Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 9 February 2026Main stream

Monitorim i eficiencës gjyqësore/ ILD miraton 9 inspektime për vitin 2026, propozimet vetëm nga 3 institucione

By: Fax Web
9 February 2026 at 12:46

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka miratuar në Mbledhjen e Përgjithshme të Inspektorëve, më 30 janar 2026, planin e inspektimeve në prokurori e gjykata për vitin 2026.

Inspektimet tematike dhe institucionale do jenë edhe gjatë vitit 2026, instrumenti me të cilin Inspektori i Lartë i Drejtësisë mat eficencën e drejtësisë në vend, ndërsa këtë vit, në mënyrë të dedikuar, do të monitorojë edhe zbatimin e rekomandimeve të lëna nga inspektime të mëparshme.

Në Mbledhjen e Përgjithshme të Inspektorëve u paraqit analiza e të dhënave mbi llojin e pretendimeve të ankuesve, qytetarë apo institucione deri në dhjetor 2025, si dhe pretendimet e ankesave të trajtuara me vendimmarrje gjatë vitit 2025. Sipas të dhënave, pjesën më të madhe e zenë pretendimet për vendimmarrje të padrejta, pretendimet për zvarritje gjykimi, zvarritje të veprimtarisë hetimore dhe vonesa në dorëzimin e vendimeve gjyqësore.

Në Mbledhjen e Përgjithshme të Inspektorëve u evidentua se gjatë vitit 2025, sipas traditës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë i ka dërguar kërkesa për tematika inspektimesh për planin e inspektimeve për vitin 2026, institucioneve të drejtësisë, Prokurorit të Përgjithshëm, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Ministrit të Drejtësisë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

Në mbledhje u vlerësua angazhimi i tri institucioneve, që kanë përcjellë propozime për inspektimet tematike ose institucionale, konkretisht Prokurori i Përgjithshëm ka propozuar 2 tematika inspektimesh, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, 4 tematika inspektimesh dhe Ministri i Drejtësisë 5 tematika inspektimesh.

Pas diskutimeve mbi të dhënat e ankesave të përcjella, të propozimeve të ardhura nga tri institucionet e drejtësisë, si dhe të prioriteteve të punës së ILD-së, edhe për shtrirje gjithëpërfshirëse gjeografike të inspektimit në gjykata e prokurori, Mbledhja e Përgjithshme e Inspektorëve miratoi gjithsej 9 inspektime për t’u realizuar gjatë vitit 2026, 8 inspektime tematike dhe 1 inspektim institucional. E veçanta këtë vit është miratimi i 2 inspektimeve tematike mbi ndjekjen e rekomandimeve të inspektimeve të mëparshme.

Nga trajtimi i ankesave të qytetarëve dhe institucioneve, kohëzgjatja e proceseve civile gjyqësore, shpallja dhe arsyetimi i vendimeve gjyqësore, respektimi i afateve të paraburgimit, trajtimi i referimeve dhe kallëzimeve penale ndaj punonjësit të policisë së shtetit dhe atij të burgjeve për keqtrajtim, kalendari i inspektimeve për vitin 2026 përmban:

  • Inspektimi tematik “Mbi procedurën e shpalljes dhe arsyetimit të vendimeve gjyqësore”, do të kryhet në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për periudhën 01.04.2025-30.06.2025. Ky inspektim, propozim i Ministrit të Drejtësisë do realizohet në periudhën kohore 16.02.2026 – 30.09.2026.
  • Inspektimi tematik “Trajtimi i referimeve dhe kallëzimeve penale ndaj punonjësve të policisë së shtetit dhe policisë së burgjeve për torturë, keqtrajtim, veprime arbitrare apo dhunë të çdo lloj forme” do kryhet në të gjitha zyrat e prokurorive në vend për periudhën 01.01.2025 – 31.12.2025. Inspektimi, propozim i Prokurorit të Përgjithshëm, do realizohet në periudhën 16.02.2026 – 02.12.2026.
  • Inspektimi tematik “Mbi kohëzgjatjen e proceseve civile gjyqësore të përfunduara me palë kundërshtare”, do të realizohet në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për periudhën 01.04.2025- 30.06.2025. Inspektimi, propozim i Ministrit të Drejtësisë do kryhet në periudhën kohore 16.02.2026 – 30.10.2026
  • Inspektimi tematik “Respektimi i afateve të paraburgimit në kuadër të shuarjes së masave të sigurimit gjatë fazës së hetimit” do të kryhet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për periudhën 2023-2025. Inspektimi, propozim i Këshillit të Lartë të Prokurorisë do kryhet në periudhën kohore 16.02.2026 – 30.10.2026
  • Inspektimi tematik “Ndarja e çështjeve me short, si dhe kontrolli i raporteve të sistemit elektronik”, që do të realizohet për periudhën 01.01.2025-31.12.2025, në Gjykatat e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, Lezhë dhe Vlorë. Inspektimi pranë këtyre gjykatave do të kryhet në periudhën02.2026 – 10.12.2026.
  • Inspektimi tematik “Mbi praktikën dhe shkaqet e zëvendësimit të prokurorëve” për periudhën 01.01.2025-31.12.2025. Inspektimi do të kryhet në të gjitha zyrat e prokurorive në periudhën 16.02.2026 – 21.12.2026.
  • Inspektim institucional “Infrastruktura dhe qarkullimi i dokumentacionit”, do kryhet në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm për periudhën 01.04.2025 – 30.06.2025. Inspektimi do realizohet në periudhën 16.02.2026 -30.10.2026

Në mënyrë të posaçme gjatë vitit 2026 janë miratuar dy inspektime për ndjekjen e rekomandimeve të inspektimeve të mëparshme, konkretisht:

  • Inspektim vijues tematik mbi ndjekjen e rekomandimeve të inspektimit tematik miratuar me raportin nr. 56/29, datë 29.12.2023 për “Lirimin me kusht” në të gjitha gjykatat dhe prokuroritë për periudhën16.02.2026 – 30.10.2026
  • Inspektim vijues tematik mbi ndjekjen e rekomandimeve të inspektimeve tematike miratuar me raportet nr. 608/4, datë 22.04.2024 dhe nr. 2495, datë 09.09.2025 “Mbi caktimin e çështjeve me short në prokurori”, do të kryhet në të gjitha zyrat e prokurorive për periudhën 02.2026 – 31.07.2026. Inspektimi do të kryhet në periudhën 16.02.2026 – 30.09.2026.

U arrestua një vit më parë, GJKKO kalon për gjykim kryebashkiakun Erion Veliaj

By: Fax Web
9 February 2026 at 12:35

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur që të kaloj për gjykim çështjen në ngarkim të Erion Veliajt dhe 29 të tjerëve.

Vendimi, u dha në seancë paraprake nga gjyqtarja Etleva Deda.

Ky vendim vjen një vit pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës.

 

Dhunoi avokatin e Ilir Metës/ Policia: Identifikohet dhe shpallet në kërkim një prej autorëve

By: Fax Web
9 February 2026 at 12:30

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për ngjarjen e ndodhur në rrugën Transballkanike, ku mbeti i dëmtuar shtetasi K. C., me profesion avokat, bëjmë me dije se nga puna intensive e kryer nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, u bë i mundur identifikimi i njërit prej autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasit S. Xh., 40 vjeç, banues në Vlorë, i cili u shpall në kërkim për veprën  penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit S. Xh. Ndërkohë, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin e të gjithë shtetasve të përfshirë dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë penale.

Shtetasi K. C. vijon të jetë në kujdeesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën

Biznesmeni Ramë Geci paraqitet në SPAK i doli emrin në dosjen e Ballukut

By: Fax Web
9 February 2026 at 12:00

Biznesmeni i njohur Ramë Geci është paraqitur mëngjesin e kësaj të hëne në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK). Ai është parë duke hyrë në institucion pak minuta më parë, por ende nuk ka konfirmime zyrtare për arsyen e paraqitjes së tij.

Emri i Gecit është përfolur pak kohë më parë në lidhje me dosjen e zv/kryeministres së pezulluar Belinda Balluku, ku dokumentet tregojnë se ai ka pasur takime me Ballukun, dhe pas këtyre kontakteve, kompania e tij ka rezultuar fituese e një tenderi shtetëror.

Hetimet e SPAK pritet të zbulojnë nëse këto marrëdhënie kanë ndikuar në proceset e prokurimit dhe në dhënien e favoreve për biznesin e Gecit.

Mosvendimi i Kushtetueses për Ballukun, Rama ndan “3 konkluzione nga mbledhja”

By: Fax Web
9 February 2026 at 11:55

Këtë të hënë, 9 shkurt, është mbledhur në Kryesi që prej orës 10:00 grupi parlamentar i Partisë Socialiste.

I pranishëm ishte kreu i qeverisë, Edi Rama, dhe Belinda Balluku, e pezulluar nga detyra si ministre dhe zv.kryeministre, me vendim të GJKKO-së.

“3 konkluzione nga mbledhja e Grupit Parlamentar pas mosvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rivendosjes së pezullimit të ministres nga :

  1. Funksionet e padelegueshme kushtetuese, nga ai i anëtarit të qeverisë tek ai i Presidentit të Republikës dhe jo vetëm, nuk mund të pezullohen kurrësesi nga askush duke u nisur nga një emër përveçëm, sepse pezullimi paralizon funksionin, pra institucionin që ai/ajo drejton.
  2. Nisur edhe nga leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku të gjithë anëtarët e trupës shfaqen unanimë lidhur me problemin, po ndahen tek rrugëzgjidhja, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion.
  3. E vetmja palë e përmbushur nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, që në kushtet e pezullimit mund të vazhdojë krejt qetësisht hetimin përkatës, ndërkohë që deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit.

Një shtesë nga ana ime:

SPAK-u nuk preket, vetëm mbështetet. Liria dhe e drejta e çdo prokurori për të hetuar çfarëdoqoftë e këdoqoftë nuk preken, vetëm garantohen. Pavarësia kushtetuese e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, gjithashtu nuk preken. Vetëm garantohen”, është ky postimi i kryeministrit fill pas mbledhjes.

Vlen të theksohet se vetëm 3 ditë më parë, Gjykata Kushtetuese nuk arriti dot të merrte një vendim lidhur me padinë e qeverisë për çështjen e Ballukut.

Ndarja 4 me 4 e gjyqtarëve, bëri që ankimimi të rrëzohej dhe të rikthehej në fuqi masa e “pezullimit nga detyra” për ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Teksa e cilësoi “shembull të një budallallëku botëror”, Rama e bëri të qartë se beteja ligjore për këtë rast do të vijojë, duke ritheksuar se “lajthitjet e drejësisë” kanë çuar në shifra alarmante sa i takon masave shtrënguese pa gjyq.

Kjo mbledhje, është e përjavshme, zhvillohet para vizitës së kryeministrit në Bruksel, ku pritet të takojë Antonio Costa-n, Presidentin e Këshillit Europian.

Prokuroria në Hagë kërkon 45 vjet burgim për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin

By: Fax Web
9 February 2026 at 11:38

Në Gjykatën Speciale në Hagë nisën sot deklaratat përmbyllëse për rastin gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Prokurorja e Specializuar, Kimberly West e nisi fjalën e saj duke thënë se Gjykata Speciale është bërë “trup funksional, i suksesshëm në një periudhë relativisht të shkurtër”.

Prokurorja West ka thënë se nuk kërkohet dënim për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, por për personat e akuzuar, duke kërkuar 45 vjet burgim.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon vendim dënimi për të gjitha pikat e aktakuzës dhe një vendim të vetëm prej 45 viteve, mbështetur në kontributet individuale të krimeve të kryera nga secili prej personave, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Këto janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, janë të rënda dhe këto akuza nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës”, tha prokurorja.

Ajo ka pretenduar se 100 persona janë vrarë dhe qindra tjerë janë abuzuar, në dhe rreth 50 plus kampeve të ndalimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Kjo çështje ka të bëjë me qëllimin e katër të akuzuarve për të fituar dhe ushtruar kontroll në gjithë Kosovën. Kjo vendosmëri për kompetencë dhe fuqi u has me diçka, dhe kjo kishte të bënte me persona që kishin dalë si kundërshtarë ose përcaktoheshin se ishin bashkëpunëtorë me forcat serbe, ose zyrtarë serbë, ose që nuk mbështesinin synimet e UÇK-së”.

Sipas saj, shpesh aty përfshiheshin persona të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës, persona romë dhe serbë.

“Pavarësisht frikës, stigmës dhe situatave me të cilat janë përballur dëshmitarët dhe familjarët e tyre nga një grup i kufizuar, por me zë, në Kosovë, këta dëshmitarë e kanë dëshiruar kaq shumë të vërtetën që të dalë në pah, prandaj pavarësisht kësaj kanë përzgjedhur të bashkëpunojnë me zyrën time dhe të japin dëshmi para kësaj gjykate”, u shpreh ajo në deklaratën përmbyllëse. /rel/

Pasuritë e krimit kthehen në shërbim të komunitetit/ Hapet thirrja për financimin e projekteve të OJF-ve

By: Fax Web
9 February 2026 at 10:34

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu përsëriti një mesazh të qartë e të pakthyeshëm: pasuritë e përfituara nga veprimtaria kriminale nuk do të gëzohen dhe nuk do të trashëgohen, por do të kthehen në shërbim të interesit publik. Para e prona, që burojnë nga droga, mashtrimi apo forma të tjera të kriminalitetit nuk janë më simbol fuqie apo privilegji, por do të rikthehen aty ku u përkasin, tek fëmijët, familjet, komunitetet në nevojë dhe viktimat e dhunës.

Si një provë konkrete e këtij angazhimi, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka hapur Thirrjen për Financim Projektesh, një mundësi e dedikuar për organizatat jofitimprurëse që synojnë të shndërrojnë pasurinë e konfiskuar të krimit në projekte me impakt real shoqëror.

Fondi total në dispozicion është 150,000 euro (rreth 15 milionë lekë), i krijuar jo nga buxheti i qytetarëve, por nga pasuritë e konfiskuara të krimit, që rikthehen në dobi të shoqërisë. Qëllimi i mbështetjes financiare është parandalimi i kriminalitetit dhe rehabilitimi social, kulturor dhe shëndetësor i shtresave në nevojë, veçanërisht i personave dhe grupeve të prekura ose të rrezikuara nga krimi i organizuar, trafikimi dhe forma të tjera të kriminalitetit.

 

 

Ministrja Koçiu, përmes një postimi në rrjetet sociale fton të gjitha organizatat e shoqërisë civile, të aplikojnë e të bëhen pjesë e një përpjekjeje të përbashkët, ku pasuritë e krimit shndërrohen në shpresë, mbështetje dhe zhvillim për komunitetin.

Fushat prioritare të ndërhyrjes përfshijnë, ndër të tjera:

-rehabilitimin social, kulturor dhe shëndetësor të shtresave në nevojë;

-parandalimin e kriminalitetit dhe riintegrimin e personave të prekur nga krimi;

-asistencën dhe rehabilitimin e viktimave të krimit të organizuar dhe trafikimit;

-rehabilitimin dhe trajtimin e përdoruesve të substancave narkotike;

-mbrojtjen e të drejtave të familjarëve të punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës;

-asistencën dhe rehabilitimin e viktimave të trafikut të qenieve njerëzore.

Aplikimi është i hapur për organizata jofitimprurëse të regjistruara në Republikën e Shqipërisë, të cilat kanë në objektin e veprimtarisë së tyre një ose më shumë nga këto fusha. Afati për dorëzimin e aplikimeve është data 9 mars 2026. Informacione të detajuara mbi kriteret, dokumentacionin dhe procedurën e aplikimit gjenden në faqen zyrtare të AAPSK-së dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Kryeministri Rama mbledh Grupin Parlamentar të PS, pak para nisjes në Bruksel

By: Fax Web
9 February 2026 at 10:32

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë të hënë grupin parlamentar. Kjo mbledhje vjen para nisjes së kryeministrit në Bruksel.

Në orën 14:00 Rama do udhëtojë drejt Brukselit, ku do të takohet me presidentin e Këshillit Evropian Antonio Kosta.

Detaje nga aksidenti i rëndë në Greqi/ Makina ra nga 300 m lartësi në humnerë, trupi i shoferit lakuriq dhe pa kokë

By: Fax Web
9 February 2026 at 10:24

Zbardhen të tjera detaje nga aksidenti i rëndë që ndodhi dje në Karpenisi, pranë Manastirit të Shenjtë të Panagia Prousiotissa në Greqi. Sipas informacioneve, një automjet i drejtuar nga një burrë 59-vjeçar doli nga rruga Prousos-Tornos dhe ra nga një shkëmb rreth 300 metra i thellë, duke përfunduar pak mbi një lumë. Menjëherë pas njoftimit, u organizua një operacion i madh shpëtimi me pjesëmarrjen e Zjarrfikësve, Policisë dhe Shërbimit të Urgjencës Mjekësore (EKAB).

Mediat greke raportojnë se zjarrfikësit gjetën trupin e burrit jashtë automjetit, në gjendje shumë të rëndë, disa metra larg mjetit. Sipas televizionit Mega, trupi ishte i dëmtuar rëndë për shkak të rënies nga lartësia e madhe, ndërkohë që koka ishte shkëputur. Zëdhënësja e Policisë Helenike, Constantia Dimoglidou, deklaroi se po hetohen të gjitha mundësitë, përfshirë nëse bëhet fjalë për një aksident apo për një ngjarje me elementë penalë. Ajo theksoi se gjendja e trupit është e justifikueshme për shkak të rënies nga një lartësi ekstreme, ndërsa priten rezultate vendimtare nga ekspertiza mjeko-ligjore.

Nga ana e tij, komandanti i Zjarrfikësve të Evrytania-s, Yiannis Arapis, sqaroi se operacioni ishte veçanërisht i vështirë për shkak të terrenit malor dhe rrezikut të rrëshqitjeve. Ai bëri të ditur se kërkimet vijojnë edhe sot, me përdorimin e dronëve dhe kamerave termike, për të verifikuar nëse në automjet ndodhej ndonjë person tjetër. Hetimet paraprake po kryhen nga Policia Greke (ELAS), ndërsa autoritetet mbeten në gatishmëri në zonë.

Rama në Bruksel, takon presidentin e Këshillit Europian Antonio Costa

By: Fax Web
9 February 2026 at 09:59

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pritet të zhvillojë një vizitë zyrtare në Bruksel sot e hënë më 9 shkurt, ku do të ketë një takim me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa. Takimi vjen në një moment vendimtar për Shqipërinë, pasi fokusi kryesor pritet të jetë procesi i negociatave të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Një nga çështjet kryesore të mbetura pezull është Raporti i Vlerësimit të Standardeve për Reformimin e Gjyqësorit, i njohur si IBAR, i cili lidhet me kapitujt 23 dhe 24 të procesit të negociatave. Deri më tani, Shqipëria nuk ka mundur ta marrë këtë raport të plotë dhe të miratuar nga shtetet anëtare të BE-së. Pa aprovimin e këtij dokumenti, procesi i mbylljes së kapitujve nuk mund të ecë përpara.

Në diskutimet e mëparshme në nivel ambasadorësh, është kërkuar që Shqipëria të ofrojë prova konkrete mbi ndëshkimin e zyrtarëve të lartë të akuzuar, përfshirë vendime përfundimtare të gjykatave dhe sekuestrime të pasurive të tyre. Ky është një nga kushtet që konsiderohen jetike për të treguar progresin në reformën në drejtësi.

Me metodologjinë e re të negociatave të BE-së, një shtet anëtar mund të kërkojë që procesi të rikthehet në pikën e fillimit nëse nuk shihen përparime të dukshme në këto fusha kritike. Kapitujt 23 dhe 24, të lidhura me drejtësinë dhe sundimin e ligjit, janë gjithmonë ndër të parët që hapen, por edhe ndër të fundit që mbyllen gjatë procesit të integrimit, duke e bërë progresin në këtë fushë një indikator të rëndësishëm të përparimit të vendit drejt BE-së.

Takimi i Ramës me Antonio Costën pritet të jetë një mundësi për të diskutuar këto sfida dhe për të përcaktuar hapat e ardhshëm në rrugën drejt anëtarësimit. Në fokus do të jenë jo vetëm arritjet e bëra deri tani, por edhe detyrimet e mbetura për të përmbushur standardet evropiane në gjyqësor dhe në drejtim të sundimit të ligjit.

E parkuar pranë banesës së 46-vjeçarit, merr flakë makina në Lezhë, ja çfarë dyshohet

By: Fax Web
9 February 2026 at 09:58

Një automjet është përfshirë nga flakët në shatin Shullaz. Shkak dyshohet se është bërë një shkëndijë elektrike.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi dje, në fshatin Shullaz, dyshohet se për shkak të një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në automjetin në pronësi të shtetasit 46 vjeç, i parkuar pranë banesës së tij”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.

 

 

Papa Leone: Strategjitë ushtarake nuk i japin njerëzimit një të ardhme

By: Fax Web
9 February 2026 at 09:39

Papa Françesku u bëri thirrje besimtarëve që të vazhdojnë të lutën për paqe, duke theksuar se strategjitë e fuqive ekonomike dhe ushtarake nuk i japin njerëzimit një të ardhme të qëndrueshme.

Këto deklarata Papa i bëri gjatë lutjes së së dielës Angelus, ku nënvizoi se historia ka treguar se përdorimi i forcës dhe interesave të ngushta nuk sjell zgjidhje afatgjata.

“Sipas historisë, strategjitë e fuqive ekonomike dhe ushtarake nuk i japin njerëzimit një të ardhme. E ardhmja qëndron në respektin dhe vëllazërinë midis popujve,” u shpreh Ati i Shenjtë.

 

Organizonin baste sportive online/ Arrestohet një person, dy të tjerë procedohen penalisht, sekuestrohen 3 celularë në një lokal në Korçë

By: Fax Web
9 February 2026 at 09:34

Vijojnë kontrollet e policisë në qarkun e Korçës për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.

Gjatë operacionit të zhvilluar në disa lagje të qytetit, janë evidentuar dy raste të tjera të kësaj veprimtarie, ku një person u arrestua në flagrancë, dy të tjerë procedohen penalisht, ndërsa në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 3 celularë që përdoreshin për baste sportive online.

Njoftimi i Policise

Vijojnë kontrollet në të gjithë territorin e qarkut Korçë, për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.

Goditen 2 raste të tjera të kësaj veprimtarie.

Vihet në pranga 1 shtetas dhe procedohen penalisht 2 të tjerë.

Sekuestrohen 3 celularë.

Në zbatim të Planit të Masave për kontrollin e ambienteve dhe personave që ushtrojnë veprimtarinë e jashtëligjshme të organizimit të lojërave të fatit të palejuara dhe në zbatim të planit të operacionit “Loja e fundit”, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë kanë ushtruar kontrolle në disa lagje të qytetit. Si rezultat i tyre u goditën 2 raste të tjera, të kësaj veprimtarie të paligjshme dhe konkretisht:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin:

-M. P., 43 vjeç, banues në Korçë për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.

Si dhe referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit G. A., dhe Gj. M., banues në Korçë,

Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin në pronësi të 43-vjeçarit, në lagjen nr. 8, Korçë, në celularët e shtetasit M. P., dhe G. A., u gjetën faqe për baste sportive. Gjithashtu edhe gjatë kontrollit të ushtruar në celularin e shtetasit Gj. M., në lokalin ku ndodheshe në lagjen nr. 9, Korçë, u gjetën faqe për baste sportive.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 celularët.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

Aksident në Vlorë, përplasen dy makina/ Pamje nga vendngjarja, plagoset një vajzë

By: Fax Web
9 February 2026 at 09:20

Një aksident automobilistik ka ndodhur pak momente më parë në rrugën që lidh Vlorën me Selenicën. Burimet nga policia bëjnë me dije se pranë fshatit Alikokë dy makina janë përplasur.

Shkak mendohet të ketë qënë shpejtësia por edhe prezenca e lagështisë në rrugë. Si rrjedhojë e aksidentit, ka mbetur e plagosur një vajzë e cila është dërguar me urgjencë në spitalin e Vlorës.

Ajo raportohet të ketë plage të shumta dhe është dërguar për ndihmë mjekësore.

Kryeministri Rama ndan pamjet: Xhamia e Ballies në Elbasan, e vlerësuar si një nga objektet më të veçanta të kultit në botë

By: Fax Web
9 February 2026 at 09:00

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga Xhamia e Ballies në Elbasan.

Xhamia, tashmë e rilindur, është një nga objektet më të veçanta të kultit në botë.

Në vitin 2025, Xhamia e Ballies u përzgjodh fituese e Çmimit Ndërkombëtar 2025 nga ArchDaily për Arkitekturën më të Bukur Fetare.

Xhamia e Ballies ishte ndërtuar nga Hasan Balliu në vitin 1608 në qendër të qytetit të Elbasanit. Regjimi komunist në 1967 urdhëroi prishjen e saj.

Në vitin 2022 xhamia Ballijes u ringrit në të njëjtat themele por shumë më madhështore se e vjetra. Projekti është realizuar nga Commonsense Studio dhe elementi më tërheqës i xhamisë është minareja që konkuronte të gjitha të tjerat me modelimin dekorativ original të saj.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së drejt fundit në Hagë

By: Fax Web
9 February 2026 at 08:58

Sot nis faza përfundimtare e procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në Hagë.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët ndodhen në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.

Prokuroria, ekipi mbrojtës dhe të pandehurit do të kenë mundësinë që për herë të fundit t’i drejtohen trupit gjykues me parashtrimet e tyre në këtë proces

Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Ky vit pritet të jetë vendimtar për katërshen e UÇK-së, të cilët ndodhën në paraburgim në Hagë tash e pesë vjet.

Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës por veprojnë me personel ndërkombëtar në Hagë të Holandës./KosovaPress/

Yesterday — 8 February 2026Main stream

Aksident në Unazën Lindore, paralizohet qarkullimi nga Shkoza në Fresk

By: Fax Web
8 February 2026 at 19:37

Një aksident rrugor është regjistruar mbrëmjen e sotme në Unazën Lindore të Tiranës, në segmentin nga Shkoza drejt Freskut, duke shkaktuar trafik të rënduar në zonë.

Sipas informacioneve paraprake, përplasja ka ndodhur në një prej akseve më të frekuentuara të kryeqytetit, ndërsa si pasojë qarkullimi i automjeteve është ngadalësuar ndjeshëm, me radhë të gjata mjetesh të bllokuara.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Policisë Rrugore, të cilat po punojnë për normalizimin e trafikut dhe sqarimin e rrethanave të aksidentit. Ende nuk ka të dhëna zyrtare për persona të lënduar.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të shmangin këtë segment dhe të përdorin rrugë alternative deri në përmirësimin e situatës.

Ilir Proda: Vlerësoj Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë për operacionet kundër trafikut të armëve

By: Fax Web
8 February 2026 at 15:20

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, shprehu vlerësimin e veçantë për Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për operacionet e njëpasnjëshme, profesionale dhe të suksesshme që po zhvillon në goditjen e trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova drejt Shqipërisë, si dhe të veprimtarisë kriminale të shitjes dhe mbajtjes së tyre pa leje në territorin e Tiranës.

“Vlerësim dhe mirënjohje të veçantë për Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për finalizimin e operacionit të radhës, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme dhe të suksesshme të zhvilluara për goditjen e trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova drejt Shqipërisë, si dhe të veprimtarisë kriminale të shitjes apo mbajtjes pa leje të armëve në Tiranë.

Operacioni “Barriera”, si dhe operacionet dhe goditjet e realizuara përgjatë vitit 2025 dhe në fillim të këtij viti, janë dëshmi e një pune të mirorganizuar, profesionale, hetimore dhe operacionale, e strukturave të DVP Tiranë.

Gjithashtu, konfirmojnë marrëdhënie shumë të mira bashkëpunimi ndërinstitucional, veçanërisht me Prokurorinë e Tiranës dhe partnerët ligjzbatues, si dhe bashkëpunimin shumë të mirë mes Policisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës, në funksion të parandalimit dhe goditjes së armëmbajtjes pa leje, trafikimit të lëndëve narkotike dhe çdo paligjshmërie tjetër.

Armët e zjarrit janë mjeti kryesor për kryerjen e veprave penale dhe përbëjnë një rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e qytetarëve dhe sigurinë publike. Parandalimi dhe goditja e tyre mbetet një prioritet absolut i Policisë së Shtetit, në shërbim të rendit, ligjit dhe qytetarëve.

Sjell në vëmendjen tuaj se gjatë vitit 2026, goditja pa kompromis e armëmbajtjes pa leje, trafikimit të armëve dhe çdo forme tjetër të veprimtarisë kriminale të lidhur me to, do të jetë një nga fokuset kryesore të punës së Policisë së Shtetit në të gjitha qarqet e vendit.

Ndaj ju inkurajoj që të vazhdoni punën me vendosmëri, profesionalizëm dhe përkushtim maksimal, në shërbim të ligjit dhe sigurisë së qytetarëve”

Dhunohet në Vlorë avokati Kujtim Cakrani, përfundon në spital

By: Fax Web
8 February 2026 at 14:52

Avokati Kujtim Cakrani, është dhunuar ditën e sotme në Vlorë dhe është dërguar për mjekim në spital.

Bëhet me dije se Cakrani është konfliktuar me persona të tjerë në një pikë karburanti për arsye ende të paqarta, ku dhe e kanë goditur me derën e automjetit në fytyrë.

Kujtojmë që Cakrani është mbrojtës i kreut të Partisë së Lirisë në procesin gjyqësor ndaj tij në GJKKO, me akuzën e korrupsionit, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të pasurisë.

Sakaq, nuk është zbardhur e plotë dinamika, ndërsa nuk dihet nëse ngjarja ka lidhje me ushtrimin e funksionit të tij apo jo.

Të hënën nis faza përfundimtare e gjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Hagë

By: Fax Web
8 February 2026 at 14:46

Të hënën nis faza përfundimtare e procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Prokuroria, ekipi mbrojtës dhe të pandehurit do të kenë mundësinë që për herë të fundit t’i drejtohen trupit gjykues me parashtrimet e tyre në këtë proces.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara.   Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale në Hagë, Artan Çerkini tregon se çfarë mund të dëgjohet në Speciale nga data 9 deri më 18 shkurt.

“Jemi në fazën përfundimtare sepse fjalët përfundimtare të palëve në këtë procedurë shënojnë edhe përfundimin e procedurës. Natyrisht, në fjalën përfundimtare, si prokuroria si mbrojtja do t’i përmbledh faktet dhe provat, secila për ta mbrojtur pozicionin e vet. Fillimisht do të startojë prokuroria, pastaj mbrojtja. Ekziston një aktvendim i gjykatës ku në mënyrë të qartë përcaktohen edhe detajet. Në atë aktvendim thuhet se prokuroria do t’i ketë tetë orë, ndërsa secili ekip mbrojtës nga katër orë e gjysmë. Edhe të pandehurit do t’i kenë nga 20 minuta për t’i drejtuar gjykatës. Pas përfundimit të fjalëve përfundimtare trupi gjykues do të tërhiqet për vendimmarrje. Trupi gjykues sipas vendimmarrjes i ka tre muaj që të marrë vendim, mirëpo nëse trupi gjykues e vlerëson se i duhet më shumë kohë, trupi gjykues mund të kërkojë nga kryetarja e gjykatës që afati për marrjen e vendimit të vazhdohet”, ka thënë Çerkini.

Blendina Veliçi, e cila është monitoruese në Institutin e Kosovës për Drejtësi, thotë se ky proces ka qenë i stërzgjatur.

“Ky rast është zgjatur tej mase, e kemi thënë edhe ne si IKD që edhe paraburgimi ndaj tyre për pesë vite ka qenë i paarsyeshëm sepse ata vet u janë dorëzuar drejtësisë. Megjithatë mund të themi se në këtë rast janë administruar një numër i madh i provave, janë dëgjuar një numër i madh i dëshmitarëve. Megjithatë, ne presim që trupi gjykues të bëjë vlerësimin e duhur të secilës provë dhe të secilit dëshmitar, në mënyrë që të reflektohet pastaj edhe në vendimin final”, shprehet ajo.

Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë, ndërkohë që në Prishtinë në 17 shkurt pritet të mbahet një protestë në mbështetje të tyre.

❌
❌