Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

“Paracetamoli shkakton autizëm”/ Studimi hedh poshtë pretendimin

Marrja e paracetamolit gjatë shtatzënisë nuk rrit mundësinë që fëmija të jetë autik ose një aftësi të kufizuar intelektuale. Kështu ka dalë në përfundim një studim i zhvilluar së fundmi.

“Ky rishikim sistematik dhe meta-analizë nuk gjeti prova se përdorimi i paracetamolit nga nëna gjatë shtatzënisë rrit rrezikun e çrregullimit të spektrit të autizmit, ADHD ose aftësisë së kufizuar intelektuale tek fëmijët”, thuhet në studim, i cili është botuar në Lancet Obstetrics, Gynaecology and Women’s Health.

Studimi është ndërmarrë nga një ekip prej shtatë studiuesish nga e gjithë Evropa, të udhëhequr nga Asma Khalil, profesoreshë e obstetrikës dhe mjekësisë fetale të nënës në City St George’s, Universiteti i Londrës.

Studiuesit shqyrtuan dhe krahasuan rezultatet shëndetësore të 262,852 fëmijë nën 18 vjeç që ishin vlerësuar për autizëm, 335,255 të vlerësuar për ADHD dhe 406,681 të vlerësuar për aftësi të kufizuara intelektuale.

Khalil tha se paracetamoli mbetet një opsion i sigurt gjatë shtatzënisë kur merret sipas udhëzimeve.

Gjetjet hedhin poshtë pretendimet e presidentit amerikan, Donald Trump se qetësuesi i dhimbjeve shkakton autizëm.

Deklarata e presidentit amerikan u dënuan nga organizatat mjekësore, të shëndetit të grave dhe shkencore në të gjithë botën.

Vërejtjet e presidentit amerikan shkaktuan ankth tek gratë shtatzëna sepse paracetamoli është ilaçi që autoritetet shëndetësore në mbarë botën rekomandojnë të përdoret për të trajtuar dhimbjet, të tilla si dhimbjet e kokës dhe ethet.

Pa e përmendur Trumpin, studiuesit i hedhin poshtë kategorikisht vërejtjet e tij.

Ata shpresojnë që ky shqyrtim do t’i japë fund çdo skepticizmi mbi përdorimin e paracetamolit gjatë shtatzënisë, pasi shmangia e paracetamolit për dhimbje ose ethe të forta mund t’i ekspozojë si nënën ashtu edhe foshnjën ndaj rreziqeve.

Prestigjozja franceze zbulon pagën e Presidentit të FIFA-s, reagon Platini

Të ardhurat e presidentit të FIFA, Gianni Infantino janë rritur ndjeshëm që nga emërimi i tij në krye të organizmit më të lartë të futbollit botëror në 2016.

Kjo është ajo që thekson e përditshmja franceze ‘Le Monde’ që ka siguruar dokumenta që zbulon gjithçka në lidhje me pagën e Infantinos.

Sipas medias prestigjoze, paga e Gianni Infantinos gjatë kësaj dekade është katërfishuar me zviceranin që në 2024 rezultoi me një pagë prej 5 milionë eurosh, ndërkohë që përpara 10 vitesh paga e tij ishte 1.28 milionë euro

Ndërkaq për kreun aktual të qeverisë së futbollit botëror vijnë edhe sulme të ashpra nga ish presidenti i UEFA, Michel Platini që do të vinte kandidaturën për president të FIFA përpara se të shpërthente skandali ‘FIFAgate’ në 2015.

Legjenda e futbollit francez nuk u kursye aspak teksa tha se Infantinos i pëlqejnë të pasurit dhe personat me pushtet.

“Ishte një numër 2 i mirë, por si numër 1, jo. UEFA bëri një punë të shkëlqyer, por ka një problem; i pëlqejnë përsonat e pasur dhe me pushtet, ata që kanë paranë. është pjesë e natyrës së tij. Kështu ishte edhe kur ishte numri 2, por nuk ishte shefi në atë moment. Për fat të keq, që pas pandemisë, Infantino është bërë autokratik. ka më pak demokraci se në epokën e Blatter. Mund të thoni çfarë të doni për Blatter, por problemi kryesor i tij ishte se donte të qëndronte përjetë te FIFA. Ishte një person i mirë për futbollin”, ka thënë Platini për “The Guardian”

Michel Platini pas shpërthimit të ‘FIFAgate’ u dënua nga Komisioni i Etikës së FIFA me 8 vjet pezullim nga aktivitetet, një dënim që u ul në 6 vjet në një moment të parë dhe më pas në 4 vjet nga CAS.

“Isha i destinuar të isha president i FIFA-tha Platini-gjithçka ndodhi sepse nuk e deshën këtë. Pezullimi ishte një padrejtësi e rëndë dhe në fund rezultoi një dënim politik, një grup personash vendosën të më largonin”.

I mori “Nintendo Switch”, 11-vjeçari vret me armë të atin

Një djalë 11-vjeçar nga Pensilvania dyshohet se e ka qëlluar për vdekje të atin, pasi i kishin marrë më parë sistemin e lojërave Nintendo Switch.

I mituri përballet me akuza për vrasje me armë më 13 janar në shtëpinë e tij në Duncannon Borough.

Siç thonë dokumentet gjyqësore të siguruara dhe të raportuara nga WGAL News 8, rasti ilustron se sa lehtë fëmijët mund të kenë akses në armë në SHBA.

Policia mbërriti në banesën e familjes rreth orës 3:20 të mëngjesit, ku oficerët gjetën 42-vjeçarin e quajtur Douglas Dietz, të vdekur në shtrat nga një plagë me armë zjarri në kokë.

Për kë banor është? Zarf i zi në shtëpinë e “Big Brother”

Një Zarf i Zi ka mbërritur sot në shtëpinë e Big Brother VIP.

Ndërkohë, banorët janë njoftuar se përmbajtja e këtij zarfi do të lexohet në spektaklin e sotëm.

Nuk dihet se për cilin banorë ose banore është ky zarf dhe se cili rregull i shtëpisë është thyer. Por ajo që dimë është se gjatë kësaj jave ka patur debate të forta mes disa banorëve, të cilat në disa raste i kanë tejkaluar kufijtë e komunikimit.

Kujtojmë se gjatë kësaj jave, Ilir Vrenozi la shtëpinë për arsye shëndetësore.

“Prime” i Big Brother VIP nis sot në ora 21:00.

“Je një femër e bukur, o shpirt”/ Pas publikimit të mesazheve reagon motra e 46-vjeçarit të dhunuar: Mjaft më…

“Mjaft më me këtë telenovelë. Drejtësia duhet të thotë fjalën e saj.”

Ky është apeli i bërë publik nga Xhuli Meçaj, motra e të dhunuarit Altin Meçaj, në një prononcim për mediat. Ajo kërkon që ngjarja të trajtohet me qetësi dhe pa spekulime, duke ia lënë zbardhjen e plotë të së vërtetës organeve të drejtësisë.

Reagimi i saj vjen pas publikimit gjatë ditës së djeshme të disa mesazheve në rrjete sociale, të cilat, sipas familjes Meçaj, janë të manipuluara dhe nuk pasqyrojnë realitetin.

LEXO EDHEMESAZHET/ “Je femra më e bukur e fshatit”! Si Altin Meçe përndiqte motrën e policit

Xhuli Meçaj thekson se familja e saj këmbëngul në hetim të plotë dhe transparent të ngjarjes, duke shtuar se askush nuk duhet të paragjykohet përpara vendimit të drejtësisë.

Ne nuk mbajmë përgjegjësi për disfatat që vajza ka pasur në jetë, por nuk mund të lejojmë që ato të kthehen në trauma për familjen tonë,” është shprehur Meçaj, duke nënvizuar se përhapja e akuzave dhe interpretimeve të pabazuara po rëndon padrejtësisht mbi familjen e saj.

Ajo ka theksuar gjithashtu se familja Meçaj ruan respekt maksimal për familjen Lamaj, pavarësisht situatës së rëndë të krijuar.

Sipas saj, dhuna ndaj një të moshuari është e pafalshme dhe e dënueshme moralisht dhe ligjërisht, por familja nuk kërkon hakmarrje dhe as përshkallëzim të konfliktit.

Ne nuk e dëshirojmë hakmarrjen. Kërkojmë vetëm drejtësi dhe zbardhje të së vërtetës,” ka deklaruar Xhuli Meçaj, duke apeluar për ndalimin e gjuhës së urrejtjes dhe presionit publik mbi palët e përfshira.

Ndërkohë, pritet që institucionet përgjegjëse të vijojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa familjarët kërkojnë që çështja të mos shndërrohet në një “gjyq publik”, por të trajtohet sipas ligjit.

353 vende parkimi dhe stacion biçikletash/ Rama inspekton parkimin e ri pranë Stacionit të Trenit në Durrës

Kryeministri Edi Rama hvilloi sot në Durrës një takim me kryetarët e bashkive të vendit, ku u diskutuan sfidat kryesore me të cilat do të përballen bashkitë gjatë vitit, përgatitjet për sezonin turistik dhe nevoja për një betejë të përbashkët politike e shoqërore kundër mbetjeve plastike.

Krahas takimit, kreu i qeverisë pati dhe inspektime në disa projekte që po kryhen në qytetin bregdetar.

Rama pa punimet e përfunduara në godinën e parkimit të ri publik pranë Stacionit të Trenit.

Krahas 353 vendeve të parkimi për makinat dhe një stacioni biçikletash, janë krijuar hapësirat edhe për funksione të tjera në shërbim të komunitetit.

Ka përfunduar puna për projektin e godinës së parkimit të ri publik pranë Stacionit të Trenit, një vepër e bukur publike, që furnizohet me energji diellore e do të funksionojë si një qendër multimodale, ku krahas 353 vendeve të parkimi për makinat dhe një stacioni biçikletash, janë krijuar hapësirat për funksione të tjera në shërbim të komunitetit, si hapësira për studentët apo sipërmarrësit e rinj në fushën e teknologjisë, si edhe aktivitete të tjera social-kulturore”, shkruan Rama.

Arratisja e Ndocit/ Gjykata jep masat për 8 të arrestuarit, vetëm 3 në “arrest me burg”

Gjykata e Durrësit dha këtë të shtunë, 17 janar, masat e sigurisë për tetë zyrtarët e arrestuar pas arratisjes së Altin Ndocit nga Spitali i Durrësit.

Kështu, tre prej të arrestuarve u lanë në arrest me burg, dy në arrest shtëpie, ndërsa tre të tjerët u lanë në masën detyrim paraqitje.

Ish-zv.shefi i Policisë së Burgut të Durrësit, Dezdemon Pazaj dhe 2 prej efektivëve që kanë shoqëruar Altin Ndocin ditën e arratisjes, do të qëndrojnë në burg. Ndërkohë Gjykata e Durrësit  vendosi të lirojë nga qelia 3 efektivët e tjerë të grupit të shoqërimit, Aranit Çela, Preng Marvataj dhe Dorjan Saraçi, për të cilët caktoi masën detyrim paraqitjeje.

5 efektivët shoqëruan pa pranga drejt spitalit të Durrësit 2 të paraburgosur, Ndocin dhe Gerald Kuqin, ndonëse sipas rregullores së Burgjeve për të shoqëruar një të paraburgosur duhen 3 efektivë në dispozicion, pra në ambulancën e burgjeve ditën e arratisjes së Ndocit do duhej të ishin në total 6 efektivë.

Në arrest shtëpie do të qëndrojë kryeinfermieri i burgut, i cili Aulon Çuko, i cili ishte personi që firmosi me urgjencë rekomandimin për dërgimin e Ndocit për vizitë në spitalin e Durrësit.

Togat e zeza vendosën masën arrest shtëpie edhe Violeta Ukën, punonjëse e policisë së burgjeve, personi që duhej të kishte njoftuar sallat operative për shoqërimin e Ndocit dhe të paraburgosurit tjetër drejt spitalit të Durrësit.

VIDEO/ Dembele, a je normal? “Topi i Artë” realizon “Golin e Vitit”

Fituesi i “Topit të Artë”, Ousmane Dembele ka realizuar një gol, i cili do të mbahet mend gjatë.

Sulmuesi i PSG realizoi një kryevepër në ndeshjen e së premte në Ligue 1 përballë Lille.

Goli, jo vetëm që u komentua me “ulërima” nga komentatorët e ndeshjes por ka marrë edhe shumë komente nga tifozët, të cilët e kanë cilësuar si “Golin e Vitit”.

Ndeshja u fitua 3-0 nga ana e PSG, që kryeson kampionatin me 42 pikë, 2 më shumë se Lens i vendit të dytë.

Salianji takime intensive me demokratët në bazë, Berisha i prerë: Është vetëpërjashtuar! Ndarja nuk na dobëson

“Salianji është vetëpërjashtuar! Ndarja me këta njerëz nuk na dobëson, por na forcon”. Kështu u shpreh sot kreu i PD, Sali Berisha i pyetur nga ndjekësit e tij për takimet intensive të Ervin Salianjit me strukturat demokrate dhe mbështetësit e opozitës në bazë.

Berisha e quan Salianjin të vetëlarguar nga Kryesia e PD dhe shton se ndarja me të nuk e dobëson opozitën.

Bashkëbisedimi i Berishës me ndjekësit

Arbër Mitrushaj: Ftesës së Salianjit për foltore, si duhet t’i përgjigjemi?

Sali Berisha: Salianjit t’i përgjigjeni si një njeri që ka përjashtuar veten nga PD.

I dashur Arbër, as ti, as unë dhe asnjë njeri, asnjë njeri, nuk është përgjegjës për aktet e paligjshme ndaj atyre që janë përgjegjës për aktet e tyre të paligjshme.

Ndaj atyre që mbrojnë interesa të paligjshme.
Nuk ka asnjë përgjegjësi.

Ndaj dhe u garantoj që ai ka vetëm interesa private, strikt private, të faktuara me dokumente, ndaj dhe i është thënë anëtarësisë se ai zotëria ka përjashtuar veten nga PD.

Kemi një nen ne, neni 24 i statutit, kur kapesh në shkelje flagrante të tij, dhe të detyrojnë pastaj të shëtisësh poshtë e përpjetë, ajo është veprimtari private e jotja, nuk ka asnjë lidhje me PD-në.

Kjo është përgjigjia ime për ju dhe çdo demokrat.

Mos harroni një gjë, opozitarizmi është i vështirë, nuk është i thjeshtë, dhe të mos mendojë kush se ndarja me këta njerëz, e dëmton PD-në.

U garantoj se e forcon.

A e patë tjetrin? Disa vrapojnë drejtora, disa vrapojnë andej, nuk na duhen ne këta Arbër, ata janë mish i huaj në opozitë.

Ata nuk janë opozitarë, janë pseudo-opozitarë.
Ne duhet të qëndrojmë parti e hapur pa asnjë mëdyshje, por kurrë ndaj atyre që interesave të tyre personale përpiqen të shfrytëzojnë partinë për të avancuar interesa të paligjshme apo veprimtari në shkelje të rënda të ligjeve.

Jo, atë nuk e bëjmë ne.

Nuk jemi ne avoketër.

Ne jemi parti e shtetit ligjor dhe i qëndrojmë asaj.

Përplasje verbale Mitsotakis–Rama, akuza për deklarata të papërshtatshme

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, komentoi deklaratat e fundit të kryeministrit shqiptar Edi Rama në Abu Dhabi, të cilat shkaktuan polemika në Greqi. Mitsotakis theksoi se e njeh mirë Ramën, të cilit siç tha, shpesh i shpëtojnë fjalë që nuk duhet të thuhen.

“E njoh shumë mirë zotin Rama, ka një mënyrë të veçantë të të shprehurit dhe shpesh i shpëtojnë gjëra që nuk duhej t’i thoshte. Këtë herë tha një të gabuar dhe e kuptoi gabimin e tij. Mbaj në konsideratë korrigjimin; ishte një deklaratë e pafat, më mirë ta lëmë pas”, u shpreh Mitsotakis.

Ky reagim vjen pas kritikave në mediat greke lidhur me komentin e Edi Ramës ndaj gazetarit greko-amerikan John Defterios, gjatë një paneli të zhvilluar në Abu Dhabi, duke u përfshirë në një debat historik dhe kulturor mes të dy vendeve.

“Mendoni se keni monopol mbi filozofinë dhe jeni trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të Platonit dhe Aristotelit, por nuk jeni”, është kjo deklarata e shkëputur nga Edi Rama, i cili iu drejtua gazetarit greko-amerikan John Defterios pasi ky i fundit i shqiptoi emrin gabim.
Një ditë më parë vetë Rama reagoi duke thënë se tonet e tij nuk kanë qenë aspak tendencioze, por vetëm humor miqësor.

“Paketa e maleve”, Rama u vendos kushte kryebashkiakëve: Asnjë nga ju nuk do të rikandidojë nëse nuk plotësohet targeti i 1 mijë investimeve!

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një mesazh të qartë për kryebashkiakët, duke njoftuar se asnjë prej tyre nuk do të mund të rikandidojë në zgjedhjet e ardhshme lokale, nëse nuk arrin targetin e investimeve të parashikuara në “Paketën e maleve”.

Rama theksoi se objektivi është 1 mijë investime në shkallë vendi, duke e cilësuar si një sfidë të realizueshme dhe thelbësore për zhvillimin ekonomik.

Edi Rama: I kam kërkuar ministrit të vendosë target për çdo bashki. Ambicia jonë duhet të jetë 1 mijë investime në shkallë vendi. Nuk janë shumë.
Nuk do të ketë asnjë rikandidim të mundshëm nëse nuk arrihet targeti i këtij projekti. Është plotësisht e mundshme por ama 1 mijë investime nëse marrim një shifër më modesten të mundshme për secilin nga këto investime, prej 50 mijë eurosh që është shumë e ulët, mendoni çfarë i ndodh ekonomisë në tre vjet. Kështu që, fokusoheni dhe merreni shumë seriozisht. Kuptojeni se është një celësh për të tërhequr njerëz aty ku duket se nuk ka njerëz.

Një element tjetër është të bëjmë një hap për të rritur cilësinë e planifikimit dhe projektimit, për këtë agjencia e re do ketë mision të vetin të asistojë bashkitë në planifikim dhe të krijohet një kanal më i shpejtë ndërveprimi.

Përmbytjet, Rama me kryebashkiakët: Flotë e dedikuar për pastrimin e kanaleve kulluese, fond 20 mln euro nga Emiratet Arabe

Kryeministri Edi Rama në takimin me kryebashkiakët lajmëroi ngritjen e një flote të dedikuar për mirëmbajtjen dhe pastrimin e infrastrukturës kulluese, ndërsa po komentonte situatën me përmbytjen. Rama tha se kjo flotë do të realizohet përmes një fondi prej 20 mln eurosh që vendit tonë i është vënë në dispozicion nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Rama tha se kjo flotë mund të përqendrojë më shumë forca diku ku ka një situatë emergjence dhe bashkitë do ndihen më të gatshme për të përballuar emergjencën.

“Një tjetër element që ndikon është niveli i rezistencës së infrastrukturës mbrojtëse, kanale, hidrovore. Është rritur në mënyrë domethënëse në 10 vitet e  fundit, por analiza e bërë edhe nga kjo emergjencë tregon se ka pika ku rezistenca është më e dobët. Për këtë arsye duhet të vendosim me shumë saktësi piketat për të forcuar më tej infrastrukturën mbrojtëse dhe nga ana tjetër për të adresuar ato aspekte që kanë të bëjnë me fuqizimin e ndërveprimit mes pushtetit vendos dhe institucioneve qendrore. Një nga gjërat që e ka propozuar ministri Demo dhe që ka gjet mbështetjen tonë është që me një fond të siguruar nga miqtë tanë të Emirateve Arabe prej 20 mln euro në mbështetje të zhvillimit rural, të blejmë një sasi domethënëse mjetesh që të vendosen në shërbim të kullimit, pastrimit kanaleve kulluese kryesore dhe që të funksionojnë sipas nevojave të bashkive. Kjo flotë mund të përqendrojë më shumë forca diku ku ka një situatë emergjence dhe bashkitë do ndihen më të gatshme për të përballuar emergjencën dhe në ditët e punës normale do jetë flotë e shtuar për të gjitha bashkitë sipas sasisë së kanaleve për tu pastruar dhe mirëmbajtur, sipas nevojës për të adresuar edhe problemin e argjinaturave”, tha Rama.

Berisha: U faktua se Rama urdhëroi hakerimin e SPAK! Do të bllokojë drejtësinë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një bashkëbisedim ‘online’ me qytetarët, ku ka akuzuar sërish kryeministrin Edi Rama se ka porositur hakerimin e kompjuterëve të SPAK-ut për t’i pasur ata në kontroll të plotë.

“Zhvillimet në vend faktojnë degradimin total të narko-shtetit, faktojnë se kreu i organizatës kriminale, Edi Rama në ethet e tij, në urinë e tij të pashuar për pushtet dhe për të vendosur në kontroll çdo qelizë të narko-shtetit, ka porositur rezultoi së fundmi hakerimin te kompjuterëve të SPAK-ut të partisë, vetëm e vetëm që t’i ketë ata në kontroll të plotë”, tha Berisha.

Kreu i PD-së u shpreh Rama ka paralajmëruar miratimin me procedura të përshpejtuara të ligjeve që synojnë, siç u shpreh Berisha, të pengojnë ndjekjen penale të tij dhe bashkëpunëtorëve të tij.

“Pra, de facto ai ka pushtuar parlamentin dhe po e përdor atë në një grusht shteti për të marrë pushtetin e drejtësisë,” theksoi ai.

Berisha: Nuk marrim pushtetin me dhunë! Largimi i qeverisë përmes një kryengritjeje paqësore

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, iu përgjigj një pyetjeje të qytetarëve gjatë një bashkëbisedimi publik, ku u ngrit shqetësimi se opozita po kufizohet vetëm në denoncime dhe veprimtari paqësore, ndërsa situata politike vijon të përkeqësohet.

Në përgjigjen e tij, Berisha theksoi se Partia Demokratike nuk ka synuar kurrë marrjen e pushtetit me dhunë dhe se kjo ka qenë gjithmonë një vijë e kuqe për opozitën.

“Ne jemi partia që nuk e kemi synuar kurrë pushtetin me dhunë, përkundrazi, kur këta e kanë marrë me dhunë pushtetin ne i kemi përzënë me votë,” u shpreh Berisha.

Ai theksoi se opozita beson se largimi i qeverisë aktuale është i mundur përmes një kryengritjeje paqësore, të organizuar dhe të qëndrueshme në kohë. Sipas tij, kjo formë reagimi është vendimtare për të ardhmen e vendit.

“Ne besojmë se me një kryengritje paqësore të qëndrueshme, është plotësisht e mundur largimi i tyre nga pushteti. Ndaj dhe duhet të krijojmë një bindje të gjerë, tek qëndrestarët, opozitarët, tek të gjithë ata që duan të shpëtojnë Shqipërinë nga kjo e keqe,” deklaroi ai, ndërsa shtoi se Partia Demokratike është në fazën e përgatitjeve për këtë proces.

Përmbytjet në vend, Rama: Do ngremë një task forcë për pastrimin e mbetjeve plastike!

Kryeministri Edi Rama në një takim me kryebashkiakët në Golem, u ndal te situata e përmbytjeve në vend, ku deklaroi se ndonëse intensiteti ekstrem i reshjeve ishte i vështirë për t’u përballuar, një pjesë e problematikës lidhet drejtpërdrejt me faktorin njerëzor.

Ai kritikoi ashpër papërgjegjshmërinë e qytetarëve që hedhin mbetje në rrugë dhe hapësira publike, duke e trajtuar territorin si landfill.

“Kjo situatë u ndërlikua ndër të tjera edhe nga papërgjegjshmëria rrëqethëse e shumëkujt ndër ne që si qytetar apo si vizitor shqipfolës, se nuk janë turistët e huaj që hedhin mbetjet nëpër rrugë, e konsideron këtë vend si një landfill kudo ku ndodhet dhe hedh shishen e zbrazur të ujit ose qesen plastike“, tha ai.

Sipas kryeministrit, e gjithë kjo sasi e madhe që hidhet rrugëve ku theksoi se ndikon edhe mungesa e një menaxhimi siç do duhej e mbetjeve në territoret rurale, mblidhet dhe falë erës, vjen dhe bllokon pika kyçe të rrjetit të kullimit.

Rama njoftoi më tej edhe krijimin e një task-force qeveri–pushtet vendor, për të hartuar një plan tre-fazor nga sensibilizimi te veprimi konkret për pastrimin e mbetjeve.

“Ky është një krim shqiptar. Nuk duhet të kërkojmë fajtorë te turistët spanjollë, japonezë apo gjermanë. Duhet të marrim masa konkrete dhe për këtë arsye i kam kërkuar ministrit të Pushtetit Vendor të ngrejë një task-forcë mes qeverisë dhe pushtetit vendor, për të konceptuar një plan me tre faza, që nga sensibilizimi deri te veprimi konkret”, tha ai.

Viti nisi me një situatë tejet të vështirë atmosferike që preku një pjesë jo të vogël të territorit dhe që na përballi me sfidën e emergjencës në kushtet që emergjencat po bëhen sistematike dhe po marrin një profil tjetër si rezultat i ndryshimeve klimatike. Kemi më shumë thatësirë e zjarre dhe më shumë befasira në aspektin e atmosferës ku krijohen vorbulla, si ajo e ditëve të para të vitit.

Sipas ekspertëve, ka ngërçe në qarkullimin e masave të ajrit, dhe krijojnë reshje të një intensiteti shumë të lartë. Në këto kushte, sigurisht nuk ka shumë për të bërë në aspektin e përballimit të intensitetit të lartë të reshjeve, por ka elementë të kësaj situate që lidhen me njeriun.

Pamë se si kjo situatë u ndërlikua ndër të tjera edhe nga papërgjegjshmëria rrëqethëse e shumëkujt ndër ne që si qytetar apo si vizitor shqipfolës, se nuk janë turistët e huaj që hedhin mbetjet nëpër rrugë, e konsideron këtë vend si një landfill kudo ku ndodhet dhe hedh shishen e zbrazur të ujit ose qesen plastike.

E gjithë kjo sasi e madhe që hidhet rrugëve ku hyn edhe mungesa e një menaxhimi siç do duhej e mbetjeve në territoret rurale, mblidhet dhe falë erës, vjen dhe bllokon pika kyçe të rrjetit të kullimit. Siç ndodhi në Shkozet, Gjirokastër apo pika të tjera…

Para disa ditësh, kryetarja e Bashkisë së Durrësit më dërgoi një video që tregonte se si po mbushej pika në Shkozet, pasi ishte ripastruar në kushte bllokimi.

Kur gjendemi përballë kësaj situate agresioni plastik, që është drejtpërdrejt ndikim i njeriut, duhet të angazhohemi për të ndërmarrë një ofensivë të përbashkët dhe për të përfshirë sa më shumë komunitetin, në mënyrë që ta vëmë nën kontroll këtë faktor kaq të dëmshëm.

Plastika derdhet në det dhe shkakton dëme të pariparueshme për jetën detare dhe për cilësinë e ushqimeve tona. Duhet të bëjmë gjithçka për ta ndalur këtë lemeri papërgjegjshmërie qytetare.

Ky është një krim shqiptar. Nuk duhet të kërkojmë fajtorë te turistët spanjollë, japonezë apo gjermanë. Duhet të marrim masa konkrete dhe për këtë arsye i kam kërkuar ministrit të Pushtetit Vendor të ngrejë një task-forcë mes qeverisë dhe pushtetit vendor, për të konceptuar një plan me tre faza, që nga sensibilizimi deri te veprimi konkret.

Ndarja nga jeta e presidentit të Fiorentinës, Duka: Një kontribues i respektuar i futbollit europian

Presidenti i Fiorentinës ndërroi jetë ditën e sotme. Rocco Commisso mbylli sytë përgjithmonë në moshën 76-vjeçare, duke lënë shumë dhimbje pas.

Për ndarjen e tij nga jeta ka reaguar edhe Armand Duka. Kreu i FSHF-së ka shpehur ngushëllimet e tij nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ndërsa shkruan se ka gjurmë në futboll dhe do të kujtohet gjatë.

“Me hidhërim të thellë mësova lajmin për ndarjen nga jeta të Rocco Commisso, një figure të respektuar dhe një kontribuesi të jashtëzakonshëm në futbollin europian.

Integriteti, vizioni dhe energjia e tij në drejtimin e Fiorentinës lanë gjurmë të qarta dhe do të kujtohen gjatë.

I shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta familjes së tij dhe gjithë komunitetit të Fiorentinës”, ka shkruar Duka.

Foto/ Kreu marrëdhënie seksuale brenda në dollap me një të burgosur, vihet në pranga oficerja 46-vjeçare, kamera që mbante në trup e nxori ‘zbuluar’

Një oficere burgu në Angli është burgosur pasi u kap duke kryer marrëdhënie seksual me një të burgosur ndërsa kamera e trupit që ajo mbante gjatë shërbimit ishe duke regjistruar.

Rebecca Pinckard, 46 vjeçe, kishte pranuar më parë fajësinë për sjellje të pahijshme në një zyrë publike në HMP Highpoint, Stradishall.

Incidenti u zbulua kur pamjet e regjistruara nga kamera e saj e trupit treguan çiftin në një dollap dyqani duke kryer marrëdhënie selsuale. Gjykata e Kurorës së Kembrixhit dëgjoi se një oficer tjetër zbuluar rastësisht lidhjen mes Pinckard dhe të burgosurit Erion Nakdi, 42 vjeç, i dënuar për trafikim droge.

Përveç aktit seksual, dokumentet gjyqësore tregojnë se Pinckard i kishte dërguar Nakdi-t një kartolinë për t’i “gëzuar” gjatë problemeve personale.

Gjykata dëgjoi gjithashtu se Pinckard kishte qenë më parë paralajmëruar për një afërsim të tepërt me të burgosurit, duke u dhënë atyre torta dhe ëmbëlsira. Gjyqtarja Cartin vlerësoi se sjellja e saj “zvogëlon besimin e publikut në sistemin e drejtësisë penale”.

Mbrojtja e Pinckard e përshkroi këtë episod si një “moment çmendurie” dhe argumentoi se oficereja po kalonte një periudhë të vështirë pas përfundimit të një marrëdhënieje afatgjatë.

Pinckard u burgos për 32 javë, ndërkohë, Nakidi, i cili pranoi posedimin e një telefoni celular në burg, u dënua me 10 muaj shtesë burgim përveç dënimit ekzistues, duke qenë se më parë kishte marrë mbi 16 vjet për komplot për shitje droge të klasit A.

SPAK dhe BKH kontrolle në Tiranë, Taulant Balla reagon pas aludimeve në rrjete sociale

Në kuadër të një hetimi të përbashkët me autoritetet italiane, Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), me mbështetjen e Policisë së Shtetit, kanë zhvilluar mbrëmjen e sotme disa kontrolle në një ambient të marrë me qira në godinën “Alban Tower”, përballë Kishës Ortodokse në Tiranë.

Sipas burimeve për Fax News, kontrollet kanë për qëllim gjetjen e materialeve apo sendeve të tjera me vlerë, në kuadër të një hetimi për mashtrim të dyshuar përmes call center-ave. Aksioni është zhvilluar pas marrjes së autorizimit nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ndërsa kontrollet kanë vijuar edhe në objekte të tjera që prej orëve të para të mëngjesit.

Pas publikimit të lajmit, në rrjetet sociale dhe në disa media kanë qarkulluar aludime të pavërtetuara, sipas të cilave një familjare e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, konkretisht motra e tij, do të ishte e përfshirë në këtë grup të hetuar.

Në këtë kontekst, ministri Taulant Balla ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke folur për përhapjen e lajmeve të rreme dhe nevojën për verifikim të informacionit. Balla shkruan:

“**Thënia e Ditës: ‘Gënjeshtra udhëton shpejt, por e vërteta mbërrin gjithmonë.’
Në një kohë kur lajmet e rreme përhapen me shpejtësi alarmante, dëmi që ato shkaktojnë është real: keqinformim, zemërim dhe humbje besimi. Çdo klikim, çdo shpërndarje pa verifikim i jep forcë gënjeshtrës. Prandaj, të ndalemi, të kontrollojmë burimin dhe të mendojmë kritikisht është një akt përgjegjësie qytetare.”

Deri në këto momente, nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga SPAK apo BKH që të konfirmojë përfshirjen e ndonjë personi konkret, ndërsa hetimet vijojnë.

Aksidenti tragjik te Ura e Dajlanit, lihet në burg shoferi

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për Arbër Xhaxhajn, i cili shkaktoi aksidentin tragjik e ura e Dajlanit në Durrë, ku si pasojë humbi jetën Vikena Greku, 18 vjeçe.

Arbër Xhaxhaj është arrestuar nga policia natën e 15 janarit, pas aksidentit dhe dyshohet për kryerjen e veprave penale: “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Sipas policisë, 26-vjeçari ka humbur kontrollin mbi automjetin që drejtonte në gjendje të dehur, dhe si pasojë, automjeti është përplasur me barrierat anësore të urës dhe ka rënë nga ajo.

Kujtojmë se aksidenti ndodhi rreth orës 22:15, të së enjtes. 26-vjeçari dhe viktima 18-vjeçare, udhëtonin me një makinë BMW, dyshohet me shpejtësi tej normave të lejuara. Ata u përplasën fillimisht me trafikndarësen e më pas makina ra nga ura duke përfunduar në një dyqan lulesh, duke plagosur rojen dhe një tjetër person.

Ëndrra amerikane në pritje! Mijëra shqiptarë të prekur nga pezullimi i vizave të emigrimit

E hënë, 4 prill 2022. Me valixhe në duar, çantë në krahë dhe shumë ëndrra në mendje e zemër, Artina – emër i vendosur nga redaksia e Radios Evropa e Lirë për ta ruajtur anonimitetin e së intervistuarës – u nis drejt SHBA-së.

Në maj të vitit paraprak, ajo ishte përzgjedhur fituese e asaj që njihej si ‘llotaria e Kartës së Gjelbër’, por që në të vërtetë quhet Programi i Vizave të Diversitetit.

Artina ishte nxitur të aplikonte nga partneri i saj. Ky i fundit kishte 12 vjet rresht që aplikonte, pasi të ardhmen e tij s’e shihte askund tjetër përveç në SHBA.

Por, fati deshi që Artina të ishte ajo që ta fitonte mundësinë për të emigruar në SHBA. Që atëherë, zemra e saj ishte e dyzuar mes dy shtëpive: të sajën në SHBA dhe asaj pranë partnerit në Shqipëri.

Qysh në gusht të vitit 2022 ata nisën procesin për bashkim familjar. Të bashkuar i mbanin vetëm vizitat e herëpashershme të Artinës në vendlindje.

Kjo distancë iu bë edhe më e vështirë kur ajo mori vesh se ishte shtatzënë.

“Çdo gjë e kam përballuar vetë. Gjatë kësaj periudhe bëja udhëtime pafund drejt Shqipërisë, sepse duhet të ruaja edhe martesën, por edhe vajza të kalonte kohë me babanë… Me shpresën se do të bashkohemi shpejt…”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

E vetme në SHBA, pa familjarë e shoqëri përreth, Artina tregon se ka punuar deri në muajin e fundit të shtatzënisë, ndërsa edhe muajt e parë të mëmësisë u detyrua t’i kalonte e vetme.

Tani, ajo më shumë ankohet për “lodhjen mendore” sesa atë fizike.

“Qenka e shëmtuar ndjesia kur e fut jetën tënde në një valixhe, largohesh me ëndrra, punon, sakrifikon që ta bashkosh familjen atje ku po e ndërton jetën nga e para dhe dëgjon se, fiks kur ti arrin afër fundit të sfidës…”, lë në gjysmë fjalinë Artina.

E, pikërisht kur procesi i bashkimit të tyre familjar po i afrohej fundit, SHBA-ja vendosi ta pezullonte përkohësisht lëshimin e vizave të emigrimit nga 75 vende të botës, përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë.

Ky vendim erdhi pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se të huajt që emigrojnë në SHBA, duhet ta mbajnë veten me punë dhe jo të bëhen barrë e shtetit.

Sipas një fotografie të publikuar nga ai, rreth 41 për qind e migrantëve nga Shqipëria marrin ndihma sociale në SHBA, ndërsa nga Kosova përqindja ishte edhe më e lartë: 46.

“Nga i thati digjet edhe i njomi”, thotë Artina, duke shtuar se ajo ka qenë një qytetare e përkushtuar e punëtore, që s’ka tentuar thjesht të përfitojë nga shteti amerikan.

Por, tani kur të gjitha proceset e vizave të emigrimit janë pezulluar, ajo do të duhet sërish ta bëjë pa partnerin e jetës rrugën drejt SHBA-së. Këtë herë, edhe me një vajzë 2 vjeçe në krahë.

Në gjendje të ngjashme janë mijëra banorë në Kosovë e Shqipëri. Disa nga ta, të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, kanë hezituar t’i ndajnë historitë e tyre, nga frika se kjo mund t’i dëmtojë gjasat e tyre për emigrim në SHBA.

Vitin e kaluar, rreth 3.800 shtetas të Shqipërisë fituan viza të emigrimit drejt SHBA-së, si dhe rreth 650 të tjerë nga Kosova.

Artid Hila nga Shqipëria, i cili punon si konsulent për ndjekje të procedurave të emigracionit dhe vizave të tjera, ka vite që udhëheq edhe një grup në Facebook, ku ndihmon të interesuarit për emigracion në SHBA.

Ai thotë se është shqetësuar, por jo befasuar nga vendimi i 14 janarit i SHBA-së.

“Shqetësimi kryesor që dëgjoj çdo ditë, lidhet me pasigurinë totale që ka krijuar pezullimi i përpunimit të vizave të emigracionit. Aplikantët kanë frikë se po ecin përpara me të gjithë hapat e kërkuar nga Departamenti i Shtetit, ndërkohë që ekziston rreziku real që viti fiskal të përfundojë pa u lëshuar vizat”, thotë Hila për REL-in.

Ai tregon se procesi nuk është i thjeshtë: duhet plotësim i disa formularëve, ekzaminime mjekësore, përgatitje e dokumenteve dhe pagesë e tarifave.

“Shumë aplikantë kanë investuar vite pritjeje [në rastet e bashkimeve familjare], qindra apo mijëra dollarë në dokumente, përkthime, kontrolle mjekësore, udhëtime për intervista dhe plane konkrete jetese”, thotë Hila.

Tani, shton ai, ata po përballen me informacione gjysmake dhe shumë lajme të pasakta e të ekzagjeruara, pasi që nuk dihet se deri kur do të zgjasë pezullimi.

Situata të ngjashme, sipas Hilës, ka pasur edhe në të kaluarën, si gjatë pandemisë COVID-19. Por, të ngjashme s’do të thotë identike.

“Dallimi kryesor me situatën aktuale është se sot aplikantët lejohen t’i ndjekin të gjithë hapat proceduralë dhe t’i paguajnë tarifat, por në fund rrezikojnë të mbeten pa vizë, vetëm për shkak të mbylljes së vitit fiskal – një situatë që juridikisht është shumë problematike”, shpjegon Hila.

Ai shton se në shqetësimin e aplikantëve ndikon edhe një vendim tjetër. Në dhjetor të vitit të kaluar, SHBA-ja pauzoi për kohë të pacaktuar Programin e Vizave të Diversitetit, deri kur “ta dimë se kë saktësisht po e lëmë të hyjë në vendin tonë”, siç kishte thënë sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

Edhe nga ky program kanë fituar shumë shtetas të Kosovës e Shqipërisë ndër vite. Sipas të dhënave të Departamentit amerikan të Shtetit, në mesin e listës së fundit të përfituesve të këtij programi ishin edhe 1.598 shtetas të Shqipërisë dhe 260 shtetas të Kosovës.

Si fituese e para disa viteve, Artina kishte ndërtuar shumë ëndrra. Por, tani ka shumë pasiguri.

“Po më duket sikur këta katër vjet po fshihen nga jeta sikur të mos ishin asgjë”, thotë ajo, e shqetësuar se ndoshta opsioni i saj i vetëm do të mbetet heqja dorë nga ëndrra amerikane./REL

❌