Reading view

Murgesha italiane në Vlorë/ Maschione: Kam qenë në Shqipëri 14 vjet më parë, u dashurova me këtë realitet

Raffaella Maschione, murgesha nga Napoli me 10 vjet përvojë, ndodhet në Babicë e Madhe prej pesë muajsh për të shërbyer fëmijët dhe komunitetin lokal. Ajo zhvillon aktivitetet sportive, por edhe praktike në kuzhinë me fëmijët si përgatitjen e picave dhe ëmbëlsirave, duke u mësuar respektin, bashkëpunimin dhe aftësi praktike. Maschione është gjithashtu infermiere dhe mbështet komunitetin në rastet e nevojës, duke bashkëpunuar me mjekun lokal dhe spitalin e Vlorës.

Pjesë nga intervista

Raffaella Maschione: Jam Raffaella Maschione. Vij nga Napoli dhe jam këtu vetëm prej 5 muajsh.

Artur Nura: 5 muaj, por sa kohë keni qe jeni bere murgeshë?

Raffaella Maschione: Eh, 10 vjet.

Artur Nura: Ku keni shërbyer më parë?

Raffaella Maschione: Fillimisht në Assisi për 3 vjet, pastaj në Bari për 4 vjet, dhe në provincën e Salernos dhe, pranë shenjtërores së Pompeit për 3 vjet të tjera.

Artur Nura: Pse ju sollën në Shqipëri, në Babica e Madhe?

Raffaella Maschione: Më kërkuan të isha e gatshme të shërbeja këtë tokë dhe fëmijët e kësaj toke, dhe thashë menjëherë po. Kam qenë këtu rreth 14 vjet më parë, kur isha ende vajzë, këtu me motrat, dhe u dashurova me këtë realitet. Ka qenë gjithmonë dëshira ime të kthehesha.

Artur Nura: Jeni e kënaqur me këtë jetë në këto 6 muaj?

Raffaella Maschione: Shumë, shumë e kënaqur.

Artur Nura: Pashe kur vinin fëmijët, të përqafonin; ishte një dashuri shumë e veçantë. Pse?

Raffaella Maschione: Unë jam me ta çdo ditë. Jam trajnerja e tyre e volejbollit, kryesisht me vajzat, por edhe me djemtë, sepse unë kam luajtur futboll dhe ka një lidhje shumë të bukur. Përmes sportit ndërtohen lidhje të rëndësishme: mësohet respekti për rregullat dhe për shokun me të cilin luan. Mësohet të inkurajosh personin pranë teje. Sporti është një mënyrë për të transmetuar vlera të miqësisë, përulësisë dhe guximit, dhe përpiqemi të rrisim fëmijët.

Artur Nura: Pse kemi zgjedhur këtë vend për intervistën?

Raffaella Maschione: Sepse këtu organizojmë laboratorin e kuzhinës. Çfarë bëjnë vajzat dhe djemtë? Kënaqen shumë një herë në javë duke punuar me brumë. Gatuhen pica, biskota, torta që mund t’i marrin në shtëpi dhe t’i tregojnë familjarëve. Është një mënyrë për të mësuar, për të kujdesur shtëpinë dhe gjërat, por edhe për t’u argëtuar: t’i ndotësh pak duart me brume është gjithmonë argëtuese.

Artur Nura: Në këto 6 muaj, keni krijuar miqësi me babiciotët, babiciotet e tjerë?

Raffaella Maschione: Mamat që sjellin fëmijët flasin pak me ne. Unë flas pak shqip, po mësoj. Baballarët janë më të zënë, vijnë kryesisht kur organizojmë festa ose shfaqje, siç ishte ajo e Krishtlindjes më 23 dhjetor. Kemi menyra per te njehur realitetin ketu. Pastaj Unë jam edhe infermiere, kështu që jam në dispozicion të komunitetit kur ka nevojë.

Artur Nura: Kur dikush ka nevojë për ju në fshat, ju thërrasin?

Raffaella Maschione: Po.

Artur Nura: Dhe nëse është një rast më i rëndë, i dërgoni në Vlorë?

Raffaella Maschione: Sigurisht, gjithmonë. Dërgimi është tek mjeku i ambulancës së fshatit ose spitali i Vlorës. Përpiqemi të punojmë në rrjet: për një të moshuar të shtrirë, për ndonjë trajtim apo djegie. Për gjithçka tjetër jemi gjithmonë në kontakt me komunitetin.

 

  •  

Projektet italiane në Vlorë/ Koordinatorja: Vlora, shtëpia ime e dytë, mikpritje dhe bashkëpunim për idetë projektuale

Valeria Parraccino, koordinatore e projekteve të bashkëpunimit ndërkombëtar të OJQ-së italiane Celi, tha se ndodhet në Vlorë që nga viti 2018 dhe drejton projekte si Acqua Nostra për menaxhimin e ujërave të zeza dhe të bardha dhe “Vita Vjosa” për zhvillimin e qëndrueshëm turistik të lumit Vjosa.

Ajo theksoi se projekti i financuar nga BE-ja dhe PPNEA fokusohet në mbrojtjen e habitateve natyrore dhe forcimin e kapaciteteve të OJQ-ve lokale. Parraccino u shpreh se ndihet si në shtëpi në Vlorë dhe ka gjetur mikpritje dhe bashkëpunim të mirë nga institucionet dhe komuniteti lokal.

Pjesë nga intervista

Valeria Parraccino: Unë jam Valeria Parraccino, koordinatore e projekteve të bashkëpunimit ndërkombëtar të Celi në Shqipëri. Celi është një OJQ italiane me seli në Milano që ka aktivitete në disa vende, ndër të cilat edhe Shqipëria. Unë jam përgjegjëse për të gjitha projektet e OJQ-së këtu.

Jam në Vlorë që nga viti 2018. Kam qëndruar deri në vitin 2021, pastaj pata një ndërprerje të shkurtër dhe jam rikthyer sërish që nga fillimi i vitit 2024.

Artur Nura: Projekti që po zbatoni ka të bëjë me sistemin e ujërave të zeza dhe të bardha në Vlorë, apo jo?

Valeria Parraccino:  Po, ndër projektet e ndryshme që Celi po zbaton, kemi një projekt së bashku me Bashkinë e Milanos, Bashkinë e Vlorës dhe menaxherët e ujësjellësit të dy qyteteve, i cili quhet “Aqua Nostra”. Ai financohet nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim për Zhvillim, pra nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar e Italisë. Projekti synon të mbështesë realitetet lokale në përmirësimin e menaxhimit të integruar të burimeve ujore, si të ujërave të zeza ashtu edhe të ujërave të bardha.

Artur Nura: Por ky nuk është i vetmi projekt që realizoni, apo jo? Keni bërë ose po bëni projekte të tjera?

Valeria Parraccino: Kemi bërë dhe po bëjmë projekte të tjera. Në veçanti, aktualisht kemi aktiv një projekt, gjithashtu të financuar nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim për Zhvillim, në lumin Vjosa. Projekti quhet “Vita Viosa” dhe zbatohet nga OJQ të tjera dhe institucione lokale për mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm turistik të lumit, sidomos tani që është shpallur Park Kombëtar. Projekti mbështet gjithashtu institucionet lokale të krijuara për menaxhimin e parkut, duke synuar të pajtojë aspektin turistik me atë mjedisor.

Kemi edhe një projekt tjetër në zonën e Vlorës, të financuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë, pra me fonde të BE-së. Është një projekt që po e zbatojmë me një OJQ mjedisore të quajtur PPNEA, e njohur për punën në mbrojtjen e mjedisit dhe biodiversitetit. Projekti fokusohet në forcimin e kapaciteteve të OJQ-ve që veprojnë në Vlorë dhe përfshin gjithashtu ndërhyrje konkrete për mbrojtjen dhe restaurimin e habitateve natyrore në zonat e mbrojtura të Pish Poro-Nartës dhe Karaburun-Sazanit.

Artur Nura: Pas gjithë kësaj kohe që jetoni dhe punoni këtu, a ndiheni si në shtëpi? Si e keni përjetuar këtë eksperiencë?

Valeria Parraccino: Po, ndihem si në shtëpi. Në Vlorë kam gjetur një shtëpi të dytë. Bashkëpunimi si me kolegët e zyrës së Celi-t, ashtu edhe me institucionet lokale, ka qenë gjithmonë pozitiv. Jemi ndier shumë të mirëpritur dhe, edhe për shkak të gjuhës, sidomos në Vlorë kemi shpesh mundësinë të komunikojmë drejtpërdrejt në italisht.

Gjithmonë kemi gjetur mikpritje dhe bashkëpunim për idetë projektuale që kemi propozuar ndër vite, pavarësisht kufizimeve që ndonjëherë mund të ekzistojnë për shkak të nevojave të ndryshme mes projekteve dhe institucioneve. Në përgjithësi, kemi pasur gjithmonë një pritje shumë të mirë.

  •  

Projekti “Acqua Nostra”, Commodaro: Asistencë teknike dhe shkëmbim kompetencash mbi menaxhimin e burimeve ujore

Bashkia e Milanos po realizon në Vlorë projektin Acqua Nostra, pjesë e një programi të financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme Italiane, për të ndihmuar në menaxhimin e burimeve ujore dhe shkëmbimin e kompetencave teknike.

Projekti përfshin monitorimin e ujërave të zeza dhe të bardha përmes dronëve dhe satelitëve, vizita në terren dhe trajnime, duke ofruar modele suksesi nga Milano që mund të adaptohen sipas realitetit lokal. Gianfranco Commodaro theksoi se ekspertët italianë janë aty për të kuptuar situatën aktuale dhe për të propozuar praktika të mira, ndërsa vendimet për zbatimin final i takojnë autoriteteve lokale.

Pjesë nga intervista

Artur Nura: Pse në Vlorë?

Gianfranco Commodaro: Sepse Bashkia e Milanos prej shumë vitesh operon në Vlorë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë në kuadër të programeve të bashkëpunimit ndërkombëtar, të financuara nga Ministria e Punëve të Jashtme italiane përmes Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit.

Artur Nura: Në çfarë konsiston ky projekt?

Gianfranco Commodaro: Ky projekt, që quhet “Acqua Nostra”, konsiston në shkëmbimin e kompetencave mes Bashkisë së Milanos dhe partnerëve të sistemit territorial milanez, në këtë rast edhe ARPA Lombardia, MM S.p.A. dhe partnerë të tjerë të territorit, të gjithë të përfshirë në aktivitetet e sistemit Itali, pra brenda një strategjie të përbashkët.

Projekti parashikon asistencë teknike dhe shkëmbim kompetencash mbi menaxhimin e burimeve ujore: kanalizimet, ujin e pijshëm, trajtimin e ujërave të ndotura, si dhe përdorimin e satelitëve dhe dronëve për monitorimin e territorit.

Është një shkëmbim kompetencash dhe një proces krahasimi: ka një pjesë trajnimi, një pjesë vizitash në terren dhe gjithashtu vizita në Milano, ku synohet të transmetohen disa kompetenca. Nga ana tjetër, si në të gjitha projektet e bashkëpunimit, mësohet gjithmonë diçka.

Artur Nura: Pra, po ndiqni hap pas hapi sistemin e ujërave të zeza dhe të bardha në Vlorë?

Gianfranco Commodaro: Po, në këtë rast po ndjekim sistemin e ujërave të zeza dhe të bardha. UKT po na tregon situatën aktuale, të cilën ne nuk e njohim. Duke analizuar situatën, ne paraqesim disa raste suksesi nga Milano që mund të ripërsëriten, tërësisht ose pjesërisht, në varësi të realitetit të Vlorës.

Ne nuk e njohim drejtpërdrejt realitetin e Vlorës: ata po na e tregojnë, dhe pikërisht për këtë jemi këtu. Si rrjedhojë, ne propozojmë dhe ndajmë praktika të mira mbi mënyrën se si në Milano menaxhohet ky shërbim.

Si në të gjitha projektet e bashkëpunimit, ajo që funksionon në Milano nuk zbatohet automatikisht këtu. Megjithatë, ekzistojnë modele ndërhyrjeje që, në varësi të realitetit shqiptar — qoftë në Vlorë, Tiranë apo qytete të tjera — mund të ofrojnë ide apo teknika për t’u zbatuar këtu. Më pas do të jetë kompetencë e bashkisë, e UKT-së apo e aktorëve lokalë përgjegjës në territorin shqiptar të vendosin si të veprojnë.

Artur Nura: A është bashkëpunimi italian i pranishëm drejtpërdrejt në këtë projekt apo delegon kompetencat te institucione të tjera?

Gianfranco Commodaro: Bashkëpunimi italian është i pranishëm në Shqipëri prej shumë vitesh.

Artur Nura: E kam fjalën konkretisht për këtë projekt.

Gianfranco Commodaro: Ky projekt quhet “Acqua Nostra” dhe është pjesë e një financimi të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bashkëpunimit Italian nga viti i kaluar. Në këtë rast, Bashkia e Milanos është institucioni udhëheqës dhe për tre vitet e ardhshme do të operojë përmes këtyre shkëmbimeve të kompetencave.

  •  

VIDEO/ Përfshihet nga flakët një banesë në Vlorë, shkak dyshohet të jetë bërë një shkëndijë elektrike

Një banesë private katërkatëshe është përfshirë nga flakët gjatë natës në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë. Zjarri ka rënë në katin e dytë, në kuzhinë.

Ngjarja është regjistruar rreth orës 01:30. Sipas dyshimeve të para, mësohet se shkak i zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve.

Fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar, por vetëm dëme materiale të shkaktuara në dy dhoma të banesës.

  •  

Tentoi të vidhte një furgon/ Vlorë, arrestohet në flagrancë 23-vjeçari nga Kosova

Tentoi të vidhte një furgon në Vlorë , arrestohet në flagrancë 23-vjeçari nga Kosova.

Gjatë kontrollit fizik iu gjet një armë e ftohtë (thikë), e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Si rezultat i reagimit të shpejtë dhe punës së pandërprerë për parandalimin dhe zbardhjen e rasteve të vjedhjes, si dhe për kapjen e autorëve të tyre, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë bënë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasit G. P., 23 vjeç, banues në Pejë, Kosovë.

Ky shtetas u kap më datë 10.03.2026 , rreth orëve të para të mengjesit, në lagjen “24 Maji”, në momentin që po tentonte të vidhte një automjet tip furgon. Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë bëri të mundur kapjen e tij në flagrancë dhe parandalimin e vjedhjes.

Gjatë kontrollit personal, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një mjet prerës (thikë).

Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se i njëjti shtetas dyshohet të jetë autor edhe i një vjedhjeje tjetër, të ndodhur më datë 06.03.2026, ku është marrë një shumë parash në një lokal në lagjen “10 Korriku”, në qytetin e Vlorës.

Policia vijon punën për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje dhe për verifikimin e përfshirjes së këtij shtetasi edhe në raste të tjera vjedhjeje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Vlorë për veprat penale “Vjedhja” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

  •  

Vlorë/ U bllokua në banesë, zjarrfikësit ndërhyjnë për të shpëtuar të moshuarën, 85-vjeçarja transportohet në spital

VLORË- Një e moshuar 85-vjeçare është shpëtuar nga punonjësit e zjarrfikëses pasi ndodhej e vetme në banesën e saj dhe nuk mund të lëvizte.

E moshuara ishte rrëzuar në banesë dhe kërkonte ndihmë, por nuk ishte në gjendje të ngrihej apo të hapte derën e jashtme.

Për shkak të derës së blinduar dhe pamundësisë së 85-vjeçares për ta hapur atë, punonjësit e zjarrfikëses u detyruan të ndërhyjnë nga tarraca e pallatit. Ata zbritën në ballkonin e banesës ku jetonte e moshuara dhe më pas arritën të hapnin derën për të hyrë brenda.

Pas ndërhyrjes, zjarrfikësit i dhanë ndihmën e parë dhe e transportuan 85-vjeçaren në ambientet e Spitalit Rajonal të Vlorës ./abcnews.al/

  •  

Detaje nga aksioni në Vlorë, zbardhet vrasja e Gentian Qarrit/ Urdhërarreste edhe për Inez Hajrullën dhe Ervis Matodashajn

VLORË- Detaje të reja nga aksioni në Vlorë me urdhër të SPAK. ABC News mëson se është zbardhur vrasja e Gentian Qarrit.

Autoritetet kanë lëshuar disa urdhër-arreste në lidhje me këtë ngjarje.

Urdhër arresti është lëshuar për Inez Hajrullën dhe Ervis Matodashajn, të cilët nuk janë gjetur ende.

Gjithashtu, është lëshuar urdhër arresti për Flodian Plakun, i njohur ndryshe si “Pole Qorri”, për të cilin është vendosur edhe një masë e re sigurie për trafik droge.

Urdhër arresti është lëshuar edhe për një person të arrestuar më herët në Janinë të Greqisë, si dhe për dy persona të arrestuar më parë në Itali.

Në mesin e personave për të cilët është lëshuar urdhër arresti është edhe një ish-efektiv policie.

Sipas hetimeve, në dosje përfshihen gjithashtu edhe disa episode të trafikut të lëndëve narkotike./abcnews.al/

  •  

Me urdhër të SPAK/ RENEA dhe FNSH aksion “blic” në Vlorë, kontrolle në zonën e Ujit të Ftohtë, operacioni monitorohet edhe me dron

VLORË- Një aksion i befasishëm i forcave speciale është zhvilluar në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë. Aksioni është zhvilluar me urdhër të SPAK.

Operacioni është realizuar nga efektivët e RENEA-s, dhe FNSH të cilët kanë ndërhyrë në terren në kuadër të një kontrolli të gjerë sigurie.

Sipas informacioneve paraprake, në aksion janë angazhuar rreth 40 efektivë të forcave speciale dhe rreth 10 mjete, përfshirë edhe mjete të blinduara.

Operacioni është monitoruar edhe nga ajri përmes përdorimit të një droni, i cili ka kontrolluar zonën për të ndihmuar në koordinimin e veprimeve në terren.

Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar për objektivin e operacionit apo nëse ka persona të shoqëruar, ndërsa pritet që Policia e Shtetit të japë më shumë detaje në vijim për aksionin e zhvilluar në këtë zonë./abcnews.al/

  •  

Turistes së huaj i grabitet varësja e floririt në Lungomare të Vlorës, në kërkim autori

Një turiste e huaj ka rënë pre e një grabitjeje në zonën e Lungomares në Vlorë.

Sipas informacioneve paraprake nga policia, një person i cili tashmë është identifikuar i ka marrë me forcë varësen e floririt nga qafa turistes dhe më pas është larguar me vrap nga vendngjarja.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në zonë dhe kanë nisur kontrollin e territorit për kapjen e autorit.

Ndërkohë, po punohet për arrestimin e të riut dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

  •  

Lëvizte i armatosur, arrestohet i riu në Vlorë

VLORË- Policia e Vlorës ka arrestuar një 21-vjeçar, i cili lëvizte me pistoletë në brez në rrugët e qytetit.

Ai u ndalua në lagjen “28 nëntori” dhe gjatë kontrollit fizik iu gjet në brez, një armë zjarri (pistoletë), e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

I riu u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”./abcnews.al

 

  •  

Vlorë/ Vodhi një motomjet gjatë natës, arrestohet autori

Një person ka rënë në prangat e policisë pasi ka vjedhur gjatë natës një motomjet, në qytetin e Vlorës.  Policia sekuestroi, në cilësinë e provës materiale, motomjetin e vjedhur.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”.

  •  

Aksident në Vlorë/ Makina merr para biçikletën, një i lënduar

VLORË– Një aksident ka ndodhur në rrugën Transballkanike në Vlorë.

Një automjet ka përplasur një person, i cili po lëvizte me biçikletë.

I lënduari është dërguar me urgjencë në Spitalin e Vlorës për të marrë ndihmën mjekësore të nevojshme.

Sipas informacioneve të para, i lënduari është në gjendje të rëndë shëndetësore pasi ka marrë plagë në kokë.

Ndërkohë, policia ka shoqëruar drejtuesin e automjetit për veprime të mëtejshme procedurale./abcnews.al

  •  

Muaji i shenjtë i Ramazanit/ Myftiu i Vlorës mesazh urimi: Periudhë e lehtësimit shpirtëror dhe afrimit me Zotin

Me nisjen e muajit të shenjtë të Ramazanit, Myftiu i Vlorë Ardit Hoxhllaku ka përcjellë një mesazh urimi dhe reflektimi për të gjithë besimtarët vlonjatë dhe shqiptarë.

Hoxhllaku ka theksuar rëndësinë e këtij muaji të bekuar, duke e cilësuar atë si një periudhë të lehtësimit shpirtëror, begatisë dhe afrimit me Zotin. Sipas tij, Ramazani është muaji i solidaritetit me njëri-tjetrin, i sakrificës, përkushtimit dhe ndihmës ndaj atyre që kanë më shumë nevojë.

Ai ka ftuar besimtarët që ta shfrytëzojnë këtë muaj për reflektim, përmirësim personal dhe forcim të lidhjeve familjare e shoqërore.

Myftiu ka konfirmuar gjithashtu se gjatë këtij muaji, Xhamia e Plumbit do të qëndrojë e hapur për besimtarët për faljet e mbrëmjes. Megjithatë, ai ka theksuar se rikonstruksioni i saj është tashmë një domosdoshmëri.

Xhamia vijon të qëndrojë e mbyllur pas përmbytjeve të tetorit 2024, çka ka krijuar vështirësi për zhvillimin normal të aktiviteteve fetare , ndërsa do te hapet vetëm gjate muajit te ramazanit

Ndërkohë, një mesazh për muajin e Ramazanit ka përcjellë edhe imami i xhamisë, Hajredin Dizdari, i cili ka uruar besimtarët për një agjërim të pranuar, paqe, shëndet dhe harmoni në familjet e tyre.

Besimtarët myslimanë nisin kështu muajin e madhërishëm të Ramazanit prej datës 19 shkurt, duke hyrë në një periudhë të rëndësishme adhurimi, reflektimi dhe përkushtimi shpirtëror.

  •  

VIDEO/ Stalla përfshihet nga flakët në Vlorë, digjen 22 lopë e viça

Një stallë me gjedhë është përfshirë nga flakët në fshatin Armenë të Selenicë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Stalla ishte në pronësi të Bardhosh Haxhirajt, ndërsa nga zjarri janë djegur 22 lopë dhe viça, duke i shkaktuar fermerit një humbje të rëndë ekonomike.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se zjarri ka rënë si pasojë e një shkëndije elektrike, e cila ka përfshirë fillimisht ambientin e brendshëm të stallës dhe më pas është përhapur me shpejtësi.

Autoritetet po vijojnë verifikimet për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes./abcnews.al

  •  

Vlorë/ Sekuestrohen dy automjete, dyshohet se do të përdoreshin për ngjarje kriminale

Policia e Vlorës ka parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale.

Mësohet se më datë 08.02.2026, policia e Vlorës ka ushtruar kontrolle të imtësishme në aksin rrugor dhe në territorin e fshatit Babicë e Madhe për dy automjete.

Si rezultat i kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar të fshehura në një sipërfaqe ullishteje, në fshatin Babicë e Madhe, dy automjete të dyshuara të vjedhura, konkretisht:

-një automjet tip “Nissan”, me targa të huaja;

-një automjet tip “Audi Q5”, me targa të huaja; si dhe 3 bidona me lëndë djegëse (benzinë).

Nga veprimet e para hetimore rezulton këto automjete do të përdoreshin për kryerjen e një ngjarjeje të rëndë kriminale.

Automjetet dhe provat e tjera të sekuestruara po i nënshtrohen ekzaminimeve shkencore.

Grupi i posaçëm hetimor i DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave si dhe për identifikimin dhe dokumentimin e autorësisë.

  •  

Aksident në Vlorë/ Motori elektrik përplaset me një automjet, lëndohet i riu

VLORË- Një aksident është regjistruar pak momente më parë në zonën e Lungomares në Vlorë, ku një motor elektrik është përplasur me një automjet.

Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i motorit elektrik ka mbetur i plagosur dhe është transportuar menjëherë me ambulancë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për ndihmë mjekësore.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, të cilat po punojnë për zbardhjen e rrethanave të aksidentit./abcnews.al

  •  

Përfshihet nga flakët banesa në Vlorë, shkak shpërthimi i bombolës së gazit

Në banesën e shtetasit 68 vjeç, në pjesën e ballkonit ka rënë zjarr pasi ka plasur një bombol gazi. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Uji i Ftohtë”, në Vlorë.

Me ndërhyrjen e zjarrfikësve, zjarri u fik. Nga verifikimet e para nuk ka persona të lënduar, vetëm dëme materiale.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e rrethanave, përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit, si dhe për dokumentimin e plotë të rastit.

  •  

VIDEO/ Vlorë, përfshihet nga flakët një automjet, dyshohet për…

Një automjet është përfshirë nga flakët mbrëmjen e sotme në zonën e Ujit të Ftohtë, pranë vendit të njohur si “Te Rrapi”.

Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka shpërthyer papritur, ndërsa flakët kanë shkrumbuar një pjesë të madhe të mjetit.

Ende nuk dihen shkaqet e ngjarjes, teksa dyshimet e para janë për një shkëndijë elektrike në automjet, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.

Autoritetet pritet të zbardhin rrethanat e plota të incidentit./abcnews.al

  •  

Goditi me sende të forta 48-vjeçarin, arrestohet autori. I plagosuri u transportua të ‘Trauma’

Një sherr ka ndodhur mes dy personave në Vlorë. Sipas policisë gjatë një konflikti që ka nisur për motive të dobëta, 41-vjeçari ka goditur me grushte dhe sende të forta një shtetas 48-vjeç.

48-vjeçari, pas plagëve të marra, po merr trajtim mjekim në Spitalin e Traumës.

Ndërkohë autori 41-vjeçar është arrestuar nga policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës dhe të Sarandës, për veprime të mëtejshme.

  •  

Tregtonin medikamente kontrabandë nga Italia/ Vlorë, arrestohet 53-vjeçari, procedohet penalisht i biri

Tregtonin në Vlorë, mallra që dyshohet se i kontrabandonin nga Italia, vihet në pranga 53-vjeçari, procedohet penalisht djali i tij. 53-vjeçari u kap në flagrancë duke transportuar medikamente mjekësore të dyshuara të kontrabanduara nga Italia.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme.

  •  
❌