Kjo është një video e një roboti tokësor ukrainas që shfaqet duke shpëtuar një tjetër robot ukrainas tokësor, i cili ishte dëmtuar gjatë përleshjeve në vijat e frontit kundër Ushtrisë Ruse.
Veprimi i këtij roboti tregon jo vetëm teknologjinë e avancuar ushtarake të Ukrainës, por edhe përkushtimin e vendit për të mos lënë pas asnjë mjet apo pajisje të tyre, madje edhe në kushtet më të rrezikshme të betejës.
Në fushën e betejës, Ukraina tregon qartë se nuk lë asnjë robot pas, duke kombinuar guximin dhe inovacionin teknologjik për të mbrojtur asetet dhe për të mbështetur forcat e saj në front.
Ky moment është një shembull i përpjekjeve të pandërprera për të ruajtur çdo element të mundshëm që mund të bëjë diferencën në konflikt.
Sulmet ruse me drona dhe raketa vazhdojnë, duke synuar infrastrukturë civile dhe ushtarake në qytete si Kyiv, Kharkiv, Zaporizhzhia dhe Kherson, edhe në dimër të rrezikshëm pa ngrohje.
Ndryshe, Rusia ka pranuar një armëpushimi disa-ditor të amerikanëve për të mos sulmuar infrastrukturën energjetike të Ukrainës. /Telegrafi/
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025 për Kuvendin e Kosovës.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi ka treguar se nga sa ulëse kanë fituar partitë politike në Kuvendin e Kosovës.
“LVV me 57 ulëse të fituara në Kuvendin e Kosovës, PDK 22 ulëse, LDK 15 ulëse, AAK 6 ulëse, Lista serbe 9 ulëse, KDTP ka dy ulëse...”, ka thënë Radoniqi.
Në diskutim u përfshi edhe Sami Kurteshi për çështjen e KTDP-së.
Ai tha se zgjedhja e dy kandidatëve për deputet nga KTDP-ja është e jashtëligjshme dhe nuk do ta votojë.
Ndërsa kryetari i KQZ, Radoniqi tha se këtë çështje e kanë biseduar dhe më herët dhe palët mund të bëjnë ankesë pas shpalljes së rezultateve.
“Sa i përket çështjes së KTDP e kemi diskutuar këtë çështje, po ligji thotë, por sipas meje dhe Kushtetueses kemi të bëjmë me dy ulëse, ku në Kuvend kërkohet plotësimi i kuotës gjinore. Këtë çështje e ka trajtuar Kushtetuesja në një vendim të kaluar. Propozoj që pas shpalljes këtë çështje ta ushtroni me ankesë...pjesa tjetër i mbetet KTDP në PZAP”, tha Radoniqi. /Telegrafi/
Tenori shqiptar me famë ndërkombëtare, Ramë Lahaj, ka shënuar së fundmi një tjetër sukses të rëndësishëm në karrierën e tij artistike, duke u ngjitur në skenë në Federatën Ruse.
Kjo paraqitje nuk u konsiderua vetëm si një performancë muzikore e nivelit të lartë, por edhe si një akt domethënës i promovimit të kulturës dhe identitetit shqiptar në arenën ndërkombëtare, shkruan albinfo.ch.
Pas performancës, Lahaj ka ndarë një deklaratë emocionale, ku ka theksuar se promovimi i vlerave kulturore shqiptare ka qenë gjithmonë pjesë thelbësore e misionit të tij profesional. Ai ka bërë të ditur se përmes muzikës dhe zërit të tij, kënga dhe fjala shqipe kanë udhëtuar në disa kontinente, duke qenë të pranishme në teatrot dhe orkestrat më prestigjioze të botës.
“Një pjesë e përmbushjes sime më të madhe profesionale ka qenë promovimi i kulturës dhe vlerave tona, e në veçanti i muzikës, këngës dhe fjalës shqipe. Këtë herë e solla edhe në Rusi. Vitet e fundit, këngën shqipe e kam bërë të udhëtojë në disa kontinente dhe ajo ka qenë pjesë e teatrove dhe orkestrave të rëndësishme në mbarë botën”, është shprehur tenori shqiptar.
Ai ka theksuar gjithashtu lidhjen e fortë dhe të pazëvendësueshme që ka me gjuhën shqipe, duke nënvizuar se do të vazhdojë ta përfaqësojë atë kudo që performon.
Me një mesazh të fuqishëm emocional, Lahaj ka deklaruar se shqip do t’i këndojë botës sa të jetë gjallë, duke e cilësuar gjuhën shqipe si gjuhën në të cilën i buzëqesh shpirti dhe zemra, pasi në atë gjuhë i ka kënduar nëna dhe kanë kënduar edhe të parët e tij në momente gëzimi dhe hidhërimi. /Telegrafi/
Mesfushori i Barcelonës, Marc Casado, ka zbuluar se si e kuptoi humbjen e Real Madridit ndaj Benficës në Ligën e Kampionëve, që i detyroi gjigantët e kryeqytetit të luajnë në ‘play-off’, pas fitores së katalanasve 4-1 ndaj Copenhagen.
“Po dilja nga stadiumi kur ndeshja përfundoi, i lumtur që kishim bërë detyrën tonë. Është e vërtetë se ndërsa po bënim ushtrimet e ftohjes, dëgjohej njerëz që po festonin për një gol”, shpjegoi Casado.
“Kur përfundoi ndeshja, pashë nga tribunat, pashë një mik që ishte aty, dhe ai më tha: ‘4-2’, dhe tani ata (Real Madridi) duhet të luajnë play-off”.
“Po, duhet të luajnë edhe disa ndeshje ekstra, dhe mirë, në fund të fundit, kështu është. duhet të luash play-off, dy ndeshje ekstra, dy javë të mbushura me takime, dhe gjithmonë është më mirë ta shmangësh këtë”, ka deklaruar mesfushori spanjoll.
Pas kualifikimit në mesin e tetë më të mirave, Barcelona ka avancuar në fazën e 1/8 së finales në mënyrë automatike.
Në ndërkohë, fati ka bërë që Real Madridi të ndeshet sërish me Benfican në ‘play-off’, me një sistem vajtje-ardhje.
Lajm i mirë për ‘Los Blancos’ është fakti që ndeshjen kthyese ata do ta zhvillojnë në shtëpi, ku tashmë dihet efekti që ka ditur të ketë shpeshherë ‘Santiago Bernabeu’ në rezultatet e tyre./Telegrafi/
Nga nesër, më 1 shkurt, zyrtarisht nis zbatimi i sistemit “Safe City” me ç'rast shkelësit e rregullave në trafik do të gjobiten.
Kamerat e trafikut të vendosura në pika kyçe në Shkup, Kumanovë, Tetovë dhe Korridoret 8 dhe 10, do të regjistrojnë automatikisht shkeljet, ndërsa gjobat do të dërgohen pa ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Policisë.
Gjobat varijojnë nga 10 euro deri në 500 euro, varësisht nga lloji i shkeljes.
Safe City do të evidentojë shkeljet më të rënda në trafik, si tejkalim i shpejtësisë së lejuar, kalim në semafor të kuq, drejtim i automjeteve të paregjistruara, si dhe parkim ose ndalim i gabuar.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë kontrollit të një veture me targa të Maqedonisë së Veriut kanë gjetur mbi 3 kilogramë heroinë dhe mbi 6 marihuanë.
Rasti ka ndodhur të premten, në ora 20:30.
“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë-Njësia Ferizaj, në koordinim dhe bashkëpunim me AKI-në dhe të ndihmuar nga njësi policore të trafikut-autostradës, më 30 janar 2026, rreth orës 20:30, në autostradë segmenti Doganaj-Kaçanik, kanë ndaluar për kontroll një veturë me targa të Maqedonisë së Veriut, nën dyshimin se me atë veturë po kryhej trafikim me lëndë narkotike”, thuhet në njoftim.
Në veturë janë hasur dy persona meshkuj, shtetas të Maqedonisë së Veriut. Gjatë kontrollit të veturës janë gjetur dhe sekuestruar në cilësi të provave materiale:
• 20 paketime me substancë, dyshohet të jetë narkotike e llojit marihuanë, me peshë 6.4 kg;
• 6 paketime me substancë, dyshohet të jetë narkotike e llojit heroinë, me peshë 3.2 kg;
• Dy telefona mobil dhe
• Një veturë
Vlerësohet se çmimi i tregut të kësaj sasie të lëndëve narkotike sillet rreth 80 mijë euro.
Të gjitha veprimet lidhur me rastin, janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Ferizaj, me aktvendim të prokurorit kujdestar, pas interevistimit dy të dyshuarit janë ndaluar deri në 48 orë. /Telegrafi/
Tregu evropian i transferimeve është tronditur nga lëvizja e fundit e Arsenalit për të bërë një hap vendimtar cilësor në repartin ofensiv.
Klubi londinez ka vënë në shënjestër Julian Alvarez, sulmuesin argjentinas të nivelit elitar që aktualisht aktivizohet me Atletico Madridin.
Për ta realizuar këtë operacion të rëndësishëm, “Topçinjtë” janë të gatshëm të sakrifikojnë pjesë me vlerë si Gabriel Martinelli dhe Gabriel Jesus, në kuadër të një shkëmbimi strategjik.
Kjo formulë synon të ulë ndjeshëm shpenzimin financiar direkt për argjentinasin, një lojtar që ka tërhequr gjithashtu interesin e gjigantëve të tjerë si Chelsea dhe PSG.
Gabriel Martinelli shfaqet si elementi kryesor i negociatave në këtë projekt ambicioz që Mikel Arteta po përpiqet të ndërtojë për afatin kalimtar të verës së ardhshme.
Anësori brazilian, i vlerësuar rreth 45 milionë euro, është një profil që Atlético Madridi e ka monitoruar edhe më parë për skemën e tij.
Edhe pse Arsenali nuk ka një domosdoshmëri urgjente për t’u ndarë nga talenti 24-vjeçar, mundësia për të siguruar shërbimet e Alvarezit e justifikon plotësisht këtë lëvizje taktike.
Nga ana tjetër, përfshirja e Gabriel Jesus në bisedime sjell një dozë përvoje që mund të joshë drejtuesit sportivë të klubit madrilen.
Arsenali synon të përfitojë nga fakti që të dy sulmuesit brazilianë kanë qenë pranë largimit gjatë 18 muajve të fundit, për të finalizuar marrëveshjen.
Klubi londinez po planifikon një ristrukturim të thellë të repartit ofensiv në vitin 2026, duke i dhënë përparësi efikasitetit para portës që garanton ylli i Atleticos.
Alvarez përfaqëson profilin modern të sulmuesit që mund të luajë në disa pozicione të vijës së sulmit, duke mahnitur analistët dhe stafin teknik të ekipit anglez./Telegrafi/
Innovation Centre Kosovo në bashkëpunim me Data4X kanë prezantuar Raportin Ekskluziv të Vrojtimit të Ekonomisë Digjitale - një pasqyrë të thuktë të tregut, duke kombinuar të dhëna strukturore, tregues të adoptimit teknologjik dhe analiza krahasuese rajonale.
Në njoftim thuhet se ekonomia digjitale ka arritur një qarkullim prej rreth 1.9 miliardë euro, me një rritje mesatare prej 16% në vit (2021–2025).
“Mbi 47,000 persona janë sot të punësuar në sektorë digjitalë dhe të ndërlidhur, ose rreth 11% e punësimit total, përfshirë rreth 7,500 zhvillues të softuerit.
Eksportet digjitale kanë arritur rreth 690 milionë euro, ose 36% e qarkullimit total, mbi mesataren rajonale – një tregues i qartë i konkurrueshmërisë ndërkombëtare”, thuhet tutje.
Në aspektin e Inteligjencës Artificiale, ICK tregoi se që sipas analizave të tyre ndonëse gati gjysma e kompanive tashmë kanë një prani operative të AI (automatim bazik, asistencë, analiza fillestare), përdorimi në aplikime më të avancuara ende mbetet i kufizuar – një hapësirë e qartë për fazën e ardhshme të transformimit.
Diskutimi u zgjerua edhe në e-commerce dhe pagesat elektronike, ku tregu ka arritur rreth 492 milionë euro, i nxitur nga rritja e përdorimit të kartelave dhe platformave digjitale.
Një ndër sfidat që u theksua është niveli i maturitetit të digjitalizimit tek bizneset, që ende qëndron në shkallën e zhvillimit.
Disa rekomandime që u theksuan:
✅Investimi në kapital njerëzor dhe edukim
✅Investimi në infrastrukturë dhe data centers
✅Përmirësimi i politikave për ndërmarrjet
EKONOMIA DIGJITALE E KOSOVËS NË 2025 - VROJTIM I PLOTË
Kosova po bëhet një fuqi digjitale në rajon! Ja shifrat:
💰 QARKULLIMI TOTAL: 1.9 miliardë euro
📈 Rritje mesatare: +16% në vit (2021-2025)
👥 FUQIA PUNËTORE: 47,042 të punësuar
•11,881 profesionistë të specializuar
•7,500 zhvillues softuerësh
•11% e punësimit total kombëtar
🌍 EKSPORTET: €690 milionë
•36% e qarkullimit total shkon jashtë
•Mbi mesataren rajonale prej 32%
🤖 ADOPTIMI I AI: 47% e kompanive
•Cloud: 59% në zbatim
•Analiza e të dhënave: 51%
•Kosova rangon e 6-ta në rajon
SPECIALISTË AI PËR 1,000 INXHINIERË:
Mali i Zi: 23
Serbia: 16
Maqedonia e Veriut: 16
Sllovenia: 13
Kroacia: 11
KOSOVA: 10
Shqipëria: 10
Bosnja: 9
SI PËRDORET CHATGPT NË KOSOVË?
Detyra shkollore: 12%
Migrim/Viza: 12%
CV & Intervista: 11%
Kodim: 10%
INDEKSET RAJONALE - KOSOVA LIDER:
•Indeksi i Mundësive (OPI): 100 🥇
•Gatishmëria Arsimore (ERI): 93 🥇
•Gatishmëria për Digjitalizim: 69%
Kosova është në udhëkryqin e transformimit digjital. Me talent të ri, kosto konkurruese (24% kosto pune), dhe adoptim të shpejtë të AI - e ardhmja është digjitale!
Kosova po pozicionohet si një hub i rëndësishëm teknologjik në Ballkanin Perëndimor.
KONKLUZIONE:
Kosova ofron një kombinim unik: talent të ri teknik, kosto operative konkurruese, dhe adoptim të shpejtë të teknologjive të reja. Me rritje të qëndrueshme 16% në vit dhe eksporte që përbëjnë 36% të qarkullimit, ekonomia digjitale e Kosovës është një histori suksesi që meriton vëmendje nga investitorët dhe partnerët strategjikë.
Ditëve në vijim do të zbërthejmë të dhënat e analizuara për sektorët e TIK, Administrative - Mbështetëse dhe Profesionale. /Telegrafi/
Shtatë persona janë identifikuar kur prej tyre tre janë arrestuar pasi dyshohet se që në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kontrabandonin veshje nga Kina dhe nga Turqia, i magazinonin në Tiranë dhe i shitnin duke shmangur detyrimet tatimore.
Sipas një njoftimi të Policisë së Shtetit bëhet e ditur se për të dyshuarit e tjerë janë duke vijuar hetimet.
“Finalizohet nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DPPSh, operacioni i koduar “Brand 3”. Identifikohen 7 shtetas, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kontrabandonin veshje nga Kina dhe nga Turqia, i magazinonin në Tiranë dhe i shitnin duke shmangur detyrimet tatimore. Vihen në pranga 3 nga këta shtetas, procedohen penalisht 4 të tjerët. Vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim bëhet e ditur se janë sekuestruar 17 valixhe me veshmbathje të markave të shtrenjta dhe 2 automjete.
“Si rezultat i hetimeve të shpejta të kryera nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DPPSh, bazuar në informacionet e siguruara për një rast të kontrabandës së mallrave dhe shitjes së tyre në informalitet, është organizuar dhe finalizuar operacioni i koduar ‘Brand 3’. Si rezultat, u identifikuan 7 shtetas, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kontrabandonin veshje nga Kina dhe Turqia, i magazinonin në Tiranë dhe më pas i shitnin duke shmangur detyrimet tatimore”, thuhet tutje në njoftim.
Po ashtiu siç bëhet e ditur në njoftim këta shtetas u kapën në flagrancë gjatë operacionit, duke transportuar me 2 automjete, 17 valixhe me veshmbathje të markave të shtrenjta, të dyshuara të kontrabanduara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
“Në përfundim të veprimeve: u arrestuan shtetasit: S. B., 69 vjeç, B. Ll., 72 vjeç dhe A. B., 57 vjeç; nisi procedimi penal për shtetasit: R. Ll., 45 vjeç, I. B., 39 vjeç, E. B., 23 vjeç dhe Z. M., 65 vjeç”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Shkelja e të drejtës së pronësisë industriale”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Mospagimi i taksave dhe i tatimeve” dhe “Fshehja e të ardhurave”. /Telegrafi/
Një grua gjeti një ditar të vjetër dhe mbeti e befasuar kur kuptoi se një shënim i shkruar mbi 40 vjet më parë kishte një përputhje të çuditshme me jetën e vajzës së saj. Ajo e gjeti ditarin ndërsa po pastronte para se të zhvendosej.
Susie Milwit (55) nga Virginia po pastronte dollapët dhe gjeti një kuti plot fotografi të vjetra, kartolina dhe ditarin e saj. Ajo ndaloi për t’u kthyer pas në kohë. Ditari ishte nga viti 1983 deri në mes të 1984, kur ajo ishte në klasën e shtatë, dhe shumica e shënimeve kishin të bënin me drama adoleshente dhe pëlqime.
Faqja e datës 28 shkurt 1984 tërhoqi menjëherë vëmendjen e saj. Ajo tha se e lexoi disa herë sepse nuk i besohej. Ajo e fotografoi dhe e dërgoi tek fëmijët në chatin e familjes, duke mos dashur t’i bëjë të lexonin dorëshkrimin.
Në këtë shënim ajo shkroi se dita kishte qenë argëtuese në shkollë dhe pastaj se “sot është ditëlindja e dikujt, por nuk mund ta kujtoj se kujt”. Më vonë, ajo u habit sepse 28 shkurt është data kur ajo lindi vajzën e saj, Molly, në vitin 2001 - diçka që në atë kohë nuk e dinte apo nuk e kujtonte kur e shkroi ditarin. Askush tjetër në familje nuk ka ditëlindjen atë ditë, gjë që për të është një rastësi e pabesueshme.
Ajo ndau këtë zbulim në një video TikTok me pyetjen “Sa janë shanset?”, dhe videoja u bë virale me më shumë se 4.4 milionë shikime dhe mbi 571 mijë pëlqime. Edhe vajza e saj Molly u befasua.
Reagimet ishin të shumta. Disa njerëz u entuziazmuan nga rastësia, por të tjerë dyshuan në autenticitetin e ditarit, duke pyetur pse ky shënim ishte shkruar me stilolaps kur faqet e tjera ishin me laps, ose duke thënë se dorëshkrimi nuk dukej i njëjtë.
Ajo tha se ishte gati për komente për dorëshkrim apo drejtshkrim, por nuk priste që njerëzit të vendosnin në dyshim autenticitetin e tij. Ajo shprehu dëshirën që të gjithë të kishin një “shenjë të vogël” në jetë si kjo e saj. /Telegrafi/
Google ka arritur të shkatërrojë një rrjet të madh global që “vidhte” internetin e miliona përdoruesve të Android.
Kjo rrjetë ishte krijuar nga kompania kineze Ipidea, e cila lejonte palë të treta të përdornin adresat IP të pajisjeve të tjera për trafikun e tyre në internet – shpesh për aktivitetet e dyshimta apo kriminale – pa dijeninë e pronarëve të pajisjeve.
Rrjeti funksiononte si një “Airbnb” për lidhjet e internetit: përdoruesit instalonin aplikacione e lojëra falas që përmbanin një kod të fshehur.
Ky kod e kthente telefonin ose kompjuterin e tyre në një “nyjë dalje”, duke e lejuar dikë tjetër të shfrytëzonte lidhjen e tyre të internetit. Si rezultat, u krijonte iluzioni se aktivitetet në internet po kryheshin nga përdoruesi origjinal.
Sipas raportimeve, hakerët përdorën këtë infrastrukturë për të krijuar edhe një ‘botnet’ të quajtur Kimwolf, i cili përfshinte rreth dy milion sisteme dhe u përdor për sulme të mëdha DDoS kundër faqeve interneti.
Pas mbylljes së shumë faqeve dhe serverëve të lidhur me Ipidea, afro nëntë milionë pajisje Android u “pastruan” nga ky rrjet, ndërsa Google hoqi qindra aplikacione të lidhura nga dyqani i tij dhe Play Protect tani bllokon automatikisht instalimet e softuerëve të ngjashëm.
Ipidea ka thënë se shërbimet e saj përdoren në mënyrë legjitime dhe kundërshton krimin, por pranon se ka përdorur metoda agresive reklamimi në forume hakerësh. Ekspertët e sigurisë këshillojnë kujdes ekstrem me softuerët “falas” që duken shumë të mirë për të qenë të vërtetë. /Telegrafi/
Mijëra njerëz dolën dje në rrugët e Shteteve të Bashkuara për të protestuar kundër pranisë së agjentëve federalë të imigracionit në Minnesota, pas të shtënave që u morën jetën dy personave.
Demonstratat u shtrinë në të gjithë vendin, ndërkohë që qytetarët organizuan greva dhe ndërprerje të mësimit në disa shkolla. Protestuesit marshuan nën sloganin “As punë. As shkollë. As blerje. Ndalo financimin e ICE”, duke kërkuar tërheqjen e operacioneve të njohura si “Metro Surge” nga administrata Trump.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka dërguar rreth 3000 policë federalë në zonën e Minneapolisit, më shumë se forcat lokale, për të monitoruar qytetin dhe për të mbështetur operacionet e Shërbimit të Doganave dhe Imigracionit (ICE).
Me gjithë temperaturat e ulëta, protestuesit mbushën qendrat e qyteteve dhe kërkonin ndërprerjen e praktikave që ata i quajnë agresive.
Protestat u përhapën shpejt edhe në qytete të tjera të mëdha si New York, Los Angeles, Chicago dhe Washington, ku disa shkolla u mbyllën për shkak të bojkoteve.
Në një zhvillim paralel, Trump mbështeti publikisht sekretaren e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, duke refuzuar thirrjet për dorëheqjen e saj, pavarësisht kritikave të protestuesve. /Telegrafi/
Banorja e Big Brother VIP Kosova 4, Elijona Binakaj, është rikthyer sërish në shtëpinë më të famshme në vend, menjëherë pas përfundimit të spektaklit “prime” të së premtes.
Rikthimi i saj ka ardhur pasi gjatë ditës ajo ishte shoqëruar në një spital privat, për shkak të një gjendjeje jo të mirë shëndetësore, çka bëri që të mungonte në emisionin live.
Mungesa e Elijonës në “prime” kishte ngritur pikëpyetje te publiku dhe banorët, të cilët u informuan se ajo ndodhej nën kujdes mjekësor. Pas trajtimit të nevojshëm dhe përmirësimit të gjendjes shëndetësore, Elijona është rikthyer shëndoshë e mirë në shtëpi, ku është pritur ngrohtësisht nga banorët e tjerë, me përqafime dhe fjalë mbështetjeje.
Momenti i rikthimit të saj u shoqërua me emocione pozitive, duke sjellë lehtësim si për banorët ashtu edhe për ndjekësit e formatit, të cilët kishin shprehur shqetësim për shëndetin e saj. Elijona iu bashkua sërish lojës, duke vazhduar rrugëtimin e saj në Big Brother VIP Kosova 4.
Nga ana tjetër, spektakli “prime” i së premtes u mbyll me eliminimin e banorit Labinot Haxhiu, i cili u largua nga gara pas vendimit të publikut. Largimi i tij shënoi një tjetër kthesë në dinamikën e shtëpisë, ndërsa rikthimi i Elijonës i dha sërish energji dhe gjallëri lojës. /Telegrafi/
Trafiku në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë me lagështi. Dukshmëri e reduktuar për shkak të mjegullës deri në 100 m është në rrugën Shën Nikollë, Saramzalino dhe Veles, njofton LAMM.
Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar. Në pikat kufitare, në anën e Maqedonisë së Veriut, nuk ka vonesa më të gjata për automjetet e pasagjerëve dhe autobusët që hyjnë dhe dalin nga vendi.
Nga 15.11.2025, filloi detyrimi ligjor për posedimin e detyrueshëm të pajisjeve dimërore në automjete, pavarësisht nga kushtet aktuale të motit. Ky detyrim do të zgjasë deri më 15.03.2026.
LAMM rekomandon shpejtësi të rregulluar, respektim të sinjaleve të vendosura të trafikut dhe menaxhim të kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë - Veles, Mavrovë - Dibër - Strugë, Vinicë - Berovë dhe Koçan - Dellçevë.
Liverpooli po shqyrton mundësinë e transferimit të njërit prej mbrojtësve të krahut më të mirë në Evropë, sipas raportimeve nga Italia.
Arne Slot ka konfirmuar se Jeremie Frimpong do të mungojë për “disa javë”, pasi pësoi një dëmtim që në minutat e para të fitores së Liverpoolit ndaj Qarabag në Ligën e Kampionëve gjatë mesjavës.
Dëmtimi i Frimpongut, i cili iu bashkua Liverpoolit nga Bayer Leverkusen gjatë verës, do të thotë se “Të Kuqtë” nuk kanë asnjë mbrojtës të djathtë natyral në dispozicion për ndeshjen e së shtunës kundër Neëcastle.
Conor Bradley është përjashtuar për pjesën e mbetur të sezonit, ndërsa një tjetër alternativë në krahun e djathtë të mbrojtjes, Joe Gomez, do të mungojë këtë fundjavë pasi u detyrua të largohej nga fusha në ndeshjen kundër Bournemouth javën e kaluar.
Ka qenë një periudhë sfiduese për Slotin për shkak të mungesës së alternativave në repartin defensiv, por sipas gazetarit Gianluca Di Marzio, Liverpooli mund të ndërmarrë një lëvizje të vonshme për mbrojtësin e Interit, Denzel Dumfries.
Di Marzio sugjeron se Liverpooli ka “bërë pyetje” për reprezentuesin holandez pas dëmtimit të Frimpongut.
“Shumëçka do të varet nga koha përfundimtare e rikuperimit dhe, sigurisht, nga vendimi final i zikaltërve. Për këtë arsye, siç është raportuar, Interi ka shqyrtuar edhe emrin e Norton-Cuffy”, shton raporti.
Sipas Fabrizio Romano, Interi ndodhet në bisedime të avancuara për të transferuar Brooke Norton-Cuffy, ish-produkt i akademisë së Arsenalit, aktualisht pjesë e Genoas.
Përveç këtyre raportimeve, gazetari Nicolo Schira ka sugjeruar gjithashtu se janë zhvilluar bisedime mes Liverpoolit dhe përfaqësuesve të Dumfries për të “eksploruar kushtet” e një marrëveshjeje të mundshme, me Interin që kërkon 25 milionë euro.
29-vjeçari ka pasur një rol dytësor te Interi këtë sezon, pas një periudhe jashtë fushës për shkak dëmtimi, por aftësitë e tij mbeten të padiskutueshme./Telegrafi/
Skuadrat e përfshira në këtë edicion të Ligës së Kampionëve mund ta “rrëmbejnë” praktikisht avantazhin e fushës, nëse arrijnë të mposhtin një kundërshtar të renditur më lart, i cili gëzon avantazhin e ndeshjes së kthimit në fazat e mëvonshme të kompeticionit.
Arsenal, Bayern Munich, Liverpool, Tottenham, Barcelona, Chelsea, Sporting Lisbona dhe Manchester City janë kualifikuar drejtpërdrejt në fazën e 1/8-ave të finales, pasi e përfunduan fazën e ligës mes tetë vendeve të para.
Ndërkohë, skuadrat që u renditën nga vendi i nëntë deri në vendin e 24-t në fazën e ligës janë kualifikuar për shortin e “play-off”-it të fazës me eliminim direkt të Ligës së Kampionëve, i cili u hodh të premten në mëngjes në Zvicër.
Për ata që nuk janë në dijeni, pozicionet në fazën e ligës në këtë edicion kanë marrë shumë më tepër rëndësi, pasi UEFA ka ndryshuar rregullat e avantazhit të fushës, duke përcaktuar se skuadra e renditur më lart në fazën e ligës do të luajë gjithmonë ndeshjen e dytë në shtëpi.
Saktësisht kështu: Skuadrat që u renditën në vendin e parë dhe të dytë në fazën e ligës do t’i zhvillojnë të gjitha raundet me eliminim direkt duke luajtur ndeshjen e kthimit në shtëpi, ndërsa ekipet që u renditën në vendin e tretë dhe të katërt do ta kenë avantazhin e fushës në 1/8-at e finales dhe në çerekfinale.
Megjithatë, ky avantazh i fushës mund të “vidhet” në mënyrë efektive.
Siç theksohet në një raport të gazetës AS, nëse një skuadër e renditur më poshtë eliminon një kundërshtar të renditur më lart, ajo do ta trashëgojë atë pozicion të favorizuar për raundet pasuese, që do të thotë se përparimi në turne mund ta tejkalojë hierarkinë e fazës së ligës.
“Për shembull, nëse skuadra që u rendit e 16-ta eliminon ekipin që përfundoi i dyti në 1/8-at e finales, skuadra e renditur e 16-ta merr vendin e dytë të renditjes për pjesën e mbetur të turneut dhe fiton të drejtën për t’i luajtur ndeshjet e kthimit në shtëpi”, thuhej në raport.
Siç përcaktohet edhe në seksionin 19.04 të Rregullores së Ligës së Kampionëve të UEFA-s, skuadrat mund të trashëgojnë një pozicion të renditjes për raundet pasuese nëse eliminojnë një kundërshtar të renditur më lart./Telegrafi/
Ndërsa presidenti rus, Vladimir Putin shpallte fitore dhe kontroll mbi Kupiansk, forcat ukrainase po zhvillonin një operacion sekret që demaskoi pretendimet e Kremlinit.
Njësi speciale ukrainase, duke përdorur dronë dhe grupe të vogla sulmuese, depërtuan pas vijave ruse dhe goditën pozicionet kyçe të armikut.
Operacioni u mbajt plotësisht i fshehtë, ndërsa Moska vazhdonte të raportonte “çlirimin” e qytetit.
Në realitet, forcat ruse pësuan humbje të mëdha dhe u detyruan të tërhiqeshin nga disa zona strategjike.
Kjo krijoi një kontrast të fortë mes propagandës zyrtare ruse dhe situatës reale në terren.
Aksioni ukrainas u vlerësua nga analistët si një sukses i rëndësishëm taktik dhe një goditje serioze për imazhin e Kremlinit. /Telegrafi/
Mbrëmjen e së premtes në fshatin Meliq të Hanit të Elezit një mur mbrojtës është shembur duke rënë mbi një veturë, në të cilën ishte drejtuesi i automjetit.
Në raportin 24 orësh bëhet e ditur se personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, ndërkaq në vendin e ngjarjes kanë dalë policia, zjarrfikësit dhe emergjenca.
“Është raportuar se një muri mbrojtës i rrugës së lartcekur është shembur dhe si pasojë ka zënë një automjet në të cilën gjendej viktima mashkull kosovar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë policia, zjarrfikësit, emergjenca të cilët kanë nxjerrë viktimën nga vetura dhe është dërguar në QKUK për tretman mjekësor”, thuhet në raport.
Tutje siç thuhet në raport është njoftuar prokurori si dhe AME dhe me rekomandim të tyre familjet afër vendit të ngjarjes janë evakuuar, ndërsa një patrullë policore mbeten në sigurim të vendit të ngjarjes deri në zhvillimet e radhës. /Telegrafi/
Bashkëshorti i Rita Orës, regjisori me famë botërore nga Zelanda e Re, Taika Waititi, ka rikthyer vëmendjen globale me një reklamë të veçantë dhe shumë të përfolur të Pepsi, e realizuar për shfaqjen madhështore të Super Bowl 2026.
Spot-i i ri, i titulluar “The Choice”, ka ndezur menjëherë debatet në rrjete sociale, duke u cilësuar nga shumëkush si një “goditje e mençur” ndaj rivalit të përhershëm, Coca-Cola.
Reklama nis me një ari polar, një figurë ikonike që publiku e lidh prej dekadash me Coca-Cola-n, i cili i nënshtrohet një testi të verbër shijimi mes dy pijeve freskuese. Rezultati del krejtësisht i papritur: pija që i pëlqen më shumë rezulton të jetë ajo e konkurrencës.
Ky moment shkakton një krizë identiteti te personazhi, duke e çuar atë drejt terapisë, ku përballë ka pikërisht vetë Taika Waititin, i cili shfaqet në rolin e psikologut. Më pas befas, ariu polar shfaqet me të dashurën e tij, arushën polare në një 'kiss cam' që rezulton të jetë në tribunat e Super Bowl. Me humor të zi dhe ironi të hollë, regjisori ndërthur rrëfimin vizual me një mesazh që sfidon besnikërinë e markave dhe zakonet e konsumatorëve.
Waititi, tashmë 50-vjeçar, është një nga emrat më të vlerësuar të kinemasë bashkëkohore, i njohur për filma si “Boy”, “Jojo Rabbit”, “Free Guy”, si dhe për sukseset e tij në universin Marvel me “Thor: Ragnarok” dhe “Thor: Love & Thunder”. Kjo nuk është hera e parë që ai vendos firmën e tij në reklamat e Super Bowl-it, pasi edhe vitin e kaluar kishte realizuar tri spote të ndryshme për këtë ngjarje sportive, duke e kthyer fushën e reklamave në një terren eksperimentimi artistik.
Siç ka deklaruar vetë ai për “Fast Company”, Waititi e sheh botën e reklamave si një lloj “palestre filmike”, ku ushtron kreativitetin e tij pa kufizimet e zakonshme të kinemasë tradicionale. Pikërisht kjo qasje reflektohet edhe në “The Choice”, e cila, pa zbuluar shumë nga përmbajtja, synon të argëtojë publikun dhe njëkohësisht të nxisë diskutim.
Reagimet në internet nuk kanë munguar. Disa përdorues e kanë vlerësuar reklamën për realizimin praktik dhe për faktin se nuk mbështetet te inteligjenca artificiale, ndërsa të tjerë kanë ironizuar me pyetje si: “A është tani një ari bipolar?”. E sigurt është se Taika Waititi, dhëndri i Kosovës, ka arritur sërish të jetë në qendër të vëmendjes globale, duke e kthyer një reklamë të thjeshtë në një moment kulture pop që po komentohet kudo. /Telegrafi/