Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 9 February 2026Main stream

“Foltore” një ditë para protestës kombëtare, Berisha: Rama ka vendosur t’i mbyllë Shqipërisë dyert e Europës

By: Fax Web
9 February 2026 at 18:54

Një ditë para protestës kombëtare të 10 Shkurtit, Partia Demokratike dhe aleatët e saj u ndalën sërish para kryeministrisë për të vijuar me “Foltoren” e rradhës.

Në fjalën e tij, kreu i PD-së Sali Berisha u shpreh se,

Berisha: Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, por edhe mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush, qytetare dhe qytetarë guximtarë, njerëz të sakrificës që për të mbrojtur të vërtetat që besoni, protestoni këtu çdo të hënë dhe jo vetëm për veten tuaj,për familjen tuaj, por jeni zëdhënës të mbarë shqiptarëve. Jeni zëdhënës të qytetarëve të lirë dhe në këtë aspekt jeni frymëzim për çdo shqiptar!

Të dashur miq, motivet e protestës sot janë të pafundme. Qeveria ka humbur çdo legjitimitet. Ajo është fryt i farsës elektorale, i shkelmimit mbi vullnetin tuaj, mbi votën tuaj. Ajo është fryt i krimit monstruoz të përmasave evropiane dhe botërore, karteleve më të zeza të drogës që helmojnë çdo ditë me mallin e tyre, me të cilin pasurohet, fëmijët e Europës dhe jo vetëm. Protesta është e ligjshme ndaj një qeverie që nga mëngjesi gjer në darkë vetëm vjedh qytetarët e saj. Një qeveri që nuk ka asnjë legjitimitet dhe duhet shporrur një ditë e më parë.

Protesta është e ligjshme, është jetike kundër një qeverie, e cila në 13 vite varfëroi çdo vit e më shumë shqiptarët.
Në 13 vite, ajo bëri që ata sot të jenë qytetarët më rrogëulët dhe me pensionet më të ulëta në rajon. Ajo bëri me vjedhjet që bëri, që gjysma e tyre të jenë në varfëri ose rrezik varfërie. Gjysma e tyre të mos ushqejnë dot si duhet fëmijët e tyre. Protesta është e ligjshme e cila në një farë mënyrë po shkreton këtë komb sa asgjë tjetër në historinë e tij nga vitet 1300 gjer sot. Po i largon shqiptarët nga Shqipëria.

Por sonte ne jemi këtu për të bërë thirrje për protestë çdo shqiptari, edhe për zhvillimin dramatik që Edi Rama në mbrojtje të vjedhjeve të tij, ka vendosur t’i presë Shqipërisë rrugën e Europës. Ka vendosur t’i mbyllë Shqipërisë dyert e Europës.

Miq, dy ditë më parë ai u ftua të shkonte në Bruksel për t’i komunikuar këto që ne kërkojmë sot, shtetin ligjor, heqjen e imuniteteve, gjykimin e korrupsionit.

VIDEO/ 1.5 ton kokainë e fshehur në pllaka mermeri, 3 të arrestuar në Spanjë

By: Fax Web
9 February 2026 at 18:34

Policia spanjolle, në bashkëpunim me autoritetet braziliane, ka shkatërruar një organizatë kriminale të përfshirë në kontrabandën e sasive të mëdha të kokainës, e cila fshihej brenda pllakave dhe produkteve të mermerit të importuara nga Brazili në Spanjë.

Operacioni i përbashkët mes Policisë Kombëtare të Spanjës, degës së mbikëqyrjes doganore të agjencisë tatimore (SVA) dhe Policisë Federale të Brazilit çoi në arrestimin e tre personave dhe sekuestrimin e rreth 1.500 kilogramëve kokainë, raportojnë mediat spanjolle. 

Hetimet nisën në nëntor, pasi autoritetet zbuluan veprimtari të dyshimtë që lidhej me importimin e tavolinave, banakëve dhe lavamanëve prej mermeri nga Brazili.

Pas analizave të detajuara, u konstatua se narkotikët ishin fshehur brenda materialit të mermerit, ndërsa trafikantët kishin përdorur aromatizues ajri dhe parfume për të maskuar erën e drogës gjatë transportit.

Sipas policisë, grupi kriminal testonte paraprakisht rrugët detare të transportit për të verifikuar nëse ato ishin nën mbikëqyrje policore. Më pas, ngarkesat transportoheshin me avion drejt Aeroportit Adolfo Suárez Madrid-Barajas dhe shpërndaheshin me rrugë tokësore në depo të ndryshme industriale në Spanjë.

Ngarkesa u dërgua më pas në një depo industriale në Vilanova i la Geltrú, pranë Barcelonës, ku njësitë speciale spanjolle GEO dhe GOES ndërhynë dhe kryen një bastisje. Gjatë operacionit u sekuestruan 250 kilogramë kokainë të shpërndarë në mbi 200 pako, si dhe një furgon, një kamion, disa telefona celularë dhe para në dorë.

Dy persona u arrestuan në vendngjarje, ndërsa policia bën të ditur se ata tentuan të shkatërronin telefonat e tyre kur u përballën me forcat e rendit. Një anëtar i tretë i grupit u identifikua dhe u arrestua më vonë në kuadër të hetimit.

Të dyshuarit janë paraqitur para gjykatës nën akuzat për trafik droge dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale.

“Ashpërsi e njëanshme”/ Prokuroria kërkon 180 vjet burg për ish-krerët e UÇK, Spiropali: Po e ndjekim me shqetësim të thellë

By: Fax Web
9 February 2026 at 18:04

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar mbi zhvillimet e fundit në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku Prokuroria kërkoi burg ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Në deklaratën e saj, Spiropali thekson se kohëzgjatja e paraburgimit, e cila ka kaluar pesë vjet pa një vendim përfundimtar, si dhe natyra e akuzave të ngritura, ngrenë pikëpyetje serioze mbi proporcionalitetin e masave, respektimin e standardeve të procesit të rregullt ligjor dhe të drejtave themelore të njeriut.

Sipas saj, kjo situatë po ushqen gjithnjë e më shumë perceptimin e një trajtimi të njëanshëm të çështjes, veçanërisht kur krahasohet me mungesën e përgjegjësisë penale për shumë nga krimet e kryera nga forcat serbe ndaj popullsisë civile të Kosovës, të cilat mbeten ende të patrajtuara.

Duke iu referuar rolit historik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Spiropali thekson se ajo ishte një lëvizje çlirimtare e mbështetur gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare, në përballje me një regjim që ushtroi dhunë sistematike, spastrim etnik dhe krime të dokumentuara ndaj popullsisë civile.

Reagim i Spiropalit:

“Po ndjekim me shqetësim të thellë zhvillimet e sotme në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku Prokuroria paraqiti propozimin e dënimeve ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Kohëzgjatja e paraburgimit, që tashmë ka kaluar pesë vjet pa një vendim përfundimtar, dhe natyra e akuzave të ngritura ngrenë pikëpyetje serioze mbi proporcionalitetin, standardet e procesit të rregullt ligjor dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut. Kjo situatë ushqen gjithnjë e më shumë perceptimin e një ashpërsie të njëanshme në trajtimin e kësaj çështjeje, sidomos kur krahasohet me mënyrën se si janë trajtuar përgjegjësit e aparatit shtypës të regjimit serb.

Edhe sot, shumë nga krimet e kryera nga forcat serbe ndaj popullsisë civile të Kosovës mbeten të patrajtuara dhe pa përgjegjësi të plotë penale. Kjo pabarazi në ndjekjen e drejtësisë rrezikon të krijojë ndjesinë e standardeve të dyfishta dhe të cenojë besimin e publikut në drejtësinë ndërkombëtare.

Ne besojmë se drejtësia ndërkombëtare duhet të jetë e paanshme, e balancuar dhe e mbështetur në prova të pakontestueshme, pa krijuar perceptimin e trajtimeve selektive ndaj palëve të përfshira në konflikt. Drejtësia që perceptohet si e njëanshme rrezikon të dëmtojë besimin publik dhe të lërë plagë të reja në një rajon që ka nevojë për pajtim të qëndrueshëm.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një lëvizje çlirimtare që gëzoi mbështetjen e gjerë të bashkësisë ndërkombëtare në përballje me një regjim që ushtroi dhunë sistematike, spastrim etnik dhe krime të dokumentuara gjerësisht ndaj popullsisë civile. Çdo proces gjyqësor që trajton individë të asaj lufte duhet të ruajë me kujdes dallimin thelbësor midis përgjegjësisë individuale penale dhe karakterit historik të luftës për liri.

Gjykata ka sot një përgjegjësi të veçantë për të garantuar që procesi të mos lejojë që gjuha dhe qasja e Prokurorisë të prekin padrejtësisht luftën çlirimtare, historinë e pavarësisë dhe dinjitetin e atyre që luftuan për liri. Vetëm një vendim i drejtë, i bazuar në prova dhe në standardet më të larta të drejtësisë, mund të largojë hijen e rëndë që këto qëndrime kanë hedhur mbi kujtesën historike të një lufte të drejtë.

Shqipëria riafirmon se drejtësia duhet të shërbejë për të vërtetën dhe pajtimin, jo për të krijuar narrativa që rishkruajnë historinë ose relativizojnë përgjegjësitë e njohura ndërkombëtarisht për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Ne theksojmë rëndësinë që procedurat të përmbyllen brenda një afati të arsyeshëm dhe me respekt të plotë për standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë. E ardhmja e Kosovës dhe stabiliteti i rajonit ndërtohen mbi drejtësi të besueshme, që forcon paqen dhe jo perceptime padrejtësie.

Republika e Shqipërisë do të vijojë ta ndjekë me vëmendje këtë proces dhe mbetet e përkushtuar ndaj vlerave të shtetit të së drejtës, drejtësisë ndërkombëtare dhe dinjitetit të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës”.

Sot nis faza përmbyllëse e gjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, do të flasin para togave të zeza, sa i takon akuzave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë periudhës 1998-1999.

Prokuroria pretendon se ata kryen ndalime arbitrare, tortura, vrasje dhe përndjekje, përfshirë edhe ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Akt-akuza u konfirmua në tetor 2020, gjykimi filloi në prill 2023 dhe deri tani janë paraqitur qindra dëshmi.

Me përfundimin e deklaratave nga të gjitha palët, trupi gjykues do të tërhiqet për vendimin përfundimtar.

VIDEO/ Shkelma dhe grushta, mësuesi sherr me nxënësin

By: Fax Web
9 February 2026 at 18:01

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në shkollën fillore “Pavarësia” në Prishtinë, ku mësuesi ka ushtruar dhunë fizike ndaj nxënësit.

Siç duket në pamjet e bëra virale, mësuesi gjuan me shuplakë disa herë nxënësit, e më pas ai ia kthen me shkelm, ku dhe nis një përleshje mes tyre.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, ka konfirmuar se ndaj mësuesit është lëshuar urdhër për ndalimin 48 orë.

Republika e Prokurorëve presion Kushtetueses: Po vendosët pro Ballukut, do dilni me pranga në duar! Gent Ibrahimi i shantazhueshëm, “qoftë për lekët, qoftë për brekët”

By: Fax Web
9 February 2026 at 17:51

Nga Anri Bala

Për të kuptuar qartë se çfarë ka ndodhur me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, na duhet të kthehemi pak në kohë, për disa ngjarje thelbësore që kanë ndodhur, në atë që duhet të ishte institucioni më i lartë i garantimit të ndarjes dhe balancës së pushteteve dhe presioni i drejtpërdrejtë që i ndodhi anëtarëve të institucionit nga media, disa orë para se gjykata të jepte vendimin për pezullimin apo jo të zv. Kryeministres Belinda Balluku.

Disa muaj më parë, një skandal me komunikime të papërshtatshme dhe intime, të një anëtari të Gjykatës Kushtetuese me një vartësen e tij u publikuan në media. Mendohet se pjesë e këtij skandali ka qenë gjyqtari Gent Ibrahimi dhe një vartësja e tij, bashkëshortja e një zyrtari të lartë të Partisë Demokratike. Ne si media nuk e botuam skandalin, sepse në lojë nuk ishin orekset e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese me vartëset e tyre, por se qëllimi ishte më i madh se një aferë jashtëmartesore.

Në fakt korrespondenca mes gjyqtarit dhe vartëses, u publikua në kohën kur në shqyrtim ishte “Legjitimiteti i përgjimeve Sky Ecc dhe Enchrochat”, ku Gjykata do të dilte me një vendim për t’i shpallur të vlefshme apo të pavlefshme ato. Pra këtu nisën presionet e para të një anëtari të Gjykatës Kushtetuese, përmes frekuencës së mbajtjes së mbathjeve poshtë apo lartë shalëve të tyre.

Nga ky presion u vu në lëvizje Prokuroria e Posaçme, e cila përmes një urdhri të paligjshëm të kreut të sotëm të SPAK Klodian Braho, në atë kohë prokuror, vendosi të përgjonte pa një vendim gjykate, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Sipas pretendimeve të Klodian Brahos, ndaj gjyqtarëve, dyshohet se është ushtruar ndikim, në këmbim të përfitimeve të paligjëshme. E thënë troç, Prokuroria e Posaçme dyshonte se gjyqtarë të Kushtetueses po korruptoheshin kundrejt parave për të dhënë një arsyetim, pra jo vendim, sepse vendimi ishte dhënë për legjitimitetin, por arsyetim për përdorimin e përgjimeve, që mund të ndikonte në proceset penale.

Ky përgjim ishte një tjetër skandal, sepse anëtarët e Kushtetueses gëzojnë garanci të shtuara pavarësie dhe nuk mund të përgjohen pa një vendim gjykate ,pasi është vepër penale. Por kjo pak rëndësi kishte për SPAK! Qëllimi ishte që përmes këtij përgjimi, të kishte presion të shtuar tek anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, për të vendosur “Pro SPAK” për legjitimitetin e përdorimit të bisedave Sky Ecc dhe Enchrochat në hetimet penale.

Me të drejtë do pyesni ju, çfarë lidhje kanë shalët e Gentit, përgjimi i SPAK me vendimin për pezullimin e Belinda Ballukut?!

Gjatë mbledhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, për vendimin e pezullimit të Ballukut, dolën në media disa “kanakarë” të Prokurorisë së Posaçme, si gazetarja Anduena Llabani, e cila nga studio e “News 24”, bëri presion të hapur ndaj gjyqtarëve duke thënë publikisht:

Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, janë në monitorim të plotë nga ndërkombëtarët dhe nga SPAK, pikërisht në lidhje me disa veprime abuzive qe kanë treguar në raport me elementë të politikës shqiptare, çfarë do të thotë që mund të jenë të kompromentuar në votën e zonjës Balluku.”, duke nënkuptuar se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese janë nën përgjim nga SPAK, sepse në thelb janë anëtarë që korruptohen lehtë, janë të ndikueshëm nga politika dhe pavarësia nuk ekziston në këtë institucion, por për hir të presionit të ndërkombëtarëve dhe SPAK, “detyrohen” të mos bëjnë gabime në vendimarrje.

Vazhdon më tej: “Ka informacione të tjera se disa anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, që kanë dhe shumicën e votave, janë kontaktuar drejtpërsëdrejti nga zonja Balluku, vetëm e vetëm që të kenë kuorumin e votave!”, pra sipas gazetares po tentohet deformimi i vullnetit të anëtarëve të Kushtetueses nga Balluku, që s’është e vërtetë, pasi SPAK do fërkonte duart po ta kishte një provë të tillë kundër zv Kryeministres, e cila po tenton të deformoj një vendim të Gjykatës Kushtetuese, duke korruptuar anëtarë të gjykatës, që është vepër e rëndë penale.

Sipas gazetares: “Ka informacione të tjera që Gjykata Kushtetuese, ka dhe anëtarë të pablerë, ose të pabindur, të cilët kanë kundërshtuar dhe janë te prirur të japin vendimin që arsyetojnë në përputhje të Kushtetutës dhe sipas saj kanë kundërshtuar zonjën Balluku, madje këto janë me emra konkretë”?!

Këtu gazetarja flet për emra konkret të personave të cilët kanë pasur debat me Ballukun që të votojnë pro saj, ku përmend gjyqtarin Gent Ibrahimi, pasi në retorikë më mbrapa përmend edhe përgjimin e paligjshëm të SPAK të bërë ndaj tij, për arsyetimin e vendimit të legjitimitetit të përgjimeve Sky Ecc dhe Enchrochat.

Këtu kap kulmin sulmi: “Nëse këto 3 elementë vërtetohen, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, mund të shohim edhe goditjen e Gjykatës Kushtetuese nga SPAK. Ndaj mos u habisni që edhe njëri prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të dali dhe me pranga nga ai institucion!”.

Kjo deklaratë publike është një presioni i hapur para vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ndaj një anëtari të saj, siç është Gent Ibrahimi, për të ndikuar në vendimin kundër Ballukut dhe në favor të SPAK.

Presioni funksionoi, pasi njësoj si gazetarja dhe SPAK kishte dijeni ndoshta nga “monitorim-përgjimi”, se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese ishin 5 me 3 në favor të Belinda Ballukut dhe kundër pezullimit. Por shantazhi i hapur që i’u bë Gent Ibrahimit, se mund të dalësh me pranga në duar nga aty, është sa i turpshëm dhe i rrezikshëm.

Ta marrim për një moment të vërtetë pretendimet e gazetares së SPAK, se Gent Ibrahimi u kontaktua nga Belinda Balluku të jepte një vendim pro saj. Nëse Prokuroria e Posaçme e kishte këtë informacion për ushtrim të ndikimit të paligjshëm nga Balluku, që është vepër penale, shpërdorimit të detyrës nga Ibrahimi, që është vepër penale, pse nuk ngre akuza për këta të dy?

Për një organ hetimi, është më i rëndësishëm për të provuar fajësinë e veprës penale të kryer nga dy zyrtarët më të lartë të ekzekutivit dhe gjyqësorit, apo për të marrë një vendim pro oreksit të tyre që është pezullimi nga detyra i një zyrtari, që nuk ndikon fare tek procedimi penal i SPAK ndaj Ballukut?

Pse prokurorë të SPAK e lanë në mes konsumimin e një vepre penale, thjesht për të marrë një votë PRO tyre në Kushtetuese?

Pra, a është shpërdorim detyre të Prokurorëve të Posaçëm, duke përjashtuar për një moment që kanë përgjuar një anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, sërisht pa vendim gjykate, por këtë po ja “falim” se e kanë bërë në emër të “drejtësisë”, por a po bëjnë padrejtësi kur e kanë të provuar veprën penale dhe nuk kanë hapur çështje për Ballukun dhe Ibrahimin?

A duhet të shqetësohemi ne se media po i bën presion të hapur, organit më të lartë të Gjyqësorit, për llogari të SPAK? Sepse ajo që bëri gazetarja nuk ishte raportim i ngjarjeve, pas vendimit, apo një analizë mbi ç’ka ndodhur, por para tij… duke influencuar drejtpërdrejt përmes presionit vendimin e një gjyqtari të Kushtetueses dhe duke e intimiduar me këshillën… të bënte kujdes pasi ata kishin provat kundër tij dhe se mund të arrestohej menjëherë nga SPAK, nëse do vendoste në favor të Ballukut.

A do kishte guxim një gazetarë të sulmonte dhe bënte presion të hapur ndaj një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese, po të mos kishte mbështetjen e SPAK?

Ku mund të ankohet një gjyqtarë i Kushtetueses, se një gazetare e mbështetur nga SPAK po i bënë presion drejtësisë, që të jap një vendim pro organit të akuzës?

A duhet të shqetësohemi ne, se në një kohë kur Gjykata Kushtetuese ka vakancë dhe nuk e plotëson dot kuorumin me 9 anëtarë, një gjyqtarë si Gent Ibrahimi është i shantazhueshëm “qoftë për lekët apo qoftë për brekët” duke u bërë faktor për një krizë institucionale?

Në një kohë kur Prokuroria vendos për fatin e dosjeve të saj, përmes influencës së drejtpërdrejt të prokurorëve tek gjytarët e posaçëm dhe përmes shantazhit duke përdorur përgjime të paligjshme, pra pa vendim gjykate për askënd, a mund ta klasifikojmë SPAK si organ inkuizicioni dhe jo drejtësie, ashtu sikurse shumë media, analistë dhe politolog e kanë quajtur deri tani… “Republikë Prokurorësh”

Prandaj është domosdoshmëri që Rama ta kërkoj drejtësinë në Strasburg, për vendimin pa vendim të pezullimit të Ballukut, sepse atje nuk ka gazetarë që mund t’i bëjnë presion gjyqësorit para një vendimi dhe as prokuror që përgjojnë në mënyrë të paligjshme gjyqtarët, për t’i shantazhuar vetëm pse ata do guxonin “të dilnin nga rrjeshti” i ëndrrave të tyre, duke mos i lejuar as ta mendojnë se jetojmë në një “Republikë Prokurorësh” dhe se fjalën e fundit të fajësisë e ka vetëm gjykata. /Ekskluzive.al

LEXO EDHE“SPAK duhet të jetë i mbikqyrur”, Avokati për rastin “Ballukun”: Ja pse prokurori Prençi luajti politikë

Barometri i Ballkanit: 1 në 3 shqiptarë jeton me ankthin e pasigurisë financiare

By: Fax Web
9 February 2026 at 17:47

Një në tre shqiptarë e konsideron ekonominë e vendit si një mjedis të pasigurt.

Ky është shqetësimi që ngrihet nga raporti i fundit i “Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal”, i cili nxjerr në pah një hendek të thellë mes shifrave zyrtare të rritjes dhe asaj që ndjejnë qytetarët në xhepat e tyre.

Sipas anketimit të fundit të Barometrit të Ballkanit, 33.5% e shqiptarëve deklarojnë se nuk ndjejnë siguri në ekonominë e vendit të tyre.

Ky grup qytetarësh e sheh të ardhmen me dyshim, i ndikuar nga rritja e kostove të jetesës, paqëndrueshmëria e tregut si dhe korrupsioni. Por shoqëria shqiptare duket e ndarë më dysh.

Ndërsa një e treta është e pasigurt, 16.3% janë neutralë, dhe rreth 50% e popullsisë shprehen se ndihen të sigurt, duke krijuar një kontrast të fortë social që tregon për një ndarje të madhe të fuqisë blerëse në vend.

Për ekspertët, fakti se një e treta e popullsisë nuk beson te ekonomia e vendit mbetet edhe burimi kryesor i emigrimit, duke bërë që rrugët e Europës të mbeten alternativa e vetme për sigurinë që nuk e gjejnë në shtëpi.

Por Shqipëria nuk është vetëm në këtë pesimizëm për sigurinë ekonomike në Ballkanin Perëndimor. Bosnje-Hercegovina kryeson listën me 33.9%, e ndjekur nga Serbia me 33.7%.

Këto tre shtete formojnë atë që ekspertët e quajnë “trekëndëshi i ankthit ekonomik” në Ballkan.

Ndryshe paraqitet situata në Kosovë. Megjithëse me një ekonomi më të vogël në volum, qytetarët e saj janë më optimistët e rajonit. Vetëm 16.8% e kosovarëve thonë se ndihen të pasigurt ekonomikisht, një shifër kjo që është sa gjysma e asaj të Shqipërisë.

Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut pozicionohen në mes, me një nivel pasigurie që luhatet nga 23 deri në 24%.

Ish-ministri: “Wizzair”, një kompani grabitqare që zhvat qytetarët me kosto të fshehta

By: Fax Web
9 February 2026 at 17:43

Ish ministri i Financave, Arben Malaj, ka hedhur akuza të forta ndaj kompanisë ajrore Wizzair për abuzim dhe mungesë transparence me çmimet e biletave.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Malaj rendit disa nga tarifat që, sipas tij, po përdoren si mekanizma ndëshkues ndaj udhëtarëve dhe po rrisin ndjeshëm koston reale të udhëtimit.

Sipas tij, kostot e fshehta që aplikon Wizzair, e rrisin çmimin real të biletave në mënyrë të konsiderueshëm nga ai që u thuhet qytetarëve.

Malaj nënvizon se shërbimet online, në rastet kur kompania ka sportele fizike në aeroport, duhet të jenë një opsion alternativ dhe jo një mjet penalizimi financiar për udhëtarët.

Veç kostove të check-in, Wizz Air aplikon tarifë deri në 80 euro për një valixhe shtesë deri në 20 kilogram, që sipas Malajt është disproporcionale dhe në shumë raste më e lartë se vetë çmimi i biletës.

Sipas ish-ministrit, këto kosto shtesë e rrisin çmimin real të biletës me 35 deri në 60 për qind, duke mashtruar konsumatorin në momentin e blerjes dhe duke krijuar një perceptim të rremë për çmimin final të udhëtimit.

Për shkak të këtyre praktikave abuzive, Malaj ka denoncuar dhe pasivitetin e autoriteteve shtetërore që duhet të mbrojnë konsumatorët nga praktikat e pandershme dhe grabitqare të kompanive.

“SPAK duhet të jetë i mbikqyrur”, Avokati për rastin “Ballukun”: Ja pse prokurori Prençi luajti politikë

By: Fax Web
9 February 2026 at 17:32

Këtë të hënë, 9 shkurt, u mblodh në Kryesinë e Kuvendit grupi parlamentar i Partisë Socialiste ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama dhe Belinda Balluku, kjo e fundit e pezulluar nga detyra si ministre dhe zv.kryeministre.

Sa i takon çështjes “Balluku”, kryeministri thekseoi se, grupi i PS-së do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion, referuar këtu faktit që nuk u plotësua kuorumi i nevojshëm për marrjen e një vendimi nga gjyqtarët e Kushtetueses.

Për të komentuar këto zhvillime, i ftuar në Fax News ishte avokati i njohur Gylsen Zhllima.

Sipas tij, sistemi i drejtësisë ka nevojë për ndërhyrje kushtetuese dhe se, SPAK duhet të jetë i mbikqyrur procedurialisht dhe institucionalisht.

Zhllima: Për mendimin tim duhen bërë ndërhyrje kushtetuese. Unë bëj apel, nga ana profesionale flas, që politikanët të futen në parlament, të rishikojnë kushtetutën por me një kusht: qytetarët shqiptarët të vendosin dhe të votojnë në një referendum por mendimi im është që SPAK nuk duhet të jetë i pambikqyrur procedurialisht dhe institucionalisht. Është i vetmi institucion në Republikën e Shqipërisë që nuk e kontrollon askush. Unë dua një institucion që nesër të futet një tjetër institucion i pavarur të bëjë kontroll. Dhe sot, ju e dini, që prokurori me prokurorin e SPAK arrestojnë njëri tjetrin. Duhet të bëjmë tani shpikje, shqiptare, jo e huaj…

Mua nuk më intereson tani as Rama, as Meta, as Berisha. Mua më intereson që qytearët shqiptarë të mos bëhen statistika. E dini sa njerëz janë fut kot në burgje për korrupsion? Se kanë shkëmbyer një mesazh. Statistika për këta zyrarët e lartë është shumë e vogël por qytetarët shqiptarë mos futen për gjëra koti në burg. SPAK duhet të monitorohet.

Të rikthehet pse jo, edhe Prokurori i Përgjithshëm që të marrë tagër, që nesër prokurorët e tjetër të arrestojnë prokurorët e SPAK-ut. Pse ndodh kjo që, vetëm prokurorët e SPAK mund të arrestojnë njëri-tjetrin dhe asnjë nuk mund ti arrestojë ata? Pra ai prokuror aty të abuzojë me ligjin. Kush do e ndalojë atë? Kur ka pakt me kolegun dhe bashkëpunojnë në dosje të ndryshme dhe ja dinë sekretin njëri tjetrit.

Politika shqiptare dhe komisioni “Xhafa” të zgjohen nga gjumi dhe të veprojnë nga ana proceduriale, ligjore. Në rast se një personi i jep pushtet të pakontrollueshëm ai abuzon me pushtetin. Nuk mund ti japësh ti kryetarit të një inst apo një prokurori kontroll aboslut. I vetmi sot në vendin tonë është SPAK. Këta mund të arrestojnë GJKKO, Apelin, Gjykatën e Lartë e gjithë këta të tjerët dhe këta të tjerë jo. Këta qënkan shenjtorë.

Gazetarja: SPAK nuk arrestoi dot zv.kryeministren…

Zhllima: Prokurori luajti politikë. Pra, Prençi luajti politikë. Në vend që të shkonte ta kërkonte që në fillim detyrim paraqitje e mori të pandehur. Shkoi në fund fare dhe bëri pezullimin. Më fal o zotëri, nuk të kemi vënë aty të bësh politikë. Ti aty je për të kërkuar ndjekjen penale. Dhe ka inst dhe gjykata që e autorizojnë apo jo. Ti nuk mund të pezullosh zv.kryeministren dhe ministren…

INTERVISTA E PLOTË:

Tragjedia e familjes Kola, mblidhen 75 mijë euro për kthimin e 4 trupave në Shqipëri/ Do të prehen në Shqipëri

By: Fax Web
9 February 2026 at 17:30

Tragjedia që i mori jetën një familjeje shqiptare javën e kaluar në Itali ka prekur opinionin publik. Brenda vetëm dy ditësh, mbi 75 mijë euro janë mbledhur në platformën “GoFundMe” për familjen Kola, që ndërruan jetë në mënyrë tragjike në Porcari, në provincën e Luccas, si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit – i çliruar nga një kaldajë gazi e instaluar së fundmi në banesën ku jetonin.

Fushata e ndihmës është iniciuar nga Durim Kola, vëllai i Arti Kolës, 48 vjeç, një prej viktimave të ngjarjes së rëndë. Fondet e mbledhura do të përdoren për mbulimin e shpenzimeve të funeralit dhe për transportimin e trupave drejt Shqipërisë, ku do të zhvillohen ceremonitë mortore. Shuma e mbetur do t’u vijë në ndihmë familjarëve të viktimave në këtë moment të vështirë.

Dhjetëra qytetarë kanë shprehur solidaritetin e tyre përmes donacioneve që variojnë nga 50 deri në 500 euro, duke dëshmuar mbështetje të gjerë për familjen e goditur nga kjo humbje e pazakontë.

Hetimet

Prokuroria e Luccas ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes. Kaldaja dyshohet se ishte e re dhe se ishte instaluar nga vetë pronari i banesës.

Ndërkohë, priten rezultatet e analizave toksikologjike për katër viktimat, të cilat pritet të jenë vendimtare për vijimin e hetimeve. Pas përfundimit të procedurave ligjore, trupat do të kthehen në Shqipëri për t’u përcjellë në banesën e fundit.

Rikthehet Kupa e Shqipërisë, sfidat çerekfinale premtojnë spektakël

By: Fax Web
9 February 2026 at 17:24

E marta dhe e mërkura rikthen Kupën e Shqipërisë, ku do të luhen ndeshjet e para çerekfinale.

Të martën, në stadiumin “Adush Muçaj”, Bylisi do të presë Vllazninë në duelin e parë, ku ballshiotët do të tentojnë surprizën. Në anën tjetër, kuqeblutë vijnë në një moment mjaft pozitiv, duke numëruar shtatë fitore radhazi mes Kupës dhe kampionatit.

Po të martën, në orën 16:30, Teuta do të presë Egnatian në stadiumin “Niko Dovana”. Një duel i fortë, ku të dyja skuadrat synojnë kualifikimin në gjysmëfinale.
Teuta vjen në këtë sfidë pas një periudhe jo shumë të mirë, ndërsa Egnatia u rikthye te fitorja në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Flamurtarit.
Të mërkurën do të luhen edhe dy ndeshjet e tjera çerekfinale. Në orën 13:30, Tirana do të përballet me Dinamon në stadiumin “Selman Stërmasi”. Pas barazimit në kampionat, skuadrat vijnë në këtë sfidë me synimin për të marrë maksimumin dhe për të tentuar fitoren.

 

Elbasani do të presë Partizanin, me ndeshjen e programuar të nisë në orën 16:30. Pritet një përballje spektakolare, ku të dyja ekipet synojnë një rezultat pozitiv për të hedhur një hap të rëndësishëm drejt gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë.

Sfidat:

Bylis-Vllaznia, stadiumi “Adush Muçaj” (e martë, 13:30)

Teuta-Egnatia, stadiumi “Niko Dovana” (e martë, 16:30)

Tirana-Dinamo City, stadiumi “Selman Stermasi” (e mërkurë, 13:30)

AF Elbasani-Partizani, stadiumi “Elbasan Arena” (e mërkurë, 16:30)

“Pengjet” që zhvatën AKSHI-n/ Gerond Meçe dhe Daniel Shima, kapot e skemës që po pastrojnë miliona euro

By: Fax Web
9 February 2026 at 16:43

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka qenë një “minierë ari” për drejtuesit, sekserët apo edhe vetë biznesmenët, duke e kthyer institucionin “pararojë” të qeverisë në një gangrenë të madhe të fondeve publike.

Aksioni i SPAK në muajin dhjetor të vitit 2025, ka qenëi cunguar, pasi goditi një pjesë të personave të përfshirë.

Drejtoresha Mirlinda Karçanaj dhe zëvendësja e saj Hava Delibashi po hetohen me masën e sigurisë arrest shtëpie, ndërkohë që masë sigurie ka edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës, Erion Ismaili, si dhe biznesmenët Ergys Agasi, Ermal Beqiri, Andis Papa, Gëzim Hoxha dhe Rogers Rryta.

A janë vetëm këta emra personat përgjegjës për zhvatjen e parave publike? A ka nonjë grup tjetër kriminal që ka vepruar te AKSHI?!

VoxNews ka siguruar informacione nga disa institucione se dy “pengjet” e dosjes së ASKHI-t, ish-nëndrejtori Daniel Shima dhe biznesmeni Gerond Meçe, po tentojnë me të gjitha mënyrat për të pastruar paratë që zhvatën nga tenderat. Të dy, bashkë ose veç e veç, kanë krijuar një rrjet kompanish, duke xhiruar sa te njëra e te tjetra dhjetëra miliona euro.

Para, gjatë apo pas aksionit të SPAK-ut, Shima dhe Meçe kanë krijuar kompani të reja, kanë bërë transaksione, blenë e shitën prona, morën leje ndërtimi, kanë kryer blerje apo shitje kuotash si dhe akte dhurimi. Ka dyshime të forta se të gjitha këto veprime po bëhen me një qëllim; pastrimin e parave!

Skema e të dyve ka filluar pas sulmeve të hakerave iranianë, teksa qeveria vendosi që të përforcojë sigurinë dixhitale. Tre vitet e fundit, fondet e AKSHI-t janë dyfishuar, duke tenderuar mbi 100 milionë euro në vit.

Përfituesi më i madh i këtyre procedurave ka qenë payshim kompania “Advanced Business Solution”, me pronar Gerond Meçen, teksa Daniel Shima ka qenë nëndrejtor. Sipas të dhënave zyrtare, të hulumtuara nga redaksia jonë, ABS i Meçes ka përfituar vitet e fundit shifrën e frikshme të rreth 40 milionë eurove.

Faksimile: Kontrata e dhurimit të aksioneve nga Gerond Meçe te nëna e tij Shegush Meçe

Aktualisht, aksionet e kësaj firme janë ende në emër të 75 vjeçares Shegush Meçe, e lindur në Elbasan dhe banuese në Tiranë. Një lëvizje për t’ia hedhur “fajin” nënës së tij të moshuar, teksa hetimet e Prokurorisë së Posaçme duhet të përqendroheshin te ABS dhe jo te “bijat” e tij. Por, hapja e kompanive apo edhe transaksionet nga njëra kompani në tjetër gjithmonë lënë gjurmë.

Nëse do të shohësh tenderat e AKSHI-t, Meçe konkuronte me ABS-në që ia kaloi nënës. Por, paralelisht, ai hapi edhe një tjetër kompani, të quajtur “Artificial Intelligence Business Solutions”, duke kaluar në këtë firmë dhjetëra miliona euro. Të dhënat që ka siguruar VoxNews flasin se nga ABS te AIBS, gjatë 5 viteve të fundit, kanë kaluar rreth 15 milionë euro.

Faksimile: Bilanci i kompanisë AIBS në pronësi të Gerond Meçes

Në qershor të muajit 2025, disa javë para se të merrej “peng” nga grupi i Beqirit dhe Agasit, Gerond Meçe do të deklaronte bilancin e kompanisë së dytë, AIBS. Ai shkruan në dokumente se ka dalë me një fitim prej 630 mijë eurosh, ndërkohë që ndau një divident në shumën e 1.7 milionë eurove, nga fitimet e mëparshme.

Të dhënat e tatimeve flasin se ajo kompani, megjithëse nuk fitonte tendera, xhironte dhjetëra miliona euro, me pretekste “punë IT-je”. Kalimet e këtyre pagesave nga njëra dorë në tjetrën, dyshohet se janë bërë për të pastruar paratë e tenderave të AKSHI-t, duke u xhiruar më pas në kompani të afërta me Meçen apo edhe me drejtuesit e AKSHI.

Informacionet e lartpërmendura janë nga disa burime dhe dokumente zyrtare. Në to shihet qartë se “pengu”, Gerond Meçe, ka lëvizur miliona euro. Hetimet e mëpasshme të Prokurorisë së Posaçme mund të zbulojnë shumëçka, nëse mes Meçes apo Shimës ka pasur lidhje, nëse ka persona të tjerë të përfshirë dhe ku përfunduan dhjetëra miliona euro, nga taksat e shqiptarëve./ Marrë nga “Voxnews

Do përdoreshin në një ngjarje kriminale? Policia e Vlorës sekuestron dy makina të vjedhura dhe…

By: Fax Web
9 February 2026 at 16:43

Policia e Vlorës ka parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale teksa ka sekuestruar dy automjete të vjedhura dhe lëndë djegëse.

Më datë 08.02.2026, strukturat e hetimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, bazuar në informacione operative të siguruara më parë, kanë ushtruar kontrolle të imtësishme në aksin rrugor dhe në territorin e fshatit Babicë e Madhe, për dy automjete që dyshohej se do të përdoreshin për kryerjen e një ngjarjeje kriminale”, njofton policia.

Bëhet fjalë për:

-një automjet tip “Nissan”, me targa të huaja;

-një automjet tip “Audi Q5”, me targa të huaja; si dhe 3 bidona me lëndë djegëse (benzinë).

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se këto automjete do të përdoreshin për kryerjen e një ngjarjeje të rëndë kriminale.

Automjetet dhe provat e tjera të sekuestruara po i nënshtrohen ekzaminimeve shkencore.

Grupi i posaçëm hetimor i DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave si dhe për identifikimin dhe dokumentimin e autorësisë”.

VIDEO/ Pritja spektakolare e Donnarumma-s në shtesë, reagimi i Guardiolës bëhet viral

By: Fax Web
9 February 2026 at 16:24

Sfida mes Liverpool dhe Manchester City dhuroi emocione të jashtëzakonshme deri në sekondat e fundit.

“Qytetarët” arritën të përmbysnin avantazhin e “Reds” falë golave të Bernardo Silvës dhe Erling Haaland në fund të takimit.

Megjithatë, heroi i vërtetë i mbrëmjes në “Anfield” ishte portieri italian Gianluigi Donnarumma.

Ai shpëtoi rezultatin në minutën e nëntë shtesë me një pritje të jashtëzakonshme ndaj MacAllister.

Reagimi i tij la të shtangur të gjithë të pranishmit, përfshirë edhe trajnerin Pep Guardiola. Tekniku spanjoll u kap nga kamerat duke imituar lëvizjet e portierit në mënyrë mjaft qesharake dhe është bërë viral në rrjetet sociale.

Manchester City mori tre pikë shumë të rëndësishme në “Anfield Road” duke mos lejuar Arsenalin kryesues të shkëputet më tej.

EMRI/ Mashtrim me TVSH! Arrestohet biznesmeni i ndërtimit, i shkaktoi shtetit 62 milionë lekë dëm

By: Fax Web
9 February 2026 at 16:11

Biznesmeni Gjergji Fela është arrestuar nga policia ditën e sotme me kërkesë të Prokurorisë Tiranë pasi dyshohet se ka kryer shitje fiktive në vlerën totale 149,875,867 lekë, duke shkaktuar një dëm të përllogaritur ndaj buxhetit të shtetit në vlerën 62,670,861 lekë.

Biznesmeni i ndërtimit dyshohet se, mashtrimin me TVSH e ka kryer nëpërmjet firmës së tij “Dorina Fela”, të cilën e kishte vënë në emër të gruas.

Prokuroria njofton se këto veprime janë realizuar përmes deklarimeve të pavërteta dhe përdorimit të faturave fiktive, me qëllim krijimin e një skemë mashtruese fiskale, që synonte përfitimin e padrejtë të kreditimit të TVSH-së dhe uljen e bazës së tatueshme për Tatimin mbi Fitimin.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë Tiranë:

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë u rrestua shtetasi Gj.F., i dyshuar për veprat penale ‘Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH)’ dhe ‘Fshehje e të ardhurave’ parashikuar nga nenet 144/a dhe 180 të Kodit Penal.

Nga hetimet mbi procedimin penl nr.5787 të vitit 2024, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorin e Hetimit Tatimor, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT) dhe Seksionin e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit, rezultoi se subjekti tregtar ‘Dorina Fela’, ka kryer shitje të dyshuara fiktive në vlerën totale 149,875,867 lekë, duke shkaktuar një dëm të përllogaritur ndaj buxhetit të shtetit në vlerën 62,670,861 lekë.

Këto veprime janë realizuar përmes deklarimeve të pavërteta dhe përdorimit të faturave fiktive, me qëllim krijimin e një skemë mashtruese fiskale, që synonte përfitimin e padrejtë të kreditimit të TVSH-së dhe uljen e bazës së tatueshme për Tatimin mbi Fitimin, duke dëmtuar interesat financiare të shtetit.

Në kuadër të këtij procedimi penal, u ndalua shtetasi Gj.F., i dyshuar për përfshirje në kryerjen e veprimeve të paligjshme. Nga veprimet e deritanishme, rezultoi se ky shtetas ka pasur rol organizues dhe drejtues në këtë veprimtari, duke përdorur subjektin në emër të bashkëshortes së tij për realizimin e skemës mashtruese.

Hetimet vijojnë në drejtim të identifikimit të personave të tjerë të përfshirë, si dhe për dokumentimin e plotë të skemës mashtruese dhe pasojave financiare të saj.

PS rrëzon nismën e PL për sigurinë ushqimore, Xhixho: Situatë alarmante për qytetarët!

By: Fax Web
9 February 2026 at 15:51

Deputetët e Partisë së Lirisë  Erisa Xhixho  dhe Tedi Blushi  prezantuan sot në Komisionin e Jashtëm një nismë për sigurinë ushqimore, që synonte domosdoshmërinë e kryerjes së analizave laboratorike për ndotësit ushqimorë.

Sipas deputetes Xhixho, rritja e rasteve të evidentuara me ndotës kimikë dhe biologjikë në produktet ushqimore vendase dhe import, ka krijuar një situatë alarmante që kërkon ndërhyrje urgjente ligjore dhe institucionale.”Siguria ushqimore përbën një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes së shëndetit publik dhe të sigurisë kombëtare. Rritja e vazhdueshme e rasteve të evidentuara me ndotës kimikë dhe biologjikë në produktet ushqimore, si në prodhimin vendas ashtu edhe në import, ka krijuar një situatë alarmante që kërkon ndërhyrje urgjente ligjore dhe institucionale. Produktet shqiptare që bllokohen, kthehen ose asgjësohen në vendet ku eksportohen janë vetëm maja e ajsbergut. Ato përfaqësojnë sinjalin alarmues që vjen nga autoritetet e huaja për cilësinë e produkteve që prodhohen në Shqipëri dhe që, për fat të keq, konsumohen çdo ditë nga qytetarët shqiptarë.

Në shumë raste, produktet e refuzuara nga tregjet ndërkombëtare përfundojnë në tregun vendas, duke rritur rrezikun për shëndetin e konsumatorëve dhe duke treguar dobësi serioze të mekanizmave të kontrollit ushqimor.

Në 2 vitet e fundit janë raportuar dhjetëra raste me produkte të kontaminuara dhe të rrezikshme për shëndetin publik. Ndër rastet më të rëndësishme të evidentuara janë: Refuzimi nga Kroacia i eksportit të specave shqiptarë për shkak të niveleve të larta të pesticideve, Mandarinat e kontaminuara të refuzuara nga Bashkimi Europian që përfunduan në tregun vendas, Konstatimi i luleshtrydheve me pesticide të ndaluara, Evidentimi në tregun shqiptar i peshkut të infektuar me parazitin Anisakis, Konstatimi i mishit të derrit dhe pulës të kontaminuar me salmonelë, Zbulimi i akulloreve me përmbajtje të oksidit të etilenit me rrezik kancerogjen, Bllokimi i pjeshkëve shqiptare nga Kroacia për shkak të niveleve të larta të nikelit, Prania e arsenikut te buka, raportuar në media vetëm pak ditë më parë, Prania e ndotësve biologjikë, kimikë dhe metalikë në zinxhirin ushqimor, përfshirë mykotoksinat në ushqimin për kafshë dhe produktet e bulmetit, përbën një kërcënim serioz për shëndetin e popullsisë dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme rregullatore.“, tha në prezantimin e projektligjit deputetja Xhixho.

Pavarësisht argumenteve të prezantuara në Komision, nism u rrëzua me 8 vota të socialistëve ndërsa mori vetëm 3 vota pro. Këtë votim, në rrjetet sociale Tedi Blushi e quajti votë në favor të ushqimeve pa kontroll.”Siguria ushqimore ndodhet në një alarm kombëtar, por Partia Socialiste votoi sot kundër mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve shqiptarë.

Vota kundër projektligjit “Për Sigurinë Ushqimore”, të propozuar nga Grupi Parlamentar i  Partise se Lirise  është në thelb një votë në favor të ushqimeve të kontaminuara dhe të skaduara që hyjnë pa pengesë në vendin tonë, nga mishi me salmonelë i importuar nga Brazili, te mielli i ndotur nga Rusia, qumështi pluhur nga Serbia dhe produktet e skaduara që kanë përmbytur raftet e marketeve dhe përfundojnë çdo ditë në tryezat e familjeve shqiptare.

Kjo është një votë që mbron interesat e importuesve abuzivë dhe jo interesin publik; një votë që lejon helmimin e përditshëm të qytetarëve, duke rrezikuar veçanërisht shëndetin e fëmijëve.Siguria ushqimore nuk është dhe nuk duhet të jetë një lojë politike. Kush voton kundër saj, voton kundër jetës dhe shëndetit publik. Për këtë vendim, Partia Socialiste mban përgjegjësi të plotë politike dhe morale.“, shkruajti Tedi Blushi pas votimit.

RENEA në elitën botërore të forcave speciale në “SWAT Challenge Dubai 2026”

By: Fax Web
9 February 2026 at 15:33

RENEA në elitën botërore të forcave speciale në “SWAT Challenge Dubai 2026” me dy ekipe që përfaqësojnë Shqipërinë.

Nga data 7 deri më 11 shkurt, në Dubai po zhvillohet “SWAT Challenge Dubai 2026”, një nga kompeticionet më prestigjioze ndërkombëtare të forcave speciale, ku matin aftësitë njësitë më elitare nga e gjithë bota.

Për të pestin vit radhazi, Policia e Shtetit përfaqësohet në këtë arenë botërore nga Njësia Elite e Forcave Speciale RENEA, e cila këtë vit konkurron me dy ekipe, RENEA “A” dhe RENEA “B”, duke mbajtur lart emrin e Policisë së Shtetit dhe ngjyrat e flamurit kombëtar.

Sot, në ditën e tretë të garave, të dy ekipet RENEA po demonstrojnë nivel të lartë profesionalizmi, përgatitje intensive dhe standarde ndërkombëtare, në një kompeticion ku marrin pjesë rreth 50 shtete me 109 ekipe të forcave speciale botërore.

Si u zbulua trafiku i pistoletave Kosovë-Shqipëri? Ku ndodhet punishtja që prodhonte imitime të pistoletave “Glock”

By: Fax Web
9 February 2026 at 15:27

Trafiku i armëve të zjarrit nga Kosova në Shqipëri tashmë po shndërrohet në një linjë të konsoliduar të grupeve kriminale shqiptare.

Operacioni i fundit ku në pranga ra 27-vjeçari Dugagjin Berisha e dëshmoi më së miri këtë.

Pas shitjes të simuluar të 2 pistoletave, korrieri tashme në pranga  transportoi nga Kosova drejt zonës së freskut ne tiranë dhe 10 pistoleta të tjera të cilat u gjetën të fshehura brenda makinës së tij dhe u sekuestruan.

Pas kqyrjes së armëve të sekuestruara nga ana e policisë rezultoi se ato nuk janë të markës “Glock”, por imitime, çka shtyu grupin hetimor të intensifikojë shkëmbimin e informacionin me palën kosovare për identifikimin e punishtes ku këto armë prodhoheshin.

Nga të dhënat paraprake hetimore rezulton se, 27-vjeçari ka pasur rol vetëm transporti prandaj po verifikohet çdo e dhënë për të identifikuar gjithë zinxhirin jo vetëm të dërguesve në Kosovë por edhe të pritësve në Shqipëri të cilët dyshohet se janë në zonën e Freskut në Tiranë.

Vitin e kaluar policia e shtetit identifikoi 32 raste të trafikimit të armëve të zjarrit drejt vendit tonë. Shumica e tyre vinin kryesisht nga Kosova.

VIDEO/ Grabitje si në filma! Momenti kur bllokohet blindi i parave dhe hidhet në erë

By: Fax Web
9 February 2026 at 15:07

Një grup grabitësish të maskuar bllokuan autostradën që lidh Leccen me Brindisin në Itali dhe hodhën në erë një mjet të blinduar që transportonte para.

Ngjarja ndodhi mëngjesin e sotëm në autostradën A613.

Grabitësit ndaluan qarkullimin duke përdorur makina të kamufluara si automjete policie, me drita sinjalizuese të rreme, ndërsa vetë ishin veshur si agjentë sigurie të kompanisë që transportonte paratë.

Pamjet e publikuara nga mediat italiane tregojnë momentin kur mjeti i blinduar, ndalon papritmas në mes të rrugës. Në atë moment, autorët lëshojnë eksplozivin dhe largohen me shpejtësi.

Policia nisi një operacion të gjerë kërkimi në zonë. Pak më vonë, një Alfa Romeo, e përdorur gjatë grabitjes, u gjet e braktisur në një rrugë rurale.

Në afërsi të saj u ndalua një burrë i paarmatosur, ndërsa një person i dytë u arrestua më pas teksa tentonte të largohej në këmbë.

Protesta e Opozitës, Policia: Ja rrugët që bllokohen nesër në Tiranë

By: Fax Web
9 February 2026 at 15:00

Ditën e nesërme, duke nisur nga ora 17:00, Partia Demokratike do të mbajë protestën e rradhës kombëtare.

Përmes një njoftimi për mediat, Policia e Shtetit thotë se, ka ndërmarrë të gjitha masat, në bazë të ligjit “Për tubimet”.

Në zbatim të këtyre masave, ditën e sotme dhe të nesërme, do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:

  • Nga ora 23:45 e ditës së sotme, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve deri në përfundim të tubimit, në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”;
  • Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për ta devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.

Sekuestrohen 26 mijë euro dhe paundë në Rinas

By: Fax Web
9 February 2026 at 14:37

Policia Kufitare e Rinasit ka goditur dy raste të mosdeklarimit të parave në kufi, duke proceduar penalisht dy shtetas.

Një 37-vjeçar rezident në Mbretërinë e Bashkuar u kap me 15 mijë paundë, ndërsa një 32-vjeçar nga Kamza me 11 mijë e 370 euro.

“Në kuadër të kontrolleve të dedikuara, të bazuara dhe në analizën e riskut, me qëllim parandalimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie, shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit kanë evidentuar dhe goditur dy raste të mosdeklarimit të parave në pikën e kalimit kufitar.

Në vijim të veprimeve u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi shqiptar D. Sh., 37 vjeç, rezident në Mbretërinë e Bashkuar, të cilit, gjatë kontrollit në vijën e dytë, iu gjetën 15,000 paundë, që synonte t’i fuste në territorin e Republikës së Shqipërisë pa i deklaruar, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Po ashtu, u procedua penalisht shtetasi A. Z., 32 vjeç, banues në Kamëz, të cilit, gjatë kontrollit në vijën e dytë, iu gjetën 11,370 euro, që synonte t’i nxirrte nga Republika e Shqipërisë pa i deklaruar, në kundërshtim me ligjin.

Kontrollet dhe verifikimet nga Policia Kufitare do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë, me qëllim parandalimin e veprimtarive të paligjshme në kufi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

❌
❌