Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 February 2026Main stream

Meloni dënon dhunën në Milano: “Armiqtë e Italisë po dëmtojnë imazhin e vendit”

8 February 2026 at 01:20

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ – Kryeministrja italiane Giorgia Meloni reagoi ashpër pas tensioneve dhe përplasjeve të dhunshme që ndodhën në Milano gjatë protestës kundër Olimpiadës Milano-Cortina 2026.

Meloni dënoi aktet e vandalizmit dhe sulmet ndaj forcave të rendit, duke theksuar se ndërsa “mijëra italianë po punojnë pa u lodhur që vendi të përfaqësohet denjësisht”, një grup i vogël po tenton “ti bëjë dëm imazhit të Italisë”.

Sipas saj, “mijëra e mijëra italianë në këto orë po punojnë që gjithçka të funksionojë gjatë Lojërave Olimpike. Shumë prej tyre janë vullnetarë, sepse duan që kombi i tyre të njihet, të admirohet dhe të respektohet”. Ajo shtoi “pastaj ka të tjerë, armiqtë e Italisë dhe italianëve, që protestojnë ‘kundër Olimpiadës’, duke bërë që këto pamje të transmetohen në televizionet e gjysmës së botës”.

Kryeministrja nënvizoi gjithashtu se këto protesta vijnë pasi persona të tjerë “prenë kabllot e hekurudhës për të penguar nisjen e trenave”, duke dëmtuar rëndë shërbimet dhe imazhin e vendit.

“Shpreh solidaritet të plotë ndaj forcave të rendit, qytetit të Milanos dhe të gjithë atyre që do të shohin punën e tyre të venitur nga këto banda delinkuentesh”, deklaroi Meloni.

Reagimi i saj vjen pas përplasjeve të një grupi protestuesish në zonën Corvetto, ku u hodhën shishe, petarda dhe gaz lotsjellës ndaj policisë, e cila u përgjigj me karikime dhe ujëhedhës. Pesë persona janë shoqëruar deri tani.

Foto: ANSA / (Paolo Salmoirago)

The post Meloni dënon dhunën në Milano: “Armiqtë e Italisë po dëmtojnë imazhin e vendit” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tensione dhe përplasje në Milano gjatë protestës kundër Olimpiadës Milan-Cortina 2026

8 February 2026 at 00:23

MILANO, 8 shkurt/ANSA – ATSH/ – Momente tensioni janë regjistruar sot në Milano, gjatë një proteste kundër Olimpiadës Dimërore Milano-Cortina 2026, ku një grup manifestuesish u përplas me forcat e rendit.

Sipas Agjencisë së lajmeve ANSA, një pjesë e protestuesve u shkëputën nga marshimi në zonën Corvetto dhe tentuan të hyjnë drejt Tangenziale Est, duke u përballur me policinë. Forcat e rendit ndërhynë me karikime dhe përdorim të ujëhedhësve, pasi nga grupi i manifestuesve u hodhën shishe, fishekzjarrë dhe gaz lotsjellës në drejtim të efektivëve që mbroheshin me pajisje antiprotestë.

Deri tani, pesë persona janë shoqëruar në komisariat, pas përplasjeve të ndodhura gjatë protestës kundër organizimit të Lojërave Olimpike në Milano.

(Foto: ANSA / Paolo Salmoirago)

The post Tensione dhe përplasje në Milano gjatë protestës kundër Olimpiadës Milan-Cortina 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vokalisti i grupit 3 Doors Down, Brad Arnold, ndahet nga jeta në moshën 47-vjeçare

7 February 2026 at 22:17

TIRANË, 7 shkurt/ATSH/ – Brad Arnold, vokalisti dhe anëtari themelues i grupit amerikan  3 Doors Down, është ndarë nga jeta në moshën 47-vjeçare pas një beteje me kancerin.

Sipas një deklarate të cituar nga Fox News Digital, Arnold “u shua në gjumë, i rrethuar nga njerëzit e tij të dashur, pas betejës së gjatë dhe të guximshme me kancerin”, të shtunën, më 7 shkurt.

Si vokalist, baterist i parë dhe një nga themeluesit e bandës, Arnold konsiderohet figura që i dha identitet tingullit të 3 Doors Down, duke kombinuar energjinë post-grunge me tekste të drejtpërdrejta emocionale që gjetën jehonë tek publiku i gjerë në SHBA dhe më tej.

Deklarata vlerëson veçanërisht talentin e tij të rrallë si autor këngësh, duke e cilësuar krijimtarinë e tij “një pikë referimi kulturore për një brez të tërë”. Hiti i tyre më i madh, “Kryptonite”, u shkrua nga Arnold “në orën e matematikës, kur ishte vetëm 15 vjeç”, kujtohet në njoftim. Muzika e tij, vijon deklarata, “kaloi shumë përtej skenës, duke krijuar momente lidhjeje, gëzimi, besimi dhe përjetimesh të përbashkëta që do të jetojnë gjatë, edhe pasi dritat e skenës janë fikur”.

Përtej suksesit muzikor, Arnold kujtohet si bashkëshort i përkushtuar dhe si një njeri i thjeshtë. Për miqtë dhe të afërmit, ai do të mbetet jo vetëm artisti me talent të jashtëzakonshëm, por mbi të gjitha njeriu me ngrohtësi, përulësi dhe dashuri të thellë për familjen dhe shoqërinë.

The post Vokalisti i grupit 3 Doors Down, Brad Arnold, ndahet nga jeta në moshën 47-vjeçare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 7 February 2026Main stream

Përkujtohet Nexhmije Pagarusha, “Mbretëresha e Muzikës Shqiptare”

7 February 2026 at 17:15

TIRANË, 7 shkurt/ATSH/ – Sot kujtohet figura e paharruar e këngëtares së madhe Nexhmije Pagarusha, e cila u shua më 7 shkurt 2020 në Prishtinë, duke lënë pas një trashëgimi unikale në muzikën shqiptare.

E njohur gjerësisht si “Mbretëresha e Muzikës Shqiptare”, Pagarusha mbeti një nga zërat më të veçantë, më të fuqishëm dhe më përfaqësues të skenës sonë muzikore. Me vokalin e saj karakteristik prej sopranoje, ajo arriti famë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet fqinje, duke u bërë një ikonë kulturore për breza të tërë.

E lindur në Malishevë dhe e arsimuar në shkollën e muzikës në Beograd, Pagarusha nisi rrugëtimin artistik në vitin 1948 në valët e Radio Prishtinës. Gjatë katër dekadave të karrierës së saj ajo interpretoi me finesë një gamë të gjerë zhanresh – nga kënga folklorike te ajo klasike, e deri te interpretimet operistike, duke dëshmuar një talent të rrallë dhe një profesionalizëm të pakrahasueshëm.

Ndër këngët më të dashura dhe më të vlerësuara të repertorit të saj mbetet “Baresha”, një kryevepër që u kurorëzua me çmime dhe që sot vazhdon të mbetet një simbol i identitetit muzikor shqiptar.

Koncerti i saj i fundit u mbajt në vitin 1984 në Sarajevë, por zëri dhe arti i Nexhmije Pagarushës vijojnë të ndikojnë e të frymëzojnë edhe sot, duke mbetur pjesë e pandarë e kujtesës sonë kulturore.

The post Përkujtohet Nexhmije Pagarusha, “Mbretëresha e Muzikës Shqiptare” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

United fiton 2-0 ndaj Tottenham, vijon seria perfekte

7 February 2026 at 15:55

MANCHESTER/ 7 shkurt/ATSH/ Manchester United vazhdoi formën e shkëlqyer në Premier League duke mposhtur Tottenham Hotspur 2-0, në fitoren e pestë radhazi nën drejtimin e trajnerit Michael Carrick.

United ishte dominuese që nga fillimi i ndeshjes dhe mori avantazh të dukshëm pas daljes me karton të kuq të kapitenit të Tottenham-it, Cristian Romero, para se të kalonte gjysmë ore lojë. Epërsia numerike u reflektua menjëherë në ritmin e lojës dhe krijimin e rasteve.

Bryan Mbeumo zhbllokoi sfidën para pushimit të pjesëve, duke finalizuar një aksion të organizuar të “Djajve të Kuq”. Në pjesën e dytë, Tottenham tentoi të reagojë, por Manchester United vazhdoi të kontrollojë lojën me qetësi, ndërsa në minutat e fundit kapiteni Bruno Fernandes dyfishoi rezultatin, duke vulosur triumfin.

Me këtë rezultat, Manchester United ruan ecurinë perfekte nën Carrick dhe forcon pozitat në garën për zonën europiane, ndërsa në javët në vijim e presin pesë ndeshje të rëndësishme që pritet të jenë vendimtare për objektivat sezonale.

The post United fiton 2-0 ndaj Tottenham, vijon seria perfekte appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Xhaka rikthehet te “Emirates” dhe flet për “keqkuptimin” me tifozët e Arsenalit

7 February 2026 at 15:48

LONDER, 7 shkurt/ATSH/— Mesfushori Granit Xhaka ka folur sërish për episodin e vitit 2019 me tifozët e Arsenal, një ngjarje që ai e quan “keqkuptim” dhe që, sipas tij, e ka forcuar si njeri dhe si lojtar.

Në intervistën më të fundit për “The Football Interview” të BBC Sport Xhaka u rikthye te momenti kur u fishëllye nga tifozët gjatë kohës që ishte kapiten i ekipit londinez.

“Ishte viti 2019 kur pata këtë… unë e quaj një keqkuptim… me tifozët e Arsenalit. Dy momente që më bënë më të fortë, sepse janë pjesë e procesit. Pjesë e historisë sime. Nga njëra anë shumë keq, por nga ana tjetër pata fat që ndodhi,” u shpreh ai.

Xhaka, aktualisht kapiten i Sunderland AFC është rikthyer sot në stadiumin “Emirates”, ku kaloi shtatë vite karriere, por për shkak dëmtimi ndeshjen e ndjek nga pankina.

Mesfushori shqiptar me përvojë të gjatë në Premier League theksoi se përplasja me tifozët ishte një pikë kthese, e cila e ndihmoi të rritet profesionalisht dhe personalisht.

The post Xhaka rikthehet te “Emirates” dhe flet për “keqkuptimin” me tifozët e Arsenalit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Ndihem si në shtëpi këtu“-Carrick lë të kuptohet se dëshiron të qëndrojë te Manchester United

7 February 2026 at 15:39

TIRANË, 7 shkurt/ATSH/ “I feel at home here” – Ndihem si në shtëpi këtu – ishte fraza që e bëri Michael Carrick të dukej më i hapur se kurrë për të qëndruar në krye të Manchester United edhe pas përfundimit të sezonit.

Carrick, i cili që nga 13 janari mori drejtimin e ekipit si pasues i përkohshëm i Ruben Amorim, ka shmangur deri tani çdo koment për të ardhmen e tij afatgjatë. Por për herë të parë ai dha një sinjal se e sheh veten pjesë të projektit të klubit edhe më tej.

“Asgjë s’ka ndryshuar, jam i vetëdijshëm për rolin tim dhe përgjegjësinë që kam. Ne duam të kemi sukses dhe dua që klubi të ketë sukses edhe pas fundit të sezonit – qoftë me mua, qoftë me dikë tjetër,” deklaroi ai.

“Nuk e kontrolloj dot këtë pjesë, por synimi është i njëjtë: përmirësimi i ekipit dhe forcimi i Manchester United. Rezultatet në një periudhë të shkurtër nuk mund të ndryshojnë asgjë.”

Nën drejtimin e tij, United ka regjistruar katër fitore radhazi, por Carrick mbetet i matur:

“Po e shijoj atë që po bëj. Ndihem si në shtëpi, por e kuptoj situatën dhe nuk dua të marr shumë vrull.”

Manchester United ka bërë të ditur se do të vlerësojë me kujdes të gjithë kandidatët për trajner të ri, ndërsa ekspertë të procesit i kanë thënë BBC-së se nënshkrimi me një trajner që merr pjesë në Kupën e Botës përpara turneut mbart rreziqe të mëdha, përfshirë reagime negative nga vendi përkatës.

Carrick konfirmoi gjithashtu se mesfushori danez Patrick Dorgu pritet të mungojë rreth 10 javë për shkak të një dëmtimi në tendinën e këmbës.

Ai shtoi se afrimi i Steve Holland në stafin teknik u bë edhe falë lidhjes me vëllain e tij, Graeme Carrick, i cili ka punuar në Federatën Angleze gjatë të njëjtës periudhë kur Holland po i bashkohej stafit të Gareth Southgate te Anglia U-21.

Holland, i bashkuar tashmë me Jonathan Woodgate, Jonny Evans dhe Travis Binnion, shihet si një përforcim i goditur.

“E njihja mirë përvojën e Steve dhe klikimi ishte i menjëhershëm,” tha Carrick. “Ai është rritur si tifoz i United dhe përvoja e tij në Chelsea, fitimi i trofeve me trajnerë e stile të ndryshme, është një aset i madh për ne.”

The post “Ndihem si në shtëpi këtu“-Carrick lë të kuptohet se dëshiron të qëndrojë te Manchester United appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Japoni: Sjellja e turistëve anulon festivalin e sakurës

7 February 2026 at 13:58

 

JAPONI/ 7 shkurt/ATSH/ – Autoritetet lokale në qytetin e Fujiyoshidës, Japoni, kanë njoftuar anulimin e festivalit të njohur të lulëzimit të qershive pranë Malit Fuji, pas shqetësimeve të shumta të banorëve për fluksin e madh të turistëve dhe sjelljet e papërshtatshme gjatë edicioneve të mëparshme.

Festivali, i zhvilluar prej afro një dekade dhe që tërhiqte rreth 200 mijë vizitorë çdo pranverë, ishte bërë një nga atraksionet më të famshme të sezonit të sakurës. Por autoritetet thanë se, pavarësisht ndikimit ekonomik, ruajtja e rendit, sigurisë dhe jetës së qetë të komunitetit është prioritet.

Sipas njoftimeve të bashkisë, turistët kishin shkaktuar bllokime trafiku, ndotje me mbeturina dhe shqetësime të përditshme për banorët, madje në disa raste është raportuar hyrje pa leje në zona private, duke krijuar situata të papranueshme për komunitetin lokal.

Kryebashkiaku i Fujiyoshidës, Shigeru Horiuchi, deklaroi se vendimi u mor për të “mbrojtur dinjitetin dhe cilësinë e jetës së banorëve”, duke theksuar se fenomeni i mbipopullimit turistik ka kaluar kufijtë e menaxhimit normal.

Megjithatë, zona ikonike e parkut Arakurayama Sengen, e cila ofron pamjen e famshme të pagodës Chureito me malin Fuji dhe qershitë në lulëzim, pritet të vazhdojë të vizitohet edhe këtë pranverë, por pa aktivitetet e organizuara të festivalit.

Autoritetet u kanë bërë apel vizitorëve të respektojnë rregullat lokale dhe hapësirat e banorëve për të shmangur situata të ngjashme në të ardhmen.

The post Japoni: Sjellja e turistëve anulon festivalin e sakurës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Australi, prindërit dhe dy fëmijët me autizëm gjenden të pajetë

7 February 2026 at 12:30

AUSTRALI/ ANSA/ ATSH/ 7 shkurt/ Një ngjarje e rëndë ka tronditur Australinë, ku një çift dhe dy fëmijët e tyre të mitur, të diagnostikuar me autizëm, u gjetën të pajetë në shtëpinë e tyre. Autoritetet u njoftuan pasi një i afërm gjeti në derë një shënim ku shkruhej: “Mos hyni, telefononi policinë”.

Sipas mediave lokale, policia po heton rrethanat e ngjarjes, ndërsa vlerësimet paraprake sugjerojnë se prindërit mund të kenë marrë një vendim fatal pas një periudhe të gjatë vështirësish emocionale dhe ekonomike të lidhura me kujdesin ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta. Hetimet vijojnë për të sqaruar motivet dhe dinamikën e plotë të rastit.

Komuniteti lokal ka shprehur tronditjen e thellë dhe ka ndezur qirinj pranë shtëpisë së familjes, ndërsa shërbimet sociale kanë bërë thirrje për më shumë mbështetje për familjet që përballen me ngarkesa të rënda të kujdesit afatgjatë.

Policia australiane ka kërkuar që publiku të respektojë privatësinë e të afërmve të familjes dhe të mos bëjë spekulime lidhur me ngjarjen, duke theksuar se çdo informacion zyrtar do të bëhet publik pas përfundimit të hetimeve.

The post Australi, prindërit dhe dy fëmijët me autizëm gjenden të pajetë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Dalai Lama fiton për herë të parë Grammy, Kina reagon ashpër

3 February 2026 at 07:12

TIRANË, 3 shkurt/ATSH/ – Dalai Lama, lideri shpirtëror tibetan, ka fituar për herë të parë çmimin Grammy për veprën “Meditations: The Reflections of His Holiness the Dalai Lama”, një nderim që ai e ka pranuar me “mirënjohje dhe përulësi”. Për këtë çmim, i cili u mor në emër të tij nga muzikanti Rufus Wainwright, Dalai Lama theksoi se e sheh jo si një çmim personal, por si një përkujtim të përgjegjësisë universale që ndajmë të gjithë.

Megjithatë, lajmi ka shkaktuar reagim të ashpër nga Kina. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian, në një konferencë për shtyp deklaroi se Pekini “kundërshton fuqimisht përdorimin e çmimeve artistike si një mjet për manipulim politik anti-Kinë”. Dalai Lama, i cili jeton në Dharamshala të Indisë që nga 1959, është konsideruar nga Pekini si rebel dhe separatist, pasi u detyrua të largohej nga Tibeti pas shtypjes nga trupat kineze të një kryengritjeje.

Lideri shpirtëror, i cili është gjithashtu fitues i Çmimit Nobel për Paqen, ka mbajtur për dekada fjalime dhe fushata për më shumë autonomi për Tibetin, ndërkohë që Kina e konsideron provincë të pandashme të saj. Fitimi i këtij Grammy shihet si një moment historik që vlerëson ndikimin e tij shpirtëror dhe përkushtimin ndaj paqes dhe mesazheve universale të bashkëjetesës dhe tolerancës.

The post Dalai Lama fiton për herë të parë Grammy, Kina reagon ashpër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Clintonët bien dakord të dëshmojnë në hetimin parlamentar për Epstein

3 February 2026 at 07:02

WASHINGTON, 3 shkurt /ATSH/ – Ish-presidenti amerikan Bill Clinton dhe ish-sekretarja e Shtetit Hillary Clinton kanë rënë dakord të dëshmojnë përpara një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve në kuadër të hetimit parlamentar lidhur me çështjen Jeffrey Epstein.

Vendimi i tyre vjen në një kohë kur në Kongres po shqyrtohej mundësia e një votimi për t’i shpallur ata në “contempt vote”, për shkak të mosparaqitjes së mëparshme për dëshmi.

Sipas njoftimeve zyrtare, dëshmia pritet të zhvillohet në seanca të veçanta dhe do të fokusohet në kontaktet dhe njohuritë e tyre lidhur me Epstein, si dhe në informacionet që mund të ndihmojnë hetimin parlamentar.

Komisioni ka theksuar se qëllimi i procesit është sqarimi i rrethanave dhe transparenca institucionale, ndërsa vendimi për çdo hap të mëtejshëm do të merret pas përfundimit të dëshmive.

Hetimi parlamentar ka rikthyer vëmendjen mbi lidhjet e figurave publike me financierin e ndjerë, i cili vdiq në vitin 2019 ndërsa përballej me akuza të rënda penale. Bill Clinton ka deklaruar më herët se nuk ka pasur dijeni për veprimtaritë kriminale të Epstein.

The post Clintonët bien dakord të dëshmojnë në hetimin parlamentar për Epstein appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Christopher Nolan: Debatet politike kanë shtyrë studiot drejt një qasjeje më serioze

3 February 2026 at 06:24

LOS ANGELES, 3 shkurt /ATSH/ – Regjisori i njohur britanik Sir Christopher Nolan ka deklaruar se diskutimet e nisura nga presidenti amerikan Donald Trump mbi politikat ekonomike dhe industrinë e filmit kanë nxitur një debat më serioz brenda studiove të Hollivudit lidhur me mënyrat për të përmirësuar situatën e prodhimit kinematografik në Shtetet e Bashkuara.

Komentet e tij u bënë gjatë një interviste për mediat amerikane të specializuara në industrinë e filmit, përfshirë “Deadline” dhe “Variety”, në kuadër të një bisede mbi sfidat aktuale të Hollivudit dhe të ardhmen e prodhimit filmik në SHBA. Prononcimi erdhi në një moment reflektimi më të gjerë brenda industrisë, teksa studiot dhe krijuesit po diskutojnë ndikimin e politikave ekonomike dhe fiskale në konkurrueshmërinë e tregut amerikan.

“Që kur Presidenti Trump ka filluar të hedhë në qarkullim këto ide, ka nisur një bisedë shumë më serioze nga ana e studiove për mënyrën se si mund të përmirësohet situata në Shtetet e Bashkuara – për ta thënë sinqerisht,” u shpreh Nolan.

Sipas regjisorit, një nga shqetësimet kryesore lidhet me faktin se gjithnjë e më shumë produksione të mëdha amerikane po zhvendosen jashtë vendit, të nxitura nga incentivat fiskale dhe kushtet më të favorshme që ofrojnë shtete të tjera. Kjo prirje, sipas tij, po nxit studiot të rishikojnë strategjitë e tyre dhe të kërkojnë zgjidhje për të forcuar prodhimin vendas.

Nolan theksoi se brenda Hollivudit po zhvillohet një diskutim më i strukturuar mbi nevojën për politika më mbështetëse, investime afatgjata dhe krijimin e kushteve që do ta bënin Shtetet e Bashkuara një mjedis më konkurrues për industrinë e filmit.

Deklarata e tij vjen në një kohë kur industria globale e kinemasë po përballet me ndryshime të mëdha, përfshirë rritjen e kostove të prodhimit, konkurrencën ndërkombëtare dhe transformimin e tregut përmes platformave digjitale, duke e bërë debatin mbi rolin e politikave shtetërore gjithnjë e më të rëndësishëm.

The post Christopher Nolan: Debatet politike kanë shtyrë studiot drejt një qasjeje më serioze appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA: Një nismë humane kthen gjobat e parkimit në ndihmë për macet e braktisura

2 February 2026 at 15:43

MUNCIE, Indiana / 2 shkurt/ ATSH – Në qytetin Muncie, një nismë e pazakontë ka kthyer gjobat e papaguara të parkimit në një akt solidariteti dhe dashurie për kafshët. Në vend që të shlyenin detyrimet me para në dorë, qytetarëve iu dha mundësia të dhuronin ushqim për mace, ushqim për kotele ose rërë higjienike, në ndihmë të strehës lokale Muncie Animal Care & Facilities, e cila po përballet me mbipopullim të rëndë.

Aktualisht, strehëza kujdeset për mbi 350 mace, shumë më tepër se kapaciteti normal, duke e bërë të vështirë sigurimin e kushteve optimale për çdo kafshë. Përballë kësaj situate, autoritetet lokale dhe shërbimet e kujdesit për kafshët vendosën të ndërmarrin një qasje kreative, duke i dhënë komunitetit një mënyrë konkrete për të ndihmuar.

Përgjigjja e qytetarëve ishte mbresëlënëse. Banorë të shumtë u paraqitën për të shlyer gjobat e tyre me donacione, ndërsa shumë të tjerë, edhe pse nuk kishin asnjë detyrim parkimi, zgjodhën të kontribuonin vullnetarisht. Qese me ushqim, kuti me rërë për mace dhe ndihma të tjera mbërritën çdo ditë, duke lehtësuar ndjeshëm barrën e strehës.

“Ky ishte një shembull i shkëlqyer se si një ide e thjeshtë mund të krijojë ndikim të madh,” u shprehën përfaqësues të strehës, duke theksuar se donacionet e mbledhura do të ndihmojnë në kujdesin ditor të kafshëve, në ushqim, higjienë dhe mirëqenie.

Nisma jo vetëm që ndihmoi kafshët në nevojë, por forcoi edhe ndjenjën e bashkësisë në Muncie, duke treguar se empatia dhe kreativiteti mund të shndërrojnë një problem administrativ në një histori frymëzuese.

Ky rast dëshmon se, ndonjëherë, ndryshimi i madh fillon me gjeste të vogla – dhe se një gjobë parkimi mund të kthehet në shpresë për qindra kafshë të pambrojtura. 🐾

The post SHBA: Një nismë humane kthen gjobat e parkimit në ndihmë për macet e braktisura appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Steven Spielberg fiton Grammy-n e parë me dokumentarin “Music by John Williams”

2 February 2026 at 00:09

Los Anxhelos, 2 shkurt /ATSH/ – Regjisori i njohur amerikan Steven Spielberg ka fituar Grammy-n e tij të parë, si producent i dokumentarit “Music by John Williams”, i cili u vlerësua me çmimin “Best Music Film” në ceremoninë e sivjetme të çmimeve Grammy.

Me këtë fitore, Spielberg i afrohet statusit prestigjioz EGOT, duke qenë tashmë vetëm një Tony Award larg arritjes së plotë që përfshin çmimet Emmy, Grammy, Oscar dhe Tony.

Në një deklaratë pas marrjes së çmimit, Spielberg falënderoi votuesit e Grammy-ve dhe ekipin e realizimit, duke theksuar rëndësinë e këtij vlerësimi për të dhe bashkëpunëtorët e tij. Ai nënvizoi se ky çmim është veçanërisht domethënës, pasi konfirmon ndikimin e jashtëzakonshëm që kompozitori legjendar John Williams ka pasur në kulturë dhe muzikë për më shumë se pesë dekada.

“Ndikimi i John Williams në kulturë dhe muzikë është i pamatshëm dhe trashëgimia e tij artistike është e pakrahasueshme,” u shpreh Spielberg, duke shtuar se është krenar që është pjesë e këtij dokumentari.

Dokumentari “Music by John Williams”, me regji nga Laurent Bouzereau, i kushtohet jetës dhe karrierës së kompozitorit të njohur për kolonat zanore të disa prej filmave më ikonë të historisë së kinemasë.

The post Steven Spielberg fiton Grammy-n e parë me dokumentarin “Music by John Williams” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manchester United mposht Fulham 3-2 dhe rikthehet në zonën Champions

1 February 2026 at 17:11

MANCHESTER, 1 shkurt, /ATSH/ – Manchester United u rikthye në katërshen e parë të Premier League, duke zgjatur serinë pa humbje të trajnerit të përkohshëm Michael Carrick me një fitore dramatike 3-2 ndaj Fulham në “Old Trafford”.

United kryesoi me dy gola, por pa të barazohej në minutat e fundit, përpara se zëvendësuesi Benjamin Šeško të shënonte golin e fitores në kohën shtesë, duke siguruar një sukses në stil “Fergie”.

Casemiro hapi rezultatin me kokë në pjesën e parë, ndërsa Matheus Cunha dyfishoi pas pushimit me një realizim spektakolar, duke mbajtur gjallë shpresat e “Djajve të Kuq” për kualifikim në Champions League.

Fulham pati një gol të anuluar, pasi një kontroll i gjatë i VAR-it konstatoi pozicion jashtë loje të Samuel Chukwueze në ndërtimin e aksionit. Skuadra e Marco Silvës u rikthye në fund: Raul Jimenez ngushtoi shifrat nga pika e bardhë në minutën e 85-të, ndërsa Kevin barazoi me një goditje të fuqishme në minutën e parë të shtesës.

Megjithatë, United reagoi menjëherë dhe gjeti golin vendimtar, duke regjistruar tri fitore radhazi për herë të parë që nga tetori. Ndeshja u parapri nga një protestë e rreth 2 mijë tifozëve kundër pronarëve të klubit.

The post Manchester United mposht Fulham 3-2 dhe rikthehet në zonën Champions appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Alcaraz triumfon në “Australian Open” dhe kompleton Career Grand Slam

1 February 2026 at 16:23

MELBOURNE, 1 shkurt / ATSH/ – Carlos Alcaraz fitoi sot finalen e “Australian Open” pas një ndeshjeje emocionuese, duke mposhtur Novak Djokovic me rezultatin 2-6, 6-2, 6-3, 7-5 dhe duke u bërë tenisti më i ri që kompleton një Career Grand Slam.

22-vjeçari spanjoll, numri një i botës, festoi fitoren historike në Rod Laver Arena, ndërsa Djokovic tregoi sportivitet duke e përgëzuar menjëherë pas ndeshjes. Për Alcaraz, kjo ishte hera e parë që triumfon në Melbourne, duke plotësuar koleksionin e titujve në të katër turnetë e mëdhenj.

Djokovic, 38 vjeç, mbetet në kuotën e 24 titujve Grand Slam, në barazim me Margaret Court, dhe la të hapur mundësinë që kjo të ketë qenë paraqitja e tij e fundit në Australian Open.

Alcaraz është vetëm lojtari i nëntë në historinë e tenisit që fiton të katër Grand Slam-et dhe i pari që e arrin këtë pas Djokovic në vitin 2016. Së bashku me Jannik Sinner, ai ka dominuar turnetë madhorë në dy sezonet e fundit, duke fituar shumicën e titujve.

Në ceremoninë e mbylljes, Djokovic vlerësoi arritjen e rivalit të tij të ri, duke e cilësuar punën e Alcaraz si “historike dhe legjendare”.

The post Alcaraz triumfon në “Australian Open” dhe kompleton Career Grand Slam appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Orkestra Simfonike e RTSH- sjell koncertin “Meditim” në nder të Ferdinand Dedës

1 February 2026 at 16:08

TIRANË, 1 shkurt/ATSH/ Orkestra Simfonike e RTSH-së do të sjellë një mbrëmje të veçantë muzikore në nder të 85-vjetorit të lindjes së kompozitorit dhe dirigjentit të shquar shqiptar, Ferdinand Deda, një nga figurat më përfaqësuese të muzikës së kultivuar shqiptare.

Mbrëmja koncertore, e titulluar “Meditim”, do të zhvillohet në sallën “Ferdinand Deda” të RTSH-së, hapësirë që mban emrin e tij dhe ku krijimtaria e kompozitorit rikthehet simbolikisht aty ku kujtesa artistike vijon të jetojë dhe të rezonojë përmes tingujve.

Nën drejtimin e dirigjentit Gridi Kraja, Orkestra Simfonike e RTSH-së, me soliste Merita Rexha Tershana në piano, do t’i ofrojë publikut një udhëtim në universin krijues të Ferdinand Dedës, duke sjellë vepra që pasqyrojnë ndjeshmërinë, finesën dhe identitetin e tij muzikor.

Koncerti përbën një homazh për kontributin e vyer të Dedës në zhvillimin e muzikës simfonike dhe edukimin artistik në Shqipëri, si dhe një vlerësim për trashëgiminë e tij që vijon të frymëzojë breza muzikantësh dhe artdashësish.

Mbrëmja “Meditim” synon jo vetëm të nderojë figurën e kompozitorit, por edhe të riafirmojë rolin e RTSH-së si një institucion që ruan, promovon dhe përcjell vlerat më të mira të kulturës dhe muzikës shqiptare.

The post Orkestra Simfonike e RTSH- sjell koncertin “Meditim” në nder të Ferdinand Dedës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Johnny Depp shfaqet si Ebenezer Scrooge në filmin e ri të Dickens-it

1 February 2026 at 12:18

LOS ANGELES, 1 shkurt /ATSH/ – Aktori Johnny Depp është rikthyer në një prodhim të madh hollywoodian, duke interpretuar personazhin e Ebenezer Scrooge në një adaptim të ri të romanit klasik të Charles Dickens,  “A Christmas Carol”.

Sipas pamjeve nga seti i xhirimit, Depp shfaqet i transformuar në rolin e anti-heroit të Dickens-it, një figurë e vetmuar që përballet me gabimet e së kaluarës përpara se të ndryshojë rrënjësisht. Ky projekt shënon filmin e tij të parë me buxhet të madh pas katër vitesh, pas një periudhe larg produksioneve kryesore të studiove amerikane.

Në xhirime, Depp është parë i veshur me një pallto blu brokade, kapele të zezë dhe me favoritet gri, ndërsa ndodhej në shoqërinë e aktores Andrea Riseborough, e cila interpreton shpirtin e Krishtlindjes së shkuar. Riseborough shfaqet me një kostum të bardhë dhe elementë vizualë që theksojnë karakterin e saj fantazmagorik.

Produksioni përfshin një kast të njohur aktorësh, mes tyre Sir Ian McKellen, Daisy Ridley, Rupert Grint, Sam Claflin, Ellie Bamber dhe Tramell Tillman. Romani i Dickens-it, i botuar në vitin 1843, rrëfen historinë e Scrooge-it, një koprrac i moshuar që vizitohet nga shpirtra në prag të Krishtlindjes.

Filmi pritet të përballet me konkurrencë, pasi një tjetër adaptim i “A Christmas Carol” është në zhvillim nga Warner Bros, nën regjinë e Robert Eggers, me Willem Dafoe në rolin kryesor.

Depp ka deklaruar më herët se raportimet për jetën e tij gjatë viteve të fundit kanë qenë të pasakta dhe ka theksuar se ai nuk ka reshtur së punuari, pavarësisht mungesës në prodhimet kryesore të Hollywood-it.

The post Johnny Depp shfaqet si Ebenezer Scrooge në filmin e ri të Dickens-it appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Springsteen kundër ICE, këndon “Streets of Minneapolis” në mbështetje të protestuesve

31 January 2026 at 12:01

TIRANË, 31 janar /ANSA/ ATSH/ – Mijëra persona kanë dalë në rrugët e Minneapolis për të protestuar kundër politikave federale të emigracionit dhe veprimeve të agjencisë amerikane të emigracionit ICE (Immigration and Customs Enforcement), pas vdekjes së dy qytetarëve amerikanë gjatë operacioneve të fundit të forcave federale. Demonstruesit, nën moton “No work, no school, no shopping”, kanë sfiduar temperaturat e ulëta duke marshuar në qendër të qytetit dhe duke brohoritur sloganet për një reformë të politikave të emigracionit dhe largimin e ICE. Protesta është pjesë e një mobilizimi më të gjerë në shumë qytete amerikane, përfshirë New York, Los Angeles dhe San Francisco, ku mijëra njerëz kanë mbyllur shkolla dhe biznese në shenjë solidariteti. 

Në kulmin e tensioneve, legjenda e muzikës amerikane Bruce Springsteen ishte prezent në Minneapolis, duke mbajtur një performancë të papritur në lokalin e njohur “First Avenue”. Ai interpretoi këngën e tij të re protestuese “Streets of Minneapolis”, një këngë të dedikuar për qytetarët Renee Good dhe Alex Pretti, të cilët u vranë gjatë përleshjeve me agjentët e ICE dhe që janë bërë figura qendrore të ngjarjeve të fundit. Titulli dhe mesazhi i këngës pasqyrojnë zemërimin dhe kërkesën për drejtësi në përgjigje të dhunës federale për shkak të operacioneve të emigracionit. 

Springsteen, i njohur për angazhimin e tij social dhe politik, ka përdorur platformën live për të dënuar veprimet e autoriteteve federale, duke shprehur mbështetje për protestuesit dhe familjet e viktimave. Performanca dhe kënga e re kanë nxitur reagime të gjera në opinionin publik dhe median ndërkombëtare. 

The post Springsteen kundër ICE, këndon “Streets of Minneapolis” në mbështetje të protestuesve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Guardiola kërkon reagim ndërkombëtar për situatën humanitare në Gaza

31 January 2026 at 06:42

BARCELONË, 30 janar /ATSH/ – Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, ka bërë thirrje për më shumë mbështetje humanitare për fëmijët palestinezë, gjatë një aktiviteti bamirës të mbajtur të enjten mbrëma në Barcelonë.

Guardiola iu drejtua publikut në arenën sportive Palau Sant Jordi, në kuadër të koncertit bamirës “Act X Palestine”, i organizuar nga organizata të të drejtave të njeriut dhe institucione kulturore katalanase, me synimin për mbledhjen e fondeve për ndihmë humanitare dhe rindërtim kulturor në Palestinë.

Sipas mediave ndërkombëtare, trajneri katalanas theksoi rëndësinë e reagimit human përballë vuajtjeve të civilëve, veçanërisht fëmijëve të prekur nga konflikti në Gaza, duke bërë thirrje që komuniteti ndërkombëtar të mos mbetet indiferent.

Guardiola, i njohur për qëndrimet e tij publike mbi çështje të të drejtave të njeriut, kritikoi mungesën e veprimit nga ana e udhëheqësve globalë dhe nënvizoi se situata aktuale kërkon solidaritet dhe përgjegjësi ndërkombëtare.

Në fjalën e tij, ai bëri gjithashtu referenca historike, duke e krahasuar situatën aktuale me periudha të vështira të përjetuara nga qyteti i Barcelonës gjatë Luftës Civile Spanjolle.

Koncerti “Act X Palestine” synon të ndërgjegjësojë opinionin publik dhe të sigurojë mbështetje për projektet humanitare dhe kulturore në territoret palestineze, raportojnë media të huaja.

The post Guardiola kërkon reagim ndërkombëtar për situatën humanitare në Gaza appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌