Vrasja e biznesmenit dhe politikanit lokal Ardian Nikulaj, i ekzekutuar me shtatë plumba në prill 2023 në Shëngjin, ishte pjesë e një zinxhiri të gjatë hakmarrjeje që, sipas gazetës britanike “The Sun”, nuk ka përfunduar ende.
Media shkruan se atentati brutal, i kryer nga një vrasës i maskuar si shpërndarës picash, lidhet me një hasmëri 30-vjeçare mes dy familjeve nga veriu i Shqipërisë, konflikt që ka marrë tetë jetë ndër vite.
“The Sun” raporton se për eliminimin e Ardian Nikulajt ishte vendosur një shpërblim prej 1.7 milionë paundësh, shumë që bëri që për herë të parë të rekrutohej një skuadër e huaj vrasësish nga Britania, pasi askush në Shqipëri nuk pranoi ta merrte kontratën.
Sipas hetimeve, atentati u planifikua me kujdes, me vëzhgim të vazhdueshëm të lëvizjeve të viktimës dhe përfshirjen e disa shtetasve britanikë, ndërsa ekzekutori u arratis jashtë vendit menjëherë pas krimit.
Familja e Ardian Nikulajt shpreh frikën se hakmarrja mund të vazhdojë, pasi vëllai i tij, Arben Nikulaj, është paralajmëruar se mbetet ende në shënjestër të armiqve.
E veja e viktimës, Rudina Nikulaj, i ka bërë thirrje autoriteteve britanike të lejojnë ekstradimin e të dyshuarve, duke theksuar se drejtësia është e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund ciklit të përgjakshëm të hakmarrjes.
“Vrasjet duhet të ndalen – ka pasur mjaft. Ne kërkojmë drejtësi për Ardianin dhe i lutemi Britanisë së Madhe të bëjë gjënë e duhur dhe t’i dërgojë këta persona këtu për t’u përballur me drejtësinë. Por gjakderdhja duhet të marrë fund. Shumë fëmijë kanë mbetur pa baba”.
Si nisi hasmëria
Hasmëria nisi në vitin 1997, kur vëllai i Ardianit, Pëllumb Nikulaj, punonte si roje sigurie në një pikë karburanti dhe u përplas me familjen Lekstakaj.
Një i ri ishte larguar pa paguar pasi kishte mbushur makinën me karburant, ndaj Pëllumbi shkoi të fliste me të atin për të kërkuar pagesën. Disa orë më vonë, një grup prej shtatë personash, të armatosur me automatik, mbërriti në pikën e karburantit dhe vrau Pëllumb Nikulajn dhe pronarin e biznesit.
Gjatë dy viteve pasuese, pati edhe tre vrasje të tjera: dy anëtarë të familjes Lekstakaj dhe një person i armatosur nga e njëjta familje, pasi ai kishte ngritur pritë ndaj xhaxhait të Pëllumbit, Nikoll Nikulaj.
Vrasja
Pas kësaj, hasmëria mbeti e heshtur për 24 vjet, derisa shpërtheu sërish në një ditë me diell në prill të vitit 2023, në resortin bregdetar të Shëngjinit. Në orën 13:23, biznesmeni dhe politikani lokal Ardian Nikulaj, 51 vjeç, u ul në një tavolinë në barin buzë detit që zotëronte, pranë hotelit Coral, të cilin e drejtonte bashkë me vëllain e tij Arbenin.
Pak sekonda pasi mori një telefonatë në celular, ai ngriti kokën dhe pa një person që dukej si korrier me motor duke hyrë në lokal. Teksa personi, i maskuar me një maskë kirurgjikale, iu afrua tavolinës së Ardianit, futi dorën në xhepin e djathtë të pantallonave dhe nxori një armë zjarri.
Duke iu afruar gjithnjë e më shumë me çdo të shtënë, ai qëlloi shtatë herë, duke e goditur biznesmenin e pambrojtur, i cili u shemb i pajetë mbi karrige. Vrasësi doli me vrap nga lokali dhe hipi në motorin që e kishte lënë të ndezur aty pranë. Më pas u drejtua nga jugu, kaloi kufirin grek dhe, sipas policisë, u arratis drejt Marokut për t’u fshehur.
Të akuzuarit
Policia beson se pamjet e kamerave tregojnë Ruben Saraiva, shtetas portugez që kishte jetuar për vite me radhë në Britani, duke u larguar nga vendi i krimit me motor. Hetuesit arritën të sigurojnë ekstradimin e Saraivës pasi e gjurmuan në Marok, dhe ai tashmë do të përballet me gjyq në Shqipëri për vrasje.
Një tjetër i dyshuar është britaniku Harry Simpson, 34 vjeç, një trafikant droge i dënuar më parë nga jugu i Londrës.
I dyshuari si organizator i atentatit është Edmond Haxhia, 40 vjeç, britaniko-shqiptar nga Birminghami, kushëri i vëllezërve të familjes që ndodhen në hasmëri me familjen e Ardian Nikulajt.
Pamjet e kamerave tregojnë gjithashtu Harriet Bridgeman dhe Steven Hunt duke u regjistruar në hotelin e Ardianit. Ata akuzohen se kanë qenë pjesë e vëzhgimit të lëvizjeve të viktimës para vrasjes.