Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 29 January 2026Main stream

“Maxhoranca merr shumicën dhe drejtimin e Komisionit“, zbulohet propozimi i PS për Reformën Territoriale pas bojkotit të PD

By: E S
29 January 2026 at 10:51

Socialistët kërkojnë të vijojë puna e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale dhe Administrative pa prezencën e deputetëve të opozitës dhe pa të drejtën e paritetit.

Ky zhvillim vjen pasi Taulant Balla kreu grupit parlamentar të PS tha dy javë më parë se “nuk do të presim pafundësisht opozitën në këtë komision”.

Sot ora 12:30 parashikohet mbledhja e Konferencës së Kryetarëve ku në rend dite është edhe kërkesa e Grupit Parlamantar të PS për ndryshime në përbërjen e këtij komisioni.

Gazetari i Top Channel Muhamed Veliu ka siguruar këtë kërkesë ku si objekt është “Ndryshimi i Vendimit nr.75, datë 27.10.2025 për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për reformën administrativo-territoriale në Republikën e Shqipërisë”.

Socialistët sjellin këto argumente se përse duhet të ndryshojë përbërja e komisionit.

Kërkesa

Që prej krijimit të Komisionit janë parashikuar dhe njoftuar zyrtarisht mbledhje në datat 11.11.2025, 27.11.2025, 17.12.2025 dhe 22.01.2026.

Në mbledhjen e parë të datës 11.11.2025 nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Partisë Demokratike, por vetëm ata të Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim dhe të Grupit Parlamentar i Partisë së Lirisë. Në këtë mbledhje Komisioni u konstituua formalisht dhe përfaqësuesit e Partisë Socialiste i bënë thirrje për pjesëmarrje dhe angazhim të Partisë Demokratike.

Në mbledhjen e dytë të datës 27.11.2025 kanë qenë prezent të gjithë anëtarët e Komisionit. Në këtë mbledhje u miratuar plani i punës dhe struktura e ekspertëve. Vendimi për emërimin e Sekretarit të Komisionit u shty për mbledhjen e rradhës.

Mbledhja e parashikuar në datën 17.12.2025 nuk u zhvillua për mungesë të kuorumit, pasi asnjë përfaqësues i opozitës nuk u paraqit, pavarësisht njoftimit të rregullt. Gjithashtu edhe në mbledhjen e rradhës të datës 22.01.2026 nuk ka qenë prezent asnjë përfaqësues i opozitës, pavarësisht njoftimit të rregullt.
Për rrjedhojë, që prej krijimit të Komisionit në datën 27.10.2025 (gjatë një periudhe dy mujore) nga 4 mbledhje të njoftuara rregullisht vetëm një mbledhje është zhvilluar me përbërje të plotë të opozitës. Referuar vendimit të Kuvendit, kohëzgjatja e punës së Komisionit është parashikuar 9 muaj.

Kjo kohëzgjatje është dakordësuar duke patur parasysh rëndësinë e miratimit të reformës administrative-territoriale në kohë, pra 1 vit përpara zhvillimit të zgjedhjeve vendore 2027 në mënyrë që të merren masat përkatëse ligjore, administrative dhe organizative.

Nisur nga qasja e bojkotuese e opozitës parlamentare si dhe fakti që reforma administrative-territoriale përbën një nga prioritetet kyçe të programit të mazhorancës parlamentare Shqipëria 2030 dhe për integrimin në BE, propozohet ndryshimi i përbërjes dhe mënyrës së punës së Komisionit.

Si rrjedhojë, propozohet që pika III e Vendimit të ndryshohet mëkëtë përmbajtje:
Komisioni i Posaçëm përbëhet nga 17 anëtarë, nga të cilët 9 janë janë përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe 6 përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim dhe 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar i Partisë së Lirisë.

Në këtë mënyrë, i çelet rruga avancimit të reformës në përputhje me planin e punës të miratuar, së bashku me votat e opozitës parlamentare, në mbledhjen e datës 27.11.2025.
Më tej, propozohet që pika IV e Vendimit ndryshohen me këtë përmbajtje:

Kryetari i komisionit është përfaqësues i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe zëvendëskryetari është përfaqësues i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. /tch/

U gjet pa shenja jete në veturë, Policia gjen armën dhe një karikator

29 January 2026 at 09:00


Policia e Kosovës të mërkurën njoftoi se ka gjetur një person pa shenja jete në një veturë.

Në raportin policor bëhet e ditur se rasti ndodhur në autostradën “Ibrahim Rugova”, në ora 15:00.

“Autostrada ‘Ibrahim Rugova’, Prishtinë. Është raportuar se në një pushimore është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Njësitë relevante policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes ku është konstatuar vdekja e viktimës”, thuhet në raport.

Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa arma me një karikator e cila dyshohet se është përdorur në rast është sekuestruar. /Telegrafi/

Me kallashnikov në dorë në qytet, Policia jep detaje të rastit në Podujevë

29 January 2026 at 08:47


Të mërkurën në qendër të qytetit të Podujevës një person ka shtënë me kallashnikov dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes me armën në duar.

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur në ora 13:29, ndërkaq është cilësuar si ‘vrasje e mbetur në tentativë’.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të dy viktimave meshkuj kosovarë, por nuk janë goditur”, thuhet në raport.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur gjashtë gëzoja, ndërsa nga predhat janë dëmtuar dy vetura.

Nga i dyshuari është konfiskuar një AK-47 me një karikatorë me 15 copë fishekë.

Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/

Keqpërdorën kartela bankare, arrestohen dy të dyshuar në Fushë Kosovë

29 January 2026 at 08:38


Policia e Kosovës ka arrestuar dy të dyshuar për keqpërdorim të kartelave bankare të personave të huaj për përfitime personale.

Në raportin policor bëhet e ditur se të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

“Fushë Kosovë, 28.01.2026, 18:20. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që të njëjtit dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme kanë keqpërdorur të dhënat e kartelave bankare të personave të huaj për përfitime personale”, thuhet në raport.

Në konsultim me prokurorin është kontrolluar prona e të dyshuarve ku gjatë kontrollit është sekuestruar një telefon, ndërsa të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje. /Telegrafi/

27 vjet nga masakra në Rogovë të Hasit

29 January 2026 at 07:47


Janë bërë 27 vjet nga masakra që u bë në fshatin Rogovë të Hasit, aty ku ranë në pritë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por nuk u kursyen as shumë civilë të fshatit.

Në datat 27, 28 dhe 29 janar të vitit 1999 në këtë fshat ranë dëshmorë 21 persona.

Aty heroikisht dhanë jetën: Agim Zeneli, Luan Smajli, Agron e Sejdi Rama, Pren e Meme Lleshi, Agush Gjoci, Valon Gashi, Bahtjar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çeta, Kasim Shala, Hamdi Berisha, Gezim Ademi, Haxhi Lypjani, Gasper Karaçi, Ilir Merturi, Naim Gashi,Naim Dreshaj,Sahit Krasniqi dhe Vesel Avdyli.

Moti në Shqipëri

29 January 2026 at 07:19


Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se Shqipëria të enjten do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.

SHMU njofton se moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura.

Reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët do të ketë në pjesën më të madhe të territorit.

Në zonën e jugut reshjet në periudha afatshkurtra me intensitet deri mesatar në formën e shtrëngatave.

Në zonën e Alpeve, verilindje mbi 900-1000 metër dhe juglindje në lartësitë mbi1000-1100 metër reshje dëbore me intensitet të ulët dhe lokalisht mesatar kryesisht në juglindje.

Era do të fryjë me drejtim juglindja - jugperëndimi me shpejtësi mesatare 7 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era me shpejtësi deri në 15 m/s.

Deti - Valëzimi forcës 2-4 ballë. /Telegrafi/



Aksioni i policisë në Mitrovicën e Veriut zbulon arsenal armësh, municion dhe uniforma të policisë serbe

By: E S
28 January 2026 at 22:01

Policia e Kosovës ka njoftuar se, si rezultat i bashkëpunimit me qytetarët, ka realizuar një tjetër aksion në Mitrovicë të Veriut, ku janë gjetur dhe sekuestruar armë, municion dhe mjete të tjera ilegale.

Sipas Drejtorisë Rajonale të Policisë, aksioni është zhvilluar më 28 janar në lagjen Bërxhane, pas informatave se në një shtëpi të braktisur mund të kishte materiale të paligjshme.

Gjatë kontrollit, policia ka gjetur, ndër të tjera, “një minë kundër këmbësorisë me detonator”, municion të kalibrave të ndryshëm, barut, pajisje ushtarake, si dhe uniforma dhe këmisha të Policisë së Serbisë.

Për shkak të materialit eksplodues, në vendngjarje ka intervenuar edhe Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksploduese.

Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Nuk ka të arrestuar, ndërsa hetimet vazhdojnë.

Before yesterdayMain stream

Tre persona u plagosën gjatë përplasjes me armë për 12 kg kokainë, dalin në gjyq shqiptarët dhe belgët

By: E S
28 January 2026 at 21:52

Gazeta e njohur belgo-holandeze “Provinciale Zeeuwse Courant” (PZC) shkruan se këtë të mërkurë u zhvillua në Belgjikë seanca gjyqësore për dy grupet, njëri shqiptar dhe tjetri belg, të përfshinë në një shkëmbim zjarri më 16 tetor 2024. Ngjarja ndodhi në qytetin e Anversës në mes të ditës ku 3 persona mbetën të plagosur rëndë.

Shkak u bë një marrëveshje e prishur për blerjen e 12 kilogramëve kokainë e ndarë në 12 pako. Prokuroria akuzon shumicën e të dyshuarve për trafik droge dhe tentativë vrasjeje.

Prokurori tha gjithashtu se u qëlluan të paktën 16 plumba, por nuk mund të përcaktonte se kush ka hapur zjarr i pari dhe kush ka qëlluar kë. Gjatë shkëmbimit të zjarrit të dyshuarit ishin shumë afër njëri-tjetrit dhe të gjithëve u janë gjetur shenja baruti. Për 6 personat e përfshirë, prokurori kërkoi dënime nga 4 deri në 7 vjet.

SHKRIMI I PLOTË:

Zakonisht shitblerja e drogës ishte kjo: 12 pako me kokainë me çmim 22 000 euro për çdo pako me peshë 1 kg. Kështu e përshkruan Arsen D. momentin kur më 16 tetor 2024 u takua me disa shqiptarë. Ai parkoi makinën në parkingun “Opera” në orën 15:04 dhe shkoi me një çantë sportive ku kishte drogën në një apartament në Jezusstraat, një rrugicë pranë Meir. Miku i tij nga Brukseli, Salvatore P., e shoqëronte.

Por papritmas lagjja e mbushur me dyqane u trondit nga plumbat. Krismat erdhën nga një apartament mbi një lokal në Jezusstraat. 4 minuta më vonë, në orën 15:08, Arsen D. dhe Salvatore P. dolën jashtë. Një mik i priste në parkingun “Opera” në fund të Jezusstraat dhe që njoftoi shërbimet e urgjencës. Arsen D. kishte plagë plumbi në bark, këmbë dhe krah.

Edhe Salvatore P. ishte qëlluar dhe kishte mbetur i plagosur në krahë dhe këmbë.
Policia gjeti në apartament shqiptarin Eno G. të plagosur rëndë. Një plumb i kishte kaluar përmes faqes dhe kishte dalë nga ana tjetër e gojës së tij. Të dyja mushkëritë i ishin dëmtuar nga plumbat. Në tarracë u gjet i fshehur shqiptari tjetër, Fabio X., i paprekur. Aty u gjet edhe një pako me kokainë.

Policia federale arrestoi 5 të dyshuar. I gjashti, Niko M., u zhduk menjëherë pas të shtënave. Në kamerat e sigurisë ai shihet duke zbritur në stacionin e metrosë në Groenplaats me një çantë sportive, ndoshta me pakot e kokainës. Gjithsej ishin qëlluar 16 plumba. Se kush ka qëlluar i pari dhe kush ka qëlluar kë, kjo nuk mund të dihet.

Sot u zhvillua gjyqi. 5 të dyshuar ishin prezentë. Niko M. mungonte. Prokurori e akuzoi shumicën e të dyshuarve për trafik droge dhe tentativë vrasjeje. Prokurori tha: “Është qëlluar 16 herë. Nuk mund të përcaktoj se kush ka hapur zjarr i pari dhe kush ka qëlluar kë. Të dyshuarit ishin shumë afër njëri-tjetrit dhe të gjithëve u janë gjetur shenja baruti”.

Për 6 të përfshirët, prokurori kërkoi dënime nga 4 deri në 7 vjet. Dënimi më i ulët ishte për Fabio X., që pretendoi se vetëm kishte organizuar vendin e takimit. Edhe Ardak G. rrezikon vetëm 4 vjet burg, sepse mbërriti pas të shtënave për të ndihmuar shokët e tij të plagosur.

Avokatët e grupit shqiptar dhe atij nga Brukseli nuk kontestojnë akuzat për drogën. Të gjithë ishin aty për një arsye: shitjen e 12 pakove të kokainës. Si u bë kaq e dhunshme shitblerja, kjo ishte çështje tjetër. Avokati Koen Vaneecke tha se shqiptarët nuk kishin ndërmend të përplaseshin me grupin nga Brukseli.

“Nëse dëshiron të bësh një përplasje, nuk takohesh në mesditë në një apartament ku je regjistruar vetë” – tha avokati Vaneecke, që mbron Fabio X.

Edhe shqiptari tjetër, Eno G., mohoi kategorikisht se kishte qëlluar. Megjithatë, policia gjeti një pistoletë FN Browning 7.65 nën vithet e tij, por pa gjurmë ADN-je. Eno G., që kishte plumba në mushkëri dhe gojë, ishte i lumtur që jeton akoma: “Falë ndërhyrjes së policisë dhe shërbimeve emergjente, mbijetova. Zjarrfikësit më zbritën me shkallë”.

Shqiptari i tretë, Niko M., nuk u paraqit në gjyq. Grupi nga Brukseli me Salvatore P. dhe Arsen D. tha se shqiptarët nuk kishin ndërmend të paguanin për drogën.

“Duhet të kesh guxim të thuash se nuk ishte përplasje” – tha avokatja Julie Crowet për shqiptarët. Klienti i saj, Salvatore P., nuk pa asnjëherë para nga shqiptarët. Ai është gjallë falë shokut të tij Arsen D., që fatmirësisht kishte marrë një pistoletë me vete.

Avokatët Len Augustijns dhe Axelle Windey, që mbrojtën Arsen D., argumentuan: “Nuk është tentativë vrasjeje, por vetëmbrojtje. Arsen D. qëlloi vetëm pasi shqiptarët kishin hapur zjarr. Gjuajti në panik dhe jo me qëllim. Fakti që plagosi edhe mikun e tij, Salvatore P., e tregon këtë. Ai ndali së qëlluari kur pa mundësinë të ikte jashtë. Vetëm u mbrojt”.

Në fund, Ardak G. tha se nuk kishte lidhje me shitblerjen dhe kishte shkuar në adresën e gabuar. Pothuajse të gjithë të dyshuarit kërkuan dënim me pezullim ose dënim ku pjesa efektive ishte e kufizuar nga paraburgimi. Gjykata do japë vendimin më 2 mars.

“Për arsye të shumta…”/ Kroacia refuzon Presidentin Trump, nuk do t’i bashkohet Bordit të Paqes

By: E S
28 January 2026 at 21:43

Kroacia nuk do të bashkohet me Bordin e Paqes të presidentit amerikan, Donald Trump, njoftoi sot kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç, pa dhënë një arsye për vendimin.

“Pas një analize të kujdesshme, qëndrimi i qeverisë (…) është se në këtë fazë Kroacia nuk do të bashkohet me Bordin e Paqes për arsye të shumta”, u tha Plenkoviç gazetarëve.

Ai shtoi se nuk do të specifikonte arsyet.

Qeveria kroate kishte treguar më parë se vendi ishte ftuar të bashkohej me strukturën e kryesuar nga Donald Trump.

Plenkoviç kishte deklaruar se Kroacia, një anëtare e Bashkimit Evropian, po priste që BE të harmonizonte qëndrimin e saj për këtë çështje.

I prezantuar javën e kaluar nga Donald Trump në Forumin Ekonomik Botëror në Davos Bordi i Paqes fillimisht ishte pjesë e planit amerikan për t’i dhënë fund luftës në territorin palestinez të Rripit të Gazës.

Por, ambiciet e tij për zgjidhjen e konflikteve në të gjithë botën janë në fakt shumë më të gjera, gjë që, sipas kritikëve të tij, e bën atë një organizatë rivale të Kombeve të Bashkuara.

Problem rrjedhja e tezave gjatë testimit/ Forcohen rregullat për Maturën, lista e maturantëve do publikohet më shpejt

By: E S
28 January 2026 at 21:34

Që nga 2 qershori deri në 23 qershor rreth 26 mijë gjimnazistë do të zhvillojnë 4 provimet e detyrueshme të maturës shtetërore.

Ministria e Arsimit ka miratuar disa ndryshime në rregullore me synimin për të forcuar kontrollet gjatë testimit, si dhe për të shmangur rrjedhjen e tezave apo kopjimin.

Zv.ministrja e Arsimit, Oriana Osmani thotë: “Më e rëndësishme në këtë rregullore është rritja e përgjegjësive të atyre që menaxhojnë provimet e maturës, që nga përgjegjësi i administrimit, sekretuesit apo përgjegjësit e katit, të jenë shumë të bindur për detyrën që ata kanë në çdo qendër provimi. Nga ana tjetër, vazhdojnë të njëjtat rregulla për maturantët: pajisjet teknologjike si telefonat apo orët nuk janë të lejuara. Diku 3-4 penalizime kemi patur gjatë vitit të kaluar në përgjegjës administrimi që nuk angazhohen më në 2026”.

Zv.ministrja Oriana Osmani, njëherazi kryetarja e Komitetit për organizimin e maturës, tregon se rishikim do të ketë edhe në përmbajtjen e provimeve, teksa ka nisur puna për hartimin e tezave nga QSHA.

Ndërkohë, nxënësve të klasave të 12 u janë shpërndarë teste model për t’u përgatitur paraprakisht: “Qendra e Shërbimeve Arsimore ka marrë masat për të organizuar grupet e hartuesve të tezave për të përditësuar fondet e pyetjeve. Kjo ka ardhur si rrjedhojë e ndryshimeve të vogla që kanë pësuar programet e maturës dhe sigurisht për një përditësim të njohurive që nxënësi ka marrë në këto 3 vite.”

Lista me emrat e maturantëve parashikohet të publikohet më shpejt se në maturat e të kaluarës.

“Këtë vit do të ketë një komunikim institucional më të hershëm. Flasim për nxënësit që nuk mund të mbyllin në mënyrë të suksesshme maturën; emrat e tyre do të dalin më herët dhe nuk do të jenë në listën përfundimtare të shkollave. Është detyrim i drejtuesve për të parë me vëmendje numrin e mbetësve”, shton Osmani.

Këshilla për maturantët është të jenë sistematikë në përgatitjen për maturën dhe të mos e lënë përsëritjen për ditët e fundit.

Përmbyset furgoni në fshatin Salari të Tepelenës, humb jetën shoferi

By: E S
28 January 2026 at 21:26

Një aksident me pasojë një të vdekur është regjistruar këtë mbrëmje në Tepelenë.

Aksidenti ka ndodhur në aksin rural Tepelenë-Lopës, teksa një furgon është përmbysur në kthesën që të çon në fshatin Salari, Njësia Administrative Kurvelesh, Bashkia Tepelenë.
Mësohet se si pasojë ka humbur jetën drejtuesi i furgonit Arjan Ç., ndërkohë nuk dihet ende nëse brenda furgonit ka pasur pasagjerë.

Policia rrugore ka shkuar në vendngjarje për veprime të mëtejshme.

Ilir Beqaj kërkoi shfuqizimin e masës “arrest me burg”, Gjykata Kushtetuese ia rrëzon kërkesën

By: E S
28 January 2026 at 21:19

Gjykata Kushtetuese ka refuzuar sot kërkesën e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që caktoi ndaj tij masën “arrest me burg”.

Beqaj kërkoi gjithashtu rigjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, si dhe rrëzimin e vendimeve të Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës së Lartë, por kërkesat e tij u lanë në fuqi sipas procedurës ligjore.

Ish-ministri ndodhet në burg që nga 4 korriku 2024, pas arrestimit nga SPAK për abuzime me fondet e Bashkimit Europian në agjencinë SASPAC, ku shërbente si drejtor. Ndërkohë, për çështjen e “Sterilizimit”, Beqaj po ndiqet në gjendje të lirë.

Manipuluan votat në zgjedhjet e fundit në Kosovë, arrestohen 15 kryesues në Malishevë

By: E S
28 January 2026 at 21:02

Hetimet për vjedhjen e votave në zgjedhjet e fundit në Kosovë çuan në shoqërimin e dhjetëra personave të mërkurën në Malishevë.

“Pas Prizrenit, Malisheva është bërë komuna e dytë në të cilën ka persona të arrestuar si të dyshuar për falsifikim të rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit në Kosovë. Të njëjtit kanë qenë të angazhuar në Qendrën Komunale të Numërimit në Malieshevë në role të ndryshme”.

“Nga 18 kryesues dhe 50 komisionerë janë intervistuar gjithsej 15 kryesues dhe 43 komisionerë. 15 kryesues aktualisht janë të ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor prokuroria do të vendos në lidhje me masën e sigurisë. Po ashtu për 43 komisionerët e tjerë jemi në vlerësim e sipër në lidhje me ndonjë masë eventuale pasi në këtë rast kanë qenë të angazhaur dy prokurorë”, tha Enis Gashi, kryeprokuror i Gjakovës.

Përfitues më të mëdhenj nga manipulimi i votave në Malishevë kanë qenë kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës. Vetëm Gazmend Maliqaj, Fetah Paçarizi dhe Adnan Thaçit së bashku kishin mbi 2,300 vota më shumë sesa kishin marr realisht.

Manipulime me vota ka pasur edhe te Lidhja Demokratike e Kosovës, ku kandidatit Gëzim Hazrollit i janë hequr 340 vota, atij të Nismës Vesel Krasniqit 264 vota, dhe Valon Hotit nga Lëvizja Vetëvendosje 312 vota.

“Në komunën e Malieshëvës gjithsej kanë qenë 75 vendvotime dhe nga këto vendvotime 9,057 vota janë të shtuara dhe 7,996 janë vota të hequra, pra gjithsej në total 17,053 vota”, tha Gashi.

Deri më tani, asnjë nga kandidatët për deputetë të cilëve i janë shtuar votat nuk janë intervsituar nga prokuroria, por pati zotime se askush nuk do të mund t’i shmanget drejtësisë.

“Unë vetëm një gjë e di, nuk do të amnistohet asnjë person pavarësisht funksionit që ka. Vetëm të kemi prova të majftueshme që mos t’ju hyjmë njerëzve në hak, t’i marrim pa nevojë dhe pastaj t’i lëshojmë. Roli i prokurorit është të sigurojë prova relevante, të mbështetura në ligj dhe të pranueshme për gjykatën”, tha Laura Pula, prokurore, koordinatore për zgjedhje.

Avokatët në rastin e Malishevës thanë se të angazhuarit në Qendrën Komunale të Numërimit në Malieshevë kanë pasur detyra të ndara.

“E ka pasur për detyrë që vetëm t’i lexojë fletëvotimet dhe të caktojë se kush për kënd ka votuar. Ndërsa thotë se evidentimin e atyre deklarimeve të mia është bërë përmes kryesueses se komisionit”, tha Ergjyment Barbullushi, avokat në rast.

“Realisht kjo ka qenë përgjegjësi e komisionerëve të Qendra të votimit megjithatë roli i klientit tim ka qenë në cilësi të anëtarit, ne padyshim që kemi një garancion të prezumimit të pafajësisë për të gjithë këta që po hetohen, mirëpo megjithatë është detyrë e prokurorisë t’i argumentojë këto pretenedime për të cilat është inicuar kjo detyrë”, tha Egzon Doli, avokat.

Për manipulimet me vota, tashmë aktualisht në paraburgim janë 23 persona ne Prizren ndërsa hetimet po vazhdojnë në të gjitha komunat ku ka përfunduar rinumërimi.

Fatbardh Kadilli: Pas 13 humbjeve radhazi, PD nuk arrin të mobilizojë as anëtarët e partisë në protesta

By: E S
28 January 2026 at 20:46

Në një intervistë në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV, Fatbardh Kadilli analizoi situatën e Partisë Demokratike pas 13 humbjeve radhazi dhe protestave të saj opozitare. Ai e përshkroi situatën politike si “jo fort të ndezur” dhe kritikoi strategjitë e PD-së, duke theksuar se protesta e fundit nuk arriti të mobilizojë as anëtarët e partisë, as qytetarët që kërkojnë një zgjidhje reale.

Kadilli foli qartë për rolin dhe natyrën e protestave politike:

“Protesta është një gjuhë politike. Unë gjithmonë e kam parë protestën si një mjet për të komunikuar politikisht. Kur protesta lind nga një forcë politike, nuk është e njëjta gjuhë si një protestë qytetare, që lind nga nevoja për të ndryshuar politikën ose qeverinë. Një protestë politike është mënyra që një forcë ka zgjedhur për të komunikuar me të vetët, me pushtetin dhe me ndërkombëtarët.”

Ai kujtoi gjithashtu modelin e kulturës politike të Sali Berishës:

“Kultura politike e Sali Berishës historikisht ka qenë që kundërshtari duhet goditur fort, pavarësisht nëse ka rezultat. Prandaj dëgjoni gjithmonë deklarime si: ‘Heren tjetër do jemi aty dhe nuk shkulemi.’ Kjo lidhet me rrëfimin që Rama nuk mundet me vota sepse i vjedh ato; synimi nuk është përmbysja reale, por dominimi politik dhe dërgimi i mesazheve te të tjerët. Unë jam marrë vetë me organizimin e tyre. Në këtë rast, nuk kishte më shumë se 3–4 mijë pjesëmarrës, ndërkohë që Partia Demokratike numëron mbi 22 mijë anëtarë vetëm në Tiranë. Ky është një tregues që gjuha e komunikimit me të vetët nuk po funksionon. Molotovët bëjnë përshtypje vizuale, por nuk ndikojnë tek institucionet apo populli në mënyrë të qëndrueshme.”

Ai shtoi se protestat shpesh nuk arrijnë të ndikojnë te qytetarët që kërkojnë një zgjidhje reale:

“Historia ka treguar se marrja e godinave nuk është marrje pushteti. Shteti është i strukturuar dhe pushteti nuk rrëzohet me molotovë apo okupim të përkohshëm. Qëllimi i protestës politike është energjizimi i bazës dhe dërgimi i mesazheve ndërkombëtare se opozita po lufton për të drejtat e veta. Protestat e PD-së shpesh janë një dominim i skenës politike dhe një mënyrë për të treguar autoritet ndaj vetë anëtarëve të partisë. Fatkeqësisht, kjo kulturë shumë e vjetër politike vazhdon të ushqejë vetëm ata që janë rreth saj, dhe jo qytetarët që kanë nevojë për alternativa reale.”

Ai përfundoi me mesazhin kryesor për opozitën:

“Sa kohë nuk krijohet një alternativë e re, pushteti nuk rrëzohet. Populli nuk është aty për të mbështetur një opozitë të pashpresë. Ai sheh vetëm një kundërshtar të Ramës, jo një alternativë që mund ta zëvendësojë. Nëse nuk ka vizion dhe alternativë të qartë, protestat mbeten thjesht spektakël, dhe qytetari i lodhur nuk gjen zgjidhje.”

“Republika e Bananeve”/ Nga letërsia te grushtet e shtetit, historia e errët e një termi që refuzon të vdesë

By: E S
28 January 2026 at 20:37

Një diktator me syze dielli, një parlament në kaos dhe një popull i shtypur nga pandëshkueshmëria. Ky është imazhi klishe që na vjen ndërmend sa herë dëgjojmë termin “republikë bananeje”.

Por pas kësaj shprehjeje, e cila sot përdoret rëndom si fyerje politike, fshihet një histori e dhunshme shfrytëzimi kolonial, grushtesh shteti dhe fuqie të pakufizuar korporative.

Nga plantacionet e Amerikës Qendrore te retorika e Uashingtonit, evolucioni i këtij termi tregon se si një e kaluar tragjike mund të zbehet në metaforë.

Origjina letrare, kur O. Henry u arratis në Honduras

Termi nuk lindi në ndonjë raport të CIA-s, por në imagjinatën e shkrimtarit amerikan O. Henry (William Sydney Porter). Në vitin 1896, në arrati nga akuzat për përvetësim fondesh në SHBA, ai u strehua në Honduras.

Në qytetin bregdetar të Trujillos, Henry vëzhgoi se si kompania amerikane “United Fruit Company” (sot Chiquita) kontrollonte gjithçka: hekurudhat, portet dhe qeverinë. Kjo frymëzoi librin e tij “Lakra dhe Mbretër” (1904), ku ai krijoi vendin imagjinar të “Anchuria”-s — një “republikë e vogël bananeje detare”, ku qeveria ishte thjesht një marionetë e interesave të huaja.

Më shumë se fruta, katërshja origjinale

Sipas gazetarit hulumtues nga Salvadori, Carlos Dada, termi nuk ishte thjesht trillim. Ai përshkruante realitetin e katër vendeve specifike: Hondurasit, Guatemalës, Nikaraguas dhe Kosta Rikës.

Në këto shtete, gjigantët si United Fruit Company dhe Standard Fruit (sot Dole) zotëronin pjesën dërrmuese të tokës dhe diktonin jetën politike me bekimin e Uashingtonit.

“Republikat e bananeve janë padyshim më të afërtat që Shtetet e Bashkuara kanë qenë ndonjëherë me një fuqi kolonizuese, pa përgjegjësitë që kolonizatorët kishin ndaj të kolonizuarve gjetkë,” shkruan Dada.

Grushti i shtetit për mbrojtjen e fitimeve

Rasti më famëkeq që ilustron këtë koncept është ai i Guatemalës në vitin 1954. Kur presidenti i zgjedhur në mënyrë demokratike, Jacobo Arbenz, tentoi të rishpërndante tokat e papërdorura (që zotëroheshin nga United Fruit Company) te fermerët e varfër, reagimi ishte brutal.

Për të mbrojtur fitimet e kompanisë, CIA orkestroi një grusht shteti që rrëzoi Arbenz-in, duke e zëvendësuar atë me një regjim ushtarak brutal. Kjo ngjarje u përjetësua në muralin “Fitorja e Lavdishme” të piktorit meksikan Diego Rivera.

Kostoja njerëzore dhe “masakra e bananeve”

Sistemi i “republikës së bananeve” kishte një kosto të lartë gjaku. Një nga episodet më të errëta është Masakra e vitit 1928 në Kolumbi, ku ushtria hapi zjarr ndaj punëtorëve grevistë të United Fruit Company, të cilët kërkonin kushte më të mira pune. Mes viktimave kishte gra dhe fëmijë.

Ky episod tragjik u bë pjesë e kujtesës globale falë nobelistit Gabriel Garcia Marquez, i cili e përfshiu në kryeveprën e tij “Njëqind vjet vetmi”.

A është SHBA një “republikë ananeje”?

Në vitet e fundit, veçanërisht pas trazirave të 6 janarit 2021 në Kapitol, termi është rikthyer në diskursin politik amerikan. Historiania Aviva Chomsky argumenton se përdorimi i termit për SHBA-në është ironik por i saktë, pasi modeli ekonomik “ekstraktivist” (shfrytëzues) është po aq pjesë e historisë së SHBA-së sa edhe e Hondurasit.

Megjithatë, gjuhëtarët dhe historianët bëjnë thirrje për kujdes në përdorimin e termit sot.

Nëse përdoret për të nënçmuar popujt e Amerikës Latine si të paaftë për demokraci, termi është racist dhe pejorativ.

Nëse përdoret për të përshkruar strukturat historike që kanë minuar sovranitetin e këtyre vendeve, ai mbetet një term i dobishëm analitik.

Siç thekson Chomsky, “ne duhet të flasim për marrëdhëniet historike që krijuan këto kushte, dhe jo të pretendojmë se varfëria apo dhuna janë karakteristika të lindura të këtyre kombeve”.

Përkeqësimi i motit në Gjirin e Vlorës, paralajmërim për mjetet lundruese

28 January 2026 at 13:41


Të gjitha mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit që operojnë brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës janë ndaluar të dalin në det të hapur, duke filluar nga ora 06:00 datë 28.01.2026 deri në datë 29.01.2026 në orën 06:00.

Kapiteneria e Portit Vlorë bën me dije se vendimi merret për shkak të përkeqësimit të kushteve meteorologjike brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, gjatë këtyre datave.

“Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike detare të përkeqësuar brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, gjatë datave 28-29.01.2026 duke filluar nga ora 06:00 datë 28.01.2026 në drejtimin JUG-JUGLINDJE në forcën deri 6-7bft me shpejtësi ere deri në 15-25m/s dhe lartësi dallge nga 1.50 deri 2.50 metra, ju bëjmë me dije se:

Kapiteneria e portit Vlorë ka ndaluar pajisjen me leje-nisje të mjeteve të vogla lundruese dhe ato të peshkimit të cilat duan të operojnë brenda gjirit të Vlorës dhe në det të hapur, duke filluar nga ora 06:00 datë 28.01.2026 deri në datë 29.01.2026 në orën 06:00.

Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gatishmërisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.

Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse”, thuhet në njoftimin e Kapitenerisë së Vlorës. /euronewsl.al/

Gent Gazheli jep dorëheqje nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave

28 January 2026 at 13:05


Gent Gazheli ka dhënë dorëheqjen nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave.

Burime bëjnë me dije se largimi i tij nga detyra është formalizuar, ndërsa pritet që drejtimin e Doganave ta marrë Besmir Beja.

Ndërkohë, Gent Gazheli pritet të emërohet zv.ministër i Mjedisit, raporton euroenews.al.

Ende nuk ka një njoftim zyrtar nga institucionet përkatëse lidhur me ndryshimet, por burime konfirmojnë se vendimet pritet të bëhen publike në vijim.

Kadare përjetësohet në bronz, statuja përurohet në vendin ku konsumonte kafenë çdo ditë

28 January 2026 at 12:55


Gjeni i letrave shqipe, Ismail Kadare u përjetësua përmes një statuje në vendin ku konsumonte kafenë çdo ditë dhe që për të shërbente si vendtakim për të gjithë admiruesit që donin të kishin një kujtim me të.

Bashkudhëtarja e jetës së tij, Helena Kadare, kujtoi me mall Ismailin teksa konsumoi kafenë prapë veprës.

Ndërkaq, i pranishëm ishte edhe Bujar Hudhri, botuesi i veprave të shkrimtarit Ismail Kadare.

“Kurrë skam qenë aq i emocionuar sa sot… në këtë hapësirë që Kadare e pëlqente shumë, nuk ka tavolinë e karrige ku nuk jem ulur. Dimër e verë, në çdo kohë. E shoh këtë monument si një prani. Kadare do të jetë tashmë i pranishëm në jetën tonë në përjetësi”, u shpreh Bujar Hudhri.

Me idenë e aktorit Timo Flloko dhe mbështetjen e miqve të familjes Kadare, skulptura e derdhur në bronz u realizua nga Henri Nimami.

Miqtë dhe familjarët kujtuan në këtë përvjetor shkrimtarin e lirë që me veprën e tij u shndërrua në përfaqësuesin kryesor të letërsisë shqipe nëpër botë. /tch/


Të dënuar për vrasje në tentativë e vjedhje të rëndë, Policia në Gjakovë arreston dy të arratisur

28 January 2026 at 12:28


Policia e Kosovës për rajonin e Gjakovës ka arritur t’i lokalizojë dhe arrestojë dy persona, të kërkuar me urdhër-arrest gjyqësor të cilët ndodheshin në arrati.

Policia ka arrestuar L.K, mashkull 30 vjeç, i dënuar për veprat penale “Vjedhje e rëndë” dhe “Lëndim i lehtë trupor” me 1 vit e 8 muaj burgim, si dhe L.M mashkull, 27 vjeçar, i dënuar për veprën penale “Vrasje në tentativë” me 3 vite burgim, përfshirë edhe periudhën e arrestit shtëpiak 6 muaj.

“Pas arrestimit të dy personat janë dërguar për vuajtje të dënimit konform vendimeve gjyqësore”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

❌
❌