Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Pas publikimit të dokumenteve të reja të dosjes Epstein, Mbreti përzë vëllain nga Londra

Andrew Mountbatten-Windsor, i njohur më parë si Princi Andrew dhe Duka i Jorkut, është zhvendosur nga rezidenca e tij në Windsor drejt Sandringham Estate në Norfolk, ku po qëndron përkohësisht në Wood Farm ndërsa shtëpia e tij e re po rregullohet, përcjell A2. Largimi nga Royal Lodge ndodhi të hënën në mbrëmje, më herët se sa ishte paralajmëruar nga Pallati Buckingham, në mes të rritjes së presionit publik pas daljes së dokumenteve të reja lidhur me Jeffrey Epstein.

Vendimi për t’u larguar nga Royal Lodge ishte shpallur që në tetor, në të njëjtën kohë kur atij iu hoq titulli princ. Prona e Sandringham-it është në pronësi private të Mbretit dhe kostot e strehimit të vëllait të tij do të mbulohen prej tij. Burime mbretërore thonë se, në plan afatgjatë, Mountbatten-Windsor pritet të vendoset në Marsh Farm.

Lidhjet e tij me Epstein vazhdojnë të rëndojnë mbi familjen mbretërore, sidomos pas publikimit të dokumenteve dhe dëshmive të reja, si dhe shtimit të thirrjeve që ai të dëshmojë në SHBA. Andrew ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje, por rasti mbetet një problem i madh për imazhin e monarkisë britanike. Zhvendosja në Sandringham shihet si një përpjekje për ta mbajtur atë larg vëmendjes publike dhe për të mbyllur një kapitull të vështirë për familjen mbretërore.

Rama, një udhëtar që preku folenë e grerëzave

Nga Frrok Çupi

Kryeministri duhej të ishte fshatar i ardhur nga ku ta dish. Siç i kemi pasur dy a tre kryeministra gjatë tre dekadave të fundit dhe të gjithë kryeministrat në periudhën e diktaturës. Enveri nuk quhet kryeministër, ishte më shumë.

Po të ishte Edi Rama një fshatar nga Çorrush apo nga Vicitoli, me siguri nuk do të kishim rënë në këtë rrezik me  foletë e gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Fëmijëve të fshatit, përfshi edhe mua, prindërit u jepnin mësime me rreziqe, çdo mbrëmje. Iu thonin të ruheshin nga shkëmbi, nga hardhuca, nga lumi, nga gjarpri…

Me grerëzat ishte tregimi më i shpeshtë.

“Kur shihni një fole grerëzash në degën e manit, mos e ngacmoni!”

Kjo ishte porosia.

-Do të shikoni një si top i vogël ngjitur në degë. Do të shikoni sikur fle, sikur nuk ka pasur jetë që në fillim; asgjë as hyn as del. Kësaj ruhuni!- porosisnin prindërit.

Foleja e grerëzave është më dinake se foleja e dhelprës dhe se gjarpri . Grerëzat ‘flenë’ gjithë jetën, por edhe asnjëherë nuk flenë. Po e preke (ç’mu kujtua fraza e Berishës ‘po preke gjënë më të vogël, kam snajper në dorë’)… Por po preke në folenë e grerëzave, atëherë ke prekur rrezikun. Dhjetëra grerëza të nxjerrin sytë.

Këtë po përjeton Edi Rama që preku folenë e gjykatësve dhe të prokurorëve. Nuk e dinte përrallën e fshatit, ky është fati i keq. Kryeministrat nga fshati e kanë grirë vendin, me çfarë kishte ky vend. Këtë e kanë arritur duke u bërë miq me grerëzat.

Çfarë bëri Edi Rama, si kryeministër?

Qysh para disa vitesh trokiti në folenë e tyre të pistë dhe iu kërkoi që të pastrohej shtëpia e Drejtësisë. Aty kishte bashkëpunëtorë krimi, vetë kriminelë, vrasës të të drejtës, trafikantë njerëzish, trafikantë e mafiozë të çdo lloji. Më të shumtët njerëz që shisnin e blinin të drejtat njerëzore dhe pasuroheshin për vete.

Nisi Reforma në Drejtësi.

E gjitha kjo është. Se ata janë të pareformueshëm. O zhvendoset krimi nga foleja, o të riparosh folenë e të lësh krimin brenda- kjo nuk bën. Po ku ta dinte Rama, që nuk kishte idenë e përrallës në fshat.

Ndërsa populli, në shumicë e ka vuajtur prej 30 vjetësh padrejtësinë që i kanë bërë prokurorët dhe gjykatësit.

Reforma që preku rrezikun e bëri këtë duke menduar se foleja ishte një gjë e brishtë thuajse e vdekur. Por kjo ishte vetëm dukja. Brenda folesë, ku hahen miliona të drejta njerëzore, aty ka tension shumë të madh. Aty secili nga gjyqtarët e prokurorët, si grerëza, mbrojnë copën e tyre. Copa është e majme. Njerëzit më të korruptuar të shoqërisë janë këta të Drejtësisë.

Gabimi i dytë i Reformës, që kësaj here nuk erdhi nga fshati, ishte se e goditi folenë e grerëzave. Saliu dhe Iliri qeshën kur e panë, sepse të dy e kishin mësuar në fshat që ‘mos i sulmo, bëhu me ta!’.

Sapo u sulmua foleja e drejtësisë së plepave dhe e korruptuar, atëherë grerëzat u bënë bashkë, të gjithë në sulm kolektiv. Sot kemi dy shoqata gjyqtarësh që kanë vënë përpara Parlamentin dhe Qeverinë e po u kërkojnë haraç gjithë pushtetin. Ose do t’u nxjerrin sytë.

Nuk është aq e thjeshtë puna se “duam rroga sa presidenti i Amerikës”. Jo. Duan gjithë pushtetin; duan gjithë të drejtën njerëzore që ta grinë në folenë e tyre; duan të mos ketë më përralla si Kuvend, Zgjedhje, Qeveri, Ushtri, Siguri.

“Njerëz, këto mbajini për vete- thërrasin grerëzat- Ne duam folenë tonë në degën e manit”.

Arrestohet 35-vjeçari në Tiranë, akuzohet në Itali për trafik droge

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 35-vjeçar i cili akuzohet në Itali si pjesëtar i një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike. I riu u kap në kryeqytet dhe është arresuar me qëllim ekstradimin. Gjykata e Peruxhias i ka caktuar atij masën e sigurisë arrest me burg.

“Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me ato të Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, bazuar në informacionet e shkëmbyera me Interpol Tiranën, për vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht, kanë lokalizuar në rrugën “Dritan Hoxha” dhe kanë arrestuar provizorisht, me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasin: A. S., 35 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata Penale e Peruxhias, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike””, njoftoi policia.

Interpol Tirana njoftoi se po vijon procedurat në bashkëpunim me homologët në Romë për ekstradimin e të riut.

Horoskopi ditor për nesër, e Enjte 5 Shkurt 2026

Dashi

E enjtja do të jetë mjaft pozitive, ku Venusi do të ketë ndikim tranzit dhe do e bëjë dashurinë mjaft të favorizuar. Ky është momenti i duhur për të shprehur idetë dhe projektet tuaja. Në punë do të ketë mundësi të shumta, por kjo gjë do ju tensionojë.

Demi

Në dashuri do të ketë momente tensioni. Kujdes duhet të tregoni me të lindurit e shenjës së luanit dhe ujorit, ku mund të hasni në probleme. Yjet do të jenë mjaft të favorshme në punë, ku do të ketë mundësi rikuperimi dhe rimarrje në dorë të situatës.

Binjakët

Mundohuni që të gjeni një moment për tu relaksuar. Dashuria do të jetë mjaft pozitive, ku do të keni mundësi që të bëni projekte premtuese. Kujdes duhet të tregoni me punën, dhe mos lejoni që problemet e saj të ndikojnë në sferat e tjera të jetës tuaj.

Gaforrja

Dashuria do të jetë mjaft e favorshme. Ky është momenti i duhur si për dashuritë e reja, edhe për rikuperimin e një raporti. Në punë duhet të ruani qetësinë para se të merrni disa vendime.

Luani

Qielli favorizon dashurinë. Një histori do të ketë mundësi që të rikuperohet, ashtu sikundër mund të lindë një lidhje e re. Situata do të jetë mjaft e favorshme edhe në punë.

Virgjëresha

Prilli ishte një muaj mjaft i veçantë, ku mund ta keni gjetur veten në situata të dyjëzuara. Në dashuri duhet treguar kujdes, pasi mund të përfshiheni në dy histori njëkohësisht. Në punë do ju duhet të merrni vendime.

Peshorja

Nëse nuk i duroni dot më disa persona, mund të ndryshoni sjellje ose të jeni më pak të sjellshëm. Në dashuri ndiheni të qetë, pasi keni arritur në disa përfundime. Në punë mund të ketë zhvillime premtuese.

Akrepi

Mund të jeni përballur me probleme në çift kohëve të fundit, por tashmë do të ketë mundësi për përmirësim. Kujdes duhet treguar me financat, në mënyrë që të mos shpenzoni shumë gjatë kësaj periudhe. Po ashtu mund të përballeni me lodhje, ndaj duhet të gjeni një moment për tu relaksuar.

Shigjetari

Ky është momenti ideal për të zgjeruar rrethin miqësor dhe kontaktet, duke pasur njohje të reja, shkruan noa.al. Mërkuri do të ketë ndikim të favorshëm në financa. Edhe në punë, do të arrini që të fitoni diçka më shumë.

Bricjapi

E enjtja do të jetë nën ritmin e duhur. Në dashuri gjërat do të ecin më mirë, por ju nuk do të jeni të qetë me veten. Mundohuni që të mos mendoni për gjëra që kanë ndodhur shumë kohë më parë dhe fokusohuni tek e tashmja. Në punë duhet qetësi, ndaj shmangni problemet. Do të keni dëshirë për ndryshim.

Ujori

Dashuria do të jetë mjaft e favorizuar pasi Venusi do të jetë në anën tuaj. Në punë, diçka do të lëvizë dhe më në fund do të merrni atë që dëshironi. Disa gjëra kanë nevojë për ndryshim radikal.

Peshqit

E enjtja do të jetë e mbushur me nervozizëm dhe dyshime. Në dashuri gjërat vijojnë që të jenë tejet të komplikuara, ndaj mundohuni që të ruani qetësinë dhe të mos bëni asgjë të nxituar. Puna do të ecë më së mirë, ku problemet e lindura së fundmi mund të zgjidhen.

Rama: 1600 të punësuar në administratë nga Programi Kombëtar i Praktikave të Punës

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot, 4 shkurt, në takimin e thirrjes së dhjetë të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës për studentët e ekselencës. Ai theksoi se beson shumë te ky program, i cili sipas tij ka punësuar 1 mijë e 600 persona në mënyrë përfundimtare në administratën e shtetit.

“Unë jam bërë realisht një besimtar i fortë i këtij programi. Kini parasysh se ky program ka punësuar në mënyrë përfundimtare në administratën e shtetit rreth 1600 persona. Administrata publike në vetvete është një trupë jo shumë e madhe, këto numra nuk janë pak. Ajo që i bën numrat më të rëndësishme është që janë 1600 burime njerëzore cilësore që kanë potencialin të zhvillohen dhe kanë kapacitetin potencial të jenë nesër drejtuesit e sektorëve, drejtuesit e departamenteve të drejtorive dhe kështu me radhë”, tha Rama.

Ndërkohë ai u bëri me dije të rinjve një projekt të madh të qeverisë së bashku me Komisionin europian për Garancinë Rinore.

“Dua t’ju flas për një projekt të madh që ka qeveria së bashku me Komisionin Europian që është Projekti i Garancisë Rinore. Është një projekt që ka si synim të identifikojë dhe aktivizojë të rinjtë që kanë potencial, por që nuk janë aktivë në kërkimin e rrugës së nxjerrjes së më të mirës nga vetja. Ka si qëllim të ofrojë mbështetje ekonomike, të ofrojë trajnime dhe aftësim profesional për të rinjtë. Ka si qëllim të sigurojë mundësi konkrete punësimi, të sigurojë vazhdimin e arsimit të formimit profesional dhe të praktikave dhe patjetër të fuqizojë pjesëmarrjen e të rinjve në jetën sociale dhe ekonomike të komunitetit”, tha Rama i cili sugjeroi të rinjtë që të njihen me këtë projekt.

“Është rreth 65 milionë euro dhe të shikoni si mund të angazhoheni me këtë projekt”, shtoi ai.

Kreu i ekzekutivit tha se qeveria do të shtyjë përpara agjendën për të thithur burimet më të mira njerëzore që dalin nga universitetet apo ato që janë në shoqëri.

Programi Kombëtar i Praktikave të Punës për studentët e ekselencës vijon prej 10 vitesh duke kthyer përvojën në punësim.

Gjatë vitit që lamë pas u ofruan 1 mijë e 401 praktika dhe mbi 600 të rinj u përfshinë në institucionet publike, ndërkohë që rreth 250 prej tyre do të përfitojnë kontratë pune 1-vjeçare në institucionet përkatëse. Praktikantët kanë marrë kompensim financiar prej 10 mijë lekësh në muaj për tre muaj.

Ndihmoi autorët të largohen, 24 vite burg për bashkëpunëtorin në vrasjen e Gentjan Bejtjes

Gjykata Penale e Tiranës ka dhënë këtë të mërkurë vendimin për I.B-në, të akuzuar për vrasjen e Gentjan Bejtjes, ngjarje e ndodhur në vitin 2024 në Fushë Krujë.

I.B akuzohet se ka ndihmuar ekzekutorët e vrasjes së Gentjan Bejtjas në fshatin Larushk të Fushë-Krujës të largohen nga vendi i ngjarjes në fshatin Hasan, ku edhe kanë djegur makinën. Po ashtu bëhet me dije se Beqaraj ka vëzhguar në kohë të ndryshme viktimën në afërsi të banesës së tij.

Prokuroria thotë se ka gjetur profil gjenetik të Beqarajt në makinën që autorët kanë përdorur për t’u larguar pasi dogjën makinën e krimit.

Kujtojmë se në lidhje me vrasjen e Gentjan Bejtjes janë arrestuar më herët Edison Haxhiu, ndërsa Flodian Plaku i njohur edhe me emrat Flodian Serjani dhe Flodian Memo, i cili kishte rolin e qitësit është ende në kërkim nga policia.

42-vjeçari Gentjan Bejtja u ekzekutua në oborrin e shtëpisë së tij në Larushkë të Fushë Krujës në 2024.

Lidership tregu: 2025, viti i Albsig Jetë

Viti 2025 shënoi një rikonfigurim të rëndësishëm të tregut të sigurimeve të Jetës në Shqipëri, ku Albsig Jetë, e licencuar në shtator 2019, arriti të pozicionohet lider i tregut, vetëm në vitin e saj të gjashtë të operimit. Të dhënat zyrtare tregojnë se kompania ka përfituar nga një rritje e fortë dhe e qëndrueshme, e udhëhequr kryesisht nga zgjerimi i ndjeshëm i portofolit të Sigurimit të Jetës së Debitorit.

Tregu i sigurimeve të jetës në rritje, por me ndryshime të forta strukturore

Në total, primet e shkruara bruto në sigurimet e Jetës u rritën me 17.6% në vitin 2025, duke arritur në rreth 2.44 miliardë lekë, nga 2.07 miliardë lekë një vit më parë. Megjithatë, kjo rritje nuk ishte lineare për të gjitha shoqëritë, pasi tregu u karakterizua nga zhvendosje të dukshme të peshave të tregut dhe nga rritje të diferencuara sipas produkteve.

Në këtë kontekst, Albsig Jetë rezulton performuesja më e spikatur e vitit, duke regjistruar një rritje vjetore të primeve të shkruara bruto prej 87.8%, nga 500 milionë lekë në 2024 në rreth 939 milionë lekë në 2025. Si rezultat, pjesa e saj në treg u zgjerua ndjeshëm, duke arritur në 38.6%, nga 24.1% një vit më parë.

Dyfishimi i Jetës së Debitorit, motori kryesor i rritjes

Performanca e Albsig Jetë është e lidhur ngushtë me ecurinë e Sigurimit të Jetës së Debitorit, segmenti dominues i tregut. Në vitin 2025, primet e shkruara bruto në këtë produkt u rrit me 15.3% në nivel tregu, duke arritur në 1.89 miliardë lekë.

Brenda këtij segmenti, Albsig Jetë shënoi një rritje mbi dyfish, me prime që u rritën nga 437 milionë lekë në 2024 në rreth 881 milionë lekë në 2025, ose 101.5% më shumë. Si pasojë, kompania rriti ndjeshëm peshën e saj në këtë treg, duke zotëruar 46.7% të totalit të primeve të Jetës së Debitorit, nga 26.7% një vit më parë.

Ky zgjerim reflekton jo vetëm rritjen e kreditimit dhe bashkëpunimin me sektorin bankar, por edhe kapacitetin e kompanisë për të menaxhuar volum të lartë kontratash, pasi numri i përgjithshëm i kontratave të sigurimit të Jetës në treg u rrit me 21.7%, ndërsa Jeta e Debitorit vijon të mbajë mbi 72% të totalit të kontratave aktive.

Menaxhim i kontrolluar i dëmeve dhe stabilitet financiar

Paralelisht me rritjen e shpejtë të primeve, Albsig Jetë ka ruajtur një profil të kontrolluar dëmesh. Në totalin e tregut, dëmet e paguara bruto në sigurimet e Jetës ranë me 4.2%, në rreth 320 milionë lekë.

Për Albsig Jetë, dëmet e paguara bruto u rritën në 41 milionë lekë, por pjesa e saj në total mbetet e përballueshme dhe në përputhje me zgjerimin e portofolit.

Spahiu: Rritje e ndërtuar mbi besimin e klientëve dhe mbështetjen e Grupit Kastrati

Drejtori i Përgjithshëm i Albsig Jetë, Ervin Spahiu, vlerëson se performanca e vitit 2025 është rezultat i një strategjie të ndërtuar mbi baza afatgjata:

“Viti 2025 konfirmoi pjekurinë e modelit tonë të biznesit. Rritja e fortë e Albsig Jetë është ndërtuar mbi partneritete të qëndrueshme, fokus te nevojat reale të klientëve, si edhe mbështetjen e madhe të Grupit Kastrati. Objektivi ynë për vitin 2026 është konsolidimi i mëtejshëm në tregun e Jetës dhe zgjerimi me produkte inovative.”

Me një ritëm rritjeje që e ka çuar nga një kompani e re në lider tregu brenda gjashtë vitesh, Albsig Jetë hyn në vitin 2026 me ambicien për të thelluar pozicionin dominues, duke u shndërruar në një nga aktorët kyç të zhvillimit të sigurimeve të Jetës në Shqipëri.

Tare mendon gjatë për Milanin: Ja pse dështoi transferimi i yllit të Premier League

Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, ka sqaruar publikisht arsyet pse klubi kuqezi vendosi të mos vazhdojë me transferimin e sulmuesit Mateta, pak para ndeshjes së kampionatit ndaj Bolonjës.

Në një prononcim për DAZN, Tare bëri të ditur se operacioni ishte menduar më shumë si investim për të ardhmen dhe jo si zgjidhje e menjëhershme për skuadrën. Sipas tij, gjatë fazës së negociatave kishte hapësirë reale për ta çuar marrëveshjen deri në fund dhe Milani kishte tentuar ta konkretizonte transferimin.

“”Marrëveshja e Matetës kishte të bënte me të ardhmen, jo me të tashmen. Ndërsa negocionim, pamë se kishte një shans për ta çuar përpara dhe u përpoqëm ta bënim këtë”, theksoi Tare.

Megjithatë, vendimi përfundimtar ndryshoi pas kontrolleve mjekësore, ku u evidentua një problem fizik i lojtarit. Për këtë arsye, drejtuesit e klubit zgjodhën të ndalin procesin, duke lënë të hapur mundësinë që çështja të rishqyrtohet në të ardhmen, në varësi të zhvillimeve.

“Pastaj, gjatë vizitave mjekësore, zbuluam problemin fizik të lojtarit dhe vendosëm të mos vazhdonim. Do të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.”, përfundoi ai.

“Jetimore qokash”, pas kritikave të Ramës ikën kreu i “Illyrian Guard”! Ish-deputeti i PS merr drejtimin

Enrik Banushi është larguar nga drejtimi i shoqërisë policore “Illyrian Guard sh.a”, e cila është me kapital 100 % shtetëror.

Tvklan.alka mësuar se në vend të tij, drejtimin do e marrë Florenc Spaho, ish-drejtori i Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza, QSUT.

Shoqëria “Illyrian Guard” është e para shoqëri aksionere me kapital 100 % shtetëror, e cila u themelua në vitin 2019 dhe që ofron shërbimet e sigurisë dhe ruajtjes fizike të institucioneve të rëndësisë së veçantë, siç janë institucionet shtetërore dhe në vazhdimësi dhe të bizneseve apo ndërmarrjeve private.

Sjellim ndërmend se kryeministri Edi Rama, pak muaj më parë e kritikoi shoqërinë “Illyrian Guard” duke thënë se ishte kthyer në një “jetimore qokash” që humbi misionin e saj fillestar. Ai po ashtu kërkoi një reformë rrënjësore në administrimin e pasurive të sekuestruara dhe e cilëson Policinë si pjesë të problemit në çështjen e ndërtimeve të paligjshme.

“Për të mos harruar nivelin e shoqërisë Illyrian Guard, e cila u krijua për t’ju dhënë kuadrove të Policisë një tranzicion të butë drejt pensionit me një pagë të denjë dhe u kthye në një jetimore qokash nga të katërta anët, duke humbur misionin për të cilin u krijua. Policia shkencore është një tjetër strukturë që, falë disa specialistëve, i ka mbijetuar kohës, derisa filluan investimet serioze në shërbimet nëpër spitale. Por një polici shkencore e pa investuar gjëkundi, siç duket për këtë kohë që jetojmë. Apo shërbimi elitë i RSH-së, Garda. Administrimi i pasurive të sekuestruara, më në fund ka filluar të bëjë sens pas kushedi se sa vitesh. Kjo është meritë e ministrit dhe e drejtores, meritë që më në fund i dha vëmendjen e duhur. Policia e Shtetit mbetej prapë pa infrastrukturën e duhur, ndërkohë që kriminelët rimerrnin pallatet. Palace i thonë francezët vilave të ekzagjeruara që fare mirë mund të ishin komisariate policie, për të thënë ‘këtu është shteti’.“, tha Rama gjatë një fjalimi në muajin shtator të vitit 2025.

Kapitali fillestar për krijimin e shoqërisë “Illyrian Guard” në vitin 2019 ka qenë  dhjetë milionë lekë.  “Illyrian Guard”, sh.a., ofron shërbime me pagesë, kundrejt subjekteve të treta, publike apo private, në fushën e rendit e të sigurisë publike, teknologjisë së informacionit, si dhe çdo shërbim tjetër në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj. Mbi të gjitha, ofron shërbime mbështetëse në Ministrinë e Brendshme dhe institucionet në varësi të saj, në zbatim të kompetencave që i njihen kësaj të fundit sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore.

Florenc Spaho ka qenë deputet i Partisë Socialiste prej vitit 2019 e në vijim në Elbasan, mirëpo në zgjedhjet e 11 Majit të vitit të kaluar, ai nuk arriti të siguronte mandatin, edhe pse grumbulloi 3 mijë e 95 vota.

Më 22 korrik të këtij viti ai u emërua në krye të QSUT-së, mirëpo pasi qëndroi vetëm dy muaj në këtë detyrë dha dorëheqjen.

Tentuan të grabisin ish-futbollistin e “Aston Villas”, dënohen me burg dy shqiptarët në Britani

Dy hajdutë shqiptarë janë dënuar me nga 56 muaj burg secili, pasi akuzohen për shënjestrimin e shtatë pronave, përfshirë shtëpinë e ish-futbollistit të Aston Villas dhe Birmingham City, Scott Hogan.

Denis Puka, 28 vjeç, dhe Erisjan Laska, 29 vjeç, së bashku me një person të tretë të paidentifikuar, kryen një seri grabitjesh për tre netë rresht qershorin e kaluar.

Gjykatësi Steven Everett e përshkroi operacionin e tyre si “të sofistikuar dhe të planifikuar mirë”, pasi ata kishin rezervuar një dhomë Airbnb në Warrington dhe kishin udhëtuar nga jashtë zonës për ta përdorur atë si bazë për veprimtarinë kriminale.

Automjeti i tyre, një Seat Leon i sjellë nga Sheffield, ishte i pajisur me tre targa të falsifikuara gjatë vjedhjeve.

Shtëpia e Scott Hogan, i cili tani luan për Milton Keynes Dons, në Northwich, Cheshire, ishte një ndër pronat e synuara nga 5 deri më 7 qershor. Hogan, 33 vjeç, u zgjua rreth orës 23:30 të mbrëmjes më 7 qershor nga drita e një pishtari që vinte nga dritarja e dhomës së tij të gjumit.

Prokurorja Nardeen Nemat tha se gruaja e futbollistit, atëherë shtatzënë, dhe vajza e tij e vogël ishin gjithashtu në shtëpi në atë moment. Ajo tregoi se të pandehurit kishin hyrë në kopsht duke u ngjitur mbi gardh, dhe njëri prej tyre u ngjit mbi shpatullën e tjetrit për të arritur dritaren e dhomës së gjumit.

Hogan pa jashtë dhe dalloi burrat të shtrirë në tokë. Ai u përpoq t’i ndjekë, por grabitësit u arratisën me shpejtësi. Fatmirësisht, nuk morën asgjë nga shtëpia.

Të nesërmen, të pandehurit shënjestruan pronat në Grappenhall, Knutsford dhe Northwich. Shqiptarët u arrestuan pasi makina e përdorur për vjedhjet u gjet më shumë se një javë më vonë në një kompleks banesash në Warrington, me sende të ndryshme brenda, përfshirë telefona celularë, rroba, mjete dhe targa të falsifikuara.

“Shqipëria e tepron me përdorimin e paraburgimit”, ekspertët e KiE: Liria personale nuk garantohet

Me shifrat aktuale të paraburgimit, Shqipëria nuk po u garanton qytetarëve të saj të drejtën për liri dhe siguri personale, ndërsa kjo situatë kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Ky ishte mesazhi i qartë i disa prej emrave më të njohur të drejtësisë evropiane, të angazhuar nga qeveria shqiptare në procesin e konsultimeve për reformimin e politikës së paraburgimit, një problematikë që prej vitesh kritikohet edhe nga institucionet perëndimore.

Dy dokumente voluminoze, rreth 60 faqe gjithsej, të siguruara nga gazeta TemA janë përgatitur nga gjyqtari belg Theo Byl, zëvendësprokurori i Përgjithshëm i Gjykatës së Lartë të Italisë, Nicola Lettieri, si dhe gjyqtari portugez Filipe César Marques. Raportet u prezantuan në një tryezë të thirrur nga Ministria e Drejtësisë dhe apeli ishte i prerë: paraburgimi duhet të jetë masë e jashtëzakonshme dhe jo praktikë rutinë, me kufij ligjorë të përcaktuar pa ekuivok.

“Zgjidhja nuk është ndërtimi i burgjeve të reja. Mund të ndërtoni sa të doni burgje, por përgjigjja qëndron te politika penale dhe mënyra se si reagon një shtet ndaj këtyre çështjeve”, theksoi drejtori i Përgjithshëm i të Drejtave të Njeriut dhe Sundimit të Ligjit në Këshillin e Evropës, Gianluca Esposito, duke shtuar se gjykatat kanë barrën të argumentojnë qartë pse një person duhet të mbahet në paraburgim.

Një nga rekomandimet kryesore është kufizimi i veprave penale për të cilat mund të kërkohet masa e paraburgimit. Ekspertët propozojnë shtimin e tre paragrafëve në nenin 232 të Kodit të Procedurës Penale, ku përcaktohet se paraburgimi mund të urdhërohet vetëm për krime për të cilat parashikohet dënim maksimal jo më pak se pesë vjet burg.

Sipas Nicola Lettierit, aktualisht mungon një prag i qartë ligjor, çka lejon që paraburgimi të kërkohet dhe të miratohet pothuajse për çdo vepër penale, në kundërshtim me logjikën e vetë kodit. “Nuk është koherente që masat më pak ndëshkuese të kenë më shumë kushte sesa paraburgimi”, vëren ai.

Një tjetër ndryshim thelbësor i propozuar lidhet me nenin 228 të Kodit të Procedurës Penale: heqja e togfjalëshit “dyshim i arsyeshëm” dhe zëvendësimi i tij me formulimin “baza të arsyeshme për prova apo indicie”. Po ashtu, asnjë gjykatë nuk duhet të japë masën “arrest me burg” pa një arsyetim të plotë dhe të individualizuar se pse masat alternative nuk janë të mjaftueshme. Vendimet standarde apo “copy-paste” konsiderohen në kundërshtim me standardet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Ekspertët rekomandojnë gjithashtu uljen e afatit maksimal të paraburgimit, i cili aktualisht arrin deri në tre vjet. Për vepra më pak të rënda, paraburgimi mund të kufizohet në një vit, ndërsa për vepra të rënda në dy vjet. Theksi vihet te përdorimi më i gjerë i masave alternative, si monitorimi elektronik, garancia pasurore, arresti shtëpiak, detyrimi për paraqitje apo ndalimi i largimit nga vendi.

Në dokumente theksohet se barra e provës për vazhdimin e paraburgimit duhet t’u takojë autoriteteve dhe jo të pandehurit, ndërsa prokurori ka detyrimin ligjor të kërkojë edhe prova në favor të personit nën hetim. Po ashtu, rekomandohet përshpejtimi i hetimeve, të cilat në Shqipëri shpesh zvarriten pa afat, përmes rritjes së kapaciteteve institucionale në prokurori, gjyqësor dhe polici.

Mesazhi përfundimtar i ekspertëve evropianë është i qartë: zgjidhja nuk është ndërtimi i më shumë burgjeve, por ndryshimi i politikës penale dhe i një mentaliteti të trashëguar, që e ka shndërruar paraburgimin nga përjashtim në rregull.

Dështon gara për drejtorin e ri të Gardës së Republikës, ja arsyeja

Dështon në minutën e fundit gara për drejtorin e ri të Gardës së Republikës së Shqipërisë.

Kandidatëve që morën pjesë u ka ardhur një email nga komisioni, i cili i njofton se gara është finalizuar pa një fitues.

Burime bëjnë me dije se një nga kandidatët që është vlerësuar nga komisioni më me shumë pikë, i mungon një nga kriteret ligjore për t’u shpallur fitues, siç është cikli i dytë i arsimit të lartë.

Për këtë arsye edhe gara nuk është finalizuar me fitues. Pritet që të hapet garë sërish.

Në mesazhin që u ka shkuar kandidatëve thuhet: “Në vijim të procedurës së konkurrimit për përzgjedhjen e kandidatit për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Gardës së Republikës, të zhvilluar në zbatim të Udhëzimit të Ministrit të Brendshëm nr. 102, datë 05.06.2024, ju informojmë se, pas përfundimit të të gjitha fazave të parashikuara të verifikimit dhe vlerësimit të kandidaturave, procedura nuk është finalizuar me shpalljen e një kandidature fituese.

Procesi është zhvilluar në përputhje të plotë me kuadrin ligjor dhe nënligjor në fuqi, duke garantuar respektimin e parimeve të ligjshmërisë, transparencës, paanshmërisë, meritokracisë dhe mundësive të barabarta. Ju falënderojmë për pjesëmarrjen dhe interesin e treguar”.

Mbetjet e rrezikshme të Kurum, Policia ekzekuton 20 nga 33 masat e sigurisë

Policia e Shtetit deri tani ka ekzekutuar 20 nga 33 masat e sigurisë të dhëna nga Prokuroria e Durrësit për çështjen e mbetjeve të rrezikshme të Kurum.

Brenda 102 kontejnerëve me mbetje të kompanisë turke Kurum, që do të eksportoheshin drejt Tajlandës nëpërmjet kompanisë “Sokolaj” sh.p.k. të Gjovana Sokolajt, është verifikuar se ishte futur hiri i furrave të metalurgjikut, një mbetje e rrezikshme.

Sipas dokumenteve të Prokurorisë, rezulton se të dyja kompanitë kanë kryer një sërë veprimesh për të fshehur llojin e vërtetë të mbetjes.

Analizat laboratorike dhe aktet e ekspertimit kanë konfirmuar se bëhet fjalë për mbetje të koduara 10 02 07*, të cilat konsiderohen të rrezikshme për shëndetin dhe mjedisin.

Tabaku në SHBA: Lufta kundër krimit dhe klima e biznesit, në fokus të takimeve

Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, së bashku me deputetë të tjerë të PD-së, ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po zhvillon një seri takimesh me anëtarë të United States Congress.

Ata u takuan me kongresmenët Keith Self, Jeff Sessions, John Moolenaar dhe Robert Aderholt, me të cilët u diskutuan çështje kyçe që lidhen me demokracinë, ekonominë dhe sigurinë në Shqipëri dhe rajon.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku thekson se në qendër të bisedave kanë qenë tre shqetësime kryesore. Së pari, ndikimi i grupeve kriminale në politikë dhe në proceset zgjedhore, duke nënvizuar se lufta reale kundër krimit të organizuar është parakusht për funksionimin e shtetit ligjor dhe për zgjedhje të lira e të ndershme.

Së dyti, ajo ka ngritur problematikën e klimës së biznesit, duke theksuar se mungesa e institucioneve të forta dhe zbatimi selektiv i ligjit e bëjnë Shqipërinë pak tërheqëse për investitorët europianë dhe amerikanë. Pa sundim të ligjit dhe garanci institucionale, investimet serioze dhe afatgjata shmangin vendin.

Së treti, Tabaku ka vënë theksin tek siguria e investimeve kritike dhe e infrastrukturës strategjike, duke e lidhur analizën dhe kontrollin e investimeve të huaja me forcimin e ekonomisë dhe të sigurisë kombëtare. Sipas saj, ekonomia nuk është vetëm çështje zhvillimi, por edhe një element thelbësor i sigurisë.

Deputetja e PD-së ka rikujtuar se këto çështje janë reflektuar edhe në nismat e saj parlamentare, përfshirë propozimin për analizën e investimeve të huaja, i cili është refuzuar nga qeveria.

Sipas Tabakut, kjo nismë nuk është politike, por një nevojë imediate për të frenuar investime që mund të dëmtojnë interesin publik, konkurrencën e ndershme dhe sigurinë e vendit.

Vizita në SHBA dhe takimet me kongresmenë amerikanë, sipas saj, synojnë forcimin e bashkëpunimit me partnerin strategjik dhe ndërkombëtarizimin e shqetësimeve reale mbi demokracinë, ekonominë dhe sundimin e ligjit në Shqipëri.

Sindikata e gjykatësve, si parti politike

Nga Edi Rama

Jam këtu në një komunikim të drejtpërdrejtë sepse jam absolutisht i surprizuar, le të themi me një fjalë të butë, nga një reagim shumë i pabesueshëm i Shoqatës së Gjyqtarëve, lidhur me shqetësimin e ngritur nga unë publikisht për një përpjekje që në këndvështrimin tim, është e pajustifikueshme, është e papranueshme dhe është e pagëlltitshme për t’iu imponuar Parlamentit dhe qeverisë përmes pushtetit gjyqësor dhe për t’i rritur pagat vetes, gjyqtarët me gjyq.
Këtë shqetësim publik unë e kam shprehur si palë, në emër të një pale, një pale me të drejtën për të mbrojtur interesin e vet, në këtë rast publik, në gjykatë. Pra, në emër të pushtetit ekzekutiv, por edhe si kryetar i shumicës parlamentare.

Është hera e dytë që ndodh, që ka një habi shoqëruar me një përpjekje për të më mbyllur gojën, kur në fakt, unë flas në emër të çka përfaqësoj me votën e shqiptarëve, në mbrojtje të një interesi për të cilin jemi në gjyq. Pra, jemi palë dhe befas, shoqata e gjyqtarëve shfaqet publikisht si një parti politike, me një gjuhë të papranueshme dhe të pajustifikueshme për të ata të cilët përfaqësojnë pushtetin gjyqësor, pra përfaqësojnë një pushtet, i cili arbitron dhe jo një arbitër, i cili thotë ‘’bilbili është i imi, topi është i imi, penalltinë do ta gjuaj vetë dhe porta duhet të rrijë pa portier’’.

Dëgjoni se çfarë gjuhe: “shoqata kanë ndjekur me keqardhje dhe shqetësim fushatën e spekulimeve publike të ndërmarrë nga kreu i Këshillit të Ministrave dhe gjithashtu dhe zhvillimin mediatik të saj që kulmoi mbrëmjen e kaluar”, pra flasim për parmbrëmë ku pasi mora këtë informacion kuptova që ka patur disa emisione të mbrëmjes që janë marrë me këtë çështje dhe këto emisione të mbrëmjes, të organizuara në mënyrë krejt të pavarur prej meje dhe në mënyrë krejt të natyrshme siç organizohen çdo mbrëmje dhe shumë prej të cilave janë të pa mirëseardhura në aspektin përmbajtjesor, nga shumica qeverisëse, por kjo s’ka asnjë lloj problemi, futet në gjuhën tipike të një politike të vjetër, të dasisë dhe të urrejtjes duke i përshkruar gjykatësit e Republikës së Shqipërisë; – në fakt aty janë një dorë njerëzish që i shkruajnë dhe i bëjnë këto, se s’janë absolutisht të gjithë gjyqtarët, por ata që marrin përsipër të flasin në emër të gjyqtarëve, – si fushatë e imja, e kreut të Këshillit të Ministrave.

Tani, besoj që të gjithë e dinë se çfarë është një fushatë dhe çfarë është një fushatë kur e udhëheq unë, së bashku me gjithë shokët dhe shoqet e ‘’armëve’’ të Partisë Socialiste, një uragan që merr përpara kë t’i dalë përpara, kur është fjala për një betejë politike, por kjo nuk është një betejë politike. Ne nuk jemi në asnjë fushatë dhe nuk kemi asnjë qëllim të bëjmë fushatë kundër gjykatësve dhe të vetëvendosurit në pozicionin e viktimës, ndërkohë që ajo që kjo shoqatë po kërkon, është absolutisht unikale në historinë e Europës, nuk e bën më të lehtë pozicionin e gjykatësve. “E gjithë kjo tymnajë populiste…”, po kush jeni ju që i jepni vetes të drejtën të bëni përcaktime të tilla; tymnajë populiste?! Jeni parti politike? Regjistrohuni si parti politike, dilni në garë dhe mbroni platformën tuaj dhe pastaj bëni dhe ju siç bëjnë plot ‘’luftën’’ me etiketime, me sharje, me fyerje, me vendosje të kundërshtarit në pozita që nuk janë absolutisht të lidhura me argumentin, por me etiketimin. “Tymnajë populiste e krijuar dhe e shpërndarë me qëllim linçimin e gjyqtarëve”. E dini çfarë është linçimi? Linçimi, mund t’ua them unë se unë e kam provuar linçimin. Linçimi është diçka krejt tjetër, nuk ka lidhje fare me një qëndrim publik, ku as nuk është përmendur njeri me emra, as nuk fyer dhe etiketuar njeri, por është ngritur një problem i madh dhe serioz. Ju, zotërinj kërkoni 37 milionë euro plus, nga buxheti i shtetit për t’i rritur vetes pagat. Kjo është e vërteta që nuk e luan topi dhe që ta dinë shqiptarët se çfarë kërkoni ju dhe për çfarë jemi ne në gjyq me ju, në Gjykatën Kushtetuese, shqiptarët duhet të dinë që ju kërkoni që për gjyqtarin e Shkallës së Parë, paga të shkojë nga 3360 euro në 5300 euro. Ju kërkoni që për gjyqtarin e Apelit paga të shkojë nga 3480 që është sot aktualisht, 3480 euro, në 5500 euro. Ju kërkoni që paga në Gjykatën e Lartë të shkojë 5800 euro dhe ju kërkoni që pagat e prokurorëve të SPAK-ut të cilët, edhe një herë tjetër për SPAK-un, e veçoj sepse nuk i është bashkuar dhe respekte, nuk i është bashkuar kësaj përpjekjeje absurde, nuk ka firmosur për të qenë palë në Gjykatën Kushtetuese për ta çuar pagën e vet 9800 euro! 9800 euro!

Ndërkohë që sot aktualisht pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të SPAK janë rreth 6500 euro. Pra 3000 euro doni ju t’i rrisni pagat vetes në muaj me një vendim gjykate. Ku jeni ju këtu? Ça kërkoni ju? Dhe ndërkohë ajo që e bën dhe më serioze këtë situatë, është se pagat tuaja janë paga më të larta, goxha më të larta se në rajon; se në Maqedoninë e Veriut, se në Malin e zi dhe janë paga të barabarta me gjykatësit në një vend të BE siç është Greqia. Sot që flasim aktualisht, ju i keni pagat sa në Greqi dhe ju doni t’i rrisni me nga 2000, me nga 3000 euro në muaj. Në emër të çfarë? Ju thoni në emër të ligjit dhe të kushtetutës?! Kjo është e pavërtetë!

Nuk ka ligj dhe nuk ka kushtetute që ju jep juve këtë të drejtë dhe nuk është shkruar as gjëkundi dhe kur ju thoni “ne nuk mund të heshtim përballë përbaltjes kryeministrore”, për çfarë përbaltje e keni ju fjalën? Për cilën përbaltje? Për cilën përbaltje kryeministrore publike dhe mediatike tërësisht histerike, si guxoni ju të vendosni etiketime të tilla duke qenë arbitra, duke qenë përfaqësues të një pushteti i cili duhet të heshtë në publik dhe duhet të japë vendime në sallën e gjyqit midis palësh dhe palë në gjyq jemi të gjithë përveç jush. Ju jeni ata që gjykoni për të gjithë dhe duhet të garantoni barazinë përpara ligjit të të gjithëve. Dhe ndërkohë juve me këtë tentativë në Gjykatën Kushtetuese doni të jeni ligji. Kjo është e vërteta dhe nuk synon, siç thoni ju, qëndrimi im të ndezë kundërshtitë në opinionin publik për një vendimmarrje dhe proces kushtetues që duhet të zhvillohet në sallën e gjyqit, për të cilin dikush prej jush në emër të shoqatës, atje në gjykatë siç e përmenda në prononcimin tim tha “edhe ne të zgjuar jemi, thamë ta kalojmë këtë kur të tjerët se kishin mendjen dhe e kishin mendjen tek fushata, tek zgjedhjet”. Ashtu hë? Çfarë do me thënë kjo? Dhe si arrini ju në pikën që të sulmoni publikisht qeverinë, të sulmoni publikisht kreun e Këshillit të Ministrave, të sulmoni publikisht mediat dhe t’i akuzoni të gjithë për histeri. Kush jeni ju? Për çfarë histerie e keni fjalën? Më shikoni mua të axhituar? Jam shumë i axhituar se 37 milionë euro që kërkoni ju plus nga buxheti i shtetit janë para që duhet të hiqen nga diku tjetër dhe juve merrni përsipër atje në sallën e gjyqit të jepni gjykime politike. Ju merrni përsipër atje në sallën e gjyqit të jepni gjykime për qeverinë a thua se qeveria është një palë tjetër, jo në aspektin kushtetues, por në aspektin politik. Ju merrni përsipër të flisni për abuzime etj ndërkohë që duhet të garantoni në sallat e gjyqit paanësi, pavarësi dhe paanësi, por kjo është një temë tjetër.

Ndërkohë që tema për të cilën jam këtu unë është kjo që juve kërkoni të rrisni pagat vetes me gjyq. Dhe vazhdoni thoni që “e gjithë kjo fushatë qeveritare dhe e shumëzuar mediatikisht dhe e nxitur dita ditës për të krijuar furi populiste”. Cilën furi populiste dhe cila e nxitur dita-ditës? Ku e keni dëgjuar ju dita-ditës këtë gjë? Apo është miza nën kësulë që nuk po funksionon plani i kalimit pa mendje të 37 milionë eurove plus, të rritjes së pagave mujore me 2000 e 3000 euro në muaj? Dhe të kthimit të Shqipërisë në të vetmin vend në planet ku pastaj në pafundësi pagat e gjyqtareve dhe prokurorëve janë më të larta se paga e Presidentit të Republikës dhe e deputeteve dhe e ministrave dhe e gjithë të tjerëve. Po si ka mundësi që sot pagat e shumëkujt nga ju janë më të larta sesa paga e kryetarit të Gjykatës së Lartë një herë, e kuptoni apo jo? Po çfarë bëhet kështu?

Ndërkohë që po i marrim me radhe argumentet për të mos vazhduar këtë betejën retorike të cilën ju sugjeroj ta lini dhe të mos përfshiheni më se nuk i takon gjykatësve të prononcohen publikisht me terma të tilla duke përdorur etiketime të cilat ju shkojnë partive më të vjetra dhe më të degraduara këtu në Republikën e Shqipërisë dhe jo një trupe gjyqësore e cila është mbështetur me të gjitha forcat, me të gjithë vullnetin e mirë, me të gjithë dëshirën e mirë pa pushim nga kjo qeveri dhe nga kjo shumicë qeverisëse. Kurrë nuk e keni parë ju më parë këtë pavarësi, kurrë nuk e keni pasur ju më parë këtë pushtet të cilin patjetër ua u ka dhënë Kushtetuta, por Kushtetuta jua u kishte dhënë në letër dhe më parë por nuk e kishit sepse jua u diktonin të tjerët. Dhe ky është vullneti ynë. Ashtu sikundër edhe ato paga që keni sot që i keni më të larta sesa gjykatësit, koleget tuaj në rajon. Goxha më të larta! Dhe që i keni të barabarta me Greqinë. I keni sepse është vullneti i kësaj shumice qeverisëse.

Tani t’i marrim pak me radhë.

Ju thoni se projektligji për statusin e magjistratëve është hartuar nga ekspertet, së pari ju thoni, “i hartuar nga ekspertet dhe mandatuar nga komisioni i posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi parashikonte në vitin 2016”, thoni ju, – “se statusi financiar i pagës së magjistratëve do të ishte gati 1/3 në vlerë absolute më e madhe nga çfarë u vendos nxitimthi dhe pa debat për tu bërë ligj nga kuvendi nëntorin e 2016. Shpejtësia e miratimit të ligjeve në kuvend me shmangien e debatit mbi këtë propozim të gjithë të pranuar në vitet e hartimit të paketës ligjore, bëri që cedimi i parë në këtë drejtim nga standardet e drejtësisë së re të ndodhte me miratimin e ndryshuar nga varianti fillestar i ligjit. Ky ishte keqbesimi i parë”. Kjo është e pavërtetë. Është tërësisht e pavërtete dhe unë ju referohem dhe juve, ndryshe nga ju po ju citoj dhe ju dhe publiku le të dëgjojë. E vërteta është krejt ndryshe dhe atë paketë të vitit 2016, e kanë hartuar patjetër ekspertet kombëtar dhe ndërkombëtar, por e kanë mbështetur në mënyrën më të vendosur deputetët e Kuvendit të Shqipërisë dhe ata kanë dalë me atë formulë dhe nuk ka absolutisht asnjë të vërtetë në çfarë thoni ju dhe në ndërkohë po vazhdoj me të dytën për të shpjeguar dhe të parën. “Sikur të mjaftonte ky cedim”, thoni ju, – “në ligjin e nëntorit të vitit 2016 u parashikua që efekti financiar i pagave të magjistratëve do të nisnin nga data 1.1.2019. Kështu për dy vite e dy muaj thoni ju reforma e re vendosi që magjistratët të paguhen me reformat e vjetra”. Këtu është dhe shqipja pak problem, por nuk po hyj te shqipja. “Ky moment ishte keqbesimi i dytë në radhë”.

Zotëri ne kemi vendosur në vitin 2016 një rritje pagash të jashtëzakonshme për ju, për t’ju dhënë juve dhe mbështetjen financiare si shprehje e vullnetit dhe e mesazhit të asaj reforme që ja dhe një sakrificë e të gjithë taksapaguesve që ju të paguheni më shumë se gjithë kolegët tuaj në rajon që ju të jeni të drejtë, të jeni të pavarur, të jeni të paanshëm dhe të bëni punën tuaj për ta mbajtur pushtetin e pavarësuar të drejtësisë, me dinjitet dhe në emër të popullit dhe të Republikës së Shqipërisë, por ama nga vendimi i 2016-s deri tek krijimi i mundësive për të pasur atë fond pagash duhej një kohë, se në 2016 kur ne kemi kaluar këtë paketë, Shqipëria nuk ishte kjo. Kjo është një Shqipëri tjetër. Kjo Shqipëri i ka mundësitë sot për shumë gjëra që nuk i kishte në 2016-n. Dhe prandaj ajo hapësirë kohore që iu la për t’ju rritur pagat ju ishte një hapësirë kohore e llogaritur me laps dhe me letër në Ministrinë e Financave, në drejtorinë e buxhetit me të gjithë ekspertet në mënyrë që ne t’i përgjigjshim këtij detyrimi, por të mos hapnim gropa të tjera nga ato gropa që kishim të hapura nga e kaluara dhe që po i mbushnim hap pas hapi.
Si mund të jetë kjo me çelës magjik që vendosëm sot ti bëjmë një rritje pagash eksponenciale një grupi interesi, një grupi shoqëror dhe kjo u bëka qysh të nesërmen, kjo bëhet me hapa dhe nuk ka qenë keq besim, por ka qenë mirë planifikim.

Ndërkohë që ju vazhdoni dhe më një gjë tjetër që unë habitem si diskutoni akoma dhe si guxoni tua thoni këtë popullit shqiptar.

Ju thoni “së treti paketa iu pasua keq besimit të tretë pasi në momentin e fundit në Kuvend u ndryshua dispozita tranzitore e ligjit duke u parashikuar që magjistratët që nuk kishin kaluar vettingun në datën”, – e shumë dhe mezi pritur, shqipja, “1.1.2019 do vijonin të merrni pagën e vjetër, atë të përcaktuar në vitin 2008”. Pra që ta dëgjojë publiku, ju keni shkuar në Gjykatën Kushtetuese për t’ju rritur pagën atyre që iu hoqi vettingu sepse nuk ishin të denjë për sistemin e ri të drejtësisë.

Ju keni shkuar në Gjykatën Kushtetuese për t’i kërkuar taksapaguesve shqiptarë që të paguajnë paga më të larta se të të gjithë të tjerëve, për gjykatës dhe prokurorë sepse Vetingu i hoqi sepse kishin pasur të pajustifikuara;

Ju keni vajtur në Gjykatën Kushtetuese për t’iu thënë taksapaguesve shqiptarë se edhe ata që ishin korruptuesit dhe gjakpirësit e sistemit të drejtësisë dhe të popullit shqiptar, meritonin rritje pagash njësoj si ata që kaluan Vetingun
Si mund ta fusni dhe këtë në radhën e pretendimeve që keni nga kjo “qeveri e poshtër” e cila ka bërë një reformë historike dhe e cila ka bërë atë që kolegët tuaj nga viti 2012 dhe deri kur u bë kjo reformë, do ta kishin ëndërruar, por nuk e kanë prekur dot; ia ka dhënë pavarësinë pushtetit, që juve sot duhet të bëni çdo gjë që ta ushtroni me dinjitet; pushtetin që juve sot duhet të bëni çdo gjë që ta ktheni në një të mirë të madhe të popullit shqiptar; pushtetit që juve sot duhet të bëni çdo gjë për t’iu dhënë shqiptarëve pavarësisht statusit social, pavarësisht çfarëdolloj diference që kanë në jetën e përditshme, atë që shqiptarët e kanë ëndërruar por s’e kanë pasur kurrë dhe nuk e kanë akoma edhe sot dhe për këtë duhet ju, të jeni të parët që të shqetësoheni, – barazinë para ligjit.
Tani, për të vazhduar me të katërtën: “Dhe Këshilli i Ministrave, me keqbesim tregoi mungesë sinqeriteti dhe vullneti në këtë element të reformës. Paga e magjistratëve, vendas dhe ndërkombëtarë dhe të miratuar nga shumica e kualifikuar e vendit, ishte ndërtuar në mënyrë të tillë, që paga referuese lidhej pazgjidhshmërisht me një kategori të caktuar funksionari të lartë të nënpunësisë civile në Kryeministri, duke pasur parasysh mbrojtjen e statusit, të pavarësisë etj, etj’’

Dhe thoni ju tani; “mungesa e sinqeritet…”
Po kush jeni ju që mund të gjykoni sinqeritetin?
Kush jeni Ju?!

Si mund të hyni ju të diskutoni kështu në këtë farë feje për një pushtet kushtetues dhe ndërkohë që ju, e përsëris, nuk jeni si ky pushtet, i cili buron nga vota, buron nga beteja politike, buron nga ballafaqimi i alternativave, buron dhe nga gjithë ajo “arena e baltës ku jemi të detyruar të zhgërryhemi përditë se aty na tërheqin, ndërkohë që ju jeni aty lart’’. Lart për të dhënë drejtësi dhe për ta garantuar barazinë para ligjit dhe jo për të zbritur këtu poshtë ku jemi ne të tjerët, që përditë jemi në beteja të tilla dhe për t’u futur dhe ju në këtë “përleshje’’ më një gjuhë të papranueshme, të pajustifikueshme; në një gjuhë që shkel çdo koment të gjykatësve dhe ndërkohë, të thoni që “Këshilli i Ministrave kishte suprimuar qëllimisht dhe me keqbesim, – sipas jush, – referencën e pagës duke suprimuar vendin”.

Unë po ju them juve qe jeni dhe të painformuar përveç të tjerave, sepse nuk ka patur asnjë lloj suprimimi nga Këshilli i Ministrave të ndonjë pozicioni të quajtur “Drejtori të përgjithshëm’’, sepse nuk ka patur drejtor të përgjithshëm në Këshillin e Ministrave si funksion. Merrni, shikoni gjithë organigramën e Këshillit të Ministrave dhe mos flisni dokrra në sytë e popullit shqiptar se gjithë këto dokrra që juve keni folur këtu, ngrenë një pikëpyetje shumë të madhe për mënyrën se si ju arsyetoni dhe nga mënyra juaj e arsyetimit varen fate njerëzish; nga mënyra juaj e arsyetimit varet interesi publik, varet interesi kombëtar, varen gjithfarëlloj interesash dhe varen gjithfarëlloj familjesh nga mënyra se si ju arsyetoni dhe ju nuk mund të arsyetoni pa prova, ju nuk mund të arsyetoni pa fakte dhe ju nuk mund të arsyetoni duke i marrë dhe duke “i shkelmuar” faktet dhe provat apo duke i marrë të mirëqena kur ato s’ekzistojnë.
Dhe ky është fiks një nga rastet.

Kur flisni për një drejtor të përgjithshëm të suprimuar në organigramën e Këshillit të Ministrave, Këshilli i Ministrave nuk ka pasur asnjëherë drejtor të përgjithshëm. Është ndryshe struktura e Këshillit të Ministrave.

Dhe vijmë këtu tek e pesta: Ju thoni “për të ndrequr kushtetutshmërinë’’. Po kush jeni ju që përcaktoni këtë gjë kështu? Ju nuk jeni parti politike. Partitë politike, njerëzit e tjerë, të gjithë përfshirë dhe mua mund të flasin duke dhënë opinione të tilla në publik.
Ju jeni gjykatës, ju nuk jeni interlokutorë të publikut në arenën e pluralizmit politik.
Si mund ju flisni kështu?
Si mund ju të hidhni baltë mbi qeverinë e kësaj republike, me këtë lloj retorike dhe për më tepër pastaj, të flisni për zbritje fiktive në kategori më poshtë të pagës referuese, të bëra nga ana e Këshillit të Ministrave, ndërkohë që, e vërteta është se flisni dhe për ulje, pra juve ju është përkeqësuar pozicioni financiar, sipas jush.
Po si ka mundësi ta thoni këtë?
Po nxirrni një dokument të vetëm, një dokument të vetëm të përkeqësimit të pozicionit tuaj financiar. Po keni pagat njësoj si gjykatësit në Greqi sot dhe doni t’i rrisni prapë me nga 2000 e me nga 3000 euro në muaj.
Domethënë ta dinë shqiptarët, jo t’i keni nga 2000 e nga 3000, se ndërkohë i keni më shumë se 2000 dhe 3000 në muaj, por doni t’i rrisni me plus 2000 e me plus 3000. Dhe thoni që ne ua paskemi përkeqësuar pozicionin financiar juve?!

Këto janë në fakt, për fat të keq, dokrra.
Nxirrni një dokument të përkeqësimit të pozicionit financiar dhe nxirreni në publik se nuk jeni parti politike, për të bërë deklarata publike. Deklaratat publike t’i bëni kur keni realisht momente kur ju cenohet pozicioni nga ndonjë forcë apo ndonjë faktor. Askush këtu, përsa më takon mua, nuk ju cënon ju pozicionin, përkundrazi , kjo qeveri është garantja e pavarësisë suaj dhe ju e dini shumë mirë se këtu keni jetuar, këtu keni qenë dhe ju e shikoni vetë ndryshimin e madh që ka ndodhur dhe në jetën tuaj familjare dhe për këtë, respekt për të gjitha familjet tuaja dhe edhe në jetën tuaj profesionale sepse ju jeni totalisht të pavarur.

A jeni totalisht të paanshëm?
Këtë duhet ta shikoni tek vetja dhe ta kërkoni çdo ditë kur hyni në sallën e gjyqit. Jo të dilni në publik e të bëni fletërrufe-ra dhe për më tepër pastaj, neni 138 i Kushtetutës, të cilit i referoheni ju dhe e lexoni ju si garanci, që ju mund t’ia rrisni pagën vetes progresivisht, nuk ka absolutisht as këtë frymë e as këtë germë.
Neni 138 i Kushtetutës parandalon vetëm një gjë; uljen e pagës, prekjen e asaj që është një e drejtë e fituar dhe këtë as e kemi bërë dhe as kemi për ta bërë kurrë.
Dhe e fundit, ju thoni që “Kundërvënia e kësaj qëndrese…’’

Ç’do me thënë kundërvënia e kësaj qëndrese, në shqip njëherë, se shqipja është gjuhë shumë e pasur, shumë e bukur, por është hall i madh kur e përdor keq.
“Kundërvënia e kësaj qëndrese dhe emancipimi të pushtetit gjyqësor dhe shoqërisë civile të gjyqtarëve, Këshilli i Ministrave vendosi sërish të ndërhyjë në statusin financiar, duke e ulur cilësisht dhe materialisht atë, por duke fshehur këtë uljen në keqbesim në një formulë që siguron vetëm vlerën absolute’’
-More, zotëri, nuk mundet ju të keni në pafundësi epërsi mbi të gjithë shoqërinë shqiptare dhe mbi të gjithë piramidën e shtetit shqiptar, sepse nuk e ka asnjë vend i botës. A e kuptoni kaq gjë apo jo? Nuk mund ta keni ju këtë epërsi. I është dhënë kjo epërsi Gjykatës Speciale dhe Prokurorisë Speciale për arsye të funksionit që ushtrojnë dhe ajo është një strukturë e përkohshme, e cila ushtron një mision që në këtë kohë është përcaktuar si mision strategjik për transformimin e shtetit shqiptar dhe ata njerëz gjenden dhe në situata sakrifice, në situata presioni, në situata edhe rreziku për jetën e vetë në një moment të caktuar, për shkak se përballen me grupe kriminale e të tjerë, por ju çfarë doni?

Si e keni hallin ju se nuk e kuptoj?!
E vërteta është që Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi kanë ushtruar vetëm diskrecionin e tyre në përcaktimin e formulës së pagës dhe këtë ua ka njohur Gjykata Kushtetuese more zotërinj.
Gjykata Kushtetuese këtë e ka shkruar, fatmirësisht këtë e ka shkruar ndërkohë që s’duhet ta merrte fare e kam thënë dhe më parë në konsideratë asnjë kërkesë tuaj se nuk rriten pagat me gjykatë. Pse jeni ju ndryshe nga të tjerët? Pse nuk shkojnë dot mësuesit të rrisin pagat? Pse nuk shkojnë dot mjekët, infermierët të rrisin pagat? Pse nuk shkojnë dot shoferët, pastrueset të rrisin pagat në gjykatë? I kanë të tepërta? Apo i kanë aq shumë saqë nuk kanë nevojë më tu rriten?! Të gjithë kanë nevojë tu rriten pagat, të gjithë duan të rrisin pagat, por ju keni edhe gurin dhe arrën dhe thoni, jo ne i rrisim vetë. Nuk ndodh kjo! Nuk ndodh kjo në asnjë vend të planetit! Nuk ka bërë vaki kjo që të vendoset Gjykata Kushtetuese në pozitën që të bëjë llogaritarin e pagave dhe për më tepër, ajo që kërkoni ju të impononi është që të ndërhyni në politikën e pagave të Republikës së Shqipërisë, po këtu çfarë nuk është bërë në emër të pavarësisë dhe në emër të kokëfortësisë. Këtu është ndërhyrë dhe në politikën e taksave në Republikën e Shqipërisë që janë ekskluzivitete të pushtetit ekzekutiv dhe Parlamentit.

Dhe tani, që ta kuptojnë shqiptarët se ku e kam unë gjithë këtë hall, përveç se atij 37 milionëshit që doni ju ta merrni menjëherë dhe që tregoni se ju bëni konfiskime, ju jepni vendime ku dalin lekë. Çfarë është kjo logjikë?! Po si mund të bëhet kjo logjikë? Sipas saj, të gjithë sektorët ku vijnë të ardhura për buxhetin e shtetit, duhet të rrisin pagat e veta. Po sektorët ku nuk ka të ardhura në buxhetin e shtetit, po ku është e ardhmja e Shqipërisë, edukimi; ku është jeta e shqiptarëve, shëndetësia, që paguhen nga taksat, po ata ç’do bëjnë meqë nuk nxjerrin lekë, por duan lekë?! Si do bëjnë ata?! Po pensionistët si do t’i rrisin pensionet e veta meqë ata nuk na japin të ardhura siç na jepni ju? Ku e keni parë këtë logjikë? Çfarë është kjo logjikë?
Dhe për më tepër, që ta kuptojnë shqiptarët, ju kërkoni që sa herë, se ju jeni këtu, të tjerët janë këtu, dhe ju thoni sa herë t’u rritet paga këtyre këtu, duhet të na rritet dhe ne këtu. Sa herë t’u rritet paga këtyre, duhet të na rritet dhe ne këtu.

Domethënë ju doni që kjo të jetë Republika e parë demokratike në planet, ku gjykatësit paguhen si një kast më vete atje në qiell, të tjerët rrinë këtu në tokë.
Unë mendoj që kjo polemikë, është një polemikë e nxitur tanimë nga ju, që po ju duhet ta ndalni si polemikë, ndërsa të drejtën time, jo si personalisht Edi Rama, por si kryeministër i Shqipërisë për të mbrojtur interesin publik, dhe për të ndarë me publikun të gjithë pikëpamjet e mia kur qeveria është në Gjykatën Kushtetuese, nuk ma hiqni dot as ju dhe askush dhe në emër të pavarësisë, të paprekshmërisë, të paanësisë ju nuk mund të kërkoni heshtjen time, pastaj me mediat merruni vetë se ata janë në punën e tyre dhe bëjnë punën e tyre, me të cilën ju e dini shumë mirë, shpesh herë s’jam dakord, por është puna e tyre dhe që ju të arrini të thoni, në mbyllje “iniciativat civile dhe kushtetuese të shoqatave të gjyqtarëve nuk kanë si qëllim rritjen e pagës”, po çfarë qëllimi kanë?

Çfarë halli keni ju tjetër?
“Një term i zgjedhur qëllimisht, i gënjeshtër dhe spekulant, vetëm e vetëm për t’i kundërvënë procesit gjyqësor kushtetues populizmin”, – mësoni kuptimin e fjalëve, – për t’i kundërvënë populizmin, “si armë e pafuqisë juridikë dhe fuqisë së përbaltjes”.
Asnjë përbaltje!

Ju jeni ata që përbaltni duke bërë deklarata të tilla publike si shoqatë dhe duke qenë se nuk kam dashur pikërisht, të merrem me asnjë aspekt personal jo e jo, prandaj s’kam përmendur as emra ndërkohë që ju më drejtoheni mua personalisht, por s’ka problem nuk e marr si personale, ju jeni fillimisht të paligjshëm si shoqata. Më kupton çfarë jeni ju? Jeni të paligjshëm dhe Gjykata Kushtetuese nuk duhet t’iu kishte pranuar ju si palë sepse ju nuk respektoni dispozitat e ligjit, ju vetë për organizatat jofitimprurëse, se shoqatat janë jofitimprurëse, ndërkohë që ju shoqatat tuaja dhe kjo shoqata për të cilën po flas, është ngritur vetëm për të fituar lekë deri tani, nuk kam parë unë të bëni ndonjë gjë tjetër ju deri tani, por vetëm për të fituar para. Shko në Gjykatë Kushtetuese për të fituar para, për të rritur të ardhurat tuaja dhe shoqata e unionit, kjo që ka bërë gjithë këtë paçavure, është e pezulluar nga Qendra Kombëtare e Bizneseve, aty ku regjistrohen se nuk keni paguar detyrimet tatimore dhe nuk keni paguar kontributet shoqërore, ju si shoqatë, që dyshoj që keni një anëtarësi të gjerë, por gjithsesi.

Ndërsa shoqata tjetër, s’ishte fare e regjistruar në Qendrën Kombëtare, as te Tatimet, sipas detyrimit, i ka ligji këto detyrime dhe praktikisht duhet të ishte e çregjistruar se kështu thotë ligji! Dhe Gjykata Kushtetuese nuk i mori në konsideratë këto fakte se ju jeni subjekte si shoqata që nuk duhet të merreni fare në referencë sepse ju nuk jeni në përputhje me ligjin.

E kuptoni se ku jemi ne?! Dhe unë nuk mendoj që ju keni problem të regjistroheni, që keni problem të keni NIPT, që keni problem të paguani tatimet, që keni problem të paguani siguracionet, unë nuk mendoj këtë. Unë mendoj që jeni arrogantë. Keni një arrogancë të një pushteti që ju e trajtoni si një pushtet të pakufizuar, si pushtet të pakontrolluar, si pushtet të pakontrollueshëm dhe për këtë arsye, ndodhin dhe gjëra të tjera këtu në këtë vend, por nuk jam këtu për këto sot.

Këto ishin ato që kisha unë për sot.
Edhe një herë, unë jam palë dhe flas në emër të një pale.
Ju nuk jeni palë dhe nuk mund të flisni si palë dhe për më tepër nuk mund të trajtoni të tjerët si palë, që i vini në shënjestër sepse ju keni dhe gurin dhe arrën, por jo për të rritur pagat tuaja. Këto kisha unë për sot!

Paraburgimi në Shqipëri, KiE propozon disa rekomandime: Të vlerësohet periodikisht

Ekspertët e Këshillit të Europës kanë lëshuar disa rekomandime kryesore për të adresuar problemin e paraburgimit në Shqipëri. Në dokumentin që mban firmën e gjyqtarit belg Theo Byl, zv/prokurorit të Përgjithshëm të Kasacionit në Itali, Nicola Lettieri dhe gjyqtarit portugez, Filipe César Marques thuhet se duhen sqaruar konceptet e paqarta ligjore dhe të ketë përkufizime të qarta sa i përket termave “arsye të rëndësishme” ose “rrezik i veçantë”. Ata rekomandojnë përafrimin e terminologjisë me standardet ndërkombëtare për të garantuar parashikueshmëri dhe siguri juridike.

Sipas tyre duhen forcuar kërkesat për arsyetim gjyqësor.

“Duke kërkuar që gjyqtarët të japin arsyetime të individualizuara dhe specifike për rastin kur vendosin paraburgimin. Futja e mjeteve të strukturuara të vlerësimit të rrezikut, për të ndihmuar gjyqtarët të vlerësojnë nëse masat më pak kufizuese mund të adresojnë në mënyrë të mjaftueshme rreziqet. Detyrimi i gjykatave për të dokumentuar shprehimisht në vendim arsyet pse masa si garancia pasurore, detyrimi për paraqitje apo mbikëqyrja elektronike nuk janë të mjaftueshme”, thuhet në rekomandime.

Të tjera rekomandime janë edhe zgjatja e afatit për paraqitjen e ankimimit kundër vendimeve për paraburgimin nga pesë në dhjetë ditë.

Një nga çështjet më të rëndësishme është edhe kohëzgjatja dhe rishikimi periodik i paraburgimit. Ekspertët rekomandojnë kufizim të kohëzgjatjes maksimale. Sipas tyre ajo mund të tejkalohet vetëm “në raste vërtet të jashtëzakonshme dhe vetëm mbi bazën e justifikimeve konkrete, të individualizuara dhe të arsyetuara mirë”. Përtej kësaj, ekspertët vlerësojnë se duhet vlerësuar periodikisht nëse paraburgimi vazhdon të jenë i domosdoshëm, proporcional dhe i arsyeshëm dhe jo vetëm në ecurën e hetimit. Për këtë arsye, prokurorët duhet të vendosin parimin e përgjithshëm për të kërkuar prova edhe në favor të personit nën hetim dhe ta informojnë gjykatën në mënyrë të menjëhershme.

Një tjetër rekomandim është heqja e parashkrimit kohor prej 6 muajsh.

“Heqja e parashkrimit kohor prej 6 muajsh për kundërshtimin e kohëzgjatjes së paraburgimit (i vetmi kufizim duhet të jetë ndalimi i përsëritjes së argumenteve që janë paraqitur dhe shqyrtuar tashmë). Përcaktimi që afati kohor të fillojë të llogaritet nga momenti i masës së mëparshme të sigurimit edhe për vepra të ndryshme të kryera para lëshimit të urdhrit të parë, kur ekziston lidhje sipas nenit 55 të Kodit Penal. Vendosja e ekuivalencës midis arrestit në shtëpi dhe paraburgimit, duke ndryshuar mënyrën e zbritjes në dënimin përfundimtar, në mënyrë që një ditë paraburgim/arrest shtëpie të barazohet me një ditë dënim përfundimtar”, thuhet në rekomandimet e KiE-së.

Po ashtu rekomandohet edhe forcimi i përdorimit të alternativave ndaj paraburgimit, zgjerimi i regjimit të garancisë pasurore, krijimi i një sistemi efektiv dhe funksional të mbikëqyrjes elektronike si dhe futja e urdhrit të ndalimit të kontaktit. Ndër të tjera kërkohet një vëmendje e veçantë për personat në situatë vulnerabël.

Kujtojmë se në një konferencë të nivelit të lartë të organizuar në Tiranë nga ministria e Drejtësisë, Këshilli i Europës i cilësoi si të ekzagjeruara masat e sigurisë “arrest në paraburgim” të dhëna nga gjykatat shqiptare.

“Marrja e një mase siguruese nuk ka nevojë që të ketë si premisë që personi të jetë fajtor përtej dyshimit të arsyeshëm. Na duhen indicie serioze apo baza të arsyeshme për t’u thënë gjyqtarëve që metodologjia e vlerësimit është e njëjtë si për shpalljen e fajësisë, ashtu edhe për masat siguruese. Masat e paraburgimit mund të zbatohen vetëm në ato procese që përfshijnë vepra penale të ndëshkuara me ligj me dënim mbi 1 vit burg”, tha Nicola Lettieri, Zëvendësprokuror i Përgjithshëm në Gjykatën e Lartë të Kasacionit të Italisë,

Theo Byl, gjyqtar belg që ndërhyri virtualisht me një fjalim, iu referua praktikës që ndiqet në Belgjikë, ku përdorin masa alternative si monitorimi elektronik për të zëvendësuar paraburgimin, çka e ka ulur ndjeshëm numrin e të paraburgosurve.

Shkarkohet nga detyra Freskida Halilaj, ja kush vjen në krye të IdentiTek

Ish-zv.ministrja e Jashtme Silda Çepe Anagnosti do të drejtojë nga sot IdentiTek. Ministrja e Brendshme ka shkarkuar nga detyra Freskida Halilaj nga drejtimi i IdentiTek, e cila mbante këtë post që prej muajit nëntor 2024, teksa është emëruar Silda Çepe Anagnosti.

Më parë këtë post e ka mbajtur Loina Prifti e cila u shkarkua nga Ministria e Brendshme.

Silda Çepe Anagnosti ka mbajtur disa detyra të rëndësishme më parë si në administratë ashtu edhe në qeveri. Ajo ka qenë edhe zëvendësministre për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Analisti: Lajm shumë i rëndë që Veliaj do të mbrohet, por s’ka dosje!

Analisti Arion Sulo ka ngritur akuza të forta lidhur me funksionimin e drejtësisë, duke e cilësuar si skandal faktin që, sipas tij, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nuk ka dosjen e SPAK.

Në emisionin “Trialog” në RTSH, Sulo tha se në seancën për gjykim paraprak, Veliaj ka braktisur sallën me argumentin se “nuk kam dosje, nuk kam si të mbrohem”.

Sulo shtoi se ndërkohë në Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka mbërritur dosja e prokurorisë për gjyqtaren Irena Gjoka, por gjashtë anëtarë kanë refuzuar ta shqyrtojnë.

Këto ditë kemi patur lajme shumë të rënda për drejtësinë. Erion Veliaj për shembull nuk ka dosje. Ditën e diel është bërë seancë në GJKKO dhe atij i është rrëzuar kërkesa për ndryshimin e masës. Ai ka braktisur dje seancën gjyqësore për gjykim paraprak sepse nuk kam dosje, nuk kam si të mbrohem. Nga ana tjetër, në KLGJ, ka shkuar dosja e prokurorisë për gjyqtaren Irena Gjoka dhe 6 nga ata kanë thënë që nuk e shqyrtojmë. Nuk i vihet në dispozicion dosja në asnjë lloj mënyre”, tha Sulo.

Skandali i 2800 tonëve mbetje të rrezikshme të Kurum, ekzekutohen vetëm 20 nga 33 urdhër-arrestet e Prokurorisë së Durrësit

Nga 33 urdhërarreste të lëshuara nga Prokuroria e Durrësit për skandalin e 2800 tonë mbetjeve të rrezikshme të Kurum, janë ekzekutuar vetëm 20 prej tyre.

Operacioni i Policisë së Shtetit për ekzekutimin e masave të sigurisë, nga të cilat 26 arrest me burg dhe 6 arrest shtëpie, u shtrinë në 3 qytete Tiranë, Elbasan dhe Durrës.

102 kontejnerët me 210 tonë mbetje që kishin destinacion Tajlandën, u kthyen në nëntor 2024 në vendin tonë pasi organizata mjedisore “Basel Action Netëork” ngriti alarmin se brenda tyre mund të fshiheshin tonelata me mbetje të rrezikshme.

Kontejnërët me mbetjet e reezikshme mbahen prej më shumë se një viti në një fushë të hapur në Porto Romano të Durrësit. Prokuroria veproi në këtë moment pasi ishte në pritje të ardhjes së përgjigjes së analizave që u kryen nga një laborator I certifikuar jashtë vendit.

“Dramat” e familjes Beckham me djalin e tyre, reagon për herë të parë vjehrri i Brooklyn: Dhëndri im është i mrekullueshëm

Nelson Peltz, babai i aktores , ka folur për herë të parë publikisht lidhur me tensionet  mes dhëndrit të tij, Brooklyn Beckham, dhe prindërve të këtij të fundit, David dhe Victoria Beckham.

Gjatë një eventi në West Palm Beach të martën, më 3 shkurt, miliarderi 83-vjeçar u shpreh se nuk ishte momenti për të hyrë në detaje rreth marrëdhënieve familjare, por theksoi mbështetjen e tij të plotë për çiftin.

Vajza ime është e mrekullueshme, dhëndri im Brooklyn është i mrekullueshëm dhe mezi pres që ata të kenë një martesë të gjatë dhe të lumtur së bashku,” tha ai.

Peltz shtoi se herë pas here u jep këshilla çiftit, por pranoi se edhe ata i japin këshilla atij.

Deklarata e tij vjen pak ditë pasi Brooklyn Beckham reagoi publikisht përmes Instagramit, duke lënë të kuptohet se nuk ka ndërmend të pajtohet me prindërit e tij.

Ai i akuzoi ata për kontrollimin e narrativës mediatike të familjes gjatë gjithë jetës së tij, duke përmendur postime “pretencioze”, marrëdhënie joautentike dhe manipulim të shtypit për të ruajtur imazhin publik.

“Kam parë se sa larg janë të gatshëm të shkojnë për të përhapur gënjeshtra në media, shpesh në kurriz të njerëzve të pafajshëm,” shkroi ai, duke shtuar se beson se e vërteta gjithmonë del në shesh.

Ndërkohë, vëllezërit dhe motra e Brooklyn-it, Romeo, Cruz dhe Harper, janë shfaqur publikisht në krah të prindërve të tyre. Javën e kaluar, familja Beckham u pa e bashkuar në Javën e Modës në Paris, ku Brooklyn mungonte, ndërsa Cruz dhe Romeo u shfaqën të shoqëruar nga partneret e tyre.

❌