.

Debati është nëse, përpara se t’i kërkohet të përballet me pasojat e një procesi penal, ai ka të drejtë të kundërshtojë ligjërisht vetë bazën mbi të cilën ai proces po zhvillohet.

Të thuash këtë nuk do të thotë të shpallësh Veliajn të pafajshëm.

Do të thotë vetëm të mos e quash “shmangie nga drejtësia” çdo përpjekje për të kërkuar drejtësi brenda vetë sistemit.

Shteti i së drejtës nuk matet vetëm me faktin që një person vihet në gjyq.

Ndaj unë i qëndroj asaj që kam thënë në krye të herës se po mos të ishte Veliaj, prokuroria speciale dhe gjykata speciale do ishin mite ende të forta në këtë vend, ndërkohë që nga ky proces kanë dalë disa pankina politike me skenar që i përkasin një disktumi tjetër. Veliaj i dha publikut betejën politike të munguar me drejtësinë duke e treguar se gjyqet popullore mund ta kenë të fortë zhurmën por jo të vërtetën.

Nga ana tjetër ky proces matet edhe me pyetjen nëse procesi ndaj tij është ngritur mbi autoritet, rregulla dhe standarde që vlejnë njësoj për të gjithë.

  •  

Nuk është thjesht çështje protokolli

Nga Leonidha Mërtiri

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Cristijan Mickoski ishte këto ditë në Pustec, për të marrë pjesë në një aktivitet të kësaj zone. Në hapje të ceremonisë, ndërsa himni maqedonas u ekzekutua, himni ynë kombëtar, i cili njihet dhe si himn i flamurit, mbeti i përjashtuar.

Si mund të ndodhte kështu? Simbolet kombëtare personifikojnë historinë, kulturën e një vendi. Në reagimin e Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme nënvizohet qartë: Respekti për simbolet kombëtare në Pustec është pjesë e respektit për qytetarët, bashkëjetesën demokratike, si një element i rëndësishëm i fqinjësisë së mirë dhe marrëdhënieve të shëndosha mes dy vendeve.

Po përse nuk u ekzekutua himni ynë? Sepse paragjykimet e së djeshmes, të njohura tashmë, në forma të ndryshme rrinë zgjuar ndën hi dhe nxjerrin krye dhe trup në momente të veçanta, edhe pse marrëdhëniet dypalëshe është dashur të kalojnë përmes vështirësish të shumta. Janë këto nacionalizma ekstreme apo delire antishqiptare që kërkojnë të toksikojnë ecurinë e këtij bashkëpunimi në rrugën e përbashkët të anëtarësimit në Bashkimin Europian, që mbrojnë ngjyrat e diskriminimit etnik, kundër bashkëjetesës.

Ajo çka ndodhi në Pustec, mendoj se nuk është padije e protokollit. Është hera e dytë që ndodh e njëjta gjë, sikurse ka ndodhur dhe më parë me grisje të flamurit apo me parrulla kundër shqiptarëve. Pavarësisht bashkëpunimit të mirë me fqinjët tanë, me këta të fundit nuk mund të mjaftohemi me një deklaratë. E themi këtë se nuk është rastësi, por dhe as të dëgjojmë parafabrikatin e hershëm se “ka elementë që nuk e shikojnë me sy të mirë mbarëvajtjen e bashkëpunimit tonë me Shqipërinë”. Mirëpo, vizita kryesohej nga kryeministri i vendit që është dhe kryetar i partisë VMRO-DPMNE, të cilën ai e drejton prej nëntë vjetësh, pas largimit të Nikola Gruevskit. Kjo parti është e njohur për historinë e saj antishqiptare, qysh nga themelimi, në 1990.

Ana tjetër. Kryeministria ka një department protokolli, Ministria e Jashtme gjithashtu ka një Drejtori të Protokollit Diplomatik që paraprijnë me programin për vizitën e Kryeministrit, pas një komunikimi të përbashkët me palën pritëse. Gjithçka është e qartë. Atëherë çështje harrese? Sikurse nuk duhet dhe ne ta shtyjmë në harresë. Fjala nuk është kurrsesi për të krijuar tensione, por dhe as për ta reduktuar reagimin në një deklaratë. E themi këtë se nga pala maqedone vazhdon të heshtet. Heshtja nuk është reagim, por udhë për të ecur më tej me lehtësi qëndrime të tilla.

Me sa duket, hijet antishqiptare, sidomos të VMRO-DPMNE-së qëndrojnë, megjithatë, të gatshme të shfaqen në forma të ndryshme si në Pustec. Shqipëria u kushton vëmendje të veçantë marrëdhënieve me fqinjët, sikurse në këtë rast me Maqedoninë e Veriut. Historia e marrëdhënieve tona dypalëshe është dëshmitarja më e mirë. Shpallja e pavarësisë së Maqedonisë së Veriut pas divorcit me Beogradin kërkonte forcimin e bashkëpunimit me fqinjët. Dhe, siç deklaronte në ato vite Ministria e Informacionit të shtetit të ri maqedonas, “Maqedonisë i mbetet në afat sa më të shkurtër të shqyrtojë interesat e veta dhe nevojat për bashkëpunim me fqinjin tonë perëndimor, Shqipërinë dhe të reagojë me kohë në këtë drejtim”. Për këtë qëllim u shpejtua vizita zyrtare në vendin tonë e një delegacioni qeveritar, kryesuar nga kryeministri  Nikolla Klusev, e cila u mbyll me vizitën e tij po në Pustecin që po flasim sot.

Ishim nga vendet e para që e njohëm shtetin e Maqedonisë së Veriut dhe kur u bllokua nga të tjerët, sidomos për daljen në det, Shqipëria i krijoi gjithë lehtësitë përmes portit të Durrësit, me dëshirën e vazhdueshme për bashkëpunim të gjithanshëm. Shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut janë të përkushtuar për shtetin e tyre. Por ky përkushtim nuk mund të jetë i njëanshëm.

Anatemimi i përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe dhe izma të tjera nuk mund të mos vlerësohen seriozisht nga qeveria e Mickoskit, për të ruajtur Marrëveshjen e Ohrit, nënshkruar 25 vite më parë, që i dha ndër të tjera, legjitimitetin rritjes së të drejtave të shqiptarëve, si zyrtarizimi i gjuhës shqipe, çështje që lidhen me arsimin, simbolet e të tjera. Pra, për një vizion të përbashkët për të sotmen dhe të nesërmen, për t’u mbyllur derën tensioneve etnike, që ato të mos nxiten apo të hyjnë nga dritarja.

  •  

Të paktën 14 të vrarë pas një sulmi rus ndaj një qendre tregtare në Ukrainë –


Sulmet ruse me dronë goditën një qendër të frekuentuar tregtare në qytetin lindor Krivji Rih, duke vrarë të paktën 14 persona dhe duke plagosur mbi 100 të tjerë, përfshirë fëmijë, thanë zyrtarët lokalë ukrainas.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e dënoi sulmin duke e cilësuar si “cinik dhe të neveritshëm”.

Videot e publikuara në rrjetet sociale shfaqën ekipet e shpëtimit duke ngarendur për t’iu dalë në ndihmë të plagosurve që gjendeshin në rrugën jashtë qendrës, ndërsa nga ndërtesa dilte tym.

Më pas, rreth gjysmë ore më vonë, një dron i dytë goditi çatinë e ndërtesës – një sulm që “shënjestroi ekipet e emergjencës”, tha Zelensky.

Oleksandr Hanzha, kreu i administratës ushtarake të rajonit të Dnipropetrovskut, tha se 121 persona, përfshirë 22 fëmijë janë plagosur.

Dyqanet brenda qendrës tregtare janë përfshirë nga zjarri, shtoi ai.

Krivji Rih, qyteti i lindjes së presidentit Zelensky, është përballur me sulme të vazhdueshme ruse gjatë gjithë luftës.

Qyteti industrial ndodhet rreth 60 kilometra larg nga vija e frontit.
Rusia ka intensifikuar bombardimet ndaj qyteteve ukrainase gjatë muajve të fundit.

Kombet e Bashkuara raportuan se numri i civilëve të vrarë në vitin 2026 ishte rritur në nivelin më të lartë që nga muajt e parë të luftës, që nisi në shkurt të vitit 2022.

Zelensky u bëri thirrje aleatëve të Ukrainës për përgjigje të fuqishme ndaj këtij sulmi.

“Bota duhet t’u përgjigjet atyre në përputhje me rrethanat, me presion real ndaj agresorit. Që paqja të jetë e mundur, Rusia duhet të përballet me përgjegjësi reale”, tha ai.

Vendet aleate të Ukrainës do të takohen të hënën për të rikonfirmuar mbështetjen për Kievin, teksa bisedimet do të zhvillohen në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës, njoftoi të premten zyra e presidentit francez, Emmanuel Macron.

  •  

Piratët rrëmbejnë një cisternë të lidhur me Iranin –


Një cisternë nafte, e sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara nën akuza se transporton produkte të naftës iraniane, është rrëmbyer afër brigjeve të Jemenit dhe është nisur drejt Somalisë. Kjo ngjarje është treguesi i fundit i rishfaqjes së piratëve në Somali.

Gjashtë individë të armatosur hipën në kuvertën e Sibu 1, anijes me flamur të Eritresë, më 20 gusht, tha monitoruesi britanik i sigurisë detare, Operacionet Tregtare Detare (UKMTO).

Uashingtoni vendosi sanksione ndaj cisternës në dhjetor, duke thënë se ajo i përkiste të ashtuquajturës flotë në hije, e cila përdoret për të shmangur kufizimet ndaj eksporteve iraniane të naftës.

Sipas të dhënave të Byrosë Ndërkombëtare Detare dhe raporteve të UKMTO-së, Sibu 1 është të paktën anija e 13-të e sulmuar këtë vit në brigjet e Somalisë ose në Gjirin e Adenit. Kjo shifër paraqet rritje krahasuar me vitin paraprak, kur ishin regjistruar gjithsej pesë sulme.

Pirateria somaleze, e cila shkaktoi qindra sulme nga viti 2008 deri më 2014, përpara se të vihej kryesisht nën kontroll pas një reagimi ndërkombëtar detar, është rishfaqur ndërsa burimet e sigurisë po angazhohen gjithnjë e më shumë në zona të tjera.

Ekspertët thonë se çmimet më të larta të naftës dhe zhvendosja e mjeteve detare për t’iu kundërvënë Iranit dhe rebelëve Huthi të Jemenit mund të kenë krijuar mundësi të reja për piratët.

  •  

Sulm me shpatë në një shkollë në Suedi, plagosen disa persona –


Një sulmues i armatosur me shpatë ka hyrë në shkollën e mesme Brinellskolan, në Fagersta të Suedisë, duke plagosur rreth 3 persona. Autoritetet lokale konfirmuan se sulmuesi është ndaluar nga policia.

Sipas mediave lokale, i dyshuari dyshohet se ishte i armatosur me një hanxhar dhe u qëllua në këmbë nga efektivët e policisë.

“Një sulmues i armatosur me shpatë ka hyrë në Brinellskolan dhe ka plagosur disa persona”, njoftoi Bashkia e Fagerstas, duke bërë thirrje për respektimin e perimetrit të sigurisë dhe udhëzimeve të policisë.

“Dy persona janë plagosur rëndë dhe një i tretë po dërgohet në spital”,  tha për AFP kreu i shërbimeve shëndetësore për qarkun e Västmanland .

Policia vijon kontrollet në ambientet e shkollës, ndërsa disa institucione arsimore pranë saj janë vendosur në bllokim si masë paraprake.

Sipas transmetuesit publik suedez SVT, në zonën përreth shkollës është mobilizuar një prani e madhe emergjente, me ambulanca, automjete policie dhe një helikopter.

Ngjarja ka ndodhur në Fagersta, një qytet me rreth 12 mijë banorë në Suedinë qendrore.

Sulmet e mëparshme në shkollat suedeze

Suedia është përballur me disa sulme të rënda në institucione arsimore gjatë viteve të fundit.

Në shkurt të vitit 2025, një 35-vjeçar vrau 10 persona në një qendër edukimi për të rritur në Örebro, në sulmin më vdekjeprurës të këtij lloji në historinë moderne të vendit.

Në mars 2022, një 18-vjeçar sulmoi një shkollë të mesme në Malmö, duke vrarë dy mësues me thikë.

Ndërsa në tetor 2015, një sulmues i armatosur me shpatë vrau tre persona në një shkollë në Trollhättan, në një ngjarje të cilësuar si të motivuar nga racizmi. Sulmuesi u qëllua për vdekje nga policia.

An 18-year-old armed with a machete has wounded multiple people at a school in Fagersta, Sweden. Police have shot the suspect, who was previously sentenced to 25 hours of youth community service for assault at another school. pic.twitter.com/qn5SdmPZ3y

— S🕊️🇸🇪 (@8bdrssss) August 21, 2026

  •  

Vrasja e turistit portugez, 13 persona dalin sot para Gjykatës së Sarandës! Policia blindon tre qytete…

13 persona do të dalin para togave të zeza në Sarandë këtë të premte, për t’u njohur me masat e sigurisë, pas vrasjes së bujshme të turistit portugez Luis Miguel Varela Mendes, ngjarje e ndodhur tre ditë më parë në ambientet e jashtme të një lokali në Ksamil.

Policia ka kryer kontrolle në tre qytete të vendit për kapjen e dy personave të tjerë, të shpallur në kërkim. Bëhet fjalë për pronarin e lokalit “Principotes” ku nisi sherri fizik dhe një 29-vjeçar i cili dyshohet si bashkëpunëtori kryesor në krim, pasi ka goditur me grushte turistin teksa bashkëmoshatari i tij e godiste me thikë…

Në foto: viktima
Ndërkohë, në dëshminë e tij, 29-vjeçari me inicialet S.V., i cili punonte si truprojë te beach bar-i, ka theksuar se gjithçka ka ndodhur në kushtet e vetëmbrojtjes. Sipas tij, thika ishte e turistit 20-vjeçar dhe se zanafilla e konfliktit ishte momenti që ai u ka kërkuar një grupi turistësh të mbajnë qetësi, me pretendimin se këta të fundit ishin nën efektin e alkoolit. Vetë ai, i është nënshtruar ekzaminimeve mjekësore për shkak se ka shenja goditjeje në trup.

Në pamjet e kamerave të sigurisë duken vetëm momentet e para të sherrit dhe, për shkak të njerëzve që vrapojnë, nuk dallohet qartë. Pjesa tjetër nuk është filmuar nga kamerat, për shkak të distancës dhe errësirës.

  •  

Shkurt 1994: Kur deputeti Moikom Zeqo u arrestua nga UDB serbe, dhuna dhe heshtja e institucioneve shqiptare

Në pranverën e vitit 1994, , në foltoren e Parlamentit u ngjit deputeti dhe intelektuali Moikom Zeqo, i cili rrëfeu publikisht arrestimin, burgosjen dhe, sipas dëshmisë së tij, keqtrajtimin nga shërbimet sekrete jugosllave gjatë një udhëtimi në Mal të Zi. Nuk ishte thjesht historia personale e një deputeti. Zeqo e paraqiti ngjarjen si një provë të cenimit të sovranitetit të shtetit shqiptar, të imunitetit parlamentar dhe të detyrimit kushtetues që shteti kishte për të mbrojtur qytetarët e vet jashtë kufijve. Përmes një fjalimi të gjatë dhe të strukturuar në njëmbëdhjetë pika, ai ngriti akuza të drejtpërdrejta ndaj autoriteteve jugosllave, duke pretenduar se ishte arrestuar në mënyrë arbitrare, ishte dhunuar fizikisht dhe ishte përballur me përpjekje për ta rekrutuar si informator i UDB-së.

Në dëshminë e tij, ai kritikoi edhe reagimin e vakët të institucioneve shqiptare. Ai akuzoi qeverinë për vonesë në reagim, mediat për riprodhimin e versionit zyrtar jugosllav dhe kërkoi që Kuvendi të mos e trajtonte rastin si një incident individual, por si një çështje që prekte dinjitetin e vetë Parlamentit dhe të shtetit shqiptar. Zeqo kërkoi ngritjen e një komisioni parlamentar për të hetuar rastet e dhunës ndaj deputetëve dhe angazhimin e diplomacisë shqiptare për ta ndërkombëtarizuar çështjen.

Ky debat parlamentar, i zhvilluar në një periudhë kur Kosova po përjetonte shtypjen sistematike të regjimit të Beogradit dhe tensionet në rajon po shtoheshin dita-ditës, pasqyron klimën politike të kohës dhe frikën se përplasjet përtej kufirit mund të shndërroheshin në një krizë diplomatike edhe për Shqipërinë. Dosja parlamentare që sjellim më poshtë dokumenton një prej episodeve më të pazakonta të viteve të para të pluralizmit, kur një deputet shqiptar denoncoi publikisht se ishte arrestuar dhe dhunuar nga UDB-ja jugosllave, duke kërkuar që shteti shqiptar të mbronte jo vetëm të drejtat e tij, por edhe autoritetin e institucioneve të Republikës.

Moikom Zeqo 

Kolegë deputetë,

Nëse mbrojtja e të drejtave themelore dhe lirive të njeriut sot është substanca e patjetërsueshme e demokracisë, mbrojta e imunitetit të deputetëve është akoma më shumë, është një kusht i domosdoshëm, është një çështje e trefishtë, njerëzore, parlamentare e shtetërore.

Më 27 shkurt të këtij viti arrestohem papritur në Ulqin nga policia e Malit të Zi në kundërshtim me çdo logjikë, sepse kalimin e kufirit nuk e kam bërë në mënyrë ilegale, por, përkundrazi, në mënyrë të ligjshme.

            Gjithashtu, duke gëzuar imunitet të dyfishtë parlamentar dhe diplomatik, çfarëdolloj keqkuptimi nuk mund të legjitimonte në asnjë mënyrë arrestimin tim. Kur persona me pasaportë diplomatike shkelin ligjet e një shteti tjetër, për ta përdoret formula non grata dhe i dorëzohen shtetit përkatës, nuk preken me dorë, nuk rrihen dhe nuk burgosen.

E treta, rasti i arrestimit dhe më pas i burgosjes sime është pa precedent në Evropë. Jam i vetmi deputet që jam arrestuar nga UDB-ja jugosllave, duke cenuar rëndë ligjin shqiptar për mbrojtjen e deputetit, si dhe ligjet ndërkombëtare.

E katërta, jam trajtuar kafshërisht nga oficerët e UDB-së, të cilët më propozuan të bëhesha informator i tyre, çfarë tregon se politika dhe shovinizmi fashist janë shumë të rrezikshëm dhe shkaktarë të tensionit e të luftës në rajonin e Ballkanit kundër kombit shqiptar dhe shtetit të Shqipërisë.

E pesta, në Dispozitat Kushtetuese në nenin 24 thuhet: “Të gjithë shtetasit që ndodhen jashtë vendit gëzojnë mbrojtjen e shtetit”. Lajmi i arrestimit tim u dha nga legata jugosllave që më 3 mars. Lajmi në informacionet shqiptare u dha në ditën e 7 të arrestimit dhe çuditërisht sipas variantit jugosllav, që ishte një variant poshtërues, masmedia e dha pa pushim këtë gënjeshtër që për mua ishte një cinizëm. Në ditën e 9 u publikua lajmi se nga ana e Qeverisë së Shqipërisë është caktuar një grup prej 3 vetash për të kontraktuar për këtë çështje, por nuk u dhanë vizat. Unë falënderoj tërë ata që janë shqetësuar dhe interesuar tërësisht, si dhe kam të drejtë të arsyetoj se për punonjësit e ambasadës sonë në ish-Jugosllavi nuk ka nevojë për viza. Unë që në çastin e parë kam kërkuar takim me ta.

E gjashta, denoncoj publikisht veprimin e UDB-së jugosllave ndaj meje, që koincidoi, jo rastësisht, me reprezaljen e personaliteteve kulturore të Kosovës, me aparteidin antishqiptar.

E shtata, kërkoj që Kuvendi Popullor të angazhohet zyrtarisht për rastin tim, për të mbrojtur nderin e vetë Kuvendit Popullor, sovranitetin e tij, për të mos lejuar në asnjë mënyrë çdo lloj rasti të tillë dhune ndaj figurës së deputetit.

E teta, gjithashtu, Ministria e Punëve të Jashtme ta interpelojë këtë rast skandaloz, si një dëshmi konkrete të karakterit shovinist dhe agresiv të Jugosllavisë, duke e bërë të njohur në të gjitha rrugët diplomatike.

E nënta, jam rrahur e gjakosur, pikërisht kur po tregoja dokumentin që jam deputet i Kuvendit Popullor të Shqipërisë dhe është e pashembullt dhe e veçantë, sepse është bërë jashtë kufijve të vendit. Pra, kjo lidhet edhe me rastet e dhunës që po pësojnë deputetët shqiptarë në vendin e tyre. Kjo dukuri e rëndë duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë, prandaj ju bëj apel tërë deputetëve, opinionit publik shqiptar e ndërkombëtar që ta marrin seriozisht këtë çështje themelore të demokracisë në Shqipëri. Kërkoj që Kuvendi Popullor të ngrejë një komision të veçantë për verifikimin e rasteve të dhunës ndaj deputetëve dhe ta shqyrtojë këtë problem në një seancë të veçantë.

E dhjeta, dhuna ndaj figurës së deputetit në shtetet e huaja është dhunë e rrezikshme dhe kjo duhet vlerësuar në maksimum, se mund të sjellë pasoja nga më të papriturat. Ndaj i drejtohem Kuvendit Popullor, Presidentit të Republikës, Parlamentit Evropian, si dhe Presidentit Klinton për të mbajtur në konsideratë rastin tim, sidomos në kushtet e acaruara të rajonit ballkanik.

Dua të kujtoj këtu, se për rastin e priftit grek nga Qeveria greke u bë një zhurmë shumë e madhe deri në acarime të jashtëzakonshme. Unë nuk kam ndërmend që rasti im të shkaktojë acarime ndërmjet shteteve, por rrezikshmëria e rastit tim mund të ndikojë në këto marrëdhënie të acaruara.

E njëmbëdhjeta, duke e pësuar vetë, uroj që asnjë nga kolegët deputetë të mos pësojë gjë në të ardhmen, prandaj prirem të besoj se indiferenca dhe formalizmi i Kuvendit Popullor për këtë çështje të rëndë e skandaloze nuk ka për të ekzistuar jo vetëm për mua, por as për të tjerët.

TemA

  •  

147 çifte i dhanë fund martesës brenda një muaji, rriten divorcet në Kosovë

Në Kosovë u shënua rritje e numrit të shkurorëzimeve gjatë muajit qershor 2026. Sipas të dhënave administrative të Agjencisë së Regjistrit Civil, në qershor janë regjistruar 147 raste të shkurorëzimit, 30 më shumë se në maj, kur ishin regjistruar 117 raste.

Kjo paraqet një rritje prej 25.6 për qind brenda një muaji.

Në të njëjtën kohë, gjatë qershorit është rritur edhe numri i kurorëzimeve. Në Kosovë dhe jashtë saj janë regjistruar gjithsej 1 279 kurorëzime, krahasuar me rreth 1,037 në maj. Kjo përbën një rritje prej 23.3 për qind.

Pra, në qershor rritja e shkurorëzimeve ishte pak më e lartë se rritja e kurorëzimeve.

Në bazë të numrit të regjistrimeve, për çdo 100 kurorëzime të regjistruara në qershor janë evidentuar rreth 11.5 shkurorëzime. Ky raport nuk nënkupton se 11.5 për qind e martesave të lidhura në qershor janë prishur, pasi shkurorëzimet mund t’u referohen martesave të lidhura në vite të mëparshme.

Ndërkohë, gjatë qershorit janë regjistruar edhe 2 674 lindje, prej të cilave 1 399 meshkuj dhe 1 275 femra. Krahasuar me majin, numri i lindjeve është rritur me 14.9 për qind.

Në qershor janë regjistruar gjithashtu 920 vdekje, 494 meshkuj dhe 426 femra. Krahasuar me muajin maj, edhe numri i vdekjeve është rritur, me 5.6 për qind.

Të dhënat për lindjet, vdekjet, kurorëzimet dhe shkurorëzimet bazohen në të dhënat administrative të publikuara për muajin qershor 2026.

Marrë nga Monitor

  •  

Rrëzohet aeroplani çarter në Alaskë, humbin jetën 8 persona

Një aeroplan çarter është rrëzuar në Alaskën perëndimore, duke shkaktuar vdekjen e të tetë personave që ndodheshin në bord. Sipas Administratës Federale të Aviacionit (FAA), avioni, një Cessna 441, u nis nga Anchorage dhe kishte destinacion Cape Newenham, rreth 450 milje në jugperëndim. Përplasja ndodhi pranë destinacionit rreth orës 12:15 të së enjtes, sipas të dhënave paraprake.

Në bord ndodheshin dy pilotë dhe gjashtë pasagjerë. Fluturimi çarter operohej nga kompania Security Aviation. Komanda e Alaskës konfirmoi se ekipet e kërkim-shpëtimit mbërritën në vendngjarje dhe nuk gjetën të mbijetuar.

Avioni u rrëzua në Aeroportin Cape Newenham, një pistë ajrore e Forcave Ajrore amerikane që shërben për qasjen në një objekt radarik me rreze të gjatë. Në këtë aeroport lejohen vetëm fluturimet ushtarake dhe fluturimet çarter të autorizuara. Shkaku i rrëzimit mbetet ende i paqartë.

“Kjo është një humbje shkatërruese për familjen tonë ushtarake dhe komunitetet që u shërbejmë”, deklaroi gjenerallejtënant i Forcave Ajrore të SHBA-së, Robert Davis, duke i cilësuar viktimat si profesionistë të përkushtuar që po kryenin një mision të rëndësishëm në një mjedis të vështirë.

Autoritetet kanë bërë të ditur se emrat e viktimave do të publikohen vetëm pasi familjarët e tyre të jenë njoftuar zyrtarisht.

  •  

Zjarri në Dukat ende aktiv, angazhohen në zonë dy avionë dhe 40 trupa të ushtrisë

Zjarri i madh në Dukat, i cili ka nisur që prej mbrëmjes së djeshme, vijon të jetë aktiv.

Për përballimin e situatës dhe ndërhyrjen për shuarjen e flakëve, drejt zonës janë nisur dy avionë, 40 trupa të Forcave të Armatosura, si dhe forcat e Emergjencave Civile të Bashkisë Vlorë dhe shërbimet zjarrfikëse.

Forcat në terren po punojnë për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit, ndërsa situata vijon të monitorohet për shkak të përhapjes së flakëve në zonën e mbuluar me shkurre dhe bimësi.

  •  

Britania, Franca, Gjermania, Italia dhe Kanadaja kundër planit të Izraelit për 1,200 banesa në Bregun Perëndimor

Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Kanadaja kanë dënuar planet e Izraelit për ndërtimin e rreth 1,200 banesave të reja në zonën E1 të Bregut Perëndimor të pushtuar.

Në një deklaratë të përbashkët, pesë vendet e cilësuan vendimin si “të papranueshëm” dhe i kërkuan qeverisë izraelite të tërheqë menjëherë planet për ndërtimin e vendbanimeve.

Projekti parashikon ndërtimin e banesave në një zonë strategjike midis Jerusalemit Lindor dhe vendbanimit izraelit Maale Adumim. Sipas kritikëve, realizimi i tij do të mund të shkëpuste pjesë të Bregut Perëndimor dhe të vështirësonte krijimin e një shteti të ardhshëm palestinez.

“Planet do të na largojnë më tej nga paqja dhe do të dëmtojnë më tej pozicionin ndërkombëtar të Izraelit”, thuhet në deklaratën e përbashkët të pesë vendeve.

Edhe Kombet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim për projektin. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së e ka cilësuar planin E1 si një kërcënim serioz për perspektivën e krijimit të një shteti të pavarur palestinez.

Ministria izraelite e Strehimit ka hapur tashmë tenderin për 1,234 njësi banimi, nga gjithsej 3,401 njësi të miratuara nga qeveria vitin e kaluar. Afati për dorëzimin e ofertave është 19 tetori.

  •  

Dita e sotme sjell mot të qëndrueshëm, ja ku priten reshje shiu

Gjatë ditës së sotme (21 gusht) moti do të vijojë të jetë në të njëjtat kushte atmosferike si ditët që lamë pas.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti parashikohet kryesisht i kthjellët në të gjithë territorin, ndërsa nga mesdita deri pasditja do të ketë vranësira të pakta deri mesatare në relievet malore në lindje.

Në këto zona nuk përjashtohen reshje shiu të izoluara, afatshkurtra dhe në formën e pikave, kryesisht gjatë mesditës dhe pasdites. Era do të fryjë nga veriperëndimi-jugperëndimi, me shpejtësi mesatare rreth 5 m/s përgjatë vijës bregdetare, ndërsa në zonat luginore mund të arrijë deri në 12 m/s.

Deti do të ketë valëzim të forcës 1–3 ballë.

  •  

SHBA-ja dërgon një aeroplanmbajtës afër Hormuzit –


Komanda Qendrore e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) tha se aeroplanmbajtësi, USS George Washington, ka arritur në Detin Arabik.

Deti Arabik lidh veriun e Gjirit të Omanit dhe më pas Ngushticën e Hormuzit.

Ky dislokim vjen në kohën kur presidenti amerikan, Donald Trump, pretedon se Uashingtoni ka kontroll mbi Ngushticën e Hormuzit, teksa Irani thotë se rruga jetike ujore do të mbetet e mbyllur derisa SHBA-ja të zbatojë disa kushte të Republikës Islamike.
CENTCOM publikoi më 20 gusht një fotografi në X të ekuipazhit të aeroplanmbajtëses në kuvertë, në Detin Arabik, dhe tha se Grupi Sulmues i Aeroplanmbajtëses George Washington kishte hyrë një ditë më parë në zonën e përgjegjësisë së komandës dhe do të operojë në rajon si pjesë e dislokimit të planifikuar.

The Wall Street Journal, CNN dhe NBC News raportuan se USS George Washington po dërgohej në Lindjen e Mesme për të zëvendësuar USS Abraham Lincoln. CNN, duke cituar një zyrtar amerikan, tha se rotacioni ishte planifikuar paraprakisht.

Kjo lëvizje vjen në mes të raportimeve për mungesa ushqimesh dhe furnizimesh, probleme teknike, rënie të moralit dhe shqetësime për shëndetin mendor në bordin e aeroplanmbajtësit Lincoln, pas muajsh qëndrimi në det.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se raportimet për kushtet e vështira në bordin e anijes ishin “krejtësisht të shtrembëruara” dhe se ushtria po bënte gjithçka të mundur për të mbështetur ekuipazhin.

Abraham Lincoln u largua nga San Diego në nëntor të vitit 2025 dhe ka qëndruar për më shumë se tetë muaj i dislokuar, përfshirë më shumë se 200 ditë radhazi pa hyrë në një port për të bërë një ndalesë substanciale. Dislokimet e aeroplanmbajtësve amerikanë zakonisht zgjasin rreth gjashtë deri në nëntë muaj, megjithëse mund të zgjaten gjatë kohës së luftës.

  •  

Incidenti/ Delegacioni serb braktis sallën gjatë raportimit të Kosovës për “Prishtina 2030”

Ministri në detyrë i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, ka raportuar në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) për ecurinë e përgatitjeve të Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

Gjatë prezantimit para Asamblesë, Gashani paraqiti punën e bërë deri më tani dhe progresin e arritur në kuadër të përgatitjeve për organizimin e këtij eventi të madh sportiv ndërkombëtar.

Përmes materialeve vizuale, statistikave dhe të dhënave konkrete, ai prezantoi para përfaqësuesve të vendeve anëtare hapat e ndërmarrë nga Kosova në funksion të organizimit të Lojërave.

Raportimi i Kosovës ishte pjesë e agjendës së rregullt të Asamblesë së Përgjithshme të ICMG-së, ku vendet nikoqire raportojnë mbi përgatitjet dhe zhvillimet drejt edicioneve të ardhshme të Lojërave Mesdhetare.

Megjithatë, prezantimi i delegacionit të Kosovës u shoqërua me një incident diplomatik. Delegacioni i Serbisë, në shenjë proteste dhe kundërshtimi, u largua nga salla gjatë kohës kur po prezantoheshin përgatitjet për Prishtina 2030.

Pavarësisht këtij veprimi, prezantimi i Kosovës vazhdoi dhe delegacioni që po punon për Prishtina 2030 paraqiti para Asamblesë progresin e arritur deri më tani.

Kosova synon që në katër vitet e ardhshme të përmbyllë përgatitjet infrastrukturore dhe organizative për të qenë e gatshme për pritjen e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030.

KosovaPress

  •  

Kryebashiaku i Pustecit distancohet nga vizita e Misckoskit: Nuk e organizuam ne!

Ditën e sotme, në Bashkinë e Pustecit u zhvillua Festivali Folklorik Maqedonas, ku mori pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski ndërsa gjatë ceremonisë u ekzekutua vetëm himni i Maqedonisë së Veriut dhe jo ai i Shqipërisë.

Kreu i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, kërkoi ndjesë për situatën, ndërsa sqaroi se Bashkia e Pustecit nuk ishte organizatore e aktivitetit, por vetëm e ftuar.

“Të them të drejtën, para se të zhvillohej ky aktivitet, kam kërkuar nga organizatorët, konkretisht nga kryetari i shoqatës së VMRO-së në Shqipëri, programin zyrtar. Më kanë thënë se do të kishte këngë dhe valle tradicionale maqedonase dhe se aktiviteti do të hapej me himnin maqedonas. I kam kërkuar që, në momentin që do të ekzekutohej himni maqedonas, patjetër të ishte edhe himni shqiptar, sepse kështu duhet të ndodhë në çdo pritje apo ceremoni zyrtare. Ne jemi shtetas shqiptarë, jetojmë këtu dhe duhet të respektohet himni”, u shpreh Kolefski.

  •  
❌