Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 January 2026Main stream

“Shqipëria, partnere e besueshme”, Begaj pret ambasadorët e huaj, mesazh të veçantë edhe për Diasporën

By: A R
28 January 2026 at 20:00

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi mbrëmjen e sotme pritjen me përfaqësuesit e Trupit Diplomatik në Shqipëri.

Gjatë fjalës përshëndetëse, Presidenti Begaj i ftoi ambasadorët ta shohin Shqipërinë si shtëpinë e tyre.

Presidenti i Republikës i cilësoi marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe përkatësinë në Aleancën e Atlantikut të Veriut si themelet e sigurisë dhe orientimit tonë ndërkombëtar.

Kreu i Shtetit bëri të ditur qëndrimin aktiv të Shqipërisë përballë zhvillimeve komplekse botërore, orientimin e palëkundur Euroatlantik dhe angazhimin për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian. Gjithashtu, Presidenti i Republikës rikonfirmoi politikat e fqinjësisë së mirë, forcimin e bashkëpunimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, mbështetjen e fuqishme ndaj Kosovës, faktorit shqiptar në rajon dhe forcimin e lidhjeve me diasporën.

Duke iu referuar tranzicionit global, Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria e vlerëson atë me një përgjegjësi dhe vëmendje të shtuar.

“Përkatësia Euroatlantike dhe bashkëpunimi me partnerët strategjikë, nuk janë thjesht për llogari gjeopolitike, por zgjedhje identiteti dhe vlera të patjetërsueshme”, theksoi Presidenti Begaj.

Dhe këto parime, sipas Kreut të Shtetit, nuk mbeten në nivel deklarativ, por përkthehen në zgjedhje të qarta strategjike dhe aleanca të qëndrueshme.

Duke iu referuar marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, Presidenti Begaj u shpreh, ndër të tjera, se ky partneritet, më shumë se një aleancë politike e ushtarake, është një marrëdhënie e veçantë historike, e ndërtuar mbi mirënjohjen, besimin, vlerat e përbashkëta dhe angazhimin për lirinë dhe demokracinë.

Në këtë kuadër, Presidenti i Republikës përmendi ftesën e Presidentit Trump për përfshirjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes, një nismë e rëndësishme që synon forcimin e paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar. Presidenti i Republikës e cilësoi atë si vlerësim të Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë si një partner të besueshëm, të qëndrueshëm dhe të përkushtuar.

Duke iu referuar procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, Presidenti Begaj theksoi progresin që është bërë së fundmi me grup-kapitujt e negociatave dhe reformat transformuese, të cilat kanë shënuar kalimin, nga aspirata, në një angazhim të strukturuar dhe të bazuar në meritë.

Presidenti Begaj e cilësoi prioritet forcimin e Aleancës Veriatlantike në një epokë ku siguria nuk mund të merret më e mirëqenë, e për këtë theksoi kontributin aktiv të Shqipërisë duke investuar në mbrojtje moderne dhe siguri kibernetike.

Për sa u përket zhvillimeve në rajon, Presidenti Begaj e cilësoi Shqipërinë si një spirancë të orientimit Euroatlantik në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar faktin se Shqipëria mbetet promotore e dialogut dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, e mbështet fuqishëm Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe angazhohet për fqinjësi të mirë, dialog dhe integrim evropian si horizont i përbashkët.

Një mesazh të veçantë Presidenti i Republikës përcolli edhe për diasporën, duke shprehur mirënjohje për angazhimin e saj në hapjen e Shqipërisë për zhvillimin e turizmit, ndërsa theksoi rëndësinë e forcimit të lidhjeve.

Duke iu referuar prioriteteve të këtij viti, Kreu i Shtetit theksoi se viti 2026 përfaqëson për Shqipërinë një moment të rëndësishëm konsolidimi institucional dhe afrimi me standardet evropiane.

“Synimi ynë është të thellojmë këtë hapje, të forcojmë besimin dhe të krijojmë kushte që lidhja mes Shqipërisë, diasporës dhe partnerëve tanë të përkthehet në zhvillim të qëndrueshëm dhe integrim të mëtejshëm evropian”, – deklaroi Presidenti i Republikës në pritjen e përvitshme me përfaqësues të Trupit Diplomatik në Shqipëri.

Hekurudha Tiranë-Durrës, qeveria rrit faturën e shpronësimeve me 97 milionë lekë, shtohen pronarët në listë

By: A R
28 January 2026 at 19:52

Kostoja për lirimin e terrenit ku do të kalojë hekurudha e re Tiranë-Durrës dhe degëzimi për në Rinas ka pësuar rritje. Këshilli i Ministrave ka miratuar një ndryshim në vendimin e janarit 2024, duke zgjeruar hartën e shpronësimeve dhe duke rritur fondin në dispozicion për pronarët e tokave.

Sipas vendimit të zbardhur, fondi limit për kompensimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme (arë, truall, vreshtë) ndryshon nga 280.4 milionë lekë që ishte parashikuar fillimisht, në 377.3 milionë lekë (rreth 3.7 milionë euro).

Kjo shtesë prej rreth 97 milionë lekësh vjen si pasojë e dy faktorëve ku janë ndryshuar vlerat e shpronësimit për 15 pasuri ekzistuese në listë, si dhe në tabelën e shpronësimeve janë shtuar 31 pasuri të reja, çka tregon se projekti ka prekur sipërfaqe shtesë toke që nuk ishin përfshirë në planin fillestar.

Shpenzimet procedurale shtesë do të mbulohen nga vetë shoqëria “Hekurudha Shqiptare” sh.a. Ndërkohë, zbatimi i këtij vendimi u është ngarkuar Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (konkretisht drejtorive Vorë, Tiranë Rurale 2 dhe Krujë), si dhe drejtorive të administrimit të tokës në qarqet Tiranë dhe Durrës.

Ky projekt konsiderohet si një nga veprat më strategjike të infrastrukturës, duke synuar të shkurtojë kohën e udhëtimit mes dy qyteteve kryesore në 22 minuta dhe atë Tiranë-Rinas në vetëm 12 minuta.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak: Java e ardhshme me mot të qëndrueshëm

By: A R
28 January 2026 at 19:45

Janari i këtij viti ka “dimëruar”, përmes reshjeve të shumta, si të shiut e të dëborës, por gjithashtu dhe për shkak të uljes së temperaturave.

Pasojat kanë qenë të shumta, bllokime, përmbytje, si në vend por dhe botë.

Sai përket situatës së motit, në lidhje të drejtpërdrejtë ishte Toger Enida Doçi nga Shërbimi Meteorologjik Ushtarak, në emisionin e sotëm “Rudina” në Tv Klan.

Fillimisht sqarohet se kthjellimet dhe vranësirat do të jenë prezente e në ditët në vijim të kësaj jave.

Zona jugore në interval afatshkurtra kohore, parashikohet me reshje shiu me intensitet deri të lartë, në formën e stuhive., kryesisht në Gjirokastër, Tepelenë, si dhe Sarandë. Në relievet malore të larta në verilindje dhe juglindje, por në lartësitë 700-900 metra, po ashtu në zonën e Alpeve, priten dhe reshje dëbore me intensitet të ulët dhe lokalisht mesatar.

Ditën e premte parashikohet gjithashtu mot i paqëndrueshëm, e priten reshje shiu me intensitet të ulët me karakter lokal. Reshjet e dëborën priten të jenë prezente, por me intensitet kryesisht të ulëta, kryesisht në Kukës, Peshkopi, Korçë, si dhe në zonat lindore të territorit.

Vlerat më të ulëta të temperaturave parashikohen deri në 3 gradë Celcius, kryesisht për Kukësin e Peshkopinë, ndërsa vlerat maksimale priten deri në 16 gradë Celcius për zonat e ulëta.

Në një parashikim për javën e ardhshme, nga dita e hënë pritet një mot relativisht i qëndrueshëm. Megjithatë, do të ketë kthjellime dhe alternime vranësirash.

“Burg kush prek gazetarët”, avokati: Mbrojtja ligjore forcon pushtetin e medias!

By: A R
28 January 2026 at 19:38

Dhuna ndaj gazetarëve do të dënohet deri në 5 vite burg. Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ndryshime në Kodin Penal, të cilat parashikojnë dënime të ashpra për këdo që ushtron dhunë ndaj gazetarëve gjatë ushtrimit të detyrës.

Sipas ndryshimeve të reja, edhe kërcënimi ndaj gazetarëve do të dënohet deri në 3 vite burg. Ndryshimet u miratuan me 85 vota të mazhorancës, ndërsa opozita votoi kundër. Po ashtu, shpifja ndaj gazetarëve është dekriminalizuar.

I ftuar në emisionin “Tirana Live”, avokati Arbër Hoxha u shpreh se përfshirja e gazetarëve si subjekt i posaçëm në Kodin Penal rrit dhe forcon pushtetin e medias, si dhe rolin e gazetarëve në shoqëri.

Sipas tij, në draftin e ri duhet të përcaktohet qartë se mbrojtja nuk duhet të përfshijë vetëm gazetarët, por edhe të gjithë punonjësit e medias. Avokati theksoi se duhet një rikonceptim i plotë ligjor, duke bërë subjekt të posaçëm në Kodin Penal edhe punonjësit e medias, jo vetëm gazetarët.

Ai shtoi se media nuk mund të etiketohet apo të konsiderohet pjesë e pushtetit, pasi ajo është një institucion i pavarur.

“Mbrojtja e gazetarëve si subjekt i posaçëm nëpërmjet Kodit Penal rrit dhe forcon pushtetin e medias, por edhe të gazetarëve. Në draftin e ri duhet të përcaktohet që duhet të mbrohen jo vetëm gazetarët, por edhe të gjithë punonjësit e medias.

Duhet të ishte kryer prej vitesh, por më mirë vonë sesa kurrë. Kjo e fuqizon rolin e medias. Duhet të ketë një rikonceptim, edhe punonjësit e medias duhet të jenë subjekt i posaçëm në Kodin Penal. Media nuk duhet të cilësohet pjesë e pushtetit, ajo është e pavarur”, tha ai.

Pse opozita nuk e ngre një “qeveri teknike” në hije?

By: A R
28 January 2026 at 19:31

Nga Ylli Pata

Fabula e qeverisë teknike, edhe pse u ka mbirë në bark, në radhë të parë mbështetësve të opozitës, por edhe publikut, është kthyer në një parodi politike.

E cila ka ardhur si precedent politik në Shqipëri, sa herë ka pasur kriza të rënda që kanë tronditur vendin politikisht.

Qeveria e fundit teknike ishte kabineti veror e qershor-shtator 2017, ku i vetmi ministër që është sot në politikë është Gazment Bardhi.

I cili ishte ministër i Drejtësisë së Edi Ramës pas natës së 17 majit, kur ndodhi marrëveshja e famshme me Lulzim Bashën.

Por “oreksi” i PD-së për qeverinë teknike ka vazhduar pas çdo zgjedhje parlamentare apo vendore, nërkohë që pas 11 majit, pikun e pati në 6 muajt e fundit, kur u vu në jetë plani i ashtuquajtur Ramaduro.

E fikur përkohësisht si pasojë e ftesës së Donald Trump për Edi Ramënn ë Bordin e Paqes dhe vizitës në Izrael, fabula pritet të riaktivizohet pas vendimit të Kushtetueses dhe Këshillit të Mandateve për rastin Balluku.

Ku sipas të gjitha gjasave do të riazhornohet plani i sherrit në Kuvend, foltoreve të së së hënës dhe protestave kombëtare. Që siç tha një deputet i PD-së, do të kenë vendime fatale dhe të forta.

Por, meqë “Duam qeveri teknike” është jo vetëm një dëshirë e kërkesë, por një manifest politik i PD-së, përse kjo e fundit nuk e ngre vetë një “qeveri teknike” të sajën në hije?

Qeveri, e cila bën sens dhe nuk do të ketë rrezikun e konkurrencës me “qeverinë Pilinçi”, pasi çdo opozitë serioze në Europë, e ka një kabinet në hije që përballet sy më sy me ministrat e qeverisë.

Një qeveri teknike e opozitës, do të tregonte përpara publikut se cila është ideja apo vizioni politik i PD-së për konfigurimin e një kabineti që të shikohet si alternativë ndaj qeverisë.

Një kabinet, i cili nga forma dhe personazhet që përmban, do të fliste shumë më tepër sesa zhurme e përplasjet në Kuvend apo panele.

Ndërkaq, “ministrat e qeverisë teknike” të flisnin sipas “dikastereve” që mbulojnë duke shpallur idetë e tyre të drejtimit apo menaxhimit, sipas çështjeve. Duke bërë betejë e duel real në Kuvend me anëtarët e qeverisë, e kështu i bëjnë një dobie dhe mbështetësve të opozitës, por edhe bëjnë një debat më të formësuar në publik.

Pastaj, edhe nëse krijohen kushtet për shumë të dashurën qeveri teknike në realitet, publiku e ka të qartë pak a shumë se cila është ideja e opozitës për ministrat e saj. Jo si në 2017-n, kur ministrat dolën si papritur nga xhepi i Lulit, pasi ja kishte paketuar doktori. Një nga të cilët e njohim pasi sot opozita e ka numrin dy dhe njeriun kryesor në Parlament.

VIDEO / Ish-ambasadori: Protestat nuk mjaftojnë, PD-së i duhet lidership i arsyeshëm…

By: A R
28 January 2026 at 19:24

PD mes historisë së Berishës dhe nevojës për ndryshim, opozita e dobët është luks për qeverinë e korruptuar

Bindja e verbër ndaj një figure të fortë,  nuk mund të vazhdojë të jetë si zgjidhje e vetme në Partinë Demokratike ku nevojiten njerëz të fortë politikisht që ndjekin një lidership të arsyeshëm dhe vizionar. Ky ndryshim i rëndësishëm në PD do t’i jepte kësaj partie një tjetër perspektivë, sipas ish-ambasadorit Arben Çejku, i cili është prej shumë vitesh pjesë e Partisë Demokratike.

Në intervistë për TemA, ai flet për zhvillimet në PD, problematikat e një partie për 13 vite në opozitë dhe gjithçka që nuk shkon mirë brenda saj.  Çejku thotë se protestat nuk mjaftojnë, ndërkohë që sheshet janë përgjysmuar edhe për shkak të ikjes masive të njerëzve nga Shqipëria. Ai thotë se ndryshimi i dëshiruar vjen vetëm përmes moralit dhe jo interesave të individëve apo grupeve të caktuara në opozitë.

I konsideron butaforike paralajmërimet e opozitës për raporte të përkeqësuara të kryeministrit Rama me SHBA-në, ndërsa flet për një mënjanim të PD-së nga ndërkombëtarët, duke përfshirë edhe partitë aleate të PD-së. Sipas Çejkut, lideri Berisha ka kontribute të çmuara në parti dhe në politikën shqiptare.

Ai thotë se Berisha do ta ketë vendin e padiskutuar në histori për të gjitha meritat, por edhe për vendimet e gabuara që mund të ketë marrë si lider, por tashmë është koha që në PD të ketë ndryshime të rëndësishme për t’iu qasur elektoratit si alternativë qeverisëse. Qeverisja e korruptuar, sipas Çejkut, e ka luksin të vazhdojë në mandatin e katërt vetëm për faktin se ka përballë një opozitë të çorganizuar dhe të dobët. Nevoja e modernizimit të PD-së është gjithashtu domosdoshmëri për shoqërinë, thotë Çejku

Nga 10 shkurti nis “Kadastra Fiskale”, si ndryshon llogaritja e taksës së ndërtesës

By: A R
28 January 2026 at 19:08

Duke filluar nga data 10 shkurt 2026, administrimi i taksës së pasurisë në Shqipëri do të hyjë në një epokë të re, tërësisht të digjitalizuar dhe të centralizuar. Qeveria ka miratuar sot vendimin për krijimin e “Regjistrit Qendror të Bazës së të Dhënave të Pasurive të Paluajtshme”, i njohur ndryshe si Kadastra Fiskale.

Ky vendim shënon fundin e epokës së regjistrave të fragmentuar të bashkive dhe kalimin në një sistem unik kombëtar, i cili synon të mbyllë shtigjet e evazionit fiskal dhe të rrisë të ardhurat për pushtetin vendor.

Si do të funksionojë super-regjistri?

Sipas vendimit të zbardhur, autoriteti qendror që do të administrojë këtë bazë të dhënash është Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë (DPTP), në bashkëpunim me AKSHI-n. Risia kryesore e këtij sistemi është ndërveprimi automatik.

Kadastra Fiskale nuk do të jetë një ishull i izoluar informacioni. Ajo do të funksionojë si një “rrjetë” që mbledh të dhëna në kohë reale nga disa burime shtetërore për të identifikuar saktësisht pronën dhe taksapaguesin. Sistemi do të kryqëzojë të dhënat nga:

ASHK (Kadastra), për të konfirmuar pronësinë ligjore.

OSHEE, për të identifikuar përdoruesin faktik përmes kontratave të energjisë.

Gjendja Civile dhe QKB, për të saktësuar identitetin e individëve dhe bizneseve.

e-Leje, për të taksuar ndërtimet e reja sapo të regjistrohen si leje zhvillimi.

Kjo do të thotë se qytetarët apo bizneset që deri më dje mund t’i shpëtonin taksës për shkak se bashkia nuk kishte informacion të përditësuar, tani do të identifikohen automatikisht nga sistemi.

Hiearkia e re, nga ndërtesa te njësia

Sipas vendimit, për herë të parë, baza e të dhënave sanksionon një strukturë të qartë teknike. Regjistri ndan “Ndërtesën” (objekti fizik, gjurma në hartë) nga “Njësia e Ndërtesës” (apartamenti, dyqani apo garazhi specifik).

Për secilën njësi, sistemi do të ketë të regjistruar jo vetëm sipërfaqen dhe pronarin, por edhe “Zonën e Vlerës” dhe çmimin referues përkatës. Kjo i heq mundësinë punonjësve të bashkive për të vlerësuar pronat sipas dëshirës, pasi vlera e taksueshme do të gjenerohet automatikisht bazuar në çmimet referuese të miratuara nga qeveria.

Roli i bashkive dhe afati i fundit

Deri më 10 shkurt 2026, të 61 bashkitë e vendit kanë detyrimin ligjor të fillojnë administrimin e taksës përmes këtij portali.

Edhe pse sistemi është qendror, bashkitë mbeten aktorë kyç. Ato do të kenë akses për të hedhur dhe modifikuar të dhënat për pasuritë që ndodhen në territorin e tyre, por çdo ndryshim do të lërë “gjurmë auditi”. Kjo do të thotë se çdo ulje e detyrimit apo ndryshim i sipërfaqes nga punonjësit lokalë do të jetë e monitorueshme nga qendra, duke rritur llogaridhënien.

Sipas vendimit, krijimi i Kadastrës Fiskale vjen si një domosdoshmëri për reformën e taksës së pronës, një kërkesë e vazhdueshme edhe e institucioneve ndërkombëtare si FMN.

Me një sistem të bazuar në vlerën e tregut dhe jo në tarifa fikse të vjetruara, qeveria synon që taksa e pasurisë të kthehet në burimin kryesor të të ardhurave për bashkitë, duke i bërë ato më të pavarura financiarisht nga buxheti qendror.

Për qytetarët, ky ndryshim përkthehet në fatura më të sakta, por potencialisht edhe në një “formalizim të detyruar” të çdo metri katror që zotërojnë.

Pikat kryesore të vendimit për Kadastrën Fiskale

  • Data e nisjes së zbatimit është më 10 Shkurt 2026.
  • Institucioni përgjegjës është Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë (DPTP).
  • Paguajanë pronarët, zhvilluesit e pronave dhe përdoruesit e njësive të ndërtesave.
  • Risi është lidhja direkte me sistemin e hipotekës (ASHK), dritave (OSHEE) dhe lejeve të ndërtimit (e-Leje).
  • Llogaritja do të bëhet automatike, bazuar në çmimet referuese të zonës.

Turqia thirrje Uashingtonit: Mbyllini çështjet me Iranin një nga një, Teherani është gati për bisedime

By: A R
28 January 2026 at 18:47

Ministri i jashtëm turk të martën i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të zgjidhin mosmarrëveshjet me Iranin “një nga një” në vend që të bëjnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, duke shtuar se Teherani ishte gati për bisedime mbi programin e tij bërthamor.

Duke folur për Al Jazeera, Hakan Fidan përsëriti se Turqia kundërshton ndërhyrjen ose sulmin e huaj ndaj Iranit, duke thënë se do të ishte “gabim të fillonte një luftë përsëri”.

“Këshilla ime për miqtë amerikanë është gjithmonë kjo: mbyllni dosjet me iranianët një nga një. Filloni me programin bërthamor, mbylleni atë, pastaj tjetrin, pastaj tjetrin”, tha Fidan.

“Nëse i vendosni të gjitha në një paketë, do të jetë shumë e vështirë për miqtë tanë iranianë ta përtypin atë”, tha ai.

“Ndonjëherë mund t’u duket poshtëruese. Do të jetë shumë e vështirë për t’u shpjeguar, jo vetëm atyre, por edhe udhëheqjes”.

Në qershor, Shtetet e Bashkuara goditën objektet bërthamore iraniane mes tensioneve të larta rajonale me Izraelin për shkak të luftës në Gaza.

Bisedimet mbi programin bërthamor të Teheranit kanë bërë pak përparim.

Turqia, një anëtare e NATO-s që kufizohet me Iranin, ka thënë se është përpjekur të kontaktojë zyrtarët amerikanë dhe iranianë.

Ankaraja ka thënë se Teheranit duhet t’i lejohet të merret me punët e veta të brendshme, duke paralajmëruar se çdo destabilizim do të ishte përtej aftësisë së rajonit për t’u përballuar në këtë kohë.

Fidan tha gjithashtu se Izraeli ende planifikon të sulmojë Iranin.

Kodi Penal, OSBE pro ndryshimeve për shpifjen: Hap i rëndësishëm…

By: A R
28 January 2026 at 17:48

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka reaguar pas ndryshimeve të fundit në Kodin Penal. Ajo mirëpret vendimin lidhur me shpifjen duke e konsideruar si një hap të parë të rëndësishëm drejt forcimit të lirisë së shprehjes.

OSBE-ja thekson se forcimi i mbrojtjes për gazetarët ka qenë një rekomandim i hershëm i saj. Po ashtu, vijon të inkurajojë dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe përdorimin e masave civile proporcionale.

“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpret ndryshimet e fundit në Kodin Penal lidhur me shpifjen, si një hap të parë të rëndësishëm drejt forcimit të lirisë së shprehjes. Forcimi i mbrojtjes për gazetarët pasqyron një rekomandim të hershëm të OSBE-së. Ne vijojmë të inkurajojmë dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe përdorimin e masave civile proporcionale”, njoftoi OSBE-ja.

Kujtojmë se kuvendi i miratoi ndryshimet në Kodin Penal pas 18 orësh diskutime. Partia Demokratike u shpreh kundër tyre.

Çfarë parashikojnë ndryshimet?

“Një gazetar i punësuar ose i vetëpunësuar, i regjistruar dhe i njohur si i tillë në përputhje me legjislacionin në fuqi, pavarësisht nga shtetësia apo vendi ku ushtrohet aktiviteti, nuk mban përgjegjësi penale për veprën e shpifjes sipas këtij neni, për përhapjen me mirëbesim të të dhënave/thënieve ose çdo informacioni tjetër, përmes shtypit, medias audiovizive, medias elektronike ose platformave të tjera të komunikimit publik”, thuhet në ligj.

Gjithsesi, për gazetarët ka disa kushte, të tilla që ky i fundit të mos ketë dijeni se informacioni është i rremë dhe të ketë bërë përpjekje të mjaftueshme për të verifikuar saktësinë.

Ndryshimet prekën edhe nenin që përcakton si vepër penale “Goditjet për shkak të detyrës”, ku u shtua edhe dhuna ndaj gazetarëve.

Ndryshimet e tjera në Kodin Penal prekin edhe dispozita të tjera që, sipas qeverisë, lidhen me përafrimin e legjislacionit me aktet e Komisionit Evropian, forcojnë shtetin e së drejtës dhe rrisin sigurinë publike.

Ndër to shtohet si vepër penale parkimi i dyfishtë, në rastet kur pengon seriozisht qarkullimin dhe mjetet e emergjencës. Dispozitat e reja sjellin një ashpërsim të dënimeve për veprat penale të kryera ndaj fëmijëve, ato me natyrë seksuale, përhapjen e terrorizmit, ndërtimet e paligjshme dhe zjarrvënien e qëllimshme.

Euractiv: Athina e shqetësuar nga Bordi i Paqes i Trumpit. Frikë nga kurthi turk në Mesdheun lindor

By: A R
28 January 2026 at 17:38

Athina ka reaguar me shqetësim ndaj shpalljes së Bordit të Paqes nga Presidenti amerikan Donald Trump, një nismë që pritet të marrë një rol më të gjerë përtej krizës së Lindjes së Mesme.

Qeveria greke sheh rrezikun që ky mekanizëm të margjinalizojë Kombet e Bashkuara dhe të dobësojë të drejtën ndërkombëtare – gurë themelorë të politikës së saj të jashtme – ndërsa Turqia, rivali i saj rajonal, është pjesë e bordit, kurse Greqia dhe 24 vende të tjera të BE-së kanë vendosur të qëndrojnë jashtë.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka kërkuar që fushëveprimi i Bordit të kufizohet vetëm në Gaza, duke paralajmëruar se mosmarrëveshjet e pazgjidhura në fqinjësinë e Greqisë mund të bien nën kompetencat e tij. Mosmarrëveshjet e gjata me Turqinë dhe Libinë mbi kufijtë detarë në Mesdheun lindor, të lidhura me shfrytëzimin e rezervave të gazit dhe naftës, mbeten një burim tensioni. Ndërsa Greqia mbështetet te Konventa e OKB-së për Ligjin e Detit, Turqia nuk e ka nënshkruar atë.

Euractiv shkruan se kjo prirje shihet edhe në marrëveshjet e arritura nga gjigantët amerikanë të energjisë Chevron dhe ExxonMobil me aktorët kryesorë rajonalë, përfshirë Greqinë, Turqinë, Qipron dhe Libinë.

Athina dhe Ankaraja kanë zhvilluar takime për të menaxhuar tensionet dhe për të identifikuar fusha bashkëpunimi, ndërsa pritet një takim i nivelit të lartë më 12 shkurt.

Megjithatë, opozita greke ka kritikuar Mitsotakis për “akte të rrezikshme balancimi” mes Uashingtonit dhe Brukselit, duke akuzuar qeverinë konservatore për përvetësimin e logjikës së “aleatit të caktuar” ndaj SHBA-së.

Ish-ministri i energjisë Giannis Maniatis ka paralajmëruar se çdo iniciativë që minon ligjshmërinë ndërkombëtare duhet të kundërshtohet me vendosmëri, duke theksuar nevojën që Greqia të udhëheqë përpjekjet për një mbrojtje dhe siguri më të fortë evropiane.

Burime diplomatike në Athinë konfirmojnë se Greqia është në një linjë me partnerët evropianë që e shohin nismën si problematike dhe potencialisht mbizotëruese të së drejtës ndërkombëtare. Brukseli pritet të angazhojë Uashingtonin për të kufizuar fushëveprimin e Bordit të Paqes. Ndërkohë, përfshirja e Bullgarisë në bord ka habitur BE-në, duke u parë si një përpjekje e Sofjes për të fituar pikë në Uashington.

Në këtë kontekst, Athina gjendet mes një ekuilibri delikat: të mbrojë interesat e saj në Mesdheun lindor përballë Turqisë, duke ruajtur besnikërinë ndaj BE-së, ndërkohë që kërkon të forcojë lidhjet me SHBA-në nën administratën Trump.

“Central fotovoltaik në Kavajë”, cilat janë vendimet e sotme të Këshillit të Ministrave

By: A R
28 January 2026 at 17:30

Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e zhvilluar këtë të mërkurë më 28 janar 2026, miratoi një paketë vendimesh me rëndësi në fushën e administrimit publik, energjisë, kadastrës, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Kështu, sipas një njoftimi nga Agjencia për Media dhe Informim, qeveria vendosi krijimin e bazës së të dhënave shtetërore “Regjistri qendror i bazës së të dhënave të pasurive të paluajtshme (kadastra fiskale)”, me synim përmirësimin e administrimit dhe transparencës së informacionit mbi pasuritë e paluajtshme në vend.

Gjithashtu, u miratua buxheti i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për vitin 2026, duke garantuar vazhdimësinë e funksionimit dhe zhvillimit të shërbimeve kadastrale.

Në fushën e energjisë, Këshilli i Ministrave miratoi ndërtimin e një centrali gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, me kapacitet të instaluar 95 MW. Centrali do të ndërtohet në zonën kadastrale 3204, në njësinë administrative Synej, Bashkia Kavajë, Qarku Tiranë. Agjencia për Media dhe Informim thekson se projekti nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masa mbështetëse.

Qeveria miratoi gjithashtu, në parim, marrëveshjen e financimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Malit të Zi dhe Komisionit Evropian për programin IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Mali i Zi – Shqipëri 2021–2027, duke forcuar më tej bashkëpunimin rajonal dhe procesin e integrimit evropian.

Në mbledhjen e sotme u vendos edhe organizimi dhe funksionimi i agjencisë “Innovation4Albania” si person juridik publik buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për inovacionin, me seli në Tiranë. Agjencia do të financohet nga buxheti i shtetit, donacione dhe burime të tjera të ligjshme.

Po ashtu, u miratua organizimi dhe funksionimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit (DPRMSH) si person juridik publik buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për rezervat materiale të shtetit, me seli në Tiranë.

Pezullohet lundrimi i mjeteve të vogla dhe të peshkimit në Vlorë

By: A R
28 January 2026 at 17:22

Për shkak të përkeqësimit të ndjeshëm të kushteve hidrometeorologjike detare, Kapiteneria e Portit Vlorë ka njoftuar ndalimin e lundrimit për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit për dy ditë me radhë, sot më 28 janar dhe nesër më 29 janar.

“Kapiteneria e portit Vlorë ka ndaluar pajisjen me leje-nisje të mjeteve të vogla lundruese dhe ato të peshkimit të cilat duan të operojnë brenda gjirit të Vlorës dhe në det të hapur, duke filluar nga ora 06:00 datë 28.01.2026 deri në datë 29.01.2026 në orën 06:00.”, thuhet në njoftimin për mediat.

Kapiteneria e Portit të Vlorës kërkon bashkëpunimin e të gjithë subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gatishmërisë së ekuipazhit në mjetet lundruese, me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike.

Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.

Ankimoi dënimin me burg, Gjykata Kushtetuese kalon për shqyrtim çështjen e ish-deputetit Salianji

By: A R
28 January 2026 at 17:14

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë ka vendosur këtë të martë kalimin për shqyrtim të kërkesës së paraqitur nga ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i cili ankimoi denimin e tij me 1 vit burg. Burime bene me dije se vendimi është marrë sot nga anetaret e Gjykates Kushtetuese pas verifikimit paraprak të materialeve dhe do të realizohet mbi bazë dokumentesh në seancë plenare.

Ervin Salianji i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për shfuqizimin, si të papajtueshme me Kushtetutën, të vendimeve gjyqësore që lidhen me dënimin e tij me një vit burg për akuzën e kallëzimit të rremë, në kuadër të çështjes së njohur si “Babale”.

Dënimi i tij është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë. Padia u regjistrua në Gjykatën Kushtetuese në nëntor të vitit të kaluar, ndërsa tashmë është caktuar edhe relatorja e çështjes, e cila do të ndjekë procedurat për shqyrtimin e mëtejshëm të saj.

Njoftimi:

Ervin Salianji: Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimeve nr.00-2025-421, datë 11.03.2025 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë; nr. 2059/30-2024-6822, datë 26.09.2024 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe nr.2900, datë 18.12.2019 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. 28.01.2026

Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimeve nr.00-2025-421, datë 11.03.2025 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë; nr. 2059/30-2024-6822, datë 26.09.2024 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe nr.2900, datë 18.12.2019 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Berisha vijon akuzat në Strasburg: Zgjedhjet në Shqipëri po shkatërrohen nga narkoshteti

By: A R
28 January 2026 at 12:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në fjalën e tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg, u ndal te zgjedhjet në Shqipëri duke pretenduar se ato po shkatërrohen nga qeveria.

Ai akuzoi se krimi i organizuar ka shndërruar “drogën në vota dhe votat në mbrojtje politike”, duke përmendur deputetë, sipas tij, të mbështetur nga kartele droge dhe bllokimin e drejtësisë.

Narkoshteti është një gjendje në të cilën droga dhe krimi shndërrohen në vota, dhe votat më pas shndërrohen në krime. 28 deputetë kanë hyrë në parlament të mbështetur nga kartelët më të fuqishëm të drogës. Pas kësaj, atyre iu dhanë 450 leje për hotele, motele, ndërtime dhe resorte turistike. Më pas, mandatet e tyre u përdorën për të bllokuar tërësisht Prokurorinë”, tha ai.

Ai akuzoi gjithashtuedhe  Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) për keqpërdorim të të dhënave, duke pretenduar se ato kanë përfunduar në duart e grupeve kriminale.

Agjencinë Kombëtare të Teknologjisë. Të gjitha të dhënat po eksportohen te bandat kriminale dhe banditët”, u shpreh ai.

Përmbytjet, Demo: Do ndihmojmë bashkitë. Territorialja të bazohet në të dhëna konkrete

By: A R
28 January 2026 at 11:45

Bashkitë shqiptare do të jenë më të përgatitura për situata emergjente, si përmbytjet, falë një fondi të posaçëm dhe një platforme të re digjitale që do të përmirësojë menaxhimin e shërbimeve lokale. Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, gjatë një konference për mediat, prezantoi këtë iniciativë, duke theksuar se teknologjia dhe mbështetja financiare do të fuqizojnë bashkitë për të përballuar situata kritike dhe për të menaxhuar burimet e tyre në mënyrë më efektive.

“Kemi një grant nga Emiratet e Bashkuara që do të jetë një ndihmë e madhe për bashkitë, që të jenë më të përgatitura për emergjenca si përmbytjet dhe situata të tjera të paparashikueshme”, tha Demo. Fondi prej 20 milionë eurosh do të përqendrohet kryesisht në sektorin e logjistikës dhe infrastrukturës bujqësore, duke ndihmuar bashkitë të reagojnë shpejt dhe të sigurojnë shërbime për qytetarët gjatë krizave.

Ministri shpjegoi se kur vijnë vështirësitë, bashkitë duhet të jenë të pajisura me mjete dhe burime për t’u përballur me situatën dhe për të ofruar ndihmë të menjëhershme. “Kur situata bëhet kritike, çdo minutë ka rëndësi, dhe kjo mbështetje do t’i ndihmojë bashkitë të veprojnë në kohë dhe me efikasitet”, theksoi Demo.

Përveç kësaj, qeveria ka nisur një projekt të veçantë për digjitalizimin e shërbimeve lokale, që do të përmirësojë menaxhimin e bashkive dhe performancën e tyre. Platforma digjitale do të integrojë të gjitha shërbimet e qeverisë dhe ato lokale, duke e bërë më të lehtë qasjen e qytetarëve në informacion dhe shërbime.

“Teknologjia do të ndihmojë bashkitë, që të kenë një performancë akoma më të mirë”, tha ministri Demo. “Prioriteti ynë është që bashkitë të manaxhojnë financat e tyre në mënyrë më efektive, që të kryejnë investime të rëndësishme për qytetarët dhe të ofrojnë shërbime më të mira”.

Një komponent tjetër i rëndësishëm i reformës është menaxhimi i financave, me bashkitë që për herë të parë do të administrojnë mbi 1 miliardë euro“Ky është një hap i madh drejt decentralizimit të financave dhe fuqizimit të nivelit lokal”, shtoi Demo. Platforma digjitale nuk do të shërbejë vetëm për menaxhimin e financave, por edhe për komunikimin mes qytetarëve dhe bashkive, duke mundësuar raportimin e problemeve, ndjekjen e investimeve dhe koordinimin më efikas të resursteve në raste emergjencash. “Ne synojmë që çdo bashki të ketë mjetet për të vepruar shpejt dhe në mënyrë të organizuar”, deklaroi ministri.

Sipas Demos, investimet e ardhshme do të fokusohen në projekte që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, duke përfshirë përmirësimin e rrugëve, shërbimeve shëndetësore dhe infrastrukturës arsimore, duke përdorur platformën digjitale si mjet mbështetës për menaxhimin e tyre.

“Ne po ndërtojmë një sistem ku bashkitë nuk do të jenë më vetëm për të shpërndarë shërbime, por do të jenë të fuqizuara për të reaguar në çdo situatë emergjente, për të mbrojtur qytetarët dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës”, përfundoi Demo.

Ministri Demo theksoi se reforma territoriale duhet të rrealizohet, në bazë të të dhënave në terren.

Transferimi i Kadastrës së Vlorës, ASHK sqaron vendimin: Procesi ka nisur 5 vite më parë, qytetarët nuk penalizohen

By: A R
28 January 2026 at 11:37

Agjencia Shtetërore e Kadastrës njofton se vijon punën për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, përmes thjeshtimit dhe lehtësimit të proceseve të brendshme institucionale.

“Prej kohësh, proceset kadastrale për disa drejtori vendore janë të lokalizuara në Tiranë, si pjesë e një modeli organizimi që synon optimizimin e burimeve njerëzore dhe proceseve administrative.

Të gjitha aplikimet kryhen online përmes portalit e-Albania dhe shërbimet përkatëse ofrohen gjithashtu në mënyrë elektronike, drejtpërdrejt në profilin e qytetarit aplikues.

Gjithashtu, dokumentacioni i nevojshëm për trajtimin e aplikimit, përveç ngarkimit në sistemin elektronik, dërgohet përmes Postës Shqiptare pranë drejtorisë vendore, pavarësisht vendndodhjes së saj, për t’u administruar dhe bashkëlidhur me aplikimin e kryer në mënyrë të rregullt dhe të standardizuar.

Procesi i transferimit të drejtorive vendore në Tiranë ka nisur që në vitin 2021 me transferimin e Durrësit e Krujës, për të vijuar më tej edhe me drejtori të tjera si Shkodër, Kavajë, Kamëz -Vorë, dhe Vlorë” – thuhet në reagim.

Në kuadër të rritjes së efikasitetit dhe të mirëadministrimit të proceseve të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, ASHK thotë se edhe pjesa e mbetur e punonjësve në qytetin e Vlorës, po zhvendoset në Tiranë.

Ky riorganizim synon përshpejtimin e trajtimit dhe unifikimin e praktikave të punës.

“Falë digjitalizimit dhe përdorimit të sistemeve të avancuara, një jurist mund të përpunojë të gjithë dokumentacionin ligjor dhe një hartograf mund të kryejë reflektimet hartografike në sistemet përkatëse, pa qenë prezent fizikisht në territorin në të cilin ndodhet prona apo aplikuesi.

Sigurojmë banorët e Vlorës se jemi të përkushtuar për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve kadastrale, për të rritur ritmin e legalizimit të ndërtimeve informale si dhe për të përfunduar procesin e Regjistrimit Fillestar në zonat e mbetura në të gjithë qarkun e Vlorës.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës mbetet e angazhuar që, përmes digjitalizimi të proceseve, të ofrojë shërbime gjithnjë e më të shpejta, transparente dhe të besueshme për çdo qytetar, në çdo drejtori vendore” – përfundon njoftimi.

Po transportonin 34 kg kanabis, arrestohen 2 persona në Gjirokastër

By: A R
28 January 2026 at 11:30

Sekuestrohen 34 kilogramë kanabis sativa në Gjirokastër. Policia bën me dije se dy persona janë vënë në pranga pasi u kapën te ura e fshatit Kardhiq duke transportuar 44 pako me lëndë narkotike të cilat i kishin fshehur te shasia e automjetit.

Lënda narkotike u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin tip “Hyundai” dhe me 4 celularë të të arrestuarëve.

Policia e Gjirokastrës po vijon hetime për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.

“DVP Gjirokastër/Finalizohet operacioni antidrogë, i koduar “Ura”. Sekuestrohen 34 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa.

U kapën tek ura e fshatit Kardhiq, duke transportuar 44 pako me lëndë narkotike, të cilat i kishin fshehur te shasia e automjetit, me qëllim trafikimin në Greqi, arrestohen 2 shtetas.

Si rezultat i një pune të mirorganizuar hetimore dhe operacionale, të kryer nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit Operacional dhe me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, me qëllim goditjen e një tjetër tentative për të trafikuar në Greqi, sasi të madhe lënde narkotike Cannabis Sativa, u finalizua operacioni “Ura”.

Në kuadër të operacionit, u arrestuan në flagrancë shtetasit E. M., 35 vjeç, banues në fshatin Blerimas, Delvinë dhe E. S., 37 vjeç, banues në fshatin Gjashtë, Sarandë.

Të dy u kapën në flagrancë, tek ura e fshatit Kardhiq, duke transportuar me automjet tip “Hyundai”, 44 pako me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa (me peshë totale 34 kilogramë e 5 gramë), dyshohet me qëllim trafikimin në Greqi.

Pakot ishin fshehur në një hapësirë të improvizuar, te shasia e automjetit.

Lënda narkotike u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin tip “Hyundai” dhe me 4 celularë të të arrestuarëve.

Strukturat e DVP Gjirokastër, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetime për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.

Materialet proceduarale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim”, thuhet në njoftim.

“Minjtë e nuhasin të parët tërmetin”, Noka për Salianjin: Agjenda e tij dirigjohet nga të tjerë!

By: A R
28 January 2026 at 11:21

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, tha se Ervin Salianji ka kaluar disa vija të kuqe dhe se PD nuk do të lejojë kurrë që elementë të krimit të organizuar të kenë ndikim tek ajo.

I ftuar në “Off the Record” nga Andrea Danglli, Noka tha se PD është e vetmja forcë politike që ka sanksionuar fraksionin. “Kush kërkon të krijojë një fraksion, të vijë. Është model europian se nuk e kemi shpikur ne fraksionet, ne i marrim dhe i implementojmë. Nuk duhet të jesh individ që të kesh fraksion. Duhet të kesh një ekip, një grup njerëzish nga qendra në bazë që ti i përfaqëson, qoftë 1%, 2%… Por, kur agjenda jote dirigjohet nga të tjerë dhe nuk është përkon me agjendën politike të forcës politike ku ti pretendon se aderon, pastaj këtu duhen parë disa gjëra sepse këtu pastaj nga demokraci kthehemi në anarki, ku të na kontrollojë kundërshtari lëvizjet dhe aktivitetin politik. Këtu është pak problem”, tha Noka.

Noka tha se personazhe të botës së krimit duan të kenë ndikim në PD, pasi e kuptojnë që socialistët po bien nga pushteti. “Tërmetin e nuhasin minjtë të parët dhe ndryshimet e mëdha politike i nuhasin kriminelët përpara se t’i nuhasin politikanët. Tani, ata që kontrollojnë gjithçka tek PS dhe qeveria, duan të  të ket kenë ndikimin e tyre këtu. Jo, PD-ja ka një vit të kuqe. Po kartelet e kuqe. Ergysi apo Sueli nuk kanë për të pasur kurrë as ndikim dhe as akses në PD. Kjo është kjo është vija e kuqe”, shtoi Noka.

Rikthehet “në skenë” Moisi Habilaj, dënohet me 10 vite burg nga Gjykata e Posaçme

By: A R
28 January 2026 at 11:09

Moisi Habilaj është dënuar me 10 vite burg nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë. Habilaj u shpall fajtor për dy akuza për trafik droge dhe një akuzë për grup të strukturuar kriminal.

Për dy akuzat e para u dënua me nga 12 vite burg, ndërsa për të tretën me 4 vite. Në total, Habilaj u dënua me 15 vite burg, por në zbatim të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul në 10 vite. Ai do ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.

Fajtor u shpall edhe Nezar Seiti, i cili u dënua me 12 vjet burgim, por për shkak të zbatimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul në 8 vite burg.

Gjykata gjithashtu shpalli të pafajshëm dy të pandehur të tjerë në këtë çështje, Fatmir Minaj dhe Maridian Sulajn.

Ambasadori shqiptar në Pekin, takime për bashkëpunimin ekonomik Shqipëri-Kinë

By: A R
28 January 2026 at 11:01

Ambasadori shqiptar në Pekin, Riza Poda, priti drejtuesit e kompanisë shtetërore kineze “Heze Urban Construction Engineering Development Group” (HUCG), të kryesuar nga CEO, z. Jin Weibing.

“Heze Group” është një ndër kompanitë më të mëdha kineze, me mbi 1500 specialistë dhe mbi 96 patenta.

Gjatë takimit u diskutua gatishmëria e kompanisë për të zgjeruar aktivitetin në Shqipëri, sidomos në sektorin e infrastrukturës, ndërtimit të hoteleve dhe resorteve, dhe energjinë e rinovueshme, thuhet në një postim të ambasadës shqiptare.

Ambasadori Riza Poda me drejtuesit e kompanisë shtetërore kineze “Heze Urban Construction Engineering Development Group”

Ambasadori Poda theksoi se Shqipëria mirëpret investimet kineze dhe sugjeroi edhe mundësinë e binjakëzimit të qytetit Heze me një qytet shqiptar.

Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimit të projekteve të përbashkëta.

❌
❌