Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Ndalohen dy persona të dyshuar në lidhje me sulmin me armë ndaj gjeneralit rus në Moskë

Agjencitë ruse të zbatimit të ligjit kanë ndaluar një person dhe një bashkëpunëtor të tij, të cilët dyshohet se kanë lidhje me atentatin ndaj gjeneralit rus, Vladimir Alekseyev.

Ata do të merren në pyetje dhe një seancë dëgjimore gjyqësore për paraburgimin pritet më 8 shkurt, shkruan media ruse, Kommersant.

Një çështje penale është hapur me akuzat për tentativë vrasjeje dhe trafikim të paligjshëm armësh. Pas marrjes në pyetje, të dyshuarve do t’u ngrihen akuza.

Alekseyev iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale me sukses dhe rifitoi vetëdijen më 7 shkurt, por mbeti nën mbikëqyrje mjekësore.

Alekseyev u qëllua nga një person që u paraqit si korrier për shpërndarjen e ushqimit, i cili kishte hyrë në ndërtesën e tij. Alekseyev, i cili ishte duke shkuar në punë, u qëllua dy herë në shkallët e ndërtesës dhe pastaj një herë të tretë ndërsa po i zmbrapsej sulmit, pas së cilës autori i ngjarjes u largua nga vendi i ngjarjes.

Edhe pse nuk merr pjesë personalisht në bisedimet e paqes me Ukrainën në Abu Dhabi, Alekeyev është i përfshirë drejtpërdrejt në negociata dhe deri dje vepronte prapa skenave në emër të shefit të tij, Igor Kostyukov, i cili kryeson delegacionin rus.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka akuzuar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky se qëndron prapa atentatit, duke e cilësuar një përpjekje të qëllimshme për të penguar bisedimet e paqes.

Alexeyev ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë luftës në Ukrainë, duke marrë pjesë në bisedimet me Ukrainën gjatë rrethimit rus të Mariupolit në vitin 2022.

Ai u dërgua gjithashtu për të negociuar me kreun e grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin, i cili udhëhoqi një kryengritje të shkurtër dhe të përgjakshme në qershor 2023.

Ta gëzojmë Republikën e Re!

Nga Plarent Ndreca

Këtë fjali e publikova mbrëmë shpejt, por jo si figurë retorike dhe as si reagim emocional, por si përshkrim i një realiteti të ri kushtetues që u krijua dje, jo nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese, por pikërisht nga mosmarrja e tij.

Me pamundësinë për të arritur shumicën e kërkuar, Gjykata Kushtetuese hapi një precedent që Kushtetuta nuk e ka parashikuar: mundësinë që një gjyqtar i shkallës së parë të pezullojë ushtrimin e një funksioni kushtetues, siç është ai i ministrit.

Kjo çështje nuk ka asnjë lidhje me emër konkret ministri dhe as me mënyrën se si një funksion është ushtruar nga një individ i caktuar. Objekti i saj është ekskluzivisht funksioni kushtetues si institucion. Kush e personalizon këtë debat, ose nuk e kupton natyrën e kontrollit kushtetues, ose e deformon atë për qëllime politike apo personale.

Nëpërmjet kësaj mosvendimmarrjeje, Gjykata Kushtetuese, ka ndryshuar në mënyrë substanciale balancën e pushteteve. Praktikisht, ajo ka vendosur pushtetin ekzekutiv në një varësi funksionale nga pushteti gjyqësor, duke transformuar në heshtje arkitekturën e republikës parlamentare. Precedenti i krijuar është i qartë në implikimet e tij. Nga sot, një gjyqtar i shkallës së parë mund të pezullojë një ministër, të gjithë Këshillin e Ministrave, madje edhe Presidentin e Republikës, pasi as për këtë funksion Kushtetuta nuk parashikon shprehimisht institutin e pezullimit. Nëse mungesa e një parashikimi eksplicit konsiderohet hapësirë për ndërhyrje, atëherë asnjë funksion kushtetues nuk është më realisht i mbrojtur, përfshirë edhe vetë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata u nda në dy qëndrime, me nga katër gjyqtarë secili, të cilat, për arsye të ndryshme, janë të dyja të papajtueshme me rendin kushtetues.

Qëndrimi i parë pretendon se pezullimi i ministrit kërkon autorizim paraprak nga Kuvendi, duke mos e njësuar mbrojtjen që neni 242, paragrafi 2, i Kodit të Procedurës Penale i garanton të zgjedhurve edhe për ministrin. Ministri, njësoj si deputeti, nuk është subjekt i pezullimit nga detyra. Mandati i tij ndërpritet ose përfundon vetëm sipas procedurave kushtetuese, por nuk pezullohet. Pranimi i kësaj teze do të cenonte barazinë kushtetuese të imunitetit ndërmjet deputetit dhe ministrit, duke prishur ekuilibrin e njësuar të mbrojtjes që Kushtetuta ka parashikuar ndërmjet këtyre dy funksioneve.

Qëndrimi i dytë mbështetet në tezën se, meqenëse Kushtetuta nuk e rregullon shprehimisht pezullimin e ministrit, ky është një boshllëk që duhet plotësuar nga kushtetutëbërësi. Ky arsyetim është po aq problematik, sepse niset nga një premisë e gabuar: se mungesa e një rregullimi eksplicit do të thotë mungesë mbrojtjeje kushtetuese.

Të dyja qëndrimet anashkalojnë plotësisht nenin 73, pika 1, të Kushtetutës, i cili garanton imunitetin funksional të deputetit. Ky imunitet nuk është privilegj personal, por një garanci institucionale, e domosdoshme për ushtrimin e pashqetësuar të funksionit përfaqësues. Sipas standardeve të konsoliduara të së drejtës kushtetuese, përfshirë interpretimet e Komisionit të Venecias, vota nuk reduktohet në aktin formal të shprehjes pro, kundër apo abstenim, por përfshin të gjithë procesin parlamentar që paraprin dhe shoqëron vendimmarrjen, si pjesë integrale e ushtrimit të funksionit. Çdo masë që pengon, kufizon ose neutralizon këtë proces përbën cenim të drejtpërdrejtë të imunitetit funksional.

Ndërkohë neni 103 i Kushtetutës është i qartë: anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit. Kjo do të thotë se imuniteti funksional i ministrit është identik me atë të deputetit. Për pasojë, çdo ndërhyrje në procesin vendimmarrës të një anëtari të Këshillit të Ministrave përmes një mase gjyqësore pezullimi është, në thelb, e barazvlefshme me ndërhyrjen në procesin vendimmarrës të një anëtari të Kuvendit. Nga kjo rrjedh se as deputeti, as ministri, as Këshilli i Ministrave dhe as Presidenti i Republikës nuk janë të pezullueshëm nga detyra. Ata mund të shkarkohen vetëm sipas procedurave kushtetuese të parashikuara shprehimisht. Pezullimi përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në mënyrën e ushtrimit të funksionit kushtetues dhe si i tillë, është antikushtetues.

Gjykata Kushtetuese nuk e mori fare në shqyrtim këtë dimension themelor të çështjes.

Në këtë kuptim, me vendimin e djeshëm për të mos marrë vendim, Gjykata Kushtetuese nuk ka zbatuar Kushtetutën. Ajo e ka ndryshuar atë nëpërmjet interpretimit kushtetues dhe kur Kushtetuta ndryshohet, ndryshohet vetë Republika.

Ndaj, le ta gëzojmë Republikën e Re!

Përplasje të ashpra me policinë pranë kampusit universitar në Selanik, mbi 330 të ndaluar

Përplasje të ashpra u regjistruan jashtë Shkollës Politeknike të Universitetit Aristotel në Selanik në orët e para të mëngjesit të së shtunës, që çoi në më shumë se 330 të ndaluar nga policia. Tensionet nisën kur persona të panjohur hodhën koktej Molotov në drejtim të policisë së rendit në rrugën “3 Shtatori” pranë Kampusit.

Arsyeja e këtij reagimi nuk dihet ende, ndërsa sulmi ka ndodhur gjatë kohës që në territorin e kampusit po zhvillohej një festë. Një efektiv policie u plagos gjatë incidenteve, një e re u transportua për ndihmë mjekësore për shkak të problemeve në frymëmarrje, ndërsa polici i plagosur u dërgua në spital me djegie në qafë dhe në fytyrë.

U shkaktuan dëme të shumta në automjete, ndërsa sipërfaqja e rrugës i ngjante një fushe beteje. Policia shoqëroi 309 persona dhe mbetet të sqarojë rolin e gjithsecilit në përplasje dhe më pas të vijojë me arrestime të mundshme.

Hedhja e mjeteve shpërthyese artizanale thuhet se nisi përballë hyrjes së Universitetit Aristotel të Selanikut, ndërkohë që brenda Shkollës Politeknike po zhvillohej një festë, sipas ERT. Nëse ndonjë nga ndalimet do të përfundojë me arrestim, do të dihet pasi autoritetet të përfundojnë procesin e identifikimit, i cili është i ngadalshëm për shkak të numrit të madh të personave të ndaluar. Ai pritet te saktësojë edhe nëse, ata që sulmuan policinë ishin studentë të Universitetit.

Forcat e policisë, të vendosura në gatishmëri, reaguan menjëherë duke përdorur granata trullosëse dhe gaz lotsjellës. Ministria greke e arsimit dënoi ngjarjen dhe sulmin ndaj policisë dhe kërkoi informacion të menjëhershëm dhe të plotë nga autoritetet e Rektoratit, organet përkatëse administrative dhe të sigurisë të Universitetit, si edhe nga autoritetet policore.

Ministria ka pyetur institucionet e mësipërme Universiteti kishin dijeni për aktivitetin, nëse kishte një kërkesë dhe leje përkatëse, rolin e kompanisë së sigurisë së Universitetit, rrethanat e sakta dhe përmasat e ngjarjeve dhe në çfarë mase janë kryer veprime të paligjshme apo shkatërrime brenda ambienteve universitare.

“Nuk ishte në makinën që u përdor për ekzekutimin”, avokati i Muratajt paraqet provat në gjyqin për vrasjen e Ardit Spahiut në Belgjikë

Procesi gjyqësor për vrasjen e Ardit Spahiut, ngjarje e ndodhur më 27 nëntor 2020 në Molenbeek të Belgjikës, ka vijuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Bruksel.

Romain Delcoigne, avokati që mbron një prej të akuzuarve, Elvis Murataj, paraqiti një sërë provash për të demonstruar se klienti i tij nuk ishte në automjetin “Golf GTI” që u përdor në ekzekutimin e Spahiut, shkruajnë mediat belge.

Ndërkaq, avokati tjetër mbrojtës, Quentin Mayence vuri në dyshim përshkrimet e dëshmitarëve, provat e ADN-së dhe komunikimet e përgjuara përmes Sky ECC dhe shtoi se përshkrimi fizik i bërë nga dëshmitarët për tre personat që ndodheshin në makinë, është i papajtueshëm me profilin e Elvis Muratajt.

Në fillim të gjyqit, Elvis Murataj u akuzua si autori i vrasjes, por avokatët thanë se Murataj nuk ka pasur asnjë rol në atentatin ndaj Spahiut.

Flobenc Mecja dhe Endrit Sadedini, të akuzuar si dy personat e tjerë të armatosur në “komando”, mungojnë në këtë gjyq, ndryshe nga Elvis Murataj. Ata janë të burgosur në Shqipëri në lidhje me raste të tjera.

Të premten, mbrojtja e Elvis Muratajt iu drejtua logjikës së jurisë. Ata kërkuan lirimin e tij nga akuzat për përfshirjen e tij në vrasjen e Ardit Spahiut, i cili u vra me 18 plumba nga dy armë zjarri.

Elvis Murataj është i pandehuri i katërt që kërkon lirim nga akuzat për shkak të mosbesueshmërisë së provave të paraqitura nga prokuroria, pas Elton Rocit, Blerim Mamutaj dhe Franc Çopjas.

Droga e porositur online transportohej me “Uber” nëpër Francë, 80 xhandarë në aksion për të kapur 8 shqiptarë

Autoritetet franceze kanë çmontuar një rrjet të organizuar trafiku droge të drejtuar nga shtetas shqiptarë në rajonin Pays de Gex, pranë kufirit me Zvicrën.

Siç raportojnë mediat franceze, operacioni u zhvillua në fillim të shkurtit dhe përfshiu më shumë se 80 xhandarë dhe u finalizua me arrestimin e tetë të rinjve, të moshës 22 deri në 32 vjeç, të gjithë shqiptarë, të cilët u vendosën në paraburgim të përkohshëm.

Prokurorja Karine Malara, thotë se grupi i të rinjve përdorin një model transporti të tipit “Uber”, që konsistonte në kryerjen e dërgesave shtatë ditë në javë të drogës (kokainë dhe heroinë) së porositur “përmes rrjeteve sociale”, nga një “rrjet shumë i organizuar” brenda “komunitetit shqiptar”. Për të fshehur lëvizjet e tyre të përditshme, grupi përdorte “shumë automjete të cilat ndërroheshin vazhdimisht”, shkruan Le Parisien.

Hetimet kishin nisur në fund të vitit 2025, pasi xhandarmëria zbuloi një strukturë të organizuar magazinimi dhe transporti droge. Më 4 shkurt, forcat e rendit ndërhynë njëkohësisht në disa lokacione, duke angazhuar njësi speciale ndërhyrjeje, ekipe me qen nuhatës dhe dhjetëra hetues.

Gjatë kontrolleve u sekuestruan rreth 3.8 kilogramë heroinë, mbi 3 kilogramë kokainë, 46 kilogramë substanca për përzierje të drogës, 12 automjete, dy armë zjarri, si dhe shuma të konsiderueshme parash në euro dhe franga zvicerane. Autoritetet vlerësojnë se fitimi i përgjithshëm nga aktiviteti kriminal arrinte në rreth 1 milion euro.

Tetë persona, të moshës 22 deri në 32 vjeç, të gjithë shtetas shqiptarë, u arrestuan dhe u vendosën në paraburgim. Ata janë vënë nën akuzë për transport, posedim dhe shitje të lëndëve narkotike, si edhe për mbajtje të paligjshme të armëve. Sipas autoriteteve franceze, të dyshuarit nuk kishin precedentë penalë të njohur më parë në Francë.

Hetimet vijojnë për të zbuluar lidhje të mundshme të rrjetit përtej kufirit francez, veçanërisht drejt Zvicrës.

43% e energjisë në vend, nga burime të pastra/ Eurostat: Shqipëria, mbi mesataren e BE për energjinë e rinovueshme

Shqipëria renditet mbi mesataren europiane për përdorimin e energjisë së rinovueshme. Sipas të dhënave të Eurostat, 43.1% e energjisë totale të konsumuar në vend vjen nga burime të pastra, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian është 25.2%.

Në krye të renditjes në Bashkimin Europian qëndrojnë vendet nordike. Suedia kryeson me 66%, e ndjekur nga Finlanda me 47%, Letonia me 45%, Danimarka me 44% dhe Estonia me 43% energji nga burime të rinovueshme në total.

Në fund të listës janë disa shtete të Europës Perëndimore. Irlanda renditet e fundit me 13%, e ndjekur nga Malta me 14%, Belgjika me 14.5%, Luksemburgu me 15% dhe Holanda me 16%.

Kur flasim vetëm për energjinë elektrike, panorama ndryshon. Në Bashkimin Europian, 47.5% e energjisë elektrike prodhohet nga burime të rinovueshme, ndërsa vende si Austria dhe Suedia afrohen ose kalojnë 90%, duke u mbështetur te uji dhe era.

Objektivi i Bashkimit Europian është ambicioz. Deri në vitin 2030, BE synon që 42.5% e energjisë totale të vijë nga burime të rinovueshme, një sfidë që kërkon investime të mëdha, sidomos në transport dhe ngrohje.

Të dhënat tregojnë se ndërsa Europa po ecën drejt energjisë së pastër, ritmet mbeten të ndryshme. Shqipëria përfiton nga burimet natyrore, por sfida e radhës është diversifikimi dhe ulja e varësisë nga karburantet fosile.

Apel i 114 laureatëve të Çmimit Nobel për ekzekutimet e fundit në Iran

Një grup prej 114 laureatësh të Çmimit Nobel lëshoi një deklaratë duke dënuar shkeljet “shokuese” të të drejtave të njeriut në Iran, duke përfshirë vrasjet e demonstruesve dhe rritjen e ekzekutimeve, dhe u bëri thirrje udhëheqësve botërorë të ndërmarrin “hapa praktikë” për të mbështetur thirrjet për ndryshim politik. Ata përmendën veprimet ndërkufitare të Teheranit si faktor që ushqen dhunën jashtë vendit.


Nënshkruesit thanë se forcat e sigurisë hapën zjarr ndaj protestuesve që kanë demonstruar që nga fundi i dhjetorit kundër shtypjes, korrupsionit dhe inflacionit. Ata deklaruan se përdorimi i forcës vdekjeprurëse u urdhërua nga Udhëheqësi Suprem i regjimit iranian dhe cituan “raporte të besueshme të të drejtave të njeriut” që pretendojnë se mijëra u vranë. Deklarata gjithashtu akuzoi autoritetet se sulmuan spitale për të qëlluar ose arrestuar protestuesit e plagosur dhe për t’i transferuar të paraburgosurit në kushte “të tmerrshme” paraburgimi.
Laureatët thanë se protestuesit kërkojnë liri dhe refuzojnë diktaturën “qoftë monarkike apo fetare”, duke kërkuar në vend të saj një republikë demokratike, pluraliste dhe pa korrupsion. Duke cituar statistika zyrtare, deklarata tha se Irani ekzekutoi më shumë se 2,200 njerëz në 2025, duke përfshirë 403 vetëm në dhjetor.
Grupi mirëpriti dënimet nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara dhe figura të tjera dhe bëri thirrje për presion dhe mbështetje për kryengritjen. Ndër nënshkruesit e listuar janë Presidenti Jose Ramos-Horta, ish-presidenti polak Lech Walesa dhe ekonomisti Daron Acemoglu.

Burimi: https://al.ncr-iran.org/news/iran-protests/laureatet-e-nobelit-denojne-shkeljet-ne-iran-114-nenshkrues-kerkojne-veprim-kunder-vrasjeve-dhe-ekzekutimeve/

Emailet e reja të publikuara nga DASH hedhin dritë mbi darkën e Epstein me Dukën Andrew, ja çfarë kanë komunikuar

Emaile të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë zbulojnë detaje të reja mbi takimin e fundit të njohur ballë për ballë mes Dukës Andrew dhe Jeffrey Epstein, në dhjetor 2010 në Nju Jork.

Ndryshe nga ajo që Andrew deklaroi në intervistën e famshme për BBC Newsnight se kishte shkuar vetëm për t’i dhënë fund marrëdhënies, dokumentet tregojnë se ai ishte i ftuari kryesor në një darkë luksoze në rezidencën shumëmilionëshe të Epstein në Manhattan, mes personazheve të njohur.

Sipas emaileve, takimi nuk ishte “takim lamtumire”. Madje, më vonë gjatë po atij muaji, Andrew i dërgoi Epstein një mesazh për urime festash, duke iu referuar “familjes sime amerikane” dhe duke shtuar: “Pres me padurim t’ju bashkohem përsëri së shpejti.”

Zbulimet e reja vënë sërish në pikëpyetje versionin e Princit Andrew mbi marrëdhënien e tij me financierin e diskredituar Jeffrey Epstein.

Kaos dhe emocione në kryeqytet, Tirana dhe Dinamo ndajnë pikët në një derbi spektakolar

Derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Dinamos nuk nxori fitues, duke u mbyllur në shifrat 1-1 pas 90 minutash plot emocione, tension dhe raste të humbura.

Një ndeshje që pati gjithçka: gol të shpejtë, penallti të shpërdoruar, karton të kuq dhe barazim dramatik në fund.

Tirana e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në avantazh që në sekondën e 40-të me golin e Falajes. Bardheblutë e trajnerit Nuhiju dominuan minutat e para, ndërsa Dinamo pati shansin ideal për të barazuar në minutën e 17-të, por Dejvi Bregu nuk arriti të konkretizojë penalltinë e fituar nga vetë ai.

Situata u përkeqësua për blutë në minutën e 35-të, kur Gudiabi u ndëshkua me karton të kuq pas një momenti tensioni në mesin e fushës, duke lënë Dinamon me një lojtar më pak. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal 1-0 për Tiranën.

Edhe pse në inferioritet numerik, Dinamo nuk u dorëzua dhe vazhdoi të kërkonte golin. Këmbëngulja u shpërblye në minutën e 81-të, kur 19-vjeçari Mustafa Koma shënoi golin e barazimit, duke heshtur tribunat dhe duke rikthyer ekuilibrat në derbi.

Barazimi konfirmon momentin e vështirë të ekipit të Ilir Dajës, që ende nuk ka shijuar fitoren në vitin 2026, ndërsa Tirana, pavarësisht avantazhit numerik për shumë minuta, u detyrua të kënaqet me vetëm një pikë.

FT: Tirana – Dinamo 1-1

Falaje 1′ / Koma 81′

“Ka udhëtuar i vetëm në Pekin”, flasin familjarët e kolonelit grek që u arrestua për spiunazh për Kinën: Po mësonte gjuhën dhe…

Ushtria greke është tronditur nga një skandal, ku një kolonel i Forcave Ajrore u arrestua për spiunazh, pasi i shiste të dhëna sensitive nga NATO, Kinës.

Familjarë dhe miq shprehen të tronditur pas arrestimit të 54-vjeçarit. Një i afërm i tij thotë se nuk e besojnë përfshirjen, duke e përshkruar si një njeri të thjeshtë, shoqëror dhe pa interesa luksi.

Sipas tyre, koloneli kishte shfaqur interes për teknologjinë kineze, kishte udhëtuar vetëm drejt Pekinit dhe po mësonte gjuhën kineze, gjë që familja e konsideronte si interes akademik. “Pyesim veten nëse është kërcënuar apo implikuar nga dikush tjetër”, shprehen të afërmit.

Hetimet nisën pas informacioneve të CIA-s, e cila sinjalizoi se Kina kishte pasur qasje në dosje të klasifikuara të NATO-s. Autoritetet greke të inteligjencës identifikuan kolonelin si një nga pak oficerët me akses në faqen sekrete të NATO-s, ku dyshohet se ai shkarkonte dhe transferonte një sasi të madhe materialesh sensitive.

Gjurmët dixhitale dhe përdorimi i softuerëve të koduar çuan në arrestimin e tij, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrjetit dhe motiveve vijojnë.

Ministri i Jashtëm iranian kërcënon: Nëse SHBA-të na godasin, ne do të sulmojmë bazat amerikane në rajon

Duke folur për Al Jazeera Arabic lidhur me bisedimet me Shtetet e Bashkuara, ministri i Jashtëm iranian Abbas Aragçi bëri të ditur se Teherani dhe Uashingtoni kanë rënë dakord për zhvillimin e një raundi të dytë negociatash, pa u përcaktuar ende një datë konkrete.

Sipas tij, të dyja palët vlerësojnë se raundi i ri i bisedimeve duhet të zhvillohet “së shpejti”, duke lënë të hapur mundësinë e rifillimit të menjëhershëm të kontakteve diplomatike.

I pyetur për mundësinë e një përplasjeje ushtarake me Shtetet e Bashkuara, Aragçi tha se një skenar i tillë ekziston gjithmonë, por theksoi se Irani është i përgatitur si për një zgjidhje paqësore, ashtu edhe për luftë.

Ai vuri theks të veçantë te garancitë ndaj vendeve të rajonit, duke sqaruar se Teherani ua ka bërë të qartë si palës amerikane ashtu edhe shteteve fqinje se, në rast të një sulmi nga SHBA, forcat iraniane do të godasin vetëm bazat amerikane në rajon dhe jo vendet që i strehojnë ato.

“Ne nuk do të sulmojmë vendet fqinje. Do të synojmë bazat amerikane që ndodhen në territorin e tyre. Ka një dallim të madh mes këtyre dy gjërave,” theksoi ai.

Ndërsa të dyja palët kanë shfaqur gatishmëri për të ringjallur diplomacinë lidhur me mosmarrëveshjen e gjatë bërthamore të Iranit me Perëndimin, Aragçi u shpreh i rezervuar për zgjerimin e axhendës së bisedimeve. “Çdo dialog kërkon heqjen dorë nga kërcënimet dhe presionet. Teherani diskuton vetëm çështjen e tij bërthamore… Nuk diskutojmë asnjë çështje tjetër me SHBA-në,” deklaroi ai.

Dervishaj: Pas vendimit për Ballukun, SPAK ka hyrë në politikë. Zgjedh me kë do të qeverisë!

Juristi i njohur Bledi Dervishaj thotë se vendimin e djeshëm, për të mos marrë vendim, Gjykata Kushtetuese ka dështuar në misionin e saj sublim, sepse nuk e zgjidhi në mënyrë përfundimtare mosmarrëveshjen e lindur mes Qeverisë dhe Drejtësisë për rastin “Balluku”.

Sipas tij, duke e lënë çështjen pa zgjidhje dhe në konflikt të hapur midis pushteteve, atëherë kjo çështje tashmë ligjërisht, rikthehet edhe njëherë për shqyrtim në tryezën e një gjyqtari në Gjykatën e Posaçme të Apelit, për shkak se ende nuk është shqyrtuar ankimi individual, ndaj masës së sigurimit “pezullim nga detyra”.

“Efektet që sjell dhe pasojat që krijohen nga lënia pa zgjidhje nga Gjykata Kushtetuese, e një çështje me kaq rëndësi të lartë shtetërore, mbi një mosmarrëveshje të kësaj natyre midis tre degëve kryesore të pushteteve në Republikën tonë Parlamentare, janë shumë herë më të rënda, se sa ato pasoja me karakter individual”, shkruan Bledi Dervishaj.

Juristi sqaron se në këtë situatë të përkohshme pa zgjidhje, pra pa vendim të Gjykatës Kushtetuese, struktura e posaçme (gjyqësori dhe prokuroria), në kushtet kur nuk ka një zgjidhje përfundimtare të vendosjes së qartë të kufijve, balancës, dhe kompetencave midis pushteteve (ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor), ka në dorë praktikisht të zgjedhë, që rast pas rasti, ta luajë ose jo, një rol me karakter politik, kryesisht, për shkarkimin e një anëtari të Këshillit të Ministrave, duke diktuar, rast pas rasti, se kush dhe me kë do të qeverisë.

“Kjo qasje, nuk ka lidhje me emra individë lsh, apo fatin e tyre, politik apo ligjor. Jo”, thekson ai.

Sipas Bledi Dervishaj, Shqipëria po përjeton një situatë të paqartë dhe kaos organizativ e ligjor, që nuk e ka asnjë vend tjetër me standarde europiane, sepse të gjithë bëjnë siç ju thotë mendja dhe Gjykata Kushtetuese, si arbitër, nuk ka kurajo që të përmbushë detyrimet e tij për ta zgjidhur çështjen në themel.

“Kjo është e papranueshme”, thekson ai.

SHENIMI I PLOTE

Në Kushtet, kur Gjykata Kushtetuese ditën e djeshme në datë 06.02.2026, nuk e përmbushi misionin e saj sublim, pra nuk e zgjidhi në mënyrë përfundimtare mosmarrëveshjen e lindur, duke e lënë çështjen pa zgjidhje dhe në konflikt të hapur midis pushteteve, atëherë kjo çështje tashmë ligjërisht, rikthehet edhe njëherë për shqyrtim në tryezën e një gjyqtari në Gjykatën e Posaçme të Apelit, për shkak se ende nuk është shqyrtuar ankimi individual, ndaj masës së sigurimit “pezullim nga detyra”.

Kujtoj që, Gjykata e Posaçme e Apelit, në datën 18 dhjetor 2025, ka vendosur:

Pezullimin e shqyrtimit gjyqësor të çështjes nr.86 (61007-00414-87-2025), datë regjistrimi 11.12.2025, përsa i përket shqyrtimit të ankimit të ankueses B.B. ndaj vendimeve 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që ajo ka kundërshtuar caktimin dhe vazhdimin e masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, deri në zgjidhjen me vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese të çështjes së regjistruar për gjykim në atë gjykatë, me kërkues: Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me objekt:

“(i) zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit e Këshillit të Ministrave dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë;

(ii) shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, që ka vendosur masën ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, shtetases B.B. dhe pezullimin e këtij vendimi;

(iii) interpretimin e pikës 3 të nenit 103 të Kushtetutës”, çështje për të cilën Gjykata Kushtetuese ka disponuar me vendimin datë 12.12.2025: “Pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese

“Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases B.B., sipas nenit 45 të ligjit organik të Gjykatës”.

Efektet që sjell dhe pasojat që krijohen nga lënia pa zgjidhje nga Gjykata Kushtetuese, e një çështje me kaq rëndësi të lartë shtetërore, mbi një mosmarrëveshje të kësaj natyre midis tre degëve kryesore të pushteteve në Republikën tonë Parlamentare, janë shumë herë më të rënda, se sa ato pasoja me karakter individual.

Praktikisht, në këtë situatë amorfe, edhe pse e përkohshne pa zgjidhje, pra pa vendim të Gjykatës Kushtetuese, struktura e posaçme (gjyqësori dhe prokuroria), në kushtet kur nuk ka një zgjidhje përfundimtare të vendosjes së qartë të kufijve, balancës, dhe kompetencave midis pushteteve (ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor), ka në dorë praktikisht të zgjedhë, që rast pas rasti, ta luajë ose jo, një rol me karakter politik, kryesisht, për shkarkimin e një anëtari të Këshillit të Ministrave, duke diktuar, rast pas rasti, se kush dhe me kë do të qeverisë. Kjo qasje, nuk ka lidhje me emra individë lsh, apo fatin e tyre, politik apo ligjor. Jo.

Por Shqipëria, si vend i çudirave, po përjeton pikërisht një situatë të paqartë, dhe kaosi organiziativ dhe ligjor, që nuk e ka asnjë vend tjetër me standarte europiane, e krijuar apo e përkeqësuar pikërisht për shkak se, secili bën si i thotë mendja, ndërsa arbitri kushtetues, nuk ka kurajo, që të përmbushë detyrimet e tij për ta zgjidhur çështjen në themel.

Kjo është e papranueshme.

Takimi Erdogan-Mitsotakis në 11 shkurt/ Nga kufiri detar te marrëveshja për emigracionin, ja temat që do diskutohen

Ministria e Jashtme e Greqisë po punon me ritme intensive për të përgatitur pikat e diskutimit dhe delegacionin qeveritar, i cili do të shoqërojë kryeministrin Kyriakos Mitsotakis në Ankara të mërkurën e 11 shkurtit.

Delegacioni pritet të përbëhet nga të paktën 10 ministra, ndërsa gjithçka varet edhe nga pala turke dhe nga marrëveshjet dhe kontaktet që ajo do të dëshirojë të ndjekë.

Tashmë, disa ministrave u ka ardhur “sinjal” nga Ministria e Jashtme që të përgatiten për Ankaranë, të përditësojnë dosjet e tyre dhe, mbi të gjitha, të evidentojnë se si po ecin marrëveshjet që tashmë janë arritur me palën përballë.

Delegacioni grek deri tani duket se do të përfshijë të gjitha ministritë kyçe, ashtu siç ndodhi edhe në Këshillin e fundit të Lartë të Bashkëpunimit, i cili u zhvillua në Athinë në dhjetor të vitit 2023.

Përfaqësim i trefishtë nga Ministria e Jashtme

Delegacioni mund të jetë ende në formësim, por e sigurt është se z. Mitsotakis do të shoqërohet nga ministri i Jashtme Giorgos Gerapetritis, zëvendësministrja e Jashtme Aleksandra Papadopoulou, e cila merret me Dialogun Politik, si dhe zëvendësministri i Jashtme Haris Theocharis, në portofolin e të cilit përfshihet e ashtuquajtura “agjendë pozitive”.

Në bërthamën e delegacionit, rol qendror ka Kreu i Zyrës Diplomatike të Kryeministrit, Ambasadori Mílton Nikoláïdis. Diplomati me përvojë, i rritur në Stamboll, ka qenë i pranishëm në të gjitha takimet e mbyllura tête-à-tête të dy liderëve që nga viti 2023 (Vilnius, fillimi i ujërave të qeta) deri më sot, duke ndihmuar më parë edhe në përkthimin mes Mitsotakis dhe Erdoğan.

Ai ka qenë në këtë rol gjithsej 6 herë deri më sot dhe e kupton plotësisht mënyrën se si mendon presidenti turk, prandaj edhe u zgjodh të jetë pasardhësi i Anna-Maria Boura. Duhet theksuar se z. Nikoláïdis ka qenë i pranishëm edhe në të gjitha takimet që kishte në të kaluarën ish-kryeministri Antonis Samaras me Erdoğan. Me fjalë të tjera, ai e di saktësisht se çfarë është diskutuar pas dyerve të mbyllura mes Athinës dhe Ankarasë prej shumë vitesh, ndërsa më parë shërbente në NATO kur shpërtheu edhe lufta ruso-ukrainase.

Në nivel ministrash, pritet që të kenë përfaqësim ministritë që lidhen me çështjet e Migracionit, Mbrojtjes së Qytetarit, Kulturës, Transporteve dhe Zhvillimit.

Marrëveshjet pritet të lidhen me çështje të politikës së ulët dhe nuk pritet diçka e ngjashme me “Deklaratën e Athinës”, me të cilën të dyja palët angazhohen të përmbahen nga çdo deklaratë, nismë apo veprim që mund të rrezikojë ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin e tyre, dhe e cila natyrisht mbetet ende në fuqi.

Në realitet, pavarësisht shpërthimeve retorike turke të ditëve të fundit, duket se të dyja palët e kërkojnë këtë takim dhe duan të mbajnë kanalin e komunikimit të hapur.

Informacione të CNN Greece thonë se edhe në çështjen e migracionit Turqia, larg vëmendjes së publikut, bashkëpunon. Flukset nga brigjet kanë rënë ndjeshëm krahasuar me janarin e vitit 2025 (3.000 vitin e kaluar, 800 këtë vit), ndërsa sa herë që njoftohet roja bregdetare turke të ndërhyjë, kur zbulohen varka migrantësh pranë brigjeve të tyre, ajo vepron. Athina, sigurisht, këmbëngul se Ankaraja duhet të zbatojë marrëveshjen për kthimet, për të cilën bën sikur nuk sheh.

“Marrëdhëniet greko-turke janë në një fazë qetësie relative”, theksonte një ministër që do të shoqërojë kryeministrin në Ankara, duke shtuar se “do të bëhen marrëveshje për çështje që lidhen kryesisht me përditshmërinë e dy popujve, për punën, kulturën etj.”

Ai theksonte gjithashtu se “nuk presim që të zgjidhen tani çështjet e mëdha; e pranojmë se ekzistojnë dallime të caktuara”.

Athina hyn në këtë dialog me synimin për ruajtjen dhe forcimin e kanaleve të hapura të komunikimit dhe konsolidimin e një marrëdhënieje funksionale me Turqinë, në një kontekst ndërkombëtar të mbushur me pasiguri dhe paqëndrueshmëri.

Dy liderët pritet të takohen mesditën e së mërkurës në Pallatin Presidencial në qendër të Ankarasë dhe të japin deklarata pasditen e së njëjtës ditë.

Ata do të theksojnë domosdoshmërinë e kanaleve të hapura për shmangien e krizave dhe uljen e tensioneve.

Athina dhe Ankaraja ndajnë pikëpamjen se çështjet që kanë të bëjnë me të dyja vendet duhet të diskutohen në nivel dypalësh dhe se përmirësimi i klimës në marrëdhëniet dypalëshe është në dobi të stabilitetit në rajonin më të gjerë.

Kur natyra godet! Greqia flet për rrezik, Shqipëria për fajtorë

Nga Fatos Çoçoli

Ndryshe nga ajo që ndodh zakonisht tek ne, ku rrëshqitjet e dheut dhe bllokimet e rrugëve shoqërohen menjëherë me akuza të forta ndaj institucioneve shtetërore dhe veçanërisht ndaj Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në Greqi një ngjarje e ngjashme është trajtuar pa polemika dhe pa ngarkesë politike.

Sipas gazetës së njohur greke Kathimerini (https://www.ekathimerini.com/news/1294084/landslide-blocks-traffic-on-the-ionian-motorway-in-western-greece/), më 2 shkurt 2026, një rrëshqitje e madhe dheu ka shkaktuar probleme serioze në qarkullimin rrugor në Greqinë Perëndimore, duke bllokuar plotësisht autostradën Joniane (Ionian Motorway) në segmentin midis Artës dhe Amfilochias.

Ngjarja ka ndodhur pas reshjeve të dendura të shiut, të cilat kanë zbutur strukturën e tokës, duke shkaktuar shembjen e një sasie të madhe dheu dhe gurësh mbi të dyja korsitë e autostradës moderne, megjithë sistemet e duhura mbrojtëse të ndërtuara buzë rrugës.

Pamjet filmike nga ajri tregojnë një masë të konsiderueshme toke që ka mbuluar autostradën, duke e bërë kalimin e automjeteve të pamundur. Autoritetet greke kanë mbyllur menjëherë qarkullimin për arsye sigurie, ndërsa trafiku është devijuar në rrugë alternative. Në zonë kanë mbërritur inxhinierë dhe specialistë gjeologë, për të vlerësuar situatën dhe rrezikun e rrëshqitjeve të tjera të mundshme.

Rrëshqitjet e dheut në akset rrugore janë një fenomen gjithnjë e më i pranishëm në rajonin tonë, sidomos në zonat malore dhe në korridoret ku ndërhyrja njerëzore ka qenë intensive. Reshjet e dendura, ndryshimet klimatike, shpyllëzimi dhe ndërtimet pa studime të plota gjeologjike po e rrisin ndjeshëm rrezikun. Por mënyra si reagojnë shtetet ndaj këtyre ngjarjeve shpesh tregon shumë për kulturën institucionale dhe qasjen ndaj përgjegjësisë publike.

Greqia kërkon parandalim, ne kërkojmë fajtorë!

Në vendin fqinj, Greqinë, kur ndodhin rrëshqitje dherash në autostrada apo rrugë kombëtare, fokusi kryesor zakonisht vendoset tek rreziku natyror dhe menaxhimi i tij. Ndryshimet klimatike po bëjnë që një sasi rreshjesh që më parë binte në muaj, tani bie në pak ditë.

Specialistët, strukturat shtetërore, madje edhe opozita në Parlament, diskutojnë për hartat gjeologjike, për sistemet e paralajmërimit të hershëm, investimet në infrastrukturë mbrojtëse dhe standardet e sigurisë. Vëmendja përqëndrohet natyrshëm tek parandalimi dhe minimizimi i rrezikut, duke e konsideruar natyrën si faktor dominues, që kërkon menaxhim shkencor dhe institucional.

Tek ne, për fat të keq, narrativa merr një tjetër drejtim. Në vend që diskutimi të fokusohet te analizat teknike dhe planifikimi afatgjatë, debati publik, i nxitur nga opozita që kërkon pikë politike, kthehet shpejt në kërkim fajtorësh: kush e projektoi rrugën, kush e ndërtoi, kush nuk bëri mirëmbajtjen.

Sigurisht, përgjegjësia institucionale është thelbësore dhe nuk duhet shmangur. Por kur diskutimi për dëmet nga fatkeqësitë natyre, i përmbledhur vetëm tek fajësia individuale e drejtuesve shtetërorë, me etiketime nga më të vrazhdëtat e banalet, rrezikon të anashkalojë përmasën reale të dukurisë natyrore dhe nevojën ulëritëse për politika dhe masa urgjente parandaluese.

Ky ndryshim qasjeje nuk është thjesht çështje komunikimi. Ai ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si planifikohen investimet dhe si ndërtohen politikat e sigurisë infrastrukturore. Nëse rrëshqitjet shihen vetëm si pasojë e gabimeve njerëzore, zgjidhja mbetet shpesh ndëshkimi administrativ. Nëse shihen edhe si rrezik natyror kompleks, atëherë kërkohen studime më të thella gjeologjike, monitorim i vazhdueshëm, teknologji mbrojtëse dhe fonde të qëndrueshme mirëmbajtjeje.

Shqipëria, për shkak të relievit malor dhe ndryshimeve të shpeshta klimatike, është veçanërisht e ekspozuar ndaj rrëshqitjeve të dheut. Projekte infrastrukturore të mëdha, si autostrada, tunele dhe rrugë turistike kërkojnë analiza shumë të detajuara dhe investime të vazhdueshme pas ndërtimit. Ndryshe, rreziku nuk zhduket. Ai vetëm shtyhet në kohë.

Të vendosim kulturën e diskutimit mbi parandalimin dhe përshtatjen

Një tjetër element është transparenca. Informimi i publikut mbi rrezikun, mbi studimet paraprake dhe mbi planet e mirëmbajtjes krijon besim dhe shmang politizimin e çdo incidenti. Në vend të debatit të nxehtë pas çdo rrëshqitjeje, do të ishte më produktive një kulturë diskutimi mbi parandalimin dhe adaptimin ndaj ndryshimeve klimatike.

Natyra nuk njeh kufij politikë dhe as debate televizive. Ajo kërkon respekt, njohje shkencore dhe menaxhim serioz. Shqipëria nuk ka luksin të zgjedhë mes “fajtorëve” dhe “rrezikut natyror”. Ne duhet të merremi me të dyja njëkohësisht. Vetëm kështu infrastruktura bëhet më e sigurt dhe reagimi institucional më i besueshëm.

Kur natyra godet, pyetja më e rëndësishme nuk është vetëm “kush e ka fajin?”, por “çfarë kemi bërë për ta parandaluar?”. Ky rast nxjerr edhe një herë në pah dallimin në mënyrën se si trajtohen ngjarje të tilla në Greqi dhe në Shqipëri. Në Greqi, bllokimi i autostradës nuk u shoqërua me akuza publike ndaj strukturave shtetërore, por u trajtua si pasojë e drejtpërdrejtë e kushteve natyrore ekstreme.

Tek ne, përkundrazi, raste të ngjashme shpesh shndërrohen menjëherë në debate politike, me akuza të ashpra ndaj institucioneve përgjegjëse për infrastrukturën rrugore, duke e zhvendosur vëmendjen nga thelbi i problemit.

Ndërkohë, ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike të viteve të fundit po sjellin pasoja gjithnjë e më të rënda dhe të paimagjinueshme më parë, si përmbytje masive, rrëshqitje të shpeshta të tokës dhe bllokime të papritura të akseve rrugore, jo vetëm në Shqipëri apo Greqi, por në të gjithë rajonin. Këto fenomene po vënë në provë infrastrukturën ekzistuese dhe kërkojnë qasje më serioze, planifikim afatgjatë dhe reagim profesional, përtej akuzave dhe retorikës politike.

Fluks në urgjencën e Fierit/ Çdo ditë mbi 120 pacientë, mjekët: Gripi po zgjat më shumë

Mbi 120 pacientë paraqiten çdo ditë për ndihmë mjekësore në Urgjencën e Fierit, si pasojë e virozave sezonale dhe gripit. Mjekja Ilva Çuni flet për një fluks të lartë të prekurish mes grup-moshave 15–25 vjeç dhe 70–80 vjeç, ndërkohë që fatkeqësisht nuk kanë munguar as rastet me pasoja fatale.

Sipas mjekes Çuni, piku i gripit është shënuar gjatë muajve nëntor dhe dhjetor, ku numri i vizitave ditore në urgjencë ka arritur deri në 160 pacientë në 24 orë. Ajo thekson se muaji janar ka regjistruar një rekord qytetarësh që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, me rreth 4 mijë raste të trajtuara vetëm në Urgjencën e Spitalit Rajonal Fier.

Mjekja nënvizon se gripi i këtij viti, krahasuar me një vit më parë, është karakterizuar nga një kohëzgjatje më e madhe e simptomave, si edhe nga rikthimi i tyre pas disa ditësh përmirësimi.

Më të prekur nga gjendjet virale kanë qenë pacientët me sëmundje kronike, një pjesë e të cilëve janë hospitalizuar. Në këtë kuadër, mjekja Çuni bën thirrje për kujdes të shtuar në përdorimin e antibiotikëve, të cilët duhet të merren vetëm me rekomandimin e mjekut të familjes.

Bisedimet mbahen javën e ardhshme, Zelensky: SHBA kërkon që lufta me Rusinë të përfundojë deri në qershor

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se Shtetet e Bashkuara synojnë që konflikti me Rusinë të përfundojë deri në qershor. Ai shtoi se të dyja palët janë ftuar për bisedime në SHBA javën e ardhshme.

“Amerika propozoi për herë të parë që ekipet negociuese të Ukrainës dhe Rusisë të takohen në Shtetet e Bashkuara, ndoshta në Miami, javën tjetër. Ne konfirmuam pjesëmarrjen”, tha Zelensky.

Ndërkohë, Rusia vazhdoi sulmet mbi infrastrukturën energjetike të Ukrainës, duke shkaktuar ndërprerje të gjera të energjisë gjatë temperaturave të ulëta. Ministri i Energjisë, Denys Shmyhal, raportoi për një sulm masiv që përfshinte mbi 400 dronë dhe 40 raketa, duke goditur substacionet dhe linjat kryesore të energjisë, si dhe centralet elektrike.

Operatori shtetëror Ukrenergo konfirmoi se deficiti energjetik në sistemin elektrik u rrit ndjeshëm pas sulmeve, ndërsa Polonia është kontaktuar për furnizim emergjent me energji. Në rajonin perëndimor të Lvivit, centrali Dobrotvir mbeti pa energji, duke lënë mijëra banorë pa drita. Po ashtu, centrali Burshtyn në rajonin Ivano-Frankivsk u godit për herë të 10-të që nga tetori 2025.

Sulmet shkaktuan edhe viktima: një person humbi jetën në rajonin Rivne dhe disa të tjerë u plagosën në Zaporizhzhia. Në Kiev, banorët u detyruan të strehoheshin përsëri në stacionet e metrosë për shkak të mungesës së ngrohjes dhe energjisë elektrike.

Ukraina ka kryer gjithashtu sulme ndaj Rusisë, duke goditur një fabrikë që prodhon komponentë për karburantin e raketave në rajonin Tver. Rusia nuk ka komentuar sulmet e fundit, ndërsa ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov akuzoi Ukrainën për vrasjen e një gjenerali të lartë, duke pretenduar se synonte pengimin e procesit të negociatave.

Që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në shkurt 2022, rreth 55 mijë ushtarë ukrainas kanë humbur jetën, ndërsa raportime të pavarura konfirmojnë rreth 160 mijë të vdekur nga ana ruse.

BE akuzon TikTok se dëmton të miturit: Të ndryshojë dizajnin që krijon varësi. Kompania: Akuzat të pabaza

Pas një hetimi dyvjeçar ndaj TikTok, Komisioni Evropian gjeti se platforma e shpërndarjes së videove është në shkelje të rregulloreve të përmbajtjes online, duke e paralajmëruar kompaninë të ndryshojë veçoritë që krijojnë varësi në mënyrë që të mbrojë përdoruesit, veçanërisht fëmijët.

“Për disa veçori TikTok duhet të ndërmarrë veprime dhe duhet të ndryshojë modelin e shërbimit të tyre në Evropë për të mbrojtur të miturit tanë”- u tha gazetarëve shefja e teknologjisë së BE-së, Henna Virkkunen.

Komisioni Evropian tha se masat që ka marrë TikTok thjesht nuk janë të mjaftueshme. “Kompania nuk e vlerësoi siç duhet se si veçoritë e saj që krijojnë varësi që mund të dëmtojnë përdoruesit dhe nuk zbatoi masa efektive për të zbutur rreziqe të tilla”- tha zëdhënësi Thomas Regnier duke deklaruar se aplikacioni ka kryer shkelje të Aktit të Shërbimeve Digjitale.

Ai sugjeroi që TikTok- të çaktivizojë të ashtuquajturën “lëvizje të pafundme”, e cila u lejon përodoruesve të kalojnë shpejt nëpër mijëra video në platformë. Zyrtari evropian bëri me dije se TikTok është platforma më e përdorur e mediave sociale pas mesnatës nga fëmijët e moshës 13 deri në 18 vjeç dhe se 7 përqind e moshave 12 deri në 15 vjeç kalojnë katër deri në pesë orë çdo ditë në aplikacion.

Rregullatori i BE-së e ka kërcënuar TikTok-un me një gjobë deri në 6 përqind të xhiros globale të ByteDance, pronarit kinez të platformës.

TikTok kritikoi gjetjet, duke thënë se ato janë të pabaza. “Gjetjet paraprake të Komisionit Evropian paraqesin një përshkrim kategorikisht të rremë dhe tërësisht të pavlera rreth platformës sonë. Ne do të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm për të sfiduar këto gjetje”- tha kompania.

Hetimi vjen në një kohë kur vendet e BE-së po kërkojnë kufizime më të mëdha mbi kompanitë e fuqishme të teknologjisë dhe mediave sociale, ku qëllim kryesor është mbrojtja e përdoruesve në moshë të re.

Princesha e Norvegjisë: Kërkoj falje për miqësinë me Epstein

Në dosjen “Epstein” shfaqen edhe komunikime të financierit me princeshën e Norvegjisë për tre vite rresht. Ajo u ka kërkuar falje qytetarëve norvegjezë për miqësinë me Epstein dhe për faktin që nuk e kishte njohur se kush ishte në të vërtetë ai.

Princesha e Kurorës së Norvegjisë, Mette-Marit, u ka kërkuar falje norvegjezëve për miqësinë e saj me Jeffrey Epstein, pasi u zbulua se ata kishin shkëmbyer mesazhe për tre vjet.

“Gjithashtu kërkoj falje për situatën në të cilën e kam vendosur Shtëpinë Mbretërore, veçanërisht Mbretin dhe Mbretëreshën”, tha ajo gjatë një deklarate zyrtare.

Harald V dhe Mbretëresha Sonja, të dy 88 vjeç, nuk kanë komentuar mbi zbulimet e reja.

Qindra email‑e nga viti 2011-2014 që përfshinin Epstein dhe princeshën e kurorës dolën në dritë në dosjet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA‑së një javë më parë.

Disa nga mesazhet përfshinin plane për t’u takuar personalisht dhe zbulojnë se ajo kaloi katër ditë në shtëpinë e Epstein në Palm Beach, Florida, ndërsa ai nuk ishte atje.

Pallati Mbretëror tha se princesha e kurorës ishte thellësisht e trishtuar që nuk kishte arritur ta kuptonte në kohë se çfarë lloj personi ishte Epstein.

Mbërrin në spital pa jetë një 4-vjeçar në Vlorë, familjarët: Kishte të vjella pasi konsumoi mjaltë

Një fëmijë 4-vjeçar ka ndërruar jetë në rrethana ende të paqarta në Vlorë, ndërsa autoritetet shëndetësore dhe organet e drejtësisë po kryejnë verifikimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit.

Sipas familjarëve, fëmija kishte shfaqur simptoma që në orët e paradites, pasi dyshohet se kishte konsumuar mjaltë. Ai kishte pasur të vjella të shumta, të cilat fillimisht u mendua se kishin kaluar. Megjithatë, edhe para se të ndërronte jetë, fëmija kishte shfaqur të njëjtat simptoma, me të vjella të pandërprera, shkruan A2.

Gjatë transportimit drejt qendrës shëndetësore në Dukat, fëmija ka qenë pa shenja jete, fakt ky i konfirmuar nga mjekët.

Ai u dërgua më pas në Spitalin Rajonal të Vlorës, në pediatrinë e madhe, ku u konstatua se kishte mbërritur pa jetë.

“Nga këqyrja paraprake mjeko-ligjore nuk janë konstatuar shenja dhune apo dëmtime të tjera në trupin e fëmijës. Aktualisht priten rezultatet e analizave të biopsisë dhe ekzaminimet e mëtejshme për përcaktimin e shkakut të saktë të vdekjes”, njofton policia.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Vlorës, e cila ka nisur veprimet përkatëse për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Ylli Manjani për “vendimin pa vendim” të Kushtetueses: Kur mungesa e seriozitetit prodhon kolaps institucional

Një ditë pas vendimit pa konkluzion të Gjykatës Kushtetuese, ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka reaguar me një koment kritik, ku vë në pikëpyetje seriozitetin, koherencën dhe integritetin e trupës aktuale gjykuese.

Në analizën e tij, Manjani e lidh bllokimin e vendimmarrjes kushtetuese me mungesën e plotësimit të gjykatës, personalizimin e vendimeve dhe dështimet strukturore të reformës në drejtësi, duke theksuar se zgjidhjet për këtë krizë nuk mund të vijnë as nga improvizimi dhe as nga lojërat mediatike, por nga politika dhe Parlamenti.

Postimi i Manjanit:

Tani, komenti im mbi vendimin pa vendim të kushtetueses është ky:

  1. Gjykimi kushtetues është një proces serioz, madje nga më seriozët, që ndodh në një republikë kushtetuese. Ky seriozitet ka kohë që na mungon, ndaj dhe jemi në këtë kolaps llogjik. Trupës së sotme gjyqsore kushtetuese i mungon serioziteti, por edhe integriteti profesional. Mungesa e koherencës në vendimmarrje është prova e mungesës së seriozitetit dhe integritetit.
  2. Gjykata Kushtetuese nuk mund të lihet e paplotësuar në numër, në mënyrë që vendimet e saj të varen nga humori i ditës së gjyqtarëve të veçantë, i mori apo jo pronat, apo bëri apo s’bëri sherr me gruan ai. Jo pa qëllim është bërë 9 numri i gjyqtarëve, pikërisht që të mos ketë vendime pa vendim. Numri tek i anëtarëve është një premisë që heq shumë mundësinë e bllokimit të vendimmarrjes. Prej një viti gjykata është me numër të paplotë anëtarësh dhe kjo është papërgjegjshmëri.
    Në fakt që nga reforma e këtej na ka ndodhur që të kemi Gjykatë Kushtetuese të paplotësuar. Para reformës, ky problem nuk ekzistonte….
  3. Si kudo, edhe në gjykimin kushtetues, gjërat nuk bazohen në parime por mbi persona. Për fat të keq mllefi i personit ndaj personit është në themel të vendimmarrjeve edhe në atë gjykatë.
  4. Për të mirë apo për të keq, zgjidhjet në këtë vend duhet të vijnë nga nismat legjislative, pra nga Parlamenti dhe politika. Drejtësia është e pavarur por jo e paanëshme. Reforma nr. 1 tashmë duhet të jetë ndërtimi i gjykatës së paanëshme.
  5. Teoritë e tjera me lojra dyfishe e me të veshur si partizanë që të duken si gjermanë, janë për të mbushur hapësirën mediatike por jo për të lexuar e kuptuar vendin ku jetojmë.

 

❌