Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 January 2026Main stream

“Ishte protesta e ndërgjegjes”/ Berisha: Dje qytetarët triumfuan në rrugët dhe sheshet e Tiranës

By: Fax Web
25 January 2026 at 12:40

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një konference për shtyp nga selia blu, një ditë pas protestës në Tiranë, deklaroi se,”dje qytetarët triumfuan në rrugët dhe sheshet e Tiranës”.

“Kjo ishte protesta e ndërgjegjes”, tha ndër të tjera Berisha.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Të dashur qytetarë dhe qytetare. Dje për tre orë kryengritësit guximtarë morën në dorë Tiranën, bulevardin, sheshet e saj.

Në një protestë të fuqishme qindra mijëra qytetarë nga Tirana dhe mbarë Shqipëria u përballën me guxim të jashtëzakonshëm për më shumë se tre orë me fallangat e krimit të narkoregjimit Edi Ramës.

Nderim të madh të gjithë atyre qytetarëve djemve, vajzave, burrave dhe grave, të moshuar, që nga Tirana dhe mbarë Shqipëria protestuan në mënyrën më të vendosur kundër rilindjes kalbësirë, kundër organizatës kriminale të Edi Ramës.

Protesta e tyre nuk kishte lidhje me ndërtesat, as dhe institucionet kushtetuese. Protesta, revolta, zemërimi i qytetarëve shqiptarë dje dhe që zjen sot në të katër anët e vendit dhe në diasporë, ka lidhje vetëm me Ramaduron, vjedhjet e tij qindra milionëshe e miliarda euro, lidhjet e tij me krimin e organizuar, kartelët e drogës.

Lidhet me Lubi Ballukun, Lindat e Ramës, ajo e AKSHIT dhe e Surrelit, Ergys Agasin dhe qeveritarët e tjerë hajdutë.

Dje regjimi u trondit nga themelet. Dje qytetarët triumfuan në rrugë dhe sheshet e Tiranës. U bënë zëri i ndërgjegjes se njerëzve të ndershëm, të cilët nuk pajtohen kurrë me një qeveri me lidhje të tmerrshme me drogën dhe krimin.

Nuk pajtohen kurrë me një qeveri që nuk del nga vullneti i tyre, por nga farsa elektorale. Nuk pajtohen kurrë me një qeveri që vjedh 97% të taksave të tyre dhe të çmendurisht të gjitha pasuritë publike.

Dje ata ishin pra vetë ndërgjegja e kombit në betejë. Ata u përcollën mesazh çdo shqiptari se nuk po luftojmë për veten tonë, se nuk po luftojmë për Sali Berishën, se nuk po luftojmë për Partinë Demokratike, as dhe parti të tjera, se po luftojmë për ndërgjegjen e njeriut, për dinjitetin njerëzor, për interesin kombëtar.

Po luftojmë dhe për ju që po na ndiqni në televizione, po luftojmë dhe për ju që mund të mos u pëlqejë protesta. Në fakt, po luftojmë dhe do luftojmë për çdo shqiptar. Kjo është veçantia e kësaj proteste.

Kjo është protesta e ndërgjegjes dhe nuk ka asgjë më të fuqishme, nuk ka asgjë më të pathyeshme, nuk ka asgjë më të pamposhtur se sa ajo që buron nga ndërgjegja e njeriut.

Protesta e opozitës, Drejtori i policisë Ilir Proda mesazh

By: Fax Web
25 January 2026 at 12:27

Mesazh falënderimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda

Të nderuar drejtues dhe punonjës të Policisë së Shtetit,

Ju falënderoj për profesionalizmin, përmbajtjen dhe përkushtimin e treguar gjatë angazhimit tuaj në garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë protestës.

Pavarësisht akteve të shumta të dhunës, me bomba molotov, lëndë piroteknike e sende të forta, ju demonstruat standarde të larta profesionale, respekt për ligjin dhe përgjegjësi institucionale.

Uroj shërim të shpejtë për 11 punonjësit e dëmtuar gjatë detyrës dhe i siguroj ata për mbështetjen e plotë të institucionit.

Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë drejtuesit, për lidershipin, koordinimin dhe menaxhimin profesional të situatës.

Mirënjohje për çdo efektiv të Policisë së angazhuar.

Drejtues Madhor Ilir Proda
Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit

AGJENDA/ Rama nis nesër vizitën në Izrael, fjalim në Knesset. Shoqërohet edhe nga bashkëshortja

By: Fax Web
25 January 2026 at 12:08

Kryeministri Edi Rama, do të zhvillojë një vizitë pune në Jeruzalem, Izrael, më 25–27 janar, me rastin e pjesëmarrjes së tij në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit.

Në këtë vizitë, Kryeministri shoqërohet nga delegacioni shqiptar dhe bashkëshortja e tij, znj.Linda Rama.

AGJENDA

Ditën e hënë, më 26 janar, ora 11:00 – 12:30 Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim kokë më kokë me Kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili do të pasohet nga takimimes dy delegacioneve, në përfundim të të cilit do të ketë edhe deklaratë për shtyp.

Paralelisht, znj. Linda Rama, në shoqërinë e znj. Herzog, bashkëshortes së Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog, do të zhvillojë një vizitë në Bibliotekën Kombëtare.

Në orën 14:00, Kryeministri Rama, i shoqëruar nga znj. Linda Rama, do të mbërrijë në Knesset “Plaza”, Parlamenti i Izraelit, ku do të pritet me një ceremoni të posaçme shtetërore nga Kryetari i Knessetit. Ceremonia përfshin rojet e nderit, ekzekutimin e himneve kombëtare, si dhe vendosjen e kurorave në monumentin e ushtarëve të rënë dhe në monumentin e viktimave të terrorit.

Më pas, Kryeministri Rama do të firmosë Librin e Përshtypjeve në Hollin Shagall.

Në orën 14:30, Kryeministri Rama dhe delegacioni shqiptar do të zhvillojnë një takim me Kryetarin e Knessetit, z. Amir Ohana.

Në orën 16:15, do të nisë seanca plenare speciale e Knessetit, e shoqëruar nga hyrja ceremoniale në sallë. Gjatë kësaj seance do të mbajnë fjalën Kryetari i Knessetit, z. Amir Ohana, Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, Lideri i Opozitës, Yair Lapid, si dhe Kryeministri Edi Rama, i cili do t’i drejtohet Parlamentit të Izraelit me një fjalim historik sipas protokollit të posaçëm që Knesseti u ka rezervuar një numri të kufizuar udhëheqësish të huaj dhe së fundmi Presidentit të SHBA, Donald J. Trump.

Në orën 17:15, do të zhvillohet një pritje zyrtare në nder të Kryeministrit Rama, me pjesëmarrjen e ambasadorëve dhe të ftuarve të posaçëm, në Jerusalem Hall të Knessetit.

Ndërsa, znj. Linda Rama do të ketë një takim të veçantë me gratë parlamentare.

Më 27 janar, Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, ku do të mbajë një fjalë, në praninë e Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog.

Gjatë qëndrimit në Jeruzalem, Kryeministri Rama do të kryejë gjithashtu vizita simbolike në Western Wall (Muri i Lotëve) dhe në Kishën e Varrit të Krishtit.

Bllokohet edhe qarkullimi nga pikat kufitare të Maqedonisë së Veriut

By: Fax Web
25 January 2026 at 11:52

Për shkak të një proteste që pritet të zhvillohet në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, nga një shoqatë e transportit të mallrave, do të ketë bllokim të përkohshëm të lëvizjes së mallrave në hyrje dhe dalje në pikat kufitare që lidhin Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut.

Mësohet se “duke filluar nga ora 00:01 e datës 26.01.2026, do të bllokohet hyrja e mjeteve transportuese të mallrave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ndërsa nga ora 12:00 e së njëjtës datë do të bllokohet edhe dalja nga territori i saj”.

Autoritetet thanë se nga ky bllokim do të përjashtohen mjetet e tonazhit të rëndë që transportojnë medikamente mjekësore ose bagëti, të cilat do të lejohen të qarkullojnë normalisht.

Po ashtu, lëvizja e automjeteve të udhëtarëve nuk do të preket dhe do të vijojë pa kufizime.

Autoritetet u bëjnë thirrje subjekteve të transportit dhe qytetarëve të informohen dhe të marrin masat e nevojshme për të shmangur vonesat dhe problematikat gjatë kësaj periudhe.

LEXO EDHEShoqata e Kamionistëve të Malit të Zi në protestë/ Prej së hënës ndalohet për 48 orë qarkullimi i kamionëve

VIDEO-Furnizonin me kokainë disa grupe në Tiranë, 3 të arrestuar/ Sekuestrohen mbi 120 mijë euro, armë dhe drogë

By: Fax Web
25 January 2026 at 11:35

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Cargo 2”, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme, kundër shitjes të lëndëve narkotike.

Specialistët e Seksionit të Hetimit të Narkotikëve, në vijim të operacioneve policore kundër veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, pas një pune të mirëorganizuar organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Cargo 2”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– Elvi Meta, 26 vjeç, Igli Canaj, 33 vjeç dhe Alban Kopaçi, 32 vjeç, banues në Tiranë.

Në Unazë të Madhe, në afërsi të rrethrrotullimit të Tegut, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin tip “Escalade” me drejtues shtetasin A. K. dhe pasagjerë shtetasit E. M, dhe I. C. Gjatë kontrollit në automjet është gjetur një pako me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë 1 kg e 36.6 gramë.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë dhe më pas furnizonin disa grupe shpërndarësish, në zona të ndryshme të Tiranës.

Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit A. K, shërbimet e Policisë gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjahu, municion luftarak, 121 000 euro, 60 milion lekë, 5000 paund të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale sëbashku me lëndën narkotike, automjetin dhe 5 aparate celular.

Materialet proceduale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Shoqata e Kamionistëve të Malit të Zi në protestë/ Prej së hënës ndalohet për 48 orë qarkullimi i kamionëve

By: Fax Web
25 January 2026 at 11:31

Autoritetet malazeze njoftojnë se qarkullimi i kamionëve në pikat kufitare me Malin e Zi do të ndalohet prej së hënës për shkak të protestës që do të mbajë Shoqata e Kamionistëve.

Protesta do të mbahet të hënën (26 janar) në orën 11:30 dhe parashikohet të zgjasë rreth 48 orë. Qarkullimi do të lejohet vetëm për automjetet e vogla, të emergjencës dhe transportit të pasagjerëve.

Njoftimi:

Autoritetet malazeze kanë njoftuar se më datë 26.01.2026, duke nisur nga ora 11:30, për një periudhë 48-orëshe, Shoqata e Kamionistëve të Republikës së Malit të Zi do të zhvillojë një protestë.

Për arsye sigurie dhe për të shmangur bllokimin e rrugëve apo incidente të mundshme, nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë, nga Shqipëria në Malin e Zi, deri në përfundim të protestës.

Në akset rrugore që të çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Republikën e Malit të Zi, do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet e vogla, automjetet e emergjencës, autobusët dhe mjetet e transportit të pasagjerëve. 

Policia Kufitare kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve të tonazhit të rëndë, për respektimin e periudhës së kufizimit të lëvizjes, me qëllim shmangien e bllokimit të rrugëve apo të incidenteve të mundshme.

Protesta e opozitës/ 18 në pranga! Nën hetim edhe deputetë të PD, mes tyre Gazment Bardhi

By: Fax Web
25 January 2026 at 10:57

Pas protestës së djeshme, sipas policisë, 37 persona janë nën akuzë, nga të cilët 18 të arrestuar, 2 në kërkim dhe 17 nën procedim.

Nën hetim janë edhe 3 deputetë të opozitës, Gazment Bardhi, kreu i grupit parlamentar të PD, Luçiano Boçi dhe Klevis Balliu.

Gjithashtu nën procedim është edhe Sekretari Organizativ i PD-së, Ervin Minarolli.

18 persona kanë përfunduar në pranga pas incidenteve në protestën e djeshme të opozitës, 24 janar.

Siç njofton Policia, në total janë identifikuar 37 persona që kanë hedhur lëndë djegëse dhe kanë kundërshtuar e goditur efektivët. 17 prej tyre janë proceduar penalisht, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

“Si rezultat i veprimeve hetimore, u identifikuan 37 shtetas që kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit. Në vijim:
-u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. L., 19 vjeç, A. Ll., 26 vjeç, A. L., 24 vjeç, A. M., 30 vjeç, T. K., 25 vjeç, E. Sh., 24 vjeç, S. S., 21 vjeç, E. M., 30 vjeç, A. T., 50 vjeç, R. H., 24 vjeç, B. S., 48 vjeç, E. H., 22 vjeç, A. T., 47 vjeç, L. Xh., 26 vjeç, B. B., 48 vjeç, E. H., 40 vjeç, R. B., 40 vjeç dhe H. C., 20 vjeç;
-nisi procedimi penal për shtetasit:B. N, E. V, A. P, K. K., F. P, M. K, D. B, R. K, A. Z, R. T, dhe 3 të mitur, u shpallën në kërkim shtetasit S. D dhe E. Ll”, njoftojnë blutë e Tiranës.

Është proceduar penalisht Sekretari organizativ i Partisë Demokratike, Ervin Minarolli. Po ashtu, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi dhe demokratët Klevis Balliu e Luçiano Boçi. Këta të fundit për veprën penale të “kundërshtimit të punonjësve të policisë”.

“Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. M., me detyrë sekretar organizativ i subjektit politik Partia Demokratike, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” si dhe shtetasit L. B, K. B dhe G. B, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, thotë Policia.

Mësohet po ashtu se 11 policët e lënduar janë jashtë rrezikut për jetën.

Protesta e dytë kombëtare e PD-së u shoqërua me mjaft tensione. Protestuesit hodhën molotovë e lëndë të tjera piroteknike drejt godinës së Këshillit të Ministrave, aq sa u desh ndërhyrja e forcave policore dhe autobotët me ujë për t’i shpërndarë.

Për këtë tubim që zgjati rreth 3 orë, ka reaguar ashpër edhe kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama. Sipas tij, PD e ka kthyer në normë ushtrimin e dhunës dhe si pjesë të pandarë të aktivitetit të saj politik. Kryedemokratin Sali Berisha e ka quajtur “plak i lajthitur”.

Fatura e rëndë e përmbytjeve në vend, ekspertët: Dëmi në bujqësi deri në 30 miliardë lekë

By: Fax Web
25 January 2026 at 10:51

Me rreth 12 mijë hektarë tokë të përmbytur, vlera e dëmit në bujqësi nga prodhimi me shumicë te çmimet e tregut varion nga 14 deri në 30 miliardë lekë (300 milionë euro), sipas vlerësimeve paraprake të ekspertëve.

Të dhënat e posaçme nga burimet brenda Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se përmbytjet e fundit në nivel kombëtar kanë dëmtuar rreth 3,598 hektarë drithëra, foragjere rreth 3,148 hektarë, kultura të tjera bujqësore rreth 4,151 hektarë perime dhe luleshtrydhe 480 hektarë, kryesisht në serra, ndërsa pemë frutore, vreshta dhe ullinj, rreth 790 hektarë. Mbi 1570 banesa janë dëmtuar dhe infrastruktura e transportit ka pësuar shumë dëme. Si po rritet fatura nga mungesa e përgjegjësisë institucionale për të frenuar kostot nga ndryshimi i motit

Dy hektarë serra të shkatërruara. Rreth 40 mijë euro investime të humbura dhe mbi 100 mijë euro mall që nuk do të dalë kurrë në treg është fatura e fermës me serra perimesh të Mirlind Saraçit në Kosovë të Vogël të Lushnjës.

Përmbytjet e ditëve të fundit i kanë shkaktuar dëme rreth 150 mijë euro, për rikuperimin e të cilave duhen vite punë, pasi uji dhe llumi kanë prishur edhe cilësinë tokës dhe ndikojnë negativisht për mbjelljet e ardhshme.

Zhgënjimi i tij shkon përtej dëmit material. Pas 15 vitesh emigracion në Itali, ai u kthye në Shqipëri rreth 12 vite më parë, me bindjen se përvoja dhe kursimet do të mjaftonin për të ndërtuar një fermë funksionale. Sot, kthimin e quan “gabimin e jetës”, jo sepse bujqësia nuk funksionon, por sepse rreziku mbetet i pambuluar dhe përgjegjësia shpesh mbetet pa adresë.

Shqetësimi i Mirlindit nuk është vetëm me motin ekstrem, por edhe me funksionimin e shtetit. “Askush nuk njofton? As për reshjet e pritshme, as për hapjen e portave të HEC-eve”. Mirlindi thotë se nuk pati asnjë paralajmërim për hapjen e portave të digës.

Humbja nuk erdhi nga mungesa e informacionit dhe e koordinimit, që në zona të tilla shpesh rezulton po aq shkatërruese sa vetë përmbytja.

Historia e Mirlindit është e qindra fermerëve në zonë. Gentian Ziu, fermer nga Samatica e Beratit, thotë se dëmet janë përhapur në disa fshatra dhe përfshijnë serra, kultura në fushë dhe pemëtore, ndërsa një bilanc i saktë financiar mbetet ende i pamundur.

Në Samaticë, sipas tij, janë dëmtuar rreth 8 hektarë serra të sapombjella, ndërsa 3.5 hektarë lakër, gati për treg, janë shkatërruar plotësisht. Krahas tyre, dëme të konsiderueshme janë raportuar edhe në pemëtore, ku pjeshka, ulliri, mandarinat dhe portokajtë janë prekur në shkallë të ndryshme, pa mundësi për të dhënë ende një shifër përfundimtare. “Janë shumë”, thotë ai, duke theksuar se situata në terren ndryshon nga dita në ditë.

Në të gjithë Beratin, panorama është po aq e rëndë. “Dëmet në serra janë të pallogaritshme”, shprehet z. Ziu, duke shtuar se fermerët janë përballur jo vetëm me përmbytjet, por edhe me ngrica, me temperatura që kanë zbritur deri në minus 5 gradë. “Problem me ngricat, problem me përmbytjet”, përmbledh ai situatën, duke e cilësuar si një goditje të dyfishtë për prodhimin bujqësor.

Ilir Pilku, analist i të dhënave mbi bujqësinë, tha së dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e fundit në bujqësi janë rreth 150 milionë euro vetëm për prodhuesit. Ai e ka bërë këtë përllogaritje bazuar në sipërfaqen e përmbytur dhe llojet e kulturave të mbjella me çmimet e tyre të prodhimit.

Duke përllogaritur vlerën në tregun me pakicë dhe eksport, humbjet dyfishohen në 30 miliardë lekë dhe shpërndahen në të gjithë zinxhirin e bujqësisë nga fermeri, qendra e grumbullimit, eksporti dhe konsumatorët, të cilët do të paguajnë çmime më të larta dhe të investimeve të humbura në serra.

Ruzhdi Koni, i cili eksporton fruta dhe perime të freskëta nga serrat, me kompaninë e tij “Agrokoni”, tha se, përmbytjet kanë dëmtuar rëndë fermat e specializuara për eksport që janë të përqendruara në zonën e Beratit, Lushnjës dhe Fierit. Zoti Koni parashikon se këto dëme kanë efekte të gjëra në ekonomi dhe pritet të ndikojnë në uljen e eksporteve deri në 30%.

Përveç të mbjellave, dëme janë krijuar edhe në blegtori, në ushqimin e kafshëve, shpendë dhe pemëtari, banesa, rrugë dhe infrastruktura të tjera.

Fondet që qeveria ka në dispozicion nëpërmjet emergjencave civile nuk plotësojnë as 5% të dëmeve të deklaruara deri më tani në bazë të sipërfaqes së përmbytur.

Kryeministri Rama tha se fermerët do të dëmshpërblehen nga përmbytjet e fundit, por Ministria e Bujqësisë ende nuk e ka një faturë finale rreth dëmeve, kostove, pasi të dhënat janë në përditësim.

Në Shqipëri, humbjet për shkak të klimës përballohen tërësisht nga fermerët pasi nuk funksionojnë skemat e sigurimeve, teksa qeveria jonë ofron mbështetje shumë të ulët për prodhuesit e cila nuk mjafton as në kohë normale për kostot e larta që përballet sektori.

Kulturat e dëmtuara në 12 mijë ha sipas qarqeve, 5791 fermerë të prekur

 

Për momentin nuk ka një vlerësim zyrtar kombëtar total për humbjet monetare, por sipas të dhënave nga operativë nga dikasteri i Bujqësisë, deri më datë 16 janar reshjet, përmbytjet dhe ngricat e janarit kanë prekur rreth 5,791 fermerë dhe rreth 12,172 hektarë sipërfaqe bujqësore, si dhe 5,551 krerë bagëti dhe 147 koshere bletësh. Të dhënat janë provizore dhe pritet të përditësohen.

Në Fier janë dëmtuar gjerësisht perimet 151 ha, drithërat 1,250 ha dhe foragjeret 1,700 ha. Janë raportuar edhe dëme shumë të mëdha në pemë frutore (rreth 300,000 rrënjë), si dhe sipërfaqe me vreshta dhe ullinj. Fieri është një nga qarqet me goditjen më të fortë në bujqësi.

Qarku i Beratit ka dëme të shpërndara në disa kultura – 247 ha drithëra, 368 ha foragjere, 270 ha kultura të tjera dhe 192 ha pemë frutore.

Korça ka një nga sipërfaqet më të mëdha të prekura me drithëra 1,360 ha dhe foragjere 415 ha, duke u renditur ndër qarqet më të goditura për këto kultura.

Në Gjirokastër, dëmet janë më të kufizuara me rreth 85 ha drithëra, 9 ha foragjere, si dhe dëme në pemë frutore 5,700 rrënjë dhe vreshta 24,000 rrënjë.

Në Vlorë janë prekur kryesisht drithërat 80 ha, foragjeret (25 ha) dhe një sipërfaqe e vogël me perime 2 ha, si dhe pemë frutore 12,000 rrënjë.

Në Elbasan janë raportuar dëme më të kufizuara 36 ha drithëra, 23 ha foragjere, si dhe dëme në pemë frutore 1,600 rrënjë dhe vreshta 280 rrënjë.

Në Shkodër dhe Lezhë dëmet janë përqendruar kryesisht në drithëra, foragjere dhe perime dimërore, për shkak të përmbytjeve. Shumë sipërfaqe kanë qenë nën ujë për disa ditë, duke rritur rrezikun e humbjes së prodhimit.

Në Tiranë dhe Durrës janë dëmtuar drithëra, foragjere dhe perime, si dhe pemë frutore dhe vreshta.

Në disa zona të Durrësit, dëmi ka arritur deri në 96% për disa kultura.

Një nivel kombëtar, drithërat janë dëmtuar në rreth 3,598 ha, foragjeret rreth 3,148 ha, kultura të tjera bujqësore rreth 4,151 ha, perime dhe luleshtrydhe rreth 480 hektarë, kryesisht në serra, ndërsa pemë frutore, vreshta dhe ullinj, rreth 790 hektarë.

Blegtoria, 5551 krerë të prekur

 

Përmbytjet dhe ngricat e janarit 2026 kanë goditur rëndë jo vetëm kulturat bujqësore, por edhe blegtorinë dhe bletarinë. Drithërat, foragjeret dhe pemëtaria janë ndër sektorët më të prekur, ndërsa në blegtori, problemi kryesor mbetet humbja e ushqimit dhe dëmtimi i stallave.

Në bletari, dëmet janë më të kufizuara në numër, por me ndikim të madh ekonomik për fermerët e vegjël. Situata mbetet dinamike dhe pritet që shifrat të rishikohen me raportime të reja nga terreni.

Të dhëna operative nga Ministria e Bujqësisë, tregojnë se janë raportuar edhe dëme në blegtori, me rreth 5,551 krerë të prekur në rang vendi. Dëmet përfshijnë humbje të pjesshme të bagëtive nga përmbytjet ose shembja e stallave në disa zona.

Dëmtim të bazës ushqimore për bagëtinë, sidomos në qarqet ku janë përmbytur foragjeret dhe drithërat (si Fier, Korçë, Berat, Lezhë dhe Shkodër) dhe rrezik për shëndetin e gjësë së gjallë nga lagështia, të ftohtit dhe mungesa e ushqimit.

Gjithashtu, në rang vendi, janë raportuar 147 koshere të dëmtuara. Dëmet në bletari lidhen kryesisht me përmbytjen e zonave ku ndodheshin kosheret, si dhe të ftohtin dhe ngricat, që dobësojnë kolonitë e bletëve.

Nga prodhimi në treg, 14-30 miliardë lekë dëm në bujqësi

 

Duke e bazuar në sipërfaqet dhe llojet e prodhimeve të dëmtuara dëmet financiare për prodhuesit, duke përfshirë xhiron e humbur nga prodhimet që nuk arritën të dalin në treg dhe humbjet e mundshme në eksport, luhaten nga 14 deri në 30 miliardë lekë, sipas vlerësimeve paraprake.

Në nivele specifike drithërat, të kultivuara në 3 598 hektarë, kanë humbur vlera që llogariten nga 2.88 deri në 4.32 miliardë lekë.

Foragjeret, në 3 148 hektarë tokë, përbëjnë një humbje prej 1.57 deri në 3.15 miliardë lekë. Në rastin e kultivimeve të tjera bujqësore, që zënë 4 151 hektarë, dëmet llogariten nga 3.32 deri në 6.23 miliardë lekë.

Humbjet për perimet dhe luleshtrydhet, kryesisht në 480 hektarë serrash intensive, arrijnë 4.8 deri në 12 miliardë lekë, ndërsa pemët frutore, vreshtat dhe ullinjtë, që zënë 790 hektarë, përfaqësojnë një humbje prej 1.58 deri në 3.95 miliardë lekë.

Ekspertët kanë kategorizuar sipërfaqet e dëmtuara sipas kulturës dhe kanë përdorur rendimentet mesatare për hektar, të dhëna nga statistikat e Ministrisë së Bujqësisë dhe nga përvojat konkrete të fermerëve.

Për drithërat dhe foragjeret janë përdorur rendimente relativisht të ulëta, ndërsa perimet intensive dhe serrat japin fitime shumë herë më të larta. Humbja për secilën kategori është llogaritur duke shumëzuar sipërfaqen e dëmtuar me xhiron bruto mesatare për hektar, duke marrë parasysh një gamë skenarësh nga pesimistë deri tek optimistë.

Humbjet për fermerët prodhues përllogariten deri në 140-150 milionë euro, por vlera në treg e këtyre prodhimeve është rreth 300 milionë euro, duke përfshirë edhe produktet që nuk arritën të shiteshin dhe të ardhurat e humbura nga eksporti.

Një hektar serrash që nuk ka mundur të dalë në treg përkthehet në dhjetëra milionë lekë të humbura, ndërsa humbjet në drithëra dhe foragjeret ndikojnë në furnizimin e bagëtisë dhe zinxhirin e ushqimit.

Në blegtori dhe në bujqësi, dëmet variojnë nga 280-570 milionë lekë. Për të vlerësuar humbjen ekonomike, është përdorur një metodë e bazuar në praktikën e përditshme të fermave dhe të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë.

Çdo krerë ka një kosto mesatare prej 50 000 deri 100 000 lekësh për një sezon për ushqimin dhe shërbimin. Bazuar në këtë vlerësim, dëmet nga bagëtia arrijnë në total rreth 280–570 milionë lekë, duke reflektuar humbjet për fermerët dhe investimet e shpenzuara për përkujdesjen e kafshëve. Në bletari, situata është më e kufizuar në numër, por me ndikim të madh ekonomik për fermerët e vegjël.

Janë raportuar 147 koshere të dëmtuara, kryesisht nga përmbytjet dhe ngricat që dobësuan kolonitë e bletëve dhe shkatërruan prodhimin e mjaltit. Vlera mesatare e një koshere është llogaritur rreth 50 000–100 000 lekë, duke dhënë një humbje totale për bletarinë prej rreth 7–15 milionë lekë.

Por sipas ekspertëve, humbjet shkojnë përtej familjeve fermere, pasi ato godasin tregjet e grumbullimit, përpunimit dhe eksportit, duke ulur sasinë e mallrave në treg dhe duke rritur presionin mbi çmimet e brendshme.

Çdo hektar i dëmtuar është mijëra kilogramë perimesh, drithërash dhe frutash që nuk arrijnë në treg, një kosto që ndikon në ekonominë kombëtare dhe në sigurimin e ushqimit për qytetarët.

Miliona të tjera dëme, nga rrugët te shtëpitë

 

Përmbytjet e janarit 2026 nuk shkatërruan vetëm tokën bujqësore dhe fermat, por kanë përfshirë edhe komunitetet urbane dhe infrastrukturën e vendit, duke nxjerrë në pah dobësitë strukturore të menaxhimit të ujit dhe planifikimit urban në Shqipëri.

Sipas raportimeve nga emergjencat civile të paktën 1 587 banesa janë përmbytur në të gjithë vendin, ndërsa mijëra të tjera janë ndikuar nga ujërat që kanë hyrë brenda shtëpive, kanë dëmtuar mobilie, pajisje dhe infrastrukturë të brendshme.

Në disa zona, banorët raportojnë dëme që tejkalojnë dhjetëra miliona lekë për familje, me pajisje shtëpiake, mobilie dhe struktura të brendshme të papërdorshme pasi uji ka depërtuar thellë në hapësirat jetësore.

Këto humbje, të shpërndara në mijëra shtëpi, përbëjnë një ngarkesë të rëndë financiare për familjet e prekura dhe tregojnë një pamje të qartë se sa i cenueshëm është strehimi vendas ndaj motit ekstrem dhe mungesës së sistemeve efektive të parandalimit të përmbytjeve.

Në anën tjetër, rrjetet e transportit, arteriet që lidhin qytetet dhe fshatrat u goditën në mënyrë të konsiderueshme. Rrugët kryesore u bllokuan për shkak të ujit dhe rrëshqitjeve, duke shkaktuar ndërprerje të qarkullimit dhe izolim të disa komuniteteve rurale. Janë raportuar edhe shembje të pjesshme të segmenteve të rrugëve dhe dëmtime të mbikalimeve.

Ekspertët kanë përllogaritur se vetëm shkatërrimi dhe riparimi i segmenteve rrugore kryesore mund të arrijë dhjetëra deri në qindra milionë euro në një vit normal, për shkak të nevojës për rivendosje të shtresave rrugore, urave etj.

Eksportet e frutave dhe zarzavateve pritet të bien me 20-30%

Eksportet frutave dhe perimeve arritën një vlerë prej 19 miliardë lekësh në 11-mujorin e vitit 2025, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, por për të gjithë vitin 2025, vlera e tyre pritet të kalojë mbi 210 milionë euro.

Eksportuesit paralajmërojnë se dëmet e shkaktuara nga përmbytjet dhe ngricat në serrat e vendit mund të ulin volumin e prodhimit që shkon në tregjet ndërkombëtare deri në 10–30%, duke çuar në një humbje të pritshme në vlerë midis 21 dhe 63 milionë eurosh të vlerës së eksporteve bujqësore, grupi më i qëndrueshëm në rritje, si në volum dhe në vlerë, në vitin 2025.

Ruzhdi Koni, eksportues i njohur, nënvizon se “serrat e specializuara për eksport janë goditur rëndë dhe një pjesë e konsiderueshme e prodhimit nuk mund të shkojë në eksport. Kjo do të ndikojë menjëherë në marrëdhëniet tona me partnerët dhe në planifikimin për sezonet e ardhshme”.

Përtej humbjes direkte të volumit të eksportit, prodhuesit përballen edhe me shpenzime shtesë për riparimin e serrave dhe për sigurimin e cilësisë së perimeve që mbeten, duke rritur presionin financiar mbi fermerët.

Humbja e një pjese të konsiderueshme të eksporteve nuk është vetëm një sfidë për bizneset, por ka edhe efekt zinxhir mbi ekonominë kombëtare, duke ndikuar në punësimin rural, stabilitetin e çmimeve dhe konkurrencën e Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare.

Ekspertët e sektorit bujqësor dhe përfaqësuesit e fermerëve këmbëngulin se duhet një qasje e integruar, që përfshin investime në infrastrukturën e serrave, sisteme paralajmëruese dhe siguri klimatike, si dhe mbështetje financiare për eksportuesit që përballen me humbje të papritura.

Pa këto ndërhyrje, vlerat e eksportit që u deshën të shënonin rritje të qëndrueshme rrezikojnë të tkurren, duke e kthyer progresin e arritur në sektorin bujqësor në një fitim të pasigurt dhe të cenueshëm ndaj kapriçiove të natyrës./Monitor

Shkrumbohet lokali në Durrës, ja çfarë dyshohet

By: Fax Web
25 January 2026 at 10:22

Një zjarr përfshiu në orët e vona të natës një lokal pranë urës së Dajlanit në Durrës.

Lokali nuk ishte në funksion dhe fatmirësisht nuk pati të lënduar.

Zjarrfikësit që mbërritën në vendngjarje, shuan flakët, duke parandaluar përhapjen e zjarrit.

Paraprakisht, sipas burimeve nga shërbimi zjarrfikës, dyshohet se shkak ka qenë një shkëndijë elektrike, në lokalin që prej kohësh ishte i mbyllur. Ajo i dha flakën materialeve brenda, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Reagimi i Ramës për protestën, Bardhi: Koha e kryeministrit të korrupsionit dhe karteleve të drogës ka skaduar

By: Fax Web
25 January 2026 at 10:07

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, në një postim në rrjetet sociale shkruan se askund në Europë një kryeministër nuk mbron korrupsionin dhe nuk i përgjigjet qytetarëve me dhunë shtetërore.

Sipas tij, Edi Rama është një kryeministër i skaduar, i cili mbrëmjen e kaluar reagoi ndaj protestuesve si çdo regjim i korruptuar që ka humbur kontrollin: me gaz lotsjellës të skaduar, ujë me piper dhe dhunë policore.

Reagimi i Bardhit:

Askund në Europë Kryeministri nuk mbron korrupsionin

Edi Rama është një kryeministër i skaduar dhe mbrëmë reagoi kundër protestuesve si çdo regjim i korruptuar që ka humbur kontrollin: me dhunë shtetërore, gaz lotsjellës të skaduar dhe ujë me piper.

Kudo në Europë, kur një kryeministër kapet në skandale dhe i përgjigjet qytetarëve me dhunë, ai nuk qeveris më. Ai largohet. Nuk fshihet pas propagandës. Nuk kriminalizon opozitën. Nuk dhunon qytetarët.

Askund në Europë, Kryeministri nuk shndërrohet në avokat të korrupsionit, siç po bën Edi Rama me Belinda Ballukun. Kur zëvendëskryeministrja implikohet në korrupsion, hetohet dhe merret e pandehur.

Askund në Europë, një kryeministër nuk paracakton tenderat.

Askund në Europë, një kryeministër nuk cakton një koordinator mes qeverisë dhe krimit të organizuar, siç ka bërë Edi Rama me Ergys Agasin.

Askund në Europë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nuk emërohet nga koordinatori i krimit të qeverisë.

Askund në Europë, kryeministri nuk sulmon drejtësinë për të mbrojtur korrupsionin e vet, të familjes së vet dhe të bashkëpunëtorëve të vet më të ngushtë!

Po, kudo në botë, regjimet e korruptuara dhe diktaturat reagojnë me dhunë ndaj protestuesve. Ky është Edi Rama! Sepse vetëm regjimet e kalbura reagojnë me dhunë ndaj protestave.

As gazi i skaduar, as uji me piper nuk do ta mbrojnë më.

Koha e kryeministrit të korrupsionit dhe e karteleve të drogës ka skaduar.

Reagimi i Ramës për protestën:

“Ka në Europë protestues, anarkistë, ekologjistë, ekstremistë të djathtë a të majtë, studentë, anti-globalistë, tifozë huliganë, grupime lloj-lloj që dalin në rrugë për arsyet e tyre, maskohen, armatosen me molotovë dhe thyejnë e djegin, duke plagosur punonjës policie e shkatërruar prona… Po qysh nga koha e partive famëkëqia të 100 vjetëve më parë në Gjermani e Itali, ka vetëm një parti parlamentare në Europë, që të ketë në programin e aktivitetit të saj si pjesë të pandarë të ekzistencës së vet qysh nga lindja, ushtrimin e dhunës, shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj godinave të institucioneve, deri edhe ndaj godinës së vet, mobilizimin e paramilitarëve, të cilët deri dje ishin çeta e liderit shpirtëror, kurse tanimë janë thjesht mercenarë të rekrutuar me lekë nga rrugaçët e lagjeve, që veshin maska apo fshehin fytyrën pas tabelave për të mbaruar punë me hedhjen e molotovëve pa u identifikuar nga kamerat! Tanimë këto farë protestash me pisllëkun që krijojnë në bulevard, ngjajnë si jashtëderdhja në rrugë e plakut të lajthitur që i organizon… Degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm! Të shkuara punonjësve të policisë që u plagosën e lënduan nga kjo lukuni e verbër”.

Protesta e PD, reagon ashpër UGSH: Policia dhunoi të drejtat e gazetarëve, i shndërroi në reporterë që lotojnë për shkak të detyrës

By: Fax Web
25 January 2026 at 10:04

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar ashpër pas përdorimit të gazit lotsjellës të skaduar në protestën e zhvilluar një ditë më parë nga opozita, para Kryeministrisë.

Në reagimin e bërë UGSH shpreh shqetësim për gjendjen e shkaktuar ndaj qyetarëve dhe gazetarëve, duke e cilësuar një akt të rëndë duke kërkuar reagimin e menjëhershëm.

USGH deklaron se gazetarëve iu është dhunuar e drejta, ndërsa bën thirrje për hetime dhe vendosjen e autorëve para përgjegjësisë.

REAGIMI:

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë është i tronditur nga episodet dhe imazhet e publikuara prej operatorëve dhe reporterëve të mediave, në mbyllje të protestës kombëtare të thirrur nga opozita politike e vendit, në mbrëmjen e sotme në bulevardin e madh të kryeqytetit.

Në sekuencat e publikuara, shfaqen reporterë dhe punonjës të mediave të përlotur dhe me vështirësi në frymëmarrje. Sipas reporterëve, kjo gjendje e rëndë e tyre është shkaktuar nga përdorimi i tymueseve lotsjellëse nga Policia e Shtetit, në përpjekjen për të shpërndarë masat e protestuesve.

Ky akt i rëndë ka ndodhur pikërisht dhe në pikat e vendosjes së punonjësve të mediave të cilët raportinin për mediat, protestën e opozitës.

UGSH denoncon këto lëndime të shkaktuara mbi reporterë dhe operatorë të mediave dhe punonjës të tjerë të mediave të pranishëm për shkak të detyrës.

U drejtohemi të gjithë kolegëve të lënduar dhe të prekur nga përdorimi i këtyre lëndëve, të denoncojnë seicilin rast dhe të dokumentojnë çdo episod apo incident, përmes publikimit të imazheve dhe autorëve, qofshin urdhërdhënës, qofshin zbatues.

UGSH kërkon reagimin e organizatave dhe monitoruesve të lirisë raportuese dhe lirive themelore ndaj këtyre episodeve të cilat janë të papranueshme dhe injorojnë demokracinë e shoqërisë dhe liritë e saj.

Policia e Shtetit, në këto shfaqje, ka kryer ndaj gazetarëve, veprime injoruese dhe ka dhunuar të drejtën e tyre, duke i shndërruar në reporterë që lotojnë për shkak të detyrës.

Ky cënim dhe lëndim në shëndetin e tyre është bërë prej mjeteve dhe duarve të pakontrolluara të individëve nën uniformë.

Ky rast duhet hetuar dhe përgjegjësit të vihen para përgjegjësisë ligjore!

“Njollë për drejtësinë”, Rama për 21 Janarin: SPAK-u të zgjohet

By: Fax Web
25 January 2026 at 09:58

Në podcastin e tij “Flasim”, kryeministri Edi Rama riktheu vëmendjen te ngjarja tragjike e 21 janarit.

Ai i bëri thirrje Strukturës së Posaçme AntiKorrupsion (SPAK), që tashmë e ka në dorë këtë dosje, që ta zbardhë sa më shpejt atë që ai e quan herë pas here “krim  shtetëror”.

“Kjo ishte edhe java e trishtë e 21 janarit, 15 vjet pas krimit shtetëror, vrasjes së katër burrave të pafajshëm protestues, me pushkët e shtetit, në bulevard. Përsëri 21 janari erdhi me hijen përqeshëse të padrejtësisë.

Kjo mbetet një plagë e hapur jo vetëm për familjarët e dëshmorëve, por edhe për moralin e drejtësisë dhe themelet e drejtësisë së shtetit shqiptar. Ne përsëri u mblodhëm dhe e bëmë ritin e nderimit të 4 Dëshmorëve të Atdheut, në prani të familjarëve që presin drejtësi. 21 janari është në llojin e atyre krimeve që e kam thënë, krime për të cilat drejtësia vonon, por asnjëherë nuk harron.

Koha nuk i zhbën dot nga kujtesa dhe tryeza e njerëzve të drejtësisë. Uroj e shpresoj që SPAK-u, që prej 6 vjetësh ka marrë jetë, gëzon mbështetjen e padiskutueshme dhe ka pasur gjatë gjithë kohës inkurajimet më të sinqerta për të shkuar përpara, për të luftuar për të vendosur drejtësi në binarët e rinj të barazisë para ligjit, të zgjohet dhe të bëjë më në fund punën e vet mbi këtë krim, që është njollë për drejtësinë shqiptare”, deklaroi Rama.

Yesterday — 24 January 2026Main stream

Protesta e opozitës, Ilir Meta reagon nga qelia: Përballje pa kthim, regjimi i ka ditët e numëruara

By: Fax Web
24 January 2026 at 21:15

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar nga qelia në lidhje me protestën e opozitës së sotme (24 janar), ku pati edhe tensione mes protestuesve dhe efektivë të policisë.

Me anë të një postimi në Facebook, Ilir Meta thekson se protestuesit treguan se populli është shumicë përballë një “pakice narko-mafioze” dhe bëri thirrje për përgjegjësi ndaj forcave të rendit.

“Mirënjohje nga zemra mijëra qytetarëve të lirë, të ndershëm dhe patriotë, që tronditën sot nga themelet Narkoshtetin e Ramaduros duke rikthyer shpresën për Lirinë e shpejtë të Shqipërisë!

Shqiptarët dhanë sot një mesazh të qartë force, demokracie dhe vendosmërie për të mbrojtur me çdo çmim lirinë, dinjitetin dhe Atdheun tonë.

Protesta madhështore tregoi në shesh se populli është shumicë absolute përballë një pakice narko-mafioze, që i vjedh dhe ju ka grabitur të ardhmen e tyre”, shkruan Meta.

Meta paralajmëroi se “kjo Narkopolici shumë shpejt do të japë llogari deri më një dhe një për një për terrorin kriminal ndaj protestuesve.”

“U bëj thirrje narko-policëve, shërbëtorë të përulur të kriminelëve, që të ndalin urgjentisht rrëmbimet mafioze dhe dhunën ndaj protestuesve paqësorë, dhunë që nuk ka kursyer edhe gazetarët e mediave shqiptare.  Kjo Narkopolici shumë shpejt do të japë llogari deri më një dhe një për një për terrorin kriminal ndaj protestuesve. Përballje pa kthim!Ky regjim i kalbur ka mbaruar dhe i ka ditët e numëruara! FITORE!”, shkruan Ilir Meta.

Plagosje me thikë në Vlorë, i lënduari jashtë rrezikut për jetën

By: Fax Web
24 January 2026 at 21:04

Një person ka mbetur i plagosur me thikë mbrëmjen e së shtunës në Vlorë.

Ngjarja ka ndodhur në bulevardin kryesor të qytetit.

I plagosuri është transportuar menjëherë drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes, ndërsa policia po punon për zbardhjen e saj.

Tensionet në protestën e PD, policia njoftim zyrtar: 11 policë të dëmtuar, po marrin ndihmën mjekësore në spital

By: Fax Web
24 January 2026 at 20:47

Si pasojë e sulmeve me molotov dhe sende të forta para Kryeministrisë dhe sulmeve para Parlamentit, janë dëmtuar dhe po marrin ndihmë mjekësore 11 punonjës policie.

Ndërkohë, grupet hetimore po vijojnë punën për dokumentimin ligjor të veprimeve të dhunshme të protestuesve ndaj punonjësve të Policisë.

Shërbimet e Policisë kanë identifikuar personat që sulmuan Policinë dhe vijon puna për shoqërimin e tyre.

Berisha thirrje policisë: Mos u bëni shërbëtor të kryeministrit! Lironi 25 të arrestuarit

By: Fax Web
24 January 2026 at 20:16

Kreu i PD në një deklaratë në selinë blu ka bërë një thirrke për policinë të mos bëhen “shërbëtorë dhe ushtarë të kryeministrit”.

Ai shtoi se protestuesit do të përleshen me Ramën, e jo vetëm me policinë, ndërsa ka bërë thirrje për lirimin e 25 personave të shoqëruar.

Sali Berisha: E garantoj që protestuesit do të përleshen me Edi Ramën, mos ndërse policinë kundër protestuesve, i bëj thirrje policëve mos u bëni ushtarë shërbëtorë të një njeriu që nuk ka ligje dhe as moral, mos u bëni shërbëtorë të një njeriu që çdo tullë të shtëpisë së tij e ka të vjedhur.
Me këtë betejë, do të jetë kilometri ynë i fundit, kërkoj lirimin e menjëhershëm të 25 protestuesve paqësorë që në absolute me gjithë dokumentacionin nuk kanë kryer asnjë akt dhe janë marrë aty vetëm si akt urrejtje vetëm me urdhër të Edi Ramës.

Protestuesit hodhën molotov dhe sende të forta para kryeministrisë, lëndohen 5 efektivë policie

By: Fax Web
24 January 2026 at 19:54

Pesë efektivë policie kanë mbetur të lënduar nga hedhja e molotovëve drejt godinës së kryeministrisë gjatë protestës kombëtare të opozitës.

Forcat e rendit hodhën gaz lotsjellës pasi protestuesit lëshuan molotov dhe fishekzjarre drejt Kryeministrisë, sapo kryetari i PD Sali Berisha përfundoi fjalën e tij.

Opozita protestoi sot duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëses së tij, Belinda Balluku pas skandaleve të kësaj të fundit dhe vënien nën akuzë nga SPAK.

Tensione para Parlamentit, deputeti Luçiano Boçi përplaset me policinë

By: Fax Web
24 January 2026 at 19:49

Situata para Parlamentit u tensionua, kur deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi u përplas me forcat e rendit.

Policia ka hedhur gaz lotësjellës si para kryeministrise ashtu edhe para Parlamentit për të shpërndarë protestuesit.

Pas Kryeministrisë, protestuesit marshuan në këmbë drejt Kuvendit ku edhe pati përplasje mes policisë dhe mbështetësve të opozitës.

 

“Mos i prekni çunat, jeni plehra”- Deputeti i PD përplaset me policinë, shoqërohen tre persona

By: Fax Web
24 January 2026 at 19:19

Menjëherë pas përfundimit të fjalimit të Sali Berishës, në drejtim të kryeministrisë u hodhën bomba molotov, ndërsa policia shpërndau turmën me ujë dhe gaz lotsjellës.

Ndërkohë një incident është shoqëruar mes deputetit të PD, Besat Xhaferri dhe forcave të rendit, ku raportohet se janë shoqëruar tre të rinj.

Në video dëgjohet që deputeti Xhaferri i thotë efektivëve të policisë që të “mos i prekë çunat”.

“Mos i prek çunat, o plehra. Mos më preku mua. Ca të qetësohem o plehra, jeni cuna të rinj, por jeni plehra. Këta ta dini. Plehra”, dëgjohet të thotë deputeti i PD, Besart Xhaferri.

FOTOLAJM/ Protestuesit hedhin bomba molotov drejt kryeministrisë

By: Fax Web
24 January 2026 at 19:08

Menjëherë pas përfundimit të fjalimit të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, situata para Kryeministrisë u tensionua, teksa një grup protestuesish hodhën bomba molotov në drejtim të godinës së Kryeministrisë.

Veprimi u krye në shenjë revolte ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke shkaktuar reagim të menjëhershëm nga forcat e rendit.

Ndërkohë forcat e rendit ndërmorën veprime për të rivendosur kontrollin në zonën përreth Kryeministrisë dhe bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
 

Policia përdori ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit para kryeministrisë.


Si pasojë e ndërhyrjes, protestuesit u shpërndanë, ndërsa u njoftua qe të gjithë të pranishmit të drejtohen Parlamentit.

❌
❌