Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 18 January 2026Main stream

15:30 U bllokua gjatë motit të keq, hapet rruga Qukës-Qafë Plloçë

By: Kesjana
18 January 2026 at 15:30

Hapet rruga Qukës-Qafë Plloçë. Sot ka filluar qarkullimi vetëm për mjetet që kanë destinacion fshatrat e Pogradecit që lidhen me këtë rrugë.

Duhet theksuar që është bërë largimi i gjithë masivit shkëmbor që ra rreth dhjetë ditë më parë si shkak i shirave dhe motit të keq që përfshinë Qarkun e Korçës.

Aktualisht firma është duke pastruar trupin e rrugës nga balta ndërsa mjetet me destinacion Elbasanin apo anasjelltas me drejtim Korçën do të vijojnë qarkullimin normal ditën e hënë.
Rruga ka patur problematika të shumta sa i përket rrëshqitjeve të dherave dhe shkëmbinjve nga skarpatet çfarë ka sjellë bllokimin e rrugës dhe pezullimin e lëvizjeve të mjeteve/kb

15:15 “Do marr valixhet dhe do iki…”/ Gruaja e ErikLloshit sqaron për herë të parë si është marrëdhënia mes tyre

By: Kesjana
18 January 2026 at 15:15

Ka folur për herë të në “Fan Club” bashkëshortja e Erik Lloshit, Romina, pas aludimeve se marrëdhënia mes tyre është krisur për shkak të pjesëmarrjes së këngëtarit në BBV.

Ajo sqaroi se nuk ishte dakord për hyrjen e tij në Big Brother, por tashmë e mbështet atë plotësisht, megjithëse nuk i përkrah sjelljet e tij të agravuara.

“Nuk kam qenë kurrë dakord të futej në Bigh Brother. Jam larg televizionit dhe nuk e kam dashur. Kam dashur që jetën personale ta kisha timen dhe të mos isha në syrin e publikut.

Eriku ka pak temperament të vështirë, është shumë gjaknxehtë. Kjo ka qenë arsyeja pse i kam thënë të mos futej në Big Brother se njerëzit aty luajnë me çdo kartë. Ai është njëri shumë i drejtë dhe jo aq agresiv sa e portretizojnë.

Eriku ka marrë ftesë dhe më parë dhe i kam thënë kategorisht jo, këtë herë nuk më dëgjoi. I thashë do marr valixhet dhe do të iki në shtëpi. Tashmë e mbështes totalisht, padiskutim. Tek Eriku ka gjëra që më pëlqejnë dhe disa që nuk i përkrah”-u shpreh bashkëshortja e këngëtarit./kb

15:00 Dha dëshmi të rreme për vrasjen e motrës në 1997, zbutet masa ndaj 54-vjeçares dhe burrit të saj

By: Kesjana
18 January 2026 at 15:00

Dëshmitarët ishin thirrur për të treguar se çfarë kishte ndodhur gjatë vrasjes në 1997 të Ardian dhe Majlinda Gjergji, kjo e fundit motra e Valbona Prengës.

Të dy ata konsiderohen dëshmitarë okularë mbasi janë shprehur se panë Gjovalin Lesin duke qëlluar me armë zjarri ndaj dy shtetasve.

Por ndryshe nga çfarë kishin rrëfyer në atë kohë, në gjykatën lokale të dy bashkëshortët këmbëngulën se nuk kishin qenë prezentë në ngjarje dhe nuk dinin gjë.

Sipas të dhënave gjyqësore i akuzuari Gjovalin Lesi, i dënuar në mungesë me burg të përjetshëm iu dorëzua Shqipërisë vitin e kaluar, dhe për këtë shkak vendimi po rishikohet.

Ai akuzohet se gjatë një konflikti vrau me armë zjarri motrën dhe kunatin. Bashkëshortët Prenga të dyshuar për dëshmi të rreme, kishin marrë masë ndalimi për të dalë jashtë vendit nga gjykata lokale, por ata kërkuan të vendosej garanci pasurore mbasi jetojnë në Greqi dhe gruaja mbahej nën trajtim mjekësor në këtë shtet

Gjykata nuk ka marre parasysh vetëm rrethanat shëndetësore por edhe te tjera.

Si argument gjykata pranon lehtësimin e masës për faktin se çiftit nuk duhet ti cenohet jetesa normale në shtetin grek përsa kohë vepra për të cilën po hetohen nuk është e rëndë./kb

14:45 Ndryshime në kurrikulat shkollore, Gjuha Shqipe e Qytetaria, dy nga tekstet që do të preken më shumë në arsimin parauniversitar

By: Kesjana
18 January 2026 at 14:45

Drejtuesi i Agjensisë së Sigurimit të cilësisë për arsimin parauniversitar thekson se deri në vitin 2029, po punohet që kurrikula shkollore të përafrohet me standardet europiane, ndërsa në shtator 2026 pritet të hyjnë në përdorim tekstet e përditësuara për klasat 1, 6 dhe 10.

“Përsa i përket teksteve ne do të kalojmë në dy procese. Me përditësimin e klasës së parë, gjashtë dhe dhjetë,  që në shtator të 2026 ne të kemi të përditësuar rreth 140 tekste të të gjitha lëndëve dhe nga ana tjetër do të kemi tekste të reja për qytetarinë dhe gjuhën shqipe në klasën e parë, gjashtë dhe dhjetë.ne kemi punuar me ekspertizën më të mirë për të përforcuar pjesët e identitetit kombëtar, gjuha shqipe është një aset.

Vijojmë me përditësime edhe me mënyrën sesi i qaset punës në grup dhe punës individuale, përdorimi i teknologjisë në gjuhën shqipe është një risi. Do të ketë elementë edhe me përafrimin në kohë edhe me ruajtjen e identitetit kombëtar edhe me transmetimin e gjuhës shqipe në të gjithë brezat jo vetëm në hsqipëri por edhe në diasporë”, tha Gert Janaqi, drejtor i Ascal

Synimi, është që nxënësit të jenë më kompetentë, të aftë të përdorin gjuhën dhe teknologjinë.

“Në thelb i gjithë ndryshimi strukturor i perditësimit dhe modernizimit të kurrikulës bazohet jo vetëm te informacioni i ri por edhe te mënyra si mësimi do të zhvillohet në klasë. Do të ketë më shumë siituata të nxëni që vijnë nga jeta reale, më shumë investime në laboratorë inteligjentë por jo vetëm. Do të ketë orë praktike individuale, do të ketë punë në grup dhe sigurisht kurrikul të zbatueshme sipas rajoneve, ku cdo shkollë do të ketë mundësinë të implementojë tema që lidhen me kontekstin lokal”, shtoi Janaqi.

Ekspertët theksojnë gjithashtu rëndësinë e përshtatjes së këtyre ndryshimeve me realitetin e shkollave në vend.

“Është e rëndësishme që këto ndryshime të mos zbatohen në mënyrë shabllone, por të testohen dhe të përshtaten me realitetin e fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë. Gjuha shqipe është përfshirë si duhet, jo vetëm si komunikim, por si disiplinë me strukturë të qartë”, u shpreh Irsa Ruci, eksperte arsimi

Paralelisht me reformën, do të ndryshojë edhe mënyra e mësimdhënies, ndaj për shtatë universitete, të përfshihet  trajnim në përgatitje të mësuesve./kb

14:30 Gripi mbush urgjencat pediatrike/ Mbi 250 fëmijë paraqiten çdo ditë në QSUT, dominon varianti A

By: Kesjana
18 January 2026 at 14:30

Infeksionet e ndryshme respiratore të sipërme dhe të poshtme kanë shtuar ndjeshëm numrin e të prekurve tek të vegjlit. Në 24 orë në urgjencën pediatrike të QSUT, paraqiten mbi 250 raste, ku vetëm 15-20% prej tyre kanë nevojë për trajtim spitalor. Sa i takon simptomave, mbeten ata klasikët e gripit: kollë, dhimbje koke dhe temperaturë disa ditore.

“Pacientë që kanë nevojë të domosdoshme për trajtim të mëtejshëm në urgjencë, është 15-20% për trajtim në pavion. Pjesa tjetër, në 30%, kanë nevojë për trajtim të shkurtër në observim, një perfuzion… fëmijët paraqiten me kollë, temperaturë, ose me të vjella e diarre.”, tha doktori Albert Lama.

Në qarkullim janë infeksione të ndryshme, por ajo që po mbizotëron tek të vegjlit është varianti “A” i gripit.

“Mendoj se është influenca A, ajo që mbizotëron, duke qenë se është më agresive. Gripi po dominon stinën.”, shtoi ai.

Shefi i Urgjencës së Pediatrisë në QSUT, Albert Lama, këshillon prindërit që të jenë vigjilentë ndaj çdo ndryshimi në sjellje të fëmijës, çka do të thotë nga mungesa e oreksit, apo gjendja e parehatisë me gjumin, si dhe jeta joaktive.

“Ta shikojnë gjendjen çdo ditë. Nëse e shohin të plogësht, me temperaturë apo me kollë, jo si përditshmëria që janë mësuar, ta çojnë te mjeku i familjes. Më pas të ndiqet sipas protokollit, sepse mjeku i familjes e njeh edhe historikun e tyre.”, tha ai.

Në rastet kur të vegjlit paraqesin simptoma gripi, mjekët këshillojnë prindërit të mos i dërgojnë fëmijët në kopshte, çerdhe apo shkolla, masë kjo për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit të infeksioneve në qarkullim. Ende nuk kemi arritur në pikun e gripit; pritet të arrijë në fund të muajit janar, fillim shkurti./kb

14:15 Goditi për vdekje punëtorin/ Arrestohet 32-vjeçari, drejtues i eskavatorit

By: Kesjana
18 January 2026 at 14:15

Pas ngjarjes tragjike ku humbi jetën një 45-vjeçar, Policia e Himarës ka arrestuar një 32-vjeçar.

Ky i fundit duke drejtuar një eskavator në Palasë ka goditur aksidentalisht 45-vjeçarin.

Drejtuesi i eskavatorit akuzohet për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Forcat e policisë po punojnë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë të aksidentit tragjik./kb

14:00 Operacioni i SPAK në Call Center/ Kontroll në 28 ambiente, zbulohet ‘Ferrari’ luksoz dhe miliona euro nga kriptot

By: Kesjana
18 January 2026 at 14:00

Last Updated on 18/01/2026 by Kesjana

Operacioni i Prokurorisë së Posaçme në një Call Center në Tiranë ka rezultuar në një aksion të gjerë, detajet e së cilit u publikuan këtë të diel, e që përfunduan në arrestime të shumta në flagrancë.

Sipas SPAK, në total, janë kryer kontrolle në 28 ambiente (banesa, zyra, automjete dhe garazhe), autoritetet sekuestruan pajisje teknologjike, sisteme monitorimi, dokumente të subjektit, si edhe automjete, motomjete dhe një automjet luksoz Ferrari, i dyshuar se i përket organizatorëve të rrjetit

Në ambientin e ri, në katin e 5-të, u zbulua një Call Center i dytë në ndërtim, ku u sekuestruan qindra pajisje kompjuterike, serverë, laptopë, telefona, karta SIM, hard disqe, dokumente dhe blloqe shënimesh. Gjithashtu, u sekuestrua edhe një kosh mbeturinash me materiale të dyshuara të asgjësuara nga Call Center-i i parë.

Nga veprimet hetimore rezultoi se organizatorët kishin ndërtuar një sistem të sofistikuar sigurie, me kamera dhe personel civil vëzhgimi jashtë godinës. Mbrëmjen e 15 janarit 2026, pas një sinjalizimi për ndërhyrje të mundshme, ambientet u boshatisën dhe pajisjet u larguan gjatë natës.

Megjithatë, mëngjesin e 16 janarit 2026, pas ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Posaçme nr. 85, hetuesit e BKH-së konstatuan zhdukjen e pajisjeve dhe, falë ndjekjes së automjeteve, arritën të kapin në flagrancë disa persona, të cilët po transportonin pajisjet drejt një ambienti tjetër të marrë me qira në godinën “Doëntoën One”, në Bulevardin Bajram Curri./Kb

13:30 Finalisti i AGT habit kryeministrin, Dashnor Bushi truke magjie me Ramën

By: Kesjana
18 January 2026 at 13:30

Finalisti i Albania’s Got Talent Dashnor Bushi ka qenë i ftuari i radhës në podcastin “Flasim” me kryeministrin Edi Rama.

I njohur për truket e magjisë që bën, ai habiti gjithë shqiptarinë. Por numrat e magjistarit kanë habitur edhe kryeministrin Rama.

Loja me tletra dhe me shkrimin e emrave ishin disa nga truket që kryeministrin e lanë pa fjalë.

Dashnor Bushi tha se loja me letra ka qenë pasioni i tij që nga rinia.

Në komunizëm nuk kishim kohë të kishim letra dhe unë i vodha një pako. Letrat janë pasioni im, kërkon punë dhe aftësi. Ta hedhësh letrën lart e të të kthehet mbrapsht, mua më ka marrë shumë kohë”, tha Bushi./kb

13:15 VIP-at me NIPT në rrjetet sociale/ Influencerëve dhe blogerëve që nuk regjistrohen në QKB do t’iu bllokohen llogaritë

By: Kesjana
18 January 2026 at 13:15

Ndryshimet e reja ligjore që janë publikuar ne fletoren zyrtare si pjese e paketës fiskale, e shtrijnë tashmë qartë aktivitetin ekonomik edhe në internet.

Çdo person që gjeneron të ardhura online nga blogerët te influencerët konsiderohet subjekt tregtar dhe është i detyruar të publikojë në faqen apo profilin e tij të dhënat bazë si NIPT-in, emrin e subjektit, adresën dhe kontaktin.

Por si do ti identifikoje administrata tatimore dhe çfarë do të ndodhë me individët që refuzojnë t’i publikojnë këto të dhëna?

Ndryshimi në ligjin për procedurat tatimore ka përcaktuar mënyrën qe do të ndiqet për të kontrolluar aktivitetin ekonomik online qe gjeneron të ardhura ne rrjete të ndryshme sociale. Pas njoftimit zyrtar që do tu dërgohet nga administrate tatimore kështu VIP-at do të formalziojnë punën e tyre në rrjetet sociale. Këta individë do të jenë të identifikueshëm bazuar në të ardhurat të depozituata në llogarinë e tyre bankare.

“Edhe unë si biznes i kam këto të dhëna të ekspozuara, duke filluar nga nipti, adresa, të dhëna të subjektit edhe këta individë duhet t’i kenë të publikuara në llogarinë e tyre sociale. Mund të them që ka individë influencer që vijnë ne zyrën time për tu trajtuar si një subjekt tregtar pasi tani vet po ja kërkojnë edhe bizneset që bashkëpunojnë të cilët në fund duhet të kenë një fature për pagesat e kryera. Është një kërkesë e mëparshme tashme e realizuar dhe shumë mirë te gjithë që kryejnë këtë lloj aktiviteti ta zbatojnë”- shprehet audituesi ligjor Avni Tobli.

Ligji parashikon ashpërsim të masave në raste të moszbatimit të tij. Nëse brenda 15 ditëve nga marrja e njoftimit zyrtar nuk merren masa për publikimin e të dhënave, i kërkohet AKEP që këtyre influencerave tu bllokohet llogaria në rrjete sociale dhe aplikim të gjobës në rastet kundërshtuese.

Nevoja për këto ndryshime u diktua edhe nga kontrollet e kryera nga administrata tatimore. Sipas të dhënave zyrtare, vetëm nga monitorimi vjetor janë identifikuar rreth 100 profile në rrjete sociale që në vitin 2025 gjeneruan mbi 33 milionë euro të ardhura, të depozituara në llogari bankare individuale. Shifra që, sipas ekspertëve, tregojnë për një ekonomi online në rritje, por edhe për nivele të larta informaliteti, që tashmë synohet të futen brenda sistemit tatimor./kb

13:00 NASA lëshon raketën Artemis II për misionin historik në Hënë

By: Kesjana
18 January 2026 at 13:00

NASA ka zhvendosur raketën e saj më të lartë dhe më të fuqishme, Artemis II, nga ndërtesa e montimit në platformën e lëshimit, duke shënuar një nga arritjet kryesore të agjencisë, arritjen në Hënë.

Në një operacion të ngadaltë dhe të koreografuar me kujdes, raketa e Sistemit të Lëshimit Hapësinor do të lëshohet më 6 shkurt.

Lëshimi në platformë u lejon inxhinierëve të fillojnë integrimin përfundimtar, testimin dhe provat e plota të lëshimit, duke përfshirë simulimet e furnizimit me karburant dhe procedurat e numërimit mbrapsht, përpara se raketa të jetë e autorizuar për fluturim.

Çelësi i misionit është Sistemi i Lëshimit Hapësinor, ose SLS, një raketë me ngarkesë të rëndë e projektuar për të dërguar astronautë dhe ngarkesa të mëdha përtej orbitës së ulët të Tokës./Kb

12:45 “Tenxheret politike mediatike po bubullojnë”/ Rama sqaron pozitën e Shqipërisë në Bordin e Paqes

By: Kesjana
18 January 2026 at 12:45

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me ato që i quan “tenxhere politike mediatike”, që sipas tij shpërndajnë dezinformim dhe injorancë për Shqipërinë në Bordin e Paqes pas ftesës së presidentit amerikan Donald Trump.

Përmes një postimi në ‘X’, Rama ka sqaruar se disa pretendime që po qarkullojnë.

“Tenxheret politike mediatike po bubullojnë e gërrgërrojnë aq fort sa thua se në Bordin e Paqes së Presidentit Trump nuk është ftuar Shqipëria, po një vend armik i Shqipërisë! Në Bordin e Paqes janë ftuar të gjitha shtetet e OKB GËNJESHTËR Shqipëria do të paguajë 1 miliardë EURO GËNJESHTËR Palestinezët do të vijnë në Shqipëri GËNJESHTËR E vërteta është shumë e thjeshtë se sa ç’pjell, sidomos në çdo rast kur nderohet Shqipëria, mllefi i injorancës dhe inati i ligësisë: Tenxheret politike e mediatike të mexhelisit tonë janë teneqera të zhurshmshme Shqipërisë së vjetër, ndërsa kjo që po vazhdojmë të ndërtojmë me shumë mund e këmbëngulje të madhe është një Shqipëri Tjetër, e dinjitetshme ndërkombëtarisht dhe e respektuar botërisht. Sa për mua personalisht, rëndësi ka vetëm besimi i shumicës së shqiptarëve, që më kanë ngjitur e mbajtur katër herë në majën e shtetit shqiptar dhe respekti i atyre që janë në majat e botës a të Europës, i cili më duhet mbi të gjitha për të nderuar e lartësuar Shqipërinë. Ky është një moment i jashtëzakonshëm i Shqipërisë, ku tërbimi i tenxhereve thjesht na siguron se sa më shumë lehin qentë, aq më përpara është duke shkuar karvani”,-shkruan Rama./Kb

12:30 Censi i shpendëve dimërorë në Shqipëri/ Shumëllojshmëri në liqenin e Pogradecit dhe Prespës

By: Kesjana
18 January 2026 at 12:30

Censi i shpendëve dimërorë vijon në zonat liqenore të Shqipërisë, si pjesë e një procesi kombëtar monitorimi që zhvillohet çdo vit gjatë muajit janar. Numërimi kryhet në 34 zona liqenore në të gjithë vendin, me qëllim vlerësimin e gjendjes së biodiversitetit dhe ndikimit të faktorëve mjedisorë.

Në Qarkun e Korçës, fokusi kryesor ka qenë Liqeni i Prespës, ku procesi ka përfunduar, ndërsa sot monitorimi po vijon në Liqenin e Pogradecit. Sipas specialistit të zonave të mbrojtura, Gani Bego, në këtë liqen janë përcaktuar 10 pika të përhershme numërimi dhe janë angazhuar dy grupe monitorimi.

“Censusi i shpendëve është një proces i numërimit të shpendëve në zonat liqenore të Shqipërisë. Gjithsej janë 34 vende për t’u numëruar në gjithë Shqipërinë. Në qarkun tonë fokusi kryesor është në Liqenin e Prespës, i cili përfundoi dje dhe sot vazhdon në Liqenin e Pogradecit. Në Pogradec kemi 10 pika të përcaktuara, të përhershme për numërimin e shpendëve. Kemi dy grupe numërimi, njëri ka filluar pranë doganës së Tushemishtit dhe grupi tjetër në Lin”,-tha Beqo.

Të dhënat paraprake tregojnë një numër më të lartë shpendësh krahasuar me vitet e kaluara, çka sipas specialistëve dëshmon për një ekosistem të qëndrueshëm të Liqenit të Pogradecit. Ndërkohë, kërcënimet nga aktiviteti njerëzor apo ndryshimet klimatike nuk kanë dhënë ndikime të ndjeshme mbi popullatat e shpendëve ujorë.

“Procesi vazhdon normalisht dhe rezultatet e para janë të kënaqshme. Sivjet kemi një numër më të lartë të shpendëve dhe kjo tregon se ekosistemi i Liqenit të Pogradecit është i qëndrueshëm. Kërcënimet, qoftë nga njeriu apo ndryshimet klimatike, nuk kanë ndikuar tek shpendët. Censi përfundon brenda ditës së sotme dhe zhvillohet edhe në pjesën e Ohrit për të pasur një rezultat të saktë dhe për të mos pasur mbivendosje të numrit të shpendëve”,-tregon specialisti.

Censi i shpendëve dimërorë në Shqipëri/

Nga të dhënat e deritanishme, nuk është konstatuar prania e ndonjë specieje të re apo të rrallë në Liqenin e Pogradecit. Shpendët më të shpeshtë mbeten bajzat, lloje të ndryshme rosash dhe mjelmat.

“Këtë vit nuk është hasur ndonjë shpend i ri. Nga shpendët që vizitojnë Liqenin e Pogradecit përmendim bajzat, lloje të ndryshme rosash, mjelmat, pra nuk kemi hasur ndonjë specie të rrallë”,-shprehet Beqo.

Pjesë e këtij procesi monitorimi janë bërë edhe të rinjtë e qytetit të Pogradecit, të cilët kanë marrë pjesë për herë të parë në censusin e shpendëve dimërorë.

“Jam një i ri nga qyteti i Pogradecit dhe nxënës i gjimnazit ‘14 Ëngjëjt’. Sot morëm pjesë në censin e shpendëve dimërorë ujorë që mbahet një herë në vit në muajin janar. Për mua, si herë e parë, ishte një eksperiencë tepër e bukur dhe fantastike, sepse ne jetojmë në Pogradec dhe kemi liqenin tonë, por nuk e dinim që kishte një shumëllojshmëri kaq të madhe shpendësh”,-tregon nxënësi Sparti Dervishaj.

Përfshirja e të rinjve në këtë proces shihet si një hap i rëndësishëm drejt ndërgjegjësimit për mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit.

Censi i shpendëve dimërorë në Shqipëri/

“Mësuam edhe disa lloje shpendësh të veçantë, si kretaraku i madh dhe zhytkuqja e madhe, dhe ishte vërtet një eksperiencë për t’u mbajtur mend”,-tha nxënësi.

Censi i shpendëve dimërorë mbetet një proces i rëndësishëm për monitorimin e biodiversitetit dhe gjendjes së ekosistemeve liqenore.

Të dhënat e mbledhura nga Prespa dhe Pogradeci do të shërbejnë si bazë për hartimin e politikave mbrojtëse dhe menaxhimin e qëndrueshëm të këtyre pasurive natyrore, ndërsa përfshirja e të rinjve në këtë proces rrit ndërgjegjësimin dhe përgjegjësinë për ruajtjen e mjedisit./kb

12:15 Netanyahu kundër SHBA-ve: Bordi për Paqen në Gaza është armiqësor ndaj Izraelit

By: Kesjana
18 January 2026 at 12:15

Dy ente të ndara, të thirrura të punojnë së bashku për Gazën dhe për të koordinuar qeverinë teknike palestineze që do të veprojë nën drejtimin e Ali Sha’at, inxhinier dhe ish-zëvendësministër i Autoritetit Kombëtar Palestinez. Bëhet fjalë për dy struktura, përbërja e të cilave u njoftua nga Shtëpia e Bardhë mes të premtes dhe së shtunës, por që brenda më pak se 24 orësh janë përfshirë nga polemika të forta.

Struktura e parë është “Komiteti Ekzekutiv”, organi që do të ketë rolin më të drejtpërdrejtë në rindërtimin e Rripit të Gazës. Në përbërjen e tij janë përfshirë figura kyçe ndërkombëtare: Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio; i dërguari special, Steve Witkoff; dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner; ish-kryeministri britanik, Tony Blair dhe presidenti i Bankës Botërore, Ajay Banga.

Po ashtu janë përfshirë përfaqësues të Turqisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Ajo që bie në sy është mungesa e plotë e përfaqësuesve palestinezë dhe gjithashtu mungesa e anëtarëve të qeverisë izraelite. Në grup ndodhet vetëm një biznesmen izraelit i afërt me qeverinë, Marc Rowen, por kjo nuk ka mjaftuar për kryeministrin Benjamin Netanyahu.

Mbrëmjen e djeshme, Netanyahu ka shpërndarë një notë të rrallë kritike ndaj Shtëpisë së Bardhë, duke deklaruar se përbërja e komitetit është “në kundërshtim me politikën izraelite”.

Struktura e dytë është “Bordi i Paqes”, krijimi i të cilit ishte njoftuar nga Trump që në tetor, paralelisht me armëpushimin në Gaza. Sipas parashikimeve të publikuara nga Haaretz, synimi real i këtij organi shkon shumë përtej Gazës: ai do të merret me paqen dhe stabilitetin në të gjitha zonat e prekura nga konflikti, aty ku “mjetet dhe diplomacia tradicionale kanë dështuar”.

Trump ka ftuar në këtë këshill dhjetëra krerë shtetesh dhe qeverish. Sipas Ynet, i ftuar është edhe Benjamin Netanyahu, ndërsa mes emrave të tjerë përmenden presidenti argjentinas Javier Milei, presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, kryeministri kanadez Mark Carney dhe shumë të tjerë. Ftesa i ka shkuar edhe kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

Në total, sipas Haaretz, bëhet fjalë për rreth 60 vende, lista dhe rregullore që gazeta izraelite ka pasur mundësinë t’i shohë. Mes vendeve të ftuara, është edhe Italia.

Në krye të bordit do të jetë vetë Donald Trump. Mandati i tij mund të ndërpritet vetëm në rast dorëheqjeje ose sëmundjeje të rëndë dhe nuk lidhet me mandatin e tij si president i SHBA-ve, çka do të thotë se ai mund ta mbajë postin edhe pas largimit nga Shtëpia e Bardhë./kb

12:00 Analizë/ Bordi i Paqes, “OKB”-ja private e Donald Trump-

By: Kesjana
18 January 2026 at 12:00

Harrojeni Gazën. Përveç një përmendjeje të shkurtër në letrën e ftesës drejtuar rreth 60 krerëve të shteteve dhe qeverive, në dokumentet themeluese të Bordi të Paqes së Donald Trump nuk ka asnjë referencë reale për Gazën. Mesazhi është i qartë: Fokusi nuk është më një territor i vetëm, por bota mbarë, ajo që presidenti amerikan është i bindur se është i destinuar ta udhëheqë dhe “ta shpëtojë”.

Sipas një konsensusi mes analistëve, pikërisht në këtë drejtim synon të shkojë Bordi i Paqes. Një strukturë, rregullat dhe karakteristikat e së cilës u zbuluan dje nga e përditshmja izraelite Haaretz, që në vizionin e themeluesit duhet të sjellë paqen dhe prosperitetin në zonat e botës të goditura nga konflikte dhe tensione.

Një ambicie që ngjan shumë me atë që 51 shtetet themeluese të Kombeve të Bashkuara shpallën 80 vite më parë. Dhe pikërisht për këtë arsye, njoftimi i Trump tingëllon ironik: ai erdhi në të njëjtën ditë kur Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së përkujtonte përvjetorin, duke paralajmëruar për “forca të fuqishme” që po përpiqen të “mbytin bashkëpunimin ndërkombëtar”.

“Ne vazhdojmë përpara, pavarësisht gjithçkaje”, tha António Guterres, me ton të zymtë, ndërsa mandati i tij përfundon në fund të dhjetorit.

Fjalët luftarake të Guterres nuk fshehin realitetin: dy vitet e fundit kanë qenë më të vështirat ndonjëherë për OKB-në, e goditur, diskredituar dhe dobësuar nga armiqësia e hapur e SHBA-ve. Kjo u konkretizua fillimisht me shkurtime të rënda financiare, e më pas, më 7 janar, me daljen e SHBA-ve nga 31 agjenci të OKB-së, të cilat Trump i ka quajtur “joefikase, të dëmshme ose të kushtueshme”.

Mes tyre janë agjenci që merren me klimën, mjedisin, të drejtat e grave, ndërtimin e paqes dhe mbrojtjen e viktimave të konflikteve të armatosura dhe dhunës seksuale.

Janë pikërisht këto struktura dhe i gjithë sistemi që rrotullohet rreth “Pallatit të Qelqtë” në Nju Jork që Trump synon t’i zëvendësojë me Bordin e Paqes.

Sipas kartës themeluese të parë nga Haaretz, Bordi i Paqes do të punojë për “rivendosjen e një qeverisjeje të besueshme dhe legjitime dhe për garantimin e një paqeje të qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti”, duke marrë rolin e organizatave të tjera ekzistuese.

Pa e përmendur drejtpërdrejt OKB-në, dokumenti e kritikon në mënyrë të nënkuptuar, duke theksuar nevojën për “një organizëm ndërkombëtar për ndërtimin e paqes më fleksibël dhe më efektiv” dhe duke shtuar se paqja e qëndrueshme kërkon “guximin për të braktisur institucione që shumë shpesh kanë dështuar”.

Në kartë thuhet qartë se Donald J. Trump do të jetë Presidenti inaugurues i Këshillit për Paqen, pa asnjë afat mandati, as të lidhur me presidencën amerikane. Trump do të ketë të drejtën ekskluzive për të ftuar shtetet, për të rinovuar ose revokuar anëtarësinë e tyre, për të emëruar dhe shkarkuar anëtarë dhe për të vendosur veto mbi çdo vendim. Vetëm një shumicë prej dy të tretash do t’u lejonte vendeve të tjera të bllokonin vendimet e tij. Shtetet që dhurojnë të paktën 1 miliard dollarë do të kenë vend të përhershëm.

Sipas Financial Times, që citon burime pranë administratës Trump, në krye të prioriteteve të Bordit të Paqes janë Ukraina dhe Venezuela, dy nga krizat ushtarake dhe politike më komplekse të momentit.

Po çfarë shansi ka një iniciativë e tillë? Reagimet e para janë thellësisht skeptike. Edhe pse pak liderë janë të gatshëm të kritikojnë hapur Trump, aq më tepër pas vendosjes së tarifave ndaj vendeve që kundërshtuan idenë e marrjes së Groenlandës nga SHBA-të, diplomatë dhe analistë shprehin dyshime serioze për një organ global nën mbikëqyrje amerikane.

Situata i ngjan episodit simbolik të ditëve të fundit: fituesja e Nobelit për Paqen, Maria Corina Machado, i dhuroi Trump medaljen e saj, ndërsa ai kurrë nuk e ka fshehur zhgënjimin që nuk e ka marrë vetë çmimin. Komiteti norvegjez reagoi menjëherë, duke sqaruar se të kesh medaljen nuk do të thotë të jesh fitues i Nobelit.

Mesazhi, i përkthyer në diplomaci globale, është i qartë: Mund ta krijosh OKB-në tënde, por ajo nuk do të jetë kurrë vërtet OKB-ja.

Shkrim nga La Repubblica/kb

11:45 1635 kuti ilaçesh të skaduara dhe 2654 pa faturë/ Në pranga 42-vjeçari në Fier

By: Kesjana
18 January 2026 at 11:45

Një 42-vjeçar u kap dhe u vu në pranga në Fier, pasi magazinonte në banesë medikamente të ndryshme pa faturë tatimore dhe një pjesë të konsiderueshme të skaduara.

Shtetasi B.B., më pas i hidhte në treg duke furnizuar farmacitë e qytetit.

Gjatë operacionit policor të koduar “Skadenca” u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1635 kuti me ilaçe të ndryshme të skaduara, si dhe 2654 kuti pa faturë tatimore, që dyshohet se janë futur kontrabandë.

Njoftimi:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike-Financiare, pas një pune hetimore disamujore të ndjekur me metoda speciale të hetimit, në bashkëpunim me Prokurorinë, bazuar në provat e siguruara nga hetimi, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Skadenca”.

Bazuar në provat e siguruara nga hetimi, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka vendosur lejimin e kontrollit të banesës në pronësi të shtetasit B. B.

Si rezultat i kontrollit janë gjetur gjithsej 4289 kuti me medikamente të ndryshme, ku një sasi e konsiderueshme e tyre ishte e skaduar dhe pjesa tjetër pa faturë tatimore.

Nga hetimi ka rezultuar se ky shtetas, prej një periudhe të gjatë kohore, magazinonte medikamente të skaduara dhe më pas i hidhte në treg, duke furnizuar farmacitë e qytetit të Fierit, me qëllim përfitimi.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. B., 42 vjeç, banues në Fier.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në ngarkim të shtetasit B. B., për veprat penale “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin”, “Fshehja e të ardhurave”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”./Kb

11:30 Zarfi i Zi dhe vendimi surprizë i Brikenës rrezikojnë balancat në Big Brother Vip Albania 5

By: Kesjana
18 January 2026 at 11:30

Në shtëpinë e Big Brother Vip Albania 5, mbrëmjen e kaluar u hap Zarfi i Zi, duke sjellë penalitete të menjëhershme.

Për shkak të shkeljes së rregullave, produksioni vendosi që Ina, Kejisi dhe Eriku të shkonin automatikisht në televotim, duke i vënë përballë rrezikut të eliminimit.

Duke qenëse Ina është një banore e vetme me Stelinën pjesë e treshes u bë edhe kjo e fundit.

Situata u komplikua më tej me ndërhyrjen e lideres së shtëpisë, Brikenës, e cila kishte në dorë avantazhin e shpëtimit.

Ajo kishte si avantazh që mund të zgjidhte që Stelina të ndahej nga Ina dhe të vazhdonte të ishte banore e vetme, dhe të dërgonte një nga banorët e tjerë në televotim me Inën, Kejsin dhe Erikun. Brikena vendosi të shpëtojë Stelinën dhe të përfshinte Mateon në televotim.

Ky veprim u interpretua si një mesazh i qartë se Brikena nuk po ndjek aleanca apo marrëdhënie të fshehta në lojë.

Vendimi i saj nxiti reagime të forta brenda shtëpisë, debate dhe tensione mes konkurrentëve, duke ndryshuar balancat e lojës.

Tashmë, gjithçka mbetet në dorën e publikut, i cili përmes televotimit do të vendosë se kush do të vazhdojë garën në Big Brother./Kb

11:15 Administrata Trump kërkon 1 miliard dollarë nga secili vend në Bordin e Paqes në Gaza

By: Kesjana
18 January 2026 at 11:15

Administrata e Presidentit amerikan Donald Trump dëshiron që kombet të paguajnë 1 miliard dollarë për të qëndruar në Bordin e tij të Paqes në Gaza për më shumë se tre vjet, sipas tekstit të plotë të statutit të bordit, i cili është analizuar nga mediat ndërkombëtare.

“Çdo Shtet Anëtar do të shërbejë për një mandat jo më shumë se tre vjet nga hyrja në fuqi e kësaj Karte, me kusht rinovimin nga Kryetari, i cili do të jetë Presidenti i SHBA-së Donald Trump. Afati tre-vjeçar i anëtarësimit nuk do të zbatohet për Shtetet Anëtare që kontribuojnë më shumë se 1,000,000,000 dollarë amerikanë në fonde në para të gatshme në Bordin e Paqes brenda vitit të parë të hyrjes në fuqi të Kartës”,-thotë statuti. 

Bordi përshkruhet në statut si “një organizatë ndërkombëtare që kërkon të promovojë stabilitetin, të rivendosë qeverisje të besueshme dhe të ligjshme dhe të sigurojë paqe të qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti”.

Trump ka ftuar një numër udhëheqësish botërorë, përfshirë Javier Milei të Argjentinës dhe Mark Carney të Kanadasë, që të jenë pjesë e një Bordi Paqeje për Gazën, i cili do të formohet nën ombrellën më të gjerë të Bordit të tij të ri të Paqes, teksa ftesa i është dërguar edhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama./Kb

11:00 Nga televizori te smartfoni: Revolucioni i heshtur i moshës së tretë

By: Kesjana
18 January 2026 at 11:00

Në një kohë kur dikur shqetësoheshim për kohën që kalojnë fëmijët para ekranit, një ndryshim i qetë po ndodh te të moshuarit. Gjithnjë e më shumë njerëz në moshë të tretë (rreth 60–70 vjeç) kalojnë orë të tëra duke shikuar celularin ose tabletin e tyre, një lloj “pensioni i bazuar në telefon” që po bëhet realitet.

Pamja është e njohur: tavolina familjare ku të moshuarit nuk tregojnë histori, por fokusohen në telefon. Dhoma ku, përveç televizorit, secili mban një ekran tjetër në dorë dhe momentet me nipërit e mbesat që përzihen me lojëra në tablet dhe njoftime të vazhdueshme nga aplikacionet.

Ky fenomen nuk është thjesht teknologji pa dije. Njerëzit e kësaj moshe janë brezi i parë që hyri në botën digjitale pasi u rrit, shpesh gjatë periudhave të izolimit. Pandemia përshpejtoi këtë ndryshim, duke bërë ekranet jo vetëm mjet komunikimi, por edhe një dritare drejt botës, sidomos për ata që ndjeheshin të vetëm.

Teknologjia mund të jetë pozitive kur përdoret në mënyrë aktive: lojërat e fjalëve, video me përmbajtje edukative, bisedat me miqtë, apo hobet online ndihmojnë në aktivizimin e mendjes, zvogëlimin e ndjenjës së vetmisë dhe krijimin e rutinës. Në këto raste, ekrani shndërrohet në një bashkëpunëtor të ditës së pensionit.

Problemet fillojnë kur përdorimi kthehet në thithje pasive, skrollim i pafund, përmbajtje me cilësi të dyshimtë, dezinformim, frikë, zemërim apo mashtrime digjitale. Algoritmet promovojnë kohën e kaluar në ekran, jo cilësinë e përvojës, dhe për njerëzit me kohë të lirë të bollshme, kjo tërheqje mund të bëhet pothuajse hipnotice.

Pyetja më thelbësore nuk është vetëm sa kohë kalojnë në ekran, por çfarë zëvendëson ai ekran në jetën e tyre, vetminë apo jetën dhe përgjigjja e vërtetë mund të mos gjendet në rrjetet sociale, por në një bisedë të thjeshtë njerëzore, pa teknologji./Kb

10:45 Rama: SHBA-të nuk kanë ndaluar vizat për Shqipërinë, kanë pezulluar përkohësisht lejet e punës

By: Kesjana
18 January 2026 at 10:45

Gjatë shënimeve të javës në podkastin e tij “Flasim”, kryeministri Edi Rama u ndal edhe te vendimi më i fundit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke pezulluar lëshimin e vizave emigruese për aplikantët që janë shtetas të 75 vendeve, ku përfshihej edhe Shqipëria dhe katër vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Kreu i qeverisë tha se nuk është e vërtetë që SHBA-të kanë ndaluar vizat për Shqipërinë, por kanë bërë një pezullim të përkohshëm sa i përket lejeve të punës. Sipas tij, autoritetet amerikane kanë vënë re fenomenin e marrjes së vizave për turizëm apo biznes dhe më pas qytetarët e këtyre vendeve nuk kanë respektuar afatet, por kanë qëndruar në Amerikë për të punuar.

“Dua të them dy fjalë për ata që u hodhën përpjetë, ose më saktë, për ata që jetojnë të hedhur përpjetë dhe që, në përpjetësinë e tyre, i shtuan hedhjeve edhe një hedhje të radhës dhe të së njëjtës natyrë: dezinformim, çoroditje e opinionit publik, helmim i të gjithë atyre që kanë akoma fuqinë t’i dëgjojnë, duke thënë që Amerika i ndaloi vizat për Shqipërinë. Kjo është e pavërtetë! Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë ndaluar vizat për Shqipërinë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, administrata aktuale, nën orientimin e qartë prej kohësh të Presidentit Trump për politikën e re lidhur me emigracionin, ka vendosur që për 75 vende të botës, ndër të cilat edhe disa vende të Ballkanit, ku përfshihet edhe Kosova, të bëhet një pezullim i përkohshëm për sa i përket lejeve të punës në Shtetet e Bashkuara, jo vizave për në Amerikë, por lejeve të qëndrimit në Amerikë për punë, pasi për këtë kategori vendesh kanë vënë re fenomenin e marrjes së vizës për turizëm, marrjes së vizës për biznes dhe më pas të mosrespektimit të afateve, por të qëndrimit atje për të filluar një punë”, tha Rama.

Sipas tij, kjo është diçka që shkon në linjën krejt normale të politikës së re të Presidentit Trump. Ai ironizoi edhe opozitën në Shqipëri.

“Nuk ka pikën e lidhjes me të gjitha ato që u thanë nga ata që hidhen përpjetë dhe që, përsëri, kur të bien në tokë, do të shohin se terreni mbi të cilin qëndrojnë është gjithmonë më i rrëshqitshëm”, tha Rama.

Në shënimet e javës, Rama përmendi edhe dy mbledhjet maratonë që zhvilloi së fundmi, atë me qeverinë dhe grupin parlamentar.

“Të dyja këto takime kanë synuar vendosjen e piketave të vitit politik 2026”, tha ai.

Sa i takon mbledhjes së qeverisë, sipas Ramës, puna ka qenë e fokusuar tek vazhdimësia, tek programi dhe kalendari i zbatimit të tij sipas sektorëve. Ndërsa në takimin e grupit parlamentar janë fokusuar te domosdoshmëria për të rritur kapacitetin në funksion të negociatave.

“Që do të thotë më shumë koordinim, më shumë ndërveprim, më shumë organizim dhe mbi të gjitha më shumë përqendrim te ky objektiv historik dhe strategjik për Shqipërinë. Është e qartë dhe duhet të jetë e qartë për të gjithë shumicën qeverisëse dhe cilindo dhe cilën do që është në pararojën e PS duke qenë në nivelin më të lartë të përfaqësimit se ky proces është një proces që do të vijë duke u vështirësuar jo më vit pas viti, por muaj pas muaji pasi kemi të bëjmë me një volum legjislativ që kurrë më parë nuk ka kaluar filtrin vendimmarrës të Kuvendit të Shqipërisë”, tha Rama.

Ai u shpreh i bindur se grupi i tij parlamentar do të jetë në lartësinë e kësaj sfide. Një tjetër çështje për të cilën kreu i qeverisë foli ishte vizita e tij në Emiratet e Bashkuara Arabe ku mori pjesë në samitin e Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm. Kreu i qeverisë u shpreh krenar për bashkëpunimin trilater mes Emirateve, Shqipërisë dhe Italisë për gjenerimin e energjisë së gjelbër duke u shprehur se i jep Shqipërisë një avantazh strategjik.

Nuk la pa përmendur edhe vlerësimin me medalje nga presidenti Mohammed bin Zayed Al Nahyan.

“Më ka bërë një vlerësim që realisht për nga mënyra, vendi dhe mbi të gjitha për nga pesha që ka, është absolutisht i paharrueshëm. Nuk e di sa unë e meritoj, por di që të qenit në radhë me ata që e kanë marrë më parë këtë vlerësim më bën shumë krenar për Shqipërinë si kryeministër shqiptar dhe njëkohësisht më ngarkon edhe më shumë përgjegjësi, ose mund të ketë akoma, në raport me çuarjen përpara të këtij misioni që më kanë besuar shqiptarët”, tha Rama./kb

10:30 Rama: Qeveria dhe grupi parlamentar të fokusuar te sfidat e vitit politik 2026

By: Kesjana
18 January 2026 at 10:30

Kryeministri Edi Rama, në podkastin “Flasim”, deklaroi se mbledhja maratonë e qeverisë dhe ajo e grupit parlamentar kishin si qëllim përcaktimin e prioriteteve të vitit politik 2026.

Ai theksoi se fokusi i qeverisë ishte vijimësia e programit dhe kalendari i zbatimit sipas sektorëve, ndërsa grupi parlamentar u përqendrua në rritjen e kapaciteteve për negociatat me Bashkimin Evropian.

Rama nënvizoi nevojën për më shumë koordinim, organizim dhe përqendrim, duke e cilësuar procesin e integrimit në BE si historik dhe gjithnjë e më të vështirë për shkak të volumit të madh legjislativ.

Megjithatë, ai shprehu besim se shumica qeverisëse dhe grupi parlamentar do ta përballojnë me sukses këtë sfidë.

“Në krye qëndrojnë, mbledhja maratonë e qeverisë, një traditë e fillmvitit dhe një mbledhje maratonë e grupit parlamentare. Të dyja këto takime kanë synuar vendosjen e piketave të vitit politik 2026. Sa i takon mbledhjes së qeverisëse, puna ka qenë e fokusuar të vazhdimësisë tek programi dhe kalendari i zbatimit të tij sipas sektorëve, në takimin e grupit jemi fokusuar te domosdoshmëria për të rritur kapacitetin në funksion të negociatave. Që do të thotë më shumë koordinim, më shumë ndërveprim, më shumë organizim dhe mbi të gjitha më shumë përqendrim te ky objektiv historik dhe strategjik për Shqipërinë.

Duhet të jetë e qartë për shumicën qeverisës, për cilindo dhe cilëndo është në pararojën e PS duke qenë në nivelin më të lartë të përfaqësimit, ky proces është proces që do vijë duke u vështirësuar muaj pas muaj pasi kemi të bëjmë me një volum legjislativ, që kurrë më parë nuk ka kaluar filtrin vendimmarrës të republikës së Shqipërisë, nga konsultimi publik, tek qeveria dhe pastaj tek Parlamentin, por jam besimplotë që grupi parlamentar do jetë në lartësinë e kasaj sfide, ndërkohë kemi folur për aspekt të tjera duke dëgjuar raportimet e disa komisioneve”, tha ai./kb

❌
❌