Pas Haxhi Shalës, lirohen me kusht edhe Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu
Pas lirimit me kusht të Haxhi Shalës, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë vendosur lirimin me kusht edhe të Bashkim Smakajt dhe Fadil Fazliut.
Sipas njoftimit zyrtar, më 10 shkurt 2026, Smakaj dhe Fazliu u liruan me kusht dhe u kthyen në Kosovë, pas rishikimit të fundit të paraburgimit nga Gjykatësi i Vetëm në çështjen gjyqësore të Prokurorit të Specializuar kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve, e njohur si “Çështja gjyqësore 12”.
Në vendimet e marra më 3 shkurt 2026, gjykatësi konstatoi se rrethanat kishin ndryshuar që nga rishikimi i fundit i paraburgimit në dhjetor 2025 dhe se vazhdimi i mbajtjes së tyre në paraburgim nuk ishte më i arsyeshëm dhe proporcional.
Edhe pse u vlerësua se ende ekziston një rrezik i kufizuar për pengim të procesit gjyqësor, gjykatësi arriti në përfundimin se e drejta themelore për liri peshon më shumë se këto rreziqe.
Si faktorë shtesë, u mor parasysh se koha e kaluar në paraburgim nga Smakaj dhe Fazliu tejkalon dënimin minimal që do të mund të shqiptohej në rast të shpalljes së fajësisë.
Po ashtu, gjykata theksoi se faza e paraqitjes së provave në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së tashmë ka përfunduar, duke vlerësuar se çdo tentativë eventuale për pengim të procesit do të ishte e zbulueshme.
Gjykatësi konstatoi gjithashtu se nuk ekziston rrezik arratisjeje, veçanërisht duke pasur parasysh shumën e dorëzanisë financiare të ofruar nga të akuzuarit, e cila do të konfiskohej në rast shkeljeje të kushteve të lirimit.
Smakaj dhe Fazliu mbeten të akuzuar në gjykimin aktual dhe lirimi i tyre me kusht shoqërohet me një sërë masash dhe kufizimesh. Versionet e redaktuara publike të vendimeve janë publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Nga DHSK-ja u rikujtua se, në përputhje me standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë dhe Kushtetutën e Kosovës, paraburgimi para shpalljes së fajësisë lejohet vetëm kur ekzistojnë rreziqe konkrete dhe se këto rreziqe rishikohen çdo dy muaj nga gjykata.
The post Pas Haxhi Shalës, lirohen me kusht edhe Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu appeared first on Albeu.com.