Reading view

Renditja e shërbimeve sekrete në Evropë/ MI6 në krye, Ukraina surprizon me pozicionimin

Shërbimi sekret britanik MI6 është vlerësuar si agjencia më e fuqishme e inteligjencës së jashtme në Evropë, sipas një renditjeje të realizuar nga revista franceze “L’Express”, bazuar në opinionet e 60 profesionistëve të inteligjencës nga 25 vende.

Sipas këtij vlerësimi, MI6 kryeson për aftësinë në rekrutimin e spiunëve të nivelit të lartë dhe depërtimin në qarqet politike të vendeve si Rusia, Kina, Irani dhe Turqia.

“Mbretëria e Bashkuar ka shërbimet sekrete më të forta në Evropë. MI6 është e jashtëzakonshme”, deklaroi Robert Gorelick, ish-shef stacioni i CIA-s.

Sipas raportimit të “The Times”, në vendin e dytë u rendit Drejtoria e Përgjithshme për Sigurinë e Jashtme e Francës (DGSE), e cila u vlerësua për shtrirjen globale, operacionet klandestine dhe luftën kundër terrorizmit.

Një zyrtar polak i inteligjencës tha se shërbimi francez arrin të kombinojë inteligjencën njerëzore, mbledhjen e të dhënave teknike dhe aftësitë operacionale në terren.

Në vendin e tretë u rendit shërbimi holandez AIVD, ndërsa Ukraina u pozicionua e katërta, duke marrë vlerësime për inovacionin dhe operacionet e zhvilluara që prej nisjes së pushtimit rus në vitin 2022.

Shërbimi gjerman i inteligjencës BND u rendit i pesti. Ai u vlerësua për analizën strategjike, por mori më pak pikë për aftësitë operacionale jashtë vendit.

Në fund të renditjes u pozicionua shërbimi sekret i Sllovakisë, i cili u cilësua si më i dobëti në Evropë.

Sipas raportit, MI6 ka fituar vlerësim të veçantë edhe për rolin e tij në paralajmërimin e hershëm të Ukrainës për pushtimin rus, si dhe për aftësinë për të zhvilluar operacione afatgjata të inteligjencës.

  •  

Tjetër Shkodra, tjetër Skadar

Nga Luan Zyka

(Dëshmi nga arkivat mesjetare serbe)

Tema e këtij shkrimi nuk është e natyrës gjuhësore për të trajtuar format e emërtimeve gjeografike.

Ndryshimi i emrave të qyteteve përgjatë rrjedhjes së kohës është një fenomen i njohur në historiografinë dhe gjeografinë botërore.

Dhe aq më shumë ndeshet kjo dukuri në Shqipëri, si hapsirë e ndodhur mes furive të shteteve të mëdha ekspansioniste dhe kulturave të ndryshme si ; romake, greke, bizantine, sllave etj.

Ashtu si në rastin e Shkodrës, një nga qytetet shtyllë të strukturës etnike të shqiptarëve, që serbët përndryshe e quajnë Skadar.

Deri këtu, përsiatja duket se është vetëm historike.

Por, në rastin tonë, këto dy emra nuk përshkruajnë thjesht dhe vetëm të njëjtin qytet, as edhe ndryshimi i tyre nuk është vetëm dhe thjesht semiotik gjuhësor, por më shumë se kaq. Si edhe përqasja është e ndryshme, në varësi dhe shërbim të këndvështrimit dhe tek e fundit në shërbim të synimit.

Aq më shumë këto ditë, që po hapet lajmi i hapjes së një konsullate të Serbisë në Shkodër, emri i përdorur nga secila palë nuk përmban vetëm ngarkesë historike. Sepse përdorimi i formës Shkodër nga shqiptarët, përkundrejt përdorimit të formës Skadar nga Serbët, ka edhe përmasa të tjera përtej asaj të kujtesës historike.

Sidomos, në rastin e njërës palë, asaj serbe, ku nostalgjia dhe motivet mund të aktivizojnë rigjenerimin e ëndrrave të një kohe kur ata ishin zotërues të kësaj anë. Natyrisht si pushtues.

Çfarë shkruhet në dokumentet mesjetare serbe për zonën e Shkodrës dhe të Kosovës?

Në arkivin qindravjeçar të manastirit të Hilandarit, në gadishullin e Malit të Shenjtë të Greqisë, gjendet Karta e Themelimit të këtij Manastiri e vitit 1198. (Në fakt ky manastir ekzistonte më parë se aty të vinin serbët, por kjo është jashtë temës së shkrimit tim).

Karta e Themelimit të manastirit është hartuar nga zhupani Stefan Nemania, krijuesi i shtetit mesjetar serb dhe i dinastisë Nemania. Me zbatimin e një politike ekspansioniste ushtarake, ekonomike, gjeopolitike dhe fetare në kurriz të popujve të tjerë ballkanik, sidomos ndaj shqiptarëve, serbët e Nemaniave arritën të zotërojnë për rreth 200 vjet pjesën më të madhe të Ilirikut të lashtë, dhe Ballkanit të sotëm prej shekullit të 12 deri në mes të shekulit të 14-të.

Qysh në krye të herës, në shekujt e 6-të dhe 7-të, popullsitë sllave që prej stepve të ftohta ishin derdhur nëpër Ballkan për hapësira të reja jetike, bile shumë sllavë janë dërguar nga perandorët bizantinë si punëtorë dhe ushtarë në Lindjen e Mesme.

E veçanta e periudhës në fjalë ishte se, dinastia serbe që filloi me Stefan Nemanian në shekullin e 12-të e vazhdoi deri në shekullin e 14-të ishte me pasoja historike mbi shqiptarët, ku serbët pasi kishin pushtuar Beogradin dhe Malin e Zi iu drejtuan tokave shqiptare të Kosovës dhe Veriut të Shqipërisë

Pikërisht për këtë ekspansion të serbëve të mesjetës mbi vendet e shqiptarëve shkruhet në Kartën e Themelimit të manastirit të Hilandarit ku Stefan Nemania përmend pushtimet që ai kreu nl vitet 1182 – 1886 në bregdetin e Adriatikut të Diokles (Mali i Zi), si edhe në hapësirat e tjera shqiptare duke theksuar qartësisht Pultin e sotëm dhe shumë zona të Kosovës. Në Mesjetë, Pulti (Pilot, Pilotum) ishte emri i një famullie të vendosur në pellgun e lumit Drin

Në pergamenin që ruhet akoma edhe sot në manastir shkruhet qartësisht – “ morëm Pultin e shqiptarëve” (odь Arьbanasь Pilotь), si edhe tokat e të krishterëve në Kosovën e sotme, zonën e Llapit, të Lipljanittë Rekës etj.,

(odь Grьčьske zemle, Labь=Llapi, Lьplanь = Lipljan, Rěka =Reka

(Sqarojmë se në mesjetë, kryesisht nga bota perëndimore, emërtimi grek i referohej të gjthë të krishterëve pavarsisht përkatësisë së tyre etnike)

Përveç Kartës së Themelimit që la pas zhupani Stefan Nemanja, të njëjtat fakte kanë shkruajur edhe dy fëmijët e tij.

Shën Sava (Rastko ishte emri serb) në biografinë kushtuar babait të tij, zhupanit Stefan, (që më vonë u bë murg dhe njihet me emrin Shën Simeon) përshkruan të njëjtat pushtime që i ati i tij kreu në Shqipërinë e Veriut përfhsirë edhe Kosovën. Shën Sava përmend një fakt më tepër kur përshkruan pushtimin e trojeve shqiptare, dhe konkretisht Pultin e Epërm dhe Pultin e Poshtëm (otь Rabna Pilota oba).

Ndërsa djali i i dytë i Shën Stefanit, mbreti i parë i shtetit serb, Stefani i Ri, në Kartën e vitit 1207 -1208 të manastirit të Hilandarit përmend të njëjtat shprehje dhe vende që pkishe përshkruar i ati i tij në Kartën e vitit 1189.

Në cfarë niveli ishte faktori shqiptar në kohën e pushtimit të Veriut të Shqipërisë dhe Shkodrës nga Stefan Nemania?

Vetëm nga këto fakte të shkruajtura në mesjetë nga krerët e shtetit serb mesjetar, dëshmohen qartë hapësirat gjeografike ku banonin dhe që zotëroheshin prej shqiptarëve. Nga ana tjetër dëshmohet se serbët erdhën pushtues në këto zona; duke filluar nga Kosova (Llapi, Lipljana etj.), nga Maqedonia e Veriut (Reka), pastaj pushtuan Pultin, kuptohet dhe vetë Shkodrën.

Për më tepër akoma, duke ballafaquar këto të dhëna me tjera arkive të asaj kohe, shikojmë se faktori shqiptar ishte i njohur etnikisht në hapësirat e tij gjeografike, po ashtu dhe me institucione shpirtërore fetare, që përmenden si nga burimet serbe, ashtu edhe nga ato bizantine dhe romake.

Kështu, në një ceremoni kishtare të mbajtur në Kotor në qershor të vitit 1166, të pranishëm ishin “peshkopi shqiptar Lazar”, “George, abati Shqiptar” dhe “priori shqiptar Andrea”.

Në një dokument tjetër, më vetë Papa Aleksandri i III-të (1159–1181) i kishte dërguar një letër “peshkopit Lazar nga Shqipëria”

Në një dorëshkrim grek që gjendet në Bibliotekën Kombëtare në Paris ekziston një regjistër i datës 8 prill 1179, ku përmendet Sevasti Kostandin Duka i emëruar nga Perandori Manuel Komneni në mess të shekulli të 12-të si Duk dhe kryepeshkop i Diokleas (Malit të Zi), Dalmacisë, Kroacisë, Shqipërisë dhe Splitit ” (τοῦτον δοῦκ(α) καὶ ἀρχηγὸν καστής(ας) ἐπὶ πάση Διοκλήᾳ, Δαλματ(ίᾳ), Χορβατ(ίᾳ), Ἀρβαν(ίᾳ) καὶ Spalath(rῳ).

Pas rënies së Kostandinopojës në duart e kryqtarë katolikë dhe goditjes fatale ndaj Perandorisë Bizantine në vitin 1204, shqiptarët shfaqen si një faktor politik i veçantë, i udhëhequr nga krerët e familjes Progoni (të Gjinit dhe Dhimitrit), ku mjaft anëtarë të tyre ishin martuar me familjet sunduese serbe dhe bizantine.

Bazuar në të dhënat që kemi deri sot, shikojmë se në mesjetë shqiptarët ishin faktor gjeografik, politik dhe shpirtëror, natyrisht sipas veçorive të tyre etnike në mënyrën e jetesës dhe me një organizim shoqëror disi të veçantë nga fqinjët, fatkeqsisht për ngjizjen e tyre etnike shumë të fragmentizuar.

Nga ana tjetër faktori serb me në krye Nemanjët, në fillim të shekullit të 13-të shpalli kishën autoqefale të Serbësi, me kryepeshkop Shën Savën, si edhe krijoi mbretërinë e Serbisë me kral vëllanë e tij Stefanin e Ri.

Kryesore në këtë zhvillim të faktorit serb ishte mbështetja dhe privilegjet e Patriarkanës dhe Perandorit të Bizantit, duke shfrytëzuar më së mirë nevojat gjeopolitike të Bizantit për të përballuar Papën e Romës dhe në përgjithësi latinët, pas kryqëzatës së vitit 1204 me marrjen prej tyre të Kostandinopojës.

Në vend të epilogut

Në shekullin e 19-të, në Shkodër funksiononin shtatë konsullata të huaja, ajo e Austro-Hungarisë, Britanisë së Madhe, Francës, Rusisë, Italisë, Greqisë dhe Malit të Zi. Një pjesë e qytetit të Shkodrës ishte e banuar edhe nga një komunitet i vogël sllav.

Petar Kostić shkroi se në mesin e shekullit të 19-të kishte vetëm rreth pesëdhjetë familje serbe në Shkodër

Në fund të viteve 1830, në Shkodër u krijua shkolla serbe nëpërmjet kishës serbe aty, ku gjatë gjithë funksionimit të saj ishte nën patronazhin e Rusisë, Serbisë dhe Malit të Zi.

Edhe vetëm nga ky fakt duket që interesimi për Shkodrën nuk ishte thjesht i një shteti për bashkëkombësit e tij, por pansllavist me gjihë thellësinë kohore dhe përmasat gjeografike të këtij nocioni…

Në fund të vitit 1876, konsullata ruse e Shkodrës i raportonte Ministrisë së Jashtme të Rusisë, se në Shkodër kishte 800 ortodoksë, dhe numuri i tyre arrinte rreth pesë mijë në gjithë Shqipërinë veriore (ku përfshiheshin, zona e Shkodrës, Malësia e Madhe deri në fushën e Kosovës me Prizrenin, Gjakovën, Pejën etj.)

Historia nuk është vetëm një fosile kohore, por shpesh shërben si sistem kapilar i cili prej thellësisë së shekujve furnizon me ujin e jetëdhënës të ëndrrave të shkuara. Dhe faktet jo shumë të largëta në kohë e dëshmojnë këtë.

Në vitin 1896, mbreti i Serbisë Aleksandër Obrenovic i 1-rë vizitoi manastirin e famshëm të Hilandarit atje ku filloi formëssimi shpirtëror i serbëve. Surpiza shokuese ishte faakti se në atë vatër të kombit serb nuk kishtee mbetur më asnjë murg serb. Dhe mbreti Alekandër i dhuroi manastirit 6.000 lira ari për rimëkëmbjen e tij me murgj serb…

Tek Karta e Stefan Numanjës së Ri, mbretit tashmë të Serbisë, në shekullin e 13-të përmendet edhe emri i Rozafës. Nuk e dimë saktë a ka lidhje ky emër me Kalanë e Shkodrës apo të Skadar-it, ashtu si dhe me baladën epike të Kalasë së Shkodrës (apo Rozafës, si i thonë serbët), e cila këndohet si nga serbët dhe shqiptarët, po ashtu edhe nga grekët me urën e Artës.

Simbolika e motivimit të kësaj balade prej mugëtirës mesjetare do të ishte e mjaftueshme për popujt ballkanikë që të murosin në kujtimet e tyre të shkuarën, dhe të bëjnë së bashku historinë e tyre bashkëkohore…

  •  

VIDEOLAJM/ Ulet pjesëmarrja në ditën e 66-të të protestës para Kryeministrisë, pamjet me dron

Në ditën e 66-të të protestës, pjesëmarrja e qytetarëve ka vijuar të bjerë, ndërsa Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është shfaqur thuajse i boshatisur.

Pamjet me dron tregojnë se në tubimin e kësaj të marte kanë marrë pjesë vetëm pak dhjetëra protestues, duke konfirmuar rënien e vazhdueshme të pjesëmarrjes krahasuar me javët e para të protestës.

Prej disa ditësh, numri i qytetarëve të pranishëm në shesh është në rënie të ndjeshme, ndërsa protesta po zhvillohet me një pjesëmarrje gjithnjë e më të kufizuar.

  •  

Zjarr në varrezat e Libonikut/ Flakët përfshijnë zonën, zjarrfikësit në aksion për shuarjen e zjarrit (VIDEO)

Një zjarr ka përfshirë varrezat e fshatit Libonik, në bashkinë e Maliqit.

Shkaqet e rënies së zjarrit nuk dihen ende, ndërsa flakët kanë përfshirë një pjesë të zonës së varrezave.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin e flakëve dhe shuarjen e plotë të zjarrit.

Autoritetet po vijojnë ndërhyrjen në terren, ndërsa pritet të përcaktohen edhe rrethanat që çuan në përhapjen e zjarrit.

  •  

Policia shqiptare dhe ajo italiane patrullojnë së bashku në Durrës, Lamallari: Më shumë garanci për qytetarët dhe turistët

Ashtu si në çdo sezon turistik përgjatë viteve të fundit, edhe këtë sezon veror në bregdetin shqiptar ka vijuar bashkëpunimi mes Policisë Shqiptare dhe asaj italiane.

Ministri i Brendshëm, Besfort, Lamallari ka ndarë momente nga patrullimi i forcave shqiptare dhe atyre italiane në qytetin e Durrësit.

Postimi i Lamallarit:

Patrullimet e përbashkëta të Policisë së Shtetit me policinë italiane në Durrës janë një garanci më shumë për qytetarët dhe turistët që kanë zgjedhur Shqipërinë, përfshi ata italianë.

Krahas parandalimit të paligjshmërive dhe rritjes së sigurisë publike, po ushtrohen gjithashtu kontrolle edhe për respektimin e nivelit të lejuar të zhurmave nga baret, restorantet dhe ambientet e tjera të argëtimit.

Respekti për normat e përbashkëta, përfshi ato për sigurinë e turistëve apo qetësinë e tyre nga zhurmat përtej niveleve të lejuara i shërben një turizmi të qëndrueshëm dhe që rritet nga viti në vit.

  •  

Mbyllen aplikimet për Prokurorin e Përgjithshëm, 5 kandidatë në garë, pritet të nisi faza e verifikimit nga KLP

Përfundimi i afatit zyrtar të aplikimeve ka konfirmuar pesë emrat e zyrtarëve të drejtësisë që do të garojnë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) tanimë ka nisur procedurat ligjore për shqyrtimin e dokumentacionit dhe filtrimin e kandidaturave sipas kërkesave kushtetuese.

Lista përfundimtare e kandidatëve që kanë paraqitur interesin e tyre përbëhet nga:

Adnan Xholi

Arta Marku

Fatjona Memçaj

Rovena Zoto

Ylli Pjeternikaj

Procedurat e verifikimit dhe hetimi pasuror

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka në dispozicion një afat prej 45 ditësh nga mbyllja e garës më 1 gusht për të përmbushur verifikimet e nevojshme. Si pjesë e këtij procesi, brenda datës 12 gusht, institucioni do t’i përcjellë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) të dhënat përkatëse për nisjen e hetimit pasuror për secilin kandidat.

Më pas, Këshilli verifikon nëse kandidatët plotësojnë kriteret kushtetuese dhe ligjore, zhvillon intervista publike dhe i vlerëson ata bazuar në përvojën profesionale, integritetin, aftësitë drejtuese dhe vizionin për drejtimin e institucionit.

Kalendari i procesit dhe votimi në Kuvend

Pas përfundimit të kontrolleve administrative dhe pasurore, hapat e ardhshëm të këtij procesi përfshijnë:

Intervistat publike (muaji nëntor), KLP do të dëgjojë secilin nga kandidatët për të vlerësuar platformën dhe aftësitë e tyre drejtuese.

Në përfundim të vlerësimit, KLP do të hartojë renditjen përfundimtare dhe do t’i propozojë Kuvendit të Shqipërisë tre kandidatët me pikësimin më të lartë.

Parlamenti pritet të votojë kandidatin fitues, duke përmbyllur kështu procesin e zgjedhjes së kreut të ri të organit qendror të akuzës brenda fundit të vitit.

  •  

Zjarret në vend/ Bilanci i Emergjencave Civile: 14 vatra të raportuara në 12 orë, 5 mbeten aktive në të gjithë vendin

Agjencia për Media dhe Informim (MIA) ka publikuar bilancin më të fundit të situatës së zjarreve në territorin e vendit gjatë 12 orëve të fundit. Nga 14 vatra të raportuara në shkallë kombëtare, pesë prej tyre vijojnë të jenë aktive, ndërsa forcat e emergjencave civile po operojnë nga toka dhe ajri për izolimin dhe neutralizimin e plotë të flakëve.

Mobilizimi i mjeteve dhe trupave në terren

Për menaxhimin e vatrës së zjarreve dhe parandaluar përshkallëzimin e tyre, janë angazhuar resurse të konsiderueshme operacionale. Në terren po veprojnë 182 forca njerëzore dhe 19 mjete zjarrfikëse, të cilat mbështeten nga ajri me tre helikopterë dhe një avion të Forcës Ajrore.

Sipas të dhënave paraprake, vatrat e shpërthyera kanë dëmtuar rreth 1.5 hektarë me barishte, shkurre dhe bimësi pyjore, ndërsa vlerësimi për sipërfaqet e prekura nga vatrat aktive vazhdon.

Gjendja e vatrave kryesore në rrethe

Shtabi i emergjencave civile ka detajuar panoramën e ndërhyrjeve sipas rajoneve kryesore:

Dajt (Tiranë): Vijon puna me intensitet për shuarjen e plotë të vatrës në këtë zonë pyjore.

Riban (Mallakastër): Zjarri ka zbritur në intensitet të ulët brenda masivit pyjor. Pas evakuimit të përkohshëm të 15 familjeve dhe ndërhyrjes së koordinuar me 1 helikopter e 1 avion ushtarak, rreziku për zonat e banuara është mënjanuar plotësisht.

Stegopull–Selckë (Libohovë & Dropull): Operacioni i izolimit po përballet me pengesa serioze për shkak të terrenit të thyer malor dhe shkëmbor.

Vatrat nën kontroll: Në fshatin Shqiponjë (Prrenjas), Vërzhezhë (Skrapar) dhe Krekëz (Himarë), situata është vënë nën kontroll dhe po kryhet monitorimi për parandalimin e riaktivizimit.

  •  

AGSH kundërshton kufizimet e reja të GJKKO-së për gazetarët: Konsultim dhe rishikim i rregullores

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka shprehur shqetësim lidhur me rregulloren e re të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator dhe që, sipas organizatës së gazetarëve, sjell kufizime të pajustifikuara për ushtrimin e profesionit të gazetarit.

AGSH e konsideron veçanërisht problematik ndalimin e përdorimit të telefonave celularë nga gazetarët gjatë seancave gjyqësore. Sipas organizatës, telefoni celular nuk është vetëm një pajisje elektronike, por një mjet thelbësor pune për raportimin në kohë reale, komunikimin me redaksitë dhe informimin e publikut.

Në reagimin e saj, AGSH thekson se kufizimi i përdorimit të këtij mjeti nuk i shërben administrimit të drejtësisë, por rrezikon të cenojë të drejtën kushtetuese të informimit, veçanërisht në një periudhë kur në GJKKO po zhvillohen procese me interes të lartë publik.

Për sa i përket regjistrimit dhe pranisë së kamerave në sallat e gjyqit, AGSH argumenton se debati duhet të përqendrohet te zbatimi korrekt i ligjit dhe i udhëzuesit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, jo te vendosja e ndalimeve të përgjithshme.

Sipas organizatës, Shqipëria nuk ka nevojë për kufizime të reja, por për zbatim të njëtrajtshëm të rregullave ekzistuese, vendimmarrje të arsyetuar për çdo kërkesë dhe përdorimin e regjistrimeve të pjesshme në vend të ndalimeve totale.

AGSH kërkon që të garantohet regjistrimi i pjesës hyrëse të seancave sipas udhëzimeve të KLGJ-së, ndërsa çdo kufizim ndaj medias të jetë proporcional, i argumentuar dhe i bazuar në ligj. Sipas AGSH-së, çdo vendim që prek lirinë e medias dhe të drejtën e publikut për t’u informuar duhet të ndërmerret përmes dialogut dhe në përputhje me standardet e transparencës.

Reagimi i AGSH

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) shpreh shqetësim për Rregulloren e re të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator dhe sjell kufizime të papranueshme për ushtrimin e profesionit të gazetarit.

Veçanërisht alarmues është ndalimi i përdorimit të telefonit celular nga gazetarët gjatë seancave gjyqësore. Duam të sjellim në vëmendje të GJKKO ee telefoni celular nuk është thjesht një pajisje elektronike, por mjeti bazë i punës së gazetarit për raportim në kohë reale, komunikim me redaksinë dhe informim të publikut.

Ndalimi i tij nuk i shërben administrimit të drejtësisë, por kufizon në mënyrë të pajustifikuar të drejtën kushtetuese të informimit publik sidomos nën dritën e gjyqeve historike që po mbahen në vendin tonë e posaçërisht më Gjykatën e Posaçme.

Sa i përket regjistrimit dhe pranisë së kamerave në seanca gjyqësore, AGSH rikujton se debati nuk duhet të zhvillohet mbi baza ndalimesh të përgjithshme, por mbi zbatimin korrekt të ligjit dhe të Udhëzuesit të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Në raportin krahasues të publikuar nga AGSH theksohet qartë se Shqipëria nuk ka nevojë për kufizime të reja, por për zbatim të njëtrajtshëm të rregullave ekzistuese, vendimmarrje të arsyetuar për çdo kërkesë dhe përdorimin e regjistrimit të pjesshëm në vend të ndalimeve të plota.

Po ashtu, rekomandimi qendror i AGSH-së është që të garantohet regjistrimi i pjesës hyrëse të seancave sipas Udhëzuesit të KLGJ-së, çdo kërkesë të shqyrtohet individualisht dhe çdo kufizim të jetë proporcional, i arsyetuar dhe i bazuar në ligj.

Në këto kushte, AGSH i bën thirrje GJKKO-së që të shtyjë hyrjen në fuqi të kësaj rregulloreje dhe të hapë një proces konsultimi me Asociacionin e Gazetarëve të Shqipërisë, komunitetin e gazetarëve, organizatat e medias dhe aktorët e tjerë të interesuar. Një akt me ndikim kaq të madh mbi lirinë e medias dhe të drejtën e publikut për t’u informuar nuk mund të miratohet pa dialog dhe pa respektuar standardet e transparencës.

AGSH mbetet e gatshme të kontribuojë me ekspertizën e saj dhe me rekomandimet e raportit të publikuar së fundmi, me qëllim që të ndërtohet një model që garanton njëkohësisht mbarëvajtjen e procesit gjyqësor dhe të drejtën e medias për të informuar publikun në mënyrë të lirë, profesionale dhe të përgjegjshme.

  •  

SHBA-Iran drejt një marrëveshjeje? Katari: Draftet po qarkullojnë, por nuk ka ende bisedime të drejtpërdrejta

Përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë në “faza shumë progresive”, deklaroi Ministria e Jashtme e Katarit, duke bërë të ditur se draftet e një marrëveshjeje të mundshme “po qarkullojnë”, por pa pasur ende negociata të drejtpërdrejta mes dy palëve.

Administrata Trump po shfaq optimizëm për arritjen e një marrëveshjeje lidhur me një rrugë ujore me rëndësi strategjike. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se ka pasur përparim “por jo përfundim” në negociata, ndërsa Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, la të kuptohet për mundësinë e arritjes së një konsensusi brenda “sot ose nesër”.

Megjithatë, analistët e transportit detar janë më të rezervuar për një zgjidhje të shpejtë. Ndërkohë, një anije mallrash raportohet se ka humbur energjinë pasi më herët ishte goditur nga një predhë e paidentifikuar në Ngushticën e Hormuzit.

Sipas një zyrtari, objektivi i Iranit në bisedimet me Omanin është arritja e “marrëveshjeve të përkohshme”, me kohëzgjatje deri në tre muaj, gjatë të cilave Teherani do të mund të kontrollojë një rrugë përmes ngushticës.

  •  

Negociatat për formimin e institucioneve, Kurti del pas tri orësh takim me Abdixhikun: Nuk kemi akoma një marrëveshje

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, njëherazi kreu i LVV ka zhvilluar një takim në hapësirat e Kuvendit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.

Siç raportohet në media, pasi ka dalë nga takimi që zgjati për rreth tri orë, Kurti është shprehur se nuk ka ende një marrëveshje politik për krijimin e institucioneve.

“Sa i përket takimit me LDK-në, lajm do të ishte po të kishim marrëveshje. Marrëveshje politike nuk kemi. Kemi nevojë për marrëveshje politike që respekton rezultatin zgjedhor. Askush nuk i do zgjedhjet e reja, nëse nuk kemi marrëveshje, fatkeqësisht mund të shkaktohen. Do të përpiqemi maksimalisht, do të vazhdojmë komunikimin”, u shpreh Kurti.

  •  

Qytetet tona nuk janë më në dorë të qytetarëve… Dy ngjarje, pak cinizëm dhe disa konkluzione

Nga Ardi Stefa

Kur u riktheva në Shqipëri në vitin 2013, prindi i një studenteje më pyeti se nga isha. Kur i thashë që isha qytetar brez pas brezi, u mburr edhe ai që ishte qytetar. Kishte zbritur në qytet në vitin 1997. Pyetjes së tij se ku e kisha shtëpinë, i thashë një adresë që, s’kishte asnjë lidhje me adresën e vërtetë. “Te Distrofikja”,- iu përgjigja. Natyrisht as që e kishte idenë se ku ishte Distrofikja dhe e qepi gojën, por duke më hedhur një vështrim arrogant.

Ngjarja e dytë është e hershme. Kur isha i vogël, një ditë u zura me një djalë dhe, i mbushur me zemërim, mora një shkop dhe u nisa “t’i bëja keq”. Im atë më ndali.

“Rri”, – më tha.- “Ne bëjmë aq keq sa ç’mund të bëjë një qytetar.”

Atëherë nuk e kuptova plotësisht. Sot e kuptoj se nuk po më mësonte dobësinë. Po më mësonte kufirin që vendos qytetaria, edukata, origjina.

Im atë më jepte një mësim që lidhej jo me origjinën e njerëzve, por me kulturën dhe mentalitetin. Një njeri mund të vijë nga fshati dhe të bëhet qytetar i shkëlqyer. Një tjetër mund të lindë në zemër të qytetit dhe të mbetet fshatar në sjellje, mentalitet e kulturë.

Fatkeqësisht qytetet tona nuk janë më në dorë të qytetarëve. Janë në dorë të të gjithë atyre që nuk kanë asnjë lidhje me qytetin. Janë në duart e atyre që nuk ngurrojnë të ecin keq me makinë, të zënë hapësirat publike, të përdorin fjalorin vulgar, të parkojnë përpara derës së shtëpisë dhe të mos pyesin për asgjë, në një kohë që sikur gjysmën e këtyre të bëje në fshatin e tyre ata mund të të vrisnin pa një, pa dy…

Qytetarët kanë kufij. Ndalen nga ndërgjegjja, morali, frika se mos dëmton tjetrin, nga respekti për ligjin dhe nga përgjegjësia për komunitetin ku jeton. Pikërisht këta kufij e bëjnë qytetar.

Por “qytetarët e rinj”, banditët e veshur me pushtet e para nuk njohin kufij. Ata nuk ndalen nga skrupujt, sepse nuk kanë skrupuj. Nuk ndalen nga morali, sepse morali është pengesë për interesin e tyre. nuk besojnë tek maturia, pasi përgojojnë cilindo që u del përpara. Nuk ndalen nga ndershmëria, sepse e konsiderojnë dobësi. Nuk ndalen nga ligji, sepse besojnë se ligji është në shërbimin e tyre dhe gardheve të tyre.

Prandaj qytetari është shumë i dobët përballë vulgaritetit, prepotencës, arrogancës dhe injorancës së “qytetarëve të rinj”. Jo sepse i mungon forca, por sepse ai lufton me rregulla, ndërsa përballë ka njerëz që nuk njohin asnjë rregull. Qytetari ruan dinjitetin edhe kur zemërohet; qytetari- fshatar ruan vetëm interesin edhe kur buzëqesh.

Im atë kishte të drejtë. Një qytetar mund të bëjë aq keq sa i lejon ndërgjegjja. Por kur qytetarët janë minorancë nëpër qytete dëmi është i pallogaritshëm.

Fatkeqësia më e madhe është se qytetet nuk janë më në dorë të qytetarëve. As u përkasin atyre.

U përkasin atyre që nuk njohin as kufi, as turp, as përgjegjësi.

  •  

Pse zjarret fiken me lopata e mjete rrethanore? Haki Çako jep parashikimin e pazakontë për zjarret në gusht

Në hapësirën informative Përballë lajmit me moderatorin Besard Jacaj në Klan News ishte kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako.

Moderatori Jacaj pyeti Çakon se përse nuk kanë munguar edhe këtë vit pamjet, ku zjarrfikësit, fikin zjarrin me mjete rrethanore, si lopatat.

“Kjo është një çështje teknike, që duhet të sqarohet bashkë me ekspertët e mbrojtjes nga zjarri. Mirëpo, mund të them me plot gojën se sot, më shumë se asnjëherë tjetër, forcat zjarrfikëse apo strukturat e tjera kanë të gjitha kapacitetet që kanë dhe vendet tona partnereve apo vendet e tjera. Përtej pajisjeve apo veglave, mund të përdoren dhe mjetet rrethanore, sepse nuk është fyese që të përdorësh lopatat, që është fomatuar në mënyrë të tillë, për të fikur zjarre. Ky nuk është problemi. Sot, forcat zjarrfikëse kanë pajisjet më moderne që kanë pasur ndonjëherë. Nuk dua të merrem me diskutime politike e interpretime”, tha Çako.

Më tej, ai tha se në muajin gusht do të jetë kulmi i temperaturave ekstreme.

“Kemi hyrë në muajin gusht dhe në këtë muaj do të kulmojnë temperaturat ekstreme dhe sjell për pasojë edhe zjarre masive, pasi dhe gjelbërimi thahet dhe është shkaku kryesor për zjarre, që përfshiojnë zonat pyjore, kullotat apo pemëtarisë. Dje ka pasur zjarr në Finiq dhe në Delvinë e u ndërhy fuqishëm dhe u shua zjarri”, u shpreh Çako.

Gjithashtu, deklaroi se është vendosur nën kontroll edhe vatra e zjarrit në fshatin Riban të Mallakastrës. “Gjatë ditës së sotme, ka pasur një zjarr masiv në fshatin Riban të Mallakastrës. Janë angazhuar zjarrfikës nga Mallakastra dhe zonat përreth, duke pasur mbështetje dhe nga helikopterë nga ajri. Aty situata është totalisht nën kontroll”, u shpreh ai.

Në fund, Çako deklaroi se deri tani, Shqipëria ka menaxhuar mirë vatrat e zjarreve. Shtoi se nëse do lind nevoja, mund të kërkohet dhe ndihma nga jashtë.

“Kjo është një çështje që i përket situatave rast pas rasti. Për fat të mirë, deri tani, Shqipëria ka menaxhuar shumë mirë zjarret. Por nëse zjarret do jenë të përmasave tepër të mëdha, mund të ketë detyrim për të kërkuar ndihmë. Këtë e bëjnë dhe vendet e zhvilluara si Gjermania, Spanja etj, që sa herë që kanë flakë të mëdha, thërrasin në ndihmë vende të tjera europiane. Jo vetëm kemi kërkuar ndihmë nga jashtë, por ka pasur raste dhe Shqipëria ka dhënë ndihmë në vendet e tjera të Europës”, theksoi ai.

  •  

Pas disa orësh kërkimesh nga toka dhe ajri, shpëtohen turistët gjermanë që humbën në malin e Çikës

Ndërhyrja e helikopterit nga ajri bëri të mundur shpëtimin e tre turistëve gjermanë, të cilët kishin mbetur të bllokuar mes shkëmbinjve në zonën e Malit të Çikës.

Operacioni i kërkim-shpëtimit zgjati rreth katër orë dhe u zhvillua në një terren tepër të vështirë. Pas lokalizimit të tyre, tre të rinjtë u nxorën me helikopter dhe u transportuan drejt Qendrës Shëndetësore të Palasës, ku morën ndihmën e parë mjekësore.

Turistët kishin kërkuar ndihmë përmes sinjalit SOS, pasi kishin humbur orientimin dhe nuk mund të dilnin nga zona shkëmbore ku kishin mbetur të izoluar. Operacioni u finalizua me sukses, pa pasoja për jetën e tyre.

Ky është rasti i pestë në vetëm dy muaj ku turistë të huaj mbesin të bllokuar, humbasin rrugën, apo lëndohen gjatë eksplorimit të kësaj zone.

  •  

Djali fshehu trupin e të atit të vdekur për më shumë se dy vite në frigorifer, detaje nga ngjarja makabre në Greqi

Një ngjarje makabre në Mystras të Greqisë ka tronditur opinionin publik.

Detaje të reja zbulojnë se djali 55-vjeçar dyshohet se ka mbajtur trupin e babait të tij të vdekur në një frigorifer për rreth 2.5 vjet, për të vazhduar të merrte pensionin e tij dhe atë të nënës së ndjerë.

Sipas hetimeve paraprake, nëna e 55-vjeçarit kishte ndërruar jetë më herët, ndërsa pensioni i saj përfitohej nga bashkëshorti i saj, babai 90-vjeçar i të arrestuarit.

Rasti u zbulua pasi autoritetet në Laconia morën informacion se 90-vjeçari, i lindur në vitin 1936, nuk ishte parë prej një kohe të gjatë.

Gjatë hetimit, policia kontaktoi djalin e tij 55-vjeçar, i cili pretendoi se babai i tij ishte larguar dhe jetonte në Athinë.

Megjithatë, hetuesit verifikuan deklaratën e tij dhe kontaktuan motrën e 55-vjeçarit, e cila jeton në Athinë. Ajo u tha autoriteteve se nuk e kishte parë babanë e saj prej vitesh dhe se ai kishte jetuar me vëllain e saj.

Pas këtyre dyshimeve, policia kreu një kontroll, në prani të prokurorit, në një hotel në pronësi të 55-vjeçarit. Objekti ishte i mbyllur dhe ai e përdorte si banesë.

Në bodrumin e hotelit, policia gjeti trupin e 90-vjeçarit brenda një frigoriferi dhe gjatë kontrollit u gjet dhe u sekuestrua edhe një armë me ajër.

55-vjeçari u arrestua dhe, gjatë marrjes në pyetje, dyshohet se ka pranuar ngjarjen. Ai ka deklaruar se babai i tij kishte ndërruar jetë rreth dy vjet e gjysmë më parë nga shkaqe natyrore dhe se e kishte fshehur trupin në frigorifer për të vazhduar marrjen e pensionit.

Sipas deklarimeve të tij, ai përfitonte gjithashtu edhe pensionin e nënës së tij, i cili i kalonte babait të tij si përfitues.

Në vendngjarje mbërritën një mjek ligjor dhe një ekip i Zyrës së Hetimit Penal të Spartës. Për trupin është urdhëruar kryerja e autopsisë për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes.

Ndaj 55-vjeçarit janë ngritur akuza për dëshmi të rreme, mashtrim të përsëritur dhe shkelje të legjislacionit për armët. Ai pritet të dalë para prokurorit, ndërsa hetimet vijojnë nga autoritetet kompetente.

  •  

Drejtësia e re instalon censurën ndaj mediave! Gazetarët duhet të marrin leje për të ndjekur seancat, s’lejohen telefonat e kamerat

Gjykata e Posaçme i mbyll dyert medias. Rregullorja e fundit “Për sigurinë, rendin, solemnitetin dhe rregullat e sjelljes në ambientet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” e miratuar së fundmi e që hyn në fuqi më 1 shtator, përjashton mediat nga seancat.

Sipas rregullave të reja, gazetarët duhet të plotësojnë çdo ditë formularët për të kërkuar leje që të ndjekë seancat, ndërsa kur gjenden brenda sallës së gjyqit, nuk iu lejohet përdorimi i telefonit, shkruan Shqiptarja.

Kërkesa me shkrim duhet bërë të paktën 24 orë përpara seancës por mund të ndodhë që në sallë mos të ketë hapësirë për të gjithë gazetarët e interesuar. GJKKO parashikon që në një situatë të tillë, hyn vetëm një pjesë. Ndësa të tjerët, do të duhet të marrin informacionet nga kolegët e tyre.

Në sallë nuk lejohen as tabletat e as laptopët. Një kufizim që shtrihet dhe për të pandehurit dhe avokatët, nëse kryesuesi i trupit gjykues “çmon se përdorimi i tyre cënon sigurinë, rendin solemnitetin dhe administrimin e rregullt të drejtësisë”. Dhe kjo në një kohë kur vetë dosjet e SPAK, arrijnë në dhjetra mijëra faqe.

Për të kaluar te prania e kamerave, GJKKO-ja citon parimin e publicitetit të gjykimit, por thotë në nenin 78 se “fotografimi, regjistrimi ose transmetimi audioviziv i seancave gjyqësore nuk përbën element të domosdoshëm të këtij parimi dhe autorizohet vetëm në kushtet e parashikuara nga kjo rregullore”. Një përkufizim që nuk përpiqet as të fshehë qasjen kufizuese ndaj medias dhe rolit të saj.

Ligji është i qartë kur shprehet se “seancat gjyqësore publike janë të hapura për publikun dhe median”, duke e parashikuar këtë si rregull, dhe kufizimin si një përjashtim nga rregulli.

Në të kundërtën, kjo rregullore ofron në fakt vetëm ndalime, aq sa është dhe në kontradiktë me përcaktimet e saj. Ndërsa duhet që gjykata të marrë 24 orë përpara kërkesën me shkrim, në Nenin 78 pika 3 thuhet se “ekipet filmike nuk lejohen të hyjnë në sallën e gjykimit me kamera ose pajisje të tjera regjistrimi deri në momentin kur trupi gjykues shprehet mbi kërkesën për regjistrimin ose transmetimin e seancës”.

Një përkufizim që qartazi nënkupton se ato duhet të jenë të pranishme në momentin kur njoftohet ky vendim në sallë, siç parashikon dhe udhëzimi i KLGJ-së: “Kërkesa pranohet ose refuzohet plotësisht ose pjesërisht, vetëm në çelje të seancës gjyqësore, kur të pranishëm në sallë janë edhe përfaqësuesit e medias që bën kërkesën. Kjo pjesë e seancës është e regjistrueshme dhe transmetohet pa asnjë kufizim”.

Por, ndryshe nga sa parashikon KLGJ-ja dhe nga praktika e deritanishme, me urdhrin e ri nuk lejohet më as filmimi i minutave të para të seancës.

Por më tej në Nenin 95, pika 3 e Rregullores së GJKKO-së, ka një tjetër parashikim: “Vendimi mbi kërkesën merret nga trupi gjykues dhe i njoftohet përfaqësuesit të medias përpara fillimit të seancës, nëpërmjet nëpunësit përgjegjës për marrëdhëniet me median”. Një vendim i një trupi gjykues, njoftohet në sallë, dhe ai duhet të jetë i arsyetuar. Ndërkohë që GJKKO-ja vendos ta bëjë me korrier, përmes një nëpunësi, pa përcaktuar madje as edhe formën, nëse do të njoftohet gojarisht nga nëpunësi, apo me shkrim./shqiptarja.com

  •  

Drejtësia që do gjyqe popullore, por jo gjyqe të hapura për popullin

Nga Mero Baze

Kam pasur shumë reagime prej dje për këtë komentarin privat me mbi 500 faqe të kryetarit të GJKKO-së, pasi në versionin e parë kisha ngatërruar edhe faqet dhe kisha shkruar që është 100 faqe. E kisha ngatërruar me rregulloren. Në fakt është 532 faqe. Shpresoj mos ta fusë dikush në makinën e plagjiaturës, se do bëhet subjekt i GJKKO-së për vjedhje të pronës intelektuale.

Nëse sot do të kishte një proces të ri vetingu për gjyqtarët, për të verifikuar aftësitë e tyre profesionale, dhe jo paaftësinë për të mos provuar ku i ka gjetur 3 mijë euro, kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë kundër Krimit dhe Korrupsionit, Erion Bani, duhet të shkarkohej si gjyqtar. Do të mjaftonte komentari i tij privat prej 500 e ca faqesh, një shembull i shkëlqyer grafomanie, mediokriteti dhe papërgjegjësie profesionale, për të kuptuar se një nga personazhet më të rëndësishëm të sistemit gjyqësor jep udhëzime publike se si të shkelet Kushtetuta. Neni 22 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë garanton lirinë e shprehjes dhe të shtypit dhe thekson qartë në pikën 3 se: “Censura paraprake e mjeteve të komunikimit ndalohet.”

Përkundër kësaj, ai ka prodhuar një rregullore të paligjshme dhe antikushtetuese që vendos gazetarët që raportojnë nga gjykatat nën censurë, jo vetëm për të transmetuar, por edhe për të regjistruar faktet publike që ndodhin në gjykatë.

Pra, këta që japin vendime në emër të popullit, duan që populli të mos i shohë si i marrin vendimet.

Arsyet i dimë të gjithë. Në krye të tyre qëndron paaftësia dhe përdorimi i drejtësisë për gjueti shtrigash.

Deri tani nga drejtësia kemi parë vetëm një anë të medaljes, gjyqet paraprake popullore që SPAK dhe GJKKO kanë nxitur ndaj të pandehurve, kur janë kryesisht zyrtarë të lartë apo politikanë. Me një “rrjedhje” faktesh në portale të caktuara, të gjithë ata që janë arrestuar me burgim paraprak janë denigruar në publik me gjysmë të vërteta, çerek të vërteta dhe shpesh edhe me gënjeshtra për të justifikuar punën e SPAK apo GJKKO.

Tani që po kalojnë vite dhe ende nuk kemi ndonjë proces të përfunduar dhe bindës nga drejtësia e re, na shfaqet ana tjetër e medaljes, shkelja kushtetuese e të drejtës që gjykimi të jetë publik dhe futja nën kontroll me rregullore administrative e të drejtës kushtetuese të shtypit për publikimin e proceseve gjyqësore.

Shikoni se çfarë bën SPAK ndaj Erion Veliajt. Meqë Gjykata Kushtetuese i ka hapur rrugë lirimit të tij si arrestim i paligjshëm, vrapon të mbushë mediat me lajme linçuese që dalin nga një zyrë e drejtësisë shqiptare të tipit: “Erion Veliaj nuk ka deklaruar 100 udhëtime”, a thua se ai ka udhëtuar ilegalisht për ndonjë qëllim kriminal.

Domethënë ata dy prokurorë që para dy vitesh i bënin gjyqin popullor dhe hiqeshin si heronj se kishin zbuluar fustanet e operës dhe të brendshmet e shtrenjta të blera nga gruaja e tij, tani janë dorëzuar tek udhëtimet “e padeklaruara”. T’ia marrin të keqen gjyqeve për kafetë e Nexhmijes.

Asnjë ligj nuk detyron deklarimin e udhëtimeve. Në deklarimin e pasurisë ekziston detyrimi për deklarimin e shpenzimeve mbi 300.000 lekë (të reja). Sa kohë nuk ka verifikim të shpenzimeve, si arrihet në konkluzionin që “s’ka deklaruar udhëtimet”?

Pastaj të njëjtët prokurorë që bëjnë këtë palaçollëk publikisht pa asnjë fakt, janë ata që kërkojnë gjyq të mbyllur, futje në kafaz dhe moslejim komunikimi me median, se turpërohen para opinionit publik.

Veliaj e fitoi betejën në Kushtetuese pikërisht sepse gjyqi ishte publik dhe u transmetua pa asnjë shqetësim për këto rreziqe të “sigurisë” që shpik Erion Bani. U mor sinjali nga salla dhe në një sallë tjetër gazetarët e transmetuan gjyqin pa prishur as solemnitetin e sallës dhe as sigurinë e saj.

Gjyqi ndaj Olsi Dados në gjykatë administrative u detyrua të mbyllet pikërisht sepse gjyqtarët nuk pranuan të shqyrtonin një çështje që nuk e mbronin dot prokurorin. Dhe i ranë shkurt e mbyllën, ngaqë aty Veliaj nuk ishte në kafaz dhe ky Dado nuk e shikon dot të lirë.

Drejtësia nuk është një akt administrativ, që merret në salla të mbyllura larg syve të botës, por mbi të gjitha është një akt publik i garantuar nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut në nenin 6 të saj, i cili garanton që gjykimet zhvillohen publikisht, ndërsa neni 10 i po kësaj Konvente mbron të drejtën e medias për të informuar publikun mbi funksionimin e drejtësisë.

Kjo është e shkruar në Konventën më të rëndësishme të drejtësisë evropiane, pasi proceset gjyqësore publike janë një nga mekanizmat më të rëndësishëm të kontrollit demokratik mbi pushtetin gjyqësor.

Kundër kësaj është një kryetar gjykate në Shqipëri, i cili në Komentarin për Rregulloren e Brendshme të Sigurisë së GJKKO-së vendos sigurinë fizike të godinës dhe sallës ku bëhet gjyqi mbi transparencën publike mbi mënyrën se si bëhet shqyrtimi gjyqësor i çështjes.

Ajo çka është më e rëndësishme është se kryetari i GJKKO e trajton median si rrezik për procesin gjyqësor dhe jep udhëzime për menaxhimin e rrezikut, pra se si të shpëtojë procesin gjyqësor nga media.

Nëse i hedh një sy proceseve gjyqësore në Strasburg, ke dhjetëra raste të pastra vendimesh që e hedhin poshtë Erion Banin me gjithë komentarin e tij.

Në çështjen Axen kundër Gjermanisë (1983), GJEDNJ theksoi se publiciteti i gjykimit mbron qytetarët nga drejtësia e fshehtë dhe forcon besimin tek gjykatat. Gjykimet publike nuk ekzistojnë për komoditetin e medias, por sepse drejtësia duhet të jetë e dukshme.

Në Riepan kundër Austrisë (2000), Gjykata theksoi se publiku duhet të ketë mundësi reale për të ndjekur procesin dhe se kufizimet nuk mund të bëhen rutinë administrative.

Në vendimin e madh Axel Springer AG kundër Gjermanisë (2012), Gjykata theksoi se raportimi mbi procedurat gjyqësore përbën çështje me interes të lartë publik dhe gëzon mbrojtje të veçantë sipas nenit 10.

GJEDNJ e ka cilësuar median si rojtare publike të demokracisë.

Ndërkohë, në komentarin e GJKKO-së jepen udhëzime se si të administrohet media dhe si të kufizohet aksesi i saj përmes akreditimit, i cili parashikon penalitete nëse nuk i bindesh një rregulloreje antikushtetuese.

Kjo vlen për zyrën e Bashkimit Evropian në Tiranë si donatorja dhe mbështetësja kryesore e Reformës në Drejtësi, e cila tani po përdor taksat e qytetarëve evropianë kundër Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe lirisë së shtypit.

Vlen po ashtu për rojet e OSBE-së, Ambasadën Britanike që sponsorizon programin e shtypit në SPAK dhe GJKKO, si dhe programet ndërkombëtare të drejtësisë që mbështesin reformën. Thjesht duhet të mos thonë që nuk e dinin që e kanë bërë edhe këtë.

Tani këta gjyqtarë dhe prokurorë, që janë kaq të dashuruar me publikun para gjyqit, bëhen krejt të ndryshëm kur duhet të përballen me publikun për vendimet paraprake dhe gjyqet popullore që kanë bërë. Pra, këta duan që vendimet e tyre paraprake t’i mbrojnë me thashetheme publike, kurse gjyqet t’i bëjnë në errësirë dhe pa gazetarë e kamera.

Madje ky Erion Bani kishte parashikuar që gazetarin nuk duhet ta zërë gjumi në sallë, ndryshe duhet nxjerrë jashtë.

Mendo të dëgjosh autorin e komentarit prej 532 faqesh të flasë në sallë dhe të shmangësh gjumin. Duhet të jetë një torturë që të bën t’i thuash burgut: “Hapu!”

  •  

Sa ndihmojnë 114 milionë eurot e Gjermanisë në tre projekte energjitike?

Nga Fatos Çoçoli

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ambasada e Gjermanisë në Shqipëri, përfaqësojnë një tjetër hap të rëndësishëm në modernizimin e infrastrukturës energjetike dhe rritjen e eficiencës së përdorimit të energjisë në vend.

Paketa përfshin 90 milionë euro kredi dhe 24 milionë euro grant dhe financon tre drejtime të rëndësishme: modernizimin e sistemit të transmetimit të energjisë elektrike, investime për rehabilitimin e hidrocentralit të Vaut të Dejës dhe rikonstruksionin e godinave të konvikteve të Qytetit Studenti, sipas parimeve të eficiencës së energjisë.

Në pamje të parë kemi të bëjmë me tre projekte të ndryshme. Në realitet, ato lidhen me të njëjtën sfidë: si të krijojë Shqipëria një sistem energjetik më modern, më të sigurt dhe më eficient, ndërkohë që rrit kërkesa për energji dhe ekonomia po zgjerohet.

114 milionë euro nuk janë thjesht financim

Rëndësia e kësaj pakete duhet parë përtej shumës së parave. Investimi në energji ka një efekt shumëfishues në ekonomi. Një sistem më modern i transmetimit do të thotë më pak kufizime dhe më shumë siguri për furnizimin me energji. Investimet në kapacitetet ekzistuese prodhuese ndihmojnë në rritjen e qëndrueshmërisë së sistemit, ndërsa eficienca energjetike ul konsumin e panevojshëm dhe kostot e energjisë.

Pra, tre projektet prekin tre hallka të ndryshme të zinxhirit: transmetimin → prodhimin → konsumin eficient.

Ky kombinim është veçanërisht i rëndësishëm për Shqipërinë.

Një ekonomi moderne nuk mund të funksionojë pa një rrjet elektrik të qëndrueshëm. Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në rritjen e kapaciteteve energjetike, sidomos përmes investimeve në hidrocentrale dhe vitet e fundit edhe në energjinë diellore. Por prodhimi i energjisë nuk mjafton.

Energjia duhet të transportohet në mënyrë të sigurt dhe eficiente drejt konsumatorëve.Pikërisht këtu merr rëndësi modernizimi i sistemit të transmetimit. Një rrjet më i avancuar mund të reduktojë humbjet, të rrisë sigurinë e furnizimit, të përballojë më mirë ndryshimet e prodhimit, të integrojë kapacitete të reja nga burimet e rinovueshme, të përmirësojë menaxhimin e ngarkesës dhe të rrisë kapacitetet për shkëmbimet ndërkufitare të energjisë.

Kjo e fundit është veçanërisht e rëndësishme, për një vend që synon integrim më të madh me tregun evropian të energjisë.

Rrjeti duhet të jetë gati për energjinë e re

Struktura e sektorit energjetik shqiptar po ndryshon. Për shumë vite, sistemi është mbështetur kryesisht te hidroenergjia. Sot po shtohen me shpejtësi edhe kapacitetet fotovoltaike dhe po shqyrtohen mundësi të reja për energjinë e erës.

Kjo e bën transmetimin edhe më të rëndësishëm. Energjia diellore dhe e erës kanë prodhim të ndryshueshëm, në varësi të kushteve atmosferike.

Prandaj, rrjeti duhet të ketë fleksibilitet dhe kapacitet të mjaftueshëm për ta menaxhuar këtë prodhim.

Në këtë kuptim, investimi në transmetim nuk është vetëm riparim infrastrukture. Është investim për sistemin energjetik të dekadës së ardhshme.

Rehabilitimi i Hidrocentralit të Vaut të Dejës

Pjesa tjetër e rëndësishme e paketës gjermane për energjinë lidhet me investimet në hidrocentralin e Vaut të Dejës.

Ky hidrocentral është një aset strategjik i sistemit energjetik shqiptar. Modernizimi i një kapaciteti ekzistues mund të ketë disa avantazhe. Në vend që të krijohet nga e para një infrastrukturë e re, investimi përqendrohet në përmirësimin e një kapaciteti që tashmë është pjesë e sistemit.

Kjo ndikon në sigurinë e prodhimit, jetëgjatësinë e pajisjeve, efiçiencën, mirëmbajtjen dhe fleksibilitetin operacional.

Në një sistem ku hidroenergjia mbetet burimi kryesor i prodhimit, ruajtja dhe modernizimi i kapaciteteve ekzistuese është një çështje strategjike.

Fakti që nga 114 milionë euro, 24 milionë euro janë grant është me rëndësi të veçantë. Granti redukton barrën financiare mbi buxhetin publik dhe rrit kapacitetin e Shqipërisë për të realizuar investime strategjike, pa e përballuar të gjithë koston me burimet e veta.

Gjermania si partner strategjik

Të tre marrëveshjet kanë edhe një dimension më të gjerë. Ato tregojnë vazhdimësinë e bashkëpunimit ekonomik Shqipëri–Gjermani.

Gjermania ka një eksperiencë të gjerë në energjinë, eficiencën energjetike, teknologjitë e pastra, menaxhimin e rrjeteve dhe modernizimin industrial.

Për Shqipërinë, përfitimi nuk matet vetëm me paratë e financimit. Duhet të matet edhe me teknologjinë, standardet, ekspertizën dhe kapacitetet institucionale që shoqërojnë investimin.

Qyteti Studenti: energjia si investim social

Një pjesë e paketës mund të duket në pamje të parë e shkëputur nga sektori energjetik: rikonstruksioni i godinave të konvikteve të Qytetit Studenti. Në fakt, ajo lidhet drejtpërdrejt me eficiencën energjetike. Ndërtesat janë një nga konsumatorët më të mëdhenj të energjisë. Rikonstruksioni sipas standardeve të eficiencës mund të reduktojë konsumin për ngrohje, ftohje dhe ndriçim.

Kjo do të thotë më pak shpenzime operative dhe kushte më të mira jetese për studentët. Pra, investimi ka njëkohësisht dimension energjetik, ekonomik dhe social.

  •  

Tragjike në kufirin shqiptaro-grek, humb jetën 20-vjeçari nga Kili! Shkak dyshohet i nxehti ekstrem

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në zonën kufitare të Thesprotisë, ku një 20-vjeçar nga Kili ka humbur jetën, ndërsa shoku i tij 22-vjeçar është transportuar në spital.

Dy të rinjtë kishin udhëtuar nga Kili drejt Shqipërisë dhe më pas kishin tentuar të kalonin ilegalisht kufirin drejt Greqisë, duke ndjekur një nga shtigjet malore të zonës.

Ecja e gjatë dhe temperaturat e larta dyshohet se kanë rënduar gjendjen e tyre shëndetësore. Pasi kishin arritur pranë Sagiadës, 20-vjeçari ka humbur ndjenjat dhe është rrëzuar.

Shoku i tij 22-vjeçar ka arritur të dalë në rrugën kryesore, ku ka ndaluar një kamion dhe i ka kërkuar ndihmë drejtuesit të mjetit. Menjëherë janë njoftuar policia dhe shërbimet e emergjencës, të cilat kanë mbërritur në zonë.

20-vjeçari është transportuar me urgjencë me ambulancë në Spitalin e Filiates, por pavarësisht ndërhyrjes, mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij.

Sipas vlerësimeve paraprake, dyshohet se i riu ka humbur jetën si pasojë e dehidratimit dhe goditjes nga nxehtësia, pas ekspozimit për një kohë të gjatë ndaj temperaturave të larta.

Edhe 22-vjeçari është dërguar në Spitalin e Filiates, ku po merr trajtim mjekësor pasi ka shfaqur shenja lodhjeje dhe dehidratimi.

Ngjarja ka ndodhur në zonën pranë kufirit shqiptaro-grek, ndërsa autoritetet po vijojnë procedurat për zbardhjen e plotë të rrethanave.

  •  

Policia forcon kontrollet në Gjirin e Vlorës, 32 mjete të bllokuara dhe dy gjoba nga 500 mijë lekë gjatë korrikut

Policia Kufitare e Vlorës ka shtuar kontrollet në det gjatë sezonit turistik, ndërsa vetëm gjatë muajit korrik ka bllokuar 32 mjete lundruese për shkelje të ndryshme të legjislacionit detar. Në dy raste janë vendosur edhe gjoba prej 500 mijë lekësh secila për shkelje të rënda.

Patrullimet po zhvillohen në Gjirin e Vlorës dhe në zonën e Shpellës së Haxhi Aliut, ku efektivët po kontrollojnë kryesisht gomonet dhe skafet. Gjatë verifikimeve kontrollohet dokumentacioni i mjeteve, ndërsa drejtuesit këshillohen të pajisin mjetet me jelekë shpëtimi për të gjithë pasagjerët dhe të mos lejojnë turistët të ulen mbi tubolarët e gomoneve gjatë lundrimit.

Kontrolle po ushtrohen edhe pranë Shpellës së Haxhi Aliut, ku Policia Kufitare kërkon që asnjë mjet lundrues të mos qëndrojë me motor të ndezur pranë hyrjes së shpellës dhe të mos futet apo të zhytet në brendësi të saj, me qëllim garantimin e sigurisë së vizitorëve dhe mbrojtjen e zonës.

Shefja e Stacionit të Policisë Kufitare për Triportin, Amarilda Shabani, tha se kontrollet do të vijojnë çdo ditë gjatë sezonit veror për të parandaluar shkeljet dhe aksidentet në det.

Policia Kufitare u bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve lundruese të respektojnë rregullat e lundrimit dhe të vendosin sigurinë e turistëve në plan të parë.

  •  

Detaje nga vrasja e 24-vjeçarit shqiptar në Itali/ Autori pa Nurian Dalipajn duke biseduar me ish-të dashurën e tij dhe u konfliktuan

Përgjatë trotuarit të rrugës Via Bissolati dhe përballë lokalit Bar Centrale, përballë Piazza Roma, njollat e gjakut tregojnë gjurmët e krimit që ndodhi të dielën në mbrëmje në Vescovato, një qytezë me më pak se 4 mijë banorë në provincën e Cremona-s.

Mattia Miraglia, 32 vjeç, me origjinë nga Sicilia, shofer, pa precedentë penalë dhe banues në Vescovato, e goditi me thikë në fyt shqiptarin 24-vjeçar Nurian Dalipaj, ndërsa plagosi në bark edhe vëllain 20-vjeçar të këtij të fundit.

Vetë 32-vjeçari, i cili pësoi një lëndim në dorë, ndodhet nën mbikëqyrje policore në Spitalin Maggiore, në gjendje arresti, nën hetim për vrasje dhe tentativë vrasjeje. Sipas hetimeve, bëhet fjalë për një krim pasioni.

Sipas rindërtimit të ngjarjes nga karabinierët, gjithçka nisi me një debat në një bar në Cremona, ku punon ish-e dashura e Miraglias. Rreth orës 23:00, ai shkoi në lokal dhe pa vajzën duke biseduar me Dalipajn, mikun e saj prej kohësh, si edhe me një të ri tjetër që ende nuk është identifikuar.

Miraglia dyshohet se i kërkoi shqiptarit ta ndiqte jashtë lokalit, në rrugë. Fillimisht të dy biseduan, por më pas u përleshën me grushte. Personat e pranishëm i ndanë. Pas kësaj, 32-vjeçari u kthye në makinë dhe shkoi në shtëpinë e tij në Vescovato, në rrugën Via Cairoli.

Pak kohë më vonë, para banesës së tij mbërriti Dalipaj së bashku me dy vëllezërit. Sipas hetuesve, Miraglia i dëgjoi që po vinin, zbriti nga shtëpia me një thikë kuzhine në dorë dhe u kërkoi të largoheshin. Më pas shpërtheu një përleshje që përfundoi në tragjedi.

Vëllezërit Dalipaj u larguan me makinë drejt Spitalit Maggiore në Cremona, ku 24-vjeçari dhe 20-vjeçari mbërritën në gjendje të rëndë. Nurian Dalipaj humbi jetën pak më vonë, ndërsa vëllai i tij iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Ai ndodhet i shtruar në repartin e terapisë intensive dhe gjendja e tij është e qëndrueshme.

Dy miq të Miraglias shprehen të habitur:

“Nuk do ta kishim menduar kurrë se mund të përfundonte kështu. Shkaku ishte një vajzë me të cilën të dy kishin pasur një lidhje. Edhe një muaj më parë, Dalipaj kishte shkuar para shtëpisë së mikut tonë.

Atëherë Mattia thirri karabinierët; edhe kësaj here duhej të kishte vepruar njësoj, por nuk e dimë çfarë i ndodhi. Ishte një situatë që zgjatej prej kohësh. Mattia është provokuar, nuk kemi shpjegim tjetër”, thanë ata.

Vescovato është tronditur dhe kryebashkiaku Alfredo Gorni është shprehur se një ngjarje e tillë s’mund të përfaqësojë komunitetin./Corriere/

  •  
❌