Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 February 2026Main stream

Lamine, lideri i ri i Braçës/ “El Mundo Deportivo” e cilëson njeriun-kyç të këtij sezoni

By: Rovena
8 February 2026 at 12:50

Ende nuk është një legjendë. Nuk do të jetë e lehtë për Lamin Jamalin të arrijë nivelin e një Peleje, Maradona apo Mesi, por gjithsesi ai po krijon një standard që I lumturon tifozët e Barcelonës.

Ylli që është ende vetëm 18 vjeç ka një rritje të madhe në cilësinë e paraqitjeve të tij, duke u kthye në një futbollist-kyç për katalanasit këtë sezon.

E përditshmja “El Mundo Deportivo” thekson se Jamal ka shënuar dhe asistuar më shumë sesa ka qenë pritshmëria për të, shenjë e qartë e hopit cilësor, dhe se është kthyer në “lokomotivën” që merr me vete gjithë ekipin.

Lamin ka 14 gola dhe 13 asistë deri tani këtë sezon, në La Ligë, në Champions dhe çdo konkurrim tjetër, ndërsa ka luajtur 29 ndeshje.

Pra kontributi për gol është thuajse një për çdo sfidë. Për më tepër, adoleshenti ka ndikim të madh në lojën e katalanasve, përtej golave dhe asisteve.

Në moshën 18-vjeçare ai ka 39 rrjeta për ekipin “blaugrana” që kur nisi të luante me të rriturit, diçka që një Lionel Mesi nuk e bëri dot në kohën e tij.

Po ashtu, ai ka kaluar numrin e golave të Diego Armando Maradonës me fanelën barceloniste, që shënoi gjithsej 38.

Gjithsesi, duhet bërë një dallim. Maradona i shënoi 38 gola në vetëm 58 ndeshje, ndërsa Jamalit I janë dashur 135.

Nga ana tjetër, Leo pati nevojë për 98 paraqitje që të arrinte në 38 rrjeta. Deri tani, Jamal ka fituar Kampionatin Europian me Spanjën, dy tituj kampion në La Liga me Barcelonën si dhe Kupën e Mbretit si dhe dy Superkupa të Spanjës, gjithnjë me katalanasit.

Muçi në stilin “Messi”/ Mediat turke ngrenë në qiell shqiptarin pas golave të mëdhenj

By: Rovena
8 February 2026 at 12:45

E dyta herë që e bëjnë. Ernest Muçi është krahasuar sërish me legjendën e futbollit botëror, Lionel Mesi, pas golit të fundit të realizuar në Turqi.

Të përditshmet e Stambollit dhe të Ankarasë nuk I kanë kursyer komplimentet për talentin shqiptar, I cili e ka pushtuar me sulm skenën në vendin e madh mes Europës dhe Azisë.

Gazeta “Foto Maç” bën pikërisht krahasimin me superyllin argjentinas, duke vlerësuar klasin në këmbët e lojtarit ofensiv kuqezi.

Një lartësim për të tillë për Muçin e bëri e përditshmja tjetër “Fanatik”, pasi Muçi shënoi golin e shkëlqyer nga goditja e dënimit ndaj Konjasporit në Superligën turke, kur realizoi nga një kënd thuajse I pamundur.

Sipas agjencisë së statistikave dhe vlerësimeve në futboll, lojtari 24-vjeçar ka vlerësimin më të lartë tek Trabzonspori, dhe njërin nga më të lartët këtë sezon në Turqi të paktën për 11 ndeshjet e fundit që nga 24 nëntori, duke marrë notën mesatare 7.6.

Për gjithë edicionin, Muçi ka mesataren 7.09, duke qenë gjithnjë ndër më të mirët e ekipit të tij.

Forma e shkëlqyer që nga 24 nëntori, pra në 75 ditë, ka bërë që ai të ketë rendimentin e jashtëzakonshëm me 11 gola e 4 asistë në 12 ndeshjet e fundit, pra gati një rrjetë për çdo dalje në fushë, dhe më shumë se një kontribut për gol në çdo sfidë.

Në kampionat janë 8 rrjeta e 2 asistë në 8 duele, në kupë janë 3 gola e 2 asistë në 4 ndeshje.

Pritet që Trabzonspori t’ia blejë kartonin, por këstet besohet se do të nisin të paguhen që nga korriku, të paktën siç ka thënë presidenti I klubit

Mamaja e artë e Olimpiadës/ Francesca Lollobrigida rekord olimpik në patinazhin e shpejtësisë

By: Rovena
8 February 2026 at 12:37

Një nënë dhe kampione. Kjo është historia e Francesca Lollobrigida, atletja italiane e cila që tani ka fituar një vend në historinë e Lojërave Olimpik Dimërore.

Jo vetëm kaq, pamjet teksa feston me djalin e saj në krah medaljen e artë dhe rekordin olimpik në disiplinën e 3 mijë metrave në patinazhin e shpejtësisë mund të cilësohen që tani si “kartolina” më e bukur e “Milano Cortina 2026”.

Ky triumf i vërtetë ishte edhe dhurata më e bukur që 35 vjeçarja mund t’i bënte vetes në ditën e saj të lindjes, duke e pasuruar suksesin me një histori të madhe njerëzore.

Për t’u kthyer te gara, Francesca Lollobrigida dominoi pistën që në nisjen, duke ndalur kronometrin në kohën 3 minuta 54 sekonda e 28 të qindat.

Medalje e artë dhe rekord olimpik për atleten e shtëpisë dhe triumfi i parë për skuadrën italiane në kompeticionin që zhvillon në shtëpinë e saj.

Në vendin e dytë u rendit norvegjezja Viklund, ndërsa në të tretin kanadezja Malteis, respetivisht me medalje argjendi dhe bronzi.

Protesta në Olimpiadë/ Gjashtë të arrestuar në Milano, Meloni: Armiq të vendit, dëmtojnë imazhin

By: Rovena
8 February 2026 at 12:35

Protestat në Milano kanë marrë vëmendjen nga një nga eventet më të rëndësishëm sportive, Lojërat Olimpike Dimërore.

Të paktën gjashtë persona u arrestuan gjatë përplasjeve me policinë në Milano9, gjatë ditës së parë të garës olimpike.

Mijëra njerëz dolën në rrugët e qytetit në Italinë veriore të shtunën për të protestuar kundër një sërë çështjesh, përfshirë koston e jetesës. Disa qëlluan me fishekzjarrë dhe gurë drejt policisë, e cila u përgjigj me topa uji.

Përplasjet vijnë pasi qeveria ashpërsoi ligjet për protesta pas një demonstrate fundjavën e kaluar në Torino që la më shumë se 100 oficerë të plagosur.

Javën e kaluar qindra protestuan kundër pranisë së agjentëve të ICE në Olimpiadën Dimërorë. Edhe në protestën e fundit demonstruesit thanë se ishin kundër pranisë së agjentëve amerikanë të emigracionit , pavarësisht deklaratave zyrtare se një numër i vogël agjentësh nga një krah hetimor do të ishin të pranishëm në territorin diplomatik të Shteteve të Bashkuara dhe jo në rrugë.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka reaguar ashpër pas protestave , duke shprehur solidaritet me policinë dhe institucionet vendore.

Meloni tha se mijëra italianë janë duke punuar pa u lodhur për mbarëvajtjen e Lojërave Olimpike, shumë prej tyre si vullnetarë, me synimin që Italia të lërë një përshtypje pozitive në arenën ndërkombëtare.

Sipas Melonit, protestat po dëmtojnë imazhin e vendit, ndërsa protestuesit i cilësoi armiq të Italisë.

20 thika në trup, dhuna që nuk harrohet/ Tre vite më vonë, Afërdita rrëfen tmerrin e një martese 33-vjeçare

By: Rovena
8 February 2026 at 12:22

Kanë kaluar 3 vite, por përjetimet e dhunës makabre që përjetoi në trup dhe në shpirt janë ende të freskëta për Afërditën. Ishte natë dhjetori, kur 49-vjeçarja nga Tirana u godit me thikë nga burri i saj. Shenjat e  20 plagëve në trup, i ka ende edhe sot.

“Gjithsej kam 20 thika në trup. Nuk e di si kam jetuar. Thikën e parë që kam ngrënë, i thash përse po më vret, që të paktën të kërkoj falje. Vetëm të dua të vdekur më ka thënë. Ai mendoi se kisha vdekur. Më ra të fikët, isha mbuluar me gjak. Mora shumë goditje në fytyrë, në qafë. Kam dëgjuar vetëm fjalët e ish-burrit; lamtumirë, shihemi në botën tjetër! I kam kërkuar vetëm pak ujë. Më tha, ti meriton të vdesësh. Mbylli derën dhe iku. Nuk ka zgjatur me sekonda e zvarritur, erdhën komshinjtë edhe vajza…..falë atyre jam gjallë”, tregon Afërdita.

Sa kohë keni qëndruar në spital nga ky episod dhune? Kam qenë në gjendje kome tre ditë, dhe 1 muaj në spital.

Plagët me thikë i sollën 49-vjeçares pasoja të parikuperueshme për shëndetin si dhe në gjendjen psikologjike.

“Në çdo moment unë kam frik të shoh gjak, kam frik nga një hija, kam frik nga një zhurmë në shtëpi, kam frikë nga gjithçka….më ka lënë pasoja.   unë jam me paralizë në fytyrë. Jam e tronditur në kokë. Kam shumë plagë në dorë ku nuk mund të punoj, për momentin jam pa punë.”

Afërdita me ish-bashkëshortin u njohën në gjimnaz. Pas martesës sollën në jetë dy fëmijë. Në 33 vite, Afërdita thotë se jetën e ka kaluar mes dhunës fizike e psikologjike, për shkak të xhelozisë se bashkëshortit.

“Episodet e para kanë nisur që kur martova vajzën. Sepse djali ka ik shumë herët në kurbet. Kam 33 vite martesë, pas 18 vitesh nisi dhuna.  Aty nisën konfliktet, pinte alkool. Filloi drogën. Shfaqi shenja xhelozie, për gjëra më të vogla. 2-3 herë më ditë episode dhune. Rrinim 24 orë bashkë dhe në darkë më thonte të kam parë këtu, të kam parë atje. Edhe një mesazh që do vinte në telefon, ai do e kontrollonte… Kam jetuar në ankth, kam jetuar në dhunë. Kam jetuar si mos më keq.”

– Në sytë e fëmijëve je dhunuar ndonjëherë?

– Po, jam dhunuar, në sytë e vajzës.

Në vitet e fundit çdo çast mendonte divorcin, por serish tërhiqej për të ruajtur familjen.

“Qaja gjithë natën dhe në mëngjes qeshja, që asnjë njeri mos ta kuptonte se jam dhunuar nga burri . Nuk doja që të përçaja fëmijët. Nuk doja që fëmijët ta urrenin, ata e kanë baba.”

– E kishe mbështetjen e familjes për divorcin?

– Familja ime ka dashur me vite që unë të ndahem, jo tani. Më kanë mbështetur nga të gjithë mënyrat. Që para 4 vitesh kur më godiste, më thonte motra, një ditë do na vij thirrja në telefon që ti ke vdekur. Ne e presim këtë lajm…

Afërdita thotë se shenjat e dhunës dhe njollat e gjakut në dysheme ishin kthyer në tmerr për fëmijët e saj.

“Absolutisht nuk duan t’ia dinë, a është gjallë apo ka vdekur. Unë prap vazhdoj t’ju them e keni baba, Zoti vendos drejtësi. Nuk mund ta harroj kurrë atë skenë më thotë djali, kur e kanë njoftuar se mami po lufton me vdekjen. Nuk ja fal kurrë më thotë, nëse është diçka që të thonë liroja litarin babait, unë do u thoja shtrëngoja dhe pak.”

Dhuna nuk e mposhti, përkundrazi e bëri më të fortë dhe luftarake për veten dhe dy fëmijët e saj. Megjithatë, ajo tregon edhe pengun e jetës.

“Tani më interesojnë vetëm dy fëmijët e mi. Më intereson vetja ime, dhe them kam bërë një gabim shumë të madh në jetë, kur unë se kam ngrit zërin më përpara. Këtë nuk ja fal vetes që arrita deri këtu. Fëmijët më thonë ku ke qenë më herët. Kam harruar të qesh.”

Sot, burri i saj po vuan dënimin në burg për dhunën e ushtruar ndaj Afërditës. Ndërsa ajo përpiqet të rindërtojë jetën dhe t’u japë mesazh grave të tjera:

“Jam grua më në fund, e pijë kafen e qetë. Mesazhi im për gratë e vajzat është kjo, unë e kam përjetuar dhe nuk ma mbush dot mendjen njeri që burrat duhen falur. Ju lutem mos falni dy herë një person. Mos jepni shans të dytë. Unë i kam dhënë shumë herë shans, dhe ja ku përfundova me 20 thika në trup.”

Kjo është historia e një gruaje që i mbijetoi dhunës ekstreme nga njeriu qe deshi dhe me te cilin ngriti familjen dhe ndërtoi jetën. Një histori që sfidon friken dhe dekurajimin dhe jep  mesazhin e forcës dhe ringritjes për të gjitha gratë e dhunuara si Afërdita.

Të dehur në Timon/ Policia Rrugore e Durrësit arreston 5 shoferë

By: Rovena
8 February 2026 at 12:14

Pesë persona kanë rënë në prangat e Policisë në Durrës gjatë fundjavës, pasi drejtonin makinat në gjendje të dehur, ndërsa dy prej tyre tentuan edhe të korruptonin efektivët e policisë.

Përmes një njoftimi, policia iu ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të mos drejtojnë makinën në gjendje të dehur.

Transportonin 5 emigrantë të paligjshëm kundrejt parave/ Tiranë, arrestohen dy të rinjtë

By: Rovena
8 February 2026 at 11:52

U kapën duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 2 shtetas, të cilët dyshohen se iu kanë marrë emigrantëve, nga 2700 euro, me premtimin se do t’i transportonin në Francë.

Ata u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur  “Mbikalimi i Kasharit” duke transportuar me një automjet, 5 emigrantë, të cilëve kundrejt pagesës 2700 euro secili, iu kishte premtuar transportimin me destinacion final shtetin Francez.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 automjet dhe 2 aparate celulare.

Të dënuar ose të akuzuar për vepra penale/ Tiranë, arrestohen 4 persona të shpallur në kërkim

By: Rovena
8 February 2026 at 11:35

Kapen 4 shtetas në kërkim, të dënuar ose të akuzuar për vepra të ndryshme penale.

Strukturat e DVP Tiranë, si rezultat i kontrolleve të ushtruara në terren, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, në kuadër të operacionit policor “Catch”, kapën dhe vunë në pranga 4 shtetas të shpallur në kërkim, konkretisht:

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 kapën dhe ndaluan shtetasin G. I., 30 vjeç, pasi Prokuroria kishte lëshuar urdhër ndalimi për të, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje”, e kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”. Ky shtetas, më datë 01.12.2025, në rrugën “Irfan Tomini”, në bashkëpunim me shtetasin E. U. (i arrestuar në flagrancë), ka plagosur me mjet prerës shtetasin M. A.Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit G. I., ditën e ngjarjes, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, kapën dhe ndaluan shtetasin R. R., 30 vjeç. Ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”. Nga ky dënim, i kanë mbetur për të vuajtur 1 vit, 5 muaj e 19 ditë burgim.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 kapën shtetasin në kërkim E. M., 19 vjeç, pasi Gjykata e Durrësit ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Vjedhja”. Ky shtetas iu dorëzua DVP Durrës, për veprime të mëtejshme.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 ekzekutuan vendimin e Gjykatës për ndalimin e shtetasit A. D., 22 vjeç, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Përndjekja” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Ekipi negociator i SHBA-së viziton aeroplanmbajtësen pranë ujërave të Iranit

By: Rovena
8 February 2026 at 11:17

Uashingtoni dukej se po shtonte presionin ndaj Teheranit, ndërsa negociatorët kryesorë vizituan aeroplanmbajtësen amerikane që kryeson një forcë të fuqishme pranë ujërave të Iranit, edhe pse bisedimet bërthamore indirekte mes kundërshtarëve po vazhdonin.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner dhëndri i presidentit Donald Trump, vizituan USS Abraham Lincoln në Detin Arabik më 7 shkurt, së bashku me admiralin Brad Cooper, shef i Komandës Qendrore të ushtrisë amerikane.

“Sot u takuam me marinarët trima në bordin e USS Abraham Lincoln, grupin e saj goditës dhe Krahun Ajror të Aeroplanmbajtëses 9, të cilët na mbajnë të sigurt dhe po zbatojnë mesazhin e presidentit Trump për paqe përmes forcës”, tha Witkoff në rrjetet sociale.

Aeroplanmbajtësja, me bazë në San Diego të Kalifornisë, u nis në nëntor për dislokim në rajonin Indiano-Paqësor, përpara se të mbërrinte në Lindjen e Mesme në janar, tha ushtria.

Bisedime “shumë të mira” në Oman

Vizita në aeroplanmbajtëse vjen pasi delegacione nga Teherani dhe Uashingtoni zhvilluan bisedime të ndërmjetësuara nga Omani më 6 shkurt, diskutime që Trump i cilësoi si “shumë të mira”.

Ndërsa asnjëra palë nuk njoftoi rezultate konkrete, të dyja sugjeruan se negociatat për programin bërthamor të Iranit mund të vazhdojnë në afat të afërt.

“Irani duket se dëshiron shumë të arrijë një marrëveshje. Duhet të shohim se çfarë marrëveshjeje është ajo”, u tha Trump gazetarëve.

Ali Vaez, drejtor i projektit për Iranin në International Crisis Group, i tha Radios Farda të REL-it se “fakti që bisedimet nuk dështuan dhe se të dyja palët nuk u larguan nga tryeza e negociatave tregon se ndoshta ato gjetën mjaftueshëm pika të përbashkëta ose se të dyja palët vunë në tryezë disa lëshime që ishin mjaft tërheqëse për të vazhduar bisedimet”.

Megjithatë, bisedimet u zhvilluan mes një grumbullimi ushtarak amerikan në Lindjen e Mesme. Tensionet janë rritur nga javë të tëra trazirash në Iran, gjatë të cilave autoritetet nisën një goditje të ashpër që, sipas grupeve për të drejtat e njeriut, vrau mijëra civilë.

Trump paralajmëron autoritetet iraniane

Ndërsa raportet për masakrën nisën të dalin nga Irani, Trump kërcënoi se do ta godiste Iranin nëse ndonjë nga dhjetëra mijëra protestuesit e arrestuar do të ekzekutohej.

Presidenti amerikan ka vazhduar të mbajë opsionet ushtarake mbi tryezë, ndërsa njëkohësisht ka theksuar përpjekjet për të frenuar programin bërthamor të Iranit, për të cilin fuqitë perëndimore druhen se synon prodhimin e një bombe, pavarësisht këmbënguljes së Teheranit se është për qëllime civile.

Pas bisedimeve në Oman, Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi sanksione të reja ndaj eksporteve të naftës së Iranit, duke shënjestruar 15 subjekte dhe 14 anije të ashtuquajtura të flotës hije.

Pas bisedimeve në Oman, ministri i Jashtëm i Iranit tha se Teherani dhe Uashingtoni besojnë se bisedimet bërthamore duhet të rifillojnë së shpejti, edhe pse Teherani përjashtoi diskutimet për programin e tij raketor dhe pasurimin e uraniumit.

Abbas Araqchi i tha televizionit Al Jazeera të Katarit më 7 shkurt se të dyja palët ranë dakord që diskutimet duhet të rifillojnë së shpejti, duke shtuar se nuk ka një afat të rënë dakord për takimin e radhës.

“Ne jemi gati të arrijmë një marrëveshje qetësuese për pasurimin”, tha ai.

“Çështja bërthamore iraniane do të zgjidhet vetëm përmes negociatave”.

Netanyahu do të takohet me Trumpin

Në një tjetër front diplomatik, zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se ai do të takohet me Trumpin në Uashington më 11 shkurt për të diskutuar “negociatat me Iranin”.

Netanyahu ka nxitur vazhdimisht Trumpin dhe presidentë të mëparshëm amerikanë të mbajnë një linjë të ashpër ndaj rivalit të betuar, Iranit.

Muajin e kaluar, Netanyahu tha se Izraeli do të kundërpërgjigjej nëse sulmohej nga Teherani me një “forcë që Irani nuk e ka parë kurrë”.

Shtetet e Bashkuara bombarduan objektet kyçe nëntokësore të pasurimit të Iranit në Fordow dhe Natanz gjatë luftës 12-ditore mes Iranit dhe Izraelit në qershor.

“Do ta vras me armën time automatike”, një burrë kërcënon zëvendëspresidentin amerikan

By: Rovena
8 February 2026 at 10:47

Një juri e madhe federale ngriti padi ndaj një 33-vjeçari nga Ohio për kërcënim me vrasje të zëvendëspresidentit amerikan JD Vance, ka njoftuar Departamenti i Drejtësisë në një njoftim për shtyp.

Shannon Mathre nga Toledo akuzohet se ka thënë: “Do të zbuloj se ku do të jetë ai dhe do të përdor armën time automatike M14 dhe do ta vras”.

Ky kërcënim raportohet të jetë bërë më 21 janar ose rreth asaj date, sipas aktakuzës.

Aktakuza pretendon më tej se Mathre shpërndau materiale abuzimi seksual me fëmijë, shkruan CNN.

“Forcat federale të rendit zbuluan se ai posedonte gjithashtu materiale abuzimi seksual me fëmijë”, tha Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Todd Blanche.

Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi tha gjithashtu në një deklaratë: “Avokatët tanë po e ndjekin penalisht me forcë këtë kërcënim të neveritshëm kundër zëvendëspresidentit Vance”.

Mathre përballet me një dënim maksimal prej 5 vitesh dhe një gjobë prej 250,000 dollarësh për kërcënimin për vrasjen e Vance.

Përveç kësaj, ai përballet me një dënim maksimal prej 20 vitesh burg për akuzën e materialeve të abuzimit seksual me fëmijë dhe një gjobë prej 250,000 dollarësh, nëse shpallet fajtor.

Tani ai mbetet në paraburgim dhe do të ketë një seancë dëgjimore për paraburgim të mërkurën.

Diella vlerësohet me çmimin Future Fit Seal/ Rama: Krenarë për ç’ka kemi bërë në drejtim të teknologjisë

By: Rovena
8 February 2026 at 10:07

Kryeministri Edi Rama ka komentuar në podcastin e tij “Flasim” mbi vlerësimin e platformës Diella me çmimin Future Fit Seal në edicionin e këtij viti të Samitit Botëror të Qeverisjes në Dubai.

Rama e ka cilësuar këtë njohje si një arsye për krenari për arritjet e Shqipërisë në fushën e teknologjisë dhe përdorimit të inteligjencës artificiale në shërbim të interesit publik.

Ai theksoi gjithashtu se vendosja e Shqipërisë në piedestalin e vendeve që marrin çmime nga ky samit prestigjioz përfaqëson një inkurajim të madh dhe një njohje ndërkombëtare të përpjekjeve të vendit në drejtim të inovacionit teknologjik dhe përmirësimit të marrëdhënies mes shtetit dhe qytetarëve.

“Edi Rama: Vlerësimi i Diellës me çmimin Future Fit Seal në edicionin e këtij viti të çmimeve të Samitit botëror të qeverisjes në Dubai, është një tjetër arsye për të qenë krenarë për ç’ka kemi bërë në drejtim të teknologjisë edhe të futjes së inteligjencës artificiale në funksion të interesit publik, por është dhe një inkurajim shumë i madh dhe shumë domethënës, kur ke parasysh faktin se Shqipëria vendoset në piedestalin e vendeve që marrin çmime nga ky samit prestigjioz.

Një nga platformat globale për të ardhmen e qeverisjes, aty ku diskutohet sesi teknologjia po e riformëson marrëdhënien mes shtetit dhe qytetarëve, dhe ku Shqipëria vendoset edhe një herë në fokus, këtë herë për një produkt për të cilin ne po vazhdojmë punën dhe mbi të cilin, jo vetëm shqiptarët, por dhe bota do të dëgjojnë të reja të tjera më shpejt sesa vonë”, tha Rama.

“Amnistia Penale, lirim i menjëhershëm për 447 të burgosur”/ Rama: Zgjidhje e qartë politike

By: Rovena
8 February 2026 at 10:05

Kryeministri Edi Rama gjatë podcastit të tij “Flasim” nënvizoi miratimin e projektligjit për amnistinë penale, i cili parashikon lirimin e menjëhershëm të 447 personave nga burgjet, ulje dënimesh për qindra të tjerë dhe pushimin e ndjekjes penale për vepra të lehta.

Sipas tij, ky projektligj synon të përqendrojë drejtësinë tek rastet me rrezik real për shoqërinë, duke shmangur përdorimin disproporcional të ndëshkimit penal, dhe gjithashtu pritet të ulë mbipopullimin në institucionet penitenciare dhe kostot shoqërore që lidhen me to.

Rama theksoi se amnistia nuk prek krimet e rënda, përfshirë vrasjet, dhunën, korrupsionin dhe krimin e organizuar, dhe është pjesë e një strategjie më të gjerë për të adresuar problematikën e paraburgimit në vend.

“Një tjetër vendim që besoj ia vlen të nënvizohet është miratimi i projektligjit për amnistinë penale. Një akt me ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin e sistemit tonë të drejtësisë penale, por dhe në frymën e kësaj drejtësie.

Dhe ky projekt përfshin lirimin e menjëhershëm të 447 personave nga institucionet e vuajtjes së dënimit, ulje dënimi për qindra persona të tjerë, aministimin nga masat alternative të shërbimit të proves, si dhe pushimin e ndjekjes penale për vepra penale të lehta.

Është një vendim që përfaqëson përsëri e përsëri një zgjedhje të qartë politike. Ta orientojmë drejtësinë drejt veprave që paraqesin rrezik real për shoqërinë dhe të shmangim përdorimin disproporcional të forcës represive të shtetit, përmes ndëshkimit penal për raste që nuk e justifikojnë përdorimin e forcës.

Kjo natyrisht do të sjellë pastaj efekt të vetin anësor, por shumë të rëndësishëm edhe uljen e mbipopullimit në burgje, uljen e kostove, por edhe rritjen e investimeve për të rritur cilësinë e jetës në institucionet tona penitenciare.

Ligji është i qartë. Ka kufij të mirëpërcaktuar. Nuk përfshin asnjë vepër të rëndë penale, krime kundër jetës, dhunës, korrupsioni, krimi i organizuar janë të përjashtuara nga amnistia.

Dhe në ndërkohë është një hap konkret që do të pasohet nga të tjerë në raport me idenë totalisht të keqshfrytëzuar dhe të keqpërdorur të paraburgimit

Paraburgimi është një plagë në Shqipëri. Një plagë e evidentuar më së miri dhe më së qarti nga Komiteti për parandalimin e torturës i Këshillit të Europës. Një plagë me të cilën përballet çdo ditë shoqëria dhe ne jemi të vendosur që do të ndërhyjmë për ta shëruar këtë plagë me masa të tjera me atë që e kam quajtur reflektim i madh dhe për të cilin po punojmë me një sërë partneresh shumë të rëndësishëm europian për të bërë ndërhyrjet e duhura dhe pa humbur shumë kohë”, tha Rama.

Vendimi për hapjen e Tik Tok/ Rama: Kemi vendosur mekanizma të reja sigurie për mbrojtjen e fëmijëve

By: Rovena
8 February 2026 at 10:01

Kryeministri Edi Rama në podcastin “Flasim” komentoi vendimin e Këshillit të Ministrave për rihapjen e Tik Tok, pas bllokimit për gati një vit. Rama tha se ky vendim erdhi pas vendosjes së filtrave dhe mekanizmave të reja mbrojtës.

“Këtë javë doli dhe vendimi i Këshillit të Ministrave për të hequr masën e bllokimit të TikTok. Është një vendim që e pata lajmëruar kur pata shpjeguar në më shumë se një rast, jo vetëm këtu, por edhe në mediat ndërkombëtare, që për befasinë tonë të këndshme, pozitive, TikTok ishte shumë i hapur, ishte shumë aktiv në ndërtimin e një dialogu me ne, pasi ne bëmë bllokimin.

Dhe nuk është TikTok që na ka çuar në gjyq, por është ç’të të them ç‘është, kush është, dihet kush është, që na ka çuar në gjyq edhe për TikTok. Por çfarë t’i thuash! Kështu që, ajo që pata paralajmëtar ka ndodhur sepse me TikTok kemi vendosur, jo vetëm një komunikim, por kemi vendosur dhe një bazë të re dhe për këtë arsye Vendimi i Këshillit të Ministrave nuk është tërheqje, nuk është dorëzim dhe aq më pak pastaj nuk është mbyllje sysh siç është komentuar me sa më thonë, por është rezultat i një procesi serioz, rishikimi dhe i një pune konkrete adresimi real të shqetësimeve për sigurinë dhe për filtrat e nevojshëm që të ketë shumë më tepër kontroll në kuptimin e mirë të fjalës, jo censure, por kontroll mbi gjithë aktivitetin dhe mbrojtje të fëmijëve dhe më të rinjve, në radhë të parë.

Ky ishte dhe qëllimi i bllokimit, interesi publik mbrojtja e fëmijëve. Dhe kjo ishte dhe vija e dialogut dhe sot TikTok është serish i aksesueshëm sepse janë vendosur mekanizma të rinj sigurie. Ka filtra të rinj mbi përmbajtjen, ka kontrolle efektive dhe mënyra raportimi dhe trajtimi të shkeljeve që nuk ishin më parë. Kështu që kjo është e gjitha”, tha Rama.

Balluku/ Rama: Kushtetuesja nuk gjeti forcë, do e vazhdojmë këtë betejë. Për të gjithë ata që vunë buzën në gaz…

By: Rovena
8 February 2026 at 09:57

Kryeministri Edi Rama ka komentuar në podcastin e tij “Flasim” vendimin e Gjykatës Kushtetuese për lënien në fuqi të vendimit të GJKKO-së për pezullimin nga detyra të zv/kryeministren Belinda Balluku. Rama tha se kjo situatë rikthen në fuqi pezullimin e një anëtareje të qeverisë dhe përbën një precedent të rrezikshëm për demokracinë.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese dështoi të marrë një vendim të domosdoshëm për të garantuar pavarësinë e pushtetit ekzekutiv nga ai gjyqësor, duke lejuar, siç u shpreh Rama, përdorimin e një mekanizmi të paprecedentë në vendet demokratike, si pezullimi i një ministri pa nisur ende procesi gjyqësor.

Kryeministri theksoi se beteja për shtetin ligjor dhe parimet demokratike do të vijojë, duke e konsideruar këtë çështje si thelbësore për funksionimin e institucioneve dhe për rrugën europiane të Shqipërisë.

“Shënimi i fundit i ditës, por jo për nga rëndësia, është ai që lidhet me Gjykatën Kushtetuese, e cila nuk e ka gjetur dot forcën për të mos e lejuar rimarrjen peng të qeverisë së Shqipërisë me një mjet të paparë dhe të padëgjuar në botën demokratike, siç është pezullimi i një anëtari qeverie nga një prokuror dhe një gjykatës  në një seancë paraprake, pra pa filluar akoma gjyqi.

Kështu, Shqipëria bëhet për herë të dytë, në dy muaj, shembulli i parë i një budallallëku botëror sepse Gjykata Kushtetuese u mbyt me lugën e ujit të turbullt të tyre që Servantes në librin e tij të famshëm Don Kishoti i Mançës i quan arsyet e Mosarsyes.

Por fakti është që mosvendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese e kthen në fuqi pezullimin e ministers, e cila, që të jemi shumë të qartë, pavarësisht se qartësia është një luks dhe një luks i rrallë që mund ta kërkosh, por vështirë ta gjesh në turbullirën e 700 tenxhereve politike e mediatike, nuk akuzohet për korrupsion, as nga vetë prokurori që shpiku pezullimin e anëtarit të qeverisë me vendim të një seance të mbyllur të përgatitjes së një gjyqi.

Sidoqoftë, zhbërja e kësaj shpikjeje 100% “Made in Albania” e drejtësisë së re dhe e drejtësisë ende të papjekur shqiptare, e cila nuk ka lidhje me rastin dhe çështjen konkrete po me një parim të panegociueshëm të demokracisë mbetet një domosdoshmëri për të rigarantuar pavarësinë ekzekutive  të parlamentit nga pushteti gjyqësor.

Kështu që, ne do ta vazhdojmë këtë betejë, ku na thirri me pahir çartja antidemokratike e pezullimit të një anëtari qeverie dhe ku fatkeqësisht na mban akoma sot pafuqia e Gjykatës Kushtetuese për të marrë një vendim sa të thjeshtë, – është vendim shumë i thjeshtë se mjafton të marrësh shembull çdo vend të botës që do apo të gjithë vendet e botës bashkë dhe nuk do të gjesh dot një gjë të ngjashme, – por një vendim po aq dhe të nevojshëm për të mos e lënë Shqipërinë vendin e vetëm në planet, ku sot aktualisht me këtë brutalitet të rilegjitimuar nga kjo mosvendimmarrje vetë Presidenti i Republikës mund të pezullohet nga i pari prokuror që gdhihet me këtë ide në kokë.

Në ndërkohë, kam dhe diçka tjetër. Kujtdo që ka vënë buzën në gaz apo ka nxjerrë gjuhën jashtë pas mosvendimit të Kushtetueses dhe e bën hosana dhe fërkon duart me kuturisjet e modës së re të arresteve pa gjyq, të cilat arritën një kulm të ri këtë javë me 30 e kusur fletë-arresti të prera nga një prokuror në Durrës, i cili në fakt nuk paraburgosi vetëm veten e vet, – se të gjitha çfarë kishte rreth e rrotull për një çështje që nuk përmbush asnjë kusht, zero, hiç nga ato që Këshilli i Europës dhe drejtësia demokratike përcakton si kushte të domosdoshme për arrestin, – i futi në një thes, – u them një gjë, – kush beson se përpjekja e natyrshme për shtetin ligjor e të gjithëve bashkë, e jona, qeveri, parlament, drejtësi, me të gjitha të përpjetat dhe të tatëpjetat e saj, arritjet dhe lajthitjet e drejtësisë së re, do të prodhojë ndonjëherë kosto për këtë shumicë qeverisëse, të cilat do ta kthejnë në punë mullirin e prishur të opozitave, gabon ditë dhe natë sepse nuk kupton atë që e kupton shumë qartë populli shqiptar, njeriu i zakonshëm i Shqipërisë. Lufta për drejtësi, për shtet ligjor demokratik, për Shqipërinë europiane në Bashkimin Europian, ka vetëm një garant, ende sot për sot, mua dhe këtë shumicë qeverisëse. Kaq e thjeshtë është!”, tha Kryeministri Edi Rama.

Vizita në Vatikan/ Rama: Ftova Papa Leonin XIV, të vizitojë Shqipërinë

By: Rovena
8 February 2026 at 09:48

Kryeministri Edi Rama komentoi sot në podcastin e tij “Flasim” vizitën e fundit në Vatikan, duke e cilësuar si një “moment të veçantë” dhe duke dhënë lajmin e rëndësishëm për ftesën që i bëri Papës Leoni XIV për të vizituar Shqipërinë. Gjatë vizitës, Rama u ndal në Bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë, ku ruhet shëmbëlltyra e Shën Mërisë nga Shkodra e vitit 1467, një ndalesë që, siç theksoi ai, asnjë kryetar shqiptar nuk e kishte bërë më parë.

Kryeministri Rama foli gjithashtu për momentet emocionale të qëndrimit në Vatikan,  për bisedat me Papën Leonin XIV rreth Shqipërisë, rajonit dhe botës, duke e ftuar atë që të marrë pjesë në festimet për 130-vjetorin e shpalljes së Zojës së Këshillit të Mirë si mbrojtëse e Shqipërisë.

“Momenti i veçantë i kësaj jave ishte vizita në Vatikan dhe ndryshe nga vizitat e mëparshme kjo vizitë kishte brenda saj edhe një veçori tjetër të paharrueshme, ndalesën në Bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë, Regina di Albania, aty ku ruhet shëmbëlltyra e Shën Mërisë, shkëputur nga muri i kishës së vjetër të Shkodrës në vitin 1467. 

Asnjë kryetar shteti apo qeverie shqiptare nuk e kishte shkelur pragun e kësaj bazilike, kjo edhe për turpin tim, që  këtë ndalesë e kuptova si shumë të rëndësishme vetëm së fundmi.  Bazilika ka dhe një specifikë tjetër.

Ajo është një destinacion i rëndësishëm nën kujdesjen e Urdhrit agustinian që është dhe Urdhri i Papa Luanit të XIV apo të Leonit të XIV.

Nëse të mëparshmit  i thoshim Gjon Pali II, këtij do t’i themi Luani i XIV. Papa Luani i XIV apo Leoni i XIV, ndalesën e parë apo gjënë e parë që bëri pasi u zgjodh dhe pasi doli tymi i bardhë mbi Selinë e Shenjtë ishte pikërisht vizita në bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë. Dhe lutja përpara pikërisht atij imazhi të ardhur nga Shkodra.

Një tjetër moment emocionues ishte edhe qëndrimi në sallën e pritjes përpara audiencës me Papa Luanin XIV ku u ktheva mbrapa në kohë.

Në po atë sallë, në pritje të takimit të paharrueshëm me Papa Françeskun, pasi ai ishte zgjedhur Papë dhe pasi unë isha zgjedhur kryeministër, dhe prej ku, u krijua baza e një miqësie të jashtëzakonshme, e një miqësie, e cila është një ndër gjërat më të bukura të jetës time. E për këtë arsye, edhe homazhi në varrin e thjeshtë, po shumë të bukur, të Papa Françeskut, i cili u bë dhe një mik i madh i Shqipërisë, i cili e mbajti gjithmonë vendin tonë në lutjet e tij, duke përcjellë mesazhe të vazhdueshme dashurie, afërsie, respekti, mirësie për popullin shqiptar, ishte absolutisht prekës. 

Nga ana tjetër, patjetër që ishte me një peshë të veçantë, siç mund të kuptohet edhe prezantimi me Papa Luanin XIV. Një karakter, një natyrë krejt e ndryshme nga e Papa Françeskut, por një njeri me një dritë, me një mirësi të thellë, me të cilin sigurisht që folëm për Shqipërinë, folëm për rajonin, folëm për botën dhe të cilin e ftova që të jetë i pranishëm në festën e madhe të komunitetit katolik, pikërisht për 130 vjetorin e shpalljes së Zojës së Këshillit të Mirë nga Papa Luani XIII, mbrojtësja e Shqipërisë, Regina Di Albania. Nuk e di a do të jetë e mundur, por gjithsesi ftesa u bë dhe Papa u shpreh shumë i interesuar. Në dërkohë që edhe takimi me Sekretarin e Shtetit kardinalin Parolin ishte pjesë e vizitës, kënaqësi e veçantë, një njeri i rrallë, një personalitet i madh, një njohës i jashtëzakonshëm i punëve të botës dhe po ashtu një dashamirës i jashtëzakonshëm i Shqipërisë”, tha Rama.

“Kërkojnë qiqra në hell”/ Rama për pagat e gjyqtarëve: Janë vendosur në syrin e një cikloni popullor. Shqiptarët nuk e mbështesin

By: Rovena
8 February 2026 at 09:45

Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish debatin mbi kërkesën e gjyqtarëve për rritje pagash, gjatë podcastit të tij të përjavshëm “Flasim”.

Duke iu referuar zhvillimeve të javës politike, Rama theksoi se çështja e pagave të gjyqtarëve ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik, ndërsa nënvizoi se rritja e tyre nuk mund të jetë e përhershme dhe se sistemi i pagave duhet të respektojë hierarkinë shtetërore. Ai shprehu pritshmërinë që Gjykata Kushtetuese të japë një vendim përfundimtar, duke vënë “vulën” mbi këtë çështje.

“Përsëri ështja e pagave të gjyqtarëve ka qëndruar në rendin e ditës. Ka pasur shumë komente, ka pasur shumë çudira, ka pasur dhe shumë absurditete që e kanë shoqëruar këtë debat, ku për fat të keq përmes disa shoqatash, 2 shoqata gjyqtarësh dhe 1 shoqatë prokurorësh, që gjykatësit janë vetëvendosur në syrin e një cikloni popullor, në kuptimin e një pakënaqësie popullore, lidhur me kërkesën e tyre për të rritur pagat dhe këtë e tregojnë, jo vetëm të dhënat e anketimit tonë të brendshëm, që janë rreth 90% e shqiptarëve që e refuzojnë idenë që gjykatësve duhet t’u rriten pagat, madje ka një përqindje të tyre që thonë duhet të ulen pagat, gjë që është absolutisht e padrejtë, e pamundur dhe e pamenduar nga askush. Ndërkohë që vetë gjykatësit pretendojnë që ne duam t’i ulim pagat dhe më e bukura në një insistim të një arsyetimi absolutisht të pajustifikueshëm për nga shëndeti logjik, zërat që e përfaqësojnë atë kategori thonë se pagat e tyre po ulen për shkak se pagat e të tjerëve po rriten.

Domethënë, edhe një here, çfarë ne kemi bërë me reformën në drejtësi, ka qenë shprehja e një vullneti shumë të fortë edhe në drejtim të rritjes së pagave të gjyqtarëve.

U kemi dhënë atyre mesazhin që taksapaguesit shqiptarë do bëjnë një sakrificë dhe do të paguajnë ekstra për të gjithë ata ndër ju, që pasi të kalojnë procesin e vettingut, do të përballen me sfidën e madhe të pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe të ndërtimit të një ngrehine solide, bazuar mbi parimet dhe vlerat e Kushtetutës dhe të jetës demokratike, të atij pushteti në shërbim të qytetarëve dhe si garant i barazisë përpara ligjit dhe këtë bëmë, duke thyer praktikisht piramidën e pagave në çdo vend të botës. Ka një piramidë pagash, e cila fillon me Presidentin e Republikës dhe zbret. Ndërkohë që, në mënyrën më të vetëdijshme pagat e gjyqtarëve, ne i rritëm mbi të gjithë. I rritëm mbi të gjithë për ato arsye që thashë, por nuk i vendosëm mbi të gjithë me idenë që sa herë do rriten këto, do rriten dhe këto dhe që Shqipëria do t’u bëka vendi i vetëm në planet ku mbi të gjithë, dhe të gjitha është kasta e gjykatësve.

Kjo nuk mund të ndodhë dhe kjo nuk ka për të ndodhur. Të paktën jo me me mua dhe Partinë Socialiste të Shqipërisë si shumicë qeverisëse dhe jo në asnjë mënyrë, si një sfidë ndaj pushtetit gjyqësor, por si një thirrje, si një domosdoshmëri e brendshme e shtetit që të gjitha kategoritë e shërbëtorëve të tij, përfshirë dhe gjykatësit të kenë sensin e së drejtës dhe sensin e shtetit, duke mos kërkuar “qiqra në hell’ as më tepër pastaj, duke përdorur dhe gurin dhe arrën që gjykatësit kanë në dorë vetë. Kjo është shumë e thjeshtë dhe kjo është dhe arsyeja pse unë nuk kam hyrë në asnjë polemikë, me asnjë person se nuk ka asgjë personale në këtë, ndërkohë që siç ndodhi, jam sulmuar personalisht dhe është sulmuar qeveria nga autorët e deklaratës së një shoqate të gjykatësve që jam i bindur që nuk janë konsultuar me të gjithë gjykatësit për tekstin se jam i sigurtë që do t’i thoshin “Ej, po çfarë po bëni, ne jemi këtu për të kërkuar diçka për veten tonë, por nuk jemi këtu për të bërë politikë dhe për të sulmuar qeverinë e kësaj republike si të ishim parti politike”, apo jo?

Gjithësesi, mendoj që pozitive është që nuk ka pasur reagim të reagimit tim. Nuk dua të bëj polemikë, dua vetëm të them që gjykatësit nuk mund të kenë një rritje pagash të përjetshme mbi të gjithë të tjerët, dhe gjykatësit nuk mund ta rrisin pagën e tyre me 2 mijë dhe 3 mijë euro në muaj, plus nga ajo që marrin, që është më e lartë sesa ç’marrin sot të gjithë të tjerët.

Kjo nuk ka për të ndodhur! Nuk mund të ndodhi!

Nuk duhet të ndodhi dhe shpresoj që Gjykata Kushtetuese t’i vëri vulën një herë e mirë këtij debati absurd dhe këtij debati që  e dëmton në sytë e opinionit publik besueshmërinë, padrejtësisht, besueshmërinë e gjykatësve, sepse në këtë rast kemi, thashë një përfaqësi, nuk janë të gjithë, nuk është i gjithë komuniteti që është vendosur në llogore.

Ka një përfaqësi që ka vajtur në Gjykatën Kushtetuese dhe ne jemi atje palë, dhe jemi kundër fuqimisht kundër, dhe jo kundër tyre, por kundër idesë se këtu mund të jetë edhe në këtë rast, ‘alla shqiptarshe’ që s’ndodh në asnjë vend të botës. Kaq e thjeshtë është kjo!”, tha Rama.

Atentati ndaj gjeneralit në mes të Moskës, i dyshuari ekstradohet nga Dubai në Rusi

By: Rovena
8 February 2026 at 09:30

Një burrë është arrestuar dhe po ekstradohet në Rusi, i dyshuari kryesor se ka qëlluar oficerin e lartë të inteligjencës ushtarake në Moskë.

Lieutenant Gjeneral Vladimir Alexeyev u qëllua disa herëme armë zjarri pranë një pallati në kryeqytetin rus, Moskë, në atë që autoritetet e kanë cilësuar si një tentativë vrasjeje.

Ai ndodhet aktualisht në spital pas një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) njoftoi se autori i dyshuar ishte arrestuar në Dubai dhe po ekstradohet drejt Rusisë.

Hetimet për ngjarjen po vijonë, ndërsa Ukraina nuk ka bërë ende asnjë koment për sulmin ndaj gjeneralit.

Ky incident ndodh ndërsa SHBA-të po përpiqen të arrijnë një marrëveshje paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë deri në mars, pavarësisht mungesës së progresit mbi koncesionet territoriale.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se amerikanët “duan të bëjnë gjithçka deri në qershor” për të finalizuar marrëveshjen.

Ndërkohë, sulmet ruse ndaj Ukrainës kanë vijuar, pasi mbi 400 dronë dhe rreth 40 raketa u lëshuan të shtunën, 7 shkurt, duke goditur rrjetin elektrik, impiantet e prodhimit të energjisë dhe nënstacionet e shpërndarjes.

Kurbin/ Shiu rrit prurjet, hidrovorët në punë të plotë për të shmangur përmbytjet

By: Rovena
8 February 2026 at 09:10

Reshjet e dendura të shiut që përfshinë zonën e Kurbinit gjatë natës nuk kanë shkaktuar probleme me përmbytje, ndonëse intensiteti i tyre ka rritur ndjeshëm nivelin e kanaleve kulluese. Situata paraqitet më e ndjeshme në zonën e Adriatikut dhe Fushë Mamurrasit, por fatmirësisht uji nuk ka depërtuar në sipërfaqet e tokave bujqësore.

Sipas informacioneve nga strukturat vendore, dy hidrovorët në zonën e Adriatikut janë vënë në punë me kapacitet të plotë për të përballuar prurjet e ujit dhe për të shmangur rrezikun e përmbytjeve.
Kjo situatë rikthen në vëmendje përmbytjet e mëdha që përfshinë Kurbinin rreth një muaj më parë, të cilat shkaktuan dëme të konsiderueshme në bujqësi dhe në disa banesa të zonës.

Media franceze “Ulysse News”: Udhëtim në Shqipëri, nga gjiret magjike, në qytetet e gurta dhe shtigjet e qeta malore

By: Rovena
8 February 2026 at 08:53

Shqipëria nuk është më një vend i panjohur! Ajo është tashmë nën radarin e turistëve ndërkombëtarë, e lehtë për t’u arritur, dhe ende mund të duket e egër në mënyrë surprizuese, shkruan Vincent Mabire në një artikull të botuar në median franceze të udhëtimeve “Ulysse News”. Sekreti është të ngadalësoni ritmin sa duhet, për t’i dhënë vendit mundësinë të shfaqë anën e tij më të bukur , nga gjiret magjike joniane, te qytetet e gurta dhe shtigjet e qeta malore.

Nëse pyesni vizitorët pse janë dashuruar me Shqipërinë, shumica do të fillojnë me detin e saj të kristaltë. Pastaj, do të flasin për një qytet malor ku perëndimi i diellit të lë pa frymë, për një sit romak të fshehur mes pishave, ose për një vakt të shijshëm që ishte shndërruar në një bisedë të gjatë dhe të paharrueshme. Kjo është magjia e vërtetë e Shqipërisë: ajo shpërblen kuriozitetin dhe ritmin e ngadaltë, jo shpejtësinë!

Kombinoni kohën në plazh, eksplorimet kulturore dhe natyrën e gjallë, dhe do të përjetoni një udhëtim të paharrueshëm në këtë vend të mrekullueshëm. Pse Shqipëria duket si një destinacion i ri edhe pasi është bërë trend? Magjia e Shqipërisë nuk qëndron vetëm te çmimet e përballueshme!

Ajo vjen nga ndjesia se vendi ende po zbulon veten, në kohë reale, sidomos kur largohesh nga pikat më të njohura të plazhit! Në Tiranë, kjo energji ndihet menjëherë: kafenetë janë të mbushura, lagjet ndryshojnë shpejt, dhe qyteti kombinon ngjyra të guximshme me histori të freskët.

Ajo që e bën Shqipërinë të ndryshme nga shumë destinacione klasike mesdhetare është diversiteti i peizazhit. Në një udhëtim të vetëm, mund të vizitoni bregdetin e Jonit, qytetet e vjetra të listuara në UNESCO dhe në fund të përfundoni në ajër të pastër malor. Nuk keni nevojë të jeni një adhurues i historisë për të shijuar vendet kulturore të Shqipërisë.

Këto vende janë të vendosura në peizazhe magjepsëse dhe e tregojnë qartë historinë nëse lexoni secilën pllakë. Niseni turin me Butrintin dhe një nga qytetet e listuara në UNESCO. Parku Arkeologjik i Butrintit ndodhet pranë bregdetit jugor, mjaftueshëm afër për të kaluar disa ditë në plazh dhe për të rifreskuar mendjen!

Është një vend ku mund të shëtisni nëpër shumë epoka, i rrethuar nga gjelbërimi dhe uji. Gjithashtu, vizitoni Sarandën dhe zgjidhni një mjedis praktik ku mund të notoni në det, të kaloni një mëngjes kulturor dhe në mbrëmje të relaksoheni pranë bregut. Ju rekomandojmë të zbuloni qytetet e vjetra, dyshen klasike, Beratin dhe Gjirokastrën, për disa arsye të mira! Berati është i ndritshëm, i butë dhe piktoresk ndërsa Gjirokastra është shkëmbore, e pjerrët dhe emocionuese.

Të dy qytetet është më mirë të eksplorohen ngadalë, duke bërë një shëtitje pasdite vonë dhe duke shijuar një darkë të qetë në një nga restorantet aty pranë. Nëse nuk keni shumë kohë në dispozicion, zgjidhni vetëm një nga qytetet dhe zbuloni sa më shumë që të mundeni!

Një natë e vetme mund të jetë magjike, nëse arrini herët dhe shijoni një shëtitje para perëndimit të diellit.
Gjithashtu, vizitoni Durrësin, dhe zbuloni amfiteatrin romak që daton në fillim të shekullit II pas Krishtit, një monument i historisë së gjatë dhe të lashtë të qytetit bregdetar.

Vija bregdetare jugore, e njohur si Riviera Shqiptare, është vendi ku “lindin” kartolinat. Aty do të gjeni ujëra të kristalta ngjyrë bruz, rrugë buzë shkëmbinjve dhe plazhe që duken shumë të pastra për të qenë reale.

Por ka një detaj të rëndësishëm: koha. Në korrik dhe gusht, destinacionet kryesore bregdetare mund të duken të mbipopulluara.

Zgjidhja nuk është e ndërlikuar, por strategjike. Planifikoni kohën që do të shpenzoni në plazh për të shijuar momente relaksi.
Shkoni herët, dhe gjeni një vend ku ka hije dhe lëvizni për shëtitje panoramike pasi të bjerë vapa.

Qendroni larg zonave më të nxehta dhe vizitojoni ato gjatë ditës. Kështu shijoni pamjet,shmangni kaosin dhe shpesh shpenzoni më pak. Saranda është një nga destinacionet më të mira në jug, ndërsa Vlora mund të jetë një pikë e mirë orientimi për në veri, në varësi të itinerarit tuaj!

Në brendësi të Shqipërisë, udhëtimi fillon të marrë frymë. Zhurma e plazhit zëvendësohet nga lugina, lumenj dhe qytete që ecin me një ritëm tjetër.

Nëse kërkon një destinacion të lehtë dhe të qetë, ktheje vështrimin nga Liqeni i Ohrit, në lindje. Është vendi ideal për mëngjese të ngadalta, shëtitje buzë liqenit dhe një ritëm udhëtimi të butë.

Për një itinerar të fokusuar te natyra, zona e lumit Vjosë është një zgjedhje shumë e mirë, sidomos nëse të pëlqejnë hapësirat e gjera dhe ideja e një Shqipërie më të egër e më autentike.

Në skajin verior, Alpet Shqiptare ofrojnë një “wow” krejt tjetër: maja të thepisura, fshatra të vegjël dhe shtigje ecjeje që mund të kthehen në pikën kulmore të gjithë udhëtimit tuaj. Çelësi është të pranosh lëvizje më të ngadalta dhe të planifikosh më pak ndalesa. Dy ose tre netë në të njëjtën zonë malore shpesh vlejnë më shumë sesa një xhiro e shpejtë që të lë pa frymë.

Një udhëtim i paharrueshëm në Shqipëri rrallëherë ka të bëjë me të bërë sa më shumë gjëra! Ka të bëjë me krijimin e një ritmi të natyrshëm. Mbani mend se gjatë verës, vendet kulturore shijohen më së miri në mëngjes, ndërsa pasditet i përkasin detit, dhe drekave të gjata. Shqipëria ofron më të mirën e saj kur i jepni kohë të ndalet dhe t’ju prekë!

❌
❌