Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 4 February 2026Main stream

Çdo grua do ta njohë të njëjtën gjë të tmerrshme nga këto fotografi të fundit të Epsteinit

4 February 2026 at 16:52


Nga: Victoria Richards / The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com

Këtë fundjavë kalova ca kohë me një grup adoleshentësh britanikë, 13 dhe 14 vjeç - dhe kjo është ajo që vura re në zhargonin e tyre të ditës: sa herë që dikush prej tyre bënte shaka jo të hijshme, të gjithë të tjerët bërtisnin: “Epstein”!

“Mos më epstino”, tha njëri nga djemtë, kur shoku i tij u përpoq t’i fuste një çokollatë në pantallona.

“Largohu, Epstein!” - u kundërpërgjigj me sarkazëm njëra nga vajzat, kur të tjerët u përpoqën të formonin një grumbull trupash mbi divan.

Epsteini si sinonim për abuzim, për mungesë pëlqimi, për sjellje të pahijshme, për sjellje grabitqare; për atë vetëdije të paqartë gjysmë të ndërgjegjshme mbi dinamikat e pushtetit, rinisë, cenueshmërisë dhe kontaktit të padëshiruar fizik.

Epsteini si një mënyrë për të kundërshtuar, për të thënë “jo”. Epsteini si paralajmërim, si një mënyrë për të sinjalizuar: “E njoh këtë për atë që ishte për të tjerët - dhe për çfarë mund të jetë”. Epsteini si “të shoh ...”!

Si një nënë që rrinte pranë, duke rrotulluar sytë dhe duke pëshpëritur shumë, mu duk si një “shaka” tipike adoleshentësh me tehe të dhëmbëzuara. Pa shije, sigurisht. Por, gjithsesi, e vetmja mënyrë se si fëmijët mund t’i japin kuptim tmerrit shumë real njerëzor, për të cilin kanë dëgjuar, parë dhe lexuar. E vetmja mënyrë se si mund të përpunojnë atë që të rriturit u kanë bërë - dhe, në disa raste, vazhdojnë t’u bëjnë - të rinjve të tjerë si ata.

S’e përballon dot tmerrin e neveritshëm të publikimit të fundit të dosjeve të Epsteinit, me plot emra të famshëm që këta të rinj i njohin, po aq sa edhe të të vetëve? Bëje një shaka për këtë.

E, çfarë atëherë për emrin Andrew?

Shikoj fotografitë e fundit, të ndyra, të ish-princit, të përkulur në të katrat mbi një trup të shtrirë, në dukje pavetëdijshëm, të një gruaje shumë më të re dhe dua të qaj. Dua të mbledh vajzën time dhe shoqet e saj, t’i mbroj nga dëmtimi nga duart e burrave si ky.

Sepse kam njohur burra si ky. Tani në të dyzetat, mund të kujtoj (edhe pse rrallë dua) burra që janë përpjekur të më dëmtojnë mua dhe shoqet e mia; që na kanë fotografuar - pak a shumë kështu. Dhe, nëse e hedh vështrimin më gjerë, shohim burra si ky ... epo, kudo.

Fytyrat e burrave mu si ky u gjetën në rreshtin e të pandehurve që dilte nga gjykata në Mazan gjatë gjyqit për përdhunimin e Gisèle Pelicotit dhe dënimin - një vit më parë - të ish-burrit të saj Dominique Pelicot dhe 50 të tjerëve: burra që ishin bashkëshortë, bij, gjyshër.

Andrew Mountbatten-Windsor, po ashtu ka qenë bashkëshort, bir dhe gjysh. Dhe, nëse ndjeni një ngjashmëri të frikshme midis detajeve që dimë nga gjyqi Pelicot dhe këtyre imazheve të publikuara rishtazi të tij, të shkrepura nga blici i një objektivi mbi trupin e një gruaje, si një dre në dritat e makinës, nuk jeni vetëm.

Në fakt, mendimi im i parë kur pashë imazhet, me gjithë intimitetin e detajeve (këmbët zbathur të ish-princit, bluza e rastësishme polo, dora e vendosur mbi barkun e gruas së re të panjohur), është se të duket si një shkelje. Jo shumë ndryshe, ndoshta, nga 20 mijë fotografitë dhe videot që tani dimë se iu bënë Gisèle Pelicotit teksa ajo ishte e droguar dhe e pavetëdijshme. Dhe, të gjithë e dimë çfarë i ndodhi asaj pas kësaj.

Ndoshta ajo që e bën këtë fotografi të Andrewit kaq shqetësuese është se ne nuk e dimë saktësisht se çfarë ndodhi më pas. Nuk ka titra, nuk ka shenja kohe ose date. Nuk e dimë ku janë bërë. Ato shfaqen si pjesë e tre milionë dokumenteve të tjera, pothuajse si dëme anësore: nuk e dimë identitetin e gruas, nuk e dimë pse fotografia fillimisht u bë ose kush e bëri; nëse ishte e pozicionuar apo e rastësishme, e vendosur si lojë me role dhe shaka, apo në një sulm grabitqar.

Nuk e dimë nëse gruaja në fotografi ka dhënë leje që ajo të shkrepej, nëse ajo ishte madje zgjuar. Mbetemi në errësirë, duke pyetur veten nëse duhet të bërtasim “Epstein” si “shaka” apo nëse gjithçka është tepër reale.

Dhe, kështu, ne thjesht duhet të kapemi pas asaj që dimë. E dimë që ish-princi është akuzuar se “është fshehur” nga zyrtarët amerikanë pasi u ftua vitin e kaluar të paraqitej para komisionit mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së. E dimë që kryeministri, Keir Starmer, ka thënë se Andrew duhet të dëshmojë para Kongresit për lidhjet e tij me Epsteinin. Ne gjithashtu dimë që Mountbatten-Windsori ka mohuar gjithmonë çdo akt të keq.

Dimë ... dhe nuk dimë. Dhe, kështu, mbetemi me fjalën “Epstein” - me gjithë errësirën e saj, konotacionet e saj të shëmtuara - që jehon në një dhomë bosh, shumë kohë pasi çdo e qeshur është shuar. /Telegrafi/

Fotografitë nga dosjet e Epsteinit duket se shfaqin princin Andrew në dysheme me një grua.

ARNOLD LEJNI

4 February 2026 at 13:55


Nga: Syd Barrett (Pink Floyd, 1967)
Përktheu: Agron Shala

Arnold Lejni, kishte një hobi të çuditshëm
Mblidhte rroba natën, të brendshmet e grave në tel për tharje
I pëlqente si i rrinin

Në mur varej një pasqyrë e madhe
Pamja e shtrembëruar, përmes të kaltrës së tejdukshme
Këtë e bëri

Oh, Arnold Lejn, nuk është njësoj
Duhet të dy vetë që ta kuptojnë, dy vetë që ta kuptojnë
Dy vetë që ta kuptojnë, dy vetë që ta kuptojnë
Pse s’mund ta kuptosh?

Arnold Lejn, Arnold Lejn
Arnold Lejn
Tani është arrestuar, një lloj njeriu i pështirë
E dënuan, dyert përplasen, punë e detyruar
E urren këtë

Oh, Arnold Lejn, nuk është njësoj
Duhet të dy vetë që ta kuptojnë, dy vetë që ta kuptojnë
Dy vetë që ta kuptojnë, dy vetë që ta kuptojnë
Pse s’mund ta kuptosh?

Arnold Lejn, Arnold Lejn
Arnold Lejn

Arnold Lejn
Mos e përsërit më

/Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com

A ishte ky kapadai i shekullit XIX, fashisti i parë në botë?!

4 February 2026 at 12:29


Markezi de Morès ishte një antisemit i neveritshëm - por, libri Fashisti i parë e paraqet gabimisht rëndësinë e tij historike.

Nga: Simon Heffer / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Në fillim të këtij studimi origjinal, megjithëse jo plotësisht të kënaqshëm, Sergio Luzzatto shpalos qëllimet e veta. “Ky libër synon të tregojë”, thotë ai, se si francezi Antoine Vallombrosa, Markezi [Marquis] de Morès (1858-96), “pa qenë arkitekt i fashizmit, ishte një nga etërit e tij”. Morèsi ishte, shkruan ai në [librin] Fashisti i parë [The First Fascist], “udhëheqësi i parë në Perëndim që u shfaq në skenën politike si populist, antisemit dhe (edhe pse fjala ende nuk ekzistonte) një milic fashist, që të gjitha këto në të njëjtën kohë”.

Luzzatto ka një libër për të shitur, ndaj ndoshta mund të falet për këtë dramaticitet të tepruar. Por, shumë shpesh vlefshmëria e pretendimeve të tij varet nga përkufizimet. Ka pasur udhëheqës populistë para tij; mjaft antisemitë; dhe lexuesit i mbetet të vendos vetë se çfarë paraqet një milic fashist. Mosmarrëveshja kryesore e këtij recensuesi ndaj pretendimeve të tij nuk lidhet me antisemitizmin e Morèsit as me (përpjekjen e tij për) populizëm (ai kurrë nuk i ka prirë një numri të madh të ndjekësve në një karrierë politike që ishte e shkurtër dhe e mjerë). Ka të bëjë me idenë e “fashizmit” të tij: për ta quajtur atë “milic fashist”, do të duhej të kishte një “milici fashiste” pjesë e të cilit mund të ishte: në Francën e viteve 1880 ose 1890 nuk kishte të tillë.

Libri është realisht një biografi e një horri francez të shekullit të XIX që ndodhi të ishte ngacmues i vazhdueshëm i hebrenjve. Fatkeqësisht, nuk ishte i vetëm, dhe ishte pjesëmarrës - më shumë sesa krijues - i të njëjtës shoqëri që krijoi Aferën Dreyfus. Interesante është që vetë Alfred Dreyfusi kishte menduar të sfidonte Morèsin në duel - Morèsi kishte vrarë një oficer hebre i cili e kishte sfiduar atë për të mbrojtur nderin e racës së tyre. Dreyfusi u bind të mos e bënte, dhe Luzzatto argumenton se, po të mos e kishin bindur dhe po të kishte fituar, historia ndoshta do të kishte qenë ndryshe.

Megjithatë, duke pasur parasysh se Morèsi ishte tepër i aftë për të vrarë njerëz në duele - ishte një mujshar që kënaqej duke i sfiduar burrat për të cilët dinte se nuk ishin të barabartë me të në përdorimin e shpatës - është e pamundur që Dreyfusi të kishte fituar; dhe duke pasur parasysh klimën antisemite mes oficerëve francezë në atë kohë, është e pamundur që fundi i Dreyfusit të kishte qenë më i lumtur edhe nëse do ta kishte sfiduar. Siç përshkruan Luzzatto, Kisha Katolike e kishte shndërruar urrejtjen ndaj hebrenjve në një lloj artikulli besimi. Nuk ishin vetëm aristokratët që merreshin me këtë: gjithashtu dhe kasapët e Parisit që besonin (gabimisht) se hebrenjtë në tregtinë e tyre po shisnin në sasi të mëdha, për garnizonin e Verdunit, mish të papërshtatshëm për konsum nga njeriu.

Urrejtja e vetë Morèsit ndaj hebrenjve i atribuohet dy ngjarjeve kryesore: përvojës së tij me një fajdexhi kur ishte kadet në Sen-Sir, dhe refuzimit të dashurisë së tij nga një trashëgimtare hebreje. Gjithashtu, jezuitët duket se kishin ndikim (thuhet se e kanë rrahur shpesh; ndoshta jo mjaftueshëm, mund të mendojë dikush) dhe ai duket se kishte arritur në përfundimin se nuk mund të ishe tamam francez dhe të shpëtoje Francën pa urryer hebrenjtë. Në këtë aspekt, ai dha më të mirën e tij.

Marrja e parave me fajde ishte tregues i hershëm i paaftësisë së tij financiare. Harxhoi një pjesë të mirë të pasurisë së vjehrrit të tij të pasur, duke dështuar në një biznes me bagëti dhe transport me ftohje me tren në Dakotën e Veriut (familja e gruas së tij trashëgimtare, von Hoffmann, kishte krijuar pasurinë në Uoll-Strit). Pastaj shkoi dhe humbi edhe më shumë në një biznes të dështuar hekurudhor në Indo-Kinën franceze, gjë që bëri që babai i tij ta shpëtonte dhe t’ia hiqte çdo kontroll mbi paratë.

Më pas erdhi karriera e tij e shkurtër politike në fillim të viteve ’90 të shekullit XIX, të cilën e ndërmori sërish në Francë pasi kishte dështuar në disa punë të tjera. Ai dështoi edhe aty, kaloi një periudhë të shkurtër në burg dhe kërkoi rrugë të tjera drejt lavdisë. Një “kryqëzatë” kundër hebrenjve, duke përfshirë ndihmën e arabëve, e çoi në një “mision” në Algjeri, gjatë të cilit disa tuaregë ia bënë Francës një nder duke e vrarë atë. Disa mijëra veta morën pjesë në funeralin e tij në Notre Dame, dhe një lloj i caktuar i francezëve e nderoi kujtimin e tij deri në (dhe gjatë) ditët e Vishit dhe Pétainit.

Megjithatë, periudha e ndikimit të tij serioz politik në Francë zgjati vetëm tri ose katër vjet, një kohë aq e shkurtër saqë është shumë e vështirë të kuptohet pse Luzzatto, ose kushdo tjetër, duhet të bëjë kaq shumë zhurmë për të. Autori gjithashtu pranon se janë të pakta burimet arkivore për disa pjesë të jetës së tij dhe të gruas së tij. Shpesh krijohet përshtypja se ai po përpiqet të bëjë qerpiçë pa kashtë. Morèsi ishte djali i Dukës dhe Dukeshës së Valombrosës dhe titulli markez i tij ishte një titull nderi; për arsye që ai zgjedh të mos i shpjegojë (ndoshta sepse nuk i di plotësisht), subjekti i tij është Valombrosa për disa dhjetëra faqet e para dhe më pas bëhet Morèsi.

Ky libër është i lezetshëm për t’u lexuar, por teza e tij është e fryrë dhe e ekzagjeruar. Ai është gjithashtu i shkruar në anglishten amerikane, një gjuhë drejtshkrimet dhe idiomat e së cilës janë jashtëzakonisht irrituese për lexuesit britanikë. Edhe nëse [Shtëpia Botuese] Allen Lane kanë mungesë redaktorësh, a nuk mund të tregojnë të paktën respekt të mjaftueshëm për tregun e tyre britanik duke investuar në ndonjë softuer që do t’i përkthente librat e tillë në anglisht? /Telegrafi/

Liri individuale, jo pa përgjegjësi sociale

4 February 2026 at 11:42


Nga: Gëzim Tushi

Shoqëria shqiptare po kalon momente të ndërlikuara kur në mënyrë evidente përballet me një konfuzion fizik dhe metafizik, që shfaqet dukshëm në paqartësitë dhe konceptet e ndërlikuara të raporteve objektive e subjektive midis lirisë së individit dhe antinomive që po shoqërojnë zbehjen e përgjegjësive në jetën e përbashkët sociale.

Pikërisht nga konceptimi semplist dhe subjektivist i këtij relacioni fondamental, me vlerë të padiskutueshme ekzistenciale. Mbase kjo situatë ka shkaqet e veta dhe arsyet e veçanta, që duhen trajtuar dhe interpretuar sociologjikisht. Jo si qëllim në vetvete, por për të diagnostikuar këtë situatë, e cila sipas mendimit tim, më së pari dhe mbi të gjitha është e lidhur në mënyrë të determinuar me specifikat e tranzicionit tonë dhe me arsye të tjera komplekse e sintetike, me natyrë kontekstuale, lidhur me faktorë historikë, kulturorë, socialë dhe ekonomikë.

Mbase të gjithë këta faktorë të marrë së bashku janë argumente të mjaftueshme për të pranuar se në mënyrë evidente në jetën e sotme, në strukturën e shoqërisë shqiptare, po shfaqet një gjendje e përgjithshme e trazuar e jetës sociale, e cila ka krijuar precedentë, por edhe situata reale disi kaotike, turbulente, shoqëruar me doza të theksuara të paqartësive konceptuale, që reflektohen në mënyrë adekuate në modelet e sjelljes empirike individuale, por edhe në strukturat e gjëra të organizimeve të jetës së përbashkët sociale e komunitare.

Padyshim, trajektorja historike, mënyra unike e kalimit të shoqërisë shqiptare nga totalitarizmi në demokraci dhe e individit në liri, u shoqërua me deformime me peshë sociale, për konceptimin dhe ndërtimin e drejtë të raporteve të reja e dinamike, midis lirisë së individit, sovranitetit civil, jetës private nga njëra anë dhe nevojës së pranimit dhe respektimit të një mase të moderuar të vlerave të përbashkëta, si kushte të funksionimit kompakt të shoqërisë, humanizimit të raporteve të individit të lirë me jetën e përbashkët sociale.

Por, këto ndryshime e transformime nuk ecën në rrugën e duhur, me durim social dhe gradualitet transformues në procesin e transformimit të hallkave të këtij raporti ekzistencialisht themelor e strukturalisht thelbësor, i cili papritur pësoi një përmbysje kaotike në kuptimin material e fizik, por edhe konceptual, ideologjik e metafizik, duke sjellë probleme e anomali, të cilat aktualisht shfaqen si plagë sociale të agravuara. Njerëzit tanë të mërzitur nga “kafazi” gjysmëshekullor totalitarist, në jetën me mungesë absolute të lirisë individuale dhe e mbingarkuar me peshën e koncepteve dhe praktikave hipersociale e superkolektiviste, të nxitur nga shpresa e padurimi për të rindërtuar një shoqëri të lirë e demokratike, ata u joshën nga etiketa e jashtme e lirisë, nga ideja fillestare e konceptit semplist të njeriut të lirë, si njeri i vetëmjaftueshëm, asocial, i shkëputur nga shoqëria dhe pa vlerësuar dhe respektuar konvencionet sociale e morale të jetës së lirë demokratike. Qëndrime që sollën si pasojë, nga njëra anë liri dhe autonomi më të madhe morale dhe pavarësi shpirtërore, por në të njëjtën kohë, kjo e shoqëruar me rrënimin e akseleruar dhe prishjen e menjëhershme të relacioneve sociale me shoqërinë, një izolim prej normave të reja të saj.

Në kohën e sotme është e qartë se ka një prirje të njëanshme në sjelljen e njeriut, që frymëzohet dhe orientohet nga filozofia që ushqen ndjenja dhe mendime tërësisht individualiste, që kanë ndikimin në dobësimin e vlerave të shoqërisë funksionuese dhe të mirë rregulluar si duhet. Duke e vlerësuar këtë moment delikat të shoqërisë moderne, këtë defekt apo këtë rrezik që vjen nga moderniteti social, lideri klasik i liberalizmit modern John Rawls, mendon se, “nuk duhet të ketë asnjë arsye të momentit pse qëllimet e njerëzve në një shoqëri të mirërregulluar duhet të jenë në pjesën më të madhe individualiste”. (M. Sandel, Liberalizmi dhe kufijtë e drejtësisë, f. 102)

Pikërisht kjo njëanshmëri e konceptimit teorik e filozofik nga njëra anë dhe sjelljet arriviste në anën tjetër, janë faktorë pse është kaq në zgjerim sasia e veprimeve abuzive, qëndrimeve anormale e sjelljeve destruktive, shoqëruar me akte brutalisht të dhunshme e kriminale, të cilat në thelb janë tregues të qartë të ardhjes në shoqërinë shqiptare të njeriut që mendon për vete, pa llogaritur të tjerët, pa përfillur nevojën e përshtatjes me sistemin e vlerave dhe determinantët e habitatit të përbashkët social.

Janë shtuar njerëzit në shoqërinë tonë që synojnë, luftojnë dhe e ndërtojnë jetën të bazuar vetëm në dëshirat e mundura, të pamundura apo të pafshehura të unin e tyre të “kulluar” (Jasques Lacan), apo që atë e mbushin vetëm me sjellje agresive e anomali antisociale, sjellje e pasione sociopatike të pakontrolluara, fenomene në zgjerim patologjik, që po tentojnë për t’u bërë shtresë sociale evidente, fenomen social tejet shqetësues e bezdisës për shoqërinë tonë. Për pasojë, jeta jonë e përditshme, gjithnjë e më shumë po përballet ekzistencialisht ashpër me njerëz që në emër të “lirisë së pakufizuar” dhe pavarësisë së imagjinuar nga ligjet dhe rregullat e përbashkëta të shoqërisë, shfaqen me devijime të rrezikshme e sjellje kriminale, mungesë të vetëpërmbajtjes në raportet e tyre me jetën urbane, duke neglizhuar nevojën e shfaqjes së domosdoshme të pjekurisë qytetare dhe racionalitetit human.

Bashkuar këto devijanca edhe me anomali të njerëzve që jetojnë në terrene me frymëzime utopike, pritshmëri sociale të tepërta e jo realiste, shoqëruar me përdorimin e zgjeruar të përdorimit të lëndëve psikotrope. Të gjitha këto sjellje individuale, dukuri sociale e pamje të përditshme të jetës urbane i kanë detyruar sociologët të flasin për ekzistencën e “epokës së hipermodernitetit”, e cila po dëmtohet nga koncepti i hipertrofizuar i lirisë individuale, e cila në shumë aspekte shfaqet e shëmtuar”. Është realitet i padyshimtë që pjesa e shëndoshë e shoqërisë shqiptare po përballet në mënyrën më të ashpër të mundshme me pjesën e njerëzve që shpërdorojnë lirinë sociale, që kanë ulur në kuota kritike reduktimin, madje asgjësimin e përgjegjësisë sociale e personale si qytetarë.

Këta janë përgjithësisht indiferentë ndaj çështjeve publike dhe problemeve jetësore, kanë prirje për të qenë të “atomizuar”, izoluar ndaj çështjeve sociale, duke mbivlerësuar vetëm aspektet që kanë lidhje me sjelljet e tyre individualiste, egoiste e synimet konkurenciale. Ata e kanë lirinë si aset për të shfaqur prirje të individualizmit, si raport i thjeshtë i “vetes me veten” pa pasur lidhje, pa respektuar rregullat, normat, vlerat që ndërtojnë personalitetin e tyre dhe garantojnë shfaqjen e përgjegjësisë qytetare. Ky lloj procesi i “denatyrimit të lirisë” prej kësaj shtrese shoqërore bezdisëse dhe shqetësuese, po sjell efekte degraduese për shëndetin e shoqërisë shqiptare në tërësi. Personalisht mendoj se jemi në një situatë, që duhet vlerësuar integralisht, sociologjikisht dhe në trajtë empirike situata për të parë, kuptuar dhe interpretuar drejt gjendjen gjithnjë e më shumë kaotike, që ka sjellë ngatërrim konceptual dhe real të raporteve midis autonomisë dhe integritetit vetjak të njeriut si liri, me përgjegjësinë e sjelljes individuale në shoqëri.

Ndoshta ky ekuacion ekzistencial ka mundësi të ecë në rrugën e degradimit dhe afunksionalitetit, nëse nuk fillojmë të kultivojmë në familje, shkollë, shoqëri civile dhe gjithë institucionet e sigurisë morale dhe kulturës qytetare, frymën pozitive dhe të ekuilibruar, për të ndërmarrë një “aksion kombëtar” për të rregulluar raportet e sjelljes midis koncepsioneve morale detyruese dhe lirisë subjektive, objektivave personale utilitariste dhe relacioneve sociale dobiprurëse të jetës së individit. Nuk besoj se pesimizmi, dëshpërimi për situatat që kalojmë janë rruga e duhur për të rregulluar këtë ekuacion ekzistencial dhe garantues në rindërtimin e raporteve të drejta, midis qytetarit dhe shoqërisë.

Është e vërtetë që ka tri dekada e gjysmë që në qendër të shoqërisë është vendosur njeriu utilitarist dhe indiferent ndaj “tjetrit”, që lufton vetëm për vete dhe dobinë personale. Jetojmë në një shoqëri liberale, pragmatiste e individualiste, e cila ka vendosur në që ndër të saj individin si të tillë. Por kjo nuk do të thotë dhe nuk është e vërtetë, që shoqëria e sotme shqiptare është tërësisht neutrale, indiferente, adiaforiste dhe e mpirë moralisht. Apo të mendosh se në ekzistencën e saj morale e sociale, nuk ka dhe nuk ekzistojnë “pikëmbështetje” për të rregulluar këtë raport, për të shmangur keqkuptimet e njëanshme e subjektiviste, konfliktet e panatyrshme e artificiale që ndikojnë në shpërbërjen e lidhjes sociale individ-shoqëri.

Duke arsyetuar mbi bazën e dukurive sociale, nuk është deri në fund e qartë, nëse vetëm liria dhe individualizmi si “entitete”, janë kusht për ndërtimin e shoqërisë modern, apo është vetë natyra e shoqërisë moderne që ka si produkt integral tipik individualizimin e jetës, indiferencën, narcizismin, cinizmin egocentrik, si tipare esenciale e me peshë sociale në strukturën dhe fenomenologjinë e sjelljes të njeriut.

Por, pavarësisht nevojës së debatit teorik sociologjik e akademik, një gjë është e vërtetë dhe evidente në realitetin tonë social. Të gjithë e ndjejmë se duke vlerësuar “dialektikën e përmbysur” radikalisht të raportit midis lirisë sociale dhe përgjegjësisë individuale, ne praktikisht ndodhemi përballë realitetit të një shoqërie që nuk është e “rregulluar mirë”, për shkak se në emër të superioritetit të lirisë së njeriun dhe në shërbim të anomalive eksentrike, ajo duket sikur punon dhe nxit tendencën e pakontrolluar personaliste, që në emër të lirisë i mban njerëzit të ndarë, të veçuar, pa lidhje sociale me njëri-tjetrin. Është anomali humane që buron nga konceptimi i deformuar i lirisë personale, duke u nisur nga perceptimi i ngushtë i kornizës së lirisë së pakufizuar të “jetës private”, që e mëson, madje e “detyron” njeriun të jetojë i “mbyllur brenda vetes”, pa pasur lidhje dhe relacione të domosdoshme sociale.

Është e vërtetë se demokracia liberale është e lidhur fort me idealin e lirisë si vetëvendosje sovrane e individit. Por kjo duhet kuptuar drejt, sepse “ ... demokracia liberale privilegjon autonominë individuale apo private, pra vetëvendosjen individuale”, ... në mënyrë që “çdo subjekt të jetë i lirë për të bërë jetën e tij ashtu siç i duket më mirë dhe shteti ndërhyn për të zgjidhur konfliktet kur liria e dikujt kërcënon lirinë e dikujt tjetër”. (James Gordon Finlayson f. 147-148)

Ndaj është imperative, detyrim që e sjell koha që jetojmë, natyra dhe tipologjia e shoqërisë ku bëjmë pjesë, që ta kthejmë në mision humanizmin e raporteve të lirisë së individit me rregullat, nevojat e përbashkëta të shoqërisë. Sepse në fund të fundit, duhet pranuar e vërteta e idesë së filozofit Jurgen Habermas, sipas të cilit, “Askush nuk është i lirë, po nuk qemë të gjithë të lirë”. (J.G. Finlaynson f. 161)

Yesterday — 3 February 2026Main stream

MBJELLJA E FARAVE TË DASHURISË

3 February 2026 at 12:47


Nga: Roland Orzabal dhe Curt Smith (Tears for Fears, 1989)
Përkthimi: Telegrafi.com

Është koha të ngrihemi
Dhe të tronditim mendësinë e njeriut të zakonshëm
Treni i dashurisë kalon nga bregu në breg
Disk-xhokeu është ai që duam më shumë
A mund të jesh, a mund të jesh krejtësisht pa vese
Dhe të shkatërrosh çdo shpresë për demokraci?
Siç thotë titulli, je i lirë të zgjedhësh
Por ke vezë në fytyrë dhe baltë në këpucë
Një ditë do ta quajnë melankoli, po, po

(Mbjellja e farave të dashurisë)
Çdo gjë është e mundur
(Farat e dashurisë)
Kur mbjell farat e dashurisë
(Mbjellja e farave)

(Mbjellja e farave të dashurisë)
Çdo gjë është e mundur
(Farat e dashurisë)
Kur mbjellim farat e dashurisë
(Mbjellja e farave)

Shoh lot në sytë e tyre
Shikojnë qiellin për një ndërhyrje hyjnore
Ushqimi hidhet kot -
Kaq i mirë për t’u ngrënë, kaq i mirë për t’u shijuar
Politikane plakushe me idealet tua të larta
A nuk e ke idenë si ndihen shumica
Pra, pa dashuri dhe pa një tokë të premtuar
Jemi budallenj që ndjekim rregullat e një plani qeveritar
Hiqni dorë nga stili, kthehuni te improvizimi

(Mbjellja e farave të dashurisë)
Gjithçka
(Farave të dashurisë)
(Mbjella e farave të dashurisë)

(Mbjellja e farave të dashurisë)
(Farave të dashurisë)

Mbjellja e farave
Zogjtë dhe bletët
E dashura ime dhe unë
Të dashuruar

Ndjeje dhimbjen, fol për të
Nëse je njeri i shqetësuar, bërtit për të
Hape zemrën, ndjej për të
Hape mendjen, mendo për të
Të gjithë, lexoni për të
Të gjithë, bërtisni për të
Të gjithë
(Të gjithë, po, po)
Të gjithë lexoni për të, lexoni për të
Lexoni në libra se në cepa e qoshe ka libra për t’u lexuar

(Mbjellja e farave të dashurisë)
(Mbjellja e farave të dashurisë)
Po mbjellim farat
(Mbjellja e farave)
Po mbjellim farat e dashurisë

Po mbjellim farat
Po mbjellim farat e dashurisë
Po mbjellim farat e dashurisë
(Z. Angli po i mbjell farat e dashurisë)

(Është koha të përpish të gjitha fjalët e tua)
(Të gëlltisësh krenarinë)
(Të hapësh sytë)
Është koha të përpish të gjitha fjalët tua
Të gëlltisësh krenarinë
(Të hapësh sytë)

Është koha të ngrihemi
(Të përpish të gjitha fjalët e tua)
Dhe të tronditim mendësinë e njeriut të zakonshëm
(Të gëlltisësh krenarinë)
Dhe treni i dashurisë kalon nga bregu në breg
(Hapi sytë)
Në çdo minutë të çdo ore
E dua lulediellin
(Hapi sytë)
Dhe besoj
Në fuqinë e dashurisë
(Hapi sytë)
Në fuqinë e dashurisë
(Hapi sytë)
Në fuqinë e dashurisë

(Mbjellja e farave të dashurisë)
(Farave të dashurisë)
(Mbjellja e farave të dashurisë)
(Mbjellja e farave të dashurisë)
Mbjellja e farave
(Mbjellja e farave të dashurisë)
Duke mbjellë farat e dashurisë
Duke mbjellë farat
(E punëtorët?)
Edhe politika e lakmisë
Me dashuri

(Mbjellja e farave të dashurisë)

- YouTube

- YouTube


Eliminimi i opozitës dhe rruga e Zogut drejt Presidencës së parë!

3 February 2026 at 11:51


Nga: Romeo Gurakuqi

Fundi i Luftës së Parë Botërore ka qenë një kohë dramatike për Shqipërinë, për shkak të largimit nga skena gjeopolitike evropiane të shtetit të saj protektor, të Perandorisë Austro-Hungareze. Për Shqipërinë u krijuan dy vakume të menjëhershme: së pari, ai i brendshmi, institucional, për pjesën më të madhe të territorit, që për gati tri vite u administrua nga austriakët, italianët dhe francezët; së dyti, në bisedimet e paqes, Shqipëria nuk do të kishte më një zë të kualifikuar dhe besnik, pro saj, brenda fuqive të mëdha vendimmarrëse.

Italia, e rreshtuar përkrah vendeve fituese të Antantës, për një numër arsyesh nuk mundej dhe nuk do ta luante dot në mënyrë të qëndrueshme, serioze dhe të vërtetë, një rol të tillë pro Shqipërisë, çështjes së saj kombëtare. Mirëpo, dhënia e së drejtës së kontrollit ushtarak italian mbi Shqipërinë nga ana e Këshillit të Lartë të Antantës në momentin e avancimit të ushtrive të Antantës në Ballkan, do t’u mundësojë shqiptarëve një lloj mbrojtjeje, do të shmangë, në një masë të madhe, përsëritjen e skenave pushtuese të Serbisë dhe Greqisë në vendin tonë dhe do t’u mundësojë forcave nacionaliste të fillojnë procesin e ripërtëritjes së shtetit, institucioneve, restaurimit të legalitetit të paraluftës dhe dërgimit të përfaqësisë diplomatike në Konferencën e Paqes në Paris.

Lexo po ashtu nga Romeo Gurakuqi:
- Traktati i Fshehtë i Vlorës!
- Rinjohja e shtetit shqiptar pas Luftës së Parë Botërore dhe roli i ShBA-së
- Nëntori si kohë e reflektimit dhe e korrigjimit të historisë

Kujtoj se pas Luftës së Parë Botërore, përvoja e palavdishme ehlikjamiste dhe esadiste mbeti veç një kujtim i hidhur i një kohe të shkuar, ndërkohë që tre vitet e administrimit të Austro-Hungarisë në dy të tretat e Shqipërisë, të Italisë dhe Francës në Jug të vendit, autonomia administrative e kulturore që gëzuan shqiptarët nën këto kontrolle, kishte krijuar gjurmët e veta në strukturimin e nacionalizmit dhe restaurimin e administratës publike shqiptare. Edhe pse vitet e ardhshme do të jenë një sfidë e vërtetë në aspektin shtetformues për elitën nacionaliste, në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar, bashkësia nacionale që do të duhej të drejtohej nga kjo udhëheqësi, pati një ftillim të ndryshëm në aspektin e vetëdijes mbi përkatësinë dhe në pranimin më të madh të parimeve mbi të cilat do të duhej të rithemelohej marrëdhënia ndërshqiptare.

Nacionalizmi tanimë, në mënyrë të qartë, po mbështetej gjithnjë e më shumë mbi parimet e elitës së kulturës së lartë, ishujve të të vetëdijshëm mbi lirinë arbnore dhe përkatësinë e vendit në Adriatik. Vetë esadistët, të mbetur tanimë pa liderin e tyre (i cili u pengua të hynte në Shqipëri prej italianëve, të vendosur tanimë në pozita të forta kundër tij dhe më pas u ekzekutua nga Avni Rustemi në Paris), aplikuan transformizëm, përshtatje me rrethanat e reja dhe në ndarjen e re politike brenda vendit; u pozicionuan përkrah forcave konservatore të bejlerëve të ish-perandorisë, duke u përpjekur të gjejnë gradualisht liderin e tyre në figurën e Ahmet Bej Zogut, i cili starton, fillimisht në prapaskenë dhe më pas hapur, udhën e ndërtimit të një legaliteti të ri institucional mbi kreun e shtetit dhe formën e regjimit, që përmbyste kornizat e kongreseve nacionale të Durrësit (dhjetor 1918) dhe të Lushnjës (janar 1920), për të ngritur një të ri, rreth personit të tij (nga dhjetori i vitit 1924 me restaurimin e pushtetit të tij personal, fillimisht me ndihmën e Serbisë dhe më pas të Italisë).

Përndryshe, elita e evropianizueme e kulturës së lartë, diaspora nacionaliste, rrethet e nacionalizmit purist, albanianist dhe shekullarë, katolike dhe myslimane të Veriut, elita kosovare, ata të Shqipërisë qendrore të përqendruar në Elbasan përreth figurës më me autoritet në Shqipëri, Aqif Pashë Biçakçiut, nacionalistët e Toskërisë, në vitet 1918- 1924, megjithëse në minorancë për shkak të nivelit të shoqërisë shqiptare, punuan me vendosmëri për ripërtëritjen e Shqipërisë mbi kornizat e nëntorit 1912, Principatës së Shqipërisë së vitit 1914, mishëruar në linjën ringritëse të dy kongreseve të pas luftës, me një shpresë dhe mision për rikthimin e legalitetit të mirëfilltë me mbretin Wilhelm von Wied, ose pasardhësit e tij në krye të shtetit, si garantë të përforcimit të një shteti dhe nacioni të ripërtërirë evropian në kufijtë më të mundshëm etnikë.

Ky ka qenë i gjithë thelbi ballafaqimeve politike në vitet 1920-1924, fundi i së cilës ishte një humbje për elitën demokratike evropianiste dhe mbisundim i forcave konservatore, edhe të esadistëve të transformuar, ndërkohë që vetë Esadi ishte larguar fizikisht nga skena.

Rendi kushtetues

Ngjarjet e fillimit të vitit 1924, që kulmuan me Revolucionin e Qershorit, kryengritjen e qershorit, përmbysjen e qeverisë legjitime, u nxitën edhe nga përpjekja e qëllimshme e Ahmet Zogut për të kultivuar perceptimin se Shqipëria kishte nevojë për një udhëheqës të fortë, autoritar, në mënyrë që të siguronte stabilitetin dhe ruajtjen e rendit. Zhvillimet e vitit 1924 shuan përfundimisht çdo perspektivë për rikthimin e princ Wiedit; çështja e legjitimitetit të tij u harrua gradualisht, ndërsa forcat konservatore filluan të hartonin plane për konsolidimin dhe përjetësimin e pushtetit të Ahmet Zogut. Problemi i vendosjes së një rendi kushtetues dhe i përcaktimit të formës së regjimit mbeti i pazgjidhur gjatë gjithë kësaj periudhe, çka i krijoi Zogut hapësirë për të vepruar njëanshëm pas dhjetorit 1924. Pas Kundërrevolucionit të Dhjetorit 1924, rikthimit të legalitetit - riardhjes së njeriut të fortë në pushtet me shembjen e regjimit të mëparshëm të forcave demokratike - anëtarët e qeverisë së fundit shqiptare të formuar ligjërisht, së bashku me një prej regjentëve, u kthyen pothuajse menjëherë në kryeqytet. Me synimin për të ruajtur vazhdimësinë kushtetuese, ish-kryeministri Iliaz Bej Vrioni rifilloi përkohësisht ushtrimin e funksionit të tij, përpara se të paraqiste dorëheqjen. Më pas, regjenti ia besoi Ahmet Zogut detyrën e formimit të një kabineti të ri qeveritar. Shumica e anëtarëve të Asamblesë Kushtetuese u kthyen gjithashtu në Tiranë dhe, më 21 janar 1925, shpallën zyrtarisht vendosjen e regjimit republikan. Brenda një periudhe të shkurtër, republika, si formë e re qeverisjeje, ose si prishësja e dyfishtë e legalitetit të para qershorit 1924, u institucionalizua dhe Ahmet Zogu u zgjodh oresident i Republikës në rrethana që praktikisht e vendosën atë si autoritetin e vetëm dhe suprem në Shqipëri. Disa ditë më vonë, ai u rizgjodh zyrtarisht oresident për një mandat shtatëvjeçar. U hartua një Kushtetutë e re, e cila parashikonte një organ legjislativ dydhomësh, të përbërë nga një Senat me tetëmbëdhjetë anëtarë dhe një Dhomë Deputetësh me pesëdhjetë e shtatë deputetë. Kompetencat e oresidentit i ngjanin në thelb atyre të një republike presidenciale, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me dallimin thelbësor se presidenti zgjidhej nga Parlamenti dhe jo nga vota popullore. Kushtetuta parashikonte gjithashtu një kabinet ministror të emëruar nga presidenti, por politikisht përgjegjës përpara Dhomës së Deputetëve.

Për rrjedhojë, në qoftë se në qershor 1924 kemi një qeveri të ardhur në pushtet në mënyrë jo legjitime, me rrugë të armatosur, që gjithsesi ruajti kuadrin institucional të përcaktuar në Kongresin e Lushnjës, në dhjetor 1924 kemi rikthimin formal, jo thelbësor, jo vendimmarrës, të një qeverie legjitime të nxjerrë nga pushteti me dhunë, që shërbeu si trampolinë për shkatërrimin e legalitetit kushtetues të Kongresit të Lushnjës (janar 1920) dhe krijimin e një forme të re regjimit në Shqipërinë që nuk dinte çfarë ishte Republikanizmi.

Eliminimi i kundërshtarëve

Pyetja që bëjmë është: Ku gjenden kufijtë kohore dhe kuptimorë të “rikthimit të legalitetit” në këtë rast?!

Pas kundërrevolucionit, ose të ashtuquajturit rikthim të legalitetit qeverisës, pas dhjetorit 1924 u vendos një kuadër i ri juridik, i cili qëndronte në kontrast të theksuar, si me marrëveshjet e brendshme, ashtu edhe me ato ndërkombëtare që lidhnin shtetin shqiptar. Gjetja e një ekuilibri të qëndrueshëm midis centralizmit dhe decentralizmit përbënte një nga sfidat më urgjente për politikën shqiptare të kohës. Megjithatë, konflikti më i thellë lidhej ngushtë me çështjen agrare, e cila synonte, të paktën pjesërisht, dobësimin e dominimit të pronarëve të mëdhenj tokësorë - figura që kishin përfituar prona të gjera si kompensim për rolin e tyre represiv në administrimin e popullsisë shqiptare.

Pas të ashtuquajturit “Triumf i Legalitetit” nga ana e qeverisë, ajo që pasoi ishte, në thelb, çmontimi përfundimtar i legalitetit të kreut të shtetit, i shoqëruar me një marrëveshje të heshtur me Mbretërinë e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve për neutralizimin e rrymës politike të njohur si “Drini” (e përbërë kryesisht nga kosovarë dhe nacionalistë të përkushtuar), si edhe me angazhimin për respektimin e disa mirëkuptimeve themelore me Italinë. Kjo fazë u pasua nga shtypja e dhunshme dhe e zgjatur e kundërshtarëve politikë, përfshirë vrasjen e disa figurave të spikatura të opozitës.

Kjo periudhë u karakterizua nga eliminimi i një sërë kundërshtarësh të rëndësishëm të regjimit të Ahmet Zogut, çka kontribuoi ndjeshëm në konsolidimin e pushtetit të tij personal. Më 2 mars 1925, Luigj Gurakuqi, i konsideruar një nga etërit e kombit, një prej figurave më të shquara të nacionalizmit shqiptar dhe kritik i vendosur i regjimit, u vra në Bari, Itali, nga Baltion Stamolla, një ngjarje që siç rezulton nga dokumentet kroate dhe amerikane të zbuluara së fundmi, por edhe nga dokumentacioni i studiuar italian nga profesorët e Universitetit të Barit, ishte një ngjarje e kurdisur nga shërbimet shtetërore konsullore dhe të MPB të Tiranës, në rrugë jozyrtare. Brenda Shqipërisë, Zija Bej Dibra u vra nga xhandarmëria, ndërsa Bajram Curri, një kundërshtar i hershëm politik dhe ushtarak, gjeti vdekjen në fund të marsit në rrethana të diskutueshme. Hysni Curri vdiq në Vjenë gjatë pranverës së po atij viti, ndërsa Marka Gjoni, kapedani me ndikim i Mirditës, ndërroi jetë nga sëmundje e zemrës rreth së njëjtës kohë. Më vonë, në gusht 1925, një tjetër prijës mirditor i njohur, Zef Noci, u qëllua për vdekje.

Në vitin 1926, represioni u shtri edhe mbi bastionin kryesor të forcave përparimtare në Dukagjin, të cilin regjimi i Zogut e justifikoi me pretendime për infiltrime nga Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene. Shtypja e ushtruar ndaj popullsisë së Dukagjinit, që vijoi edhe gjatë vitit 1927, përbën një nga shfaqjet më brutale që zbulojnë thelbin e regjimit të vendosur në Shqipëri me ardhjen në pushtet të Zogut dhe “stabilitetin” e ndërtuar mbi dhunën e sundimit të tij diktatorial. Viktima e fundit në vargun e gjatë të hakmarrjeve të pamëshirshme ishte një nga figurat themeluese të kombit shqiptar, Hasan Prishtina, i cili u vra tetë vjet më vonë, më 13 gusht 1933, në Selanik, Greqi.

Në këtë mënyrë, trajektorja e nisur nga Esad Pasha për konsolidimin e kontrollit politik mbi Shqipërinë u vijua nga Ahmet Bej Zogu. Nga këndvështrimi i së drejtës kushtetuese, Ahmet Zogu fillimisht pretendoi se kishte rivendosur legalitetin qeverisës; më pas ai e çmontoi këtë rend, duke e kaluar vendin nga një monarki kushtetuese në një republikë presidenciale, ku Presidenti, si kreu i shtetit, ushtronte pushtet autoritar brenda kuadrit formal të një republike. Megjithatë, as ky transformim nuk i kënaqte plotësisht ambiciet e tij për pushtet të përhershëm. Në vitin 1928, ai e shndërroi republikën presidenciale në një monarki kushtetuese me kompetenca të zgjeruara, një strukturë qeverisjeje që nuk garantoi liritë themelore, nuk ndërtoi një parlament funksional, nuk mbrojti të drejtat e njeriut dhe nuk krijoi kushtet për një demokraci të vërtetë. Një mbretëri e re do të krijohej tanimë, së bashku me një legjitimitet të ri mbretëror në krye të shtetit, por ndryshe nga esadistët dhe fillesa politike e shumë prej personazheve politike mbështetëse, në rrjedhën e viteve ’30 të shekullit XX, Shqipëria do të formësohet si shtet me stabilitet, administratë të rregullt, program nacional arsimimi, me një sërë politikash modernizuese dhe perëndimizuese dhe me Turqinë të përjashtuar nga ndërhyrja në punët e brendshme të Shqipërisë. /Gazeta “Panorama”/

Luftë, marrëveshje e imponuar, kolaps regjimi: Për Teheranin, asnjë opsion nuk është i mirë

3 February 2026 at 10:56


Udhëheqësit e Iranit përballen tani me një rrezik të paprecedentë. Regjimi nuk është më i qëndrueshëm dhe mekanizmat globalë për shmangien e konfliktit nuk funksionojnë më.

Nga: Sanam Vakil / The Guardian (titulli: War, a Trump-imposed deal or internal regime collapse: for Tehran, none of the options are good)
Përkthimi: Telegrafi.com

Dyzet e shtatë vjet pas revolucionit iranian, Irani po përballet me një realitet strategjik që nuk e ka përjetuar më parë - një krizë të njëkohshme e legjitimitetit të brendshëm dhe një kërcënim të besueshëm nga jashtë, aq serioz sa mbijetesa e regjimit nuk mund të merret më si e mirëqenë. Deri tani, Teherani i ka mbijetuar luftërave, sanksioneve, vrasjeve, protestave masive dhe izolimit ndërkombëtar përmes një strategjie që përfshin projektimin e forcës jashtë vendit, shtypjen e disidencës brenda dhe krijimin e një krize të përhershme për të justifikuar udhëheqjen e dobët dhe dështimin politik.

Sot, Donald Trumpi ka mobilizuar “armadën” në Lindjen e Mesme që përfshin grupin e sulmit të aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln, shkatërruesit me raketa të dirigjuara, një prani e zgjeruar ajrore dhe sisteme të mbrojtjes raketore. Ky demonstrim force sugjeron se ShBA-ja nuk është më e fokusuar në frenimin e Iranit, por në imponimin e një zgjidhjeje përfundimtare të një konflikti të gjatë. Zgjedhja që paraqitet është ose pranimi i një marrëveshjeje të imponuar nga ShBA-ja, ose shkatërrimi i Republikës Islamike siç ekziston sot.

Veprimet e Trumpit gjatë mandatit të tij të parë si president përfshinin braktisjen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, rivendosjen e sanksioneve gjithëpërfshirëse dhe vrasjen e komandantit të Forcës Quds, Qassem Suleimani, në vitin 2020, duke paralajmëruar një qasje të re ndaj një armiku të kahershëm. Tani që është kthyer në detyrë, ai duket i vendosur ta përfundojë atë projekt duke e detyruar Teheranin të pranojë një marrëveshje sipas kushteve amerikane ose të përballet me sulme ushtarake që synojnë çmontimin e regjimit.

Për Iranin, ky është një moment i paprecedentë. Që nga viti 1979, regjimi nuk është përballur me kërcënime serioze në të njëjtën kohë - si ndaj legjitimitetit të tij të brendshëm, ashtu edhe ndaj aftësisë për të trembur armiqtë jashtë vendit. Brenda vendit, sistemi është i rraskapitur. Vite të tëra me rënie ekonomike, korrupsion, kolaps i valutës dhe emigrimi masiv e kanë dobësuar kontratën shoqërore. Protestat që nga viti 2017, përfshirë kryengritjen “Grua, Jetë, Liri” të vitit 2022 dhe demonstratat masive të muajit të fundit, tregojnë një shoqëri që nuk ia ka më frikën shtetit. Protestuesit janë bërë më të guximshëm dhe më të zemëruar, edhe pse kostoja e mospajtimit është rritur ndjeshëm. Në fakt, goditja e janarit ishte më e dhunshmja në historinë e regjimit, me mbi 6 000 persona të konfirmuar të vrarë dhe edhe 17 000 vdekje të tjera të regjistruara ende nën hetim.

Jashtë vendit, Irani e ka humbur kontrollin, dhe projekti i tij rajonal i fuqisë është shkërmoqur. Që nga 7 tetori, fushata sistematike e Izraelit kundër të ashtuquajturit bosht të rezistencës iraniane ka gërryer ndjesinë e sigurisë së Teheranit. Përmes sulmeve të hapura ajrore në të gjithë rajonin dhe në vetë Iran, vrasjeve që kishin cak njerëz të nivelit të lartë dhe operacioneve kibernetike që kulmuan me luftën 12-ditore të verës së kaluar, Izraeli e ka zhvendosur luftën e fshehtë në një konflikt të hapur dhe, në këtë mënyrë, e ka shtyrë aktivisht Iranin drejt një ballafaqimi të drejtpërdrejtë me ShBA-në.

Në të njëjtën kohë, Irani i ka krijuar vetë kushtet e dobësisë së tij. Përpjekjet e tij për të ndërtuar ndikimin përmes milicive në Irak, Siri, Liban dhe Jemen kishin për qëllim të shmangnin sulmet duke rritur koston e luftës. Në vend të kësaj, ato kanë krijuar pika të shumta ekspozimi. Loja me pragun bërthamor, dikur një mjet për presion, tani është bërë justifikimi kryesor për presion ndërkombëtar. Ideologjia e tij revolucionare, dikur një mjet për mobilizim, tani e lë gjithnjë e më të izoluar në një rajon që është lodhur nga konfliktet ideologjike.

Pyetja kryesore për ditët në vijim nuk është nëse do të ndodhë përballja, por në çfarë forme do të ndodhë ajo.

Skenari i parë është kompromisi i detyruar. Nën presion të madh, Irani pranon një marrëveshje që kufizon programin e tij bërthamor, lejon inspektime të bezdisshme, vendos kufizime për aftësitë raketore dhe e redukton rolin e tij rajonal në këmbim të lehtësimit të sanksioneve dhe ndoshta investimeve të ardhshme amerikane në vend. Kjo mund të parandalojë luftën e menjëhershme, por do të ketë një kosto të madhe politike. Marrëveshja e tillë do të shihej brenda Iranit si pazar për hir të mbijetesës së regjimit.

Skenari i dytë është lufta e kontrolluar. ShBA-ja do të koordinonte sulmet ndaj udhëheqjes iraniane, forcave raketore, mbrojtjes ajrore dhe infrastrukturës bërthamore që mbetet, duke synuar të gjymtojë regjimin. Kjo ndoshta do të shkaktonte një përshkallëzim rajonal iranian që varion nga sulmet mbi bazat amerikane, rrugët detare dhe qytetet izraelite, ndoshta edhe me mobilizim të ndërmjetësve [proxy] përreth Gjirit. Qëllimi në këtë skenar do të ishte transformimi i regjimit, por rezultati me siguri do të sillte paqëndrueshmëri të zgjatur, fragmentim të elitës dhe një luftë të dhunshme për drejtimin e ardhshëm.

Skenari i tretë është kolapsi i pakontrolluar. Nën presion të kombinuar nga jashtë dhe nga trazirat e brendshme, regjimi thyhet, duke prodhuar jo një tranzicion liberal, por një vakum pushteti. Faksionet konkurruese të sigurisë, kolapsi ekonomik dhe ndërhyrjet rajonale mund ta kthejnë Iranin në një burim afatgjatë të paqëndrueshmërisë - duke sjellë ndër mend imazhet e Libisë dhe Sirisë - që do të prodhonte një rezultat më të rrezikshëm sesa regjimi që zëvendëson.

Në të tre skenarët, rezultati është i rrezikshëm për popullin iranian. Qoftë përmes kompromisit të detyruar, luftës së kufizuar apo kolapsit të regjimit, asnjë nga rrugët e mundshme nuk çon drejt stabilitetit të menjëhershëm apo tranzicionit demokratik. Për më tepër, të gjitha palët - Izraeli, ShBA-ja dhe Irani - janë të bllokuara në një logjikë përshkallëzimi dhe jo përmbajtjeje.

Kjo është ajo që e bën momentin aktual të jetë kaq i rrezikshëm. Nuk ka më frena të vërtetë diplomatike. Sistemet dhe mekanizmat që më parë mbanin konfliktin të përmbajtur, nuk funksionojnë më. Evropa nuk ka më asnjë rol për të ndërmjetësuar me Iranin. Rusia është e përqendruar në luftën e saj në Ukrainë dhe nuk është e gatshme të investojë në zgjidhje. Kina është e kujdesshme dhe nuk dëshiron të udhëheqë. Shtetet rajonale po përpiqen të ndërhyjnë dhe të menaxhojnë diplomacinë e çastit të fundit, por njëkohësisht po përgatiten për atë që vjen.

Për Iranin dhe për Lindjen e Mesme në përgjithësi, pyetja nuk është më nëse kriza mund të zbutet, por sa shumë dëm do të shkaktojë përpara se të përfundojë. /Telegrafi/

Before yesterdayMain stream

Polici që frymëzoi Serpicon e Al Pacinos

2 February 2026 at 15:32


Frank Serpico u qëllua më 3 shkurt 1971, pasi zbuloi korrupsionin në Departamentin e Policisë së Qytetit të Nju-Jorkut. Vitin tjetër, BBC raportoi për kalbjen “e përhapur” në forcën policore të Mollës së Madhe [Nju-Jorkut].

Nga: Greg McKevitt / BBC (titulli: 'The dishonest officer should fear the honest one': The policeman who inspired Al Pacino's Serpico)
Përkthimi: Telegrafi.com

Drama kriminale e vitit 1973, Serpiko [Serpico] u shkëput drejtpërdrejt nga titujt e gazetave. Bazuar në bestsellerin e Peter Maasit, filmi kishte Al Pacinon në rolin kryesor - taze nga suksesi në rolin e Majkël Korleonit te Kumbari [The Godfather] - si polici idealist Frank Serpico i cili guxoi të përballej me korrupsionin në Departamentin e Policisë së Qytetit të Nju-Jorkut [NYPD].

Ndershmëria e tij kokëfortë e vuri në konflikt me kolegët. Por, a kishte kjo lidhje me momentin e 3 shkurtit 1971, kur ai u qëllua gjatë një bastisjeje për narkotikë? BBC raportoi për hetimin pasues në vitin 1972.

Serpico, djali i emigrantëve italianë, iu bashkua NYPD-së në vitin 1959 për t’i shërbyer komunitetit. Në vitin 1965, u bë oficer me rroba civile - një hap drejt detektivit. Idealizmi i tij u përplas shpejt me pandershmërinë e disa prej kolegëve të tij. Zbuloi se korrupsioni ishte i përhapur. Një polic mund të merrte deri në 800 dollarë në muaj - ekuivalenti i rreth 8 000 dollarëve [6 766 euro] sot - nga operacionet e lojërave të fatit, me zyrtarët e lartë që merrnin një shumë më të madhe.

Në vitin 1967, Serpico u bë informator, duke sjellë prova të këtij korrupsioni tek eprorët e tij. Në këmbim, ai u ngacmua dhe u kërcënua. Më pas iu bashkua në këtë mision David Durkut, një tjetër oficer i guximshëm i NYPD-së që kishte kontakte në nivele të larta. Teksa Durku ishte jurist pedant dhe familjar, Serpico ishte një shpirt i lirë dhe vetmitar - një tjetër arsye pse nuk ishte i pëlqyer nga kolegët.

Në vitin 1970, i zhgënjyer dhe pa rrugëdalje, Serpico dhe Durku ia dorëzuan zbulimet e tyre gazetës New York Times. Zbulimet tronditëse në faqen e parë tronditën qytetin. Kryetari i Bashkisë, John Lindsay, caktoi një komision të pavarur të drejtuar nga avokati i Uoll-Stritit [Wall Street], Whitman Knapp. Por, Serpico ende ishte në detyrë aktive.

Al Pacino luajti Frank Serpicon në biopikun e vitit 1973 të Sidney Lumetit(Alamy)

Në shkurt të vitit 1971, tashmë pjesë e sektorit të narkotikëve, ai shkoi në një ndërtesë apartamentesh në Bruklin me tre oficerë të tjerë pas një sinjalizimi për një marrëveshje droge. Serpico trokiti në derën e të dyshuarit dhe u fut brenda kur ajo u hap, por u qëllua në fytyrë. Një zyrtar i lartë i policisë i tha revistës New York Magazine se kur erdhi lajmi, "u tmerruam nga mundësia që këtë ta kishte bërë një polic".

Sipas New York Magazine-it, Serpico u “la për të vdekur nga kolegët e tij policë”, dhe ishte një banor i ndërtesës ai që thirri shërbimet e urgjencës. Ai u dërgua në spital me një makinë policie. Në një artikull të Politico-s të vitit 2014, ai shkroi: “Njëri nga policët që më çoi atë natë tha [më vonë], ‘po ta dija që ishte ai, do ta kisha lënë aty të rridhte gjak derisa të vdiste’”.

Një vit më vonë, David Taylor nga programi 24 Hours i BBC-së raportoi nga qyteti ku statistikat e krimit ishin “si të një lufte në zhvillim”. Ai zbuloi se Nju-Jorku jo vetëm që ishte qyteti më i pasur në botë, por edhe një nga më të ndyrët. “Vitit e kaluar ishin 1 600 vrasje në qytet. Më shumë amerikanë u vranë këtu sesa në Vietnam. Një krim i dhunshëm ndodh çdo 15 minuta, një grabitje çdo minutë dhe një vjedhje çdo 30 sekonda”.

“Por, ajo që e bën edhe më të rëndë situatën është dijenia e përgjithshme se policët marrin ryshfet”, tha Taylori. Hetimi publik zbuloi se korrupsioni ishte “i përhapur, megjithëse jo i njëjtë në shkallë”. Ai i quajti shumicën e policëve të korruptuar si “barngrënës”. Këta ishin policë që pranonin pagesa të vogla dhe dhurata nga “kontraktues, operatorë të merimangave, lojtarë kumari dhe të ngjashëm”. “Mishngrënësit”, një përqindje e vogël e NYPD-së, shfrytëzonin në mënyrë agresive situatat për pagesa të mëdha. Këto përfshinin “kumarin, narkotikët dhe krimet e tjera të rënda që mund të sillnin mijëra dollarë”.

- YouTube youtu.be

Dëshmitari kryesor në seancat e transmetuara në televizion ishte William Phillips, një polic me rroba civile që kishte marrë ryshfet për 14 vjet. Një detektiv i vrasjeve që e pa atë duke dëshmuar në TV i tha prokurorëve se ai i ngjante një skice të një të dyshuari për një vrasje të pazgjidhur nga viti 1968. Phillipsi përfundoi i dënuar për vrasjen e dy personave dhe shkoi në burg për 32 vjet. Vdiq në vitin 2023, në moshën 92-vjeçare. Në nekrologjinë e tij, New York Times shtroi pyetjen: “A kreu vrasje, apo u kurdis si hakmarrje për thyerjen e murit të kaltër të heshtjes”?

Serpico, pjesërisht i shurdhuar në njërin vesh nga të shtënat, dëshmoi vetë në hetim, duke thënë: “Shpresoj që zyrtarët policorë të mos e përjetojnë në të ardhmen të njëjtin zhgënjim dhe ankth që më është shkaktuar mua në pesë vjetët e fundit, nga eprorët e mi, për shkak të përpjekjes për të raportuar korrupsionin. Më bënë të ndihesha sikur i kisha ngarkuar me një detyrë të padëshiruar”. Ai i bëri thirrje hierarkisë policore të krijojë “një atmosferë në të cilën polici i pandershëm ka frikë nga ai i ndershmi dhe jo e kundërta”.

Durku i tha komisionit: “Korrupsioni nuk ka të bëjë fare me paratë, sepse nuk ka sasi parash që mund t’i japësh një polici për të rrezikuar jetën 365 ditë në vit. Të jesh polic është një vokacion, ose nuk është asgjë fare - dhe kjo është ajo që u shkatërrua nga korrupsioni në Departamentin e Policisë së Qytetit të Nju-Jorkut; u shkatërrua për mua dhe për mijëra të tjerë si unë”.

Raporti i BBC-së i vitit 1972, mbi gjendjen e policisë së Nju-Jorkut, gjeti një forcë të demoralizuar. Kapiteni Edward Rogers, komandant i Njësisë së Nëntë, tha për 24 Hours: “Momentalisht, morali është në një pikë shumë të ulët në departament për shkak të Komisionit Knapp, kur 95 përqind e burrave të ndershëm tani po quhen të korruptuar, ndërkohë që Komisioni Knapp në rastin më të mirë zbuloi ndoshta se pesë përqindëshi i departamentit është i korruptuar. 95 përqind të tjerët po bartin barrën e etiketës së korrupsionit”. Ai shtoi: “Diçka e kësaj natyre na ka kthyer shumë vite prapa në marrëdhëniet me publikun, padrejtësisht”.

Durku i tha BBC-së se arritja më e madhe e komisionit ishte që “shkërmoqi teorinë e mollës së kalbur” që ishte përgjigja e mëparshme ndaj çdo akuze për korrupsion policor. “Administrata gjithmonë thoshte, ‘Çfarë? Tronditëse, e tmerrshme, na trego fajtorin dhe do ta varim’. Dhe, zakonisht bënin një shfaqje dramatike duke varur një ose dy vetë ... zakonisht njerëz në nivele shumë të ulëta. Mendoj se ajo që bëri Komisioni Knapp ishte të tregonte shkallën dhe seriozitetin e asaj që në të vërtetë nënkupton korrupsioni”.

Kur erdhi puna për të bërë filmin mbi luftën kundër korrupsionit, roli i Durkut në ngjarje u paraqit nga Bob Blair, një personazh i trilluar i luajtur nga Tony Roberts. Pas seancave të komisionit, Durku u promovua në toger dhe qëndroi në polici për më shumë se një dekadë.

Serpico, i zhgënjyer, dha dorëheqje nga forca në vitin 1972 dhe për një kohë u zhvendos në Zvicër. Filmi biografik, i drejtuar nga Sidney Lumet, doli në ShBA një vit më vonë. Motoja në poster ishte kjo: “Shumë nga kolegët e tij e konsideronin njeriun më të rrezikshëm të gjallë - një polic i ndershëm”. Tridhjetë vjet më pas, në vitin 2003, Instituti Amerikan i Filmit e renditi Frank Serpicon në vendin e 40-të në listën e heronjve më të mëdhenj në historinë e kinemasë amerikane. /Telegrafi/

Studentët e mi e krahasuan shkrimin tim me atë të ChatGPT-së dhe të gjithë preferuan IA-në

2 February 2026 at 14:22


Nga: Sarfraz Manzoor / The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com

Ankthi është një rrezik profesional për shkrimtarin. Për tri dekada kam siguruar jetesën nga shkrimi dhe nuk mbaj mend një kohë kur nuk më ka shkaktuar ankth.

Kur fillova, shqetësimi im ishte si të bindja redaktorët e botimeve që të më jepnin një mundësi për të shkruar. Më vonë u shqetësova nga kufizimi, u shqetësova për pasigurinë e përhershme financiare që vjen me punën si i pavarur, dhe u shqetësova se askush nuk do të ishte i interesuar të më linte të shkruaja atë që dëshiroja të shkruaja. Sot, i kam ende të gjitha këto shqetësime, por atyre u është shtuar një ankth më i ri: se do të zëvendësohem nga inteligjenca artificiale [IA].

Përveç karrierës sime si shkrimtar, jap edhe mësim për shkrimin faktik [non-fiction] në Kolegjin Universitar të Londrës (UCL), ku përpiqem t’i bind studentët e mi se aspirata të bëhesh shkrimtar në kohën e ChatGPT-së nuk është krejtësisht e çmendur. Përkundër të gjitha paralajmërimeve të zymta për rrezikun e IA-së, prirem të besoj se ajo ende nuk mund ta përsërisë atë që e bën shkrimin e madh të jetë i madh, apo edhe atë që e bën një shkrim të jetë i veçantë.

Doja t’ua demonstroja këtë studentëve të mi, ndaj shpika eksperimentin i cili, me shpresë, do të shfaqte kufizimet e IA-së. U kërkova të lexonin dy artikuj. Njëri ishte një kolumne e shkruar unë, duke reflektuar për mënyrën se si, në një vit aq të paparashikueshëm sa 2026-ta, gjeta ngushëllim në gjërat që ishin të parashikueshme. Tjetri ishte i gjeneruar nga ChatGPT-ja, të cilin e kisha udhëzuar të shkruante 700 fjalë duke bërë të njëjtin argument “në stilin e Sarfraz Manzoorit”.

I shtypa të dyja pjesët në të njëjtin font dhe format. Qëllimi ishte i thjeshtë: të tregoja se, për gjithë rehatinë joshëse që ofron, shkrimi i prodhuar nga IA-ja është i aftë, por i zbrazët. Doja që studentët e mi të krahasonin specifikën, shkathtësinë dhe ritmin e shkrimit tim me atë që prodhonte IA-ja. Çdo lexues paksa inteligjent, besoja unë, do të mund të shihte se pjesa ime ishte më superiore në çdo aspekt. Ky, të paktën, ishte plani.

U dhashë studentëve kohë për të lexuar të dy artikujt dhe pastaj kërkova komentet e tyre. Për habinë time, shumica thanë se e preferonin versionin e IA-së. Thanë se ishte më mirë i argumentuar, më qartë i strukturuar, më ambicioz në shtrirje, dhe - kjo ishte goditja më e fortë - disa madje më thanë se ishte më personal se i imi. Kjo dhemb: një pjesë e gjeneruar nga IA-ja ishte më “personale” sesa ajo e shkruar nga një person i vërtetë.

Kur tregova se artikulli i parë ishte i imi dhe i dyti e gjeneruar nga IA-ja, pati një pauzë teksa ata e përpunonin këtë informatë. Shumë nga ta dukeshin vërtet të habitur - dhe disa ndoshta mendonin nëse mund të kthenin për paratë që kishin paguar për shkollimin. Pastaj shpjeguan arsyetimin e tyre. Ishin kryesisht studentë ndërkombëtarë - shumë prej tyre kinezë - dhe referencat kulturore nuk i kishin kuptuar. Nuk kishin dëgjuar për [këngën] Disco 2000 të [grupit] Pulp, [aktoren] Bonnie Blue apo [politikanin] Nigel Farage, dhe kështu gjërat që unë i kisha përfshirë për të pasur një ndjeshmëri te lexuesit ishin pikërisht ato që ua kishin vështirësuar atyre lidhjen.

E pranoj që në fillim u ndjeva i zhgënjyer që studentët preferuan versionin tim të bërë me IA sesa atë të vërtetin. Por, kur hulumtova pse e preferuan artikullin e dytë, fillova të ndihesha më optimist. U bë e qartë se ata ishin mësuar të vlerësonin shkrimin me sinjalizime të qarta, që lëvizte rrjedhshëm nga një pikë në tjetrën, dhe që ishte i zhveshur nga personaliteti apo thumbimet - shkrim që lexohej më shumë si ese.

Artikulli im, në njërën anë, supozonte një kujtesë të përbashkët dhe referencat e përbashkëta kulturore dhe kishte shaka. Studentët që ishin më të shkathtë në media - ata që më thanë se ishin abonentë të gazetave - ishin më pak të bindur nga versioni i IA-së. Njëri tha se ndihej “i ftohtë”, të tjerët e quajtën diçka që lehtë harrohet, dhe disa vunë re se ishte e pamundur të dije kur mund të ishte shkruar. Në anën tjetër, artikulli im përmbante një rresht të cilin një student e citoi dhe e përshkroi si të paharrueshëm, ndërsa një tjetër u bind të dëgjonte për herë të parë Disco 2000.

Me fjalë të tjera, artikulli i IA-së ishte i aftë, por që harrohet, ndërsa i imi kërkonte më shumë nga lexuesi, por ofronte më shumë shpërblim. IA-ja ofronte iluzionin e thellësisë, të paketuar në banalitet të zbutur që mezi mund të kalonte si njohuri. Për disa studentë, kjo ishte e mjaftueshme.

Por, siç u thashë atyre, ndonëse mund të kishte mashtruar ata, dyshoj shumë se do të kishte mashtruar redaktorin që kishte porositur artikullin. Po ta kisha dorëzuar atë version të dytë, besoj se do të më thuhej se ka nevojë për më shumë punë, se duhej të ndihej më personal dhe se i mungonte një zë autentik autorial.

A do të zëvendësohem ndonjë ditë nga IA? Është e mundur, por jo e pashmangshme.

Detyra ime për pjesën tjetër të semestrit është të mësoj studentët e mi jo vetëm si të bëhen shkrimtarë më të mirë, por edhe si të njohin dhe vlerësojnë shkrimin që është vërtet njerëzor, në vend të një përafrimi të hollë si letra.

Cilësitë që gjithmonë i kam besuar si tipare të shkrimit të mirë - zëri, specifika - nuk u vlerësuan menjëherë nga të gjithë studentët e mi. Por, ndoshta, kjo është pikërisht arsyeja pse ato ende kanë rëndësi. /Telegrafi/

E vërteta e vrasjes së Budit

2 February 2026 at 13:26


Nga: Behar Gjoka[1]

Pjetër Budi (1566- 1622) - dëshmor i besimit, gjuhës dhe atdhetarisë

Vdekja e parakohshme e Budit, vetëm në moshën 56-vjeçare, pra në apogjeun e veprimtarisë kishtare, botuese dhe atdhetare, ka tërhequr përherë vëmendjen e jo pak studiuesve, veçmas për të shpeshtjellur lëmshin misterioz të endur me shumë përkujdesje dhe mjeshtëri qysh kur ngjau ndarja nga jeta, dhjetorin e largët, 1622, fill pasi kishte marrë pjesë në një takim të priftërinjve katolikë shqiptarë.

Gjykimet e këtyre studiuesve, pavarësisht nuancave dallimore ndërmjet tyre, megjithatë variojnë në dy pista shqyrtimore:

1. Si vdekje aksidentale në valët e lumit Drin.

2. Si vrasje e qëllimtë, me doras dhe nxitës, e formuluar kaq shpesh, në qasje të ndryshme.

Prezantimi i verifikuar i këtyre dy pistave, tanimë si konkluzione të përfunduara, është bërë i mundur duke analizuar rrethanat, kontekstet vepruese, sfondin historik të asaj periudhe hershmërie, madje duke përmendur dhe përcaktuar edhe kundërshtarët kryesorë të poetit.

Afera e vrasjes qëllimore, si më potente për nga skeleti përshkrimor, qëmtuar ndër arkiva, por e lënë në “gjysmëharresë” me nënkuptime nga ana e historiografisë letrare, është një realiteti prekshëm, përplot me dëshmi dokumentare. Madje, nisur nga krahasimi i të dhënave të autorëve të ndryshëm, të burimeve të shumta arkivale dhe, sidomos prej verifikimit të ngjarjeve hap pas hapi, si fragmente të ngadalësuara, pra duke gjurmuar retrospektivën e kësaj ndodhie, pa frikë e droje mund të fiksohet si linja përfundimtare.

Lexo po ashtu:
- Pjetër Budi dhe kultura e fasadës
- Mbi artin e Pjetër Budit
- Madhështi e njerëzve
- Letërsia shqipe” (1955): Teksti studimor i albanologut Stuart Edward Mann

Momentet e pasvdekjes, krejt natyrshëm mund të vështrohen, së paku në dy etapa kohore, patjetër të lidhura ngushtë me shoshoqen, por edhe me nuanca dalluese ndërmjet tyre:

A. Pasvdekja e distancuar e cila na vjen si një jehonë e gjallë deri në vitin 1642, që përkon me çastet e zhvillimit të gjyqit të Kallmetit për këtë çështje. Sipas Injac Zamputit, gjithnjë e shqyrtuar në relacionet e kohës dhe e pasqyruar në revistën Studime historike, nr. 1 e vitit 1985, dalin dy dëshmitarë okularë (të sypërsyshëm) në ngjarjet e ditëve të krishtlindjeve të viteve 1622-1623, të quajtur Mark Shega e D. Pjetër Bosi (Boshi), të cilët ndër të tjera dëshmojnë në gjyqin e Kallmetit: “Meqë lumi i Drinit ishte rritur shumë nga shirat e mëparshëm dhe ishte shumë i rrëmbyeshëm, iu lutëm imzot peshkopit Pjetër Budi që të mos vinte në rrezik të hapur veten e vet dhe ne të gjithë dhe veçanërisht iu lut me shumë këmbëngulje zoti D. Nikolla, por ai (nuk e di a për fat të mirë ose të keq) deshi të vazhdonte udhëtimin e vetë dhe, me t’u larguar prej bregut barka u mbush me ujë për shkak të furisë së lumit dhe të gjithë ranë në ujë. Ne me mundim të madh dolëm, por ai mbeti dhe shkoi nën ujë duke na shkaktuar qarje e dhimbje të pafund” (1985: 168).

Kjo e dhënë, gjithsesi, është vetëm njëra nga dëshmitë autentike, siç na bën më dije Injac Zamputi, e cila është gjendur në Aktet e gjyqit të Kallmetit, para 17 prillit 1642, posaçërisht në Arkivin e Propagandës Fide. Fjalësia përshkrimore e gjoja incidentit dhe, veçanërisht shprehja e futur në kllapa, ka tërhequr vëmendjen e dhjetëra studiuesve. Vetë formulimi i dyzuar, gati mister, e cila vjen në situatën e ndërkallur, sidomos nëntekstet e pranishme, që ndërkaq e fsheh edhe pranëvënia dhe baraspesha e fjalëve “për fat të mirë a të keq”, më tepër iu kundërvihet thënieve të tjera të këtyre dëshmitarëve. Dhe, çka këtu merr rëndësi thelbësore për aktin e kryer, si dhe lë shtegun të hapur për interpretime të shumëllojshme. Prandaj, po aty, me të drejtë, njohësi ma i thekur i jetës së Budit, bazuar në arkiva dhe dokumenta, konkludon: “Kështu u mbyll kjo çështje kaq e mprehtë dhe Roma, sikundër kishte mbyllur sytë më parë, qe e kënaqur që formalisht çdo gjë u vu në rregull” (1985:169), pra duke i vënë edhe kapakun e florinjtë të “drejtësisë”.

Ndërsa të dhënat e tjera që sjell Rexhep Ismaili, botuesi i poezisë së Budit, rreth organizimit të gjyqit të Kallmetit janë tejet interesante ku, ndër të tjera, tek parathënia e librit Budit-Poezia,1618-1621, ndër të tjera thekson: “Për ta ndjekur dhe zgjidhur këtë çështje, Roma caktoi ipeshkvin raguzan të Lezhës, Benedikt Orsini, që e njohim si një nga lajmëtarët për vdekjen e Budit. Orsini gjyqin e mbajti në Kallmet para 12 dëshmitarëve - 5 klerikë e 7 shekullarë dhe misionarit apostolik të Zadrimës, famullitarit të Dibrës e të Mërqisë. I akuzuari N. Leka mohon çdo gjë nga aktakuza …” (1986:44), duke sqaruar rrethanat e zhvillimit të gjyqit në Kallmet e jo tjetërkund. Por, mbase do sqaruar se aktakuzën, gjithnjë sipas Zamputit, për Nikollë Lekën, e pati hartuar Frang Bardhi, një figure tjetër e ndritur e shekullit XVII. Bardhi, në mes të tjerash, nënvizon: “Abati në fjalë (N. Leka) deshi të hynte në një barkë të vogël ku gjindej peshkopi i Sapës, Budi. Ky peshkop, duke pare rrezikun i thoshte të mos hypte meqë edhe ai vetë donte të dilte. Por, ai pa ua vënë veshin fjalëve të atij peshkopi mori një zagar, hyri në barkë e cila, nga pesha e tepërt, u fundos dhe që të gjithë shpëtuan me përjashtim të peshkopit të varfër. Dhe, tani ai (abati Nikolla) me kryepeshkopin e Tivarit bëjnë makinacione me shenja të qarta për të shkaktuar vdekjen e peshkopit të tanishëm” (1985:167).

Kopja e aktakuzës, me ngarkesë të dyfishuar, pra si një rrezik i pranishëm, shkruar me dorë të Frang Bardhit, siç na e paraqet Zamputi, para 22 gushtit 1641, ruhet në Arkivin e Propagandës Fide. Kjo dëshmi, nga më themeloret, sa i përket personit që ka hartuar aktakuzën, kundërshtohet nga ana e R. Ismailit, i cili, tekstualisht, gjithnjë tek parathënia, thotë: “Aktakuza në të vërtetë është e D. Simon Mesit me shtatë priftërinjtë e Zadrimës” (1986:44). Veçse, po aty, madje fare përngjitur thënies së parë, po ky autor nënvizon: “Frang Bardhi i pakënaqur me vendimin e gjyqit, reagon në Romë për shkak se nuk qenë bërë hetimet, po gjykimi u mbyll vetëm me dëshmi. Reagimi i Bardhit mbeti pa jehonë” (1986:44). Prania e Frang Bardhit edhe si formulues i akuzës, edhe si reaguesi më i zjarrtë, pas përfundimit të gjyqit është më e mundshmja. Ka më tepër gjasa që të jenë bërë dy reagime, relatime në Romë, pavarësisht njëri-tjetrit, për të njëjtin problem: demaskimin e farsës gjyqësore, që do të realizohej në Kallmet në vitin 1642. Këto pasazhe, të një distance të theksuar nga momenti i krimit, burimore dhe të shtjellimeve konkludive, e zbardhin plotësisht pistën e vrasjes së qëllimshme, sepse: Përcaktojnë katërcipërisht dorasin e kryerjes së atentatit, Nikollë Lekën. Prezantojnë dëshmitë e dy dëshmitarëve të pranishëm kur realizohet krimi, përkatësisht, Mark Shegës dhe Pjetër Bosit, që përveç tjerash lëshojnë dëshmi të rreme.

Nxitueshmëria për ta formalizuar kryerjen e gjyqit vetëm me dëshmi, sa për të mbyllur përfundimisht këtë episod të besdisshëm, për ata që e nxitën dhe e realizuan. Pikërisht, mbajtja e seancave gjyqësore pas njëzet vjetësh, lë hapësirë për të kuptuar dhe nënkuptuar se organizimi i këtij procesi bëhet qëllimisht për të realizuar kështu edhe vrasjen e dytë, tashmë nëpërmjet drejtësisë.

B. Pasvdekja e menjëhershme: për domethënien e tyre, mund të veçohen këto relacione të përkthyera prej Zamputit:

1. Letra e Gjon Kolësit drejtuar Kongregacionit të Propagandës Fide, e 20 janarit 1623, në të cilën thuhet: “Ipeshkvi i Sapës, mbasi kështu i pëlqej nanës së zotit u mbyt në ujë, sapo kalonte një lumë, dhe të gjithë krishtnimit t’atyne anëve i ka ramë shumë keq dhe, meqënëse kanë mbetur pa bari” (1952:221).

2. Relacionet e shkurt-marsit të Domeniko Andreasit, ipeshkëv i Shkodrës, në të cilat, përveç mëllefit të derdhur me tepri për veprimet e Budit, kryer kohë më parë, vijnë edhe disa të dhëna domethënëse: “... kam ndëgjue me hidhënim dhe keqardhje shumë e madhe se ... nuk ka shumë kohë, tue kalue një lumë (të quejtun Drin) me pesë veta, u mbyt në mënyrë të mjerë, t’ue shpëtue të gjithë ... as nuk ka qenë e mundun t’i gjendet trupi i tij ...” (1963:311).

3. Relacioni i marsit 1623 i Benedikt Orsinit, ku ndër të tjera shkruhet: “... për çështjen e mjerueshme që i ngjajti përpara festive të Krishtlindjeve Imzot Pjetër Budi, Ipeshkv i Sapës në Arbëni, i cili, kur po donte me kalue lumin e Drinit për të pajtue njëfarë kishe, asht mbytë në lumin e thanun, pa e pasë pamun kush trupin e tij” (1963:315).

4. Informacioni i vitit 1625 i Gjon Kolësit, në mes të tjerash nënvizon: “... asht e nevojshme që ipeshkvi të ketë ndihmën e miqve, të farefisit dhe me të holla pranë pashallarëve e krenëve dhe në njëmijë mënyra të përpiqet me ia dalë mb’anësh dhe turq, me i mbajtë ata të krishtenë në bindje ndaj Krishtit shenjtë. Nga kjo rrjedh se Ipeshkvi duhet të jetë përherë një që të ketë lindun po në këtë vend kështuqë ma mirë, dhe qoftë në gjuhën e vet, qoftë me anën e miqve e të farefisit, të mundet ma mirë me qëndrue sikundër turqve ashtu edhe kundër grekëve dhe kujdo, kështu ma mirë e ma me fryt ta kryejë shërbimin e shenjtë ndaj zotit në mes të gjindesh që njeh, të cilët edhe do ta ndihmojnë bashkë me krenët kryesorë të turqve për të shkue në vizitë dhe për të bamë, funksionet e nevojshme kudo që e lyp puna” (1963:369).

Ndërsa Gaetano Petrotta, që ka botuar një histori të letërsisë shqipe në italisht, në vitin 1932, një tekst i plotë si vështrim i historisë së gjuhës dhe të popullit tonë, si konceptim i materies dhe faktologji, në rastin e Budit mjaftohet me informatën: “... siç është thënë vdiq i mbytun në Drin në 1623 ...” (1932: 26), pra siç shihet duke lënë në ekuilibër ligjëratën e hapur qysh në krye. Nga të dhënat arkivore, që cekëm më sipër, lehtësisht mund të arrihet në disa konkluzione, sa i përket episodit jetëndarës:

- Ngjarja ka ndodhur në ditët e kremtimit të Krishtlindjeve, me gjasë, në prag të fillimit të tyre.

- Heshtet qëllimisht për emrat e personave të pranishëm në atë udhëtim të dhjetorit të vitit 1622.

- Humbja e trupit të Budit është një fakt që përmendet, thuajse prej të gjitha burimeve arkivore.

- Vdekja e parakohshme ndërpreu një udhëtim të rëndësishëm.

- Dhembja reale dhe hipokrite mbi zhdukjen e tij.

- Fajësohen vetëm valët e Drinit, të cilat ndihmuan jo pak për të endur misterin dhe aureolën enigmatike, kryesisht për ta paraqitur si aksident ndodhinë, mbytjen në valët e Drinit, në dhjetorin e lartë të 1622, në ditët e dimrit, në prag të Këshnellave. Gjithashtu, natyrisht nëpërmjet tyre, u luajt loja e dyzuar, për të fshehur ekzekutimin e projektuar, gjithsesi duke tentuar fshirjen e gjurmëve të krimit të parë. Kurse në gjyq, tanimë për ta mbyllur përfundimisht këtë kapitull, edhe me “vrasjen” e dytë, posaçëm me të një gjyqi formal, e që fatmirësisht vetë kjo maskaradë gjyqësore ndihmon për të evidentuar dëshmitarët, prapaskenat, të interesuarit, afër dhe larg, ngutjen për ta arkivuar këtë akt me çdo mjet, e parakohshme ndërpreu një udhëtim të rëndësishëm. Pa dyshim që këto dy momente, pra distanca e largët dhe ajo e afërt, të pasvdekjes së Budit, nuk mund të kuptohen në vetvete si qerthuj të shkëputur nga jeta e tij. Përkundrazi, lidhja ndërmjet tyre është krejt e kapshme, madje vjen e shqiptuar si marrëdhënie e ndërsjellët.

Prandaj, kundrimi i paravdekjes si momente të jetuara në kundërshti të hapur me mjedisin rrethepërqark, sidomos në vitet e fundit të jetës së tij që shpalojnë dhe formatojnë çastet më kulmore të kësaj figure, është e nevojshme, jo veç si radhitje faktesh, por më tepër si pranëvënie me pasvdekjen, patjetër, për të prekur rezonimin dhe pikëtakimet e natyrës së vërtetë të krimit të realizuar, prej të cilëve, si më kryesoret mund të shkëputen:

Së pari: Emërimi Ipeshkv i Zadrimës: “më “20 korrik 1621 u zgjodh ipeshkv (peshkop) ...” (1932: 21), siç e përmend Petrotta, madje duke thyer rregullat e Kongregacionit, për këtë emërtesë që parashikonte “doktor” në teologji, e cila u bë e mundur me shumë përpjekje, sidomos pas botimit të librave prej tij, më 1621. Ndërsa studiuesi Selman Riza, njohësi më i mirë i jetës dhe veprës së Pjetër Budit, si dhe i shkrimtarëve të shekujve XVI-XVII, të letrave shqipe, katër B, Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani dhe L. Matrëngës, bën me dije se emërimi i tij në këtë detyrë është realizuar më 10 korrik, 1621 (2002: 90).

Së dyti: Më 15 shtator 1621, Budi i dërgon një letër kardinal Gocadinos, ku përshkruan me hollësi përmasat e kryengritjes së përgjithshme, ndërsa thekson: “... popujt e sipërthanun presin nga unë personalisht për ditë se ç’vendim ka marrë Shenjtënija për këtë dëshirë të tyne dhe më nxisin që unë të kthehem me një përfundim të mirë. Do të jetë për gëzim të madhe t’atyne popujve dhe, në mënyrë që ky shestim i shenjtë, të mos zbulohet prej armiqve, do tju sjell këtyne popujve ndjesë të plotë (indungentia plenaria) me ndonjë bekim për ato vënëde, dhe do të shpërndaj librat e mi ... kështu shkuemja ime unë sjellë dyshim ...” (1963: 305), por në këtë udhëtim, siç thotë mos të edhe vetë Budi, bashkë me të ka qenë: “... tash së fundi më kanë dërgue, gjoja si student, një fisnik të quejtun Nikollë Leka, po nga ipeshkvia e Sapës, i cili e njeh shumë mirë qytetin e Shkodrës e të Lezhës, ka edhe marrëveshje të mira me popujt e sipërthanun të Kelmendit e të Dukagjinit ...”(1963:303). Prania e N. Lekës në të gjithë momentet e pasvdekjes dhe, sidomos përmendja prej vetë Budit, e kthen këtë personazh historik, në strumbullarin e atij episodi të largët, jo vetëm si doras, por edhe si njëri prej projektuesve që e ndoqi hap pas hapi, i vënë me detyrë, së jashtmi dhe së brendshmi, për ta gjurmuar këmba-këmbës dhe për t’ia gjetur anën, duke e mbytur në valët e Drinit.

Së treti: Në vitin 1622, pas kthimit nga Roma, Budi organizon një mbledhje me elementët kishtarë vendas, posaçërisht të Zadrimës, Shkodrës dhe Lezhës, ku vendoset: “... të mos pranoheshin prelatë të huaj, për qeverisjen shpirtërore ...” ku njoftimin për mbajtjen e kësaj mbledhjeje e konfirmon Domeniko Andreasi, ipeshkëv i Shkodrës, përkatësisht në relacionin e datës 1 shkurt 1623, ku përveç tjerash, thotë: “Në dioçez unë do të gjej shumë pengesa për të cilat ... magjanësisht do të njohtoj ... kur t’arrij (në selinë?) time në të cilën me frigë ... aq më tepër se po marr vesh se (qenka) e vërtetë ajo që më kanë tregue disa njerëz të denjë për tu besue (se ipeshkvi i Sapës - Pjetër Budi), kur ka arrit n’ipeshkëvinë e vet ka (bamë një mbledhje me kler) në të cilën ka dekretue që tash e mbrapa mos të pranohen ipeshkvij, as abatë n’atë anë të Shqipnisë në mos qofshin vendas, dhe i ka ba të gjithë priftnit të nënshkruajnë ...” (1963:311), e ku shenjohet mjaft qartë “fajësia” e kryer prej shkrimtarit, për atë “kuvend” shpirtëror të mbajtur në Sapë, në ipeshkvëninë ku Budi ishte caktuar në detyrë të lartë, si ipeshkv.

Megjithatë, data e mbledhjes së këtij takimi, ende mbetet në errësirë, por, merret vesh që është mbajtur pas kthimit nga Roma me librat e stampuar, posaçërisht me pasqyrën dhe ritualin. Ka më shumë gjasa, nisur nga të dhënat e tërthorta e, veçmas prej ngutjes së Budit për botimin e librave, si dhe për shpërndarjen e tyre, për të fshehur veprimtarinë politike dhe atdhetare, e cila kishte rënë në sy të dashakeqëve dhe shtiekëqinjve, që kjo mbledhje të jetë e mbajturnë “... vjeshtën e vitit 1622” (1992:161), siç nënvizon Mahmud Hysa.

Qe të tre këto momente, pra pasvdekja e largët dhe e afërt, si dhe paravdekja, në raportimet logjike të ndërmjetme që kanë, ndikojnë për të përshpejtuar aktin, domethënë vrasjen e Budit, por si më thelbësori ndërmjet tyre, për shkak të konteksteve vepruese, pa mëdyshje që është episodi i tretë. Një akt nga më kuptimplotët në veprimtarinë fetare, sepse pikërisht aty formulohet dhe përcaktohet mëvehtësia fetare, duke konturuar, qysh në hershmëri, portretin e një farë “autonomie” të parë kishtare, të besimit katolik, duke hedhur kështu themelet e pavarësisë shpirtërore, njërës prej shtyllave bazale të bërjes së atdheut dhe kombit.

Për rrethanat e zhdukjes së Budit, kohë më parë studiuesi S. Riza nënvizon: “... është tepër larg mendsh që kalimin e lumit me trap në dimër, Budi të ketë vendosur ta bëjë për shkaqe vetëm e thjeshtë administrative. Përkundrazi, është krejt e natyrshme të mendohet se rrezikun e këtij veprimi (i cili atij i kushtoi jetën), ai do ta ketë marrë në sy për shkaqe pakrahasimisht më seriozë e më të ngutshme: e pikërisht për motive konspirative të karakterit kryengritës ... militanti kryengritës nga njëra anë kundër zgjedhës turke, e nga ana tjetër kundër tutelës xheloze të Vatikanit dhe prepotencës së klerit të huaj” (1996:561) që, siç vërehet, e formulojnë qëllimin e lëvizjes së Budit, por edhe mundësinë e rrezikut duke përmendur edhe dy prej shkaqeve më themelorë që çuan në ndarjen e jetës së shkrimtarit.

Kurse I. Zamputi, pasi ka shfletuar, pothuaj plotësisht arkivat e Propagandës Fide, konkludon me të drejte:

a) interesat e klerit zadrimor, që donte për vete sundimin e Zadrimës;

b) vepra e sundimtarëve të vendit përqark Zadrimës, që shihnin tek Budi organizatorin e lëvizjeve të armatosura;

c) vepra e vendikasve që përherë kanë penguar lëvizjet që nuk hynin në sferën e tyre;

ç) kleri i lartë dalmatin që hetoi kundërshtarin e vet te Budi (1985:170), që përbëjnë edhe katër kundërshtarët potencialë të poetit, duke nënkuptuar këtu edhe kundërshtarin e pestë, natyrisht imagjinar dhe real, valët e Drinit.

Studiuesi R. Ismaili, si gjithnjë tek parathënia e librit poetik të Budit, thekson: “Vrasja e Budit nga bashkëlidhja Vatikan-Venedik-dalmatinas, përmes mashës së tyre zadrimore ishte e mirëseardhur për turqit. Luftën çlirimtare as shpirtërore as politike as fizike të shqiptarëve nuk e donin asnjëra prej këtyre palëve” (1986:45) që, siç duket qartë, emërtojnë ndarjen nga jeta të Budit si një vrasje e përgatitur. Pra historiografia letrare e shqipes dhe studiues nga më të shquarit, kanë qëmtuar nëpër dokumente dhe, herë pas here, kanë ndriçuar vdekjen e Budit, si jo aksidentale.

Sipërmarrja për të ofruar këto fakte, tashmë si parashtrim johipotetik, përkundër, si gjurmë dhe dëshmi të dokumentuara, që emërtojnë vdekjen e Budit si një atentat i qëllimshëm, i projektuar me kujdes për shumë kohë, por i realizuar në nxitim e sipër, veçse nxitueshmëria ka ndihmuar për të lënë gjurmët e shkujdesjes, edhe për faktin se dhjetori i largët i vitit 1622 mbetet një kumt i zi, me shumë hije, por, njëherit, edhe një çast i ndritshëm, krejt i rrallë për sakrificën sublime në altarin e atdheut dhe të kulturës shqiptare, sepse që prej aty merr udhë shtegtimi i Budit, përtej kohës së tij, tanimë si “luftëtar i mendimit”, siç e quan me të drejtë S. Hamiti, i rënë theror në fushën e betejës, duke mbartur mbi supe edhe shenjtërimin e ndarjes nga jeta.

______________


[1] Botuar në librin Poetika e Budit në vitin 2002, një libër i vlerësuar me çmimin “Penda e argjendtë” të konkursit të Ministrisë së Kulturës, si libri më i mirë studimor për vitin 2003. Pjetër Budi - dëshmor i besimit, gjuhës dhe atdhetarisë* (E vërteta e vrasjes së Budit)

ËNDRRAT E VONUARA

2 February 2026 at 10:19


Poezi nga: Langston Hughes
Përktheu: Maksim Rakipaj

Ç’ndodh me ëndrrën e vonë?

Thahet e rreshket vallë
Si stafidhe rrushi në diell?

Apo malcohet si plagë
Dhe pastaj rrjedh?

Apo qelbet, si mish i prishur?
Apo zë kore ndërkaq
Si sheqeri mbi shurup?

Mbase si peshë e rëndë vjen
dhe na zgërlaq.

Apo ndoshta shpërthen?

_________

Lexo po ashtu nga Langston Hughes:
- Nana, djalit
- Jeta është e mirë
- Zezaku flet për lumenjtë
- Ëndrrat

A po largohet Arabia Saudite nga ShBA-ja?

2 February 2026 at 10:00


Nga: Ali Shihabi / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com

Në një pjesë të medias amerikane, kohët e fundit është përhapur një narrativë që sugjeron se Arabia Saudite po bëhet aleat më pak i vlefshëm për Shtetet e Bashkuara. Ky argument mbështetet në dy faktorë: së pari, se Riadi ka vonuar normalizimin me Izraelin pas luftës në Gazë; së dyti, se ka dallime të thella politike - lidhur me Jemenin - me të preferuarin e ri të Izraelit në rajon, Emiratet e Bashkuara Arabe. Nga këto premisa, kritikët nxjerrin një përfundim të përgjithshëm, por thellësisht të gabuar: se Arabia Saudite po largohet nga ShBA-ja dhe madje po rikthehet te zakonet e vjetra të eksportimit të islamit radikal apo të aleancës me “islamistë” si strategji rajonale.

Kjo narrativë është e gabuar - si në fakte, ashtu edhe në strategji.

Dallimet e Arabisë Saudite me Emiratet dhe Izraelin nuk burojnë nga ndonjë rikthim ideologjik apo armiqësi ndaj Perëndimit. Ato burojnë nga një mosmarrëveshje themelore për mënyrën se si duhet vepruar me disa nga shtetet më të brishta në botë. Qëndrimi i Riadit është i qartë: shtetet e dobëta mund të stabilizohen dhe të reformohen; shtetet e dështuara bëhen terren pjellor për terrorizëm, krim dhe konflikte të pafundme. Prandaj, prioriteti i Mbretërisë ka qenë mbështetja për qeveritë e njohura ndërkombëtarisht në Jemen, Sudan, Somali dhe Libi, dhe parandalimi i fragmentimit të këtyre vendeve në mini-shtete të drejtuara prej milicive dhe komandantëve të luftës.

Për dallim, Emiratet, shpeshherë me mbështetjen e heshtur të qeverisë aktuale izraelite, kanë ndjekur një qasje tjetër: mbështetjen për forcat separatiste dhe udhëheqës lokalë në përpjekje për të fituar ndikim afatshkurtër apo suksese të menjëhershme diplomatike. Në disa raste, këto fraksione të armatosura e paraqesin veten haptazi si nënshkruese të ardhshme të Marrëveshjeve të Abrahamit, nëse marrin pushtet mbi një pjesë territori. Ato kërkojnë njohje nga ShBA-ja në këmbim të këtyre premtimeve - me Somalilandin si shembullin më të fundit. Kjo taktikë mund të prodhojë tituj gazetash apo ceremoni nënshkrimi, por nuk do të sjellë stabilitet.

Kjo është çështja themelore që injorohet në shumicën e komenteve aktuale. Në parim, Arabia Saudite nuk e kundërshton normalizimin me Izraelin. Ajo e kundërshton një model normalizimi që anashkalon çështjen palestineze, shpërblen fragmentimin e shteteve, legjitimon milicitë dhe përshpejton shpërbërjen e shtetit. Ky qëndrim nuk është antiamerikan; ai përputhet me interesat afatgjata të ShBA-së.

ShBA-ja është një fuqi që mbështet status quo-në. Ajo përfiton nga kufijtë e parashikueshëm, qeveritë funksionale, tregjet e sigurta të energjisë dhe rrugët e hapura detare. Ajo nuk përfiton nga një Lindje e Mesme e ndarë në mini-shtete rivale të drejtuara nga grupe të armatosura që mbështeten në armë, kontrabandë dhe patronazh të huaj. Historia është e qartë për këtë çështje. Terrorizmi lulëzon jo në shtete të forta, por në ato të dështuara. Krimi transnacional, trafiku i drogës dhe kontrabanda e qenieve njerëzore përhapen atje ku bie në kolaps autoriteti qendror.

Amerikanëve nuk u duhet të kujtohen gjatë për ta kuptuar këtë. Sulmet e 11 shtatorit nuk dolën nga një shtet i fortë dhe autoritar. Ato erdhën nga Afganistani, një vend aq i dobët dhe i fragmentuar saqë nuk mundi të ndalonte al-Kaidën të vepronte lirshëm në territorin e tij. Kostoja e atij dështimi nuk u pagua vetëm nga fqinjët e Afganistanit, por edhe nga vetë ShBA-ja.

Megjithatë, sot, disa zëra në Uashington duken çuditërisht të qetë për politikat që shtyjnë Jemenin, Sudanin, Somalinë dhe Libinë drejt të njëjtës rrugë. Fragmentimi shihet si i menaxhueshëm. Milicitë trajtohen si partnerë të mundshëm. Shkëputja paraqitet si “vetëvendosje”. Këto janë fjalë ngushëllimi, por realitetet që fshehin janë të vrazhda. Sapo vendet fillojnë të copëtohen, dhuna bëhet normale, ekonomitë e luftës marrin hov dhe grupet ekstremiste gjejnë hapësirë për të vepruar. Ta ndalosh këtë proces është shumë më e lehtë sesa ta kthesh pas.

Qeveria aktuale izraelite, e dominuar nga e djathta ekstreme, duket veçanërisht e verbër ndaj këtyre pasojave afatgjata. Fitoret taktike, si bindja e ndonjë komandanti lokal apo mini-shteti të supozuar për të përqafuar Marrëveshjet e Abrahamit, paraqiten si triumfe strategjike edhe kur ato rrisin destabilitetin në të gjithë rajonin. Kjo është një llogaritje e shkurtër. Siguria afatgjate e Izraelit, si edhe e Amerikës, do të përfitonte jo nga një mozaik fqinjësh të dobët, por nga një rajon i qeverisur nga shtete legjitime, funksionale dhe i ankoruar në një zgjidhje të besueshme të çështjes palestineze.

Arabia Saudite e kupton këtë. Ajo ka kaluar vite të tëra duke u përpjekur, shpesh në mënyrë të heshtur dhe jo të përsosur, për të forcuar institucionet shtetërore, për të mbajtur kufijtë të paprekur dhe për të parandaluar kolapsin total në disa nga mjediset më të vështira të botës. Kjo punë nuk është as e lavdishme dhe as menjëherë shpërblyese, por është thelbësore. Është gjithashtu pikërisht lloji i ndarjes së barrës që Uashingtoni duhet ta kërkojë nga një aleat serioz.

Në veçanti është absurd pretendimi se Arabia Saudite po eksporton sërish islam radikal apo se për strategji po bashkëpunon me lëvizje islamiste. Mbretëria ka kaluar dekadën e fundit duke shpërbërë ato rrjete brenda vendit, duke reformuar institucionet fetare dhe duke bashkëpunuar ngushtë me ShBA-në në fushën e antiterrorizmit. Mbështetja për qeveritë e njohura kundër milicive nuk e bën Riadin aleat të islamistëve. E bën atë mbrojtës të rendit bazik shtetëror.

Amerikës nuk i duhen aleatë që ndjekin kaosin për hir të kaosit. I duhen aleatë që kuptojnë se stabiliteti, sado i papërsosur, është më i mirë se kaosi, dhe se reformat janë të mundshme vetëm aty ku ekziston ende shteti. Arabia Saudite është aleat i tillë.

Mosmarrëveshjet taktike me disa nga aleatët e tjerë të Amerikës në rajon nuk duhet të keqinterpretohen si një largim strategjik nga vetë ShBA-ja. Një supozim i tillë rrezikon të minojë vetë partnerët që po përpiqen të parandalojnë gjeneratën tjetër të shteteve të dështuara dhe kërcënimeve të reja. Kjo nuk do t’u shërbente interesave amerikane. Do t’i tradhtonte ato. /Telegrafi/

FRIKË DIMRI

30 January 2026 at 11:57


Poezi nga: Kay Ryan
Përktheu: Fadil Bajraj

A është sall dimër
apo është diç edhe më e keqe.
A është ky viti
kur lagështia e jashtme
errëson një mallkim më të thellë
që pranvera nuk mund ta rregullojë,
kur ingranazhet
që rrotullojnë tokën
nuk do ta ndryshojnë pamjen,
kur retë nuk do të davariten
edhe pse të gjithë qiejt
bëhen të kaltër.

Të rinjtë britanikë nuk po pinë më - pra, si do të duket një mbrëmje e së shtunës për brezat e ardhshëm?

30 January 2026 at 10:49


Nga: Emma Brockes / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Ishte nëntori i vitit 2024 dhe fëmijët e mi puritanë amerikanë merrnin pjesë në panairin e tyre të parë të vjeshtës në shkollën e re fillore angleze. Ka shfaqje me laser, hotdogë dhe një lojë me shorte biletash. Ka gjithashtu një bar për prindërit, gjë që i bëri dy binjaket e mia të shtangen. Jabanxhinjtë në këtë vend përjetojnë shumë dallime kulturore, por ndoshta asnjë nuk është aq goditës sa ky: “A është alkool”? - thotë fëmija im, duke më parë me përbuzje si një anëtare e vogël e talebanëve. “Në një aktivitet shkolle”? Në këtë moment kisha pirë dy çokollata të nxehta me liker dhe ia dhashë asaj një buzëqeshje më të madhe sesa duhet. Po, të dashurat e mia; mirë se vini në Britani.

Ose, të paktën, mirë se vini ndoshta në mbetjet e fundit të asaj se si Britania ka qenë dikur. Ka kohë që e dimë përmes rrëfimeve se njerëzit në këtë vend po pinë më pak se më parë. Brezi im, brezi X, është thellë në moshë të mesme dhe shumë prej nesh - përveç ndonjë rasti kur shpëton nga një aktivitet shkolle dhe përveç rasteve më të mëdha - e kanë lënë pirjen. Aty ku anomalitë bien më shumë në sy është te brezat poshtë nesh, te të rinjtë, sjellja e të cilëve ndryshon nga e jona kur ishim në të njëjtën moshë. Këtë javë erdhi konfirmimi zyrtar në formën e një ankete me 10 mijë persona, porositur nga Shërbimi Shëndetësor Kombëtar [NHS], që zbuloi se pothuajse një e katërta (24 përqind) e të rriturve në Angli nuk kishin pirë alkool në vitin 2024 - një rritje nga pak më pak se një e pesta (19 përqind) në vitin 2022.

Lexo po ashtu nga Emma Brockes:
- A duhet të më interesojë se çfarë mendon Sarah Jessica Parkeri për librat?
- Holivudi është po aq i frikësuar nga bota - sa ti dhe unë!
- Jo, ne “nuk mundemi”?

Në plan të parë, sigurisht, kjo është diçka e mirë. Jo për industrinë e pijeve, padyshim, por për NHS-in dhe gjithashtu për njerëzit që përpiqen të maksimizojnë jetëgjatësinë e tyre - ku futemi të gjithë ne. Vetëpërmirësimi rigoroz përmes zbatimit të të dhënave është mënyra se si e kalojmë kohën e lirë këto ditë; si rezultat i së cilës, pasi lexova këtë mëngjes një artikull për ushqimet që reduktojnë kancerin, bleva një “sallatë me grurë, thjerrëza dhe perime të gjelbra” që pothuajse me siguri nuk do ta ha. Çfarë është ajo kokërr gruri? Askush nuk e di. Çështja është se po përpiqemi.

Nëse dukem sarkastike, nuk e kam me qëllim. Më pëlqen të mos pi. Dhe, është e rëndësishme të mos bashkohesh me radhët e atyre njerëzve në brezin mbi mua të cilët, në vitet ’90 të shekullit XX, kur ndalimet e duhanit u përhapën në gjithë ShBA-në, shkruanin ese të gjata duke argumentuar se cigaret përfaqësonin shpirtin aventurier të vendit dhe se, si pasojë, duhanpirësit ishin më interesantë se njerëzit që pinin “lëng të gjelbër”. Këta ishin, objektivisht, njerëzit më të këqij në botë dhe, megjithëse askujt nuk i pëlqen dikush që mundohet të lë alkoolin, është e rëndësishme të mos bëhesh si ata.

Interesi im lidhet më shumë me atë se si do të duket kultura rinore pa alkool. Rezultatet e reja të anketës, të porositura si pjesë e Anketimit Shëndetësor për Anglinë, zbuluan se gratë kanë pak më pak gjasa të pinë sesa burrat dhe se, në të gjitha grupmoshat, të rinjtë janë abstenuesit kryesorë. Në anketën e NHS-së të vitit 2022, brezi Z rezultoi se kishte përqindjen më të ulët të njerëzve që pinin shpesh (10 përqind), krahasuar me 34 përqind te grupmosha 55-64 vjeç dhe 37 përqind te 65-74-vjeçarët. Një pjesë e kësaj lidhet me koston e jetesës, por shumica ka gjasa të jetë çështje kulturore. Thjesht nuk është “trend” të bëhesh tap.

Në rastin tim, vendimi për ta ulur konsumin kishte më pak të bënte me trendët kulturorë dhe më shumë me kolapsin e papritur e të trishtuar të metabolizmit tim, plus faktin se e ndërrova mjekun e kujdesit parësor. Gjatë intervistës së parë, disa vite më parë, mjekja ime e re shënoi se nga çfarë kishte vdekur secili në familjen time deri në tre breza pas, përpara se të më shihte rreptë. “Po të isha në vendin tënd, nuk do të pija”, tha ajo. “Fare”. Ishte e ashpër, por kishte të drejtë.

E, megjithatë, imagjinata ime ende lëkundet. I shoh dy fëmijët e mi dhe pyes veten se si, kur të jenë 25 vjeçe, do të duket një natë e së shtunës jashtë nëse nuk përfundon me shtrirje gjysmë në tokë e gjysmë mbi divan duke qarë me [këngëtaren] Elaine Paige që këndon baladën e famshme nga [shfaqja] Chess. Nga do të vijnë historitë e tyre të luftës? (Luftë e vërtetë, me gjasë, por le të mos mendojmë për këtë.) Çfarë do të kujtojnë kur të jenë në moshën time?

Nuk ka asgjë qesharake te shoqja ime që volli në një kanal ngrohjeje dhe, për pjesën tjetër të qirasë së saj, nuk arriti kurrë ta hiqte erën e të vjellës nga apartamenti. As qëndrimi, duke u lëkundur në mes të një rruge të ngarkuar automobilistike duke u përpjekur të gjesh një strategji për të kaluar në anën tjetër që nuk përfshinte vendosjen e njërës këmbë përpara tjetrës, nuk është aspak qesharake. Ua tregova këtë histori fëmijëve të mi dhe ato u tmerruan. “Mund të kishe vdekur”, thanë ato, që ishte pikërisht momenti mësimor që po kërkoja.

Ndërkohë, gjetjet e reja nuk janë diçka për të pasur kënaqësi sepse, edhe me këto shifra të reduktuara, ne jemi ende mjaftueshëm një komb alkoolik që i kushtojmë NHS-it në Angli 4.9 miliardë paundë [5.56 miliardë euro] në vit në sëmundje të lidhura me alkoolin. Në këtë frymë: në fakt po pres me kënaqësi të ha sallatën time. Do t’ia shtoj një vezë, sepse, meqë të mos pish është jashtëzakonisht e mirë për shëndetin, siç e di kushdo, në fakt janë proteinat ato që do të na shpëtojnë. /Telegrafi/

Rrëzimi i mullahëve të Iranit nuk e rrezikon përsëritjen e gabimeve të Luftës së Irakut

30 January 2026 at 10:03


Nga: Douglas Murray / New York Post (titulli: Stop thinking like it’s 2003 - toppling Iran’s mullahs does not risk mistakes of Iraq War)
Përkthimi: Telegrafi.com

Gati 20 vjet më parë, në vitin 2007, Qeveria Revolucionare e Iranit rrëmbeu 15 anëtarë të Marinës Mbretërore Britanike dhe anëtarë të tjerë të personelit detar britanik. Iranianët pretenduan se anija britanike kishte devijuar nga ujërat irakiane në ujërat territoriale iraniane.

Dhe, kështu, për gati dy javë iranianët i përdorën britanikët e kapur si pionë shahu, i shfaqën në programet e tyre televizive të mbrëmjes dhe i detyruan të burgosurit, si edhe qeverinë britanike, të kërkonin një ndjesë poshtëruese e përulëse. Më në fund, britanikët e kapur u kthyen në shtëpi me disa “dhurata” poshtëruese.

Kam dyshime se sot historia do të ishte ndryshe nëse marina iraniane përpiqet të zaptojë ndonjë anije amerikane. Nëse e provojnë këtë në ditët në vijim, duhet të presin një përfundim krejt tjetër.

Këtë javë, presidenti Trump njoftoi se “armada” amerikane ishte nisur drejt Iranit, e gatshme të mbërrinte që këtë mëngjes. Në mesin e mjeteve ndodhet edhe aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln. Siç theksoi presidenti, flota që ai ka dërguar drejt Iranit jo vetëm që po lëvizte “shpejt, me fuqi të madhe, entuziazëm dhe qëllim”, por është edhe më e madhe se flota që kishte dërguar së fundmi drejt Venezuelës.

Një paralajmërim i drejtpërdrejtë për mullahët.

Lexo po ashtu nga Douglas Murray:
- Trumpi ka mundësi të përfundojë sundimin me terror të Khameneit në Iran
- Pse C. S. Lewis ia qëlloi për luftën?

Sigurisht, regjimi luftarak iranian u përgjigj në mënyrën e tij të zakonshme. Një këshilltar i lartë i “Udhëheqësit Suprem” të Iranit pretendoi se, nëse Amerika do të godiste objektiva iraniane, përgjigjja nga Irani do të ishte “e menjëhershme, gjithëpërfshirëse dhe e paprecedentë”.

Ky është shkëmbimi i fundit i kërcënimeve mes Uashingtonit dhe Teheranit. Javët e fundit, presidenti Trump e ka bërë të qartë se nëse regjimi iranian kryen ekzekutime masive të protestuesve, do të ketë një reagim të menjëhershëm nga ushtria amerikane. Deri tani, ky reagim nuk ka ndodhur. Dhe, ka një sërë shpjegimesh pse.

Ndoshta sepse administrata Trump u besoi thashethemeve se regjimi iranian kishte ndalur planin për të ekzekutuar publikisht më shumë se 800 protestues. Megjithatë, vetë zëdhënësit e regjimit iranian kanë thënë se ky pretendim është “plotësisht i rremë”. Regjimi në Teheran në fakt krenohet me ekzekutimet masive.

Për më tepër, nuk ka nevojë të caktohet një vijë te varja e protestuesve nga Qeveria Revolucionare, kur ata po i qëllojnë me armë zjarri - me mijëra. Ndonjëherë për çdo ditë.

Të tjerët thonë se disa nga aleatët rajonalë të Amerikës po e paralajmërojnë ShBA-në të vonohet. Ndoshta ata kanë frikë nga pasojat e një plani që është ose gjysmak ose që nuk shihet si i përfunduar. Të tjerë pyesin se si do të dukej “përfundimi”.

Shumë nga këto shqetësime në rajon - dhe këtu në Amerikë - janë rezultat i një mendësie të vitit 2003. Njerëzit shqetësohen se rrëzimi i regjimit në Teheran do të kishte rezultate të ngjashme me rrëzimin e Saddam Husseinit.

Por, ka shumë dallime mes vitit 2003 dhe sot.

Jo më pak i rëndësishëm është fakti se sot janë vetë iranianët ata që kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër qeverisë së tyre. Janë iranianët ata që janë lodhur nga sundimtarët e tyre tiranikë, me ekstremizmin e tyre islamik dhe politikën e çmendur të jashtme antiamerikane që e ka bërë vendin kaq të përjashtuar. Populli iranian ka kujtesë për një liri relative përpara se Ajatollahu të merrte pushtetin. Dhe, shumë prej tyre do të donin që kjo kujtesë të kthehej sërish në realitet.

Po aq i rëndësishëm është fakti se një nga arsyet kryesore pse ndodhi katastrofa pas vitit 2003 në Irak ishte pikërisht regjimi iranian. Regjimi që tani vetë po lëkundet.

Ishin iranianët ata që përmbytën Irakun pas Saddamit, me forcat dhe armatimin e tyre. Ishin iranianët ata që prodhuan bombat rrugore që vranë mijëra ushtarë amerikanë dhe aleatë të tjerë në Irak. Ishin forcat ushtarake iraniane dhe të tjera ato që e shndërruan Irakun në një kurth vdekjeje për ShBA-në. Dhe, ishte regjimi iranian ai që hyri në vakumin e krijuar pas rënies së Saddam Husseinit - duke e kthyer praktikisht Irakun në një shtet vasal të Iranit.

Pothuajse kudo që shikon në Lindjen e Mesme, historia është e njëjtë. Jemeni? Janë iranianët ata që kanë armatosur milicinë e huthëve, e cila ka shënjestruar personelin ushtarak dhe diplomatik amerikan. Pa mbështetjen iraniane, huthët nuk do të dinin as si të lëshonin një varkë në ujë.

E njëjta gjë ndodh në Liban, ku ushtritë e Iranit kanë ndihmuar në shkatërrimin e vendit dhe në sigurimin që ai të mbetet në një gjendje përhershme konflikti civil dhe fetar. E njëjta gjë ndodh pothuajse kudo tjetër që shikon.

Është Irani ai që e ka përhapur terrorin e tij deri në Bullgari dhe Buenos Aires. Është kjo qeveri iraniane ajo që është përpjekur të vrasë një romancier britanik për krimin e shkrimit të një romani dhe të vrasë një banor të Bruklinit për krimin se e ka kritikuar regjimin revolucionar.

Për dekada, regjimi në Iran ka vepruar pothuajse pa u ndëshkuar në të gjitha këto territore dhe më gjerë. Dhe, përgjigjja e komunitetit ndërkombëtar ka qenë herë përpjekja për ta izoluar regjimin, herë përpjekja për ta nxjerrë nga izolimi. Qeveritë amerikane dhe homologët e tyre evropianë kanë kaluar dekada duke u përpjekur t’i izolonin ajatollahët, nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, duke u dhënë atyre para.

Ndoshta për këtë arsye mullahët mendojnë se mund t’ia dalin mbanë me gjithçka. Sepse për gati 47 vjet kanë arritur ta bëjnë këtë. Ata mund të masakrojnë popullin e tyre në rrugët e tyre. Mund të përhapin terror në gjithë globin. Dhe, mund të rrëmbejnë personel perëndimor detar, ta poshtërojnë, ta detyrojnë të rrëfehet dhe ta dërgojnë në shtëpi me “dhurata”.

Mirëpo, këtë herë mund të kenë gjetur kundërshtarin e gabuar në këtë Shtëpi të Bardhë.

Njerëzit shpesh më pyesin se çfarë mendoj se do të bëjë presidenti Trump për një çështje të caktuar. Dhe, zakonisht them të njëjtën gjë, pavarësisht temës: shikoni çfarë ka thënë se do të bëjë, dhe kjo është ajo që ka më shumë gjasa të bëjë.

Populli iranian është ngritur me guxim të jashtëzakonshëm kundër qeverisë së tij tiranike. Presidenti Trump i ka thënë regjimit të ndalojë masakrat e protestuesve, por masakrat vazhdojnë.

Pra, tani gjithçka varet nga Trumpi. /Telegrafi/

Gagaçi i varur nga droga që u bë ylli më i paparashikueshëm i muzikës pop në botë

29 January 2026 at 15:39


Scatman John u ngrit nga pianisti i bareve modeste në famë globale në mesin e viteve ‘90 të shekullit XX, por varësitë e tij lanë pasoja të rënda.

Nga: Gina Waggott / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Ishte një nga fenomenet më të çuditshme në historinë e muzikës. Në fund të vitit 1995, artisti mashkull me shitjet më të mëdha në Evropë nuk ishte Michael Jackson, as ndonjë nga yjet e rinj arrogantë të britpopit, por një pianist 52-vjeçar amerikan i xhazit, me një belbëzim të theksuar. Ai kishte një histori varësie nga heroina dhe nuk kishte ndonjë interes të veçantë për famën. Por, dinte të “arratisej” - t’u jepte këngëve energji me një vërshim improvizimesh “du-bi-du” dhe rrokjesh të tjera - me një shpejtësi të padëgjuar më herët. Emri i tij ishte John Paul Larkin, por njihej më mirë si Scatman John.

I lindur në El Monte të Kalifornisë, në vitin 1942, Larkini u rrit në një kohë kur belbëzimi shihej gjerësisht jo si një gjendje neurologjike, por si një mangësi psikologjike: shenjë nervozizmi ose dobësie. Poshtërimin që përjetoi si fëmijë nuk e harroi kurrë. I detyruar të lexonte një artikull lajmesh para shokëve të klasës, Larkini nuk arriti të nxirrte as fjalën e parë: “The”. Qëndroi aty duke u dridhur, ndërsa fëmijët e tjerë qeshnin. Kaluan minutat dhe mësuesi ende nuk e liroi. Më vonë, ai do ta kujtonte atë turp si të pafund - një moment që e bindi se ishte i thyer. Atë artikull ishte në gjendje ta recitonte fjalë për fjalë në pjesën tjetër të jetës së tij.

John Paul Larkin duke interpretuar në piano në Amsterdam, rreth vitit 1993(Lee Newman)

Nëse të folurit ishte burg, muzika ishte çelësi i tij. Larkini e zbuloi pianon në moshën 12-vjeçare, i frymëzuar pasi pa Dave Brubeckun në televizor; te tastiera, belbëzimi - atë që Larkini e quante “sabotatori gjithmonë i pranishëm” - nuk e pengonte më. Duke dëgjuar Ella Fitzgeraldin dhe Louis Armstrongin, ai kuptoi se atë që ata bënin me vetëdije në muzikë, ai e bënte pa dashje. Xhazi, me theksin e tij te improvizimi dhe liria, u bë gjuha e tij.

Si i ri, Larkini filloi të luante në klube përgjatë Bregut Perëndimor të ShBA-së, duke përthithur bibapin dhe bluzin. Teknikisht ishte i përkryer, shpirtërisht i gatshëm dhe jashtëzakonisht serioz ndaj muzikës. Por, një rrjedhë e vazhdueshme alkooli dhe drogash - të përdorura për të kapërcyer hendekun mes vetëbesimit muzikor dhe terrorit shoqëror - më vonë e detyroi të jetonte një jetë më të qetë dhe të kthjellët. Në fillim të viteve ’90 të shekullit XX, Larkini u martua me gruan e tij të dytë, Judy, dhe u përcaktuar për një ekzistencë modeste si pianist lokalesh në Gjermani, duke luajtur muzikë të padukshme sfondi për klientët që mezi çonin kokën nga pijet e veta.

- YouTube

Pikërisht aty, në një moshë kur shumica e muzikantëve po e mbyllin karrierën, ai filloi transformimin e pamundur. Manfred Zähringer, drejtues i “Iceberg Records” në Danimarkë, i cili e kishte angazhuar Larkinin në anije turistike dhe hotele, sugjeroi të kombinohej këndimi i tij improvizues [scat] me muzikën bashkëkohore të vallëzimit. Larkini ishte skeptik. E shihte muzikën elektronike me dyshim dhe Zähringeru kujton se kishte menduar: “Një xhazist kurrë nuk do ta pranojë këtë”. Por, Larkini kishte pak për të humbur. Ai gjithashtu pa një mundësi: muzika pop mund t’i lejonte të ketë qasje te fëmijët, veçanërisht tek ata që, si ai, ndiheshin të përjashtuar për shkak të dallimeve të tyre.

I inkurajuar nga Judy, ai pranoi dhe vendosi të debutonte me një këngë për vetë belbëzimin. U bashkua me producentët Ingo Kays dhe Tony Catania, dhe rezultati ishte Scatman (Ski-Ba-Bop-Ba-Dop-Bop) - një këngë e këndshme dhe absurde në sipërfaqe, por që mbështetej nga një mesazh serioz. “Të gjithë belbëzojnë në një mënyrë apo tjetër”, këndonte ai. “Nëse Sketmeni mundet, mundesh edhe ti”. Vargje kaq të sigurta - e, megjithatë, kur singli u publikua në fund të vitit 1994, Larkini ishte i tmerruar. Ai priste tallje, përqeshjen e klasës të amplifikuar në nivel global.

Në moshën 53-vjeçare, hiti global “Scatman (Ski-Ba-Bop-Ba-Dop-Bop)” e katapultoi Larkinin drejt famës(Frank Hempel/United Archives/Getty)

Në vend të kësaj, disku shpërtheu. Deri në verën e vitit 1995, Scatman John ishte në krye të top-listave në një duzinë shtetesh. Klubet e lëshonin këngën pa pushim. Fëmijët e adhuronin. Në Japoni, “mania e Sketmnit” arriti nivele pothuajse histerike: e rrethonin në aeroporte; fytyra e tij shtypej në karta telefoni dhe riprodhohej në kukullat Scatman. Në Evropë, u shfaq në kanaçen e Coca-Cola-s. Në moshën 53-vjeçare, një njeri që dikur mezi shqiptonte emrin e vet ishte bërë një nga zërat më të dallueshëm në planet.

Skepticizmi u shfaq kur, herë pas here, duke folur me shtypin, Larkini fliste më rrjedhshëm. Mes sugjerimeve se belbëzimi i tij ishte një lojë për të shitur disqe, Larkini vendosi të belbëzonte haptas sa herë që intervistohej ose performonte drejtpërdrejt. “Ishte hera e parë që ndjeva turp pse nuk po belbëzoja”, pranoi ai. Nuk u përpoq më kurrë ta zbuste apo ta fshehte atë. Ky refuzim u bë radikalizmi i heshtur i karrierës së tij.

Mania e Scatman Johnit u përhap në gjithë Evropën në vitin 1995; në Japoni ai u rrethua nga turma e njerëzve në aeroport(Lee Newman)

Por, rruga drejt famës ishte shtruar mbi rrënoja. Para se të shërohej, Larkini kishte mbijetuar mbidoza, shtrime në spital dhe arrestime të përsëritura. Humbja e kontrollit mund të ishte spektakolare - një herë kishte çuar lart pianon e tij elektrike Wurlitzer, prej 25 kilogramësh - gjatë një performance - dhe e kishte flakur mbi një tavolinë me njerëz që e ngacmonin. Rimëkëmbja nuk erdhi si një epifani triumfuese, por përmes një pune të rëndë: takime të alkoolistëve anonimë, vetanalizë dhe një proces i vështirë i të mësuarit se si të jetonte - dhe të fliste - pa alkool apo droga. (Belbëzimi, megjithatë, nuk u zhduk kurrë. Terapia e të folurit ofroi vetëm lehtësim të kufizuar.)

Suksesi i Larkinit ishte intensiv dhe i shkurtër. Ai incizoi tri albume, bëri turne pa pushim dhe mori mijëra letra nga njerëzit të cilët e quanin veten të huaj dhe që nuk përshtateshin. Një herë, Judy e gjeti pranë lotëve, i rrethuar nga pirgjet e letrave të adhuruesve. Nuk mund t’i lexonte të gjitha. “Po sikur të ketë një tjetër unë?” - tha ai, i dëshpëruar.

Unë isha një nga adhurueset e izoluara që i shkroi. Në vitin 1997, si adoleshente, po e fshihja belbëzimin tim, duke shmangur të njëjtat këshilla dashamirëse, por të kota, që Larkini kishte marrë gjithë jetën: “Ngadalëso, merr frymë, mendo paraprakisht”. Për habinë time, ai u përgjigj - jo si një personazh i famshëm, por si një gagaç tjetër. “Ti përket mes nesh”, më tha. U bëmë miq të ngushtë. Unë e drejtova faqen e tij të internetit për vite me radhë.

Por, deri në vitin 1998, shëndeti i Larkinit po përkeqësohej. Vitet e abuzimit me substanca kishin lënë gjurmët e veta dhe, i diagnostikuar me vonesë me kancer agresiv të mushkërive, gjendja e tij u përkeqësua shpejt. Kur e vizitova pak para vdekjes së tij, burri me kapelën fedora kishte ikur. Në vend të tij ishte një shpirt i brishtë dhe spiritual, që kishte bërë paqe me aktin e tij të çuditshëm të dytë. “Kam pasur jetën më të mirë të mundshme”, më tha. “Kam shijuar bukurinë”. Ai vdiq në dhjetor të vitit 1999, në moshën 57-vjeçare, vetëm katër vjet pas suksesit të tij global.

Pas vdekjes së gruas së tij Judy në vitin 2023, ndjeva se koha po afrohej për historinë e tij të panjohur. Me bekimin e familjes së tij, fillova të rindërtoj jetën e Larkinit dhe zbulova një parathënie për një autobiografi të cilën nuk e kishte përfunduar kurrë. “Veç një gagaç”, kishte shkruar ai, “mund të shkruajë një libër të tillë”. Atëherë e kuptova se duhej të isha unë.

Nga e majta në të djathtë: Larkini, gruaja e tij Judy dhe thjeshtri i Larkinit, Lee, në vitin 1997, dy vjet para vdekjes së Johnit(Lee Newman)

Regjistrimet e tij të hershme të xhazit - teknikisht të sigurta, plot pasion dhe zjarr - po rishfaqen tani, duke ofruar një pamje më të qartë se si fama e tij e vonshme dhe e rastësishme e errësoi, më shumë sesa e zbuloi, talentin e tij. Miliona vetë që blenë hitet e tij të vallëzimit rrallëherë e dalluan virtuozin obsesiv që fshihej. Si Scatman John, ai vazhdoi të jetojë në meme, remikse dhe lista nostalgjike dëgjimi; këngët e tij janë transmetuar më shumë se gjysmë miliardi herë. Një brez i ri e ka përqafuar plotësisht - jo si një atraksion interesant, por si një njeri i plagosur dhe autentik që refuzoi të fshehte atë që e bënte të ndryshëm.

Në fund, Larkini nuk e “mposhti” belbëzimin e tij. Ai ndaloi së ikuri prej tij dhe, duke e bërë këtë, u dha të tjerëve leje të bënin të njëjtën gjë. “Shpresoj që fëmijët, ndërsa këndojnë bashkë me këngët e mia ose kërcejnë me to, ta ndiejnë se jeta nuk është aq e keqe”, tha ai. “Qoftë vetëm për një minutë”. /Telegrafi/

Iranianët si ne kanë një mesazh për z. Trump: Ju lusim, sulmoni që tani

29 January 2026 at 13:03


Nga: Hossein Molayemi dhe Shirin Sohani / The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com

Për gati pesë dekada, Republika Islamike e ka shndërruar jetën e miliona iranianëve në një tragjedi të vazhdueshme, përmes një përzierjeje të ideologjisë ekstremiste, ambicieve bërthamore dhe rajonale, si dhe paaftësisë dhe korrupsionit të thellë.

Regjimi në Teheran ka shpenzuar qindra miliarda dollarë nga pasuria e popullit iranian, pa pëlqimin e tyre, për programin e tij bërthamor dhe forcat përfaqësuese rajonale [proxy]. Si pasojë, pavarësisht burimeve të mëdha natyrore dhe një popullsie të re e të arsimuar, të ardhurat mujore të shumë familjeve kanë rënë në 100-150 dollarë [83-125 euro]. Papunësia është e madhe dhe inflacioni i pakontrolluar ka privuar miliona njerëz nga nevojat më elementare, përfshirë ushqimin dhe strehimin.

Në këto kushte, iranianët kanë dalë në rrugë - jo vetëm për lirinë e shprehjes, por për të drejtën për të mbijetuar. Përgjigjja e qeverisë ka qenë plumbi i vërtetë dhe shtypja brutale. Mijëra janë vrarë ose janë gjymtuar përjetësisht, dhe shumë të tjerë përballen me ekzekutime të pashmangshme. Raportimet e besueshme tregojnë për përdorimin e mundshëm të armëve kimike kundër civilëve. Për shkak të ndërprerjeve të internetit në nivel kombëtar, vetëm një pjesë e vogël e kësaj katastrofe ka arritur të dalë jashtë vendit.

Asnjë komb nuk e mirëpret një sulm të huaj në tokën e vet. Por, iranianët, të përballur me një regjim pa asnjë kufizim moral apo etik, nuk kanë mjete efektive për t’u mbrojtur. Parimi i “përgjegjësisë për t’u mbrojtur” e bën të qartë se komuniteti ndërkombëtar ka një detyrim moral për të ndërhyrë ushtarakisht.

Nuk flasim për pushtim, por për operacione të synuara me saktësi kirurgjikale: eliminimin e udhëheqësve të regjimit, ndërprerjen e burimeve financiare dhe rrjeteve komanduese, dhe fuqizimin e popullit iranian për të rimarrë të ardhmen e vet.

Në kundërshtim me disa supozime, rënia e Republikës Islamike nuk çon patjetër në paqëndrueshmëri. Në plan afatgjatë, paqëndrueshmëria e vërtetë është produkt i vazhdimit të ekzistencës së këtij regjimi. Mbështetja jonë për princin Reza Pahlavi, si udhëheqës i periudhës kalimtare, siguron që të shmanget vakumi i pushtetit dhe lufta civile dhe që grupet ekstremiste, terroriste dhe separatiste të mos e shfrytëzojnë situatën.

Disa grupe - veçanërisht disa aktivistë pro-palestinezë dhe segmente të së majtës - kanë zgjedhur të heshtin sepse emri i princit Reza Pahlavi ndërlidhet me këtë kryengritje dhe për shkak të frikës nga një restaurim i monarkisë. Princi Reza Pahlavi është aktualisht i vetmi udhëheqës kalimtar. Ai është zotuar se në Iran do të mbahet një referendum për të përcaktuar sistemin e ardhshëm politik.

Por, edhe nëse iranianët zgjedhin rikthimin e monarkisë, ata që besojnë vërtet në demokraci duhet të respektojnë vullnetin e popullit - edhe kur ai bie ndesh me preferencat e tyre personale. Disa aktivistë zgjedhin të mbyllin sytë përballë asaj që po ndodh aktualisht në Iran, sepse e konsiderojnë regjimin iranian si mbështetës të Palestinës. Mbështetja e Republikës Islamike për kauzën palestineze është kryesisht taktike, e udhëhequr nga interesat politike dhe jo nga shqetësimi për jetën e palestinezëve. Ata që pretendojnë se mbrojnë të drejtat e njeriut, ndërsa heshtin përballë vrasjeve këtu, do të përballen me pasojat morale dhe historike të kësaj heshtjeje.

Me përgjegjësinë që mbartin emrat tanë si artistë iranianë fitues të çmimit Oscar, nuk mund t’i shohim këto krime dhe të qëndrojmë të heshtur. Nuk mundemi dhe nuk do të flasim në mënyrë neutrale apo thjesht diplomatike. Heshtja jonë sot do të gjykohej nesër si bashkëfajësi.

Nëse udhëheqësit botërorë, përfshirë presidentin e Shteteve të Bashkuara, e përmbushin detyrimin e tyre moral duke rrëzuar regjimin iranian dhe duke ia kthyer pushtetin popullit, emrat e tyre do të përkujtohen me nder në kujtesën historike të iranianëve dhe në ndërgjegjen e botës. Megjithatë, heshtja apo vonesa do t’i kushtojë shtrenjtë komunitetit ndërkombëtar.

Populli iranian është një komb paqedashës. Nëse ndihmohet për të fituar lirinë, Irani mund të bëhet partner i besueshëm dhe burim rajonal e global stabiliteti, për dobi të të gjithëve. Vlen të kujtohen fjalët e Sadiut të Shirazit, “Mjeshtrit të Fjalës” të Iranit të shekullit XIII, poezia e të cilit shpesh citohet si një kujtesë për përgjegjësinë tonë të përbashkët njerëzore:

Njerëzit janë pjesë e një tërësie,
Të krijuar nga një thelb dhe një frymë.
Nëse një pjesë lëndohet nga dhimbja,
Pjesët e tjera nuk gjejnë qetësinë.
Nëse nuk ndjen dhimbjen e të tjerëve,
Nuk e meriton emrin “njeri”.

/Telegrafi/

Skandali seksual i viteve 1970 që çoi në një gjyq dramatik

28 January 2026 at 15:25


Nga: Greg McKevitt / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Një marrëdhënie e paligjshme homoseksuale, një komplot i dështuar dhe një qen i vrarë ishin në zemër të asaj që shtypi britanik e quajti "gjyqi i shekullit". Në qendër ishte Jeremy Thorpe: udhëheqës i Partisë Liberale, një shtyllë e shtetit dhe politikani i parë britanik që u gjykua për komplot dhe nxitje për vrasje. Historia doli në dritë më 29 janar 1976, kur gjatë një seance gjyqësore, ish-i dashuri i tij Norman Scott bërtiti: “Po ndiqem gjithë kohës prej njerëzve për shkak të marrëdhënies sime seksuale me Jeremy Thorpein”. Dyshja u portretizua në dramën e BBC-së të vitit 2018, Një skandal shumë anglez [A Very English Scandal] nga Hugh Grant (në rolin e Thorpeit) dhe Ben Whishaw (në rolin e Scottit). Zbulimi bombastik i Scotti ishte akti i parë i një drame ligjore, më të çuditshme sesa trillimi, detajet e së cilës do të bëheshin gjithnjë e më të habitshme.

Lexo po ashtu: Skandali seksual i viteve '60 që tronditi politikën britanike

Thorpe ishte shkolluar në Kolegjin elitist Eton, ku u kishte thënë miqve se dy ëndrrat e tij më të mëdha në jetë ishin të bëhej kryeministër dhe të martohej me princeshën Margaret. Për një adoleshent të privilegjuar dhe me lidhje të fuqishme, asnjëra nga këto fantazi nuk dukej shumë e paarritshme. Më vonë, si student juridiku në Universitetin e Oksfordit, ai la përshtypje si për veshjet ekstravagante në stilin e Epokës Eduardiane, ashtu edhe për talentin si debatues karizmatik. Pas diplomimit, u bë avokat dhe prezantues televiziv, por ambicia e tij politike vazhdoi të ziente. Si imitues i lindur dhe njeri me prirje skenike, në vitin 1959 u zgjodh deputet liberal në moshën 30-vjeçare.

- YouTube

Me këtë pedigre, ai dukej i destinuar për majat e politikës, por pas fasadës publike ishte fshehtas homoseksual, në një kohë kur homoseksualiteti mashkullor ishte i paligjshëm. Përveç dënimeve të rënda ligjore para se ligji të ndryshonte në vitin 1967, dëshpërimi moral i shoqërisë i linte ata, që bënin jetë të fshehtë, të cenueshëm ndaj shantazhit. Për një aspirant për kryeministër, pasojat e një ekspozimi do të ishin shkatërrimtare. Por, Thorpe e donte rrezikun dhe kishte një sërë marrëdhëniesh të shkurtra dhe të rastësishme. Në verën e vitit 1961, ai u njoh me një model të ri me origjinë të thjeshtë, të cilin nuk do të mund ta linte mënjanë.

Duke u kthyer pas në vitin 1977, Norman Scott i tregoi BBC‑së se si u takuan për herë të parë, “fjalë për fjalë mbi një derë stalle”. Në atë kohë, Scotti përdorte emrin Norman Josiffe dhe ishte i punësuar për t’u kujdesur për kuajt e një kalorësi profesionist. Ai tha se Thorpe “dukej si një njeri i ngrohtë” dhe ata filluan të takoheshin rregullisht. Me Scottin gjithmonë pa para dhe që luftonte me probleme të shëndetit mendor, ata formonin një çift të çuditshëm. Kur Scotti u arrestua për dyshime për vjedhje në dyqan, Thorpe foli në mbrojtje të tij para detektivëve. Ai i dha Scottit qasje në llogaritë në dyqanet luksoze të rrobave në Londër dhe e prezantoi me miqtë e tij të pasur. Ndërsa Thorpe e kishte hedhur poshtë çdo korrespondencë mes tyre, letrat e tij të përzemërta, por komprometuese, u ruajtën me kujdes dhe u mbajtën si prova nga Scotti.

Për ironi, Scotti gjithnjë e më i paqëndrueshëm ishte ai që i dha fund marrëdhënies. Ai tha: “I thashë këtij miku tonë të përbashkët se do ta ndaloja gjithë këtë punë. Nuk e dija si, por ishte tepër për mua. Nuk mund ta përballoja. Do ta shkatërroja atë dhe veten time”. I vetëm dhe pranë dëshpërimit, ai filloi të fliste hapur për vrasjen e Thorpeit dhe më pas për vetëvrasjen e tij. Një mik i shqetësuar kontaktoi policinë. Në intervistat me policët, Scotti e inkriminoi veten duke pranuar se kishte qenë në një marrëdhënie me Thorpein. Jo vetëm kaq, por ai kishte edhe gjurmë të shkruara për ta vërtetuar. Por, kush do ta besonte këtë njeri në dukje të paqëndrueshëm që bënte këto pretendime të çuditshme për një figurë kaq të shquar?

Skandale seksi dhe spiunazhi

Doli se shërbimet e sigurisë tashmë kishin dosje konfidenciale që përshkruanin jetën private të komprometuar të Thorpeit, por asnjë nga akuzat nuk u hetua zyrtarisht. Në një dokumentar radiofonik të vitit 2014, reporteri i çështjeve aktuale të BBC‑së, Tom Mangold, vuri në dukje se, më shumë se një mbulesë, gjithë mosveprimi ishte “i bazuar në mirëkuptime të heshtura dhe supozime të nënkuptuara të qenësishme në shoqërinë britanike” të asaj kohe. Në fillim të viteve ’60 të shekullit XX, Britania po tronditej nga një seri skandalesh seksi dhe spiunazhi. Kishte tashmë rastin e John Vassallit, një nëpunës civil homoseksual që kishte nxjerrë sekrete shtetërore britanike te sovjetikët nën kërcënimin e shantazhit. Menjëherë pas kësaj erdhi afera e ministrit të Luftës, John Profumo - me Christine Keelerin, një modele e re që kishte njëkohësisht lidhje me një spiun rus. Gjëja e fundit që establishmenti britanik dëshironte ishte një tjetër skandal, këtë herë që përfshinte një yll parlamentar në ngritje.

Scotti nuk u dekurajua nga ky bllokim institucional dhe i shkroi nënës së Thorpeit. “Mendova se ajo dinte për marrëdhënien tonë”, këmbënguli më vonë Scotti për BBC‑në. Edhe pse nuk ishte një letër shantazhi, ajo përmbante nënkuptime që e tmerruan Thorpein kur ai e mori letrën pa u dorëzuar. Letra ishte provë se Scotti po kalonte nga një bezdisje në një kërcënim. Thorpe u rrëfye te miku dhe kolegu i tij deputet liberal, Peter Bessell, i cili pranoi të takonte Scottin dhe “të përpiqej t’i zgjidhte vështirësitë e tij”. Në vitin 1967, pas vetëm tetë vjetësh në Parlament, Thorpe u bë udhëheqës i partisë, duke premtuar ta kthente Partinë Liberale në një forcë radikale dhe novatore. U bë më e rëndësishme se kurrë të sigurohej që Scotti të heshtte. Besselli organizoi t’i paguhej një pagesë e vogël javore dhe u përpoq t’i gjente një punë. Por, Scotti nuk u kënaq.

Jeremy Thorpe(Getty Images)

Të dy burrat kishin jetë të ndërlikuara personale. Thorpe u martua me Caroline Allpassin në vitin 1968 dhe patën një djalë. Ajo u vra në një aksident automobilistik pak pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 1970. Në vitin 1973, ai u martua me Marion Steinin, e njohur edhe si Kontesha e Hervudit, një pianiste koncertesh, me origjinë austriake, e cila do t’i qëndronte besnike deri në fund. Scotti u martua me Sue Myersin në vitin 1969; ata patën një djalë, por u ndanë shpejt më pas.

Teksa Thorpe vazhdonte të lulëzonte në karrierën e tij publike, më shumë se 10 vjet pas lidhjes së tyre Scotti vazhdonte të bluante mendime dhe të shqetësonte këdo që ishte gati të dëgjonte historinë e tij. Akuzat përfundimisht arritën në zyrën e deputetit liberal, Emlyn Hooson, i cili, ndryshe nga Besselli, u shqetësua sa për të informuar kolegët e lartë. Një hetim i brendshëm partiak përfundoi se çështja kundër Thorpeit nuk ishte e dëshmuar. Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të shkurtit 1974, një bashkëpunëtor i Thorpeit i pagoi Scottit 2 500 paundë për t’i dorëzuar ato letra bezdisëse që përmbanin kaq shumë prova fajësuese. Ato zgjedhje do të ishin kulmi i karrierës politike të Thorpeit. Partia e tij fitoi mjaft vende sa për një moment dukej se ai mund të bëhej ministër në një qeveri koalicioni - por, marrëveshja nuk u arrit.

- YouTube

Një komplot i kurdisur

Ato pëshpëritje për Thorpein nuk u zhdukën. Nëse ideja lindi nga bisedat e kota mes Thorpeit dhe miqve të tij apo nga një diskutim më ogurzi, u përgatit një komplot, të paktën për ta frikësuar Scottin. Bashkëpunëtorët e Thorpeit kontaktuan Andrew Newtonin, një pilot aeroplani me sjellje të dyshimta dhe një vrasës joprofesional me pagesë. Newtoni u miqësua me Scottin në tetor 1975 duke pretenduar se ishte detektiv privat i punësuar për ta mbrojtur nga dikush që planifikonte ta vriste. Ai e bindi Scottin që besonte të bënte një udhëtim natën për në fshat. Newtoni mori me vete një armë, ndërsa Scotti qenushen e tij të quajtur Rinka.

Kur ndaluan në një pjesë të izoluar rruge, qeni u hodh jashtë makinës. Scotti tha në vitin 1977: “Ajo po lehte dhe kërcente. Dhe, pastaj ai thjesht e qëlloi. Dhe, unë, pastaj ... u përpoqa ta sillja sërish në jetë. U përkula dhe ai tha: ‘Tani është radha jote’”. Scotti e shikoi me mosbesim teksa Newtoni qëndronte duke u dridhur para dritave të makinës me armën në duar. “E drejtoi kah unë ... dhe papritmas kuptova se do të më qëllonte edhe mua”, tha Scotti. Por, arma u bllokua dhe Scotti mbijetoi për ta treguar historinë. Newtoni përfundoi duke u dënuar me dy vjet burg. Në gjyqin e tij, ai pretendoi se Scotti e kishte shantazhuar me një fotografi nudo.

Tre muaj pas kësaj përvoje tmerruese, Scotti u paraqit në gjykatë për një akuzë të vogël mashtrimi me ndihmat sociale. Aty, më 29 janar 1976, ai bërtiti për “marrëdhënien time seksuale me Jeremy Thorpein”. Për shkak se Scotti e bëri pretendimin e tij në një seancë të hapur gjyqësore, gazetarët ishin të mbrojtur nga ligjet për shpifje dhe ishin të lirë të raportonin akuzën e tij. Afera Thorpe më në fund hyri në domenin publik.

- YouTube

Thorpe bëri një mohim të menjëhershëm, por në maj gjërat u përkeqësuan kur Peter Bessell, miku i tij dikur besnik në Partinë Liberale, vendosi të tregonte gjithçka. “U zhvendosëm nga një zonë e mbulimit të jetës private të dikujt, në një zonë ku tani po mbulohej një tentativë vrasjeje”, i tha më vonë Besselli emisionit Panorama të BBC‑së. Ndërsa historia doli jashtë kontrollit të tij, Thorpe pranoi t’i lejonte Sunday Times-it të botonte një letër të përzemërt që ai i kishte shkruar Scottit në vitin 1962. Edhe pse qëndrimet më liberale shoqërore të një dekade tjetër mund t’i kishin lejuar Thorpeit të vazhdonte luftën, ai vendosi të jepte dorëheqjen si udhëheqës partie.

Historia mori një kthesë tjetër në tetor 1977, kur London Evening News publikoi titullin sensacional: “U punësova për të vrarë Scottin”. Sapo kishte dalë nga burgu, Newtoni hoqi dorë nga mbrojtja e tij për shantazh dhe tani pretendonte se ishte paguar me 5 000 paundë si pjesë e asaj që gazeta e përshkroi si një “komplot ogurzi që përfshinte një mbështetës të shquar liberal”. Nëntë muaj të tjerë hetimesh policore çuan në akuzimin e Thorpeit dhe tre bashkëpunëtorëve për komplot për të vrarë Scottin. Shtypi e quajti “gjyqi i shekullit”. Me kërkesë të Thorpeit, ai u shty për tetë ditë që ai të mund të luftonte për vendin e tij parlamentar në zgjedhjet e përgjithshme të majit 1979. Ai huqi keq.

Në fund të gjyqit, gjyqtari mbajti atë që Tom Mangold i Panorama‑s së BBC‑së e përshkroi si “një nga fjalimet më tronditëse dhe të njëanshme përmbledhëse drejtuar një jurie”. Gjykatësi Cantley tha se, për shkak se tre dëshmitarët kryesorë të akuzës kishin arritur marrëveshje fitimprurëse për të shitur historitë e tyre në shtyp pas dënimit, dëshmitë e tyre ishin komprometuar. Besselli, tha gjyqtari, ishte “një hipokrit”, ndërsa Newtoni ishte “një kloun, dëshmitar i rremë dhe pothuajse me siguri një mashtrues”. Sa për Scottin, ai u përshkrua si “kriminel, mashtrues, shpërdorues, ankues dhe parazit”.

Norman Scott në maj 1979(Getty Images)

Në anën tjetër, Thorpe u përshkrua si “një figurë kombëtare me një dosje shumë të shquar publike”. Në përmbledhjen e tij, e përqeshur në mënyrë të paharrueshme nga komediani Peter Cook, gjyqtari i udhëzoi anëtarët e jurisë se, nëse ka ndonjë dyshim të arsyeshëm që Thorpe kishte planifikuar të vriste Scottin, ata duhej ta shpallnin të pafajshëm. Vendimi ishte: i pafajshëm. Duke folur më vonë, me bashkëshorten e tij të patundur Marion që i rrinte pranë, Thorpe tha: “Gjithmonë kam këmbëngulur se isha i pafajshëm për akuzat e ngritura ndaj meje, dhe verdiktin e jurisë, pas një hetimi të gjatë dhe të kujdesshëm prej tyre, e konsideroj plotësisht të drejtë dhe një shfajësim të plotë”.

Pas gjyqit, Scotti u tërhoq nga vëmendja publike. Në vitin 2022, në moshën 82‑vjeçare, ai botoi autobiografinë e tij të titulluar Një ikonë aksidentale [An Accidental Icon]. Sa për Thorpein, ai u tërhoq nga jeta publike duke ruajtur pafajësinë e tij deri në fund. Ai vdiq në vitin 2014. Në një intervistë për Guardian-in në vitin 2008, Thorpe reflektoi mbi aferën: “Nëse do të ndodhte tani, mendoj se ... publiku do të ishte më i mirëkuptueshëm. Atëherë ata ishin shumë të shqetësuar nga kjo. Ajo cenonte sistemin e tyre të vlerave”. /Telegrafi/

DUKE MËSUAR FLUTURIMIN

28 January 2026 at 12:26


Nga David Gilmour (albumi “A Momentary Lapse of Reason”, Pink Floyd, 1987)
Përktheu: Agron Shala

Në largësi, një rrip zie
Shtrirë deri në pikën që s’ka kthim
Një fluturim fantazie në një fushë të rrahur nga era
Fillikat vetëm, teksa mendtë më ikin
Joshja fatale më mban të kurthuar
Si mund të shpëtoj nga kjo tërheqje e papërballueshme?

S’më shqiten sytë nga qielli që rrotullohet
Gjuhëlidhur dhe i ngatërruar, thjesht një tokësor që nuk përshtatem
Akulli mbin në majat e krahëve të mi
Paralajmërime të shpërfillura, mendova se i kisha menduar që të gjitha
Asnjë navigator nuk mund ta gjejë rrugën time për në shtëpi
Pa barrë, bosh dhe i mpirë

Një shpirt i trazuar që mëson të fluturojë
I gozhduar në tokë, por i përcaktuar të provojë
S’më shqiten sytë nga qielli që rrotullohet
Gjuhëlidhur dhe i ngatërruar, thjesht një tokësor që nuk përshtatem

Mbi planet me një krah dhe një lutje
Aura ime e ndotur, një vijë tymi në qiellin shterpë
Përmes reve, shoh hijen time të fluturojë
Nga cepi i syrit që më loton
Një ëndërr e paprekur nga drita e mëngjesit
Mund ta çajë këtë shpirt tejpërtej çatisë së natës

S’ka ndjesi që krahasohet me këtë
Pezullim i jetës, një gjendje lumturie
S’më shqiten sytë nga qielli që rrotullohet
Gjuhëlidhur dhe i ngatërruar, thjesht një tokësor që nuk përshtatem

________

Lexo po ashtu:
- Momenti i realizimit të një prej kopertinave më unike në historinë e rockut
- Rrëfimi për Hipgnosis

- YouTube www.youtube.com

- YouTube

Bisedat e mia me Azem Shkrelin në vitin 1972

28 January 2026 at 12:14


Nga: Ismail Kadare

Nga të rrallët njerëz në botë, që e pata si vëlla. Kemi qenë miq një kohë tepër të gjatë, qysh nga viti 1972. E mbaj mend mirë këtë sepse isha për herën e parë në Kosovë dhe deri pak para vdekjes së tij, një kohë gati tridhjetëvjeçare, mund të them se ka qenë, ka qëlluar të jetë miku im më i ngushtë nga shkrimtarët e Kosovës. Azem Shkreli, mik i dashur, mik i vërtetë, mik nga ana njerëzore dhe nga idetë, gjithashtu. Kemi bërë biseda të pafundme bashkë, kemi biseduar, mund të them çdo gjë me të.

Pikërisht kujtimi im i parë, sepse shpeshherë kujtimet e para janë më të paharrueshmet, është ai kur kam ardhur në Kosovë vetëm në vitin 1972, me rastin e vënies, mesa më kujtohet, në skenë të dramës Gjenerali i ushtrisë së vdekur, që e organizonte Azemi. Isha, si të thuash, mysafiri i tij, si institucion, por u bëra për shembull, mysafiri i tij njerëzor në radhë të parë. Dhe, kujtimi im i parë ishte se kam qëndruar gati një javë në Kosovë dhe çdo ditë, pothuajse çdo ditë dilnim bashkë të dy, vetëm me makinën e tij dhe ajo ka qenë një mrekulli mund të them, jashtë çdo protokolli, jashtë çdo syri të jashtëm, jashtë çdo përgjimi ... se kishte përgjim, dihet, edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë në atë kohë, dhe çdo ditë kalonim orë të tëra. Dhe, unë e kam parë të gjithë Kosovën me sytë e mi, sigurisht, por edhe me sytë e tij, se ishte ai që ma tregonte, por që ai ishte si shkrirje, një infuzion. Dhe, kemi biseduar, natyrisht të gjitha, nga më të çuditshmet, më delikatet. Kjo është edhe karakteristikë e këtij kujtimi.

Lexo po ashtu: Dritëro Agolli dhe takimi me Azem Shkrelin në Kosovë

Ditën, e dytë ose të tretë, maksimumi, më kujtohet se midis nesh u bë biseda më delikate e asaj kohe, biseda më tabu, më e ndaluar në botë, që ishte: çështja e lirisë së Shqipërisë. Sepse, sigurisht, në fillim u bë biseda e natyrshme, që do të bisedonim për mungesën e lirisë në Kosovë dhe çfarë po bëhej për t’u kapërcyer disi-disi ajo barbari e deriatëhershme me aktivitete kulturore ose afrim kulturor me kulturën shqiptare. Por, ne kaluam pastaj në temën që ishte më delikatja, pra më tabu nga të gjitha - mungesa e lirisë në Shqipëri, gjë që nuk flitej në atë kohë dhe ishte e kuptueshme të mos flitej midis shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës, sepse këtu ishte një mungesë lirie, e ndryshme nga mungesa juaj (në Kosovë). Mungonte, pra, liria, por në mënyra të ndryshme. Liria është një, por ajo mund të mungojë në mënyra të ndryshme. Mungesa juaj nuk ngjante me mungesën tonë, ishte tjetër gjë. Ne, pra, e kapërcyem këtë gjë dhe folëm, folëm gjerësisht, unë i shpjegova se si, gjithashtu në Shqipëri ka një mungesë lirie, që është po aq tragjike sa mungesa në Kosovë, por e një sensi tjetër, e një drejtimi tjetër. Prandaj, biseda jonë kishte, do të thosha një karakter disi misterioz, në këtë kuptim, që as unë, as ai dhe as njeri në botë nuk mund ta gjente atë enigmë se çfarë ka të përbashkët kjo mungesë. Se, diku, në një zonë tjetër të largët, ajo kishte diçka të përbashkët, liria ka diçka të përbashkët. Psenë nuk mund ta gjenim ne, as unë, as ai dhe asnjë njeri në botë, sepse asnjë njeri në botë në vitin 1972 nuk kish parashikuar që një ditë komunizmi do të binte.

Pra, ne e përfytyronim jetën tonë, jetën e Shqipërisë, jetën e Kosovës. Ne, si të thuash, gjithfarë gjërash mund të mbërrinim, por jo atë kryesoren - rënien e komunizmit, ku ishte edhe misteri, ku ishte edhe enigma, ku ishte edhe kyçi që nuk lejonte lirinë e njërit dhe të tjetrit. Pikërisht për këtë, pra, edhe përdora fjalën misteri, sepse këtë gjë që rrinte në mjegull e fshehur, këtë s’e kuptonte, nuk mund ta gjente asnjëri. Këtë nuk e dinin as organizmat e zbulimit më të sofistikuar perëndimor. Nuk kanë parashikuar që komunizmi do të binte në atë kohë, kurrsesi. Prandaj, kjo ishte shumë interesante që ne, si të thuash, flisnim për diçka tjetër, gëzonim veten tonë në afrimin e lirisë së Kosovës e të Shqipërisë, çka ishte, si të thuash, një ushqim zëvendësues për lirinë, nuk ishte liria e vërtetë, por ishte një lloj i tretë, si të thuash, që i ngjante lirisë, por nuk ishte ajo. Prandaj, thashë, po kthehem, përdora fjalën misteri dhe enigma, kjo ishte. Dhe, kjo ishte, do të thotë, biseda jonë e pafundme, të pafundme me ato mijëra kilometra që kemi bërë bashkë nëpër Kosovë dhe u pasuruam nga kjo gjë. Më vonë kur jemi takuar, kur ra komunizmi, e kemi kujtuar atë kohë, por s’kishim faj, s’mund të na shkonte në mend, askujt nuk i kishte shkuar që do të binte komunizmi dhe atje ishte zgjidhja. Pa rënë komunizmi, s’kishte liri as për Kosovën, as për Shqipërinë, me sa duket.

Jam takuar disa herë me të. Jemi takuar në Paris. Jam takuar në Gjermani. Kemi shkuar te shtëpia e tij. Atëherë kemi qenë bashkë me bashkëshortet tona.

Në Kosovë, prapë, pas këtij takimi kam shkuar herën e fundit gjatë kohës së robërisë. Ka qenë viti 1980, fundi i vitit ose në prag të ngjarjeve. Ishte edhe ai një kujtim shumë i bukur dhe Azemi gjithmonë ishte i pranishëm. Jemi takuar në Shqipëri, ka ardhur disa herë. Domethënë, kam takime të shumta me të, të shumta. Gjithmonë takoheshim me të njëjtën dëshirë, me të njëjtën kënaqësi, me të njëjtin kuriozitet. Dhe ishte gjithmonë ai që ishte, i pandryshueshëm dhe marrëdhënia midis nesh ishte e pandryshueshme, gjithmonë e thellë, e sinqertë, interesante, plot pasuri intelektuale ...

❌
❌