11:00 Recension/ Laura Lima: The Drawing Drawing – nëse gjithçka është mbi rrota, pse kjo ekspozitë nuk shkon askund?
Lima u bë e njohur me përballje surrealiste që synojnë të të çlirojnë nga mendimi i zakonshëm i përditshëm. Por është paksa shumë të kërkosh nga një dorë që kap çelësa, një çadër që vallëzon dhe disa kuba akulli që shkrihen.
Eddy Frankel
Një nga gjërat më të këqija që arti bashkëkohor mund të të bëjë është të të detyrojë të mendosh seriozisht për gjëra budallaqe. Po, ndonjëherë një urinare është e bukur, një kasolle interesante dhe një dhomë bosh është një enë e mbushur me ide të panumërta. Por nganjëherë, nuk ka asnjë kuptim të thellë që ia vlen të kërkohet. Nganjëherë është thjesht paksa qesharake.
Konceptualistja braziliane Laura Lima do të preferonte ta quante absurde. Ekspozita e saj në ICA – prezantimi i parë personal në Mbretërinë e Bashkuar, pavarësisht dekadave ekspozimesh ndërkombëtare dhe pjesëmarrjesh në bienale – është e mbushur me përballje surrealiste, të gjitha të menduara për të të nxjerrë nga rutina mendore e përditshme, e plogët (“modalitetet tona të zakonshme të vëmendjes”) dhe për të gjetur kuptim në të papriturën.
Sa e papritur të duket një klasë vizatimi nga jeta në një galeri arti varet, natyrisht, nga pritshmëritë e tua. Mjaft e pritshme, do të thosha. Por kjo është ndryshe: jo vetëm që lejohet pjesëmarrja, por gjithçka është mbi rrota. Marrëzi. Mbajtëset e telajos dhe modelet janë vendosur mbi platforma druri lëvizëse, që enden vetvetiu nëpër dhomë, duke të detyruar të zgjasësh qafën dhe të rrotullosh kokën për të parë modelin.
Sipas fletëpalosjes, gjithçka ka të bëjë me rastësinë dhe kaosin, por sa rastësore dhe kaotike është në të vërtetë? Të gjitha referencat ndaj fatit, paparashikueshmërisë dhe “teorisë atomiste të Epikurit” zbehen nga fakti se platformat janë, në thelb, robotë gjigantë pastrimi me sensorë. Ato rrotullohen brenda një zone të paracaktuar, në mënyrë të paraprogramuar. Është kaotike dhe e paparashikueshme vetëm nëse nuk mendon për të.
Dhe nëse ideja është të të bëjë të shohësh gjërat nga këndvështrime të ndryshme, do të thosha se ta bësh këtë duke të ulur përpara një telajoje gjigante rrotulluese është paksa e rëndë dhe e drejtpërdrejtë.
Në dhomën tjetër ka një tufë çelësash në dysheme, me një krah njeriu që del nga poshtë murit duke u përpjekur t’i kapë. Në fillim funksionon disi: është absurde, qesharake. Por pastaj nis të kërkosh kuptimin që supozohet të fshihet në periferi dhe gjithçka shembet. A është ideja se kuptimi është gjithmonë pak jashtë mundësisë së kapjes, aty por përfundimisht i paarritshëm? Atëherë pse dora më në fund i arrin çelësat, i kap dhe pastaj i hedh sërish jashtë? E vetmja gjë që thotë është se kuptimi është i paarritshëm vetëm sepse ia ke bërë vetes tmerrësisht të vështirë.
Lart, një çadër e kuqe mbi rrota të motorizuara vallëzon nëpër galeri. Ngjitur, një frigorifer mban imazhe të ngrira në akull, të cilat supozohet t’i nxjerrësh dhe t’i shkrish për t’i parë. Nuk ia vlen shumë.
Lima këmbëngul që ti të gjesh rëndësi në të papriturën pa të shtyrë drejt ndonjë substance reale. Por kjo është një mënyrë e leverdishme për të prodhuar vepra pa kuptim, duke u thënë shikuesve se thjesht nuk po shohin mjaftueshëm thellë.
Po të thoshte: “Hej, kjo është thjesht absurde, surrealiste dhe poetike”, do të ishte në rregull. Por e gjithë ekspozita është kaq e ngarkuar me filozofi gjysmake dhe konceptualizëm të dobët, sa nuk të lejon ta shijosh për atë që është. Gjithçka supozohet të ketë të bëjë me procesin dhe zbulimin. Nuk kam problem me formën e asgjëje këtu; thjesht nuk mendoj se ka shumë kuptim, se thotë diçka – apo se duket aq mirë.
U ula aty duke parë njerëz mbi robotë gjigantë që vizatonin një burrë lakuriq me një çadër dhe u përpoqa të mendoja për Epikurin, atomet dhe rastësinë. Vështrova çadrën që rrotullohej, shkriva disa tabaka akulli. U përpoqa vërtet ta kuptoja, të gjeja kuptim dhe bukuri. Mendova mendime serioze, por gjeta vetëm art budalla.
Përgatiti për botim: L.Veizi









