Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 February 2026Main stream

Tragjike në Itali/ Mediat fqinje: Shuhet familja me katër anëtarë, dyshohet me origjinë shqiptare

5 February 2026 at 07:58

Katër anëtarë të një familjeje, që dyshohet të jetë me origjinë shqiptare, humbën jetën nga helmimi me monoksid karboni në banesën e tyre në Rughi, të Italisë.

Mediat italiane shkruajnë se tragjedia ndodhi mbrëmjen e së mërkurës.

Sipas raportimeve, viktimat janë prindërit 48 dhe 43 vjeç, si dhe dy fëmijët e tyre, 22 dhe 15 vjeç, por emrat e tyre nuk janë bërë publike. Alarmi u dha nga një familjar, i cili nuk po arrinte të kontaktonte me ta.

Po ashtu një person i pestë u transportua për ndihmë në spital.

Shërbimet e emergjencës ndërhynë menjëherë, por për katër personat u konstatua vdekja. Autoritetet italiane po hetojnë për të zbardhur shkaqet e plota të ngjarjes tragjike.

 

Travel And Tour World: Shqipëria, mes thesareve të fshehura të Europës për turizëm të qetë

5 February 2026 at 07:30

Shqipëria po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një nga destinacionet më tërheqëse të Europës për turistët që kërkojnë qetësi, autenticitet dhe përvoja reale, larg kaosit të turizmit masiv.

Shumë media ndërkombëtare e kanë përfshirë Shqipërinë në listën e ashtuquajturve “thesare europiane të fshehura”, vende që ofrojnë pushime të qeta, natyrë të paprekur dhe trashëgimi kulturore të pasur.

Në këtë listë, Shqipëria renditet përkrah vendeve si Luksemburgu, Mali i Zi, Lituania, Estonia, Letonia, Lihtenshtajni, destinacione që po tërheqin gjithnjë e më shumë udhëtarë që preferojnë eksperienca cilësore dhe jo masa turistësh.

Riviera Shqiptare dhe trashëgimia kulturore, pika të forta të turizmit

Artikulli vë theks të veçantë te Riviera Shqiptare, e cilësuar si një nga zonat bregdetare më të bukura dhe ende relativisht të paeksploruara të Mesdheut.

Plazhet me ujëra të kristaltë, fshatrat bregdetare dhe mungesa e mbipopullimit e bëjnë këtë zonë veçanërisht tërheqëse për turistët që kërkojnë relaks dhe privatësi.

Po ashtu, përmenden qytetet historike Berati dhe Gjirokastra, të mbrojtura nga UNESCO, të cilat ofrojnë një përzierje unike historie, arkitekture tradicionale dhe jete lokale autentike.

Sipas medias ndërkombëtare, këto qytete lejojnë vizitorët të përjetojnë kulturën shqiptare pa presionin e turizmit masiv që karakterizon shumë destinacione të tjera europiane.

Natyrë, male dhe aventura të qeta

Në artikull theksohet edhe potenciali i madh i Shqipërisë veriore, me peizazhe malore, parqe kombëtare dhe shtigje ecjeje që ofrojnë mundësi ideale për turizëm natyror dhe aventurë të qëndrueshme.

Zona të tilla si Alpet Shqiptare konsiderohen si destinacione perfekte për ata që kërkojnë kontakt të drejtpërdrejtë me natyrën dhe një ritëm më të ngadaltë udhëtimi.

Rritje turistike, por ende larg mbingarkesës

Sipas të dhënave të cituara nga Travel And Tour World, Shqipëria ka shënuar një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve vitet e fundit, duke regjistruar miliona netë qëndrimi nga turistë të huaj.

Megjithatë, krahasuar me destinacione si Spanja, Italia apo Franca, vendi mbetet ende larg mbipopullimit turistik, duke ruajtur avantazhin e qetësisë dhe autenticitetit.

Shqipëria, alternativë e re europiane

Media ndërkombëtare e cilëson Shqipërinë si një alternativë serioze ndaj destinacioneve tradicionale europiane, falë kombinimit të natyrës së bukur, trashëgimisë kulturore, mikpritjes dhe çmimeve konkurruese.

Për shumë udhëtarë, Shqipëria po shndërrohet në zgjedhjen ideale për pushime më të balancuara, më njerëzore dhe më pak stresuese.

Ky vlerësim ndërkombëtar konfirmon se Shqipëria nuk është më thjesht një destinacion në zhvillim, por një vend që po fiton identitet të qartë në hartën turistike të Europës, veçanërisht për ata që kërkojnë qetësi, cilësi dhe përvoja autentike.

Parashikimi i motit/ Si do vijojnë temperaturat përgjatë ditës

5 February 2026 at 07:20

Ditën e enjte vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me intervale afatshkurtra të herëpashershme me kthjellime dhe alternime vranësirash mesatare deri të dendura, të cilat do të shoqërohen me reshje të herëpashershme shiu me intensitet të ulët ndërsa lokalisht mesatar në formë shtrëngatash në zonën perëndimore.

Në relievet e larta malore në verilindje-juglindje të vendit reshje bore me intensitet të ulët.

Era do të fryjë me drejtim kryesor juglindje-jugperëndim me shpejtësi mesatare 7m/s, ndërsa në male, lugina e bregdet era pritet të arrijë shpejtësi 15m/s.

Valëzimi në det i forcës 2-4 ballë.

Horoskopi, çfarë parashikojnë yjet për ju

5 February 2026 at 07:10

Dashi

E enjtja do të jetë mjaft pozitive, ku Venusi do të ketë ndikim tranzit dhe do e bëjë dashurinë mjaft të favorizuar. Ky është momenti i duhur për të shprehur idetë dhe projektet tuaja. Në punë do të ketë mundësi të shumta, por kjo gjë do ju tensionojë.

Demi

Në dashuri do të ketë momente tensioni. Kujdes duhet të tregoni me të lindurit e shenjës së luanit dhe ujorit, ku mund të hasni në probleme. Yjet do të jenë mjaft të favorshme në punë, ku do të ketë mundësi rikuperimi dhe rimarrje në dorë të situatës.

Binjakët

Mundohuni që të gjeni një moment për tu relaksuar. Dashuria do të jetë mjaft pozitive, ku do të keni mundësi që të bëni projekte premtuese. Kujdes duhet të tregoni me punën, dhe mos lejoni që problemet e saj të ndikojnë në sferat e tjera të jetës tuaj.

Gaforrja

Dashuria do të jetë mjaft e favorshme. Ky është momenti i duhur si për dashuritë e reja, edhe për rikuperimin e një raporti. Në punë duhet të ruani qetësinë para se të merrni disa vendime.

Luani

Qielli favorizon dashurinë. Një histori do të ketë mundësi që të rikuperohet, ashtu sikundër mund të lindë një lidhje e re. Situata do të jetë mjaft e favorshme edhe në punë.

Virgjëresha

Prilli ishte një muaj mjaft i veçantë, ku mund ta keni gjetur veten në situata të dyjëzuara. Në dashuri duhet treguar kujdes, pasi mund të përfshiheni në dy histori njëkohësisht. Në punë do ju duhet të merrni vendime.

Peshorja

Nëse nuk i duroni dot më disa persona, mund të ndryshoni sjellje ose të jeni më pak të sjellshëm. Në dashuri ndiheni të qetë, pasi keni arritur në disa përfundime. Në punë mund të ketë zhvillime premtuese.

Akrepi

Mund të jeni përballur me probleme në çift kohëve të fundit, por tashmë do të ketë mundësi për përmirësim. Kujdes duhet treguar me financat, në mënyrë që të mos shpenzoni shumë gjatë kësaj periudhe. Po ashtu mund të përballeni me lodhje, ndaj duhet të gjeni një moment për tu relaksuar.

Shigjetari

Ky është momenti ideal për të zgjeruar rrethin miqësor dhe kontaktet, duke pasur njohje të reja, shkruan noa.al. Mërkuri do të ketë ndikim të favorshëm në financa. Edhe në punë, do të arrini që të fitoni diçka më shumë.

Bricjapi

E enjtja do të jetë nën ritmin e duhur. Në dashuri gjërat do të ecin më mirë, por ju nuk do të jeni të qetë me veten. Mundohuni që të mos mendoni për gjëra që kanë ndodhur shumë kohë më parë dhe fokusohuni tek e tashmja. Në punë duhet qetësi, ndaj shmangni problemet. Do të keni dëshirë për ndryshim.

Ujori

Dashuria do të jetë mjaft e favorizuar pasi Venusi do të jetë në anën tuaj. Në punë, diçka do të lëvizë dhe më në fund do të merrni atë që dëshironi. Disa gjëra kanë nevojë për ndryshim radikal.

Peshqit

E enjtja do të jetë e mbushur me nervozizëm dhe dyshime. Në dashuri gjërat vijojnë që të jenë tejet të komplikuara, ndaj mundohuni që të ruani qetësinë dhe të mos bëni asgjë të nxituar. Puna do të ecë më së mirë, ku problemet e lindura së fundmi mund të zgjidhen.

Yesterday — 4 February 2026Main stream

“Janë toksike”, Prokuroria e Durrësit për mbetjet e “Kurum”: Rrezik për shëndetin e njeriut dhe mjedisin

4 February 2026 at 14:19

Prokuroria e Durrësit, ka dhënë detaje mbi mbetjet e kompanisë “Kurum”, të cilat u sekuestruan një vit më parë.

Sipas prokurorisë, ekspertimi provoi se mbetjet në anijen “Moliva” janë toksike dhe të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe mjedisit.

“Në mostrat e marra nga kontenierët e sekuestruar, shoqëria Kurum International sh.a. dhe Alliance Resource, konstatohet prania e elementëve (dhe përbërjeve të tyre) që përbëjnë rrezik për shëndetin e njeriut dhe mjedisin, që lidhen me rrezikun e toksicitetit për riprodhimin dhe ekotoksicitet, veçanërisht ndaj ekosistemeve ujore. Në përputhje me legjislacionin europian dhe kombëtar materiali duhet t’i nënshtrohet rikuperimit të kontrolluar, stabilizimit dhe trajtimit të përshtatashëm përpara depozitimit përfundimtar”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Durrësit ka lëshuar 33 masa sigurie, ku 20 prej tyre janë ekzekutuar.

Njoftimi i policisë: 

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, informon opinionin publik se, ka kryer dhe vijon të kryejë veprime hetimore në kuadër të procedimit penal Nr.1596 viti 2024, të regjistruar për veprat penale: ‘Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”, “Falsifikimi i dokumentave”, “Transportimi i mbetjeve”, “Menaxhimi i mbetjeve”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 171-25, 175-25, 186/2, 201/a-25, 201/b-25, 248 dhe 287/2 të Kodit Penal.

Hetimet për këtë procedim penal, nisën pas marrjes së njoftimit nga Drejtoria e Hetimit Doganor, e cila ishte njoftuar në datë 25.07.2024 nga OLAF (European Anti-Fraud Office-European Commission) për një ngarkesë se dyshohej që mund të transportonte mbetje nga Shqipëria në Tajlandë. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe OLAF bashkëpunuan për identifikimin dhe verifikimin e ngarkesës, ku u evidentua eksportimi i sasisë prej 2.816.300 kg nga subjekti Sokolaj sh.p.k. Kjo sasi, e ngarkuar në 102 kontenierë u kthye në Portin e Durrësit në datë 28.10.2024 me anijen Moliva XA443A, pasi ishte refuzuar nga autoritetet e Tajlandës.

Në datë 08.11.2024, u krye sekuestrimi në cilësinë e provës materiale të 102 kontenierëve, të cilët iu lënë në ruajtje dhe administrim Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara dhe aktualisht ndodhen në Porto Romano, Durrës, në kushte të sigurisë mjedisore dhe fizike. Gjatë procesit të sekuestrimit, kontenierët iu nënështruan edhe testit për radioaktivitet, ku nga skanimi nuk u konstatua prani e lëndës radioaktive GAMA apo NEUTRON.

Me qëllim marrjen e mostrave për ekspertim dhe kryerjen e analizave laboratorike, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit Durrës, i është drejtuar të gjitha ministrive dhe institucioneve brenda territorit shqiptar. Nga përgjigjet e administruara nuk rezultoi asnjë institucion, laborator apo ent që të kishte infrastrukturën dhe mjetet e nevojshme për kryerjen e procesit të marrjes së mostrave dhe analizimit të tyre.

Në vijim, në bashkëpunim edhe me autoritetet italiane projektit EU4LEA dhe ekspertëve italianë të sigurisë, u identifikua dhe verifikua një laborator në Itali i cili kreu të gjitha testimet laboratorike, si dhe u angazhuan dy shoqëri shqiptare dhe një ekspert shqiptar i fushës, të cilët plotësonin kriteret e përgjithshme dhe specifike që duhet të plotësohen sipas protokolleve ndërkombëtare, për rastet kur duhet të merren, transportohen, ruhen dhe testohen mostra potencialisht të rrezikshme.

Mostrat e marra nga 102 kontenierët e sekuestruar dhe mostrat e marra nga: Shoqëria Kurum International sh.a.; Sokolaj sh.p.k. dhe Alliance Resource sh.p.k., ju nënshtruan ekspertimit për përbërjen e tyre kimike, karakteristikat fizike, klasifikimin, përputhjen midis tyre, përputhjen me fletët e analizave të paraqitura nga subjektet për eksportin e tyre dhe rrezikshmërinë në shëndetin e njeriut dhe në mjedis.

Nga akti i ekspertimit rezultoi se, materiali i analizuar, është pluhur i grumbulluar nga sistemet e filtrimit të gazrave të furrës elektrike të çelikut (Electric Arc Furnace – EAF), proces i cili përfshihet qartësisht në fushëveprimin e nënkapitullit 10 02 të EWC. Bazuar në përbërjen kimike të materialit dhe në aktivizimin e vetive të rrezikut HP10 dhe HP14, në perputhje me Annex III të Direktives 2008/98/EC (Waste Framework Directive) dhe rregulloret përkatëse zbatuese, kodi përkatës brenda këtij nënkapitulli duhet të jetë ai i shënuar si mbetje e rrezikshme me kod sipas katalogut te mbetjeve 10 02 07*.

Në mostrat e marra nga kontenierët e sekuestruar, shoqëria Kurum International sh.a. dhe Alliance Resource, konstatohet prania e elementëve (dhe përbërjeve të tyre) që përbëjnë rrezik për shëndetin e njeriut dhe mjedisin, që lidhen me rrezikun e toksicitetit për riprodhimin dhe ekotoksicitet, veçanërisht ndaj ekosistemeve ujore. Në përputhje me legjislacionin europian dhe kombëtar materiali duhet t’i nënshtrohet rikuperimit të kontrolluar, stabilizimit dhe trajtimit të përshtatashëm përpara depozitimit përfundimtar.

Nga analizimi i kontratave të lidhura midis subjekteve, dokumentacionit financiar të administruar nga subjektet dhe drejtoritë tatimore, regjistrave mjedisorë dhe dokumentacionit të administruar nga AKM, EMS, Autoriteti Portual dhe Dega e Doganës Durrës, si dhe rezultatet e ekspertimit, provohet në mënyrë të arsyshme se prodhuesi i mbetjeve të rrezikshme Kurum International sh.a. në dijeni të plotë të ndalimeve ligjore kombëtare (ligjit nr.10 463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” i ndryshuar dhe akteve nënligjore) dhe ndërkombëtare (ligjit nr.8216, datë 13.5.1997 “Për aderimin e Republikes se Shqipërisë në Konventen e Bazelit per kontrollin e levizjeve nderkufitare të mbetjeve të rrezikshme dhe asgjesimin e tyre”, Kodit Doganor etj.), ka kryer një sërë veprimesh në bashkëpunim me subjekte të tjera, për të mbuluar natyrën e vërtetë të mbetjeve dhe për t’i eksportuar jashtë Shqipërisë dhe për t’i tregtuar ato brenda territorit shqiptar.

Pas administrimtit të aktit të ekspertimit ku provohet se mbetjet janë të rrezikshme dhe toksike, Prokuroria Durrës, krijoi bindjen e plotë se jemi përpara jo thjesht një fakti penal, por një zinxhiri veprimesh të kundërligjshme që sjellin pasoja të rënda në disa drejtime si në mjedis, shëndet, veprimtarinë doganore, veprimtarinë e autoriteteve për sigurinë dhe cilësinë në mjedis, si dhe veprimtarinë e ndershme dhe konkurruese ekononomike.

Për të garanatuar efikasitetin e procedimit dhe vërtetësinë e provave, për të shmangur largimin e personave nën hetim, si dhe për të shmangur kryerje të mëtejshme të këtyre veprave penale, si dhe për të zbuluar të gjitha shkeljet që janë kryer në mundësimin e eksportimit apo fshehjes së sasisë reale të mbetjeve që krijon shoqëria Kurum International sh.a., Prokuroria Durrës kërkoi në gjykatë caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues për shtetasit.

Deri më sot janë ekzekutuar masat e sigurimit për 20 shtetas dhe vijon puna për kapjen e 13 shtetasve të tjerë.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës mbetet e angazhuar në zbardhjen e plotë të rrethanave të çështjes, evidentimin dhe provimin e  përgjegjësisë penale për çdo subjekt privat dhe shtetëror të përfshirë në këtë veprimtari, duke garantuar se çdo veprim po kryhet në përputhje me ligjin,  në mbrojtje të intersit

Musk e cilëson “sulm politik” bastisjen në zyrat e platformës X

4 February 2026 at 13:55

Miliarderi amerikan i teknologjisë, Elon Musk, e ka përshkruar si një “sulm politik” kontrollin që u krye të martën nga autoritetet franceze në zyrat e platformës së tij të mediave sociale X në Paris.

Musk e bëri këtë vërejtje në përgjigje të një deklarate nga Çështjet e Qeverisë Globale të X, e cila tha se kontrolli u krye “në lidhje me një hetim penal të politizuar për manipulim të dyshuar të algoritmeve dhe nxjerrje të supozuar mashtruese të të dhënave”.

“Jemi të zhgënjyer nga ky zhvillim, por nuk jemi të befasuar”, tha deklarata.

Ajo shtoi se Zyra e Prokurorit Publik të Parisit “po përpiqet qartë të ushtrojë presion” mbi menaxhmentin e lartë të X në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke “shënjestruar entitetin dhe punonjësit tanë francezë, të cilët nuk janë në fokus të këtij hetimi”.

Më parë, njësia e krimit kibernetik e prokurorit të Parisit njoftoi se kishte kryer një kontroll në ambientet franceze të platformës X si pjesë e një hetimi në vazhdim.

Hetimi, i hapur në janar 2025, përqendrohet në operacionet algoritmike të platformës./abcnews.al

Tërmet i fortë në Zelandën e Re

4 February 2026 at 13:45

Një tërmet i fortë me magnitudë 6,1 ballë goditi Zelandën e Re verilindore të mërkurën, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS).

Tërmeti ndodhi pranë Ishujve Kermadec dhe e kishte origjinën nga një thellësi prej 184,2 kilometrash, tha USGS.

Nuk pati raportime të menjëhershme për dëme në kohën e publikimit.

Ndërkohë, Qendra Gjermane e Kërkimeve për Gjeoshkencat fillimisht e mati magnitudën e tërmetit si 6,2, përpara se ta zvogëlonte atë në 6,1.

Japoni, 35 të vdekur nga reshjet e dendura të borës dhe moti i keq

4 February 2026 at 12:48

Reshjet e dendura të borës në Japoninë veriore kanë lënë të paktën 35 persona të vdekur dhe mbi 350 të tjerë të lënduar.

Prefektura Niigata ka regjistruar numrin më të lartë të viktimave me 12 të vdekur, e ndjekur nga Akita me shtatë dhe Yamagata me pesë.

Hokkaido dhe Aomori kanë raportuar nga katër viktima secila, ndërsa edhe Iwate ka konfirmuar katër të vdekur.

Nagano dhe Shimane kanë raportuar nga një viktimë secila.

Autoritetet thonë se shumica e vdekjeve janë shkaktuar nga rrëshqitjet e dheut dhe aksidentet e lidhura me borën.

EMRI/ Në kërkim për drogë, ekstradohet drejt Italisë 35-vjeçari

4 February 2026 at 10:57

Akuzohet në Itali, si pjesëtar i një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike, kapet në Tiranë dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 35-vjeçari.

Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me ato të Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, bazuar në informacionet e shkëmbyera me Interpol Tiranën, për vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht, kanë lokalizuar në rrugën “Dritan Hoxha” dhe kanë arrestuar provizorisht, me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasin:

-Armando Suçi 35 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata Penale e Peruxhias, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Interpol Tirana vijon veprimet procedurale, në bashkëpunim me Interpol Romën, për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali.

Energjia dhe armët, fokusi i vizitës së Merz në vendet e Gjirit Persik

4 February 2026 at 10:49

Kancelari gjerman Friedrich Merz niset sot për vizitën e tij të parë në rajonin e pasur dhe strategjikisht të rëndësishëm të Gjirit. Ndalesa e parë do të jetë Arabia Saudite, e ndjekur nga Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Kancelari Merz synon të intensifikojë partneritetet me vendet prodhuese të naftës dhe gazit, me pritshmëri që bashkëpunimi të forcohet veçanërisht në sektorin e energjisë.

Në bisedime do të përfshihen edhe marrëveshjet për armë.

Eksportet e armëve drejt këtyre tre vendeve, të qeverisura në mënyrë autokratike, janë trajtuar me shumë kujdes nga qeveritë e mëparshme gjermane për shkak të shqetësimeve mbi të drejtat e njeriut dhe përfshirjes së tyre në konflikte rajonale.

Qeveria e Merz tani synon të zbusë këtë qasje kufizuese.

Një temë e rëndësishme do të jetë përshkallëzimi i situatës në dhe rreth Iranit.

Së fundmi janë rritur sërish shqetësimet për një luftë të re, pasi presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar vazhdimisht udhëheqjen në Teheran me sulme ushtarake, pjesërisht për shkak të veprimeve brutale të forcave shtetërore kundër demonstruesve gjatë protestave masive të fundit.

Mendohet se mijëra, në mos dhjetëra mijëra njerëz, janë vrarë.

Ushtria amerikane ka rritur ndjeshëm praninë e saj në rajon që nga fillimi i janarit, por raportimet më të fundit thonë se negociata mes përfaqësuesve amerikanë dhe iranianë pritet të zhvillohen të premten.

Macron: Franca po punon për rifillimin e dialogut me Putin

4 February 2026 at 10:07

Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se po bëhen përgatitje për të rifilluar dialogun me presidentin rus, Vladimir Putin, duke vënë në dukje se megjithatë Moska nuk po tregon një “qëllim të vërtetë” për të negociuar paqen me Ukrainën.

“Po përgatitet, dhe për këtë arsye diskutimet po zhvillohen në një nivel teknik”, u tha Macron gazetarëve gjatë një vizite në Francën verilindore, raportoi e përditshmja franceze Le Monde.

“Mendoj se do të ishte e dobishme, por nuk mendoj se Rusia është aktualisht e gatshme të përfundojë një marrëveshje paqeje (me Ukrainën) në ditët ose javët e ardhshme”, shtoi ai.

Kontakti me Kremlinin ishte i nevojshëm për të negociuar garancitë e sigurisë pas luftës, sipas Macron.

“Në këtë kontekst, është e rëndësishme që evropianët të rivendosin kanalet e tyre të diskutimit”, u citua ai nga e përditshmja franceze.

Macron nënvizoi se Franca do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën, duke thënë se sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës janë “të patolerueshme” dhe nuk tregojnë një “gatishmëri të vërtetë” për të negociuar për paqe.

Media spanjolle: Riviera Shqiptare, destinacioni kryesor për vitin 2026

4 February 2026 at 09:40

Harrojini destinacionet e njohura turistike! Këtë vit, ne ju rekomandojmë vende ku do të zbuloni luksin e autenticitetit, qetësinë aziatike, dizajnin portugez dhe kryeqytetin e paparashikueshëm kulturor shqiptar, shkruan Gabriel Echeverría në një artikull të botuar në median spanjolle “The Officer”.

Nëse janari ishte muaji i premtimeve, shkurti duhet të jetë muaji i planifikimit të pushimeve tuaja!

Kjo, pasi udhëtimet në vitin 2026 nuk duhet t’i kushtohen destinacioneve klasike ku të gjithë turistët shkojnë për të bërë të njëjtën foto – por, zbulimit të “luksit të qetë” që nuk mund të blihet me para, por me kuriozitet!

Duke kombinuar të dhënat e trendit global me axhendën tonë editoriale, ne kemi zgjedhur destinacionet më të mira për t’u vizituar për pushime në vitin 2026 – vende ku është ende e mundur të ndihesh si udhëtar, dhe jo si turist!

Eksperiencë e zgjuar: Riviera Shqiptare

Nëse hapni Instagram-in ose TikTok-un, imazhet e bregdetit shqiptar shfaqen kudo!

Shqipëria është shndërruar nga një destinacion sekret në një obsesion evropian. Dhe kjo është kuptimplote!

Vija bregdetare shqiptare është e ngjashme me ujërat bruz të Greqisë dhe Italisë, por shërbimet ofrohen me gjysmën e çmimit dhe ka më pak turma vizitorësh, të paktën për momentin!

Pikat e nxehta si Ksamili ose Dhërmiu ofrojnë pushime verore mesdhetare të viteve ’90: natyrë e egër dhe e thjeshtë.

Udhëtoni drejt Tiranës, kryeqytetit të gjallë dhe kulturor që të surprizon, dhe më pas vizitoni jugun e Shqipërisë!

Qëndroni në hotele me pamje nga deti Jon dhe shijoni prodhimet e freskëta të detit.

Nxitoni, pasi deri në vitin 2027 – e gjithë kjo mund të ndryshojë!

Mos prisni deri në gusht. Trendet e vitit 2026 favorizojnë turistët që udhëtojnë gjatë sezoneve maj-qershor ose shtator-tetor.

Mot i ngrohtë, shërbim më i mirë dhe ndjesi e paçmuar e të pasurit qytetin tërësisht për veten tuaj!

Revista spanjolle “The Officer” ka renditur destinacionet më të mira për t’u vizituar për pushime në vitin 2026:

1. Eksperiencë e zgjuar: Riviera Shqiptare, Shqipëri

2. Shteti Zen: Shtegu Okinawa, Japoni

3. Parajsa e Dizajnit: Alentejo, Portugali/abcnews.al

“E papranueshme”, Rama për gjyqtarët: Në Kushtetuese po kërkoni rritje pagash për ata që u larguan nga vettingu

4 February 2026 at 08:51

TIRANË– Kryeministri i vendit, Edi Rama ka kritikuar sërish kërkesën e gjyqtarëve lidhur me çështjen e rritjes së pagave.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se Shoqata e Gjyqtarëve ka kërkuar rritje pagash edhe për gjyqtarët, të cilët janë larguar nga sistemi i drejtësisë përmes procesit të vettingut, për shkak të pasurive të pajustifikuara.

Kreu i qeverisë kritikoi gjithashtu gjuhën e përdorur nga përfaqësuesit e gjyqtarëve, duke theksuar se roli i tyre është të garantojnë drejtësinë dhe barazinë, e jo të përfshihen në përplasje politike.

“Ju keni shkuar në Gjykatën Kushtetuese për t’ju rritur pagën atyre që i hoqi vettingu, sepse nuk ishin të denjë për sistemin e drejtësisë. Vettingu i hoqi, sepse kishin pasuri të pajustifikuara.

Ju jeni atje lart për të dhënë drejtësisë dhe për të garantuar barazia, jo për të zbritur këtu poshtë ku jemi në të tjerët, që përditë jemi në beteja të tilla dhe për t’ju futur edhe ju në këtë përleshje dhe më gjuhë të papranueshme, me një gjuhë që shkel çdo etikë të  gjykatësve”, tha ai./abcnews.al

Pagat e gjyqtarëve/ Rama për reagimin e Shoqatës së Gjyqtarëve: U shfaqën si parti politike, me gjuhë të papranueshme

4 February 2026 at 08:42

Kryeministri Edi Rama:

“Jam këtu sepse jam në komunikim të drejtpërdrejtë, jam absolutisht i surprizuar, nga një reagim i pabesueshëm i Shoqatës së Gjyqtarëve lidhur me shqetësimin e ngritur nga unë, një përpjekje e pajustifikueshme, e papranueshme, e pagëlltitshme për t’iu imponuar parlamentit dhe qeverisë, përmes pushtetit gjyqësor, për t’i rritur pagat vetes dhe gjyqtarëve, me gjyq. Këtë shqetësim e kam ngritur si palë, për të mbrojtur interesin e vet, në këtë rast, në gjykatë, pra në emër të pushtetit ekzekutiv. Është hera e dytë që ndodh, që ka një habi, shoqëruar me një përpjekje për të më mbyllur gojën, kur po flas për çka përfaqësoj në emër të shqiptarëve, për një interes që jemi në gjyq. Jemi palë dhe shoqata e gjyqtarëve shfaqet si parti politike me një gjuhë të papranueshme dhe pajustifikueshme për ata që përfaqësojnë pushtetin gjyqësor”, theksoi Rama.

Pagat e gjyqtarëve/ Rama: Po kërkoni 37 milionë euro nga buxheti i shtetit, doni të jeni vetë ligji

4 February 2026 at 08:38

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ashpër ndaj gjyqtarëve lidhur me çështjen e rritjes së pagave. Në një komunikim për mediat, kreu i qeverisë u shpreh i habitur nga reagimi i Shoqatës së Gjyqtarëve, duke e cilësuar kërkesën e saj si të paprecedentë.

Sipas Ramës, një kërkesë e tillë është unike në historinë e Europës, ndërsa shtoi se qëndrimi i shoqatës bie ndesh me realitetin ekonomik dhe parimet e drejtësisë sociale.

“Jam absolutisht i surprizuar nga një reagim i pabesueshëm i Shoqatës së Gjyqtarëve në lidhje me shqetësimin për një përpjekje që në këndvështrimin tim është e pa pranueshme për t’ju imponuar Kuvendit e qeverisë përmes pushtetit gjyqësor dhe për t’i rritur pagat vetes gjyqtarët.
S’mund të thuash topi është i imi, topin do ta gjuaj vetë dhe porta duhet të jetë bosh. Tymnajë populiste. Regjistrohuni si parti dhe shpalosni platformën tuaj nëse doni.Me këtë tentativë në Gjykatën Kushtetuese, doni të jeni ligin. Kjo është e vërteta, Ju kërkoni 37 milionë euro nga buxheti i shtetit. Ju keni ti rrisin pagat vetes me gjyq.

Se për çfarë jemi ne në Gjykatën Kushtetuese me ju, ta dinë shqiptarët. Ju kërkoni që për gjyqtarin e Apelit, nga 3480 euro, të shkojë në mbi 5 mijë. Për SPAK e veçoj, se nuk i është bashkuar kësaj kërkese absurde, për ta çuar pagën 9800 euro. Ndërkohë, sot aktualisht, pagat e gjyqtarëve, janë rreth 6500 euro. Ju doni t’i rrisni pagat në muaj 3 mijë euro vetes, në gjykata. Ku jeni ju? Ça kërkoni?

Ju i keni pagat sa në Greqi, ju doni ti rrisni me nga 2-3 mijë euro në muaj. Në emër të çfarë? Nuk ka ligj dhe kushtetutës. Ju thoni se nuk mund të heshtni për përbaltjen kryeministrore? Çfarë përmbajtje? Ju jeni ajo palë që duhet të heshtë në publik dhe të japë vendim në sallën e gjyqit. Ju me këtë tentativë në Gjykatën Kushtetuese, doni të jeni ligji. Kjo është e vërteta. Nuk synon qëndrimi im të ndezë një debat në publik.”, tha mes të tjerash ai.

Rama ndan pamjet: Punimet për argjinaturën në Karavasta drejt përfundimit

4 February 2026 at 08:24

Punimet për ndërtimin e argjinaturës në zonën e Karavastasë po shkojnë  drejt fundit, duke siguruar mbrojtjen e tokave bujqësore të Bedatit nga ujërat e Adriatikut.

Lajmin e dha kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale. Ai thekson se kjo ndërhyrje garanton gjithashtu funksionimin normal të sistemit të kullimit drejt hidrovorit.

Sipas Ramës, puna do të vijojë me rikonstruksionin e plotë të infrastrukturës, duke ofruar zgjidhje të qëndrueshme në shërbim të fermerëve të zonës.

“Mirëmëngjes dhe me përfundimin e punimeve për argjinaturën në Karavasta, që mbron tokat bujqësore të Bedatit nga ujërat e Adriatikut dhe garanton funksionimin e sistemit të kullimit drejt Hidrovorit, ndërsa vijon puna për rikonstruksionin e plotë me zgjidhje të qëndrueshme në shërbim të fermerëve, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në “Facebook”/abcnews.al

Francë, një 14-vjeçar godet me thikë mësuesen

4 February 2026 at 08:14

Një nxënës në Francën jugore sulmoi një mësuese me thikë në një klasë, duke e plagosur rëndë, thanë prokurorët sot. 14-vjeçari e goditi mësuesen tre deri në katër herë me thikë, duke i shkaktuar lëndime në pjesën e sipërme të trupit, tha prokurori i shtetit Raphaël Balland. Incidenti ndodhi në qytetin Sanary-sur-Mer.

Stafi i shkollës e uli djalin në oborrin e shkollës, pas së cilës ai u mor në paraburgim nga policia. Ai po hetohet nën dyshimin për tentativë vrasjeje. Nuk ka prova për një motiv fetar ose politik në këtë kohë, tha Balland. Dihet vetëm se kohët e fundit ka pasur tension me mësuesen dhe se nxënësi me sa duket është mërzitur që ajo e ka denoncuar atë.

Adoleshenti nuk kishte pasur më parë sjellje të dhunshme apo aktivitet kriminal, shtoi Balland. Megjithatë, thuhet se kishte tensione brenda familjes së tij. Në kohën e sulmit kishte 22 nxënës në klasë, por askush tjetër nuk u lëndua.

Ministri francez i Arsimit, Éduard Geffray, njoftoi se do të shkonte menjëherë në vendngjarje dhe, ashtu si Ministri i Brendshëm Laurent Nuñez, shprehu ngushëllimet e tij për të prekurit.

Stacioni televiziv RTL raportoi se gruaja e sulmuar ishte një mësuese arti 60-vjeçare. Ajo u shtrua në spital me lëndime kërcënuese për jetën.

Sipas Le Parisien, 14-vjeçarja fillimisht e kërcënoi mësuesen përpara se ta godiste dy herë në stomak dhe një herë në krah. Franca futi kontrollet e çantave në hyrjet e shkollave rreth një vit më parë pas një serie sulmesh me thikë brenda dhe përreth shkollave.

❌
❌