Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Komuna e Kamenicës ofron kurse profesionale falas për të papunët

27 January 2026 at 15:34


Komuna e Kamenicës njofton se Qendra për Aftësim Profesional – QAP Gjilan, në kuadër të Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës / MFPT, ofron kurse profesionale intensive, të certifikuara dhe falas, të përshtatura sipas kërkesave të tregut të punës.

Pjesëmarrësve u mundësohet:

  • Pjesëmarrje pa pagesë
  • Pjesëmarrje për persona të papunë
  • Mundësi reale për integrim në tregun e punës

Regjistrimi mund të bëhet përmes Zyrave të Punësimit në Gjilan, Kamenicë dhe Viti.

Për më shumë informacion, qytetarët mund të kontaktojnë Zyrën e Punësimit përkatëse. /Telegrafi/


Komuna e Kamenicës apelon për kujdes nga reshjet intensive dhe rritja e nivelit të lumit

26 January 2026 at 10:33


Komuna e Kamenicës ka njoftuar qytetarët se, sipas parashikimeve të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, duke filluar nga e marta, 27 janar 2026, nga ora 12:00, priten reshje intensive shiu që mund të shkaktojnë rritje të nivelit të ujit dhe vërshime lokale.

Sipas këtij njoftimi, zonat më të rrezikuara janë ato pranë lumit Kriva Reka, i njohur edhe si Lumi i Shtrembër, në pellgun e Moravës së Binçës. Instituti Hidrometeorologjik ka vlerësuar nivelin e rrezikut si nivel 2, që nënkupton rrezik të moderuar.

Me këtë rast, Komuna e Kamenicës u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht banorëve që jetojnë pranë rrjedhave ujore dhe zonave të ulëta.

Po ashtu, është bërë e ditur se shërbimet komunale janë në gjendje gatishmërie dhe do të reagojnë në kohë për çdo situatë eventuale që mund të paraqitet si pasojë e kushteve të pafavorshme atmosferike. /Telegrafi/


HANKO e Kamenicës: Një histori e pazakontë që rrëfehet në Folklor – VIDEO

By: Uesli
23 January 2026 at 18:59

HANKO e Kamenicës: Një histori e pazakontë që rrëfehet në Folklor   Historia e qytetit të braktisur të Kamenicës vjen deri në ditët e sotme edhe nëpërmjet folklorit. Pelivan Basho dhe Hekuran Gjokoli e ka kënduar këtë këngë në Festivalin e Gjirokastrës si pjesë e Grupit të Zhulatit. Ai thotë se teksin e këngës e […]

The post HANKO e Kamenicës: Një histori e pazakontë që rrëfehet në Folklor – VIDEO appeared first on Saranda Web.

Uji nga rrjeti publik në Kamenicë vetëm për përdorim teknik

23 January 2026 at 18:29


Komuna e Kamenicës njofton konsumatorët në zonat e Stacionit të Pompimit Bahqja dhe SP Berivojcë se uji nga rrjeti i ujësjellësit aktualisht nuk është i përshtatshëm për pije.

Si pasojë e rritjes së vlerës së nitrateve, parametrat kimikë të ujit në këto zona janë ndryshuar, duke bërë që uji të mos i plotësojë standardet për ujë të pijshëm.

Në këtë kontekst, qytetarët nuk duhet ta përdorin ujin për konsum deri në një njoftim të ri, pas normalizimit të gjendjes dhe konfirmimit të cilësisë së ujit. Uji mund të përdoret vetëm për nevoja teknike, si larje dhe sanitare.

Komuna falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin. /Telegrafi/


Uji në disa zona të Kamenicës i papërshtatshëm për pije për shkak të rritjes së nitrateve

15 January 2026 at 15:06


Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidromorava” ka njoftuar konsumatorët në disa zona të Komunës së Kamenicës se uji nga rrjeti publik i ujësjellësit aktualisht nuk është i përshtatshëm për pije.

Sipas njoftimit zyrtar, si pasojë e rritjes së vlerës së nitrateve në ujë, ka ardhur deri te ndryshimi i parametrave kimikë, çka bën që uji të mos i plotësojë standardet për ujë të pijshëm. Zonat e prekura janë Stacioni i Pompimit nr. 2, lagjja Bahqja dhe fshati Berivojcë.

Nga KRU “Hidromorava” theksohet se, deri në një njoftim të radhës dhe pas normalizimit të gjendjes si dhe konfirmimit të cilësisë së ujit, konsumatorët nuk duhet ta përdorin ujin nga rrjeti publik për pije.

Uji mund të përdoret vetëm për nevoja teknike, si larje, sanitare dhe përdorime të tjera që nuk përfshijnë konsum njerëzor.

KRU “Hidromorava” u bën thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe siguron se do t’i njoftojë me kohë konsumatorët sapo të krijohen kushtet që uji të jetë i sigurt për pije. /Telegrafi/


Në Kamenicë ndizen flakadanët e kujtesës për heronjtë Rexhep Mala, Nuhi Berisha dhe Kadri Zeka

12 January 2026 at 15:33


Në kuadër të manifestimit tradicional “Flaka e Janarit”, Komuna e Kamenicës organizoi aktivitetin simbolik të ndezjes së flakadanëve, në nderim të heronjve të kombit.

Në ceremoni mori pjesë Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Behar Hyseni, i cili së bashku me zyrtarë të drejtorisë dhe qytetarë ndezën flakadanët që simbolizojnë sakrificën dhe qëndresën e heronjve të Kamenicës.

Drejtori Hyseni përkujtoi natën e 11–12 janarit të vitit 1984, kur heronjtë Nuhi Berisha dhe Rexhep Mala ranë gjatë përleshjes me forcat policore serbe në Kodrën e Trimave në Prishtinë.

“Nata mes 11–12 janarit na rikthen në kujtesë guximin dhe sakrificën e heronjve të Kamenicës, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, si dhe veprimtarin dhe patriotin e madh Kadri Zeka. Pikërisht në këtë natë, Nuhi Berisha dhe Rexhep Mala ranë heroikisht. Me ndezjen simbolike të flakadanëve, ne i nderojmë Rexhep Malën, Nuhi Berishën dhe Kadri Zekën, jo vetëm si heronj të Kamenicës, por si shtylla të një kombi që jeton sepse dikush zgjodhi të mos jetojë i përulur. Ata janë krenari e mbarë kombit shqiptar, dëshmi se sakrifica nuk shuhet, por shndërrohet në kujtesë, e kujtesa në udhërrëfyes”, tha Hyseni.

Aktiviteti u zhvillua në një atmosferë përkujtimore, duke përcjellë mesazhin e respektit dhe mirënjohjes së përhershme ndaj atyre që sakrifikuan për lirinë dhe dinjitetin kombëtar. /Telegrafi/


Komuna e Kamenicës njofton për gjendjen e rrugëve

8 January 2026 at 11:24


Komuna e Kamenicës ka bërë të ditur se aktualisht të gjitha rrugët në territorin e saj janë të hapura dhe të qasshme për qarkullim.

Sipas Drejtorisë për Shërbime Publike, Ambient dhe Inspektorat, ekipet janë në terren me kapacitete të plota, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të parandaluar bllokimin e rrugëve dhe për të siguruar qarkullim të sigurt.

“Jemi në terren me gjithë kapacitetin tonë dhe po monitorojmë rrugët për çdo situatë që mund të rrezikojë qarkullimin”, thanë nga Drejtoria për Shërbime Publike.

Komuna i bën apel qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes, për shkak të rrezikut nga ngricat.

“Ju rekomandojmë të përshtatni shpejtësinë dhe sjelljen në rrugë sipas kushteve atmosferike dhe të jeni të kujdesshëm në çdo situatë”, shtuan nga Komuna e Kamenicës. /Telegrafi/


Arbnore Beqiraj emërohet Kryesuese e Kuvendit Komunal të Kamenicës

29 December 2025 at 11:25


Arbnore Beqiraj është emëruar Kryesuese e Kuvendit Komunal të Kamenicës, duke u bërë gruaja e parë që udhëheq legjislativin komunal.

Ajo ka qenë edhe gruaja më e votuar në zgjedhjet lokale nga të gjitha partitë politike për dy mandate radhazi.

Kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj, ka theksuar se përvoja profesionale dhe angazhimi politik e bëjnë Beqirajn një zgjedhje të denjë për këtë rol të rëndësishëm, përcjell Telegrafi.

“Me këtë pozicion të ri, Arbnorja pritet të jetë zë i fuqishëm i qytetarëve dhe garantuese e funksionimit demokratik të Kuvendit Komunal, duke hapur rrugë për një kapitull të ri të përgjegjshmërisë dhe bashkëpunimit institucional në Kamenicë”, ka shkruar Rahimaj në njoftimin e tij.

Emërimi i saj shënon një moment historik për Kamenicën dhe urojmë që përvoja dhe angazhimi i saj të kontribuojnë në realizimin e projekteve të mëdha dhe në avancimin e qeverisjes lokale. /Telegrafi/


Arian Mavriqi pastron në mënyrë vullnetare lumin e Kamenicës nga gomat e hedhura

18 December 2025 at 11:42


Fotografi i njohur i botës së egër, Arian Mavriqi, ka raportuar pastrimin e lumit të Kamenicës nga gomat e hedhura në ujë.

Ai kishte bërë më parë thirrje për pastrimin e lumit dhe tani ka bërë të ditur se ndërhyrja ka qenë e suksesshme.

“Ju pata premtuar se do i largoj këto goma! Tashmë po duket më bukur”, ka shkruar Mavriqi në një postim në Facebook, përcjell Telegrafi.



Ai falënderoi Ndërmarrjen Publike “Dardana” për reagimin e shpejtë dhe për largimin e gomave nga lokacioni ku ishin hedhur.

Pas pastrimit, lumi është kthyer në një ambient më të pastër dhe më të sigurt për komunitetin. /Telegrafi/




Komuna e Kamenicës vazhdon mbështetjen për familjet e reja me BabyBox

5 December 2025 at 10:48


Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka nisur ditën duke vizituar familjet përfitues të radhës të programit BabyBOX, një iniciativë që mbështet familjet me foshnja të reja.

“Edhe sot kemi nisur ditën me buzëqeshje, sepse çdo kuti BabyBOX shkon drejt një familjeje që sapo është rritur me një mrekulli të vogël,” tha kryetari Rahimaj.

Ky edicion i BabyBOX vjen me një surprizë të veçantë: përveç artikujve bazë për foshnjat, kutitë përmbajnë edhe baby monitor, një mjet që ndihmon prindërit të kenë më të lehtë kujdesin për të vegjlit në çdo moment.

“Investimi në familje është investim në të ardhmen,” theksoi Rahimaj, duke nënvizuar rëndësinë e mbështetjes ndaj prindërve dhe fëmijëve në fillimet e tyre.

Programi BabyBOX, i cili ka për qëllim të ofrojë ndihmë praktike dhe të përmirësojë mirëqenien e familjeve, vazhdon të sjellë gëzim dhe mbështetje konkrete për komunitetin e Kamenicës. /Telegrafi/


Komuna e Kamenicës u bën thirrje qytetarëve të prekur nga vërshimet të paraqesin dëmet materiale

27 November 2025 at 09:10


Komuna e Kamenicës ka njoftuar qytetarët e prekur nga vërshimet e fundit që të paraqiten për evidentimin e dëmeve materiale.

Sipas njoftimit, qytetarët duhet të dorëzojnë kërkesën e tyre në Qendrën për Shërbime me Qytetarë, duke specifikuar qartë dëmet e shkaktuara nga reshjet.

Për këtë proces, është formuar një komision i cili do të shqyrtojë të gjitha kërkesat dhe do të përgatisë një raport përmbledhës për vlerësimin e dëmeve, përcjell Telegrafi.

Raporti më pas i dorëzohet Kryetarit të Komunës për shqyrtim.

Pas fazës komuale, raporti procedohet në Asamblenë Komunale për miratim dhe më pas dërgohet në nivel qendror, ku merret vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për sanimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet. /Telegrafi/


Komuna e Kamenicës publikon listën përfundimtare të përfituesve të bursave komunale për studentë

24 November 2025 at 14:49


Komuna e Kamenicës ka publikuar listën përfundimtare të studentëve përfitues të bursës komunale për vitin akademik 2025/2026.

Lista, e aprovuar nga komisioni përkatës pas trajtimit të të gjitha aplikimeve dhe ankesave, përfshin studentët që kanë plotësuar kriteret e rregullta të konkursit të hapur më herët.

Sipas dokumentit zyrtar, bursa prej 500 eurosh u ndahet studentëve të renditur si përfitues në bazë të sistemit të pikëzimit, i cili përfshin: notën mesatare, statusin social, kategoritë e dala nga lufta, kushtet familjare, drejtimet deficitarë dhe kritere të tjera të përcaktuara, raporton Telegrafi.

Përzgjedhja është bërë duke respektuar plotësisht rregulloren për bursat komunale, ndërsa komuna ka theksuar se dokumenti i publikuar paraqet listën finale të studentëve që do të mbështeten financiarisht për këtë vit akademik.

Komuna e Kamenicës falënderon të gjithë studentët për aplikimet dhe fton përfituesit të përcjellin njoftimet e radhës për procedurat e marrjes së bursës. /Telegrafi/


Publikohet lista e përfituesve të bursave komunale në Kamenicë për vitin akademik 2025–2026

13 November 2025 at 08:17


Komuna e Kamenicës ka publikuar listën preliminare të studentëve përfitues të bursës komunale për vitin akademik 2025–2026.

Në njoftimin zyrtar thuhet se lista është bërë publike pas shqyrtimit të aplikacioneve nga komisioni përkatës dhe përfshin emrat e studentëve që kanë plotësuar kriteret e përcaktuara në thirrjen për aplikim, përcjell Telegrafi.

Të gjithë kandidatët kanë mundësi të paraqesin ankesat e tyre brenda afatit të përcaktuar nga komuna, përpara se të shpallet lista përfundimtare e përfituesve.

Lista e plotë e studentëve përfitues mund të shihet në linkun zyrtar të Komunës së Kamenicës: Lista preliminare e përfituesve të bursës komunale 2025–2026

Ky program bursash është pjesë e përpjekjeve të Komunës së Kamenicës për të mbështetur arsimimin e lartë dhe për të lehtësuar barrën financiare të studentëve nga kjo komunë. /Telegrafi/


Kamenica kujdeset për më të vegjlit – pako ndihmëse për çdo foshnjë të porsalindur

12 November 2025 at 16:05


Komuna e Kamenicës ka shpallur Thirrjen Publike për subvencionimin e prindërve me “Baby Box” – pako ndihmëse që përmban rroba dhe produkte të rëndësishme për foshnje dhe nënat e reja.

Kjo nismë është pjesë e politikave komunale për përmirësimin e mirëqenies familjare, me qëllim mbështetjen e nënave, foshnjave dhe familjeve të reja në ditët dhe javët e para pas lindjes.

Sipas njoftimit zyrtar, programi “Baby Box” synon të ofrojë ndihmë materiale për gratë shtatzëna dhe lehonat, duke kontribuar në krijimin e kushteve më të mira për jetën e foshnjës dhe përmirësimin e kujdesit prindëror.

Qëllimi i subvencionit

Pakoja “Baby Box” përmban artikuj bazë për kujdesin ndaj foshnjës dhe nënës, të cilat ndihmojnë prindërit në ditët e para të jetës së fëmijës. Në përbërjen e saj përfshihen: Rroba për foshnjën e porsalindur; produkte për kujdesin dhe higjienën e foshnjës; produkte për kujdesin e nënës pas lindjes.

Kriteret e aplikimit

Për të përfituar nga ky subvencion, prindërit duhet të jenë: Qytetarë të Republikës së Kosovës; banorë të Komunës së Kamenicës; në rastin e grave shtatzëna, shtatzënia duhet të jetë nga java e 27-të e tutje; në rastin e lehonave, periudha duhet të jetë deri në 40 ditë pas lindjes së foshnjës.

Dokumentacioni i nevojshëm

Aplikuesit duhet të dorëzojnë këto dokumente:Kopje të letërnjoftimit për të dy prindërit; certifikatën e vendbanimit për të dy prindërit; deklaratën e bashkësisë familjare; raportin mjekësor nga mjeku specialist/ gjinekolog (për gratë shtatzëna); ekstraktin e lindjes për foshnjën (për lehonat).

Afati dhe mënyra e aplikimit

Thirrja është e hapur pa afat të caktuar kohor, deri në përfundimin e buxhetit të parashikuar për këtë program.

Aplikimet pranohen në Qendrën për Shërbime me Qytetarët, në objektin e Komunës së Kamenicës, gjatë orarit zyrtar të punës.

Pas shqyrtimit të dokumentacionit nga Komisioni Vlerësues, përfituesit do të njoftohen zyrtarisht për mënyrën e marrjes së pakos “Baby Box”.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka nënshkruar njoftimin, duke theksuar përkushtimin e komunës për mbështetje të vazhdueshme ndaj familjeve të reja dhe përmirësimin e mirëqenies së nënave dhe foshnjave. /Telegrafi/


Kamenica bëhet me autoambulancë e re në nderim të humanizmit dhe kujtimit të Greta Kryeziut

27 October 2025 at 09:01


Një gjest i rrallë human e përplot emocion është realizuar në Komunën e Kamenicës, ku një autoambulancë e re është blerë dhe do të mbajë emrin e drejtoreshës së ndjerë të Shëndetësisë, Greta Kryeziu.

Sipas njoftimit të komunës, mjetet për blerjen e autoambulancës janë siguruar nga fondet që ishin mbledhur për trajtimin mjekësor të Gretës, e cila fatkeqësisht humbi betejën me sëmundjen e saj.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, tha se dashuria dhe respekti i qytetarëve për Gretën janë shndërruar në një vepër të përhershme që do të shërbejë për shpëtimin e jetëve njerëzore.



“Dashuria e njerëzve për Gretën nuk u shua, por u shndërrua në vepër që do të shërbejë për jetën. Kjo autoambulancë do të mbajë përjetësisht emrin Greta Kryeziu – vajzës së mirë, profesionistes së përkushtuar dhe shpirtit të pastër që la gjurmë në zemrat tona”, tha Rahimaj.

Sipas tij, autoambulanca e re do të shërbejë për banorët e Roganës, Hodonocit, Muçivërcit, Shipashnicës, Karaqevës dhe zonave përreth, duke përmirësuar ndjeshëm qasjen në shërbimet emergjente shëndetësore.

Iniciativa u realizua në marrëveshje me familjen e drejtoreshës së ndjerë dhe me ndihmën e mikut të komunës, Vehap Zuka, i cili kishte udhëhequr fushatën humanitare për mbledhjen e fondeve.

Kryetari Rahimaj shprehu mirënjohje të veçantë për të gjithë qytetarët, miqtë dhe donatorët që kontribuan në këtë nismë humane, duke veçuar edhe respektin ndaj familjes Kryeziu për bashkëpunimin dhe bujarinë e treguar.

“Faleminderit nga zemra të gjithë bashkëqytetarëve dhe njerëzve të mirë që e bënë të mundur këtë vepër humane. Mbi të gjitha, faleminderit përzemërsisht familjes së drejtoreshës Greta, që tregoi bujari dhe korrektësi ndaj donatorëve. Z. Basri, keni nderuar familjen dhe qytetin me këtë veprim”, u shpreh Rahimaj. /Telegrafi/

Komuna e Kamenicës hap sezonin e gjuetisë më 2 nëntor

24 October 2025 at 08:55


Komuna e Kamenicës ka njoftuar se sezoni i gjuetisë do të hapet më datë 2 nëntor 2025, ndërsa gjuetarët e interesuar mund të pajisen me dokumentacionin e nevojshëm duke filluar nga 29 tetori 2025.

Sipas njoftimit zyrtar, gjuetarët duhet të paraqiten në zyrën e ndërmarrjes përkatëse për të kompletuar procedurat ligjore para fillimit të sezonit.



Komuna ka apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit që të respektojnë rregullat dhe ligjet në fuqi, si dhe të kujdesen për ruajtjen e faunës dhe mjedisit natyror gjatë zhvillimit të aktiviteteve të gjuetisë. /Telegrafi/

Komuna e Kamenicës shpall konkurs për ndarjen e bursave për studentët për vitin akademik 2025–2026

22 October 2025 at 08:30


Drejtoria e Arsimit në Komunën e Kamenicës ka shpallur konkursin për ndarjen e bursave për studentët e komunës për vitin akademik 2025–2026.

Sipas njoftimit zyrtar, përfitues të bursave mund të jenë studentët e rregullt të regjistruar në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, si dhe studentët e rregullt të universiteteve publike të Republikës së Kosovës, duke përjashtuar ata që ndjekin studime pasuniversitare (master apo doktoratë), raporton Telegrafi.



Ndër kriteret kryesore për përfitim përfshihen:

  • Të jenë studentë të vitit të dytë ose më lart;
  • Të mos jenë përsëritës të vitit akademik;
  • Të jenë banorë të Komunës së Kamenicës.

Pikë të veçanta do të vlerësohen për notën mesatare, statusin social, kategoritë e veçanta si studentët pa prindër, me nevoja të veçanta, apo pjesëtarë të familjeve të dala nga lufta.

Dokumentet e nevojshme për aplikim duhet të dorëzohen në Qendrën e Shërbimit për Qytetarë në objektin e komunës, brenda 15 ditëve nga data e publikimit të konkursit.

Formularët e aplikimit dhe detajet e plota mbi kriteret janë të publikuara në faqen zyrtare të komunës: http://kk.rks-gov.net/kamenice.

Komuna ka bërë të ditur se përfitimi i bursave do të varet nga buxheti i Drejtorisë së Arsimit dhe numri i aplikimeve të pranueshme. /Telegrafi/

Vazhdojnë punimet në Stadiumin e Atletikës në Kamenicë

21 October 2025 at 14:16


Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit njofton se punimet për ndërtimin e Stadiumit të Atletikës në Kamenicë, i vetmi i këtij lloji në Kosovë, vazhdojnë me ritme të shpejta.

Ky projekt do të ofrojë kushte moderne dhe bashkëkohore për atletët dhe komunitetin sportiv të vendit, përcjell Telegrafi.

Sipas njoftimit, disa nga objektet kryesore të stadiumit janë përfunduar, ndërsa aktualisht po punohet në fasadim, rregullimin e brendshëm dhe ndërtimin e tribunave.



Ministria thekson se punimet po ecin sipas planit të parashikuar, duke siguruar që stadiumi të jetë gati për të ofruar standarde të larta sportive dhe infrastrukturore.

Ky stadium do të shërbejë si qendër për stërvitje dhe gara të atletikës, duke kontribuar në zhvillimin e sportit në Kosovë dhe mbështetur atletët e rinj në arritjen e rezultateve të larta. /Telegrafi/

Ndërprerje e përkohshme e furnizimit me ujë në Koretin të Kamenicës

21 October 2025 at 08:24


Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidromorava” në Gjilan ka njoftuar për ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë të pijes në fshatin Koretin të komunës së Kamenicës, përcjell Telegrafi.

Sipas njoftimit, ndërprerja ka ndodhur si pasojë e djegies së njësorit elektrik në Stacionin e Pompimit Koretin, duke pamundësuar funksionimin normal të sistemit të ujësjellësit në këtë zonë.



Ekipet teknike të KEDS-it janë në terren dhe po punojnë për sanimin e defektit në energjinë elektrike, me qëllim që furnizimi me ujë të rikthehet sa më shpejt të jetë e mundur.

KRU “Hidromorava” ka kërkuar mirëkuptimin e konsumatorëve deri në përfundimin e punimeve dhe normalizimin e situatës. /Telegrafi/

Në Kamenicë mbahet punëtoria për parandalimin e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës kibernetike

20 October 2025 at 15:39


Komuna e Kamenicës, përmes Zyrës për Barazi Gjinore dhe në bashkëpunim me Koordinatoren e Njësisë Komunale për të Drejtat e Njeriut, ka organizuar një punëtori ndërgjegjësuese me temën “Format e ndryshme të dhunës me bazë gjinore dhe mbrojtja nga dhuna kibernetike”.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Planit Lokal të Veprimit për Barazinë Gjinore, me mbështetjen e projektit “Gender Equality Facility”, të financuar nga Bashkimi Evropian, zbatuar nga UN Women dhe me përkrahjen e Cacttus Education, përcjell Telegrafi.



Punëtoria është udhëhequr nga trajnerja e UN Women, Mirjeta Nagavci, e cila përmes diskutimeve interaktive dhe ushtrimeve praktike ka trajtuar format e ndryshme të dhunës me bazë gjinore, duke vënë theks të veçantë tek dhuna digjitale dhe mbrojtja nga sulmet kibernetike.

Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve lokale, nxënës, arsimtarë dhe qytetarë, përfshirë edhe pedagogun Afrim Hoda nga shkolla e mesme e lartë në Kamenicë.

Sipas komunës, qëllimi i kësaj punëtorie është rritja e vetëdijes për barazinë gjinore, parandalimi i formave të dhunës, si dhe krijimi i mjediseve të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe të barabarta për të gjithë qytetarët e komunës. /Telegrafi/

❌
❌