Reading view

Vance paralajmëron: Lufta me Iranin nuk ka përfunduar, jemi në mes të lojës

Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, tha se SHBA-të kishin bërë përparim në negociatat me Iranin, por paralajmëroi se lufta është ende “në mes të lojës”, ndërsa administrata Trump i bën presion Teheranit për lëshime për të ndihmuar në përfundimin e konfliktit.

“Mendoj se kemi bërë disa përparime gjatë ditëve të fundit”, i tha Vance gazetares së Fox News, Kayleigh McEnany, duke iu referuar negociatave midis Iranit dhe Omanit për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Por Vance paralajmëroi që bisedimet të mos shihen si një shenjë se fundi i luftës është i afërt.

“Kjo gjë nuk ka mbaruar. Padyshim që nuk është në fillim. Jemi në mes të lojës”, tha ai.

“Po aplikojmë një mori mjetesh, diplomatike, ekonomike, ushtarake, për të siguruar që të marrim rezultatin më të mirë për popullin amerikan”, shtoi Vance.

Komentet e tij vijnë pasi Kryetari i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë, Gjenerali Dan Caine, u bëri thirrje zyrtarëve të lartë të administratës Trump të gjejnë një “dalje nga situata” nga lufta gati gjashtëmujore me Iranin, sipas një raporti të ri.

  •  

VIDEO/ Zjarri në Malin e Krujës del sërish jashtë kontrollit, flakët zbresin drejt zonave të banuara

Zjarri që ka përfshirë Malin e Krujës që prej mesditës së sotme, 8 gusht, vijon të jetë aktiv, ndërsa situata është përkeqësuar pas përfundimit të ndërhyrjes nga ajri.

Pas largimit të helikopterëve të emergjencave civile, flakët kanë dalë sërish jashtë kontrollit dhe po përhapen në drejtim të zonave më të ulëta. Situata ka rritur shqetësimin për objektet e banuara dhe lokalet që ndodhen në afërsi të vatrës së zjarrit.

Ndërhyrja nga ajri është konsideruar e nevojshme për shkak të terrenit të vështirë, ndërsa pas largimit të helikopterëve flakët kanë vijuar të përhapen.

Banorët dhe personat që ndodhen në zonë kërkojnë një ndërhyrje të menjëhershme nga ajri, me qëllim frenimin e zjarrit dhe shmangien e afrimit të flakëve drejt zonave të banuara.

Në vendngjarje vijojnë të jenë të pranishme Forcat Operacionale dhe Forcat e Armatosura.

  •  

Ndezi zjarr për të djegur barin, flakët përfshijnë malin e Krujës, arrestohet 73-vjeçari

Ndezi zjarr për djegien e barit pranë banesës së tij, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën në drejtim të malit të Krujës, reagimi në kohë i Policisë çoi në identifikimin dhe arrestimin në flagrancë të autorit të dyshuar të zjarrvënies.

Në vijim të veprimeve hetimore për zbardhjen e rrethanave të zjarrit të rënë në lagjen “Abaze”, Krujë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë arrestuan në flagrancë autorin e dyshuar, shtetasin Q. B., 73 vjeç, banues në lagjen “Abaze”, Krujë.

Ky shtetas dyshohet se, më datë 08.08.2026, në afërsi të banesës së tij, ka ndezur zjarr për djegien e një sasie bari, por flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe, për shkak të erës, janë përhapur në drejtim të malit të Krujës, duke rrezikuar zonat e banuara.

Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me strukturat e emergjencave, kanë marrë masa për evakuimin e pjesshëm të banorëve që ndodheshin në afërsi të vatrës së zjarrit, si masë parandaluese për garantimin e jetës dhe sigurisë së tyre.

Falë angazhimit të forcave në terren, vijon operacioni për shuarjen e zjarrit, ku po ndërhyhet me forca tokësore dhe me mbështetje nga ajri, me qëllim izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

  •  

I shpallur në kërkim prej dy vitesh nën akuzë për incineratorin e Tiranës, arrestohet Renardo Nallbani

Arrestohet nga Policia e Vlorës Renardo Nallbani, i shpallur në kërkim prej dy vitesh nën akuzë për inceneratorin e Tiranës.

Operacioni për kapjen e tij u zhvillua mbrëmjen e kësaj të shtune në zonën e Palasës. Mësohet se forca të shumta policore kanë rrethuar vilën ku ai po qëndronte.

Nallbani është i akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.

  •  

Todd Blanche konfirmohet si Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-ve

Todd Blanche, ish-avokati personal i presidentit amerikan Donald Trump, është konfirmuar me rezultat të ngushtë në postin e prokurorit të përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara, zyrtari më i lartë i vendit për zbatimin e ligjit.

Votimi i dha fund një përplasjeje të gjatë mes republikanëve në Senat dhe administratës Trump lidhur me Blanche, i cili ka ushtruar detyrën e përkohshme të prokurorit të përgjithshëm që prej prillit.

Blanche u konfirmua me 50 vota pro dhe 49 kundër, ndërsa dy senatore republikane, Susan Collins dhe Lisa Murkowski, iu bashkuan të gjithë demokratëve për të kundërshtuar emërimin e tij.

Senatori republikan Bill Cassidy dha votën vendimtare, në një vendim që u ndoq me vëmendje në Uashington, për shkak të përplasjeve të vazhdueshme ndër vite mes tij dhe Trump.

Pas votimit, Blanche tha se ishte “thellësisht i nderuar nga besimi dhe mbështetja” që presidenti Trump kishte vendosur tek ai.

Disa senatorë republikanë ngritën shqetësime lidhur me mënyrën se si Blanche kishte trajtuar publikimin e dokumenteve të lidhura me Jeffrey Epstein, si dhe për rolin e tij në krijimin e një fondi prej 1.8 miliardë dollarësh të Trumpit kundër asaj që administrata e cilëson si “instrumentalizim politik” të institucioneve.

Fondi ishte planifikuar të ofronte kompensim për individët që pretendonin se ishin persekutuar nga qeveria. Megjithatë, kritikët, përfshirë Murkowski, kishin frikë se fondet mund t’u jepeshin edhe personave të ndjekur penalisht për pjesëmarrjen në sulmin ndaj Kongresit më 6 janar 2021.

Pas kundërshtimeve të forta nga senatorët republikanë gjatë seancave të konfirmimit, Blanche u zotua përfundimisht të tërhiqej nga ky fond.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ky zotim është ligjërisht detyrues apo nëse Trump mund ta bindë më vonë Blanche, ish-avokatin e tij personal, të rikthejë një skemë të ngjashme me një emër tjetër.

Çështjet e ngritura rreth Blanche bënë që senatorët Collins dhe Murkowski të mos e mbështesnin menjëherë emërimin e tij. Murkowski tha se nuk kishte besim te Blanche për të “frenuar impulset më të këqija të kësaj administrate”.

Të premten, Murkowski njoftoi se do të votonte kundër Blanche, duke përmendur shqetësimet e saj për “politizimin” e Departamentit të Drejtësisë.

Edhe Collins ngriti shqetësime për rolin e Blanche në zgjidhjen e një padie prej 10 miliardë dollarësh të Trumpit kundër Shërbimit të të Ardhurave të Brendshme (IRS), por tha se në fund i besonte Blanche për t’i dhënë presidentit këshilla ligjore të sinqerta.

Para se të jepte votën vendimtare, Cassidy deklaroi se besonte se Blanche ishte alternativa më e mirë që presidenti mund të propozonte.

“Ky nuk është një referendum për presidentin Trump, por një vendim për zotin Blanche, në rrethana shumë specifike. Duke i marrë të gjitha parasysh, do të votoj për zotin Blanche”, tha Cassidy të premten.

Cassidy pranoi se Trump është vendimmarrësi përfundimtar për drejtimin e Departamentit të Drejtësisë, por tha se konfirmimi nga Senati do t’i jepte Blanche “më shumë mundësi për të shtyrë përpara çështjet që duhet të shtyhen përpara”.

Gjatë procesit të dytë të shkarkimit të Trumpit në vitin 2021, Cassidy votoi për shpalljen fajtor të presidentit lidhur me trazirat në Kapitol më 6 janar 2021. Votimi nuk mori shumicën e nevojshme dhe, pasi Trump u rikthye në pushtet, ai mbështeti një kundërshtar të Cassidy-t në zgjedhjet paraprake për vendin e tij në Senat në Luiziana, duke e detyruar atë të tërhiqej nga gara.

Në një postim në X, lideri demokrat i Senatit, Chuck Schumer, shprehu shqetësimin se emërimi i Blanche do t’i jepte Trumpit “një justifikim të gatshëm për të vazhduar korrupsionin e tij të përhapur dhe tronditës”.

“Todd Blanche nuk ka ndërmend ta ndalojë korrupsionin e Trumpit. Ai e ka avancuar karrierën e tij duke e mundësuar atë”, shkroi Schumer. “Çdo senator që votoi për ta konfirmuar tani e ka etiketuar veten si bashkëpunëtor në këtë proces.”

Megjithatë, shumica e republikanëve e përshëndetën menjëherë rezultatin.

Senatori republikan i Iowa-s, Chuck Grassley, kryetar i Komisionit Gjyqësor të Senatit, shkroi në X se Blanche kishte treguar “durim, dhembshuri dhe këmbëngulje të jashtëzakonshme” gjatë procesit të emërimit.

“Nuk ka dyshim se ai është i kualifikuar”, shkroi Grassley.

Blanche ishte zëvendësprokuror i përgjithshëm kur mori drejtimin e përkohshëm të Departamentit të Drejtësisë në prill, pas shkarkimit të Pam Bondi.

  •  

Sulmohen palestinezët në Betlehem, pas tyre edhe ekipi mjekësor që do u vinte në ndihmë

Sipas raportimeve të mediave lokale, persona të armatosur izraelitë kanë sulmuar automjete palestineze në rrugën Abu Najim, në juglindje të Betlehemit.

Gjatë incidentit, sulmuesit dyshohet se kanë sulmuar edhe personelin mjekësor që po përpiqej të mbërrinte te tre palestinezë të plagosur.

Disa automjete u dëmtuan, ndërsa xhamat e një ambulance të Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze u thyen.

Sipas të dhënave të Këshillit për Luftimin e Murit të Ndarjes dhe Vendbanimeve, të lidhur me Organizatën për Çlirimin e Palestinës (PLO), në gjysmën e parë të vitit 2026 janë regjistruar 3,488 sulme në Bregun Perëndimor.

Sipas të njëjtave të dhëna, sulmet kanë shkaktuar vdekjen e 17 palestinezëve, ndërsa 26 komunitete beduine janë zhvendosur me forcë, plotësisht ose pjesërisht.

Gjatë kësaj periudhe, janë krijuar gjithashtu 42 vendbanime të reja, kryesisht për qëllime blegtorale.

Që nga nisja e luftës në Rripin e Gazës në tetor 2023, sulmet e ushtrisë izraelite dhe kolonëve izraelitë ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor janë intensifikuar.

Sipas shifrave zyrtare palestineze, më shumë se 1,182 palestinezë janë vrarë, rreth 13,000 janë plagosur dhe afërsisht 25,000 janë arrestuar gjatë kësaj periudhe, ndërsa në rajon janë raportuar dëme të shumta materiale.

  •  

Tajlandë, pamjet e masakrës në shkollë/ Sulmi me armë nga 14-vjeçari, terror e panik për 40 minuta

Rreth orës 09:50 të mëngjesit, në një shkolle te Tajlandës nisën të shtënat. Për rreth 40 minuta, paniku dhe terrori përfshinë korridoret dhe klasat, deri në përfundimin e sulmit rreth orës 10:30.

Pamjet e reja të kamerave të sigurisë tregojnë hap pas hapi lëvizjet e 14-vjeçarit dhe momentet e kaosit brenda shkollës.

Pak çaste para se të niste sulmi, 14-vjeçari shihet i vetëm në korridor, pranë një dritareje. Ai qëndron për disa momente duke parë jashtë, ndërsa mban armën në dorë.

Pak më vonë, situata ndryshon në mënyrë dramatike. 14-vjeçari hap zjarr dhe qëllon ndaj nxënësve dhe mësuesve. Menjëherë pas të shtënave, ai largohet me vrap drejt korridoreve te shkollës.

Kamera e sigurisë e ndjek teksa autori vrapon nëpër ambientet e shkollës. Ai kalon me shpejtësi nëpër korridore, ndërsa pas të shtënave nis kaosi.

Student shooter dies by suicide after Nonthaburi school attack; 2 dead, up to 20 injured

A student believed to be the shooter in the attack at Debsirin Nonthaburi School in Bang Kruai district died by suicide after opening fire inside the school on Friday, according to officials… pic.twitter.com/ji5sky38tN

— Thai Enquirer (@ThaiEnquirer) August 7, 2026

Në një tjetër sekuencë, nxënës dhe mësues të alarmuar shihen duke vrapuar drejt daljeve të shkollës. Disa përpiqen të largohen sa më shpejt nga godina, ndërsa të tjerë kërkojnë një vend ku mund të fshihen.

Në klasat e shkollës, frika është e dukshme. Nxënësit shihen të shtrirë poshtë tavolinave, duke u përpjekur të fshihen dhe të mbrohen ndërsa dëgjohen të shtënat.

Ngjarja ndodhi të premten në mëngjes në një shkollë, në veri të Bangkokut. Sipas autoriteteve, sulmi la pas të paktën 9 viktima dhe më shumë se 30 të plagosur. I mituri, i cili më pas qëlloi veten, humbi jetën gjatë transportimit për në spital. Autori para se te vinte ne shkolle kishte vrarë më herët gjyshërit e tij.

  •  

Aksident në aksin Gjirokastër-Tepelenë, përplasen tre automjete

Një aksident rrugor është regjistruar në aksin Gjirokastër-Tepelenë, pranë ish-repartit ushtarak.

Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë tre automjete, të cilat janë përplasur me njëra-tjetrën.

Fatmirësisht, nga aksidenti nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa janë shkaktuar dëme materiale.

Efektivët e Policisë Rrugore ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.

  •  

Krujë, zjarr në mal/ Rrezikohen disa banesa, ndërhyrje nga ajri me dy helikopterë

Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu një zonë pranë malit të Krujës pasditen e të shtunës.

Efektivë të shërbimit zjarrfikës po punojnë për lokalizimin e flakëve të cilat, për shkak të erës, po përhapen me shpejtësi duke rrezikuar disa banesa aty pranë.

Dy helikopterë po hedhin ujë në zonën e përfshirë nga zjarret, ndërsa forcat zjarrfikëse janë të pozicionuara pranë banesave për të izoluar vatrat e zjarrit.

Ndërsa në Mallakastër, ku pas 5 ditësh situata dukej më e qetë, zjarri po rrezikon banesat në fshatin Koilac. Policia, forcat e ushtrisë dhe zjarrfikësit kanë ndërhyrë menjëherë për evakuimin e disa familjeve, pasi zjarri masiv që ka përfshirë sipërfaqe të mëdha toke është përhapur me shpejtësi drejt shtëpive.

Për shkak të erës flakët po përhapen në drejtim të fshatrave Hekal, Panahor, Riban dhe Ngraçan.

Më herët në drekë flakët që përfshinë një zonë malore mes fshatrave Golem dhe Progonat të Gjirokastrës arritën të shuhen plotësisht. Megjithëse një terren i vështirë, ekipet e shërbimit zjarrfikës i neutralizuan pa u përhapur më tej. Aktualisht zona po mbahet në monitorim për një riaktivizim të mundshëm të zjarrit që dogji rreth tre hektarë bimësi, shkurre e barishte.

Situatë më e stabilizuar, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, paraqitet dhe në zonat e tjera të vendit. Vatrat në zonën e Dajtit dhe në Cikallesh të Kavajës po mbahen në monitorim. Në Kostrën e të Beratit, në Uruçaj të Peqinit, në Plan të Bardhë të Klosit dhe Mushnik të Rrogozhinës flakët janë shuar plotësisht.

Në një kohë kur temperaturat e larta dhe thatësira favorizojnë flakët, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile thotë se po monitoron zonat e prekura për të ndërhyrë në rast nevoje.

  •  

“Varet nga SHBA”, Irani vendos kushte për rihapjen e Hormuzit

Zyrtari më i lartë i sigurisë në Iran tha se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur derisa SHBA-të të ndryshojnë atë që ai e përshkroi si politika të saj armiqësore dhe të përmbushin një sërë kërkesash iraniane.

Në një deklaratë, Mohammad Bagher Zolghadr, sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, tha se Uashingtoni duhet të “korrigjojë sjelljen e tij” përpara se rruga ujore strategjike të rihapet.

Ai renditi gjashtë kushte, duke përfshirë ndërprerjen e asaj që ai e quajti kërcënime kundër udhëheqësit suprem të Iranit, ndalimin e përhershëm të veprimeve ushtarake kundër Iranit dhe aleatëve të tij rajonalë, tërheqjen e forcave detare dhe ajrore amerikane të përfshira në atë që ai e përshkroi si bllokadë ndaj Iranit, kompensimin e Teheranit për dëmet e shkaktuara gjatë konflikteve të fundit, heqjen e sanksioneve të SHBA-së dhe lirimin e aseteve të ngrira të Iranit.

Zolghadr tha se kërkesat pasqyrojnë vullnetin e popullit iranian, duke përmendur tubimet mbarëkombëtare gjatë gjashtë ditëve të fundit.

“Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare nuk do të tërhiqet nga këto kërkesa, qoftë në luftë apo në negociata”, tha ai.

Më vete, zëdhënësi i ushtrisë iraniane, gjeneral brigade Mohammad Akraminia, tha se “rendi iranian” që qeveris Ngushticën e Hormuzit ishte “i pakthyeshëm”, duke shtuar se SHBA-të “nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të pranonin realitetin ekzistues” ose të përballeshin me “kosto shumë më të mëdha se më parë”.

Komentet vijnë në një kohë kur negociatat mbi të ardhmen e lundrimit përmes Ngushticës së Hormuzit mbeten në një bllokim.

  •  

“S’e harroj dot!”/ Vrasja në Korçë, dëshmitarja: E pashë djalin të shtrirë, gjaku i rridhte nga koka

Lidhur me ngjarjen e rëndë të regjistruar këtë të shtunë, 8 gusht 2026, në lagjen numër 14 të qytetit të Korçës ka rrëfyer momentet tronditëse pas ngjarjes, një dëshmitare, e cila banonte në pallatin ku ndodhi ngjarja.

Ajo tregon se ndodhej në banesë me nënën e saj kur dëgjoi një zhurmë të fortë. Fillimisht mendoi se dikush mund të kishte rënë në shkallë dhe doli për të parë se çfarë kishte ndodhur.

“Unë isha brenda në shtëpi. Për një moment dëgjova një zhurmë të madhe, sikur plasi diçka. I thashë mamit se do dal të shikoj çfarë po bëhet. Thashë mos ra ndonjë njeri nga shkallët, që t’i ndihmoja”, rrëfeu ajo.

Ajo tregon se sapo doli nga banesa, dëgjoi një grua që kërkonte ndihmë dhe njoftimin e Policisë e ambulancës, teksa rrëfen dhe momentin kur e pa të riun të shtrirë përtokë.

“Ajo gruaja e katit të tretë, te dera e saj ishte bërë ngjarja, thërriste me të madhe: ‘Aman, të lutem, lajmëroni policinë, ambulancën’. Ngjitem me vrap dhe shikoj një njeri të shtrirë përtokë, barkas. Pashë djalin aty, njeri dy metra, djalë të shtrirë poshtë, të gjakosur. Pastaj i rridhte gjaku nga koka. Ishte tmerr”, rrëfen më tej gruaja.

  •  

Pamje nga banesa e autorit të vrasjes në Korçë/ Kristjan Sterjo jetonte vetëm me babain, prindërit i ishin divorcuar

ABC News ka arritur që të sigurojë pamje të banesës së autorit të dyshuar, të vrasjes së 20-vjeçarit Johan Zuko.

Autori i dyshuar i ngjarjes, i cili ndodhet ende në arrati, Kristjan Sterjo jetojnë vetëm me babain, pasi prindërit i kishte të divorcuar.

Forcat e RENEA-s kanë zbarkuar në qytetin e Korçës për të bërë të mundur kapjen e autorit, janë ushtruar kontrolle edhe në banesën e Kristjan Sterjos, por nuk është gjetur.

  •  

Pas konfliktit vrau 20-vjeçarin/ Del fotoja e autorit të vrasjes. RENEA zbarkon në Korçë

Zbulohet fotoja e Kristjan Sterjos, autorit të dyshuar për vrasjen e 20-vjeçarit Johan Zuko në Korçë. Sterjo vijon të jetë në kërkim, ndërsa Policia ka intensifikuar kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Sipas të dhënave të hetimit, Sterjo dhe viktima kanë qenë shokë dhe janë rritur bashkë. Mes tyre ka pasur një konflikt, i cili më pas ka përshkallëzuar në vrasjen e 20-vjeçarit.

Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Po sekuestrohen dhe analizohen edhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi krimi dhe përgjatë rrugëve që dyshohet se ka ndjekur autori pas vrasjes. Operacioni për kapjen e Kristjan Sterjos vijon.

RENEA zbarkon në Korçë. Mësohet se vetëm pak minuta më parë, forca të shumta policie si edhe RENEA kanë shkuar pranë banesës së autorit por nuk kanë mundur dot ta gjejnë atje.

  •  

Kolumbia ka presidentin e ri, De la Espriella merr zyrtarisht detyrën

Avokati dhe politikani i ri në skenën politike Abelardo de la Espriella bëri betimin si president i Kolumbisë, gjatë një ceremonie në qytetin jugperëndimor të Kalit.

Ceremonia, e zhvilluar jashtë kryeqytetit Bogota, thyen për herë të parë pas më shumë se një shekulli traditën.

Inaugurimi shënon një kthesë të fortë ideologjike për Kolumbinë, pasi De la Espriella pason Gustavo Petron, mandati katërvjeçar i të cilit përfundoi në një klimë të polarizimit të thelluar politik dhe vështirësive ekonomike.

Ndryshe nga betimi tradicional në sheshin historik Plaza de Bolivar në Bogota, ceremonia u zhvillua në Arena USC, brenda Universitetit Santiago de Cali.

Zgjedhja e lokacionit erdhi pas disa javësh debatesh të ashpra institucionale mes administratës në largim dhe asaj të ardhshme.

Fillimisht, De la Espriella propozoi të bënte betimin në një bazë ushtarake në departamentin fqinj Kaukas, të goditur nga konflikti, si homazh për forcat e armatosura të Kolumbisë.

Petro, megjithatë, e kundërshtoi fuqishëm këtë propozim, duke këmbëngulur se bazat ushtarake nuk mund të shërbejnë si vendngjarje për një ceremoni politike të inaugurimit për sa kohë ai mban postin e komandantit të përgjithshëm.

Pas miratimit nga Kongresi për zhvendosjen e ceremonisë, De la Espriella zgjodhi Kalin, kryeqytetin e departamentit Valle del Cauca, duke e paraqitur vendimin si angazhim për decentralizimin administrativ dhe sigurinë rajonale.

Si gjest në drejtim të forcave të armatosura, De la Espriella planifikoi aktin e tij të parë zyrtar si president në bazën ajrore Marco Fidel Suarez në Kali, menjëherë pas inaugurimit.

Ceremonia tërhoqi një përfaqësim të konsiderueshëm ndërkombëtar, veçanërisht nga liderë të Amerikave dhe Evropës.

  •  

Vrasja në Korçë/ Identifikohet autori: E qëlloi viktimën nga pas teksa po ngjiste shkallët e pallatit (EMRI)

Policia ka identifikuar autorin e vrasjes së 20-vjeçarit, Johan Zuko, në lagjen 14 të qytetit të Korçës. Autori është Kristjan Sterjo.

Burime për ABC News bëjnë të ditur se në trupin e viktimës u gjet një plagë në shpatull, plumbi kishte depërtuar tej për tej. Sipas informacioneve dyshohet që autori e ka qëlluar 20-vjeçarin, teksa ka qenë duke ngjitur shkallët e pallatit.

  •  

“Konflikti ishte i mbartur”/ Vrasja në Korçë, policia zbardh dinamikën: Autori është parë të shkojë në drejtim të varrezave

Zv/drejtori i Hetimit të Krimeve, drejtues Sejfulla Metko, ka dhënë detaje të reja nga vendi i ngjarjes në Korçë, ku u vra 20-vjeçari Johan Zuko. Sipas Metkos, konflikti mes viktimës dhe autorit të dyshuar kishte nisur rreth orës 14:00, në një lagje pranë vendit ku ndodhi vrasja.

“Konflikti ka qenë mes dy personave, ku si rezultat ka agravuar me një viktimë. Kemi një person të dyshuar, forcat e policisë i janë vënë në ndjekje. Konflikti ka ndodhur rreth orës 14:00.

Ka ndodhur në një lagje afër vendit të ngjarjes dhe më pas ka precipituar në afërsi të banesës së viktimës. Kemi pasur përdorim të armëve të zjarrit.”

Sipas tij autori është parë për 15 minuta nga banorët e lagjes dhe ka shkuar në drejtim të varrezave.

“Autori për rreth 15 minuta është parë nga dëshmitarë okularë që ka shkuar në drejtim të varrezave. Viktima është vrarë me kallashnikov, gjithashtu viktima ka pasur në dorë një armë të ftohtë, thikë. Konflikti ka qenë i mbartur prej disa kohësh më parë, ka qenë në ndjekje nga ana jonë”, tha Zv/drejtori i Hetimit të Krimeve.

  •  

Spanja vendos kontrolle kufitare ndaj Italisë, përshkallëzohet përplasja për fluksin e migrantëve në Ceuta

Spanja ka vendosur kontrolle kufitare për të gjitha udhëtimet ajrore dhe detare nga Italia, ndërsa përplasja mes dy vendeve anëtare të BE-së për çështjen e migracionit po përshkallëzohet.

Masat, të cilat nisën në mesnatëdhe do të zgjasin për një muaj, vijnë një javë pasi Italia vendosi kufizime të ngjashme, pas fluksit të rreth 78 mijë migrantëve nga Maroku drejt enklavës spanjolle të Ceutës.

Zyrtarët spanjollë thanë se dokumentet e 5-10% të pasagjerëve po kontrollohen përpara se ata të lejohen të zbresin nga avionët. Edhe Italia ka deklaruar se kontrollet në kufi janë të rastësishme.

Kriza ka vënë përballë kryeministrin e Spanjës, Pedro Sanchez, dhe homologen e tij italiane, Giorgia Meloni, e cila prej kohësh kërkon rregulla më të ashpra të BE-së për migracionin.

Italia nuk ka kufi tokësor me Spanjën. Qeveria italiane tha javën e kaluar se vendimi për pezullimin e përkohshëm të marrëveshjes së Shengenit, që garanton lëvizjen pa kontrolle kufitare, synonte të parandalonte kalimin drejt Italisë të migrantëve që kishin hyrë në Ceuta.

Madridi e hodhi poshtë këtë argument, duke e cilësuar si të bazuar në “arsyetime të pabaza”, pasi migrantët që hynë në Ceuta nuk kishin mundësi të hynin në zonën Shengen.

Të premten, Spanja i kërkoi Italisë të anulonte kontrollet deri të dielën. Roma deklaroi se ato do të qëndrojnë në fuqi të paktën deri më 15 gusht, kur, sipas saj, Spanja “pret një valë të re migracioni” drejt Ceutës.

Italia ka deklaruar se qytetarët spanjollë dhe ata të BE-së përjashtohen nga kontrollet shtesë gjatë mbërritjes në Itali, ndërsa këto masa zbatohen vetëm për shtetasit jashtë BE-së.

Megjithatë, mbetet e paqartë se si zyrtarët kufitarë do të bëjnë dallimin mes udhëtarëve të BE-së dhe atyre jashtë BE-së. Gazeta El País ka raportuar se në ditët e fundit në disa terminale aeroportesh italiane janë krijuar radhë të gjata dhe pritje të zgjatura, ndërsa pasagjerët që mbërrijnë nga Spanja janë orientuar drejt një radhe të veçantë për kontrolle.

Sa u përket kontrolleve spanjolle, autoritetet insistojnë se ato janë të rastësishme. Megjithatë, një pasagjere që mbërriti në Madrid të shtunën i tha transmetuesit publik RTVE se të gjithë pasagjerëve në fluturimin e saj iu kërkua të tregonin pasaportat.

“Na thanë se nuk mund të zbrisnim nga avioni pa treguar dokumentet”, tha Elisa.

Një tjetër pasagjer deklaroi: “Na ndaluan dhe na kërkuan dokumentet e identifikimit, të cilat policia dukej se i miratoi”.

Spanja ka deklaruar se kontrollet do të qëndrojnë në fuqi deri më 7 shtator, “përveç rastit kur një ndryshim i rrethanave që çoi në miratimin e tyre e bën të nevojshme ndryshimin e kësaj periudhe”.

Pezullimet e përkohshme të marrëveshjes së Shengenit nuk janë të paprecedenta. Italia gjithashtu mban kontrolle në kufirin e saj me Slloveninë.

Vendimi i Italisë për pezullimin e Shengenit për një muaj u mbështet nga Finlanda dhe Danimarka, ndërsa Republika Çeke bëri thirrje për pezullimin e përkohshëm të Spanjës nga marrëveshja.

Shumica e migrantëve që mbërritën në Ceuta javën e kaluar u kthyen brenda pak ditësh. Besohet se rreth 100 persona kanë humbur jetën gjatë kalimit.

Ndërkohë, rreth 1 mijë e 400 të mitur, disa prej tyre “djem dhe vajza shumë të vegjël”, ndodhen ende në Ceuta.

Spanja nuk ka njoftuar për një valë të dytë të pritshme kalimesh nga Maroku.

Megjithatë, BBC Arabic ka gjetur dhjetëra postime në Facebook që bëjnë thirrje për një kalim të dytë në mesin e gushtit. Disa prej tyre reklamonin edhe pajisje për not. Gjashtë prej këtyre grupeve kishin më shumë se 100 mijë ndjekës. Meta deklaroi se ka hequr postimet që shkelin politikat e saj.

Zyra e kryeministrit spanjoll i tha El País se situata po monitorohet, por se nuk pritet përsëritja e skenave të javës së kaluar.

Mbetet e paqartë se përse dhjetëra mijëra migrantë tentuan të kalonin drejt Ceutës. Megjithatë, komisioneri i BE-së për Migracionin, Magnus Brunner, ka sugjeruar se pas kësaj qëndrojnë rrjete kriminale që përhapin dezinformata. Ky pretendim është mbështetur edhe nga qeveria spanjolle.

Kalimet masive ndodhën pasi Gjykata e Lartë e Spanjës vendosi se migrantët e ndaluar në det teksa përpiqen të arrijnë në Ceuta ose Melilla nuk mund të kthehen menjëherë në Marok.

Nga ana e saj, Maroku ia ka atribuar krizën vendimit të gjykatës. Një burim qeveritar, i paidentifikuar, i tha mediave lokale se “elementi frenues i sistemit u shemb dhe diga u çarë, jo nën peshën e kriminelëve, por për shkak të vendimit të një gjyqtari”.

Numri i madh i njerëzve që u përpoqën të notonin drejt Ceutës në të njëjtën kohë ka ngritur pikëpyetje edhe mbi arsyen përse rojet kufitare marokene nuk tentuan t’i ndalonin.

Ceuta dhe Melilla, dy enklavat spanjolle në territorin e Afrikës së Veriut, kanë qenë prej kohësh një pikë tensioni diplomatik mes Spanjës dhe Marokut. Rabati nuk e njeh sovranitetin spanjoll mbi këto dy territore.

  •  

Zjarri rrezikon banesat në Mallakastër, evakuohen disa familje

Zjarri rrezikon banesat në fshatin Koilac, Policia evakuon disa familje. Vijon operacioni për shuarjen e flakëve.

Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë për evakuimin e disa familjeve nga fshati Koilac, Mallakastër, pasi zjarri masiv që ka përfshirë sipërfaqe të mëdha toke është përhapur me shpejtësi, duke rrezikuar banesat dhe banorët.

Në terren janë angazhuar shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, shërbimet zjarrfikëse, Forcat Kombëtare të Sigurisë, strukturat e emergjencave civile dhe strukturat e tjera përgjegjëse.

Për shkak të erës së fortë, flakët po favorizohen në përhapjen e tyre në drejtim të zonave të banuara, ndërsa deri tani zjarri ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në bimësi.

Shërbimet e Policisë vijojnë të jenë të angazhuara në terren, duke garantuar sigurinë e banorëve dhe duke bashkëpunuar me të gjitha strukturat për izolimin dhe shuarjen e flakëve të zjarrit të cilat për shkak të erës po përhapen në drejtim të fshatrave Hekal, Panahor, Riban dhe Ngraçan.

Njëkohësisht, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për përcaktimin e shkakut të zjarrit, dokumentimin e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorit, nëse zjarri rezulton të jetë shkaktuar nga veprime të kundërligjshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë qytetarët që të mos ndezin zjarre për djegien e mbetjeve bimore apo për çdo qëllim tjetër, pasi përhapja e pakontrolluar e flakëve mund të sjellë pasoja të rënda për jetën, pronën dhe mjedisin.

  •  
❌